• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Dostojevski dhe ne

March 11, 2025 by s p

Agim Baçi/

Nuk është kurrë e lehtë të flasësh për Dostojevskin, sepse je i bindur se sado që të thuash, nuk ke mundur kurrë të përshkruash aq sa duhet. Të tërën jo se jo. Eshtë nga ata emra që vjen e bashkëjeton me ty përmes tekstit të tij, duke të vërtetuar atë që ai ka parathënë. Asnjë studim serioz për letërsinë nuk do të ishte i plotë pa Dostojevskin, ndërkohë që dhjetra studiues, filozofë, socilogë, psikologë, shpjegojnë punët e tyre përmes polifonisë së pafund të personazheve të skalitura nga imagjinata dhe vëzhgimi më i skajshëm i mendjes njerëzore. Raskolnikovi i “Krim e ndëshkim”, Mishkini te “Idioti”, Stavrogini te “Djajtë”, e sidomos Aljosha e Dimitri te “Vëllzërit Karamazov” janë një oqean i pafund i vështrimeve të botës. Dhe autori nuk përpiqet të ndërtojë asnjë skemë, ku i duhet që personazhi të ketë funde të lumtura. As pretendon se do të shpëtojë njerëzimin nga e keqja me shkopin magjik. Ai këmbëngul që të njohim botën. Nuk rreket të hapë ashtu papritur dyert e pendimit as atëherë kur personazhin e tij e ka larë në lumin e keqardhjes për jetën e tij. Jo, ai është piktori e njëkohësisht telajo. Dhe, ne, spektatorë të kësaj polifonie, veçse duhet ta ndalemi për të medituar mbi atë përpjekje të tij për të dhënë gjithçka mbi aftësinë dhe paaftësinë e mendjes njerëzore.

Raskolnikovi është dilema e madhe e bashkëjetesës në binomin krim-ndëshkim. A mund të ndëshkohet gjithnjë krimi? A i zgjidh pendimi këto marrëdhënie? Mishkini vjen si një skaner i shoqërisë, një pararendës i Shvejkut, por jo me humorin e tij, por me mosvperimin e tij, më dashurinë e tij navive, duke falur të tjerë, duke e mundur të keqen me dashuri. Një dashuri që ka kuptim jo me qëndrimin e tij, por me kthimin e tij andej nga ku ishte nisur. Bota e veseve është më e ashpër në depërtim se sa ajo e virtyteve. E duket se ka më shumë rivalitet.

Ai është det i pafund pyetjesh dhe arsyetimesh, si shigjeta rrugëtimesh, për të të mësuar të ecësh vetë, pa gënjyer veten se gjithçka ndryshon, si një botë Borëbardhë. Atje tek ai, nuk ta shpëton jetën gjuetari. Atje thjesht të jepet mundësia të njohësh, të kesh përballë mashtrues, të ligj, vrasës, të cilët e kanë si një jetë sportive lig7sin7, e kanë kënaqësi t7 keqen. Dhe nuk mund të vetëmashtrohesh se bërja moral është rrugëtim me ta. Ata duhet të takohen ose me vetveten ose me ndëshkimin. Të tretët janë të tepërt.

Askush nuk mund të hyjë mes Aljoshës dhe Dimitrit. Janë ndarë si dy brigje lumi, që s’mund të bashkohen, veçse në një botë tjetër. Eshtë ligësia dhe dashuria. Dhe autori nuk përpiqet aspak të na sjellë ndonjë skenë, si në ato letërsitë skematike, ku një i mirë duhet të jetë nga një fis e një i keq nga fisi tjetër. Jo! Ata të dy janë një gjak, janë Karamazovë. Veçse, në mrekullinë e besueshmërisë së autorit, njëri fle nga Dashuria e tjetri nga Urrejtja e Smira. Janë dy “shtrate” që sjellin “ujë” krejt të ndryshëm. Ashtu i pikturon Dostojevski dy Karamazovët. Dhe gjithnjë dikush përmes Dashurisë kërkon të falë, ndërsa tjetri që nuk “dëgjon nga ai vesh” kërkon gjithnjë të rrëmbejë, e të fusë gjithçka në Mbretërinë e Vesit, aty ku ndihet gati për çdo betejë. Sepse, siç thotë diku autori, përmes Aljoshës së tij: “Nëse nuk beson në Zot, bëj ç’të duash”. Pra, gjak i njëjtë, mbiemër i njëjtë, por qëllime të ndryshme. Pikërisht qëllimi është ai që i jep emër vetes sonë, asaj që do të shijomë më pas në përditshmërinë tonë, ajo që do të shohim në thesin e madh nga koha jonë e shkurtër në këtë “dynja pa fund”.

Te Dostojevski ka parashikim, tronditje, emocion, filozofi, këshillim dhe paralajmërim. Eshtë një hartë e pafund shigjetash, deri në tronditje. Eshtë nga ata shkrimtarë që vjen e bëhet gjithnjë e më i pranishëm pas leximit, duke u vërtetuar me parashikimet e tij, në mënyrë të pashmangshme, në përditshmërinë tonë. “Ishte një ditë me fat kur dora më kapi librin e Dostojevskit”, thoshte Niçja. Një fjali që duket se e thonë shumica e atyre që ngjyjnë imagjinatën me gërmat e mbledhura dhe formatuara nga Dostojevki.

I ardhur në shqip i plotë, nga përkthimi i Jorgji Doksanit dhe botuar me kujdes nga shtëpia botuese “Uegen”, Dostojevski është sot një shans i madh për këdo që kërkon të shëtisë mbi sugjerimin e jashtëzakonshëm të botës që na vjen nga letërsia. E gjithë bota e sugjeruar prej tij është një polifoni e pafund e shpirtit njerëzor, i dilemave dhe zgjidhjeve. Duket sikur e ka patur të tërën në dorë Njeriun në Kohë. E ne, lexuesit e tij, mbetet veçse ta quajmë veten me fat që jemi ndeshur me një letërsi të tillë.

Filed Under: Fejton

Rutte: Kosova është vend shumë i rëndësishëm

March 11, 2025 by s p

Sh.Ç/RTKlive/

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, para ardhjes në Prishtinë, ka thënë se Kosova është një vend shumë i rëndësishëm, ku prania e NATO-s është e fortë përmes trupave të KFOR-it.

“Është e rëndësishme të angazhohemi të gjithë që ky shtet të jetë në situatën më të mirë të mundshme. Atje ka pasur zgjedhje dhe do të shohim si do të formohet Qeveria e re. Gjithë kjo është pjesë e një procesi normal demokratik, gjë që është e mirë. Por në të gjithë rajonin situata po ndryshon. Jam në komunikime intensive, jo vetëm me krerët e Kosovës dhe ata të Bosnjë e Hercegovinës, por javën e kaluar kam biseduar edhe me Vuçiqin, që javën tjetër pritet të jetë së shpejti në Bruksel. Pra, komunikimet janë intensive që tensionet në rajon të ulen”, ka theksuar Rutte për Al Jazeera Balkans.

Shefi i NATO-s duke folur për rritjen e tensioneve në rajon, ka theksuar se ajo çka ka ndodhur në Bosnjë dhe Hercegovinë nga viti 1992 deri në vitin 1995, dhe në Kosovë deri në vitin 1999, nuk guxon të përsëritet kurrë më.

“Ajo çka ka ndodhur në këtë rajon, në Bosnjë dhe Hercegovinë nga viti 1992 deri në vitin 1995, dhe në Kosovë deri në vitin 1999, nuk duhet të përsëritet kurrë më. Ky rajon ka potencial të madh. Dëshirojmë që të rinjtë që jetojnë këtu, të qëndrojnë këtu, të jenë të suksesshëm, të hapin biznese, të inkuadrohen në rrethet politike dhe akademike, të bëhen artistë të mëdhenj dhe ta zhvillojnë këtë vend”, ka deklaruar Rutte.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, sot do të vizitojë Kosovën, së bashku me ambasadorët e Këshillit të Atlantikut të Veriut.

Shefi i NATO-s, gjatë vizitës në Kosovë do të takohet në takime të ndara me presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti.

Filed Under: Politike

Honore de Balzak, shkrimtari i periferisë

March 11, 2025 by s p

Jeta e këtij “Napoleoni” që zotëroi historinë e Francës dhe letërsisë botërore me penë, nuk ka një të ngjshme, për nga larmishmëria dhe rrugëtimi trazimtar i tij. Episodet drejt majës ku qëndron ende, janë të shumtë dhe shpesh tragjikomik. Ndoshta kësisoj do të farkëtohej më mirë ai shpirt krijues, ai që lindi kryevepra, për të mos hezituar të ishte i përfshirë në sa e sa ngulme sprove ku u rrëzua për të mbajtur në këmbë viganin e një shekulli. Kur Balzaku ishte i ri çoi te botuesi një dorëshkrim. Ishte një roman i titulluar: “Zana e fundit”. Botuesi e lexoi veprën dhe mbeti shumë i kënaqur. Vendosi t’i ofrojë 3000 franga për të drejtëri e autorit. Pastaj kërkoi adresën e Balzakut dhe kur mori vesh që ai jetonte në një lagje të varfër të periferisë, mendoi se 2000 franga do të ishin më se të mjaftueshme. Kur arriti përpara shtëpisë së tij pa se shkrimtari jetonte në papafingo.

– Atëherë, – tha botuesi, – njëmijë franga do të jenë të pranueshme me kënaqësi prej tij.

Dhe kur hyri në shtëpizën e varfër ku banonte Balzaku i tha:

-Zoti Balzak, ja ku i kini 300 franga për romanin tuaj. Dhe Balzaku i pranoi ato.

Kësisoi ishin shtigjet kah Balzaku ambicioz do të gjente rrugën për t’u ngjitur në apogje, aty ku gjenialiteti i tij shkëlqeu, duke mëtuar aktin krijues me besimin e lartësuar hyjni. Kishte lindur për gjëra të mëdha që nisën çapitjen e hapave të fillimtë nga periferia. Kurrë nuk mund nga dështimet, përkundrazi ata e mësuan se si mund të ngjitej aq lart.

Albert Vataj

Filed Under: ESSE

LASGUSH PORADECI, POEZI QË FILLON ME KUNDRIMIN E YJEVE

March 11, 2025 by s p

Kosta Nake/

Kur lexon Lazgushin, natyrshëm mund të mendosh se poezia ka lindur atë mbrëmje të bukur, kur për minuta e minuta që fluturuan pa u ndier, njeriu u bë me krahë shpirti dhe iu afrua qiellit të kthjellët duke kaluar doganën e hënës dhe duke u futur në shoqërinë e yjeve të panumërt. Me siguri, kundruesi i radhës ka patur njohuri për filozofin gjerman Imanuel Kant që thonte: “E gjithë dija jonë fillon me shqisat, vazhdon pastaj tek kuptimi dhe mbaron me arsyen.”

Lazgushi shtyu mënjanë hënën, e mori me të mirë diellin duke e përfshirë në bashkësi kur shkruan “çduket yll’ i ditës” (f.87) për të shkuar më tej, tek yjet. Si poet i rritur buzë liqerit, ai krijoi një marrëdhënie të veçantë me qiellin e spërkatur me yje që u kthye në një brumë poetik për magjen e imagjinatës, ia mbushi shpirtin me frymëzim, ia mori me vete mendjen në shtigjet e kureshtjes, i dha krejt trupit të tij një përmbushje të thellë. Spektakli qiellor shërbeu si një skenë e hapur madhështore për një njeri të miredukuar që u përpoq të gjejë dhe të kuptojë vendin e vet në univers.

Qielli kundrohej prej poetit së pari në rrafshin teologjik, prandaj ajri, era dhe qielli ishin hyjnorë. Në anglisht ekziston dallimi i qiellit si fenomen fizik (sky) nga qielli si koncept fetar (heaven), kurse në shqip ky dallim është bërë nganjëherë me dyshen qiell – allah. Një qasje e tillë demonstrohet që në parafjalën poetike “Zog i qiejve” të krejt vëllimit, ku zogu bëhet shembëllim i poetit me deklarimin: “Prit-e, prit! Se po t’afrohet Zog i Qiejve, o Zot!” (f.17)

Kjo do të finalizohet me ciklin e posaçëm “Vallja e përjetësisë”, një lirishtë ku hedh valle besimi te Zoti dhe raporti i njeriut me të, ku qenia “merr dhe jep që Lart.” (f.113)

Koncepti fetar për qiellin pranon edhe shoqërimin me konceptin shkencor, kur, pasi ka deklaruar “Një yll përjetësie u ndez në shpirtin tim” (f.85) dhe ka sqaruar se “Ësht’ yll i dashurisë q’u ndez në shpirtin tim”, poeti i pyet: “Pse nuk ndaloni haj! rrotullimin tuaj!” Tek poezia “Vallja e yjve” ideja e lëvizjes rimerret duke lexuar edhe nëntekstin për marrëdhëniet njerëzore:

“…kurrë nuku mund

Ylli yllin që ta kapë,

Rrotull qiejve pa fund

Venë-e-vinë-e-venë prapë.”(f.107)

Mjaft interesant është krahasimi i yjeve me thëngjijtë e ndezur që pasohet me përfundimin befasues “prej mosgjëje zunë fill.” (po aty)

Është një marrëdhënie që ka filluar në agimin e qytetërimit, me hamendësime dhe përpjekje për të deshifruar misteret e largëta, vazhdon sot dhe do mbetet shteg i hapur edhe për të ardhmen, sepse përmasat e qiellit janë të papërfytyrueshme dhe të papushtueshme “në lartësirën e pamatë” (f.22), “nëpër qjell që s’ka mbarim/ as fillim, as fund, as anë” (f.108), ato do të mbeten vetëm gërvishtje të vogla shkencore dhe zbulime periferike që më shumë soditen dhe më pak nënshtrohen. Platoni dhe Aristoteli panë te yjet dëshminë e hyjnores që kapet me sy, manifestimin fizik të formave ideale dhe rregullit natyror. Yllësitë kanë qenë vazhdimisht objekte vëzhgimi, mjete të njësimit të kohës dhe burim i miteve e legjendave duke u kthyer në një thesar të çmuar. Në letërsi dhe arte yjet u kthyen në përfaqësues të shpresës, gëzimit, mbrojtjes, udhërrëfyesit dhe fatit dhe simbole të mrekullimit e frymëzimit, ushqyer nga mitet dhe legjendat, ata kanë çuar në shprehje dëshirash “me yje që bien”, apo “që zbret prej lartësije…dhe hyn në zemrën time” (f.23), te besimet popullore mbi fuqinë magjike, kurse njëri prej tyre, Ylli Polar, ka shërbyer si pikë orientimi për udhëtimet e largëta.

Me vëllimin poetik “Vallja e yjve” botuar një shekull më parë, Lazgush Poradeci bëhet eksploruesi i parë shqiptar i letrave që fjalë “liri” e kërkoi në qiell. Filozofia e qiellit kthehet në filozofinë e vetvetes sepse të dyja trupëzohen fizikisht dhe artistikisht me një densitet të madh fillim e mbarim vëllimit. Poeti ishte i detyruar të shihte qiellin, kudo ku ndodhej, edhe kur shëtiste pa qëllim bregut të liqerit, edhe kur e përfytyronte veten pranë detit të largët i cili, në këtë vëllim, e ka zhvendosur liqerin në vendin e dytë, ai është mjaft i pranishëm si një ekuivalentim i madhështores së qiellit në ngjyrë dhe në përmasa. Lazgushi e donte qiellin, trembej prej tij deri në “llaftari”, por edhe emocionohej pafundësisht. Qielli nuk ishte thjesht një qenie që mund të kufizohej në kufijtë e shtrënguar të reve, shiut, mjegullës, krijesave dhe objekteve fluturuese; ai ishte diçka që nuk mund të përkufizohej, diçka që nuk pranonte të formësohej sipas imazheve tokësore.

Duke ecur në vazhdën e trashëgimisë botërore, poeti i zbret yjet nga qielli në tokë në trajtë simbolesh, krahasimesh dhe metaforash dhe i organizon në vallen tokësore. Kur flasim për valle, karakteristika kryesore identifikuese e tyre është lëvizja, mjaftojnë dy vetë për të kërcyer, pastaj kërcimi kulmon te legjenda e atij trimit që e hodhi vallen e fundit të jetës i vetëm mbi një tepsi.

“Urdhëroj i Madhi Zot:

Zu ndrin yll’ i Shqipërisë.” (f.44)

Në këtë rast metafora mban brenda fatin e mirë të atdheut.

Ylli mund të përdoret si simbol i rinisë “Djalëri, heu, yll i ri!” (f.45) ose i së dashurës “Porsi një yll i perënduar më pate humbur gjith më larg” (f.99); mund të zbresë mbi ballin e dikujt për ta veçuar për trimërinë, metaforë e përdorur gjerësisht në rrëfenjat popullore; mund të bëhen simbol i bukurisë femërore “ndezur yll’ i ballit si yll shenjtërije” (f.62); mund të përshkojë udhëtimin krahasim – metaforë – paralelizëm figurativ:

“Syt’ e saj q’u mavijuan,

Jan’ yjt e qiellit të venitur.” (f.50)

“Syt’ e tu vetëtimtarët ndezin yj mbi valë detesh” (f.83)

Ndodh edhe lëvizja në kah të kundër, kur toka kthehet në furnitore për qiellin:

“Pa del në qjell një yll me dritë/ prejt shpirtit tim…” (f.90)

(Vëllimi poetik “Vallja e yjve” (1933) i Lazgush Poradecit, Vepra 1, Poezia, Tiranë 2009)

Filed Under: LETERSI

 THE LINDY HOP…!

March 11, 2025 by s p

Kristaq BALLI

Lindy Hop” është titulli i një vallëzimi të famshëm ritmik amerikan në çift që lindi dhe evoluoi në komunitetet afro-amerikane në Harlem, New York gjatë viteve 1920-1930 fillimisht me muzikën xhaz të asaj kohe e më tej si një përzierje e shumë ritmeve muzikore të asaj kohe si tap, brëkuej, çarleston,etj. Është një dancim tepër ekspresiv, i gëzuar, i papërmbajtur, i harlisur,  eksploziv, spontan e plot improvizime, me lëvizje të thukëta thuajse akrobatike të çdo pjese e muskuli të trupit, por edhe plot harmoni midis dy partnerëve; me qindra hapa individuale, apo të sinkronizuara, figura hapësinore, pirueta e salto eterike, me afrime intime, përqafime, largime, me tërheqje e shtyrje  të sinkronizuara e sensuale, me “floor steps” (hapa toke), “shine steps” (hapa farfuritës)  “air steps” (hapa në ajër),  të lidhura nga duart e pagabueshme, plot gjeste,  pra një koreografi ekstaze e shpejtësisë, figurave, gjallërisë dhe vitalitetit artistik. Ky vallzim ka fije  lidhëse me  një ngjarje e vërtetë: Aviatori i famshëm Charles Lindberg, me pseudonimin  ”Lucky Lindy”  (Lindi  fatlum) fluturoi për herë të parë me avion (hopped)  nga Nju Jorku  në Paris më 1927 dhe u bë, kështu, i famshëm për udhëtimin e tij ndërkontinental.  Te Roy Williams dhe orkestra e tij regjistruan këngën ”Lindberg Hop-Overseas Stomp”. Dhjetë ditë pasi Lindbergh qëndroi në Le Bourget, Francë,  një variant  vallëzim “Lindy Hop” u përshkrua nga gazetari  Gilbert Swan1) 

Siç duket vallzimi i parë kushtuar fluturimit të Lindbergut ishte “Lindy Hop”. “Lindy”, me sa kuptohet koincidon me pseudonimi i Lindberg ndërsa “Hop” është një pasthirmë eksklamative që nënkupton “kërcim”, “hedhje”, “hopa!” ”shkëputje nga toka”, “fluturim në ajër”, që i përshtatet pilotimit të Lindbergh-ut”.

Prej këtij  vallzimi Gjon Mili ka rrëmbyer në fotot e tij fragmente thelbësore e karakteristike  interpretuar fillimisht nga Stanley Cotron dhe Kaye Popp (1943), të dy  shtatëmbëdhjetë vjeçarë nga  shkolla muzikore e Brodueit “Something for the Boys”. Fotoja e tyre nga Gjon Mili është vendosur në  ballinën e revistës LIFE.  Brenda saj Mili e ka ilustruar vallzimin me fotot e tij analitike lëvizje pas lëvizjeje, aq sa revista e konsideron tërësinë e essesë  së gjatë fotografike si një leksion vizual të Gjon Milit për ta mësuar këtë vallzim gjithë të rinjtë.2) 

“Lindy Hop” ka pësuar një evolucion të gjatë duke u kthyer nga një kërcim popullor argëtimi në një performancë konkurimi, madje deri në koreografi baleti modern.3) 

Janë këto disa prej parapritjeve pse Gjon Mili zgjodhi të bëjë objekt të aparatit të tij këtë kërcim të famshëm ekstravagant që, sipas intuitës së tij të pagabueshme, premtonte për foto të stilit të tij origjinal në lëvizje, në shpërthim  të fraksioneve të kohës dhe ngrirje të lëvizjes. 

Vetë Gjon Mili thotë: “…Kishte thashetheme se Zoti B., kryeredaktori i LIFE nuk e pëlqente këtë vallëzim. Por unë kisha shpresë për një rezultat  shumë të mirë. Lindy Hop ishte përhapur gjerësisht me kalimin e viteve….Performanca e valltarëve ishte frymëzuese dhe fotot  e vërtetuan atë. Përballeshe me një ortek sekuencash që tregonin morinë  e lëvizjeve: figura  në dysheme, lëvizje  farfuritëse, hapa në ajër, kërcime e rrotullime, pa përmendur improvizimet që ishin pjesë e pandarë e vallzimit. Zoti B. e harroi paragjykimin, në se e kishte një të tillë dhe,  i mbushur nga një frymë e gëzuar në ato që pa, ai e la të hapur(në revistë K.B.) historinë e hapësirës së essesë  dhe të kopertinës – një pasuri tërësisht e papritur.”4) 

Dhe s’kish si të ndodhte ndryshe. Seti i fotove të “Lindy Hop”, u botuan në revistën “LIFE” më 1943 (një seri shkrepjesh në studion e Gjon Milit me kërcimtarët Kaye Pop dhe Stanley Catron  në vitin 1943. Njera prej tyre përfshin gjithë ballinën e revistës “LIFE” të datës 23 gusht 1943, ndërsa brenda saj gjendet një fotoese prej 10 faqesh “për ata që duan ta mësojnë këtë vallzim”, i cili  pati një jehonë sensacionale jo vetëm për bukurinë estetike dhe mjeshtërore të realizimit fotografik, por edhe për reklamën dhe promovimin pozitiv të kërcimit dhe të valltarëve virtuozë. 

Por fotoja më përfaqësuese e këtij vallzimi emblematike mbetet ajo, kur vallëzimin  do ta interpretonin dy prej valltarëve të tjerë të njohur me ngjyrë, që u bënë simbol i këtij kërcimi – Willa Mae Ricker (…ajo ishte një nga më famshmet   e  Lindy-Hop… ajo ishte shpirti dhe  zemra e vallzimit” – shprehej me entusiazëm koreografi i njohur i Lindy Hop-it, Frankie Manning) dhe ylli Leon James.  Frankie  theksonte aftësitë e  Willa Mae Ricker në performancën ajrore dhe fuqinë e saj fizike  “…për të mbajtur partnerin lart aq sa ata të mund të shkëlqenin”.  Fotografitë e këtij   kërcimit nga çifti Ricker-James të realizuara në studion e  Milit janë sensacionale sidomos kur valltarët janë në ajër. Nga pikpamja pamore, ai ka zgjedhur formën e skajshme grafike me kontrast të fortë, ku siluetat e kërcimtarëve të veshur me kostume të zinj ndriçohen nga     disa  burime dritash tangjente me aparatin e tij, në mënyrë që sfondi prapa kërcimtarëve  të mbetet po aq i errët sa  të mos duket asnjë objekt tjetër. Kjo zgjedhje mjeshtërore, me një shkrepje fraksion të sekondës (strobe) i jep fotos idenë e qëndrimit pezull të valltarëve në një lartësi të madhe, si në një fluturim.  

Në paraqitjen e shkurtër redaksionale që paraprin artikullin “Photography as Theology”  (Fotografia si Teologji) nga  Sean Callahan në revistën “American Photographer” thuhet: “Gjon Mili e ndriçoi botën si një kolos. Lindi Hop ishte e gjitha një furi entusiazmi tek të rinjtë kur Mili bëri foton e Willia Mae Ricker duke kërcyer me Leon përçmim të konsiderueshëm nga institucionet kulturore për marrrëdhëniet e saj me mënyrën e jetesës  moderne dekadente të shoqëruar me xhazin. Mili, një pionier në përdorimin e dritës stroboskopike kishte njohuri të thella për kompleksitetin e  fotografimit të kërcimit dhe krijoi një foto që habiti botuesit e revistës  LIFE, të cilët e përdorën si ballinë të saj.  Një profil i Milit, një prej legjendave të gjalla të fotogazetarisë vijon në faqet e mëtejshme…”5) 

Disa prej fotove me Willia Mae Ricker dhe Leon James të Gjon Milit për këtë vallëzim u bënë dhe mbeten edhe sot përfaqësuese, simbolike në shumë kartolina, CD muzikore, reklama e printime, sidomos tek veshjet e të rinjve. 

Nga viti 1936 e deri në vitin 1944, vetëm Revista “LIFE” ka botuar në faqet e saj  13 herë artikuj me foto ese të lidhura posaçërisht me kërcimin “Lindy Hop”6)7)8)9) 

Ndërkaq, po ky organ mediatik do t’i  rikthehej sërish këtij vallzimi simbolik nëpërmjet fotove të Gjon Milit 29 vite më vonë më 1972, ku riboton disa foto të tij me komentin redaksional të titulluar “29 Years Ago In” (29  Vjet më Parë) dhe  nëntitull “The dance that had wartime  teenagers jumping was called the Lindy Hop (Vallzimi që të rinjtë e kohës së luftës kërcenin quhej Lindy Hop). Aty thuhet: “Ballina e revistës Life e 29 viteve më parë  i kushtohej një vallzimi popullor që  rrëmbeu brezin e ri të Luftës II Botërore. –  Lindy Hop. Life theksonte që  Hop ishte i pari vallzim popullor tërësisht kombëtar që mbante historinë me kryefjalën “një vallzim kombëtar folk kishte lindur në SHBA”.  Shkrepjet e Gjon Milit me stop-aksion e hapave të njëpasnjëshëm ishin një nga zbatimet e hershme të blicit elektronik në fotografinë e gazetarisë. Një pamje anësore e një improvizimi fluturimthi  jep kënaqësinë e papërmbajtshme shpirtërore të vallzimit.10)Por kjo foto përfaqësuese e Gjon Milit rikthehet në shumë botime bashkëkohore, sidomos në albumet jubilare që redaksia e revistës “LIFE” boton  në çdo 5 vjet me rastin e përvjetorëve të saj.  Kështu “Lindy Hop” është një nga katër fotot me të cilat Mili përfaqësohet në botimin ”The Best of LIFE” (Më të mirat e LIFE) të vitit 1973. Edhe në botim me rastin e 70-vjetorit te revistës të nëntorit 2006, ku vendosen  fotot më të spikatura të jetës së saj, fotos “Lindy Hop” i është kushtuar një faqe.  Me rastin e 75 Vjetorit të Revistës “Life”, më 12 Janar, 2012 gazeta amerikane “The Telegraph” boton rubrikën “75  Fotot më të Bukura të revistës LIFE”, ku fotoja “Lindy Hop” me Willa Mae Ricker dhe Leon James radhitet e pesta. Ndërkaq botimi luksoz  “75 Years – the Very Best of LIFE” i dedikon kësaj fotoje faqen e parë të tij.  

□ □ □

Referenca

_________________________

  1. Reno Gazette, 31 Mars, 1927
  1. The Lndy Hop: A True National Folk Dance Has Born in USA, LIFE: August, 23, 1943 

3) Kristaq Balli: “Një Artist Argjendar  Dardhar i Suksesshëm” Gazeta “Koha Jonë”, 19 qershor 2017, f.16-17:  Gazeta “Boston Traveller” në një artikull të dt. 18 Maj 1928, i ribotuar edhe në gazetën “Dielli”,  dt 25 Maj 1928 shkruan:     “Aviatorët gjermanë që fluturuan nga Europa në Amerikë me Bremenin, të shtunën e kaluar ishin në Boston, ku u pritën me paradë dhe nderime të mëdha. Lidhja e Ushtarëve ‘American Legion’ me këtë rast i dhuroi tre vizitorëve të shënuar nga një medalje. Është për t’u theksuar që këto medalje, Shoqëria e Ushtarëve i kish porositur te artisti argjendar shqiptar (nga Dardha e Korçës-K.B), zoti Stavri Pani, i ungji i zotit Vasil Pani, anëtarit të komisionit të “Vatrës”. Edhe në dy raste të tjera kur “American Legion” dekoroi kolonelin Lindbergh e më vonë kondëradmiralin Byrd me shokë, medaljet ishin porositur te zoti Pani” 

4) Gjon Mili, Photographs & Recollections, p.56

5) Sean Callahan: American Photographer, Vol. IV, No. 5 November 1980, p. 3 dhe pp.36-48  

6)  December 14, 1936: Scenes from the Savoy Ballroom including Leon James, pp 64-68

December 28, 1936: General issue on American dance, pp 30-31 show Leon and Willa Mae   demonstrating the swing-out

7)  Harlem’s New “Congeroo” Gives Girls a Workout.  Life 16 June 1941, pp. 49-50  

 8) The LINDY HOP COVER ISSUE. A full-scale discussion of Lindy and its origins including the classic pictures of Leon James and Willa Mae Ricker doing aerials, August 23, 1943:  pp 95- 103. 

9)  Gjon Mili photographs Gene Kelly,LIFE  May 29, 1944,  pp 12 – 15

Në të vërtetë para vitit 1936, LIFE ishte tepër konservatore, anglofilike, anti emigrantëve dhe raciste e vërtetë në qasjen e  saj ndaj tyre. Dukej se  para Luftës II Botërore, kur Lindy u përhap në komunitetin me ngjyrë, Life e përçmoi dukshëm vallzimin. Më 28 Dhetor 1936 në një variant të këtij vallzimi, Leone dhe Willa Mae identifikohen vetëm si “…këta negro të Harlemit…”, ndërsa valltarët e  tjerët (kaukazianët) identifikoheshin me emra… Ishte vetëm viti 1943 kur LIFE zbuloi Lindy-n si “kërcim amerikan folku”, pasi vallzimi u adoptua nga komuniteti i bardhë, veçanërisht nga ushtarët pjesëmarrës në luftë…

Me sinqeritet, Henry Luce, botuesi, mund të kishte pasur një politikë editoriale të       pakëndshme, ndaj ai afroi disa fotografë të mëdhenj si Margaret Bourke-White, Philippe Halsman, Alfred Eisenstaedt, dhe W. Eugene Smith. Si të dhëna fotografike nuk kemi asgjë negative, veçse lavdërime për LIFE.  Bashkëngjitur për kënaqësinë tuaj kemi vendosur, artikullin  mbi Lindy Hop të revistës LIFE, 23 Gusht 1943 (të Gjon Milit)  (LIFE Magazines with Lindy-Related Content – Jitterbuzz,

10)  “29 Years Ago In”, LIFE, August 25, 1972  pp. 24-25

Filed Under: Kulture

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 444
  • 445
  • 446
  • 447
  • 448
  • …
  • 2778
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT