• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Refugjatët politikë afganë: humanizmi nuk duhet të cënojë sigurinë kombëtare

August 22, 2021 by s p

Nga Ekrem Spahiu
ish – Zv/Ministër i Mbrojtjes

Sikurse edhe pritej, çështja e stabilitetit politik dhe sigurisë së Afganistanit është evidentuar sot në krye të axhendës ndërkombëtare. Çështja bëhet edhe më e ndjeshme për faktin se një numër i konsiderueshëm qytetarësh afganë që bashkëpunuan me forcat e NATO-s dhe SHBA-së përgjatë procesit të paqebërjes, po përballen me hakmarrjen e mundshme nga talebanët, të cilët po rimarrin kontrollin politik e ushtarak të këtij vendi të shkatërruar nga lufta. Duke ndjekur këto zhvillime, sjell në kujtesë se çfarë vuajtën antikomunistët shqiptarë pas Luftës së Dytë Botërore, qoftë nga mungesa e vëmendjes së aleatëve ndërkombëtarë, qoftë edhe nga “talebanizmi” shqiptar.  Prandaj është krejt normale që kërkohen veprime të shpejta e të bashkërenduara nga shumë aktorë, me qëllim që ky kontigjent qytetarësh të rrezikuar nga përndjekja, të shpëtohen. Mësuam fillmisht nga burime jozyrtare se Qeveria Shqiptare ishte angazhuar në një operacion humanitar për të strehuar në Shqipëri një kontigjent prej rreth 300-350 refugjatësh politikë afganë, dhe brenda pak ditësh, mund të priten edhe rreth 800 të tjerë. Pastaj, nëpërmjet një statusi në facebbok të Kryeministrit të vendit, mësuam se administrata e Presidentit Joe Biden iu kishte kërkuar anëtarëve të NATO-s të vlerësonin nëse mund të shërbenin si vend tranzit për një numër refugjatësh politikë afganë, destinacioni përfundimtar i të cilëve është SHBA. Mësuam madje, se Shqipëria, si vend anëtar i NATO-s, nëpërmjet Kryemistrit të vendit, ka ndërmarrë inisiativën dhe është shprehur e gatëshme për ta dhënë këtë mbështetje, duke paraqitur argumente politike, morale dhe humanitare. Për më shumë, mësojmë se grupi i parë i afganëve do të vendoset fillimisht në konvikte studentore në Tiranë dhe, në varësi të zhvillimeve, burime zyrtare thonë se afganët do të zhvendosen në hotele në qytetin bregdetar të Durrësit. Unë e mirëkuptoj vendimin që vendi im të vijojë të jetë pjesë e fatit të atyre afganëve, siguria e të cilëve nuk u arrit dot në atdheun e tyre, edhe pse vendet anëtare e partnere të NATO-s, midis tyre dhe Shqipëria, punuan për rreth 20 vjet për këtë qëllim. Është e qartë se jeta e këtyre kontigjenteve është në rrezik nga talebanët. Por ajo që më shqetëson, është se përse këtë zhvillim me rrjedhime për sigurinë kombëtare, e mësoj nga burime të tjera dhe jo nga autoritetet e shtetit tim. Nuk është një zhvillim i vogël. Janë së paku tre shtete në lojë: talebanët e Afganistanit që do t’i përndjekë afganët e vlerësuar si të rrezikuar; qeveria e SHBA që do t’i evakuojë, transferojë, stacionojë dhe më në fund edhe do t’i presë në vendin e vet; qeveria e vendit tim e cila, për një kohë të pacaktuar, do ta mbajë në tokën e saj këtë kamp refugjatësh me jo pak pikëpyetje sigurie kombëtare.   

Nuk kam dëgjuar që për këtë çështje të jetë prononcuar Këshilli i Sigurisë Kombëtare të vendit. Sepse instalimi në Shqipëri i një kampi të tillë përfshin drejtëpërdrejt plot 14 institucione shtetërore, të cilat kanë rol e përgjegjësi për sigurinë kombëtare sipas fushave përkatëse. 

Rreziku qëndron në atë që, kur për çështje të tilla nuk ka informim e transparencë shtetërore, atëherë opinioni publik do të formësohet, në rastin më optimist, nga aktorë sporadikë, dhe në rastin më pesimist, nga aktorë që induktojnë terrorizëm mendor e psikologjik. 

Ky opinion shqetësohet me të drejtë se përse disa nga anëtarët e NATO-s nuk u shprehën të gatshëm për të marrë pjesën e tyre të përgjëgjësisë. Përkundrazi, mësojmë se janë Kazakstani, Taxhikistani, Uzbekistani e Katari, vende jo antarë të NATO-s, të cilëve iu kërkohet të bëhen partnerë në këtë ndërmarrje sigurie. 

Thuhet se refugjatët politikë afganë do t’i nënshtrohen kontrollit të sigurisë vetëm pas mbërritjes në Shqipëri. E kuptoj emergjëncën, sepse ndoshta koha nuk priste, por dyshoj nëse janë formuar kapacitetet për ta realizuar një procedurë të tillë, kur kemi vite që mezi po skanojmë korrupsionin tonë në sistemin e drejtësisë e në fusha të tjera të jetës së vendit. Për më tepër, dyshoj sepse di që edhe BE, ndër kushtet e paplotësuara, na ka tërhequr gjithnjë vëmendjen pikërisht për kapacitetet e kufizuara logjistike dhe administrative të pritjes.

Vetë refugjatët, për më tepër ata politikë, sigurisht që do të përballen me sfida sigurie, por edhe shtetet që i presin do të përballen me sfida të gjithfarëllojshme: sfida logjistike, sfida ekonomike, sfida shëndetësore, sfida informacioni e deri edhe sfida raportesh me popullsinë lokale. Është e pritëshme që refugjatët politikë që do të strehohen në vendin tonë, ashtu si edhe ata që mësojmë se do të strehohen në Kosovë e shtete të tjera do të jenë subjekt sigurie, por në të njëjtën masë mund të bëhen edhe objekt pasigurie, sepse talebanizmi nuk njeh kufij, as njerëzorë e as shtetërorë. 

*ish – Zv/Ministër i Mbrojtjes

Filed Under: Politike Tagged With: Ekrem Spahiu, Refugjatet Afgane, Shqiperia dhe Afganistani

Beteja për Prizrenin nuk do të përfundojë më 17 Tetor 2021

August 22, 2021 by s p

Nga Nue Oroshi

Sa afrohet dita e 17 tetorit 2021 ku do të mbahën zgjedhjet lokale në Republikën e Kosovës gara sa vjen e bëhet interesante.Një qytet që gjithmonë ka qenë gara shumë interesante dhe që i ka dhënë me pas edhe orientimin politik edhe Kosovës ka qenë Prizreni qyteti i dytë më i madh i Kosovës.Ky qytet ka sjellë befasi në zgjedhje lokale për faktin që është qytet ku asnjë parti politike nuk e ka bastion të vetin por që kohë pas kohe bëhen ndërrime politike,varësisht fuqisë së partive që kanë në momente të caktuara kohore.Në këtë qytet kryesisht që nga paslufta kanë udhëhequr tri parti LDK,PDK dhe VV, ku në koalicion i kanë pasur edhe partitë e tjera më të vogla si dhe partitë e pakicave.Beteja për Prizrenin në zgjedhjet e 17 tetorit 2021 do të zhvillohet në mes te tre kandidatëve:Anton Qunit të LDK-së,Shaqir Totajt të PDK- së dhe Mytaher Haskukajt të VV. Dy nga këta tre kandidat do të shkojnë në balotazh pas zgjedhjeve të 17 tetorit 2021.Që të tre kandidatët i kanë karakteristikat e veçanta që mund të kalojnë në balotazh.Anton Quni është komandanti i Betejës se Kosharës dhe ka një reputacion të madh kombëtar.Në cilindo qytet të madh të Kosovës që do të kandidonte ai do të fitonte pa asnjë problem.Por Prizreni i ka disa veçori dhe karakteristika të ndryshme që munden mos të ja japin meritën e duhur komandantit të Kosharës dhe deputetit të Parlamentit të Kosovës Anton Qunit.Nëse Antoni kalon në balotazh betejën e ka të fituar.Një kandidat tjetër që shihet kandidat serioz për ta fituar Prizrenin është edhe kandidati i PDK-së Shaqir Totaj.Shaqiri është një ekonomist i mirë i cili ka një vizion perëndimor të mendimit politik.Ai edhe në zgjedhjet e kaluara e kishte sfiduar seriozisht kandidatin e VV Mytaher Haskukën.Edhe Shaqiri nëse kalon balotazhin gjasat do ti ketë te mëdha që të udhëheq me Prizrenin.Mytaher Haskuka kryetari aktual i Prizrenit llogaritë që ta fitoj edhe një mandat vetëm në saje të fuqisë së liderit të VV Albin Kurtit dhe përkrahjes se partive të pakicave kryesisht turke,boshnjake dhe ashkalive, pasiqë edhe dega e VV e kishte kontestuar si kandidat dhe në dy përpjekje nuk ia kishte dalur që ta fitoj besimin e kësaj dege në Prizren dhe është një pakënaqësi e madhe në organet drejtuese të kësaj dege.Por një gjë dihet që në saje të frymës se VV që mbretëron në Kosovë Mytaher Haskuka do të shkoj në balotazh ku përballë do ta ketë Anton Qunin e  LDK-së ose Shaqir Totajn e PDK-së. Sa i përket dy kandidateve te tjerë Zafir Berisha i Nismës dhe Lulzim Kabashi i AAK-së ata dy edhe më herët kanë qenë kandidat për Kryetar të Prizrenit dhe nuk kanë marrë ndonjë përkrahje nga qytetaret prizrenas. Ata janë sa për të plotësuar sharmin e demokracisë prizrenase pa asnjë shans reale që të shkojnë në balotazh përveç se të marrin nga dy eventualisht tre asambleistë me partitë e tyre, në Asamblenë e qytetit të Prizrenit.

Çfarë do sjellë balotazhi në Prizren?

Është shumë interesant të pritët se çfarë do të sjellë balotazhi në Komunën e Prizrenit.Ky balotazh do të jetë përseritje e balotazhit të vitit 2009 në Prizren por vetëm me role të ndërruara.Derisa në vitin 2009 kishim një rreshtim të partive politike shqiptare në një anë dhe PDK-së e partive turke,boshnjake e ashkalive në anën tjetër, balotazhi i vitit 2021 do ta sjellë Vetvendosjen në rolin e PDK-së që e kishte në vitin 2009.Partitë politike shqiptare në balotazh në Prizren do të rreshtohen rreth partisë që është në balotazh në këtë rast kandidatit të PDK-së ose LDK-së kurse VV do të mbetet në koalicion më partitë e pakicave kryesisht me turq,boshnjak e ashkali,si dhe me grupin e deputetit Haxhi Avdylit nga lista Guxo.Lufta politike do të bëhet interesante dhe vetëm pak vota do ta vendosin fituesin.Fituesi do të mvaret se sa janë në gjendje partitë të mobilizojnë përkrahesit dhe votuesit e tyre në balotazh.Kjo ndikon për faktin se shumë veprimtar e aktivist që janë nëpër listat e partive politike për të hyrë në Asamblenë e qytetit të Prizrenit do të dëshprohen me rezultatet që do të marrin në zgjedhje pasi shumica e tyre do të mbetën jashtë asamblesë së Prizrenit.Se cili nga këta tre kandidat do të fitoj që të shkoj në balotazh do të tregojnë zgjedhjet e 17 tetorit 2021 në Prizren kurse fituesi do të dihet dikur në dhjetorin e ftoftë dhe me borë.

Filed Under: Opinion Tagged With: Nue Oroshi, zgjedhjet ne Kosove, Zgjedhjet ne Prizren

BURRNESHAT SHKODRANE…

August 21, 2021 by s p

Nga Fritz RADOVANI: (Pjesa XXXIV)/

Pikërisht ato ditë marsi të 1967, kur në Shkoder u rikthye prap frika si në vitet e para të ardhjes në drejtimin e shtetit shqiptar të komunistave vrastarë, po më ripërtrihej në mend ajo ngjarje, që para vitit 1954 ka ndodhë në shtëpinë e njenes prej këtyne Burrneshave jo të pakta në qytetin martir, një grueje shkodrane me brandavekë e me bohçe të bardhë, që nuk iu hoq gjithë jetën bashkë me at’ shami si futa mbi kryet e saj…Ishte njena prej Atyne Nanave që rrëkaja e lotëve të Saj ende të pathamë kishte lá gurtë e Zallit të Kirit të pergjakun nga i biri!..Besoj se shumë shkodranë të moshes sime i kujtojnë kaçubat e ferrave mbas murit të Rrëmajit, ku pikrisht aty shprazeshin në mengjes heret pa dalë drita mbi trupat e Rinisë trime të pafaj automatikët e vrastarve të Sigurimit të shtetit, aty ndizeshin nder kaçuba qirinjë e kandila në kujtim të Atyne të vramve…Po a mbylleshin Ato të shkreta gra e plaka apo motra, në ato shtëpija mbasi ju vriteshin loçkat e zemres?! – Jo, jo…Gjurmimet e Sigurimit të shtetit nuk kishin fund, mjaftonte një njeri i keq me ju krijue dyshime dhe, të ardhmen darka fillonte gjurmimi dhe kontrolli jo vetem i atyne shtëpijave, po edhe i atyne komshijve që komunikonin me ato fatzezë…Vertetë që Ju vrane djelmët, po gjurmimet nuk ju ndanin…

Nder ato shtëpi ngjarjet tronditëse nuk kishin fund… Fillonin nder qytete e vazhdonin deri thellë në Malësi e katunde…E pra, shumë prej Tyne edhe pse të mbetuna shkret e pa djelm në voter, vazhdonin me pritë të zezat tjera që i sillte Sigurimi…Një ditë Sigurimi i Shtetit i kontrolloi  edhe shtëpinë përdhese njenes prej këtyne Nanave fatzeza dhe, mbasi i dogj edhe një figure që i kishte mbetë e fshehun nën kllef të jestekut, figurën e Zojës së Shkodrës, me të cilën ngushllohej e flinte, njeni prej mizorëve katila u suell dhe e pyeti Nanen me futen e zezë n’kry: “Hë, plaké…fol, a ke më ndonjë gjë tjatër të fshehur?” Padër Meshkalla më pat tregue se si Ju përgjegj Ajo plaka Shkodrane mbasi u çue në kambë, i ngulë sytë njenes bishë që pyeti e i tha:-“Po, kam edhe një gjâ që ju nuk keni si me ma marrë! – dhe mbasi vuni dorën në ballë ju tha pa u tutë: -“Kam edhe këté:

Në Emën të Atit e të Birit e të Shpirtit Shejtë e Ashtu kjoftë!”.

*** E pra.., Kjo Nanë Shkodrane… Sot, nuk ka monument…

E sa kishte Shkodra e Malsia e Veriut nga Këto Nana?!

Ah Rozafa ynë… Vetem Ti o Razafë.., i di të gjitha…

Nder muret Tua Ata Emna nuk fshihen kurrma!

          Melbourne, 20 Gusht 2021.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Fritz Radovanai, Shkodra-malesia

POETI SALVATORE QUASIMODO, NOBELIST ITALIAN

August 21, 2021 by s p

Nga Visar Zhiti

– …kam qenë në shtëpinë e tij, në Modica, në Sicilinë magjepse, tani ajo shtëpi është muze, (lindi si sot në 20 gusht 1901). Teksa ecja në të përpjetën e rrugës, lexoja vargje të tij, të shkruara në muret e vjetra. Në shtëpi ishte dhe zëri i tij, aspak hermetik, i inçizuar, pashë penën, skrivaninë, orenditë, ndjeva frymën, heshtjen, shfletova njërin nga librat. Poezia e tij është hermetike, – thonë kritikët.

Gjeta dhe tercinën që ishte shkruar në mur, çuditërisht na kishte mbërritur dhe në burg, larg, s’di se si: ED È SUBITO SERA Ognuno sta solo sul cuor della terra trafitto da un raggio di sole: ed è subito sera. Dhe ne e përkthenim si të na pëlqente. Unë nuk doja ta humbte atë rimën e vetme dhe në shqip: DHE MENJËHERË VJEN MBRËMJA Secili është vetëm mbi tokë, te zemra, i çarë nga një rreze dielli dhe menjëherë vjen mbrëmja. Kaq e shkurtër dhe kaq tingëlluese, kaq e përjetëshme, e bukur deri në pikëllim hyjnor. Do të takoja dhe djalin e tij, aktor në Milano, Alessandro-n, ma tregoi poeti Sebastiano Grasso, kur beja stazh në gazetën “Corriere della Sera”, kujtoj që më thoshin se aty ishte ulur poeti Quasimodo. Mos më kishte thirrur ai, s’dihet ç’kumt donte të më jepte, se poetët janë të çuditshem…

Filed Under: Politike Tagged With: Nobelist Italian, SALVATORE QUASIMODO, Visar Zhiti

TËRBIM NË LUMIN ZAMBEZI

August 21, 2021 by s p

– Tregim amerikan – M. Dyson

Përkthim nga Agim Xh. Dëshnica

– Mirëse erdhët në Zambez! – i përshëndeti Pol Templeri gjashtë turistët, që do të shoqëronte me kanoe e kajak nëpër lumin e madh afrikan. Teksa lundrat bënin përpara drejt Ujëvarës së zhurmshme Viktoria, grupi shpresonte të shihte nga afër elefantët, krokodilët dhe hipopotamët. Qe një ditë e bukur marsi me qiell të kaltër. Puhiza e freskët e erës frynte lehtë e lehtë. Në vozitje e sipër, drejtuesi 27 -vjeçar i lundrave Templer, i argëtonte udhëtarët me ndodhi gazmore, por edhe tronditëse nëpër lumenj, dhe më në fund shtonte këshilla e njoftime. 

– Zambezin zakonisht e quajnë “Rrjedha mbretërore”. Puna jonë është të vozisim, kurse ju të rrini ndenjur e të pushoni rehat. 

Ndërsa vendoste revolverin e fishekët në brez, ai u foli shkurt edhe për rreziqet e mundshme gjatë lundrimit:

– Lumi është plot me krokodilë, ndaj mos e zgjatni dorën në ujë! Krokodili ngjan si peshk, ose si lulja e kroksit, që janë dy nga ushqimet e tij më të kërkuara. Rreziku tjetër vjen nga hipopotami! Ai, kryesisht, jeton në brigjet e lumenjve, zona që ne i njohim mirë dhe mund t’i mënjanojmë, por nganjëherë atij i kërcet damari i lig, dhe papritur sulet dhe përplaset me lundrën. 

Tek fliste, Templeri buzëqeshte me turistët, që dihasnin me dridhmë nga ato rrëfime të frikshme.

– Përplasja mund t’ju vërvisë drejt e në ujë! Dëgjoni ç’ju them? Nëse ndodh kështu, mos u rrëmbeni nga paniku dhe mos e humbni toruan nëpër valë! Hipopotamit mund t’i shmangesh më lehtë se kreokodilit!

Në ekuipazh, përveç tij, bënin pjesë MakNamara, 31 vjeç, që shoqëronte grupin në Kajak. Ben Sinbadi, 24 vjeç, vozitësi i kanoes së dytë dhe Evans Namasango, vozitës në kanoen e tretë, një tip gazmor, 22 – vjeçar, i cili pak kohë më parë kishte dhënë provimet për ndihmësudhërrëfyes. Templeri qysh në fillim ia çmoi vetitë e mira dhe punën, ndaj kujdesej për të, thuajse, çdo ditë.

Ai i ndau turistët dy nga dy. Në lundrën e vet mbajti Johem Shtahmanin me bashkëshorten Gundi nga rrethinat e Bremenit të Gjermanisë. Në kanoen e Sinbadit la Muriel Fisherin me të fejuarën, Pierre Langarde. Ndërsa Natali Grasota dhe Mark Skorupka, lundruan me Namasangon. Katër nga turistët ishin punonjës të kompanisë Air France. 

 *     *     *

Templerit i qeshën sytë, kur flotilja e vogël hyri në rrjedhën e shtruar të Zambezit. Ai qe rritur në savane e, sidomos, në bazat e largëta ushtarake. I ati kishte shërbyer me gradën e kapitenit në ishkoloninë Britanike në Rodezinë e jugut, e njohur tashmë me emrin Zimbabve. 

Me ato shpatulla të fuqishme prej notari a mbrojtësi të regbisë, Templeri ishte i pajisur me dhuntitë e një atleti të shkathët. Në kohën kur punonte në Izrael, iu shkrep të kalonte me traktor përmes një fushe të minuar në Jordani, për të blerë birrë. Por, kjo shaka i kushtoi shtrenjtë, e dëbuan nga Izreli. 

I kthyer në Zimbabve, tek pushonte me shokët e vet në breg të liqenit Kariba, atypari kaluan disa lundra ekspedite. “Kjo është udha, që duhet të ndjek!” – tha ai me vete.

Me vullnet e vendosmëri për tre muaj, kreu me sukses kursin njëvjeçar për drejtësi, qitje dhe histori natyre. Pas provimeve të vështira, mori dëshminë e udhërrëfyesit për në lumenj.

Mbi tetëmbëdhjetë muaj ai punoi si mbikqyrës në lundrimet e largëta me kanoe, duke udhëhequr turistët në afërsi të zonave me kafshë të egra. Ndërkohë, kujdesej edhe për jetën e tyre. Njëherë i ktheu mbrapsht disa vizitorë japonezë, që po shkonin si pa të keq drejt luanëve, duke shkrepur aparatet fotografikë. Në ato vise gjallon edhe hipopotami, një nga kafshët më të rrezikshme të Afrikës. Dy dhëmbët e poshtëm të hipopotamit mashkull, mbi njëzet centimetra të gjatë, shtrihen jashtë, si shufrat e pirunit të ngarkim-shkarkimit, ndërsa dy dhëmbët e qenit ulen nga lart – poshtë në nofull, përkundrejt dy të tjerëve, që çohen përpjetë si thikat e makinës grirëse të ushqimeve.

Shpesh herë hipopotami përplaset me kanoet dhe i hedh në lumë udhëtarët. Para dy vitesh nga kafshimi i tij një udhërrëfyes humbi njërën këmbë. Gjashtë muaj më parë nga përplasja në fundin e kanoes, Templeri dhe dy udhëtarët fluturuan në lumë. Po i njëjti hipopotam, iu qep lundrave të tjera e i goditi. 

Nga lundërtarët, që vinin përkundrejt, merrte njoftime për zona të rrezikshme, të cilave duhej t’u rrinte larg. Ndërsa tani Templeri me flotiljen po kalonte përmes ishujve shkëmborë të një zone të re, të panjohur ndonjëherë. Në kohën, kur kanoeja e Templerit po rrëshqiste ngadalë në rrjedhën e lumit, në largësi nga bregu sa gjatësia e lopatës, tridhjetë metra më tej u duk kopeja e hipopotamëve. Mbi lëkurën e errët një lëng i kuqëremtë që i mbron nga rrezet e diellit, jep përshtypjen, sikur kafshëve u kullojnë shtatë palë djersë.

Me zë të ulët Templeri shpjegoi se hipopotami nga toka në shpatulla është mbi një metër e gjysmë i lartë, kurse nga noçka në bisht, mbi katër metër i gjatë. “Aq sa BMV-ja ime!”, – mendoi Shtahmani.

– Nisemi! – tha Templeri dhe voziti më tutje. Tek po kalonte një hipopotam femër, që prehej mbi ujë me dymbëdhjetë viça pas, dielli po varej pas majave të drurëve. 

Templeri tha se pas dyzet minutash, tërë grupi, duhej të zbriste menjëherë në breg, prej nga turistët do të ktheheshin mbrapsht, me kamion për në hotele.

Fundi i kajakut të MakNamarës takoi buzën e shkëmbit, ku një prej rrjedhave të lumit derdhej te një pellg i gjerë afro gjashtëdhjetë metra. Sinbadi me Templerin vozisnin në rrjedhë tjetër, të ndjekur nga Namasango. Templeri u jepte zemër e i udhëzonte t’u shmangeshin hipopotamëve të fshehur nën ujë. Papritur, u dëgjua diçka e ngjashme me bubullimën. Bam! Një hipopotam mashkull u përplas me kanoen e Namasangos. Pupa e saj u ngrit në ajër, thuajse një metër lart, ndërsa drejtuesi u rrotullua e u flak jashtë. Templeri ktheu kokën dhe e pa pjesën e pasme të kanoes mbi shpatullat e hipopotamit të tërbuar, që hapi gojën e llahtarshme dhe u zhyt befas nën ujë. Teksa udhëtarët, Grasota e Skorupka, po bënin çmos të nivelonin kanoen, Namasango, duke gulçuar, mezi po mbushej me frymë.

Templeri voziti mbrapsht drejt tij.

– Prit! – bërtiti ai. 

Të mbetur pa rema, Grasota e Skorupka, punonin çmendurisht, duke rrahur me duar ujin, për ta larguar kanoen nga zona e hipopotamit. Në atë kohë Sinbadi i dha kanoes drejt ujërave të cekta. Disa metra më tej, udhëtarët e tij, Fisher dhe Langarde, u hodhën mbi sipërfaqen e një toke shkëmbore. 

Ndërkaq, Namasango u kap me duar në njërin krah te kanoeja e Templerit. Ky vuri re se ajo po anohej e mund të përmbysej.

– Shko prapa! – i tha dhe voziti dalëngadalë afër tij. 

“Hipopotami nuk kthehet më këtu!”, – tha me vete. Shtahmani u përkul në krahun e djathtë, për të ruajtur ekuilibrin e kanoes, ndërsa Templeri në të majtë, i nderur jashtë, i zgjati dorën Namasangos për ta rrokur. Në çastin kur gishtat e tyre ishin fare afër, papritur hipopotami me gojën hapur, brofi mbi ujë ndërmjet tyre si kamionçinë me motor pa kapak. Stërkala uji dhe ulërima si krisma topi shpërthyen nga gryka e frikshme ngjyrë rozë e portokalli e bishës. Për një hop ajo ia përfshiu me gojë duart Templerit dhe e tërhoqi pas vetes. Me dhëmbët mizorë e kafshoi në sup, në bel e në shpinë, pastaj u zhduk sërish nën ujë. Aq shpejt ndodhi ajo përplasje e beftë, saqë kanoeja për disa çaste qëndroi drejt, para se të humbiste drejtpeshimin, të binte ngadalë, dhe Shtahmanin ta hidhte në lumë. 

Hipopotami, duke e tërhequr Templerin me peshë nëntëdhjetë kile, tre pashë nën ujë, nisi të luante me të, si macja me miun. Me fytyrën përmbys në gojën e hipopotamit, ai s’po merrte vesh se në ç’vend ndodhej. “Ku jam këtu!?” – habitej Templeri. Pas pak, gjoksi i tij u çlirua nga shtrëngimi. Sapo hipopotami hapi nofullat, Templerit iu lirua njëri krah dhe lëvizi përqark. Duke i dhënë trupit mbrapsht, u përpoq të shkëputej dhe të mbahej diku. Zgjati gishtat dhe kapi bishtin e ashpër e të fortë të hipopotamit. U pushtua nga njëfarë shprese. Iu bë sikur po e shihte veten si në film. Kur iu lirua edhe krahu tjetër, iu shtuan shpresat për shpëtim. Hipopotami, që e kishte gërvishtur me dhëmbë në faqe dhe në zverk, papritur e lëshoi. Në çast Templeri u sul përpjetë dritës dhe doli në sipërfaqen e lumit. Të parën gjë që vuri re, ishte gjendja e Namasangos, i cili duke gulçuar, mbahej me vështirësi mbi ujë. 

– Noto, Evans! – i thirri. – Hë, edhe pak, se ja, arritëm! 

Por ai, me sa shihej, e kishte humbur gjykimin, ndaj Templeri e tërhoqi prej jake drejt bregut. Befas ndjeu të therura në këmbë nga një peshë e rëndë. “Mos u kthye hipopotami prapë?” – tha me vete në çast. Dhe ndjeu se ai kësaj here ishte tërbuar. E mbërtheu me dhëmbët e mprehtë nga poshtë. Templeri hoqi dorën nga jaka e Namasangos, me shpresë se ai do të dilte vetë në breg. Në ato çaste i ra ndër mend se hipopotamët mbajnë frymë nën ujë gjashtë minuta, kurse njeriu tre ose katër. Në kulmin e dëshpërimit, e grushtoi dhe ia tërhoqi bishtin. Këmbët iu liruan, por njëra dorë i ngeci në gojën e hipopotamit. Megjithatë, nuk u ndal. Mblodhi tërë fuqitë dhe e goditi me shqelma ku mundi, në kokë, në sy, nën bark e në vithe. Ndërkohë, shfrynte: “Hiqmu qafe, shtazë e mallkuar!” Befas iu shkëput, e kur MakNamara e pa mbi ujë, e ngau kajakun drejt tij.

– Noto në krahun tim! – i thirri. 

Por hipopotami mbërriti i pari dhe u preu udhën. Me nofullat e llahtarshme e mbërtheu Templerin dhe e mbajti përgjysmë mbi ujë, kokën e shpatullat në një anë, këmbët në anën tjetër. Krahu i majtë i Templerit mori të çara si me gërshërë nga dy dhëmbët e mprehtë të hipopotamit, teksa dy të tjerët e shpuan në gjoks. Sakaq ndjeu dhimbje të forta në brinjë. Në furi e sipër bisha e vërviste sipër ujit sa andej – këtej. Herë e zhyste dhe herë e nxirrte jashtë. Templeri vërtitej djathtas e majtas, poshtë e lart. Me dorën e lirë u përpoq të kapte revolverin, por më kot! Ai i kishte humbur. S’merrte dot frymë. Mendja po i turbullohej. “Nuk mundem më!” – pëshpëriti si në jerm. Megjithatë, vazhdoi të luftonte, duke e grushtuar lëkurën e fortë të shtazës. 

Befas hipopotami u dorëzua para atij njeriu të paepur. E shtyu nën ujë dhe u largua duke shfryrë. Templeri brofi lart për në kajakun e MakNamarës.

– Më nxirr këtej! – i foli me gjysmë zëri dhe u kap në litarin e kajakut.

Sapo hynë në ujërat e cekta, e para gjë që i shkoi ndër mend Templerit, ishte shpëtimi njerëzve.

– Duhet t’i nxjerrim të gjithë në breg! – tha me pak zë. – Ku është Evansi?

Fisheri dhe Langarderi e kishin parë në rrjedhën e poshtme të lumit, teksa lëvizi duart mbi kokë dhe pastaj u zhduk në thellësi.

Templerin e mposhtën dhimbjet.

– Ah, ç’e papritur e tmerrshme! S’gjej fjalë ta tregoj! – tha duke rënkuar dhe u kërrus mbi ujë.

MakNamara pa tmerrin nën veshjen e shqyer të Templerit. Krahu i djathtë i qe ndarë në dy pjesë. Nga gjoksi, shpina e pulpa e këmbës së majtë i rridhte gjak. Përmes një vrime i dukej cipa e mushkërive.

Çanta e ndihmës së shpejtë dhe radiomarrësja ishin zhdukur në lumë, kur kanoeja u përmbys pas mësymjes së hipopotamit. Pra, jeta e Templerit ishte në rrezik. MakNamara grisi menjëherë qesen e ushqimeve dhe sajoi disa rripa. Me to ia mbuloi vrimën në kraharor dhe ia lidhi plagët nga rridhte gjak. Në atë gjendje MakNamara dhe Sinbadi e mbartën me kajak. Për gjashtë minuta dolën në breg. Në qytezën më të afërt nuk gjetën asnjë kirurg. Së andejmi, me një furgon të ndihmës së shpejtë, brenda tri orësh, në mes të natës, mbërritën në Balauej. Kirurgu ortoped Bekitheba Nkabe, rreth të dyzetave, i njoftuar qysh më parë, priste në spital. Përveç mjekimeve në kokë, në gjoks e në shpinë, doktor Nkabe ia preu krahun e djathtë. Operacioni zgjati shtatë orë.

Pas dy ditë kërkimesh, trupin e Evans Namasangos e gjetën në fund të ujërave.

Deri më sot, në tërë lumin e madh Zambezi, askush s’është përballur me aq guxim e vendosmëri me hipopotamin e tërbuar, si Pol Templeri. Pas dorëheqjes nga puna e udhërrëfyesit, ai i la lundrat e lumenjtë dhe u kthye në Savane. Atje shërbeu në ekspeditat, që përshkonin Zimbaven, Namibinë e Bostvanën. 

Sado që u përpoqën gjahtarët profesionistë ta bindnin administratën e Parkut kombëtar dhe të kafshëve të egra, që ta vrisnin hipopotamin e tërbuar, nuk ia arritën. Ai ndodhet ende atje, në lumë, dhe pret të tjera viktima!

 Nga poezia klasike kineze

Li Bo

http://www.china-tour.cn/images/Chinese-History/Li-Bo.jpg

       7 01-762      

  

           PI  VETEM 

Mes lulesh vendosa poçen,

Kur nata ish e qetë.

Dhe shtruar nisa të pi verë 

Pa mik i mbetur shkretë.

Të pinim bashkë i thirra hënës,

Në orë të mirë përmbi dhe,

I çova fjalë hijes sime

E tok u bëmë tre.

A mundet të pijë hëna,

Pyes unë për një çast

Dhe hija ime, që s’më ndahet

E shpesh më qepet pas?

Me hënën e hijen pa nguruar,

Në natën me qeti,

Gjersa të vijë sërish pranvera

Të pinim rash në ujdi.

Ia mora këngës, pas avazit,

Lëkundej hënë e artë.                    

Kërcej, kërcen dhe hija ime

Pa zhurmë dhe e gjatë.

Gëzuam çakërqejf, të tre,

U dehëm për bukuri.   

E pasi paq u pimë u ndamë 

Gjithkush në fat të tij.

I mbetur vetëm prapë, 

më duhet t’endem nëpër jetë.

Gjersa të shihemi ndër yje,

te Kashtë e Kumtrit vetë.

Du Fu

http://upload.wikimedia.org/wikipedia/commons/thumb/8/84/Dufu.jpg/240px-Dufu.jpg

      712- 77

ERA E VJESHTËS     

Era e vjeshtës

Me  furi  fryn-fryn 

.

Me prapësitë e veta

Ia  nisi pa mëshirë

 Iu sul kolibes sime, 

Tri  mbulesa me kallam,

I rrëmbeu në çati,

Dhe nga rëndesa

Dy i  lëshoi matanë lumit

I përhapi shkurreve.

Disa fluturuan  

Pellgjeve e gardheve.

Një tjetër,

E vërviti lart-lart. 

Dhe çatia u hap e ra

Përqark  copë e fije.

 Çunat  çamarrokë

Nga fshatrat fqinj

 Gajasen e tallen

Me mua plakun

E posi vjedhës,

Në mes të ditës

Kallamat togje- togje

 I tërhoqën zvarrë- zvarrë

I fshehën  skutave 

Diku në pyll.

 Më së fundi, u mburrën 

Se, ishin trima.

 M’u tha gryka

 M’u mpi gjuha.

Çamarrokëve,

S‘ iu bërtita më.

Tani  me shkop

Të pleqërisë, çalë–çalë

I  topitur në dritare

Ndalem prapë e rri

Era heshti

Në hapësirë mbi dhe

Retë e zeza sterrë, 

U shfaqën  befas lart. 

 E kupë e qiellit

U mbulua anembanë. 

Por, në atë muzg

Nuk shihet më asgjë.

 Nën jorgan,  shtrihem

Në qetësi.

Veçse, mua plakun,

Nuk më ngroh aspak.

O bir! Në ëndërr, kruspull

Duke u rrotulluar,

E zhvata, sa gjatë e gjerë,

Shumë kohë më parë,

Ja, edhe shiu

 Ia nisi  me zhaurimë,

Ma lagu  krejt

 Shtratin tim.

Ujërat rrjedhin 

Çurk në kthina,

Me rebesh  shiu

Bie e nuk pushon.

Unë i gjori 

 I sëmurë,

I pangrënë

E pagjumë

Si mundem natën ta kaloj

 Gjer nesër në mëngjes?

Oh! Sikur,

Të ndërtohej një shtëpi

Dhe nën çatinë e saj  

Madhështore,

Të ishin plot

Një milion kthina

Për të varfërit

Nga fati i keq të fyer.

Një shtëpi e madhe

Të  mos trembej

As nga era,

As nga shiu

E si mal i lartë

Të ish e fortë.

Ah! Sikur, 

Të arrija atë ditë

Dhe të mundja 

 Ta shihja i lumuruar.

Atëherë le të shembej 

Vatra ime nën oxhak.

Nga e ftohta le të ngrija

Veç të ndodhte vërtetë ashtu.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Agim Deshnica, Terbim ne lumin zambezi, Tregim amerikan

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2880
  • 2881
  • 2882
  • 2883
  • 2884
  • …
  • 2924
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Lionel Jospin, një nga politikanët e rrallë të virtutit dhe të moralit
  • SOT NË DITËN E TEATRIT
  • Andon Zako Çajupi, in memoriam…
  • Kosova edhe 1 finale larg Botërorit, Shqipëria pa fat në Poloni
  • “LISSITAN/LIS/LISSUS, Qyteti i 12 portave” dhe fortifikimet e tij të admirueshme…
  • ME Dr ELEZ BIBERAJN NË TIRANË NË ÇASTIN KUR U THYE VET-IZOLIMI KOMUNIST, MARS, 1991
  • Beyond the Game: Kosova’s Roadmap to Victory 2026 FIFA World CUP
  • “Saint Paul in Dyrrach”
  • NJË DORËSHKRIM I PANJOHUR I ESAD MEKULIT PËR ROMANIN E REXHEP QOSJES “VDEKJA MË VJEN PREJ SYVE TË TILLË”
  • Diogjeni, filozofi që sfidoi botën me dije dhe virtyt, duke e këshilluar njeriun të hiqte dorë nga jeta prej skllavi
  • DEDË GJO LULI NË SHËRBIM TË ATDHEUT
  • “America Inspires Freedom – The Kosovo Story”
  • Kur Gjykata rrëzon Kushtetutën, dhe vendimi që godet vetë shtetin
  • Tre vllazen, tre jetima…
  • Goditja ndaj objekteve të kultit fetar, pjesë e propagandës ateiste përgjatë diktaturës në Shqipëri

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT