• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NËNË TEREZA – Shenjtëresha shqiptare për mbarë njerëzimin

August 27, 2021 by s p

 Liljana CUKA – MAKSUTI

Jam Liljana Cuka Maksuti, përkthyesja që pati fatin të përkthej librin e Don Lush Gjergjit ‘ Biseda me Nënë Terezën ‘ nga gjuha jonë amtare në gjuhën italiane, gjuha e vendit ku Nënë Tereza hapi qendrën e saj të bamërisisë për te ngritur me pas qendra te tjera nëpër botë. Të përkthesh do të thotë t’i japesh jetë librit në një gjuhë tjetër që i përket një tjetër kulture. Perkthyesi mban përgjegjësi për këtë jetë të re që po lind, njësoj si vete autori. 

Para disa ditesh doli ne gazetën Tema letrare shkrimi i gazetares Nadire Buzo: Të guxosh për të ndjekur të medhenjtë, shkrim i cili pasqyron punën e të nënshkruares në fushën e përkthimeve. Kur lexova shkrimin, mjaft e emocionuar fillova të reflektoj. Gazetarja e nderuar vërtet kishte gjetur të veçantën e cila më paska karektizuar, dhe me ne fakt, pikërisht me mendje dhe me zemër nëpërmjet leximit kam ndjekur autorët e medhenj, ndërsa aktualisht po punoj për perkthimin disa veprave te tyre. prodhimtari shpirtërore të kulturës sonë.

Është e ditur se Zoti na shfaqet në forma nga me të ndryshme, në çdo moment të jetës dhe se ai për secilin nga ne ka një projekt të vetin.  Me gëzim te madh konstatoj se projekti i Tij për mua, ndër të tjera paska qenë të përkthej vepra letrare nga gjuha jonë shqipe në gjuhë të huaja, Te shkruash për përshtypjet e veta mbi punën  e berë, mbasi e ke perkthyer librin, nuk është e lehtë. E konsideroj fat që mu dha kjo mundësi, të njihem kaq nga afër me veprën dhe mendimet e shenjtores shqiptare, e cila si është shprehur një shkrimtar shqiptar, Zoti mendoi që mbas dy mijë vjetesh t’i dhurojë njerëzimit një grua, pikërisht Nënë Terezën, shenjtoren e madhe shqiptare e cila me veprën e saj i ka dhënë aq shumë njerëzimit, për më të vobektit e të vobektëve kudo në botë, pa dallim feje, kombi apo vendi.

 Don Lush Gjergji me shumë dashuri dhe kujdes na ka dhënë këto biseda që ka zhvilluar gjatë viteve kur e ka shoqëruar Nënë Terezën. Si çdo shqiptar, i cili e do vendin dhe kulturën e vete, dhe unë kisha lexuar dhe dëgjuar shumë për Nënë Terezën, dhe me kureshtje gjithmonë jam interesuar për veprën e saj, por përkthimi i librit, më bëri të njoh nga afër mendimet dhe forcën e saj, mënyrën se si Nënë Tereza ndihmonte njerëzit, se si u falte dashuri njerëzore,  jepte forcë dhe shpresë, pra, u dhuronte jetën, çfare jeta pa shpresë, mund te lind pyetja.

Duke përkthyer këtë libër kaq të dashur tashmë per mua, më dukej sikur ndodhesha edhe unë pranë tyre dhe dëgjoja bisedat me zërin e tyre. Me imagjinatën time, me sa mësoja nepermjet leximit, isha e pranishme ne Londrën e pasur, ku Nënë Tereza do të ndihmonte të shkonte si zotëri në “shtepine e Zotit” një njeri që gjithë jetën kishte jetuar në mjerim, pra, do të gjendesha bashkë me motrat e Nënë Terezës ne Indi, te të varfrit e besimeve të ndryshme që ndanin midis tyre ndihmat, që u jepnin motrat. Do të shikoja me sytë e mendjes dhe do të me këputej shpirti për djalin që nuk e hante bukën që i dhanë motrat, edhe pse kishte ditë pa ngrenë, nga frika se të nesërmen do të kishte përsëri uri. 

Gjithmonë libri na çon kudo ku ka shkuar Nënë Tereza, me leximin e tij përjeton ato situta ku ajo ka vepruar dhe ka shprehur. Lexuesi do te përjetoje gëzimin e hapjes se qendres Nënë Tereza në Shkup. Motrat e Nënë Terezës, që janë nga viset, vendet dhe kulturat e ndryshme,  që Nënë Tereza i ka formuar, frymëzuar dhe motivuar, u jep forcë njerezore, dashuri hyjnore për të ndihmuar më te vobektit e të vobektëve kudo në bote.

Me pak fjalë Shën Nënë Tereza është mrekullia e Zotit dhënë Popullit tonë, Kishës dhe mbarë njerëzimit. 

Romë, 24 gusht 2021                                          Liljana CUKA – MAKSUTI, përkthyese e veprës “E kam në zemër Popullin tem Shqiptar”, në gjuhën italishte “Conversazioni con Madre Teresa”, VELAR – Dottrinari, 2021.

Prishtinë, 26 gusht 2021                           Ditët Përkujtimore të Nënës Tereze 

Filed Under: ESSE Tagged With: Liljana CUKA – MAKSUT, Nene Tereza, shenjtorja shqiptare

Shën Nëna Tereze, histori, porosi dhe trashëgimi

August 27, 2021 by s p

Don Lush GJERGJI

Gonxhe Bojaxhiu u lind në Shkup më 26 gusht 1910 nga prindërit shqiptarë katolik Kolë Bojaxhiu dhe Drane lind. Bernaj – Bojaxhiu, me prejardhje nga Prizreni dhe Novosella e Gjakovës. 

Shkollën fillore, katër vitet e para, i kreu pranë famullisë së “Zemrës së Krishtit”, vitet tjera dhe gjimnazin në shkolla shtetërore. Në moshën 18 – vjeçare vendoset për shërbim të plotë Zotit, Kishës, njeriut me jetën rregulltare të “Motrave të Loretos” që vepronin në Kalkutë. Atje bëri studimet universitare histori – gjeografi, dhe për pak kohë punoi i infermiere, pastaj si profesoreshë dhe drejtoreshë e shkollave të mesme në Kalkutë. Në vitin 1946 braktisi rregullin për t’iu kushtuar tërësisht “të varfërve ndër më të varfër”. 

Në vitin 1950 themeloi motrat “Misionaret e Dashurisë”, pastaj “Vëllezërit Misionarët e Dashurisë” (1963), “Bashkëpunëtorët e Nënës Tereze” (1969), “Misionaret e Dashurisë – dega kontemplative” (1976) dhe “Vëllezërit e Fjalës – dega meshtarake” (1977)…

Mori gati të gjitha shpërblimet më të larta kishtare dhe shekullare, edhe atë Nobel për Paqe (1979). Mbarë bota e çmoi dhe nderoi me titullin më të lartë dhe më të ëmbël: Nëna e Dashurisë.

Si në jetë, ashtu edhe në vdekje dhe salikim,  si në lumturim, ashtu edhe në shenjtërim, mblodhi dhe bashkoi mbarë botën, pa asnjë dallim dhe  përjashtim.

U kthye në “Shtëpinë e Atit” apo ndërroi  jetë më 5 shtator 1997. Qe lumturuar nga Papa Shën Gjon Pali II (19 tetor 2003), ndërsa shenjtëruar nga Papa Françesku më 4 shtator 2016.

Në jetën dhe veprën e Nënës Tereze kemi tri faza jetësore që mund t’i dallojmë dhe quajmë edhe me tri emërtime: Gonxhe Bojaxhiu (1910 – 1928), Motra Tereze e Loretos (1929 – 1950) dhe Nëna Tereze – Misionare e Dashurisë (1950 – 1997).

Këto tri periudha jetësore kanë tri qëndrime,orientime dhe përcaktime themelore që përputhën me tri virtytet hyjnore: FEJA, SHPRESA dhe DASHURIA.

Për Nënën Tereze feja ishte kërkim, shpresa veprim, ndërsa dashuria flijim dhe dhurim.

Ajo ka folur pak, por ka vepruar shumë, mbi të gjitha ka dëshmuar fuqinë e fesë dhe frymëzimin e dashurisë, si dy shtylla të forta dhe të pathyeshme për jetë dhe për veprimtari, duke krijuar kulturën e jetës dhe qytetërimin e dashurisë. 

Në këtë libër do t’i gjeni 7 intervista ekskluzive, 5 vizitat e saja në Kosovë: 1970, 1978, 1980, 1982, 1986, 5 faksime apo dorëshkrime origjinale të Nënës tonë të madhe në gjuhën shqipe, mbi të gjitha histori, porosi dhe trashëgimi shpirtërore dhe kulturore, me një fjalë Nëna jonë Tereze dhe Populli ynë Shqiptar, dikur dhe sot, në vazhdimësi dhe trashëgimi.

Fatbardhësia e këtij libri është që së shpejti do të botohet edhe në gjuhën anglishte, gjermanishte, polonishte, rumanishte, frëngjishte, kroatishte dhe sllovenishte…

Thesarin e jetës dhe veprës së Shën Nënë Terezes , së pari për ne Shqiptarë, pastaj për Kishën dhe mbarë njerëzimin, jam munduar ta shënoj dhe ofroj, kështu që edhe ata që nuk e kanë pasur fatin tim që ta njohin dhe të shoqërohen për së afërmi, disa nëpërmjet këtij botimi, të takohen, afrohen dhe bashkohen me Të, për të qenë gjithnjë e më të lirë dhe më të mirë.

Shën Nëna Tereze, lutu për dhe për botën mbarë!

Prishtinë, Ditët Përkujtimore të Nënës Tereze, 5 – vjetori i shenjtërimit.

                                                                                     Don Lush GJERGJI

Filed Under: Featured Tagged With: don Lush Gjergji, Gonxhe Bojaxhiu, Nene Tereza

Të vdesësh nga vetmia, kjo vuajtje johumane

August 27, 2021 by s p

Nga Majlinda Bregasi

Don Lush GJERGJI, Conversazioni con Madre Teresa, VELAR – Dottrinari, 2021, f. 95. Kur të pish një pikë ujë kujtohu për mua, lutu për mua dhe unë gjithmonë do të të kujtoj në lutjet e mia përpara Zotit tonë, sepse ti je prifti im.

Janë këto fjalët e fundit që Shën Nëna Terezë i thotë autorit të këtij libri, Dom Lush Gjergjit, që për mua janë shumë domethënëse nga shumë pikëpamje. Dhe si gjithmonë fjalët e fundit janë ato të pashlyeshmet, testamenti që u duhet transmetuar të tjerëve, është besa për ne shqiptarët. Kush e njeh Dom Lushin, veprimatarinë e tij të pashterrshme, librat e tij dhe atë si person, gjithmonë i gatshëm për të të dëgjuar e për të të kuptuar, pa të gjykuar kurrë, nuk e ka të vështirë ta kuptojë përkushtimin dhe adminirimin e tij për Nënë Terezën e Kalkutës. Nuk e di nëse kjo rrjedh nga lidhja e gjakut, ajo etnike, apo nga lidhja shpirtërore, ajo që i lidh njerëzit në botë nga të njëjtat ndjenja humane, por është e qartë që Shën Nënë Tereza është muza e tij. Analiza e bisedës është fusha ime e ngushtë e studimeve, ajo që më frymëzon për të kuptuar natyrën humane nëpërmjet akteve spontane të komunikimit, natyrale, të papritshme, të paprojektuara, por gjithmonë të qëllimshme. Ne e organizojmë jetën, ndërtojmë marëdhëniet tona me të tjerët nëpërmjet bisedave të përditshme, ku gjuha njerëzore shfaqet në natyrshmërinë e saj të plotë, pa përpunime stilistike e semantike mbi letër. Janë gjithë ato fjalët që me të dalë nga goja hyjnë direkt në mendjen e të tjerëve, duke prekur edhe ndjenjat më të fshehta. Forca e fjalës, mbi të cilën janë ngritur monumente mendimesh duke u nisur pikerisht nga Bibla, ‘E para ishte fjala’, që në bisedat e përditshme merr krahë. Dhe ja ku qendron bukuria e këtij libri dhe mençuria e autorit që na sjellë pjesë të bisedave të tyre për të na hapur me natyrshmëri dyert e një bote që na përket më shumë sesa e mendojmë.

Fluturojmë tash drejt botës së pafundme së një gruaje të vogël, nga një vend i vogël, i parëndësishëm për botën, që mrekulloi njerëzimin me forcën e saj shpirtërore, me përkushtimin e saj ndaj të tjerëve dhe me dashurinë e saj për jetën. 

Jeta, jeta njerëzore. Ajo që nuk mund të hiqet mënjanë, të zvetënohet, të hidhet poshtë, të harrohet. Sepse Zoti tha që vlejmë më shumë se lulet, thotë Nënë Tereza që këtë vlerë diti ta ridimensionojë, jo përpara Zotit, sepse dashuria e tij është e pafundme, por përpara nesh, pasi shpesh na qëllon të humbasim në përditshmërinë tonë.

‘E dimë se ka sëmundje të rënda në botë, por gjithmonë e më shumë po e shohim se sëmundja më e madhe në botë është që njerëzit nuk kanë dashuri njëri për tjetrin, nuk ka dashuri mes tyre’, ankohet shenjtja jonë. Mungesa e dashurisë, mbyllja në vetvete, përqendrimi në universin tonë të vogël duke injoruar gjithë atë që është përreth nuk bën gjë tjetër, përveçse të rrisë distancën me të tjerët, duke na bërë gjithmonë e më të huaj me botën, gjithmonë e më të varfer në ndjenja. Sepse nuk mjafton pasuria për të qenë të pasur.

Pse dhurojmë? Shpesh ia kam bërë vetes këtë pyetje duke menduar për atë ndjesi që prodhohet pasi kemi bërë një veprim që e dimë mirë që për dikë do të thotë shumë. Sepse i duam të tjerët? Sepse kemi mësuar që nuk mund të jemi të lumtur kur të afërmit tanë vuajnë? Sepse kjo pandemi globale, si asnjëherë më parë, na mësoi se fqinjët tanë janë edhe ata që jetojnë në kontinente të tjera? Se kjo botë, konfuze dhe indiferente në pamje të parë, në realitet është shumë më e lidhur? Se pasuria e të pasurve varet direkt nga forza e të varfërve? Apo sepse të dhurosh të bën thjesht të lumtur? Dhe ne dhurojmë për këtë motiv, sepse duam të jemi të lumtur. Dhe nuk ka rëndësi ku shkojnë dhuratat tona, ne buzëqeshim çdo herë që e bëjmë, ndihemi të dobishëm. Është pikërisht të ndjerit i padobishëm që krijon një vuajtje të madhe dhe na shpie në dëshpërim të thellë e depresion.  

Na kanë mësuar se qenia njerëzore është një makinë shumë e komplikuar dhe si e tillë është perfekte. Por praktikisht ne kuptohemi pa sforcime edhe me njerëzit që u përkasin kulturave dhe gjuhëve të largëta. Të gjithë kemi të njëjtën buzëqeshje. Të njëjtat lot. Të gjithë kemi uri, etje dhe mbi të gjitha kemi një nevojë të madhe për të ndier dashurinë e të tjerëve.

‘Njerëzit në gjithë botën vuajnë kryesisht nga vetmia, nga braktisja… Nuk vdesin vetëm nga uria, mund të vdesin nga vetmia, nga të mos pasurit asnjë njeri me të cilin të flasin. Kanë nevojë për të pasur afër dikë që i do.’ Të vdesësh nga vetmia, çfarë vuajtje jonjerëzore!

Gjatë gjithë jetës kam jetuar si kafshë, por po vdes si engjëll, i tha një njeri i varfër, i braktisur nga familja, nënë Terezës ndërsa ajo e mbante në krahët e saj. Faleminderit! Ishin fjalët e tij të fundit ndërsa jepte shpirt. Një Faleminderit që flet shumë, një Faleminderit që Nënë Tereza nuk do ta harronte kurrë.

Shenjtja jonë ka takuar miliona njerëz në botë dhe ka ditur të shprehë me fjalë kaq të thjeshta shqetësime kaq të mëdha të njerëzimit. Vetmia. Ky burim i pashterrshëm për frymëzimin artistik që i ka shtyrë njerëzit të krijojnë kryevepra arti, ky burim vuajtjesh është po kaq i domosdoshmëm edhe për të ndier praninë e Atit.

‘Vuajtja është shenja që Zoti na do sepse na afron me të, na bashkon me kryqin e tij. Kur shoh njerëzit që vuajnë kaq shumë mendoj që kalvari është gjithkund, që vuajtja e Krishtit jeton te njerëzit tanë. Duke parë Krishtin e kryqëzuar, shohim kokën e tij të përkulur për të na puthur, krahët e hapura për të na përqafuar, zemrën e hapur që të mund të gjejmë një strehim te ai.’ Ja pse shërben vuajtja për Nënë Terezën: të mos harrojmë Atin, sakrificën e tij për ne, dashurinë e tij, praninë e tij.

Por a arrihet që me dashuri të tejkalohet çdo gjë?

Deri tani kam arritur të arrij çdo gjë me dashuri dhe me lutje, i thotë shenjtja Dom Lushit, ‘por këtë jo’ duke iu referuar kërkesave të pandërprera ndaj shtetit shqiptar për t’i dhënë leje të vizitonte nënën dhe motrën që jetonin në Tiranë gjatë diktaturës së Enver Hoxhës. Nuk i kishte parë që në vitin 1928, por më kot. Autoritetet shqiptare nuk ia dhanë kurrë atë leje. Nënë Tereza mundi vetëm të vizitonte varret e tyre pas rënies së regjimit.

‘Ende ekzistojnë kufij dhe pengesa që as dashuria nuk arrin t’i tejkalojë. Vetëm Zoti e di motivin pse nëna dhe motra ime duhet të vuajnë kaq shumë në këtë botë. Pa dyshim, lutjet dhe sakrifica e tyre më ndihmojnë shumë në misionin tim. Çdo gjë për lavdinë e Zotit’ thotë shenjtja me fytyrën e trishtuar. Ajo grua trupvogël që dukej si e bërë prej hekuri e nuk mposhtej përpara asgjëje, ajo që kishte i dhuruar botës mijëra buzëqeshje, ajo që ua kishte zbutur dhimbjen njerëzve të braktisur nëpër rrugë, të cilët kishin dhënë frymën e fundit në prehërin e saj, për herë ta parë i rrëfen priftit të saj dhimbjen personale.

‘Ndonjëherë marr ndonjë letër nga nëna dhe motra nga Tirana. Shkruajnë pak dhe kanë dëshirë të më takojnë mua dhe vëllain Lazrin… ajo që mund të them është që lutem shumë për Shqipërinë, lutem që Zoti ta ndriçojë kët popull dhe që t’i bëjnë të kuptojnë se nëse duan të jetojnë në paqe duhet të duan njëri-tjetrin… Mendoj se për Kishën tonë katolike shqiptare ende nuk ka kaluar e Premtja e Madhe, por besimi ynë na mëson se jeta e Krishtit nuk përfundon këtu, por vazhdon mbi kryq dhe plotësohet me Ringjallje. Njerëzit tanë nuk duhet e nuk munden ta harrojnë kurrë këtë.  

‘Duajeni tjetrin ashtu si ju do Zoti ju! Kumbojnë fjalët e saj, fjalët e shenjtes sonë që ia kushtoi gjithë jetën vetëm një qëllimi, përhapjes së dashurisë universale, mbi të gjitha për ata që vuajnë.

Prishtinë, 26 gusht 2021                                                         Majlinda Bregasi

(Ditët Përkujtimore të Nënës Tereze)

Filed Under: Opinion Tagged With: don Lush Gjergji, Majlinda Bregasi, Nene Tereza

Libër për krimet e Serbisë në Kosovë

August 27, 2021 by s p

Nga Nail  Draga 

Çdo botim për krimet e serbëve në Kosovë është në favor të demaskimit të politikës gjenocidale të tyre ndaj shqiptarëve, që duhet të jetë angazhim i studiuesëve të profileve të ndryshme, ku edhe botimi i Jusuf Osmanit “Krimet e Serbisë ndaj fëmijëve në Kosovë 1998-1999”, është në favor të trajtimit shkencor të kësaj teme duke ia  prezantuar  opinionit të gjerë.

Në këtë libër në pika të shkurtëra është paraqitur pjesa hyrëse , krimet e Serbisë në Kosovë më 1988-1999, krimet ndaj fëmijëve, regjistri i fëmijëve që pësuan në luftë, të vrarë e të zhdukur dhe të dhëna të tjera.Me një fjalë kemi të bëjmë me të gjitha llojet e krimeve ndaj shqiptarëve  të paraqitur në mënyrë tabelare për të gjitha komunat në Kosovë.

Gjenocidi serb dhe dhuna e ushtruar nga formacionet ushtarako-policore  dhe paramilitare  mbi popullin e Kosovës ka përmasa shumë më të mëdha se sa e tregojnë të dhënat dhe hulumtimet e deritanishme. Sepse ata vranë, masakruan, zhdukën, dhunuan, dëbuan dhe deportuan popullsinë civile shqiptare, i plaçikten, i dogjën dhe rrënuan shtëpitë, objketët fetare, shkollore, kulturore, ekonomike, si dhe vendbanime të tëra shqiptare, me mision spastrimin etnik. 

Veprime gjenocidale të serbëve 

Duke lexuar këtë libër nuk se si të mos tronditësh, kur para vetës ke shumë fakte autentike  të cilët dëshmitarët i kanë përjetuar, nga veprimet gjenocidale të pushtetit serb ndaj shqiptarëve në Kosovë. Është meritë  e autorit dhe bashkëpunëtorëve të tij të cilët kanë kanë ofruar të dhëna për të gjithë territorin e Kosovës, duke dëshmuar me emër e mbiemër, për aq sa kanë pasur mundësi të informohen për krimet serbe ushtarake, policore e paramilitare.

Dhe nga të dhënat e tilla del se janë vrarë 11.840 shqiptarë, që përfshin periudhën mars 1998 dhe qershor 1999,(pa u përfshirë në këtë numër të pagjeturit apo të zhdukurit) ku në mesin e tyre llogaritën të vrarë 1,392 fëmijë apo 11% nga viktimat totale ishin fëmijë. Duhet cekur edhe faktin se nga 1.392 fëmijë të vrarë 296 prej tyre kanë qenë nën moshën 5 vjeçare. Nga numri i përgjithshëm i viktimave prej tyre ishin 1.741 femra, ndërsa dëshmorë kanë rënë 2.261, e në mesin e tyre edhe 68 dëshmorë nga Shqipëria. Po ashtu duhet cekur se janë dhunuar 20.400  femra shqiptare.

Shkatërrimi i objektëve 

Shtëpi të shkatërruara-dëmtuara të popullatës shqiptare janë 100.589, shkolla të shkatërruara-të dëmtuara me dokumentacion 358, Zyra të vendit 71, shtëpi kulture 30, Biblioteka publike e shkollore 93, objekte shëndetësore 123, objekte fetare(xhami, teqe, tyrbe)215, kisha katolike 5, objkete ndihmëse-përcjellëse 88.101.

Dëbimi biblik i shqiptarëve 

Përveç kësaj në Kosovë kanë rezultuar të dëbuar nga shtëpitë e tyre rreth 1.5 milion shqiptarë, e nga to mbi 1 milion jashtë Kosovës. Sipas të dhënave të UNCHR, në fillim të qershorit 1999, nga refugjatët prej Kosove ishin dëbuar: 443.000 ishin vendosur në Shqipëri, 247.800 në Maqedoni, 69.300 në Mal të Zi, 21.700 në Bosnjë e Hercegovinë, gjithsej 782.100. Në vendet tjera  të botës u vendosën gjithsej 76.475 e nga to  13.639  në Gjermani, 7.581 në Turqi, 5.829 në Itali, 5.730 në SHBA, pastaj edhe në vende të tjera si në Itali, Norvegji, Francë, Suedi, Zvicër, Izrael  etj. 

Ishte ky një dëbim biblik i shqiptarëve, realizuar në kohën moderne, që përmes mediave i është prezantuar opinionit botëror, që ishte dëshmi e politikës serbomadhe  për realizimin e projektit të tyre ekspansionist kundër shqiptarëve. Por, ndaj një dëbimi të tillë reagoi faktori ndërkombëtar të prirë nga NATO-ja që e detyroi të kapitulloi agresionin serb duke çliruar Kosovën(12 qershor 1999) dhe vendosur në protektoiratin ndërkombëtar, deri me shpalljen e pavarësisë së saj me 17 shkurt 2008.

Muzeu i gjenocidit  obligim historik

Ngjarjët e ndodhura dhe të përjetuara  janë obligim për studiuesit dhe të gjithë indvidët e ndryshëm qe e kanë pasion për të shkruar historinë tonë, duke u bazuar në fakte për të dëshmuar të vërtetën. Sepse ka ndodhur ajo çka është shkruar si kudo në botën e qytetëruar e jo të merremi me improvizime të rastit.

Në libër ofrohen të dhëna për krimet serbe ndaj fëmijëve që pësuan në luftën e fundit nga agresioni serb, si një nder krimet me të rënda kundër njërëzimit, ku ndonëse  ata janë të mbrojtur nga dhuna me  të gjitha normat ndërkombëtare, e posaçërisht në luftë, por, për  kriminelet serb dhe urdhërdhënësit e tyre çdo gjë ishte e kotë, sepse ata si mision kishin spastrimin etnik të Kosovës.

Duke marrë parasysh se kemi të bëjmë me masakra me përmasat e gjenocidit nga ana e serbëve kundër shqiptarëve  për një periudhë të gjatë kohore(nga viti 1877/78  e më pas 1912/13, 1918/1941, 1945/1966, 1981/1989 dhe së fundit nga 1990/1999), është obligim moral dhe historik  i pushtetit në Kosovë, që në Prishtinë të ndërtohet muzeu i gjenocidit serb kundër shqiptarëve, duke qenë dëshmi  për kohën tonë  dhe ata që do të vijnë pas nesh.

Krimet nuk vjetrohen

Pasi krimet kundër njerëzimir nuk vjetrohen është obligim i pushtetit dhe të institucionëve të Kosovës, të përgatisin dosjet dhe të ngrisin padi ndaj kriminelëve dhe urdhërdhënësve të tyre para gjyqit vendor dhe ate ndërkombëtar, për krimet ndaj shqiptarëve në Kosovë gjatë luftës 1998-1999. Një veprim i tillë është obligim moral ndaj viktimave dhe familjeve të tyre, si kudo në botën e qytetëruar.

Përfundimisht   ky botim duhet të jetë mesazh për të gjithë, për të ditur të kaluarën dhe  të tashmën si mision për të mos e harruar, sepse popujt e qytetëruar mësojnë nga e kaluara për të mos iu përseritur   në të ardhmën.      

C:\Users\Labi\Desktop\Ballina librash e foto\Ballina e librit Krimet....jpg

Jusuf Osmani, KRIMET E SERBISË NDAJ FËMIJËVE NË KOSOVË 1998-1999, Botoi: Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës, Prishtinë, 2013

Në sajë të dhënave të prezantuara ky libër dëshmon për politikën serbe e cila ishte patologjike ndaj shqiptarëve  me  përmasat e gjenocidit, me qellimin final spastrimin etnik të Kosovës. Një ide e tillë ndaj shqiptarëve nuk është e kohës së re, por nga shek.XIX, ku daton strategjia politike  e ekspansionizmit serb, e cila solli tragjedi të mëdha regjionale, ku shqiptarët e përjetuan dekada me radhë, duke përfunduar me luftën e vitit 1999. 

Filed Under: Politike Tagged With: Jusuf Osmani, krimet e Serbisë në Kosovë, Nail Draga

ECJA DREJT SE DJATHTËS – DËSHMI MORALE DHE MENÇURIE

August 27, 2021 by s p

DUKE SHPËRNDARË E PROMOVUAR LIBRIN E RI

(Shënime udhëtimi)

Thanas L. Gjika

Gjatë muajit maj të këtij viti Shtëpia Botuese JOZEF në Durrës botoi librin tim të ri “Ecja drejt së djathtës – dëshmi morale dhe mençurie” (374 faqe). Krahas postimit të disa kopjeve, që bëri Z. Aurel Kaçulini, pronari i shtëpisë botuese, shkova dhe vetë për ta shpërndarë edhe në disa miq e qytete të Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Kosovës dhe Malit të Zi dhe për ta promovuar në Durrës dhe Prishtinë.

Kur u nisa mendova se kjo do të ishte vajtja ime e fundit në atdhe, mirëpo mbas tri javë udhëtimi, kur u ktheva, vendosa që të mos humb asnjë rast për të shkuar në trojet shqiptare sa herë të kem mundësi, sidomos pas botimit të ndonjë libri të ri. 

Më kanë mbetur në mendje mikpritjet e zotërinjve Ali Bega në vilën “BEGA” në plazhin e Durrësit, Spiro e Margarita Bimbli në Korçë, Shpëtim Pollozhani në Strugë, Prof. Salajdin Mehmeti dhe vëllai i tij Muhameti në Tearce të Tetovës, Prof. Isak Shema në Prishtinë, Arbër Berisha në Pejë, etj. Konforti i hoteleve dhe sjellja e qytetëruar e personelit dhe kamarierëve /kamariereve i Hoteleve “Prishtina” në Prishtinë, “Coloseo” dhe “Geg e Tosk” (i Z. Gjon Dukgilaj) në Shkodër dhe “Palata Venezia” në Ulqin (i Z. Gani Resulbegu), i Hotel-Restorantit “Tirona” te Plazh i Durrësit, ishin të nivelit europian. Për nga sistemi rrugor, Kafe-Klube, Hotele, ndërtsa shumkatshe, Restorante dhe paraqitja e sjellja e personave të shërbimit, Shqipërisa është një vend Euro-Atlantik. Njerëzit, sodomos fshatarët, i janë futur punës dhe kudo ku jetojnë shqiptarët në Ballkanin Perëndomor bie në sy lulëzim i bujqësisë dhe i blegtorisë. Kurse nëpër qytete ka nevojë për investime në industri, dhe hapje vende pune, sepse rinia që jeton në qytete nuk pëlqen të punojë në bujqësi e blegtori. 

“Ajo që i mërzit shqiptarët, më thotë Z. Bega gjatë bisedave, është sjellja e korruptuar e zyrtarëve të qeverisë, e gjykatësve dhe e mjekëve. Mos paç të bësh me të tillë njerëz se ta nxijnë jetën. Në plan moral e ligjor Shqipëria është për të qarë hallin”. 

Promovimi në Durrës.

Nën përkujdesjen e Drejtoreshës së Bibliotekës Popullore Durrës, Z-njës Mirela Ylli, u organizua më 10 qershor 2021 në një nga sallat e Pallatit të Kulturës promovimi i librit “Ecja drejt së djathtës – dëshmi morale dhe mençurie”. Morën pjesë krijues, gazetarë dhe qytetarë të ndryshëm, midis të cilëve më kujtohen: Shpendi Topollaj Vaso Papaj, Nikolla Spathari, Doranin Agalliu, Mira Kauri, Mela Moisiu, Abdulla Deliallisi, Arjola Kondakçi, ing. Pasho Beqiri me bashkëshorten Z-njën Merushe, A. Bega, etj. Nga Tirana kishin ardhur studjuesja Emrie Krosi, gazetarja Kozeta Zavalani me bashkëshortin Dr. Gjergjin, studjuesi i fotografisë Qerim Vrioni, shkrimtari Kristaq Nanushi e poeti Qazim D. Shehu. Vlerësimet kryesore i dhanë gazetari e studjuesi Hasan Ulqini, punonjësja e bibliotekes moderatorja Teuta Dhima dhe shkrimtari Shpendi Topollaj.

“Libri i ri i studjuesit Thanas Gjika, tha misdis tjerash Z. Hasan Ulqini, është libri i tij i nëntë. Tërësia e studimeve, analizave, portreteve dhe kujtimeve të tij janë punë me vlera për kohën tonë dhe të ardhmen. Përpjekja kryesore e këtij libri është që të ndihmojë në korrigjimin e shtrembërimeve historike të së kaluarës, si njohja e 15 dëshmorëve të 7 prillit 1939, dënimi i hedhjes poshtë të Marrëveshjes së Mukjes, vlerësimi i arritjeve artistike të krijuesve që vijnë nga jeta e burgjeve dhe internimeve, si Visar Zhiti e Jozef Radi, etj. Ai vlerëson shkrimtarë të suksesshëm si Eglantina Mandia e Kristaq Nanushi, që meritojnë vlerësime më të spikatura për veprat e tyre. Nge lart karakterin e panënshtrueshëm të ish-komunistit Dino Martiko, të poetit Lazgush Poradeci, etj. Përkrah dhe vlerëson evoluimin e shkrimtarit Luan Rama dhe arritjet e tij artistike. Ai ka theksuar nevojën e një politike dhe kulture kombëtare të unifikuar në mbarë trojet shqiptare. Gjuha e shkrimeve të tij është shkencore, e pastër dhe e pasur, gjithnjë e thjeshtë dhe e kuptueshme.

Megjithëse jeton në Amerikën e largët, Thanasi, shoku e miku im që nga koha universitare, zemrën e ka në Shqipëri, jeton atje, por përjeton ngjarjet kryesore të popullit tonë dhe i trajton në shkrime, boton me shpenzimet e veta libra dhe vjen, si pak kush në atdhe për t’i shpërndarë e promovuar, gjë që i jep jetës sonë intelektuale impulse për ecje përpara”.

Punonjësja e Bibliotekës, Z-nja Teuta Dhima, pasi përmendi disa nga shkrimet e librit, theksoi se studjuesi Th. Gjika të tërheq për gamën e gjerë të problemeve që trajton, për realizmin dhe qartësinë e mendimeve, për guximin qytetar dhe dashurinë ndaj popullit tonë.

Shkrimtari Shpendi Topollaj, autor i mbi 50 librave me poezi, tregime, novela, drama, romane dhe artikuj të ndryshëm, pasi vuri në dukje disa nga vlerat e librit, theksoi: “E përgëzoj studjuesin Gjika sepse në shkrimet e këtij libri gjeta pikpamje të njëjta me pikpamjet e mia për vlerësimin e të përndjekurve dhe të së djathtës në shoqërinë dhe politikën shqiptare”.

Në fund m’u dha fjala edhe mua. Pasi falenderova Drejtoreshën e Bibliotekës, Z-njën Mirela Ylli, Z. Aurel Kaçulini dhe moderatoren Z-njën Teuta Dhima, për organizmin e këtij takimi, si dhe pjesëmarrësit e folësit, u tregova dy nga shtytjet kryesore që më nxitën të vijoja studimet në mërgim: “Kur shkova në ShBA me lotarinë Green Card më 1996 nuk dija anglisht, përgatitja ime si studjues i letërsisë dhe i historisë së popullit shqiptar nuk më hynte në punë. U punësova ku munda për të rritur e shkolluar dy fëmijët (13 dhe 18-vjeçarë). Shkova dy vjet në shkollë mbrëmjeje për të mësuar anglishten. Më bënë shumë përshtypje dy thënie autorësh amerikanë: 1- “Puno atje ku ndjehesh më i përgatitur e mund të japësh më shumë” dhe 2- “Më shumë se dashurinë, se pasurinë dhe lavdinë duaje të vërtetë”. I ngula në kokë këto thënie dhe pas punëve për të fituar jetesën, iu futa studimit të jetës së Shën Palit/Pavlit, për të cilin Kisha Katolike dhe ajo Ortodokse Shqiptare pranonin se ky apostull kishte punuar edhe në troje ilire, por nuk kishte studime konkrete për të përcaktuar se ku dhe kur kishte punuar ky apostull dhe a kishte shkruar ndonjë letër në këto troje. Përgatitja ime si historian dhe analist i tekstit letrar më ndihmuan që të arrija të zbuloja një të vërtetë të lënë në hije: Shën Pali/Pavli kishte punuar në disa fshatra e qytete ilire, dhe se në Durrës (Dyrrachium) kishte krijuar bashkësinë e parë të krishtere dhe se këtu kishte shkruar letrën e tij më të rëndësishme drejtuar të krishterëve të panjohur të Romës (letrën “Romakëve 1-15”). Këto arritje u pranuan prej Katedrës së Teologjisë së Atlantic Union College, prej Peshkop PhD Joan Palushit – Mitropolit i Korcës, prej Prof. Akademik Jorgo Bulosh, etj. Por në Shqipëri nuk ka studjues të mirëfilltë të historisë së Krishtërimit dhe kështu studim im ka mbetur pa u përkthyer në anglisht që të mund të bëhet problem i shkencës botërore…”

Moment nga promovimi i librit ne Durres

Një nga  dëgjuesit kërkoi të dinte se çfarë kuptoja unë me të djathtën shqiptare. E sqarova nocionin tim për të djathtën shqiptare: “Me të djathtë shqiptare unë kuptoj njerëz që punojnë për t’u pasuruar në përputhje me ligjet, duke qëndruar larg korrupsionit, njerëz që kanë ndërtuar familje me moral të shëndoshë, njerëz që synojnë krijimin e shtetit kombëtar demokratik. Për mua ajo që përfaqëson Partia Demokratike, nuk është e djathtë e vërtetë, sepse udhëheqja e kësaj partie është palë me udhëheqjen e Partisë Socialiste dhe të Partisë LSI, të cilat së bashku sundojnë Shqipërinë përmes korrupsionit, mungesës së moralit, pa çarë kokën për krijimin e shtetit kombëtar demokratik. Të djathtën e vërtetë e duan shumica e shqiptarëve të ndershëm që nuk kanë lidhje gjaku e interesi me klasën politike. Këta mund të jenë jo vetëm demokratë, por edhe eurosocialistë, ballistë e nacionalistë”… 

Promovimi në Prishtinë

Me nismën e Prof. Dr. Isak Shema dhe mbështetjen e Bibliotekës Kombëtare të Prishtinës më 15 qershor në sallën Amfiteatër të kësaj biblioteke u organizua promovimi i librit tim të ri. Për shkak të Pandemisë në këtë takim erdhën pak studjues, gazetarë, mësues, studentë, etj. Midis tyre më kujtohen poeti Prof. Xhemil Bytyçi, gazetari e analisti Shaqir Foniqi, Ing. Bashkim Bordoniqi, Z-nja Vlona Bordoniqi, Oliver Sedaj, poeti Agim Gjakova, etj. Drejtori dhe Zv.Drejtori i BKK nuk mundën të vinin për shkak të një takimi tjetër.

Fjalën e hapjes e mbajti poeti Agim Gjakova, intelektual që ka qenë shembull i rrallë i qytetatisë shqiptare në kohën e diktaturave komuniste në Jugosllavi e Shqipëri. Midis tjerash Z. Gjakova tha se e kishte njohur autorin e librit në Tiranë që në vititet studentore dhe më vonë. Ai dallohej për prirjet e tij liberale. Pasi më falenderoi për vajtjen në Prishtinë për të promovuar librin e ri, ia dha fjalën Profesorit Isak Shema.

Prof. Shema përmendi me hollësi shkrimet e përmblodhur në këtë libër si portrete, ku vlerësohet jeta dhe vepra e krijuesve të talentuar Jozef Radi e Luan Rama; jeta heroike të ish-komunistit Dino Martiko dhe e bashkëshortes së tij Sofia, minoritare greke nga Pogoni; analiza për vepra letrare të Visar Zhitit, të Eglantina Mandisë e Kristaq Nanushit; vlerësime për librin “Në strofullën e djallit” të veprimtarit të shquar politik Shpëtim Pollozhani i Maqedonisë së Veriut dhe për antologjinë “Pena të arta franceeze për shqiptarët – 1332-2007” të studjuesit Fotaq Andrea, libër madhor ku spikat ideja se Shqipëria gjatë shekujve ka qenë për vizitorët dhe miqtë francezë vend i heronjve dhe i njerëzve të bukur e të talentuar. 

Pastaj u ndal në artikujt analitikë kushtuar nevojës së katarsës kombëtare, që lidhet me dënimin e krimeve të diktaturës komuniste; artikullin ku vlerësohen dy ideologjitë – nacionalizmi borgjez dhe komunizmi. Vijoi me kujtime për personalitete të ndryshme të letërsisë si Lasgush Poradeci, të shkencës si Prof. Kristo Frashëri, të arsimit për disa pedagogë të gjimnazit, etj. Theksoi se ka vlera ideore dhe njohëse dhe letërkëmbimi i këtij studjuesi me disa personalitete të letërsisë e gazetarisë shqiptare si Visar Zhiti, Prof. Sami Repishti, Lek Pervizi, Jozef Radi, Frank Gj. Shkrelit, Ismail Kadare dhe Ilir Demalia. 

Pjesa vijuese e librit përmbledh vlerësime të gazetarëve dhe analistëve Frank Gj. Shkrelit e Astrit Lulushit, dhe të studjuesve Ilia Karanxha e Fotaq Andrea për librin tim të mëparshëm “Një letërsi kombëtare një atdhe i vetëm” Botimet KUMI Tiranë 2018 (459 faqe). Këtë paraqitje, Prof. Isak Shema e mbylli duke përmendur dhe kronikën e shkruar prej mësuesit Muhamet Memeti për promovimin e librit “Një letërsi kombëtare…” që u organizua në Universitetin Shtetëror të Tetovës “Fadil Sulejmani” më 3 nëntor 2018 me pedagogët dhe studentët e këtij universiteti. 

Si konkluzione Prof. Shema theksoi: “Puna studimore e Prof. Thanas Gjikës, ka karakter shumdimensional. Ajo përfshin tema studimi që nga antikiteti, Rilindja dhe deri në ditët tona. Ky libër i tij, ashtu si dhe librat e tjerë të tij, me lëndën e gjerë e të shumllojshme që trajton, me guximin qytetar që e përshkon, përbën një pasuri me vlera të shumanshme, si nga tematika, problematika, llojet letrare, studimore e publicistike”.

Më tej m’u dha fjala, për të përshëndetur pjesëmarrësit. Pas falenderimeve të rastit, vura në dukje se gjatë vizitave të mia në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut, kam parë nga afër një përparim ekonomik dhe qytetar kudo ku kam ndalur gjatë viteve 2006-2021. Shqiptarët ndjehen më të sigurtë edhe pse politikat e Serbisë dhe MV përpiqen të ndalojë përparimin e shtetit të Kosovës dhe të drejtat e shqiptarëve në MV. Pastaj ma këkoi zemra të vija në dukje vlerat e veprimtarit të shquar në fushën e politikës e të letërsisë, poetit Agim Gjakova, që nuk u mburr kurrë për vuajtjet e tij nën regjimet diktatoriale të J.B. Titos dhe E. Hoxhës, por që me jetën dhe veprën e tij letrare na ka dhënë shembullin e një qytetari me ndërgjegje të lartë. E mbylla bisdën me fjlaët: “Ai ka luajtur rolin e Ambasadorit të Kosovës në Shqipëri, kurse bashkëshortja e tij Z-nja Naime, bashkë me simotrën e saj Zyma Barisha, kanë luajtur rolin e Konsullit të Kosovës,  kur Kosova nuk ishte ende shtet i pavarur. Prandaj mendoj se Qeveia e mençur e Z. Kurti do të gjejë rast ta vlerësojë si e meriton me titullin e lartë “Nder i Kombit” poetin e talentuar dhe luftëtarin Agim Gjakova.  

Prof. I.Shema, mesuse V. Bordoniqi, autori i librit dhe poeti A. Gjakova.

Në mbyllje fala disa kopje të librit, kurse me Prof. I. Shema, poetin A. Gjakova, O. Sedaj, poetin Xhemil Bytyçi dhe dy gazetarë dhashë një drekë në përkujtim të mikut tim Prof. Sadri Fetiu, i cili ishte ndarë nga jeta prej Covidit-19 pak javë më parë. 

Mbas këtij takimi shkova në Pejë, ku vura një tufë me lule te varri i Masueses Zyma Berisha, bujta te familja e Z. Arbër A. Berisha dhe të nesërmen kalova në Shqipëri, ku pata rast të bashkohem me grupin e rotarianëve të qytetit të Korçës, për të bërë një vizitë në qytetin e Shkodrës dhe në Ulqin të Malit të Zi, ku përjetova emocione po aq të fuqishme…   

Filed Under: Featured Tagged With: ECJA DREJT SE DJATHTËS, Mesuese V. Bordoniqi, Prof. I. Shema, Thanas L.Gjika

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2872
  • 2873
  • 2874
  • 2875
  • 2876
  • …
  • 2924
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Lionel Jospin, një nga politikanët e rrallë të virtutit dhe të moralit
  • SOT NË DITËN E TEATRIT
  • Andon Zako Çajupi, in memoriam…
  • Kosova edhe 1 finale larg Botërorit, Shqipëria pa fat në Poloni
  • “LISSITAN/LIS/LISSUS, Qyteti i 12 portave” dhe fortifikimet e tij të admirueshme…
  • ME Dr ELEZ BIBERAJN NË TIRANË NË ÇASTIN KUR U THYE VET-IZOLIMI KOMUNIST, MARS, 1991
  • Beyond the Game: Kosova’s Roadmap to Victory 2026 FIFA World CUP
  • “Saint Paul in Dyrrach”
  • NJË DORËSHKRIM I PANJOHUR I ESAD MEKULIT PËR ROMANIN E REXHEP QOSJES “VDEKJA MË VJEN PREJ SYVE TË TILLË”
  • Diogjeni, filozofi që sfidoi botën me dije dhe virtyt, duke e këshilluar njeriun të hiqte dorë nga jeta prej skllavi
  • DEDË GJO LULI NË SHËRBIM TË ATDHEUT
  • “America Inspires Freedom – The Kosovo Story”
  • Kur Gjykata rrëzon Kushtetutën, dhe vendimi që godet vetë shtetin
  • Tre vllazen, tre jetima…
  • Goditja ndaj objekteve të kultit fetar, pjesë e propagandës ateiste përgjatë diktaturës në Shqipëri

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT