• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

GËZUAR PAVARËSINË KOSOVË! VATRA LONG ISLAND DHE SHKOLLA SHQIPE “GJERGJ FISHTA” FESTOJNË PAVARËSINË E REPUBLIKËS SË KOSOVËS

February 18, 2025 by s p

Nga Frank Shkreli/

Përshëndetje dhe gëzuar 17-Vjetorin e Pavarësisë së Republikës së Kosovës. Të nderuar Dr Paulin Marku dhe Fabjola Gjinaj (Marku) bashkthemeluesë të shkollës shqipe, “Gjergj Fishta” në Long Island të Nju Jorkut ju falënderoj për ftesën për të marrë pjesë në organizimin tuaj me rastin e Ditës së Pavarësisë të Republikës së Kosovës. Me pamundësi për të marrë pjesë, e ndjeva detyrim moral që të pakën tu dërgoj një përshëndetje vëllazërore me këtë rast. Njëherazi dua t’ ju uroj punë të mbarë dhe bekime për veprën tuaj atdhetare e fisnike — për hapjen, më heret, të Shkollës Shqipe “Gjergj Fishta” në Long Island. Emër më madhështor nuk kini mund me gjetë për shkollën. U lumtë! Urime dhe mirënjohje të gjithëve, ty Dr Marku, bashkthemelueses dhe mësueses Fabjola Marku dhe bashkpuntorëve tuaj, për këtë nismë patriotike në shërbim të komunitetit shqiptaro-amerikan në Long Island të Nju Jorkut.

Siç tregon edhe ky organizim sot në shënim të Ditës së Pavarësisës së Kosovës, duket se Dega Vatra Long Island me Shkollën “Gergj Fishta” do jetë diçka më tepër se thjeshtë një shkollë për të mësuar gjuhën shqipe brezave të fëmijve të lindur e të rritur në Amerikë. Është për tu vlerësuar dhe admiruar misioni që me ndihmën e Degës së Vatrës në Long Island, i kini përcaktuar shkollës “Gjergj Fishta”, misionin: “Që të shërbejë si njësi shpirtërore, edukative, patriotike, kulturore e komunitare për bashkimin e shqiptarëve në Long Island.” Punë të mbarë në këtë mision të shenjtë e patriotik!

Të nderuar pjesëmarrës, sot Republika e Kosovës dhe mbarë Kombi shqiptar festojnë 17-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë. Në këtë ditë të shenjtë të 17-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës që pasqyron dhe realizon një ëndërrë shekullore të vullnetit të lirë të Kombit shqiptar — na kujtohen fjalët e At Gjergj Fishtës: “Ma mirë n’vorr me u kja për mallë / se nën shkja me ndejë për t’gjallë.” Por në veshët tonë sot tingëllojnë gjithashtu edhe fjalët e Naim Frashërit: “Bota që kur është zënë — Shqipëria gjallë ka qenë.”

Të nderuar miq — Në këtë ditë të shënuar për Kosovën dhe për mbarë Kombin shqiptar — në 17-vjetorin e Pavarësisë së Republikës së Kosovës — le të kujtojmë dhe të përulemi me nderim e respekt para RILINDASVE TË VËRTETË TË KOMBIT, duke filluar me Gjergj Kastriotin-Skenderbe në Lezhë, Abdyl Frashërin në Prizren, bashkë me zbritjen në Vlorë të Ismail Qemalit, Luigj Gurakuqit, Pandeli Cales, Isa Boletinit, e të tjerëve. Në veshët e çdo shqiptari të vërtetë kudo, sot, veçanërisht, jehon edhe kushtrimi i Presidentit historik Ibrahim Rugovës dhe i Adem Jasharit por edhe i Bajram Currit, Ded Gjon Lulit, Mihal Gramenos dhe i Çerçiz Topullit dhe i heronjëve më të ri të Kombit që kanë dhenë jetën në luftën për liri e pavarësi të Dardanisë së lashtë e Kosovës së re. Shqiptarët janë ndër të parët e njerëzimit, me një histori të gjatë e cila është e shkruar me penë, por edhe më shumë – ajo histori është shkruar me gjak – që ajo tokë shqiptare të mbetet shqiptare.

Në këtë ditë të pavarësisë, urimet më të përzemërta Kosovës edhe për zgjedhjet e fundit demokratike me shpresën për një angazhim të vazhdueshëm për të çuar përpara paqën, drejtësinë dhe begatinë për popullin e Kosovës si dhe tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor”, sepse, ndërsa festojmë këtë përvjetor sot – duhet të jemi të vetdijtur se çdo gjë, “Bacë nuk është Kry”. Shqiptarët duhet të ndigjojnë edhe ushtimën e kushtrimit të At Gjergj Fishtës për realizimin e shpresave të pa realizuara: kushtrimin për përjetësimin e ëndërrës shekullore të shqiptarëve:

SHQIPNIA E LIRË

Po, por nesër, me ndihmë t’Zotit,

Do ta bajmë prap Shqipni t’lirë

Prej Prevezet m’Leqe t’Hotit,

Prej Tivari në Manastir,

Edhe Flamuri Shqipnisë

Si flakë mnijet e Perëndisë

Do t’valvitet në Kaçanik.

Bashkshortja e Heroit Kombëtar Agim Ramadanit, Zonja Shukrije Ramadani, ka thenë se bashkshorti i saj çdo herë që nisej për në front të luftës kundër forcave terroriste serbe merrte me vete Lahutën e Malësisë të At Gjergj Fishtës, për frymëzim në luftën heroike të Kombit shqiptar për çlirimin e Kosovës nga hordhitë serbe.

500-vjet Kosova priti! At Gjergj Fishta duhet patjetër ta ketë vendin e vet, të merituar jo vetëm në Shqipëri por edhe në Kosovë dhe anë e mbanë trojeve shqiptare!

Duke u falënderuar për durimin ju përcjell edhe njëherë gjithë ju urimet e mia më të përzemërta Republikës së Kosovës, të gjithë pjesëmarësve të mbledhur aty dhe shqiptarëve anë e mbanë botës, këtë ditë të madhe për Kosovën dhe mbarë Kombin shqiptar.

Përzemërsisht, Frank Shkreli

Filed Under: Interviste

GËZUAR – 17 VJET KOSOVË E PAMVARUR

February 17, 2025 by s p

17 SHKURT – 2008 – 17 SHKURT 2025

Hysen S.Dizdari
Studjues i Historisë dhe Filatelisë Shqiptare // Tiranë me ,17 Shkurt 2025

Sot 17 vite më parë, Kuvendi i Kosovës e shpalli Pamvarsinë me 17 shkurt 2008. Ky vendim historik u njohë nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, në vitin 2010. Populli shqiptarë i Kosovës ka derdhur gjak në shekujë për liri e pamvarsë kombëtare. Prandaj me plotë të drejtë , Kosovën Rilindasit e Mëdhej e kanë quajtur djepi i shqiptarisë.
Ja si tregonë në një intervistë ,Prof.Shyqyri Nimani ,autori i cili shkroi në përgament dekleratën e Pamvarsisë Kosovës:
“ Deklaratën e Pavarësisë e kam përfunduar pesëmbëdhjetë minuta para orës 15:00. Mbaj mend që erdhi kryeministri Thaçi, e panë dhe e morën. Kurse unë mbeta i katandisur deri në fund, i rrënuar nga lodhja. Mbaj mend që djali im më pat kërkuar që të shkonim në sallën e Parlamentit të Kosovës, aty ku edhe do të shpallej pas pak Pavarësia e Kosovës. Më është dashur të shkruaj me një fond, me një stil, i cili është i bukur, subtil dhe që shkruhet më shpejt, dhe vendosa që ta shkruaja në stilin italik, të renesancës italiane, kur siç dihet, që me këtë fond është shkruar edhe “Formula e Pagëzimit”, dhe pikërisht për këtë fakt, desha ta bëja një ndërlidhje mes asaj periudhe dhe periudhës sonë.
Për 16 orë kam punuar në këmbë dhe me kurriz të lakuar, sepse ashtu ishin kushtet e punës, kam pirë vetëm ujë, dhe asgjë nuk kam menduar përpos që ta përfundoj. Për herë të parë në punën time artistike kam pas frikën që nuk do t’ia dal. Me vete kam pas edhe Agonin, djalin tim, i cili edhe ai është dizajner. Për një moment më kujtohet që i jam drejtuar duke shpërfaqë frikën time se nuk do të mund t’ia dal.”
SHPALLJA E PAMVARSISË KOSOVËS ME 17 SHKURT 2008 DHE VENDIMI I HISTORIK I 22 KORRIKUT 2010, I GJYKATËS NDËRKOMBËTARE TË DREJTËSISË MBI PAMVARSINË E KOSOVËS DUHET TË SHKRUHET ME GERMA TË ARTA NË HISTORINË E POPULLIT SHQIPTARË.
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë me qendër në Hagë, përfaqëson Gjykatën e nivelit më të Lartë të Kombeve të Bashkuara, e cila publikoi pasditen e datës 22 korrik 2010 opinionin e saj në lidhur me ligjshmërinë e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës në vitin 2008. Gjatë fjalës së tij Kryetari i Gjykatës Hiasashi Ovada tha se Shpallja e Pavarsisë së Kosovës më 17 shkurt të 2008 nuk e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare. Me 10 vota pro dhe 4 kundër gjykata është e mendimit se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës nuk e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare.
Profesori i njohur i të drejtës Ndërkombtarë Ksenofon Krisafi ja si shprehet mbi këtë vëndim në librin e tij “Për tokën dhe detin e Shqipërisë, në faqe-185-186 ai thekson:
“Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë është një ndër gjashtë organet kryesore të OKB.Ajo vepron në përputhje me statutin e saj që është pjesë integrale e e Kartës OKB-se dhe si itillë konsiderohet një ndër aktet universale të së drejtës ndërkombetare me vlerë të pa kontestueshme.,,
VENDIMI I GJND –SË I DATËS 22 KORRIKE 2010 ËSHTË NJË VENDIM HISTORIK ,ME RËNDËSI MADHE, KOMBËTARE DHE NDËRKOMBETARE I CILI NUK DUHET TË HARROHET NGA POPULLI SHQIPTAR POR KY VENDIM, DUKET TË SHKRUHET ME GERMA TË ARTA NË HISTORIN E PËRPJEKJEVE SHEKULLORE PËR LIRI DHE PAMVARSI TË POPULLIT SHQIPTARË NË TËRSI, E NË MËNYRË TË VAÇANT NGA POPULLI I SHQIPTARË I KOSOVËS.
Vendimi i GjND së i shpallur me 22 Korrik 2010 u bë i mundur me një kerkesë drejtuar Asamblesë të Përgjithshme të OKB-së të mbeshtetur nga 21 shtete të cilat u paraqiten në krah të mbrojtjes të së drejtës të shetit të Kosovës.
Shtetet të cilat u shprehen në mbeshtetje të GjND –së për të drejtën e Kosovës për Pamvarsi ishin: SHBA, Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Austria Japonia, Çekia, Zvicra, Polonia, Shqipëria, Leksenburgu, Estonia ,Norvegjia, Danimarka,Finlanda, Hollanda, Irlanda, Sllovenia, Letonia, Maldivet dhe Sierra Leone.
Populli Shqiptar dhe veçanarisht shqiptare që banojnë në Kosovë ,duhet tu jetë Mirënjohes për jetë, këtyre 21 shteteve të cilat me kerkesën e tyre drejtuar GjND –së bënë të mundur shpalljen e ligjshme të Pamvarsisë të Kosovës nëpermjet vendimin të GjND-së të shpallur me 22 korrik 2010.
MIRËNJOHJE PËR JETE NGA POPULLI SHQIPTARË , SHTETVE TË MËPOSHTME:
SHBA, BRITANIA E MADHE, FRANCA, GJERMANIA, AUSTRIA, JAPONIA, ÇEKIA, ZVICRA, POLONIA, SHQIPËRIA, LEKSENBURGU, ESTONIA , NORVEGJIA, DANIMARKA, FINLANDA,HOLLANDA, IRLANDA, SLLOVENIA,LETONIA, MALDIVET DHE SIERRA LEONE.

Filed Under: Mergata

Gëzuar ditëlindjen e 17-të Dardani

February 17, 2025 by s p

Valdete Cenalia Dida/

Gjatë gjithë muajit Shkurt 2025 në shkollën shqipe, Riverdale të Nju Xhersit u zhvillua Projekti për Pavarësinë e Kosovës, ku fëmijët e të gjitha klasave paraqitën të vizatuar dhe ngjyrosur bukur, hartën e të bukurës Dardani.

Kultivimi i identitetit tonë kombëtar, veçanërisht mësimi i gjuhës amtare shqipe, është si një vlerë dhe “detyrë shtëpie” për të gjithë ne, emigrantët shqiptar.

Bashkëpunimi i ngushtë i drejtuesve të Qendrës Kulturore Shqiptaro- Amerikane me në krye kryetarin Sinan Halimi dhe të mësimdhënësve me në krye drejtoreshën e shkollës shqipe Gonxhe Meta, arritëm të realizonim jo vetëm këtë projekt, por shumë projekte dhe misione duke ia arritur qëllimin që të ruajmë gjuhën, traditën dhe identitetin që na identifikon ne shqiptarëve.

17 Shkurti i 2008-ës ishte kurora më bukur që iu vu në “kokë” Kosovës heroike, pas një rrugëtimi të gjatë e të dhimbshëm për kombin shqiptar dhe qytetarët e Kosovës.

Edhe pse e ndarë nga rrënjët e shtetit mëmë, ajo sfidoi pushtuesit e saj nëpër shekuj, sidomos armikun e saj një shekullor serb.

E kurorëzuam me një program të artistëve të vegjël nga nxënësit e shkollës shqipe me këngë, recitime dhe valle që flasin dhe frymojnë vetëm shqip.

Nënkryetari i Qendrës Shqiptaro Amerikane, Jeton Abduramani në fjalën e tij tha: se edhe ne e kemi dëshmuar, se kur kombi jonë shqiptar ka nevojë, ne gjithmonë jemi bashkë, se duke qenë të bashkuar përballojmë çdo sfidë me fitore, duke dëshmuar qartë me Pavarësinë e Kosovës.

I ftuari i konsullatës së Kosovës, Fatmir Zajmi tha se Dita e Pavarësisë së Kosovës është thelbi i identitetit kombëtar shqiptar.

Shoqata juaj Shqiptaro Amerikane ka një traditë të gjatë në kontributin për organizimin e Pavarësisë së Kosovës.

Kryetarja e Bashkisë Fairview, Violeta Berisha u shpreh se jam shumë e lumtur, që jam këtu në mesin tuaj, të festoj së bashku me ju, në këtë ditë të shënuar për Pavarësinë e Kosovës.

Unë jam shumë e lumtur dhe e emocionuar, kur shikoj këto fëmijë që recitojnë dhe këndojnë kaq bukur shqip. Asnjëherë nuk kemi harruar nga kemi ardhur, duke e vërtetuar më së miri identitetin tonë kombëtar, të pastër dhe të artë.

Rruga për Pavarësinë e Kosovës, ka qenë një rrugëtim i vështirë, i sakrificave, por u kurorëzuar me sukses më 17 shkurt të vitit 2008.

Festojmë dhe gëzojmë njësoj edhe ne fëmijët e shkollës shqipe së bashku me drejtuesit dhe mësuesit e Qendrës Kulturore Shqiptaro- Amerikane, siç feston zemra jote Kosovë!

Gëzuar ditëlindjen e 17-të tokë e bekuar, Dardani!

Filed Under: Komunitet

17-Vjetori i Pavarësisë së Kosovës: Arritjet, Sfida dhe Perspektiva Ndërkombëtare

February 17, 2025 by s p

Prof. Dr. Fejzulla BERISHA/

Më 17 shkurt 2025, Republika e Kosovës shënon 17-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë, një moment historik që përfaqëson kulmin e një përpjekjeje shekullore për liri dhe vetëvendosje. Ky përvjetor është një rast për të reflektuar mbi rrugëtimin e shtetit të Kosovës, për të analizuar sfidat aktuale dhe për të projektuar të ardhmen e saj në kontekstin e zhvillimeve rajonale dhe globale.

1. Deklarata e Pavarësisë – Një Akt Juridik dhe Politik i Pashmangshëm

Shpallja e Pavarësisë më 17 shkurt 2008 ishte rezultat i një procesi të gjatë politik e diplomatik, që pasoi një dekadë administrimi ndërkombëtar nga Kombet e Bashkuara (UNMIK) dhe një luftë çlirimtare kundër regjimit serb. Ky akt historik u mbështet nga shumica dërrmuese e popullit të Kosovës dhe u përkrah nga aleatët kryesorë perëndimorë, përfshirë SHBA-në, Mbretërinë e Bashkuar, Gjermaninë dhe Francën.

Në aspektin ndërkombëtar, Kosova është krahasuar shpesh me raste të tjera të pavarësisë:

Kosova dhe Timori Lindor – Të dyja dolën nga konflikte të dhunshme dhe u administruan nga OKB-ja (UNMIK në Kosovë, UNTAET në Timorin Lindor). Megjithatë, Timori Lindor u njoh më shpejt në arenën ndërkombëtare, pasi nuk u përball me një kundërshtim aktiv nga një fuqi e madhe si Rusia.

Kosova dhe Sudani Jugor – Edhe pse Sudani Jugor u njoh menjëherë nga OKB-ja pas shpalljes së pavarësisë në 2011, ai ka pasur probleme serioze të stabilitetit të brendshëm. Kosova, ndonëse me sfida të mëdha, ka pasur një proces më të rregullt të shtetndërtimit.

2. Arritjet Kryesore të Shtetit të Kosovës në 17 Vjet Pavarësi

a) Konsolidimi i Shtetësisë dhe Njohjet Ndërkombëtare

Kosova ka siguruar njohjen nga mbi 100 shtete, përfshirë shumicën e vendeve të BE-së dhe NATO-s. Megjithatë, fushatat agresive të Serbisë, të mbështetura nga Rusia dhe Kina, kanë penguar njohjet e reja dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, si Kombet e Bashkuara.

Opinioni këshillues i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) (2010) – Ky opinion këshillues konfirmoi se shpallja e Pavarësisë nuk kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare, duke qenë një fitore e madhe për legjitimitetin juridik të shtetit të Kosovës.

Aplikimi në Këshillin e Evropës dhe BE – Kosova ka bërë hapa drejt anëtarësimit në organizata evropiane, por mungesa e një marrëveshjeje përfundimtare me Serbinë mbetet një pengesë e madhe.

b) Anëtarësimi në Organizata Ndërkombëtare dhe Rajonale

Kosova është bërë pjesë e disa organizatave kyçe, si:

FIFA dhe UEFA (2016) – Futbolli ka qenë një ambasador i fuqishëm i Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Banka Botërore dhe FMN – Anëtarësimi ka siguruar mbështetje për zhvillimin ekonomik.

Partneriteti për Paqe me NATO-n – Edhe pse Kosova nuk është ende anëtare e NATO-s, bashkëpunimi me Aleancën është intensifikuar.

c) Transformimi i Forcës së Sigurisë në Ushtri

Në vitin 2018, Kosova nisi transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në një ushtri të rregullt, një hap i rëndësishëm për sovranitetin dhe mbrojtjen e vendit. Ky zhvillim u përkrah nga SHBA dhe vendet kryesore të NATO-s, por u kundërshtua ashpër nga Serbia dhe Rusia.

3. Sfida të Vazhdueshme dhe Pengesa Ndërkombëtare

a) Dialogu me Serbinë dhe Njohja Përfundimtare

Dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja ka qenë një proces i vështirë, me shumë marrëveshje të paplotësuara. Serbia vijon ta kundërshtojë pavarësinë e Kosovës, duke përdorur ndikimin e saj diplomatik për të bllokuar anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.

b) Ndikimi i Rusisë dhe Kinës

Rusia përdor veton në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për të bllokuar njohjen e Kosovës, ndërsa Kina mbështet Serbinë për arsye strategjike dhe ekonomike.

c) Zhvillimi Ekonomik dhe Integrimi Evropian

Liberalizimi i vizave (2024) ishte një hap i rëndësishëm për qytetarët e Kosovës.

Anëtarësimi në BE mbetet një sfidë për shkak të skepticizmit të disa vendeve anëtare dhe mungesës së reformave të brendshme.

4. Perspektiva e Kosovës në Kontekstin e Ri Ndërkombëtar

a) Rikthimi i Donald Trump dhe Politika Amerikane ndaj Kosovës

Administrata e re e Trump mund të sjellë ndryshime në politikën amerikane ndaj Kosovës, duke favorizuar një qasje më pragmatike dhe ndoshta më të balancuar mes Kosovës dhe Serbisë.

b) Roli i BE-së dhe Diplomacia Aktive

Kosova duhet të forcojë marrëdhëniet me shtetet e BE-së që ende nuk e kanë njohur pavarësinë (Spanja, Greqia, Rumania, Sllovakia, Qiproja) dhe të shfrytëzojë mbështetjen e fuqive kryesore evropiane.

c) NATO dhe Siguria Rajonale

Në një rajon me tensione të rritura, Kosova duhet të thellojë bashkëpunimin me NATO-n dhe SHBA-në për të garantuar mbrojtjen e sovranitetit të saj.

Përfundim: 17-Vjetori i Pavarësisë – Një Festë Kombëtare dhe Ndërkombëtare

Pavarësia e Kosovës nuk është thjesht një ngjarje e rëndësishme për qytetarët e saj, por një moment me ndikim në të gjithë botën shqiptare. Ky përvjetor duhet të festohet në:

Kosovë – Me ceremoni shtetërore, aktivitete artistike dhe përkujtimore.

Shqipëri – Me aktivitete institucionale dhe mesazhe solidariteti.

Diasporë – Në SHBA, Evropë dhe gjetkë, me manifestime dhe lobim për njohje të mëtejshme.

Hapësirat shqiptare në rajon – Në Maqedoninë e Veriut, Preshevë, Mal të Zi dhe Çamëri.

Institucionet evropiane dhe ndërkombëtare – Me aktivitete diplomatike që promovojnë njohjen dhe integrimin e Kosovës.

Rruga drejt konsolidimit të plotë të shtetit të Kosovës mbetet e vështirë, por e realizueshme përmes diplomacisë së zgjuar, unitetit të brendshëm dhe mbështetjes së aleatëve strategjikë.

Filed Under: Emigracion

Kosova feston: Shtet 17 vjet, nga 17 Shkurti historik 2008

February 17, 2025 by s p

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, Shkurt 2025/ Kosova shtet 17 vjet me Axhendë Shtetërore feston në këtë 17 Shkurt 2025 Ditën e Pavarësisë së shpallur në 17 Shkurtin historik 2008, pas Ditës së Lirisë – 12 Qershorit 1999, kur nisën të hyjnë forcat paqeruajtëse shpëtimtare të NATO-s, prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasuar me vendosjen e Misionit të Administratës së Përkohshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

“Ne, udhëheqësit e popullit tonë, të zgjedhur në mënyrë demokratike, nëpërmjet kësaj Deklarate shpallim Kosovën shtet të Pavarur dhe Sovran”, theksonte Deklarata e Pavarësisë, e cila hartës së botës ia shtoi një shtet, e lexuar nga atëherë Kryeministri Hashim Thaçi, të dielën e 17 Shkurtit 2008 – të para 17 viteve, në Kuvendin e Kosovës në mbledhjen e jashtëzakonshme solemne, të nisur në orën 15:00.

Pak para kësaj ore, parase 109 deputetë të pranishëm në Kuvend të votonin në unanimitet shpalljen e Pavarësisë së Kosovës, Presidenti i atëhershëm i Kosovës Fatmir Sejdiu në zyrën e tij, ku na priti në atmosferë feste e përzemërsie drejtorin e përgjithshëm të Agjencisë Telegrafike Shqiptare Artur Kopani dhe mua korrespondentin në Kosovë të kësaj Agjencie Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë, në intervistën ekskluzive deklaronte se “ne nuk kemi frikë nga e ardhmja” dhe se “nga kjo ditë do të jetë një Kosovë e bekuar”…

17 Shkurti 2008 i Pavarësisë së Kosovës, dita më e madhe shqiptare pas 28 Nëntorit 1912 të Pavarësisë së Shqipërisë, e vlerësuar kështu në faqen e parë të botimit të jashtëzakonshëm festiv të gazetës historike Rilindja, në festën e madhe të gjithë shqiptarëve u përmbyll me fishekzjarret më të shumta e më të shkëlqyera që janë parë ndonjëherë mbi Prishtinë, kryeqytetin e shtetit të ri evropian, të saposhpallur.

Kosova deri tani është njohur nga 117 shtete, ndërsa njohjet e para iu bënë në orët e para – ditën e parë pas shpalljes së Pavarësisë, nga Mbretëria e Bashkuar, Franca, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Turqia, Shqipëria, Afganistani dhe Kostarika.

Dy ditë para se të mbusheshin katër muaj pas 17 Shkurtit të shpalljes së Pavarësisë, në 15 Qershor 2008 hyri në fuqi Kushtetuta e Republikës së Kosovës, e cila ishte miratuar në Kuvend në 9 Prill, dhe që në nenin 1 përcaktonte se,“Republika e Kosovës është shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik, dhe i pandashëm”.

Flamuri shtetëror i Kosovës ishte shpalosur që në ditën e shpalljes së Pavarësisë në seancën solemne të Kuvendit, i cili në një seancë të veçantë në 11 Qershor 2008 miratoi edhe Himnin Shtetëror të Kosovës.

Gjatë 17 viteve, Republika e Kosovës ka vendosur marrëdhënie diplomatike me mëse 90 shtete, është anëtarësuar në më shumë se 60 organizata rajonale, evropiane dhe ndërkombëtare, ka hapur mëse 40 misione diplomatike dhe poste konsullore dhe ka të akredituar ambasadorë jo-rezidentë në rreth 60 shtete.

Vitet më të rëndësishme e më të suksesshme të Kosovës pas shpalljes së Pavarësisë ishin 2010-ta, 2012-ta, së bashku 2015-ta e 2016-ta dhe 2018-ta.

Në vitin 2010 ishin dy ngjarje shumë të rëndësishme drejt njohjes së plotë ndërkombëtare të shtetit më të ri evropian: Legjitimimi i Pavarësisë së Kosovës nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në 22 Korrik dhe Rezoluta e 9 Shtatorit e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, e cila me respekt e merr në konsideratë opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Kuvendi i Republikës së Kosovës në seancën e veçantë të datës 23 Korrik 2010 ka miratuar solemnisht një deklaratë ku shprehte kënaqësinë dhe aprovimin për opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për legalitetin ndërkombëtar të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës dhe zotohej për respektimin e tij.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë kishte filluar të shqyrtojë legalitetin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës pasi Asambleja e Përgjithshme e OKB-së kishte miratuar një kërkesë të Serbisë në Tetor të vitit 2008.

Menjëherë pas këtij zhvillimi me rëndësi historike, në një deklaratë të anëtarëve të Grupit Drejtues Ndërkombëtar për mendimin këshillues të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë rikonfirmohej mbështetjetja e palëkundur për pavarësinë e pakthyeshme të Kosovës dhe bëhej thirrje për njohje.

“Grupi Drejtues Ndërkombëtar rikonfirmon mbështetjen e palëkundur të tij për Pavarësinë e pakthyeshme të Kosovës demokratike dhe shumetnike në kufijtë e saj të tanishëm dhe i bën thirrje shteteve tjera që të njohin Kosovën. Ai po ashtu përshëndet përkushtimin e vazhdueshëm të Kosovës dhe progresin e konsiderueshëm në zbatimin e Propozimit Gjithëpërfshirës për Statusin dhe do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në punën për realizimin e perspektivës së saj evropiane”, theksohej në deklaratë.

Grupi Drejtues Ndërkombëtar (ISG) për Kosovën, i cili përbëhej nga vendet që e kanë njohur Pavarësinë, ishte formuar më 28 Shkurt të vitit 2008 dhe synonte të orientojë dhe mbikëqyrë zhvillimin demokratik të Kosovës, të nxisë qeverisjen e mirë dhe shumetnicitetin, bazuar në Propozimin Gjithëpërfshirës të emisarit të posaçëm të OKB-së – kryenegociatorit për statusin, Martti Ahtisaari.

Në vitin 2012 Kosova përmbylli fazën e Pavarësisë me Mbikëqyrje Ndërkombëtare dhe hyri në një fazë te re të perspektivës euroatlantike. Në 7 Shtator Kuvendi kosovar miratoi amendamentet në Kushtetutë, të propozuara nga qeveria, që kishin të bëjnë me përfundimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare të Pavarësisë së Kosovës.

Në 10 Shtator Grupi Drejtues Ndërkombëtar deklaroi përfundimin e mbikëqyrjes së Kosovës. “Përmbyllja e mbikëqyrjes është vlerësimi më i lartë ndërkombëtar, që i është bërë shtetit të Kosovës pas shpalljes së Pavarësisë”, u vlerësua atëherë.

Më herët, në 2 Korrik 2012 është mbajtur në Vjenë takimi i pesëmbëdhjetë i Grupit Drejtues Ndërkombëtar për Kosovën, i cili “ka konstatuar se Propozimi Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit është zbatuar në mënyrë substanciale dhe me këtë autorizohen hapat përfundimtarë për përmbyllje të Pavarësisë së mbikëqyrur dhe mbyllje të Zyrës Civile Ndërkombëtare (ICO)”.

Në vitin 2016, në 1 Prill, nisi zbatimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit në mes të Kosovës dhe Bashkimit Europian, e nënshkruar në 27 Tetor 2015 në Strasburg dhe e ratifikuar në Parlamentin kosovar pas pak ditësh, në 2 Nëntor. Marrëveshja për Stabilizim Asociim, e cila krijon për herë të parë marrëdhënie kontraktuale me BE-në, është vlerësuar ngjarja më e rëndësishme e Kosovës që nga shpallja e Pavarësisë.

Programi Kombëtar për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me Bashkimin Europian është miratuar në 10 Mars 2016 nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.

Komisioni Parlamentar për Stabilizim Asociim BE-Kosovë për herë të parë është mbledhur në Prishtinë në 16-17 Maj 2016…

Në 2018-tën Kosova u bë me ushtri dhe kjo ishte edhe ngjarje viti dhe shumë e rëndëishme e shtetit të pavarur gjatë 17 viteve. Pakoja e tre projektligjeve për Forcën e Sigurisë së Kosovës Ushtri është miratuar me unanimitet në shqyrtim të dytë nga Kuvendi i Republikës së Kosovës 120 anëtarsh me 107 deputetë në sallë në seancën e 14 Dhjetorit 2018.

Kosova në vitin 2023 me Buxhetin për Mbrojtje – Ushtrinë e vet arriti nivelin e kritereve për shtetet anëtare të NATO-s dhe kjo ishte ngjarje e vitit.

“Arritja e këtij niveli, për herë të parë në historinë e re të Ushtrisë sonë, tregon se si Qeveri jemi të përkushtuar drejt arritjes së synimit tonë të përbashkët për t’u bërë shtet anëtar në Partneritetin për Paqe, drejt anëtarësimit në NATO”, tha në 13 Dhjetor 2023 Kryeministri Albin Kurti në mbledhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës në 17 Shkurt 2008, Forca e Sigurisë së Kosovës është aktivizuar nga Janari 2009, kur u deaktivizuan Trupat Mbrojtëse të Kosovës, të cilat lindën nga transformimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe lujtën rolin e tyre shumë të rëndësishëm në nëntë vitet e pas luftës së përfunduar në Qershorin 1999.

E ngjarja e vitit 2022 e Kosovës ishte kjo: Në 15 Dhjetor, Kryeministri Albin Kurti, në emër të Republikës së Kosovës, i dorëzoi Presidencës Çeke të Këshillit të Bashkimit Evropian, në Pragë, aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Në 2025-tën festohet edhe 26 vjetori i Ditës së Lirisë – 12 Qershorit 1999 kur nisi të hyjnë në Kosovë NATO – forca ushtarake më e madhe planetare, prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në Kosovë liria po vinte më pak se tre muaj pas 24 Marsit 1999 të fillimit të ndërhyrjes së aviacionit të NATO-s me bombardimin e pozicioneve të forcave kriminale serbe të kasapit të Ballkanit, Milosheviç, i cili përfundoi në Gjykatën Ndërkombëtare për Krime Lufte në Hagë. Lufta e përfunduar kishte bilanc tragjik të masakrave, spastrimit etnik e gjenocidit kundër shqiptarëve: Mëse 12 mijë të vrarë, rreth 6 mijë të zhdukur, shumë prej tyre të groposur në varreza masive, edhe të fshehura në Serbi, e afër 1 milion të dëbuar – shumica drejt Shqipërisë…

Kosovës i vinte era tokë e djegur, forcat serbe ua kishin vënë flakën mëse 400 fshatrave e qyteteve, 120 mijë shtëpive të shqiptarëve…

Lufta përfundoi me Marrëveshjen e Kumanovës (qytet në Maqedoni i banuar edhe me shqiptarë), ndërmjet NATO-s dhe RFJ-së, që u nënshkrua në 9 Qershor e hyri në fuqi në 11 Qershor 1999.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s në atë kohë, Havijer Solana, në 10 Qershor 1999 kishte lëshuar urdhërin për ndalimin e bombardimit dhe Këshilli i Sigurisë së OKB-së miratoi Rezolutën 1244, sipas të cilës në Kosovë u dërguan 37.200 ushtarë të forcës paqeruajtëse e shpëtimtare të NATO-s – KFOR-it nga 36 shtete.

Misioni ishte i ndarë në pesë zona të përgjegjësisë, që i përkisnin KFOR-it Amerikan, Anglez, Francez, Gjerman dhe Italian. Gjenerali britanik Michael Jackson ishte komandanti i parë i forcës paqëruajtëse të NATO-s në Kosovë – KFOR.

GAZETA RILINDJA PËR 17 SHKURTIN HISTORIK 2008: KOSOVA SHPALLI PAVARËSINË BOTA E NJEH SHTETIN MË TË RI

Gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja, Kryeredaktor i së cilës isha, për 17 Shkurtin historik 2008 doli numër i jashtëzakonshëm festiv me kryetitullin me shkonja ngjyrë ari: KOSOVA SHPALLI PAVARËSINË BOTA E NJEH SHTETIN MË TË RI.

Po në ballinë, nën imazhet e nënshkrimit të Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, të Flamurit e Stemës së shtetit të ri evropian dhe fishekzjarreve të festimeve në Prishtinë, Rilindja shkruante poashtu me shkronja ngjyrë ari: 17 SHKURTI 2008 DITA MË E MADHE SHQIPTARE PAS 28 NËNTORIT 1912 TË PAVARËSISË SË SHQIPËRISË.

Lart te logoja po në faqen e parë shkruante: RILINDJA JU URON SHPALLJEN DHE NJOHJEN E KOSOVËS SHTET I PAVARUR.

Fotoja e ballinës së gazetës Rilindja e fishekzjarreve mbi Prishtinë në mbrëmjen e 17 Shurtit historik 2008 të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës u bë nga shtëpia e vëllait tim Demë Jashari në Laxhen Taslixhe 4 – Rruga Fatmir Gjata Nr. 9, ku po festonim bashkë me ekipin e Agjencisë Shtetërore – Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë, fotoreporteri i saj Florian Abazaj është autori i fotografisë…

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 486
  • 487
  • 488
  • 489
  • 490
  • …
  • 2781
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • QERIM VRIONI DHE FOTOGRAFËT QË SHKRUAN HISTORINË
  • Çamëria, kur e vërteta kërkon shkrim, përgjegjës dhe afat!
  • Dhurata, buzëqeshje dhe urime në shkollën shqipe “Skenderbej”
  • ROLI I PRESIDENTES OSMANI NË RIKTHIMIN E BESIMIT DHE BASHKËPUNIMIT TË KOSOVËS ME SHBA-NË DHE BE-NË
  • WHEN KOSOVA WORKS, AMERICA SPEAKS
  • Shkolla shqipe “Gjergj Fishta” – Long Island, New York festoi festat e fundvitit
  • Fotografia e Gjon Milit dhe CHARTRES CATHEDRAL -Një monument i entuziazmit Kristian
  • Lamtumirë legjenda jonë e mikrofonit në gazetarinë sportive Ismet Bellova!
  • Politika e mençur…
  • VEPËR NGA MË TË PASURAT E MË NJERËZORET NË MENDIMIN KRITIK
  • KOZMOPOLITIZËM
  • “Kur shpirti kthehet në gërmadhë lufte”
  • VATRA TELEGRAM URIMI AKADEMIKES JUSTINA SHIROKA PULA ME RASTIN E ZGJEDHJES KRYETARE E AKADEMISË SË SHKENCAVE DHE ARTEVE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS
  • Suzana Shkreli: “We can make history by electing Michigan’s first Albanian Secretary of State”
  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT