• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NË KUJTIM TË DOM ZEF OROSHIT VEPRIMTARIT TË SHQUAR SHQIPTARO – AMERIKAN

December 27, 2024 by s p

Gjon F. Ivezaj/

Në pamundësi për të qënë i pranishëm sa herë ndërmerren organizime e manifestime sensibilizuese për të mbajtur të gjallë unitetin vllaznor të kthyer në një obligim patriotik nga komuniteti shqiptar në Amerikë, kam detyrimin moral të punoj në distancë, pasi puna në vëndet kapitaliste është e programuar me orare dhe rregulla që nuk të favorizojnë për të tilla raste, sidomos këtu në New York, ku ftesat që marr nga organizatorët janë më të shumta. I tillë ishte rasti i përkujtimores së Dom Zef Oroshit mirditorit të shquar i cili për gjatë gjithë jetës së tij dha një kontribut të jashtëzakonshëm patriotik. I krahasuar me një “flakadan të ndezun” me atdhetari, Dom Zef Oroshi ndriçoi mëndjet dhe zemrat e shqiptarëve kudo në botë, të cilin edhe pse kam patur fatin ta njoh personalisht nuk arrita të jemë pjesë e kësaj përkujtimoreje.
Takimi me Dom Zefin ishte krejt i rastësishëm por që holli farën e mendimit tek unë.

Të punosh për Atdhe nuk mjafton veç dashnia më pati thanë Dom Zefi gjatë asaj bisede të përzemërt me të. Puna me pënë, humanizmi dhe mendimi i mirë janë po aq të çmuara sa dhe të mbrojturit me armë me kenë nevoja, ndaj vazhdo pa nda me shkrua e me botua se fjala e shkrume vlen sa një thesar me arë për Kombin dhe nipat e tu neser. Kjo bisedë më ka obliguar të shkruaj vazhdimisht, përfshi këtu edhe për të Madhin Dom Zef Oroshi emri i të cilit sot e gjejmë të gdhëndur me gërma të arta në altarin e flamurit shqiptar. Dom Zef Oroshi është vlersuar nga qarqet akademike e patriotike si “Njeriu i Ndritur” që gjithë jeten tij e vuri nē shërbim të kombit pasi edhe sot, 33 vite pas vdekjes vepra e tij mbetet një pishtar vlerash nga e cila marrim shembull e frymëzohemi të gjithë. Krenaria e të qënit i denjtë për çështje që peshojnë në të mirë të kombit ka qënë jo thjeshtë një ambicje personale e tij por një ideal i shenjtë sa vetë besimi për të cilin ishte betuar para Zotit, altarit dhe etërve të kishës. Kontributi i lartë i Dom Zef Oroshi, për çështjen kombëtare mori vëmëndjen e gjithë asaj elite intelektualësh me të cilët pati kontakte të afërta pune të cilët vinin nga Shqipëria, nga Kosova, Maqedonia, nga Evropa, Australia apo Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shumë prej tyre emigrant të ikur gjatë rregjimit të egër komunist. Këto kontakte dhe lidhje të afërta pune bënë që Dom Zef Oroshi, shumë shpejt të kthehet në një nga personalitet më të shquara të diasporës shqiptare në Europë e ShBA nëpërmjet të cilit u ngriten edhe mekanizma të veçanta pune ndërlidhëse që merreshin me nevojat e posaçme të çështjes Kombëtare – Shqiptare në Amerikë e më gjërë. Kontributi i tij për çështjen shqiptare nuk mund t’i shpëtonte as vëmëndjes së autoriteteve amerikane të asaj kohe nga e cila gjeti mbështetje të vazhdueshme aq sa ti hapen të gjitha dyert e institucioneve shtetërore. Frytet e punës dhe madhënjeve të mira u vlersuan edhe nga Presidenti Amerikan, ROLAND REAGAN i cili e nderoi Dom ZEF OROSHIN, me çmimin më të lart të shtetit amerikan: “Medaljen e Lirisë”, duke e pritur disa herë zyrtarisht në Shtëpinë e Bardhë.

Me të drejtë Frano Shkreli pati thënë për Dom Zefin: “i frymëzuar nga mësuesit e tij, Fishta e Mjeda Dom Zefi është kthyer në vijuesin e denjë të traditave të mira Kombëtare, të gërshetuara me kulturën e shëndoshë perëndimore-amerikane”. Po kaq i lartë ka qënë edhe humanizmi i Dom Zef Oroshit i cili asokohe ecte në gjurmët e Nënë Terezes, të cilën të cilën pati ftuar dhe pritur në një takim me komunitetin shqiptaro-amerikan në Nju-Jork diku në vitet e 70-dhjeta, disa vite para se Nënë Terezës ti jepej çmimi Nobel për paqen dhe të bëhej e njohur në gjithë botën. (Sipas arkivave vizita e parë e regjistruar e Nënë Terezës në kishën shqiptare në New York është në vitin 1972). Aq e madhe ishte influenca e Dom Zef Oroshit sa ta ftojë Nënë Terezen në mënyrë zyrtare në komunitetin shqiptaro-amerikan në Nju-Jork ku për nder të saj organizoi edhe një meshë madhështore në të cilën morën pjesë mijëra shqiptarë nga të gjithë anët e Amerikës dhe Kanadasë!

Ky veprim prej atdhetari të flaktë nga Dom Zef Oroshi ishte dhe mbeti si një akt patriotik, sepse atë ditë shqiptarët, patën rastin, nderin dhe kënaqësinë e veçantë të njihen për së afërmi me Nënë Terezën. Sa herë bie në kujtesë kjo meshë thuhet se ka mbetur si një ndër kujtimet më të shkëlqyera për të gjithë shqiptaro – amerikanët falë asaj jehone të madhe që gëzonte kjo nënë shtat vogël por me zemër të madhe prej shqiptareje nga e cila krenoheshin të gjithë për humanizmin e pashoq dhe fuqinë e besimit të saj në fe. Veç Nënë Terezës Dom Zef Oroshi me misionin e devocionit si përfaqsues i Kishës Katolike Shqiptare në Amerikë e njëkohsisht si themeluesi i kishës së parë katolike shqiptare në SHBA (New York) udhëtoi deri në Romë i ftuar në një takim zyrtar nga Papati në Vatikan. Në takimin që pati me Papa Palin e VI Dom Zef Oroshi i dhuroi Papës edhe Ungjillin në gjuhën shqipe, të përkthyer nga vetë Dom Zefi.

Po kush ishte Dom Zef Oroshi?

Dom Zef Oroshi i pagëzuar me emrin Zef Çoku, lindi me 23 nëntor 1912 në një familje fisnike në Orosh të Mirditës fare pranë Derës së Gjomarkajve ku ruheshin me fanatizëm zakonet dhe traditat e lashta të mirditorëve. Mësimet e para i mori në vendlindje, në shkollën shqipe të hapur aso kohe nga Abati i Mirditës. Në vitin 1927 Dom Zefi vazhdoi studimet në Seminarin e njohur të Jezuitëve në Shkodër. Nën kujdesin e veçantë të mësuesit të tij udhëheqës Dom Ndre Mjedja. I etur për fe dhe dije të thella bashkëkohore, si dhe kulturë të pasur Perëndimore, në vitin 1936 Dom Zefi filloi studimet e larta të teologjisë dhe filozofisë në Romë të Italisë, ku njeri nga mësuesit e tij, të atëhershë ishte At’Gjergj Fishta të cilin e adhuronte pa masë pasi kishte deshmuar botërisht origjinën e tij nga Mirdita duke thënë se: “Trojet e të parve në Mirditë,,as si kam shit’-as Falë” dëshmi të cilën Dom Zef Oroshi e ka botuar në “Shejzat” e Ernest Koliqit.

Ndërkohë pushtimi i Shqipërisë nga Italia Fashiste me 7 prill 1939
e veshi Dom Zefin me një mdhef të madh aq sa të lubonte në Romë kunder ketij pushtimi, duke mbajtur me vete flamurin nacional të Gjergj Kastriotit për të treguar se Italia po pushtonte vendin e Gjergj Kastriotit i cili mbrojti kufijtë e Italisë, që turqit mos të zbarkonin nga Shqipria! Megjithatë Ai vijon studimet e larta të filozofisë e të teologjisë pranë Universitetit Papnor ‘Urbaniana’ të “Propaganda Fides” ku arriti të zotëronte disa gjuhë të huaja, si: latinishten, italishten, greqishten e vjetër dhe të re, gjermanisht dhe anglishten me shkrim e gojë.

Me 23 mars 1940 Dom Zef Oroshi shugurohet si meshtar dhe kthehet në Shqipëri, ku emërohet të shërbejë si sekretar i Abatit të Mirditës me Mons. Frano Gjinit , po kështu shërbente si meshtar në bashkësinë Kishtare në Ungrej. Ardhja në pushtet e Enver Hoxhes nuk mund ti linte dorë të lirë as këtij meshtari zemër luan të etur “Për fe e Atdhe”. Në vitin 1951, ndërsa po kremtonte Meshën Shenjte në Kishën e Ungrejt të Lezhës do të ndodhte edhe përplasja e parë. Njerëzit famëkeq të regjimit komunist me Toger Babën në krye, hyjnë në Kishë për të arrestuar Dom Zefin por me ndihmën e besimtarëve të kësaj famullie arriti të dalë nga dera e pasme e Kishës për tu arratisur në mal.

Arrati që zgjati tetë muaj përgjatë gjithë atij dimri të egër që ishin të zakonshëm aso kohe.Pak kohë para se të vendoste largohej përfundimisht, në një fshehtësi të plotë në pyllin e Molungut në fashatin Berzane duke rrezikuar kështu edhe jetën Dom Zef Oroshi kremtoi Meshën e Mundimeve të Jezu Krishtit, të Dielën e Larit, dhe njëkohsisht “meshën e dritës”, për 14 luftëtarët e lirisë të vrarë nga regjimi, me zë cilin kishin vendosur të luftonin deri në pikën e fundit të gjakut kundër vendosjes së regjimit komunist e ateist në Shqipëri. Frika e madhe për të mos fajsuar besimtarët dhe të afërmit për bashkëpuntor, i rrezikuar me jetë dhe i kërkuar kudo nga forcat e sigurimit komunist detyrohet të thyej kufinjt e Shqipërisë e të arratiset jasht Atdheut. Natën e fundit përpara se të largohet “Meshtari Guximtar” pagëzoi me dorën e tij edhe të porsalindurin e fundit në Atdheun e tij të ndaluar përgjithmonë nga regjimi komunist për pjesën e mbetur të jetës së tij tokësore. Pasi detyrohet të largohet nga vendlindja me shumë vështirsi ndjek rrugën nga Mirdita për në Mitrovicën e Kosovës, duke u plagosur trup e në gushë gjatë perplasjeve me forcat e regjimit.

Menjëherë sapo kalon në Jugosllavi, Dom Zef Oroshi regjistrohet si arratisur dhe kërkon strehim politik. Gjatë qëndrimit të tij në Jugosllavi Dom Zefi regjistrohet dhe vazhdon studimet në Beograd nga nëpërmjet kishës më pas kalon në Itali ku mbaroi doktoratën në teologji e histori, duke studiuar nga afër veprimtarinë e Kishave katolike në Irlande gjatë shekullit 12-të. Gjatë qëndrimit të tij në Romë ku ushtron edhe detyrën e meshtarit Dom Zef Oroshi punoi edhe në zyrat e emigracionin ku ndihmoi shumë shqiptar që largoheshin nga vendlindja për të shpëtuar nga persekutimi i regjimit komunist. Falë njohjeve të shumta Dom Zefi dha një ndihmë të pa shlyer për këta emigranta shqiptar në këto kohë të vështira ku shumë prej tyre u pajisen me dokumente dhe leje qëndrimi për ato shtete ku dëshironin të shkonin, sipas rregulloreve e ligjeve të kohës, në Shtetet demokratike evropjane.
Largimi i tij nga Italia drejt SHBA -së në vitin 1962 ishte një sfidë më vete pasi integrimi nuk ishte dhe aq i lehtë, sidomos për ambicjet e tij si një atdhetar ku jetën e vet e kishte vënë në shërbim të kombit. Pa humbur kohë Dom Zef Oroshi nisi punën për afrimin dhe bashkimin e komunitetit shqiptar në SHBA e posaçërisht në New York, duke krijuar së pari Lidhjen Katolike Shqiptare në Amerikë. Pas shtatë vitesh pune të pandalshme arriti që Natën e Shenjtë të Krishtlindjes së vitit 1969 me kremtimin e Meshës së Shenjtë të përuronte Kishën e parë katolike shqiptare në Amerikë, të njohur botërisht si “Kisha e Zonjës së Shkodrës” në New York. Me këtë akt duhet të besojmë vërtetë se Dom Zef Oroshi luftoi shumë për mbrojtjen dhe organizimin e bashkësisë shqiptare të diasporës, pa dallim e pa përjashtim. Dom Zef Oroshi me besimin e pa lëkundur “për fe e atdhe” ka patur marrëdhënie vëllazërore edhe me Kishën ortodokse shqiptare të themeluar nga peshkopi shqiptar Fan Noli si dhe me bashkësinë islame shqiptare të diasporës amerikane dhe me të gjithë ata që vepronin për të mirën e kombit shqiptar e për Atdhe. Kjo ka ba që shumë autor pa dallim feje e krahine të shkruajn për Dom Zef Oroshin, jetëshkrime dhe libram monografik të cilët e ngrejnë shumë lart figurën e Tij.

Veç këtyre Dom Zef Oroshi ishte pjesë e Këshillit Drejtues të Organizatës Panshqiptare “VATRA” të Amerikës. Ai shkruante dhe botonte shkrime në shtypin shqiptar të diasporës në të cilat mbronte dhe kultivonte vlerat shqiptare, në demokracinë më të madhe të botës, në shoqërinë e lirë siç ishte e është ajo amerikane. Në fushën atdhetare e kulturore dom Zef Oroshi bashkëpunoi shumë me shkrimtarin prof. Ernest Koliqin, prof. Karl Gurakuqin, At’ Danjel Gjeçaj, At Zef Valentinin, Dom Prek Ndrevashën e shumë personalitete tjera. Për më tepër mbi figurën e madhe të prelatit shqiptar Prof. Karl Gurakuqi në revistën e mirënjohur “Shejzat” (le pleiadi) Xi, 1967, 1 4, f.31 vlerëson: DOM ZEF OROSHI: Nji arkitekt e sculptor shqiptar i Rilindjes në Dalmaci ” Andrea di Nicolo Alessi da Durazzo”. (Shejzat, Vjeti II i botimit (1958), faqe 34,39). Në nënshkrimet e tij shohim shpesh se Dom Zefi përdor referenca nga artikujt shkencorë sidomos në revistat “Shejzat”, gazetën “Dielli”, duke përdorur madje edhe pseudonimet Theologu, Zodiaku etj.
Më 15-mars të vitit 1989 Dom Zef Oroshi ndërroi jetë në spitalin Albert Einstein të New York – ut duke marrë me vete gjithë brengat e tij për atdheun dhe krenarinë e të qënit shqiptar, e lënë pas një kontribut që mban emrin e pavdekshëm të Dom Zef Oroshi. Të nesërmen, një ditë pas vdekjes dhe pikërisht me 16 mars 1989 gazeta “The Nju York Times” botoi një shkrim të detajuar për vdekjen e këtij meshtari shqiptar, duke vënë në dukje veprimtarinë e tij fetare dhe kombëtare si nënshtetas me virtyte larta sociale për shtetin dhe popullin shqiptar dhe atë Amerikan. Që prej asaj kohe komuniteti shqiptar në ShBA e veçanërisht, ai i përkatësisë fetare katolike, e përkujtojë gjithnjë me nderim këtë meshtar, dijetar e atdhetar shqiptar, që tërë jetën e tij e jetoi duke punuar e vepruar për të mirën e çështjes së Atdheut. I përjetshëm qoftë kujtimi i tij!

Filed Under: Komente

DAILY EXPRESS (1939) / “MIJËRA SHQIPTARË BESNIKË ENDE SHPRESOJNË QË SË SHPEJTI TË KTHEHEMI SI MBRETI DHE MBRETËRESHA E TYRE…” — INTERVISTA EKSKLUZIVE ME MBRETËRESHËN GERALDINË NË STOKHOLM

December 27, 2024 by s p


Geraldina pret fotografin

Ndërsa Mbreti Zog priti dje gazetarët, mbretëresha Geraldinë u “intervistua – fotografua” nga fotografi i Daily Express në Stokholm. Ai është fotografi i parë që pritet zyrtarisht që kur mbretëresha e re u detyrua të ikte nga Shqipëria me foshnjën e saj, atëherë vetëm disa ditëshe. Fotot tregojnë se sa mirë është tani nga kalvari i udhëtimit të saj tetëmbëdhjetë orësh në rrugët me gunga drejt Greqisë. “Isha shumë e sëmurë,” i tha ajo Hilde Marchant-it të martën, “dhe nuk e dija vërtet se çfarë po ndodhte. Fëmija qau gjatë gjithë kohës… Tani ai është mirë.” – Burimi : Daily Express, e enjte, 20 korrik 1939, faqe n°3.


Nga Aurenc Bebja*, Francë – 27 Dhjetor 2024

“Daily Express” ka botuar, të mërkurën e 19 korrikut 1939, në ballinë dhe faqen n°3, intervistën ekskluzive asokohe me Mbretëreshën Geraldinë në Stokholm, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Mbretëresha Geraldinë rrëfen historinë e saj

Burimi : Daily Express, e mërkurë, 19 korrik 1939, ballinë dhe faqe n°3
Burimi : Daily Express, e mërkurë, 19 korrik 1939, ballinë dhe faqe n°3

Geraldina me bashkëshortin e saj ish-Mbretin Zog zbarkuan dje në Stokholm. Foto e Daily Express.

Burimi : Daily Express, e mërkurë, 19 korrik 1939, ballinë dhe faqe n°3
Burimi : Daily Express, e mërkurë, 19 korrik 1939, ballinë dhe faqe n°3

Zogu ka kurorën në një valixhe

Dhe gruaja e tij thotë : “Dua një jetë të qetë në Angli me fëmijën tim”

Nga Hilde Marchant

Stokholm, e martë.

Ahmet Zogu i Shqipërisë, ish-rebel, ish-mbret, është duke shkuar për në Angli me kurorën në valixhen e tij për të udhëhequr jetën e një zotërie anglez.

Ndërkohë, ai është vendosur me gruan e tij, Geraldinën, në suitën e dytë më të mirë, (18 £ në ditë) të një hoteli në Stokholm, me pamjen mjaft magjepsëse të pallatit të Mbretit të Suedisë përtej lumit.

Suita më e mirë është rezervuar nga një turist amerikan.

Zogu ende shpreson. “Unë jam ende një fuqi politike.” — thotë ai.

Këtë mbrëmje me truprojën shqiptare rreth meje fola me ish-mbretëreshën në sallonin e suitës së tyre. Ajo flet me një theks të çuditshëm amerikano-shqiptar. Ajo po pret të vijë me padurim në Angli.

“Ne do të vendosemi atje. Anglezët kanë zemra të ngrohta dhe unë i kam dashur gjithmonë. Atje do të jemi në gjendje të jetojmë të lumtur dhe të qetë dhe ta rrisim fëmijën tim ashtu siç duam.”

Më pas, pas një reagimi të shkurtër të sekretarit, ajo shtoi : “Sigurisht, ne nuk planifikojmë të vendosemi për një kohë të gjatë. Shpresojmë të kthehemi shumë shpejt në Shqipëri. Burri im po punon që Shqipëria të rifitojë pavarësinë dhe ne do të kthehemi e të kurorëzohemi.”

Ndërkohë ata do të vendosen në Angli. “Ne duam një pronë jashtë Londrës. Gjithmonë kam dashur të udhëtoj dhe, mbi të gjitha, të shoh Anglinë, por kurrë nuk kam shpresuar se do të ishte krejt kështu.”

Mbretëresha Geraldinë kishte veshur një fustan të bardhë dhe bizhuteritë e saj e vetme ishin disa kapëse moderne me diamante.

Burimi : Daily Express, e mërkurë, 19 korrik 1939, ballinë dhe faqe n°3
Burimi : Daily Express, e mërkurë, 19 korrik 1939, ballinë dhe faqe n°3

“Më duhej të lija gjithçka në pallat. Unë arrita të paketoja vetëm një valixhe. Nuk munda t’i merrja të gjitha bizhuteritë e mia, mora vetëm dy-tre sende që më kishte dhënë burri.”

“Isha shumë e sëmurë gjatë rrugës dhe më duhej të hipja në barelë dhe nuk isha plotësisht e sigurt se çfarë po ndodhte. Foshnja qau gjatë gjithë kohës, humbi peshë dhe u sëmur. Patëm frikë për të. Por ai u shërua shpejt kur unë ndalova së udhëtuari.”

Djali i saj i vogël ishte tre ditësh kur ajo u largua nga Shqipëria.

“Tani mjekët thonë se ai po gjallërohet. Ai ka shtuar peshë dhe nuk qan më.”

Fëmija është i bukur me sy blu të ndezur. Një kirurg suedez materniteti e pa sot atë dhe tha se ishte po aq i rëndë në peshë sa çdo foshnje për moshën e tij.

Mbretëresha Geraldinë, njëzet e tre vjeç, naive dhe me stil amerikan, ka entuziazëm të madh. Ajo u shërua shpejt nga tragjedia e arratisjes së tyre – tetëmbëdhjetë orë me makinë mbi rrugët me gunga malore për në Greqi – kur italianët hynë në Shqipëri.

Mbreti Zog, megjithatë, luan rolin e të Burgosurit modern të Zendas. Kur zbriti nga anija në portet e Stokholmit, ai dha përshëndetjen mbretërore shqiptare – duke e vënë krahun në gjoks.

Ai kishte ecur drejt urës së këmbësorëve që të çonte në breg, sikur do të shkonte në teatër për të parë një shfaqje. Ai qëndroi në këmbë për të marrë duartrokitje, por turma heshti.

Mbreti, i veshur me një kapelë marinari, xhaketë sportive blu dhe këmishë të bardhë, përshëndeti dhe mbretëresha tundi me dorë. Pas në heshtjeje të vdekur hynë në doganë.

Më pas katër motrat e Zogut zbritën në pasarelë me vello në kapelet e tyre të anuara dhe me lule në krahë.

Valixhja e re

Pas tyre, një valixhe krejt e re prej lëkure viçi, një nga butonat e të cilës ishte hapur. Ajo përmbante pasurinë dhe kurorën e Zogut. Ai e paguan udhëtimin e tij në mërgim me ar të lashtë, monedha të vjetra shqiptare dhe bizhuteri që i futi në valixhe para se të ikte.

Kur mbretëresha më foli më vonë, ajo tha : “Mbreti arriti të shpëtonte disa relike nga pallati, por ai madje duhej të linte rrobat tona pas.”

E pyeta nëse i pëlqente të bënte një jetë private. Ajo u përgjigj : “Më pëlqen. Tani do të vendosemi në një jetë të qetë familjare. Sigurisht që këtë e kisha në Shqipëri, megjithëse kisha disa ceremoni publike për të bërë. Pavarësisht gjithçkaje, unë preferoja të qëndroja në shtëpi.”

Për një çift të sapomartuar, ata janë të rrethuar nga familjarë të shumtë. Katër motrat e ndjekin çiftin kudo që shkojnë. Edhe ato presin të kthehen në Shqipëri, ku kanë qenë kapitene në ushtrinë e grave.

Ish-mbretëresha Geraldinë u sëmur gjatë udhëtimit nga Riga në Stokholm. Ishte një udhëtim i vështirë dhe ajo mbërriti shumë e zbehtë, flokët i binin në fytyrë.

Ajo kishte veshur një pallto të bardhë të lehtë dhe një fustan të thjeshtë me stampa. Sapo mbërritën në hotel, një “manikyre” dhe një parukiere erdhën për t’i parë dhe ish-Mbreti Zog solli një berber. Rrobat e tyre ishin të gjitha të hekurosura nga një shërbëtor.

Sa herë që ndonjë nga shërbëtorët kalonte në dhomë, ata kontrolloheshin nga truproja që ishte ulur jashtë derës.

Këta burra janë besnikë. Ata janë anëtarët e oborrit mbretëror shqiptar që e ndoqën Zogun në ekzil.

Ata u përpoqën që suita e hotelit të dukej si një oborr mbretëror. Ata mbanin një shërbëtor në derë gjatë gjithë kohës dhe sillnin tufa me trëndafila në dhomë.

Lulet ishin kryesisht nga konsulli shqiptar, z. Gordland, agjent i sigurimit të transportit detar, i cili ende e mban titullin me dinjitetin më të lartë.

Kur mbretëresha Geraldinë e kaloi ditën me shërbëtoren e saj dhe manikyristen, ajo dukej një foto krejt ndryshe. Ajo është e gjatë, e hollë dhe e bukur.

Burimi : Daily Express, e enjte, 20 korrik 1939, faqe n°3
Burimi : Daily Express, e enjte, 20 korrik 1939, faqe n°3
Burimi : Daily Express, e enjte, 20 korrik 1939, faqe n°3
Burimi : Daily Express, e enjte, 20 korrik 1939, faqe n°3
Burimi : Daily Express, e enjte, 20 korrik 1939, faqe n°3
Burimi : Daily Express, e enjte, 20 korrik 1939, faqe n°3

Por ajo më tha : “Nuk bëhet fjalë që ne të shkojmë në Hollywood. Unë nuk do të bëj një film, dhe burri im nuk do të shkruaj një libër.”

“Mijëra shqiptarë besnikë ende shpresojnë që së shpejti të kthehemi si mbreti dhe mbretëresha e tyre dhe të ruajmë dinjitetin tonë për ta. Bashkëshorti im dhe unë do të donim të shihnim sërish Shqipërinë.”

Ndërkohë, princi i vogël flinte një kat më lart, në një dhomë në qoshe. Kur hyri në hotel dhe u përkëdhel nga turistët amerikanë, ai vetëm qeshi.

Djepi i tij, i mbuluar me një mbulesë anti-pluhuri, e ndoqi në një tjetër taksi.

Gjëja e parë që bënë dadot e tij ishte ta ushqenin dhe më pas ai shkoi të flinte gjithë pasditen. Ai është i vetmi person i lumtur dhe i pashqetësuar në të gjithë grupin, megjithëse me siguri do të rritet një pretendent i ri mjaft i pakënaqur.

Filed Under: Kulture

VATRA BOSTON VIZITOI KISHAT ORTODOKSE SHQIPTARE NË BOSTON ME RASTIN E KRISHTLINDJES

December 26, 2024 by s p

Kryetari i VATRES në Boston, z. Mentor Maksutaj, vizitoi sot dy kryekishat ortodokse shqiptare në Boston, për të përcjellë urimet e VATRES me rastin e Krishtlindjeve.

Z. Maksutaj, gjatë vizitës në Katedralen Ortodokse Shqiptare të Shën Gjergjit, u takua me Hirësinë e Tij, peshkopin Nikodhim Preston, i cili drejton Kishën Autoqefale Shqiptare, të njohur ndryshe mes shqiptarëve si Kisha e Fan S. Nolit. Gjatë takimit, z. Maksutaj përcolli urimet më të mira për besimtarët e kësaj kishe dhe për vetë peshkopin Nikodhim, i cili falënderoi kryetarin e VATRES për vizitën.

Më pas, z. Maksutaj vizitoi edhe Kishën Ortodokse Shqiptare “Shën Trinia” në Boston, ku u takua me peshkopin e Filomilisë dhe të Dioqezës Ortodokse Shqiptare të Amerikave, Hirësinë e Tij, peshkopin Theofan Koja. Gjatë vizitës, kreu i VATRES së Bostonit z. Maksutaj uroi besimtarët dhe peshkopin Theofan, për shumë mot krishtlindjet e qofshin këto ditë feste të gëzueshme për të gjithë besimtarët!

Gëzuar Krishtlindjet!

Filed Under: Analiza

“GJERGJ KASTRIOTI SKËNDERBEU” – DITAR DIPLOMATIK – KRYQTARI I FUNDIT

December 26, 2024 by s p

ASLLAN  BUSHATI/

”Gjergj Kastrioti Skënderbeu” ditar diplomatik, (Kryqtari i fundit) të intelektualit të nderuar Ambasador Virgjil Kule, i cili në gjykimin tim është nga punimet më serioze dhe elitare të kohëve të fundit për Atin e Kombit tonë Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

Zoti Kule ka lindur në vitin 1952 dhe është gazetar, shkrimtar,historian e diplomat. Ka studiuar për gazetari ndërkohë që ishte edhe nga folsit e parë të TVSH, ku punoi për një kohë të gjatë përfshi edhe si drejtor i institucionit. Më pas u angazhu si vullnetar në një degë të një organizate humanitare holandeze ku realizoi dokumentar studimor në shumë vende të botës. Zotron disa gjuhë të huaja dhe ka përkthyer në shqip e anasjelltas vepra letrare e shkencore. Është nga specialistët më të shquar të fushës së komunikimit dhe ndërveprimit kulturor. Ka shërbyer si ambassador i Republikës Shqipërisë në Suedi, Norvegji, Finlandë dhe Islandë, ku ka kontribuar për intensifikimin e marrdhënieve miqësore të Shqipërisë me këto vende  si dhe promovimin e vlerave të mërgatës shqiptare atje. Kohët e fundit është bërë pjesë e komunitetit tonë shqiptaro- amerikan me vendbanim në NJ (Nju Xhersi).

Studimi i tij “Kryqtari i fundit” u paraqit para pubikut shqiptar në vitin 2012 në 100 vjetorin e Pavarsisë së Shqipërisë. Gjatë këtyre viteve ky studim ka patur shumë promovime. Për këtë punim janë prononcuar shumë intelektualë, disa prej të cilëve personalitete të elitës kulturore e shkencore të Shqpërisë. Madje edhe autoritete jo shqiptare të fushave të historisë e diplomacisë janë shprehur me shumë konsideratë për punimin e Zotit Kule.

Promovimi i sotëm nuk ka as pretendimin më të vogël për tu barazuar me sa më lart, e për të përsëritur vlerësimet shumë të spikatura të të tjerëve. Por ka si qëllim përcielljen e një respekti shoqëror ndaj autorit Virgjil Kule si intelektual me formim të gjërë e i ardhur kohët e fundit në mërgatën tonë shqiptare të Amerikës. Në të njejtën kohë edhe për të përciellë disa  njohuri më të themelta, e të dokumentuara  të fushës  së diplomacisë, duke qëndruar larg hiperbolizimeve e fatazirave pa baza reale historike për Gjergj Kastriotin Skënderbeun.

Studimi, rrok periudhën 1443 – 1467 në formatin e një ditari. Është mbështetur mbi 100 dokumenta bazike dhe qindra e qindra citime autentike i përmasave mbi 500 faqe. Ai është shkruar me një gjuhë të pasur e të kuptueshme, me fjali  të shkurtëra  e pa stërhollime, duke i qëndruar besnik devizës “publikim i të vërtetave dhe vetëm të vërtetave të dokumentuara”.

Në studim jepen të dhëna për politikat osmane të asaj kohe, të grumbullimit të fëmijve kristian të moshës 8-15 vjec nga Ballkani.  Mënyrat e përzgjedhjes e trajnimit të tyre në shkollën më të mirë të kohës, në Edirne e në pallatin e Topkapisë së Sulltanit, në të cilën është arsimuar edhe Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

Gjenialiteti që tregoi më vonë Skënderbeu tregon për një përgatitje arsimore shumëvjecare të nivelit të lartë. Ky arsimim- thuhet në studim- bëhej si për karjerën ushtarake dhe administrative. Shkolla kishte specifikë edhe veshjen e dallueshme të të përzgjedhurve me: jelek, callmë, xhybe etj.

Pas gradimit ekselent në shkollën e mësipërme, Skënderbeu u provu nën mbikqyrjen e Sulltanit, në  shumë beteja ushtarake dhe drejtim administrativ ku shkëlqeu sa thuhet se “Sulltani e shikonte si rival i rrezikshëm për pushtetitn e tij”.

Skënderbeu  duke qenë hulumtues dhe vizionar- thuhet në studimin e Zotit Kule,   dalloi me shumë kujdes pikat e forta e të dobëta  të funksionimit të veprimtarisë ushtarake e administrative të Perandorisë Osmane . Kjo e paisi ate me një përvojë të madhe për të ardhmen e tij në fushbetej,  administrim, dhe vecanërisht në diplomaci me të cilën u ballafaqu sukseshëm me Papën, Venedikun, mbretëritë e Napolit, Milanit, Raguzës, Hungarisë, Serbisë, Portën e Lartë dhe me princat e fisnikët shqiptarë.

Në pranverën e vitit 1443, Skënderbeu ndodhej në përbërje të komandës ushtarake osmane në frontin e Nishit (por jo eprori më i lartë). Ai prej kohësh e shihte me simpati kryqëzatën e drejtuar nga Janosh Huniadi i Hungarisë kundër osmanëve dhe kishte formuluar në kokën e tij idenë e hapjes së një fronti të dytë në Ballkan për largimin e osmanëve nga këto hapsira kristiane (katolike e ortodokse).

Nisur nga kjo ide ai intensifikoi marrdhëniet me Huniadin, përzgjodhi mbi 300 kalorës shqiptar nga më besnikët e tij dhe në tetor-nëntor 1443 së bashku me nipin Hamza Kastriot këthehet në Arbëri. Më 28 nëntor të atij viti ngriti në Kështjellën e Krujës flamurin e kuq me shkabën dykrenare të cilin e mbajmë edhe sot. Që nga kjo ditë ai shpalli si parësore fushatën për këthimin në kristianizëm dhe nevojën e përgatitjes për luftë kundër osmanëve pushtues.

Hapi parë në funksion të strategjisë tij të mirmenduar ishte Kuvendi i princave dhe fisnikëve shqiptar më 2 mars 1444 në Katedralen e Shënkollit në Lezhë e cila sot njihet si “Beslidhja e Lezhës”. Ky Kuvend minimalisht siguroi dy elementë të strategjisë Skënderbeut: 1- bashkimin e barabartë për luftë kundër osmanllinjëve dhe 2- krijimin e një ushtrie me pagesë në kufijt e 20 mijëve. Këto ishin hapa të rëndësishëm strategjik, por të pa mjftueshëm se Skënderbeun nuk e njihte askush me tituj e grada . Madje intrigat e mbretërive italike e ballkanike akoma e quanin turkoshak të pa besueshëm. Këto qëndrime dhe mllefi i Sulltanit kundër tij, sollën tradhëtinë e Moisi Golemit në Dibër, të Muzakës në Berat, pa qëndrueshmërinë e  Pal e Lekë Dukagjini dhe mbi të gjitha  tradhëtia e nipit të tij Hamza Kastrioti.

Zgjidhja e problemeve të më sipërme, gjendet e shtjelluar bukur  e me dokumenta në punimin e Zotit Kule duke pikasur hap pas hapi plotesimin e qëllimit të Skënderbeut. Po të shtojmë këtu edhe fitoret e brendëshme në betejën e Torviollit, Albulenës dhe në thyerjen e sulmeve osmane disa mujore në Kështjellën e Krujës deri në humbjen e betejës prej tyre, del se shtohen pikët për strategun arbnor. Po ashtu disa rrethana ndërkombëtare i erdhën në mbështetje strategjise së tij. Mund të përmendim humbjen katastrofike të frontit verior drejtuar nga Huniadi, rënia e Stambollit si kryeqendra e Bizantit më 29 maji 1453, paqa e përkohëshme e venecianëve me Portën e Lartë, bënë që Skënderbue të forconte pozitat brenda e jashtë Arbërisë.

Kjo mini tablo (e përshkruar në detaje në ditarin  diplomatik të Virgjil Kules), i hap rrugën Skënderbeut të kapërcejë Adriatikun, të luftojë e fitojë për forcimin e pushtetit të Mbretit të Napolit, të marrë gradën e gjeneralit, të fitojë simpatinë e mbështetjen monetare e material të: Papës, Venedikut, Napolit, Milanos, Raguzës, Hungarisë, Serbisë e princave arbënor. Por mbi të gjitha kjo i shërbeu strategut arbnor të inicionte tek mbretëritë e fuqishme nevojën e një koalicioni (kryqëzate) kristiane ballkanike përqndruar në lindje të trojeve arbërore, duke aluduar qënien e tij në krye të këtij formacioni.

Një aspekt  tjetër i rëndësishëm që i shërbeu Gjergj Kastriotit  për forcimin e pozitave të tij, ishte lidhjet martesore që ai bëri brenda e jashtë Arbërisë. Këto ishin dukuri normale të kohës, por zgjedhja ishte taktikë në interest të strategjisë e cila del në pah në studimin e Zotit Kule.

Themelin e studimit të Ambasadorit Virgjil Kule e bën përqëndrimi tek marrveshet dhe traktatet që lidhi Skënderbeu. Nëpërmet tyre në studim dalin në pah vizioni për të ardhmen si strategji, mundësitë e momentit e të perspektivës, përfitimi i ndihmave material e monetare dhe mbi të gjitha ato etike morale e publike që kanë të bëjnë  me gjeneralitetet publike shumë të rëndësishme për kohën.

Vlerësuar nga arritjet në fushbetejë dhe lëvizjet diplomatike, në vjeshtën e vitit 1454 krijohet “poli i ri ushtarak i Arbërisë” pjesë thelbësore e strategjisë së Skënderbeut. Mbështetja material nga fuqitë kryqtare të kohës  dhe placka e luftës,  shtuan rezervat e prapavijës ushtarake. Këto krijuan mundësi për një profesionalizën më të mirë të ushtrisë Arbnore duke marrë specialist të trajnimit ushtarak nga vendet më të zhvilluara kryqtare të kohës. Këto mundësuan gjithashtu fitoret në betejat e ardhëshme ushtarake kundër pushtuesve osmanë nga Skënderbeu. Por jo vetëm kaq, se më 17 maji 1464 Senati i Venedikut i njeh atij titullin: ”Princi i Matit dhe mbreti i shqiptarve”, titull të cilin e kishte ëndërruar që në fillimet e veprimtarisë tij kundër Portës së lartë.

Të nderuar miq, studimi i Ambasadorit Virgjil Kule, është shumë dimensional dhe i rëndësishëm për të kuptuar brendinë e kohës dhe formësimin e Gjergj Kastriotit Skënderbeut si gjeneral dhe burrë i madh shteti për kohën që jetoi. Për të kuptuar gjenialitetin e tij si figurë, si bir i Arbërisë dhe Ati i Kombit tonë, Atlet i krishtërimit dhe mbrojtës i kulturës europiane nga shkatrrimet osmane. Studimi është një gurë i rëndësishëm në themelet e historisë e kulturës shqiptare, një dokument bazik në duart e gjeneratave të së ardhmes dhe një model i të shkruarit bukur, me kulturë e vërtetësi dhe pa lajthitje e fantazira boshe. Ai të pajis me dijeni e kulturë për kohën që merr në studim dhe është i domasdoshëm  në sensin e formimit atdhetar me gjak arbnor.

Filed Under: Analiza

Rikthimi i Kryeministrit të Shqipërisë Etnike Mustafa Merlika Kruja në Krujë

December 26, 2024 by s p

Nue Oroshi/

Është një ditë e madhe për mbarë shqiptarinë. Është ditë e madhe se po rikthehet firmëtari i Pavarsisë së Shqipërisë dhe Kryeminsitri i Shqipërisë Etnike Mustafa Merlika Kruja. Mustafa Merlika Kruja se bashku me Minsitrat dhe bashkëpuntorët e tij profesor Ernest Koliqin,Kapidan Mark Gjomarkajn, Xhevat Korçën, Engjëll Çobën, Maliq Bushatin, Kolë Bibë Mirakajn, at Anton Harapin, Mehdi Frashërin, Lef Nosin,Dom Zef Oroshin, Xhafër Devëën, Fiqiri Dinen,Rexhep Mitrovicën dhe shumë e shumë të tjerë ishin faqja diellore dhe orientimi perëndimor i politikës shqiptare.
Idenë për vendosjen e monumentit te Mustafa Krujës e dha atdhetari dhe intelektuali shqiptar që jeton në Amerikë Tomë Mrijaj, njeherit anëtar i kryesisë së Shoqatës “Trojet e Arbrit” dhe Koordinator për Amerikë dhe Australi. Ai e paraqiti këtë ide të Shoqata “Trojet e Arbrit” dhe kryesia e shoqates e aprovoj pa asnjë hezitim.Pas aprovimit i kryem edhe procedurat zyrtare ku falënderoj Bashkinë e Krujës për lejën e dhënë.Por një barrë shumë të madhe për këtë vepër e barti edhe Familja Merlika ku shfrytëzoj rastin të falënderoj Eugjen Merlikën nipin e Mustafa Krujës i cili sot e ka ditën më të lumtur të jetës se po e qon në vënd amanetin e gjyshit të tij. Por edhe mbarë familjen Merlika që u angazhua që ky projekt të kompletohët në të gjitha aspektët.
Është dashur të pritet plot 32 vite që në Shqipëri të filloj renia e mendesisë komuniste. Edhe pse në Shqipëri ka plot 32 vite që ka ra diktatura komuniste por që fatkeqësisht ende nuk ka ra e plotë edhe mendësia komuniste.Mendësia komuniste është edhe më e rrezikshme se diktatura komuniste në Shqipëri dhe trojet shqiptare. Kjo mendesi ra fillimisht në Lezhë kur në bronz u kthye atdhetari dhe prifti i cili kur u rrezikua Shqipëria, la petkun e priftit dhe kapi pushkën e doli iu bashkua lufëtarëve në malët e Shqipërisë dr.Monsinior Zef Oroshi.Kjo mendesi ra edhe në Peshkopi kur u kthye në bronz zv. Komandanti i Fuqive të armatosura kombtare Halil Alia.
Kjo mendësi ra edhe në Klinë kur u kthye heroi Ndue Përlleshi,në Pejë kur u kthye në bronz heroina Marie Shllaku.Kjo mendesi po bie edhe sot në Krujë se po rikthehet në bronz burri më i madh që dha Kruja në shekullin njëzet. Por fatkeqësia është se kjo mendesi vazhdon të mbetët ende në Shkodër dhe në shumë qytete të tjera të Shqipërisë.Edhe sot e asaj dite Shkodra djepi i kulturës dhe demokracisë shqiptare që dha heronj për të ardhur demokracia në Shqipëri ka mbetur me mendësi komuniste dhe nuk po bën ballë që këshilli bashkiak dhe Kryetari i Bashkisë aty të na jap lejën që ta vendosim monumentin e Komandantit të Përgjithshëm të fuqive të armatosuna shqiptare Kapidan Mark Gjon Markut, përkunder dy kërkesave që kemi bërë mbrenda tri vitesh. Kurse Prishtina veçëse ka dhënë shenja që të na jep lejën për monumentin e profesor Ymer Berishës. Shoqata “Trojet e Arbrit” në këto 20 vite ka mbajtur 35 sesione shkencore dhe akademi ka botuar 30 vepra enciklopedike për nacionalizmën shqiptare dhe ka vendosur katër monumente në këto katër vitet e fundit, duke punuar shumë 160 intelektualë shqiptarë nga të gjitha viset etnike shqiptare dhe mërgata atdhetare për të sjellur në vendin e duhur heronjët e Shqipërisë Etnike.
Të nderuar pjesëmarrës,
Unë sot këtu para jush do ta paraqes vetëm një dokument të arkivit të Vjenës që është një memorandum i nënshkruar nga Don Nikollë Kaçorri, Mustafa Asim Kruja, Rexhep Mitrovica, Fuad Toptani, Murad Toptani, Salih Gjuka dhe Bedri Pejani,dërguar Mbretit dhe Perandorit të Austro-Hungarisë Franz Jozefit më 12 Nëntor 1912. Njëri ndër miqtë më të mëdhënj të kësaj periudhe kohore është edhe Mbreti i Austro-Hungarisë Franz Jozefi i cili kishte ndihmuar dhe përkrahur pa ndërprerë themelimin e shtetit të ri shqiptarë.Vetëm gjashtëmbëdhjetë ditë para se të shpallej Pavarsia e Shqipërisë Imzot Nikollë Kaçorri kishte përpiluar një Memorandum për Perandorinë dhe Mbretin e Austro – Hungarisë Franz Jozefin e I. Memorandumi është i firmosur nga drejtuesit kryesorë të komitetit të përgjithshëm të kryengritës së Shqipërisë së Mesme, të kryesuar nga Nikollë Kaçorri Prift , Mustafa Asim Kruja , Rexhep Mitrovica , Fuad Toptani , Murat Toptani , Sali Gjuka dhe Bedri Pejani. Memorandumi i është dorëzuar Konsullit Austriak në Durrës, Rudnay i cili së bashku me memorandumin , dërgon në Ministrinë e Jashtme në Vjenë, personalisht për Ministrin e Jashtëm Leopold Grafen Berchtold me shënimin “shumë konfidenciale”, ashtu siç shkruan në fillim të këtij memorandum:
“Madhnisë të Tii Franz Josefit I
Përandorit e Mbretit të Austro – Magjarisë në Vienë
Shum të vështira e të rrezikshëme jan këto dit per ne Shqyptarët e per nanën t´on Shqypninë qi të kater shtetet e Ballkanve po rrâin me e perpi a me e coptue.
Na me sâ fuqi kena mundohena edhe Përendisë i lutena qi Mbretnia jon të muisi këta anmiq e të na prui prej sish. Por per fat të keq gjasat nuk po na duken fort të mira, e po shohim se shum vende të kater vilajeteve të Shqypnisë, Kosovë, Manastir, Shkodër e Janinë gjinden nden kambë të hueja. Për këtë shkak po marrim lejen m´u sjelle kah Madhnia Jote si Përandorit të nji Përandorisë të madhe, qi asht ma e afermia e jonë e ka piesë në Ballkan me Bosnie –Herzegovinë, e me Ju lutun qi në çeshtjet të Ballkanve të merret parasysh edhe Shqypnia në mënyrë qi kufitë e saj mos të përkiten e mos të shtyhen prej kerkuj e qi Shqypnia prej katër vilajetesh permendun sipri me tre milion e sâ Shqyptarë të bahet nji Mbretnië në vehte sikurse të tjerat shtete të Ballkanve, në daç perse Shqyptarët jan nji kambë ma i vjetri ner këta, me nji gjuhe e me zakone fare të veçanta, e gjaku i tyne nuk mundet me paitue kurrsesi me çdo gjak të kombeve qi janë rreth e rrotull; në daç perse nuk do t´ishte e drejtë humbja as voglimi i nji kombi Shqyptarë, i cilli nuk âsht aspak ma i poshtem se kombët e tjera të Ballkanve si per numer, ashtu permendë, si per vjeften morale, me të cillën, sado qi përnji kohe shekuish shum të gjatë kje rrahun në çdo krah e në çdo mënyrë prej shum e shum tallazeshë politike qindroi në kombësië të vet e në zakone të veta, por si nji shkambë i fort në mjedis detit; e kjarishtë e diftoin edhe theroritë e mëdhaja qi Shqyptarëtë hoçën perrain, gjytetërimin, e perparimin e Kombit të vet në këtë kohe të mrame të Tyrqëvet të Rie: në daç edhe perse na duket se nji Mbretnië Shqyptare mban peshën jo vetem të Ballkanve por edhe të gjith shteteve t´Europës, e sidomos në muitm´ubâa, mbas dishirit t´on, njimbretnië e pa anë (neutre), sikurse Belgji e Svizzera. Prej gjithkë tyne shkaqeve e arsynave na e pështesim të tanë shpresën t´one në ma të madhen mirsinë e Madhnisë Tande per të cillën na e gjith kombi Shqyptarë ka për të Jauditun per nderë per gjithmonë. Me shpresë të madhe qi të lutunat t´ona kam me e bërkâ zembrën e Madhnueshme të Madhnisë Tande kemi nderjen ma të madhen me vuë këtu duërt t´ona e m´u permendun. “Shqypnië, 12 Nanduër 1912
Te Detyrushmit Sherbëtorë te Madhnisë s´ate Firmat Nikollë Kaçorri Prift, Mustafa Asim Kruja, Rexhep Mitrovica, Fuad Toptani , Murad Toptani, Salih Gjuka dhe Bedri Pejani.
Rikthimi i Mustafa Krujës në bronz nuk është një rikthim i thjeshtë.Mustafa Kruja gjatë shtegtimit jetësor pati shumë përplasje, shumë veshtirësi por kurrë nuk ju nda kontributit për atdheun dhe studimeve të shumta që janë një faqe e artë e historisë dhe kulturës shqiptare.Ai ishte intelektuali që një pjesë të mirë të shkollimit e kreu nëpër univerisitetet e lindjes por gjithmonë mbeti perëndimor.Ishte politikani që Shqipërinë e mori ta qeverisë më 28,748 mijë kilometra katror dhe shëndrroj më mbi 74.000 mijë kilometra katror duke i bashkuar Kosovën,Maqedoninë shqiptare,Malin e Zi shqiptarë,Preshevën dhe Pazarin e Ri.E ku fatkeqësisht këto troje prapë komunistët shqiptarë ja falën Beogradit, madje jo vetëm me nënshkrime por edhe duke luftuar me pushkë kundër nacionalistëve shqiptarë në vitin 1945.Për këtë shqiptarët kanë vetëm një ditë të çlirimit 28 nëntor 1912 kurse 29 nëntori nuk duhët të festohët se është dita më e zezë e kombit shqiptar se pikërisht në këtë ditë u ndanë 70 përqind të territorit të trojeve shqiptare nga trungu amë.
Të gjithë ju pjesëmarrës që keni ardhur sot për ta nderuar firëmetarin e Pavarsisë dhe Kryeministrin e Shqipërisë Etnike ju falëndëroj dhe kjo dëshmon se rrënjët e nacionalizmës shqiptare janë shumë të thella dhe këto rrënjë nuk do të del askush që ti shkulë në trojet shqiptare ku i thuhët bukës- bukë e ujit- ujië. Rrnoftë vepra heroike e Mustafa Merlika Krujës!Rrnoftë Shqipëria Etnike.

(Fjalë e mbajtur më 24 nëntor 2024, në Krujë me rastin e zbulimit të Monumentit të Kryeministrit të Shqipërisë Etnike Mustafa Merlika Krujës nga Kryetari i Shoqates “Trojet e Arbrit “Nue Oroshi).

Filed Under: Kronike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 565
  • 566
  • 567
  • 568
  • 569
  • …
  • 2776
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT