Satirë nga Rafael Floqi
Karikatura AI
Edi Rama, kryeministri që ka kaluar nga piktura te aktrimi politik, po rikthehet sërish me një shfaqje të re: Lajthitja e Prokurorisë. Me protagonizmin e tij të zakonshëm, ai ka vendosur ta shesë hetimin e krimeve zgjedhore si një cenim të demokracisë, sepse në Shqipëri, zgjedhjet e ndershme qenkan një koncept arkaik.
Sipas Ramës, hetimi i manipulimeve, blerjes së votave dhe survejimi i “tregut elektoral” është një rrezik për liritë politike. Të gjitha këto vijnë nga i njëjti njeri që, në një bisedë telefonike, e pyeste një zyrtar policie si po ecte “investimi” elektoral në Dibër. Ndërkohë që populli mëson se Prokuroria synon të ndjekë penalisht abuzuesit e procesit, Rama shfaqet në skenë me këmbët e dridhura, duke paralajmëruar një “rikthim në kohë të errëta”.
Dhe e kuptojmë frikën e tij! Imagjinoni sikur këto përgjime të shkojnë deri në fund! Imagjinoni sikur një ditë, vendi të mësojë se kutitë e votimit nuk mbushen vetë! Apo edhe më keq, sikur një ditë të mos kemi më komisionerë me “pritshmëri” pozitive, por zgjedhje reale?!
Skandali më i madh në fjalimin e fundit të kryeministrit ishte normalizimi i paligjshmërisë. Nuk ka asgjë të keqe, tha ai, që në këmbim të një leje ndërtimi t’i kërkosh ndërtuesit të mbjellë pemë apo një kompanie që fiton tendera publikë të ndërtojë një çerdhe.
Sheshi “Skënderbej” u mbush përsëri me entuziazmin e sinqertë të punonjësve të administratës, të cilët, me një zell të paparë, u shfaqën në aktivitetin e organizuar nga Kryeministri Edi Rama dhe Bashkia Tiranë. Sigurisht, të gjithë këta të pranishëm erdhën nga dashuria e tyre e pafundme për kulturën, dhe jo se kishin marrë një e-mail të mprehtë me temë: “Pjesëmarrja është e detyrueshme.”
Sipas dokumenteve, ky event u raportua zyrtarisht si ceremonia e hapjes së “Tirana, Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut 2025.” Megjithatë, realiteti tregoi një panoramë krejt tjetër: një takim tejet i frymëzuar politik, ku punonjësit e Bashkisë e gjetën veten të magjepsur nga fjalimet e liderit të tyre. Ndoshta disa prej tyre edhe u befasuan nga prania e tyre aty, duke pyetur veten: “Ç’punë kam unë në këtë festival kulture pa kulturë?”
Një tjetër detaj i vogël, aspak i rëndësishëm për organizatorët, por që për ndonjë burokrat të mërzitshëm mund të dukej problematik, ishte fakti që ceremonia duhej të mbahej më 12 mars, por u zhvillua më 20 shkurt. Shpjegimi është i thjeshtë: administrata është gjithmonë një hap përpara! Pse të presësh të ardhmen, kur mund ta festosh që sot?
Një element i fundit, por i paevitueshëm në këto lloj “ngjarjesh kulturore”, ishte fakti që publiku i pranishëm përbëhej vetëm nga punonjës të administratës, pa qytetarë të zakonshëm ose diplomatë të huaj. Sepse, le ta pranojmë, çfarë do të kuptonin qytetarët e thjeshtë nga një event i tillë kulturor-politik? Kultura e vërtetë është të duartrokasësh në vendin e duhur dhe në kohën e duhur, diçka që punonjësit e bashkisë e kanë perfeksionuar prej vitesh.
Dhe kështu, Tirana, qyteti i kulturës dhe dialogut, na dhuroi edhe një tjetër shembull brilant se si kultura dhe politika mund të bashkëjetojnë në mënyrë harmonike—për sa kohë që fjalimi i Kryeministrit është pika kulmore e çdo festivali!
Në një akt heroik për të mbrojtur demokracinë nga rreziku i paparë i hetimeve të SPAK, kryeministri i gjithanshëm, Edi Rama, ka dalë sot në mbrojtje të lirisë së partive politike për të bërë… atë që bëjnë më mirë. Me një ton të alarmuar dhe një brengë të thellë për të drejtat e partive të cilat s’duhet të shqetësohen nga ca hetime “momentale”, Rama u shpreh i indinjuar nga ideja që SPAK guxon të dalë në terren për të ndaluar krimin zgjedhor.
“Kjo është një kthim pas në kohë të errëta,” tha ai me një trishtim artistik që do ta kishte zili edhe Shekspiri. “Ne nuk mund të jetojmë në një vend ku politikanët survejohen! E dini ju sa e vështirë është të bësh fushatë kur të vështrojnë nga pas?!”
Ndërkohë, kreu i SPAK, Altin Dumani, me një naivitet të pashoq, vazhdon të besojë se krimi zgjedhor duhet luftuar. “Po mundohemi të zbatojmë ligjin,” deklaroi ai, sikur ky koncept të kishte ende vend në realitetin shqiptar.
Strategjia e re e SPAK, përveçse ka tronditur qeverinë, ka shkaktuar edhe panik në rrethet artistike, ku tashmë diskutohet nëse duhet të realizohet një dramë e re me titullin: “Survejimi i të pafajshmëve”, me protagonistë të mirënjohur të skenës politike.
Në fjalimin e tij, kryeministri tha se jemi në rrugën e duhur drejt Bashkimit Europian, por ky mentalitet nuk ka lidhje me Perëndimin sot, e as me atë të 30 viteve më parë kur jetonte Rama. Me këtë logjikë, a është i lirë kryeministri të marrë në telefon për fushatë biznesmenët që kanë kontrata me shtetin dhe t’u kërkojë shtrim rrugësh, ujësjellësash, shkollash apo favore për komunitetin, që në këmbim të marrë votën?! Dhe kjo na shitet si normale?
Dhe ndërsa ne pyesim veten se si do të përfundojë ky “thriller” politik, kryeministri ndoshta po mendon të realizojë një tjetër performancë teatrale. Me gjasë, skenari është gati: ai del para kamerave, i lodhur nga “përndjekja politike”, me një gotë ujë në dorë, dhe thotë:
— “Nuk ka më drejtësi në këtë vend! Kam mbetur vetëm unë për të mbrojtur Shqipërinë nga armiqtë! Madje, po më shohin keq edhe pemët që mbolla!”
Nga ana tjetër, burime të paidentifikuara nga brenda qeverisë thonë se ka nisur puna për një strategji kundërstrategjie, që do të quhet “Lufta kundër survejimit të survejuesve.” Me këtë lëvizje, Rama synon t’u japë fund hetimeve të padëshiruara dhe të ruajë stabilitetin e pandryshueshëm të pushtetit.
Deri atëherë, SPAK vazhdon misionin e tij të pamundur, ndërsa qeveria përgatitet për fushatën e radhës me sloganin e ri: “Zgjedhje të lira, por pa shumë pyetje!”
Ndërkohë, prokurorët duke lexuar dosjen pyesin veten: “Kemi të bëjmë me një hetim penal apo një skenar për një telenovelë të re?” Dhe populli… populli pret sezonin e ardhshëm të këtij seriali, ku Rama, me siguri, do të shpikë ndonjë fabul tjetër për të mos dalë nga skena.
Por, natyrisht, mos e humbni shpresën. Në Shqipëri, hetimi i manipulimeve zgjedhore shpesh përfundon si një serial me shumë episode dhe pa një finale. Dhe, në fund të fundit, Rama e di mirë se më mirë të bërtasë “rrezik për demokracinë” sot, sesa të dëgjojë “të njoftohet i pandehur” nesër.

EKSKLUZIVE NGA GËZIM MARKU










FSH: Në përgjigje të kësaj pyetjeje dua t’i referohem, “Librit të Zi të Komunizmit: Krimet, Terrori dhe Shtypjet”, një vepër kjo e francezit Stephane Courtois dhe akademikëve të tjerë evropianë, një libër që dokumenton krimet politike, përfshir gjenocidin dhe barbarizma të tjera të regjimeve komuniste në botë, përfshirë Shqipërinë. Jam dakort me autorët e atij libri se komunizmi ishte praktikuesi më i egër i “krimeve kundër njerëzimit”, në histori. Një sistem politik që shkaktoi miliona viktimash njerëzore — sipas tyre rreth 100-milion gjithsejt — dhe miliona viktima të tjera që vuajtën në kampe përqendrimi, kampe pune e burgje të ndryshme. Ishte një sistem që në çdo vend ku kishte marrë pushtetin me forcë — i kishte shpallur luftë traditave kombëtare, kulturës, letërsisë, historisë, fesë. Dhe në përgjithësi, sipas autorëve, kishte ndërmarrë një luftë kundër vet qytetërimit botëror, me qëllim të krijimit të ‘’njeriut të ri’’. Ky gjykim i komunizmit në atë libër, nuk bëhet nga anti-komunistë ekstremë, por nga historianë e akademikë të krahut të majtë evropianë, ish-komunistë ose simpatizantë të komunizmit. Kur shkrimtari francez i majtë, Andre Gide pat vizituar parajsën komuniste të Stalinit, pasi u këthye së andejmi, ka deklaruar se ‘’Dyshoj të ketë ndonjë vend në botë, përfshirë edhe Gjermaninë e Hitlerit, ku liria e mendimit të jetë më e pakët dhe më e terrorizuar se sa në Bashkimin Sovjetik’’. Ish-presidenti amerikan Ronald Regan e ka quajtur komunizmin si “një kapitull të dhimbshëm dhe të pakuptueshëm të historisë”, si një sistem që ishte ngritur mbi baza që ishin në kundërshtim me natyrën njerëzore. Ndërkohë që Zbignjev Brzezhinski e ka cilësuar ideologjinë komuniste si një “doktrinë të huaj’’ që iu imponua Evropës Lindore, pro-përendimore. Në referencë të pyetjes tuaj, vërtetë se komunizmi është ende, zyrtarisht, i pranishëm në disa vende, por për fat të keq komunizmi është i pranishëm, jo zyrtarisht, në shumë vende, përfshirë Shqipërinë tonë. Krimet e komunizmit në Shqipëri duhet të na kujtojnë që të mos harrojnë natyrën e vërtetë barbare të atij sistemi. Heshtja zyrtare ndaj krimeve të komunizmit në Shqipëri është e pafalshme, sidomos heshtja intelektualëve, historianëve, por edhe gazetarëve dhe të gjithë atyre të cilët kanë bërë të mundur mbijetesën dhe zgjatjen e jetës së regjimit komunist, duke e mbrojtur me lëvdata dhe me shkrime gënjeshtër. Duke mohuar të vërtetën, atëherë dhe sot. Ata intelektualë që mbrojtën dhe mbështetën, mundësuan dhe legjitimuan komunizmin gjatë dekadave por edhe në ditët e sotëme, me nostlagjinë e tyre për atë regjim – do duhej të konsideroheshin, jo vetëm si konspiratorë e komplotistë por edhe bashkfajtorë për vrasje, internime, burgosje pa faj, e tjera krime kundër njerëzimit.



