• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Albanian Festival in Waterbury

May 19, 2025 by s p

Celebrating 20 years of continuous growth, the Albanian Festival in Waterbury is one of the largest in the Northeastern United States, drawing attendees from New England, New York, New Jersey, and other states.

Over two days each year, more than 5,000 people gather to celebrate their Albanian roots through music, dance, and authentic foods. Hundreds of volunteers dedicate countless hours to preparing homemade food and desserts loved by everyone.

Filed Under: Komunitet

Dita Ndёrkombёtare e Muzeve dhe Siteve Arkeologjike

May 19, 2025 by s p

Kriledjan Çipa/

Dita Ndёrkombёtare e Muzeve dhe Siteve Arkeologjike, si dhe nevoja pёr ngritjen e njё Muzeu Arkeologjike nё qytetin e Vlorёs.

Sot, nё kёtё ditё tё rёndёsishem pёr muzetё nё mbarё botёn, si institucione shkencore me misjon edukues, mё shumё se ditё feste, ёshtё ditё reflektimi pёr rolin e muzeut, nё raportin qё ai duhet tё ketё me shoqёrinё. Sigurisht qё, muzeu e tejkalon rolin thjesht edukativ, si ndёrmjetёs midis shoqёrisё modern me shoqёritё, kulturat dhe vlerat historike tё sё shkuarёs. Si mbartёs i kёtyre vlerave tё shprehura nёprmjet kulturёs materiale dhe artefakteve, muzeu, ka gjithashtu rolin aktiv tё institucionit qё i studion dhe interpreton kёto vlera historike dhe kulturore, nёpёrmjet punёs kёrkimore shkencore. Jo rastёsisht, kёto institucione dhe koleksionet e para private apo laboratorike, u shёndruan nё vatrat e para tё zhvillimit tё shkencave si arkeologjia, etnografia etj, nё shumё vende tё Europёs, duke pёrfshirё edhe vendin tonё. Pak a shumё kёshtu ka nisur muzeologjia sё bashku me shkencёn e arkeologjisё nё vendin tonё, ku njё rol prej pjonieri nё kёtё drejtim ka luajtur qyteti i Vlorёs. Ishin dy premisa kryesore, tё cilat e kthyen Vlorёn nё njё nga vatrat e para tё Muzeologjisё Shqiptare, me orientim specifik nё arkeologji. Vetё Gjiri i Vlorёs, por edhe hinterlandi i tij, kryesisht lugina e Shushicёs ёshtё njё nga zonat me pёrqёndrimin mё tё madh tё qendrave arkeologjike.

Nё gjithё hapsirёn e Gjirit tё Vlorёs, ruhen rrёnojat e tre qyteteve shumё tё rёndёsishme antike tё Orikumit, Kaninёs, Triporti, por dhe rrёnojat e Aulonёs antike, qё ndodhen nё qendёr tё Qytetit. Pёrgjatё luginёs sё Shushicёs gjenden rrёnojat e qendrave tё tjera tё rёndёsishme arkeologjike si Amantia, Olympe, Cerje, Armeni, Hadёrraj, Nivica etj. Tё gjitha kёto qytete antike tё marra sё bashku, shto kёtu me qindar e ndoshta mijra site arkeologjike tё shtrira nё mёnyrё diakronike nga Prehistoria e deri nё periudhёn Osmane, pёrbёjnё njё pasuri tё jashtёzakonshme arkeologjike. Kjo premisё, plus prania e familjes Vlora, antarёt e tё cilёs tё iluminuar qё herёt rreth nocionit tё komb-shtetit, filluan tё parёt mbёledhjen e artefakteve antike, duke krijuar tё parin koleksion privat (krahas atij Françeskan e Jezuit tё Shkodrёs), duke zhvilluar nocionin e antikuariatit, si hap i parё drejt fillimit tё arkeologjisё sё mirfilltё. Surja dhe Eqerem Bej Vlora, baba e bir, deri nё fillimet e vitit 1920, kishin mbёledhur njё numёr tё madh artefaktesh me prejardhje nga qyteti antik i Orikumit dhe nga vetё Aulona antike. Duke qenё se, Pashalimani ka qenё prona e tyre private, krahas koleksionimit tё gjetjeve arkeologjike tё rastёsishme me prejardhje nga Orikumi antik, nuk pёrjashtohet tё kenё kryer edhe gёrmime arkeologjike, po tё nisemi nga disa objekte tipike me prejardhje nga nekropoli.

Gjithёsesi, prania e kёtij koleksioni, si dhe vendimarrja nga qeveria e atёhershme pёr ngritjen e Muze Arkeologjik nё vitin 1936, nё ish selinё e qeverisё sё Ismail Qemalit, krijoi premisa dhe nxiti formimin e arkeologёve tё parё Shqiptarё si Tahsin Jonusi dhe Yzeir Ismaili, tё dy nga Vlora, madje ky i fundit edhe drejtori i parё i kёtij muzeu. Ky vizjon i Zogut dhe arkeologut francez Leon Rei, nuk lidhej vetёm me nevojёn pёr ekspozimin e pasuris arkeologjike tё Vlorёs dhe objekteve tё pёrftuara nga gёrmimet nё qendrёn arkeologjike tё Apolonisё, por duke qenё se Vlora ishte qytet portual, synohej gjithashtu dhe zhvillimi i turizmit, jo rastёsisht u zgjodh pёr kёtё funksion godina e qeverisё sё Ismail Qemalit, e cila ndodhej pikёrisht pranё portit. Pra, kёto premisa e kthyen Vlorёn kryeqytetin e muzeologjisё dhe arkeologjisё Shqiptare, deri nё Luftёn e Dytё Botёrore, kohë kur muzeu arkeologjik u shkatёrua dhe grabit, ndёrsa shumё nga objektet e koleksionit tё Vlorajve humbёn. Me inisiativё tё shtetit Shqiptar tё pasluftёs, si dhe me pasioni e pashtershёm tё Llambi Durrollit, u ngritёn muzetё e parё tё Vlorёs, me profile tё ndryshme, ndёr tё cilёt edhe Muzeu Historik, ku nё prezantimin diakronik tё historisё, nё pavionin e arkeologjisё ekspozoheshin artefakte me prejardhej nga Orikumi, Amantia, Shpellat e Velçёs, Kanina, Triporti, Mavrova etj.

Ky koleksion, u pasurua ndjeshёm jo vetёm nga puna e Llambi Durrollit, por dhe nga puna e arkeologёve Perlat Kulla e Ilia Çano, tё cilёt punuan pranё kёtij muzeu. Gjithёsesi, pas viteve 1990 pavarёsisht punёs sё admirueshme tё drejtuesve dhe punonjёsve tё kёtij muze ndёr vite, ai ngelet i parikonceptuar mbi bazat e zhvillimeve moderne nё shkencёn e muzeologjisё, ku jo vetёm mungon aplikimi i teknologjive moderne, por mungojnё edhe hapsirat e domosdoshme pёr prezantimin dinjitoz tё pasurisё sё jashtёzakonshme dhe objekteve tё panumёrta me prejardhje nga qendrat arkeologjike tё Vlorёs. Kjo sigurisht ёshtё e kuptueshme, po tё kemi parasysh problemet dhe nevojat jetike qё ka patur Vlora dhe gjithё Shqipёria gjatё 30 viteve tё fundit.

Ekspeditat e panumurta arkeologjike nё Amantia, Triport, Orikum, Kaninё, Aulonё, Olympe, si dhe gjetjet e shumta rastёsore ndёr vite, kanё krijuar njё koleksion gjigand objektesh arkeologjike, por fatkeqёsisht tё shpёrndara nё muzetë e ndryshёm tё Tiranёs dhe nё fondet e Institutit tё Arkeologjisё. Kёto objekte me vlera unikale, janё pasuri qё flenё tё pashfrytёzuara. Nё kёto kushte, ku pasuria e jashtёzakonshme arkeologjike e Vlorёs duhet prezantuar pёr publikun dhe duhet administruar nё funksion tё edukimit, kёrkimit shkencor dhe zhvillimit tё turizmit, kthimi tek tradita e lavdishme e kёtij qyteti ёshtё zgjidhja e vetme pёr tё ardhmen e kёsaj pasurie. Ngritja nё qytetin e Vlorёs e njё Muzeu tё profilizuar nё arkeologji ёshtё njё zgjidhje jo vetёm pёr administrimin dhe promovimin e kёsaj pasurie, por njёkohёsisht pёr zhvillimin e qёndrueshёm turistik tё qytetit, i cili mё shumё se çdokush tjetёr, tё shkuarёn, tё tashmen dhe tё ardhmen e ka tё pandashme nga identiteti i fortё kombёtar Shqiptar, si pjesё e identiteti Europian.

Filed Under: Histori

“Net të Bardha” nga Bujar Alimani sjell klasikët në teatrin tonë dhe fton të tjera projekte

May 19, 2025 by s p

Rafaela Prifti/

Dy njerëz, të cilët jetojnë në botë të ndryshme, të dhënë pas kërkimit të dashurisë papritur takojnë njëri tjetrin dhe së bashku përjetojnë mundësitë reale dhe imagjinare të braktisjes së vetmisë së tyre me përfundime të ndryshme. E thënë thjesht do ishte “Djali takohet me Vajzën, Vajza e Braktis Djalin, Vajza përfundon me Djalin (tjetër) vecse nuk është aspak e thjeshtë. “Net të Bardha” është produksion skenik me katër akte nga regjisori Bujar Alimani që po shfaqet në Producers Club në Manhattan, Nju Jork në dy fundjava të mesit të majit. Është adaptim skenik i tregimit me të njëjtin titull të shkrimtarit klasik rus të shekullit 19 Fjodor Dostojevski. Duke ndjekur dy të panjohurit në ulje-zbritje emocionale prej skutave të mjera të vetmisë drejt majave të ndritura të lumturisë bëhesh pjesë e zbulimeve të imta psikologjike dhe përsiatjeve filozofike, të cilat pena e Dostojevskit dinte t’i rendiste me aq mjeshtëri. Në skenë fuqinë e fjalës së shkruar e shpreh interpretimi i nuancuar dhe kompleks nga narratori dhe protagonisti ëndërrimtar (Herion Mustafaraj) dhe nga Ana (portretizuar me nivel nga Yllka Lota) protagonistja, e cila pas një pritje njëvjecare për atë që i ka rrëmbyer zemrën, është në prag të marrjes së një vendimi të rëndësishëm të natyrës romantike.

Për gjatë një ore në skenë dy protagonistët ndeshen me konfliktet e tyre të brendshme përmes një dialogu të ngjeshur dhe me plot ngjyrime gjuhësore, falë mjeshtërisë së regjizorit dhe ekipit të tij për ta përshtatur tregimin në dramë. Madje Bujarit i kujtohet ta ketë lexuar fillimisht të përkthyer në fillim të viteve ‘90 në Shqipëri. Në këtë adaptim, Alimani ka zgjedhur që, përvec rrëfimtarit pa emër (në stilin e Dostojevskit) të lërë si qytetin, ashtu edhe kohën e ngjarjes të papërcaktuar, sepse ngjarja mund të jetë sot në Nju Jork ndërsa ata të dy mund të jenë nje cift i ulur në një stol diku në park. Vërtet qyteti dhe sfondi i netëve të bardha janë personazhe aktive në dramë gjë që ka sjellë zgjidhje shumë të gjetura skenike në ndricim, zërim dhe efekte (Tan Kazazi, Ilir Dhamo) dhe vecanërisht në skenografi (Albulena Beqiri). Korniza sa gjithë skena, e punuar me dru dhe butafori krijon konceptin e ndarjes së dy botëve, atë reale dhe imagjinare dhe “idenë se gjithcka po ndodh brenda një kornize,” thotë Albulena Beqiri, e cila është edhe kostumografe e produksionit. Ndarëset portative me panele kanvasi, ku janë vizatuar qyteti, plazhi, gjyshja e Anës, djali (qiraxhiu) me të cilin është dashuruar Ana, janë ideale për maksimalizim të mundësive që ka një skenë e vogël. Mbyllja e dramës me zbulimin e portretit të gjallë të Anës (ku qëndron Yllka në sfondin e zi) teksa lexon (me zërin e incizuar) letrën që i ka shkruar ëndërrimtarit të saj, i kthyer tashmë në botën e tij të vetmisë, është sa praktike, aq edhe elegante. “Këto të gjitha krijojnë një përvojë imersive për publikun që është e rrallë në skenë,” thotë manaxheri i produksionit Damian Pervizi, përpara se të hyjmë në sallë për të parë natën e katërt të shfaqjes.

Metafora e Netëve të Bardha si moment kalimtar kur errësira bën dritë mund të interpretohet nga publiku në varësi të bagazhit, kulturës apo edhe dëshirës së tyre. Por për një grup artistësh, midis tyre edhe Asistent Kostumografe Dea Spiro Mustafaraj, që bisedonin pas shfaqjes së parafundit, ditën e shtunë, Netë të Bardha mund të jenë preludi i mirëseardhur i klasikes në teatrin tonë. Ndërsa producenti dhe bashkëpronari i kompleksit teatror Fredi Tolja këmbëngulte “në vlerësimin e munguar të sakrificave të artistëve, të cilët, të nisur vetëm nga pasioni i tyre fisnik, krijojnë art për publikun, violinisti dhe muzikanti profesionist shqiptar Arenc Leka tha: “Atëherë le të mendojmë për një projekt rreth kësaj teme.”

A do të ketë të tjera netë të bardha për teatrin dhe a i mirëpret ato publiku?

Filed Under: Kulture

“Portreti artistik autentik dhe fizionomia e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut”

May 19, 2025 by s p

Paulin Zefi/

Deri më sot, përveç variantit të M.Barletit, i cili tregohet shumë i kursyer, nuk ekziston ndonjë përshkrim tjetër, qoftë edhe i shkurtër, mbi tiparet e fytyrës së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Mjerisht, në atë kohë, siç konstaton Odhise Paskali, Shqipërisë i mungonte artisti, që paralel me historinë monumentale të M.Barletit, të na kishtë lënë në trashëgim të çmuar veprën e artit, që të na jepte idenë e Skënderbeut të vërtetë, sepse pikërisht në epokën e lulëzimit të Rilindjes Europiane, vendi ynë ishte i përfshirë në një luftë titanike kundër një armiku të egër dhe 100 herë më të madh, duke bërë që vendi i artistit shqiptar të ishte fusha e betejës (1). Në gojëdhënat e ruajtura brez pas brezi nga populli jonë, ai portretizohet si një krijesë jashtëzakonisht e fuqishme: “Burrë me brina në ballë” dhe si “Dragua me fletë nën sqetull (2) etj., por kuptohet qartë se këto lloje përfytyrimesh janë fryt i fantazisë dhe të lidhura ngushtë me mitologjinë tonë të lashtë! Prandaj, për të krijuar një ide sa më të saktë të fizionomisë së tij, jemi të detyruar që t’i drejtohemi paraqitjes së portretit të tij në ikonografi (3).

Imazhi i parë dhe më i hershëm i portretit të Gjergj Kastrioti-Skënderbeut, që daton 13 vite para vdekjes, është një kokë e gdhendur në gur, e cila është punuar nga arkitekti dhe skulptori nga Zara, Juraj Matejev Dalmatinac më 1455, me ndihmën e skulptorit arbër, Andrea Aleksi nga Durrësi dhe, kjo skulpturë me dimensione 29.7 x 18.9 cm gjendet e ekspozuar deri në ditët e sotme në absidën (kurorën) jugore të Katedrales “Shën Jakovi”, në Shibenik të Kroacisë (4). Gjatë viteve të fundit të jetës, datojnë edhe tre imazhe të tjera: 1) Medalioni me portretin e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut me mbishkrimin “GEORGIVS CASTRIOTT DE SCANDERBEG INVICTISS”, i punuar në vitin 1463 nga skulptori dhe artisti i njohur italian, Antonio di Puccio Pisano, i quajtur Pisanello, që është një medalion me karakter perkujtimor ose jubilar, i cili gjendet në “Sigmund Morgenroth Collection of Renaissance Medals and Plaques”, AD & A Museum, në Santa Barbara të Kalifornisë, në SH.B.A.; 2) Portreti me akronimin “E V (Epirota Victor)”, që gjendet në manuskriptin “De Romanorum Magistratibus” të autorit, Andrea Domenico Fiocco, një libër i shkruar dhe i botuar për herë të parë më 5 nëntor 1465 dhe 3) Portreti që gjendet në afreskun mbi portën e “Palazzo Scanderbeg”, në Romë, për të cilin thuhet se është punuar në bazë të skicave të piktorit italian, Gentile Bellini, gjatë qëndrimit të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut në Romë nga data 12 dhjetor 1466 deri më 14 shkurt 1467 (5).

Përpos katër punimeve që u përmendën më lart, të gjitha portretet e tjera të pafundme artistike të punuara në pikturë, në gravurë, në skulpturë apo nëpër medalionë, janë kryesisht të vona dhe si të tilla nuk kanë ndonjë rol përcaktues në portretizimin objektiv të imazhit real që ka patur Gjergj Kastrioti-Skënderbeu. Përfytyrimet e imazhit të tij nga piktorë, skulptorë dhe artistë të ndryshëm janë aq të shumta, sa ende deri më sot nuk është botuar një album i plotë, i cili mundet t’i paraqesë të gjitha këto punime që gjenden të ruajtura dhe të ekspozuara në shumë qytete të Europës. Po ashtu, janë me dhjetëra e qindra portrete të Heroit tonë Kombëtar që zbukurojnë botimet e vjetra biografike kushtuar atij. Sipas At Vinçenc Malaj, O.F.M., nëpër koleksione botërore, shtetërore dhe private, është ruajtur një numër i madh i portreteve të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, por mjerisht vjetërsia dhe kualiteti i tyre artistik është mjaft i dobët, janë të gjitha kopje, ose kopje të kopjeve të shumta të fundit të shek. XVI, të shek. XVII dhe XVIII (6). Megjithatë, vihet re se shumica e këtyre pikturave, skulpturave dhe gravurave, japin pak a shumë të njëjtin përfytyrim për Heroin tonë Kombëtar (7).

Historiani italian, Antonello Biagini, vëren se në artin pamor ekzistojnë dy mënyra të ndryshme për të pasqyruar portretin e Gjergj Kastriotit, të mbiquajtur Skënderbeu: “Një fytyrë krenare, e ashpër, burrërore, prej luftëtari trim e prijësi të zot, të aftë për të udhëhequr njerëzit e vet drejt fitores, për ku shohin dy sy të rreptë; ose me tiparet e ëmbëlsuara të një ati, që u jep besim të bijve (😎.” Mirëpo, sipas studiuesve të ndryshëm, në historinë e arteve pamore shqiptare dhe të huaja, nuk njihet ende me siguri ajo që mund të cilësohet si vepra më e hershme nga e cila u frymëzuan artistët e mëvonshëm (9), pra vepra, e cila ka shërbyer si prototip për piktorët dhe skulptorët gjatë kompozimit të figurës së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut (10). Studiuesit shqiptarë, të cilët janë marrë posaçërisht me ekzaminimin e hollësishëm të disa prej punimeve më të vjetra artistike, duke u përpjekur të përcaktojnë portretin artistik autentik, janë: Faik Konica (11), Fan Stilian Noli (12), Vinçenc Malaj (13), Dhorka Dhamo (14), Odhise Paskali (15), Aanastas Kondo (16), Ferid Hudhri (17), Flamur Hadri (18), Zef Prela (19), Kasem Biçoku (20), Kristo Frashëri (21), Moikom Zeqo (22), Ilira Çaushi (23), Ilia Karanxha (24), Ylli Polovina (25), Petrika Thëngjilli (26), Rexhep Goçi (27), Eqrem Zenelaj (28), Naim Flamuri (29), Lutfi Alia (30), Valter Shtylla (31), Astrit Tota (32), Ilir Konomi (33), Musa Ahmeti (34), Albert Vataj (35) dhe sidomos Luan Tashi (36), i cili ka bërë një punë kolosale. Pavarësisht se autorët e lartpërmendur janë të ndarë midis varianteve të ndryshëm, pjesa më e madhe prej tyre fokusohen kryesisht te portreti i Heroit tonë Kombëtar i realizuar në pikturë, i cili është më i njohuri dhe që konsiderohet si origjinal dhe autentik, që sot ruhet në “Galleria degli Uffizi”, në qytetin e Firences. Ky portret është i ekspozuar në korridorin monumental të “Galleria degli Uffizi” me etiketën: “Tavola 1.2. Il ritratto di GEORGIUS SCANDER:BEK, Olio su tela; 60 x 45 cm. Numero dell’inventario 16 (C.P.p 215, Nr 249). La cornice in legno di noce, verniciatura d’oro. Galleria Degli Uffizi. Attribuito a Cristofano dell’Altissimo (1525-1605).” Në atentatin me dinamit, që pësoi “Galleria degli Uffizi” më 27 maj të vitit 1993, u dëmtuan shumë piktura që ndodheshin në korridorin e galerisë, por fatmirësisht ky portret, i cili ndodhej aty, shpëtoi pa u cënuar.

Gjatë punës restauruese të pikturave që u krye nga Barbara Schleicher në periudhën “dhjetor 1993 – maj 1994”, portreti u çlirua nga ndërhyrjet dhe doli në dritë puna e mirëfilltë e mjeshtrit, Cristofano dell’Altissimo. Po ashtu, artistja-restauratore në fjalë, poshtë mbishkrimit “GEORGIVS SCANDERBEG”, që jemi mësuar ta shohim në disa botime, ajo zbuloi mbishkrimin origjinal të piktorit fiorentin: “GEORGIUS CASTRIOTUS SCANDERBECUS.” Portreti i punuar me vaj në kanavacë mendohet se është realizuar në vitin 1466, por duke qenë se “autori zyrtar” i tij konsiderohet i lartpërmenduri, Cristofano Dell’Altissimo, i cili ka lindur në vitin 1530 pra, 62 vjet pas vdekjes të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, do të thotë se është kopje e një portreti tjetër, të realizuar në vitin 1466, kur Prijësi arbër ishte 61 vjeç. Në këtë portret, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu paraqitet në profil, me kokën e kthyer djathtas, me mjekër të gjatë, të thinjtë dhe të dallgëzuar (mjekër profetike), e cila i rrëshqet hijshëm mbi kraharor, me hundën e madhe e pak të përkulur, mustaqet e bardha e të gjata i mbulojnë buzën e sipërme, buza e poshtme e spikatur dhe pak e shpërvjelur ose kacavjerrur. Në kokë mban një kësulë/beretë prej skarlati të kuq, të ashtuquajtur “alla Carmagnola”, për të cilën flet Dh.Frangu. Poshtë saj rrëshqet një copë astari ose pecetë me ngjyrë të bardhë, që padyshim, përveç funksionit estetik, ajo do të ketë shërbyer për të thithur djersët. Balli i gjerë e pak i rrudhosur është i mbuluar deri në gjysëm nga “alla Carmagnola”, faqja jepet me mollëza të gjera, vetullat janë të pakta, qepallat qëndrojnë të tendosura lehtë ose gjysmë të lëshuara, ngjyra e syve është kafe e errët, shikimi është mjaft i thellë dhe i mprehtë, por më tepër i ëmbël se sa i vrazhdë. Mban veshur një mantel të kuq prej mëndafshi, të rrethuar në pjesën e përparme dhe më pak në atë të pasme me një rrip gëzofi me ngjyrë të zezë e ndërsa në qafë duket qartë një qafore/jakë e kuqe, nën të cilën bie në sy një astar i bardhë i qendisur ose ndoshta bëhet fjalë për qaforen e një veshje të brendshme. Flokët janë të prera shkurt, por në këtë portret dallohen qartë “qafa e fuqishme dhe e përkulur, si e athletëve” dhe “ngjyra (e lëkurës) e bardhë si e derdhur në të kuq të padukshëm”, pikërisht ashtu siç e përshkruan M.Barleti.

Ndërsa, për studiuesin N.Flamuri, një element shumë i rëndësishëm që zbulon portretin origjinal të Gjergj Kastriotit-Skënderbeu, janë edhe vrragat ose shenjat e plagës me topuz të paraqitura në tëmth. Sipas tij, kur shihet mënyra skulpturale e dydimensionale e portretit, që është madje aq e thelluar dhe që e tregon në tëmth varrën (plagën) e topuzit, në syrin e djathtë, atëherë lind pyetja: -E zëmë sikur të ishte shpikje, pse duhej të ishte patjetër ky detaj ashtu si i djegur dhe të pasqyrohej me këmbëngulje nga piktori që ka realizuar këtë portret? (37).

Siç u tha më lart, pjesa më e madhe e biografëve të vonë të Heroit tonë Kombëtar, së bashku me specialistët më të njohur të Historisë së Artit, edhe pse disa prej tyre me mjaft rezerva, ata e kanë pranuar si të mirëqenë faktin se portreti origjinal dhe autentik i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut është pikërisht ai që sot ruhet në “Galleria degli Uffizi”, në Firenze, i punuar nga Gentile Belini, më pas i riprodhuar me besnikëri nga Cristofano Dell’Altissimo si pjesë e koleksionit të pasur të humanistit e shkrimtarit erudit, Paolo Giovio, në Como. Po ashtu, mendohet se është pikërisht ky punim, i cili dëshmon se Gentile Belini ishte i lidhur me “Shkollën e Shqiptarëve” apo “Shkollën e Shën Marisë, Shën Gallo (1442)”, në San Severo, në Venecia, e themeluar nga piktori Vittore Carpaccio (38).Ky portret i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut fillimisht ndodhej në Palazzo Vecchio, që ishte rezidenca e fisnikëve Medici, më pas e transferuan në Palazzo Pitti, ndërsa në vitin 1568, Duka i Toskanës, Cozimo I Medici, urdhëroi ta vendosin në sallën Mappamondo të muzeut Palazzo Vecchio (39). Në vitin 1587, për mungesë hapësire ekspozimi në Villa Medici, Granduka i Toskanës, Ferdinandi I Medici, urdhëroi transferimin e portretit në korridoret monumentale të Galleria degli Uffizi, ku ndodhet aktualisht i ekspozuar dhe i kataloguar si vepër e piktorit fiorentin, Cristofano di Papi Dell’Altissimo.

Në ditët e sotme, ky portret i punuar me një mjeshtëri të rrallë dhe me ngjyra të ndezura, i cili hijeshon shumë kopertina librash e albumesh, kartolina apo banner të ndryshëm dhe që është stampuar nga Banka e Shqipërisë në “Kartmonedhën 5000 lekë”, emetim i vitit 2001, na ndihmon për të krijuar një përshkrim të hollësishëm të tipareve të fytyrës së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut.

(Kumtesa ime e mbajtur sot në Bülach, Zvicër🇨🇭, gjatë ekspozitës “GJERGJI NË ART”, organizuar nga Shoqata “Gjergj Kastrioti”, Zvicër).

Filed Under: Politike

Maqedonia e Veriut dhe oligarkia në ekonomi, media, religjion dhe siguri

May 19, 2025 by s p

Ka ardhur koha që bashkësia ndërkombëtare të shqyrtojë seriozisht idenë e një protektorati funksional në fushën e drejtësisë – jo si akt ndërhyrjeje, por si masë mbrojtëse për vetë investimin që është bërë ndër vite. Një sistem i qartë dhe i detyrueshëm llogaridhënieje për fondet, programet dhe mbështetjen e dhënë do të ishte në përputhje me vlerat evropiane të transparencës dhe drejtësisë.

Prof.dr. Skender ASANI

Në shikim të parë, duket se Maqedonia e Veriut po përjeton një fazë të konsolidimit të institucioneve demokratike dhe të harmonizimit të brendshëm politik. Megjithatë, pas kësaj fasade optimiste, vazhdon të shfaqet një realitet më kompleks, i cili kërkon një vëmendje të kujdesshme dhe një lexim të nuancuar të zhvillimeve të fundit. Kjo është një periudhë ku maturia politike dhe pjekuria diplomatike janë më të nevojshme se kurrë, për të mbajtur balancën e brishtë mes shumicës dhe bashkësive të tjera përbërëse të shtetit.

Gjatë viteve të fundit, Maqedonia e Veriut ka treguar përpjekje për të ruajtur stabilitetin ndëretnik, por këto përpjekje nuk janë përkthyer gjithnjë në barazi reale në terren. Retorika e bashkëjetesës dhe e integrimit është e pranishme në diskursin politik, por shpesh mbetet e kufizuar në deklarata, ndërsa në praktikë, strukturat vendimmarrëse dhe përfaqësimi institucional vazhdojnë të reflektojnë një disproporcion që nuk përputhet me realitetin demografik dhe kontributin historik të të gjitha komuniteteve.

Përveç pengesave politike të dukshme, ekzistojnë struktura të thella që minojnë çdo përpjekje për një rend të ri demokratik. Një ndër to është sistemi gjyqësor, i cili për dekada me radhë ka qenë në fokus të reformave të sponzorizuara nga partnerët ndërkombëtarë – përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian. Megjithëse janë investuar fonde të konsiderueshme për ta bërë drejtësinë vendore kompatibile me standardet perëndimore, në realitet, shumë nga këto përpjekje janë devijuar nga elitat politike vendore që kanë synuar ta mbajnë sistemin gjyqësor nën kontroll.

Në mënyrë të veçantë, vlen të theksohet praktika e rotacionit politik që, në vend se të garantojë pluralizëm institucional, është shndërruar në një instrument për ta riinstaluar ndikimin mbi drejtësinë. Çdo qeveri e re nuk kufizohet vetëm në riformësime formale, por shkon përtej, duke dirigjuar thellësisht sistemin gjyqësor nëpërmjet mekanizmave të fshehtë të ndikimit dhe ndërhyrjeve selektive. Shembulli më ilustrues është rasti i Prokurorisë Speciale, e cila nisi me ambicie për të luftuar korrupsionin e nivelit të lartë, por përfundoi duke u shkatërruar nga brenda, përmes aferave të fabrikuara dhe korruptimit sistematik të figurave kyçe. Në prapaskenë të këtij dështimi qëndroi një strukturë e përhershme oligarkike, e kamufluar mjeshtërisht me petkun e partive politike dhe retorikën e reformave.

Nuk mund të anashkalohet as roli gjithnjë e më problematik i Gjykatës Kushtetuese, e cila në raste të përsëritura është instrumentalizuar politikisht për të legjitimuar vendime që prishin balancat e brendshme etnike, fetare dhe ndërshtetërore. Në vend që të shërbejë si gardiane e kushtetutshmërisë dhe si garantuese e barazisë mes qytetarëve, kjo gjykatë ka vepruar shpesh si katalizator për tensione të reja, duke interpretuar ligjin sipas vullnetit të mazhorancës dhe jo në funksion të bashkëjetesës së ndjeshme që kërkon vendi. Kjo qasje ka nxitur dyshime të thella në opinionin publik dhe ka minuar besimin në drejtësi si një hallkë e pavarur e shtetit.

Në këtë kontekst, ka ardhur koha që bashkësia ndërkombëtare të shqyrtojë seriozisht idenë e një protektorati funksional në fushën e drejtësisë – jo si akt ndërhyrjeje, por si masë mbrojtëse për vetë investimin që është bërë ndër vite. Një sistem i qartë dhe i detyrueshëm llogaridhënieje për fondet, programet dhe mbështetjen e dhënë do të ishte në përputhje me vlerat evropiane të transparencës dhe drejtësisë.

Një tjetër pengesë madhore për një qasje të re në bashkëjetesë dhe për një integrim të sinqertë në strukturat euroatlantike është oligarkia e formuar gjatë katër dekadave të fundit. Kjo klasë e konsoliduar politike dhe ekonomike ka ndërtuar një sistem të mbyllur, që pengon çdo tentativë për reforma të mirëfillta shtetërore. Në vend të transformimit, kemi pasur vetëm adaptim sipërfaqësor, ku interesat private fshihen pas retorikës publike. Kjo oligarki, përmes ndikimit në ekonomi, media, religjion dhe siguri, e ruan me fanatizëm strukturën unitariste të shtetit, duke e përjetuar çdo hap drejt barazisë reale si kërcënim për privilegjet e saj.

Në mënyrë subtile, por të qëllimshme, kjo strukturë saboton balancat etnike, fetare dhe socio-ekonomike, duke e paraqitur çdo kërkesë për më shumë përfshirje si tendencë për destabilizim. Kështu, pengesat për integrimin evropian nuk burojnë vetëm nga jashtë, por janë të brendshme, sistematike dhe të mirëorganizuara.

Është e rëndësishme që në këtë fazë të vendit, të gjitha palët politike të angazhohen në një reflektim të thellë rreth modelit të bashkëqeverisjes që ka funksionuar deri më tani. A ka ardhur koha që ky model të evoluojë nga një bashkëjetesë e toleruar drejt një partneriteti të sinqertë dhe funksional? A është momenti që vetë struktura e shtetit të rikonceptohet mbi bazën e besimit të ndërsjellë dhe jo mbi ruajtjen me çdo kusht të një status quo-je të padrejtë?

Sepse historia nuk fal stagnimin, dhe brezat që vijnë do të gjykojnë mbi bazën e asaj çfarë u trashëguam e çfarë guxuam të ndryshojmë. Koha e llogaridhënies ka trokitur. Është momenti për të ndërtuar një rend të ri politik – jo mbi themelet e frikës dhe kontrollit, por mbi besimin, drejtësinë dhe barazinë. Në këtë rrugëtim, heshtja nuk është më neutralitet: është bashkëpjesëmarrje në dështim. Dhe kush hesht sot, s’mund të thotë nesër se s’dinte.

Filed Under: Rajon

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 339
  • 340
  • 341
  • 342
  • 343
  • …
  • 2778
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT