• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kosova – Kurrë pjesë e Serbisë: E vërteta historike e mohuar me qëllim

June 16, 2025 by s p

Prof. Dr. Fejzulla BERISHA/

Në diskursin ndërkombëtar, e sidomos në narrativën politike të Beogradit, shpesh përsëritet pretendimi se “Serbia e ka humbur Kosovën”. Ky është një manipulim i qëllimshëm, një gënjeshtër historike dhe politike që synon ta paraqesë Kosovën si pronë të ligjshme serbe – gjoja të grabitur padrejtësisht. Në të vërtetë, Kosova nuk ka qenë kurrë pjesë e Serbisë në kuptimin juridik, por një territor i pushtuar përmes dhunës dhe i mbajtur me represion për më shumë se një shekull.

I. Pushtimi i Kosovës më 1912: fundi i sundimit osman, jo fillimi i të drejtës serbe

Në tetor të vitit 1912, ushtria e Mbretërisë së Serbisë pushtoi Kosovën – atëherë ende pjesë e Perandorisë Osmane – pa asnjë bazë ligjore ndërkombëtare që do t’i garantonte asaj sovranitet mbi këtë territor. Raportet ndërkombëtare të kohës, si ai i Komisionit të Carnegie-s (1913), dëshmojnë krime masive ndaj popullsisë shqiptare: masakra, dëbime, djegie dhe grabitje.

Ky pushtim ushtarak, si çdo formë tjetër kolonializmi, nuk krijon të drejtë sovrane. Serbia nuk fitoi asnjëherë legjitimitet mbi Kosovën, por vetëm kontroll të imponuar me forcë.

II. Politika e kolonizimit dhe serbizimit (1912–1941)

Pas pushtimit, Serbia dhe më pas Mbretëria e Jugosllavisë zhvilluan një politikë të planifikuar të kolonizimit me serbë e malazezë, në përpjekje për të ndryshuar strukturën demografike të Kosovës. Ligjet për kolonizim (1920–1939) shpërndanë prona shqiptare te kolonët sllavë, duke ndjekur një strategji të qartë etnospastrimi. Shkollat shqipe u mbyllën, gjuha dhe kultura shqiptare u shtypën, ndërsa mijëra shqiptarë u dëbuan drejt Turqisë.

Kjo ishte një dhunë sistematike dhe e qëllimshme – një përpjekje për ta bërë Kosovën “tokë serbe” përmes zhdukjes së shqiptarëve si element përbërës.

III. Kosova në Jugosllavi: autonomi kushtetuese, jo pjesë “natyrore” e Serbisë

Pas Luftës së Dytë Botërore, Kosova u përfshi në Federatën Jugosllave si krahinë autonome formalisht brenda Serbisë, por me status të veçantë kushtetues, që kulmoi me Kushtetutën e vitit 1974. Ajo kishte institucione vetëqeverisëse, përfaqësim federal dhe kompetenca të barasvlershme me republikat tjera.

Vetëm në vitin 1989, me ardhjen e Sllobodan Millosheviqit, Serbia suprimoi këtë autonomi përmes dhunës – një grusht kushtetues i shoqëruar me dërgimin e ushtrisë në Kuvendin e Kosovës dhe shuarjen e institucioneve shqiptare. Ky akt ishte i pavlefshëm juridikisht dhe u kundërshtua nga shqiptarët me krijimin e institucioneve paralele, duke dëshmuar se Kosova as atëherë nuk ishte pjesë e Serbisë, por një entitet që rezistonte ndaj kolonizimit të brendshëm.

IV. Lufta 1998–1999 dhe ndërhyrja e NATO-s: fundi i sundimit kolonial serb

Në fund të viteve ’90, Serbia intensifikoi represionin ndaj shqiptarëve. Mbi 13 mijë civilë u vranë, qindra mijëra u dëbuan dhe u kryen dhjetëra masakra – nga Prekazi e deri në Krushë, Mejë e Reçak. Këto krime tregojnë se Serbia nuk ushtronte autoritet sovran, por sundim me anë të terrorit.

Ndërhyrja e NATO-s në mars 1999, e bazuar në parimet e së drejtës ndërkombëtare humanitare, dëshmoi refuzimin ndërkombëtar të sundimit serb mbi Kosovën dhe hapi rrugën për çlirimin dhe ndërtimin e institucioneve të reja.

V. Pavarësia e vitit 2008 dhe opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë

Më 17 shkurt 2008, Kosova shpalli pavarësinë përmes një procesi të mbikëqyrur ndërkombëtarisht. Në vitin 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë konstatoi se kjo shpallje nuk shkelte asnjë normë të së drejtës ndërkombëtare. Pra, bota u bind: Kosova nuk është “ndarë” nga Serbia, por është çliruar nga një pushtues.

VI. Narrativa serbe: manipulim për qëllime diplomatike

Serbia ka ndërtuar një narrativë të qëllimshme, ku paraqitet si viktimë që “e humbi Kosovën” për shkak të ndërhyrjes së jashtme. Ky narrativ përdoret në të gjitha frontet – në dialogun me BE-në, në raportet me Rusinë e Kinën dhe në përpjekjet për të penguar anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Por kjo gjuhë nuk bazohet në fakte juridike, as në realitetin historik. Ajo synon të mbulojë krimet dhe të legjitimojë pretendime që kurrë nuk kanë ekzistuar.

VII. Rreziku i pranimtarisë së kësaj narrative

Përdorimi i shprehjes “Serbia e ka humbur Kosovën” është i dëmshëm dhe i rrezikshëm, sepse:

-e shndërron çlirimin e Kosovës në një kontestim territorial;-

relativizon luftën për liri dhe sakrificën e popullit shqiptar;-

inkurajon Serbinë të vazhdojë politikën mohimit dhe pengimit diplomatik.

Ky është një fyerje për viktimat, për UÇK-në, për ndihmën ndërkombëtare dhe për vetë parimet mbi të cilat është ndërtuar shtetësia e Kosovës.

VIII. Çfarë duhet të bëjë Kosova?

Kosova duhet të ndërtojë dhe artikulojë me vendosmëri një kundër-narrativë mbi tre shtylla:

  1. E vërteta historike – duke risjellë raportet dhe faktet mbi pushtimin dhe represionin (1912–1999);
  2. E drejta ndërkombëtare – me theks në parimin e vetëvendosjes dhe legjitimitetin e shpalljes së pavarësisë;
  3. Gjuha e çlirimit, jo e ndarjes – Kosova nuk është ndarë nga Serbia, por është çliruar nga një sundim kolonial.

Mbyllje: E vërteta si bazë e mbrojtjes së shtetësisë

Shtetësia e Kosovës nuk është një “favor” i dhuruar, por një realitet i fituar me gjak, qëndresë dhe vizion kombëtar. Kosova nuk është “humbje” e Serbisë – sepse Serbia nuk e ka pasur kurrë. Prandaj, çdo përfaqësim ndërkombëtar, çdo deklaratë diplomatike dhe çdo tekst akademik duhet të mbështetet mbi këtë të vërtetë thelbësore.

Të thuash se Serbia “e humbi” Kosovën është njësoj si të thuash se një hajdut ka humbur shtëpinë që kishte zaptuar me dhunë. Jo – shtëpia iu kthye pronarit të saj të ligjshëm.

Filed Under: Histori

NAUM PRIFTI, PËRKUJTIM NË 2 VJETORIN E KALIMIT NË AMSHIM

June 16, 2025 by s p

Barazi për të gjithë…

Naum Prifti

Skicë

Sa tërheqëse qe kjo ideja se do të rronim të gjithë njëlloj. Dhe kur thoshim “njëlloj”, mendja më shkonte menjëherë te më të pasurit e fshatit e të krahinës. Ideali abstrakt sakaq mishërohej te persona të njohur që kishin nivel të lartë jetese, që rronin mirë, visheshin mirë, kishin shtëpi të bollshme e të bukura. Sa herë thoshim se i pasuri dhe fukarai do të kishin një nivel, mendja më shkonte te avokati ynë, zoti Vangjo dhe tek sekretari i gjyqit që vishej me sqimë e mbahej shik.

Disa pikëpyetje më dilnin që atëherë dhe nuk e mendoja si mund të bëhej zotni një shakatar si Çomja. Mendoja se edhe po t’i jepnin rroba të mira e të pastra, ai për dy javë do t’i kishte lerosur dhe shqepur. Po ajo që më mundonte më shumë qe si do t’ia bënin me çobanin e lopëve e të dhenve. Gjithë të tjerët do të rronin si në qytet, si në parajsë, po dhentë e lopët kush do t’i kulloste? Si do të bënte çobani kur të zinte shiu e breshëri?

“Do t’u japin ombrellë,” thoshte im vëlla. “Do t’i krijojnë kushte të mira.” Po ku pyeste shiu me erë për ombrellë? Ta merrte e ta flakte tej pa gajle. Ombrella në malet tona nuk i shërbente për asgjë. “Do t’i japin mushama,” vazhdonte vëllai.

Për çobanin s’ më mbushej mendja se do të shpëtonte nga kusuret e motit të keq. Mirëpo sipas teorisë marksiste të pasurit rronin mirë se përvetësonin edhe mundin e fshatarit dhe të punëtorit. Për shtresën e administratës e për gjithë ata që rrogën e merrnin nga qeveria, mendoja se nuk kishin asnjëfarë ideje se shfrytëzonin krahët a djersën tonë. Mundin dhe punën e krahut tonë e merrnin vetëm ata që mbanin argatë e shegertë.

Ne donim të rronim mirë të gjithë. Por ndërsa të pasurit merrnin nga ne, prej kujt do të merrnim ne.

Ideja e ndarjes së padrejtë të pronës ishte në themel të të gjitha luftërave që nga kohët që s’mbahen mend. Dhe kjo luftë nuk dallonte nga të tjerat. Mendonim se do të ngrinim nivelin e jetesës duke ndarë pasurinë, më saktë duke e rekuizuar. Do t’i merrnim Vangjo avokatit e do t’i jepnim Kolës a Kasëmit.

Sa joshëse tingëllonte kjo ide, ç’ vizion i mrekullueshëm për të ardhmen. Ky imazh fantastik filloi të qarkullonte që në ditët e luftës pikërisht sepse ishte aq joshës e aq tërheqës…

Ligjet ekonomike dhe llogaritë i kishin lënë mënjanë, se as i njihnin dhe as u delnin.

Edhe ne, si s’u kujtuam njëherë të shikonim sa na binte po ta ndanim pak katandinë e Vangjo avokatit dhe të kryesekretarit në njëqindekatër pjesë? S’kishte për të na rënë as nga një cep velenxe, as nga një pëllëmbë qilim. Kush do të merrte lugët, do t’i mbetej hatri se i morën pirunët, apo do t’ia kishte zilinë atij që mori diskun e tepsinë.

Pale të dëgjoje Xhoxhin tonë! “Vetëm sa të mbarojë lufta,” thoshte vazhdimisht, “se pastaj do të hamë me lugë të florinjtë.” As argjend nuk i pranonim, se i donim flori safi, po se nga do vinin, perëndia e dinte.

As për shtëpitë që digjeshin Xhoxhi s’bëhej merak. “Le t’i djegin të gjitha,” thoshte, “aq më mirë, se do t’i bëjnë më të bukura pas lufte anglezët.” Bile ai s’thoshte as me ndihmën e tyre, po nënkuptonte sikur do vinin muratorë e karpentierë nga Anglia. Sepse i dinte Xhoxhi aq dorëlëshuar anglezët një zot e di.

Njëherë i kundërshtova. Por ai aty për aty ma ktheu:

-Jemi aleatë, oj kokë. Ata që tani që jemi në luftë dhe po na ndihmojnë. Kushedi sa kasa me stërlina u kanë hedhur partizanëve….

E po ndoshta ai si partizan i dinte më mirë se ne të tjerët.

Mirëpo, ky Xhoxhi, kur u bë Sekretar i Komitetit Ekzekutiv, ishte ai që na dërgoi fletët e para të tatimeve.

Shkurt fjala, në çdo qeveri e në çdo sistem, fshatarit i bije të punojë dhe të paguajë.

Filed Under: LETERSI

DEFAKTORIZIMIT I SHQIPTARËVE NË MAQEDONINË E VERIUT…

June 16, 2025 by s p

Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut ndodhen ende në një udhëkryq mes kujtesës historike dhe një të ardhmeje që vazhdon të shtyhet, përballë një realiteti ku përfshirja shpesh është më shumë simbolike sesa substanciale. Në këtë kontekst, margjinalizimi institucional dhe zvarritja e proceseve integruese nuk janë thjesht pengesa politike, por shenja të një rendi që synon thellimin e pabarazisë strukturore. 

Prof.dr Skender ASANI

Në hapësirat ku kujtesa kolektive endet mes rrëfimeve të pathëna dhe heshtjeve të institucionalizuara, shqiptarët në pjesën perëndimore të Ballkanit mbeten një popull që vazhdon të dialogojë me kohën  jo si bashkëbisedues të barabartë, por shpesh si palë që ftohet të dëgjojë më shumë sesa të flasë. Historia e tyre është një udhë që përshkon shekujt me barrën e një pritjeje të gjatë, që përherë ka kërkuar një vend mes hijeve të së kaluarës dhe dritës së një të ardhmeje ende të papërcaktuar.

Në periudha të ndryshme të historisë, shqiptarët janë shfaqur si subjektë të një procesi që ka lëvizur ndërmjet përfshirjes së përkohshme dhe përjashtimit të qëndrueshëm. Nga roli i tyre në administratat e mëdha të Perandorisë Osmane, te Lidhja e Prizrenit që për herë të parë artikuloi ndjenjën e përkatësisë së përbashkët politike dhe kulturore, e deri te etapat e mëvonshme ku ndarja territoriale dhe shpërndarja nën pushtete të ndryshme u bë realitet i dhimbshëm, shqiptarët kanë provuar që koha për ta nuk e kishte pas rrjedhën si të popujve të tjerë.

Në shekullin XX, sidomos pas rishkrimit të kufijve pas dy luftërave botërore, përvoja shqiptare u përkufizua përmes dualitetit të dukjes dhe mungesës si qytetarë në formë, por periferikë në substancë. Kjo kontradiktë, që mbështillet shpesh në gjuhë diplomatike dhe premtime integruese, nuk arriti të zhbëjë ndarjen strukturore mes popullsive të barabarta në ligj dhe të pabarabarta në përfaqësim. Rrjedha e kohës, megjithëse mbulohet me formula juridike dhe reforma të shpallura, nuk ka qenë e mjaftueshme për të përmbysur një rend që funksionon mbi modelin e ruajtjes së status quo-së.

Në realitetin pas Marrëveshjes së Ohrit, retorika e përparimit gradual u bë shpesh një dritë që më shumë verboi sesa ndriçoi. Premtimet për barazi, të shprehura në gjuhë diplomatike, nuk u pasuan me ndryshime të thella strukturore, por me ritme të kontrolluara të përfshirjes. Shqiptarët u bënë pjesë e skenës institucionale, por shpesh si pjesë dekorative të një projekti që e konsideron integrimin si një proces simbolik, e jo transformues.

Në këtë sfond të tensionuar, është e rëndësishme të vihet re se elitat politike maqedonase kanë filluar të veprojnë në mënyrë të koordinuar në disa drejtime që, nëse nuk dekodohen me kujdes, mund të interpretohen si zhvillime të zakonshme politike, por në thelb bartin implikime të thella për arkitekturën e bashkëjetesës. Njëra prej këtyre linjave është përpjekja për të zhbërë, ose së paku për të minimizuar arritjet e shqiptarëve në drejtim të shtetformimit, duke ndalur me metoda të heshtura avancimin e tyre të mëtejshëm në fushat vendimmarrëse të shtetit. Një drejtim tjetër është instrumentalizimi i krizave të brendshme dhe nxjerrja e problemeve të reja politike, për të zvarritur qëllimisht proceset kyçe,  siç çshtë integrimi europian, ku shembull më tipik mbetet vonesa në realizimin e ndryshimeve kushtetuese të dakorduara në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Europian. Kjo vonesë nuk është vetëm çështje e politikës së brendshme, por  ajo reflekton një përputhje të heshtur me interesat gjeopolitike të faktorëve që ndikojnë jashtë institucionalitetit europian, veçanërisht me prirjet serbo-ruse që gjejnë rezonancë në disa segmente të elitave maqedonase në pushtet.

Drejtimi i tretë është më i ndërlikuari: përmes defaktorizimit të shqiptarëve dhe margjinalizimit të tyre në jetën publike, krijohet një ambient ku vetë mungesa e alternativave i shtyn individët dhe grupet drejt veprimeve stihike dhe të pa menduara mirë, duke përgatitur terrenin për etiketime që nuk reflektojnë realitetin, por shërbejnë si justifikime për kontroll më të fortë.

Në këtë rrjet kompleks të qëllimeve të kamufluara dhe narrativave të ndërtuara, elitat politike shqiptare përballen me një sfidë të re: të mos bien në grackën e një rendi që kërkon të vendosë kufij të rinj brenda të drejtave të fituara. Në vend të reagimeve të fragmentuara, koha kërkon një qasje të koordinuar  një rezistencë politike dhe institucionale që e ka bazën në vetë frymën e Marrëveshjes së Ohrit, e cila nuk përjashton askënd, por reformon shoqërinë përmes barazisë së përbashkët.

Ky projekt nuk bie ndesh me proceset integruese euroatlantike përkundrazi, është i vetmi koncept që siguron që rruga drejt Europës të jetë gjithëpërfshirëse dhe pa tensione të trashëguara. Përmes unitetit dhe një vetëdijeje të kthjellët për domosdoshmërinë e shtetformimit të barabartë, shqiptarët mund të ndërtojnë një model që jo vetëm sfidon margjinalizimin, por e tejkalon atë në mënyrë dinjitoze dhe progresive.

Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut ndodhen ende në një udhëkryq mes kujtesës historike dhe një të ardhmeje që vazhdon të shtyhet, përballë një realiteti ku përfshirja shpesh është më shumë simbolike sesa substanciale. Në këtë kontekst, margjinalizimi institucional dhe zvarritja e proceseve integruese nuk janë thjesht pengesa politike, por shenja të një rendi që synon thellimin e pabarazisë strukturore. Përballë kësaj, kërkohet një vetëdije e re politike dhe një veprim i koordinuar nga elitat shqiptare, që ta shndërrojnë pjesëmarrjen në mekanizëm të vërtetë ndikimi, duke ndërtuar një model shtetformimi të barabartë, që jo vetëm sfidon status quo-në, por hap perspektivën për një të ardhme të përbashkët dhe të drejtë.

Nëse koha vazhdon të ngurojë, atëherë mbetet mbi ndërgjegjen e brezit të sotëm barra për të mos qenë më pritës pasivë, por subjekt aktivë të një drejtimi të ri. Jo përmes konfrontimit, por përmes ripozicionimit strategjik që i rikthen shqiptarët nga periferi e pjesëmarrjes simbolike në boshtin e barazisë substanciale. Kjo nuk kërkon thirrje të mëdha, por hapa të qartë dhe të koordinuar që e rishkruajnë marrëdhënien me shtetin  jo si dorëzim ndaj një rendi të dhënë, por si projektim i një vizioni të përbashkët. Sepse ndërtimi i së ardhmes nuk është vetëm çështje kohe – është akt vullneti, përgjegjësie dhe guximi për ta tejkaluar heshtjen me mendje të kthjellët dhe qëllim të përbashkët.

Filed Under: Rajon

Vatra Chicago organizoi turneun e futbollit për fëmijët shqiptarë në Chicago

June 16, 2025 by s p

Disa pamje nga Soccer Tournament 2025 e cila u organizua nga Vatra Chicago më 15 Qershor. Një falenderim i veçantë i drejtohet Qëndrës Kulturore Shqiptare për mbështetjen dhe bashkëpunimin e tyre që ky event të dilte sa më i sukseshëm. Gjithashtu vlen për tu përmendur dhe falenderuar të gjithë sponsorizuesit tanë të cilët ndihmuan financiarisht në realizimin e një aktiviteti të tillë me përmasa të mëdha duke marrë parasysh pjesëmarrjen masive këtë rradhë. Ata janë Z. Arlind Peci, Z. Albion Gjinika, Zj. Manuela Papazisi, Z. Elvis Aga, Z. Ilir Numani, Z. Bashkim Arifi, Z. Lul Doçi, Z. Toni Abazi, Z. Klajdi Duka. Sporti i ka bashkuar njerëzit ndër shekuj ashtu siç na bashkoi dhe ne sot si shqiptarë nga të gjitha trevat e Shqipërisë. Loja u organizua në disa skuadra fëmijësh sipas grup moshave të ndryshme. Nga Michigan kishin ardhur dy skuadra të tjera për të luajtur me fëmijët shqiptarë të Illinois të cilët mbi të gjitha u larguan me fitore dhe morën me vete 3 kupa, atë të skuadrës fituese, lojtarit më të mirë si dhe golshënuesit më të mirë. Çfarë e bëri këtë event edhe më të veçantë ishte pjesëmarrja si e ftuar nderi e futbollistes së shquar Riga Kallaba të cilën patën rastin ta takojnë dhe të marrin autografe shumë fëmijë. Riga jo vetëm që luan për kombëtaren e femrave të Kosovës por kohët e fundit është shpallur lojtarja më e mirë për Chicago dhe gjithë Illinois. Pas lojës u realizua një piknik i vogël me muzikë dhe ushqime të shumëllojshme për të gjithë të pranishmit. Lojtarëve ju dhuruan kostumet e sportit së bashku me një çantë dhe një pagure uji. Shpresojmë që tournament i ardhshëm të jetë akoma më madhështor.

Filed Under: Sport

AULONA INTER FOLK FESTIVAL 2025

June 16, 2025 by s p

Nga Ramazan Çeka/

Një oaz kulturor dhe artistik në zemër të Vlorës.

Në qytetin ku flamuri i pavarësisë u ngrit për herë të parë, sërish ngrihen flamuj mes duarve të artit ndërkombëtar, kulturës dhe mikpritjes, një altar ku bota festoi pa kufij tingujt e një dashurie të përbashkët për trashëgiminë shpirtërore. Vlora nuk është më thjesht një qytet bregdetar apo një destinacion turistik, ajo është bërë tempulli i kulturës, një altar i gjallë i artit shqiptar dhe ndërkombëtar, zemra rrahëse e një mozaiku që nuk hesht kurrë. Rrugët e saj ndizen nga ritmet e daulleve instrumenteve të tjera muzikore nga ngjyrat vezulluese të kostumeve popullore që vijnë nga viset e Ballkanit dhe Europës, duke e shndërruar këtë qytet në një skenë të hapur, ku çdo hap është një valle dhe çdo zë – një këngë që flet gjuhën e shpirtit.

Atmosfera e Aulona Inter Folk Festival ka pushtuar gjithçka me gjallërinë e brezave që trashëgojnë dhe përcjellin historinë përmes artit. Në mes të kësaj pasurie shpirtërore, doli në pah thesari ynë lab: “Thesaret Labe”. Një magji që nuk flet vetëm për kostume apo valle, por për identitetin tonë të thellë, të gdhendur në shekuj. Një simfoni ngjyrash tradicionale, një mozaik emocionesh që festojnë trashëgiminë dhe rrënjët tona të përbashkëta, në këtë atmosferë të paharrueshme! Vlora festoi kulturën, traditën dhe muzikën nën një qiell që kumboi me tinguj nga e gjithë bota!

Në qendër të Vlorës historike, aty ku Sahati sheh kohët të kalojnë, me disa nga grupet pjesëmarrëse nisën performancat e Aulona Folk Festival, edicioni i 17-të. Tingujt e traditës pushtuan natën, sahati rrihte në ritmin e valles dhe folklori ndizej si flakë e gjallë nëpër rrugët e qytetit. Kur ritmi i botës flet me gjuhën e këngës dhe valles, Vlora shndërrohet në një tempull të shenjtë të artit ndërkombëtar. Në këtë edicion hapja e festivalit do të bëhej ndryshe, në një mjedis krejt të transformuar e të kuruar hijshëm, në Sheshin e madh përpara godinës historike të Bashkisë së Vlorës.

Në mjediset e Bashkisë u bë edhe pritja zyrtare e përfaqësuesve të shteteve pjesëmarrëse nga kryetari i Bashkisë së Vlorës. Dhe kur mikpritja merr shpirt dhe jo vetëm formë institucionale, bëhet dhuratë – siç ndodhi kur Kryetari i Bashkisë së Vlorës, z. Ermal Dredha, mirëpriti këtë mozaik kulturash me një ceremoni dinjitoze, ku secili simbol u bë urë miqësie dhe çdo buzëqeshje u kthye në premtim për të ardhmen, duke u bërë pjesë e shpirtit të festivalit, që ngritën Vlorën lart në skenën ndërkombëtare të kulturës.

Në shesh vallja pushtoi çdo cep të hapësirës nga ku Ansambli “Dropulli” me vallet dhe kostumet e tyre tërë dritë feksin mes grupeve e kostumeve të shumëllojshme, ardhur nga vende të ndryshme të Europës. E më pas vallja rrathë-rrathë ja le vendin forografisë së përbashkët të të gjithë festivalistëve. Me nderimin që Festivali u bëri burrave të Kombit në Sheshin Historik të Flamurit me paradën e kostumeve me ngjyra të larmishme, në Bulevardin “Ismail Qemali”, me performancat në miediset e hapura e kudo në rrugë e trotuare, duke e mbushur qytetin me ritme vallesh, që i dhanë Vlorës një atmosferë festive, si dhe duke i shtuar edhe më shumë bukurinë dhe magjinë që natyra i ka dhënë me shumë dashuri, pasi folku mbart dhe sjell kudo që shkon bukurinë e artit bio, artistët e mjeshtrat e papërsërtshëm popullorë me talentin, energjinë, emocionet dhe vlerat e mëdha.

Në këtë mrekulli, një emër qëndroi si simbol frymëzimi: Sejmen Gjokoli, “Mjeshtër i Madh”, shpirt i gjallë i festivalit që nuk kishte kombësi – vetëm ritëm, dashuri dhe shpirt artistik. Në mbrëmjen e parë, folklori mori jetë mes dritash e ritmesh që shpërthenin nga zemra e publikut, dhe zërash që u ngjitën lart si flutura të gjalla nën qiellin e Vlorës së lashtë. Brigjet e Jonit nuk i lagte vetëm deti, por edhe tingujt, vallet dhe ngjyrat e shpirtit njerëzor, të sjella nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Italia, Polonia, Sllovakia, Gjeorgjia e Ukraina. Në Resortin “Bojo”, aty ku deti puth horizontin dhe era flet në gjuhën e verës, “Alona Festival” shpërtheu si një ylber emocionesh mbi bregdetin magjik të Vlorës.

Mes tingujve që vallëzojnë mbi valë dhe shpirtit që digjet nga pasioni, festivalistët tanë të zjarrtë u bënë njësh me ritmin, dritën dhe dashurinë që shkruhet në rërë e nuk harrohet kurrë, në çdo zemër ku drita dhe muzika flasin të njëjtën gjuhë. Ky ishte më shumë se një event – ishte një jehonë emocionesh që u përhap në sheshe dhe u ruajt në kujtesën e zemrave. Ishte një përulje e hijshme ndaj historisë, një përqafim i gjallë i të tashmes dhe një dritë e ndezur për të nesërmen. Në çdo hap – trashëgimia që nuk shuhet, por rritet. Kjo është Vlora – aty ku kultura nuk njeh kufij, ku festa flet në çdo gjuhë, dhe ku arti bëhet frymë që bashkon botën. Nga rrugët plot jetë e sheshet magjepsëse të qytetit, deri në sheshin përpara Stadiumit “Flamurtari”, Vlora u bë sërish kryeqyteti i folklorit ndërkombëtar.

Një maratonë katërditore, ku kultura, historia dhe krenaria shqiptare vallëzuan bashkë – përtej kufijve dhe kohës. Në një qytet ku muzika duket se buron vetë nga gurët dhe era, ky festival u bë një poezi që nuk shkruhet me fjalë, por me hapa vallesh, me tinguj që s’mund të përkufizohen, veç të ndihen, me trupat që bëheshin urë mes kombeve, duke treguar histori që asnjë fjalor s’i përkthen dot. Me këtë shkëlqim kulturor, me zemrën në valle dhe shpirtin në këngë, festa vazhdoi përpara Stadiumit – aty ku emocionet shpërthyen si fishekzjarrë folklorikë! Ky ishte një dialog mes popujve, një shfaqje e ngrohtësisë njerëzore në gjuhën më universale që kemi: artin.

“Aulona Inter Folk Festival” – në kuadër të sezonit turistik “Vlora 2025”, erdhi nën kujdesin e Bashkisë Vlorë, me mbështetjen e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, pasqyrimin mediatik të RTSH-së, kamera e Televizionit “Kultura Shqiptare”, ACTV nga Amerika, për të ndjerë dhe përçuar jo vetëm pamjet, por edhe melodinë e shpirtit të këtij festivali, drejt çdo ekrani ku malli për atdheun frymon.
Katër netë magjike, të mbushura me këngë, valle dhe traditë u fokusuan edhe nga syri magjik i artistit Shpejtim Krasniqi, që kishte ardhur enkas nga Zvicra për të kapur e përcjellë shpirtin e këtij festivali.
Në çdo hap, në çdo tingull, në çdo ngjyrë – Vlora u vesh me petkun e festës dhe shkëlqeu.
Nga rrugët që pulsonin me ritmin e këngëve e valleve, deri te Bashkia që u kthye në një tempull të mikpritjes dhe kulturës, qyteti përqafoi botën me zemër të hapur.
Nga Shqipëria në Ukrainë, nga Kosova në Gjeorgji, përfaqësues të vendeve mike sollën në Vlorë thesaret shpirtërore të popujve të tyre – një mozaik shumëngjyrësh që i këndoi paqes, bashkimit dhe dashurisë për traditën.
“Aulona Interfolk Festival” është një ngjarje e rëndësishme në kalendarin kulturor të Shqipërisë dhe një shembull i mirë për krijimin e një marke të fortë të turizmit kulturor shqiptar.
Në natën finale, ku yjet zbritën mbi skenë dhe ritmi u shndërrua në një gjuhë universale, qyteti i Vlorës u kthye në një altar të shenjtë të artit. Aty, çdo hap vallëzimi, çdo tingull, çdo kostum – një mozaik shpirti i thurur nga duart e së kaluarës dhe i lartësuar nga drita e trashëgimisë sonë – u bë urë mes popujve dhe zemrave.
Vlora nuk ishte thjesht pritëse për turistë – ajo ishte skena, aktorja dhe spektatorja, një qytet që të fton të bëhesh bashkëkrijues i magjisë.
Një qytet ku kultura është identitet, jo zbukurim sezonal. Ku arti është një festë që nuk mbaron kurrë.
Kur dritat ndizen e zemrat rrahin në ritmin e shpirtit shqiptar, “Hëna Flori” zbret nga qielli për të ndriçuar skenën me magjinë e saj. Dy zëra që shkëlqejnë si yje, Rovena Ibrahimi dhe Lina Rrustemi, na dhuruan një premierë që përjetohet me çdo frymëmarrje.
Të shoqëruara nga hapat fluturues të Ansamblit “Krahu i Shqiponjës – Taip Madani” Vlorë, kënga u bë vallëzim, u bë emocion, u bë festë.
Në dritën e mbrëmjes vlonjate, nën tingujt që burojnë nga rrënjët më të thella të shpirtit shqiptar, u ngjit në skenën e “Aulona Festival” një bashkim që tejkalon kufijtë: “Kënga që bashkon”, një thirrje e përmallshme dhe krenare që na rikthen te rrënjët, ku çdo tingull mban në vete kujtimin dhe përqafimin e vendlindjes.
Me zërin e ngrohtë dhe plot shpirt të këngëtares së mrekullueshme Ludmilla Baballeku, fuqinë rrënjësore të rapsodit të shquar Viktor Paloka,”Mjeshtër i Madh” dhe me elegancën e gjallë të Ansamblit “Prishtina” nga Kosova, kjo këngë u shndërrua në një urë zemrash, gjuhësh dhe kujtimesh.
Magjia e folklorit të mrekullueshëm që shpalosi Ansambli “Kolkhida” nga Gjeorgjia, shkëlqeu në skenën e “Aulona Inter Folk Festival” dhe rrëmbeu Kupën e edicionit të XVII-të, duke mahnitur publikun me energjinë, elegancën dhe shpirtin artistik.
Trofeu iu dorëzua mes duartrokitjesh nga vetë Kryetari i Bashkisë së Vlorës, z. Ermal Dredha.
Fitorja e grupit gjeorgjian ishte më shumë se një çmim – ishte një shpërthim i bukurisë universale, ishte një bekim për kulturën, një vulë krenarie dhe mirënjohjeje për një qytet që frymon me artin.
Ishte çasti kur një qytet tha: “Arti është jeta jonë”. Një çast që flet më shumë se fjalët, që ndizet si një flakadan shprese dhe bukurie në historinë kulturore të qytetit të Vlorës.
Skena nuk u ndriçua vetëm nga dritat, por nga një emocion i pastër, që përshkoi të gjithë auditorin si një valë.
Prapa skenës gjigande, para Stadiumit “Flamurtari” binin në sy “ethet e bukura” të organizimit, angazhimi i stafit të palodhur të “Aulona Inter Folk Festival”, si dhe përkushtimi i regjisorit të qindra veprimtarive artistike z. Llesh Nikolla “Mjeshtër i Madh”, me një eksperiencë të jashtëzakonshme në RTSH.
Moderatorja me hijeshi, Afërdita Krasniqi nuk ishte thjesht prezantuese, ajo u shndërrua në dritë, në emocion, në fjalë që prekin shpirtin.
Nisur nga natyra dhe përmasat e Festivalit, ai mbetet krejt i veçantë, mbasi për të 17-in vit radhazi, jo vetëm për qytetin e Vlorës, por edhe për trojet shqiptare, mbahet një aktivitet kaq i rëndësishëm i folklorit në nivel evropian dhe botëror.
Sigurisht që mbështetja e donatorëvë meriton një falenderim të veçantë.
Aulona Inter Folk Festival është tashmë më shumë se një festival – është një premtim që do të rikthehet çdo maj, si një stinë dashurie dhe arti që nuk shuhet kurrë.
“Regina Garden” u kthye në një altar nderimi për trashëgiminë kulturore dhe shpirtërore, si dëshmi e përkushtimit ndaj identitetit dhe traditave tona.
Në këtë mbrëmje post-festivali, emocionet shpërthyen si fishekzjarrë që ndezën atmosferën!
Vlerësimet e ndërsjella, fjalët e ngrohta dhe surprizat e ndjera u shndërruan në vargje poetike të një mozaiku të rrallë ndërkulturor.
Por kulmi i kësaj nate ishte mirënjohja dhe respekti për një emër që ka shkruar me pasion historinë e këtij festivali: “Mjeshtri i Madh” Sejmen Gjokoli – njeriu që mbolli farën e kësaj ëndrre dhe e ktheu në një lis të fuqishëm që bashkon botën përmes valles dhe këngës.
Për të 17-in vit, “Aulona Inter Folk Festival” nuk ishte një event – ishte një besëlidhje shpirtërore, një vallëzim kujtimesh që do të jetojë gjatë në melodinë e zemrave tona, me urimin mirupafshim, deri në takimin tjetër, ku ritmet e lashta do të zgjojnë sërish qytetin e Vlorës.
Gëzuar të gjithë atyre që vallëzojnë për paqe, për identitet dhe për dashuri njerëzore.
Gëzuar artin që bashkon Botën!

Filed Under: Kulture

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 459
  • 460
  • 461
  • 462
  • 463
  • …
  • 2947
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VATRA URON BESIMTARËT ORTODOKSË: GËZUAR DHE PËRSHUMËVJET PASHKËT
  • Fan Noli, apostull i ringjalljes shqiptare
  • KOSOVA NË NATO DHE ASNJËHERË ASOCIACION SERB
  • ELIOT ENGLE DHE HARRY BAJRAKTARI: NJË BASHKËPUNIM QË FUQIZOI ZËRIN SHQIPTAR NË SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS
  • “Ngërçi Presidencial në Kosovë Zbulon një Dobësi të Kushtetutës”
  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT