• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Spaçi, mishërimi i dhimbjes…

June 3, 2025 by s p

Dr. Gelanda Shkurtaj/

Ndër shumë probleme e ndër më të vëshirët për tu përballur me të shkuarën, Shqipëria ka pasur dhe vijon të ketë historinë: ajo shkruhet e përdoret sipas ideologjisë (në të keqen më të vogël…), edhe kur të vërtetat janë aty dhe ulërijnë hakmarrje. Muzeumet janë magjikë, sepse mbledhin brenda vetes, dekada historie në pak minuta dhe vetëm në një dhomë. Tek një mur i krisur janë kanalet e duarve që bien pashpresë nga trupat tërhequr zvarrë. Tek një kthinë ruhen heshtur oshëtimat e britmave nga torturat e diku në një sarkofag bosh hiri i shpresave të djegura pa lindur ende’. Jashtë kampeve me gjemba eshtrat e pavarrosura nuk gjenden më. Asnjë varr nuk merituan.

Spaçi, mishërimi i dhimbjes dhe muzeu i paturpësisë shqiptare, duhet të ngelet në memorien tonë për të na kujtuar se ndërgjegja njerëzore mund të prek edhe fundin tek quan elitën tradhëtare dhe vrasësit baballarë, kur lopët mileshin nga shtetarët e shteti drejtohej nga mjelëset. Kur mëkatet, fjalë dhe dije, mjaftuan për të zhdukur në një çast tri breza. Tragji-komedia shqiptare, ende’ e pathënë nga historia, duket se po mbyllet, me fitimitarë moral dhunuesit dhe jo viktimat. Por, historia jallane siç është, përsëritet me cikle, ndaj “Odisea” duket se ndodhi dje dhe Demokleu shpatën e ka mu aty mbi kokë. Hitleri i urryer për holokaustin hebre’ është kthyer në hero për holokastin palestinez.

Njëherë në Amerikë, një militant Hoxhist, që gëzonte pensionin e “imperialistëve Amerikanë” pa e ngrënë turpin me bukë, tha se vrasjet në komunizëm bëheshin se i kërkonte Kushtetuta (hahahah). Sigurisht pyetjen se kush e bëri Kushtetutën nuk e përtypi dot, ndaj dhe nuk u përgjigj. Historia e vrasjeve në komunizëm dhe dënimi i së shkuarës, përtej një falje të merituar për të persekutarit, të ishte së paku një ndarje me historinë që mund të kthehet. Nëse historinë nuk duan ta respektojnë si muze’ të së vërtetës, të paktën ta skalitin si kujtesë ndaj frikës, të mos ri-përsëritet. E deri atëherë ndofta shumë gjëra mund të kenë rrjedhur, përveç karmës që pret me shumë durim.

Filed Under: Histori

Franc Kafka, ky asket i letërsisë, shkrimtari që himnizoi njeriun e dobët dhe shenjtëroi shpirtin e tij

June 3, 2025 by s p

Albert Vataj/

Fali gjithçka prej vetes, si njeri dhe si penë. Jetoi i përkorë dhe u sakrifikua si një i hyjlindur. Kthjelltësia si loti, i gjykimit të tij e transformojnë në një akuzator, por gishtin nuk e drejtoi askurrë ndaj askujt. Ishte ajo që jetoi, ajo që mëtoi, gjithçfarë mund të përbënte lëndën e pamjaftueshmërisë dhe papajtueshmërisë .

Nëse nuk do ta kishim njohur si shkrimtar, pa asnjë mëdyshje do ta pranonim si shenjt. I tillë ishte ai, i devotshëm dhe shëlbues.

Më 3 korrik 1883, do të vinte në jetë nga një çift hebreo-gjerman, Franz Kafka. Ishte Praga qyteti pritës, Praga e asokohjes si kryeqyteti i Bohemisë në mbretërinë, Austro-Hungarze. U nda nga jeta më 3 qershor, 1924 në Vjenë, ende pa i mbushur 41 vjeç, prej një tuberkulozit, i cili e përndoqi për 7 vite radhazi, deri sa e shuajt përgjithmonë.

Franc Kafka erdhi në letërsi si një nevojë e brendshme e një individi gjithnjë i papajtueshëm me realitetin. Ndoshta jo vetëm sëmundja, prej së cilës ai ishte i dënuar me vdekje, por edhe njeriu delikat e shpirtmirë, cilësi këto të përftuara nga e ëma një grua hebre, bënë që kjo penë ta ngjyente majën në zjarrin e vetëtimave. I ndryshtë, shumëçka tjetërqysh nga të tjerët, ishte kumti që mëtoi në një vepër, e cila për pak do të shuhej bashkë me të, nëse miku i tij do të ishte aq shpirtkazëm sa të çonte në vend amanetin e tij, asgjësimin e dorëshkrimeve.

Historia e letrave do ta njihte këtë shkelje amaneti si një shërbim i paçmuar që Maks Brodi, miku më i ngushtë i Kafkës, i bëri letërsisë, po aq sa dhe besimit që Kafka mëkoi te vlerat e së njerëzishmes, të cilat në një kacafytje me përditshmërinë arrijnë të fitojnë betejat dhe veten.

Krijuesi nuk mund të fitojë vlera universale, në qoftë se vendos me ndërgjegje të tejkalojë dhe mohojë një pjesë të mirë të vetvetes. Kështu ka ndodhur me gjithë artistët e krijuesit e mëdhenj, veprat e të cilëve kanë fituar statusin e të qenit pasuri universale. Një format i tillë krijuesi është padyshim dhe Franc Kafka. Vepra e Franc Kafkës është një ndër piramidat e letërsisë së përbotshme, megjithëse sa qe gjallë nuk e kuptoi dhe se përfilli njeri, përjashtuar shokët e tij të ngushtë, pa të cilët ndoshta vepra e tij do të kishte humbur.

Vepra e Franc Kafkës ishte aq origjinale, aq e freskët dhe e aq patakuar më parë, sa kritika e kohës nuk ditën çfarë të bënin me të dhe e patën më të lehtë ta linin pas dore, d.m.th. ta injoronin. Nuk është për tu çuditur, pothuajse gjithmonë kështu ka ndodhur me krijuesit e jashtëzakonshëm: vepra e tyre me vlerë ka qenë telash i madh për kritikën. Gjithmonë përballë gjeniut, mediokrit, për ta kaluar lehtë e pa probleme, bëjnë kompromis mes tyre, dhe kompromisi më i suksesshëm është heshtja rreth tij.

Ndërsa Franc Kafka nuk ka ndërmend të presë kritikën. Ai ndjen e kupton se nuk ka kohë për të humbur dhe shkruan e shkruan: kur nuk ka inspirim për letërsi artistike, shkruan ditarët e tij dhe atje pa mëshirë e kompromis, bën pacientin e kirurgun me vehten. Një kritik i ashpër e i pakompromis, sa nuk mund ti gjendet shoku në historinë e letërsisë. Ai merret me veten, përqendrohet intensivisht aty dhe zbulon se dobësia e dhimbja e tij njerëzore, është shkaku madhor që e detyron të shkruajë.

Me gjithë organizmin i tij shumë delikat, Franc Kafka shfaq një forcë të jashtëzakonshme kur vjen puna të merrte penën për të shkruar. Franc Kafka njeri e krijues, është shembull i gjallë i madhështisë e heroizmit njerëzor, i cili e bën veten copë për të nxjerrë në dritë atë çfarë fsheh brenda saj. Kafka është një shembull i rrallë i vetëshkatërrimit me ndërgjegje të plotë, shkuarjes kundër jetës thjesht biologjike, i refuzimit të një jete të qetë e kënaqësive personale njerëzore, me një qëllim të vetëm: në shërbim të artit dhe përmes tij njeriut.

Perëndia e vetme e Kafkës ishte arti i tij. E konsideronte veten me fat që kishte mundësi të shprehej sa e si duhej, vetëm në formë e mënyrë artistike dhe kur flet diku në ditarët e tij se “beson në diçka të qëndrueshme e të pashkatërrueshme brenda tij”, patjetër e ka fjalën për artin e tij, perëndinë e vetme. Kafka është i qartë dhe i bindur se ajo gjë nuk ishte dogmë, por i vetmi mjet, e vetmja nevojë për të tejkaluar, jetën e zakonshme, mungesën e familjes, kohën e madje dhe veten. Dhe vërtetë ndodhi kështu, vetëm me artin e tij ai mundi të tejkalonte veten, mundi të transformonte përditshmërinë banale në një plan fantastik, të vizatonte të pazakonshmen, të jashtëzakonshmen në një plan krejt të zakonshëm e normal. Vetëm kështu ai mund të s’postonte të tashmen e ngrirë në një të ardhme artistike joshëse, vetëm kështu mundi që jetën ta shndërronte në një vepër artistike të mrekullueshme, ajo që ne njohim sot.

Diku në ditarët e tij, Kafka shkruan për veten:

“Nuk jam i pajisur me asgjë, nuk përmbledh në vetvete, për aq sa di unë, asgjë tjetër fituar nga jeta, absolutisht asgjë, duke përjashtuar dobësinë universale njerëzore. Por me këtë gjë, e në këtë kuptim, duhet të them se ajo është për mua një forcë kolosale. Unë kam thithur me forcë negativitetin e kohës që po jetoj dhe ai, më rri aq afër, ngjitur fare, sa që unë nuk kam të drejtë ta luftoj, bile jo vetëm kaq, në një farë kuptimi e ndjej për detyrë ta përfaqësoj”.

Franc Kafka inteligjent si rrallë kush, kupton shpejt se ku qëndron forca e tij e vërtetë, dhe me ndërgjegje e vë organizmin e vet në shërbim të krijimit të botës së tij, botës kafkiane. I përqendron gjithë energjitë e tij drejt artit që kërkonte me forcë të shpërthente te ai dhe jeton aq intensivisht në shërbim të këtij misioni sa nuk e lë veten me ndërgjegje të shpërqendrohet në gëzimet që jeta i ofron një njeriu normal. Refuzon me vendosmëri, pa hezituar asnjë herë një jetë të qetë që i siguronte bashkëpunimi me të atin, tregtar i pasur, i cili nga ana e tij kishte varur te i biri i vetëm gjithë shpresat që një prind e fabrikuar krejt ëndrrat që një njeri me shpirt tregtari mund të bëjë për të birin.

Franc Kafka ishte njeri super i ndjeshëm jo vetëm për gjendjen e tij personale humane por dhe më gjerë. Si mund të themi ishte megjithmend një i huaj i pashoq, në tërë kuptimin e kësaj fjale, për krejt pjesën tjetër të qenies së tij, që nuk kishte të bënte me njeriun, artin e krijimtarinë artistike.

Alkimia kafkiane e dobësisë dhe dhimbjes njerëzore, distilimi tyre gjatë një jetë të tërë, dhe pse ajo qe një jetë e shkurtër, bënë që vepra e Kafkës të fitojë përjetësinë.

Kafka njeri e kishte shumë më të lehtë ta administronte fatin e tij, duke pranuar apo dhe thjesht duke e ndihmuar projektin që kishin menduar prindërit e tij për të, sidomos i ati. Por jo, nuk ishte thënë të ndodhte kështu.

Në “Letër babait” ai sqaron gjithçka lidhur me këtë temë. Edhe se një gjë tepër e vështirë e komplekse kur vjen puna për të sqaruar marrëdhëniet në familje. Mund të jetë ndryshe e vërteta, sigurisht pa dyshim, por Kafka gjithë përgjegjësinë për këtë gjë e merr për vete. Gjendjen në opozitë, gjendjen mbi gjemba në familje, ai e përjeton dhe e tregon si fajin i tij ekskluziv, si pamundësi për tu sistemuar aty, si një i përzënë, sepse nuk kishte forcën dhe aftësitë e duhura për tu sistemuar si donte babai i tij.

Ndërkohë që nga njëra anë Kafka refuzonte, apo nuk guxonte të hynte në botën familjare, në botën e tregtisë, interesit, ai gati në mënyrë instinktive përqafonte vetminë e tij, mangësinë e tij dhe dalëngadalë filloi të përgatisë projektin përkatës.

Projekti i tij ishte i pakonceptueshëm për kohën. Projekti i tij ishte mitizimi i njeriut të dobët, e sidomos i dhimbjes së tij. Deri në kohën kur kafka mori formë të plotë si krijues, jo vetëm në jetë por dhe në letërsi respektohej pa hezitim, pa mësyshje, vetëm miti i heroit, miti i fitimtarit, miti i njeriut që kërkon me këmbëngulje e me çdo çmim fitoren, arritjen e qëllimeve të jashtme, mundjen e armikut dhe gjithë kush tjetër i del para.

Bashkëkohësi i tij i famshëm, novelisti, Herman Hese, kur ka thëne një herë se “Nuk besoja se shpesh herë duhet më shumë kurajë për të mos bërë heroin se sa e kundërta”, pa dyshim ka patur parasyshë dhe jetën e sidomos veprën e Franc Kafkës.

Kafka e njohu thelbin e njeriut, sepse njohu veten e tij shumë shpejt. Ai kuptoi se në themel të qenies së tij nuk qëndron gjë tjetër, përveçse një tension i përjetshëm kundërshtish e përplasjesh forcash. Kafka njeri e artist vazhdonte të transformonte veten dhe gjatë këtij transformimi vizitonte gjithmonë e më shumë shpirtin e tij. Atij i ndodhte përditë ajo që i ndodh një njeriu të zakonshëm kur fillon e i dhemb një organ i trupit, por me përmasa të tjera, me përmasa madhështore. Njeriut atëherë kur i dhemb një organ fizik i trupit të tij dhe vetëm atëherë kujtohet e bëhet i ndërgjegjshëm se filan organ ekziston dhe duhet dëgjuar, se çfarë po kërkon të thotë me ato sinjale të çuditshme. Dhembja fizike njeriun e zakonshëm jo vetëm e bën të vuaj, por njëkohësisht e detyron dhe të rritet psikologjikisht pak nga pak.

Kafka kupton përditë e më shumë se njeriu i dobët, njeriu që dhemb është një mëkatar pa faj. Ai nuk mund të guxojë, ose guxon. por ndryshe nga kuptimi klasik i kësaj fjale. Njeriu që dhemb e ka më të lehtë të sillet me veten si burracak, sepse e din se sa herë i duhet të luajë, do të humbë.

Në veprën e Kafkës vërtetë dominon ankthi, por ankthi këtu nuk është aspak ndjenjë meskine. Ankthi kafkian është ankth ndryshe. Njerëzit e botës kafkiane nuk kanë nevojë të presin që të hedhin vështrimin drejt të ardhmes, për tu ndjerë në ankth. Jo, ata lindin të plazmuar me ankth. Heroin kafkian e torturon natë e ditë mendimi se mos bëhet barrë për të tjerët, për jetën, dhe lufton me mish e me shpirt që kjo gjë të mos ndodhë. Ankthi i njeriut kafkian është i thjeshtë, por dhe i tmerrshëm: ai mund të shprehet krejt natyrshëm me pyetjen e pafajshme: “Mos nuk jam i nevojshëm?” Dhe ky ankth zgjidhet në dy mënyra ose shkrihet si qiri në mundësinë për të mos vendosur, ose vetëvritet në pasivitet të plotë.

Kafka është i ndërgjegjshëm e i përgjegjshëm, jo vetëm për atë çfarë bën kur shkruan e mendon, por sidomos për atë që është, atë që ndjen se është. Nuk shqetësohet t’u japë domethënie veprimeve të veçanta, por mënyrës të jetuarit.

Franc Kafka vetëm pasi arriti të njohë veten e tij, vetëm pastaj ishte i sigurt që të krijojë artistikisht njeriun si qenie e papërkryer, që nuk mund të përsoset kurrë, e si e tillë i mbetet vetëm një detyrë: të përpiqet e të luftojë për ta tejkaluar veten. Njeriu në fakt është shumë larg asaj që kujton se është. Vepra e Kafkës përpiqet dhe arrin të zbërthejë këtë gjendje paradoksale të njeriut. Për fat të keq njeriu nuk është i bërë, njeriu është i mangët. Njeriu gjatë jetës së vet mund të bëjë vetëm një gjë: të përpiqet ti japë domethënie sa më shumë të jetë e mundur asaj.

Gjendja personale e Kafkës kishte ngjashmëri të madhe me gjendjen shoqërore të kohës kur jetoj ai. Negativin e kohës së tij ai e shihte në detaje, më mirë se sa shohin njerëzit e zakonshëm një fotografi me ngjyra. Kafka është ndoshta krijuesi i parë që kapi, perceptoi ngrirjen e jetës së përditshme dhe çveshjen e njeriut e reduktimin e tij në një gjë pa vlerë. Njeriu në veprën e Kafkës nuk shkon aspak drejt përsosjes por drejt gjymtimit si një mundësi përtëritje dhe guximi për t’u ndeshur me sfidat e jetës dhe për të fituar.

Filed Under: ESSE

NJË SY I MPREHTË MBI UNIVERS…

June 2, 2025 by s p

Kosta Nake/

Universi Kadarejan nuk mund të kishte përmasat ekzistuese pa dimensionin e studiuesit, një marrëdhënie e ndërsjelltë që ka rezultuar e suksesshme pasi studimet e thella kanë shërbyer si gjenerues veprash artistike dhe veprat artistike patën kërkuar diçka më specifike përtej imagjinatës.

U desh një pyetje drejtuar Kadaresë nga nobelisti guatemalas Miguel Angel Asturias, ambasador në Francë në fillim të viteve ’70: “A ka mjegull Shqipëria? ” dhe përgjigjja: “Po ka mjegull, ka dhe legjenda” që të çelej një portë në laboratorin krijues, u desh edhe një peng i autorit për një takim të dakortësuar, por të parealizuar me nobelistin e “Zotit President” që Kadare të ndalej gjatë te legjendat duke rrokur në kohë e hapësirë një temë të madhe.

A ka vërtet ndonjë lidhje mes mjegullës dhe legjendave? Natyrshëm vjen pyetja: Homeri ka qenë vërtet i verbër, apo kemi një kinse verbëri, një filtër mjegullues, një pëlhurë ndarëse për të mos parë këtë botë dhe për të zhbiruar një pjesë të parrokshme të saj? Autori mendonte se zanafilla e këtij universi me mite për perënditë dhe legjenda për njerëzit qëndron te përralla. Raportin e letërsisë së shkruar me legjendat autori e shikonte si rivalitet mes syrit dhe veshit duke i bërë një prerje vertikale në kohë. Interesante është rruga e mundimshme e shkruesve përballë rapsodëve dhe pastaj për tkurrjen e përrallës. Duke folur për Balzakun autori nënvizonte një risi – mbartjen e personazheve nga vepër te tjetra – gjë që i pati pëlqyer dhe e aplikoi edhe në korpusin e veprave të veta.

Diktaturat e reja ruajtën nga e kaluara elementë mitologjikë, varri si shtatore e parë e thjeshtësuar, Muri i Madh kinez, piramidat e Egjiptit, piramida e Timur Lengut u rishfaqën në trajtën e Murit të Berlinit.

Një kapitull mjaft interesant është ai që rimerr këngën e Gjergj Elez Alisë me zbërthim të ri për figurën e bajlozit, pas të cilit Kadare shikonte një ambasador që vinte kushte të papranueshme në trojet ilire, kurse fjalën “xheza” e çmontoi si dramë fiskaliteti.

Nuk di pse kuçedrën që pushtonte burimet autori e ndryshoi fonetikisht në “kulshedër”, por në përmbajtje edhe këtu deshifrimi është i njëjtë: kërkesa prej dymbëdhjetë djemsh apo vajzash përkon me numrin e muajve gjë që e kthen në një taksë mujore. Që këtu zgjatet një trajektore që kap mbretin Arthur dhe tryezën e rrumbullakët me dymbëdhjetë kalorës, po aq sa Krishti me apostujt e tij.

Në pjesën e dytë të esesë analitike, gjuha shkoi ku dhembte dhëmbi. Ajo rrokje pas legjendave kishte brenda saj demaskimin më therrës të sistemeve diktatoriale, posaçërisht të diktaturës komuniste në Shqipëri, ishte një lloj zbrazje e vrerit të mbledhur me vite. Filloi me eposin e kreshnikëve, monumentin artistik me kostum botëror të krijuar në shqip dhe serbisht, një luftim artistik i përbashkët që e gjejmë edhe te vepra “Tri këngë zie për Kosovën.” Jutbina shikohej si qytet, si kamp ushtarak dhe si kështjellë dhe është rasti i vetëm ku bota ushtarake merr pjesë drejtpërdrejt në përpunimin e ciklit të epeve.

Legjenda e murimit është një krijesë që del edhe përtej kufijve të Ballkanit, por autori u ndal te kalaja e Shkodrës, pasi atje legjenda serbe shfrytëzohet për qëllime politike.

Përpjekjet e diktaturave për krijimin e shenjtorëve, procesioneve, legjendave dhe mistikës së re, autori i gjente që nga revolucioni bolshevik rus. Disa krijues u kthyen në arkitektë duke e ngritur statujën e Leninit sipas imazhit të Krishtit, byroja politike u legjendarizua sipas Olimpit grek dhe tryezës së mbretit Arthur. Në Kinë Maoja u barazua me Zeusin dhe u krijua heroi imcak i tipit Lej Fen. Në Shqipëri letrat anonime u kthyen në mekanizëm foklorik. Më se një herë Kadare rimori vrasjen e ish-kryeministrit shqiptar dhe, fakti që kishte shoqëri me njërin prej djemve të tij, bënte që të regëtinin xixa ndjesish vetjake. Përveç atyre që janë shkruar e thënë, Kadare shtoi edhe një detaj që mund të merret në konsideratë: atë vjeshtë të vitit 1981 ish-kryeministri pati dy gëzime në një ditë: hyrja në shtëpinë e re dhe fejesa e djalit. Mirëpo vila e tij ishte bërë më e mirë se e Njëshit, dhe këtu filloi legjenda: “Kryeministri hyri në shtëpinë e re,/ Por shtëpia ishte ters.” (f.131) Le të pranëvemë këtu fillimin e eposit të kreshnikëve. “Shumë po ndrit nj’ai diell e pas po nxeh.”

Mekanizmi tjetër i diktaturave është futja e frikës së ferrit duke mitologjizuar dhe legjendarizuar burgjet. Burgu ishte ferri për të burgosurit që edhe pas dënimit survejoheshin dhe të gjallët që ishin jashtë tij, jetonin me frikën e ftesës për bashkëpunim, madje me një detajim të formave të kërcënimit.

Kapitulli IX merret me legjendën e flijimit. Fillon nga antikiteti grek me flijimin e së bijës nga Agamemnoni, kalohet te Bibla me gatishmërinë e Abrahamit për të flijuar birin e vet, pastaj vijmë në ditët tona me sistemet diktatoriale: Stalini dërgon të birin në frontin më të egër të luftës dhe e sakrifikon atë edhe kur i ofrohet mundësia e shkëmbimit me robër gjermanë; të njëjtën gjë bëri Mao ce Duni duke e dërguar të birin në luftën e Koresë ku humbi jetën; kurse Enver Hoxha zgjodhi burrin e motrës. Të tre bënë një epokë me mesazhin e njëjtë: Mëshirë nuk do të kishte për askënd! Në mbyllje Kadare iu rikthye ngacmimit fillestar të Asturias duke konkluduar: “Legjendat janë mjegulla jonë,” një vello që e vërteta jonë të mbërrijë tek ne e thyer si nëpër një prizëm.

(Libri “Legjenda e legjendave” i Ismail Kadaresë, Pejë 1996)

Filed Under: ESSE

Dhjetë vjet Lidhje…

June 2, 2025 by s p

Ndue Shabaku/

Me delikatesën sikur po përkujdesej për një të porsalindur, instrumentisti sistemoi në mjetin e rrugëtimit violinën. Mënyra si e shikonte dhe si e vendoste instrumentin në postin që i jepte sigurinë, tregon me çfarë ndjesie artisti ka ardhur nga zemra e Shqipërisë Elbasan në qytetin Brescia të veriut të Italisë. Në Nocciano të rajonit Abruzo u hodh baza e urës së bashkëpunimit të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë në Itali me entet artistike të Elbasanit. Rasti e solli që ata të bashkëpunojnë me ne me rastin e festimit të dhjetëvjetorit të krijimit të Lidhjes. Enkas erdhi një skuadër në dukje e qetë, por me zjarrin shpërthyes brenda. Udhëhiqnin skuadrën Drejtori i Zhvillimit të Kulturës dhe Çështjeve Sociale të Qarkut Elbasan Bledi Gremi, Drejtori i Artit dhe Kulturës së Bashkisë Elbasan, Kliton Kapaj, përfaqësuesit e shoqatës “Kujtesë për vazhdimësi”, Petrit Hodo dhe Xhimi Vila, Drejtori i Turizmit dhe Trashëgimisë, Artur Guni.

U shfaqën të rreshtuar në skenë orkestra e përbërë nga Enriketa Peni, violonë, Adem Balliçi, violinë, Desart Shmili, violinçel, Mirjan Sulovari, fizarmonikë e perkusion, Arbër Çerri, kitarë, Ilirian Zdrava, kitarë, dhe Tzeni Soulkovski. Kapiteni “arrogant” i orkestrës, violinisti virtuoz Zeqir Sulkuqi dirgjoi dhe prezantoi ato që kishin përgatitur për të zbukuruar ditëfestën e 10-vjetorit të krijimit të Lidhjes sonë. Ritmi i gjallë e intensiv i pjesëve orkestrale, me tone sa gazmore, aq shpërthyese rrëmbyen të pranishmit. Vivaldina, Çardash, Zingarela, por edhe të gjitha vallet e pjesët e interpretuara të autorëve të huaj edhe tanët patën impakt të fortë tek spektatori.

Shpesh herë fati të shpërblen aq shumë, sa vihesh në dyshim a e meriton vërtetë mrekullinë. Mrekullinë që të kesh në skenë para syve e në linjë me dëshirat e papërmbajtura këngëtarë të kalibrit si Kastriot Tusha dhe Ulpjana Aliaj. Tenori me bukuri zëri të rrallë, me përgatitje profesionale tepër të kualifikuar, me autoritetin e përmasat e artistit me popullaritet të pallogaritshëm, Kastriot Tusha, solli për ne këngë në italisht dhe në shqip. I dinim të gjithë gati përmendësh këngët dhe u munduam të bashkojmë zërat me të tijin.

Gjithnjë nën shoqërimin e orkestrës tepër simpatike, solemnitetin dhe bukurinë me shije të rrallë artistike solli prania në skenën tonë e sopranos Ulpjana Aliaj. Në momente të alternuara interpretoi me zërin e bukur e talentin kristalin dy fragmente të Baccio dhe Romeo e Xhuljeta. Aq të bukura ishin edhe këngët në duet nga dyshja e ëndrrave tenori Kastriot Tusha dhe sopranoja Ulpjana Aliaj. “Si dukat i vogël je” dhe “Lule Borë”, që janë këngë antologjike në fondin e artë të këngës shqiptare, të interpretuara nga kjo dyshe me vlera të cilësuara, provokojnë përjetime e ndjesi të veçanta tek adhuruesit e këngës. Bukuri e shije u dhanë interpretimeve të tyre vallet e fluturave të shkollës shqipe “Mësonjëtorja” në Brescia.

Një vlerësim të veçantë si Lidhje i atribuojmë kompozitorit të palodhur Aleksandër Kolshi, i cili me profesionalizmin e dinamizmin e tij mundësoi realizimin e koncertit dhe gjithë aktivitetit.

E fillova nga fundi, pasi institucioni i mikut për shqiptarin është shenjtë. Në rastin tonë, nderimet për ta janë gjithmonë pak, sepse dhjetëvjetorin e festuam me një dhjetë me shumë yje.

Para koncertit festiv, u zhvillua një ceremoni tepër e bukur me paradë artistësh, me oratori, me përshëndetje, me fjalime me prezantime e nderime. Ndezi situatën festive këngëtari i famshëm Kastriot Tusha me himnet kombëtare të vendit ku jetojmë dhe kombit tonë. Prezantuesit Mimoza Leskaj, Lori Duka, Andrea Znachetta ftuan të përshëndesin zonjën Anila Pojani, Konsulle e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë në Milano. Nga Bashkia e qytetit Elbasan solli përshëndetjet Drejtori i Artit dhe Kulturës, Kliton Kapaj, i cili vlerësoi shumë arritjet artistëve në Itali dhe rëndësia që ka bashkëpunimi për zhvillimin dhe promovimin e artit e kulturës. Me shumë emocion solli kujtimet e tij Presidenti themelues i lidhjes Tonin Nikolli. Fillimet e lëvizjes kulturore, themelimi i Lidhjes dhe ecuria në vite kanë lenë shenja të pashlyera.

– Unë jam një gjethe. Ndërsa zemra e vërtetë e Lidhjes sonë ka qenë dhe është sekretarja historike Lori Duka, – tha poeti i kuotuar, ndoshta, edhe si kalim i stafetës në dorën e rinisë.

Përshëndeti me respekt për lidhjen Ambasadori i Kombit dhe mbartësi i titujve më të lartë që atribuohen nga shteti italian dhe Vatikani, Komendatori Petrit Kozeli. Pati dhe përshëndetje të tjera direkt nga salla dhe me videomesazh. Një sintezë të ngjarjeve kryesore që karakterizuan jetën e Lidhjes, të aktiviteteve të përkohshme e të përhershme, të angazhimeve të anëtarëve, aktivistëve, këshilltarëve, drejtuesve e gjithë artistëve që bashkëpunuan gjatë kësaj dekade, referoi Presidenti i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë në Itali, Skender Lazaj.

E kush tjetër më shumë se kënga, zbukuron një festë. E kush e nderon festën sa anëtarja e nderit e Lidhjes, sopranoja Anila Gjermeni! Është realiteti më cilësor i Lidhjes sonë. Ajo di të zotërojë plotësisht skenën me zërin e ëmbël, me bukurinë dhe finesën e interpretimit. Ajo di ta përcjellë këngën me mjeshtri dhe të depërtojë tek dëgjuesit. Në gjuhën italiane interpretoi artisti elegant Neptun Gjati. Me zërin tepër të bukur, përcjell tonalitetin e gjallë të këngës italiane. Veçse ka ruajtur prej 600 vjetësh rrënjët e gjuhës arbreshi Mimmo Imbrogno. Me kitarën e tij mitike doli në skenë dhe këndoi dy këngë që publiku i di përmendësh.

Kësaj feste i dhanë dinamizëm, freski e bukuri skuadra e prezantimit. Piktori tiranas Andrea Zanchetta Tufina veç punës së madhe si organizator, angazhimeve për përgatitjen e targetave, me simpatinë e tij i dha ngjyrë e freski prezantimit, duke rreshtuar me mjeshtret e prezantimit, Mimoza e Lori. Fjalë përgëzuese meritojnë edhe Arjeta Previzi e prof.. Rajmonda Mara, që punuan për organizimin dhe mbarëvajtjen e aktivitetit. Falënderojmë vajzat shqiptare Romina Shoraj e Samira Tafa që fiksuan në foto gjithë aktivitetin.

U ndiem mirë nga prezenca e disa të ftuarve që erdhën për herë të parë. Kemi ndier ngrohtësinë e pjesëmarrjes së shLuljeta CerekupuAssociazione Comunità Albanese in Italiao me Presidenten e re Luljeta Cereku, Associazione Comunità Albanese in Italia, përfaqësuar nga presidenti Ahmet BHaki Mazeqata “Shqiponja”, Reggio Emilia me një skuadër të bukur me president Hasan Bulçarindra Kulturore “Margarita Xhepa”, përfaqësuar nga Drejtori i saj Hasan Bulçari, shoqata “Alba” e përfaqësuar nga sekretari Dedin Paci, Shoqata “Rinia” e përfaqMimoza Selmaniidenti ErioEgla Tejaani, Shoqata “Ura” Centro Culturale ODAkrimtarja Mimoza Selmani dhe prof.Gezim Guga DEdmir Cekrezientro CultAdmir Plakaërfaqësuar nga drejtuesit Gëzim Gezim Guga, Edmir Cekrezi e prof.. Admir Plaka, Shoqata “ArbJasin Dautino, shoqata “ShqiponjaE Valle Camonica, përfaqësuaSilvi Silvanaresidenti Jasin Dauti, shkolla “Mësonjëtorja” përfaqësuar nga mësuesit Silvanaana Tika, Santiliano Aliaj, Amantia Qeveri.

Gjithashtu përshëndesim me adhurim të gjithë pjesëmarrësit në këtë festë të artistëve tanë që investojnë gjithçka për publikun.

Filed Under: Emigracion

Një festë e kulturës dhe bashkimit…

June 2, 2025 by s p

Pjesëmarrja e Shoqatës Bashkësia Shqiptaro-Kanadeze në WTTT (World of Travel, Trade & Taste).

Shoqata Bashkësia Shqiptaro-Kanadeze mori pjesë me krenari në edicionin e sivjetshëm të panairit WTTT (World of Travel, Trade & Taste), i cili u mbajt më 30 dhe 31 Maj në Metro Toronto Convention Centre. Ky ishte një rast i shkëlqyer për të përfaqësuar me dinjitet kulturën, traditat dhe shijet shqiptare përmes një stende të pasur dhe një programi plot ngjyra.

Gjatë dy ditëve të aktivitetit, vizitorët patën mundësinë të shijonin produkte tradicionale shqiptare, të njiheshin me zakonet tona kulturore dhe të shikonin një performancë të mrekullueshme të grupit të valleve Fluturimi i Shqipes. Performanca kulmoi me një moment të veçantë kur të pranishmit u ftuan të bashkoheshin në një valle popullore, duke krijuar një atmosferë të ngrohtë dhe përplot energji pozitive. Ky moment bashkimi tregoi fuqinë e kulturës për të afruar njerëz nga vënde te ndryshme.

Në këtë ngjarje ishin të pranishëm edhe Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Kanada dhe Ambasada e Kosovës në Kanada, të cilat u prezantuan me stendat e tyre dhe u fokusuan në promovimin e bizneseve nga Shqipëria dhe Kosova, si dhe në zhvillimin e turizmit dhe tregtisë me Kanadanë.

Organizimi i prezantimit të Shoqatës u drejtua dhe koordinua nga bordi i saj aktiv, i cili ishte i përfshirë në çdo aspekt të përgatitjes dhe zbatimit të programit për këto dy ditë. Që nga planifikimi logjistik, kontaktet me bizneset, përgatitja e materialeve promocionale, koordinimi me institucionet, e deri tek mbikëqyrja e aktivitetit në vendngjarje, puna e bordit siguroi që çdo detaj të realizohej me profesionalizëm dhe përkushtim të plotë. Angazhimi i tyre reflektoi një bashkëpunim të mirëorganizuar në shërbim të komunitetit.

Përmes përfshirjes së vullnetarëve, performuesve, partnerëve dhe mbështetësve, Shoqata Bashkësia Shqiptaro-Kanadeze arriti të krijojë një përvojë autentike dhe të paharrueshme për vizitorët. Kjo pjesëmarrje nuk ishte thjesht një prezantim, por një ftesë për të njohur më thellë shpirtin shqiptar.

Filed Under: Reportazh

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 486
  • 487
  • 488
  • 489
  • 490
  • …
  • 2950
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VATRA PËRKUJTON PATRIOTIN ZEF BALAJ NË 4 VJETORIN E KALIMIT NË PËRJETËSI
  • ATË QË KA MONOPOL GJENIU NUK MUND T’IA MARRË DOT NJERIU!
  • Idriz Balani, një nga mjeshtrat e skulpturës monumentale
  • HUNGARIA DHE ZËRA TË SHKRIMTARËVE TË SAJ NOBELISTË. FAJIN E KA…DHE LETËRSIA?!
  • Vatra Chicago ofron një mundësi të shkëlqyer për talentet shqiptare në futboll
  • President Franklin D. Roosevelt 1882-1945, Presidenti që e ktheu filatelinë në instrument solidariteti gjatë Luftës së Dytë Botërore
  • Diaspora midis unitetit dhe instrumentalizimit politik
  • KANUNORE E FEDERATËS VATRA 1926
  • Posta nga Haga – Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung, 12.04.2026
  • Bedri Dedja (20 nëntor 1930 – 13 prill 2004)
  • Aty ku historia nuk lexohet, por përjetohet…
  • Pafajësia kolektive…
  • Diaspora shqiptare në botë: Nga “Të ndërtojmë Amerikën” tek “Të ndërtojmë Shqipërinë”
  • Noli dhe Konica në dritën e “Diellit”
  • Personalitete kombëtare në New York nderuan jetën dhe veprën e Eliot Engel

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT