• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Homazh për Shaban Polluzhën, Mehmet Gradicën dhe të gjithë heronjtë e Luftës së Drenicës

February 22, 2025 by s p

Dr. Lulzim Nika/

Vështirë është të flitet për virtytet, trimërinë dhe meritat e luftëtarëve të palodhshëm të luftës së Drenicës, të prirë nga Shaban Polluzha e Mehmet Gradica, duke marrë parasysh rëndësinë dhe peshën e madhe të kësaj lufte dhe këtyre dy heronjve.

Një dokument që kam marrë nga arkivi i presidentit H.Truman (Declassified: E.O.11632, Sec 3(E) and 3 (D) or (E) ; Dept.of State letter, Aug. 10, 197), tregonte për rezistencën e shqiptarëve te Kosovës ndaj forcave partizane jugosllave, po ashtu tregonte për mosinteresimin e Partisë Komuniste të Shqipërisë dhe krerëve të saj që Kosova të jetë pjesë e shtetit shqiptar, siç ishte gjatë viteve të pushtimit nga Italia fashiste.

Në asnjë takim, përfaqësuesit e komunistëve nga Shqipëria, nuk e kishin ngritur çështjen e Kosovës. Përpjekjet e shqiptarëve të Kosovës për të kundërshtuar konsolidimin e pushtetit jugosllav, pra kjo rezistencë që më e fuqishme ishte në pjesën qendrore të Kosovës, në Drenicë, mbetën të izoluara dhe pa përkrahjen e Shqipërisë.

Drenica ka rol të veçantë e të papërsëritshëm, në historinë tonë kombëtare, por edhe në atë për përgatitjen e gatishmërisë popullore në luftën çlirimtare, ka rolin e papërsëritshëm e të pakrahasueshëm për organizimin dhe ruajtjen e frymës për lirinë e Kosovës.

Shaban Polluzha dhe Mehmet Gradica, këta dy tribunë popullorë që udhëhoqën kryengritjen kundër sllavo-komunistëve, u bënë referencë historike për nacionalizmën shqiptare.

Lufta, trimëria, krenaria dhe lavdia e tyre ishte frymëzim i fuqishëm i luftëtarëve të mëvonshëm, që mbante lart moralin e luftës për të qëndruar deri në fitoren e fundit për lirinë e Kosovës!

Kjo luftë ka pasur një ndikim të jashtëzakonshëm në ruajtjen e idealit të lirisë, duke u bërë një shtyllë e fortë në ndërtimin e vetëdijes kombëtare dhe identitetit të popullit shqiptar. Shaban Polluzha dhe Mehmet Gradica, me guximin dhe sakrificat e tyre, jo vetëm që mbrojtën atdhenë, por gjithashtu krijuan një trashëgimi që i ka frymëzuar brezat e rinj të luftojnë për një të ardhme të lirë dhe të pavarur për Kosovën.

Filed Under: Rajon

EMRAT ASNJANËS DHE GABIMET TONA ME TA

February 22, 2025 by s p

Në një shfaqje televizive në një nga televizionet tona kombëtare, para konkurrentëve të konkursit u shtrua pyetja: “Sa gjini ka emri në gjuhën shqipe?”. 

Kjo ishte një pyetje e vështirë për konkurrentët e atij konkursi televiziv, të cilët ishin shqiptarë, shqipfolës, që lëndën e gjuhës shqipe e kanë bërë për 8-9 deri në 12 vjet nëpër shkolla. Përgjigjja e konkurrentit ishte: “Dy gjini: gjinia femërore dhe mashkullore”. 

Nga kjo përgjigje mora shkas të trajtoj këtu edhe gjininë asnjanëse të emrave në gjuhën shqipe, që ky konkurrent, ashtu si një pjesë e madhe e shqipfolësve, siç duket, nuk e dinë që ekziston. 

ATËHERË, emri në gjuhën shqipe ka tri gjini: gjinia mashkullore, gjinia femërore dhe gjinia asnjanëse. Edhe pse gjinia asnjanëse është drejt zhdukjes, këta emra ekzistojnë ende në gjuhën shqipe.

EMRA ASNJANËS janë kryesisht emra të nyjshëm, që kanë ardhur nga:

1. emërzimi i pjesoreve të foljeve: të ecurit, të ardhurit, të qarët, të qeshurit, të menduarit, të qenët etj.;

2. emërzimi i mbiemrave duke ruajtur nyjën përpara, p.sh.: të errëtit, të kuqtë, të zitë etj.

Përveçse shumë shqipfolës nuk e dinë që këta janë emra asnjanës, por edhe kur i përdorin nëpër rasa të ndryshme gjatë të folurit apo të shkruarit, i përdorin gabim. Ndaj e shoh me vend të sqarojmë dhe të kuptojmë më mirë nga vijnë këta emra dhe si t’i përdorim drejt ata.

Në literaturë dhe jo vetëm hasim plot raste, kur përdorimi i këtyre emrave nëpër rasa të ndryshme është gabim. Kështu hasim:  /Ishte ënjtur nga të qarit./ Të qenit njeri me virtyte është gjë e rrallë sot./

Në këto dy fjali këta dy emra asnjanës, “të qarit” dhe “të qenit”, janë shkruar gabim. 

Për ta kuptuar se si shkruhen saktë, le t’i lakojmë sipas rasave emrat e këtyre dy grupeve:

  1. Grupi i parë: emrat që vijnë nga pjesoret e foljeve

Emërore: të qenët/të qarët/të ngrënët  

Gjinore: (i/e) të qenit/të qarit/të ngrënit

Dhanore: të qenit/të qarit/të ngrënit

Kallëzore: të qenët/të qarët/të ngrënët

Rrjedhore: të qenit/ të qarit/të ngrënit etj.

Shohim që në rasën emërore dhe kallëzore këta emra asnjanës dalin më –ët, kurse në gjinore, dhanore e rrjedhore dalin më -it. (Morfologjia e gjuhës shqipe, Akademia e Shkencave)

Pra, te dy fjalitë më sipër kemi përdorimin e gabuar të trajtës së gjinore-dhanores në vend të emërores e kallëzores. Këta emra asnjërës saktë do të ishin: 

/Ishte ënjtur nga të qarët./ Të qenët njeri me virtyte është gjë e rrallë sot./

Por, KUJDES! Duhet pasur parasysh se në rastin e emrave asnjanës që vijnë prej pjesoreve më –ur, -uar, -yer (p.sh.: të folurit, të ecurit, të menduarit etj., trajta e gjinore-dhanores dhe trajta e emërores e kallëzores përputhen:

Emërore: të folurit/ecurit/të mësuarit

Gjinore: (i/e) të folurit/ecurit/të mësuarit

Dhanore: të folurit/ecurit/të mësuarit

Kallëzore: të folurit/ecurit/të mësuarit

Rrjedhore: të folurit/ecurit/të mësuarit etj.

Pra, për t’i përdorur saktë nëpër rasa emrat asnjanës prejfoljorë, duhet parë se nga vijnë: 

  1. nga pjesore që dalin më -ë, (qenë-të qenët; qarë-të qarët; parë-të parët, pirë-të pirët, sharë-të sharët, ngrënë-të ngrënët etj.), që në emërore dhe kallëzore dalin më -ët, kurse rasat e tjera më -it;
  2. nga pjesore që dalin më -ur, -uar, -yer (folur-të folurit; menduar-të menduarit; ecur-të ecurit, vrapuar-të vrapuarit, të lyerit etj.) Këta emra dalin më -it në të gjitha rasat, pra dalin njësoj. 
  1. Grupi i dytë: emrat që vijnë nga emërzimi i mbiemrave 

Këta emra dalin njësoj nëpër të gjitha rasat. 

Emërore: të errëtit/të kuqtë

Gjinore: (i/e) të errëtit/të kuqtë

Dhanore: të errëtit/të kuqtë

Kallëzore: të errëtit/të kuqtë

Rrjedhore: të errëtit/të kuqtë etj.

Pra, kjo kategori emrash asnjanës dalin në formë të ngurtësuar, njësoj në të gjitha rasat, sa shumë specialistë të fushës mendojnë të hiqet kategoria gramatikore e rasës të këtij grupi emrash.

Mirëpo në literaturë hasim edhe disa trajta të këtyre emrave asnjanës prejfoljorë, të llojit: të ftohurin, të vonuar, të menduarin etj. 

Këto trajta përdoren kur i referohen emrit që përcaktojnë dhe duam të shmangim përsëritjen e këtij emri. 

Nxënësi i ftohur: i ftohuri: Atë të ftohurin mos e merrni në ekskursion!

Nxënëse e menduar; e vonuar: Të vonuarën qortoje, të menduarën lëre të mendohet!

Përgatiti: Sevi Lami Agolli

Filed Under: Sofra Poetike

Filmi “Pasaporta” shfaqet në New York më 25-26 Shkurt 2025 me pjesmarrjen ekskluzive të regjisorit Eduart Grishaj dhe Arbana Osmanit

February 22, 2025 by s p

Edoni dhe Vlera janë dy të rinj që duan të largohen nga Shqipëria, në mënyrë ilegale. Ata lidhen me një grup mafioz të strukturuar të cilët do t’i çojnë drejt Kanadasë me pasaporta fallco. Edoni dhe Vlera duhet të bëjnë sikur janë një çift. Rruga është plot me peripeci dhe sfida. Ata dashurohen me njëri-tjetrin, pa marrë parasysh rrezikun që u kanoset.

Linku për biletat:

https://eventa.al/…/8d6eda50-6fd5-4ae8-a5d5-66163807d681

Filed Under: Kulture

Tallja e cinizmi, sfida jonë përballë fëmijëve!

February 22, 2025 by s p

Agim Baçi/

Nuk besoj se ata prindër të atyre fëmijëve që kanë tallur Irsan për varfërinë e saj, e cila u vetëvra vetëm se nuk mund të duronte më bullizimin prej bashkëmoshatarëve të saj, mund të flenë të qetë as sonte e as për shumë kohë. Nuk është e lehtë për askënd nga ne që as nuk e ka njohur, e jo më për prindërit e saj dhe prindërit e bashkëmoshatarëve, të lexojnë ato rreshta ku Irsa ka rrëfyer se përse kish vendosur ta linte këtë botë, duke rrëfyer se prindërit që e donin kishin bërë gjithçka, por pa mundur t’i sigurojnë më shumë. Irsa Muçollarin sot nuk e gjykojmë dot. Për të vetëm mund të lutemi, që Zoti ta falë e ta marrë pranë vetes. Por ama, mënyrën se si flasim me fëmijët, duhet të mos e shmangim, nëse nuk duam që të jemi dëshmitarë të ngjarjeve si ajo që ndodhi me Irsan.

Nuk është e lehtë padyshim që të frenojmë këtë dëshirë të fëmijëve për të vënë në lojë të tjerët. Mbaj mend që unë jam sfiduar nga im bir kur kam dashur t’i flas se si duhet të sillemi me ata që bashkëudhëtojmë në përditshmërinë tonë. “Të them diçka babi? – Ti nuk e kupton fare brezin tim!”, më tha disa kohë më parë im bir, Marini, atë kohë katërmbëdhjetëvjeçar, teksa i flisja lidhur me efektin e keq që mund t’i shkaktojë kujtdo prej nesh ndjekja e vazhdueshme e videove të pakontrolluara në internet, plot xhirime me provokimeve, ku shfaqet hapur dhuna, tallja dhe seksualizimi i shoqërisë së sotme.

Fjalët e tij më shtynë që të përpiqesha që më parë duhet të kuptoja se përse isha kaq larg kuptimit të asaj që i interesonte brezit të tim biri.

E teksa i kërkova që të më shpjegonte diçka se përse nuk e shihte mundësinë që bashkë me mua të xhironim disa filma të shkurtër për të shfaqur pasojat e bullizimit në marrëdhënien mes fëmijëve, apo nevojën që kanë fëmijët me aftësi ndryshe për t’u bërë pjesë e shoqërisë, ai më tha hapur frikën që kishte: “Nëse do shfaqem me këto filma apo me video të tilla, shokët e mi mund të tallen me mua! Sepse kështu bëjnë të gjithë moshatarët e mi – tallen me gjithçka, vënë në lojë këdo”.

Ndoshta në këtë pozitë si unë janë vënë shumë prindër kur kanë dashur të largojnë fëmijët nga videot që kanë në qendër të shfaqjes së tyre vënien në lojë të të tjerëve, pa kursyer as të lindurit me aftësi ndryshe.

Padyshim që nuk është aspak e lehtë në fakt t’i mbushësh sot mendjen një adoleshenti se bota zgjidhet duke besuar më shumë te vetja. Ndoshta nuk e kanë pasur kaq të lehtë as prindërit tanë me ne vite më parë, kur edhe ne na dukej sikur dinim gjithçka, pa pasur nevojën e mençurisë dhe përvojës së tyre për të gjykuar botën. Madje ka shumë të rritur që ndoshta nuk e kanë gjetur kurrë në jetë besimin as te vetja e as te tjetri edhe pasi janë bërë prindër.

Dhe duhet ta imagjinojmë se sa vështirë e kanë fëmijët e sotëm ku përmes internetit në telefon, ku transmetohen në çdo kohë gjendjen dhe fjalët tona, tallja nuk mbetet thjesht në një ambient të vogël, por bëhet publike, shpërndahet duke tronditur këdo, sidomos të vegjlit, që nuk arrijnë të kuptojnë fuqinë e gabimeve të çastit, sidomos të gabimeve që kanë të bëjnë me botën e tyre në rritje e plot enigma për mendjen dhe trupin e tyre. Ndoshta këtë fakt e kanë ndeshur me dhjetëra prindër, sidomos në këtë kohë teknologjie. Dhe për dikë mundet që tallja të ketë krijuar një hendek të madh jo vetëm të fëmijëve me prindërit, por edhe të atyre vetë me ëndrrat e veta, me dëshirat për të bërë diçka të mirë.

Por a është e mundur t’i ndihmojmë fëmijët të mos enden me këtë cinizëm në kokë? Si mund të besojmë te vështrimi i tyre me dashuri për veten dhe tjetrin kur në mes është bota vrastare e talljes?

Teksa rreshtoja dhjetëra mendime pas asaj që im bir më tha për brezin e tij, i lashë mënjanë projektet e çastit dhe po përpiqesha t’i thosha diçka lidhur me fuqinë e madhe që ka dashuria në jetët tona, duke i rrëfyer se si gjatë historisë njerëzore, ai apo ajo që kanë arritur të pengojë talljen e një shoku apo shoqeje, apo të keqen ndaj dikujt, janë ndjerë gjithnjë më mirë se të tjerët, pasi shpirti i tyre ka notuar në qetësi. Ashtu mbaj mend se iu drejtova, sikur ta kisha njëkohësisht afër dhe larg, duke i kërkuar që të mos jetojë kurrë me urrejtje dhe frikë dhe se edhe shokët duhet t’i kërkojë të tillë:

Biri im, çdo qytet në botë ka shpirt dhe shpirti i qytetit tonë je ti dhe shokët e tu, ata që janë më të vegjël se ty, ata më të rritur se ty, ata që jetojnë në lagje të ndryshme e që kanë ardhur nga shumë qytete e fshatra të këtij vendi ku kemi lindur. E nëse ne të rriturit jemi treguar të pakujdesshëm që ta mbajmë këtë qytet me një shpirt të pastër, me njerëz që të adhurojnë të mirën, apo që kemi heshtur përpara së keqes së përditshme, atëherë mundet që këtë pakujdesi tonën, këtë gabim tonin, ta ndreqni ju. Sepse, biri im, nëse jeton në një qytet me zemra të errësuara dhe që humbin besimin se ia vlen të jetosh duke menduar dhe vepruar mirë, atëherë ti nuk do ndjehesh kurrë i qetë, e aq më pak i gëzuar që po jeton këtu.

Biri im, shpesh njerëzit justifikohen se nuk kanë faj përballë së keqes, sepse nuk kanë bërë ndonjë gjë të keqe. Por në jetë ka gabime nga veprimet, aq sa ka edhe nga mosveprimet. Sepse shumë gjëra ndodhin kur ne mbyllim sytë ndaj talljes së një shoku apo një shoqeje, ndaj vjedhjeve, ndaj së keqes apo ndaj së ligës, duke mos e ditur se ajo është errësira jonë, që na mbulon të gjithëve e na pengon të lëvizim drejt një vendi me dritë.

Ne të gjithë kemi gabimet tona. Por asnjë gabimmi yni apo i shokëve e shoqeve nuk duhet t’ia hapë derën cinizmit që na pengon drejt dëshirës për të jetuar më mirë me veten dhe me të tjerët. Le të jenë sado të shumtë ata që duken sot se argëtohen nga tallja. Bota ka pasur gjithmonë të tillë e do të ketë. Por të kërkoj që të mos e helmosh zemrën tënde me cinizëm, por të kalosh nga rruga e dashurisë.

E di, nuk është kurrë e lehtë të ecësh duke besuar në fitoren e së mirës, por, dije ama, se është një rrugë që ia vlen të ecësh edhe nëse rrëzohesh, sepse është një rrugë që nuk do të ta çojë kurrë shpirtin tënd në qorrsokak, por do të të japë vetëm mundësi.

Thjesht, biri im, dua të të them që nëse do të përpiqesh t’i zgjidhësh problemet në jetë me dashuri, do të kuptosh se zemra do të të mbrojë që ligësia të të mos bëhet streha jote.

…Këtë debat të gjatë me tim bir ma risolli ngjarja e vetëvrasjes së Irsa. Ikja e saj nga turpi i talljes nga bashkëmoshatarët e saj është edhe dështimi ynë, si prindër, që nuk u flasim fëmijëve për një botë me sytë nga Dashuria. Dhe do vijojmë të turpërohemi nëse nuk bëjmë diçka që tallja mos të jetë shtroja e mendimeve dhe e hapave të tyre…

Filed Under: Sociale

Tash me gjilpanë, jo me gërshanë

February 22, 2025 by s p

Fatmir Konja/

“V”-ja e gishtave u bo gërshan “, tha Albin Kurti në një takim me zgjedhësit gjatë fushatës për zgjedhjet e 9 shkurtit. E kishte fjalën për aktet e qeverisë së drejtuar prej tij kundër korrupsionit. Ndoshta ishte edhe një përgjigje ndaj komenteve mediatike se në periudhën para zgjedhjeve nuk po i ndaheshin nga dora lopata dhe gërshërët për të përuruar investimet e kryera nga qeveria e drejtuar prej tij. Simbolika e gërshërëve iu bashkëngjit në këtë mënyrë simbolit “VV” për të fituar “500k ❤️“. Me gjasë u pëlqye nga votuesit e bindur të partisë së tij, por votuesit e pavendosur nuk i shkuan pas fijes euforisë dhe mujsharisë së Kurtit, i cili kërkoi gjithçka ose asgjë. Nga ana tjetër, Kurti dhe Vetëvendosja, të ardhur në pushtet me fitore plebishitare katër vite më parë, i kishin përdorur “gërshërët” rregullisht kundër çdo mundësie bashkëpunimi me kundërshtarët politikë, deri edhe për çështje thelbësisht të interesit shtetëror, ku spikat çështja e koordinimit me përfaqësuesit ndërkombëtarë lidhur me procesin e dialogut me Serbinë. Revanshi i Kurtit, i yshtur nga numrat në Kuvend, nuk u la asnjë hapësirë përpjekjeve të partive të tjera politike për t’u dëgjuar dhe për të kontribuuar në këtë fazë të procesit të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë. Jo vetëm kaq, po edhe në momente kritike të marrëdhënieve edhe ashtu të tendosura me kancelaritë perëndimore, nuk ndërmori asnjëherë një konsultim të sinqertë me faktorët politikë të vendit. Në këtë kontekst, Kurti bëri copash me “gërshërët” e tij edhe kostumin e dikujt që nga baza e zgjedhësve të Vetëvendosjes thirrej “Albin baba”, duke mos i respektuar, e shpeshherë duke i tallur kundërshtarët politikë. Pikërisht për shkak të kësaj sjelljeje, edhe pse ka marrë dyfishin e votave të partisë së dytë në radhë, partitë opozitare janë bërë bllok kundër tij dhe asnjëra prej tyre nuk po jep asnjë shenjë se mund të hyjë në bisedime për të ndërtuar një qeveri me Kurtin kryeministër. Sikur të mos mjaftojë kjo, përfaqësuesit e kancelarive perëndimore duket se nuk kanë ndërmend të mbështesin krijimin e një qeverie të re të drejtuar nga Kurti, për të mos thënë se ka prej tyre që po përcjellin mesazhe që e minojnë këtë mundësi. Tanimë, shumë më gjerë se në rrethet politike apo diplomatike, po përpiqet të zërë rrënjë ideja se një qeveri e re me kryeministër Albin Kurtin nuk do të shihej si partnere e besueshme as e Brukselit, e as e Uashingtonit. Nuk është e tepërt të themi se rivalët politikë janë duke pritur edhe ndonjë ndërhyrje direkte nga përtej Atlantikut për të rrëzuar përfundimisht përpjekjet e Kurtit për një qeveri të re të ndërtuar prej tij. Duhet shtuar fakti se rrëzimin e Kurtit e dëshirojnë njëheraz, por për arsye të ndryshme, edhe qeveritë e Beogradit dhe të Tiranës. Këtë të dytën dhe emrin e kreut të saj, me shumë elegancë nuk e përmendi kurrkund as ish-drejtori i VOA, Elez Biberaj në analizën e para dy ditëve mbi idenë e tij se marrëdhënia e veçantë e Kosovës me SHBA, nën qeverisjen Kurti është shndërruar në një marrëdhënie të ndërlikuar. Është fakt se aventurieri politik i Tiranës i ka bërë boll dëme Kosovës me nismat e ndërmarra për të siguruar kredo politike ndërkombëtare për qeverinë e tij. Thënë të gjitha këto, Albin Kurtit i duhet të hedhë tutje gërshërët, dhe të përpiqet tanimë me gjilpërë t’i qepë vetes një kostum të ri, të një politikani jo vetëm të gatshëm për kompromis me opozitën për krijimin e një qeverie të re, por të përulur para nevojës urgjente që ka Kosova për një zë të përbashkët të të gjithë faktorëve politikë të vendit përballë sfidave dhe rrethanave të reja gjeopolitike.

Filed Under: ESSE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 477
  • 478
  • 479
  • 480
  • 481
  • …
  • 2781
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • QERIM VRIONI DHE FOTOGRAFËT QË SHKRUAN HISTORINË
  • Çamëria, kur e vërteta kërkon shkrim, përgjegjës dhe afat!
  • Dhurata, buzëqeshje dhe urime në shkollën shqipe “Skenderbej”
  • ROLI I PRESIDENTES OSMANI NË RIKTHIMIN E BESIMIT DHE BASHKËPUNIMIT TË KOSOVËS ME SHBA-NË DHE BE-NË
  • WHEN KOSOVA WORKS, AMERICA SPEAKS
  • Shkolla shqipe “Gjergj Fishta” – Long Island, New York festoi festat e fundvitit
  • Fotografia e Gjon Milit dhe CHARTRES CATHEDRAL -Një monument i entuziazmit Kristian
  • Lamtumirë legjenda jonë e mikrofonit në gazetarinë sportive Ismet Bellova!
  • Politika e mençur…
  • VEPËR NGA MË TË PASURAT E MË NJERËZORET NË MENDIMIN KRITIK
  • KOZMOPOLITIZËM
  • “Kur shpirti kthehet në gërmadhë lufte”
  • VATRA TELEGRAM URIMI AKADEMIKES JUSTINA SHIROKA PULA ME RASTIN E ZGJEDHJES KRYETARE E AKADEMISË SË SHKENCAVE DHE ARTEVE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS
  • Suzana Shkreli: “We can make history by electing Michigan’s first Albanian Secretary of State”
  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT