• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KOSOVA DUHET TË BËJË MË SHUMË PËR TË INFORMUAR VETEN DHE BOTËN PËR TË VËRTETËN E HISTORISË SË SAJ TË LASHTË

August 7, 2025 by s p

Nga Frank Shkreli/

Portali që merret me zbulimet arkeologjike, Arkeonews Archaeologists made a remarkable discovery in Kosovo: Evidence that the great Byzantine Emperor was of Dardanian origin – Arkeonews, njoftoi ditët e fundit se në Ulpianë, qytetin e lashtë të Kosovës, është zbuluar një mbishkrim i dytë me rëndësi dedikuar Perandorit Bizantin Justinianit dhe bashkshotrtes së tij, Perandoreshës Teodora. Në zbulimin e parë po aty, tre vjet më heret, grupi i arkeologëve ndërkombëtarë që kryesohet nga francezi Christophe Goddard dhe përfshin edhe arkeologët vendas Arben Hajdari e Milot Berisha, në hulumtimet e tyre shkencore kanë zbuluar një mbishkrim monumental me rëndësi të jashtëzakonshme historike nga Perandori Justinian (527-565) i qytetit Justiniana Secunda. Ai e përshkruan atë qytet si një qytet Dardan, në krahinën e Dardanisë. Qyteti dhe kisha, janë themeluar nga paraardhësi i Justinianit, Diokleciani në fillim të shekullit IV. Ekspertët thonë se mbishkrimi paraqet një dëshmi shumë të rrallë, ndërsa dëshmon afërsinë e perandorit Justinian ndaj provincës së origjinës së tij. Kisha e atjeshme, deri tani paraqet një prej zbulimeve më të mëdha të Perandorisë së vonshme romake dhe perandorëve më të rëndësishëm të saj, sipas arkeologëve ndërkombëtarë e shqiptarë, thuhej në njoftimin e tre viteve më parë në lidhje me këtë zbulim të rëndësishëm, dy vjet më parë. Frank Shkreli: Pse jo, Republika e Dardanisë!? | Gazeta Telegraf

Mirëpo, në këtë ndërkohë, në qytetin e vjetër Ulpiana, rrënojat e të cilit gjënden jo larg Prishtinës, grupi i arkeologëve ndërkombëtarë dhe shqiptarë – kryesisht arkeologë të Kosovës dhe Francës – kanë realizuar edhe një zbulim tjetër historik: një mbishkrim të dytë kushtuar Perandorit Justinian dhe perandoreshës Teodora, mbishkrim që i referohet, pikërisht, ndërtimit të bazilikës ipeshkvënore në atë qytet të vjetër dardan. Këto mbishkrime, sipas ekspertëve vendas dhe të huaj, tregojnë qartë dhe vërtetojnë identitetin dhe afërsinë e Justianianit me vendlindjen e tij, Dardaninë. Njëkohsisht, këto zbulime, tregojnë gjithashtu njëherë e mirë — për të gjithë ata që mund të kenë patur ose kanë gjithnjë dyshime – lidhjet e tija me Dardaninë e lashtë dhe rrënjët historike të identitetit dardan të shqiptarëve të sotëm në trojet e veta autoktone. Zbulimi i dytë i mbishkrimit të jashtzakonshëm në Ulpianë u njoftua, zyrtarisht, në faqën zyrtaree të Hajrulla Çekut, Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit në kabinetin qeveritar të Kryeministrit në detyrë Albin Kurti: “Ekipi i arkeologëve ka identifikuar një mbishkrim të dytë kushtuar Perandorit Justinian dhe bashkëshortes së tij, Teodora.

Mbishkrimi i parë përmendte themelimin e qytetit Iustiniana Secunda si qytet Dardan. Ky i dyti tregon ndërtimin e bazilikës episkopale. Këto janë të vetmet dedikime të njohura të Justinianit, perandorit me prejardhje nga ky rajon.” Njëkohësisht, Ministri Çeku, deklaron se me këtë rast në Kosovë, “Ruajtja dhe mbrojtja e trashëgimisë arkeologjike nuk është trajtuar asnjëherë më këtë seriozitet”, duke shtuar se “Hulumtimet arkeologjike në Ulpianë e Dresnik, tanimë po vazhdojnë në prona publike, të cilat u shpronësuan gjatë vitit të kaluar”. Ndërsa vazhdon Ministri i Kulturës së Republikës së Kosovës, se njëherazi, po “Po punohet me intensitet në lokalitete arkeologjike, plane të konservimit e menaxhimit, ngritje të kapaciteteve profesionale përmes partneriteteve ndërkombëtare, studime e publikime”. Duke përfunduar njoftimin e tij mbi zbulimin e dytë të mbishkrimit dedikuar Perandorit Justinian e perandoreshës Teodora ai shkruan se, ndërkohë që “Arkeologjia vazhdon të na zbulojë historinë tonë ne vazhdojmë me përkushtim hulumtimin dhe mbrojtjen e saj”. Thuhet, gjithashtu, se mbishkrimi i dytë ofron prova të reja të angazhimit të perandorit jo vetëm ndaj rindërtimit qytetar por edhe ndaj infrastrukturës fetare dhe shpirtërore, veçanërisht ndërtimit të një bazilike (ipeshkvënore) episkopale. Dedikimi i mbishkrimit të dytë si për Justinianin ashtu edhe për Theodorën nxjerr në pah gjithashtu trashëgiminë dhe ndikimin e përbashkët të çiftit në jetën fetare (të krishtër) të rajonit, theksohet mëtej në njoftim. Arkeologët që marrin pjesë në këto zbulime historike thonë se, “ato jo vetëm që konfirmojnë përfshirjen e drejtpërdrejtë të Justinianit në zhvillimin e qytetit, por edhe e vendosin Ulpianën në hartën historike si një qendër kyçe të jetës së hershme të krishterë në Ballkan”.

Por siç ndodh me çdo sukses në cilëndo fushë qoftë, pyetja lind nëse mjafton kaq, a po duhet bërë më shumë, sidomos, në këtë fushë dhe në këtë kohë, siç është arkeologjia dhe historia kombëtare arbëroro-ilire-shqiptare. E lenë pas dore për më shumë se 5-shekuj otomanizëm, dhe i mohuar dhe anashkaluar nga komunizmi sllavo-aziatik, i pa fe e atdhe. Por mbi të gjitha, ajo mbetet një histori e mohuar vazhdimisht dhe në një mënyrë indiferente, për të mos thenë të qëllimshme, deri në ditët e sotëme, e shkelur dhe e abuzuar nga fqinjtë pushtues, sllav, turq e grekë, për shekuj me rradhë. Prandaj, unë jam i mendimit dhe mbështes deklaratën e ditëve të fundit të Profesorin e historisë James Pettifer të Universitetit Oksford dhe eksperti njohur britanik dhe më gjërë për Ballkanin, i cili është shprehur duke reaguar ndaj lajmit për ubulimin e dytë të mbishkrimit kushtuar Perandorit Justinian dhe Perandoreshës Teodora se, “Kosova duhet ta informojë botën shumë më tepër rreth historisë së saj të lashtë”. Profesori Pettifer bëri këtë reagim duke shpërndar shkrimin e Kryeministrit në detyrë Albin Kurti, në lidhje me zbulimin e dytë në Ulpianën e lashtë të ekipit të arkeologëve nga Kosova dhe Franca. Profesori britanik, eskpert i historisë dhe punëve të Ballkanit Perendim or, e xilësoi subulimin e dytë në Ulqpianë si një, “Lajm vërtetë i mirë. Por Kosova duhet ta informojë botën shumë rreth historisë së saj të lashtë. Shumë pak libra apo edhe broshura të vlefshme janë të disponueshme në shumë vende të rëndësishme për momentin”, ka shënuar eksperti britanik në faqën e tij të internetit.

Unë jam dakort me Ministrin Çeku se vitet e fundit vihet re një pëkushtim më i madh sa u përket zbulimeve arkeologjike në territorin dardan. Por mbështes edhe thirrjen e Profesorit të nderuar britanik James Petiffer se duhet bërë më shumë për të informuar botën mbi idetnitetin dhe origjinën e vërtetë të shqiptarëve. Nuk besoj se mjaftojnë, kur të merret parasysh baltosja e historisë së shqiparëve nga të huajt, vullneti dhe mjetet e shumta që kanë përdorur ndër shekuj e që përdorin dhe sot armiqët e Kombit shqiptar për të mohuar historinë dhe identitetin e shqiptarëve në trojet e veta autotokotone. Dardania nuk është as e Serbisë as e Turqisë, sipas pretendimeve të të huajve. Për këtë të vërtetë historike duhet të informohet bota por edhe shqiptarët të cilët ndoshta nuk janë të sigurt për idetnitetin dhe prejardhjen e tyre historike.

Mbishkrim kushtuar Perandorit Justinian dhe Perandoreshës Theodora, zbuluar këto ditë në Ulpianë që hedh dritë mbi periudhën e lashtë të Kosovës. FotoKredia: Hajrulla Çeku

Profesori i historisë në Universitetin e Oksfordit dhe eksperti britanik për Ballkanin, James Pettifer, tha se “Kosova duhet ta informojë botën shumë më tepër rreth historisë së saj të lashtë”.

Mbishkrimi kushtuar Perandorit Justinian konsiderohet zbulimi më i rëndësishëm në arkeologjinë e Dardanisë/Kosovës. Sipas arkeologëve, kjo ofron prova të origjinës dardane të perandorit të madh bizantin. Perandorit Justinian (527-565). Ai ka lindur në Tauresium, që besohet të ketë qenë afër Shkupit të sotëm.

*Foto: https://arkeonews.net/archaeologists-made-a-remarkable…/

Filed Under: Histori

ARDIAN PEPA, SKULPTORI I HEROIT KOMBËTAR, GJERGJ KASTRIOTIT – SKENDERBEUT

August 7, 2025 by s p

Skulptori Ardian Pepa autor i mbi 60 monumenteve dhe shtatoreve brenda dhe jashtë vendit, përfshirë Shqipërinë, Malin e Zi, Kosovën dhe Italinë, rrëfen ekskluzivisht për gazetën “Dielli”, organ i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, New York, aspekte dhe detaje të panjohura të realizimit të punimeve të tij kushtuar heroit kombëtar Gjergj Kastriotit, Nënë Terezës, Migjenit, Pashko Vasës etj, analizon skulpturën cilësore në ditët e sotme në betejë me shëmtinë, nepotizmin, mediokritetin e korrupsionin institucional, shkatërrimin e imazhit madhështor të personaliteteve kombëtare nëpërmjet skulpturës së dobët. Me skulptorin Ardian Pepa bisedoi Editori i “Diellit” Sokol Paja.

TË VEÇANTAT E PUNIMEVE TË GJERGJ KASTRIOTIT NË TUZ, SHQIPËRI, ITALI

Skulpturat që kam realizuar për figurën e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut janë të shumta dhe të shpërndara në disa vende si Shqipëri, Mal i Zi dhe Itali. Secila prej tyre ka një karakter unik, të lidhur ngushtë me kontekstin historik dhe gjeografik ku është vendosur. Në Tuz, për shembull, shtatorja ekuestre në bronz është një ndër realizimet më monumentale. Figura e Skënderbeut mbi kalë është paraqitur me një forcë dinamike, me shpatën e ngritur, duke transmetuar jo vetëm heroizëm por edhe vendosmëri dhe krenari kombëtare. Në Itali, bustet e vendosura në komunat San Benedetto Ullano dhe Cerzeto janë të ngarkuara me simbolikë, sepse ndodhen në qendra të arbëreshëve – pasardhës të drejtpërdrejtë të heroit kombëtar. Teknikisht, veprat janë të realizuara me mjeshtëri të lartë në modelim dhe përpunim të detajuar të formës, ku materiali si balta dhe bronzi përdoret për të nxjerrë në pah fizionominë dhe karakterin e figurës historike. Nëpërmjet këtyre skulpturave kam synuar të ndërtoj ura mes brezave, duke i kujtuar publikut se Skënderbeu është jo vetëm një figurë historike, por një simbol i përhershëm i identitetit tonë.

PERSONALITETE KOMBËTARE, HISTORI DHE FRYMËZIM

Një pjesë e madhe e krijimtarisë sime i kushtohet figurave të shquara shqiptare. Kam realizuar shtatore të Nënë Terezës në disa qytete, përfshirë Kamzën, Trieshin dhe Laç-Vau Dejësin, secila me një frymëzim të veçantë për vendosmërinë dhe dashurinë njerëzore që ajo përfaqëson. Skulptura e Pashko Vasës në Shkodër është një tjetër vepër e dashur për mua, sepse ai ishte jo vetëm patriot, por edhe një figurë kulturore e rrallë. Monumenti i Migjenit në Pukë është konceptuar me një gjuhë më lirike, për të shprehur shpirtin e tij poetik dhe rebel kundër padrejtësive. Puna për këto figura nuk është thjeshtë një detyrë artistike, por një dialog i brendshëm mes meje dhe historisë sonë. Këto janë figura që më frymëzojnë, dhe përmes skulpturave dua t’i bëj të pranishme fizikisht në jetën tonë të përditshme. Kam realizuar shtatoren e Koço plakut, një ndër gjeologët e parë shqiptarë i vendosur në Fier dhe Françesk Radit, një ndër këngautorët e parë shqiptar e shumë buste e shtatore të tjera.

SHKATËRRIMI I IMAZHI MADHËSHTOR TË PERSONALITETEVE KOMBËTARE NËPËRMJET SKULPTURËS SË DOBËT

Kur një figurë e madhe kombëtare paraqitet në mënyrë të pasaktë, pa shpirt dhe pa dinjitet në një vepër publike, ndodh një dëm i dyfishtë: nuk fyhet vetëm arti, por edhe kujtesa kolektive. Fatkeqësisht, janë të shumta rastet kur për shkak të mungesës së profesionalizmit, interesave të ngushta apo nxitimit, vendosen monumente që nuk i bëjnë aspak nder figurave që përfaqësojnë. Një bust i Skënderbeut që nuk shpreh forcën e tij, një Nënë Terezë e ftohtë dhe e largët – këto nuk janë thjesht dështime estetike, por deformime të imazhit tonë kombëtar.

SKULPTURA CILËSORE NË BETEJË ME SHËMTINË, NEPOTIZMIN DHE MEDIOKRITETIN

Në shumë raste, konkursi artistik nuk fiton më i miri, por ai që ka lidhje të forta apo që ofron çmimin më të ulët. Kjo e ul nivelin e skulpturës publike dhe demotivon artistët e vërtetë që punojnë me përkushtim. Korrupsioni institucional është një faktor real që ndikon drejtpërdrejtë në cilësinë e hapësirës publike. Ka artistë të talentuar që nuk kanë mundësinë të shprehen, sepse sistemi nuk i përfshin, nuk i dëgjon dhe nuk i mbështet.

FILLIMET NË ARTIN E SKULPTURËS

Rruga ime nisi që në fëmijëri, duke modeluar me baltë forma që më dukeshin të gjalla. Studimet në Liceun Artistik me profesor Skender Kraja dhe më pas në Akademinë e Arteve me profesor Hektor Dule dhe Thoma Thomai më dhanë formim të strukturuar. Pas diplomimit, iu përkushtova krijimtarisë së lirë duke realizuar skulptura të karakterit monumental. Një prej veprave të para që shënoi karrierën time ishte shtatorja e fotbollistit te ravenes dhe kombëtares shqiptare Brian Filipit në Itali, një punë me shumë emocion dhe përgjegjësi.

SHPIRTI I SHQIPTARIT DHE HISTORIA SI BURIM FRYMËZIMI

Frymëzimi im më i madh është vetë njeriu dhe historia e këtij vendi. Shpirti i malësorit, përkushtimi i mësueses, sakrifica e luftëtarit – këto janë imazhe që më ndjekin gjithmonë. Skulptura shqiptare sot vuan nga mungesa e politikave kulturore afatgjata, nënvlerësimi i rolit të artistit dhe shpesh nga mungesa e edukimit estetik te publiku. Të rinjve u them gjithmonë: mos e bëni artin si zanat për bukë, por si një formë të lartë përjetimi dhe shërbimi ndaj së bukurës dhe kombit.

KUSH ËSHTË SKULPTORI ARDIAN PEPA?

Jam lindur më 2 mars 1977 dhe prej më shumë se dy dekadash i jam përkushtuar artit të skulpturës. Jam diplomuar në Akademinë e Arteve në Tiranë dhe kam përfunduar Masterin Ekzekutiv për Skulpturë në Universitetin e Prishtinës. Kam realizuar mbi 60 monumente dhe shtatore brenda dhe jashtë vendit, përfshirë Shqipërinë, Malin e Zi, Kosovën dhe Italinë. Kam qenë pjesëmarrës në shumë simpoziume ndërkombëtare dhe kam çmime të fituara në konkurse të rëndësishme. Jam Laborant mësimor në degën e skulpturës monumentale në Universitetin e Arteve dhe vijoj të krijoj me pasion dhe përkushtim. Arti për mua është një mision që nuk mbaron kurrë – është mënyra ime për të jetuar, për të dhënë dhe për të lënë gjurmë.

Filed Under: Opinion

Në 117-vjetorin e lindjes së gjuhëtarit, profesorit dhe akademikut Eqerem Çabej

August 6, 2025 by s p

Muzeu Kombëtar/

Sot përkujtojmë 117-vjetorin e lindjes së gjuhëtarit, profesorit, akademikut dhe Mësuesit të Popullit, Eqerem Çabej, i cili është një ndër patriarkët e gjuhës shqipe. Ai ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në studimin e zanafillës dhe zhvillimit të gjuhës shqipe. Me botimet e shumta në revista gjuhësore të huaja, si dhe me pjesëmarrjen në forume shkencore ndërkombëtare, Eqerem Çabej u njoh si autoriteti më në zë në albanologji.

Lindi më 6 gusht 1908 në Gjirokastër, ku mori mësimet e para. Pasi kreu gjimnazin në Klagenfurt të Austrisë, ndoqi studimet e larta për gjuhësi krahasuese indoevropiane dhe albanologji në Universitetin e Gracit, e më pas në Universitetin e Vjenës, ku u diplomua si doktor në filozofi në vitin 1933. Pasi u kthye në Shqipëri, punoi si mësues i gjuhës dhe letërsisë shqipe në disa shkolla të mesme në Shkodër, Elbasan, Gjirokastër dhe Tiranë. Në vitin 1940 u mënjanua nga arsimi për shkak të përkrahjes së veprimeve antifashiste. U vendos në Romë, ku punoi për atlasin gjuhësor shqiptar.

U kthye në atdhe në vitin 1944, ku punoi në Institutin e Shkencave. Eqerem Çabej ishte ndër pedagogët e parë të Institutit të Lartë Pedagogjik Dyvjeçar. Me themelimin e Universitetit të Tiranës, ushtroi veprimtarinë mësimore si pedagog i lëndëve histori e gjuhës shqipe dhe fonetikë historike e shqipes. Çabej është një ndër anëtarët themelues të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe anëtar i Presidiumit të saj. Punoi në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë deri në fund të jetës.

Çabej dha ndihmesa të rëndësishme në arsimin e lartë dhe në gjuhësinë shqiptare. Hartoi tekstet e disa lëndëve kryesore dhe ishte bashkautor në një varg veprash shkencore. Veprimtaria e tij shkencore u shtjellua kryesisht në gjuhësi, por u shtri edhe jashtë saj, sidomos në folklor, etnografi dhe histori të letërsisë.

Nga veprat e para të tij, përveç artikujve, mund të përmenden: “Elemente të gjuhësisë dhe të literaturës shqipe, me pjesë të zgjedhura për shkollat e mesme” (1936), “Për gjenezën e literaturës shqipe” (1939), “Shqiptarët ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit” (1994), “Hyrje në historinë e gjuhës shqipe” (1947, 1958), “Fonetika historike e shqipes” (1958). Ndër veprat kryesore të tij janë: “Studime etimologjike në fushë të shqipes” (në shtatë vëllime, 1976–2006); “Meshari” i Gjon Buzukut (1555), botim kritik në dy vëllime, i pajisur me një studim hyrës.

Ai ka qenë anëtar i komisionit hartues të “Fjalorit të gjuhës shqipe” (1954), anëtar i komisioneve për përpunimin e terminologjisë të shumë degëve të shkencës e të teknikës dhe i komisioneve që punuan për hartimin e udhëzuesve drejtshkrimorë nga viti 1948, të cilat u finalizuan me botimin e librit “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe” (1973). Vepra e tij është botuar në Kosovë nën titullin “Studime gjuhësore” (1976), në nëntë vëllime. Çabej ka marrë Çmimin e Republikës të shkallës së parë dhe është dekoruar me Urdhrin “Nderi i Kombit”. Ndërroi jetë në Romë më 1980.

Filed Under: Kulture

REVISTA AMERIKANE (1920) / ARMËPUSHIMI FALË “BESËS” SHQIPTARE — NJË TREGIM NGA ANNA MILO UPJOHN

August 6, 2025 by s p


Dy djemtë shqiptarë, Rustemi dhe Marko — Vizatim nga Anna Milo Upjohn
Dy djemtë shqiptarë, Rustemi dhe Marko — Vizatim nga Anna Milo Upjohn

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 5 Gusht 2025

“American Junior Red Cross News” ka botuar, në tetor të 1920, në faqet n°18 – 20, tregimin asokohe të Anna Milo Upjohn (artiste, ilustruese dhe autore amerikane) rreth armëpushimit të një gjakmarrjeje në Shqipëri falë “Besës”, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Armëpushimi

Një histori e tokës së Skënderbeut

Nga Anna Milo Upjohn

Vizatimet nga autorja

Burimi : American Junior Red Cross News, tetor 1920, faqet n°18 – 19 // Vizatime nga Anna Milo Upjohn
Burimi : American Junior Red Cross News, tetor 1920, faqet n°18 – 19 // Vizatime nga Anna Milo Upjohn

Rustemi jetonte në tokën e Shqiponjës së Malit – në Shqipëri. Shtëpia e tij ndodhej në një qytet të vjetër të çuditshëm, të vendosur aq lart në majë të një mali, sa retë vareshin mbi të si një çati e errët e sheshtë dhe gjelat këndonin gjithë ditën, duke i paralajmëruar pulat të kërkonin strehë. Në pikën më të lartë të shkëmbit, një kështjellë e vjetër e rrënuar me një kullë katrore spikaste me guxim. Kishte tregime të çuditshme për kështjellën, të cilat Rustemi i mësoi kur filloi të rritej dhe të cilat përziheshin me të gjitha lojërat dhe ëndrrat e tij djaloshare.

Kur lindi Rustemi, i ati i vari një pushkë dhe një rrip fishekësh në mur për të. Ato do të qëndronin atje deri në moshën katërmbëdhjetë vjeç, kur Rustemi do t’i merrte vetë dhe do t’i vishte për herë të parë. Ndërkohë, Rustemi filloi jetën e tij në një djep të vogël të pikturuar, në të cilin nëna e tij e lidhi aq fort sa nuk mund të lëvizte as këmbët, as krahët, as kokën, dhe ku ai shtrihej si një mumje e vogël e mbuluar plotësisht me një batanije prej leshi të punuar në shtëpi. Babai i Rustemit ishte një burrë i pasur dhe familja jetonte në një shtëpi të këndshme, muret e suvatuara të së cilës ishin pikturuar me zogj dhe arabeska. Kishte shumë dritare me dërrasa dhe një çati me tjegulla me strehë të gjerë.

Ngjitur me Rustemin jetonte Marko, një djalë afërsisht në moshën e tij. Edhe pse familjet e tyre nuk takoheshin kurrë së bashku dhe megjithëse midis dy oborreve kishte një portë që mbahej e kyçur, dy djemtë e vegjël e kishin zbuluar njëri-tjetrin sapo kishin filluar të ecnin dhe, duke shikuar përmes hapjeve në gardhin me degë të endura që i ndanin, kishin arritur shpejt kuptoheshin. Më vonë, ata gjetën një shteg nën gardh, nëpër të cilin zvarriteshin lirisht, në kurriz të rrobave të tyre, për të kaluar orë të gjata duke luajtur së bashku. Ata nuk e kuptonin pse, në fillim, Markon e shikonin me përbuzje kur shkonte në shtëpinë e Rustemit dhe Rustemin me përbuzje kur shkonte në shtëpinë e Markos. Por, meqenëse asnjëri prej tyre nuk ishte i kënaqur të qëndronte gjatë pa tjetrin, familjarët e tyre shpejt nuk u kushtuan më vëmendje dhe ata vinin e iknin si të donin. Ndërsa u rritën dhe u përzien me fëmijë të tjerë, ata shpejt zbuluan burimin e problemit. Midis dy familjeve, në Shqipëri kishte pasur atë që quhet hakmarrje. Një anëtar i familjes së Markos kishte qëlluar dhe vrarë një anëtar të familjes së Rustemit, të cilin ai e donte, gjatë një grindjeje. Kjo kishte ndodhur shumë kohë më parë. Burri që kishte qëlluar kishte ikur në një vend tjetër dhe fëmijët e tij ishin rritur atje. Por derisa një anëtar i familjes së Rustemit nuk ka qëlluar një anëtar të familjes së Markos, armiqësia nuk mund të marrë fund dhe nderi i familjes së Rustemit nuk ishte i siguruar. Kjo armiqësi e vjetër e të rriturve u dukej djemve të vegjël një gjë e largët dhe absurde, e cila nuk kishte të bënte fare me ta. Ata shikuan njëri-tjetrin në sy dhe buzëqeshën, me një shoqëri të përsosur, kur djemtë më të mëdhenj i inkurajuan të luftonin së bashku.

Jeta kishte shumë argëtim për t’u shijuar sa për të humbur kohë duke u grindur, dhe Kruja, ai qytet i vjetër i çuditshëm, nuk ishte një vend i keq për t’u rritur. Rruga e saj e vetme e gjatë dhe e lakuar që i afrohej shpatit të malit si një bisht, ishte e mbushur me kasolle të hapura dhe aq e ngushtë sa çatitë takoheshin sipër kokës. Këtu, në ditët e tregut, dëgjohej vazhdimisht kërcitja dhe trokitja e takave të vogla, ndërsa gomerët kalonin me ngarkesa të gjera lëkurësh dhe druri ose me çanta shalësh të mbushura me qengja të vegjël ose një ose dy të vegjël. Dhe këtu bakërpunuesit rrihnin tabaket dhe enë uji para syve të dikujt. Këpucarët prenë pantoflat e lakuara me delikatesë nga lëkura e kuqe e ndezur, portokalli ose e zezë, kapelëbërësit formonin një plis të bardhë ose të kuq mbi një bllok druri, dhe artizanët me argjend lëmonin doreza pistolete të zbukuruara me gurë të shndritshëm aq të trashë sa një puding kumbulle me rrush të thatë.

Ishte edhe berberi, një turk me mjekër të bardhë, i veshur me një çallmë të rëndë dhe një mantel mëndafshi të artë, i ulur mbi jastëkë të gjelbër mes legenëve dhe kavanozëve prej bakri të lëmuar. Myslimani që thërriste për namaz nga minarja e bardhë ishte gjithashtu shumë zbavitës. Në momente të caktuara, ai hynte në ballkonin e vogël që hapej nën çatinë e mprehtë të minares, i mbante veshët në mënyrë qesharake dhe lëshonte një britmë të ngjirur e të vajtueshme që jehonte në murin prej guri pas tij. Rustemi dhe Marko nuk lodheshin kurrë së imituari atë. Por më zbavitësi nga të gjithë gjendej në rrënojat e kështjellës së vjetër.

Burimi : American Junior Red Cross News, tetor 1920, faqe n°20 // Vizatim nga Anna Milo Upjohn
Burimi : American Junior Red Cross News, tetor 1920, faqe n°20 // Vizatim nga Anna Milo Upjohn

Këtu djemtë luanin lojën e mbrojtjes kundër turqve, duke hedhur gurë në thellësitë e greminës poshtë.

Ata e dinin historinë e të riut Gjergj, i cili kishte jetuar këtu pesëqind vjet më parë, kur kështjella ishte një fortesë krenare e populluar nga burra të armatosur, mobilje të gdhendura, qilima dhe perde luksoze. Këtu, çdo burrë që kalonte varte një shtizë dhe një mburojë në vend të një pushke, një rrip fishekësh dhe një princ të fuqishëm. Në oborrin ku mbinte bari dhe kullosnin delet në paqe, Gjergji duhej të luante çdo ditë me dy vëllezërit dhe pesë motrat e tij. Një ditë, kur ai ishte nëntë vjeç, turqit pushtuan vendin me një ushtri të madhe, pushtuan kështjellën, vranë princin (e ka fjalën për Gjon Kastriotin dhe kjo nuk ka ndodhur në fakt) dhe morën fëmijët si pengje. Kjo do të thoshte se për sa kohë që populli shqiptar u paguante haraç turqve dhe ndalonte së luftuari kundër tyre, fëmijët ishin të sigurt ; por nëse do të lindnin probleme në Shqipëri, ata do të vriteshin menjëherë.

Sulltani i mori fëmijët në shtëpinë e tij dhe i trajtoi me mirësi. Gjergji ishte djali i tij i preferuar. Ai u rrit si një djalë i pashëm, trim, i sjellshëm dhe që mësonte shpejt, të cilit i pëlqente të kalëronte.

Sulltani vendosi ta bënte ushtar. Ai e ndryshoi emrin e tij në Skënder dhe shtoi titullin “bej” ose “beg”, që do të thotë “zot”, kështu që Gjergji u njoh më vonë si Skënderbeu. Kur u rrit, ai iku në vendin e tij, mblodhi njerëzit e tij rreth vetes dhe pas shumë luftimesh të ashpra çliroi Shqipërinë nga turqit. Ata u kthyen vazhdimisht, por Kruja, qyteti mbi shkëmbin e egër dhe të vetmuar, rezistoi për shumë vite dhe ishte fortesa e fundit e krishterë që ra. Kur ra, turqit kishin të gjithë vendin nën kontrollin e tyre. Por tani në Luftën e Madhe të kohëve të fundit, Shqipëria e kishte çliruar veten përsëri, këtë herë përfundimisht. Djemtë e kuptuan vetëm paksa se diçka e lavdishme kishte ndodhur.

Jeta nuk kishte ndryshuar shumë që nga lufta, përveçse ishte bërë më e vështirë. Të gjithë ishin të varfër. Rrugët ishin më të këqija se kurrë dhe shumica e urave ishin shembur, kështu që pak njerëz vinin e iknin nga Kruja.

Disa ditë para ditëlindjes së katërmbëdhjetë të Rustemit, i ati e gjeti duke parë me mall armën në mur. “Më vjen keq, Rustem”, tha ai seriozisht, “që ti dhe Marko jeni kaq miq. Kjo nuk mund të të sjellë gjë tjetër veçse hidhërim”. “Pse hidhërim ?” pyeti Rustemi i trembur.

“Pse, për shkak të armiqësisë mes nesh”, tha i ati. “Ti mbetesh ta pastrosh nderin e familjes. Nuk e merr seriozisht tani, por kur të bëhesh burrë, ose do ta qëllosh Markon, ose Marko do të të qëllojë ty”. “Të qëlloj Markon ! Kurrë !”, pretendoi Rustemi me zjarr. “Është ligji i vendit dhe i fisit tënd. Nuk mund ta ndryshosh”, tha i ati ; “është shkruar në Kanunin e Lekës”. Dhe doli nga dhoma. Rustemi ishte i zemëruar dhe i emocionuar. I gjithë kënaqësia me armën e tij ishte zhdukur.

Rustemi ishte shumë i pakënaqur. Atij i kishin mësuar të bënte shumë gjëra që neve na dukeshin të çuditshme, por atij i dukeshin të drejta, si heqja e këpucëve kur hynte, mbajtja e kapelës në tavolinë dhe ngrënia e mishit të deles dhe orizit me gishta. Aq shumë saqë kur i ati e urdhëroi të vriste shokun e tij më të mirë, ai u tmerrua se mos detyrohej ta bënte nëse nuk gjente një rrugëdalje. “Skënderbeu e mbante shpatën për armiqtë e tij”, i tha vetes, “jo për miqtë e tij”. Tani që Shqipëria u çlirua përfundimisht nga turqit, do të ishte mirë që shqiptarët të vrisnin njëri-tjetrin ! Ishte e paimagjinueshme që ai të qëllonte Markon. Ai duhej të gjente një rrugëdalje !

Ishin dy burrat nga Tirana dhe Kruja, mendoi Rustemi. Ata ishin grindur, por ishin betuar për një besë gjashtëjavore, ose armëpushim, për të bërë një marrëveshje për bagëtinë. Dhe më vonë, ata kishin qeshur së bashku dhe kishin vizituar njëri-tjetrin si miq të mirë. Vërtet, pas gjashtë javësh, ata kishin qëlluar njëri-tjetrin, dhe njëri prej tyre kishte humbur dy gishta. Pse nuk kishin bërë një marrëveshje dhe nuk kishin gëzuar një besë më të gjatë ? Dhe pastaj u lindi ideja ! Ai duartrokiti dhe doli me nxitim nga shtëpia. “Marko,” thirri ai, duke shembur portën. Dhe Marko e takoi deri në gjysmë të rrugës nën pemën e madhe të ullirit. “Dëgjo, Marko,” tha Rustemi, “duhet ta japim fund kësaj grindjeje, jo duke qëlluar njëri-tjetrin, por duke u betuar për një besë për pjesën tjetër të jetës sonë. Kjo grindje e vjetër nuk na shqetëson, por besa po, dhe ne duhet ta mbajmë atë. Për sa kohë që e mbajmë, askush nuk mund të na dëmtojë.” “Le ta bëjmë të zgjasë përgjithmonë,” tha Marko me entuziazëm.

Kështu që nën pemën e ullirit, dy djemtë shtrënguan duart dhe u betuan për miqësi të përjetshme, ndërsa shumë lart sipër tyre dy shqiponja mali fluturonin ngadalë me krahë të sheshtë rreth kullës së errët të Skënderbeut, dhe përmes reve që thyheshin, Adriatiku shkëlqente si një vijë argjendi në horizont.

Burimi : American Junior Red Cross News, tetor 1920, faqe n°18 // Vizatim nga Anna Milo Upjohn
Burimi : American Junior Red Cross News, tetor 1920, faqe n°18 // Vizatim nga Anna Milo Upjohn

Filed Under: Kronike

RILINDASI KOSTANDIN (KOTO) SOTIRI

August 6, 2025 by s p

Njeriu fisnik, atdhetar i flaktë dhe mësues i shquar.

image.png

Përgatititi: Koço MOSKO 

Boston, MA-SHBA

Rilindasi martir Kostandin (Koto) Sotiri, lindi në vitin 1840 në fshatin Selckë të krahinës së Lunxherisë, ish Vilajeti i Janinës.

Kotua ishte vëllai i madh i një rilindasi tjetër martir, Pandeli Sotirit, “Mësues i Popullit”. Dy vëllezër, dy rilindas martirë të shquar, që gjithë jetën e tyre ja kushtuan shkronjave dhe shkollave shqipe. Kur ishin fëmijë, u vranë babain.  Sipas të dhënave, të dy vëllezrit duhet të kenë mbaruar shkollën plotore në vendlindje. Pastaj i mori për t’u kujdesur, xhaxhai, Thimjo Sotir ii cili banonte në Stamboll. Ai ishte njeri patriot dhe me ndjenja të theksuara humane.

Vëllezrit Sotiri nuk dolën në Stamboll rastësisht në krye të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare e cila shpërtheu gjatë Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Ata u rritën të brumosur me ndjenja të pastra atdhetare, me përpjekjet dhe sakrificat e mëdha të bashkëfshatarëve të tyre për të mësuar në shkollë edhe gjuhën shqipe, sepse shkollat në atë kohë për ortodoksët shqiptare mbahej në gjuhën greke.

Përpjekje bëheshin edhe për të meshuar shqip në kisha. Për këtë, fshehurazi krahas mësimit të gjuhës shqipe, në shkolla mësohej pëmendësh në shqip edhe pjesë nga Ungjilli, libra të cilat ishin shkruar shqip me shkronja greqisht. Një libër të tillë e kam parë edhe unë në Kishën e Shën Kollit.  Flitet, ose ka të dhëna për një Siko Dhimadhi dhe për Hoxhë Myftar Kallaratin, që sillnin libra shqip fshehurazi nga Stambolli. Hoxha, gjatë rrugës, u sëmur dhe e varrosën me nderime në Selckë. Shkolla e fshatit kishte një bibliotekë, por një zjarr i papritur që ra rreth viteve 1880, e dogji. Fshatarët mërgimtarë të shoqatës “Përparimi” në Stamboll, e rindërtuan shumë shpejt përsëri. 

Vëllezrit Soriri, të brumosur me atdhetarizëm, u shpërngulën në Stamboll, tek xhaxhai  i tyre, së bashku me nënën e tyre, (e cila në disa shkrime del se ishte me origjinë dardane, nga Prizreni). Xhaxhai, Thimjoja, të dy vëllezrit i regjistroi në kolegjin francez të Gallatës.  Më pas i dërgoi për studime në Universitetin e Vienës, Austri. Kotua studjoi për jurist ndërsa Pandeliu për mjekësi. 

Pandeliu, pas përfundimit te studimeve u rreshtua në ushtrinë Austro-Hungareze me gradën “Major” për rreth 10 vjet. Nuk kemi të dhëna të plota për Koton se ku shkoi pas mbarimit të studimeve në Vienë.  Duhet të jetë kthyer në Stamboll dhe të dy vëllezërit u bashkuan në vitet 1870, ku u përfshinë pa rezerva në lëvizjet e mëdha patriotike të inicuara nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit. Ata ishin anëtarë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Ishin ndër të parët që nënshkruan platformën e “Komitetit Qëndror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare” i cili u themelua më 12 tetor 1879. Ky Komitet synonte që shqiptarët të fitonin autonominë brenda Perandorisë Osmane. Më mbrapa ky Komitet mori emërtimin “Shoqëria e të Shtypurit të Shkronjave Shqip”. 

 Kotua në krah te vëllait u përfshi në lëvizjet kulturore e patriotike të atyre viteve në Stamboll. Hapën gazetë shqip me gërma greqisht si “Prometeu” dhe “Drita-Dituria” me gërma shqip, e cila u bë themelusja e mediave shqiptare, sipas historianit Robert Elsie. Në vitin 1885, ata arritën të marrin nga Sulltan Abdul Hamid II dy lejë (fermane) për hapjen e shkollave shqipe. 

 Në “Kronikën Gjirokastrite” thuhet se ata u munduan që shkollat shqipe t’i hapin në qytetin e Gjirokastrës, por nuk morën dot lejë nga autoritetet vendase, kështu ata gjetën mbështetjen e patriotëve e atdhetarëve korçarë.

 Kotua së bashku me Pandelinë, në fund të vitit 1885 udhëtuan nga Stambolli për në Korçë me 150 libra për shkollën shqipe si abetare, shkronjëtore dhe numëratorë. Nëpër dogana i kalonin fshehurazi, sepse në Portën e Lartë kishte faktorë të tjerë politikë që mundoheshin t’i ndalonin shkollat shqipe. Shkollën e hapën në mars të vitit 1886. Në ato vite Ismail Kadareja citon historianin  fracez Serge Metais: “Tabloja e shkollimit është e pabesueshme. Më 1887, në Shqipëri kishte tre mijë shkolla, prej të cilave një mijë e dyqind shkolla publike turke, po aq shkolla private greke, treqind shkolla bullgare, serbe dhe vllahe, shkollë shqipe vetëm një, me drejtor Pandeli Sotirin.”

Kotua vitin e parë shërbeu si mësues, por dhe si bodigard së bashku me Risto Vodicën për t’i krijuar siguri vëllait të vet. Klerikët fetarë ishin betuar që mos të lejonin hapjen e mësonjtores. Ditën e parë të shkollës, mësuesit dhe prindërit që shoqëronin nxënësit, ishin të armatosur. Fatmirësisht nuk ndodhi asgjë.  Sa e vështirë ishte në atë periudhë  të ulej në një bangë një i krishter dhe një musliman, një i varfër e një i pasur, një vajzë dhe një djalë. Pothuajse ishte e pamundur!

Për vëllezërit Sotiri, Faik Konica në gazetën ‘Albania”, vitin 1897, nr. 8 suplimenti në fërngjisht shkruante: “Megjithatë, dy burra guximtarë e të devotshëm, dy shqiptarë të vërtetë, atdhetarë zemërzjarr, dymbëdhjetë vjet më parë, tentuan të çajnë këtë acar e akull dhe ia dolën deri në një farë pike.  Kur dy vëllezër, Pandeli dhe Koço Sotiri, vendas nga Gjinokastra, hapën shkollën e parë shqipe në Korçë, midis paraardhësve ortodoksë u bë një shtangim i indinjuar: Shqipja, ajo gjuhë e ulët dhe sakrilegjike, guxoi të mësohej! Dhe menjëherë filluan intrigat. Patriarkana lëvizi me shpejtësi, bëri hapa urgjent që të urdhërohej mbyllja e shkollës shqipe menjëherë; por Madhëria e Tij, Sulltani, u përgjigj se kleri grek nuk kishte punë të ndërhynte në një çështje që nuk ishte as fetare e as antifetare por kishte të bënte vetëm me Ministrinë dhe Udhëzimet Publike.”

 Kështu, viti i parë i shkollës kaloi mirë. Për vitin e dytë 1887, u regjistruan 200 nxënës. Kotua, mbasi u sigurua se shkolla në Korçë po shkonte mbarë, i hodhi sytë nga Pogradeci. Kotua, një njeri fisnik e shpirtmadh, babaxhan, kishte disa emra. Emri pagëzimit ishte Kostandin, por fshati e “ripagëzoi” Koto, që kur ishte fëmijë, sepse ky emër ishte në modë për ata që kishin emrin Kostandin. Shpesh thirrej edhe Koço. Në Pogradec e “pagëzuan” me emrin “Koço Shqiptari” për dashurinë e përkushtimin e tij ndaj gjuhës shqipe. Patriotët e tij lunxhiotë, gjirokastritët e përmetarë e thërrisnin edhe “Koço Selcka”. Ndërsa armiqtë e shqipes, renegatët e thërisnin “Koço Masoni”, sepse mendonin se kishte braktisur fenë ortodokse, me që Kotua shpërndante Ugjillin e Kristofiridhit në gjuhën shqipe, po kjo nuk është e vërtetë. 

Poeti Lasgush Poradeci e shpjegon kështu: “Veç që shklekëza e masonërisë nuk e kish mburimin drejt-për-drejt prej Ungjijve të Dërgimtarit Elbasanas, po shumë më fellë. Ajo qe ngrehur nga urrejtja armike ndaj zgjimit kombëtar të pogradecarëve, që ishte zgjimi prej zgjimit të gjithë një kombi”. 

Pothuajse një viti pas hapjes së Mësonjëtores së Korçës, më 14 Mars 1887, Kotua, me mbështetjen e atdhetarëve pogradecarë: Ndini e Sotir Gusho, etj., hapi shkollën shqipe në Pogradec. Koçua, ashtu si vëllai tij Pandeli Sotiri, gjatë misionit të tyre u luftuan egër nga renegatët antishqiptarë, por ata, siç thotë poeti Lazgush Poradeci, e përballuan me burrëri këtë rrethim të zjarrtë.

image.png

Me largimin e Kotos nga Mësonjëtoria e Korçës, punët filluan të shkonin keq e më keq. Jo vetëm se tani Pandeliut i mungonte Koçua, krahu i djathtë besnik, por situate në Korçë kishte ndryshuar. 

Siç dihet patriarkut grek Fillothea e renegatë të tjerë antishqiptarë, ishin armiq të betuar të Pandeliut dhe shkollës shqipe. Ata që në fillim të hapjes së shkollës e vazhdimisht, kërcënonin, shpifnin me denigrime shkollën dhe Pandeliun. Në vitin e dytë të shkollës, armiqtë u shtuan dhe u bënë të papërballueshëm e shumë të rrezikshëm. 

Mytesarifi, (guvernatori) i Korçës, Mahmud Pashë Elbasani, që shquhej si përkrahës  i çështjes shqiptare, e hoqën dhe në vend të tij emëruan si guvernator të Korçës, Muhamet Ali Pashë Delvinën, i cili ishte armik i betuar i shqiptarëve dhe i gjuhës shqipe. I kishin vënë dhe nofkën “Ujk i shqipes”

Në fillim guvernatori, “ujku i shqiptarëve”, i largoi nxënësit muslimanë nga shkolla. Merret me mend se çfarë presioni të jashtëzakonshëm i është bërë Pandeliut për ta mbyllur shkollën, sulmohej nga të gjitha drejtimet, tani dhe nga shteti.  Në fund të vitit 1887 forcat antishqiptare organizuan edhe zhdukjen fizike të Pandeliut.

Në këto kushte shumë të rënduara, Pandeliu u detyrua të largohet fshehurazi nga Korça. Thuhet se ka shkuar në fshatin e tij Selckë. Andej i shoqëruar nga dy djem fshati që i dinin mirë shtigjet, me kuaj që u kishin lidhur patkojte me lecka, për të mos u dëgjuar, udhetuan natën  për në Janinë, dhe që andej drejt e në Stamboll.

Lejën e Mësonjëtores ja la Thanas Sinës, njëkohësisht thirri dhe Koton për ta ndihmuar. Kotua në vitin 1888 kthehet përsëri në Korçë. 

Vëllezërit Sotiri, të përkrahur e të mbështetur fort nga rilindasit dhe patriotët e zjarrtë korçarë, sfiduan rrethimin e egër antishqiptar të kohës dhe u bënë promotorë, shëmbull për gjithë atdhetarët me idetë, mendimet dhe veprimet e tyre iluministe. Zjarri që ndezën, fara që mbollën në Korçë, Pogradec, për pak kohë përfshiu gjithë trojet shqiptare.

Në një letër që i dërgon Jovan Kosturi Visar Dodanit, në Kostancë të Rumanisë, ku shtypeshin librat shqip, në vitin 1888 shkruhet: Shkolla të mirfillta shqip dy janë hapur deri tani, Pogradec dhe Korçë, por me librat që janë dërguar, mësohet shqip në shkollat e fshatrave: Treskë, Polenë, Luaras dhe në të hapur e sipër janë shkollat në Ersekë, Kolonjë, Leskovik dhe Elbasan. Më 23 tetor të vitit 1891, në Korçë u çel Shkolla e Vashave dhe në vitin 1889 u hap shkolla shqipe e Prizrenit me mësues Mati Logoreci, etj. Për shkollat në fshatrat rreth Korçës, Ersekës, Kolonjës, Koto Sotiri dhe miku i tij Petro Nini Luarasi,kishin përveshur mëngët. Ata ishin gjithmonë në krye të kësaj nisme.

Që nga viti 1886 e deri në vitin 1896, Koço Sotiri qëndroi pranë Mësonjëtores së Korçës. Në vitin 1890 deri në vitin 1892, me Nikollaq Zografin ishin bashkëpuntorë të Petro Nini Luarasit, kur ai drejtonte Mësonjëtoren. Koto Sotiri duhet ta ketë lënë Mësonjëtoren e Korçës në vitin 1896, ishte mësuesi më jetëgjatë në ato vite të zjarrta. Gjatë kësaj kohe, Kotos, me që puna si mësonjës nuk i sillte të ardhura të mjaftueshme, paralelisht ai ushtroi edhe zanatin e rrobaqepsit. 

Pas vitit 1896 Kotua e la Korçën dhe e vazhdoi punën e tij me intesitet të madh në Pogradec e Maqedoni. Ai shperndante libra shkollore, fetare, etj. ndihmonte dhe për shkollat shqip atje ku mundej, por autoritetet turke e kishin të ndaluar rreptesisht shpërndarjen e librave shqip.  Në vitin 2016, David Hosaflook ka shkruar në  studimin e tij  “Roli i lëvizjes protestante në Rilindjen Kombëtare”, kështu: “Librat shqip pengoheshin me çdo mënyrë të shpërndaheshin , mbaheshin nëpër dogana, mbylleshin botimet, burgoseshin bashkë me shitësit. Librashitësit u janë nënshtruar përndjekjeve nga më të pabesueshmet. Këtë fat pësoi edhe Koto Sotiri”.  

Autoritete turke, për veprimtari të ndaluar, “përhapje të librave shqip”, rreth viteve 1900, Koto Sotirin e dënuan me “101 vjet” duke e izoluar në burgun e Manastirit. Vuajti pesë vjet dhe u lirua, jo vetëm i plakur, por edhe i varfër.  U shoqërua për në Azil të Pleqëve ku i ngrysi ditët e fundit të jetës së tij. Vdiq në vitin 1909 në spitalin e të varfërve në Manastir të Maqedonisë. Edhe sot e gjithë ditën, atje ndodhet varri i tij. 

Shtypi i Rilindjes “Drita” e Sofies dhe “Drita” e Manastirit, sipas studjuesit Musa Kraja, kanë shkruan shumë për mësuesin dhe atdhetarin Koto Sotiri duke e vënë theksin tek sakrificat dhe vuajtjet e tij. Ata e përshkruajnë si mëmëdhetar, të ndershëm e të palodhur.  Gazeta “Korça” shkruante për sakrificat dhe persekutimet e tij, duke vënë theksin se vëllezërit Sotiri ishin nismëtarë të shkollës shqipe kombëtare, prandaj historia do t’i shkruajë emrat e tyre me shkronja të arta. Kam sjellë këtu një poezi kushtuar Koto Sotirit nga miku i tij, Stefan S. Thodhoraqi, siç kuptohet kur vuante vitet e burgimit në Manastir. 

“Ndë botë në rrojnë vetëm cmira, vrasjet e presja,

Dhe këmishën e së vërtetës na e ka veshur gënjeshtra,

Mirësia dhe e vërteta të mos duken asgjëkund,

Gjithësinë në e gjykon djalli dhe botën në tunt,

Oh! Këtë miqësinë tënë gjithësia të na e ftonjë,

kurrë nuk do të guxonjë!” ….

Botuar në “Ditëfyesi Kombëtar” Sofie 1900.

Bashkia e Korçës, me inisiativën e historianit Niko Kothere, në vitin 2017 e ka shpallur Pandeli Sotirin Qytetar Nderi, ndërsa Koto Sotirin nuk e përmend askush, megjithëse edhe ai sakrifikoi gjithë jetën e tij për shkrimin e shkollat shqipe. Mori dënime të tmerrshme për këto veprimtari, provoi burgjet e persekutimet e pushtuesve osmanë. 

Poeti Lasgush Poradeci për shkollën e parë shqipe të Pogradecit ka shkruar: “E theksoj këtu këtë fakt, me rastin e rrëfimit të istorisë shkollore kombëtare shqiptare, sepse lënia mënj’anë e Shkollës Shqipe të Pogradecit, është një padrejtësi e dhimbëshme që i-u ka qënë bërë Pogradecit dhe pogradecarëve, të cilët gjithmonë, dhe që në fillimin më të parë, kanë mbushur më të plotë detyrën e vet ndaj atdheut.”

Pavarësisht se fjalët tona bien në vesh të shurdhër, askush s’na dëgjon. Me këtë protestë të poetit të madh, bashkohem fuqishëm edhe unë si intelektual dhe bashkëfshatar i vëllezërve Sotiri. Jo vetëm shkolla e Pogradecit është lënë mënjanë, por mënjanë është lënë dhe patrioti e mëmëdhetari i flaktë Rilindas, Koto Sotiri që e sakrifikoi gjithë jetën e tij për kombin, për Shqipërinë. Nuk ka të paktën asnjë foto në muzeume. Nuk ka asnjë bust, që i takon ta ketë në Korçë, Pogradec e Gjirokastër, apo të shpallet qytetar nderi i Pogradecit dhe i Qarkut Gjirokastër, etj. Rilindasi Koto Sotiri, nuk ka një varr me emrin e tij, as në qytetin e Manastirit, aty ku dha shpirt. Lavdi të përjetëshme Rilindasve martirë Pandeli dhe Koto Sotiri! Dy korifej, burim frymëzimi i përhershëm për brezat tanë e ata që vijnë më pas.

Filed Under: Reportazh

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 386
  • 387
  • 388
  • 389
  • 390
  • …
  • 2932
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Një Moment Historik për Komunitetin Shqiptar në Chicago
  • Dom Kelmend Spaqi, in memoriam…
  • “Këngë të përshpirtshme të kolonive shqiptare në Sicili”- Giuseppe Schirò
  • “HEDH NJË KAFKË TE KËMBËT TUAJA”!
  • 5th Annual Gjergj Kastrioti Skenderbeu Street Fair
  • E premtja e Gjuhës Shqipe — Një mision përtej oqeanit
  • MËKATET E ZONJËS EMA
  • GAZETA “DIELLI” SYRI I DRITËS SË SHTYPIT SHQIPTAR NE AMERIKË
  • Banda “Vatra” në kontekstin e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane dhe ndërtimit të identitetit kombëtar shqiptar
  • Kullat e familjeve të mëdha patriotike si objekte të trashëgimisë historike
  • ALARM SIGURIE DHE NDËRGJEGJËSIMI KOMBËTAR
  • Edith Durham – Shqiptarët dhe serbomalazezët në 1910-1912
  • Public Statement from VATRA
  • “Universi Biblik” si pasuri e Muzeut të Artit Mesjetar
  • Lavdi përjetë martirëve të 2 prillit!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT