• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

At Ambroz Marlaskaj…përtej dijeve tona për të

December 14, 2024 by s p

Frano Kulli/

Nuk ndodh shpesh, që  në sipërmarrjen për të bërë jetëshkrimin (monografinë) e një personazhi historik me të cilin ke lidhje gjaku, sidomos kur ai është me një rëndesë të posaçme publike, të mos biesh në “kurthin” e përjetimeve ndiesore që ka organikisht kjo lidhje e për pasojë të mos biesh në njëanësi qëndrimi e përshkrimi përreth tij. Autori i librit për të, Ndoc Frroku, stërnip i At Ambroz Marlaskajt e ka tejkaluar mrekullisht këtë kurth.

Ai ka shkruar një libër arkiv; libri i tij është dokumente, është epistolar i pasur sa s’ka. Libri nuk është aspak empati për njeriun e fisit e qëndisí (qëndisje) me lule e lajle, siç na ndodh shpesh e masandej të na krijohen mite të rrejshme. E atëherë mëkati historik bëhet edhe më i madh kur marrim përsipër të jetëshkruajmë për personat e njimentë të trashëgimisë sonë më të mirë. Do të ishte mëkat edhe me i madh, gjithashtu të ndodhte kjo për njërin prej kombformuesve të Shqipërisë, siç ishte At Marlaskaj. Po jo e jo, kjo nuk ka ndodhë.

Libri është vetë Marlaskaj. Frat, mësues i sprovuar i të gjitha cikleve shkollore në Shqipëri e profesor i Universitetit Antonian në Romë, gjuhëtar e përkthyes, publicist e veprimtar publik, deputet asambleist i zgjedhur me plebishit (dhjetor 1923-qershor 1924). I emërtuar me përkëdhelí si “gozhda e Parlamentit”, prej kolegëve elitë për shkak të opozitarizmit të thekur. Me një formim juridik, që e përtejson njohjen e thellë të së drejtës kanonike, me zemër të madhe në shërbesë vetëm të së drejtës e të dobishmes, që nuk e shet shpirtin asnji grimë, për asnji rrethanë. Me dyzinën e letrave e halleve të njerëzve të popullit , që përfaqëson, të cilën e shpraz në asamble e në qeveri, me ngulmimin që të ofrojë zgjidhjen për ta. 

Pader Ambrozi është mirditori që përtej Republikës së Mirditës, shumë përtej saj hedh të pamin (vizionin) e vet te Republika e Shqiptarisë. Madje e qorton si të damshme fort atë krijesë, me forcën e pashembullt të arsyes e me arsyen e pashembullt të forcës morale e shpirtnore. Sikundërse gjindet në krah të opozitës e “lobit shkodran” siç i pagëzonte grupin e madh asamblist opozitar një shkrues i “Diellit” të Bostonit (Ledio Xhoxhi), përkundër “klikës” konservatore të udhëheqësisë së kohës. Sepse te e para, ku qenë rreshtuar vërsnikët e tij, ajka e mendimit dhe shërbesës kombëtare, Gurakuqi, Fishta, Mjedja, Hilë Mosi, Xhemal Bushati e Halid Rroji, po edhe Avni Rrustemi që printe shoqninë “Bashkimi”, dallon  prosperitetin e dheut të vet, Shqipnisë, drejt oksidentalizmit e jo në ndalesën e prapambetjen e atavizmave të perandorisë së vjetër otomaniste. Sikurse qe gjëndur më heret , qysh në shtatorin e 1916-ës në këtë krah me njerëzit më të iluminuar të Shqipërisë, si Luigj Gurakuqi, At Gjergj Fishta, Sotir Peci, Dom Ndre Mjeda, Mati Logoreci, në themelimin e Komisisë Letrare të Shkodrës dhe më pas me pjesëmarrës dhe të ftuar të tjerë, po kështu të shquar si dr. Gjergj Pekmezi, Hilë Mosi, Anton Paluca,  Hafiz Ali Korça, Aleksandër Xhuvani, Maksimilian Lamberci, Rajko Nahtigal, Emzot Vinçens Prenushi, Sali Nivica, Josif Haxhimima dhe Luigj Naraçi.

Gjithsa më sipër e shumçka më përtej, vjen përmes gjuhës së ftohtë të fakteve e dokumenteve të bollëshme. Për të shërbyer përkushtimin e tij autori ka përzgjedhë tjetër mënyrë; atë të të rrëfyemit nëpërmjet gjuhës së ftohtë e të pa emocion të fakteve, të dokumenteve, të letrave. Për autorin sentenca e vjetër e latinëve: “Verba volant, scripta manent”, (fjala fluturon e shkruara mbetet) si duket, ka qenë busulla e saktë që e ka orientuar prej fjalës së parë e deri tek fjala e fundit e librit të tij. Për të, që librin e vet e çmon qysh në krye të herës si mision, misioni fillon te gjurmimi e hulumtimi i dokumenteve, si e vërteta më e pranueshme . Dhe misioni faktmbledhës zgjat shumë më shumë sesa vetë shkrimi, masandej i librit. Kështu besoj unë. Ndaj e gjithë përpjekja e tij më e peshueshme ka qenë mbledhja e sistemimi i fakteve e dokumenteve, në radhë të parë; në Tiranë, a në Romë, kudo ku ato janë gjindur. Vetëm nga letërshkëmbimi i Marlaskajt, autori ka hulumtue e i kalon në laboratorin e vet krijues rreth 300 prej tyre, qysh prej kohës së tij studentore në Salsburg-Austri e deri sa mbyll sytë në Itali me 1939. Letra me popullin e zgjedhësit e vet, me mësues anë e kand  nga Shkodra në Lushnje, me sivëllezërit françeskanë, me Anton Harapin e me Fishten, me Justin Rroten për nevojë gjuhësore e me shumë e shumë të tjerë personazhe qytetëse të dijes, të politikës e atdhetarisë. I bindur se gjuha e tyre do të ishte më e besueshme se gjuha e rrëfimeve të të afërmve të tij apo edhe e rrethit më përtej të bashkëvllazënve e vërsnikëve të tij. Krejt ndryshe prej ravijëzimit të portretit të Marlaskajt që na vjen prej librit “Françeskanët e mëdhaj”, bie fjala,  të një mjeshtri “par exellence” të rrëfimtarisë si At Zef Pllumi, ku portreti ndërtohet me metafora e simbolika të epërme e krahasime nga eposi i vjetër “me Gjergj Elez Alinë që ndeshet në fushë të bejlegut me Harapin e Zi.”…

Edhe kur i duhet me lidhë dokumentet gjithnduershe e të bollëshme me fillin e interpretimeve të veta, autori ruan të njëjtën mardhënie ndërmjet gjendjes emotive dhe racionale, duke vënë në rend të parë, gjithherë racionalen e duke konkluduar sipas asaj, për të vjelë të vërtetën më të besueshme e të pranueshme. E bën këtë deri në detajet më të imta të narrativës së vet, qoftë edhe me fakte të ndëvarura që i synon me këmbëngulje për më të bindshmen e saj. Bie fjala , sjell edhe autopsinë e mjekëve në vrasjen e Avni Rrustemit , për të zgaqë (zbuluar) prej më së afri ngjarjet e rrafshit të politikës e saktësisht ato të parlamentit, mis (antar) i të cilit ishte Marlaskaj. Por sjell në libër, gjithashtu edhe fjalët e përkundërta të shkruara të Eqrem Bej Vlorës, nipit të Esat pashë Toptanit për vrasësin e njeriut të tij. I bindur se mënyra më e mirë për korrektësinë historike është përballja e dokumenteve.

Ose, në rastin e formimit të qeverisë së Nolit , sillet në libër ky kumt i shkruar i At Marlaskajt, dëshmitar okular e aktiv i asaj ngjarjeje :”… u shenjuen si kandidata per Kryeministrí: Noli, Gurakuqi, Koculi, Delvina. Nder këta të kater u qit short e, si diehet duel Noli“. I panjohur ky fak a më saktë i pashënuar në asnjë cep të historiografisë shqiptare të deritashme. Megjithatë autori, me paanësinë e ftohtë të zgjedhur si metodë analitike qysh në krye të herës, e shumta dërgon një ftesë për nxitjen e autoriteve shkencore për të hedhur më shumë dritë mbi këtë moment.

E momente si ky ka shumë e shumë në libër, edhe në të tjera fusha të dijes e atdhetarisë, ku shkëlqen Marlaskaj ynë që mund të bënin vargun e shembujve e prej ku na vjen më i plotë se gjithëherë më parë, njëra prej figurave-shtylla të rëndësishme të ngrehinës së kombit tonë e të palcës së tij, At Ambroz Marlaskaj.

Filed Under: LETERSI

Aktiviteti atdhetar, politik dhe publicistik i Ernest Koliqit

December 14, 2024 by s p

Prof. Dr. Romeo Gurakuqi

 

Disa konsiderata të përgjithshme mbi themelimin e revistës “Shejzat”

Revista “Shejzat” lindi si organ kulturor, shoqnor dhe artistik i intelektualëve dhe shkrimtarëve shqiptarë të mërgimit, të kryesuar nga Ernest Koliqi, në kushtet e mirënjohura diktatoriale që po kalonte shteti amë i shqiptarëve, në kushtet e dhunimit dhe fshirjes së arritjeve më të mira të shkrimtarëve dhe studiuesve shqiptarë të traditës. Ajo shërbeu si një votër ku këta shkrimtarë mblidheshin për t’u dhanë shfrim afsheve të shpirtit të tyre të madh kombëtar dhe intelektual. Themelimi i këtij organi u bë në një kohë kur Shqipëria dhe shqiptarët kishin më shumë nevojë për këto penda, “të vetmet që mund të mbanin nalt rrafsholin e kulturës shqiptare me krijesa gjithmonë të reja, të frymëzueme nga ndiesi të pastra kombëtare” “Shejzat” kësisoj lindi, u zhvillua dhe u mbajt gjallë për 20 vite me radheë nga vitit 1957 deri më 1978 nga kjo aradhë e tërë shkrimtarësh dhe studiuesish të emigracionit, të cilët e konsideronin si detyrë të tyre parësore krijimin e një vatre intelektuale të të gjithë atyre që synonin në një pikë: çlirimin e Shqipërisë nga diktatura antishqiptare e antivlerave. Ata ishin intelektualë të vërtetë që me vetedijë të dëtyrës së vet, ushtruan profesionin e letrave dhe shërbyen si syri i kombit në një prej momenteve më të vështira dhe më të pashpresa të tij. Ata e kishin të qartë se pa “vepren dritë- përhapse të intelektualve të njimendtë, një komb asht si i verbti, mbi një udhë plot gropa e çarravina të rrezikshme”. 

            Nga ana tjetër, “Shejzat” konsideroheshin vazhduese të drejtëpërdrejta të të Përkohshmeve të lavdishme shqiptare: “Hylli Dritës”, “Leka”, “Illyria”, “Shkëndija”, etj., dhe themeloheshin në një kohë kur Shqipëria zyrtare vuante nga pikpamja intelektuale nga mospasja e një reviste për të qenë, kur shkrimtarët e mëdhenj, themeluesit e institucioneve të studimeve shqiptare ishin shpallur të paligjshëm, kur liria akademike ndodhej nën tutelën dhe kontrollin e drejtëpërdrejtë të  partisë-shtet. “Shejzat” lindën në një kohë kur brezi i ri i Shqipërisë zyrtare ndodhej në errësirën e dezinformimit, nën frikën e sundimit të hurit, litarit, deportacjoneve, frikës dhe tmerrit. Që në numrin e tyre të parë botuesit shpreheshin se “botimi i kësaj të p[ërkohshmeje ka për qellim të kryemit e nji detyre intelektuale kundrejt atdheut shi në kohë kur në kuadratin e historisë grepat po shënojnë nji çast rreziku jetëshues. Bota shqiptare dhe shqiptarizmi janë kah përshkohen nëpër periudhën ma t’errët e të frigueshme të qënjes së vet… Shqiptarizmi kërcënohet në p[alc nga nji robni dermuese, deri tash e panjohun, e cila i rrëmben Shqiptarit lirit fillore të njeriut, ato qi as Faraonët motit as rigat zezakë ma t’egjër nuk i a mohojshin robve të tyne: të drejtën me besue Zotin dhe me rritë fmijt në hir të dokeve stërgjyshore.”

            Kësisoj, “Shejzat” në sajë të zotësisë organizzative e punë së palodhshme të Ernest Koliqit shërbyen si tribunë e mendimit shkencor shqiptar, si dritare informimi mbi aktivitetet shkencore albanologjike në botë. Ato regjistruan në kronikën e tyre edhe ngjarje shoqërore që në ardhmen shërbyen edhe si dokumentacion historik dhe kulturor për një periudhe rreth 20 vjeçare. Kjo është edhe arsyeja që ne sot i referohemi shumë kësaj reviste, në një kohë që informazioni brenda shtetit shqiptar për këtë periudhë ka qenë totalisht nën censurë. “Shejzat” nën drejtimin e Koliqit, themeluesit të saj, vijuan duke iu përshtatë kohës dhe vendit, traditave kulturore të Rilindjes dhe sidomos të revistave të periudhës mes dy luftrave botërore.

            “Na botuesit e kësaj të përkoheshmje, -shklruhet në editorialin e parë të revistës- duem të jemi pranë, në vijën ma të parë luftarake, me armën e kulturës. Na dëshirojmë me anën e orvatjes s’onë së përvujtë por plot synime ndërtuese, t’a përdorim kët armë për të sjellun nji skjarim në shesh të bisedimeve ku rrahen problemet gjallnore të shqiptarizmit, Duem që të japim kontributin tonë në lamije të kulturës, vetëm nëpër rreze të së cilës çashtja shqiptare mund të zgjidhet lumnisht… Kjo e përkoshme don të jet tryezë e lirë kuvendi burrnuer, të mbajtun mrenda caqeve t’urtis e të njerëzis. Çdo shqiptari qi ka nji mendim fryt-dhanës për të shfaqun dhe din ta shfaqi në shqipe të pastër, çdo intelektual qi lakmon të rrahi nji çashtje ditunore ase don të paraqesi prodhimet e veta latrare, ka me gjetun vend në këto fletë tona, mjaft qi të frymëzohet në xhixhillim të Shejzave, hyllsi vërtytesh arbnore”

            Po pse dijetarët shqiptarë e emërtuan organin e tyre Shejzat? Shp[jegimin për këtë neve na e jep shkrimtari dhe gjuhëtari shqiptar, bashkëpunëtori i pandërprerë i kësaj reviste, drejtuesi i katedres së gjuhes shqipe në Universitetin e Palermos, Karl Gurakuqi

Shejzat, (Plejadat) e zgjedhur me shije poetike si titull per të përkohshmen, ka një kuptim domethënës sidomos për kohën kur u krijua. Mitologjia e vjetër greke i personifikonte shtatë yjet e Plejadave, (Shejzave) në aq orë qiellore  e malore duke e zhvilluar besimin ne hyjtë: hylli si fat , si simbol i shkëlqimit etj.”A kanë dalë Shejzat pyesnin malësoret  para se me i hy një ndërmarrjeje me shumë randësi. Keshtu veprojshin edhe lundërtarët e vjetër grekëtë cilët niseshin për udhëtime të largëta kur ne qiell shndritnin Plejadat, Shejzat shqiptare. Shkrimtarë të cdo kohe si Euripidi, Sofokliu etj. Muzikantë të medhenj si Shtraus prozatorë a poetë me famë si Gabrieli D’Annunzioetj, i përjetësuan istrat e kësaj hyllësie në vepra të pavdekëshme.”  

Pra, në rrugën e ndërrmarrur nga një grup intelektualësh të shquar Shejzat do ti prinin si  një ugur i mirë për një të ardhme të lumtur të kombit tonë.

Vendi Shejzave  në studimet shqiptare:

Shejzat, zënë një vend të rëndesishëm ndërlidhës mes organeve kulturore dhe shkencore që kanë pasur si objekt të tyre botues studimet shqiptare. Në të njejtën kohë ky organ plotësoi një boshllek të madh të krijuar nga rrethanat politike të lartpërmedura në përcjelljen e frymës rilindase nga vitet e para 1944-ës në ditët tona. Shejzat krijuan një ndërlidhje të shkëlqyer mes mërgatës së intelektualëve më të shquar shqiptare, botës studimore arbëreshe të Italise si dhe albanologëve të huaj. Ne sajë të punës së jashtëzakonshme të bërë nga botuesit dhe bashkëpunëtorët e Shejzave, Studimet Shqiptare patën një zë të tyre të lirë, larg politizimeve, mediokriteteve dhe kornizave nën të cilat u vendosen padrejtësisht dhe në mënyrë të pameritueme studiuesit e shkencave shqiptare në shtetin amë.  “Kështu Shejzat për nga rrethi i problematikës së larmishme që trajtojnë, shërbejnë si një dritare e hapur informacioni shërbyen si tribunë dhe dritare informacioni dhe pa asnjë dyshim vlejnë si një burim i pasur historik e kulturor i rëndësishëm dhe i pazëvendësueshëm për studiusit e sferave të ndryshme, për një periudhë 20 vjeçare.       

Themeluesit dhe rrethi i intelektualëve që bashkëpunuan me Shejzat.

Objektivin që i kishin vënë vehtes themeluesit e revistës Shejzat në paraqitjen e programit te saj që në numurin e pare të vitit të pare në 1957 se, “…po i hynin asaj ndërmarrjeje të vështirë tue shpresue në përkrahjen e dashamirëve,duke pasë para syshë fjalën e urtë , trimi i mirë me shokë shumë,”revista e ruajti duke mbledhë rreth vehtes  bashkepuntore, “fytyrat ma te njoftuna ne fushen e letrave ne mergim” numri i te cileve si pasoje e emrit te themeluesit Koliqi si dhe rolit qe kishte marre persiper revista erdhi gjithmone duke u shtuar. Nje varg i gjate shkrimtaresh, studiuesish dhe eksponentesh te jetes kulturore e shqiptare te mergates, studiues dhe shkrimtare arberesh, te Kosoves si edhe mjaft te tille te huaj si Italiane, austriake, gjermane etj ju bene krah revistes ose sic shprehet Koliqi “ iu bane kunorë miqt anë e kand ne boten e lire, nuk e lane vetëm, seicili sipas mundesisë së fuqive të veta “. Bashkepuntoret e revistes ishin intelektualet e vertete qe me vetdijene e detyres se vet, jane syri i kombit, pa vepren e drejteperdrejte te te cileve nje komb eshte si i verbri ne nje rruge plot gropa.

Nuk eshte pra nje rastesi qe themeluesi dhe pronari ishte intelektuali Ernest Koliqi, shkrimtar i njohur, studiues i merituar i traditave kulturore artistike dhe folklorike te Shqiperise, shkrimet e te cilit jane pothuajse te perhershme ne Shejzat, shpesh edhe me pseudonimin Hilushi (shkrime te cilat i kemi te rradhitura sipas tematikes).

Nuk eshte gjithashtu rastesi qe kryeredaktori i saj ishte Martin Camaj,  nje nga figurat e medha te letrave shqipe, veprimtaria e te cilit la gjurme cilesore ne reviste. Bashkepuntore te tjere te panderprere kane qene intelektuale te tille si : Karl Gurakuqi (drejtues i Katedres se Gjuhes Shqipe ne Universitetin e Palermos), i cili kreu detyren e  perfaqsimit te se perkohshmes ne Siqili; Prof. Zef Valentini i njohur ne fushen albanologjike me veprate tij te vlefshme; Shpend Bardhi pseudonim i Mustafa Merlika Kruja, shkrimtar i paster i perpikte dhe i paanshem por sidomos shqiptar i mire; Gjin Duka (pseudonimi I Fratit shqiptar At Daniel Gjecaj) i njohur ne rrethet kulturore te mergates shqiptare; Tahir Kolgjini (me pseudonimin Kol Limthi) shqiptar i maleve te veriut shkrimet e te cilit dallohen per nje shqipe te bukur pa ndikime te huaja; Ekrem Vlora, studiues dhe hulumtues i pikave te errta te historise sone kombetare; Vasil D’Alarupi novelist shqiptar i talentuar, Nermin Vlora-Falaski e tjere e  tjere bashkepuntorë qe perfaqsonin mërgaten shqiptare.

Te shumte jane ne numrat e revistes krijimet letrare dhe botimet studimore te arbëreshve te Italise si ato te periudhes se Rilindjes perfaqsuar me De Raden, Skiroin apo bashkepuntoret e drejperdrejte si Vorreo Ujko, Lluka Perone, Giussepe Gradilone, Angela Cirrincione etj.

Keshtu mund te rreshtojme me rradhe dhjetra e  dhjetra emra te tjere te medhenj shqiptare dhe te huaj te cilet kontribuan ndjeshem ne rritjen e nivelit te revistes duke e bere nje zedhense te krijimtarise letrare shqiptare e studimeve te rendesishme ne fusha te ndryshme si te gjuhësise, sociologjise, arkeologjise, etnologjise e me gjere. 

Mund te themi se revista Shejzat per 20 vitet e jetes se saj realizoi filozofine se “ Shqipnia e vertete s’ka kufij gjeografik, po shtrihet shpirtnisht neper mbare boten ne cdo vis ku gjallite nji arbnuer qi nuk mohon vetit e veta autoktone”

Pas këtij udhëtimi të gjatë dhe më shkëputje ndër momentet më të rendësishme të aktivitetit politik, intelektual dhe atdhetar të Koliqit, shpjegimit të impostimeve pozitive, animeve politikisht të pashpjegueshme, ne na duhet të japim disa përfundime në lidhje me mesazhet që nxjerrim sot nga analiza e epërme e aktivitetit të tij në të mirë të kombit:

Nderimi i aktivitetit të Koliqit në Kishën e Vjetër të Stublles së Epërme, në kohën e Kosovës së Lirë, të pavarun, sovrane dhe me rrugë të qartë perëndimizuese, është një thirrje që organizatorët largpamës së Kishës Katolike Dardane bëjnë për forcimin e kulturës albanianiste të popullit shqiptar në Kosovë, Shqipëri dhe trevat shqiptare;

Nga ky kuvend unë shoh se del një thirrje për respektimin dhe garantimin edhe të të drejtave të të gjithë qytetarëve në një shtet strikt laik dhe demokratik në Kosovë dhe Shqipëri.

Formësimi i brezit të ri me kulturën e pastër iliro- dardane dhe arbnore, perëndimizimi, shekullarizimi dhe demokratizimi i plotë i dy shteteve, nën mbështetjen e Aleatit tonë strategjik, mbetet prioritet për udhëheqësitë politike të Shqipërisë dhe Kosovës.

Pjesa e katërt…

Filed Under: Kulture

PARADIGMA E GJUHËS SHQIPE NË VEPRËN E MID’HAT FRASHËRIT

December 14, 2024 by s p

Akad. prof. dr. Valter MEMISHA/

Mid’hat Frashëri ka bërë punë e jashtëzakonshme për fjalën shqipe, për terminologjinë, për pastrimin e gjuhës nga fjalët e huaja etj. Ai e ktheu revistën “Diturija” në tribun të kulturës e emancipimit gjuhësor, të mbrojtjes së shqipes e të pasurive të saj. Gati në çdo numër të kësaj reviste zinte vend rubrika “Fjalëtore e vogëlë / Fjalëtoretë shqip”, ku gjejmë lëndë leksikografike, terminologjike e etj. Kjo përbën një fushë me interes të madh studimi për të rinjtë e pasionuar për kërkime e studime në lëmë të shqipes. 

Madje ai është marrë dhe me interpretime përmes kundrimeve psikologjike. Nga artikulli “Vërejtje psikologjike mbi fjalorin e Marko Boçarit”, shkëputim:

“Fjalori i vogël që na ka ruajtur trimi suljot përfytyron jo vetëm një rëndësi gjuhësore për të folmen e Çamërisë, po edhe një interes psikologjik nga disa mësime që dalin sish, mësime të dhëna prej mbledhjes dhe kombinimit të fjalëve e të mënyrës me të cilën jepet kuptimi i frazave. Vetë këto fraza, thotë njeriu, kanë dalë prej një farë ndjenje, një mendimi të fshehtë që manifestohet befas, i lindur prej individualitetit të luftëtarit ose më mirë akoma, prej shpirtit të një race. 

Agon (faqe 27), fjalë greqisht, që do të thotë luftë, luftim, përpjekje; është përkthyer me kuptimin punë, sikur të punuaritështë më e madhja luftë për shqiptarin, rreziku që duhet t’i druhemi, kanosja e varur mbi kryet tonë.

Gajdharos dhio fores (f. 32), gomar dy herë. Padyshim, ky epitetkaq “i butë” nuk drejtohet për kafshën e urtë, që na shërben aq besnikërisht, pa u ankuar kurrë.

Varvaros (f. 35), kokëtrashë. Nuk mund të gjendet përkthimmetaforik më i bukur: njeriu të hollojë mendjen dhe ndjenjat, që të bëhet dhe i qytetëruar.

Pié krasi kallo (f. 36), pi verë të mirë. Por, kur të jetë e mirë, njeriu mund të pijë sa të dojë, pa ndonjë ndrojtje, lumturi që vetëm perënditë mund ta shijojnë.

Voli megallon (f. 37), plumb i madh. Sa të jetë e mundur më imadh, që të mos dalë dot i gjallë armiku, preokupim i çdo dite, i çdo ore! 

Dhimios, ehthros (po atje), xhelat, hasëm. Armik i tmerrshëm:armiku është i pamëshirë, smiri i tij vete gjer sa të të rrjepë lëkurën.

Vuci megallo (f. 38), but i madh. Ëndërr, poezi: buti plot verëapo i mbushur me vaj, pasuri e shtëpisë, rrojtje e siguruar. Është një pamje, një mirazh, një serab e një farë beduini, banues i një vendi, i një mali jopjellor. Por dëshirë e pashprehur, e ndjerë dhe më fort akoma në theks të zërit një psherëtimë e hollë, shpresa që ky but, më i madh se ajo e kështjellës së Heidelbergut, të mbushet vetvetiu, mrekullisht dhe jo një herë si shoqe e saj në atë breg, buzë Neckarit, por kurdoherë, në qoftë e mundur prej engjëjve, si në kuzhinë të Murillojt, pa u lodhur ne, pa marrë as më të paktin mundim. Lumturi e vërtetë, kaq vështirë për ta realizuar.

Parthemos (f. 41),…. Fjalën që përdor Markoja për të dhënë kuptimin shqip, s’pata guxuar ta jap në editën tim, as edhe këtu s’do të mund ta shkruaj. Fjalë e ashpër, më realiste dhe “barbare” se një shprehje latine, pa hollësi ndjenje dhe gjuhe, pa respekt për krijesën e butë dhe të këndshme, që me aq dashuri e quajmë vajzë, grua.

Simvuli timion (f. 48), simvuleps me nder, sikur ka pasur nevojëtë caktojë se këshilla që jep s’është për të keqe, për një shpagë ose nakar, për të shkretuar një shtëpi ose zhdukjen e një njeriu; por përjashtim i rrallë, një këshillë e mirë, e ndershme. Leksikografi s’ka guxuar të shtojë dhe e dobishme, si e ndaluar mbase prej ndërgjegjes së tij.

Korfuz hora (f. 50), Korfuz kasabá, qytet. Se jashtë atij s’ka veçsekatunde pa një dukje qytetërimi, pa një zbukurim edilërie, pa një aktivitet tregtar. Tekdo marazi, frika e jetës, shpata e tiranisë; vetëm atje, në atë çip nisije ku ka shkuar veneciani, francezi, anglezi, vetëm atje gjendet ëmbëlsia e një begatie, lumturia e një sigurie, shija e një butësie jete që e bën njeriun t’i pëlqejë të rrojturit, të mos shohë këtë botë një skëterrë, duke pritur vdekjen.

Qira timia (f. 52), zonjë timisurë, e nderuar. Ky kujdes për tëvënë pranë fjalës “zonjë” mbiemrin “timisur” (e nderuar), a nuk ju jep mendime të pikëllueshme, i dashur këndonjës, sikur ideja e një gruaje natyrisht duhet të jetë e ndarë prej respektit, prej nderimit? Apo është një shenjë galanterie e hollë e një njeriu me ndjenja të lëmuara, për të cilin e shoqja, bashkudhëtarja e jetës, mbretëresha e shtëpisë dhe mëma e fëmijës, nuk mund të jetë veçse e nderuar? Më pëlqen kjo hipotezë e dytë, ky besim se gruaja me njomësinë e ndjenjave, me dashurinë që ka në zemër, me tërheqjen fizike të bukurisë, është një element qytetëronjës dhe zbutës, një objekt kulti, e respektuar dhe e nderuar. Nuk më pëlqen, as dua të sjell në mendje, që krijesa e mëshirshme dhe delikate, dora e adhurueshme e së cilës është bërë për të shëruar plagët tona, të jetë viktimë, një martire në duart e më të fortit, një “femër” e tiranizuar, e mirë si kafshë ngarkese, si një shërbëtore, si një plaçkë, që duke folur për të, duhet të themi më parë “me nder z. sate!). Të kërkoj ndjesë, e dashur këndonjëse, prej këtij paraleli dhe të ftoj të mendohesh, të meditosh.”

Ai është marrë me çështje të fjalëformimit e të semantikës morfologjike. Në faqetv e revistës “Diturija” gjejmë emrat e dijetarëve më të shquar të Shqipërisë së viteve 1909-1929, si Mati Logoreci, K. Gurakuqi, Gj. Pekmezi, P. Ikonomi, Gj. Haxhi Mihali, A. Xhuvani, P. Nilo Borggia, prof. Mihal Sherko etj. Aty gjejmë informacion të pandërprershëm për botimet në fushën e gjuhës shqipe etj., si Një gramatikë e vogël e gjuhës shqipe, më 1710; informacion për botimin prej 46 faqe të Fjalorit të M. Boçarit (lexique de Marc Botzari), 1926; 

Në shumë nurmra gjejmë rubrikën “Tribunë Gramatike e Gjuhësije”.

Në numrin 3 të “Diturisë”, të muajit gusht 1916, gjejmë punimin “Fundoretë në emrat shqipe”, ku trajtohen rreth 48 prapashtesa fjalëformuese (si disa variante të disa prej tyre). Është një punim me interes, sepse ai përbën gur shënues në historikun e fjalëformimit ndajshtesor të shqipes. Në lëndën e sjellë kemi ilustrime të formimit të fjalëve me brumë të shqipes dhe në shumicën dërrmuese jepet dhe një informacion semantik, duke parë gjurmët e para të një koncepti bashkëkohor të specializimit të ndajshtesave fjalëformuese. Po përmendim këtu disa nga këto ndajshtesa: -ac, -ak, -an, -ar, -as, -ash, -azi, -cak, -cuk, -e, -er, -esë, -eshë, -ës, -icë, -ik / -nik, -je, -im, -isht / -risht, -o, -ok, -or, -osh, -onjë, -tar, -tor, -uke, -ush, -veç, -zë.

14. M. Frashëri është dhe fjalëkrijues e gjuhëlëvrues i rrallë. Po japim vetëm tri pjesë (të marra nga Mid’hat Frashëri, Vepra të zgjedhura, 3, Tiranë, 2028), për të parë bukurinë të shprehurit, vlerën e fjalës shqipe në gojën e tij, sintaksën aq të bukur dhe aq të thjeshtë, që lehtësisht duhet të merret si gjedhe pune sot në fushën e letrave: 

Ejani, o kujtime!

Ejani, ejani o kujtime, se kam nevojë për ju! Zemra sot ka pikëllim. Ejani, se ju dua!

T’ëmbël a të hidhur, gjithnjë ju kam dashur, o miqt’ e mi! Të ngroht’ a të ftohtë, sido që kini qenë, zemra ju ka pritur me dashuri.

Jini miq të vjetër: m’arrin të mbyll sytë, që t’ju shoh këtu pranë meje. Ejani, pra, o kujtime!

Kur shpirti më ndjen të ftohtë, kur zemra ndjen veten e saj jetime, ju dua, o kujtime, si i varfëri që trazon hin’e vatrës, për të gjetur pak shpuzë. Sa t’ëmbëla t’i duken ato shkëndijat e vogla!

Po edhe në kohë të gazit dhe të shpresës, ahere kur një e sotm’ e qeshur më bën të dua gjithë kohën e shkuar dhe të shoh t’ëmbël dhe të bukur udhën që kam përpara, edhe ahere, o miqt’ e mi, dua të trazoj këtë hi të jetës që të shoh shpuzën, ta shoh, të gëzohem e të qesh duke e flakur n’erë!

Ineboll, 18/31 korrik 1912

N’është vërtet se zemra jote s’rreh kurrë për mua – ashtu si ke dashur të më duash, – në është vërtet se fytyra ime nuk zë asnjë vend në ëndërrimet e tua, pse, o e bukura ime, kur më sheh ngadalson çapnë, pse më lëshon vështrimn’ e atij syri tënd të shkruar?

Nuk e di ti si më buçet dhe më zjen gjaknë ay vështrimi yt kaq i qetë dhe i ftohtë? Nuk e di ti si më çpon zemrën ay vështrimi ngjyrë qielli?

Vështrimi yt është si një shtizë në dorë të një djali që lot me një zog; vuajtjet e shpesit i heq dhe zemëra ime. Të lutem pusho, pushoje këtë lodër të gjakme!

Po ç’them unë! shtjemë, shtjemë syt’ e tu, se vështrimi yt, o e bukura ime, m’i thjeshtë se frymë e Jehovajt, i jep gjëllim shpirtit tim.

Prill, 1906

Më pyet sa ësht’ e thellë dhe a është e përjetshme dashuria ime.

Ahere syt’ e tu, ata sy të zez q’i dua kaq, marrin një shkëlqim, një vështrim të ri, edhe buza jote ka një të qeshur të hidhur.

Pse, o e dashura ime, pse lë të hyjnë të tillë mendime të hidhur n’atë kokë të bukur?

Nuk’ e di ti që çdo gjë në këtë jet’ është e vdirshme? Nuk e di ti që çdo gjë mbi këtë dhé ka një fund?

Prapsi, prapsi, këto mendime. Mos i përsërit këto pyetje.

Të dua me gjithë shpirt, me dashuri të thellë; sot të dua sa për një jetë të tërë. Mos prish gaz’ e sotmë, duke menduar të nesërmen e errët.

Mos më pyet më sa ësht’ e thellë dhe sa ësht’ e përjetshme dashuria ime!

1908

Duke i mbyllur, këto skicime për disa sytha që trupëzojnë pamjen e përgjithshme të Paradigmës së gjuhës shqipe në veprën e Mid’hat Frashërit, theksojmë se dhe me kaq pak lëndë që sollëm, duket qartë ndihmesa e këtij personaliteti dhe në këtë fushë. E ardhmja e afërt do të na bëjë t’i afrohem gjithë veprës së tij dhe për ta parë të plotë këtë paradigmë. 

(Pjesa e katërt…)

Filed Under: Politike

MUSTAFA MERLIKA KRUJA DHE PROJEKTI I TIJ PËR ZGJIDHJEN E ÇËSHTJES SHQIPTARE

December 14, 2024 by s p

Qerim LITA – Shkup/

Me nismën e një grupi të intelektualëve shqiptarë të kohës, siç ishin: Mustafa Merlika Kruja, Ernest Koliqi, Eqerem bej Vlora, Mati Llogoreci, Eqerm Çabej, Lasgush Poradeci, Aleksandër Xhuvani, Dhimitër Berati, Namik Resuli, Ndue Paluci, Ahmet Gashi etj., në vitin 1940 në Tiranë, formohet “Instituti Mbretnuer të Studimevet Shqiptare”, i cili nga vjeshta e vitit 1943, mori emrin “Instituti Shqiptar për Studime e Arte”.  Drejtor i parë i këtij instituti u zgjodh Mustafa Merlika Kruja, të cilin (pasi në dhjetor të vitit 1941 emërohet kryeministër i Shqipërisë) atë e zëvendësoi, Ernest Koliqi, një intelektual dhe atdhetar tjetër i shquar, i cili ndryshe njihet edhe si nismëtari, organizatori dhe themeluesi i shkollave shqipe në Tokat e Liruara.

Brenda katër viteve sa funksionoi Instituti për Studime Shqiptare, botoi një numër të madh të studimeve albanologjike, që me këtë rast po i veçoj vetëm disa prej tyre: “Konferenca e Londrës mbi çështjen shqiptare”, “Studime historike mbi qytetin e Dibrës”, “Studime historike mbi qytetet dhe fshatrat e Vilajetit të Janinës”, “Studime historike mbi qytetet dhe fshatrat e prefekturës së Kosovës”, “Studime historike mbi qytetet dhe fshatrat e Vilajetit të Manastirit”, “Studime historike mbi qytetin e Prizrenit”, “Studime historike mbi Shqipërinë”, “Studime përmbledhëse mbi Shqipërinë” të shkruar nga autorit Ahmet Hamdi në vitin 1920, “Studime historike mbi origjinën e shqiptarëve”, “Studime historike mbi disfatën e ushtrisë turke në luftën ballkanike”, “Roli i intelektualëve për ta çuar Shqipërinë përpara”, “Studime historike mbi figurat e njohura të Rilindjes Kombëtare: Sami Frashëri, Hoxhë Tahsini etj.”, “Studime historike mbi shqiptarët e Italisë”, “Studime historike mbi shqiptarët e Egjiptit”, “Studime historike mbi shqiptarët e Rumanisë”, “Studime historike mbi shqiptarët e Kaukazit” e shumë studime tjera, të cilat ruhen në dorëshkrim në Arkivin Qendror të Shtetit në Tiranë, Fondi Instituti i Studime Shqiptare (200). 

Mustafa Merlika Kruja, i brengosur thellë për fatin e shqiptarëve në përgjithësi, e të Shqipërisë në veçanti, më 3 shtator 1943, hartoi një projekt, i cili ndër të tjerave parashihte që në kuadër të Institutit për Studime Shqiptare, të krijohej një trup i përbashkët i intelektualëve shqiptarë, të cilët do të angazhoheshin në grumbullimin e të gjitha veprave të shkruara për shqiptarët dhe Shqipërinë nga autorët e huaj, dhe pasi të lexoheshin e të daktilografoheshin të gjitha ato pjesë që bënin fjalë për popullin shqiptar dhe Shqipërinë, të seleksionoheshin, klasifikoheshin dhe botoheshin. Këtë detyrë të shenjtë kombëtare, sipas Krujës, mund ta kryente vetëm Instituti për Studime Shqiptare, natyrisht në bashkëpunim të ngushtë me intelektualët shqiptarë kudo që ato ndodheshin, sepse, siç do të shprehet ai: “...Diplomatët qi do të mblidhen rreth tryezës së gjelbër për të dá fatin e kombevet në konferencën e ardhëshme nuk janë gjyqtar objektivë qi shikojnë vetëm të drejtën, por janë avoketët t’interesave të vêndeve të veta e të miqve dhe t’aljatve të tyne….”. Mirëpo, sipas Krujës, edhe pse nuk mund të shpresohej shumë se në atë “kuvend diplomatësh” do të gjendeshin “miq të vërtetë të Shqipnis”, ata, pra diplomatët botëror, nuk do të kishin mundësi as me i mohuar “kryekëput të drejtat e nji kombi të vogël” të provuara “me argumente të qartë e të forta” përpara tyre e përpara opinionit të popujve që përfaqësojnë…”. Prandaj, për ta bindur botën rreth të drejtave të kombit shqiptar, Kruja propozonte që nga ana e Institutit të ndërmerreshin këto çështje:

“I. Të hartohet një bibliografí e cila do t’i përfshinte të gjitha veprat që flasin për Shqipërinë e shqiptarët në mënyrë të drejtpërdrejt apo të tërthortë, në të gjitha gjuhët e botës; 

II. Të gjitha ato vepra të lexohen me kujdes e të daktilografohen në gjuhë origjinale të gjitha pjesët e tyre që pohojnë për të drejtat kombëtare të shqiptarëve, sidomos ato etnike. 

III. Ato pjesë të zgjedhura me kujdes prej veprash të studiuara mirë, të seleksionohen, të klasifikohen e të botohen me indekse racionale, në mënyrë që të mundet me u gjetur automatikisht se ç’far dhe nga cili autor është folur për kombin shqiptar.  

IV. Që tërë kjo punë të kryhet në një kohë sa më të shpejtë, nevojitet bashkëpunimi i të gjithë intelektualëve shqiptar të cilët e njohin mirë një gjuhë të huaj (anglisht, gjermanisht, frëngjisht, greqisht, italisht, serbo-kroatisht, bullgarisht, rumanisht, turqisht) e të cilët kanë vullnet për të hulumtuar e lexuar. Të gjithë ata duhet të rekrutohen vullnetarisht për një kohë të caktuar në Institutin Mbretëror të Studimeve Shqiptare; 

V. Pasi të jetë i përgatitur katalogu i veprave për t’u studiuar (libra, statistika, karta etnografike, rivista, etj.), të ndahet puna duke i caktuar secilit bashkëpunëtor pjesën e vet sipas kompetencës (gjuhës që din) e sipas kohës që ka në dispozicion; 

VI. Bashkëpunëtorëve duhet t’u caktohet një kohë brenda së cilës do t’i paraqesin Institutit përfundimin e punës që u është dhënë për ta kryer;

VII. Instituti do të formojë një komision prej bashkëpunëtorëve kompetent që banojnë në Tiranë apo që mund të vijnë për të banuar përkohësisht aty për ta bërë seleksionimin e përpilimin e veprës definitive. 

VIII. Fondet e nevojshme për kryerjen e kësaj pune t’i mbuloj Instituti, nëse i posedon, ose nga ndihmat që do të mund të grumbullohen shumë lehtë për këtë qëllim”.

Për fatin tonë të keq, me ardhjen në pushtet të Partisë Komuniste Shqiptare, Enver Hoxha dhe klika e tij komuniste (të cilët miqtë e Shqipërisë e të shqiptarëve i shpallën për “armiq”, ndërsa armiqtë për “miq”, jo vetëm se e hodhën poshtë Projektin e hartuar nga Mustafa Merlika Kruja, por njëkohësisht e shuan edhe Institutin Shqiptar për Studime dhe Arte, me pretekst se i njëjti na qenka formuar nga “reaksioni shqiptaro-madh”. Rrjedhimisht, numër i madh i punonjësve dhe bashkëpunëtorëve të jashtëm të këtij instituti u pushkatuan, një numër tjetër në pamundësi për të qëndruar në atdheun e tyre, u detyrua të emigroj në Greqi, Itali, Turqi, Egjipt, SHBA, Australi dhe në vende tjera demokratike perëndimore, një pjesë tjetër u burgos apo u internua, ndërsa vetëm një numër i vogël arriti të mbijetoj, i cili, edhe në kushtet e një regjimi enveriano-stalinist, dha një kontribut të jashtëzakonshëm në fushën albanologjike në përgjithësi. 

Fund

Filed Under: Histori

Profesor Emeritus Nicholas C. Pano dhuroi 1 mijë dollarë për gazetën Dielli

December 14, 2024 by s p

Profesor Emeritus Nicholas C. Pano dhuroi 1 mijë dollarë për gazetën Dielli. Ai iu përgjigj me bujarinë e fisnikërinë e tij fushatës së Vatrës për të mbështetur Diellin e Pavarësisë, një akt patriotik për jetëgjatësinë e gazetës më të vjetër që vazhdon të botohet në botën shqiptare. Personaliteti i shquar i mërgatës shqiptare të Amerikës, Profesor Emeritus Nicholas C. Pano ka kontribuar në çdo fushatë të Vatrës me dekada. Ka kontribuar në çdo konferencë shkencore, simpozium apo takim atdhetar, komunitar e kulturor me Vatrën e komunitetin shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Vatra e Dielli i shprehin falenderim e mirënjohje të përjetshme për mbështetjen.

Profesor Nicholas Pano e trashëgoi lidhjen me Federatën VATRA nga babai i tij Vasil Vangjel Pano, i cili ishte një nga anëtarët themelues të Degës # 4 Manchester, në shtetin New Hampshire të krijuar më 2 qershor 1912 nga Faik Konica. Siç tregon Profesor Pano, kur babai i tij u shpërngul në Boston në vitin 1922, u anëtarësua në Degën #1 dhe qysh atëherë e mbajti me besnikëri lidhjen me të deri në fund të jetës së tij. Gjatë viteve të shkollës tetëvjeçare dhe gjimnazit, Profesori Pano e shoqëronte babanë në takimet që organizonte VATRA ku rastiste të takohej me disa nga drejtuesit si edhe me editorët e Diellit në vitet 1940 – 1950 si Peter Tyko dhe Qerim Panariti. Profesor Pano e vazhdoi pa ndërprerje anëtarësinë në Vatër duke pasur karakteristikën e rrallë që është bir i një Vatrani i lidhur me Vatrën prej 112 vjetësh, qysh prej themelimit te saj. Në vitin 2000 Profesor Nicholas Pano u pensionua nga Universiteti Western Illinois ku ishte pedagog për thuajse katër dekada. Në pjesën më të madhe të karrierës akademike, ai ka qenë Profesor i Historisë dhe ekspert për Rusinë e Periudhës perandorake dhe atë sovjetike si edhe për Evropën Qendrore dhe Lindore. Edhe pas daljes në pension, Nik (siç e thërrasin të afërmit dhe miqtë) mban prezantime e kumtesa dhe leksione si i ftuar nderi. Është autor i disa botimeve e studimeve shkencore të fushës së historisë dhe një historian shumë i respektuar në rrethet akademike. Profesor Emeritus Nicholas C. Pano është nder dhe krenari për Vatrën, Diellin dhe komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

*Në mesazhin e urimit për mbarësi dhe sukses të Vatrës e Diellit, Prof.Pano këtë dhuratë shprehet se e bën në nder të Sami Repishtit.

Filed Under: Opinion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 588
  • 589
  • 590
  • 591
  • 592
  • …
  • 2776
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT