• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Lamtumirë Dr.Bujar BUKOSHI

June 10, 2025 by s p

Ambasador Flamur Gashi/

(Ish-Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës në mërgim)

Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës në mërgim, Dr. Bujar BUKOSHI ishte çdoherë në krah të Presidentit dr. Ibrahim RUGOVA, gjatë viteve më të vështira për Kosovën dhe fatet e saj. Ai drejtoi Qeverinë e Republikës së Kosovës në mërgim, organizoi sistemin paralel në vend dhe së bashku me Presidentin RUGOVA dhe bashkëpunëtoret e tyre më të ngushtë, informuan qendrat e vendosjes dhe opinionin ndërkombëtar për gjendjen në Kosovë dhe bën miq për Kosovën kudo në botë. Organizoi Ministrinë e Mbrojtjes dhe themeloi Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovë, si dhe mori pjesë në të gjitha bisedimet për Kosovën që u zhvilluan në atë kohë. Si deputet i Parlamentit është firmëtar i aktit të shpalljës së Pavarësisë së Kosovës dhe kontributor në ndërtimin dhe zhvillimin e institucioneve të Kosovës së lirë dhe të pavarur!

Më respekt dhe konsideratë e vleresojë dhe kujtojë miqësinë dhe bashkëpunimin e ngushtë e të gjatë me dr.Bujarin, gjatë viteve më të rënda për Kosovën dhe fatet e kombit tonë!

Dr.Bujari ishte një mik i mirë, shtetar dinjitoz dhe një patriot i vërtetë!

Ngushëllimet me të thella për bashkëshorten e tij, Dr.Zana Bukoshi, vajzat Ora, Shota dhe Nita, nipat Dardanin e Taulantin, vëllain Hysenin, si dhe mbarë familjen e gjerë, miqtë dhe shokët e dr.Bujarit!

Prehu në paqe, miku im dr.Bujar BUKOSHI!

Filed Under: Interviste

147 VJETORI I LIDHJES SHQIPTARE TË PRIZRENIT – NGJARJE MADHORE QË VURI NË BINARËT HISTORIK PAVARËSINË KOMBËTARE

June 10, 2025 by s p

Nga Jusuf BUXHOVI /

Paqja e Shën Stefanit dhe realitetet e krijuara prej saj, të cilat më së shumti qëllonin Shqiptarët dhe interesat e tyre, shtruan nevojën për një veprim të përbashkët të të gjitha forcave shqiptare, pavarësisht bindjeve dhe qëndrimeve që kishin rreth të ardhmes së Perandorisë Osmane, në mënyrë që përfundimisht të faktorizoheshin sa në raport ndaj Perandorisë Osmane dhe karshi faktorit ndërkombëtar të vendosjes. Në këtë gjendje, Shqiptarët kishin përpara disa rrethana që mund t’u shkonin për shtati për t’u vu në veprim, meqë krahas osmanëve, Paqja e Shën Stefanit, kishte për kundështarë edhe fuqitë e mëdha europiane, pa përjashtim, të cilat ndonëse luftën ruse-osmane e përcollën me njëfarë indiferencë, me të shpejtë kërkuan që marrëveshja të anulohet në tërësi.

Në këto rrethana, krahas hovit që mori lëvizja e protestës kundër Traktatit të Shën Stefanit, ishte edhe ideja për të kundërshtuar me armë vendimet që mund të merreshin në Kongresin e Berlinit në dëm të tërësisë tokësore të atdheut. Kështu, kërkesa për të formuar një lidhje të përgjithshme u bë mjaft popullore edhe për faktin se ajo ishte në përputhje edhe me qëndrimet e Perandorisë Osmane, e cila në këtë mënyrë ishte e interesuar që kongresin e ardhshëm europian, i cili do të mbahej në Berlin, ta shfrytëzonte sa më shumë për t’i riparuar dëmet e luftës dhe paqes me Rusët, por këtë herë me ndërhyrjen e Fuqive të Mëdha europiane, të cilat njëherësh, si kundërshtare të Rusisë dhe planeve të saj, shfaqeshin edhe si mbrojtëse të saj. Kjo gjendje, pra, duhej shfrytëzuar me të gjitha mjetet dhe me të madhe. Andaj, çfarëdo proteste dhe çfarëdo programi, qoftë ai edhe luftarak me moton e mbrojtjes së vatanit, siç shfaqej ai i Shqiptarëve, me ç’rast kuptimi i “vatanit” mund të shikohej edhe i atdheut, pra i etnisë, siç ishte rasti me mbrojtjen e katër vilajeteve shqiptare, identifikohej me atë të përgjithshmin, gjë që kjo i shkonte për shtati edhe Perandorisë Osmane. Për herë të parë nacionalizmi dhe osmanizmi, ndonëse për pak kohë, shkonin bashkë, gjë që kjo ishte motivues.

Për t’i anashkaluar përçarjet mbi rrymat e ndryshme ( atyre që kërkonin mbrojtjen e tokave shqiptare por nën flamurin e Kalifatit, të atyre që kërkonin një vilajet të përbashkët shqiptar dhe të tjerëve që kërkonin njëfarë Shqipërie Osmane si kalimtare deri te pavarësia), Komiteti i Stambollit, vendosi që përpjekjet për thirrjen e një lidhjeje shqiptare t’i bëjë nën thirrjen e kundërshtimit të Traktatit të Shën Stefanit, duke u shprehur se ishte e gatshme që jetësimi i tij të ndalej edhe me anën e luftës që do të bëhej me moton e mbrojtjes së vatanit nga copëtimi, ku do të merrnin pjesë që të gjitha rrymat pa dallim. Kjo njëherësh ishte edhe porosi që i shkonte Kongresit të Berlinit, i cili duhej të mbahej së shpejti dhe ishte më se e qartë që për pikënisje do të kishte anulimin e Traktatit të Shën Stefanit.

Në këtë frymë ishin edhe disa prononcime të liderëve të Komitetit të Stambollit në mediet europiane drejtuar opinionit europian por edhe fuqive të mëdha, siç ishte ai i Abdyl Frashërit në “Messagerde Vienne”. Frashëri argumentonte të drejtat politike që i takonin popullit shqiptar me arsyetimin se nuk kërkon tjetër veçse të jetojë i liri, të dalë nga prapambetja dhe të zërë vendin që meriton në radhët e kombeve të qytetëruara të Europës.

Meqë koha po afronte dhe duhej dalë me një formë organizative para se të fillonte Kongresi i Berlinit, në mënyrë që Fuqive të Mëdha Europiane t’u tregohej se çfarë kërkonin në të vërtetë Shqiptarët dhe cilat ishin pozicionet e tyre politike, Komiteti i Stambollit, mori vendimin për t’u thirrur Kuvendi i Lidhjes. Bëhet e ditur se nga fundi majit, në Stamboll u zhvillua një takim i personaliteve më të dëgjuara të jetës politike nga vilajeti i Kosovës dhe ai i Shkodrës (Iliaz pashë Dibrën, Ali bej Gucinë, Ymer Prizrenin, Ahmet Korenicën, Zija Prishtinën, Mustafa pashë Vlorën, sheh Mustafë Tetovën, Vejsel bej Dinon dhe të tjerë, e ku merrte pjesë edhe Abdyl Frashëri, Mehmet Ali Vrioni, si përfaqësues i Komitetit të Stambollit dhe deputetë në parlamentin osman) me përfaqësuesit e lartë të pushtetit osman. Në këtë takim u tha se shqiptarët ranë në ujdi për një reagim të fuqishëm në mbrojtje të trojeve të rrezikuara”.

Andaj, jo rastësisht si vend u caktua Prizreni. Sepse, Vilajeti i Kosovës, si pjesë ku prekej drejtpërdrejt nga copëtimet serbo-malaziase, prej kohësh ishte kthyer në një qendër të protestave të mëdha të të gjitha shtresave: nga ato feudale, të moderuara dhe të klerikëve, me ç’rast prej të gjithëve ishte pranuar formula e “mbrojtes së vatanit”, që nënkuptonte mbrojtjen e atdheut dhe mbrojtjen e Perandorisë njëherësh.

Me organizimin e drejtpërdrejtë të veprimeve për thirrjen e Kuvendit u ngarkua një Komision i posaçëm, shumica e anëtarëve të të cilit ishin nga Prizreni dhe Gjakova. Ndërmjet tyre njihen Ymer Prizreni dhe Ahmet Korenica, ndërsa thirrjen për mbledhjen e Kuvendit e lëshoi qysh në fund të prillit një nga përfaqësuesit më të shënuar të qarqeve atdhetare Ali bej Gucia (më vonë Ali pashë Gucia), feudal vendor dhe kundërshtar i madh i Tanzimatit.

Kuvendi i Lidhjes u hap më 10 qershor 1878 në Prizren, në metresën e Mehmet Pashës, pranë Bajrak-Xhamisë. Edhe data e mbajtjes nuk ishte e rastësishme, meqë ajo duhej të mbahej para se të fillonte punimet Kongresi i Berlinit që ishte caktuar të mbahej më 13 qershor. Nga të dhënat e tanishme, të cilat janë të pakta, meqë është ruajtur vetëm një pjesë e protokolleve të mirëfillta të mbledhjes, merret vesh se në Kuvend kanë marrë pjesë më shumë se njëqind përfaqësues të shumë krahinave shqiptare, por ku mungonin delegatët e vilajetit të Shkodrës (nisja e të cilave thuhet se ishte penguar nga intrigat e valiut turk Hysen Pasha, por që arsyet janë pak më të thella). Ndërsa nga Vilajeti i Janinës mori pjesë vetëm Abdyl Frashëri. Megjithatë, nga këta 110 emra që gjenden dhe shumica vinë nga Vilajeti i Kosovës, kryesisht janë personalitete që kishin marrë pjesë në kryengritjet kundër Tanzimatit, ndër të cilët shquhen Ali bej Gucia, Iljaz pashë Dibra, Hasan pashë Tetova, Ymer Prizreni (kryetar i komisionit organizativ të Kuvendit), Abdullah pashë Dreni, Ahmet Korenica, Shaban bej Prizreni, Jashar bej Shkupi, Shaban bej Peja, Filip Doda, SulejmanVokshi, Shuajip Spahiu, Ali Ibra e të tjerë. Në kuvend morën pjesë si delegatë disa feudalë boshnjakë dhe sulltanistë nga viset e Bosnjës-Hercegovinës. Aty mori pjesë edhe mytesarifi turk i Prizrenit, Qamil Beu bashkë me disa përkrahës së linjës sulltaniste, që bazuar në raportet e konsujve të pranishëm në Prizren, ishte mjaft aktiv. Kjo demanton pohimet se Lidhja u mbajt “fshehtë” dhe pa dijen e Portës.

Në bazë të dokumenteve me mangësi të shumta, megjithatë, kuptohet se Kryetar i Kuvendit u zgjodh Iljaz pashë Dibra, ndërsa aty foli Abdyl Frashëri, jo në cilësinë e “kryetarit” e as “të kryesuesit” të Lidhjes, siç është shënuar nga një pjesë e mirë e historiografëve Shqiptarë, por si përfaqësues i Komitetit të Stambollit, paçka se nga disa burime mohohet fare pjesëmarrja e tij në Kuvend. Madje edhe nga ajo pjesë e ruajtur e asaj që kishte folur Abdyl Frashëri, siç ishte se “qëllimi i Kuvendit ishte që t’u presim hovin armiqve të pashpirt, duke lidhur besën shqiptare dhe duke u betuar që t’i mbrojmë me gjak trojet që na kanë lënë gjyshërit dhe stërgjyshërit tanë” , më shumë paraqet një thirrje patriotike se sa që shfaqej program politik. Atmosfera patriotike, jashtë ndonjë programi politik, bëhet e ditur sipas burimeve të konsujve të huaja nga Kuvendi, me ç’rast thuhet se kjo atmosferë manifestohej pa dallim se nga cili “krah” vine ajo.

Ajo që ishte më e rëndësishme, megjithatë kishte të bënte me faktin se Kuvendi ia doli të marrë vendimin për themelimin e një organizate me karakter politik e ushtarak, te një Lidhjeje (Ittifaku), me një qendër të vetme drejtuese dhe me degë të saj në të gjitha krahinat e vendit, e cila do të merrte përsipër detyrën që të mbronte me çdo mjet interesat e vendit. Sipas traditës, së bashku me formimin e Lidhjes, u shpall edhe një besë e përgjithshme, në bazë të së cilës duhej të pushonin menjëherë të gjitha veprimet e gjakmarrjes ndërmjet banorëve të krahinave që ishin përfshirë në Kuvendin e Prizrenit.

Kuvendi themeloi edhe organet e larta. Në krye të Lidhjes qëndronte Këshilli i Përgjithshëm me seli në Prizren, nga i cili do të vareshin degët krahinore. Kryetar i tij u zgjodh Iliaz pashë Dibra. U formua edhe Komiteti Qendror i Lidhjes i përbërë nga tri komisione: komisioni i punëve të jashtme me përgjegjës Abdyl Frashërin, komisioni i punëve të brendshme i drejtuar nga Haxhi Shabani dhe komisioni i të ardhurave financiare i drejtuar nga SuljemanVokshi.

Aktet e para të Kuvendit të Përgjithshëm ishin: një peticion për çështjen shqiptare, dërguar Kongresit të Berlinit, dhe një peticion, dërguar Portës së Lartë , Kararnameja (Akti i vendimeve-kanuni) dhe Talimati (Urdhëresa).

Kararnameja (Akti themelor) kishte gjashtëmbëdhjetë pikë, me të cilin mund thuhej se sanksionohej formimi i Lidhjes si organizatë politike (pika 16) dhe përcaktonte detyrat e saj më të ngutshme. Në pikën 1 theksohej karakteri mbrojtës, ndaj çdo qeverie, përveç asaj të Portës së Lartë, të veprojë aktivisht me të gjitha mjetet për të mbrojtur integritetin e vendit. Në nenin 4 kur thuhet se “me ligjet e lara të sheriatit, ne do të mbrojmë jetën, pasurinë dhe nderin e shokëve besnikë të besimit jomysliman, ashtu si për vete”, bën të ditur për ruajtjen e karakterit islamik, gjë që si formulim në ato rrethana ishte edhe i pashmangshëm.

Në të vërtetë, frymën kombëtare nga e cila ishte e privuar më 10 qershor ditën e hapjes së Kuvendit dhe veçmas nga kërkesat për bashkimin e katër vilajeteve shqiptare në një, që ishte një formë e autonomisë, me të cilën sigurohej mbrojta e vendit nga copëtimet e mëtutjeshme që kërcënonin nga të gjitha anët, Lidhja filloi ta animojë qysh në Kuvendin e Përgjithshëm, në Prizren, më 1 korrik 1878.

E kompletuar me 96 delegatë nga Kosova dhe me delegatët nga Shkodra (26 sish) dhe Vilajeti i Janinës (me 20), pas një diskutimi të gjerë, Kuvendi miratoi një Rezolutë ose Kanun të ri për Lidhjen e Prizrenit, me të cilin u bënë hapat e rëndësishëm në përpunimin e mëtejshëm të programit të Lidhjes. Sepse, Kanuni i ri, e shpalli botërisht organizatën e themeluar në Prizren si Lidhje Shqiptare dhe organin i saj qendror e quajti Komiteti Kombëtar. Statuti i ri ishte pastruar nga ndonjë formulim me karakter fetar islamik dhe nga ideja e besnikërisë ndaj Perandorisë Osmane, që kishte pasur vend në Kararname. Në tekstin e Kanunit thuhej shprehimisht se Lidhja do të luftonte për të drejtat kombëtare shqiptare dhe se veprimtarinë e saj do ta shtrinte vetëm në trojet shqiptare. Ajo i jepte të drejtë Komitetit Kombëtar të formonte nën-komitete të Lidhjes në qendrat e sanxhaqeve të Shqipërisë, të organizonte një ushtri të armatosur për të mbrojtur trojet shqiptare, të shpallte mobilizimin ushtarak të të gjithë burrave të aftë për armë, të vilte, për nevojat e veta buxhetore, një sërë taksash të ndryshme dhe të jepte dënime penale kundër dezertorëve nga Lidhja Shqiptare, me çka mund të thuhet se Lidhja kishte krijuar rrethanat për marrjen mbi vete funksionet e një qeverie.

Kanuni i miratuar më 2 korrik 1878, shënon një fitore të rëndësishme të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në gjirin e Lidhjes së Prizrenit. Në të vërtetë, me këto të drejta, që u sanksionuan në kanunin e 2 korrikut 1878, Lidhja Shqiptare e Prizrenit fitoi bazën ligjore për të ngritur shkallë-shkallë një shtet autonom shqiptar brenda shtetit perandorak osman.

(Shkëputje nga libri “Kongresi i Berlinit dhe Lidhja Shqiptare e Prizrenit 1878”, botoi “Faik Konica” – Prishtinë dhe “Jalifa Publishing” – Houston, 2012).

Filed Under: Politike

𝐃𝐚𝐯𝐢𝐝𝐢, 𝐤𝐨𝐥𝐨𝐬𝐢 𝐢 𝐞𝐩𝐨𝐤𝐚𝐯𝐞

June 10, 2025 by s p

Dr. Bledar Kurti/

Më 8 qershor 1504, Davidi i Michelangelo-s, vepra më e rëndësishme skulpturore në histori u vendos në sheshin kryesor të Firences.

Skulptura e Davidit, krijuar nga një bllok mermeri me shumë nyje e të meta, që e bënte të pamundur të skulpturohej, ishte një deklaratë mbi sesi njeriu humanist e shihte veten në të nesërmen! Populli e shihte si vrasësin e tiranëve, dhe e gjithë Firence ecte plot vetëbesim drejt një të ardhme madhështore.

Me të mbaruar statuja, Paria e Firences u has me dilemën se ku do e vendosnin atë kolos madhështor. Ajo çështje hapi aq shumë diskutime sa që pati edhe një incident me hedhje gurësh nga disa protestues. Duke qenë republikë, Firence ngriti një komitet. Rreth tridhjetë artistë dhe drejtues civilë u mblodhën për të diskutuar këtë çështje, përfshirë edhe Filippino Lippi, Perugino, Botticelli, dhe sigurisht Leonardo da Vinci. Ata u mblodhën në 25 janar të vitit 1504, në një sallë mbledhjesh pranë Katedrales, dhe morën në konsideratë nëntë vende për vendosjen e statujës, dy prej të cilave u zgjodhën si finaliste. Michelangelo kishte shpresuar që statuja e tij do qëndronte jashtë hyrjes së katedrales tek Piazza del Duomo, por shpejt kuptoi që do shërbente më mirë si një simbol civil e jo fetar i Firences dhe i shtyu të bindeshin që ta vendosnin te sheshi përpara Palazzo della Signoria. Giuliano da Sangolla, një nga arkitektët më të mirë të Firences, sikurse edhe skulptor, preferonte një vend poshtë harkut të madh tek Loggia della Signoria, një ndërtesë në cep të sheshit. Ai, bashkë me mbështetësit e tij, argumentuan se duke e strehuar aty Davidin, skulptura do ruante elementet e saj, por ajo zgjidhje e bënte veprën të mos binte në sy, e të ishte më pak dominuese dhe e spikatur. “Do shkojmë ne që ta shohim atë, e jo të vijë figura të na shohë ne,” u shpreh një nga mbështetësit e idesë së vendndodhjes tek Loggia.

Leonardo da Vinci ishte një rival i përbetuar i Michelangelo. Ose më saktë ishte e kundërta. Michelangelo ishte tejet xheloz për mjeshtrin e madh da Vinci i cili me artin e tij kishte dëshmuar se ishte i papërsëritshëm. Por, kjo xhelozi u kthye në drejtim të kundërt kur da Vinci pa Davidin, ndaj nuk është për t’u habitur që Leonardo mbështeste grupin që kërkonte t’a strukë statujën poshtë portikut. Kur erdhi radha e tij për të folur, ai tha, “Pajtohem që duhet të vendoset tek Loggia, por të qëndrojë te parapeti ku varen sixhadetë.” Dukej qartë, që Leonardo preferonte që statuja e Michelangelo të vendosej në një vend ku nuk binte shumë në sy. Por, sikur të mos mjaftonte kaq, Leonardo e vazhdoi fjalën e tij e tha diçka të habitshme. Ai u shpreh se statuja duhej të vishej “me një zbukurim të hijshëm [chon ornamento decente].” Ishte e qartë çfarë nënkuptonte. Michelangelo e kishte gdhendur Davidin në mënyrë të guximshme, tërësisht lakuriq. Leonardo sugjeroi që t’i shtohej një mbulesë e hijshme në mënyrë të atillë që të mos prishë ceremonitë zyrtare.

Michelangelo e fitoi betejën për vendin se ku do vendosej statuja. Davidi i tij u lëviz me rrota për katër ditë, në mënyrë shumë të kujdesshme nga punishtja e tij, dhe u vendos në hyrje të Palazzo della Signoria. Qëndroi aty deri në vitin 1873, e më pas u vendos brenda Galleria dell’Accademia, dhe në vitin 1910 një kopje e statujës u vendos sërish aty kishte qenë, por kësaj here pallati kishte marrë emrin Palazzo Vecchio.

Por Leonardo fitoi me argumentin e tij se “një mbulesë e hijshme” duhej shtuar tek statuja. Një kurorë e stolisur e bërë prej tunxhi, me njëzetë e tetë gjethe bakri, u var tek skulptura, duke e mbuluar lakuriqësinë e Davidit. Mbulesa qëndroi mbi statujën për të paktën dyzetë vjet.

Arti është xheloz. Por, arti është esenca e vetë njeriut, pasi njeriu është e vetmja qenie në univers që krijon. Çdo njeri e ka brenda vetes këtë dhunti. Varet nga vetëdija individuale se kush e përdor atë guximshëm e kush zgjedh me burracakëri ta burgosë këtë atribut të rrallë brenda kafkës së vet.

Filed Under: Kulture

Marrëveshja e Kumanovës- fundi i okupimit serb në Kosovë

June 10, 2025 by s p

Prof. Dr. Sylë Ukshini/

Më në fund pas shumë prolongimeve dhe obstruksioneve të palës serbe dhe ruse, më 9 qershor 1999 u nënshkrua Marrëveshja Ushtarako-Teknike në Kumanovë, në vendin ku Serbia gjatë Luftës së Parë Ballkanike në tetor 1912 kishte mundur ushtrinë osmane dhe aneksuar territorin shqiptar të Vilajetit të Kosovës dhe të Manastirit. Kjo marrëveshje po ashtu i jepte fund okupimit të gjatë serb në Kosovës.

Marrëveshje e Kumanovës u nënshkrua ngan gjenerallejtënant Majkëll Xhekson (Michael Jackson) në emër të NATO-s, dhe Svetozar Marjanoviq nga Armata jugosllave dhe Obrad Stefanoviq i Ministrisë të Brendshme të Serbisë në emër të qeverive të Jugosllavisë së mbetur dhe Serbisë, sipas së cilës nga Kosova do të tërhiqeshin të gjitha trupat ushtarake, paraushtarake dhe policore serbe. Ndërsa një ditë më pas, me 10 qershor KS i OKB-së miratoi rezolutën e 1244 sipas së cilës Kosova u vendos nën administrimin civil (UNMIK) dhe ushtarak ndërkombëtar (KFOR) dhe në të njëjtën kohë morën fund bombardimet e NATO-s kundër caqeve ushtarake të shtetit serb.

Filed Under: Rajon

I PARI PANAIR LIBRI NË SHKODER …

June 10, 2025 by s p

Frano Kulli/

Po, kjo ka ndodhë fundjavën që shkoi. Në oborrin e Katedrales së qytetit, nën strehën e dikund nja njëzet tendave të reja, të bukura të njinjishme e të hallakatuna nëpër këtë oborr. Në njërin cep të oborrit, një amfiteatër i improvizuar ku mbrëmjeve kur binte fresku lexoheshin tekse prej autorëve pjesmarrës, prozatorë e poetë, jo veç prej Shkodret e rrethinave, po edhe prej shqiptarisë këndej e andej kufirit. Në 3 salla, komode alternoheshin paraqitje librash e takime shkrimtarësh me lexues. Gjithçka kuruar plot shije e sharm, prej ndërthurjes së ideve e ndjesive vullnetmira të shkrimtarëve të qytetit: të mirënjohurit Stefan Çapaliku e të riut Andreas Dushi dhe Gjovalin Çunit bibliografit të hershëm, që tashti mbarështron Bibliotekën “Zoja e Shkodres”, ide e punë, të cilën e ka bekuar Famullitari i kësaj katedraleje, dom Vlash Palajt. I atij është përkushtimi e atij është mbështetja e gjithsishme. Me siguri se pa të nuk mund të bëhej kjo vepër e bukur, e dobishme e kaq rrezëllitëse këtyre ditëve qytetëse. Arqipeshkvi Giovanni Peragine hap siparin e fillesës me urime e përgëzime për protagonistët.

E mandej përgjatë ditëve e mbrëmjeve, plot vizitorë, kurreshtarë si në një ndodhi të paparë më heret këtu, po të mirëpritur sa s’ka.Të tjerë që ndalojnë , prekin libra, i sodisin , i shfletojnë, ndonjërin e veçojnë e më pas edhe e blejnë. Si gjithëherë këso rastesh shpërfaqja e titujve dhe e zhanrreve është e larmishme. Edhe e autorëve, gjithashtu. Maestro Robert Prendushi, kishte ardhë enkas nga Italia edhe pse e ka cík (prekur) fillimin e të 89-tave të moshës. I freskët, me sharmin e hershëm të patrazuar aspak, i buzëqeshun si gjithëherë, plot energji e me kujtesë me u pasë zili. I marrun gjithë jetën me muzikë, ditunar fort e i kulturuar. Kishte ardhë me dy libra të mrekullueshëm të tij: “At Martin Gjoka-24 pjesë e artikuj mbi vepren e tij” dhe “Në kërkim të origjinës së valleve e kangës shkodrane”. Meritueshëm, ndalesa e tij në thellësinë e studimeve si këto, në “Shkodrën ku të gjithë këndojnë”, siç të vjen ndërmend me kujtue titullin e një tjetër libri të një tjetër autori shkodran, Isa Alibali.

E Maestro Roberti u nderua me çmimin e Panairit për studime. Në të vërtetë, vetë panairi u nderua me prezencën e Maestros. Po kishte edhe libra të tjerë të mirë shumë që u prezantuan aty, i Kolës Ashtës me shkrimtarinë e tij të viteve ’40 dhe i prof. Henrrik Lacajt “Përpjekje albanologjike”, emra këto në reliev të letrave shqipe, ase “Arbëreshët – shqiptarët e Italisë” i Fatmir Toçit e autori nga Kosova Ndue Ukaj. Po edhe e disa të tjerë për t’u shënuar.

Aty ishte edhe libri me kujtime i shkodranit Simon Rrota, i aradhës së themeluesve të artit pamor shqiptar, i lauruar në vitin 1916 në Akademinë e famshme “Brera” të Milanos, në kohën e rilindjes, a më saktë të këndelljes së njerzisë shkodrane prej letargjisë së gjatë nën dimrin e kulturës otomane. Piktori na rrëfen në këto kujtime episode të detajuara ndodhish e ngjarjesh me mjeshtrin e mësuesin e tij, Idromeno e me Fishtën, për skenografinë e shfaqjeve teatrore në Kuvendin Françeskan në Gjuhadol, por edhe për popullaritetin e madh që ato mbërritën të kishin në qytet. Porse rrëfen gjithashtu edhe se ka pasë perjetuar një ngjarje, këtu në oborrin e Katedrales së famshme, (më e madhja në Ballkan, përfunduar së ndërtuari me 1858), e cila kishte me qenë si një gur kilometrik nistor në rrugën e re të rilindjes së qytetit. Jemi në vitin 1909, pak para se ai të nisej për studime në Itali.

-Qe për shembull si më ndodhi në oborr të Kishës së Madhe- shkruan ai.-Ishe tuj vizatue baben e Pjetrit Nikë Shalës, njatë herë sa e plotësova, erdhi i biri e ma shkjeu vizatimin copa copa e me nji perbuzje të madhe më tha do asi fjalësh të vrazhda e në dorë mbante nji gurë të madh në rasë se unë do ta kundërshtojshem. E njajta gja më ndodhi përsëri në oborr të Kishës, ku nji puntuer ishte tue përzi llaç gëlqereje, pa e kuptue ai, por kjenë gërgasit e zakonshem që e theren me fjalë [e ngacmuan] e qe po shof menjiherë se si po më sulmonte me shatin qi ai kishte në dorë e, me të vërtetë, sikur të mos e kishte hetue nji shoq i jemi e me e ndalë, ai do të ma çante kryet përgjysë. Për me u da shëndosh prej tij m’u desht me ja dorzue letren e vizatueme e ai e coptoi grima grima, tue thanë me të madhe: unë nuk jam asi burrit qi me hi n’leter.-

Ngjarje si kjo, të ngjashme kishte provue shpesh, se njerëzia asokohe ende nuk pajtohej me “i dalë ftyra n’leter”. Porse po në ato vite, përreth këtij oborri ku jemi këto ditë e krejt këtu afër, në Kishën e fretënve kishte një sallë ku kishin filluar të jepeshin shfaqjet e para teatrore, me pjesë të huaja të përshtatura në shqip. Fishta, që për së pari kishte vu gjuhën shqipe si gjuhë mësim në liceun françeskan, që bënte edhe dramaturgun edhe rregjisorin, për të realizuar skenografinë merrte djaloshin e talentuar, Simon Rrota, që po përgatitej të shkonte për studime…

Ishte kohë kontrastesh e mospërputhjesh të mëdha, ajo e fillim shekullit të shkuar, por kjo tymnajë e largët duket se ende nuk është zhdavaritë.

Panairi që zgjati tri ditë aty në oborrin e Katedrales së Shkodrës, estetikisht më i kuruari në panairet tona librore, unë shpresoj se ka me ngacmue edhe ujna të ndenjura e ndërgjegje të topituna në prijësinë e atij qyteti… E do t’i yshti ata zonja e zotërinj përgjegjës në kërkim të kohës së humbun. Se ka qenë nji shenjë e gjurmë që ban me u kujtue e me reflektue, për sot e mot.

Filed Under: ESSE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 472
  • 473
  • 474
  • 475
  • 476
  • …
  • 2950
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VATRA PËRKUJTON PATRIOTIN ZEF BALAJ NË 4 VJETORIN E KALIMIT NË PËRJETËSI
  • ATË QË KA MONOPOL GJENIU NUK MUND T’IA MARRË DOT NJERIU!
  • Idriz Balani, një nga mjeshtrat e skulpturës monumentale
  • HUNGARIA DHE ZËRA TË SHKRIMTARËVE TË SAJ NOBELISTË. FAJIN E KA…DHE LETËRSIA?!
  • Vatra Chicago ofron një mundësi të shkëlqyer për talentet shqiptare në futboll
  • President Franklin D. Roosevelt 1882-1945, Presidenti që e ktheu filatelinë në instrument solidariteti gjatë Luftës së Dytë Botërore
  • Diaspora midis unitetit dhe instrumentalizimit politik
  • KANUNORE E FEDERATËS VATRA 1926
  • Posta nga Haga – Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung, 12.04.2026
  • Bedri Dedja (20 nëntor 1930 – 13 prill 2004)
  • Aty ku historia nuk lexohet, por përjetohet…
  • Pafajësia kolektive…
  • Diaspora shqiptare në botë: Nga “Të ndërtojmë Amerikën” tek “Të ndërtojmë Shqipërinë”
  • Noli dhe Konica në dritën e “Diellit”
  • Personalitete kombëtare në New York nderuan jetën dhe veprën e Eliot Engel

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT