• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ME PUSHIME NË KORÇËN E BUKUR

August 9, 2025 by s p

Thanas Gjika/

(FSHATARËT JANË BAZAMENTI I KOMBIT)

Sivjet bëra një vizitë të shkurtër në atdhe për të takuar njerëzit e mij në Korçë e për të bërë disa ditë plazh në Durrës, ku duhej të merrja kopjet e librit të ri “Panvera është kthim” të Julias, Botimet Jozef, 98 faqe. Më 17 maj ora 2:00 PM arrita në Rinas. Kësaj here atdheu më priti me shi të rrëmbyer, por taksisti, miku im i vjetër Besim Zorba, ma bëri të lehtë udhëtimin për në Korçë. Së pari pushuam te “Vila Bimbli” në Pogradec. Kjo vilë e bukur anës liqenit ka pronar Ing. Sotir Bimblin, vëllain e kunatit tim, Dr. Piros. Sotirin e takova në hyrje të vilës ku po bisedonte me një ingjinier për riparimin e pjesës para vilës për ta bërë më komode gjatë dimrit dhe kohëve me shi. Do ta mbulonin e rrethonin me xhama e plastmas.

Pasi kaluam të përpjetën e Plloçës shiu pushoi dhe përpara na u shfaq një ylber i madh që shtrihej nga Alarupi deri përtej Çërravës. Besimi ndali makinën dhe unë hapa xhamin e bëra disa foto. Mu duk si shenjë kozmike, që më thoshte se Korça e dashur, po më priste krahëhapur.

U sistemova te “Vila Trebicka”, rruga “Jorgo Plaku”, pronë e kushëririt tim, Arjan Trebicka. Në Korçë kisha jetuar vetëm 18 vjetët e parë të jetës e pasi mbarova shkollën e mesme ika në Tiranë. Këtu jetova 34 vjet, nga gushti i vitit 1962 deri më 4 korrik 1996, kurse nga kjo datë e deri sot, 29 vjet të tjerë, po jetoj në ShBA. Mirëpo kudo e kurdoherë, pavarësisht se ku ndodhem, e kam ndjerë dhe e ndjej veten korçar. Sa herë shkoja me pushime atje nga Tirana dhe sa herë po shkoj nga Amerika, më duket sikur aty kam jetuar pandërprerje. Këtë ndjenjë besoj ma krijojnë pamja e maleve që e rrethojnë, fushat pjellore të sistemuara, e sidomos takimet me njerëzit e fisit, me shokët e shoqet e shkollës e të mëhallës, si dhe pamja e shtëpive të bukura të mirëbajtura, oborret e ballkonet me trëndafila, mëllaga e lule plot ngjyra. Shumica e murreve të avllive dhe të kateve të para të shtëpive janë me gurë të gdhendur nga duart e ustallarëve duarartë.

Vizitën e parë e bëra të nesërmen, ditë e dielë, tek vorrezat e qytetit, sipas porosisë së Julias, bashkëshortes sime, e cila nuk mundi të vinte sepse arthriti e pengon të ecë gjatë në këmbë dhe të ngjitë shkallët.

I kisha njoftuar në fb dy kunatat, Kozetën dhe Vjollcën bashkë me burrat e tyre, Kriço Luarasin dhe Argjir Gjatën, baxhanakët / sivëllezëtit e mij. Vjollca erdhi me makinën e saj të më merrte tek katedralja ku dëgjova meshën e asaj dite. Më bëri përshtypje jo të mirë fakti se prifti gjatë meshës thoshte disa fjali greqisht. Kur pyeta, pse bëhet mesha në Korçën shqiptare e përzierë me gjuhën greke, më thanë se ka banorë që kanë qënë në Greqi e duan të dëgjojnë disa formula greqisht. U thashë, po kur ishin në Greqi këta zotërinj e zonja pse nuk u kërkonin priftërinjve grekë të mbanin meshën pjesërisht dhe në shqip? Po në fshatrat përtej Gramozit dhe në gjithë Çamërinë, ku ka shqiptarë autoktonë pse nuk u është dhënë kurrë e drejta të mbajnë meshën në gjuhën shqipe? Nuk më dhanë asnjë përgjigje e unë vijova: Sipas logjikës së këtyre grekomanëve të sotëm, u dashka që ne korçarët që vijmë nga Amerika e ata që vijnë nga Italia, Gjermania etj duhet të kërkojnë që mesha të mbahet pjesërisht dhe anglisht, italisht, gjermanisht, etj. Kjo që po ndodh në këtë katedrale të Korçës, nuk ndodh në asnjë vend tjetër të Europës, është thjesht shovinizëm grek. Kundër këtij shovinizmi luftuan rilindasit tanë dhe e kthyen gjuhën e kishës në shqip, kurse ju po lejoni të kthehet mbapsht historia. Do t’i ankohem Hirësisë së Tij Imzot Joan Pelushit, Kryepeshkopit të Kishës Shqiptare Ortodokse. Dhe kur të kthehem në Amerikë do ta bëj problem tek Federata Pan Shqiptare Vatra e Fan Nolit tonë të pavdekshëm…

Me Vjollcën shkuam tek varrezat, vendosëm lulet tek varret e prindërve dhe sollëm në mendje kujtimet tona për ta. Shkuam dhe tek varri ku prehej Ladi (Vladimir Naçi) vëllai i dytë i motrave Naçi.

Kozeta kishte përgatitur drekën te shtëpia, në lagjeja e jashtme e Korçës, ish-fshati Barç, ku ajo me të shoqin janë sistemuar pasi u kthyen nga kurbeti nja 15 vjet më parë. Ata blenë një shtëpi të vjetër rrëzë malit, me kopsht e bashtë, të cilën Kiçua me duart e tij e ka kthyer në vilë. Ka mbjellë pemë frutore, kultivon dhe zarzavate të shumta bio. Aty ke qejf të rrish jo disa orë sa për një drekë, por me ditë. Kur fjetëm një natë atje, unë e Julia disa vjet më parë, jemi kënaqur, sikur fjetëm në Voskopojë. Në mëngjez na zgjuan këngët e bilbilave dhe kanarinave. Dallëndyshet vinin e iknin me shpejtësi për të ushqyer të vegjlit që i prisnin gojë hapur. Kurse qeni na përshëndeti disa herë duke u ngritur në dy këmbët e prapme, kurse dy të parat i bashkonte para fytyrës, sikur bënte lutje. Natyra dhe ambjenti i këndshëm, si dhe bujaria e të zotëve të shtëpisë, e kanë kthyer këtë vilë në një teqe, ku vemë të gjithë për vizita herë të shkurta e herë të gjata. Aty shkojnë një herë në vit, ose më shpesh, dy djemtë dhe vajza e tyre me gjithë fëmijët. Olsi me nusen dhe Teon venë nga Greqia e afërt, Adoni nga Gjermania dhe Odeta me vajzën e djalin nga Anglia, si dhe motrat e vëllezërit e Kozetës e të Kiços nga Greqia e Amerika. Kozeta lodhet, por lodhja e saj shpëlahet shpejt nga gëzimet dhe emocionet që krijohen gjatë vizitave të njerëzve të gjakut. Kurse ne këtu në Amerikën e largët ndjejmë boshllëk në shpirt, na merr malli të na vijë njerëzit tanë.

Unë me Julian sa herë kujtojmë shtëpinë e Barçit, e kritikojmë veten që nuk ndoqëm dhe ne rrugën e Kozetës pas daljes në pension, po qëndruam në Worcester MA, ku po na dërrmon lagështia e oqeanit dhe të ftohtit e hidhur gjatë dimrit. Tani është shumë vonë për ta bërë një lëvizje të tillë…

Kozeta kishte pjekur një pulë fshati, kishte bërë dhe një lakror me qepka të njoma të kopshtit. Nga kopshti kishte mbledhur dhe gjethet e marules për sallatën. Verën e kishte blerë Argjiri. Gjatë gostisë ngritëm një dolli, duke thënë: “Të rrojmë e t’i kujtojmë prindërit dhe vëllezërit e motrat që janë larguar nga jeta!”.

Pas disa minutash biseda kaloi, si zakonisht, në politikën e brendshme. Unë vura në dukje ndryshimet e mëdha që bien në sy në ndërtimet cilësore të qyteteve dhe fshatrave, si dhe në rritjen e turizmit. Pastaj urova familjen Gjata për zgjedhjen e vajzës së tyre, Romina, deputete e Korçës.

-“Kjo nuk është gëzim vetëm për ju, shtova unë, por për mbarë familjet tona. I lumtë Rominës që punon me përkushtim dhe i rri larg korrupsionit! Kam parë në TV disa intervista të saj. Flet rrjedhshëm e qartë. Më ka tërhequr kultura e lartë e të folurit. Më është dukur sikur dëgjoj ndonjë pushtetare europiane, ose amerikane.”

Të nesërmen, bashkë me motrën time Margarita, bashkëshortin e saj Dr. Piro Bimbli dhe Z. Arian Trebicka, shkuam në Vithkuq, me makinën e Arianit. Drekuam te restorant-hotel “Grabocka”. Një gosti modeste për të kujtuar motrën e madhe, Pandora, që kishte punuar atje dy vite shkollore (1952-1053; 1953-1954), si mësuese matematike në shkollën 7-vjeçare.

Ushqimet e këndëshme e të shijshme dhe vera e kuqe që kishte nxjerrë Ladi vitin e kaluar, e ndezën muhabetin. Bashkëshortja e pronarit të hotel-restorantit, është një kuzhiniere e talentuar. Ajo gatuan me dashuri e cilësi gjellët, lakrorët, mishrat, ëmbëlsirat, etj. Këto vitet e fundit ka përgatitur djalin si mjeshtër kuzhine. Ndërsa Ladi shkëlqen në ndërtimin e mezeve, turshive, rakisë, verës dhe bulmetrave. Sivjet po e shtojnë sallën e restorantit duke e zgjatur nga ana lindore, sepse kishte pasur raste që i kërkoheshin gosti me më shumë vende sesa merrte salla. Rritja e kërkesave, nxit rritjen e biznesit.

Doktor Pirua, na kënaqi me disa histori gjahu, që i kishin ndodhur gjatë viteve të rinisë së tij, kur marshonte me kilometra nëpër ato male e pyje për të vrarë thëllëza, lepuj, etj. Nja dy prej tyre kam pasur fat t’i shijoj dhe unë të gatuara prej sime motre, gjatë vizitave.

Të gjitha pjatat me mezera e mish keci, ishin të mëdha e të mbushura plot, sa që nuk mundëm t’i mbaronim. Ariani bleu dy kile mjaltë për t’ua servirur pushuesve të hotelit të tij gjatë mëngjezit, që përfshihet në çmimin e fjetjes.

Kësaj radhe nuk pata kohë të flija ndonjë natë tek hotel “Grabocka”. U kthyem mbas dite vonë me stomakun e ngopur dhe mushkëritë plot ozon. Rashë të flija pa ngrënë darkë…

Të nesërmen u takova nga ora 10:00 me dy shokë të gjimnazit, Piro Cepën dhe Pandush Stefanin. Pimë kafen e mëngjezit duke kujtuar ndonjë ngjarje nga vitet e shkollës. Pandushi na mahniti me ngjitjet e tij çdo ditë në majë të Malit të Shën Ilisë mbi Mborje. Na mungoi shoqja jonë Jadi (Jadigjar Merdani Golka), sepse ishte duke lyer shtëpinë e nuk mundi të vinte.

Mbas dy ditësh, kunati i vogël, Argjiri, bashkë me Vjollcën më ftuan të drekonim te “Taverna Agolli” në një nga luginat në të majtë të rrjedhës së Lumit Devoll, 3 km më tej se Maliqi. Më shëtitën me makinën e tyre deri afër Moglicës ku dukej liqeni i krijuar nga diga e re mbi rrjedhën e Devollit. Lugina kishte një gjelbërim të shëndetshëm. Banorët e Lozhanit e të fshatrave të tjerë kishin shtuar shumë rritjen e bletëve dhe tregtonin mjaltë.

Argjiri dhe Vjollca janë amatorë peshkimi. Gjatë muajve të verës dalin për peshkim, herë anës Devollit e herë te rezervuari i madh i Gjançit. Disa herë, kur nuk kapin mjaftueshëm peshq, ndalin për të drekuar në ndonjë nga bujtinat aty pranë. Një nga këto është dhe “Taverna Agolli” ku ndalëm e u kënaqëm me zarzavate të freskëta të kopshtit, me troftë taze të pjekur në zgarë. Zoti Ervin Agolli e kultivon troftën te rezervuari që ka krijuar vetë duke ia prerë rrugën përroit. Vera si zakonisht ishte verë e bërë vetë, pije pa hile.

Uji i ftohtë më bëri ta ndjeja stomakun bosh. Porosita e një pjatë të dytë me mish gici të pjekur në bidon. Mishi ishte si llokume. Mbasi mbaruam së ngrëni na erdhi në tavolinë i zoti i tavernës. Na tregoi historinë si arriti ta krijonte këtë lokal kaq të suksesshëm, ku gjatë muajve maj-shtator, të shtunave e të djelave bujtin rreth 200 persona për dreka. Gjatë dimrit dhe në ditët e javës shkojnë rreth 40-50 bujtës.

“Gjyshi im, filloi të tregonte Ervini, një djalosh 40-vjeçar, kishte ndërtuar një mulli afër grykderdhjes së përroit në Devoll, kurse shtëpitë e vjetra i kishte ngritur ja atje sipër, ku është godina e re dykatshe ku banon familja ime sot. Katin e parë të saj e përdorim si restorant për dasma, si dhe gjatë dimrit, kur e mbyllim tavernën. Gjyshi im, Bektash Agolli, që i ndrittë shpirti, e kishte blerë gjithë këtë luginë të vogëln që shtrihet nga fshati Plovisht e deri te Lumi Devoll. Mirëpo në fillim të viteve 1960-të, ushtria na e shtetëzoi shtëpinë dhe tokat. Krijoi një pikë hapjeje (depo armësh). Gjyshi u detyrua të ngjitej lart në fshat e të hynte në kooperativë. Mbas ndërrimit të regjimit, në vitin 1994, babai im, Ademi, shkoi te zyrat e kadastrës në Korçë dhe u tregoi tapitë e tokës e të shtëpisë. Me gjyq mundi ta rimerrte gjithë tokën e luginës bashkë me godinën e depos ushtarake, të cilën e ktheu në shtëpi banimi e lokal të vogël. Të ardhurat ishin të pakta, popullsia ishte ende e varfër. Ne nuk kishim mundësi të investonim. Unë u detyrova të emigroj në Greqi. Punova për ndërtim pishinash gjatë viteve 2001-2012. U ktheva me mendjen top, që të ndërtoja me kursimet që kisha mbledhur një restorant të vogël, por modern, si ato të Greqisë. Dhe ja, si e shikoni, mund të them se e realizova ëndrrën time: Kam krijuar familje. Me gruan kemi dy djem, dhe të katër punojmë në restorant e tavernë. Kam në plan të blej dhe disa shtëpi druri e t’i vendos në dy anët e përroit, e t’i lidh me një urë në mes. Kështu klientët, vendas e të huaj, mund të vijnë të jetojnë disa ditë, të peshkojnë në Devoll, të shëtisin në luginë, të hanë e të flenë këtu, në këtë pikë pushimi në gji të natyrës, larg zhurmave të qyteteve.

Kurse dy vëllezërit e mij vijojnë të punojnë në mërgim, i madhi në Greqi merret me ndërtime, i mesmi, punon hidraulik në Nju Jork. U janë rritur fëmijët dhe nuk duan të kthehen, por pasi të dalin në pension mund të vijnë të kalojnë disa muaj behari këtu…

U ngritëm dhe e uruam me gjithë zemër: “Të lumtë dhe të vaftë mbarë!”

Unë nxora kuletën të paguaja, por Vjollca kishte mbaruar punë. Gjatë kohës që fliste Ervini, ajo, gjoja se donte të shikonte bidonin ku piqeshin mishrat, kishte takuar kamarjerin dhe kishte paguar.

Gjatë kthimit, kur po i afroheshim Korçës, rreth orës 4:00 PM, Vjollca propozoi të pinim një kafe te resorti i hipizmit “H 3 – House horses & Hilton”, të cilin e ka krijuar miku i tyre, Z. Hilmi Myrtollari. Pastaj ktheu makinën në të djathtë të rrugës. Parkoi makinën dhe na udhëhoqi të hynim tek salla e restorantit, ku takuam të zotin e biznesit dhe zonjën e tij, Daniela.

Mikpritja shqiptare filloi. Daniela la grupin e kamarjereve dhe erdh i hodhi duart në qafë Vjollcës, duke thënë:

– “Nga keni humbur, keni disa javë që nuk na keni dalë.”

Vjollca, si e turpëruar i tha me zë të ulët, se kishin pasur shumë punë këto kohë te zyra e Argjirit, për përkthime dokumentash të disa emigrantëve…

Hilmiu, nga ana e tij na dha dorën përzemërsisht dhe na drejtoi te karriket. U ul bashkë me ne. Argjiri më prezantoi dhe sqaroi se u ndalëm për një kafe. Pastaj shtoi: “Im kunat, Thanasi, ka ardhur nga Amerika për disa ditë. Eshtë vatran dhe ka dëshirë të dëgjojë se si munde të ngresh ti këtë biznes që është pak i përhapur në Shqipëri.

Daniela nuk dërgoi kamarjeren, por erdhi vetë e na pyeti se ç’ dëshironim të pinim. Argjiri e Vjollca kërkuan kafe, unë çaj kamomili. Hilmiu nuk e zgjati. Filloi të tregonte thjesht, shkurt dhe pa emocione:

– “Viti 1992, kur u ndërrua regjimi mua më gjeti djalë të vogël, 10-vjeçar. Jetonim në fshatin Porodinë, babai im ishte kryetar i këshillit. Unë kisha shumë qejf kuajt. Kur u vendos që të ndaheshin pronat e kooperativës, unë iu luta babait: “Mos kërko lopë, e dele, po ki kujdes të marrësh atë kalin dori të kooperativës. Dhe ai ma plotësoi dëshirën, krahas tokave, një lope e dy deleve, mori dhe kalin dori. Babai u tregua largpamës. Vendosi menjëherë të shpërnguleshim në Korçë. Shiti tokat, shtëpinë dhe delet dhe me ato para bleu tek hyrja e Korçës, anës rrugës që vjen nga Voskopoja, një nga stallat e reja të Kooperativës Bujqësore të Korçës, për 1.000.000 (një milion lekë të vjetra). Ishte godinë e re e painaguruar ende. Kështu babai hodhi hapin e duhur në kohën dhe vendin e duhur.

E kthyem stallën në shtëpi, në një anë krijuam një bilardo, shtuam dhe një lopë tjetër. Unë me biçikletë vija tek pallatet pranë u shisja qumshin e 2 lopëve. Pastaj blemë dhe një lopë tjetër. Në vitin 1997 vëllai i madh, Eltoni, 17-vjeçar, shkoi në Greqi ku filloi punën në bujqësi.

Me paratë që mblidhnim nga shitja e qumshtit dhe ato që dërgonte vëllai nga Greqia ndërtuam shtëpinë e re me dy kate dhe një kafene, ku punonte nëna e babai. Në vitin 2000, sa mbusha dhe unë 17 vjetët, u nisa për Selanik të Greqisë. Gjeta punë në një stallë me kuaj garash (hipizëm). Pastroja bajgat, i krehja kuajt, ngrija pengesat kur i rëzonin kuajt gjatë stërvitjeve e garave. Pas një viti sollën dhe disa kuaj të rinj garash. Ishin disi të egër se nuk ishin stërvitur. Asnjë grek, serb, ose çek që punonte atje, nuk guxoi t’i hipte e të kalëronte me ta. Unë, 18-vjeçar guxova. E mora njërin kalë me të mirë, e fërkova dhe e shalova. Ai filloi të përpiqej të më rëzonte, por unë rezistova. Kalërova sa e binda kalin, pastaj e ndala dhe zbrita. Trajneri serb, Zoti Rajko Dokiç erdhi më përgëzoi dhe mori pësipër të më trajnonte. I jam borxhlli se punoi me mua me dashuri e përkushtim. Ai më bëri mësues / trajner të fëmijëve. Kështu punova tre vjet si trajner i fëmijëve për t’i stërvitur në tri stade, secili stad zgjaste një vit. Pastaj më emëruan trajner vetëm për grupin e rritur. Punoja me rrogë të mirë trajneri.

Në vitin 2007 babai filloi ndërtimin e lokalit të ri, restorant, të cilin e mbaroi mbas dy vjetësh, me sallë të madhe dasmash dhe me pishinë. I vumë emrin HILTON duke bashkuar pjesë nga emrat tanë Hilmi dhe Elton. Gjatë vitit 2010 fillova të vija çdo të dielë e të hënë, se i kisha pushim të dy këto ditë të javës. Gjatë këtyre vizitave u njoha me Danielën. U fejuam e u martuam. Dasmën e bëmë në lokalin tonë. Në vitin 2012 erdha për fare në shtëpi dhe fillova punën në restorant. Më 2013 na lindi Dionisi, e më 2019 djali i dytë, Agimi. Në vitin 2018 i blemë këto toka. Shitëm restorantin që kishim dhe krijuam këtë biznes të ri me hotel (12 dhoma gjumi me 30 shtretër), pishinë, restorant me sallë të madhe për dasma, pista për vrapim të kuajve të garve, si dhe stallat përkatëse. Gjashtë kuajt e parë i blemë mëza në Greqi të pastërvitur, se kushtonin lirë. I srërvita unë. Pastaj blemë mëza edhe në Gjermani. Tani kemi gjithsej 30 kuaj. Disa janë pella për mbarështim, disa mëza dhe të tjerët janë kuaj garash, me të cilët marr pjesë në gara kombëtare e ndërkombëtare. Kam fituar shumë medalje, ja ku i kam vendosur mbi banakun e bartenderit. Punojnë dy stallierë, disa kamarjere e një kuzhinier.

Jam i gëzuar se djali ynë i madh, Dionisi, e dashuron hipizmin. Ai, që tani, as 12-vjeç, ka marrë pjesë në 17 gara, ku ka fituar dy vende të dyta e një të tretë me kalin arab Nazirin, 6-vjeçar.

Duke dëgjuar historitë e Ervinit dhe të Hilmiut u mbusha me optimizëm. Edhe dy vjet më parë, kur vizitova gati krejt Shqipërinë, pashë se shumë shqiptarë, bij të lindur e rritur në fshatra, pasi kishin mbledhur në mërgim disa vjet kursimet e tyre ishin kthyer në atdhe dhe kishin investuar. Punonin me këmbëngulje për rritjen e bizneseve të tyre. Me shtëpitë, godinat e bizneseve dhe me hotelet e restorantet e reja që kanë ndërtuar këta ia kanë ndërruar pamjen Shqipërisë.

Fshatari shqiptar ka qenë dhe vijon të jetë bazamenti i kombit shqiptar. Ja konkretisht Ervin Agolli dhe Hilmi Myrtollari, bij fshati, me punët e tyre arritën të ndërtojnë biznese të suksesshme. Të tillë trima meritojnë mirënjohje të mbarë shoqërisë sonë, sepse me vullnetin, zgjuarësinë dhe punën këmbëngulëse nderojnë veten, familjen, fshatin e origjinës, krahinën dhe mbarë kombin shqiptar.

Filed Under: Reportazh

Kur media e hapur, e lirë dhe profesionale goditet me dhunë policore

August 9, 2025 by s p

Prof. Agron Gjekmarkaj/

Ajo që po ndodh sot me mediat “News 24”, “ Panorama”, “Balkanweb” , “Gazeta Shqiptare” është në kufijtë e të pabesueshmes. Sulmi ndaj tyre është grusht në fytyren e çdo qytetari. Mesazhi është i qartë Shqiperia po humbet me shpejtësi atë që ka fituar me shumë mundim dekadë pas dekade duke u ngritur, rrezuar e ringritur. Një media e hapur, e lirë dhe profesionale po goditet me dhunë policore. Kjo qeveri po shkel me këmbë masken e vet të kinse liberalizmit që deri më sot e mbante me shumë zor. Policia në dyert e medias është sfidë ndaj lirisë, heqje dorë nga demokracia si parim, shkelmim i integrimit si ënderr shekullore. Keto janë metoda fashiste e komuniste!

Shqiperia e diktatures ishte me e ndershme në qellimet e veta shtypese nuk fshihej! Ambasadoret e vendosur asokohe në vendin tonë e dinin që ishin në një vend diktatorial e pranonin statusquonë!

Ata që sot punojnë në Tirane duke perfaqesuar vendet e tyre demokratike e perendimore nuk mund të sillen sikur gjinden në një vend anetar të Natos , në një vend që synon anëtaresimin në BE. Sulmi i sotem synon “verberine” e “shurdherinë” e shoqerisë shqiptare.

At Zef Pllumi në deshperimin ku e çuan honet e historisë pat leshuar maksimen “ këtij populli me i shti opangen në gojë nuk bzan”!

Filed Under: Analiza

Argjentina një ëndër e jetuar…

August 9, 2025 by s p

Mihal Ciko/

Vazhdimi i intervistës së parë të Atilio Bleta mbi jetën e diasporës së parë shqiptare në Argjentinë, mbi 100 vjeçare, në këtë numër do kemi intervistën e “vajzës së familjes shqiptare, por që i përket shoqatave shqiptare në Argjentinë, që nga themelimi i shoqatës së parë, kur ishte fëmijë dhe themeluesia dhe organizatoria e shoqatave të reja në vite të ngritura nga diaspora shqiptare. Kjo është Eva Bleta. Vajza e dytë e Sadik Bletës dhe motra e Atilio Bletës.

Eva është me profesion mjeke në Buenos Aires. Lindur dhe ritur në Argjentinë pas bashkimit të mamasë së saj me babanë, Sadikun. 

Ajo ka qenë aktive në shoqatat shqiptare. Dhe sot, në moshë të madhe ajo ruan me fanatizëm arkivën me dokumenta, foto dhe gazetat që flasin për jetën dhe aktivitetin e diasporës shqiptare  në Argjentinë.

Gjatë intervistës së saj ajo na tregon me emocione dhe lotë në sy jetën e vështirë të burrave shqiptarë, që emigruan të vetem, pa gratë e tyre për në Argjentinë. Operatoria ndërpreu disa herë xhirrimet, pasi Eves nuk i mbaheshin lotët. Për mua që vija nga Shqipëria, të cilat i lidhte me kujtimet e saj nga jeta në Argjentinë dhe vizitat e saj në Shqipëri. Sot ajo është në moshë të madhe dhe e ka të pamundur ta vizitojë përsëri dhe aq më shumë të vendosi buqete me lule në varrin e prindërve, që prehen në varrezat e qytetit të Vlorës.

Mirese ju gjetem doktoresh Eva. Sic po shikoj ndjehesh e emocionuar perpara kameres dhe tavolines se mbushur me dokumenta, fotografi nga kujtimet e nje historie te gjate te shqiptareve  dhe vecanerishte te familjes tuaj ne Argjentine.

Gjate intervistes me vellan tuaj Atilion, i cili eshte vellai juaj i vogel, na foli me dashuri dhe krenari per juve. Jeten tuaj familjare dhe angazhimin tuaj ne organizimin dhe drejtimin e shoqatave shqiptare ne Argjentine.  

Do deshiroja, qe ju personalisht te na flisni per jeten tuaj dhe angazhimin me shoqatat shqiptare.

 Unë jam Eva Bleta, jam vajza e shqiptarëve, nënë dhe baba shqiptarë dhe që kur kam lindur, që kur isha ende në barkun e nënës, unë i përkas shoqatave shqiptare. Të gjitha atyre që kanë ekzistuar këtu në vendin tonë. Komuniteti shqiptar, siç tha më parë vëllai im, ka pasur gjithmonë si horizont dhe si qëllim promovimin e kulturës shqiptare, mbajtjen e saj në këtë vend që në atë kohë ishte shumë e vështirë. Ishte një vend në krizë dhe në vitet ’30, përgjithësisht, kur erdhi migrimi i madh shqiptar, nga dekada e 20-30, dhe megjithatë, siç e shprehu vëllai im më parë, edhe pse nuk kishin përgatitje, megjithatë dhe duke e kaluar këtë, ata arritën të krijojnë komunitete ku mbronin me forcë kulturën e tyre, gjuhën e tyre dhe gjithashtu kishin si synim ruajtjen e trashëgimisë që kishin nga paraardhësit e tyre që të 

mbetej këtu, që të mos fshihej këtu në Argjentinë. Shqiptarët në përgjithësi, të gjithë ata që erdhën, ishin burra të vetëm, dhe nuk mundën të formonin familje.

Si vazhdoj jeta e tyre e beqarise?

Kishte shumë pak burra që u martuan me gra, mund të themi, argjentinase, me disa spanjolle, por përgjithësisht ishin burra të vetëm. Ishte shumë e çuditshme të shihje festat në atë kohë. Te tërhiqte vëmendjen kur ishe fëmijë, të shihje festa me shumë burra dhe me pak gra.

Vetmia e tyre qe personale. Po si organizoheshin ata per te mos ndiher vetmin ne nje vend te huaj? 

Shqiptari ishte një person shumë solidar, shumë mikpritës. Duke u nisur nga tiparet e tyre tradizionale, ata krijuan në vitin 1926, siç u tha, shoqatën “Shpresa”, që do të thotë Shoqata e Shpresës, Shpresa është shpresë në spanjisht, dhe ishte një shoqatë mutuale.

Ne nje vend te panjohur dhe mos dija e gjuhes, si e ndihmonin njeri tjetrin per te kaluar veshtiresite ekonnomike dhe strehimin?

Shqiptaret, edhe pse nuk kishin burime, ata siguronin burime nga çdo anë dhe mund të ndihmonin, mund të themi, të mbulonin disa shpenzime për bashkëkombësit që vinin dhe t’i mbështesnin për një periudhë. Do të sjell si shembull babain tim, Sadik Bleta, që në vitet ’30, edhe pse më emocionon pak, duke punuar në punë shumë të rënda, ishte shqiptari i vetëm që kishte punë, dhe në dhomën e tij. Sepse ata jepnin dhoma me qira në ato konvikte, që ekzistonin. Ai jepte ushqim për 14 shqiptarë. Ai kishte punë, në atë kohë gërmonte për trotuarët, gërmonte për trotuarët që ishin gërmuar për t’i ulur. Bënte këtë punë dhe ishte krenar për të, sepse thoshte “se asnjë shqiptar nuk kishte shkuar të hante në kuzhinën popullore”. 

Sepse këtu, në vitin ’30, kishte një krizë shumë të rëndësishme, jashtëzakonisht të rëndësishme, që njerëzit nuk kishin për të ngrënë dhe kishte dalë ushtria në rrugë dhe po përgatiste ushqim me çadra. quheshin kuzhinat e ushtrisë, përgatisnin ushqim dhe aty shkonte populli për të ngrënë.

Babai im ishte krenar për këtë. Ai punonte dhe bashkëkombësit e tij i thoshin që nuk kishin shkuar aty për të ngrënë, sepse kjo ishte një turp.Gjithmonë e thoshte këtë, për një vend si ky, me kaq pasuri. Ishte një turp që njerëzit nuk dinin si të jetonin. Ky është një shembull i mundimit të të gjithë shqiptarëve, sepse megjithëse ata mendonin se “do të bënin Amerikën”. Por, “të bësh Amerikën” do të thotë të vish këtu, sepse këtu ata grumbullonin para me grushte. Ata nuk mundën ta bëjnë këtë. Në të vërtetë nuk mundën ta bëjnë këtë. Ata duhej të luftonin shumë për të mbajtur familjen e tyre.

Kështu që ata u organizuan, siç tha edhe vëllai im sot, u organizuan dhe arritën të krijonin një shoqatë, që ishte kjo Shoqata “Shpresa”, ku kishte një numër të madh anëtarësh dhe nga kjo shoqatë, që ishte një mutuale, ashtu quhej, ata mund të ndihmonin bashkëkombësit.

Si vazhdoj jeta kolektive e shqiptareve ne shoqate. Sa ndikoj ajo ne permiresimin e jetes se tyre?

Pas shumë vitesh Shoqata “Shpresa” në vitin 1944, tashmë, situata ishte përmirësuar për shqiptarët dhe disa ndjenë se nuk kishte kaq shumë nevojë për të ekzistuar, kështu që u ndanë dhe formuan një tjetër shoqatë, që ishte Shoqata “Skenderbeu”. Mbetën pak anëtarë në Shoqatën “Shpresa” dhe më vonë, pas disa vitesh, këta pak që mbetën formuan Shoqatën “Fëmijët e Shqipërisë, Viktimat e Chiprës”. Kështu quhej shoqata. Kjo zgjati një kohë të gjatë. Kjo ndarje mes shqiptarëve kishte arsye të ndryshme: politike, por gjithsesi, qëllimi ishte gjithmonë i njëjtë, të vazhdojnë të mbajnë dhe të lartësojnë flamurin e Shqipërisë në Argjentinë.

Në vitin 1954, rreth atij viti, nuk kam datën e saktë, erdhën dy delegatë nga Shqiperia në Argjentinë. Delegatë të qeverisë shqiptare, ishin delegatë komercialë, dhe ata arritën të bashkojnë të dyja shoqatat. Pas disa takimesh, ata bashkuan disa shoqata. Kjo është një foto e mirëseardhjes së delegatëve në portin e Buenos Aires.

Nga informazioni qe na dha Atilio, ne kete periudhe u themelua shoqata “Skenderbeu”.

Nga ajo kohe u zhvilluan aktivitete shumë të rëndësishme në shoqatën “Skënderbeu”. Mendoj se një nga prioritetet ishte të kishin një vend ku mund të mblidheshin, ku mund të qëndronin, ku mund të nxisnin lidhje më të forta miqësie, solidariteti. Për këtë, sepse ata në të vërtetë jepnin me qira dhoma shumë të vogla në vende të ndryshme, këtu në Barracas, që është vendi ku jemi tani, në një lagje të kryeqytetit.

Ne vendin ku jemi tani, ne lagjen Barracas, u themelua shoqata “Skenderbeu”. Si mund te krijonit mundesine per te  marr kete ndertese. Si e ralizuat?  

Pra, po tregoja se të dyja shoqatat u bashkuan dhe morën emrin Shoqata Patriotike Shqiptare”Skënderbeu”.
Kjo shoqatë nuk kishte një vend të vetin, le të themi, prandaj merrte me qira vende shumë të vogla. Shqiptarët ndjenë nevojën për një hapësirë ku të mblidheshin për të mbledhur sa më shumë njerëz, një hapësirë të tyren. Mendoj që ata e ndjenë këtë, sipas interpretimit tim, apo jo?! Si një vend që ishte si barku i nënës. Gjithmonë them se shoqata shqiptare ishte barku, ishte dhe është për ne, pasardhësit e shqiptarëve. Sepse aty bashkoheshin të gjitha emocionet, mendimet, diskutimet dhe gjithçka që mendonin. Gjithmonë duke menduar për Shqipërinë dhe gjithmonë duke menduar gjithashtu, për t’u kthyer në vendin e tyre. Kur ata festonin fundin e vitit, gjithmonë thoshin: “Vitin tjetër në Shqipëri”. Kjo ishte shpresa e tyre. Për këtë arsye, organizuan një mbledhje fondesh, dhe unë kam arkivin e asaj mbledhjeje, që tregon shumën e parave që dhanë shqiptarët, secili prej tyre, për të blerë një shtëpi. Shtëpia ishte një ndërtesë e vjetër, një lloj konvikti.
Këtu është një pjesë e saj, dhe ky libër është plot me donacionet e bëra nga të gjithë, sipas mundësive financiare që kishin.

Nuk kërkohej një shumë e caktuar, thjesht kërkohej ndihma e të gjithë bashkëkombësve për të kontribuar me para, në mënyrë që të mund të blinim këtë hapësirë. Kjo hapësirë, që ishte një shtëpi shumë e vjetër, siç e kishte përmendur vëllai im, më pas u ndërtua si sallë. Dhe për të ndërtuar këtë sallë, dua të tregoj një anekdotë:
Ishte një proces i gjatë për të mbledhur sërish fonde. Babai im, që ishte i shtruar në spital pas një operacioni, propozoi që të kërkohej nga njerëzit të kontribuonin duke paguar për metra katrorë ndërtimi, për të nisur punën. Minimumi që mund të kontribuohej ishte për një çerek metri katror.

Përmbledhtas, u mblodhën mjaftueshëm para dhe ndërtimi i sallës u realizua.
Kjo ndodhi në vitin 1959.

Si e demostronin shqiptaret atdhedashurine, patriotizmin per vendin e tyre nepermjet shoqates?

Ideja e shqiptarëve ishte gjithmonë të mbronin atdheun e tyre, gjithmonë, gjithmonë. Gjithmonë mbronin rrënjët e tyre.
Për shembull, gjatë pushtimeve të Musolinit në Shqipëri, u organizua një manifestim i madh në Buenos Aires.
Shqiptarët dolën në protesta, marshuan dhe kërkuan çlirimin e Shqipërisë. Tre shqiptarë, midis tyre Koço Koçi, kumbara im, Llazo Koçi dhe Foto Jani, dhanë një intervistë për gazetën “Noticias Gráficas”. Një gazetë e njohur e kohës.
Në atë intervistë, ata shpjeguan të gjitha ngjarjet që po ndodhnin në Shqipëri, duke mbrojtur territorin shqiptar nga synimet e Musolinit për ta aneksuar në perandorinë e tij.

Shqiptarët, siç them gjithmonë, pasi rrjedhin nga popuj barbarë, kanë qenë gjithmonë luftëtarë dhe gjithmonë kanë luftuar për të drejtat dhe detyrimet e tyre.
Kanë qenë njerëz shumë mikpritës dhe shumë të ndershëm. Kjo është gjithashtu një karakteristikë e shqiptarëve të asaj kohe.

Ndershmëria, përpjekja, sakrifica, përkushtimi ndaj punës, besnikëria dhe respekti për të tjerët ishin vlera të tyre kryesore.
Gjithashtu, ata nderonin heroin tonë të madh, gjeneralin San Martin. Çdo përvjetor të vdekjes së San Martinit, ata bënin një homazh, duke vendosur një kurorë me lule në monumentin e tij në Plaza San Martín. Kjo traditë ndiqej vazhdimisht.

Duke qene se emigrandet e pare erdhen nga nje vend analfabet dhe aq me shume, ne Argjentine qe nuk dinin gjuhen e vendit, si hariten te publikojne aktivitetet e shoqates dhe te proklamonin thirrjete tyre per Shqiperine?

Shqiptarët e asaj kohe, shumë prej të cilëve nuk kishin arsim, u përpoqën shumë dhe mësuan të lexonin dhe të shkruanin këtu në Buenos Aires.
Disa prej tyre, fatkeqësisht, vdiqën analfabetë. Megjithatë, ata ishin njerëzit që krijuan një gazette. Një arritje e pabesueshme për atë kohë.

Ata botuan një gazetë për shumë vite, e cila shpërndahej falas për të gjithë anëtarët e Shoqatës Shqiptare.
Gazeta mbërrinte me postë në shtëpitë e anëtarëve dhe shpjegonte situatën në Shqipëri.
Ishte kryesisht e shkruar në shqip, për të ruajtur gjuhën tonë amtare.

Përveç kësaj, përshkruanin ngjarjet sociale dhe kulturore të komunitetit.  

Ata vetë shkonin në shtypshkronjë për të punuar për shtypjen e gazetës.
Ishte një punë artizanale dhe e mundimshme, shumë ndryshe nga proceset moderne të sotme.
Në gazetë kishte artikuj nga autoritetet shqiptare dhe shumë të tjera.

 Një tjetër gjë që dua të përmend është se Shoqata Patriotike Shqiptare “Skënderbeu”  kishte që në fillimet e saj personalitet juridik.
Kjo do të thotë që ajo ishte e njohur zyrtarisht nga qeveria argjentinase. Përmbushja e kërkesave ligjore ishte një detyrë, që shqiptarët e përmbushnin me përpikemeri.

 Sot jemi gati nje shekull nga mbritja e emigrandeve te pare ne Argjentine. Qene ata, qe krahas veshtiresive per mune dhe jetese, u organizuan dhe krijuan shoqatat e tyre, ku mblidheshin dhe diskutonin dhe festonin festat tradizionale shqiptare.

Juve jeni brezi i dyte i prindeve tuaj dhe krahas tyre, ndihmuat dhe kontribuat ne organizimin e shoqatave. Ishit brezi i pare qe u shkolluat dhe aktivitetet kulturore , patriotike dhe publikimi ne media u be me cilesor dhe me pati ndikim me te madh ne opinion.

Keni nje arkive ku brezat e rinj te shqiptareve te njihen me historine e gjysherve  dhe prinderve te tyre?

Dua t’ju tregoj disa kartela të vjetra anëtarësimi nga ajo kohë. Këto kartela ruhen në arkivin e shoqatës dhe tregojnë anëtarësitë e para.

Pas disa vitesh, shoqata kaloi një periudhë me pak anëtarë.  Shumë shqiptarë vdiqën dhe mbetën pak fëmijë shqiptarësh.
Brezat e dytë dhe të tretë ishin më pak të lidhur me shoqatën. Disa fëmijë shqiptarësh gjithashtu, vdiqën me kalimin e viteve.

Për disa vite, aktivitetet e shoqatës u pezulluan. Megjithatë, shoqata nuk u shuha kurrë plotësisht.

Pas disa vitesh, ajo u ringjall përsëri.
Në nëntor dhe dhjetor të vitit 2020, shoqata rifilloi aktivitetet e saj. Shoqata arriti të publikonte përsëri një gazetë të vogël, e cila botohej dy herë në vit dhe shpërndahej falas.
Një numër botohej për përvjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, dhe tjetri për përvjetorin e qeverisë së parë kombëtare të Argjentinës, më 25 maj.

Në përvjetorin e 60-të të Shoqatës Shqiptare, u organizua një festë shumë e rëndësishme. Ishte një ngjarje e madhe me ftesa dhe shumë pjesëmarrës.
Këtu është një foto e shtëpisë së vjetër shqiptare, ku filloi gjithçka. Në atë festë, u ftuan autoritete dhe përfaqësues të shoqatave të tjera. Morën pjese rreth 300 njerëz. Ishte një festë e mrekullueshme, plot emocione dhe kujtime.

Si funksiononte shoqata?

 Shoqata shqiptare gjithashtu kishte një komision të grave, e cila ndihmonte në organizimin e aktiviteteve kulturore.
Gratë përgatisnin ushqime për mbledhjet e komisionit drejtues dhe organizonin shumë aktivitete.

Si organizohej permovimi i traditave shqiptare ne shoqerine argjentinase dhe komunitetet e tjera te emigrandeve?

Që nga viti 2020, Shoqata Shqiptare ka marrë pjesë në shumë aktivitete publike, duke përfshirë panairin e madh të komuniteteve në Argjentinë. Në panairin e Buenos Aires-it, ne prezantuam një stendë, ku ofronim produkte tradicionale dhe ushqime shqiptare. Një pjesë shpërndahej falas, ndërsa një pjesë tjetër shitej për një çmim simbolik.

Në atë kohë, unë isha presidente dhe vishesha me kostume tradicionale shqiptare.
Kemi shumë foto nga ato vite që tregojnë stendën tonë të bukur dhe tërheqëse.

 Një nga misionet tona ishte të promovonim Shqipërinë dhe kulturën shqiptare.
Shpjegonim vend-ndodhjen e Shqipërisë dhe flisnim për historinë dhe traditat tona. Panairi zgjaste dy ditë dhe ne morëm pjesë çdo vit për dhjetë vite rresht.

Me vdekjen e prinderve tuaj dhe emigrandeve te pare, ardhur ne Argjentine, si i kishit mardheniete me atdheun, Shqiperine?

 Gjatë viteve, kemi ndërtuar lidhje më të forta me Shqipërinë. Autoritete shqiptare na vizituan dhe ndërtuam marrëdhënie të rëndësishme.
Kam bërë disa udhëtime në Shqipëri, përfshirë një të organizuar nga Ministria e Jashtme Shqiptare.

Për mua, vizitat në Shqipëri janë gjithmonë emocionale, sepse aty është e gjithë familja jonë.
Gjatë një prej këtyre udhëtimeve, çuam hirin e prindërve tanë në Shqipëri. Ata gjithmonë kishin dëshiruar të preheshin në tokën shqiptare, dhe ne arritëm ta përmbushnim këtë amanet.

 Prindërit tanë tani prehen në varrezat e Vlorës, dhe ne ndiejmë paqe që ata janë në vendin që gjithmonë e donin.

Besoj edhe juve jeni krenare dhe te qete, qe realizuat porosine e prinderve tuaj, qe pas vdekjes te prehen te qete ne token meme, andej nga u nisen per ne Argjentinen e larget. Kjo ju mbane me te lidhur me Shqiperine dhe te afermit tuaj atje.

Ajo që ndiej është shumë e thellë, sepse të gjithë kemi një ndjenjë shumë të thellë për Shqipërinë. Jam shume e emocionuar per te gjithe kete. Dhe duke perfunduar dua te falenderoj thellesisht per kete mundesi qe me dhate per te treguar pak nga historia e Shqiperise. Kur udhëtova për herë të parë në Shqipëri, ndjeva se isha ndarë në dy. Sikur të ishim dy persona, dhe kur arrita në Shqipëri dhe preka territorin shqiptar, thashë, “Mirë, tani jam një”.

Mirë, faleminderitshumë

V.o.

Shkrimi ka te drejten e autorit dhe nuk lejohet te perdoret nga te tjeret.

Mihal Ciko

Gazetar & Regjisor

Tel: +39 327 631 4691 / +355 69 22 79 664

Mail: cikomihal2002@hotmail.com

Adrese: Via, Quasimodo,14

             Code: 61012 Civitanova Marche (MC)  Italy

Filed Under: Politike

Besa Imami, lirizmi, tragjizmi dhe bota shpirtërore që i dhanë skenës shqiptare një individualitet unik artistik

August 8, 2025 by s p

Në historinë e artit skenik shqiptar, disa emra nuk janë thjesht artistë – ata janë gurë themeli, zëra të ndërgjegjes kombëtare që e ngritën skenën në një altar të shpirtit, duke i falur asaj pasionin, përkushtimin dhe forcën e artit që mbijeton kohën. Ndër ta, Besa Imami zë një vend të veçantë: një figurë përfaqësuese, e ndritur dhe e përkushtuar, që shenjtëroi skenën dhe e sublimoi komunikimin me publikun në një akt të thellë shpirtëror.

Ajo nuk ishte thjesht aktore – ishte një jetë e mishëruar në skenë, një dramë që filloi në Gjakovën e vitit 1928 dhe u rrit nën hijen dhe dritën e një formimi familjar të ndjeshëm ndaj dijes dhe artit. Në moshë fare të njomë, recitonte poezi që ia mësonte i ati, një mësues i nderuar, i cili u shua nga tuberkulozi, duke lënë pas një barrë të rëndë, por edhe një forcë që më vonë do të derdhej në fuqinë dramatike të interpretimeve të saj.

Lufta e gjeti Besën “debatikase”, një vajzë e re që, si shumë të tjera të kohës, nuk pati luksin të zgjidhte, por vetëm të qëndronte. Me një vëlla të vrarë dhe një familje të përbërë nga pesë fëmijë, e drejtuar nga një nënë me besim të patundur, u rrit vajza që më vonë do t’i jepte shpirt heroinave shqiptare.

Në vitin 1946, takimi i saj me artin skenik ndodhi krejt rastësisht. Teksa punonte në Kryeministri, u zbulua dhe u ftua nga Pandi Stillu për t’u bërë pjesë e trupës së Teatrit Popullor, ku ndoqi një kurs dyvjeçar për aktorë. Roli i saj i parë ishte Natasha në dramën Portreti, për të vijuar me një rol kryesor në Çështja ruse, ku shpalosi menjëherë potencialin e saj artistik.

Që në hapat e parë ajo dëshmoi një ndjeshmëri dhe fuqi të jashtëzakonshme interpretative. Ishte ajo bashkëjetesë e rrallë mes lirizmit dhe tragjizmit, mes tonalitetit të thellë të zërit dhe dritës së brendshme, që e bënin praninë e saj në skenë të padiskutueshme. Ishte më shumë se teknikë – ishte shpërthim emocional, ishte e vërteta e rolit që merrte formën e saj.

Sipas Drita Agollit, që shkroi me ndjeshmëri për të: “Lirizmi e tragjizmi i saj, bota shpirtërore dhe me emocione të furishme, që shpërthenin në tërë psikofizikën e saj dhe në tonalitetet e veçanta të vokalit të plotë e të thellë, menjëherë ndihmuan në krijimin e një individualiteti të qartë artistik.”

Në galerinë e gjerë të personazheve që interpretoi, rreth 90 role, gjejmë emra të tillë si Klara Gaber në Gjergj Dimitrovi, Mbretëresha Teuta në Artani, Nëna në Monserati, Prenda në Cuca e Maleve, Tatiana në Mikroborgjezi, Rusha në Halili dhe Hajria, apo Nënë Zyraja në Bashkë me agimin. Ajo i donte të gjitha rolet si fëmijë të vetin. Në çdo shfaqje nuk lëshonte vetëm zë, por frymë, një aktore që jetonte për skenën dhe në të.

Edhe pse e përqendruar kryesisht në teatër, kinematografia shqiptare nuk mund ta anashkalonte. Roli i saj si Donika në filmin e parë shqiptar Skënderbeu (1953) mbetet një nga përfaqësimet më të denja të gruas shqiptare në ekran. Më pas erdhën Radiostacioni, Brazda, Në fillim të verës, e shumë të tjera. Zëri i saj, i pranishëm edhe në radiodramë dhe fjalën artistike, ruante emocionin edhe në mungesë të pranisë fizike.

Në moshën 33-vjeçare, ajo u nderua me titullin “Artiste e Merituar”, një nga të parat që e mori këtë vlerësim për kontributin e saj të spikatur. Gjatë karrierës u vlerësua me medalje, urdhra e çmime, por asnjë nuk mund ta përmblidhte tërësinë e asaj që ajo i dha skenës dhe publikut shqiptar.

Nga shtatori i vitit 1946 deri më 1 shtator 1988, kur doli në pension, Besa Imami i dha teatrit shqiptar rreth 80 role, duke u shndërruar në një figurë kyçe të skenës kombëtare. Kontributi i saj u nderua edhe nga vendlindja, Gjakova, e cila, me propozimin e Fondacionit Kulturor Mbarëkombëtar “Nermin Vlora Falaschi” dhe mbështetjen e Drejtorisë Komunale të Kulturës, si dhe të kryetares së Komunës, znj. Mimoza Kusari Lila, e vlerësoi me titullin “Nderi i Skenës Shqiptare”.

Fatkeqësisht, si shumë figura të mëdha të artit shqiptar, edhe ajo nuk mori gjithmonë vlerësimin institucional që meritonte. Por populli nuk e harroi. E njohu, e deshi, e përjetoi. Letrat, përshëndetjet, kujtimet – të gjitha dëshmojnë për dashurinë e ndërsjellë mes saj dhe publikut. Ishte një aktore që jetoi për të tjerët, që e shkriu veten për të rrëfyer botën.

Nga jeta dhe sfidat

Besa Imami lindi në një familje me rrënjë të thella kulturore dhe shpirtërore në Gjakovë. E bija e arsimtarit dhe atdhetarit Ferid Imami, që vinte nga një familje me të drejtën e imamnisë në Xhaminë e Hadumit – trashëgimi që u ndërpre me vdekjen e gjyshit të saj Mehmetit, pasi të bijtë ndoqën rrugën e dijes dhe arsimit. Ferid Imami shërbeu si mësues në Malësinë e Gjakovës, në Lumë dhe Dibër, duke qenë edhe mbështetës i lëvizjeve të Bajram Currit në fillimshekullin XX.

Kur ai vdiq më 17 dhjetor 1937, Besa mbeti jetime e vogël. Së bashku me nënën, Behixhen, dhe vëllezërit e motrën – Besimin, Bedrinë, Fatmirin dhe Lirijen – u shpërngulën nga Gjakova për në Tiranë. Në këtë realitet të ri, përkundër sfidave, ajo nisi të ndërtonte identitetin e saj artistik dhe qytetar. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, u angazhua në grupet rinore dhe u bë pjesë e organizatës antifashiste “Debatik”, duke dëshmuar një përkushtim të hershëm ndaj idealeve të lirisë dhe drejtësisë.

Në jetën personale, Besa u martua me përkthyesin dhe studiuesin Petro Zheji. Nga kjo martesë lindi djali i tyre i vetëm, Arturi, në vitin 1961. Pas 15 vitesh bashkëjetese, ata u ndanë.

Aktorja u nda nga jeta më 21 shtator 2014, në banesën e saj në Tiranë, pas një sëmundjeje të gjatë. Me një trashëgimi të gjerë artistike dhe një jetë të përkushtuar ndaj artit, ajo mbetet një nga figurat më të paharrueshme të skenës shqiptare, një grua që lindi në udhëkryqin e thirrjeve shpirtërore dhe kombëtare, dhe që përmes talentit të saj e ktheu teatrin në një tempull të vlerave njerëzore.

Albert Vataj

Filed Under: Kulture

𝐈𝐧 𝐦𝐞𝐦𝐨𝐫𝐢𝐚𝐦 𝐭𝐞̈ 𝐯𝐮𝐚𝐣𝐭𝐣𝐞𝐬 𝐬𝐞̈ 𝐬𝐡𝐪𝐢𝐩𝐭𝐚𝐫𝐞̈𝐯𝐞 𝐦𝐞̈ 𝟕-𝟖 𝐠𝐮𝐬𝐡𝐭 𝟏𝟗𝟗𝟏

August 8, 2025 by s p

– 𝗖̧𝗳𝗮𝗿𝗲̈ 𝗻𝗱𝗼𝗱𝗵𝗶 𝗻𝗲̈ 𝗯𝗼𝗿𝗱𝗶𝗻 𝗲 𝗮𝗻𝗶𝗷𝗲𝘀 “𝗩𝗹𝗼𝗿𝗮” 𝗱𝗵𝗲 𝗻𝗲̈ 𝘀𝘁𝗮𝗱𝗶𝘂𝗺𝗶𝗻 𝗲 𝗕𝗮𝗿𝗶𝘁!

(Një histori e vërtetë)

Nga Dr. Bledar Kurti

Në atë verë postkomuniste të vitit 1991, liria erdhi si një tundim i ëmbël dhe joshës, por shumë shpejt u kuptua që pa katarsis çlirimi nga një regjim, sado i egër e mizor të kish qenë, nuk garantonte liri. Me sa duket, ferri nuk kishte qenë i mbushur vetëm me demonët që kishim lënë pas. Ferri ishin edhe njerëzit e tjerë.

Te vepra Huis Clos (Me dyer të mbyllura) Jean Paul Sartre shkruan: Ferri janë të tjerët!

Në këtë vepër, tre shpirtra të mallkuar, Garseni, Inesi dhe Estela, përfundojnë në një dhomë në ferr. Në vend të torturave të tmerrshme ndëshkuese, gjejnë një dhomë të modeluar në stilin perandorak francez. Ata kuptojnë se nuk kanë përfunduar në atë dhomë rastësisht dhe janë aty pikërisht për ta bërë njëri-tjetrin të mjerë. Për të ofruar ferrin te njëri-tjetri. Ndaj edhe vepra mbyllet me: FERRI JANË TË TJERËT!

Anija Vlora e nisur më 7 gusht 1991 nga Porti i Durrësit, dhe ajo çfarë ndodhi në stadiumin e Barit më 8 gusht, janë ndër ilustrimet më tragjike të ferrit të shkaktuar nga të tjerët, pra nga vetë ne. Elementi më tragjik i atij eksodi ishte ferri që i shkaktuam njëri-tjetrit.

Perdja e hekurt kishte rënë, por ne ende vazhdonim ta bënim njëri-tjetrin të mjerë. Ndoshta pa asnjë arsye. Ndoshta thjesht sepse dinim. Ku ishte vëllazëria e bashkëvuajtësve? Ku ishte solidariteti? Torturuesit nuk ishin më, përse nisëm të torturojmë njëri-tjetrin? A fshihet brenda njeriut dëshira për t’u ushqyer me dhimbjen e vëllait? Përse eksitohet e përndizet viktima kur viktimizon të tjerët? Pra, ferri janë të tjerët.

Disa elementë të atij eksodi janë mbajtur të pathëna si në media ashtu edhe në diskutimet e hapura publike.

Historia nis me atë çfarë ndodhi në bordin e anijes Vlora më datë 7 gusht 1991.

𝐑𝐫𝐞̈𝐟𝐢𝐦 𝐫𝐞𝐚𝐥 𝐧𝐠𝐚 𝐩𝐞̈𝐫𝐣𝐞𝐭𝐢𝐦𝐢 𝐢 𝐛𝐚𝐛𝐚𝐢𝐭 𝐭𝐢𝐦 𝐀. 𝐊𝐮𝐫𝐭𝐢:

Të etur e të përvëluar nga dielli, njerëzit u vërsulën në kuzhinën dhe mensën e anijes. Aty kishte punonjës që u jepnin njerëzve vetëm një garuzhde me ujë për person. Pasi uji mbaroi, të tjerët mbetën pa pirë deri të nesërmen kur arritën në Itali.

Nuk e kuptuam se çfarë kishte ndodhur, por në bord të anijes kishte ushtarë të vrarë të cilët ishin të mbuluar me batanije. Poshtë në hambar kishte tonelata me sheqer dhe mbi kapakët që mbulonin hambarin gjendeshin disa ushtarë të vrarë. Ne i dalluam menjëherë që ishin ushtarë nga spaletat dhe qethja e flokëve. Ajo anije po lundronte me njëzet mijë njerëz në kërkim të një jete më të mirë, ndër ta shumë gra shtatzëna dhe fëmijë. Por ai ishte udhëtim makthi. Shumë burra dhe gra u hodhën në det nga njerëz të panjohur. Gjatë natës dëgjonim ulërima dhe shumë banda të armatosura me thika të gjata tmerronin njerëzit. Trauma e eksodistëve dhe smerilimi i lirisë që kishim ëndërruar nisi që në bordin e anijes.

Me të arritur në bregun italian, rojat bregdetare do ta patrullonin rreptësisht anijen Vlora dhe ende pa u ankoruar në kalatën e portit, njerëzit nisën të hidheshin në det për të shuar të nxehtin që u kishte pushtuar trupin. Isha në gjendje të fikëti. Diellin e kisha mbi kokë. Nuk munda të duroj më dhe u hodha nga dymbëdhjetë metra lartësi. Kur preka ujin, forca e hedhjes më çonte thellë e më thellë nën ujë. Luaja këmbë e duar për t’u ngjitur, por vazhdoja të zhytesha. Ngrita kokën lart dhe drita e diellit sa vinte e zvogëlohej, derisa u bë terr. As edhe një rreze drite. Ky ishte fundi, mendova. Kujtova dy djemtë e mi dhe gruan. Nënën time, motrën dhe vëllain. Këmbët dhe duart më ishin mpirë dhe fryma po më mbaronte, megjithatë vendosa të shtyj me çdo muskul të trupit dhe me çdo grimcë të shpirtit të përpiqesha të shpëtoja. Nisa të ngjitem lart. M’u duk një përjetësi. Zot, më trego dritën. Të lutem, më trego dritën. Shtyva dhe u përpëlita derisa pashë një pikë të vogël drite e cila zmadhohej teksa ngjitesha gjithnjë e më shumë. Më në fund, dola në sipërfaqe, si një njeri i ringjallur nga vdekja.

Pas disa orësh na strehuan të gjithëve brenda stadiumit të Barit. Policia italiane e rrethoi stadiumin dhe na hidhte me helikopter ushqime e pije. Ne vërsuleshim si kafshë për të marrë diçka për t’u ushqyer dhe për të shuar etjen. Shpeshherë nuk ia dilnim, pasi kishte disa banda që vrisnin me sëpata e bajoneta këdo që merrte pakot me ushqime. Netët ishin të tmerrshme. Për shkak se ishte muaj i nxehtë, askush nuk e mori me mend që natën do të bënte aq ftohtë dhe ne ishim të veshur me bluza të holla, madje shumë burra ishin gjysmëlakuriq.

Kur erdhi mesnata, bashkë me të ftohtët nisën edhe përdhunimet. Shumë gra dhe vajza u përdhunuan sistematikisht gjatë atyre netëve brenda stadiumit të Barit. Ishte një terror përtej çdo imagjinate. Një dramë e gjallë. Që kur na strehuan brenda në stadium, e gjithë ajo hapësirë kontrollohej nga disa banda shqiptarësh të cilat ishin të armatosura. Madje njëra prej tyre kishte edhe një qen të egër që e mbanin me zinxhir. Si u armatosën, mendova unë. Po këtë qenin e egër ku e gjetën?

Njëra bandë njihej si e Laprakës, të tjerat si të Tiranës. Njëri prej drejtuesve të bandave, të cilat përbëheshin nga shtatë a tetë veta, mbante në kokë një kapelë kaubojsh, ndërkohë që pistoletën e mbante në brez.

Çdo mbrëmje këto banda shkonin nga njëri grup njerëzish tek tjetri, të shpërndarë në shkallët dhe fushën e stadiumit, zgjidhnin gratë dhe vajzat që u pëlqenin dhe i përdhunonin. Në një rast, më thirrën disa të njohur që të shkoja e t’i flisja Kujtimit, i cili punonte në të njëjtën ndërmarrje me mua. E kishin gjetur duke varur veten brenda një magazine nën shkallët e stadiumit. Kur shkova unë, ai ishte me një shkop në dorë me të cilin godiste dyshemenë. Bam, bam, bam dhe vërtitej nëpër dhomë. Bam, bam, bam. Sytë më kapën litarin që ishte ende varur në një tra metalik. E shthura nyjën dhe e mora litarin me vete. I fola, por ai vazhdonte të vërtitej dhe të godiste dyshemenë me shkop. Shoqja e tij me të cilën ishte takuar në anije, ishte përdhunuar një natë më parë. Ndoshta e kishin përdhunuar edhe vetë atë. Sytë e tij përpiqeshin të më thoshin diçka. Unë arrita të lexoja dhimbjen në ta dhe vuajtjen që kishte në shpirt. Por, ashtu si edhe njëzet mijë të tjerët në atë geto, isha i pafuqishëm.

Natën e dytë, teksa po ngrohesha bashkë me disa të tjerë në një zjarr të vogël me kartonë që kishim ndezur në shkallët e stadiumit, disa metra më poshtë ishin disa emigrantë nga Lushnja. Njëra prej bandave të armatosura, e kryesuar nga një burrë trupmadh i cili kishte vënë parukë të gjatë për t?u maskuar, iu afrua njërit dhe nisi ta godiste me shkop në kokë. Unë dëgjoja një tingull të thatë që jehonte deri te ne dhe mendova se ai po godiste shkallët e stadiumit e jo atë, por ajo zhurmë e thatë ishte koka dhe brinjët e lushnjarit. Aman, mos më vrisni. Jam baba i pesë fëmijëve. Ma kurseni jetën. Aman, mos më vrisni. Aman, kush do të ushqejë fëmijët e mi. Mos më vrisni. Mos më vrisni?. E lanë për të vdekur. Nuk e di nëse vdiq apo jetoi.

Adrenalina bëri të vetën dhe emocionet e tmerrit na pushtuan trupin duke na shndërruar edhe ne në bisha. Kur flinim, mbanin hunj e hekura në dorë në rast se na sulmonin. Nuk ishte më Italia ëndrra jonë e madhe, por mbijetesa.

Për shkak se netët ishin të ftohta, njerëzit nisën të thyenin çdo derë që gjenin në kërkim të një mbulese, rrobe apo çadre me të cilat mund të mbanin veten ngrohtë gjatë natës. Dhe ja u gjet një magazinë me materiale sportive ku siguruam mjete rrethanore për të fjetur ngrohtë gjatë natës. Por në atë magazinë kishte edhe gjyle, shtiza, sëpata dhe mjete të mprehta. Me të rënë në duart e bandave, njerëzit brenda stadiumit u shndërruan në shënjestra për rrokje. Shumë njerëz u vranë me shtiza të cilat ua depërtuan trupin tej e përtej. Disa të tjerë me goditje gjyle e sëpata në kokë. Kush mbante në duar ushqime apo rroba, bandat i bënin pritë dhe e godisnin me shkopinj bejsbolli.

Dy ditët e para u vranë shumë njerëz. Të ulur në shkallët e stadiumit, shikonim të tmerruar se si shumë burra dhe gra goditeshin me shtiza në bark, pas shpine apo me gjyle e shkopinj mbi kokë. Më pas hidheshin në cepat e stadiumit dhe mbuloheshin me plastmasë.

Një mëngjes pamë një ushtar që vraponte nga njëra anë e stadiumit tek tjetra dhe bandat e ndiqnin me shtiza në dorë. Ai u shpëtoi shumë shtizave, por njëra prej tyre e zuri dhe e depërtoi mespërmes. Klithma e tij u dëgjua nga të gjithë ne.

Ferr. Ai eksod ishte ferr. Flakët po i ndiznim vetë për njëri-tjetrin.

Ferri janë të tjerët.

————

Anija Vlora kishte 20,000 mijë shqiptarë në bord kur arriti në Bari, pas refuzimit dhe bllokadës që iu bë për t’u ankoruar në Brindisi. 17, 400 prej tyre u riatdhesuan në Shqipëri ose përmes shpërblimit prej pak liretash ose me detyrim (me qenë, forca policie dhe të trasportuar në Rinas me avionë ushtarakë), ndër ta edhe babai im. Qeverisë shqiptare iu dhanë 90 miliardë lireta për ushqime dhe 60 miliardë lireta për industrinë dhe shkollat. Kjo ndihmë u dha që të mos kishte më eksode të tjera. U mbajtën zyrtarisht vetëm 1,500 shqiptarë, vetëm ata që paraqitën kërkesë për strehim politik. Por, gjatë 30 viteve në vazhdim, azili ekonomik dhe kërkesat e shqiptarëve për strehim politik në vendet perëndimore do rriteshin gjithnjë e më shumë.

U larguan nga një vend i mrekullueshëm dhe i bekuar nga Perëndia por i sterrosur nga njerëzia, nga ajo që Jean Paul Sartre e quajti: FERRI JANË TË TJERËT.

Filed Under: Emigracion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 382
  • 383
  • 384
  • 385
  • 386
  • …
  • 2932
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Një Moment Historik për Komunitetin Shqiptar në Chicago
  • Dom Kelmend Spaqi, in memoriam…
  • “Këngë të përshpirtshme të kolonive shqiptare në Sicili”- Giuseppe Schirò
  • “HEDH NJË KAFKË TE KËMBËT TUAJA”!
  • 5th Annual Gjergj Kastrioti Skenderbeu Street Fair
  • E premtja e Gjuhës Shqipe — Një mision përtej oqeanit
  • MËKATET E ZONJËS EMA
  • GAZETA “DIELLI” SYRI I DRITËS SË SHTYPIT SHQIPTAR NE AMERIKË
  • Banda “Vatra” në kontekstin e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane dhe ndërtimit të identitetit kombëtar shqiptar
  • Kullat e familjeve të mëdha patriotike si objekte të trashëgimisë historike
  • ALARM SIGURIE DHE NDËRGJEGJËSIMI KOMBËTAR
  • Edith Durham – Shqiptarët dhe serbomalazezët në 1910-1912
  • Public Statement from VATRA
  • “Universi Biblik” si pasuri e Muzeut të Artit Mesjetar
  • Lavdi përjetë martirëve të 2 prillit!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT