• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kosova – shtet sovran dhe pjesë e pandashme e rendit të ri në Ballkan, Evropë dhe në Rendin e Ri Botëror

September 25, 2025 by s p

Prof. Dr. Fejzulla Berisha/

1. Kosova si realitet i pakthyeshëm shtetëror dhe juridik

Kosova është shtet i lirë dhe sovran, me subjektivitet ndërkombëtar të patjetërsueshëm, i lindur nga një proces i gjatë historik dhe i konsoliduar përmes vendimeve të institucioneve vendore, gjykimeve ndërkombëtare dhe përkrahjes së fuqive më të mëdha demokratike të botës. Deklarata e Pavarësisë e 17 shkurtit 2008 nuk ishte një akt i rastësishëm politik, por një manifestim i së drejtës natyrore dhe ndërkombëtare për vetëvendosje.

Në vitin 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, me opinionin e saj këshillues, konfirmoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk shkel të drejtën ndërkombëtare. Ky akt i lartë juridik ndërkombëtar e vendosi Kosovën përfundimisht në hartën e subjekteve me identitet dhe subjektivitet të pavarur, duke i mbyllur çdo mundësi kthimi në të kaluarën koloniale ose nënshtruese.

2. Kosova dhe Shqipëria – dy shtete, një komb

Kosova dhe Shqipëria nuk janë thjesht dy shtete fqinjë që bashkëpunojnë, por janë dy motra të të njëjtit komb, të lidhura nga gjaku, gjuha, historia dhe kultura. Kufijtë politikë janë pasojë e padrejtësive historike, por identiteti kombëtar është i patjetërsueshëm. Sot, të dyja shtetet ecin së bashku drejt integrimit në Bashkimin Evropian dhe drejt forcimit të aleancës strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kjo binjakësi shtetërore dhe kombëtare është faktor i rëndësishëm i stabilitetit në Ballkan. Shqipëria tashmë është anëtare e NATO-s, ndërsa Kosova aspiron drejt këtij destinacioni të natyrshëm. Dy shtetet shqiptare së bashku përfaqësojnë një bosht të fortë politik, ekonomik dhe kulturor, i cili kontribuon drejtpërdrejt në arkitekturën e re të sigurisë në Evropë.

3. Kosova në Rendin e Ri Ballkanik dhe Evropian

Ballkani, dikur arenë e përplasjeve të dhunshme dhe nacionalizmave të egra, sot është pjesë e një projekti të ri evropian, i cili mbështetet mbi paqen, bashkëpunimin dhe integrimin. Në këtë projekt, Kosova nuk është një “çështje e pazgjidhur”, siç shpesh e paraqesin kundërshtarët e saj, por një realitet i ri politik, që ka fituar legjitimitetin e vet përmes gjakut të derdhur për liri dhe përmes njohjeve ndërkombëtare nga shumica e shteteve demokratike.

Për Evropën, Kosova është dëshmi se parimi i vetëvendosjes dhe i të drejtave të njeriut nuk janë vetëm nocione teorike, por baza mbi të cilat ndërtohet një rend i drejtë dhe i qëndrueshëm. Pranimi i Kosovës në BE dhe NATO do të jetë jo vetëm përmbyllje e një procesi politik, por edhe afirmim i parimeve mbi të cilat ngrihet vetë Unioni Evropian.

4. Kosova në Rendin e Ri Botëror

Sot bota po kalon transformime të thella: nga një rend bipolar e unipolar drejt një arkitekture më të ndërlikuar multipolare, ku fuqitë e mëdha ndërthuren me aktorë rajonalë dhe organizata ndërkombëtare. Në këtë kontekst, Kosova nuk është një element i vogël periferik, por pjesë e këtij rendi të ri.

Subjektiviteti i saj ndërkombëtar, përkrahja e fuqive më të mëdha demokratike, si dhe pozicioni i saj strategjik në qendër të Ballkanit, e bëjnë Kosovën një faktor që ndikon në sigurinë rajonale dhe globale. Anëtarësimi i saj i ardhshëm në Organizatën e Kombeve të Bashkuara do të jetë një hap vendimtar, jo vetëm për legjitimitetin e brendshëm të Kosovës, por edhe për vetë funksionalitetin e Rendit të Ri Botëror, i cili nuk mund të pretendojë universalizëm duke lënë jashtë një realitet të pakthyeshëm.

5. Mesazhi i Kosovës për botën

Kosova është simbol i një populli të vogël që, përkundër përpjekjeve shekullore të shfarosjes dhe shtypjes, arriti të fitojë lirinë, të ndërtojë shtetin e vet dhe të bëhet pjesë aktive e bashkësisë ndërkombëtare. Ky është mesazh frymëzues jo vetëm për shqiptarët, por edhe për të gjitha kombet që luftojnë për liri e barazi.

Në Rendin e Ri Botëror, Kosova është provë se drejtësia historike është e mundur, se paqja ndërtohet mbi respektimin e të drejtave të popujve, dhe se kombet e vogla kanë vend të barabartë përkrah kombeve të mëdha.

Kosova nuk është vetëm një shtet i lirë dhe sovran. Ajo është një realitet i pakthyeshëm i Ballkanit, një pjesë organike e Evropës dhe një faktor i rëndësishëm në Rendin e Ri Botëror. Për shqiptarët, është motra e Shqipërisë. Për rajonin, është garanci e paqes dhe stabilitetit. Për botën, është dëshmi e fuqisë së së drejtës mbi padrejtësinë dhe e lirisë mbi shtypjen.

Prandaj, e ardhmja e Kosovës është e lidhur ngushtë me të ardhmen e Ballkanit, të Evropës dhe të botës së lirë. Kosova është, dhe do të mbetet, pjesë e pandashme e rendit të ri global, ku kombet e lira ndërtojnë paqe, demokraci dhe bashkëpunim të qëndrueshëm ndërkombëtar.

Filed Under: Analiza

MALËSORI FISNIK PRIJËSI LEGJENDAR KOMBËTAR DEDË GJO LULI NË 110-VJETORIN E VRASJES

September 25, 2025 by s p

Nga Frank Shkreli

24 shtatori, 1915 shënon datën kur është vrarë në pritë nga forcat serbo-malazeze Dedë Gjo Luli, malësori fisnik dhe prijës legjendar kombëtar në luftërat për liri e pavarësi të shqiptarëve. Ishte 24 Shtatori, 1915 kur mbaroi njëri prej kreshnikëve më të shquar të kombit shqiptar. Dedë Gjo Luli ka lindur në vitin 1840 dhe sot në Tiranë ka një bust në nder të tij dhe emrin ia “trashëgojnë” shkolla e rrugë Por. sot, 110 më vonë e kujtojmë, simbolikisht dhe shkurtimisht, këtë burrë të madh të kombit në përvjetorin e tij të shkuarjes në amshim. Kujtojmë përpjekjet e tija të shumta në luftërat për pavarësi nga Turqia otomane, por edhe në përpjekjet e tija të shumëta në mbrojtje të trojet shqiptare nga planet grabitqare të fqinjëve armiqësor, ndër shekuj. E kujtojmë këtë malësor fisnik si protagonist kryesor i ngritjes së flamurit shqiptar në Deçiq – për herë të parë pas disa shekujsh, që nga koha e Gjergj Kastriotit – Skenderbe. E kujtojmë sot Dedë Gjo Lulin si luftëtar në Vraninë dhe si pjesëmarrës në Lidhjen mbarë Shqiptare të Prizrenit.   

E kujtojmë këtë burrë të Malësisë së Madhe si prijës i kryengritjes së malësorëve në vitin 1911, një zhvillim ky paraprijës i ngritjes së flamurit në Vlorë dhe i shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1912.  Ishte kjo një kryezngritje që sipas historianëve kryengritja e Malësorëve kundër turqëve otomanë dallohej nga kryengritjet e tjera të shqiptarëve — mbi të gjitha — për nga karakteri dhe objektivat mbarëkombëtare të saj. Ishin këto objektiva që malësorë kishin përcaktuar për lëvizjet e tyre që, më në fund tërhoqën vëmendjen, interesimin dhe mbështetjen e Ismail Qemalit dhe Luigj Gurakuqit për përpjekjet e malësorëve për liri e pavarësi. Si përfundim, dy protagonistët kryesorë të Shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë më 1912, e gjetën të nevojshme të shkonin për tu takuar me malësorët e Ded Gjo Lulit. Si përfundim ata së bashku me malësorët përpilojnë atë që sot njihet siMemorandumi i Greçës, më 23 qershor, 1911 në të cilin pasqyroheshin, jo vetëm kërkesat e malësorëve, por të mbarë shqitarëve pa dallim për një Shqipëri me administratë, gjuhë dhe buxhet të vetin.  Memorandumi në thelb ishte, një pasqyrim i kërkesave të gjithë shqiptarëve për vetadministrim anë e mbanë trojeve veta.  “Shqipëria donte vedin me sundue”.

“Ded Gjo Luli, që vu sy me vdekë, a shqiptar i lirë me mbetë: me ata kreshnikë petrita të Maleve të Mëdhaja – burra si motit veç që i bante lokja shqipëtarë – bjen në mal, e mbi kaki të Deçiqit ngulë Flamurin e Shqipënisë kuq e zi: zjarm e dekë, nji be ai rreh, nji be të madhe po, rreh ai në sy të qiellës e të dheut, se rob shqiptari për nën themër mizore të turkut ma kurrë jo, kurrë nuk do të gjimonte, e as nën themër, t’atij sllavi të mënijshëm. Me atë be të shugurueshme ngeli në habi Evropa. Cetina u trand, e u dynd tanë pem’ e mëni Stambolla…dhe Malësori mujti”- ka kujtuar At Gjergj Fishta Ded Gjo Lulin dhe malësorët e tij. Ata malësorë, paraprijës të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë – që ia dolën, në krye me Ded Gjo’ Lulin!  Frank Shkreli: At Gjergj Fishta për Dedë Gjon Lulin | Gazeta Telegraf

Një këngë popullore me lahutë nga Malësia e Madhe thotë se përpjekjet e malësoreve dhe prijësit të tyre Dedë Gjo Lulit kishin vetëm një qëllim: “Shqipëria donte vedin me sundue”.  Për Dedë Gjo Lulin, Shqipëria ishte mbi të gjitha ka deklaruar 10-vjet më parë i ndjeri President i Republikës Bujar Nishani kur në vitin 2015 ka nderuar Dedë Gjo Lulin, pas vdekjes, me njohjen e lartë: “Dekoratën e Flamurit Kombëtar”, me motivacionin:  “Në vlerësim dhe nderim të thellë të veprimtarisë dhe kontributit të shquar atdhetar si prijës legjendar e i paepur në mbrojtje të trojeve etnike shqiptare dhe udhëheqjen e tij vizionare të lëvizjes kombëtare për liri dhe pavarësi”. 

Zyra e ish-Presidentit të Shqipërisë, Bujar Nishani në atë ceremoni pëkujtimore 10-vjetë më parë, e cilësoi dekorimin e prijësit të malësorëve dhe heroit kombëtar, si një veprimtari solemne me rastin e 100-vjetorit të vrasjes së heroit dhe prijësit Dedë Gjo Luli, ndërsa kreu i shtetit shqiptar ka shprehur kënaqësinë dhe nderin që, në cilësinë e Presidentit të Republikës, po vlerësonte dhe të nderonte “një atdhetar të spikatur, një luftëtar sypatrembur, një strateg dhe një burrë trim që nuk kurseu asgjë, as jetën e tij, për mbrojtjen e territoreve shqiptare kundër copëtimit dhe shpërbërjes”.

Me atë rast në kujtim të Ded Gjo Lulit 10-vjet më parë, në fjalën e tij në inaugurimin e përmendores së Heroit Ded Gjo Lulit, Presidenti Nishani pat kujtuar fjalët e Luigj Gurakuqit për Ded Gjo Lulin duke cituar atë se “Para 100 vitesh teksa fliste në nder të Dedë Gjo Lulit, Luigj Gurakuqi profetizonte se: ‘Nuk e kemi nderuar siç duhet historinë e Shqipërisë deri në momentin që në një shesh të denjë të kombit, një monument i komandantit të kryengritjes kombëtare nuk do të vigjilojë mbi ne’.

 “Të dy patën një jetë madhështore dhe një vdekje tragjike, si heronjtë e antikitetit, por pikërisht ata u bënë themeli i asaj ndërtese që quhet shtet shqiptar”, ka thënë Presidenti Nishani. “Po, sot Dedë Gjo Luli është në Tiranë pas një udhëtimi të gjatë shtigjeve të historisë.  Është këtu afër Gjergj Kastriotit Skenderbeut për të na rrëfyer se çfarë është Malësia e Madhe dhe bijtë e saj. Shqiptarë dje e shqiptarë sot, patriotë pa mëdyshje, pa hezitim, të gatshëm për gjatë shekujve për t’i shërbyer këtij vendi, identitetit të tij evropian, pa pyetur për çmimin e sacrifices, pa e vajtuar gjakun e derdhur”, a deklaruar Presidenti Nishani, 10-vjetë më parë me rastin e dorëzimit të dekoratës së lartë të kombit: “Famuri i Kombit”, pasardhësve të Dedë Gjo Lulit.

Edhe sot pra, në këtë 110-vjetor të vrasjes së tij nga forcat çetnike terrotiste slave, vepra e Dedë Gjo Lulit dhe e malësorëve të tij vazhdon të mbetet sot e kësaj dite një akt i madh historik e patriotik dhe në shërbim të identitetit kombëtar evropian të shqiptarëve. Si e tillë, vepra dhe përpjekjet e tija dhe të bashkvendasve të tij, për liri e pavarësi të shqiptarëve, meriton të kujtohet sot e gjithmonë me krenari frymëzuese dhe si simbol i paharrueshëm i fuqisë morale dhe të vlerave atdhedashëse të malësorëve dhe të kombit shqiptar, në përgjithësi.  Për të jetuar në liri, duke sunduar veten, larg influencave të huaja, kundër pushtuesve të huaj dhe të gjithë atyre që, historikisht, nuk ia kanë dashur kurrë të mirën shqiptarëve — as atëherë, as sot!  Të kujtojnë brezat se me heroizëm dhe sakrificë Dedë Gjon Luli dhe malësorët e tij —i ndëjtën besnikë vlerave shekullore të fisit të shqiptarëve:  lirisë dhe vet-sundimit. Besnikë ndaj dhe mbrojtës të vlerave historike të Kombit Shqiptar:  besës e burrënisë, nderit dhe dinjitetit njerëzor, përballë robërisë shekullore të perandorisë turke, si dhe të armiqëve të tjerë të afërt dhe të largët të Kombit shqiptar, ndër shekuj. Dedë Gjon Luli ishte personfikimi i këtyre vlerave shekullore të shqiptarit.  Si i tillë, duhet të kujtohet edhe sot. Si një figurë kombëtare shqiptare që me shembullin e tij u flet edhe sot shqiptarëve se kjo tokë e vjetër dhe as vlerat, as identiteti kombëtar nuk mund të nxirren në ankand për tu shitur askujt dhe nga askush.  Me ngritjen e flamurit të Gjergj Kastriotit Skënderbe në Deçiq (1911), për herë të parë në pesë shekuj, Dedë Gjon Luli ka ndërruar përgjithmonë fatin dhe epokën e Shqiptarëve, duke paraprir kështu shpalljes zyrtare të Pavarësisë së Shqipërisë dhe ngritjes së Flamurit Kombëtar në Vlorë, me 28 Nentor, 1912. I përjetëshëm qoftë kujtimi i tij!

Frank Shkreli

Nga ceremonia e dorëzimit të Dekoratës së Lartë “Flamuri Kombëtar” familjarëve të Heroit kombëtar Dedë Gjo Luli në Presidencë, në 2015, në 100-vjetorin e vrasjes së tij

Një grup malësorësh, klerikësh katolikë dhe një oficer ushtarak – ndër të cilët dallohet Ded Gjo Luli, Imzot Luigj Bumçi, At Gjergj Fishta, Jak dhe Zef Serreqi, e të tjerë. Viti 1914 një vit para se të vritej Ded Gjo Luli me 1915 nga forcat terroriste serbo-malazeze në Mirëditë (Shkodra blog)

Filed Under: Interviste

“Mullinjtë e ujit në Kallmet: Historia, arkitektura dhe rëndësia e tyre”

September 25, 2025 by s p

Paulin Zefi/

Banorët e fshatit të Kallmetit, përveç ruajtjes së veshjes së bukur tradicionale, që e pozicionon këtë vendbanim të lashtë si një areal etnokulturor të veçantë ndërmjet Zadrimës dhe Mirditës, janë dalluar ndër shekuj për tradita të pasura në bujqësi dhe zejtari. Kultivimi i varietetit autokton të rrushit “Kallmet”, të njohur nga vendasit si “Rrush vneshte”, prej të cilit prodhohet vera cilësore dhe shumë e famshme me të njëjtin emër, bashkë me “Ullirin kokërrmadh të Kallmetit [1]” dhe fasulen e njohur ne emrin “Grosha e Kallmetit [2]”, dëshmojnë për një trashëgimi bujqësore të mirëstrukturuar dhe të përcjellë brez pas brezi. Përveç burimeve historike, një dëshmi e gjallë e traditës së hershme të kultivimit të ullirit në Kallmet është një ulli që ka ardhur deri në ditët tona, i cili nga specialistët e olivikultures dhe të historisë është vlerësuar me një moshë rreth 1.000–1.500 vjeçare [3].

Për prodhimin e vajit të ullirit, përveç mjeteve shtëpiake që gjendeshin pothuajse në çdo familje kallmetore, në fshat kanë funksionuar dikur katër mullinj vaji [4]. Tre prej tyre, si ai i Tom Ndojit, Pjetër Jakut dhe Pjetër Çupit, kanë funksionuar rregullisht deri në Luftën e II Botërore [5]. Këta mullinj përbëheshin nga guri i madh, lema, shportat me thupra shelgu, turku i vajit, burgitë, pela (trung druri), budallahat së bashku me lugun kanal dhe për të vënë në lëvizje mullirin e blojës së ullirit përdoreshin kafshë (kuaj) ose njerëz të fuqishëm [6]. Ndërsa, shfrytëzimi i burimeve të shumta natyrore të ujit ka bërë të mundur jo vetëm ujitjen e tokave bujqësore, por edhe ndërtimin e një rrjeti të dendur mullinjsh uji për bluarjen e drithit. Kallmeti ka pasur gjithsej 18 mullinj uji, prej të cilëve 8 janë ushqyer nga një rrjedhë e Përroit të Qershisë [7], i cili ka një pellg të gjerë ujëmbledhës që përfshin prurjet nga shpatet perëndimore të Malit të Velës (1172 m) dhe Malit të Sheshit të Velës (1050 m), si dhe shpatet lindore e veriore të Malit të Kroit (584 m) dhe Malit të Kepshit (577 m).

Nga 8 mullinjtë e përmendur, të cilët në traditën vendase njihen me emërtimin karakteristik “Mullinjtë e Kishës”, vetëm 6 prej tyre vijuan të funksiononin edhe pas përfundimit të Luftës së II Botërore (1939–1945). Në vitin 1956, në kuadër të procesit të kolektivizimit bujqësor që shënoi një ndërhyrje të thellë në strukturat e pronës private në Shqipëri, këto njësi prodhuese u shtetëzuan dhe kaluan nën administrimin e Komisionit të Kolektivizimit, për t’i kaluar më pas Kooperativës Bujqësore. Vetëm më 9 shtator 1991, pas vendimeve të Komisionit të Vlerësimit dhe Shpërndarjes së Pasurisë së Kooperativës Bujqësore të Kallmetit, mullinjtë iu rikthyen përsëri përdoruesve të tyre të hershëm. Megjithatë, nga të gjithë mullinjtë e Kallmetit, deri në ditët e sotme kanë mbijetuar vetëm dy: “Mulliri i Mark Mati Markut”, i cili është ngritur në fund të shek. XVIII dhe që konsiderohet si më i vjetri, si dhe “Mulliri i Prend Jak Tomës”, i ndërtuar në mesin e shek. XIX. Të dy mullinjtë, deri në fillim të shek. XX, ndodheshin nën administrimin e drejtpërdrejtë të Dioqezës së Lezhës. Mons. Francesco Malczynski (1870–1908) ia kaloi më pas në përdorim Jak Tomës të dy këto njësi prodhuese.

Megjithatë, rreth një dekadë më vonë, për shkak të pamundësisë për t’i administruar njëkohësisht, Jak Toma iu drejtua ipeshkvit të Lezhës, Mons. Luigj Bumçit (1911–1943), një figurë e shquar kishtare dhe atdhetare, duke kërkuar që mulliri i vjetër t’i kalohej në përdorim një familjeje tjetër kallmetore. Si rezultat, Mons. Luigj Bumçi ia besoi administrimin e këtij mulliri Mati Markut. Pas përfundimit të Luftës II Botërore, me aprovimin e vetë Kishës Katolike, mullinjtë kaluan gradualisht në administrimin e plotë të familjeve që i kishin në përdorim. Pasi iu hoqën atyre padrejtësisht në vitin 1956 dhe iu rikthyen sërish vetëm pas 35 vitesh, më 1991, mullinjtë vijuan të funksiononin deri në vitin 1996. Braktisja e tyre solli një proces gradual amortizimi, i cili përfundoi me rrënimin e plotë të çative dhe me dëmtimin apo humbjen e pjesës më të madhe të elementevë funksionalë. Megjithatë, fatmirësisht, të gjithë strukturat murale vijojnë ende të qëndrojnë në këmbë, duke imponuar kalimtarët me hijeshinë e tyre. “Mulliri i Mark Mati Markut” është i pozicionuar në anën e djathtë të Përroit të Qershisë, ngjitur me aksin rrugor të asfaltuar që lidh qendrën e fshatit Kallmet i Madh me Kishën-Katedrale të Kallmetit, nga e cila e ndan një distancë prej rreth 120 metrash.

Objekti paraqitet me një planimetri drejtkëndore me përmasa 11.25 m gjatësi dhe 5 m gjerësi. Muret, të ndërtuara kryesisht me gurë gëlqerorë, arrijnë një lartësi deri në 3 m. Porta, e vendosur në pjesën veriore të fasadës perëndimore, ka dimensione 1.82 m lartësi dhe 1.23 m gjerësi. Ajo është ndërtuar me qemer të harkuar dhe blloqe guri të punuar me mjeshtëri të veçantë. Hapësira e brendshme ndriçohet nga një dritare me përmasa mesatare dhe një dritare e vogël e tipit frëngji. Pjesa veriore e murit, si edhe segmenti perëndimor pranë portës, janë të mbuluara nga një vegjetacion i dendur me urth. Rreth 80 m në perëndim të këtij objekti, në hapësirën ndërmjet Përroit të Qershisë dhe rrugës së asfaltuar, ndodhet “Mulliri i Prend Jak Tomës”. Ky monument arkitektonik paraqitet po ashtu me një planimetri drejtkëndore, me përmasa 8.67 m gjatësi dhe 5 m gjerësi. Porta e tij, e pozicionuar në pjesën jugore të fasadës perëndimore, mbulohet me arkitra të rrafshët dhe ka dimensione 1.75 m lartësi dhe 0.92 m gjerësi. Muret, të ndërtuara kryesisht me gurë gëlqerorë, arrijnë lartësinë 2.17 m, ndërkohë që hapësira e brendshme ndriçohet nga një dritare me dimensione 0.66 m lartësi dhe 0.47 m gjerësi.

Kjo dritare, e realizuar me kornizë prej guri të latuar, përfaqëson një ndër elementët më të veçantë arkitektonikë të monumentit, pasi në pjesën e sipërme të saj është gdhendur një reliev me përmasa 22 x 22 cm, ku paraqitet një kryq latin me krahë të barabartë, i kompozuar brenda një kuadrati të ngritur mbi sipërfaqen e kornizës. Një tjetër element i veçantë i “Mullirit të Prend Jak Tomës” është oxhaku i vendosur në murin jugor, i punuar me mjeshtëri të rrallë dhe i ruajtur në formën e tij origjinale. Dëshmitë e studiuesit të përpiktë vendas, njëherësh, trashëgimtar i “Prend Jak Tomës” dhe njeriu që përkujdeset për këtë mulli, Prof. Zef Toma, vërtetojnë se gjatë shek. XIX dhe në gjysmën e parë të shek. XX, mullinjtë e Kallmetit dhe në mënyrë të veçantë “Mullinjtë e Kishës” nuk shërbenin vetëm për të mbuluar nevojat e banorëve të fshatit Kallmet dhe të trevës së gjerë të Zadrimës, por tërhiqnin gjithashtu një pjesë të konsiderueshme të popullsisë nga Mali i Jushit në veri e deri në Bregun e Matës në jug.

Ky fakt dëshmon jo vetëm për rëndësinë ekonomike të këtyre mullinjve në jetën e përditshme, por edhe për rolin e tyre në lidhjen dhe ndërveprimin e zonave të ndryshme të Shqipërisë Veriperëndimore, duke i dhënë kësaj hapësirë një dimension të dukshëm shoqëror e kulturor. Mullinjtë e ujit në Kallmet përbëjnë një trashëgimi të çmuar historike, arkitektonike dhe etnokulturore, e cila dëshmon për zhvillimin ekonomik, shoqëror dhe shpirtëror të Kallmetit ndër shekuj. Të lidhur ngushtë me traditat bujqësore dhe zejtarinë vendase, ata kanë pasur një rol integrues rajonal, duke ndërlidhur banorët e Kallmetit me komunitetet e zonës së Nënshkodrës dhe më gjerë. Megjithëse kanë mbijetuar vetëm dy prej tyre, strukturat murale dhe elementët arkitektonikë të ruajtur deri më sot, mbeten dëshmi autentike të mjeshtërive ndërtimore vendase dhe të mënyrës së shfrytëzimit të burimeve natyrore. Në këtë kontekst, është e domosdoshme që mullinjtë të inventarizohen, të restaurohen dhe të ruhen si Monumente Kulture, ndërkohë që promovimi i tyre përmes itinerareve turistike, muzealizimit dhe përfshirjes së komunitetit vendas do të mundësonte jo vetëm mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore të Kallmetit, por edhe nxitjen e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik të zonës.

BIBLIOGRAFIA:

1- Z.Toma, Disa veçori etnografike dhe tradita të kallmetit, në: Lis, 6, Lezhë: Lisitan & Gjergj Fishta, 1993, f. 35-37; E.Coli, Kallmeti: Fakte dhe gojëdhëna, f. 26-28.

2- M.Pema, Shënime historike për disa treva të Lezhës (Komuna Kallmet), f. 6.

3- E.Coli, Kallmeti: Fakte dhe gojëdhëna, f. 28.

4- Z.Toma, Disa veçori etnografike dhe tradita të kallmetit, në: Lis, 6, Lezhë: Lisitan & Gjergj Fishta, 1993, f. 36.

5- M.Pema, Shënime historike për disa treva të Lezhës (Komuna Kallmet), f. 52.

6- Ibidem, f. 52.

7- Z.Toma, Disa veçori etnografike dhe tradita të kallmetit, në: Lis, 6, Lezhë: Lisitan & Gjergj Fishta, 1993, f. 35-37.

Filed Under: Histori

Pse rihapja e “Bagram” është e domosdoshme për paqen dhe stabilitetin botëror

September 25, 2025 by s p

Hisen Berisha/

Jemi në një periudhë kur siguria globale është më e brishtë se kurrë, prandaj është thelbësore të kuptojmë se çdo vend ka përgjegjësi për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit. Qëndrimet dhe veprimet e Presidentit Trump dhe administrates amerikane janë të një rëndësie gjeostrategjike dhe gjeopolitike; letra vendeve të NATO dhe BE, kthimi i bazës Bagram, rekomandimi NATO që të godas avionët rus, deklarimi i FA të SHBA si supërfuqi botërore, që mbështesin NATOn, etj.

Në këtë kontekst, ditë më parë vendimi i Presidentit Trump për rikthimin e bazës ajrore të Bagram në Afganistan, nën kontrollin e Shteteve të Bashkuara, është një hap i domosdoshëm për të forcuar sigurinë globale dhe për të kundërshtuar ndikimet destabilizuese të Rusisë.

Çështjet e sigurisë globale dhe luftës në Ukrainë dominuan agjendën sesionit të fundit të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ku

Liderë nga e gjithë bota paralajmëruan se agresioni rus dhe mbështetja e hapur e Moskës për regjime autoritare në rajone të ndryshme, nga Ballkani e deri në Lindjen e Mesme, po e minojnë arkitekturën e sigurisë ndërkombëtare.

Një mesazh i fortë ka dhënë Presidenti Trump, i cili ditë më parë ua dërgoi një letër vendeve të BE-së dhe NATO-s, duke kërkuar rritje të përgjegjësisë së tyre në raport me mbrojtjen kolektive.

Sipas Doktrinës Trump si bosht i politikës së jashtme amerikane, NATO nuk mund të kufizohet vetëm në retorikën e anëtarëve evropian, por duhet të veprojë konkretisht ndaj kërcënimeve ruse. Madje, ai lëshoi edhe një “bombë politike” duke propozuar që NATO të përgatitet për të goditur avionët luftarakë rusë në rast të kërcënimeve të drejtpërdrejta ndaj hapësirës euro-atlantike.

Ndër të tjera, deklarata e Presidentit Trump se “NATO-n e mbron Amerika”, është mesazh goditës për Rusinë, por njëkohësisht edhe një sinjal i fuqishëm për sigurinë dhe përpjekjet për paqe në botë. Me këtë qëndrim ai e përmbyll në praktikë “Reformën Rumsfeld” të propozuar vite më parë për riformatimin e arkitekturës së sigurisë globale, duke e fuqizuar NATO-n si garant të paqes në kontinentin e vjetër dhe duke e rikthyer ushtrinë amerikane si superfuqinë e pakontestueshme botërore. Megjithatë, përkundër Ushtrimeve Shumëkombëshe “Defrnder Europe” që testuan aftësitë për sigurimin, zhvillimin dhe shpërndarjen e informacionit, rrjedhja e të dhënave lidhur me takimin e Dahos në Katar – ku ishin të pranishëm edhe përfaqësues të disa vendeve aleate, të cilat më vonë dolën me qëndrime shfajsuese – ngriti dyshime serioze se udhëheqësit e Hamasit mund të jenë ndihmuar të shmangnin eliminimin. Një sjellje e tillë nxjerr në pah dilema të thella strategjike dhe interesat e fshehura të disa shteteve që vrapuan të njohin Palestinën, përtej çdo arsyetimi humanitar.

Trump i nxori kokën doktrinës së tij për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, duke kërkuar që aleatët evropianë të ndalin menjëherë blerjen e naftës nga Rusia dhe duke akuzuar Kinën e Indinë se, përmes importeve të produkteve energjetike, po financojnë makinerinë luftarake të Moskës. Sipas tij, edhe vetë vendet evropiane, përmes varësisë së tyre energjetike, po e mbajnë gjallë fuqinë ekonomike e njëkohësisht edhe ushtarake të Rusisë. Ky është një ilustrim i qartë i asaj që në teorinë e marrëdhënieve ndërkombëtare njihet si ‘asimetri varësie’, ku ekonomia bëhet instrument i politikës së fuqisë. “Pa një veprim të bashkërenduar edhe nga Evropa, të gjithë po humbasim shumë kohë. Evropa duhet të bëjë më shumë”, porositi preras Presidentit Trump.

Kjo është strategjia që kam deklaruar në ditën e parë të sulmit rus, se “Ukraina do të bëhet varri i Rusisë”, përmes shterjes së resurseve të saj. Vetëm kostoja financiare e drejtpërdrejtë ushtarake e Kremlinit llogaritet afër 200 miliardë dollarë në vit, ndërsa humbjet nga rënia e eksporteve të gazit dhe produkteve energjetike kapin shifrën afër 450 miliardë dollarësh në vit. Rusia mban aktive rreth 1.320.000 trupa, mbi 250.000 paramilitarë, rreth 2.050.000 rezervistë, dhe detyrohet të rekrutojë çdo vit mbi 1.267.000 të rinj për të ruajtur kapacitetet e saj ushtarake. Kjo do të thotë se pothuajse gjithë fuqia kombëtare bruto e vendit është e orientuar drejt ekonomisë së luftës, një mirazh i fuqis ekonomike që në realitet e shtyn Rusinë drejt kolapsit shtetëror.

Siguria e Shteteve të Bashkuara është e lidhur ngushtë me sigurinë globale. Nëse cilido vend a rajon është i pasigurt, kjo ndikon në të gjithë botën. Kjo është arsyeja pse SHBA-të kanë ndërmarrë hapa për të forcuar praninë e tyre ushtarake në rajone strategjike, siç është rasti në Afganistan, për të parandaluar kërcënimet e mundshme dhe për të mbrojtur interesat e veta dhe të aleatëve të saj.

Rusia ka një histori të gjatë ndërhyrjesh në shtetet e tjera, duke stimuluar regjime diktatoriale dhe duke krijuar kushte për dhunë dhe varfëri. Nga Ukraina në Siri, nga Afrika në Ballkan, ndikimi rus ka sjellë pasiguri dhe ka minuar demokracinë. Në çdo vend ku Rusia ka vënë dorën, ka pasur pasoja negative për popullin dhe për sigurinë globale.

Baza ajrore e Bagram ka qenë një pikë kyçe për operacionet ushtarake të SHBA në Afganistan, dhe për faktin e pozicionit gjeostrategjik është një pikë kyçe për Sigurinë Globale. Rikthimi i saj nën kontrollin amerikan do të forconte praninë e SHBA në rajon dhe do të mundësonte një përgjigje më të shpejtë ndaj kërcënimeve të mundshme në rajon e indo-paqësor.

Për më tepër, kjo do të ndihmonte në mbështetje të forcave të sigurisë afgane dhe në luftën kundër grupeve dhe organizatave të ndryshme terroriste.

Në një botë të ndikuar nga tensione dhe pasiguri, janë të domosdoshme aleancat dhe traktatet mes shteteve që të bashkërendojnë veprimet ushtarake e politike për të ruajtur paqen dhe stabilitetin. Rikthimi i bazës së Bagram është një hap në këtë drejtim, duke siguruar një prani të fortë të SHBA në rajon dhe duke kundërshtuar ndikimet destabilizuese të Rusisë, Kinës etj.

Në këtë kontekst, rihapja e saj nuk përbën vetëm një vendim operacional-ushtarak, por një instrument strategjik-diplomatik me implikime të drejtpërdrejta për arkitekturën e sigurisë ndërkombëtare. Ky hap reflekton qartë nevojën për një koordinim transatlantik të fuqishëm, ku roli i SHBA dhe angazhimi i aleatëve evropianë janë thelbësorë për parandalimin e agresionit, ruajtjen e stabilitetit rajonal dhe garantimin e rendit global. Vendimmarrja e tillë nënvizon se fuqia ushtarake duhet të kombinohet me strategji diplomatike të qarta dhe përgjegjësi kolektive, duke siguruar që kërcënimet ndaj paqes dhe sigurisë ndërkombëtare të neutralizohen në mënyrë efektive dhe të qëndrueshme.

Filed Under: Komente

Victor Hugo, gjeniu francez i letërsisë, që befasoi edhe si piktor

September 25, 2025 by s p

Albert Vataj/

Ai nuk ishte një gjeni vetëm në poezi, në romanet e tij monumentale, në dramat që bënë epokë. Ai kishte thellë në shpirtin e tij një gufim shpues energjie që e hovte në të tjerë dimensione shprehëse, edhe pse ju dha me zemër dhe u kujdes ta mbante sa më larg atyre që tashme e kishin zgjedhur si “shenjtor” të letërsisë. Ai nuk do t’i qasej përjetësisë vetëm si poet, romancier dhe dramaturg, një nga më të zëshmit e Francës, por edhe një artist, piktor akuarelesh, hartues dhe karikaturist. Ai qe i vëmendshëm në leximin dhe dëshmimin e realitetit, me shpirtëroren, me të cilën ai luftoi dhe besoi. Ishte virtuoz dhe i mprehtë për të kapur momentin që nuk u mjaftua së skalituri vetëm me pasion dhe me penë, por edhe me laps, karbon, pend dhe penel, me koloritin e kohës së tij, me atë zëshmëri gjëmuese që vetëm kafja dhe e errëta do të mund ta jetësonin si në rrëfimet e tij ngjethëse; në poezi, roman dhe dramaturgji, ashtu edhe në ato copëza kartoni dhe letre.

Victor Hugo prodhoi më shumë se 4000 vizatime. Fillimisht i yshtur si një hobi i rastësishëm, vizatimi u bë gjithnjë e më i rëndësishëm për Hugo pak para mërgimit të tij, kur ai mori vendimin të ndalonte së shkruari në mënyrë që t’i përkushtohej politikës. Vizatimi u bë një shpërthium ekskluzive krijuese gjatë periudhës 1848-1851. Hugo punonte vetëm në letër, dhe në madhësi relativisht të vogëla. Zakonisht ai punonte me lapsa, me bojë kafeje të errët ose të zezë, ndonjëherë me prekje të bardhë, dhe shumë më rrallë me ngjyra. Vizatimet që kanë arritur të mbijetojnë, parë në rrafshin kritik, janë realizuar sipas një stili modern. Të kësaj pritshmërie janë realizimi i tyre, duke i krahasuar ata me teknikat eksperimentale të Surrealizmit dhe ekspresionizmit abstrakt.

Ai e mbajti veprën e tij artistike jashtë syrit të publikut, nga frika se mos e zbehnin hijeshinë e veprave të tij letrare, ata të cilat edhe e bënë atë që ne njohim sot. Sidoqoftë, atij i pëlqente të ndante vizatimet e tij me familjen dhe miqtë e tij, shpesh në formën e kartave telefonike të bëra në mënyrë ornamentale, shumë prej të cilave u ishin dhënë si dhurata vizitorëve, kur ai ishte në mërgim politik. Disa nga pikturat e tij u treguan dhe u vlerësuan nga artistë bashkëkohorë si Vincente Van Gogh dhe Eugène Delacroix; ky i fundit shprehu mendimin se nëse Hugo do të kishte vendosur të bëhej piktor në vend të një shkrimtari, ai do të kishte shkëlqyer nga artistët e tjerë bashkëkohës.

Ne nuk duhet të harrojmë se në prodhimin e gjerë të Victor Hugo, planet e tij. Ai është një vetë-mësimdhënës dhe nuk heziton të eksperimentojë me teknika të reja dhe përbërës të rinj, nga bojë në kafe, deri në qymyr, duke përdorur gjithashtu pendë në vend të furçave.

Në përgjithësi veprat e tij janë të madhësisë së mesme dhe në shumicën e rasteve përdoren për të ilustruar shkrimet e tij, ose si dhurata për t’u dërguar miqve në raste të veçanta. Për të ky art është kryesisht një kalim kohe dhe kurrsesi Hugo nuk pretendoi të kërkonte famë si piktor. Fillimisht veprat e tij janë qartësisht realiste, vetëm për të përvetësuar një dimension më fantastik me mërgimin dhe përballjen e tij “mistike” me detin. Kjo tendencë do të vlerësohet shumë për të: Charles Baudelair, i cili mësohet të jetë shprehur se:

“Nuk gjeta midis ekspozuesve të Sallonit, imagjinatën e mrekullueshme që rrjedhin në vizatimet e Victor Hugo si mister në qiell. Unë flas për vizatimet e tij me bojë indiane, sepse është shumë e qartë se në poezi, poeti ynë është mbreti i peizazhit”. Ky përkufizim tregon një vlerësim të shtuar dhe një njohje që i bërë punës së tij krijuese si piktor.

Filed Under: LETERSI

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 317
  • 318
  • 319
  • 320
  • 321
  • …
  • 2946
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel
  • PËRKUJTIM PËR ELIOT ENGEL, NJË MIK I PAZENDËVËSUSHËM, ZËRI I SHQIPTARVE NË SHBA
  • Meditim para varrit të Faik Konicës
  • Bashkimi i Diasporës Shqiptare të Greqisë
  • “Fortifikimi ilir i Komlikut në Fregen dhe Ungrej të Lezhës (Mirdita Etnografike)”
  • “The Real Thing”: A Conversation with Luljeta Lleshanaku

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT