• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Mes harresës dhe përkujtimit, kontributi i Mehmet Pashë Dërallës në shteformimin shqiptar

December 10, 2024 by s p

Dr. Dorian Koçi/

Kujtesa historike është një proces që mund të punojë në dy drejtime. Drejtimi i parë është ai përkujtimor që është dhe varianti më i përhapur dhe që nënkupton se vlera, ide dhe personazhe i shërbejnë kombit vazhdimisht për të mbajtur gjallë ndërgjegjen kombëtare dhe i dyti është drejtimi mohues që është variant më pak i përhapur dhe që nënkupton që ngjarje, personazhe apo dhe vlera “harrohen” sërish për ti shërbyer interesave kombëtare. Një rast i tillë është p.sh ai i Zvicrës, ku lufta e konfederatave në 1846 harrohet dhe nuk përmendet për ti mëshuar më fort identitetit zviceran të të tre kantoneve.

Në Shqipëri për shumë arsye që kanë të bëjnë me rastin specifik të saj në historinë e Ballkanit por edhe pse zakonisht modelet janë marrë të gatshme nga jashtë, është përqafuar drejtimi i parë , ndaj dhe njerëzit dhe shoqëria janë shumë të ndjeshëm ndaj çdo mohimi apo denigrimi të atyre që janë pranuar prej kohësh si vlera të mirëfillta kombëtare dhe personazhe të rëndësishëm që kanë mbizotëruar historinë e vendit. Sigurisht që në këtë qasje shqiptare ka vend dhe për korrigjim apo dhe një ç’mitizim që shpesh herë është vënë re në trajtimin e çështjeve dhe ngjarjeve të ndryshme historike, por pavarësisht faktit që kohët e fundit ka shumë përpjekje për rivlerësim apo rebalancim të këtyre vlerave duke u përpjekur për të rishkruar historinë, besoj se është e nevojshme që një histori e përgjithshme e kombit shqiptar nuk mund të shtrihet vetëm brenda kufijve administrativë të Shqipërisë.

Për këtë gjë na vijnë në ndihmë edhe vet ngjarjet madhore që kanë shenjuar rrrugëtimin e formësimit të kombit shqiptar, disa nga të cilat janë zhvilluar jashtë kufijve administrativë të Shqipërisë së sotme, por brenda hartës së etnosit shqiptar. Lidhja e Prizrenit(1878), Lidhja e Pejës(1900), Kongresi i I(1908) dhe II(1910) i Manastirit janë ngjarje që smund të injorohen nga asnjë studiues serioz kur analizon procesin e formimit të kombit shqiptar. Por në të njëjtën kohë edhe ngjarjet e mëdha kombëtare që kanë ndodhur në brenda kufijve administrativë kanë reflektuar dëshirat dhe vullnetin e popullsisë mbanë shqiptare. Kështu p.sh, deklarata e pavarësisë së Shqipërisë, ngjarja më madhore e kombit, shpreh vullnetin e gjithë përfaqësuesve të kombit shqiptar nga tëgjitha krahinat. Ky vullnet qëështë i reflektuar dhe në përbërjen e qeverisë së parë të Shqipërisë së pavarur. Mes personaliteve të ndryshme që nga aktivistë dhe patriotë të Rilindjes Kombëtare, u kthyen në ministrat e parë të shtetit të ri shqiptar, është dhe Mehmet Pashë Dëralla, ministri i parë i Luftës të shtetit të pavarur shqiptar. Shqiptarët etnikë të Maqedonisë, kanë nxjerrë personalitete të ndryshme që kanë kontribuar në krijimin dhe sendërtimin e idesë kombëtare të shqiptarëve, duke pasqyruar më së miri kombinimin e elementit të zgjimit kombëtar si është rasti i Dervish Himës, Josif Bagërit me elementin e forcës si është rasti i Dervish Carës dhe Mehmet Pashë Dërallës.

Mehmet Pashë Dëralla, është një figurë politike e ushtarake për të cilin është folur e studiuar pak. Me propozimin e Isa Boletinit, më 4 dhjetor 1912, Mehmet pashë Dërralla u zgjodh ministër i Luftës në Qeverinë e Përkohshme. Ndonëse ishte në moshën 69-vjeçare, Mehmet pashë Dërralla nisi detyrën e vështirë të organizimit të ushtrisë shqiptare. Me përvojën 40-vjeçare në drejtimin dhe komandimin e ushtrisë, ai organizoi Komandën e Përgjithshme dhe Shtabin Madhor me strukturat përkatëse. Data 4 dhjetor festohet si dita e themelimit të ushtrisë shqiptare, por për fat të keq ministri i parë i luftës, njeriu që ka ngritur me kontributin e tij Ministrinë e Mbrojtjes, nuk ka ende një monografi historike shkruar rreth tij apo një bust apo memorial për ta përkujtuar në Shqipëri.

Filed Under: Politike

ZAMBAKË POETIKË NË PUBLICISTIKËN E FISHTËS

December 10, 2024 by s p

Kosta Nake/

Në publicistikën e At Gjergj Fishtës gjen të lëvruara me mjeshtëri të gjitha zhanret përkatëse, si: editorial, ese, fejton, artikull, reportazh, vëzhgim, analizë politike, studim shkencor, satira, njoftim, etj. dhe përbën një ndihmesë të vyer gjatë periudhës më të ndritur të medias shqiptare. Prozat poetike të Fishtës dhe Konicës, edhe pse të ndaluara për gjysmë shekulli, kishin krijuar magjen e fshehtë në të cilin u përpunua modeli i hartimeve që përcolli formimin letrar dhe ideoestetik të gjimnazistëve shqiptarë në vitet e diktaturës komuniste. Ato shquhen për formën e veçantë shprehëse që zbulohen me delikatesë si zambakët e bardhë të ujit në një oaz blu me kornizë të blertë dhe pasohen nga maturia e krehjes së mendimeve. Ato janë tekste paraprijëse që i hapin udhë autorit për të analizuar, shqyrtuar ose interpretuar me patos të lartë qytetar një temë të rëndësishme.

Temat janë po aq të ndryshme sa vetë jeta: për politikën, pedagogjinë, artin apo filozofinë. Fishta përdori burime stilistike dhe poetike që i dhanë gjallëri më të madhe argumentit dhe përftuan një dokument të lirë, tregues dhe sugjerues. Te disa prej këtyre prozave poetike mund të dallojmë një strukturë eseistike që përbën një model zhvillimi: ekspozohet parimi i argumentimit të temës që do të zhvillohet; në pjesën kryesore ngrihen argumente, ekspozohen teza; pastaj vijnë përfundimet e arritura, argumentet përfundimtare të idesë, dhe theksohen karakteristikat që mbështesin analizën.

Proza e parë atistike që mund të veçohet nga kjo përmbledhje, është “Të ngjallunit” (f.65) e cila sjell vitet e luftës me tisin e errët të fjalëve e shprehjeve: thëllim lufte, në rribë të tufanit, vala rrëmbyese e Atlantikut, një bubullimë e kobshme, gurgulloi gjaku, rrëmoret e grista, nanat e shkreta si ato kërcunat e zeza nëpër rrasa të mjerueshme, hini dhe shkrumbi, dhe kulmon me karakterizimin “turpi i njerëzimit”, etj. Eseja përfundon me besimin se kjo e keqe mund të kapërcehet “kur fiset e kombet të lidhen ndërmejt me dashtni, e punën ta rregullojnë mbas parimesh të amshueme të së vërtetës…” (f.67)

Mjedisi shkatërrues i luftës rivjen edhe te shkrimi me titullin deklamues “Rroftë Perandori e Regji Apostolik, Karli I!” (f.85) i cili “e kapi timonin e anijes së shtetit” në një kohë me “tallaze të përpishme të një deti të tmerrshëm, me tufan të të rreziqeve të randa e të panjehuna…”

Perandori Karli i rivjen edhe në përvjetorin e lindjes me “purtekën e sundimit, stolisë me gjithë ato veti të mbara”, përpjekja e tij për një shtet të denjë “shkon tue ndritë përherë ma fort me rreze lumnie përpara shekullit” te shkrimi “Dita e të lemit e perandorit Karl.” (f.91)

Lufta ka dhe antipodin e vet te shkrimi “Paqja” (f.126), kur u “lëshue pëllumbi i paqes përmbi shkulme të boenës së gjakut që mori Europën mbarë,… me gem ullini në sqep po ngjall shpresën në familjen e madhe të njerëzimit.” Në të njëjtën linjë tematike është edhe eseja “A qafa, a nafaka” (f.155), një analizë e Luftës së Parë Botërore pas përfundimit të saj, një “shkandull i kobshëm kurrë ndie përpara ndër kavaljete të gjata të jetës së njerëzimit” me aeroplanët si “vampirë të mallkuem”, me nëndetset si “delfinë të tmerrshëm”, me topat si “gryka ferri”. Për popujt e rruzullimit “sot asht a qafa, a nafaka: a me shpëtue me nder, a me humbë përgjithmonë të fikun e të koritun.” Përfundimi: shqiptarët duhet të bashkohen për t’i dalë zot fatit të tyre.

Prozë poetike me një hapësirë më të madhe lëvrimi artistik është “Ndër blerime të vorreve” (f.140) ku gjejmë “gurrat e cemta porsi argjend i shkrimë”, ku shohim pranverën “bukur stolisë me lila e drandofille”, ku bilbili nis “himnin e madhueshëm të natyrës”, në antitezë me këto janë gurët e zymtë “të atyne vorreve të mjerueshëm” ku “përplasen e thyen tallazet e epsheve të zemrës së njeriut…”, ku “mendja ma e ngulta e ma e forta trandet nën hijen e kosës mizore të vdekjes.” Soditja e trishtë e varreve në “Fushë të Rmajve” zhvendoset në rrafsh filozofik ku “dy viganë të fuqishëm luftojnë panda në moje të njerëzimit” dhe këta viganë janë vdekja dhe natyra. Po varrezat marrin tjetër peshë kur mbajnë në dheun e vet ata që kanë rënë për atdheun, “vorret e përvujtuna të tyne janë pomendore jetëjetëse, shkrolat e shkurtra në kryqa të thata janë poema – Iliada të pavdekshme…shpëtuen një atdhe të madhnueshëm. Nuk kanë vdekë, po kanë le.”

Një prozë poetike e mirëfilltë me kufij shumë të përcaktuar është “Me gëzim e me entuziazëm i dilet në krye çdo vepre” (f.200) e cila ngërthen që në titull edhe temën, edhe përfundimin. Është një përvojë vetiake, është një meditim filozofik i mbështetur edhe me referime të disa figura të njohura për kohën, mes të cilave Vagner dhe Kepler. “Gëzimi asht për njeriun çka asht diellin për bimët.” Ky krahasim i një lloji të veçantë përbën boshtin e analizës dhe pasohet me formulimin aksiomatik: “gurrë energjie e veprimit fizik, intelektual e moral.” Fishta fokusohet te dobia shpirtërore që sjell gëzimi dhe e kanalizon drejt virtytit dhe si burim idesh të naltueshme, por edhe si faktor mbështetës për shëndetin.

Një prozë poetike është e ndërkallur edhe në fjalimin e At Gjergj Fishtës në vdekjen e Anvi Rustemit me një enumeracion që synon të institucionalizojë nderimin dhe mirënjohjen për figurat atdhetare dhe do t’u japë oratorëve dhe gazetarëve kalket e gatshme për nekrologjitë e figurave të mëdha: “Avni Rustemi s’ka mbarue… ai ka për të jetue deri sa në ndonjë skaj sado të vogël të Shqipnisë të ndihet tue kumbue e ambla gjuha jonë shqiptare. Emnin e tij ka për ta shkrue me shkronja ari, shkronja të pashlyeshme. Ka me dalë ndonjë poet i kombit, i cili atë emën ka për ta këndue mbi lirë të vet të hyjnueshme; atë emën mësuesit ndër shkolla kanë për t’ua përmendë nxanësve; djemtë e vashat shqiptare kapun në valle nëpër brohori kanë për ta këndue atë emën; kanë për të këndue barinjtë e blegtorët nëpër hije e mriza të paqta të fushave dhe maleve tona; e mali e fusha e bregu e zalli kanë me jehue nga ky emën, e kështu emni i Avni Rustemit dhe ideali i tij ka me mbetë i pavdekshëm në Shqipni.” (f.252)

Pjesa përmbyllëse e fjalimit ka një radhë apostrofash për malet e Shqipërisë, për fushat, për shtetarët, për shpresën e kombit, për prindërit e heroit duke perifrazuar atë që varrimet e zakonshme përmblidhet me dëshirën “i përjetshëm qoftë kujtimi i tij!”

Edhe letra e At Gjergj Fishtës dërguar drejtorit të gazetës “Vullneti i popullit” (f.255) ka brenda saj elementë poetikë sepse e shfrytëzon si një mundësi për të shprehur vlerësimin e tij për rolin e shtypit dhe të gazetarëve sepse “shtypi asht një artileri që vret ma larg e bubullon ma rreptë se çdo gopeder a top”.

(Publicistika e At Gjergj Fishtës, Vepra 10, Botimet “Gjergj Fishta”, 2012)

Filed Under: Opinion

Shkolla Shqipe në New York

December 10, 2024 by s p

Shkolla Shqipe në New York.

Filed Under: Komunitet

Rrugëtimi politik i Mustafa Krujës

December 9, 2024 by s p

Processed with VSCO with ka1 preset

Prof. Enriketa Papa/

Mustafa Merlika Kruja lindi në vitin 1887 në Krujë, dhe pati mundësinë të studiojë, falë dhe mbështetjes së një bamirësi të pasur si Esad Pasha në rüştije-n lokale (shkollën e mesme), në Janinë dhe në Mekteb-i Mülkiye (shkollë e mesme) në Stamboll. Pas përfundimit të arsimit të tij në vitin 1910, u kthye në Shqipëri pasi u emërua mësues në idadinë (shkollë e mesme) e Durrësit dhe më vonë u emërua Drejtor i Arsimit Publik për sanxhakun e Elbasanit. Po ashtu Kruja ishte aktiv në kryengritjen shqiptare të vitit 1912 kundër osmanëve dhe në Vlorë, ku si përfaqësues i Krujës ishte ndër firmëtarët e deklaratës së pavarësisë dhe ishte dhe anëtar i senatit të formuar në atë kohë. Më 1914 u emërua këshilltar për arsimin publik në administratën e re të Princ von Wied duke qenë një nga mbështetësit e tij.  

Në vitin 1918, ishte i pranishëm në Kongresin e Durrësit, dhe më pas u emërua Ministër i Postë-Telegrafëve në qeverinë e re pro-italiane. Ai vetë favorizonte një protektorat italian (“Pavarësinë e Shqipërisë së madhe nën mbrojtjen e Italisë”). Për të, vetëm Italia do të mund ta ruante dhe lejonte ndërtimin e një qeverie kombëtare shqiptare përmes zgjedhjeve të lira, pasi Italia ishte ndër shtetet që mbështeste një Shqipëri të pavarur pas Luftës së Parë Botërore.  

Në vitet 1920, si deputet, i përkiste lëvizjes progresiste që kundërshtonte Ahmet Zogun, dhe ishte mik i afërt me deputetët kosovarë, për çka iu desh të arratisej jashtë vendit për një periudhë të gjatë. Kështu, në vitin 1922, iku në Jugosllavi pas një përpjekjeje për grusht shteti me shqiptarët në rajonin veriperëndimor. Më pas mori pjesë në të ashtuquajturën “Lëvizja e Qershorit 1924”, një puç kundra pushtetit legjitim. Nën adminitratën e kryeministrit Fan Noli u emërua prefekt i Shkodrës. Pas rikthimit të legalitetit të Ahmet Zogut në dhjetor 1924, sërish u detyrua të emigronte në Kroaci, Zvicër dhe Itali.  

Në mërgim, Kruja ishte anëtar i Komitetit Kombëtar Revolucionar (KONARE), një organizatë politike shqiptare e krahut të majtë, ku ai përfaqësonte krahun e djathtë. Pas disa përplasjeve me fraksionin e majtë për marrëveshjen që KONARE bëri me Bashkimin Sovjetik si dhe për nënshkrimin e “Manifestit Anti-imperialist” të vitit 1927 nga ish-kryeministri Peshkop Fan Noli në emër të KONARE-s, akte të cilat Kruja i kritikoi, ai dhe miqtë e tij themeluan, me mbështetje financiare nga qeveria italiane, Grupin Nacionalist pro-italian të Zarës, në Kroaci.

Nga kjo kohë deri në vitin 1939, Kruja qëndroi në mërgim dhe u përfshi në aktivitetet politike të këtij grupi, ndërkohë që vazhdoi studimet dhe shkrimet e tij mbi shqiptarët, gjuhën dhe historinë e tyre të lashtë, disa prej të cilave u botuan në periodikët e kohës. Pas kthimit të tij në Shqipëri në vitin 1939 kur Italia fashiste pushtoi vendin, Kruja u bë senator dhe kryetar i Institutit Italo-Shqiptar të Studimeve Shqiptare. Në vitin 1941, u emërua Kryeministër dhe Ministër i Brendshëm. Ai dha dorëheqjen në vitin 1943 dhe pjesën tjetër të jetës e kaloi në mërgim në Austri, Itali, Egjipt dhe në fund në Shtetet e Bashkuara, ku vdiq në vitin 1958 në Niagara Falls, New York.

Gjatë viteve të tij në mërgim, bindjet antikomuniste të Krujës ishin aq të forta sa që ai bashkëpunoi edhe me kundërshtarin e tij më të madh, Mbretin Zog I. Ky i fundit e ftoi Krujën të bashkëpunonte me të në Aleksandri të Egjiptit, ku u takuan disa herë, me synimin për të bashkuar diasporën politike shqiptare kundër qeverisë komuniste në Shqipëri. Sipas Krujës, Shqipëria komuniste do të ishte vetëm një provincë e vogël e perandorisë sllavo-komuniste, që shtrihej nga Deti i Japonisë deri në Adriatik. Pas luftës së dytë botërore, ai e konsideronte Mbretin Zog I si të vetmin që mund të bashkonte grupet e diasporës shqiptare dhe të vetmin që mund të kishte ndikim mbi shqiptarët në Shqipëri. Mbreti Zog I kishte fuqinë për të mbështetur, si financiarisht ashtu edhe shpirtërisht, veprimet politike kundër regjimit komunist, si jashtë ashtu edhe brenda Shqipërisë. Vetëm pas rënies së komunistëve në vitin 1992 do të ishte e mundur për shqiptarët që të vendosnin me plebishit mbi regjimin e tyre kushtetues, qoftë një monarki apo një republikë demokratike.

Veprimtaria e Krujës pas 1939

Në verën e vitit 1941, duke parë se qeveria e Shefqet Bej Verlacit ishte e paaftë të kontrollonte trazirat e brendshme në rritje, veçanërisht në provincat e sapo pushtuara si Kosova, dhe problematikat e shkaktuara nga Lufta italo-greke Mëkëmbësi italian Francesco Jacomoni i propozoi Musolinit dhe Galeaco Cianos, Ministër i Punëve të Jashtme, senatorin Mustafa Merlika Kruja si Kryeministrin e ri të Shqipërisë. Sipas propozimit të tij, megjithëse Kruja ishte me origjinë të thjeshtë, ai do të përfaqësonte me sukses elitën intelektuale të vendit. Për italianët, Mustafa Merlika Kruja ishte njeriu i përsosur në momentin e duhur. Rezistenca antifashiste ishte ende në një fazë të hershme, dhe për italianët, qeveria tradicionale e drejtuar nga Verlaci ishte bërë simbol i paaftësisë për të qeverisur. Për mëkëmbësin italian Jacomoni, Kruja dukej si një nacionalist i zjarrtë. Si i tillë, ai do t’u shërbente mirë italianëve duke u paraqitur për shqiptarët si antikomunist, intelektual dhe, natyrisht, nacionalist. Nacionalizmi, që Kruja e mishëronte në mënyrë të përkryer gjatë gjithë jetës së tij, realizoi një ëndërr të vyer gjatë pushtimit, veçanërisht pas vitit 1941 me krijimin e “Shqipërisë së Madhe” pas bashkimit të saj me pjesën më të madhe të Kosovës. Pas këtij bashkimi, çështja kombëtare shqiptare, sipas italianëve, do të zgjidhej, sepse do të ishte e pamundur që shqiptarët të ngriheshin kundër një kryeministri që e identifikonte veten si nacionalist. Kjo nënkuptonte se ata nuk do të kundërshtonin italianizimin e Shqipërisë dhe as nuk do të bashkoheshin me lëvizjen antifashiste. Sipas Pearson-it, Kruja u emërua nga italianët kryeministër për të tërhequr shqiptarët drejt politikës fashiste, duke luajtur me ndjenjat e tyre nacionaliste përmes një propagande të zgjuar, ndërkohë që shtypte çdo përpjekje për rezistencë.  

Qeveria e Krujës ishte kështu kabineti i parë kombëtar i Shqipërisë së Madhe. Ndjenjat nacionaliste të Krujës u shfaqën hapur kur ai protestoi ndaj deklaratave të Anthony Eden-it, Cordell Hull-it dhe Molotov-it për Shqipërinë në dhjetor 1942. Për një kohë të gjatë, Aleatët kishin qenë të heshtur për Shqipërinë. Ishin Shtetet e Bashkuara, që nuk e kishin njohur kurrë aneksimin e Shqipërisë nga Kurora Italiane e Savojës që e thyen këtë heshtje. Më 10 dhjetor 1942, Sekretari i Shtetit, Cordell Hull deklaroi se, mbi bazën e Kartës së Atlantikut, SHBA dëshironte të shihte një Shqipëri të lirë, të vetëqeverisur dhe me të drejta sovrane.  

Kruja reagoi menjëherë. Në fjalimin e tij në Këshillin e Madh Korporativ Fashist më 23 dhjetor 1942, ai kritikoi secilën prej këtyre deklaratave, duke thënë se ato kërcënonin unitetin kombëtar shqiptar (tansin kombtare). Deklarata britanike për kufijtë e ardhshëm të Shqipërisë pas luftës ishte më shqetësuesja, pasi ajo do të hapte çështjet kufitare me Greqinë dhe Jugosllavinë. Sipas Krujës, ky rrezik provohej nga miratimi i qeverisë greke për qëndrimin e Eden-it, gjë që dëshmonte se pas luftës Britania do të mbështeste fqinjët e Shqipërisë dhe do ta reduktonte territorin e saj në një shtet fantazmë.

Megjithatë, Kruja nuk arriti të realizonte aspiratat nacionaliste të vendit të tij. Programi i tij i thjeshtë politik shfaqi varësinë e tij të madhe politike nga italianët, pasi të gjitha vendimet i nënshtroheshin miratimit të mëkëmbësit italian. Ai pati suksese të kufizuara. Megjithëse përpiqej të mbante kontakte me nacionalistët që e kundërshtonin, ai dështoi të mbante pozicionin e tij përballë antifashistëve të majtë. Në këtë gjendje të ngarkuar politike, Kruja dështoi të merrte masa kundër grupeve të rezistencës antifashiste, veçanërisht kundër komunistëve. Stabiliteti relativ i fazës së parë të aneksimit italian nuk zgjati shumë, kryesisht për shkak të mungesës së efikasitetit administrativ, fushatave të dështuara ushtarake të italianëve kundër Greqisë, gjendjes së përkeqësuar ekonomike dhe forcës në rritje të rezistencës antifashiste.  

Në janar 1943, Kruja shprehu dëshirën për t’u tërhequr nga jeta politike aktive. Ai nuk bashkëpunoi kurrë me gjermanët, të cilët në përgjithësi shmangnin përfshirjen me elitën tradicionale politike shqiptare, sidomos me italofilët. Megjithatë, ai mori pjesë në disa takime të organizuara nga qarqet nacionaliste dhe monarkiste, pasi si një antikomunist i devotshëm, kishte ende një farë ndikimi mes tyre. Në shtator 1944, Kruja udhëtoi vetëm në Vjenë, ku një nga djemtë e tij ishte i sëmurë rëndë. Djali i tij vdiq në nëntor 1944, vetëm pak ditë para tërheqjes gjermane nga Shqipëria. Prej asaj kohe deri në vdekjen e tij në vitin 1958, Kruja mbeti në mërgim, duke lënë familjen e tij, gruan dhe djemtë në Shqipëri.

Fashizmi vs. komunizmi

Dy arsye mund të shpjegojnë bashkëpunimin e Mustafa Merlika Krujës me fashizmin gjatë Luftës së Dytë Botërore. Së pari, ai ishte një nacionalist i shpallur që ishte i gatshëm të bënte një pakt me fuqitë e Boshtit për të promovuar çështjen nacionaliste shqiptare. Fashistët italianë e identifikuan Krujën me nacionalizmin ekstremist, por e shihnin gjithashtu si të dobishëm për interesat italiane për të qetësuar rezistencën antifashiste. Politika e Italisë ndaj Shqipërisë shpjegon më së miri, se pse ai besonte se Italia ishte vendi i vetëm, me të cilin Shqipëria mund të bashkëpunonte. Ndër fuqitë e Boshtit, Italia, sipas tij, ishte mbështetësja kryesore e aspiratave kombëtare shqiptare dhe garantuesja e pavarësisë dhe integritetit kombëtar të saj. Hubert Neuwirth përmend gjithashtu edhe armiqësinë e Krujës ndaj Mbretit Zog I si një nga arsyet e bashkëpunimit të tij. Në vitin 1939, pasi Mbreti u largua në mërgim, Kruja u kthye në Shqipëri nga Franca. Ai pranoi propozimin italian për t’u bërë kryeministër pasi Italia ra dakord të bënte disa koncesione në drejtim të autonomisë shqiptare dhe të hiqte simbolet fashiste të dinastisë Savoja nga flamuri shqiptar, që kishin shkaktuar pakënaqësi publike. Kruja përshëndeti me entuziazëm bashkimin e pjesës më të madhe të Kosovës me Shqipërinë dhe krijimin e Shqipërisë së Madhe. Për më tepër, ai refuzoi dhe kritikoi deklaratat e Aleatëve në vitin 1942 që favorizonin pretendimet territoriale greke dhe jugosllave ndaj territorit shqiptar pas përfundimit të luftës. Qëllimi i tij ishte të mbronte me çdo kusht bashkimin e arritur të Shqipërisë. Kështu, në emër të çështjes kombëtare të vendit, Kruja vazhdoi bashkëpunimin me fuqitë e Boshtit.  

Së dyti, Kruja ishte një antikomunist i zjarrtë. Siç ka shkruar vetë ai, një nga arsyet që pranoi të bëhej kryeministër dhe bashkëpunoi me Italinë fashiste ishte kundërshtimi i tij ndaj komunizmit, për të cilin ai besonte fort se do të pengonte lirinë e Shqipërisë. Pas aktivizmit politik të rezistencës së majtë dhe themelimit të PKSH-së nga komisarët jugosllavë, ai pranoi propozimin e mëkëmbësit për t’u bërë “Kryeministri Kuisling i Shqipërisë.” Sipas Julian Amery-t, Kruja vazhdoi luftën kundër komunistëve, jo vetëm gjatë mandatit të tij si kryeministër, por edhe pas dorëheqjes së tij. Amery argumenton se britanikët në atë kohë ishin të shqetësuar për marrëdhëniet e Abaz Kupit me kolaboracionistët. Megjithatë, Amery shton se, në një vend si Shqipëria, lufta e brendshme midis nacionalistëve dhe komunistëve me ndihmën e “miqve të armikut” ishte një formë bashkëpunimi objektiv. Kështu, në Shqipëri morali politik perëndimor u zëvendësua me marrëveshje kompromentuese, pasi ideologjitë e liberalizmit, fashizmit dhe antikomunizmit nuk ishin të njohura gjerësisht apo të rrënjosura thellë në botën shqiptare. Me fjalë të tjera, pozicionet politike ose publike në Shqipëri nuk merreshin për arsye ideologjike, por për motive ose avantazhe personale.

Lufta Italo-Greke, e cila për më shumë se gjashtë muaj u zhvillua kryesisht në Shqipëri, po ashtu shkaktoi shumë ankesat nga popullsia shqiptare, veçanërisht ushtarët që luftonin në Frontin Greko-Shqiptar në Jug të Shqipërisë. Avancimi dhe sukseset e grekëve bënë që shqiptarët të dezeratonin me qindra nga Fronti dhe inati ndaj Qeverisë së Vërlacit u rrit. Edhe vizita njëjavore e Mbretit italian Viktor Emanueli III në maj 1941, nuk shkoi mirë. Një tentativë për të vrarë Mbretin që u bë më 17 maj 1941, dështoi. Mbretit iu shkaktuan vetëm lëndime të lehta. Ndërkohë, gjatë vjeshtës së atij viti në Jug të Shqipërisë dhe rreth kryeqytetit, Tiranës, filluan të shfaqen veprimet e para të armatosura nga grupe të ndryshme të rezistencës antifashiste. Më 8 nëntor 1941, me mbështetjen dhe mbikëqyrjen e të dërguarve jugosllavë, grupet e majta aktive që nga fillimi i pushtimit italian, krijuan Partinë Komuniste Shqiptare. Në kuadër të kësaj gjendjeje të vështirë, me qeverinë e Vërlacit që nuk mund të kontrollonte shqetësimet e brendshme në rritje, Mëkëmbësi i Përgjithshëm Jakomoni i propozoi Musolinit dhe Kontit Çiano, senatorin Mustafa Merlika-Kruja, si Kryeministrin e ri të Shqipërisë, i cili mori detyrën më 4 dhjetor 1941. Çiano e konsideroi emërimin e Mustafa Merlika-Krujës, 54 vjeçar, dhe kabinetin e tij, që zëvendësoi politikanët e vjetër me një elitë intelektualësh të rinj, si një gjest tolerance ndaj ekstremistëve nacionalist shqiptarë. Pra, Merlika-Kruja, i cili u kthye nga mërgimii detyruar në Francë u rikthye në Shqipëri në verën e vitit 1939. Ai ishte një politikan ambicioz, antikomunist dhe nacionalist i zjarrtë, i cili gëzonte mbështetje të plotë nga Italia dhe iu lejua më shumë liri veprimi sesa paraardhësve të tij. Atij iu dhanë disa të drejta për të bërë koncesione ndaj autonomisë shqiptare, duke përfshirë në qeverinë e tij anëtarë nga grupet intelektuale dhe nga populli, jo nga të vjetrit pronarë tokash (bejlerë), si dhe ngritjen e një ushtrie të pavarur shqiptare që do të vepronte përkrah forcave italiane, ushtri e cila ishte shkrirë pas pushtimit të 1939. Ai u lejua të lirojë një numër të madh antifashistësh nga burgu apo internimi dhe më pas u mundua të bënte dallimin në sjelljet ndaj nacionalistëve antifashistë dhe komunistëve, duke u paraqitur si një mbrojtës i irredentizmit nacionalist shqiptar. Gjatë fazës së parë të qeverisjes së tij, italianët e shikonin me dyshim, pasi frikoheshin se ai ishte një ekstremist nacionalist; më vonë, megjithatë, sipas Çianos, ai u dëshmua si më i moderuar. “Tani që ai është në pushtet, e kuptoi se të bësh kritikë është e lehtë, por të veprosh është e vështirë”. Në fakt Kruja nuk kërkoi nga Çiano asgjë të pazakontë, përveç disa korrigjimeve të vogla në kufirin e Malit të Zi dhe kthimin në ndryshimet e 12 prillit të Kushtetutës dhe flamurit: “ata nuk e duan shqiponjën e burgosur mes fashave të liktorit dhe nyjave të Shtëpisë së Savojës”, shënon Çiano në Ditarin e tij. Gjatë një takimi në Romë me Musolinin në shkurt 1942, Musolini I theksoi kryeministrit Merlika-Kruja dëshirën e tij për t’i dhënë Shqipërisë autonomi më të madhe. Kjo, sipas tij, ishte e vetmja politikë që do të jepte rezultate, pasi në të kundërt Shqipëria do të shndërrohej gjithashtu në krah të rebelimit dhe intrigave si shtetet e tjera të pushtuara.

Kabineti i Krujës qëndroi vetëm trembëdhjetë muaj, nga 4 dhjetori 1941 deri më 19 janar 1943, kur ai dha dorëheqjen nga detyra. Pas Luftës së Dytë Botërore, Kruja pranoi se ishte përdorur nga italianët dhe makiavelizmi i tyre për të përfituar nga devotshmëria e tij nacionaliste për mbrojtjen e territoreve etnike shqiptare. Ishte përsëri Jakomoni, ai që propozoi që ai të zëvendësohej me dikë nga aristokracia e vjetër, duke i theksuar Çianos se “Kruja është një njeri që në interesin tonë duhej ta konsumonim.” Për italianët, Merlika-Kruja ishte njeriu perfekt në momentin e duhur. Nacionalizmi, të cilin Merlika-Kruja e përfaqësonte përsosmërisht gjatë gjithë jetës së tij, luajti një rol thelbësor në bashkëpunimin e tij me italianët. Sipas tij, sidomos pas krijimit një ditë para se të emërohej kryeministër, të “Shqipërisë së Madhe” në vitin 1941, që do të përfshinte Kosovën dhe zona të tjera kryesisht shqiptare në Jugosllavi dhe rajonin e Çamerisë në Greqinë veriore, si një produkt i marrëveshjes Çiano-Ribentrop në prill Vjenë, pas pushtimit të Greqisë dhe Jugosllavisë, Merlika-Kruja besonte se çështja kombëtare shqiptare do të zgjidhej vetvetiu. Në fjalimin e tij të parë si Kryeministër, më 10 dhjetor 1941, Merlika-Kruja lavdëroi krijimin e Shqipërisë së Madhe si një arritje e madhe për territoret etnike të lira. Ai madje krijoi një Ministri për Tokat e Lira, me Tahir Shtyllën dhe më pas me ish-ministrin e Financave, Fejzi Alizoti, dhe Eqerem bj Vlorën si ministra dhe urdhëroi një regjistrim të popullsisë për territorët e lira, si dhe një reformë agrare që do të shpërndante pasuritë tokësore të konfiskuara nga popullsia serbe dhe malazeze gjatë Mbretërisë së Jugosllavisë te popullsia shqiptare e atyre territoreve. 

Në emërimin e Merlika-Krujës, Jakomoni dhe Çiano shpresonin të mobilizonin shqiptarët në politikën fashiste duke luajtur me ndjenjat e tyre nacionaliste përmes propagandës, ndërkohë që po ashtu shuan çdo tentativë për rezistencë. Qeveria e Merlika-Krujës ishte kështu kabineti i parë kombëtar i Shqipërisë së Madhe. Ndjenjat nacionaliste të Krujës u shfaqën hapur. Ai madje protestoi kundër deklaratave të Anthony Eden, Cordell Hull dhe Molotov për Shqipërinë më 10 dhjetor 1942, me Sekretarin amerikan të Shtetit Hull që shpallte se, në bazë të Kartës së Atlantikut, Shtetet e Bashkuara dëshironin të shihnin një Shqipëri të lirë, të vetëqeverisur dhe me të drejta sovrane. Kjo u pasua nga një deklaratë e ngjashme e Ministrit të Punëve të Jashtme britanik Eden, me rezervimin se kufijtë e shtetit shqiptar pas luftës do të përcaktoheshin në negociata, nëse një marrëveshje midis Shqipërisë dhe fqinjëve të saj do të dështonte. Ministri i Jashtëm sovjetik Molotov shprehu simpati të qeverisë sovjetike për luftën e patriotëve shqiptarë kundër forcave italiane dhe dëshirën për të parë Shqipërinë të rikthehej në pavarësi. Menjëherë pas kësaj deklarate, Kryeministri Merlika-Kruja mbajti një fjalim në Këshillin e Madh Korporativ Fashist (parlamenti) më 23 dhjetor 1942, ku kritikoi deklaratat Hull-Eden-Molotov për Shqipërinë, duke u shprehur se ato kërcënonin unitetin etnik, tansinë kombtare, pasi nuk e pranonin ndryshimet që ishin ndodhur në Shqipëri pas vitit 1939. Uniteti kombëtar që ishte arritur nën qeverinë fashiste (Shqipëria e Madhe) do të humbte kështu. Aleatët i premtonin popullit shqiptar lirinë dhe pavarësinë, por rreziku i afërt nuk ishte politika e fuqive të Boshtit, por rreziku komunist brenda vetë Shqipërisë. Entuziazmi i tij nacionalist çoi të bënte dhe deklaratën pasionante, që “nëse qeveria shqiptare do të ishte e detyruar të zgjidhte midis fitimit të Kosovës dhe humbjes së pavarësisë, ajo do të zgjidhte të humbte pavarësinë, sepse nëse ne mbetemi të bashkuar me Kosovën, një ditë do ta rikthejmë pavarësinë tonë”.  

Megjithatë, qeveria e Merlika-Krujës nuk arriti të realizonte aspiratat nacionaliste të vendit të tij. Programi i tij politik i thjeshtë tregonte varësinë e tij politike nga italianët; ai ishte i kufizuar në vendimmarrjen e tij, pasi të gjitha vendimet i paraqiteshin për miratim nga Mëkëmbësi i Përgjithshëm italian. Qeveria e tij pati sukses të kufizuar. Edhe pse ai u mundua të mbante kontakte me nacionalistët që e kundërshtonin atë dhe italianët, dështoi të merrte masa kundër grupeve të rezistencës antifashiste, veçanërisht komunisteve, çka çoi në krijimin e Ushtrisë së Lëvizjes Antifashiste Nacional-Çlirimtare. Stabiliteti i relativ gjatë fazës së parë të aneksimit italian nuk zgjati shumë, kryesisht për shkak të mungesës së efikasitetit administrativ, dështimeve të fushatave të tij kundër Greqisë, situatës ekonomike të përkeqësuar dhe forcës në rritje të rezistencës antifashiste. Më janar 1943, ai shprehu dëshirën për t’u tërhequr nga jeta politike aktive dhe pas shtatorit 1943, nuk bashkëpunoi me gjermanët nazistë. Në shkrimet e tij personale të pasluftës, Merlika-Kruja e paraqet veten si një nacionalist, që karrierën politike e udhëhoqi nga një parim: “të mbrojë dhe t’i shërbejë interesit kombëtar shqiptar”. Bashkëpunimi i tij me regjimin fashist ishte i motivuar nga bindjet e tij nacionaliste nga njëra anë dhe ndjenjat e tij antikomuniste nga ana tjetër. Ai ishte gati të ndërmerrte çdo akt politik për të shërbyer çështjes kombëtare të shqiptarëve, dhe ishte pikërisht gjatë pushtimit fashist që pjesët më të mëdha të Kosovës, Dibrës dhe Çamerisë u bashkuan me Shqipërinë. Ai gjithashtu ishte i motivuar të bashkëpunonte nga kundërshtimi i tij ndaj grupeve të rezistencës nacionaliste shqiptare; shumë nga liderët e tyre ai i kishte marrëdhënie personale që nga koha e veprimtarisë anti-monarkiste. Për të, një fitorja komuniste pas luftës do të shënonte shkatërrimin e Shqipërisë, pasi do ta reduktonte vendin në kufijtë e vitit 1912 dhe kështu do të linte jashtë gjysmën e kombit shqiptar. Ashtu siç ka shkruar ai vetë një herë, një nga arsyet që ai pranoi të bëhej kryeministër dhe të bashkëpunonte me Italinë fashiste ishte kundërshtimi i tij ndaj komunizmit, i cili, sipas tij, do të pengonte lirinë e Shqipërisë. Kështu, pas aktivizmit politik të rezistencës së majtë dhe krijimit të Partisë Komuniste të Shqipërisë nga emisarët jugosllavë, ai pranoi propozimin e Jacomonit për t’u bërë “Kryeministri i Quisling iShqipërisë”.  

Përfundime

Në shkrimet e tij personale, të publikuara nga familja e tij në Shqipëri, Kruja e përshkruan veten si një nacionalist, karriera politike e të cilit udhëhiqej nga një parim: “të mbronte dhe t’ishërbente interesit kombëtar shqiptar.” Bashkëpunimi i tij me regjimin fashist u motivua nga bindjet e tij nacionaliste nga njëra anë, dhe ndjenjat e tij antikomuniste, nga ana tjetër. Ai ishte i gatshëm të ndërmerrte çdo akt politik për t’i shërbyer çështjes kombëtare shqiptare. Kjo shpjegon pse Kruja shërbeu italianët dhe fuqitë e Boshtit dhe refuzoi deklaratat e Aleatëve në dhjetor 1942, që do të kishin rrezikuar interesat kombëtare të Shqipërisë pas luftës. Ai gjithashtu u motivua të bashkëpunonte edhe prej aktivitetit të grupeve të majta shqiptare. Për të, një fitore komuniste pas luftës do të nënkuptonte shkatërrimin e Shqipërisë.

Nga koha kur shkoi në mërgim në vitin 1944 deri në vdekjen e tij në 1958, Kruja nuk u përfshi në asnjë aktivitet politik kundër regjimit komunist dhe as nuk ishte anëtar i ndonjë organizate politike shqiptare. Megjithëse simpatizonte Bllokun Indipendent Shqiptar të Ernest Koliqit dhe madje mori pjesë në mbledhjet e tyre në Egjipt dhe Itali, ai nuk ishte i përfshirë drejtpërdrejt në vendimet e tyre. Kruja mori azil politik nga Shtetet e Bashkuara në vitin 1956 dhe deri në vdekjen e tij në dhjetor 1958, iu përkushtua kryesisht shkrimeve të tij.

Filed Under: Emigracion

Fejton: Rënia e Lali Erit ” S’të ka SPAK-u shpirt, s’të ka Rama xhan !

December 9, 2024 by s p

Nga Rafael Floqi

Një ditë pas shqetësimeve të pafundme, kur të gjithë prisnin një lëvizje të tij, një fotografim i beftë i Erion Veliajt në avionin Hamburg-Tiranë, nën një kasketë të zezë dhe një xhup të madh skiatori, përbënte më shumë se një thashetheme. Ai u përpoq të ishte i padukshëm, duke shmangur çdo kontakt me mediat dhe të gjithë ata që e prisnin me pyetje të prera. Të tjera lajme ishin më të rënda, por kjo ishte vetëm pjesa e parë e një skenari që duket se po përgatitet për Veliajn: ajo që mund të jetë një fund i pashmangshëm, të paktën për karrierën e tij politike.

Atij iu bë sikur gazetarët po këndonin në kor “O lali ‘O lali ç’të gjeti skandali.

Një hetim pasuror që po zhvillohet ndaj kryebashkiakut të Tiranës është si një gjëmë që e ndjek atë prej muajsh. Rreth një vit më parë, kur skandali 5D shpërtheu, ai kishte ende një mbështetje të fortë nga ata që diktonin ritmet e politikës shqiptare. Por sot, pas çdo kontrolli të BKH-së dhe çdo lajmi të ri që nxjerr në pah lidhjet e tij me figura të dyshimta, situata është shumë më e ndërlikuar. Pas kontrolleve të fundit në shtëpinë e bashkëshortes dhe në zyrat e shoqatës së Ajola Xoxës, spekulimet janë të pafundme, dhe shumë media kanë vënë duar në kokë. 

Vetë Veliaj, në një reagim të vonuar në rrjetin social “X”, ka pranuar se është nën hetim, por ka kërkuar që të mbështetet nga drejtësia, duke shprehur gatishmërinë për të bashkëpunuar. Ky reagim evaziv, i kombinuar me heshtjen e tillë të shumë politikanëve që dikur ishin më afër tij, është një pasqyrë e shkëlqyer e asaj që ndodh pas mureve të Partisë Socialiste. Ajo që dikur ishte një rrugë e hapur drejt një karriere politike të qëndrueshme, tani është kthyer në një labirint të mbushur me dilema dhe frikë.

Deri më tani, SPAK ka heshtur. Hetimet kanë përfshirë disa aspekte të jetës së Veliajt, përfshirë financat e tij dhe ato të familjarëve, si dhe lidhjet e mundshme me disa projekte publike, për të cilat janë ngritur dyshime të forta. Pavarësisht hetimeve që kanë përfshirë emra të njohur të politikës dhe administratës, Veliaj mbetet një figurë në hije. Duket se prokurorët janë treguar më të kujdesshëm me të, duke vonuar çdo veprim konkret, duke e lënë atë të “shijojë” çdo ditë një mundësi për të shpëtuar.

Ndërsa jevgu i lagjes po këndonte “Të ka lali shpirt, të ka Rama xhan.”

Ndërkohë, në terrenin politik, gjithçka ka ndryshuar për Veliajn. Çdo hap i tij është i shoqëruar nga pyetje dhe spekulime: Do të arrijë të dalë nga ky labirint hetimesh dhe të mbrojë karrigen e tij si kryebashkiak, apo do të shndërrohet në një tjetër shembull të pushtetit të pasigurt, që një ditë do të shembet nga kambanat e drejtësisë? Politikanët që dikur e shihnin si një të ardhme të PS-së, tani i janë larguar, duke mos i dhënë mbështetje as në luftën më të ashpër. 

Hetimi pasuror është si një breshëri plumbash që mbulon çdo hap të tij. I përfshirë në projekte të diskutueshme dhe skandale që përfshijnë inceneratorin e Tiranës, 5D-në dhe prishjen e Teatrit Kombëtar, ai është nën hetim si një peshk që përpiqet të shpëtojë nga rrjetat. Po, nga njëra anë, ka pasur shumë biseda se ‘si do të ndodhë’, nga ana tjetër, për të vërtetën, hetimi është një histori që po vonohet si një episodi i “Game of Thrones”, dhe do të na thotë kur të vijë koha.

Ndër më të njohurit, ku përmendet emri i tij, janë hetimet mbi atë që njihet si afera e inceneratorëve dhe ai ndaj drejtuesve të Bashkisë së Tiranës të arrestuar kohë më parë në atë që njihet si çështja “5D”. Po ashtu ne hetim janë edhe pasuritë e kryebashkiakut dhe të afërmve të tij. 

Ndërkohë, Veliaj u thirr më 30 prill në SPAK ku dëshmoi për rreth 7 orë në lidhje me aferën e inceneratorit të Tiranës për çështjen 5D që a s’e di.

Në shtator këtë vit, gazetari holandez Vincent van Gerven Oei publikoi një shkrim të gjatë që lidhte qendrën Harabel me kompaninë Integrated Energy BV SPV e hetuar nga SPAK për korrupsion në të ashtuquajturin “inceneratori i Tiranës.

Ndërsa fshesaxhia e rrugës po këndonte “Të ka lali shpirt, s’të ka Rama xhan.”

Por kjo heshtje ka të tjera kuptime. Kryeministri Rama, i cili ka qenë si një baba që thotë “E di që ke bërë diçka, por po pres të shoh nëse mund ta ndihmojmë”, është i menduar si një strateg me dy mendime. Nga njëra anë, ai e di që ka prova të forta për korrupsionin e Veliajt që janë më se të qarta. Po nga ana tjetër, kuptohet që Veliaj është gjithashtu një makineri zgjedhore, dhe ai ka punuar që të mbledhë pushtet financiar dhe mbështetje. Kjo është ndihma që ndihmon!

Dilemat po shtohen edhe nga drejtësia, me një SPAK që është më i sjellshëm me Veliajn sesa me të tjerët. Të tjera emra që kanë përfunduar në hetim janë trajtuar më shumë si “shqetësim publik”, por për Veliajn çdo gjë po shkon në ngadalë. Të gjitha këto janë të fshehura deri sa të vjen një moment i ndryshëm. Po, po, ka mundësi që ai të humbë gjithçka që ka fituar në pushtet, por si gjithmonë, gjithçka mund të ndodhë pas disa orësh në një avion nga Hamburgu.

Një pyetje mbetet: A do ta shpëtojë një PR i përshtatshëm një Veliaj të shkatërruar? Jo, se është më e vështirë sesa të heqësh një kasketë të zezë që të fsheh gjithçka.

Por ka edhe një dilemë tjetër që të gjithë e shtrojnë: Do të hedhë hapin përfundimtar Rama dhe do të “shesë” delfinin e tij? Deri tani, kryeministri ka lëshuar sinjale të dyfishta: mbështetje verbale ndaj Veliajt, por gjithashtu ka lënë hapësirë për drejtësinë të veprojë. Ky ambiguitet politik ka krijuar pasiguri, jo vetëm për Veliajn, por edhe për të gjithë ata që mbështesin liderët e partisë.

Nëse ai do të shkojë në burg apo vetëm do të përballet me arrest shtëpie, kjo mbetet të shikohet. Po ashtu, ende nuk dihet se çfarë do të ndodhë me të pas zgjedhjeve të ardhshme. Por një gjë është e sigurt: figurën e tij të shkatërruar nga akuza dhe hetime të pasurisë, nuk mund ta shpëtojë asnjë seancë PR-i.

Po si e mbylli Veliaj këtë episod? Po, si një profesionist i vërtetë… me një kasketë dhe një xhup skiatori, gati për të “shkëlqyer” në fushën e drejtësisë! Thjesht, ai ka harruar të marrë edhe patinat për fundin e tij spektakolar!

Ndërsa një lypës i vogël rom, duke përmjerrë tek pema e Bashkisë po këndonte “ O lali Eri, O Lali Eri, ç’të gjeti qederi”

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 595
  • 596
  • 597
  • 598
  • 599
  • …
  • 2774
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT