• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Shahin Kolonja një nga protagonistët e shquar të Lëvizjen sonë Kombëtare

February 3, 2025 by s p

Dr. Nikollë Loka/

Shahin Kolonja, i njohur edhe si Shahin Teki Ypi lindi në vitin 1865 në Starje të Kolonjës, nga një familje e njohur; i biri i Karahman beut dhe nipi i Sulejman Pashës, guvernatorit të Plevljes. Pas mbaroi ruzhdien në Korçë, vazhdoi studimet e larta në Shkollën e Administratës Civile Mbretërore “Mülkiye-iSehahane” për ekonomi dhe administratë civile dhe u diplomua me rezultatin “shkëlqyeshëm” në vitin 1892. Përveç gjuhës amtare shqipe, ai njihte greqishten, të cilën shumë njerëz të lindur dhe të rritur në Rumeli e mësuan në rrugë, si dhe turqishten, arabishten, persishten dhe frëngjishten, të cilat i mësoi gjatë shkollimit. Gjatë studimeve në kryeqytet u njoh me Ibrahim Temon dhe vëllezërit Frashëri, Samiun dhe Naimin dhe u martua me Nevreze Frashërin, vajzën e Naimit.

Takimi i Shahin Kolonjës me xhonturqit dhe pjesëmarrja në aktivitetet e organizatës u zhvillua gjatë viteve të tij studentore në Mülkiye. Sipas asaj që shkruan Ibrahim Temo, një nga themeluesit e Bashkimit Osman, në kujtimet e tij, “Shahin Kolonja mundi të bëhej anëtar i shoqërisë në ato ditë. Ai siguroi që studentët e tjerë shqiptarë në Mekteb-i Mülkiye t’i bashkoheshin shoqërisë “Bashkim e Përparim”.

Pas diplomimit, Shahini emërohet zëvendësdrejtor i Shkollës Bujqësore në Selanik, ku dha edhe mësim. Pastaj kishte shërbyer si drejtor në disa shkollave idadije, fillimisht në Edrene, duke qenë njëri nga shqiptarët e punësuar në administratën publike osmane. Në vitin 1898 u emërua kajmekam i Kozhanit në vilajetin e Manastirit dhe për një kohë ishte guvernator i sanxhakut të Malit Athos (Aynaroz).

Shahin Kolonja e braktisi shërbimin civil për të ndjekur veprimtaritë në shërbim të çështjes kombëtare. Arrestohet në Manastir dhe dënohet me tre vjet burg për shpërndarje librash në gjuhën shqipe. Në vitin 1897 ai u shkroi një memorandum autoriteteve osmane për lejimin e botimit të një gazete në gjuhën shqipe. Kërkesa e tij u hodh poshtë. Dy vjet më vonë, kërkoi ndihmë nga Konsulli austro-hungarez në Manastir për botimin e një gazette në gjuhën shqipe. Për shkak të vështirësive dhe mbikëqyrjes së vazhdueshme nga autoritetet, ai u largua nga vendi. Shahin Kolonja shkoi në vende të ndryshme të Evropës dhe më në fund u vendos në Sofje.

Nga viti 1901 deri në vitin 1908 ai botoi në Sofje revistën “Drita”, me ndihmën e Kristo Luarasit dhe mbështetjen financiare të Austro-Hungarisë, me qëllim përhapjen e dijes dhe mësimin e gjuhës shqipe te shqiptarët dhe për t’i shërbyer çështjes kombëtare. Përmes gazetës, Shahini do të punonte për arritjen e bashkimit kombëtar të shqiptarëve dhe sigurimin e librave shqip. Shahin Kolonja mbrojti zgjimin kombëtar shqiptar dhe sigurinë e ekzistencës kombëtare brenda Perandorisë Osmane, megjithatë ai mbështeti edhe aktivitetet e çetave të armatosura guerile që luftonin kundër Perandorisë.

Shahin Kolonja nuk kishte besim te arbëreshët (italo-shqiptarët), të cilët i shihte si pengje të qeverisë italiane që mbrojnë qëndrimet italiane ndaj çështjes shqiptare dhe refuzoi të bashkëpunonte me ta. Gjatë periudhës së vonë osmane, ai mbështeti ndihmën austro-hungareze për interesat gjeopolitike shqiptare në Ballkan.

Më 1904, Shahini përktheu dhe botoi në Drita manifestin e zgjimit kombëtar shqiptar, “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e çdo të bëhet” të Sami Frashërit. Personalisht Shahin Kolonja mori pjesë në veprimtarinë e patriotëve shqiptarë në Shqipëri dhe në vendet fqinje. Ai luajti një rol udhëheqës në klubin “Bashkimi” në Manastir, krahas Gjergj Qiriazit. Bashkë me vëllezërit Topulli dhe patriotë të tjerë shkoi në Shkup “për ta propaganduar idenë kombëtare”. Në vitin 1906, Shahin Kolonja u përfshi në aktivitete që synonin përfshirjen e veprimtarëve shqiptarë në Komitetin revolucionar shqiptar të Manastirit, në mesin e diasporës shqiptare në Bukuresht, Konstancë, Sofje dhe Egjipt. Në vitet 1907-1908,në bashkëpunim me Bajo Topullin, Çerçiz Topullin,Luigj Gurakuqin,Mihal Gramenon dhe të tjerë atdhetarë shqiptarë, Shahin Kolonja,bëri përpjekje të organizonte Komitetin “ Për Liri a për vdekje të shqiptarëve e Shqipërisë “, i cili do të përgjigjej për fatet e popullit në të katër vilajetet shqiptare.Jo vetëm nëpërmjet faqeve të “Dritës” por edhe në biseda e takime në Sofje, Bukuresht apo Vjenë, Shahin Kolonja pat çuar tej idenë e këtij Komiteti, i cili parashihte në thelb bashkimin e krejt çetave shqiptare nën një komandë unike, duke i dhënë kështu një lloj sigurie Lëvizjes Kombëtare që po rritej përmes rreziqeve të mëdha.

Në ditët pas shpalljes së Monarkisë Kushtetuese, Komiteti “Bashkim dhe Përparim nuk i pengoi aktivitetet e klubeve shqiptare dhe mbështeti ngritjen e tyre, duke menduar se mund ta vinte nën kontroll lëvizjen shqiptare. Deri në fund të vitit 1908 ishin formuar afërsisht tridhjetë klube e shoqëri atdhetare kombëtare, ndërkohë që numri i tyre gjatë viteve 1908-1912 arriti në 80, pa përfshirë këtu shoqëritë atdhetare që ishin krijuar në diasporë.

Në veri themelimi i klubeve shqiptare ishte i vështirë. Njerëzit ishin të prapambetur dhe fanatikë. Në Kosovë ka pasur persona të cilët ende besonin se kushtetuta ishte bid’at (risi kundër ligjit fetar). Vetëm në Shkup u bë e mundur të krijohej një klub. Nga Selaniku për krijimin e Klubit u dërguan dy patriotë të zotë, Shahin Kolonja dhe Bajo Topulli.

Në vitin 1908, Shahin Kolonja u zgjodh deputet i Korçës në Parlamentin Osman me mbështetjen financiare të veprimtarëve shqiptarë. Ai ishte njëri nga 26 deputetët që përfaqësonin katër vilajetet shqiptare. Në të njëjtin vit, ai u zgjodh një nga delegatët e Kongresit të Manastirit, si përfaqësues i Kolonjës, në të cilin u vendos alfabeti i përbashkët i gjuhës shqipe. Një numër udhëheqësish shqiptarë e kuptuan se krijimi i një alfabeti të vetëm do ta forconte unitetin dhe arsimin kombëtar, prandaj u shtrua nevoja e njësimit të alfabetit për gjuhën shqipe. Në fakt, vetë kontrasti midis alfabetit latin dhe atij turk do ta bënte vetëdijen shqiptare të ishte ndryshe nga ajo e turqve. Me përcaktimin e alfabetit, shqiptarët dëshmuan se ishin të bashkuar; të përgatitur si një trup i vetëm, një faktor i gatshëm për të fituar sovranitetin, një komunitet që duhet ta ketë vendin e tij në arenën ndërkombëtare.

Atdhetarët, që morën pjesë në Kongres, e ndjenin si detyrim ta trajtonin çështjen e alfabetit në një kuadër më të gjerë kombëtar me hartimin e një platforme politike dhe të një projekti të përbashkët kombëtar.268 Hartimi i një programi kombëtar kishte si çështje themelore të drejtat kombëtare të popullit shqiptar për zhvillimin arsimor dhe kulturor të tij. Programi politik, ndonëse nuk përmbante kërkesa të qarta politike rreth organizimit autonom, si bashkimi i territoreve shqiptare në një vilajet të vetëm a forma e qeverisjes së territoreve shqiptare, pati rëndësi të veçantë, se e trajtoi çështjen shqiptare në tërësinë e saj. Miratimi i dokumenteve të karakterit politik tregonte se Lëvizja Kombëtare Shqiptare, pas Revolucionit Xhonturk, kishte ruajtur pavarësinë e saj nga xhonturqit dhe kishte zhvilluar karakterin e saj të pavarur, me objektiv sigurimin e të drejtave politike të shqiptarëve si komb i veçantë brenda Perandorisë Osmane. Një aktivitet tjetër i rëndësishëm i Shahin Kolonjës në Kongres ishte se ai përgatiti dhe paraqiti një program që, kur vlerësohej për nga përmbajtja, përfshinte kërkesën për një administratë të plotë autonome. Teksti përfshin shumë kërkesa në fushën e arsimit, administratës, civile, ushtarake dhe ekonomike:

Gjuha e mësimit, në të gjitha shkollat ​​fillore dhe të mesme, do të jetë shqip; shpenzimet e këtyre shkollave do të mbulohen nga shteti, kurse turqishtja do të mësohet për herë të parë pas vitit të katërt.

Ndihma financiare që administrata greke u ka dërguar shkollave të vëllezërve tanë të krishterë shqiptarë duhet të ndalohet në çdo mënyrë. Si kompensim për këtë, pronat e kishave të menaxhohen rregullisht dhe gjithashtu shteti të plotësojë nevojat e shkollave ortodokse shqipe, që këto shkolla të shqiptarëve të krishterë të bëhen shkolla kombëtare shqiptare.

Menaxhimi i rregullt i fondacioneve shqiptaro-myslimane në Shqipëri dhe ndarja e një pjese të të ardhurave të tyre për qëllime kombëtare.

Të gjitha objektet historike të gjetura në krahinat e Manastirit, Janinës, Kosovës dhe Shkodrës duhet të mblidhen në një muze të një qyteti shqiptar, siç është Elbasani dhe ky muze të konsiderohet si degë e Muzeut Kombëtar Osman në Stamboll.

Ulja e shërbimit ushtarak në dy ose dy vjet e gjysmë dhe ushtarët shqiptarë të shërbejnë vetëm në krahinat e tyre ose të paktën në Shqipëri, përveç rasteve të mobilizimit për luftë.

Oficerët e nivelit më të ulët të jenë shqiptarë që të stërvisin më mire trupat shqiptare.

Oficerët e xhandarmërisë të punësuar në Shqipëri duhet të jenë shqiptarë, të diplomuar në shkolla ushtarake ose shkolla speciale të xhandarmërisë.

Zgjedhjet për kryetar bashkie duhet të ndjekin një sistem të hapur zgjedhor, kompetencat e Kryetarit duhet të zgjerohen dhe mbleldhja e taksave duhet t’u lihet zyrtarëve komunalë.

Sipërmarrje të tilla si shfrytëzimi i minierave në Shqipëri, ndërtimi dhe funksionimi i hekurudhave, duhet të kryhen në një mënyrë që të merren parasysh interesat e shqiptarëve. Për këtë çështje të miratohet një ligj, për të pakësuar ndërhyrjet dhe ndikimin e huaj.

T’u jepet prioritet shqiptarëve ndaj elementeve të tjerë gjatë emërimit të nëpunësve civilë në krahinat shqiptare dhe, kurdoherë që është e mundur, të merret parasysh popullsia vendase.

Të gjitha të ardhurat për punët publike, si ndërtimi i rrugëve, të gjitha mjetet e transportit, duhet t’i lihen pushtetit vendor. Po kështu, një pjesë e konsiderueshme e të ardhurave të përdoren për punë publike.

Hapja e dy fermave të mëdha dhe një shkolle të madhe fillore bujqësore në pjesën jugore të Shqipërisë dhe në tokën e punueshme të Myzeqesë.

Dhënia e të drejtës këshillave administrative të sanxhaqeve dhe krahinave për mbledhjen e taksave të veçanta për të shtuar numrin e shkollave dhe për të përhapur arsimin në Shqipëri.

Për të krijuar një universitet shqiptar, në buxhetin e arsimit të parashikohen çdo vit pesë bursa për pesë shqiptarë, të cilët do të dërgohen në qendrat e qytetërimit në Evropë dhe Amerikë, për t’u specializuar si profesorë.

Njohja zyrtare e gjuhës dhe e kombësisë shqipe nga administrata dhe regjistrimi i togfjalëshit “shqiptar i krishterë” ose “shqiptar mysliman” në regjistrat e popullsisë.

Pagat e klerit katolik dhe ortodoks shqiptar të paguhen nga shteti, për të parandaluar ndërhyrjet dhe ndikimet e huaja, si ato të Austrisë, Italisë dhe Greqisë.

Shahin Kolonja e vazhdoi veprimtarinë e tij politike si kundërshtar i Komitetit “Bashkim dhe Përparim” në Sofje dhe Bukuresht midis viteve 1910 dhe 1912. Pas pavarësisë së Shqipërisë, ai shkoi në Vlorë në vitin 1913. Por atmosfera politike këtu dhe veçanërisht konkurenca e ashpër në mes të politikanëve e lanë të zhgënjyer, ndërkohë që Kryeministri ismail Qemali ishte në krye të delegacionit shqiptar në Londër. Në pamundësi për të qëndruar më në një ambient të tillë, ai u kthye në Sofje. Për shkak të përkeqësimit të shëndetit të tij nga dita në ditë, u detyrua të tërhiqet nga politika. Kthehet në Stamboll në vitin 1915, në një gjendje të rëndë shëndetësore, së bashku me bashkëshorten e tij Nevrezen dhe tre fëmijët e tyre, ku dhe vdiq në tetor të vitit 1919.

Shahin Kolonja ia kushtoi të gjithë jetën zhvillimit arsimor dhe kulturor të shqiptarëve dhe lirisë e pavarësisë së Shqipërisë, duek qenë një nga protagonistët e shquar të Lëvizjen sonë Kombëtare.

Filed Under: Mergata

Vatra Chicago festoi 2 vjetorin e themelimit

February 3, 2025 by s p

Vatra Chicago/

Vatra Chicago festoi 2 vjetorin e themelimit të degës së saj në atmosferën entuziaste të pjesmarrësve .Të ftuarit e nderit ishin nënkryetari i Federatës Pan Shqiptare Zoti Alfons Grishaj dhe Drejtori i përgjithshëm i të gjitha degëve të Vatrës për USA dhe Canada, Zoti Rajmond Rakaj. Fjalën e hapjes e mori kryetarja e Vatrës Zonja Mirela Kanini e cila së pari i uroi mireseardhjen gjithë të ftuarve. Pas një bilanci të shkurtër të aktiviteve të kryera gjatë këtyre dy vjetëve ajo falenderoi personalisht secilin nga anëtarët e kryesisë për përkushtimin e tyre si vijon:

Ernest Nasto ( nënkryetar) për mbështjetjen e plotë në vendimarrjet, Emanuela Cako ( shefe e kabinetit), për punën e palodhur dhe përpikmërinë që e karakterizon. Ardian Ruci ( sekretar i degës) për kordinimin e eventeve të shumllojshme dhe lidhjet e forta me komunitetin. Shkëlzen Cakeri për gatishmërinë e përhershme dhe devotshmërinë që tregon i cili është gjithashtu( krijues dhe mirëmbajtës i Vatra Chicago website). Aurora Ajdini që është gjallëria e Vatrës dhe e cila dallon nga të gjithë për kontributin e saj në anëtarësimet më të larta në Vatër. Dhimo Jano i cili përveç punës së tij si anëtar kryesie ka qënë dhe është mbështetësi më i mirë financiar i Vatra Chicago dhe sponsorizues i disa eventeve. Artan Nati ( treasurer), për punën e tij në drejtimin e financave së bashku me Anjeza Mucën që është gjithashtu dhe e ngarkuara për design/ marketing të degës Vatra Chicago, Blerta Hasimi e cila i është bashkuar kryesisë kohët e fundit por jep kontribut të çmuar në arritjen e objektivave. Të gjithë së bashku ne jemi si ingranazhet e një makine që plotësojnë njëra tjetrën dhe Vatra është si një fëmijë i yni që i dhamë jetë dhe duam që të rritet shëndetshëm. Kemi hasur dhe vështirësi por i kemi kapërcyer. Kemi dhe diferencat tona por ruajmë respektin dhe mirëkuptimin gjatë debateve konstruktive- theksoi Zj. Mirela Kanini. Pastaj Z. Alfons Grishaj ishte ai që mori fjalën duke përgëzuar kryesinë dhe vatranët në Chicago për punën e mirë dhe rezultatet. Ai gjithashtu theksoi rëndësinë e kësaj organizate ndër vite dhe bëri të ditur disa nga planet për të ardhmen gjë që shkaktoi entuziazëm në sallë. Më pas përshëndeti dhe Drejtori i Përgjithshëm Zoti Rajmond Rakaj i cili në fund i dhuroi Vatrës Chicago një pllakatë mirënjohje për punën e dalluar dy vjeçare. Gjatë kësaj mbrëmje të ngrohtë dhe shumë të këndshme që zgjati mbi 3 orë u shkëmbyen biseda, idera dhe të gjithë u larguan me dëshirën e mirë për të bashkëpunuar më shumë në të ardhmen dhe për ta ngritur Vatrën e Nolit dhe Konicës në nivele akoma më të larta. 🇦🇱🇦🇱🇦🇱

Filed Under: Politike

POEZIA VIZUALE NË “DORËSHKRIMET E FSHEHTA TË BURGUT”

February 3, 2025 by s p

Nga Avan Garde e Apollinaire te burgu i Visar Zhitit.

Nga Qemal Agaj

Ky shkrim botohet me rastin e shpalljes së 28 Janarit, ‘’DITA E LIRISË’’ nga qyteti i Çikagos, në përkujtim të ditës së daljes  nga burgu të poetit Visar  Zhiti , 28 Janar, 1987.

Gjatë leximit të poezive të burgut të poetit, Visar Zhiti, më tërhoqën vëmendjen disa poezi, që ashtu si ishin shkruar, krijon imazh, pra, në formën e Kaligramave.  ( CALLIGRAMMES ).

Në pasthënien e librit Dr. Luan Topçiu shkruan: ‘’ E krijuar si një krijesë e ndaluar, e rrezikshme, kanosëse, e paparashikuesshme, joshëse deri në aventurë, mikluese deri në mëkat, poezia e Visar Zhitit e krijuar në burg afërmendsh që nuk ishte një produkt komod profesional, por një përpjekje, një akt guximtar, një kapërxim, një hop mbi kufijtë e dhënë dhe të njohur.’’

Që në kohën e shpellave, vizatimet prehistorike na mësojnë, se arti është perceptim i jetës që na rrethon. 

Dhe fakt është se shoqëria e Apolinerit me artistët përreth tij nxiti fantazinë e tij për të krijuar një formë të re origjinale për të shprehur poezinë. Në këto rrethana, në 1914, botoi për herë të parë një grup prej tyre me titullin, ‘’E t  m o i  a u s s i  j e  s u i s s  a  p a i n t r e.’’ (Dhe unë gjithashtu jam një piktor.) Subjektet e tij, mes të tjerave ishin, Kulla Eifel, Zonjushë me kapele të modës, Shatërvan etj.

Por ç’është Kaligrami?

Vetë termi vjen nga greqishtja: Calli – E bukur, e mirë   Gram – Diçka e shkruar.

‘’Calligrammes’’,  janë poezi, ku renditja e fjalëve krijon një imazh, që trasmeton (bart) në një formë vizuale atë për çka poezia flet. Kjo teknikë është përdorur për herë të parë nga Guliem Apoliner  (Guillaume  Apollinaire, 1880 – 1918), që konsiderohet poeti, kritiku i artit më i shquar i viteve të para të shek. 20-të.

Ngjashmëria e disa poezive të Apollinaire me ato të Visar Zhitit më habiti. Për të krijuar një lidhje me mikun tim, Visar Zhiti, përpara se t’a bëja subjekt të një bisede, i nisa librin e Apolinerit, ‘’CALLIGRAMMES’’, botuar për herë të parë në 1918. 

Instiktivisht më lindi pyetja: Si ndodh që një poet, në kohë dhe vend tjetër, në rrethana të ndryshme, (I pari në Paris dhe i dyti në një burg komunist në Shqipëri) pa asnjë njohuri apo kontakt me poezitë e të parit, të përdorë të njejtën teknikë poetike?

Guliem Apoliner u formua si artist në Paris, ku ashtu si Firence në fund të shek. 15-të dhe fillim të shek.16-të, filloi të tërheq një masë artistësh dhe intelektualësh. Parisi u bë qendra e artistëve më të shquar të shek. 20-të, duke u bërë kështu sinonim me epokën e shquar të Rilindjes Italiane. 

Në këtë kryeqytet  të Kulturës dhe Artit Modern Europian jetonte Apolineri, i rrethuar nga elita  e artistëve më të shquar të kohës, si Picasso, Raul Dufy, Vlaminck, George Braque,… koleksionistes amerikane, Gertrude Stein, poetit, Max Jakob. Mik i ngushtë me Faik Konicën, për të cilin do të shkruante: ‘’Nga njerëzit që kam takuar dhe që unë e kujtoj me admirimin më të madh, Faik Bej Konica është një nga më të pazakonshmit.’’

Ndërsa poeti Visar Zhiti u burgos në Shqipërinë e mbyllur, diktatoriale të pas Luftës së Dytë Botërore, ku në letërsi dhe arte sundonte Realizmi Socialist. E arrestuan në nëntor, 1979, me akt-akuzë poezitë e tij, të trishtuara dhe hermetike, kundër regjimit dhe diktaturës. Lexojmë që poezitë pjesërisht i memorizoi  në qelinë e hetuesisë dhe më pas i shkroi fshehurazi gjatë kohës në burgjet e Spaçit dhe Qafë barit, mes maleve, rrethuar me tela me gjemba dhe ndën mbikqyrjen  e rojeve të armatosura. Jeta ishte më e errët se vet errësira. Nga galeritë nëntokësore, në fjetoret e ftohta dhe prapë në galeri… Mall për pak diell.

Burgjet komuniste nuk ishin një ambjent i lehtë për të shkruar, për të mos thënë i pamundur, pa momente qetësie, edhe liria e imagjinatës ndalohej. Vetë të mbijetuarit ishte në rrezik, dëshira për të krijuar duhej të ishte e fundit në ato kushte violente dhe abuzive. 

Në burgjet komuniste Poeti u përball me të pasigurtën dhe rrezikun, mbikkqyerjen e rreptë, pamundësinë për të ndarë me bashkë të burgosurit opinione, kështu lexojmë. Por kjo nuk ndodhi me Visarin dhe shokët e tij. Poezia i shërbeu si forcë kundërvenëse dhe mbijetese. Dhe çudia, ai krijon dhe aty të bukurën. Dhe si Apollinaire na ka dhënë disa poezi që vizatojnë, kaligrame.

Njëra ka formën e gijotinës,’’VIZATOJ NJË GIJOTINË,’’, tjetra të litarit të një gracke a të ekzekutimit me varje “LITARI I GRACKËS’’, të një tabele, ‘’NDALIM KALIMI’’  – të germës V shkruar në tre gjuhë: Victory,  Vittoria,  Victoire – dhe më  e dhimbshme, – do të thosha profetike – poezia, ‘’HARTA E ATDHEUT TIM‘’ me konturet e Shqipërisë së sotme.

Andrea Dushi në prezantimin e librit shkruan: ‘’Dorëshkrimi që kisha para syve kalonte përtej dëshmisë, sepse veçoria e tij nuk rrinte vetëm te  autenticiteti, ishte më shumë se aq. Çka së pari më erdhi në mëndje që këto ishin martire. Duhet të rilindin, për të marrë vendin që u takon në altarin e shenjtë të  Letërsisë.’’ 

Dramaturgu i shquar Irlandes, Shan O’Keisi (Sean O’Casey), mik i ngushtë i fotografit të famshëm me origjinë shqiptare Gjon Mili, kur ishte fjala për lirinë e të shkruarit, me zë të fuqishëm ka deklaruar: ‘’Bukuria, zjarri dhe poezia e dramës po zbehen nga një stuhi realizmi të shtirur. Leri zogjtë të fluturojnë në qiell, kafshët të enden në xhungël, peshqit të notojnë në det, na lini ne të kemi Art në Teatër… Kështu në djall me të ashtuquajturin realizëm, sepse nuk të çon asgjëkundi. Artisti duhet të jetë ku është jeta, jeta aktive, që nuk gjendet në kullën e fildishtë, as në bunkerin e betonit; Ai duhet të dëgjoj çdo gjë, duhet të shoh çdo gjë, duhet të analizoj gjithëçka.’’

‘’Vazhdoi të shkruajë me një çmënduri magjepsëse,’’ kujton e shoqja e Visarit, Eda. ‘’Ato ruajnë shenja dhe pllanga si gjak i tharë. Ku i fshihte? Vetëm Ai e di, tek kashta e dyshekut, tek thesi i ushqimeve, tek këpucët? E më saktë e dinë ata të burgosur, miq të Visarit, që ashtu siç sakrifikonte dhe familja, rrezikonin për t’i ruajtur, ndokush duke i mësuar përmendësh, siç dëshmojnë. Dhe Visari vazhdonte të shkruante.’’

Por qëllimi i këtij shkrimi nuk është të prezantoj librin e Poetit, ai tashmë është në duart e lexuesit, por të evidentoj të përbashkëtën dhe të veçantën mes dy poetëve në teknikën poetike, ‘’Calligrames’’, që na rezulton se i dyti, Visari, nuk ka patur njohje të tyre, të të parit, Apollinaire, pra janë jashtë çdo influence apo imitimi, ato janë po aq autentike dhe krijime origjinale, se i ka nxjerrë një mjedis dhe fat i caktuar. 

Për të shpjeguar këtë subjekt, do të thosha intrigues, më vjen në ndihmë një botim special i  TIME, me titull,

THE SCIENCE OF CREATIVITY   

Sipas Richard  Jerome  (Editor dhe autor i TIME, Inc.) në introduksion, ‘’Termi  Creativity, mbart një lloj aurore mistike.  Forca e saj speciale është e mbushur me një nuancë hyjnore. Mbi të gjitha, krijimi është fjala e parë e Biblës.                                              ‘’ At the begining GOD Created… Dhe prap me gjithë tonet Metafizike dhe Teologjike,  Krijimtaria  është gjithashtu cilësia më themelore e njeriut.’’

Pa dyshim kjo nuk vihet në diskutim. Ishte shpirti krijues i këtyre dy Poetëve, që arritën të krijojnë një formë të re të shprehuri, bazuar në rrethanat e këtij momenti krijues, por në kushte diametralisht të kundërt.  

Ja pse në subjektet e Kaligramave të tyre nuk gjejnë ngjashmëri në përmbajtje, por ato kanë të përbashkët krijimin origjinal, anën vizuale. Nuk është e habitshme?

‘’Creativity është në fakt,’’ – shkruan fituesi i Pulitzer Price, biologjisti Edwar O Wilson në librin e tij, ‘’The Origins of Creativity‘’ – ‘’një shtytje drejt kërkimit të  origjinalitetit, që merr impulse nga pasioni i njeriut për diçka të re, në zbulimin e realiteteve dhe proceseve të reja, në zgjidhjen e sfidave të vjetra  dhe kënaqësi për pamje të reja’’

Antropologjisti i Universitetit Notre Dame, autor i, ‘’How Imagination  Made Human’s Exeptional’’, Augustin Fuentes, e shpjegon fenomenin në këtë mënyrë: ‘’Me pakë fjalë, esenca e krijimit është të shikosh botën që na rrethon si është dhe përfytyro mundësira të tjera dhe pastaj  të kthesh këto përfytyrime në realitet.’’

Dhe më kujtohet kjo thënie e Pikasos: ‘’Ka njerës që shikojnë diçka dhe pyesin; Ç’është kjo? Ka disa të tjerë, që shohin diçka dhe thonë: Çfarë mund  të  bëhet  me  këtë ?

‘’Novacionet më tërheqëse në art, shkencë dhe në të tjera fusha, – vazhdon antropologjisti, nuk lulëzojnë nga një vakum. Të gjithë krijuesit edhe ata më të shquar, tërhiqen pas punës të të tjerëve, influencohen me ndërgjegje ose jo nga ç’ka ardhur më parë,’’

‘’Two painters, two women, two portrets – one fascinating story of artistic influence,’’ titullohet analiza e portreteve ,’’ Madame Moitessier’’ nga Jean ingres (1856) dhe ‘’Woman with a Book’’, nga Pablo Picasso (1932), nga Susan Stamberg.(Gazetare, analiste arti)

Thuhet se  kur janë komentuar ngjashmëritë mes dy portretev, Pikaso ka thënë: ‘’Lesser artist borrow; great artists Steal’’. Termi ‘’Vjedhje’’ është më pranë  imitimit apo influencës, shkruan Stamberg. Por po ashtu duke i studjuar dy portretet, gjenden ngjashmëri dhe diferenca.  Diferencat më saktë qëndrojnë në teknikën e të pikturuarit.  ‘’Madame Moitessier’’, u pikturua në 1856 dhe i mori piktorit 9 vjet të mbaroi portretin, ndërsa, ‘’Woman with a Book’’ në 1932, në kulmin e artit Modern dhe u përfundua në jo më shumë se dy ditë.

Piktori ilustrues Frances, Serge  Bloch, është më i qartë në fenomenin e influencës dhe imitimit, kur shkruan: ‘’Krijimi është arti i kombinimit të një ideje të vogël me një tjetër ide të vogël. Ju mund të keni një tjetër ide të vogël e kështu me rradhë… së fundi ndoshta një ide e madhe mund të shfaqet.’’

Nëqoftëse Apolineri u influencua nga arti i piktorëve që e rrethonin dhe deklaroi, ‘’Unë jam një piktor gjithashtu’’ kjo s’kishte si të ndodhte me poetin Visar Zhiti. Gjasat ishin të pamundura. Po kaligramat e tij janë. Ç’i nxori ato? 

Patjetër që janë frut i aftësive imagjinative, i fuqisë së penës dhe penës së tij të fuqishme, ato janë prodhim i kushteve dhe rrethanave në të cilat ai i krijoi. Ato janë  krijime  origjinale. Kjo është e veçanta e tyre. Burgu i Spaçit mes maleve ka qenë si një gijotinë dhe ashtu do të duhej të shkruhej, që imazhi të jepej.  Dhe Visari duhej të vizatonte me fjalët.

Guillaume  APOLLINAIRE

          dhe  influenca  e  Tij  në  lëvizjen ‘’AVANT  GARDE‘’

                                                                                                                                                                                                                                 Guillaume Apollinaire, pseudonim i Wilhelm Apollinary Kostrowicki, lindi në Romë, në 26 Gusht 1880. Djali ilegjitim i një gruaje aristokrate me origjinë  Polake. I jati nuk dihej, por flitej se ishte një oficeri Italian. Po ashtu kishte  zhurma se i jati ishte një kardinal dhe për këtë Picasso me shaka e quante bir të Papës. Vet Apolineri kurrë nuk e njohu atin e Tij dhe asnjëherë nuk e përmendi. 

U rrit dhe u edukua në Monako. Erdhi në Paris në 1897 dhe menjëherë u bë një nga më të njohur anëtarë në komunitetin artistik në Montmartre dhe Monparnasse. Në 1904 u njoh me Pikason dhe poetin Max Jakob në kafenenë, Closerie des Lilas.  Pikaso,  Max Jacob dhe  Apoliner u lidhën në një miqësi që influencoi në artin e secilit. Takimet e tyre dhe të tjerë artistëve në studion e Picassos në Montmartre ishin aq të shpeshta, sa Pikaso shkroi në derë, ‘’Vend Takimi i Poetëve.’’

Apolineri ishte bashkëpunëtor në periodiket si, L’ Europien, Le Mercure de France, ALBANIA, La Revue Blanche dhe La Plyme. U njoh me Faik Konicën nëpërmjet një artikulli që ai shkroi dhe u botua në periodiken, ’’L’Europien’’. 

Faik Konica në moshën 22 vjeç, 1897, filloi botimin në Bruksel të gazetës, ALBANIA, që shpejt u bë organi më i rëndësishëm Shqiptar jashtë Atdheut. Në 1902 Konica vendoset në Londër dhe vazhdon publikimin nga Londra deri në 1909. Apolineri qëndroi me Konicën në Londër gjatë viteve 1903–1904. Mardhëniet e tyre u ndërprenë kur Konica emigroi në USA, në 1909.

Robert Elsie shkruan në ‘’An Introdukction to Faik Konica’’, që  Konica, jo vetëm e priti Apolinerin në Londër, por duket që ndërmjetësoi në një, ‘’Affair de Coer.’’ 

Në 1909 botoi përmbledhen e parë poetike, ‘’L’ Enchanteur Pourrissant’’                                                                                                             Në 7 Shtator, 1911 u arrestua dhe u burgos si i dyshuar në vjedhjen e Mona Lisa në Muzeun e Luvrit, por u lirua pas një jave për mungesë provash. Vjedhësi i Mona Lisa, Vincenzo Perugia,  u zbulua në 1913 në Firence. 

Emri i Guliem Apolinerit është sinonim i rritjes në fillim të shek. 20-të i lëvizjes, ‘’Avant Garde’’. I përhershëm në takimet e artistëve në ‘’Parisien  Cafe  Society’’, u bë shok me me shumë artistë Bohemian, të së ashtuquajturës, ‘’School of Paris’’. Duke mos qënë piktor, as dhe i shkolluar në Histori Arti, ai ishte një entusiast i palodhur i Modernizmit. Me artikujt si kritik arti në revistën e Tij, ‘’Les Soirees de Paris’’, bëri më shumë se  çdo shkrimtar tjetër i gjeneratës së tij në njohjen dhe stabilizimin e legjendës të disa prej artistëve  më të shquar të shek. 20-të.

Arti Modern përfaqëson një përmbledhje idesh dhe mendimesh mes një numuri piktorësh dhe skulptorësh, fotografësh dhe shkrimtarësh – ku secili dhe të gjithë sëbashku –  gjetën një përgjasim në zhvillimin e Artit. Parisi në mënyrë të veçantë, si Firence në Rilindjen Italiane (mund të hiqet, duket e përsëritur) ishte epiqendra e kësaj lëvizje. 

Ishte një këndvështrim i ri, ku gjenerata e re e artistëve në Paris u përfshi në valë entusiazmi. Zhvillimi i shpejtë i industrisë dhe progresi i teknologjisë, vunë në lëvizje artistët të prezantojnë botën në rrugë dhe mënyra novatore. Rezultati ishte një art, që mori ngjyra të reja, alternativa dhe eksperimente në abstraksion. Madhështia kulturore  që rezultoi nga fermenti i ri është e njohur.

Krejt papritur njeriu modern u duk sikur po jetonte në një kontekst ndryshe nga i vjetri, nga bota e ngadalshme e shek. 19-të. Aftësia e tij për të përdorur me shkathtësi ambjentin rrethues dhe kapaciteti për shndrrime të reja ishte rritur pafundësisht. Tani ai ndihej mjeshtri triumfues i të ardhmes së tij. Nuk ishte surprizë që ky  sensibilitet i ri do të sillte një ritëm të ri në artet dhe një dëshirë për shndrrime artistike. Të gjitha lëvizjet  e reja provuan se format artistike të së shkuarës, nuk ishin të mjaftueshme për të shprehur shpirtin e ri dhe duhej në mënyrë radikale të rinovoheshin.

Por shumë besojnë se erdhi me një anë të errët po ashtu. Një kaos rrymash artistikesi, Fovizmi, Kubizmi, Dadaizmi, Surealizmi, Futurizmi…pushtuan artin. Në këto rrethana kompozitori i shquar me origjinë Ruse, Igor Stravinski shkroi, ‘’ Arti  është  e  kundërta  e kaosit.  Arti  është  një  kaos  i  organizuar.’’

Studjuesit e Artit e përshkruajnë Apolinerin si më mjeshtri novatori i lëvizjes, ‘’Avant  Garde ‘’, jo vetëm se idetë e Tij ishin më origjinale, por sepse Ai kishte aftësi krijuese të transformoi konceptet estetike, të krijoj një formë të re arti thellësisht origjinal në konceptim dhe formë dhe i çliruar nga imitimet.

E pamohueshne që Apolineri ishte inkurajuar në mendimet e tij nga fragmentarizmi i pikturës Kubiste, në mënyrë të veçantë nga Pikaso. Çfarë Ai admironte më shumë në pikturat e Pikasos, ishte imagjinata, guximi i piktorit për t’u shkëputur nga konceptet e mëparshme në pikturën Perëndimore. Ai e përshkruan Pikason në , ‘’Les  Paintrees Cubistes’’ si një figurë heroike, që guxoi të përçaj rregullin e stabilizuar të Universit dhe t’a arranxhoi atë si mendonte Ai se duhej. ‘’Revolucioni, që vetëm Ai arriti, është se bota tani është në imagjinatën e Tij, ‘’ shkruan Ai.

Ishte Apolineri që e prezantoi  George Braque me Pikason në 1907. Të dy filluan të punojnë sëbashku, bashkëpunim ky, që i dha drejtim një rrryme të re në art, Kubizmit.  Mbështetja e Apolinerit për Kubizmin i dha Atij reputacionin si kampion i publikimit të artistëve më të shquar të kohës. Në shumë drejtime Ai u bë një version i Giorgio Vasarit, që bëri aq shumë në publikimin e Artistëve të Rilindjes Italiane.

Botimi në 1914, i përmbledhjes poetike, ‘’ALCOOL’’(Alkol),stabilizoi reputacionin e Tij si një poet i shquar modern. I çliruar nga çdo rregull i të shkruarit poezi, theu rregullat e vargëzimit dhe nuk përdori shenja pikësimi. Ato e dëmtojë poezinë, deklaron Ai. Poetika e tij është konsideruar eksperimentale, sidomos me të ashtuquajturat, Calligrammes, ku aranxhimi tipografik me mjeshtëri i fjalëve krijojnë një imazh.

Shkrimtari Amerikan, Roger Shattuk e përshkruan Apolinerin si: ‘’ Një klloun i suksesshëm, një i shkolluar, një pijanec, një ngrënës, një dashnor, një kriminel, një katolik i devotshëm, një  endacak, një ushtar.’’

Ishte ai që futi termin, SURREALISM në leksikun e Artit Modern  kur thotë: ‘’Kur Njeriu vendosi të imitoj ecjen, ai shpiku rrotën, që nuk duket si këmbë. Duke vepruar kështu, pa e kuptuar, ai ishte duke praktikuar  ‘Surealism’. Por po ashtu Pikaso pretendonte se Surealizmi e mori emrin nga thënia e tij, ku Ai e quan artin, ‘ Një ngjashmëri më e thellë dhe më reale se vetë realja, kjo është që formon  surealen ( Sur–Real). Surealizmi ishte një lëvizje në art që përdor fantazinë, mitin dhe përfytyrime imagjinare kur krijon një vepër arti. Në letërsi mund të identifikohet si një tentativë artistike të lidh sëbashku  realen dhe imagjinaren

Apollinaire angazhohet në luftën e Parë Botërore dhe në 1916 plagoset rëndë në kokë. I dobësuar pas plagosjes, ndrroi jetë nga Gripi Spanjoll në 9 Nëntor,1918. Menjëherë pas vdekjes u botua vëllimi poetik, ‘’CALLIGRAMMES : Poems  of  Pace and  War ‘’

Në 1941, për të nderuar poetin e shquar në emër të Tij, u acordua çmimi , ‘’French Poetry Prize’’. I jepet autorit për përmbledhjen më të mirë poetike në  Origjinalitet dhe Modernizëm. .

   VISAR ZHITI dhe KALIGRAMAT E BURGUT

‘’Bota i studion librat, por poezitë e klasit të parë, – poezitë e thella, që dallohen – janë ato të provuara nga ata që i shkruajnë dhe jeta e tyre. Poezitë dhe materiali i tyre vjen nga jeta e Poetit. Të gjitha poezitë ose çdo krijim letrar, që nuk lidhet me jetën aktuale dhe njohuritë e vetë shkrimtarit, janë gënjeshtra.’’ 

                                                  Walt  Witman  (The Great Poet’s Character)

‘’Shkenca e neurologjisë’’, shkruhet në studimin, ‘’ Inmate Poetry’’ nga Robert Johnson dhe Nina Çhernof ‘’tregon që mendja e njeriut është e kontrolluar nga konditat në të cilat ai jeton, por në rastin e poetëve të burgut, ka raste që shihet në një këndvështrim  tjetër. Këto mendje, nga  nevoja për të jetuar  momente të çliruara, estektikojnë orët e errëta të burgut duke i ndriçuar me pjesë poetike që ata krijojnë.’’ 

Kjo thënie ka parasysh burgjet, ku i burgosuri nuk është i privuar nga të lexuarit dhe të shkruarit.

  Në rastin e Zhitit ishte krejt ndryshe. ‘’Në fillim nuk i shkrova ‘’, kujton Poeti, ‘’por i krijova me mend mes mureve ciklopile  të qelisë, në vetmi dhe ankth. I thosha me vete që të sfidoja absurdin, hetuesin dhe boshin.’’ 

Në qeli ai ishte i privuar nga çdo lexim dhe të shkruarit ishte jashtë imagjinatës. Për Zhitin të poetizuarit u kthye në nevojë për të thyer më të errëtat ditë të jetës, për të sjell pak magjepsje dhe shplodhje në atë ambjent skëterrë. Ulur vetëm në errësirë për ditë të pafundme, poezia u kthye në mjet mbijetese dhe komunikimi me botën jashtë. Në gjithë këtë absurditet rrënqethës, imagjinata e tij kishte një tjetër hov deri në dhimbje dhe tmerr. Te poezia ai gjeti fuqi për të mbijetuar, të sfidonte, ‘’…absurditetin, hetuesin dhe boshln ‘’. Edhe veten.

Studijuesit e mësipërm vazhdojnë: ‘’Pse përdoret poetika si një dritare në eksperiencën e burgut? Sepse poetika është një formë e veçantë në krijimin e të shkruarit dhe komunikimit. Poezia i jep drejtim të shprehurit, e detyron shkrimtarin të zgjedhë fjalën dhe shprehjen më perfekte, për të përshkruar botën. Poezia e burgut është një dëshmitare rrethanash të veçanta.’’

Nuk diskutohet që: ‘’..Poezia e burgut është dëshmitare rrethanash të veçanta’’, por pyetja është, kur fizikisht dhe psikologjikisht i burgosur, a  burgosin mendjen dhe imagjinatën e tyre? Ka ndonjë veti speciale në këto qënie njerëzore, që i bën ata t’u kundërvihen  vuajtjeve? Kur, të jesh i burgosur, do të thotë të jesh i shkëputur nga jeta shoqërore, nga familja dhe shokët. Kështu, në këto kondita psikologjike, kur censura ekziston në çdo nivel që mund të imagjinosh, çfarë e motivon një të burgosur të shkruajë poezi? 

Dhe studjuesit në një pikë janë dakord; ‘’ Të shkruarit poezi në burg është një akt rezistence.’’ 

Këtë konkluzion e provojnë poezitë e Zhitit. Por, po Kaligramat? A nuk flasin ato për më shumë se ‘’një akt rezistence?’’

  Fotografi Gjon Mili i përshkruan ‘’Vizatimet e Dritës‘’ të Pikasos, fotografuar nga ai vetë, si: ‘’Vizatimet e Dritës janë çaste të Pikassos. Ato zhduken menjëherë sa lindin. Ato janë shprehje të qarta të vizionit të Artistit. Ato nxjerrin në pah lidhjen automatike mes dorës dhe trurit, që është baza e shtytjes krijuese të Pikasos.’’

Atëherë në rastin e Zhitit, a ishte një vizioni artistik? Që ka shumë mundësi. Ishin  impulse të çastit, shtytur nga rrethanat dhe nevoja për t’u shprehur në një formë të re, origjinale? Pa dyshim.

Kur Picaso pikturoi tablonë, ‘’ Les Demoiselles de Avignon’’ (1907) ishte një nxitje për të thyer standarted në art dhe botimi në TIME, – që po i referohem – shpiegon: ‘’Kur artisti thyen standartet për të gjeneruar diçka të re, është rezultat i diçkaje të veçantë, që rrjedh në trurin e tij. Truri i njeriut punon në forma konstante, bazat e kësaj gjendjeje evidentojnë çdo gjë që na rrethon dhe individ të ndryshëm e shprehin atë në forma të ndryshme.’’

Portretet e tablosë janë influencë e vizitës së një ekspozite të Artit Afrikan në  muzeumin Trocadero. Të tjera burime e lidhin pikturën me të tjera influenca, si skulpturat spanjolle, nga tabloja ‘’Great Bathers’’ të Cesanne, ‘’The Turkish Bath’’ të Jean- Dominique Ingres, (1892).

Tabloja u prit me skepticizëm nga shokët e Tij, inkluduar Matisse, Braque dhe vetë Apolineri, që më pas u bë mbrojtësi më i zjarrtë i artit të Pikassos, më saktë, Kubizmit. Komentet shkuan aq larg sa të shkruhej: ‘’Arti tradicional është përmbysur dhe kthyer në tallje, vlerat antike dhe moderne janë shkërmoqur menjëherë dhe goditur për vdekje para syve tanë.’’(Art of the  20-th Century.)

Por një person shprehu optimizëm për tablonë, koleksionistja amerikane, Gertrude  Stein, kur shkruan: ‘’ Çdo kryevepër arti ka ardhur në botë me një dozë kërcënimi brenda saj. Ky kërcënim është një shenjë që krijuesi është duke thën diçka të re, në një mënyrë të re’’.

Ishte mbi të gjitha ky reagim, që  Pikaso e mbështolli tablonë dhe e hodhi në një cep të studios. Do të kalonin 9 vjetë (1916), që tabloja të bëhej publike për herë të parë në ekspozitën, ‘’L’art Modern en France’’ dhe 21 vjet të tjera (1937),  pasi u ekspozua në New York në ekspozitën, ‘’ 20 Years in the Evolution of Picasso, 1903-1923’’.  Në këtë vit, (1937) Muzeu i Artit Modern, New York (MOMA) e bleu tablonë. Kështu tabloja fitoi statusin si një nga kryeveprat e Artit Modern. 

  ‘’Studioja e një artisti duhet të jetë një hapësirë e vogël,  sepse një dhomë e vogël e disiplinon mendjen e krijuesit dhe një e madhe e shpërndanë vëmendjen,’’ ka thënë Leonardo da Vinçi.

‘’Është vështirë’’, – shkruan Richard Jerome, editori i TIME në artikullin, ‘’INSIDE THE  CREATIVE SPACE’’ – të hysh në debat me gjeniun e madh të Rilindjes… por Historikisht’, – vazhdon ai, ‘hapësira krijuese ka variuar në akord me okupantët e saj, personalitetit të veçantë të artistit dhe karakteristikat  mentale ose morale që i përkasin një individi të shquar.’’

Unë do të thosha se është vështirë të hysh në diskutim me Editorin e TIME, (J.R.), sepse rasti i Pikassos dhe poetit Zhiti, vërtet janë  Karakteristë mentale dhe krijuese individësh të shquar, por ajo që ndanë Poetin nga Piktori  janë  RRETHANAT dhe  STUDIOJA  ku ato u krijuan. 

STUDIOJA… Çfarë  ironie! Ja si e përshkruan vetë Poeti në librin e tij studimor ‘’ KARTELA  TË  REALIZMIT  TË  DËNUAR’’:                                                                            

‘’ Në burg nuk lejohej të jetoje, vetëm të gjalloje si kafshë pune nga kafshët më të forta se ne, ato me kthetra dhe uniformë polici dhe oficerash, me brirë e gojë të hapura çapulishëm…Ndryshe nga studiot e shkrimtarëve dhe artistëve, ato janë tërësisht e kundërta. Studiot  e të burgosurëve ishin fjetoret, të zhveshura dhe të ftohta, me tre radhë shtretërish të drunjtë njëri mbi tjetrin, ku flinin 50 veta, edhe të sëmurë, ngjeshur si mos më keq, që i numëronin dhe në gjumë duke goditur me shkop gome mbi bataniet e kalbura, për të kuptuar në kishte poshtë tyre të burgosur, në fund të këmbëve ishin leckat që do të vishnin për të shkuar në punë, në galeri, të (u)shqyer keq, në një si tjetër oxhak (studio)në minerë, ku kishte ca gryka që quheshin furnele, jo furnella, ku digjeshin nga puna rraskapitëse, diku në temperaturat 45 gradë C. edhe plus 50-të e diku apo jashtë në borë ishin dhe minus15-të apo 20-të gradë C.

Janice Mathie – Heck në introduksionin e botimit në anglisht të vëllimit poetik të Zhitit, ‘’THE CONDEMNET APPLE’’, shkruan:

‘’Pishtarët e mitit janë filozofët dhe poetët. Intelekti vetëm nuk mund të ushqej shpirtin. Intuita ndjenja dhe imaginata mundet… Zhiti çuditërisht mundi të memorizojë mbi 100 poezi gjatë 5 muajve në izolim! Kjo ishte një mënyrë të përqëndrojë energjitë e tij, të  mbaj mendimet dhe veten të kthjellët…Me poezitë, emocionet u bën pjesë përbërëse e atij vetë dhe ishin ndën kontrollin dhe zotërimin e tij. Në këtë mënyrë Ai ishte në gjendje të duroj realitetin e hidhur të burgut dhe ishte në një sens, i zoti të  krijoj realitetin e vet. Ai e pa veten si, më shumë se një numur.’’

Por le të kthehemi te  Kaligramat. Për Zhitin të shkruarit poezi ishte pasion. Por çeshtja është se ç’lloj poezie? Në çfarë rrethanash psikologjike krijoi ai një mënyrë origjinale të të shprehurit? Gërshetimin e vargjeve me forma vizuale. Pse? Vetëm Poeti e di.

Në qoftë se Apolineri u influencua nga piktorët që e rrethonin – që është e vërtetë – A pati Zhiti iinfluencë nga piktorë në burg dhe cilët ishin ata? Përgjigja është e thjeshtë – s’ka asnjë lidhje. Në fakt është një lidhje, ajo me piktorin, që dalin si personazhe në burgologjitë e tij “Rugët e ferrit” dhe “Ferri i çarë”, Maks Velo e Edison Gjergo në burgun e Spacit dhe  Valer Durzi Tarasov në burgun e Qafë-Barit, por pyetja qëndron: Sa influencuese ishte? Vetëm Visari e di. Në burgun shqiptar, na zbulohet, se të pikturuarit ishte i ndaluar, i pamundur, mungonin ngjyrat me të gjitha kuptimet. 

Bashkëvuajtësi i Visarit Maks Rakipaj kujton: ‘’…Poezitë e botuara në ‘Hedh një kafkë të këmbët tuaja’, i kam me autografin e autorit. Janë krijime të Spaçit dhe Qafë Barit. Unë i pata lexuar në ca dorëshkrime nëpër fletë të zhubravitura, me pluhur miniere dhe të njomura me djersë. Por, që, larg qoftë, mund edhe të ishin njomur me gjak, me gjak të fisëm poeti, me gjak të fisëm Prometeu të vërtetë…’’

Këto poezi kështu janë dhe imazh, kanë një performancë tronditëse, ndërsa vetë i gjithë botimi anastatik i përmbledhjes “Dorëshkrime të fshehta të burgut” është kaligramë e madhe, unike dhe mahnitëse.

T A B E L A T   ‘’ N D A L I M   K A L I M I                                                                                                                                                                           

 V I Z A T O J   M E   G I J O T I N Ë

L I T A R I   I   G R A C K Ë S                                                            

F I T O R J A   N Ë    Q I E LL

H A R T A   E   A T D H E U T   T I M

                                                                                                                                                                                                                          –     

       R E F E R E N C Ë

Dorëshkrimet e fshehta të burgut             –  Visar  Zhiti     ( 2021 )                                                                                                                     THE  CONDEMNET  APPLE :                         –   Visar  Zhiti    ( 2005 )                                                                                                                                  KARTELA TË  REALIZMIT  TË  DËNUAR          –  Visar  Zhiti     ( 2020 )                                                                                                                                        The Science of  CREATIVITY                        –   TIME              ( 2019 )                                                                                                                             Art  of  the  20-th  C E N T U R Y                  –   Hachete     ( 1999 )                                                                                                                                               Photographs  &  Recollections                  –   Gjon  MILI    ( 1980 )        

I M A Z H E   S H O Q Ë R U E S E

Calligrammes                                                 – G. Apolinaire                                                                                                                                      Calligrammes                                                 – V. Zhiti                                                                                                                                                          Kopetina, ‘’CALLIGRAMMES’’                     –  Portret nga Pikaso                                                                                                                                                                     Less Demoisselles  D’ Avignon                      –  Picasso                                                                                                                                         Madame  Moitessier                                      –  J. Ingres                                                                                                                                          Woman with a book                                      – Picasso

Filed Under: Opinion

SKANER DIAGNOSTIKUES I SIGURIMIT TË SHTETIT KOMUNIST

February 3, 2025 by s p

Kosta Nake/

Objekti i veprës plot ngjarje me peshë historike e filozofike në 731 faqe, toni tërësisht i ndryshëm nga librat që kam lexuar, mjetet dhe teknikat e zgjedhura për sjelljen e karaktereve të sigurimsave dhe bëmave të tyre, përbëjnë një doktrinë për të ndryshuar disa kalke historike dhe botëkuptimore të cilat këto vite tranzicioni vetëm sa janë këqyrur nga jashtë qelqnajës së trashë mbrojtëse dhe shumë pak janë prekur.

Përbuzja

Ndoshta është e para vepër letrare ku shoqëria shqiptare e viteve të diktaturës komuniste dhe organizimi shtetëror i është nënshtruar një përzgjedhjeje të vëmendshme se si propoganda e atëhershme i shikonte klasat e përmbysura dhe forcat politike kundërshtare: “Ata kishin me vete policinë, pushtetin, simpatinë e shoqërisë dhe, sigurisht, halabakët… Na e nginjën trurin e njomë me parrulla, me idole, me gatishmëri, me shkencë e skolastikë, me materializëm dhe domosdoshmëri historike, me shkak-pasojë dhe besim në Njeriun e Ri… Tani në kokat tona ka vetëm shkretëtirë të paskjatë, xhungël mbijetese… Në mur varej një portret i udhëheqësit buzëtrashë.” Për ushtarakët përdoren karakterizimet qafëgic, qafëderri, fytyrëbytha, thatan, turiqena, zemërbisha, lukuni qensh të unshëm, si gostia e një zogorie qensh mbi pirg kockash.

Autori atakon drejtpërdrejt partinë që kishte marrë përsipër të luante rolin udhëheqës në gjithë jetën e vendit: “Partia është një sekt satanist, si çdo religjion e di për mrekulli se ç’është në gjendje të bëjë miti tmerronjës e lebetitës i frikës dhe demonizmit… Jo mirësia, jo ndriçimi, jo dashuria e përvujtnia, por ankthi, mizoria, ndëshkimi i përgjakur e absurd i nënshtron turmat… Njerëzit duan të jetojnë, frika e ankthi i rraskapit, i sfilit… Çmenduria dhe egërsia vjen një çast dhe të lodhin.”

Gjithë kjo ngarkesë negative shkarkohet mbi dy qëndrestarë: Martin Gega si mbrojtës i kauzës antikomuniste, Ljuba Borisovna si mbrojtëse e dashurisë së vërtetë.

Kompozicioni

Rrëfimit të autorit i bashkohen edhe rrëfimet e karaktereve duke shkrirë kufirin midis vetës së tretë me vetën e parë njëjës. Kompozicioni i përngjan një prizmi ku e njëjta ndodhi dhe i njëjti karakter shikohen dhe rishikohen nga sy dhe kënde të ndryshëm shikimi. Ai bëhet edhe objekt diskutimi në vepër: “Çështja e kompozicionit është tortura më e madhe për një shkrimtar dhe jo procesi i shkrimit… Kompozicioni është në thelb loja me kohën, sepse suksesi i një arkitekti të mirë është organizimi harmonik i hapësirës dhe triumfi mbi kohën: ja se çfarë e mban një rrëfim dhe çfarë i jep dramacitet fatit të protagonistëve në një histori.”

Romani hapet me prologun që i ngjan një amaneti për të rrëfyer një tragjedi që nuk është thjesht fati i një familje, por pikënisje për ta ndarë me dhimbjen e të tjerëve. Kaq mjafton që autori të sjellë në përmasa të ndryshme pesë modele të grave ruse që e lidhën fatin e tyre me atë të burrave shqiptarë: Zinaida që bashkëpunon me pushtetin komunist dhe ruan pozitën e lartë në fushën e artit dramatik, Ljuba që përballet me dinjitet me përndjekjen nga Sigurimi i Shtetit, Olja që e largojnë djallëzisht nga Shqipëria, Elena që qëndron larg rrymave të rrezikshme të ekspozimit politik, Ljudmilla që bëhet viktimë e burgut në Qytetin Stalin.

Pjesa e parë e romanit “Ofelia s’del në skenë” fillon me Ljubën që qëndron para pasqyrës: “gjinjtë e kërcyer, të fryrë e të fortë, qafa alabstër me vena të kaltra, supet të rrumbullta, e shkëlqare.” Bukuria fizike e saj do të jetë edhe karrem vuajtjeje sepse nga njëra anë do të lakmohet marrëzisht nga Viktori që është mik dhe armik i burrit të saj dhe nga ana tjetër do të tentohet të depersonalizohet nga punonjësit e sigurimit. Duke e vendosur Ljuba Borisovnën në qendër të veprës, autori hap dy shtigje për linjat e subjektit: Të zbulojë fantazmat dhe përbindshat që bashkëjetojnë me njeriun, i nxjerrin kthetrat dhe përgjakin shpirtrat edhe në rrethet e ngushta familjare dhe shoqërore siç ilustrohet me rrëfimin e Zinaidës për motrën e saj Ira dhe burrin e saj Misha, po ashtu marrëdhëniet e Ljubës me Lev Kashkinin, Viktor Sallakun dhe Martin Gegën. Kjo i shërben autorit si indicje për ta shtruar marrëdhënien seksuale në një rrafsh filozofik si raport mes vullnetit dhe dhunës, pranimit me dëshirë dhe detyrimit.

Martin Gega, i diplomuar si inxhinier gjeolog në Bashkimin Sovjetik, nuk pranon të ndahet nga bashkëshortja ruse dhe kaq mjafton që Sigurimi i Shtetit të gjejë pretekste ose të sigurojë dëshmitarë ta burgosë dhe ta vrasë pa gjyq për veprimtari armiqësore. Kur Ljubës i ofrohet roli i Ofelisë nga tragjedia “Hamlet”, Martini ka katër muaj që ndodhet në burg. Regjisorja Zinaida Mihajllovna e këshillon që të dalë nga pozicioni i vështirë duke filluar me joshjen seksuale dhe kurvërimin selektiv. Pikërisht këtu fillon heqja e tabusë për foljen e aktit seksual, përdorimi pa pika, pa asteriks, madje duke u ndalur në trajtën veprore dhe vetevetore, duke e kthyer në një nga veçoritë e punës së Sigurimit të Shtetit për depersonalizimin e njerëzve. Kjo bën që ky libër duhet lexuar vetëm dhe jo me zë për ta dëgjuar të tjerët. Atmosfera e nderë që përfton veprimtaria subversive e Sigurimit të Shtetit ka antipodin zbutës erotik që kalon paralelisht fund e krye veprës.

Një roman brenda romanit

Qëkur ishte student në Moskë, Martini kishte shkruar një roman dhe dorëshkrimi i tij kishte arritur edhe te duart e poetit Samuil Ismari. Ishte një sprovë e hedhjes në letër të jetës së vet të rinisë. I ati e pati dërguar Martinin 15-vjeçar të çonte me kalë trasta me ushqime në majë të Çoparit, te Logjet e Zanave ku ishte çeta antikomuniste e Jup Ndreut. Atje ra në pritë dhe ndodhi një masakër. “Kjo që po na bajnë komunistat s’ka mal që e mban mbi kurriz…. Nuk po lëmë me na bo zap do morra të partishëm. Ky pushtet mbushë me xhahila dhe këlyshë të anmikut shekulluer.”

Pasqyrimi i asaj masakre dhe pakënaqësia që s’mund të fshihej, e bënte atë roman jo vetëm në një krijim të pabotueshëm, por edhe të rrezikshëm për fatin e vetë autorit. Shoku i tij student, Viktor Sallaku, ka një parahistori antagonizmi me Martinin që te prindërit: I ati i Viktorit është shpallur dëshmor edhe pse “është vrarë duke vjedhur bostan”, kurse i ati i Martinit është pushkatuar pa gjyq dhe është klasifikuar si reaksionar. Ljuba u lidh së pari me Viktorin, pastaj iu dorëzua Martinit duke filluar një rivalitet dashuror që vjen duke u rritur, edhe pse Viktori krijoi një lidhje tjetër me Olja Pisarjevën. Këtyre dy shkaqeve u shtohet edhe termi “malok” që Viktori e përdor për Martinin duke përftuar racizëm brendashqiptar dhe patologji të urrejtjes. Kaq mjafton që Viktori ta bëjë Martinin pre të Sigurimit të Shtetit duke i zbuluar Nesho Dragoit se ai ka shkruar një roman të dyshimtë. Si rezultat Neshua i thotë Viktorit: “Martini ka karakter dhe bindje antipushtet. Ai nuk është njeriu ynë.”

Tragjedia “Hamlet” në një vështrim të ri

Rishikimi i trashëgimisë letrare botërore siç ndodh në këtë vepër me tragjedinë ‘Hamlet’, përbën një veçori të kësaj vepre që e ndeshim gjerësisht dhe mjeshtërisht në Veprën e Ismail Kadaresë. Sipas autorit, Klaudit nuk i duhej mbretëria e të vëllait, po mbretëresha Gertrudë, jo froni por shtrati. Nga ana tjetër edhe Gertruda mund të jetë joshur fillimisht nga Klaudi, pastaj ka zgjedhur fronin. Mos mbreti ishte i paaftë në shtrat? Pse u zgjodh helmi në vesh? Kujtohet paralelizmi me Egjistin e Klitemnestrën te Sofokliu, Paolon dhe Françeskën te “Komedia” e Dantes. Duket qartë se autori jo vetëm se e ka rilexuar tragjedinë e shqipëruar nga Noli, por ka parë edhe variantin rus të Pasternakut. Një detaj ilustrues: Noli përkthen “qyqe” kurse Pasternaku “kukuvajkë.” Qyqja dhe kukuvajka bashkohen te vetmia, por qyqja këndon ditën dhe kukuvajka natën. Noli e quan Ofelinë “zonjë”, kur ajo është “zonjushë”, kurse Pastërnaku e quan “ëmbëloshe.” Së fundi, autori ka vënë re se fjalët “mos të të rrejë mendja dhe dije mirë” nuk janë fare te përkthimi i Nolit.

Shkrimtari Samuil Ismari

Pjesa e fundit e romanit “Ç’lajme na sjell, Hermes?” i kushtohet shkrimtarit Samuil Ismari, por ai shfaqet gjatë gjithë romanit, duke filluar që në pjesën e parë. Ka ndonjë detaj që na bën ta lidhim me një shkrimtar real, që ishte ende gjallë deri pak muaj më parë: “Samuil Ismarit iu zmadhuan bebet e syve poshtë qelqeve të syzave optike.” Kur shkrimtari rrëmbehet nga policia, shtrohet pyetja: “Kush do t’i dilte krah? Prindërit atje, në qytetin e Jugut.”

Duket qartë në vepër se autori është rreshtuar në anën e adhuruesve të këtij shkrimtari. Kur Martini e pati takuar Samuilin në Moskë, i patën thënë se “është ylli në ngjitje i letërsisë së re shqipe,” kurse Martini i thotë Ljubës se “është një fenomen i letërsisë më të re.” Shumë besojnë se Ismari është i shenjuar me talent, andaj një palë mundohen t’ia hanë kokën dhe një palë tjetër ta mbrojnë. Madhështinë ia njohin edhe ata që nuk e duan ose janë dyshues: “Një qiellor me flatra, dhelpër e rafinuar… S’e dija që qenka karagjoz kaq i madh ky Samuil Ismari… Ai është një pusht karizmatik, sa çdo femër e bukur do të ëndërronte një histori dashurie me të, në mos më shumë, një flirt… Samuili është i talentuar… më i talentuari, por ama edhe me prirjet më të rrezikshme.”

Shkrimtari Tufa nuk është kufizuar vetëm me vlerësimet, por është i pari që e fton për të qenë pjesë e subjektit të veprës. Përpjekjet e Sigurimit të Shtetit për të shtënë në dorë romanin e birit të reaksionarit, arrijnë deri te marrja forcërisht e shkrimtarit Ismari nga policia dhe agjentët e sigurimit. Edhe pse shkrimtari Samuil përballet me dinjitet me represionin, autori gjen rast të bëjë edhe deklarimin e vet: “Nuk ka asgjë heroike në përballimin e torturave dhe nuk mund t’ia kërkosh askujt një heroizëm të tillë.” Ka dhe një shpjegim për titullin e kësaj pjese: “Hermes është hyu që zbret në ballkonin e Samuilit dhe sjell “kumtet e qiejve.”

Shkrimtari Tufa e shfrytëzon këtë pjesë të fundit për të na çuar të shohim një galeri figurash nga Lidhja e Shkrimtarëve, disa prej të cilëve janë lehtësisht të identifikueshëm: Poeti hundëfajkua Dritan Agalliu – një yll fushor në ngjitje në qiellin e poezisë së angazhuar shqipe, me namin e Ezopit, që ia thotë për dolli. Kryetari i lidhjes, shoku Shute. Dafina Luçi – anëtare e detashmentit “Engjëjt e hekurt”, e re, tunduese, alturiste, gjithë sharm, stil dhe dell aventuresk. Nasihat Toçaj – prozator me subjekte sigurimsash, ambicioz i madh, servil, mediokër.

Historia

Agron Tufa është i pari autor që në rrafshin artistik bën një postluftë fyt për fyt e dhëmb për dhëmb me sistemin e diktaturës komuniste duke u ndalur në pikat më të zeza të atij sistemi. Ai guxon të heqë nga lista e temave tabu edhe çështje shumë të ndjeshme që lidhen me historinë e re të Shqipërisë, duke filluar nga lufta çlirimtare kur deklaron: “Historia do të vazhdojë të mbetet një bijë bastarde e kohës, përderisa atë do të vazhdojnë ta shkruajnë fitimtarët, sepse pergamena ku e shkruajnë do të jetë po e njëjta: lëkura e të mundurve.” Në gojën e Martinit ai vë akuzën: “Pushteti ynë politik ka ardhur në qeverisje duke kryer krime gjatë dhe pas luftës.” Gjatë Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri u shfaqën dy palë me qasje të ndryshme ndaj pushtuesit, por të dyja palët kanë dhënë jetën për qëllimin më të epërm në emër të atdhedashurisë. Pse disa quhen “dëshmorë” dhe të tjerët “tradhëtarë”? Pse disave u ngrihen lapidarë e të tjerëve nuk u gjendet eshtrat?

Shtatzania e Ljubës

Shtatzania e Ljubës pasi Martini është asgjësuar dhe pa kontakt me ndonjë mashkull tjetër, i ka dhënë titullin krejt romanit. A kishte aftësi koitale dorëshkrimi i Martinit që gëlltiti për të sjellë ngjizjen e papërlyeme? A është një mrekulli? “Asnjëra prej fjalëve nuk e shpreh gjendjen e saktë të një gruaje, së cilës ia kanë thithur me shiringë shpresën deri në pikën e fundit.” Autori ka krijuar një linjë speciale subjekti për këtë rrjedhë të pazakontë të fatit të saj tragjik. Si gjithçka tjetër në mjedisin shqiptar, dukuria bëhet pronë e thashethemnajës, ai kapërcen cakun e shqetësimit familjar, hyn te rrethi shoqëror, madje autori thërret në skenë mjekun Zef Sheldia si zëdhënës shkencor i kësaj ngjizjeje të papërlyeme, na fut në hullitë e shkencës dhe alkimisë dhe në labirinthet e partenogjenezës dhe telegonisë, e vendos nën lupën e orgazmës dhe regjistrimit të materialit trashëgimor.

(Romani “Ngjizja e papërlyeme” i Agron Tufës, Roman, Onufri 2021)

Filed Under: ESSE

Rudolf Virchow dhe Raca Shqiptare

February 2, 2025 by s p


Rudolf Virchow dhe Raca Shqiptare


NGA NDREK GJINI

MA, University of Galway, Ireland


Rudolf Virchow, një figurë e shquar në fushën e mjekësisë, antropologjisë dhe politikës në shekullin e 19-të, shfaqi një interes të veçantë për popullsinë shqiptare, veçanërisht atë të Shqipërisë së Veriut.

Virchow, i njohur si themelues i shkencës së kranologjisë dhe një nga shkencëtarët më të spikatur të viteve 1800, zhvilloi studime të rëndësishme mbi racën shqiptare.

Libri i Mit’hat Frashërit “Shqiptarët” dhe Virchow

Ky interes i tij  i veçantë për popullsinë shqiptare të Veriut të Shqipërisë u pasqyrua në librin e Mit’hat Frashërit “Shqiptarët”, i cili përmban citate nga autorë të ndryshëm që përshkruajnë natyrën dhe karakterin e kësaj popullate.

Interesi i Virchow-it për shqiptarët dhe gjetjet e tij shkencore  u botuan në një artikull fillimisht në gazetën “Times” në 1878 dhe më pas u ribotuan në gazetën franceze “Le Matin” më 15 tetor 1901.

“La race supérieure” (raca superiore)

Ky artikull, i titulluar “Virchow chez lui (La danse des crânes- Les peuples des Balkans – La perle de la collection Vivent les Albanais!- Le savant et l’ homme politique)”, përmbante një seksion të veçantë me nëntitullin “La race supérieure” (raca superiore), që i referohej specifikisht shqiptarëve.

Ribotimi i këtij artikulli në faqen e parë të “Le Matin” në 1901 tregon rëndësinë e vazhdueshme të gjetjeve të Virchow-it.

Emri i Virchow-it, për shkak të reputacionit të tij të lartë shkencor, i dha peshë të veçantë këtyre konkluzioneve mbi racën shqiptare.

Faik  Konica,  Virchow dhe Hans Delbruck

Rëndësia e studimeve të Virchow-it për shqiptarët u bë edhe më e dukshme në kontekstin e ngjarjeve politike të vitit 1915.

Në një letër të hapur drejtuar Hans Delbruck, këshilltar i qeverisë gjermane dhe profesor i historisë moderne në Universitetin e Berlinit, intelektuali i njohur shqiptar Faik bej Konica * iu referua studimeve të Virchow-it, kur ai përmes asaj letre, kërkonte që të mbroheshin të drejtat e Shqipërisë dhe popullit shqiptar.

Konica në atë letër e citoi Virchow-in si një autoritet i lartë i shkencës i cili i kishte vlerësuar shqiptarët si “kombi vërtet superior” i Evropës Lindore.

Virchow babai i patologjisë moderne

Virchow (1821-1902) ishte një shkencëtar gjerman me prejardhje nga një familje fshatare gjermano-polake. Ai studioi mjekësi dhe kimi në Berlin në Akademinë Ushtarake Prusiane dhe u bë një figurë qendrore në fushën e patologjisë, antropologjisë dhe shëndetit publik. Ai konsiderohet “babai i patologjisë moderne” dhe një nga themeluesit e mjekësisë sociale.

Kontributet e Virchow-it në shkencë ishin të shumta dhe të rëndësishme. Ai zhvilloi teorinë e qelizës, njohu për herë të parë qelizat e leukemisë dhe publikoi studimin e tij mbi qelizat në 1858 me parimin “Omnis cellula e cellula” (çdo qelizë rrjedh nga një qelizë ekzistuese e ngjashme), duke hedhur poshtë konceptin e gjenerimit spontan.

Virchow themelues i shoqatës së antropologjisë

Në fushën e antropologjisë, Virchow themeloi shoqatën e antropologjisë, etnologjisë dhe prehistorisë në 1869, e cila pati një ndikim të madh në koordinimin dhe intensifikimin e kërkimeve arkeologjike gjermane. Në 1885, ai kreu një studim të kraniometrisë (matja dhe studimi i kockave të kafkës) që prodhoi rezultate surprizuese që kundërshtonin teoritë raciste shkencore të kohës për “racën ariane”. Kjo e çoi Virchow-in të denonconte “misticizmin nordik” në Kongresin e Antropologjisë në Karlsruhe të po atij viti.

Virchow kreu gërmime të rëndësishme arkeologjike

Interesi i Virchow-it për antropologjinë u zhvillua veçanërisht pas 1865, kur ai zbuloi vendbanime të lashta në Gjermaninë veriore. Në 1869, ai bashkëthemeloi Shoqatën Gjermane të Antropologjisë dhe në 1870 themeloi Shoqërinë e Berlinit për Antropologji, Etnologji dhe Prehistori. Ai kreu gërmime të rëndësishme arkeologjike, përfshirë kështjellat e kodrave në Pomerani në 1870 dhe muret në Wöllstein në 1875. Virchow bëri gjithashtu udhëtime studimore në Azinë e Vogël, Kaukaz, Egjipt, Nubi dhe vende të tjera, ndonjëherë në shoqërinë e Heinrich Schliemann.

Gjatë karrierës së tij shkencore, Virchow ekzaminoi një numër të madh kafkash, duke ndryshuar gradualisht perspektivën e tij mbi këtë objekt kërkimi. Fillimisht, ai ishte i interesuar kryesisht për kafkat e deformuara patologjikisht. Nga vitet 1850 e tutje, ai zhvilloi gradualisht një qasje më antropologjike, dhe antropologjia u bë gjithnjë e më dominuese në interesin e tij shkencor. Virchow zhvilloi një model specifik dhe dinamik të zhvillimit të kafkës njerëzore dhe e aplikoi me sukses në antropologji. Puna e tij kërkimore u shoqërua me ndërtimin e koleksioneve të mëdha të kafkave.

Në kontekstin e studimeve të tij antropologjike, Virchow shfaqi një interes të veçantë për popullsinë shqiptare.

Analizat e tij mbi kafkat shqiptare

Analiza e tij e kafkave shqiptare ishte pjesë e përpjekjeve të tij për të zbuluar vjetërsinë dhe lidhjet e racave evropiane. Kjo dëshmon për qasjen e tij të thellë dhe metodike në fushën e antropologjisë. Virchow madje dërgoi studiues për të mbledhur më shumë kafka nga rajoni i Shqipërisë, duke theksuar rëndësinë e vazhdueshme të këtij populli në studimet antropologjike.

Megjithatë, është e rëndësishme të theksohet se përfundimet e Virchow-it mbi “racën” shqiptare duhet të kuptohen në kontekstin e kohës së tij. Në një studim të mëvonshëm mbi shtatë milionë fëmijë gjermanë, Virchow arriti në përfundimin se nuk kishte dallime tipike identifikuese midis grupeve etnike të ndryshme. Ai deklaroi se dallimet midis dy individëve janë më të mëdha se çdo dallim midis racave, duke hedhur poshtë idenë e klasifikimit racial të grupeve të njerëzve bazuar në fenotipe të jashtme.

Studimi i Virchow-it mbi shqiptarët e Shqipërisë së Veriut është një shembull i qasjes së tij shkencore dhe interesit të tij të gjerë antropologjik. Megjithëse disa nga konkluzionet e tij mund të duken të vjetruara nga perspektiva moderne, puna e tij kontribuoi ndjeshëm në zhvillimin e antropologjisë si disiplinë shkencore dhe në rritjen e njohurive mbi diversitetin njerëzor në Evropë.


Burimet:

  1. Lelland, T. (2020). Rudolf Virchow and the Foundations of Modern Pathology. Cambridge University Press.
  2. Boas, F. (1903). “The Legacy of Rudolf Virchow in Anthropology.” American Anthropologist, Vol. 5, No. 2.
  3. Schiller, F. (1978). Virchow: The Scientist and His Impact on Medicine and Anthropology. Oxford University Press.
  4. Pashtriku.org. (2013). “RUDOLF VIRCHOW: KAFKAT E SHQIPTARËVE TREGOJNË RACËN MË SUPERIORE TË EUROPËS”

NOTE: * Faik bej Konica, një nga intelektualët më të shquar shqiptarë të fillimit të shekullit XX, i dërgoi një letër të hapur Hans Delbruck-ut, një figurë e rëndësishme në qarqet akademike dhe politike gjermane të asaj kohe. Kjo letër u shkrua në një moment kritik për Shqipërinë, më konkretisht më 12 nëntor 1915, kur vendi kërcënohej nga një copëtim i ri pas Traktatit të fshehtë të Londrës.

Konteksti historik

Në vitin 1915, Shqipëria po përballej me kërcënimin e një copëtimi të ri territorial:

  • Italia synonte të merrte Vlorën dhe një lloj protektorati mbi Shqipërinë e Mesme
  • Greqia pretendonte Shqipërinë e Jugut
  • Serbia dhe Mali i Zi synonin Shqipërinë e Veriut.

Në këtë kontekst, Konica, i cili ndodhej në Lozanë të Zvicrës, vendosi t’i drejtohet Hans Delbruck-ut, i cili ishte:

  • Këshilltar i afërt i qeverisë gjermane
  • Profesor i historisë moderne në Universitetin e Berlinit

Përmbajtja e letrës

Në letrën e tij, Konica përdori argumente të ndryshme për të mbrojtur të drejtat e Shqipërisë dhe popullit shqiptar. Ndër to, ai iu referua studimeve të Rudolf Virchow-it, një shkencëtar gjerman me reputacion të lartë. Konica e citoi Virchow-in për të treguar vlerën e kombit shqiptar.

Pjesë të rëndësishme nga letra e Konicës përfshijnë:

“A nuk a ka quajtur shpesh Virchow-i juaj “kombin me të vërtetë më superior” të Europës Lindore?”

Konica gjithashtu iu referua studiuesve të tjerë gjermanë:

“A nuk ka thënë Mommseni juaj se kombi shqiptar është më i vjetri në Ballkan?”

“A nuk e kanë përsëritur në çdo kohë, dijetarët tuaj, që shqiptari dallohet nga fqinjët e tij për nga gjuha dhe shpirti?”

Rëndësia e referencës ndaj Virchow-it

Rudolf Virchow ishte një shkencëtar gjerman me reputacion të lartë, i njohur për studimet e tij antropologjike. Referenca e Konicës ndaj Virchow-it kishte disa qëllime:

    1. Të tregonte vlerësimin e lartë që shkencëtarët gjermanë kishin për shqiptarët.
    2. Të përdorte autoritetin shkencor të Virchow-it për të mbështetur argumentet e tij.
    3. Të apelonte ndaj ndjenjës së përgjegjësisë së Gjermanisë për të mbrojtur një popull që vetë shkencëtarët gjermanë e vlerësonin kaq lart.

Konica, duke qenë një intelektual i shquar, e dinte rëndësinë e përdorimit të argumenteve shkencore për të mbështetur kauzën politike. Referenca ndaj Virchow-it ishte një mënyrë e zgjuar për t’i dhënë peshë argumenteve të tij në sytë e një akademiku dhe politikani gjerman si Delbruck. Kjo letër e Konicës tregon aftësinë e tij diplomatike dhe intelektuale për të përdorur burime të ndryshme, përfshirë studimet shkencore, në mbrojtje të çështjes kombëtare shqiptare në një moment kritik historik.

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 513
  • 514
  • 515
  • 516
  • 517
  • …
  • 2783
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Shqipëria, Kosova dhe Boshti Shqiptar si Gurthemeli i NATO-s dhe i Strategjisë Amerikane
  • MORGENAVISEN (1931) / RRËFIMI I PIKTORIT HUNGAREZ MÁRTON HOSSZÚ : “GJASHTË JAVË NË OBORRIN MBRETËROR TË SHQIPËRISË PËR TË REALIZUAR PORTRETIN E MBRETIT ZOG I…”
  • “Histori e vajzës rebele”
  • Festat e fundvitit u mbyllën me këngë e valle shqiptare nga Shkollat Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit, New York
  • Pjeter Logoreci: “Jeta dhe vepra e Aleksandër Moisiut asht nji shëmbëlltyrë pune, kulture, vullneti e karakteri”
  • “Metamorfoza”
  • Trifon Xhagjika (20 prill 1932 – 23 dhjetor 1963)
  • POETIKA E MUNGESËS DHE KUJTESËS APO ËNDRRA SI METAFORË E IDENTITETIT LIRIK
  • Umberto Eco për librin si nevojë, jo si konsum, për bibliotekën si kabinet i mjekësisë së shpirtit
  • QERIM VRIONI DHE FOTOGRAFËT QË SHKRUAN HISTORINË
  • Çamëria, kur e vërteta kërkon shkrim, përgjegjës dhe afat!
  • Dhurata, buzëqeshje dhe urime në shkollën shqipe “Skenderbej”
  • ROLI I PRESIDENTES OSMANI NË RIKTHIMIN E BESIMIT DHE BASHKËPUNIMIT TË KOSOVËS ME SHBA-NË DHE BE-NË
  • WHEN KOSOVA WORKS, AMERICA SPEAKS
  • Shkolla shqipe “Gjergj Fishta” – Long Island, New York festoi festat e fundvitit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT