• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Analizë e Gjuhës së Trupit: Takimi Trump-Putin në Alaska – Gusht 2025

August 18, 2025 by s p

Nga Rafael Floqi /

Takimi mes Presidentit Donald Trump dhe Presidentit Vladimir Putin në Anchorage, Alaska, më 15 gusht 2025, është një nga ngjarjet më të analizueshme diplomatike të viteve të fundit. Përtej deklaratave zyrtare dhe marrëveshjeve të mundshme, komunikimi joverbal i liderëve ofron një pasqyrë të thellë mbi dinamikat e pushtetit, kontrollit dhe strategjive psikologjike. Ekspertët e gjuhës së trupit theksojnë se çdo gjest, shikim apo pozicion trupor ka kuptim dhe mund të zbulojë më shumë sesa fjalët. Siç vë në dukje Joe Navarro, ish-agjent i FBI dhe ekspert i komunikimit joverbal:

“Trupi nuk gënjen kurrë. Ai tregon emocione dhe dinamika të fshehura që shpesh mbeten jashtë vetëdijes së folësit.”

1. Përshëndetja Fillestare: Dukeshin si shokë

Presidenti Trump dhe lideri rus Vladimir Putin “dukeshin si shokë” gjatë përshëndetjeve të tyre të para në pistën e aeroplanëve shkruan Patti Wood, eksperte e gjuhës së trupit, për The Post:

“Trump qëndroi duke u drejtuar nga Putin dhe duartrokiti ndërsa ai afrohej, dhe simbolikisht, si nikoqir, kjo zakonisht është një shenjë feste.”

Trump buzëqeshi gjerë dhe dukej pozitiv dhe i sigurt, duke komunikuar pritshmëri pozitive për takimin. Dr. Beth Dawson shtoi se sjelljet jo-verbale të liderëve gjatë përshëndetjes tregonin një lidhje miqësore dhe “të sinqertë” mes tyre.

2. Shtrëngimi i Duhave: Lufta e Vogël për Fuqi

Kur duart e tyre u takuan, shpërtheu një “luftë e vogël” për dominim. Shpjegon Wood

“Kur hynë në shtrëngimin e dorës, Trump ishte poshtë dhe Putin sipër… Trump tërhoqi krahun e Putinit, duke e mbajtur afër trupit të tij. Pastaj ai i preku krahun e Putinit me dorën e majtë… Putin e përsëriti të njëjtin gjest. Kishte një luftë të vogël për fuqinë.”

Në fund të shtrëngimit të gjatë, ata dukeshin krah për krah si shokë, duke reflektuar një balancë simbolike të fuqisë dhe respektit reciprok.

Presidents Vladimir Putin and Donald Trump shaking hands at Alaska summit on Aug. 15, 2025

3. Reagimi ndaj Fluturimit të B-2: Demonstrimi i Fuqisë

Gjatë takimit, fluturimi i një bombarduesi B-2 mbi bazën ushtarake shërbeu si një demonstrim i fuqisë amerikane. Reagimi i Putin ishte i matur dhe i kontrolluar, pa shenja shqetësimi, duke treguar vetëkontroll dhe një përpjekje për të shmangur shenjat e dobësisë para kamerave dhe publikut. Ky qëndrim tregon njohuri të thellë mbi simbolikën e fuqisë dhe diplomacinë psikologjike.

4. Udhëtimi me “The Beast”: Simbol i Fuqisë

Pjesë e ceremonisë ishte udhëtimi i Trump me limuzinën presidenciale “The Beast”, simbol i fuqisë dhe sigurisë amerikane. Putin e vëzhgoi këtë moment me një shikim të ftohtë dhe të përqendruar, pa shfaqur shenja befasie, duke ruajtur një imazh të fuqishëm dhe të kontrolluar.

5. Shtrëngimi i Dorës Pas Takimit: Lodhja dhe Strategjia

Pas tre orësh bisedimesh të pasuksesshme për përfundimin e luftës së Moskës në Ukrainë, gjuha e trupit ndryshoi. “Gjatë shtrëngimit të parë të dorës, Trump kishte pëllëmbën lart, por gjatë atij të fundit, ai po bën atë që unë e quaj ‘shtrëngim prerës’… shprehja në fytyrën e Trumpit është lodhje – gjuha e trupit është e lodhur dhe e rraskapitur.”

Putin ruante një buzëqeshje të vogël dhe një qëndrim të ftohtë, duke reflektuar qetësi dhe strategji të qëndrueshme.

President Trump and President Putin shaking hands while Trump pats Putin's arm on a red carpet at Alaska summit on Aug. 15, 2025

6. Pozita Trupore dhe Hapësira

Trump shpesh mbante një qëndrim të hapur, duke drejtuar trupin përpara dhe duke përdorur duart për të theksuar argumentet e tij, që tregon dëshirë për të imponuar prezencën e tij. Nga ana tjetër, Putin ruante një qëndrim më të mbyllur, me duar të palosura ose pas shpinës, duke sinjalizuar vetëkontroll dhe qetësi. Një pozicion i mbyllur transmeton autoritet dhe maturi, ndërsa një qëndrim ekspansiv tregon energji dhe dominim.

7. Kontaktet me Sytë dhe Mimika

Trump përdorte shikimin e drejtpërdrejtë për të treguar vendosmërinë dhe për të imponuar kontroll, ndërsa Putin ruante një shikim të ftohtë dhe të matur, shpesh duke lejuar Trump të bëjë hapin e parë. “Shikimi flet më shumë se fjalët. Ai mund të tregojë pushtet, pasiguri, ose gatishmëri për bashkëpunim.”

Mimika e fytyrës thekson kontrastin: Trump përdorte buzëqeshje të gjera dhe ekspresione të forta, ndërsa Putin ruante fytyrë të qetë dhe minimale, duke krijuar një dialog psikologjik mes ekspansivitetit dhe vetëkontrollit.

8. Gjestet dhe Lëvizjet e Duarve

Trump përdorte lëvizje të mëdha dhe ekspresive për të theksuar pikat e tij, duke krijuar një ndjesi dominimi dhe kontrolli hapësinor. Putin, në kontrast, përdorte duar të kontrolluara dhe të palosura, duke reflektuar maturi dhe stabilitet. Gjestet e mëdha shprehin energji dhe presion, ndërsa lëvizjet e kufizuara tregojnë kontroll dhe strategji.

President Trump and Vladimir Putin shaking hands goodbye at the Alaska summit on Aug. 25, 2025

Përfundim

Takimi Trump-Putin në Alaska tregoi se komunikimi joverbal është po aq i fuqishëm sa fjalët zyrtare në diplomaci. Nga shtrëngimi i duarve dhe reagimet ndaj fluturimit të B-2, te udhëtimi me “The Beast” dhe shtrëngimi i dorës pas takimit, çdo gjest pasqyron dinamikat komplekse të pushtetit dhe rivalitetit mes dy liderëve. Siç thekson Patti Wood:

“Kur burrat shtrëngojnë duart, ata përballen për të treguar forcën, guximin dhe hapësirën e tyre. Çdo lëvizje trupore është një mesazh.”

Analiza e këtyre momenteve tregon se në marrëdhëniet ndërkombëtare, ajo që nuk thuhet shpesh ka rëndësi më të madhe se fjalët.

Filed Under: Emigracion

Nga fryma e Skënderbeut te vizioni i shekullit XXI

August 18, 2025 by s p

Sot, shqiptarët kanë nevojë për një figurë që nuk duhet vetëm të udhëheqë, por edhe frymëzojë; që nuk duhet vetëm të flasë, por edhe të veprojë; që nuk duhet vetëm të kujtojë lavdinë e së kaluarës, por edhe të ndërtojë me guxim një të ardhme të re. Dhe përderisa historia nuk pret, thirrja e kohës është e qartë: shqiptarëve u duhet një Skënderbe që të jetë edhe udhëheqës, edhe frymëzues, edhe ndërtues i unitetit.

Nga Prof.dr. Skender ASANI

Historia e një kombi shpesh përballet me çaste të mëdha, ku koha nuk pyet nëse ai është gati apo jo, por i vë përpara sfidës së zgjedhjes. Pikërisht në ato momente lind pyetja e madhe: a do të ketë ky komb një lider që ta marrë vendimin e duhur? Për shqiptarët, e sotmja është një nga ato kohë që kërkon guxim, vizion dhe lidership, sepse historia nuk pranon vonesa, dhe çdo hezitim kthehet në humbje të çmueshme.

Populli shqiptar, i shpërndarë në shumë shtete e shpesh i përballur me dallime krahinore, fisnore e fetare, gjendet sot para një sfide të ngjashme me ato që përjetoi në shekujt e kaluar: si të ndërtojë një të ardhme ku uniteti të jetë më i fortë se ndarja, dhe ku e përbashkëta kombëtare të mbizotërojë mbi fragmentet që e kanë copëzuar ndër shekuj. Në këto momente të ndjeshme, kërkohet një figurë simbolike, një “Skënderbe i Rilindjes Kombëtare”, që me mençuri e vendosmëri t’i japë drejtim aspiratave dhe të rikthejë besimin se shqiptarët mund të jenë bashkë në një vizion të madh.

Ky Skënderbe i kohëve moderne nuk do të jetë thjesht një luftëtar, por një arkitekt i bashkimit. Ai duhet të jetë ai që shkrin ndasitë krahinore, i cili e kupton se shqiptaria nuk është e kufizuar në male apo fusha, por është një mozaik i gjallë që bëhet i plotë vetëm kur përqafon të gjitha ngjyrat e saj. Ai duhet të jetë ai që e tejkalon dallimin fetar, duke i kthyer besimet në pasuri shpirtërore e jo në pengesa politike. Dhe mbi të gjitha, ky Skënderbe i ri duhet të ketë vizionin për t’i udhëhequr shqiptarët pa i përplasur me asnjë komb fqinj, sepse fuqia e tij nuk qëndron në armiqësi, por në ndërtimin e një fryme paqeje dhe bashkëjetese.

Në këtë vizion, Skënderbeu nuk është vetëm udhëheqës i shqiptarëve, por edhe mesazher i Ballkanit. Ai i flet rajonit duke e ftuar në një kapitull të ri atë të bashkëpunimit, të respektit reciprok dhe të paqes së qëndrueshme. Ballkani, i njohur për shekuj me radhë si fole konfliktesh, ka nevojë të shndërrohet në një hapësirë bashkëjetese dhe zhvillimi të përbashkët. Vetëm një lider që di të tejkalojë kufijtë e ngushtë nacionalistë dhe të projektojë një vizion rajonal mund ta bëjë këtë.

Popujt përreth nesh, ende sot, veprojnë dhe mendojnë me konceptin etno-nacionalist të shekujve XIX dhe XX, duke mbajtur gjallë paragjykime dhe qëndrime që shpesh shndërrohen në veprime të drejtpërdrejta kundër shqiptarëve. Ky mentalitet i vjetër, i ushqyer nga mitologjitë politike dhe projektet hegjemoniste të së kaluarës, vazhdon të prodhojë tensione dhe t’i mbajë shoqëritë e rajonit të lidhura pas së shkuarës, në vend që t’i orientojë drejt së ardhmes. Përballë kësaj, shqiptarët nuk duhet të bien pre e nostalgjive arkaike të nacionalizmave të tjerë, por të ngrihen mbi to, duke dëshmuar se një komb i mençur e vizionar mund të hapë rrugë të reja.

Nga ana tjetër, shqiptarët e kanë sot një shans historik, ndoshta më të madhin pas dekadash përpjekjesh, sidomos pas ndryshimeve të mëdha të fundit të shekullit XX dhe dy dekadave të para të shekullit XXI. Ky është momenti kur me një politikë të mençur dhe një lidership me tiparet e një Skënderbeu të shekullit XXI, shqiptarët mund të hapin Ballkanin dhe ta çlirojnë nga robrimi mitik i projekteve të mëdha që kanë sjellë konflikte të vazhdueshme. Vetëm kështu, rajoni mund të dalë nga e kaluara e dhimbshme dhe të shndërrohet në një Ballkan pjesë të pandashme të Evropës së bashkuar, jo si periferi, por si kontributor i denjë i paqes, stabilitetit dhe zhvillimit.

Në të njëjtën kohë, nuk mund të anashkalohet fakti se bota sot është e trazuar nga shumë fronte lufte dhe konflikte që kanë shpërqendruar vëmendjen e faktorit ndërkombëtar. Ky faktor, që në momentet kyçe të historisë moderne ka qenë përkrah popullit shqiptar, sot është i përfshirë në krijimin e një harte të re globale. Pikërisht për shkak të këtyre zhvillimeve, shqiptarët kanë nevojë të mobilizohen si komb, për të rikthyer dhe forcuar aleancat ndërkombëtare që garantuan mbijetesën dhe aspiratat tona. Në këtë realitet të ri gjeopolitik, kërkohet një lidership që me frymën e Skënderbeut të shekullit XV të dijë të krijojë miq dhe aleatë, duke kthyer historinë dhe perspektivën në anën tonë. Vetëm kështu shqiptarët do të sigurojnë mirëqenie dhe një pozicionim të qartë në arkitekturën e re gjeostrategjike që po krijohet para syve tanë.

Por ky Skënderbe i ri nuk do të kufizohej vetëm në kufijtë e Ballkanit. Ai do t’i fliste edhe Europës, duke i rikujtuar se shqiptarët, bashkë me popujt e tjerë të rajonit, janë pjesë e pandashme e qytetërimit perëndimor. Kthimi drejt Perëndimit nuk është vetëm një orientim politik, por një rikthim në origjinën e vet kulturore, historike dhe shpirtërore. Europa nuk mund të mendohet pa Ballkanin, ashtu si Ballkani nuk mund të ndërtojë të ardhmen e vet pa Europën. Dhe në këtë udhëkryq, shqiptarët, me një udhëheqje të mençur, mund të bëhen ura lidhëse që i afron popujt dhe e pasuron vetë projektin europian.

Në këtë rrugëtim të vështirë, frymëzimi mund të vijë edhe nga figurat e mëdha të humanizmit shqiptar, si Nënë Tereza. Ajo, me thjeshtësinë dhe dashurinë e saj universale, dëshmoi se fuqia më e madhe nuk është as në shpatë e as në pasuri, por në shërbimin ndaj njeriut. Nëse Skënderbeu na mësoi se si të mbrojmë identitetin dhe dinjitetin tonë, Nënë Tereza na mësoi se si ta përjetësojmë atë përmes dashurisë dhe solidaritetit. Një lider që do të dinte t’i bashkonte këto dy frymëzime të forcës dhe të humanizmit do të ishte pikërisht ai që i nevojitet shqiptarëve sot: një udhëheqës që ngre mure për të mbrojtur, por ndërton ura për të bashkuar.

Vendimmarrja historike nuk është çështje momentale, por akt që përcakton dekada e ndonjëherë shekuj të tërë. Ajo kërkon lidership të rrallë, që ngrihet mbi interesat e vogla dhe sheh të ardhmen me sy të kthjellët. Sot, shqiptarët kanë nevojë për një figurë që nuk duhet vetëm të udhëheqë, por edhe frymëzojë; që nuk duhet vetëm të flasë, por edhe të veprojë; që nuk duhet vetëm të kujtojë lavdinë e së kaluarës, por edhe të ndërtojë me guxim një të ardhme të re. Dhe përderisa historia nuk pret, thirrja e kohës është e qartë: shqiptarëve u duhet një Skënderbe që të jetë edhe udhëheqës, edhe frymëzues, edhe ndërtues i unitetit. Vetëm kështu kombi do të dijë t’i kthejë vendimet historike në fitore historike.

Filed Under: Mergata

Masakra e Mirditës

August 18, 2025 by s p

Kastriot Dervishi/

Vrasja e sekretarit politik të Mirditës, Bardhok Biba, u krye nga organi i shpagimit të Nënkomitetit Krahinor të Mirditës, në orën 16.30 të dielën e datës 7.8.1949 në kohën kur Bardhoku po kalonte për të shkuar në një konferencë komuniste në Kaçinar. Mbi kufomë iu la vendimi i nënkomitetit në fjalë.

Vrasja e një sekretari politik rrethi ishte goditja më e madhe që mund t’i bëhej regjimit komunist në atë kohë. Aftësia e regjimit për të zbuluar e gjetur autorët ishte zero. Për këtë arsye, u pëlqye të përdorej metoda e terrorit mbi popullsinë civile. Të gjithë ata do etiketoheshin si “strehues kriminelësh”. Në drejtimin e dy këshilltarëve sovjetikë, ndaj krahinës së Mirditës filloi një terror tipik sovjetik. Si edhe në raste të tjera, u bë kategorizimi i popullsisë.

Nga Rrësheni, më 9.8.1949, zëvendëskryeministri, ministri i Punëve të Brendshme, anëtari i Byrosë Politike dhe sekretari i KQ të PPSH-së, Mehmet Shehu i telegrafoi drejtorit të Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit, Beqir Ndou, duke e urdhëruar të njoftojë menjëherë Enver Hoxhën. Shehu thotë se nga 44 fshatra, për dy ditë do ndërmerrej operacion në 33 prej tyre. Do arrestoheshin:

-31 të kategorisë së parë (për dënime me vdekje)

-84 të kategorisë së dytë (për dënime me heqje lirie)

-17 të kategorisë së tretë (për internime në kampin e Tepelenës).

Shehu kërkoi edhe internimin e 9 familjeve të Gjon Markut dhe 15 arrestime të tjera në Lezhë. Rekomandoi që Gjykata e Lartë Ushtarake të vinte në Rrëshen më 12 gusht.

Procesi ndaj grupit të dyshuar si të lidhur me ata që vranë Bardhok Bibën u zhvillua me të shpejtë. Si edhe rastet e tjera të këtij lloji, procesi ishte i parregullt edhe nga ana administrative. I vetmi hetues që merret vesh ishte Isuf Kullolli. Nuk figurojnë hetues të tjerë dhe as procese ndaj të pandehurve. Të 26 të pandehurit u arrestuan më 11.8.1949. Çështja u gjykua nga Gjykata e Lartë Ushtarake, me veprim në Rrëshen e përbërë nga nënkolonel Bilibil Klosi, kapiten I Sotir Spiro, kapiten II Nonda Papuli, duke pasur pranë ndihmësprokurorin e ushtrisë major Misto Bllaci. Gjykimi u zhvillua i shpejtë, pa asnjë logjikë juridike. Brenda vendimit ka edhe gabime emrash, mungesë argumentesh, etj. Të pandehurit u cilësuan (me përjashtim të njërit) “të gjithë bashkëpunëtorë të bandave të armatosura”. U akuzuan në bazë të ligjit nr.372, datë 12.12.1946 “Mbi fajet penale kondra popullit dhe shtetit”. Me vendimin nr.98, datë 16.8.1949, 14 veta u dënuan me vdekje (4 me varje në litar). Më i riu ishte 19 vjeç e më i madh 67 vjeç. Praktika u mbyll shpejt dhe më 17 gusht vendimi u ekzekutua.

Filed Under: Fejton

Dhimitër Berati – Mendja e ndritur, fjala e dijes dhe idealit kombëtar në shërbim të Shqipërisë

August 18, 2025 by s p

Gjon F. Ivezaj/

Dhimitër Berati përfaqëson një nga figurat më të shquara të kombit shqiptar në fillimet e shekullit XX, një intelektual që ndërthurte dijen me atdhedashurinë, veprimin me vizionin dhe diplomacinë me përkushtimin ndaj çështjes kombëtare. I lindur më 15 tetor 1886 në Korçë, në një familje me prejardhje nga Berati, ai trashëgoi kulturën dhe shpirtin qytetar shqiptar, për të cilin liria nuk ishte thjesht një nocion teorik, por një e drejtë themelore dhe jetike e çdo kombi.

Arsimin fillestar e mori në qytetin e lindjes, ndërsa studimet universitare i kreu në Bukuresht, ku mbaroi Fakultetin e Shkencave Politike dhe Juridike në një prej universiteteve më të njohura të kohës në Ballkan. Gjatë qëndrimit në Rumani u angazhua në jetën patriotike të diasporës shqiptare, duke kontribuar në shoqata kulturore e atdhetare që kishin si synim themelimin e një Shqipërie të lirë, të bashkuar dhe të pavarur.

Në fillim të shekullit XX ishte ndër themeluesit e shoqatës “Dituria” në Bukuresht, e cila u bë qendër intelektuale për promovimin e gjuhës shqipe dhe ideologjisë kombëtare, duke ndikuar në formimin e opinionit publik mbi vetëdijen shtetërore. Ai botoi artikuj në shtypin e diasporës dhe mori pjesë në organizimin e aktiviteteve që synonin afirmimin e së drejtës së shqiptarëve për vetëvendosje.

Më 28 nëntor 1912, në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, Dhimitër Berati ishte ndër nënshkruesit e Aktit të Pavarësisë, si përfaqësues i kolonisë shqiptare të Bukureshtit, bashkë me Dhimitër Zografin dhe Dhimitër Mborjen. Me këtë akt, emri i tij u skalit në panteonin e patriotëve të pavdekshëm, duke dëshmuar se ai nuk ishte vetëm mendimtar, por edhe veprimtar i angazhuar për idealin e lirisë.

Pas shpalljes së pavarësisë, u emërua drejtori i parë i gazetës zyrtare të shtetit shqiptar, Përlindja e Shqipërisë, e cila doli për herë të parë më 24 gusht 1913 në Vlorë. Nën drejtimin e tij, gazeta u bë tribunë intelektuale e politike ku mbrohej e drejta e shqiptarëve për vetëqeverisje, liri dhe integritet territorial. Deri më 28 mars 1914, ajo shërbeu si burim i rëndësishëm i mendimit shtetformues shqiptar.

Në periudhën diplomatike, Berati shërbeu si sekretar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris (1919–1920). Ai hartoi memorandume me vlerë historike e juridike për të mbrojtur të drejtën e shqiptarëve për të mbetur një komb i pandarë. Gjatë kësaj kohe botoi veprat Albania and the Albanians (anglisht) dhe La question albanaise (frëngjisht), të cilat u përkthyen në disa gjuhë dhe u përdorën si dokumente referuese në qarqet diplomatike ndërkombëtare.

Nga viti 1924 deri më 1926, shërbeu si konsull i përgjithshëm në Sofje, duke mbrojtur interesat e Shqipërisë në Bullgari dhe duke mbajtur kontakte të vazhdueshme me përfaqësues shqiptarë në Greqi, Jugosllavi dhe Rumani. Më pas, nga 1926 deri më 1934, ishte sekretar në Ministrinë e Punëve të Jashtme, ku përgatiste raporte e dokumente mbi marrëdhëniet diplomatike dhe tregtare.

Në vitin 1935 u emërua Ministër i Ekonomisë Kombëtare në kabinetin e Ahmet Zogut. Në këtë funksion përgatiti raporte mbi tregtinë e jashtme, investimet industriale dhe marrëveshjet ekonomike me Italinë, duke synuar zhvillimin kombëtar dhe jo vartësinë. Aktiviteti i tij në Parlament mbi buxhetin, infrastrukturën, tregtinë dhe arsimin teknik dëshmon vizionin e tij strategjik dhe orientimin evropian.

Gjatë pushtimit italian, Berati mbeti në shërbim administrativ. Në vitet 1941–1942 shërbeu si Sekretar Shteti për Kulturën Popullore në qeverinë e Mustafa Krujës, ku u angazhua në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, hapjen e bibliotekave, organizimin e ekspozitave dhe promovimin e kulturës kombëtare.

Pas ardhjes së regjimit komunist, u vendos në Romë, ku jetoi deri në fund të jetës. Edhe në mërgim, ai vijoi aktivitetin kombëtar nëpërmjet shtypit dhe komunitetit shqiptar. Më 1968 mori pjesë në kremtimin e 500-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut në Vatikan, ku mbajti një ligjëratë për rolin e heroit kombëtar dhe shqiptarëve në mbrojtjen e qytetërimit evropian.

Dhimitër Berati u shua më 8 shtator 1970 në Romë, larg atdheut, por me nder të paprekur. Veprat, shkrimet dhe dokumentet e tij ruhen sot në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë, në Arkivin e Shtetit dhe në fondet historike të gazetave Përlindja e Shqipërisë, Dielli dhe Illyria.

Dhimitër Berati nuk ishte thjesht shkrimtar, gazetar apo funksionar shtetëror. Ai ishte vizionar, themelues i mendimit kombëtar modern dhe idealist i pakompromis për Shqipërinë. Jeta dhe vepra e tij janë dëshmi e rrallë e përkushtimit të mendjes dhe veprës në shërbim të kombit.

Filed Under: Politike

Kujtesa që ndërton të ardhmen, legjenda e përjetshme e bektashizmit transatlantik

August 18, 2025 by s p

124-vjetori i lindjes së Baba Rexhebit (1901–1995), frymëzimi dhe transformimi i një jete shpirtërore

Nga Baba Eliton Pashaj/

Përkujtimi i 124-vjetorit të lindjes së Baba Rexhebit (1901–1995) na rikthen tek një figurë e shquar e bektashizmit shqiptar dhe ndërkombëtar, një personalitet që jetën e vet e shndërroi në një urë ndërmjet besimit dhe dijes, kombit dhe mërgatës, Lindjes mistike dhe Perëndimit modern. Në traditën e Bektashizmit, ku kujtesa e shenjtëve dhe e udhëheqësve shpirtërorë nuk është thjesht histori, por pjesë e gjallë e përvojës mistike, jeta e Baba Rexhebit mbetet dritë udhëzuese. Figura e Baba Rexhebit përfaqëson një mikrokozmos të historisë shqiptare të shekullit XX, një përzierje e rezistencës, misticizmit dhe diplomacisë shpirtërore dhe trashëgimia e tij na kujton se si një person mund të transformojë mjerimin në mision dhe ekzilin në epope.

Në këtë prag 124 vjetor të lindjes së tij, le të thellohemi në udhëtimin e tij nga kullat e Gjirokastrës deri në urbanizmin e Detroitit, duke zbuluar se si një jetë e vetme mund të ndikojë në fatin e një komuniteti të tërë.

Fëmijëria në Teqenë e Zallit, në Zinxhiraj të Gjirokastrës, me kullat e saj të mbyllura dhe traditat e thella mistike, u bë inkubatori i parë i frymëzimit të tij, ajo ishte një vulë e hershme shpirtërore për baba Rexhebin. Në moshën 16 vjeçare, kur Shqipëria ishte në luftë për konsolidim, ai zgjodhi rrugën e dervishëve të tarikatit bektashian, duke braktisur jetën e privilegjuar për asketizëm.

I lindur më 18 gusht 1901 në Gjirokastër, qyteti i gurit dhe i mendimit, Rexheb Beqiri (emri i lindjes) hyri që në moshë të re në rrugën e dervishit. Kjo zgjedhje nuk ishte një largim nga bota, por një hyrje në thellësinë e saj. Bektashizmi e ka konsideruar gjithmonë jetën asketike jo si tërheqje nga realiteti, por si mënyrë për ta ndriçuar atë. Siç thotë tradita: “Shkolla e dervishit është jeta vetë, dhe libri i tij është njeriu.” E pra, Gjirokastra ishte kolegjiumi i parë i shpirtit, ish qyteti që ndikoi në edukimin e tij si një vizionar i traditës bektashiane.

Në kullat e shekullit XVIII, ku çdo gur kishte një histori, Baba Rexhebi mësoi artin e dialogut midis traditës dhe modernitetit. Kështjellat e mbyllura, me dritaret e tyre të ngushta, u bënë metaforë e një bote që kërkonte të hapej pa humbur identitetin. Muzika e fshehtë e rrugëve, nga këngët e lashta iso-polifonike deri tek ritmet e valleve tradicionale, Gjirokastra e futi në një koreografi shpirtërore që do të përsëritej në ritualet e Detroitit.

Konteksti historik i 1917, ndërsa Shqipëria luftonte për mbijetesë midis Luftës së Parë Botërore dhe shpërbërjes së Perandorisë Osmane, një djalë 16-vjeçar zgjodhi të shkëmbente privilegjet e klasës së tij me rrobën e Hynqar Haxhi Bektash Veliut, që zgjodhi Rrugën e Dervishëve. Vulën e hershme të bektashizmit si revolucion i qetë, në një kohë kur nacionalizmi shqiptar po lindte, ai e pa në tarikatin bektashian një platformë për unitetin kombëtar të shkëputur nga ndarjet fetare.

Asketizmi, si revolucion personal dhe braktisja e privilegjeve pasi familja e tij, e njohur për pasurinë dhe influencën, u bë pengesë për një shpirt që kërkonte lirinë e vërtetë. Vepra e parë e tij mistike ishte thyerja e zinxhirit të artë që e lidhte atë me hierarkinë sociale.

Ritualet e hershme në moshën 18 vjeçare, ai i filloi me praktikën e 40 ditëve të agjërimit në Teqenë e Zallit në Zinxhiraj të Gjirokastrës, që ish një provë e cila do të përsëritej simbolikisht në emigrimin e tij amerikan.

Teksa Shqipëria po ndërtonte shtetin e saj, Baba Rexhebi u fokusua në ruajtjen e memories kolektive përmes: Dorëshkrimeve të fshehta të poezive të Haxhi Bektash Veliut, Rindërtimit simbolik të teqesë së Tepelenës, të shkatërruar nga luftërat ballkanike, dialogëve me liderët e komuniteteve krishtere për të krijuar një front të përbashkët kundër sekularizmit ekstrem.

Në vitin 1967, kur Enver Hoxha shpalli Shqipërinë “shtet ateist”, 1,200 teqe dhe xhami u shkatërruan. Baba Rexhebi, që kishte ikur në vitin 1944, u bë “zëri i të dëbuarve” për miliona bektashianët e mbetur pa shtëpi shpirtërore. Udhëtimi i tij drejt tokës së lirisë, në Amerikë, në vitin 1954, me ndihmën e mërgatës shqiptare dhe Fan S. Nolit, lider ortodoks me vizion ekumenik, themeloi teqenë e Detroitit, duke krijuar një oaz uniteti në zemër të industrializimit amerikan. Ky akt nuk ishte vetëm organizim institucional, por mishërim i një vizioni: krijimi i një hapësire të shenjtë ku shqiptarët të gjenin strehë shpirtërore dhe identitare.

Në këtë teqe, Baba Rexhebi e bëri të pranishëm parimin themelor bektashian: bashkimi i dashurisë dhe i dijes (ashk dhe irfan). Siç shprehej ai vetë: “Tempulli i Zotit nuk është në gurë, por në zemrat e pastra që e kërkojnë Atë.”. Kombinimi i traditës dhe modernitetit, teqeja, me kupolat e saj të vogla dhe dritare me xhama, u projektua si një mikrokozmos i Shqipërisë së humbur. Roli fetar i saj në vitet ’70 ishte i madh, teqeja u bë strehë për besimtarët bektashianë shqiptarë nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Bosnja, Turqia dhe Greqia, duke ofruar jo vetëm ritualet dhe frymën bektashiane, por edhe ndihmë juridike kundër diskriminimit që u ishte bërë.

Baba Rexhebi hodhi themelet për një interpretim universalist: “Bektashizmi pa kufij”. Promovoi dialogun me krishterët (veçanërisht me komunitetin ortodoks të Fan S. Nolit); hapi shkollën e parë bektashiane në anglisht për konvertitë amerikanë; krijoi ritualin “Dita e Shqipërisë” (28 Nëntor) në teqe, duke lidhur kombin me spiritualitetin.

Teqeja Baba Rexheb e Detroitit, do të ishte si një copëz Shqipëri për gjithë emigrantët shqiptarë, pavarësisht përkatësive fetare të tyre në Amerikë. Metafora e shpërnguljes në qytetin e automjeteve, ku çdo emigrant ishte një “pjesë e shkëputur”, ai ndërtoi një mekanizëm shpirtëror që rivente komunitetin në lëvizje. Ndikimi shpirtëror dhe roli kombëtar i teqesë dhe i Baba Rexhebit në vitet 1954 -1995 ishte: 15,000 emigrantë shqiptarë të integruar nëpërmjet teqesë, 23 tekste të shenjta të përkthyera në anglisht, mbi 47 ceremoni ndër-fetare të organizuara. Dialogu Ndërfetar ishte në nivelet e saj më të mira. Në 1965, Baba Rexhebi organizoi konferencën e parë bektashiano-kristiane në SHBA, me pjesëmarrjen e teologëve të universitetit të Yale-it. “Rruga e Zemrës”, teologjia e Baba Rexhebit kundërshtonte formalizmin fetar. Ai thoshte: “Tempulli i Zotit është në zemër, jo në gur”.

Modeli i aktiv i spiritualitetit të Baba Rexhebit si: Uniteti në diversitet, “Kisha ortodokse dhe teqeja bektashiane janë dy krahë të një shpirti”, “Kombi si Tempull”, “Pa identitetin kombëtar, nuk ka asnjë lartësi shpirtërore”. Emigrimi si Fuqi: “Mërgata nuk është humbje, është liria për të rikrijuar” do të pasohej nga trashëgimia letrare që Baba Rexhebi la pas duke filluar nga Mistikët tek Modernistët, tek vepra kryesore e tij: “Misticizma Islame dhe Bektashizma”; Analiza e teksteve: Krahasoi “Fusus al-Hikam” të Ibn Arabiut me “Makalat”-in e Haxhi Bektash Veliut; Sinteza Filozofike: Propozoi një “teori unifikuese” të sufizmit, ku Bektashizmi shihej si versioni shqiptar i universalizmit mistik, përcolli poezinë si mjet edukimi, veçanërisht tek “Baladat e Dervishit”, koleksion me 100 vargje që përdornin metafora nga natyra malore e Shqipërisë për të shpjeguar koncepte teurgjike.

“Unë jam era që përqafon flakën,

Gjëmti i errët që lind nga dielli.

Në shteg të gjatë, gurët janë fjalët,

Dhe çdo plagë, një portë drejt Tij.”

Baba Rexhebi, 1972

Baba Rexhebi nuk e pa bektashizmin të mbyllur në vetvete, por si një frymë të hapur ndaj dialogut. Në bashkëpunimin e tij me figurën e Fan Nolit dhe me komunitete të tjera fetare në diasporë, ai mishëroi idenë se dashuria e Zotit është themeli i unitetit njerëzor. Kjo përputhet me parimin bektashian: “Pa dashuri, nuk ka besim.”

Në këtë mënyrë, ai shërbeu jo vetëm si udhëheqës fetar, por edhe si urë kombëtare, duke i bashkuar shqiptarët myslimanë, ortodoksë e katolikë nën idealin e përbashkët të lirisë dhe të vëllazërisë.

Në 124-vjetorin e lindjes së tij, jeta dhe vepra e Baba Rexhebit na kujtojnë se udhëheqësit shpirtërorë nuk i përkasin vetëm kohës së tyre, por mbeten burime të gjalla frymëzimi. Teqeja e Detroitit është sot monument i dashurisë dhe i sakrificës së tij, ndërsa shkrimet dhe mësimet e tij vazhdojnë të ushqejnë kërkuesit e së vërtetës. Fryma e tij ecën nëpër Detroit si një erë e butë nga malet e Gjirokastrës, në frymën e bektashizmit, që mëson se njeriu duhet të bëhet pasqyrë e dritës hyjnore. Jeta e Baba Rexhebit na fton të kthejmë mërgimin në mision dhe ekzilin në shërbesë, duke dëshmuar se dashuria është forca më e madhe e besimit.

Baba Rexhebi nuk ishte thjesht një lider fetar, ishte një “arkitekt i padukshëm” që ndërtoi urë midis traditës dhe modernitetit. Në një botë të ndarë nga radikalizmi, teqeja e Taylor në Detroit do të mbetet një monument i dialogut. Çdo element i saj është një fjalë e tij e shkruar në hapësirë, nga kandili që nuk fiket kurrë deri tek biblioteka me 1,927 dorëshkrime. Baba Rexhebi na mëson se emigrimi nuk është vendndodhje gjeografike, është një gjendje shpirtërore që mund të transformohet në shtëpi. Siç thotë një mbishkrim në varrin e tij: “Këtu pushon ai që s’pushoi kurrë, sepse dashuria nuk njeh kufij”.

Filed Under: Opinion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 375
  • 376
  • 377
  • 378
  • 379
  • …
  • 2940
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • The Alliance That Doesn’t Exist
  • MAXIMILIAN LAMBERTZ – DIJETARI AUSTRIAK QË IA KUSHTOI JETËN STUDIMIT TË GJUHËS DHE FOLKLORIT SHQIPTAR
  • Shkodër, 8 prill 1937, kur vetëdija jonë kombëtare u lartësua nga “Lahuta e Malcis”, rrokaqielli i eposit në vargje i At Gjergj Fishtës
  • MASAKRA E TIVARIT DHE AJO NË FRONTIN E SREMIT – KRIM KUNDËR NJERËZIMIT!
  • MËRGIM KORҪA – “HISTORI TË PASHKRUARA”
  • Një jetë në shërbim, një dekadë në bashkim
  • MBRESAT E MIA ME KOMUNITETIN SHQIPTAR KËRÇOVAR NË OLLTEN TË ZVICRRES
  • Misioni i Madh i Studentave të Shkupit! Shqiptar bashkohuni studentave!
  • NJË GJUHË, NJË IDENTITET – STUDENTËT DALIN NË MBROJTJE TË SHQIPËS
  • “Shqiptarët e Amerikës” ndjekin me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut
  • Eshtrat e Hasan Tahsinit duhet të sillen në atdhe
  • “Irani dhe Siguria Kombëtare”!
  • Pamja e Hënës të cilën nuk jemi mësuar ta shohim
  • Analizë strategjike: Roli i SHBA-ve dhe ndikimi i NATO-s në suksesin operacional ushtarak
  • MICKOSKI DHE POLITIKA E KAMUFLUAR NË BALLKAN

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT