• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DI MAIO DHE ATA LAJME MBI KINËN

July 24, 2021 by s p

Nga ERNESTO GALLI DELLA LOGGIA

Përktheu: Eugjen Merlika

Nuk e di nëse ministri i punëve të jashtëme Luigi di Maio – mbështetës i madh i arritjes n’Itali tëRrugës së Mëndafshit, e vënë në lëvizje nga qeveria kineze për të ndihmuar ndikimin e saj në botë, dhe në përgjithësi i përshkuar nga simpatia më e gjallë për qeverinë e Pekinit – është vënë në dijeni nga bashkëpuntorët e tij për një deklaratë të fundit të përpiluar nga një duzinë ekspertësh të të drejtave të Kombeve të Bashkuara. Në mëdyshje po kërkoj t’a bëj un.

Pra, ekspertët e OKB kanë lëshuar kushtrimin për lajmet që i u kanë mbrritur atyre rreth një praktike mizore që po sendërtohet gjithënjë e më shumë nga autoritetet kineze: heqja e dhunëshme e organeve në dëm të të burgosuurve pjestarë të pakicave të përndjekura nga regjimi komunist.Në këtë rast përveç Ujgurëve myslimanë, budistët tibetanë  dhe katolikët e pa-angazhuar, veçanërisht praktikanët e Falun Gong.

            Një numër i caktuarpjesëmarrësish të këtyre grupeve i nënështrohen përdhuni një sërë kontrollesh (analiza gjaku, ekografira e radiografira të organeve të ndryshme të brëndëshme etj.), përfundimet e të cilëve, nëse janë pozitive vihen në një bankë të madhe të dhënash për të vendosur t’u a japin ata organe (veçanërisht zemrën, veshkat, mëlçinë e zezë dhë kornet e syve) atyre që përveç se kanë nevojë janë, mund të hamendësohet lehtë, në hirin e Pushtetit.

            Pekini natyrisht përgënjeshtron.  Pranon që e ka përdorur një praktikë të tillë: por vetëm për të dënuarit me vdekje, vetëm deri në vitiin2015, e krejtësisht “mbi baza vullnetare”. Por nuk shpjegon se çfarë zanafille ka atëherë numëri tepër i lartë i trapianteve që, edhe mbas asaj date, vazhdojnë të kryhen në Kinë, pa asnjë proçedurë të njohur ndërkombëtarisht prejardhjeje të organeve.

            Por kush e di nëse di Maio, po t’i a kërkonte ambasadorit kinez në Romë, ndoshta do t’ishte kaq fatlum sa që t’arrinte t’a dinte.

            (Corriere della Sera”, 17 korrik 2021)   

Filed Under: Analiza Tagged With: Di Maio, Eugjen Merlika, Italia

DISTRIA KRASNIQI, ARI I KOSOVËS NË LOJËRAT OLIMPIKE

July 24, 2021 by s p

Nga Behlul Jashari

Xhudistja Distria Krasniqi lan Kosovën në ar. Ajo rrëmbeu me meritë Medaljen e Artë në Lojërat Olimpike Tokio 2020 teksa mundi në finale japonezen, Funa Tonaki. Xhudistja Krasniqi para se të shkonte në finale mundi Urantsetseg Munkhat të Mongolisë. Kosova u vesh në ar që në ditën e parë të garave në Lojërat Olimpike Tokio 2020. Kjo medalja e dytë olimpike, pas të artës së Majlinda Kelmendit në Rio 2016. E arta e Kosovës Distria Krasniqi, pas fitores së madhe, deklaroi: “Ndihem e përmbushur. Synoj pjesëmarrjen edhe në dy olimpiada”.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani u shpreh me këtë rast: “Distria i solli Republikës sonë medaljen e dytë të artë olimpike. Nder e krenari e lumturi e papërshkrueshme. Ajo e ngriti sot flamurin e shtetit të saj në piedestalin më të lartë. Me suksesin e saj olimpik ajo nderoi një komb të tërë, si dhe e gëzoi fort çdo zemër në Kosovë por edhe shumë të tjera anë e mbanë botës. Distria, e para e botës, dëshmoi sot sërish se është e pamposhtur dhe se është krenaria e vendit tonë. Ajo dëshmoi që talenti dhe puna triumfojnë gjithnjë. Sot, nëpërmjet Distrias, Kosova shkëlqeu para tërë botës. Sot dhe përherë, Kosova do të krenohet me ty” shkruan në mesazhin e saj Presidentja Osmani. Kyeministri i Republikës së Kosovës Albin Kurti pas suksesit të xhudistes Krasniqi u shpreh: “Distria e artë. Në garën e parë në Lojërat Olimpike, Kosova fiton medaljen e artë. Faleminderit që po bëni krenar secilin prej nesh. Me zemër jam me ju në Tokio” përfundoi kryeministri Kurti. Distria Krasniqi nuk ishte vetëm në luftën për medaljen e saj të parë olimpike. Krahas Presidentes së shtetit, Vjosa Osmani, të pranishëm në sallë në përkrahje të xhudistes shqiptare nga Kosova ishin edhe drejtuesit e Komitetit Olimpik të Kosovës, me në krye presidentin Ismet Krasniqi dhe sekretarin e përgjithshëm, Shasivar Haxhijaj, nënpresidentët Gazmend Maxhuni e Milaim Kelmendi, anëtarin e BE, Avni Nuha, përfaqësuesit nga Ambasada e Kosovës në Japoni, si dhe ekipi i xhudos me në krye kryetarin, Agron Kuka.

Filed Under: Featured Tagged With: Distria Krasniqi, kosova, Xhudo

“VIKTIMAT E MONIZMIT” – PASQYRË TRONDITËSE E KALVARIT SHQIPTAR

July 24, 2021 by s p

Nga: Xhelal Zejneli*

Dëshmi tronditëse për dhunën ndaj shqiptarëve të boshtit të krimit Shkup-Beograd- Titograd, në periudhën e viteve 1981-1990. Inteligjencia shqiptare në Maqedoni u akuzua për nacionalizëm, irredentizëm dhe separatizëm. U akuzua se punon kundër vëllazërim-bashkimit, kundër rendit kushtetues, kundër politikës së Lidhjes së Komunistëve. Ajo u akuzua se vepron për shkatërrimin e Jugosllavisë së AVNOJ-it (KAÇKJ-së), për bashkim me
Shqipërinë dhe për krijimin e Shqipërisë së Madhe. Shkollat shqipe u shpallën bastione të ideologjisë shqiptaromadhe. Ndaj intelektualëve u zbatuan masa ndëshkuese drakonike: u diferencuan politikisht dhe ideologjikisht; shumë prej tyre u dëbuan nga puna dhe u flakën në rrugë;  u morën në biseda informative; për ta ndaluar arsimimin në gjuhën shqipe, u krijuan të ashtuquajturat paralele të përziera; u nxorën do ligje, sipas të cilave ditarët nëpër shkolla duhej të plotësoheshin në gjuhën sllavo-maqedonase; u ndalua pagëzimi i foshnjave të porsalindura me emra të gurës shqiptare dhe ilire; nga repertorët e stacioneve radio-televizive u flakën këngët me motive atdhetare; nga bibliotekat e shkollave, nga ato publike, përkatësisht private u sekuestruan librat që ishin botuar në Shqipëri; nëpër dasma u ndalua ekzekutimi i këngëve me përmbajtje atdhetare; personat që merrnin pjesë nëpër dasmat në të cilat këndoheshin këngë patriotike – u dënuan; u dëbuan nga puna intelektualët që ishin shkolluar në Universitetin e Prishtinës; me buldozerë u prishën muret e shtëpive dhe u prenë dyert e shtëpive – si në kohën e Çubrilloviqit; nga plan-programet arsimore u hoqën njësitë mësimore që ndikonin në rritjen e
ndërgjegjes kombëtare të nxënësve; pronarët e tregtizave që mbanin emërtime shqiptare ishin nën syrvejim permanent; policia e armatosur deri në dhëmbë i mbyllte shtëpitë e mallrave dhe me shkopinj gome rrihte popullsinë civile të mbyllur në to; arrestoheshin demonstruesit; torturoheshin të burgosurit; montoheshin procese gjyqësore; shqiptoheshin dënime drakonike. Duart e zeza të shërbimit sekret sllav shtriheshin kudo. Shteti policor përcillte dhe syrvejonte çdokënd. Shqiptarët ndodheshin në shtetrrethim. Syri i Vëllait të Madh të ndiqte në çdo hap. Kjo të kujtonte skenat e Xhorxh Oruellit. Shovinistët sllavo-maqedonas, këta lakej të Beogradit, të ushqyer me ideologji bolshevike, staliniste, kominterniste dhe
pansllaviste, zbatuan ndaj shqiptarëve metoda bizantine të dhunës.
Intelektualët shqiptarë që përmenden në librin “Viktimat e monizmit” të autorit Ismail Arsllani, ishin në krye të përgjegjësisë historike. Në luftën e tyre – historikisht të justifikueshme – për të drejta, barazi, liri dhe demokraci, ata nuk u hamendën në asnjë çast. Jugosllavia, për shkatërrimin e së cilës u akuzuan, më në fund u shemb. Kosova fitoi lirinë, ndërsa shqiptarët në viset e tjera, vazhduan rrugën drejt ditës së re. Politikës unitariste, monoetnike, centraliste, etatiste, diskriminuese, restriktive dhe
opresive po i vinte fundi. Përballë kësaj dhune irracionale, inteligjencia shqiptare në Maqedoni, si një mal i vetmuar, e patundur qëndroi.


Në librin “Viktimat e monizmit” të Ismail Arsllanit, pasqyrohet njëra nga periudhat më të rënda të popullit shqiptar në Maqedoni. Protestat masive të shqiptarëve në Kosovë, në mars dhe në prill të vitit 1981, sipas shumë studiuesve të zhvillimeve politike në Jugosllavi, paraqesin fillimin e shpërbërjes së amalgamës jugosllave. Protestat e sipërthëna do t’u
shërbejnë pushtetarëve maqedonas si pretekst për të ushtruar dhunë mbi shqiptarët. Pas vitit 1981, qarqet shoviniste sllave, kundër shqiptarëve në Jugosllavi do të ndërmarrin një fushatë, deri atëherë të paparë në Evropën e pas Luftës së Dytë Botërore. Kjo fushatë antishqiptare do të zhvillohet shkallë-shkallë dhe do të arrijë kulmin kah mesi i viteve ’80 të shekullit XX, kur akademikët serbë publikuan Memorandumin e Akademisë Serbe të
Shkencave dhe të Arteve, që doli në Beograd në janar të vitit 1986, si një libër anonim. Pas publikimit të këtij Memorandumi famëkeq që u quajt nekrolog i Jugosllavisë së AVNOJ-it (KAÇKJ), politika antishqiptare u intensifikua. Boshti antishqiptar i krimit Shkup-Beograd-Titograd u shpalli shqiptarëve luftë speciale, d.m.th. luftë kundër nacionalizmit dhe
irredentizmit shqiptar, luftë kundër separatizmit shqiptar dhe luftë kundër secesionizmit shqiptar. Sipas boshtit antishqiptar të lartpërmendur, shqiptarët në Jugosllavi luftojnë për Shqipëri të madhe. Sipas këtij boshti të krimit, shqiptarët janë: kundër Jugosllavisë, kundër tërësisë tokësore të saj, kundër vëllazërim-bashkimit, kundër politikës dhe ideologjisë së
Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë, kundër Armatës Popullore Jugosllave, kundër fryteve të Luftës Nacionalçlirimtare dhe revolucionit socialist, kundër figurës së Josip Broz Titos. Në këtë periudhë të rëndë për shqiptarët në Jugosllavi, e sidomos në Maqedoni, kundër shqiptarëve u angazhuan institucionet dhe organet e shtetit, si: Lidhja e Komunistëve,
krerët politikë, qarqet ushtarake, organet e policisë, shërbimet sekrete, institucionet arsimore, kulturore dhe shkencore, Akademia Serbe e Shkencave dhe e Arteve, Lidhja e Shkrimtarëve të Serbisë, qarqet universitare dhe kleri ortodoks. Në këtë dance macabre u përfshinë edhe mediumet, e sidomos shtypi i Beogradit, me propagandën e tij gebelsiane. Si përbindësh kundër shqiptarëve u ngritën edhe filialet në Shkup – të institucioneve të sipërthëna. Shqiptarët u shpallën trup i huaj në Jugosllavi.
Lufta kundër shqiptarëve, në të vërtetë ishte synim i serbëve për të sendërtuar ëndrrën historike për një Serbi të madhe. Me një fjalë, duke realizuar idenë garashaniniste, të rimëkëmbet perandoria mesjetare e car Dushanit. Për këtë arsye u ndërmorën masa që të ndryshohet Kushtetuta jugosllave e vitit 1974, sipas së cilës Kosova ishte element konstitutiv i Federatës, ndërsa shqiptarët në Maqedoni gëzonin statusin e popullit shtetformues. Me ndryshime kushtetuese, do të duhej të shembej
shteti federal dhe do të ndërtohej një Jugosllavi unitariste, centraliste dhe etatiste. Rrjedhimisht, edhe Maqedonia do të shndërrohej në një republikë unitare, monoetnike dhe centraliste. Pas kësaj histerie kundërshqiptare, Kosovës do të duhej t’i suprimohej autonomia, ndërsa shqiptarët në Maqedoni do të shndërroheshin në minoritet të papërfillshëm. Me fjalë të tjera, duhej të rrënohej statusi juridik dhe politik i shqiptarëve. Në rrethana të tilla, pozita e shqiptarëve në Jugosllavi, në veçanti e shqiptarëve në
Maqedoni do të ishte e njëjtë si në kohën e Mbretërisë Jugosllave, të mbiquajtur burg i popujve. Për shqiptarët, duhej të rikthehej periudha famëkeqe e karagjorgjeviqëve, e Nikolla Pashiqit dhe e Aleksandër Rankoviqit.

Antishqiptarizmi i periudhës së viteve 1981-1990 në trojet etnike shqiptare në Jugosllavi ishte politikë e shtetit. Boshti antishqiptar i krimit, Shkup-Beograd-Titograd, në periudhën e viteve 1981-1990 ushtroi mbi shqiptarët gjenocid. U sajua një i ashtuquajtur diferencim ideopolitik, si hap i parë për t’i dëbuar shqiptarët nga puna. për t’i disiplinuar dhe për t’i pacifikuar shqiptarët, sllavët morën masa të rrepta policore dhe gjyqësore. Ndaj
shqiptarëve do të ndiqet politikë diskriminuese, politikë restriktive dhe politikë represive. Opresioni ishte pjesë e pandarë e kësaj strategjie. Me shqiptarët do të merren gjyqtarët, policët, hetuesit, dëshmitarët e rrejshëm dhe gardianët. Shqiptarët do të arrestohen, do t’i nënshtrohen hetuesisë, do të torturohen dhe do të dënohen me dënime drakonike. Në periudhën e viteve 1981-1990, politika irracionale dhe destruktive e boshtit antishqiptar të krimit Shkup-Beograd-Titograd, ringjalli ideologjinë retrograde dhe anakronike, hegjemoniste dhe ekspansioniste të Ilija Garashaninit dhe të akademikut Vasa Çubrilloviq. Sipas një interpretimi të “Naçertanies” nga radikalët serbë, shqiptarët duhet të dëbohen përtej Bjeshkëve të Nemuna. Ndërkaq, elaborati famëkeq i Çubrilloviqit duhej të zbatohej me përpikëri, në mënyrë që shqiptarët të detyrohen t’i braktisin trojet stërgjyshore. E
tërë kjo do të ishte në funksion të pastrimit etnik të trojeve shqiptare. Maqedonia, kjo kreaturë serbokomuniste dhe kominterniste, në vitet 1981-1990 ishte shndërruar në instrument të verbët të Beogradit për denigrimin dhe përndjekjen e shqiptarëve. Autori i librit “Viktimat e monizmit” – Ismail Arsllani, dëshmon me argumente dhe në mënyrë rrëqethëse për ngjarjet dramatike të viteve 1981-1990, nëpër të cilat kalon populli shqiptar në Maqedoni. Do të sulmohen me egërsi dhe në mënyrë barbare: gjuha shqipe,
kultura shqiptare, kënga shqipe dhe folklori shqiptar. Do të vihen në shënjestër: arsimi shqiptar dhe plan-programet mësimore. Shkolla shqipe do të shpallet bastion i nacionalizmit dhe i irredentizmit shqiptar. Partia komuniste sllavo-maqedonase do të japë direktiva që nga repertori i këngëve nëpër dasmat shqiptare, të hiqen këngët që cilësohen si nacionaliste. Nëpërmjet të ashtuquajturave paralele të përziera, synohej të ndalohej arsimi shqiptar. Shovinistët sllavo-maqedonas e ndaluan pagëzimin e fëmijëve shqiptarëve me emra shqip, si Ilir, Shkodran, Berat, Sarandë, Shqipe, Adriatik…Me fjalë të tjera, foshnjat shqiptare nuk mund të emërtoheshin sipas onomastikës iliro-shqiptare. Emrat toponomastikë si Tetovë, Dibër, Kërçovë, Kumanovë, Shkup, Manastir etj, duhej të shqiptoheshin sipas shqiptimit sllav. Format e gjenocidit mbi shqiptarët ishin të shumta. Pjesë e trysnisë ishte edhe prishja e mureve të shtëpive. Shovinistët serbë dhe sllavo-maqedonas krijuan edhe index librorum prohibitorum. Me një fjalë, librat që cilësoheshin se posedojnë përmbajtje nacionaliste, u flakën nga bibliotekat dhe u futën nëpër bodrume që të myken. Intelektualët syrvejoheshin, ndiqeshin, përcilleshin dhe përndiqeshin në çdo hap. Të dënuarit, pasi shpalleshin armiq të Jugosllavisë, të vëllazërim-bashkimit, të LKJ-së dhe të socializmit, dënoheshin – në emër të popullit – me dënime drakonike. Fatkeqësisht, ndër bashkëpunëtorët e Drejtorisë së Sigurimit Shtetëror (Uprava
državne bezbednosti – UDB) kishte edhe shqiptarë. Syrvejimi i tërë një populli dhe thirrjet në të ashtuquajtura biseda informative të përkujtonte botën e tmerrshme oruelliane. Vëllai i Madh i Xhorxh Oruellit të ndiqte në çdo hap. Makina bizantine dhe bolshevike e tmerrit mbi një popull të pambrojtur, nuk ndalej së ushtruari dhunë. Funksionarët shqiptarë ndërkaq, nuk kishin kurrfarë kapaciteti për t’i dalë para dhe për ta frenuar ideologjinë totalitariste të shovinistëve serbo-maqedonas. Midis tyre
kishte edhe karrieristë. Disa prej tyre u bënë pjesë e pandarë e politikës gjenocidale që ndiqte ndaj shqiptarëve boshti i krimit Shkup-Beograd-Titograd. Përballë dhunës bizantine, populli shqiptar, si një mal i vetmuar, i patundur qëndroi. Duke qenë popull autokton, shqiptarët manifestuan një vitalitet të jashtëzakonshëm. Nga kalvari që përjetuan shqiptarët, nuk u thye vrulli faustian i tyre. Kauza shqiptare, historikisht e drejtë, bëri që stërnipat e ilirëve të lashtë, t’i bëjnë ballë golgotës, ndërsa me forcën
prometeane dhe racionalizmin kartezian, të përqafojnë epokën e pluralizmit politik dhe demokracinë perëndimore. Shqiptarët nuk kërkonin kurrfarë drejtësie të veçantë, ngase ndaj tyre s’ishte bërë kurrfarë padrejtësie e veçantë, por padrejtësi e përgjithshme, padrejtësi
historike. Libri “Viktimat e monizmit” i Ismail Arsllanit është një dëshmi e gjallë për ngjarjet dramatike dhe për golgotën që e ka përjetuar populli shqiptar në Maqedoni në periudhën e viteve 1981-1990. I shkruar me një gjuhë të rrjedhshme dhe stil të përkryer dhe i pajisur me prova, argument, dokumente dhe fotografi figurash dhe personalitetesh që kanë qenë aktorë të drejtpërdrejtë të ngjarjeve, libri paraqet burim të dorës së parë për studiuesit e sotëm dhe të ardhshëm. Kjo vepër u bën të mundur brezave të ri për ta njohur ferrin dantesk, terrin bizantin dhe tmerrin bolshevik që kanë përjetuar etërit e tyre nga shovinistët sllavo-maqedonas. Libri
ka dhe një mesazh të fuqishëm: Një sasi lirie që gëzojnë shqiptarët sot, nuk është fryt i një sakrifice të djeshme, por i një lufte dhe i një qëndrese shekullore të shqiptarëve, ndër breza. Ideologjia retrograde, anakronike dhe destruktive e akademikëve serbë çoi në shpërbërjen e
përgjakshme të Jugosllavisë së Titos. Popujt e Ballkanit duhet të zgjedhin paqen si alternativë e konfliktit, të jenë të pavarur dhe sovranë, ta njohin njëri-tjetrin, të bashkëpunojnë ndër vete, të ndjekin politikë paqësore
dhe stabilizuese, të ndërtojnë shtete ligjore, t’i zhvillojnë proceset demokratike, të zhvillohen ekonomikisht dhe të integrohen në familjen perëndimore. Heronjtë e kësaj drame tragjike që i dolën përballë të keqes me gjoksin prometean, duhet të zënë vendin e merituar në historinë e popullit shqiptar.

Filed Under: ESSE Tagged With: maqedoni, Viktimat e monizmit, Xhelal Zejneli

SHKOLLA SHQIPE”ALBA LIFE”- NE SHTATOR NE MJEDISET E QENDRES SHQIPTARE NE JACOBI CENTER

July 23, 2021 by s p

  • Drejtori i Shkollës Shqipe “Alba Life” Qemal Zylo, themelues i saj, mori takim me z.Mark Gjonaj i cili së bashku me ekipin e tij afroi mjedise komode me klasa të përshtatshme për të zhvilluar mësimin e rregullt në Jacobi Center, që ndodhet në një nga lagjet e Nju Jorkut në Bronx.

Nga Keze Kozeta Zylo/

Pandemia boterore e izoloi njerëzimin dhe secili e ndjeu në mënyëën e vet shkatërrimin që po sillte Covid 19.  Në bazë të studimeve fëmijët, nxënësit, studentët e ndjenë dhe më shumë pasi izolimi pengon në shumë gjëra për të marrë dijet shkencore në të gjitha fushat…  

Edhe Shkolla Shqipe “Alba Life” që operon në të gjitha lagjet e Nju Jorkut u izolua që nga marsi i vitit 2020 deri në qershor 2021, por mësimet nuk i ndërpreu kurrë pasi ishte e para shkollë që filloi programin mësimor në platformën Google Meet në Online dhe kjo në saje të punës së përkushtuar të të gjithë mësuesëve tejet profesionistë, stafit, prindërve dhe nxënësve.

Tani kemi shansin të fillojmë mësimin në klasat e rregullta në shtator.  Për këtë bordi dhe stafi i shkollës edhe pse jane në pushimet verore po punon fort për të realizuar këtë mision kombëtar.  Konkretisht z.Qemal Zylo themelues dhe drejtori i Shkollës Shqipe “Alba Life” mori takim me z.Mark Gjonaj i cili së bashku me ekipin e tij na afroi mjedise komode me klasa të përshtatshme për të zhvilluar mësimin e rregullt në një nga lagjet e Nju Jorkut në Bronx.  Drejtori i përgjithshëm i Jacobi Center foli fjalë miradie për z.Mark Gjonaj duke thënë se është një këshilltar plot kulturë dhe një ndihmës i jashtëzakonshëm për publikun. 

Duke vizituar këtë qendër ne kaluam një një klasë ku ndodheshin mjekë dhe infermierë.  Z.Mark Gjonaj pasi i përshëndeti dhe i falënderoi për punën e tyre vecanërisht për përballimin me sukses të shërbimit të sëmureve me Covid 19, ai u mirëprit me duartrokitje.  Ata e njihnin mirë mbështetjen e tij dhe këtë e pashë në dëgjimin plot vemendje si dhe duartrokitjet në fjalën e z.Gjonaj gjatë përshëndetjes. E kush më shumë se Z.Mark Gjonaj mund të ndihmojë moralisht dhe me vepra?  Z.Mark Gjonaj është i pari politikan Shqiptaro Amerikan që punoi dhe realizoi ligjërisht mësimin e gjuhës shqipe në shkollat publike amerikane në New York.  

Z.Mark Gjonaj është i pari Shqiptaro Amerikan që është ulur në karrigen e Ansamblesë së shtetit të Nju Jorkut dhe në Bashkinë e Nju Jorkut.  

Nxënësit e Shkollës Shqipe “Alba Life” e kanë ndjerë nga afër mbështetjen e tij pasi ka marrë pjesë në disa aktivitete të rëndësishme që ushtron shkolla gjatë vitit.  Ardhja dhe mbëshetja e tij duket se është vazhdim i veprës së Rilindasve.  Duke vizituar mjediset tejet komode në bashkëbisedim e sipër mëtha se: “Në se ne do të punojmë me brezin e ri, me studentët, nxënësit dhe vecanërisht me fëmijët atëhere Diaspora Shqiptaro Amerikane do të jetë shumë e fortë dhe shumë e ndjeshme për Kombin tonë tëpërbashkët.  Ne duhet të punojmë pa u lodhur për të transmetuar tek brezi i ri kulturën tonë dhe traditat e mrekullueshme shqiptare”.    

Z.Mark Gjonaj është një Rilindas i Diasporës Shqiptaro Amerikane! 

Ju mirëpresim nxënës të dashur në shtator 2021!  

22 korrik, 2021

Bronx, New York

Filed Under: Komunitet Tagged With: Alba Life, Mark Gjonaj

MARRËDHËNIET NDËRETNIKE SHQIPTARO- SERBE

July 23, 2021 by s p

Nikë Gashaj, Politolog/

Shikuar historikisht, shqiptarët në bashkësinë shtetërore me Serbinë kanë kaluar periudha shumë të vështira në luftën e tyre për liri e drejtësi, për të drejtat njerëzore dhe kombëtare – kundër regjimeve borgjeze, diktaturave monarkiste, politikave nacionaliste, shoviniste dhe fashiste të Aleksadër Rankoviqit dhe Sllobodan Millosheviqit.

Pra, historia e shqiptarëve nuk është e varfër në ngjarje, por është e mbushur me luftë për mbijetesë, vuajtje të padëgjuara, ngjarje dramatike dhe tragjike. Prandaj, kur flitet për marrëdhëniet ndëretnike shqiptaro-Serbe në Jugosllavi, respektivisht në Serbin e Madhe, duhet të kihet parasysh tërë dramën, tërë udhtimin e shqiptarëve në bashkësinë me Serbinë.

Serbia si shtet okupues dhe agresor, ka kryer tre gjenocide mbi shqiptarët. Gjenocidi i parë u krye me 1878 në Kurshumli, Leskovac, Prokuple, Topllicë, Vranje dhe Nish. Gjenocidi i dytë u krye gjatë luftërave Ballkanike të viteve 1912-1913 dhe gjenocidi  i tret,  gjatë agresionit ushtarako-policor serb mbi popullin  shqiptar të pa mbrojtur, duar thatë, në vitet   1998/99, në Kosovë.

Ekziston një literaturë voluminoze dhe një material historik-politik për jetën e vështirë dhe të padurueshme, si dhe për pozicionin  e nënshtrimit e të shtypjes  së shqiptarëve nën sovranitetin dhe jurisprudencën serbe. Por me këtë rast do të citoj disa vlerësime dhe qendrime të një socialdemokrati, publicisti dhe humanisti të mirënjohur serb, Dimitrije Tucoviq, i cili thotë: ”Sot është berë shumë e rrezikshme të predikosh nevojën për të punuar së bashku me Arbanasit. Mendime të pavërteta dhe tendencioze, si dhe politka pushtuese e Serbisë me metodat e saj barbare duhej të mbushte Arbanasit me urrejtje të thedhë ndaj nesh…”

Gjithashtu, është i njohur rasti kur deputeti Kosta Novakoviq ngriti çështjen e terrorit dhe presionit fizik ndaj popullatës së pafajshme shqiptare nga regjimi serb në Mbretërinë e Jugosllavisë, por u sulmua fizikisht dhe u rrah nga deputetët pozicionar serbë në vetë Parlamentin.

Pikërisht për shkak të pozicionit skllav, një pjesë e madhe e shqiptarëve e mirëpriti ardhjen  e trupave Italiane, me 1941, në Jugosllavi të cilët i konsideruan  si çlirimtare. Njerëzit atëherë thoshin”Le të vijë edhe djalli i Zi, thjesht le të ndryshoj kjo qeveri, sepse nuk mund të jetë më e keqe për ne”. Dhe sigurisht, ata kishin të drejtë.

Shqiptarët nën regjimin italian në Jugosllavi gëzonin të drejta të konsiderueshme civile dhe kombëare, të cilat ishin të paimagjinueshme nën sundimin serb. Për shembull, shqiptarët ishin të lirë të përdorin gjuhën dhe alfabetin e tyre si gjuhë zyrtare, së bashku me italishten; lëjohej përdorimi i flamurit kombëtar shqiptar; ishte e lëjuar përdorimi Himnit shqiptar; janë hapur një numër i madh i shkollave fillore dhe të mesme në gjuhën shqipe; u krijuan mundësi që shqiptarët të punësohen në administratën shtetërore;  një numri të shqiptarëve iu kthye toka e uzurpuar nga pushteti serb, etj.

Për më tepër vendosjen e regjimit politik italian, shqiptarët e përjetuan atë si çlirim nga persekutimi, arrestimi, vrasja dhe dëbimi në botën e jashtme. Me një fjalë, si çlirim nga pozicioni kolonial, nga presioni, terrori dhe gjenocidi. Kjo është vetëm si sintezë e shkurt e historisë tragjike të shqiptarëve në ish-Jugosllavi, apo Serbi,  por gjithashtu më duket se është mjaftë bindëse në paraqitjen e marrëdhënieve ndëretnike shqiptaro-serbe.

Filed Under: Analiza Tagged With: marrdheniet nderetnike, Nike Grishaj, Shqiptaro-Serbe

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2812
  • 2813
  • 2814
  • 2815
  • 2816
  • …
  • 2822
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Nga cikli “Humanistë të shquar shqiptar shek XV-XVIII” Mikel Maruli (1451-1500)
  • PERSE SHQIPERIA MBYTET NE DIMER E DIGJET NE VERE?
  • Ohri dhe Diplomacia e Kosovës
  • DR. ATHANAS GEGAJ: GJERGJ KASTRIOTI-SKENDERBE
  • VENDI IM
  • RUGOVA E SHNDËRROI DURIMIN STRATEGJIK NË MEKANIZËM SHTETFORMUES
  • Shkolla Shqipe Vatra në Tampa zhvilloi takimin e radhës
  • FESTA E SHQIPTARËVE
  • Lekë Matrënga, jo vetëm poeti, por dhe mësuesi i parë i shqipes
  • BETIMI I VEDAT GASHIT I ADMINISTRUAR NGA PRESIDENTI CLINTON
  • GAZETA AUSTRALIANE (1929) / NJË RRËFIM PËR GRATË E SHQIPËRISË
  • VATRA SHPALL KUVENDIN E PËRGJITHSHËM ZGJEDHOR MË 25 PRILL 2026
  • VATRA, EMËR I SHENJTË, AMANET I BREZAVE, FLAKA QË NUK SHUHET KURRË…
  • Raif Hyseni, Merita Halili, Ansambli MSU ngrejnë peshë Festivalin e Artë të Muzikës dhe Valleve Ballkanase 2026
  • 17 janar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, forma që mban një komb, kur koha kërkon ta shpërbëjë!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT