• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kontributi i Jashtëzakonshëm i Ambasadorit Amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier

December 23, 2024 by s p

Prof. Dr. Fejzulla Berisha/

Ambasadori Jeffrey Hovenier: Një Figurë e Shquar dhe Ikonë e Diplomacisë Amerikane në Shërbim të Kosovës.

Jeffrey Hovenier është një nga diplomatët më të shquar amerikanë që ka shërbyer në Kosovë, duke u shndërruar në një simbol të përkushtimit të SHBA-së për stabilitetin, sigurinë dhe zhvillimin e vendit. Me një karrierë të pasur dhe përvojë të thellë në Ballkan, roli i tij si ambasador i Shteteve të Bashkuara në Kosovë ka tejkaluar funksionet tradicionale diplomatike, duke pasur një ndikim të thellë në formësimin e politikave dhe orientimin strategjik të Kosovës drejt një të ardhme demokratike dhe të integruar ndërkombëtarisht. Përmes qasjes së tij pragmatike dhe ndjeshmërisë për realitetet lokale, Hovenier ka ndikuar fuqishëm në momentet kritike për Kosovën dhe qytetarët e saj.

Hovenier ka një histori të gjatë dhe të pasur në angazhimet diplomatike, veçanërisht në Ballkanin Perëndimor. Para se të emërohej ambasador në Kosovë ai ka shërbyer në pozita të ndryshme në Departamentin Amerikan të Shtetit, duke u angazhuar në çështje që lidhen me tranzicionin demokratik, zhvillimin institucional dhe zgjidhjen e konflikteve. Një nga arritjet e tij më të spikatura ishte kontributi në përgatitjen dhe negocimin e Planit të Ahtisaarit, i cili çoi në shpalljen e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008. Si pjesë e ekipit ndërkombëtar, Hovenier ndihmoi në krijimin e bazave për ndërtimin e institucioneve të Kosovës si shtet sovran dhe multietnik.

Gjatë mandatit të tij si ambasador, Hovenier ka treguar lidership të jashtëzakonshëm në menaxhimin e krizave, veçanërisht në veri të Kosovës. Përplasjet ndërmjet autoriteteve kosovare dhe komunitetit serb në veri, të shkaktuara nga vendosja e kryetarëve shqiptarë në komunat me shumicë serbe, kanë qenë ndër sfidat më të mëdha të tij. Në maj të vitit 2023, kur tensionet arritën kulmin dhe ndodhën përleshje ndërmjet protestuesve serbë dhe forcave të KFOR-it, Hovenier ndërmori hapa të menjëhershëm për të parandaluar përshkallëzimin e situatës. Ai zhvilloi takime intensive me liderët kosovarë dhe përfaqësuesit ndërkombëtarë për të hartuar një plan de-përshkallëzimi, duke theksuar rëndësinë e dialogut Kosovë-Serbi.

Hovenier ka qenë një mbështetës i palëkundur i dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ai ka theksuar se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve është thelbësor për të ardhmen euroatlantike të Kosovës. Në shkurt të vitit 2023, kur u arrit Marrëveshja e Ohrit, Hovenier luajti një rol kyç duke nxitur përkushtimin e Kosovës për zbatimin e saj, përfshirë çështjen e ndjeshme të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, duke ruajtur respektin për parimet kushtetuese të vendit.

Një tjetër prioritet i rëndësishëm i tij ka qenë forcimi i institucioneve demokratike të Kosovës. Ai ka mbështetur fuqishëm reformat në drejtësi, duke theksuar rëndësinë e një sistemi gjyqësor të pavarur dhe efektiv. Përmes mbështetjes së USAID-it dhe programeve të ambasadës amerikane, Hovenier ka kontribuar në ngritjen e kapaciteteve të prokurorive dhe gjykatave në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke përmirësuar besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë.

Në fushën e sigurisë, Hovenier ka promovuar zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në një ushtri profesionale, multietnike dhe të përgatitur për sfidat moderne. Në bashkëpunim me Departamentin e Mbrojtjes së SHBA-së, ai ka mbështetur programe trajnimi dhe ka ndihmuar në rritjen e kapaciteteve të FSK-së për të marrë pjesë në misione ndërkombëtare paqeruajtëse.

Përtej angazhimeve politike, Hovenier ka treguar një ndjeshmëri të veçantë për qytetarët dhe traditat e Kosovës. Ai ka marrë pjesë në aktivitete kombëtare dhe kulturore, duke riafirmuar përkushtimin e SHBA-së ndaj Kosovës. Përmes vizitave në komunat më të vogla dhe pjesëmarrjes në ngjarje publike, ai ka ndërtuar një lidhje të fortë me qytetarët, duke treguar respekt dhe solidaritet.

Jeffrey Hovenier ka lënë një gjurmë të thellë në zhvillimin e Kosovës, duke përforcuar marrëdhëniet strategjike ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së. Përmes përkushtimit të tij, ai ka ndihmuar në konsolidimin e demokracisë, forcimin e institucioneve dhe ndërtimin e një partneriteti të qëndrueshëm me popullin e Kosovës. Ai mbetet një figurë e respektuar dhe një mik i vërtetë i Kosovës, duke përfaqësuar një nga shembujt më të mirë të diplomacisë amerikane në rajon.

Filed Under: Ekonomi

Skicë letrare – “Myrto dhe nipi nga Anglia”

December 23, 2024 by s p

Gëzim Zilja/

Para tre vitesh kam shkruar për komshiun dhe mikun tim Myrton. Pinim bashkë kafen e mëngjezit dhe ndonjë raki “ të bërë vetë” siç thoshte kamerieri. Është ai Myrtua që i erdhi djali pas dhjetë vitesh nga Anglia me gruan dhe fëmijën dy vjeç; ndenji tetë ditë, por nuk shkoi as për vizitë te shtëpia e të atit, që ishte ende me mobiliet e kohës së diktaturës. Dy gjëra i ngelën peng Myrtos atë kohë: Nusja nga fshtarat e Fierit (Laleshka thoshte gjithë mllef) që nuk e la as ta prekte me dorë nipin e vogël dhe ato njëqind eurot, që ia dha fshehtas plakës i biri. Ishte bërë bishë nga zemërimi dhe i ishte betuar së shoqes: -Po e kape me dorë atë “qinçe” do të ndjek nga shtëpia!- Me sa më kishte thënë “qinçja” e euros ishte ende, pas tre vitesh mbi komodinë. E shoqja kur fshinte pluhurat e merrte e rrotullonte nëpër duar dhe e linte sërish atje duke murmuritur: – Nuk kam nge tani në pleqëri të merrem me këtë “të çmendurin’ që kam për burrë.- Këtë vit, te “Da Capo,” ku sërish po gjerbja me nge kafen, dikush më kapi nga mbrapa dhe më mbylli sytë me duar
-Gjeje, gjeje kush jam ,- thoshte duke qeshur.
-Ah, presor, ike dhe ti. Ke filluar të çedosh,- tha më zë të lartë duke qeshur me të madhe.
-Je Myrtua. Të gjeta!- thirra nga qejfi, pasi e dallova nga e qeshura.U përqafuam me mall dhe u ulëm. Kishte ndryshuar shumë dhe kjo më gëzoi. Pantallonat dhe shapkat dhuratë nga Kryqi i Kuq nuk i kishte më. Më vonë vura re se çdo katër-pesë ditë ndërronte rrobat dhe pantallonat e shkurtëra, që i rrinin fare mirë në trupin e tij ende robust të një sportisti të dikurshëm. Atletet e kuqe firmato, nuk i hiqte kurrë nga këmba dhe përsëriste:
-Më tha djali se më shkojnë të kuqe, pa për mua le të ishin të çdo lloj boje.- E bënte llogarinë si dikur për të më gjetur si rastësisht por jo gjithmonë më linte të paguaja kafen dhe atë teken e vockël si dikur, që ia donte shpirti sabah-sabah. -Mos na nënveftëso dhe neve,- thoshte, dhe shtonte gjoja i mërzitur, – Të pasur nuk jemi xhanëm, po ja, ca lekë për të paguar kafen i kemi sa për të mos u turpëruar me shokët e miqtë.- Gjatë gjithë kohës që bënim muhabet një djalë i vogël rreth 4-5 vjeç nuk i ndahej duke e mbajtur nga dora. I bëra shenjë nga vogëlushi që po më shihte gjithë kureshtje.
-Është nipi im po nuk di shqip,- Ka nja dy javë që e kam prurë këtu në Shqipëri dhe e mbaj unë me plakën.
-Nuk të kuptoj!
-Po ç’do kuptosh o komandant? Nuk kishin si ta mbanin se im bir punonte larg dhe vinte vetëm fundjavave në shtëpi. Laleshka, e ëma, punonte në një byrektore te disa kuksianë gjithmonë turni i tretë. E merrte në dy të natës dhe e linte turnin në dhjetë të mëngjezit. Kur kthehej nga puna e zinte gjumi sa hapte derën. Lere mos e nga, si ajo punë. Erdhi vet djali që na mori se unë as një fjalë anglisht nuk di. Na thirrën me plakën gjoja si turistë por shpejt e kuptova që puna ishte te nipi. Më erdhi keq dhe thashë të rrimë ca e t’i ndihmojmë. Po ky i uruar nuk dinte asnjë fjalë shqipe se laleshka nuk do që të mësojë shqip: ka nënshtetësi angleze thoshte. Pas tre muaj burg në shtëpi, se burg ishte për mua, i thashë plakës: -Ti po deshe rri, unë të do iki! Erdhi dhe ajo e shkreta me mua. Na vinte keq për nipin po nuk ishte për ne Anglia. U bëra derr. Më mori malli për gurët e drurët si i thonë një llafi. Po deshe më beso por e kam puthur njëqind herë atë derën shtrëmbaluqe prej llamarine të oborrit të shtëpisë. Kur i hoqa shulin dhe e lëviza, krikëllitja e menteshave të ndryshkura mu duk si muzikë. Qava kur hyra brenda. Jo ore byrazer nuk ka si vendi yt, si toka jote. Ore më mori malli edhe për ferrat e baçës, që kam dyzet vjet, i shkul e ato sërish mbijnë. E vetmja zgjidhje ishte të merrnim djalin me vete në Shqipëri. Kënaqet i varfëri, e vjen pas meje e pas plakës si manar. Më ka pjell belaja se nuk di shqip dhe kalamajtë e lagjes nuk kanë lënë fjalë të pista pa ia mësuar. Bela e madhe për zotin! Ca fjalë i ka mësuar. Ajo Laleshka ( ma atë e kishte gjithë mllefin jo me të birin) që ka shkuar me një fustan e një palë brekë në Angli, le të plasë po të dojë. Edhe një strofë nga vjersha e Naimi Frashërit, ia kam mësuar.
-O Klevis, ajde këtu afër të keqen gjyshi! Thuaja atë vjershën që të kam mësuar, këtij shokut tim.- Djali u step pak pastaj filloi me një shqipe të ngatërruar:
-Mëmël(dhe) quhet toka
– Ku më ka l(r)ënurë koka
-Ku kam dashur mëmë e atë
-Ku më njeh dhe gul(r) i thatë!
Sapo mbaroi mori frymë thellë dhe pa Myrton gjithë krenari.
-E shikon o kamandant? Ia kam mësuar vetë një për një. O e bëj shqiptar unë këtë, o mos më thënçin Myrto!
-E bën ti Myrto, e bën,- i thashë. -Ti e do vendin tënd dhe këtë Skelën tonë të dashur.
-Skela ka qenë më përpara, tani këtu nuk e merr vesh qeni të zontin. Le që beton i gjallë nga do të hedhësh sytë. Shyqur kemi detin e çmallemi me të.
-Të të bëj një vërejtje të vogël o Myrto, po aman mos të të ngelet qejfi!
-Nga ty? Për kokën tënde o presor, ç’është ai llaf?
-Ajo vjersha shumë e bukur që recitoi nipi nuk është e Naim Frashërit por e Çajupit. Pastaj djali nuk ka lindur në Shqipëri. Mësoja tët biri atë. Gjej ndonjë vjershë tjetër të shkurtër për gjuhën shqipe, nga Naim Frashëri.
-Më hape punë tani. Do më japësh kohë një javë dhe të shikosh se çfarë kam për t’i mësuar.- Një javë më vonë atje në një cep të Kulaçit (rrethrrotullimit) të Skelës, të Kafeneja e zakonshme, Myrtua kishte kohë që më priste. Kishe veshur këmishë me mëngë të shkurtëra, me një palmë jeshile në gjoks dhe lule shmëngjyrëshe anash, pantallona ngjyrë tulle gjithë xhepa dhe atletet e kuqe, dhurata nga i biri.
-Po hajde o presor se na thave sytë! Kemi gjithë mëngjesin që presim. Nipi do të të thotë vjershën e Naimit.
-Në dhjetë e gjysmë e lamë! Mos më nxirr bojën para nipit,- ia ktheva po me shaka. Sapo unë u ula nipi me qëndrim gatitu filloi:
Gjuhën e mëmëdheut mëso!
Ajo mund të të ndritonjë.
Edhe të tjera ti këndo!
Po atë ta kesh për zonjë.
Sapo vogëlushi mbaroi vjershën e rroka fort, e putha në faqe, dhe i thashë i përlotur: -Bravo Klevis, të lumtë! Je një shqiptar i vërtetë dhe gjyshi jot është patrioti më i madh në të gjithë Skelën.- Myrtos iu bë qejfi sa nuk thuhet dhe murmuriti i lumtur:
-Po ja o presor përpiqem me aq sa di. Unë nuk kam bërë shkollë të madhe, po Klevisi nuk ka për të shkuar në Angli pa mësuar të flasë shqip. Djalin e kam vënë në be: Nëse nuk flisni vetëm shqip me nipin, mos më shkelni në shtëpi, ti dhe ajo laleshka jote, që përmirte në majë të gjëmbit kur erdhët në Shqipëri. E pashë me sytë e mi: Kurrizi i dilte në byrektore, atje në Londër.- Ciku gotën e rakisë me timen dhe përfundoi: Hajde se më mirë do bëhet! Po ja do vuajmë edhe ca kohë se me ç’duken bathët….

E ke menduar ndonjëherë se si ndihet babai yt…?

Besoje apo jo, babai yt mban në mendjen e tij një mal me shqetësime, e megjithatë ecën përpara çdo ditë, pa treguar asnjë shenjë dobësie. Nëse babai yt të thotë se është mirë, mos e gjyko dhe mos mendo se ai dëshiron të shmangë realitetin. Ai mban në zemër një peshë që nuk e shpreh dot, sepse duhet të jetë shtylla e fortë për familjen, të zgjidhë problemet dhe të shqetësohet për mirëqenien e të gjithëve, ndërsa nevojat e veta i harron.
Edhe babi lodhet…
Edhe ai ndihet i vetmuar…
Ai gjithashtu ka nevojë për një përqafim…dhe ti rrallë e pyet: Si je sot, baba?
Ai është mbrojtësi, ofruesi, këshilltari i heshtur, rregulluesi i gjithçkaje, ai që duhet të ketë gjithmonë përgjigjen…
Por gjëja më e rëndësishme është dhe do të jetë gjithmonë mbështetja jote…
Nëse ke probleme, ai do të të ndihmojë dhe do të të thotë se gjithçka do të jetë në rregull. Nëse paratë janë të pakta, ai do të gjejë një mënyrë për të mbuluar shpenzimet, por nuk do të të zhgënjejë kurrë.
Dhe edhe nëse e shikon serioz dhe të menduar, gjithmonë thotë se nuk ka asgjë, edhe pse brenda ka gjithçka…

Filed Under: Fejton

BJERI PRAGUT TË DËGJOJË DERA…

December 23, 2024 by s p

Kosta Nake/

Një zbritje në fushën e përballjes, një dalje nga hullia e romanit për të rikrijuar një tragjedi. I bindur për analogjinë që vendos autori me realitetin shqiptar dhe me sistemet diktatoriale të të gjitha kohërave, për herë të parë në anët e faqeve kam bërë shënimet “tak”, “trak”, “trak- truk”, “shtrak”, “shtraka-shtruk”, sipas intesitetit me të cilin ekspozohet aktualiteti pavarësisht se dukjet janë në qiell, në tokë, apo nëntokë. Këto shënime janë aq të shumta, sa do të zinin një hapësirë të konsiderueshme, prandaj po sjell vetëm një përzgjedhje.

“Në Olymp diçka po ndodh. Kurse ca syleshë ose që hiqen ashtu, duan të na bindin për të kundërtën: punët venë mirë e më mirë, e ardhmja është e ndritur, uniteti midis zotave s’ka qenë kurrë kaq i fortë.” (f. 17) Ne, që e kemi jetuar atë kohë, i kemi dëgjuar sa herë deklaratat për unitet brenda radhëve të partisë. “Nuk është hera e parë që ndodh kjo: hapet fjala se po bëhet një mbledhje për thatësirën dhe pastaj del se qenka zbuluar një komplot.” (f. 24) “Tani pritet një valë e re spastrimesh.” (f. 87) Vitet ’70 të shekullit që lamë pas, ishte krijuar ideja sikur atmosfera ishte mbushur me grupe armiqësore.

“Kur ka ndonjë përleshje, na thërresin. Përherë si rrogëtarë. Pastaj, me të mbaruar punë, na vënë shkelmin.” (f. 34) Edhe pse këto fjalë vendosjen në bisedën midis të burgosurve politikë, ajo ka vlerë përgjithësuese për shumë shtresa të popullsisë, madje shtrihet edhe mbi tranzicionin tonë, po të mbajmë parasysh se tragjedia u shkrua në vitin 1996. “Kështu ka qenë gjithmonë në Olymp. Të gjithë e përfytyrojnë jetën këtu si parajsë. Muzikë, këngë të nimfave, pasdite të prillit me gotën e nektarit përpara, duke filozofuar. Kurse në të vërtetë, është tjetër gjë. Ankth, dyshime. Komplote të qena e të paqena.” (f. 38) “Kur me një banor të Olympit jam kaq i pamëshirshëm, e merrni me mend si do të jem me ju të tjerët.” (f. 88).

Këtu nuk është e vështirë të thuash që jemi te Blloku. Ja dhe një tablo përmbledhëse e veprës: Të dënuarit në farefis dhe dëbimet; krahasimi mes Athinës dhe Spartës, mes demokracive demagogjike dhe diktaturave të deklaruara hapur; Eskilit i kërkojnë që dramën, para se ta sjellë në teatër, duhet ta çojë te strategu, çka nënkupton censurën; braktisja e Athinës prej Eskilit na çon menjëherë te ikja e vetë Kadaresë.

Antagonizmi Zeus – Promethe mund të shikohet në disa rrafshe duke kapur përmasa universale. Nga njëra anë kemi një zot/njeri të kapur fort pas fronit të pushtetit që për ta mbajtur atë, gjithkush i duket komplotist, nga ana tjetër kemi një zot/njeri tjetër që ekzistencën e vet e lidh me njerëzimin. Regjimet tiranike janë monstra që kryejnë krime të përbindshme. Pas mbërthimit në shkëmbin e Kaukazit, Zeusi e qëllon me rrufe dhe e gropos në një kthinë pranë ferrit, pastaj e rikthen për ta mbërthyer në shkëmb nën goditjet e shkabës që ia ha mëlçinë. Në dukjen e trembëdhjetë, rikthimi i Prometheut në Olymp duket si komedia “Shumë zhurmë për asgjë”, por nuk është kështu dhe shpjegimin e bën vetë Zeusi: “Ka patur raste kur heronjtë e pamposhtur që s’i theu as shpata e as rrufeja, i mposhti froni ose posti i lartë.”

Ka dhe një shpjegim tjetër për këtë antagonizëm dhe është përsëri Zeusi që flet: “Unë kam menduar se njeriut nuk i duhet dhënë as përkryerje e as liri pa cak. Ti ke qenë për të kundërtën. Unë kam menduar se truri njerëzor është bisha më e lemerishme, ndaj duhet të jetë i lidhur me vargonj. Ti, përkundrazi, ke qenë për lirinë dhe harlisjen e tij.” Pastaj vjen një shpjegim kadarejan që lidhet me ndarjen e aktit të sjelljes së zjarrit me mosmirënjohjen njerëzore, madje ka një fare pezmi se njerëzimi po shkon drejt një krize të ngjashme me atë që ndodhi gjatë pandemisë së covidit.
Reabilitimi i Prometeut kërkon flijimin e shkabës që nuk është e vështirë të identifikohet me sigurimin e shtetit në tërësi ose figura të veçanta të tij, por kjo do realizohet me dorën e Herkulit dhe vetë ai duhet të helmohet – një zinxhir vrasjesh për të cilat Poseidoni thotë: “Kjo punë, ashtu siç nis, ashtu mbaron, me gjak.”

Është e njohur lehtësia me të cilën Kadare lëviz gjeografikisht në perandorinë e vet letrare, po në këtë vepër, krahas lëvizjeve vertikale qiell – tokë – nëntokë, kemi edhe një lëvizje me shpejtësi drite nga antikiteti, te lindja e Krishtit dhe në ditët tona. Hapësira dedikuar Krishtit që kthehet në apel pacifizmi, përligjet nga vetë Prometeu me thënien “bota s’është veç një zëvendësim shembëllimesh”; kjo mund të sjellë qejfmbetje nga muslimanët, prandaj bën një shtesë zbutëse: “Pastaj e braktisën Krishtin dhe gjetën të tjerë, Muhametin, Budën, Jehovain, Leninin, Djallin.”

Monologu i Prometeut në dukjen e trembëdhjetë mund të ishte më i kursyer, (ai zë tri faqe) pasi shumë nga mesazhet ishin përcjellë. Kadaresë i rri ngushtë kostumi dramatik, prandaj ai brenda kllapave shpjeguese të përshkrimit të skenës dhe lëvizjeve, nuk i ka shpëtuar tundimit prej romancieri për informacion që është i padukshëm kur bëhet inskenimi. Kjo bie në sy sidomos në përfundim të dukjes së gjashtë kur shkruan: “Dramaturgu matet t’i klithë fajtorit ‘Ç’bëre kështu?’; në përfundim të dukjes së njëmbëdhjetë dhe në fillim të dukjes së trembëdhjetë gjejmë dy pyetje retorike: “Krijohet përshtypja se mund të vijë një çast që ato do të jenë të nevojshme. Për të pranguar prapë Prometheun? Që Prometheu, në acarimin që mund të ketë me Zeusin, të mund t’ia tundë mu në turi, duke klithur: me këto ti kujtove se do të më mposhtje?” Duke lexuar për shkrimtarin zvicerian Karl Spiteler, zbulova se edhe ai pati shkruar në vitin 1881 një prozë poetike alegorike me emrat e dy vëllezërve “Prometheu dhe Epimetheu”.

(Tragjedia “Stinë e mërzitshme në Olymp” e Ismail Kadaresë, Tiranë, 2002)

Filed Under: ESSE

“POROSIA E KULLËS”

December 23, 2024 by s p

Ramazan Çeka/

Në Michigan aty ku filloi ëndrra amerikane, ishte maratona e radhës e promovimit të Librit “Porosia e Kullës” e autorit, Dr. Pashko Camaj, Sekretar i Përgjithshëm i Federatës Panshqiptare të Amerikës “Vatra”. Pas suksesit që Libri “Porosia e Kullës” pati në Tiranë, Prishtinë, Tuz, Nju Jork dhe Boston, pati një ndalesë në Michigan, ku kjo vepër me një punë titanike të autorit, Pashko Camaj i fton lexuesit në një udhëtim të jashtzakonshëm emocional dhe intelektual.
Në mjediset e Qendrës Kulturore “Nënë Tereza” të Kishës Zonja Pajtore, Dega e Vatrës Michigan dhe Çikago, me prezencën e miqve e të ftuarve të shumtë, u organizua promovimi i librit “Porosia e Kullës”. Krahas drejtuesve dhe anëtarëve të këtyre dy degëve, ishin të pranishëm nënkryetari i Federatës “Vatra” z. Alfons Grishaj, drejtori i degëve të “Vatrës” z. Mondi Rrakaj, Kolonel Dritan Demiraj, provinciali Pater Pashko Gojçaj, Dom Fred Kalaj, Prof. Anton Lajçaj, si dhe përfaqsues të medias, shkrimtarë artistë, familiarë të autorit dhe aktivistë të njohur të komunitetit.

Pater Pashku bekoi eventin dhe vlerësoi veprën e autorit, bashkvendasit të tij Dr. Pashko Camaj. Është një rrëfim sa emocionues po aq edhe intrigues, përmes të cilit autori sjell disa fakte nga e kaluara e tij, në realitetin e përjetuar, duke trajtuar një temë aq të pranishme në të gjitha trojet shqiptare, mërgimin si temë gjithë përfshirse, tejet specifike në të veçantat e veta.
Ky libër është një thirrje për reflektim, duke u nisur nga realitetet personale që e bejnë të veçantë si rrëfim, ndjenja e mëkatit për largimin nga trojet e të parëve, me të cilët ballafaqohet autori, ashtu si ballafaqohet gjenerata e parë e emigrantëve ngado që janë, duke e bërë këtë libër sa unikal, po aq edhe gjithë përfshirës në historinë e popullit shqiptar. Tek “Porosia e Kullës”, Dr. Camaj përdor një stil të pasur dhe poetik, të shprehur në formë tejet të qëlluar artistike, me figura e shprehje që dëshmojnë për një kulturë të gjërë që ka autori, për të pasqyruar luftën e brendshme të individit dhe përballjen me sfida të ndryshme që e formojnë jetën dhe shoqërinë e emigrantit.
Në shënimin e përkthyesit, vëllait të Pashkut, z. Nikollë Camaj, i cili përpiqet të mos zbulojë shumë nga vepra, pasi ai këtë dëshiron të ja mundësojë lexuesit, shënon vetëm një paragraf, sa për t’i hapur frëngjinë kësaj kulle prej shkronjash. “Rrëfimi fillon në bagazhin e një veture të madhe amerikane, me të cilën Pashku, së bashku me motrën dhe një fqinj, po kalonte kufirin nga Meksika në SHBA. Kur mbyllet kapaku i bagazhit, për të sikur përfundon gjithçka, por është motra ajo që e trimëron dhe i ngjall shpresën.
Mendimet që e kishin kapluar në ato çaste i kishin ngulitur ndjenjën e fajësisë për largimin nga Malësia e tij, ndjenjë kjo që do ta përcjellë deri kur të kthehet te kulla e gurit pas më se njëzet vjetësh.

Ndërthurja e këtyre kujtimeve me sukseset që i rëndit në SHBA, të ciat bien nën hijen e të parëve, përbëjnë strumbullarin e veprës në fjalë”, shprehet në shënimin e tij vëllai i Pashkut, Nikollë Camaj, nënkryetar i Parlamentit të Malit të Zi. Autori tregon se këtë libër ia kushton babait të tij, i cili i tregoj se si të shikonte të mirën në çdo gjë, që të gjente dritën edhe në errësirë.

Gjithashtu edhe nënës së tij dhe të gjitha grave të Malësisë, dashuria dhe forca e të cilave mbijetoj përballë vështirësive që ata hasën në jetën e tyre. Së fundi, edhe familjes së tij të dashur, e cila e bëri të kuptojë pse ishte i bekuar mes njerëzve. Autori Pashko Camaj, doktor në shkencat mjeksore dhe funksionar i rëndësishëm në shtetin e Nju Jorkut, në librin e tij mes shumë mirënjohjesh dhe falenderimesh, shpreh edhe një falenderim të sinqert për z. Bujar Hudhri dhe ekipin e shtëpisë botuese “Onufri”, si dhe për shkrimtarin e dashur, z. Besnik Mustafaj, për vlerësimin dhe parathënien e tij në këtë libër.
Në përfundim të librit autori me krenari shprehet: “E kam të vërtetën e thjeshtë se çfardo që të sjellë e nesërmja, për ne këtu tani dhe ata që do të vijnë pas, gjithmonë do të ketë një trung të rrënjosur në një cep të vogël të kësaj bote, në shtëpinë nga kanë ardhur, që quhet Malësia dhe që ata mund të dijnë gjithmonë se nga vijnë”. Eventi u moderua nga dy drejtues të Qendrës “Nënë Tereza”, Prof. Gjekë Gjelaj dhe bashkëshortja e tij, Rita Gjelaj.
Promovimi u mbyll me nënshkrimin e librave nga autori Dr. Pashko Camaj, si dhe një darkë të përgatitur nga “Vatra” dhe Qendra “Nënë Tereza”. Ky aktivitet kulturor e atdhetar më pjesëmarrjen e studiuesve më të njohur nga mërgata dhe trojet shqiptare, tregoi për seriozitetin e Vatrës si udhëheqëse e aktiviteteve patriotike në mërgatën e Amerikës.

Filed Under: Reportazh

NJË XIXË DRITE MË TEPËR NË TUNELIN E MOSMARRËVESHJEVE E GRINDJEVE

December 23, 2024 by s p

Prof.dr. Skender ASANI/

Ja ku po takohemi sërish, këtu në Shkupin historik, në qyteti e Bogdanit e Nënës Tereze, për të dërguar mesazhin e paqes, mirëkuptimit e solidaritetit në vigjilje të festës së Krishtlindjes. Është ky një moment që na bashkon rreth idesë themelore të kësaj feste, siç është prirja për të qëndruar pranë familes, prandaj e dhe ne që jemi mbledhur sot i takojmë familjes së përbashkët të vlerave e synimeve të njejta për një botë më të dinjitetshme dhe me më pak kontradikta e konflikte. Kjo ka qenë dhe mbetet zatën edhe kauza jonë shkencore e humane si Institut, në kuadër të të cilit tash e disa vite me sukses po vepron Departamenti për studimin e trashëgimisë shpirtërore të Gonxhe Bojaxhiut, Nënës Tereze.

Ndërlidhja e kësaj kauze me Shkupin, konfirmon rëndësinë që ka ky qytet i lashtë dardan për vet historinë kombëtare shqiptare por edhe për bashkëjetesën me popujt tjerë. Se Shkupi pati të kaluar të lavdishme, për këtë flasin veprat dhe kontributet e atyre që e lartësuan këtë lavdi, siç ishin Pjetër Bogdani, Toma Raspasani, Ndue Bytyçi, Lazër Mjeda, Zef Rama, Gaspër Gjini, të cilët lidhjen me Shkupin nuk e kishin vetëm në kuadër të rutinës që ua caktonte misioni kishtar, por kjo lidhje ishte shprehje e një vizioni që ata kishin për këtë qytet të lashtë, duke ia dhënë atij të gjitha atributet e një piemonti kudo të duhej të fermentohej gjithë vetëdija kulturore e historike e shqiptarëve.

Sot kur po ndajmë disa çaste bashkë në prag të festës së Krishtlindjes, Shkupi nuk është ai që ka qenë dikur dhe këtë ndryshim më së shumti e përjetojnë pjesëtarët e komunitetit katolik shqiptar, numri i të cilëve fatkeqësisht po shkon gjithnjë e më tepër duke u reduktuar. Dhe kjo ceremoni festive e jona sot, nuk është asgjë tjetër pos një përpjekje për të kompenzuar disa mungesa që reflektohen në jetën shpirtërore të këtij komuniteti. Është kjo një përpjekje e jona modeste për të rikthyer shkëlqimin e dikurshëm që kishte kjo festë në Shkupine bojaxhinjve, antonëve, serreqëve, ukajdarëve, gjinëve, ndrecëve, markajve etj. të cilët përbënin hartën shpirtërore të një kohe e të një hapësire ku shqiptarët ishin një faktor i qenësishëm i përparimit kulturor, ekonomik e social të Shkupit këtu e para 100 viteve.

’’Në këtë natë dashurie, le të kemi vetëm një frikë: se mund tëofendojmë dashurinë e Zotit, ta lëndojmë atë duke përçmuar tëvarfërit me indiferencën tonë’’, ishin këto fjalët e Papa Fraçeskut në një ceremoni solemne të para do viteve të Krishtlindjes, dhe duke iu referuar këtyre fjalëve, ne sot mund të shprehim të njëjtin shqetësim se mos vallë bota po ofendon dashurinë e Zotit duke qëndruar indiferent ndaj përpjekjeve destabilizuese që po shfaqen në anë të ndryshme të globit, ku Lindja e Mesme dhe Ukraina, tani për tani, janë vatrat më aktive të këtij destabilzimi.

Një festë si Krishtlindja, mund të jetë një arsye më shumë, jo vetëm për një armëpushim të çastit, por edhe për një reflektim përmbajtësor mbi situatën kaotike nëpër të cilën po kalon njerëzimi sot, kjo edhe në frymën e fjalëve të Nënës Tereze e cila thoshte: “Ne nuk kemi nevojë për armë dhe bomba që të sjellim paqe në botë. Kemi nevojë për dashuri dhe dhembshuri.”

Sikur dashuria dhe dhembshuria të zinin vend pak më tepër në zemrat e njerëzve, bota sot do të ishte më ndryshe, të pakten nuk do të ishte kaq e konfrontuar dhe rivalizuar, prandaj edhe ky takim i yni sot këtu në Shkup, në nderim të Krishtlindjes, le të jetë një xixë drite më tepër në tunelin e mosmarrëveshjeve e grindjeve midis njerëzve. Të gjithë ne meritojmë ardhmëri të dinjitetshme, por që të arrihet kjo, sot nevojitet mirëkuptim dhe interaksion më i madh human në mes të njerëzve. Duke iu uruar edhe njëherë gëzuar Krishtlindjen, ju shprehi mirënjohjen time gjithë juve që u bëtë pjesë e kësaj ceremonie solemne.

Filed Under: Reportazh

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 571
  • 572
  • 573
  • 574
  • 575
  • …
  • 2776
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT