
Një mundësi e shkëlqyer për argëtim e sport.
Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909
by s p

Një mundësi e shkëlqyer për argëtim e sport.
by s p

Luan Rama/
Ka qenë pikërisht pikëtakimi i aktorit të famshëm Josef Kainz me aktorin e ri Aleksandër Moisi, në shfaqjen e komedisë Tartufi, që lançoi karrierën artistike të këtij djaloshi të ri që vinte nga brigjet e Adriatikut. Ishte Kainz që e ndihmoi të shkonte në Pragë dhe të interpretonte në trupën e teatrit gjerman të Pragës “Neuves Deutsches Theater”. Kainz kishte parë në sytë dhe zërin e aktorit të ri, gjeniun e ardhshëm të teatrit të ardhshëm. Por Kainz do të vdiste mjerisht një vit më vonë dhe nuk do ta shikonte me sytë e tij ngjitjen e lavdishme të Moisiut në skenën e teatrit europian dhe botëror.
Ishte viti 1910, kur Kainz ishte kthyer nga një turne dhe Cvajg (Zweig) kishte shkuar ta takonte në “Hôtel Sacher”, ku banoni aktori i madh i “Burgtheater”. Cvajg kishte shkruar një dramë që të interpretohej posaçërisht si aktori më i shquar gjerman i asaj kohe dhe tani donte të bisedonte me të. Kur e kërkoi në hotel, i thanë se nga turneu teatral ai ishte kthyer tepër i sëmurë dhe e kishin çuar menjëherë në spital. “Të nesërmen ai u operua nga kanceri”, – kujtonte Cvajg. Ai kishte rendur menjëherë që ta takonte në spital dhe në shtrat, ndeshi vështrimin e trishtë të aktorit. “Vallë Zoti, do të më lerë që të mund të interpretoj dramën tënde? – i kishte pëshpëritur Josef Kainz. Disa javë më pas, Cvajg shoqëronte arkivolin e tij në varreza. Më vonë, me vdekjen e Kainz, aktori që zuri lavdinë e tij si aktori më i mirë i teatrit gjerman ishte pikërisht Aleksandër Moisiu.
Pas tre vjetëve që qëndroi në Pragë, ku interpretoi rolet e tij të famshme si Edipi mbret, Romeo dhe Zhyljeta, e shumë role të tjera të teatrit të kohës, Moisiu u kthye pranë “Burgtheater”, të cilin atë kohë e drejtonte Max Reinhardt. Por një aktor tjetër do të vdiste pa arritur të luante dramën e tij: ky ishte Matkowsky, një tjetër aktor i dëgjuar i teatrit. Që nga ajo kohë, Cvajg u dëshpërua rreth të ardhmes se tij si dramaturg dhe bë një njeri supersticioz. Megjithatë drejtori i një teatri i kërkoi një dramë për trupën e tij dhe Cvajg e shkroi. Ishte drama Shtëpia buzë detit. Kur drejtori i paraqiti listën e aktorëve që do të luanin, ai u gëzua që nuk kishte ndonjë emër shumë të njohur, çka e qetetësoi shpirtin e tij. Por 15 ditë para se të fillonin provat drejtori i teatrit vdiq. Megjithatë, Cvajg vazhdoi te shkruante për teatrin dhe dramat e tij Jeremie dhe Valpone kishin korrur një sukses ndërkombëtar. Në vitin 1931, kur mbaroi dramën e re Qengji i të varfërit (L’Agneau du pauvre), Cvajg mori një letër nga miku i tij Aleksandër Moisi, i cili i kërkonte t’i rezervonte atij rolin kryesor. Por duke qenë se Moisiu ishte aktori më i madh i kohës, Cvajg u tremb dhe nuk deshi që Moisiu ta merrte atë rol, edhe pse e dinte që më mirë se ai askush tjetër nuk mund ta interpretonte. Dhe ashtu bëri: ai refuzoi që atë rol ta luante Moisiu, duke menduar se kjo gjë mund të sillte vdekjen e aktorit dhe njëkohësisht mikut të tij.
Ai nuk mund të harronte fatin që kishin patur më parë Kainz dhe Matkowsky me rolet e tij. «Me një aftësi tërheqëse të jashtëzakonshme, inteligjent dhe i gjallë në skenë dhe që dinte të komunikonte aq bukur sharmin e tij personal, unë nuk mund të kisha një interpret më ideal sesa Moisiun», – shkruante Cvajg në atë kohë, – pra për miqësinë që kisha me të dhe nisur nga supersticioni im, unë e refuzova atë perfeksion të skenës së teatrit gjerman».
Ndërkohë Cvajg vazhdonte udhëtimet e tij nëpër Europë, duke besuar gjithnjë në krijimin e një komuniteti shpirtëror e artistik europian, ku artistët ta ndjenin veten si në shtëpinë e tyre kudo që të ishin: në Paris, Londër, Berlin, Romë, Vjenë, Pragë, etj. Por ardhja e nazizmit në fuqi, zgjedhja e Hitlerit si kancelar i ri i Gjermanisë, «Nata e kristalit» me progromet anti-semite dhe djegja e librave të tij në oborret e universiteteve gjermane nga nazistët, i thyen ëndrrat e Cvajgut për krijimin e një Europe të re të kulturës. Europiani i madh u detyrua të largohet nga Gjermania bashkë me të dashurën apo sekretaren e tij, anglezen Charlotte Altmann, me të cilën kur shkoi gjatë luftës në Brazil, në dëshpërimin më të madh për tragjedinë e Europës ai vrau veten bashkë me të, në një hotel të Brazilit. Sidoqoftë, disa vite para kësaj tragjedie personale, Cvajg shkruante romanet e tij dhe udhëtonte midis Parisit, Italisë dhe Vjenës.
«Në vitin 1935 isha në Zyrih, – kujtonte ai në librin e tij «Bota e së djeshmes», – dhe mora një telegram nga Milano, dërguar nga Moisiu. Më njoftonte se do të vinte po atë mbrëmje në Zyrih për të më takuar, duke mu lutur që ta prisja. Cudi mendova me vete. Cfarë ka urgjente për të thënë? Tani s’kam shkruar ndonjë dramë të re dhe prej vitesh jam larguar nga teatri. Por sigurisht, atë njeri të dashur e të përzemërt do ta prisja. Duke zbritur nga vagoni ai nxitoi drejt meje. U përqafuam fort, «alla italiane» dhe në veturën që na mori, me padurimin e tij të zakonshëm, ai më kërkoi se ç’mund të bëja për të. Kishte një kërkesë të madhe ndaj meje. Pirandelo i kishte bërë një nder të madh, duke i besuar atij një dramë të re që po shkruante Nuk i dihet kurrë (Non si sa mai), jo vetëm që ta interpretonte, por edhe që shfaqja premierë për herë të parë të bëhej në teatrin e Vjenës dhe në gjuhen gjermane. Ishte hera e parë që një mjeshtër i tillë italian i jepte një prioritet veprës së tij që më parë të luhej jashtë Italisë. Madje këtë s’do ta bënte kurrë as për Parisin.
Por Pirandelo, i cili nuk donte që gjatë përkthimit të humbiste karakteri muzikor dhe harmonik i dramës të tij përkthimi në gjermanisht të mos bëhej nga një përkthyes i zakonshëm por ai kishte shprehur dëshirën të bëhej nga unë meqë i njihte dijet time në gjuhën e tij. Pirandelo kishte hezituar të më kërkonte drejtpërdrejt këtë gjë dhe të humbisja kohën time me përkthimin, por ishte vetë Moisiu që e kishte marrë përsipër të më jepte dorëshkrimin e Pirandelos. Sigurisht, prej vitesh, përkthimi nuk ishte më një punë imja Por unë e adhuroja Pirandelon, me të cilin isha takuar shpesh dhe s’mund ta zhgënjeja, duke e refuzuar këtë dëshirë. Nga ana tjetër, ishte një gëzim që t’i dëshmoja mikut tim të afërt një shprehje tjetër miqësie. Për një apo dy javë unë i braktisa punët e mia dhe pak më vonë drama e përkthyer nga unë u njoftua nga Teatri i Vjenës për premierën e ardhme ndërkombëtare, që me sa dukej, nisur nga ana politike do t’i jepej një lloj solemniteti. Pirandelo kishte premtuar se do të ishte i pranishëm dhe meqë atëherë Musolini hiqej si mbrojtësi i Austrisë, e gjithë klasa politike austriake me kancelarin në krye, kishin nioftuar gjithashtu se do të ishin në shfaqje. Kjo premierë duhej të ishte njëkohësisht një demostrim publik i miqësisë austro-italiane (në realiteti i protektoratit italian mbi Austrinë). Rastësisht unë u ndodha në Vjenë ato ditë kur do të fillonin provat teatrale. Gëzohesha që do të takoja Pirandelon dhe madje isha kureshtar të dëgjoja fjalët e përkthimit tim nën diksionin muzikor të Moisiut. Por e njëjta ngjarje u përsërit si një çerek shekulli më parë, me një analogji fantomatike.
Kur një mëngjes të bukur hapa gazetën, mësova se Moisiu kishte ardhur nga Zvicra me një grip tepër të fortë dhe se provat duhej të shtyheshin për shkak të sëmundjes së tij. “Një grip”, mendova, s’do të jetë diçka tepër e rëndësishme. Por zemra po më rrihte fort kur po afrohesha drejt “Grand Hôtel”, ku do të shikoja mikun tim të sëmurë. – Lëvduar Zotit! – i thoja vetes, për tu siguruar që nuk është në Hôtel Sacher, si dikur Kainz, i cili banonte aty. Mu shfaq menjëherë kujtimi i vizitës time tek Kainz dhe kjo më rrënqethi. Dhe ja, të njëjtat rrethana po përsëriteshin në një interval kohe me aktorin më të madh të asaj kohe, Moisi. Por unë nuk arrita ta shoh Moisiun, pasi ethet e kishin çuar në delir. Dy ditë më vonë unë u gjenda, ashtu si dhe dikur me Kainz, para arkivolit të Moisiut, në vend që ta shikoja atë në provat e përgatitjes së shfaqjes…”
Vdekja e papritur e Moisiut i prishi gjithë planet e teatrit të Vjenës. Gruan e tij Johanna Terwin e la të tronditur humbja e burrit të saj të mrekullueshëm, atje në Lugano. Moisiu prehej tani në Marcote. Kritika botërore ngrinte lart kontributin e tij në skenën botërore të teatrit. Mesazhet e ngushëllimit vinin nga e gjithë bota artistike. Pirandello u trishtua jashtë mase, po kështu dhe çifti Pio Campa dhe aktorja e famshme Wanda Capodaglio si dhe në veçanti Stefan Cvajg, i cili më së fundi kuptoi se një force e çuditshme kishte përcaktuar që dramat e tij asnjëherë nuk do t’i luanin aktorët e mëdhenj, për çka dhe mendoi se nuk do të shkruante më për teatrin. Në universitetin e Milanos ai do të fliste për madhështinë aktoriale të aktorit Moisiu dhe rolet e famshme të tij si Hamleti, Fedja, Jedernann-i, Fausti e të tjerë që mbetën maja të teatrit të kohës. Megjithatë një fat tjetër do ta ndiqte Cvajgun, akoma më tragjik. Në vitin 1942 pas bredhjeve nëpër Europë dhe vdekjes së trishtë të nënës së tij në shtëpinë e tyre në Salzburg, bashkë me gruan e tij Charlotte ata i dhanë fund jetës së tyre. Bota e ngërthyer në luftë kishte shijen e hirit të vdekjes.
by s p

Federata Pan-Shqiptare e Amerikës “VATRA”, në emër të bashkësisë shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në mbrojtje të vlerave demokratike, shpreh shqetësimin më të thellë lidhur me zhvillimet destabilizuese që po vijnë nga strukturat politike dhe kriminale të lidhura me Listën Serbe në Kosovë.
Ka indikacione të mjaftueshme që aludojnë dhe lidhin drejtuesit e Listës Serbe me grupe kriminale dhe terroriste të drejtuara nga Milan Radoiçiq – i njohur për aktivitetet e tij të dhunshme dhe të rrezikshme në veri të Kosovës dhe më gjerë.
Këto burime tregojnë shumë qartë lidhjen e Listës Serbe me këto grupe kriminale që kanë për qëllim destabilizimin e veriut dhe se nuk përfaqësojnë aspak interesat e komunitetit serb në Kosovë, por përkundrazi, dëmtojnë integrimin e tyre në institucionet demokratike të Republikës së Kosovës.
Për më tepër, këto veprime kriminale dhe bashkëpunime të fshehta përkojnë me axhendat destabilizuese të Beogradit zyrtar dhe aleatëve të tij, përfshirë Federatën Ruse, që vazhdojnë të investojnë në tensionimin e situatës në Ballkanin Perëndimor me qëllim sabotimin e paqes, sigurisë dhe integrimeve euroatlantike.
Në këtë kontekst, Federata Panshqiptare e Amerikës “VATRA” i bën thirrje të drejtpërdrejtë Departamentit Amerikan të Shtetit, si dhe vendeve anëtare të QUINT-it (SHBA, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Franca dhe Italia), që të trajtojnë me prioritet këtë çështje jetike për stabilitetin e Kosovës dhe të rajonit. Është jetike që Lista Serbe dhe lidershipi i saj aktual të hetohen seriozisht dhe në mënyrë të pavarur për bashkëpunim me grupet kriminale dhe terroriste.
Po ashtu, apelojmë që ndaj çdo aktori politik që bashkëpunon me strukturat kriminale dhe saboton funksionimin e shtetit të Kosovës të merren masa të qarta politike dhe ligjore, përfshirë sanksione të drejtpërdrejta dhe ndalim të përfshirjes në institucionet demokratike të Kosovës.
Kosova ka bërë përparim të jashtëzakonshëm si shtet demokratik dhe multietnik, me mbështetjen e fuqishme të SHBA-së dhe aleatëve perëndimorë. Kjo arritje nuk duhet të komprometohet nga elementë të cilët përdorin mjetet e dhunës, shantazhit dhe krimit për të përçarë qytetarët dhe për të minuar themelet e shtetësisë.
Në emër të diasporës shqiptare në SHBA dhe më gjerë, ritheksojmë përkushtimin tonë për një Kosovë të sigurtë, të drejtë dhe gjithëpërfshirëse – ku të gjithë qytetarët, pa dallim etnie, të jetojnë me dinjitet, barazi dhe nën sundimin e ligjit.
Kryetar i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës “VATRA”
Dr. Elmi Berisha
*Ripostim.
by s p

Arben Iliazi/
Për profesore Shefkije Islamaj kisha dëgjuar të flitej nga profesori im i stilistikës në fakultet, Xhevat Lloshi, qysh nga mesi i viteve ’80. Prof. Xhevati thoshte shpesh gjatë leksioneve: “Shefkije Islamaj ka një numër aq të pasur ndihmesash në fushën e stilistikës së shqipes; ajo është sot studiuesja më e shquar e kësaj disipline. Mjafton për këtë të shihen vetëm librat, artikujt dhe recensionet që ka botuar, të cilat qoftë nga numri, janë më shumë sesa të çdo autori tjetër.”
Ky vlerësim i profesorit tonë të shquar për një profesore tjetër të shquar të Kosovës, duhet të evokohet sot, në kontekstin e moskomunikimit të kënaqshëm kulturor, shkencor dhe albanologjik, të të dy pjesëve të të njëjtit komb, dhe kur intelektualofobia është në rendin e ditës. Profesorë të tillë, janë ndërgjegjia e shqiptarëve, alter egoja e popullit tonë, që dinë të konstruktojnë optimizmin etik dhe shkencor, të besojnë te fuqia e talenteve kombëtare. Dihet që intelektualët e mëdhenj nuk bëhen me dekrete dhe as me gradime oborri. Ata janë të tillë, sepse u bënë të tillë, ata janë të veçantë sepse u shquan, u vunë në reliev, me anë të një pune dhe një vullneti të pazakontë, me anë të talentit të tyre të jashtëzakonshëm. Ndaj duhet t’i nderojmë pa fund intelektualët dhe studiuesit tanë të mëdhenj. Një popull që nuk nderon intelektualët, ka vetëvrarë të ardhmen e vet.
Tash vonë jam njohur me biografinë e plotë studimore shkencore, hulumtuese dhe krijuese të Prof. Shefkije Islamajt, kryeredaktore e revistès shkencore tè Institutit Albanologjik “Gjurmime Albanologjike”, jo vetëm gjuhëtare e mirënjohur dhe studiuese në fushën e stilistikës, estetikès sè gjuhès dhe ligjèrimit, por edhe një studiuese par excellence e letërsisë, me dhjetra tituj studimorë në lëmë të gjuhës e stilit të shkrimtarëve, si:
1. Çështje të sinonimeve në gjuhën shqip. Monografi, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 1985, 145 faqe.
2. Fjalor i fjalëve të huaja (bashkautore), Instituti Albanologjik, Prishtinë, 1987, 667 faqe.
3. Gjuha dhe stili i Jakov Xoxës. Monografi, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 2000, 420 faqe.
4. Kultura gjuhësore dhe përdorimi estetik i gjuhës. Përmbledhje studimesh e trajtesash, ”Toena”, Tiranë, 2002, 440 faqe.
5. Gjuha, ligjërimi dhe fjala. Përmbledhje studimesh e trajtesash, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 2004, 300 faqe.
6. Gjuha dhe identiteti. Përmbledhje studimesh e trajtesash, ”Toena”, Tiranë, 2008, 333 faqe. Libri ka fituar më 2008 Çmimin ”Pjetër Bogdani” të Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës si vepra më e mirë e vitit në të gjitha zhanret.
7. Gjergj Fishta, Gjuha dhe stili. Monografi, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 2012, 528 faqe.
8. Gjuha – teksti dhe konteksti, Përmbledhje studimesh e trajtesash, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 2015, 370 faqe.
9. Studimi për stilistikën e veprave të Rexhep Qosjes, me titull “Ligjërimi, gjuha dhe stili në krijimtainë letare moderne dhe postmoderne të Rexhep Qoses”.
Intelektualët nuk janë mbinjerëz, ata identifikohen pikërisht si njerëz të vërtetë , synojnë të arrijnë në brendësinë e njeriut dhe jo të dalin jashtë tij.
Në veprimtarinë e gjerë studimore të prof. Shefkijes ndërhyn papritur arti. Nè vitin 2004 profesore Islamaj ka botuar nje roman me titull “Mos më thuaj se më ke parë ëndërr”, (Shtepia Botuese Toena), por jam befasur, sinqerisht, kur kohët e fundit më ranë në dorë disa krijime poetike të saj, të botuara te “ExLibris” dhe organe tè tjera.
Thuhet që fjalët janë metafora të mendimeve, që gjuhët fonetike janë metafora të veçanta të shpirtit të popujve. Por prof. Shefkija, në këtë rast, mund të cilësohet metafora e gjallë e vetëvetes dhe e të tjerëve. E shpirtit të gjuhës dhe e poezisë.
Ajo vjen me vargje plot sinqeritet dhe spontanitet, si pranim i të thjeshtës dhe njerëzores, që shprehin qëndrime dhe gjendje ekzistenciale, me prirje të theksuar drejt meditimit dhe larg patetizmit.
“Sot më janë reshur kujtimet e s’më zë vendi vend/ pa kusht dorëzohem me zemër, me fjalë e kuvend”, thotë autorja në poezinë “Valë kujtimesh”.
Prof. Islamaj shfaq një frymë romantizmi dhe në disa poezi të kujton lirikën e Naimit:
“Drita e nurit tënd zgjon smirën e shtojzovalleve/
Zemra jote zbut rrëke lumi që derdhen maleve”.
(Rinës sime)
Poezi të tilla mund të quhen pa frikë edhe poezi të imazhit, sepse të përcjellin menjëherë në përfytyrim një pamje. Elementët e natyrës që përzgjidhen nga autorja jepen për t’iu përshtatur gjendjes shpirtërore të përshkuar nga ekzaltimi e admirimi. Kjo shkrirje veprimesh e elementësh krijon harmoninë e përgjithshme të pamjes, të cilën duket sikur lexuesi dhe poetja e kundrojnë duke qëndruar diku palëvizshëm:
“Sot kujtimet më shtegtuan te sofra e nanës në një të diel,
te djathi i njomë, qepa e re e qumështi i deles i sapomjel‘.
Në dhomën dritëpakë ndjeva erën e mokthit varur n’mur,
pashë edhe kullën e gjyshit, nga ai endur e gdhendur, me gur’.
Sot iu dorëzova dhembjes, mallit e kujtimeve plot jetë e mirësi,
dhe “fajin” ia lashë lotëve që m’rrodhën dhe ditës me re e shi.
Ktheva dhe kokën kah shpati majë fshati me shumë shpirtësi,
ku mes qetësisë e flladit pushojnë e dritësohen prindërit e mi”.
(Mall)
E veçanta e poezisë së Islamajt është se, edhe pse elementët natyrorë me të cilët mbushet janë konsumuar në përdorim të shumtë nga poetja, ato ruajnë vlerën e një përdorimi të natyrshëm.
Në disa poezi të tjera elemente natyrorë si retë, ngjyrat, lulet, etj. përdoren dendur në funksion të metaforës, ndonjëherë dhe të shpirtëzimit:
“Ballë meje, tej mbi pullazet harkore e të kuqe
retë ngjyrë koralesh luajnë me naze e huqe
E bardha dhe e hirta këmbehen lehtë e shpejt
ndërrojnë ngjyrë e përndahen sikur mbi det”.
(Duke pritur shiun)
Në shumë poezi të tjera autorja thuajse shkëputet prej elementeve natyrorë e kozmikë , prej natyrës së saj romantike, duke bërë një hap cilësor stilistik, duke transmetuar ndjesi që janë larg ngazëllimt dhe duke medituar përmes vargjeve, që autorja i quan “aforistikë ”.
“Vjen një kohë kur e kupton
Se heshtja e të vdekurit godet
Më fort se fjala e të gjallit kur flet”
(Vjen një kohë )
“Kanë thë në se
Fjala ka zjarrin e vet, ruaje mos fiket
Po u shua një herë vështirë rilind e ndizet.
Mbetet përherë veç fjala që nuk thuhet
Për t’treguar se është e jona e në ne ruhet”
(Fjala)
Gjith poezia e Shefkije Islamajt mund të lexohet si një energji pozitive, si një vetperceptim ekzistencial, që vjen prej dëshirës dhe përjetimeve personale, për të sjellë ngjyra të kthjellëta gë zimi dhe ndryshimi.
“Më thuaj
nanë, kur më solle në këtë jetë, a hoqe shumë,
a shtere kroje e puse pikë më pikë deri në fund?
A çave mure, a grithe tokë kur dola n’dritë unë,
apo shembe kodra, shkëmbinj e trande katund?”
(Çast malli)
Vargje e saj të rregullta dhe rimat, shpesh herë të puthura, por edhe strukturat polistrofike të poezisë dhe renditjet enumerative, duhen parë në funksion të kuptimit, dhe mendoj se janë përdorur për të rritur emocionalitetin. Në hijeshinë e natyrshme të një leksiku të zakonshëm, por të pasur dhe të zgjedhur me sqimë, poetja ka shfrytëzuar bukur mirë edhe mjetet e fonetikës poetike, për t’i dhënë emocion përfytyrimit, duke përcjellë te lexuesi mahnitjen për vlerën e të thjeshtave, paganizmin modern, njerëzit, pemët, lulet, yjet, qiellin, retë, me një prapavijë të mendimit filozofik.
by s p

Në memorien historike dhe fetare të arbërve të hershëm në diasporë, një vend të veçantë zë figura e Shën Mërkurit. Ndërsa sot emri i këtij shenjti nuk gjendet shpesh ndër arbërit dhe kisha të kushtuara atij janë të pakta në Greqi dhe në hapësirat ku u shpërngulën arbërit, në shekujt XV–XVI kultit të tij i jepej një rëndësi e madhe. Aristidh Kolia, studiues i arbërëve të Greqisë , ka shkruar se para vitit 1821, kur Shën Gjergji u bë shenjt mbrojtës i revolucionit grek dhe më pas edhe i shtetit grek, popullsia arvanitase kishte për shenjtor mbrojtës Shën Mërkurin. Ky kult lidhej ngushtë me natyrën luftëtare të arbërve dhe të stratiotëve shqiptarë, të cilët shihnin tek Shën Mërkuri figurën e shenjtorit të ushtarit dhe të fitimtarit në betejë.
Një dëshmi e qartë e këtij kulti është përhapja e emrit Mërkur ndër shqiptarët e jugut dhe sidomos ndër arvanitasit. Një nga figurat më të njohura që mban këtë emër është Mërkur Bua Shpata, një nga stratiotët më të shquar shqiptarë të shekullit XV–XVI. Ky emër, i lidhur me kultin e shenjtorit, bartte jo vetëm simbolikën e besimit të krishterë, por edhe një dimension identitar luftarak, duke i dhënë bartësit të emrit një status të lidhur me traditën e fitimtarëve dhe mbrojtësve të besës.
Figura e Mërkur Buas është një nga dëshmitë më të qarta të lidhjes ndërmjet kultit të Shën Mërkurit dhe identitetit luftarak arbëror. Bua ishte komandant i 300 stratiotëve arbër dhe shërbeu në ushtritë më të fuqishme të Evropës. Ai luftoi për perandorin gjerman Maksimiliani I, për Luigjin XII të Francës, për Venedikun, dhe mori pjesë në betejat më të rëndësishme të kohës. Në betejën e Marinjanit (1515), ku përballeshin ushtritë franceze dhe zvicerane, shqiptarët e komanduar nga ai tronditën rendin luftarak të 40 mijë zviceranëve, duke i detyruar të tërhiqeshin. Kronikat evropiane e shënojnë këtë betejë si “fitoren e gjigantëve”, ku 300 kalorës shqiptarë u dukën si një ushtri e tërë.
Historiani dhe poeti Koroneo me gjasë nfa arbërit e Greqisë shkruante për të se ishte pasardhës i Pirros së Epirit, Akilit, Eneas dhe Aleksandrit të Madh – një hiperbolë që dëshmon respektin dhe famën e jashtëzakonshme të këtij luftëtari arbër. Në betejën e Pavias (1525), edhe pse u gjend përballë ish-aleatit të tij, Mbretit Françesk I të Francës, Bua tregoi madhështi të rrallë: kur mbreti francez u mund dhe ra rob, mercenarët katalanas deshën ta vrisnin, por Mërkur Bua ndërhyri dhe ia shpëtoi jetën, duke i dhënë nderimet e një sovrani. Ky gjest përputhej me idealin e Shën Mërkurit luftëtar e të drejtë, duke treguar se për arbërit lufta kishte jo vetëm dimension ushtarak, por edhe etik e shpirtëror.
Aristidh Kolia thekson se kulti i Shën Mërkurit ndër arbërit lidhej me rolet e tyre si ushtarë të diasporës, si stratiotë në Itali, Dalmaci, Francë, Austri, Flandër, Spanjë dhe Prusi. Shën Mërkuri shihej si mbrojtës i jetës së tyre të pasigurt, si garant i fitores dhe i nderit në betejë. Kjo është arsyeja pse emri i tij u bë i zakonshëm dhe pse kisha të shumta në atë kohë i kushtoheshin atij. Fatkeqësisht, me kalimin e shekujve dhe me ndërrimin e prioriteteve të kultit fetar në Greqi, ky shenjt u zhduk pothuajse nga kujtesa kolektive. Sot vetëm rrëfimet historike dhe disa emra të mbetur në gjenealogji e dëshmojnë këtë lidhje të hershme.
Një element i rëndësishëm simbolik është edhe flamuri i dhuruar Mërkur Buas nga perandori Maksimiliani I në vitin 1510, ku përfaqësohej një shqiponjë e zezë dykrenare – simbol tipik i trashëgimisë bizantino-arbëre – dhe shenja heraldike të Dukatit të Burgonjës. Ky flamur është një dëshmi e ndërthurjes së elementit arbër me traditën evropiane, duke treguar se stratiotët shqiptarë nuk humbnin kurrë identitetin e tyre.
Kulti i Shën Mërkurit dhe figura e Mërkur Buas janë pjesë e një trashëgimie të pasur, ku historia, feja dhe identiteti arbëror përzihen në një rrëfim të fuqishëm. Shën Mërkuri si mbrojtës i arbërve, përpara se Shën Gjergji të bëhej shenjt mbrojtës i Greqisë, përfaqëson një shtresë të thellë të kulturës së diasporës shqiptare dhe të rolit të saj ushtarak në Evropë. Figura e Mërkur Buas, nga ana tjetër, mishëron idealet e shenjtorit: trimëri, besnikëri, nder dhe madhështi. Kjo lidhje e veçantë tregon se arbërit, kudo që luftuan, ruajtën jo vetëm armët dhe zakonet e tyre, por edhe një dimension shpirtëror të trashëgimisë së tyre, duke mbetur të pandashëm nga rrënjët e tyre.