• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SELITË E PARA “DIPLOMATIKE” TË SHQIPTARËVE NË AMERIKË…

October 25, 2024 by s p

Sokol Paja/

Mërgata shqiptare e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka dhënë kontributin më të rëndësishëm në lobimin dhe ndërkombëtarizimin e çështjes kombëtare në institucionet e amerikane. Bizneset e shqiptarëve si restorante dhe hotele u shndërruan në “seli diplomatike” të pritjes e përcjelljes së delegacioneve nga Kosova e Shqipëria në Amerikë dhe takimeve me politikanë amerikanë në favor të çështjes kombëtare. Histori suksesi dhe diplomacie politike e ekonomike. E gjithë infrastruktura e bizneseve shqiptare u vu në shërbim pa hezitim të diplomacisë së mërgatës, të donacioneve dhe lobimit në favor të kombit në ditët më vështira.

Shqiptarët e Amerikës janë kurora e artë e lavdisë kombëtare në mërgatë. Shqiptarët që shkëlqejnë në biznes në Amerikë janë krenari e veçantë për kombin tonë. Ata janë potencial, frymëzim dhe lokomotivë e transformimit ekonomik të shteteve amë dhe komunitetit shqiptar në Amerikë. Ata meritojnë nderim e mirënjohje për fisnikërinë e tyre e bujarinë e tyre. Një ndër rastet që gazeta Dielli i paraqet publikut është shqiptari fisnik Zamir Vejuka Gashi nga Shkodra. Ai mbërriti në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Janar të vitit 1996. Që prej atij viti deri në ditët e sotme nuk u kursye kurrë në çdo fushatë të mërgatës për mbledhje fondesh për atdheun e komunitetin shqiptar në Amerikë.

I specializuar në industrinë e shërbimeve dhe real estate, Zamir Vejuka Gashi përbën ndër modelet e shkëlqyera dhe frymëzuese të komunitetit shqiptar në Amerikë. Është një ndjekës i apasionuar i zhvillimeve në politikën amerikane, promotor i vlerave më të larta kombëtare dhe shërben si promovues e integrues i shqiptarëve të suksesshëm, punëtor dhe ëndërrimtar.

Në vitin 2002 hapi restaurantin e parë “San Marino” në zonën e Wall Street, ndërsa sot bashkë me disa bashkëpronarë shqiptarë shkëlqejnë me bizneset e tyre në zonat më të mira të Manhattan si Wall Street, Soho, Murray Hill, Midtown, 5 Ave dhe Rockefeller Center. Ata zotërojnë restorantet e tyre si fuqi ekonomike shqiptaro-amerikane, me staf shqiptar duke u ardhur në ndihmë shqiptarëve të parë që emigrojnë në Amerikë. Një përkrahje e fuqishme për emigrantët e rinj, do të thotë shumë për familjet e reja sidomos. Për suksesin dhe arritjet Zamir Vejuka Gashi ose Sammy siç e njohin në NY, ai u shpreh mirënjohjen stafit të cilit ia dedikon suksesin me përkushtimin e tyre.

Trashëgimia e familjes, vlerat dhe qëllimet e forta në jetë, ishin frymëzim për mua, shprehet Zamiri. Ai studioi në Universitetin “Skënderbej” – Shkolla e Bashkuar në Tiranë dhe gjatë gjithë jetës kishte disiplinë të fortë dhe kërkesa ndaj vetes. Zamir Vejuka Gashi ka dhuruar për çdo shqiptar në çdo fatkeqësi dhe vazhdon çdo ditë në çdo thirrje e ftesë për ndihmë të njerëzve në nevojë, fatkeqësive apo fushatave të dhurimeve për komb e komunitet. Zamiri (Sammy) është shumë afër komunitetit shqiptar sidomos në Staten Island dhe shoqatave duke i mbështetur dhe ndimuar ato në çdo rast. Ai është një mbështetës i përhershëm i jetës kulturore dhe artistike të komunitetit shqiptar në përpjekjet për të ruajtur traditat kombëtare në Amerikë. Ai ka mbështetur çdo politikan shqiptar që ka kandiduar në zgjedhjet e çdo niveli në Amerikë dukë dhënë një sport të fuqishëm të promovimit të shqiptarëve dhe rritjes së peshës politiketë kombit shqiptar në Amerikë.

Duke lexuar median prestigjioze Forbes Magazine (Ramerino Italian Prime on Forbes magazine) shkruan se pas Covid-19 kur askush nuk mendonte të hapte restorant në Manhattan dhe shumë biznese po mbylleshin, Sammy nuk e mori në anën negative por pati guxim e kurajo për të hapur restorantin “Ramerino Italian Prime” në vitin 2021 dhe “Duomo 51 Ristorante” në vitin 2022. (Proving that America and in difficult times is land of opportunities ).

Besimi te stafi, promovimi i talenteve dhe të përkushtuarve, mirëmenaxhimi dhe shpërblimi i mirë më kanë bërë të kem sukses dhe rritje në biznes dhe shërbim, shprehet Zamir Vejuka. Ai është një model frymëzues dhe i mrekullueshëm i shqiptarit fisnik e bujar me të cilin krenohet komuniteti shqiptar në Amerikë.

Filed Under: Interviste

NESËR NË ORËN 12 PM THEMELOHET DEGA E VATRËS LONG ISLAND – NEW YORK DHE SHKOLLA SHQIPE “GJERGJ FISHTA”

October 25, 2024 by s p

Me pjesëmarrjen ekskluzive të kryetarit Dr. Elmi Berisha dhe kryesisë, Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra njofton publikun e patriotët shqiptarë në Amerikë se nesër më datë 26 Tetor 2024, ditë e shtunë, ora 12:00 PM në Adresën: 134 Middle Country Rd, Coram, NY 11727 do të themelojë degën më të re të Federatës Pan-Shqiptare “Vatra” në Long Island – New York.

Po ashtu do të inaugurohet hapja e shkollës shqipe “Gjergj Fishta” themeluar nga studiuesi studiuesit Dr. Paulin Marku e Fabjola Gjinaj. Ftohen të marrin pjesë të gjithë patriotët shqiptarë me banim në Long Island – New York dhe zonat përreth që kanë dëshirë të bëhen pjesë e Vatrës dhe të kontribuojnë për çështjen kombëtare.

Ju mirëpresim të gjithëve.

Filed Under: Komunitet

FPU: TAJAR DOMI “NJERIU I VITIT 2024” NË DIASPORË

October 25, 2024 by s p

NDERIMI – Një ditë pas inaugurimit të “Shtëpisë së shqiptarit”në Philadelphia

Halil RAMA – Mjeshtër i Madh

C:\Users\halil.rama\Desktop\Tajar Domi+BSH\Bijte e shqipes 1.jpg
C:\Users\halil.rama\Desktop\Tajar Domi+BSH\Bijte e shqipes 2.jpg
  • Petrit Zanaj, ish – kryetar i “Bijve të Shqipes” thotë se nderimi që i ka bërë Federata e Paqes Universale mikut e shokut tonë Tajar Domi, duke i dhënë çmimin “Njeriu i vitit 2024 në diasporë” është më se i merituar nga ai, por është edhe një nder i veçantë që i bëhet komunitetit shqiptar në Filadelfia. Kjo për faktin se në punën e jetën e  vetë, Tajari është mbështetur në traditën atdhetare të fisit Domi, të atdhetarit Harun Domi që solli abetaren e librat e parë shqip në vendlindjen e tij, në fjalën e urtë e të mençur dibrane e kukësiane…

Një ditë pas inaugurimit në Philadelphia të SHBA të Qendrës social-kulturore të Shoqatës “Bijtë e Shqipes”, ndërtesë historike kjo disa shekullore, ish-pronë e familjes së Ëilliam Penn që tashmë quhet “Shtëpia e shqiptarit”, Tajar Domi – ish kryetar për dy mandate i kësaj shoqate emërndritur, iniciatori kryesor për blerjen e kësaj ndërtese me donacione tërësisht nga vetë shqiptarët që jetojnë në Philadelphia, provoi emocionet e një tjetër ngjarjeje të rëndësishme. As që e kishte menduar se pikërisht në ditëlindjen e tij të 68-të, Federata e Paqes Universale Shqipëri do ta shpallte atë “Njeriu i vitit 2024 në diasporë”.

Me jehonën e festës së inaugurimit të Shtëpisë së shqiptarit, siç edhe vendasit preferojnë ta quajnë, e që do të shërbejë për strehën e re të shkollës shqipe “Gjuha jonë”, një sipërmarrje e kësaj shoqate që prej vitit 2004, si dhe të lajmit për riemërtimin e rrugës pranë kësaj godine me emrin e Heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, në këtë ditëlindje të veçantë do të ishin të pranishëm dhjetra personaliete të kësaj shoqate, familjarë, miq e të afërm të Z.Domi. E uruan ata përzemërisht Tajar Domin për kontributin e vyer qe i ka dhënë ndër vite komunitetit shqiptar që jeton në Philadelphia si Kryetar i Shoqatës “Bijtë e Shqipes”. Dhjetra urime për mikun e mençur e të vyer që di të jetë kur të tjerët  kanë  nevojë për të;  për modelin e shkëlqyer që u përcjell brezave si një prind, bashkëshort dhe gjysh ideal. 

Në emërues të përbashkët me këto urime, edhe mesazhi i FPU që i dha këtë titull: “Jetofsh çdo ditë duke shijuar familjen e bukur që ke krijuar! Jetofsh sa më gjatë plot nder e dinjitet që t’u lesh brezave si pasurinë më të madhe mbiemrin Domi, mbiemër ky që respektohet brez pas brezi. 

Bac u kry! 

Çdo degë e pemës tënde familjare ta ketë fatin ta thotë këtë frazë në çdo ëndërr të realizuar! 

U kry edhe këtë vit kjo datëlindje me miq plot e çmime të merituara! 

Gezuar!”.

Petrit Zanaj, ish – kryetar i “Bijve të Shqipes” thotë se nderimi që i ka bërë Federata e Paqes Universale mikut e shokut tonë Tajar Domi, duke i dhënë çmimin “Njeriu i vitit 2024 në diasporë” është më se i merituar nga ai, por është edhe një nder i veçantë që i bëhet komunitetit shqiptar në Filadelfia. Kjo për faktin se në punën e jetën e  vetë, Tajari është mbështetur në traditën atdhetare të fisit Domi, të atdhetarit Harun Domi që solli abetaren e librat e parë shqip në vendlindjen e tij, në fjalën e urtë e të mençur dibrane e kukësiane…Ai vlerësoi si më dinamiken e më rezultativen periudhën që Tajar Domi drejtoi Shoqatën “Bijtë e shqipes”, duke e ngritur emrin dhe prestigjin e saj në nivele te tjera, kur “numri i anëtarëve gati u dyfishua, shkolla shqipe e rriti numrin e nxënësve të saj dhe reputacioni i shoqatës u rrit konsiderueshëm, sidomos me afrimin e një numri të madh të komunitetit kukësian në veprimtaritë e shoqatës….”.

DHJETRA PERSONALITETE NGA DIASPORA E SHQIPËRIA 

NË DITËLINDJEN E TAJAR DOMIT

C:\Users\halil.rama\Desktop\Tajar Domi+BSH\Bijte e shqipes 5.jpg
C:\Users\halil.rama\Desktop\Tajar Domi+BSH\Bijte e shqipes 7.jpg

Në këtë ditë të veçantë të jetës së tij, shumë më të bukur se çdo vit tjetër, Tajar Domi e shpreh lumturinë e pamatë, jo se e gjen më të rritur apo më të mençur, por sepse është me më shumë miq, shokë, farefis e bashkatdhëtarë, të cilët i japin  kënaqësi e dëshirë për t’i pasur sa më pranë. 

“Sot jam më i pasur, pasi këtu kemi bashkatdhëtarët tanë që kanë ardhur nga larg, për t’u bërë bashkë një ditë më parë në festën e madhe te ‘Shtëpia e Shqiptarit”, thotë i mallëngjyer Tajar Domi. Dhe ka të drejtë të ndjehet fatlumë që disa prej tyre i kishte sërish në këtë gëzim. Kanë ardhurt nga ASTI të Italisë, nga shkolla shqipe “Rruga e Shkronjave”, zoti Hasan Bulqari me zonjën e tij. I pranishëm edhe Mjeshtri i Madh Defrim Methasani – kryetar i Këshillit të Paqes për Tiranën, që i dha edhe më shumë madhështi kësaj feste me forcën e zërit  e me profesionalizmin e tij të spikatur, si edhe “Nderi i Qarkut Kukës”,  zv. Kryetari i Federatës së Paqes  Universale Shqipëri, z. Abdulla Domi që u bë një me “Bijtë e Shqipes”, duke i dhënë kësaj shoqate vlerësimin e merituar.

Ndërsa i ka falenderuar ata përzemërsisht, Tajar Domi u shprehu mirënjohje të thellë edhe dy miqve që vinin nga grupi i njohur “Flaka”i Tiranës”, zotërinjve Bajram Avdia e Mezan Resuli …. Po ashtu falenderoi poeten e mirënjohur Iliriana Sulkuqi që kaq shumë i ka dhënë jetë e dashuri me vargjet e botimet e saj vendlindjes dhe Diaspores në Amerike, duke e konsideruar si “Nënë Tereza e kohës tonë”. Prania e saj, si edhe e të gjithë bashkëpunëtorëve të tij, me të cilët kanë ndarë punët, gëzimet e shqetësimet në mbarëvajtjen e “Bijve te Shqipes”, si kryetarët e saj:  Llazar Vero, Petrit Zanaj, Sadik Elshani, Bujar Gjoka e Dritan Matraku dhe e anëtarëve të Këshillit Drejtues, miq e shokë të tjerë që formojnë mozaikun e shqiptarëve këtu në Filadelfia, padyshim që ja shtuan madhështinë kësaj feste ditëlindjeje të Tajar Domit.

Fati përsëri e deshi që në këtë ditë të veçantë festive të kishte këtu edhe motrën e madhe, Bulen me bashkeshortin e saj të ardhur si vizitor këto ditë, që sëbashku me familjen e vëllait të tij, Jakupit, qenë ata që i dhanë më shumë gjallëri festës, ashtu si dhe familjarët e tij, bashkëshortja Elhamja, Erioni me Enkeleten e Elion që zhurmon çdo ditë e më shumë, Arianiti me Arjolën dhe të voglën Aria që po rritet e që ia shtojnë jetën.

“SHTËPIA E SHQIPTARIT”, QENDËR SOCIALKULTURORE MULTIFUNKSIONALE

Ka të drejtë të ndjehet krenar dhe i nderuar, ish – kryetari më i suksesshëm i “Bijve të Shqipes” në Philadelphia, Tajar Domi, pasi pikërisht në këtë ditëlindje vlerësohet me titullin “Njeriu i vitit 2024 në Diasporë” nga Federata e Paqes Universale Shqipëri. “Është vërtetë një trofe që nuk e di nëse jam ai që e meritoj. Por ndjej detyrimin që ta falenderoj këtë institucion të paqes, për të cilin sigurisht vetë emri flet shumë. Sot kur bota po rrokulliset çdo ditë në tmerrin e luftës, përdorimi i fjalës Paqe dhe angazhimi ynë, i të gjithëve sëbashku për t’i dhënë jetë e kënaqësi çdo ditë që vjen pas, është një detyrim. Punët që ne i quajmë të vogla, por të bëra me dashuri të madhe, fjalët plot mirënjohje e jo veprimet inatçore që na ngarkojnë shpirtin nganjëhere, na bëjnë që të jetojmë në paqe e në lumturi. Prandaj e vlerësoj shumë këtë titull, që më vjen si një forcë e re për të qëndruar në frontin e njerëzve të paqes, të paqes nëpërmjet punës, mirënjohjes, kontributit në shoqëri këtu e në atdhe”, – tha ndër të tjera z.Domi në fjalën e tij përshëndetëse.

Pjesëmarrësit në këtë ditë feste madhështore shpërthyen në duartrokitje të fuqishme kur ai pohoi me gëzim të paparë: “U bëmë kështu bashkë si kurrë më parë, duke parë vetëm përpara, në realizimin e kësaj nisme. Rreth 500 familje e biznese shqiptare në Filadelfia e rreth saj, mes tyre edhe nga kombësi të tjera, shokë e miq nga shtetet e tjera të Amerikës, nga Kanadaja, Anglia e shtete të tjera të Europës, si dhe nga vendlindja jonë Shqiperia, dhanë ndihmesën e tyre sipas mundësive për ta pasur këtë ndërtesë historike, si ‘Shtëpi të Shqiptarit’, – thotë Tajari. Dhe ka të drejtë të ndjejë krenari legjitime sepse: Këtu në Qendrën social-kulturore të Shoqatës “Bijtë e Shqipes” fëmijët tanë nuk do të jenë të kufizuar në numër për të ndjekur shkollën shqipe me mësime në gjuhën tonë; fëmijët tanë, dashamirës të muzikës e sportit, do të kenë mundësi të grupohen e t’i realizojnë dëshirat e tyre; këtu nënat e gratë tona do të kenë mundësi të dalin me fëmijët e bashkëshortët e tyre për të shijuar një “kafe shqip” së bashku; këtu bashkatdhetarët tanë do të gjejnë më shumë informacion e ndihmë për punë e procese të tjera në departamentin për biznesin; këtu hoxha dhe prifti do të ndjehen edhe më shqiptar se gjer tani, në organizimet për nevojat e komunitetit; këtu rinia, por edhe grupmoshat e tjera do të kenë një ambjent të bukur e të përshtatshëm për organizime të ndryshme festive, shoqërore e familjare, ku biblioteka do të jetë shumë më e pasur dhe e shfrytëzueshme për çdo njërin që dëshiron; ku këndi i historisë dhe i trashëgimisë kulturore do të pasqyrojnë mjaft sende e objekte të kësaj fushe, jo vetëm për Shqipërinë por edhe për atdheun e dytë ku ne jetojmë, Amerikën… 

NJË EMËR PËRBASHKUES, NDËR MË AKTIVË TË SHOQATËS 

“BIJTË E SHQIPES” NË FILADELFIA

Gjatë një takimi verën e kaluar, miku im Enver Parllaku do më fliste me krenari të ligjshme për Shoqatën “Bijtë e Shqipes” që prej vitesh zhvillon një aktivitet intensiv në Filadelfia për promovimin e vlerave kombëtare shqiptare. Dhe ndër veprimtarët më aktivë të kësaj shoqate ai do të veçonte Tajar Domin, si kontributorin shembullor të saj. Këtë të vërtetë e pohon edhe shkrimtari kukësian Hys Hasa, i cili vlerëson potencialin intelektual, urtësinë, mençurinë e vizionin bashkohor të Tajar Domit, të shpalosura në përditshmërinë e tij si dhe në çdo aktivitet të Shoqatës “Bijtë e Shqipes”.

tajar domi

Tajar Domi do të udhëhiqte  brezin e tretë të intelektualëve të trungut të tij familjar. Nga një dokumentar i mirëpërgatitur prej ikononës së dokumentarit televiziv Defrim Methasani, mësojmë se Tajari ka lindur më 14 tetor të vitit 1956 në Ceren të Kalasë së Dodës dhe ka shkëlqyer në të gjitha nivelet e shkollimit. Studimet e larta i mbaroi në Fakultetin e Veterenarisë të Universitetit Bujqësor të Tiranës në vitin 1980. Pas diplomimit punoi fillimisht në ish-kooperativën bujqësore dhe më pas, tre vite si mësues në Shkollën e Mesme Bujqësore të Cerenit. Në vitin 1991 zgjidhet Kryetar i Këshillit të Bashkuar Pluralist të Kalasë së Dodës dhe deri në vitin 1996 ishte zëvendëskryetar komune. Pas vitit 1997 vjen në Tiranë, dhe në harkun kohor të 7 viteve (1998-2005) punoi në Institutin e Sigurimeve Shoqërore, ku la gjurmët e intelektualit shembullor, të profesionistit të spikatur e kuadrit korrekt. Në moshën 52-vjeçare (në vitin 2008) ishte përfitues i llotarisë amerikane dhe sëbashku me bashkëshorten Elhamen dhe dy djemtë Erionin dhe Arianitin jetojnë  në Fialdelfia të SHBA, ku kanë ndërtuar jetën e tyre të dytë. Gjithsesi, që nga dita që shkeli në tokën e premtuar, tik-taku i tij rrihte për atdheun, ndaj dhe u atashua në Shoqatën me emër partiotik e atdhetar “Bijtë e Shqipes”, kryetar i së cilës ishte për dy mandate. Pikërisht nga kjo shoqatë është vlerësuar si nderi i komunitetit për atë çfarë ai ka përfaqësuar me emrin e tij të spikatur, sepse Tajar Domi është një emër përbashkues i diasporës shqiptare në SHBA. 

Po, i tillë është ky pinjoll i fisit e familjes që qëndon me dinjitet në panteonin e vlerave. Nëse gjyshi i tij, Haruni, para 100 vitesh solli abetaret nga Bukureshti për shkollën shqipe të Kalisit, Tajari, në gjurmët e gjyshit ka dhënë dhe po jep kontribut real për shkollimin në gjuhën shqipe të fëmijëve të emigrantëve shqiptarë në Filadelfia-SHBA. Tajar Domi prej 14 vitesh punon mësues në shkollat publike në Filadelfia (Substitute Teacher in School District of Philadelphia) … Si kryetar i Shoqatës “Bijtë e Shqipes”, për katër vite e më pas si anëtar i Kryesisë të kësaj shoqate, ka dhënë dhe jep kontribut real në mirëfunksionimin e zgjerimin e Shkollës Shqipe “Gjuha Jonë”, e cila prej rreth 20 vitesh po funksionon derë-hapur për trashëgiminë e gjuhës, kulturës e historisë tonë kombëtare, në komunitetin shqiptar të Filadelfias.

Prej 9 vitesh ai mban me krenari e dinjitet titullin “Ambasador për Paqen”, ndërsa është vlerësuar me Mirënjohje nga Këshilli i Qarkut Kukës.

Filed Under: Interviste

Ambasador Blerim Reka mori pjesë në 50 vjetorin e NCAFP (Komitetit Nacional për Politiken e Jashtme Amerikane)

October 25, 2024 by s p

Ambasador Blerim Reka Konsull i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës në New York mori pjesë në 50 vjetorin e NCAFP (Komitetit Nacional për Politiken e Jashtme Amerikane). Në shënimin e tij në faqen zyrtare Ambasador Reka shkroi:

“Mbrëmë, në gala mbrëmjen, e 50 vjetorit të NCAFP (Komitetit Nacional për Politiken e Jashtme Amerikane).

I nderuar, si i vetmi ambasador nga Ballkani, të isha në tryezen kryesore, me presidentin e bordit, Jeffrey Shafer dhe me ish sekretarin e thesarit Robert Rubin, laureatin e çmimit prestigjioz: “Morgenthau”.

Takova shumë diplomatë, ish zyrtar të State Departamentit e të Pentagonit dhe ambasadorë në OKB.

Pas 25 vitesh ligjerimi studentëve për teorinë realiste të Morgenthaut në marrëdhëniet ndërkombëtare, mbrëmë isha në jubileun gjysmëshekullor të këtij këshilli të ambasadorëve amerikan, të themeluar pikërisht nga prof. Morgenthau!”.

Filed Under: Kronike

Ç’ KA U THA NË PARLAMENTIN E TIRANËS PËR PRESIDENTIN WILSON?

October 25, 2024 by s p

Prof. Dr. Lush Culaj- Instituti Albanologjik-Prishtinë/

Me rastin e 100 vjetorit të ndërrimit të jetës.

Vudro Wilson ndërroi jetë më 3 shkurt të vitit 1924. Të nesërmen, më 4 shkurt, në Kuvendin Kushtetues në Tiranë, u propozua mbajtja e 5 minutave nderim në kujtim të tij. Në mbledhjen e 4 shkurtit 1924, deputeti Rauf Fico do të theksonte, ndër të tjera: “Me hidhërim morëm lajmin për vdekjen e ish-Presidentit të SHBA-ve W. Wilsonit. Duke marrë parasysh shërbimet e mëdha që i ka bërë Shqipërisë propozoj të bëhen 5 minuta nderim në shenjë hidhërimi dhe t’i dërgohet një telegram ngushëllimi familjes të ndjerit.” Nga ana tjetër deputeti Jashar Erebara kërkon të bëhen 5 minuta nderimi për udhëheqësin rus, Leninin. Deputeti Avni Rrustemi shpreh keqardhje se kur përmendet emri i Leninit dëgjohen të qeshura në sallën e Parlamentit. E dinja se propozimi i Erebarës nuk do të pranohej, por megjithatë e kemi për detyrë ta propozojmë që të bëhen 5 minuta nderim si shenjë hidhërimi për vdekjen e tij.

Në mbledhjen e 11. II. 1924 u diskutua në Parlament për Presidentin Wilson.

Jehona e vdekjes së tij u pasqyrua menjëherë edhe në shtypin shqiptar. Mbi personalitetin e Wilsonit do të flitej përsëri në Kuvendin Kushtetues pas disa ditësh më 11 shkurt. Meqenëse Fan Noli nuk kishte qenë i pranishëm në mbledhjen e 4 shkurtit e kërkoi fjalën dhe foli me shumë pasion për presidentin Wilson. Noli përmendi arsyen pse Shqipëria merrte pjesë në dhimbje përkrah SHBA-ve në ato ditë zie për këtë President.

Fan Noli: Evropa nuk e deshi paqen e Wilsonit dhe Amerika e refuzoi këtë paqe

Noli, ndër të tjera, theksoi: “Titulli “amerikan” mjafton që ta bëjë popullin tonë të marrë pjesë në çdo vajtim të Amerikës, se të gjithë e dimë sa të mira kemi parë prej saj. Që më 1900 Amerika ka qenë kurbeti më i madh i shqiptarëve. Të gjithë e dinë se Guverna (Qeveria, L. Culaj) e Durrësit u organizua nën kryesinë dhe me iniciativën e një delegati të “Vatrës” të dërguar për këtë qellim me para të Amerikës. Në vijim ai do t’i përmendë disa të mira që kanë ardhur prej Amerikës drejtpërdrejt. Pas luftës, kur Shqipëria ishte e shkatërruar dhe e pllakosur prej invazioneve të huaja, Amerika dërgoi Kryqin e Kuq që t”i lehtësojë vuajtjet. E vetmja shkollë moderne qe e kemi është ajo Teknike e Amerikës. Sa i përket presidentit Wilson, përveç emrit amerikan ka edhe një emër tjetër atë të idealistit dhe të profetit të vëllazërimit ndërkombëtar si dhe paqes të përbotshme. Presidenti Wilson ishte idealist se ishte amerikan. Ata që kujtojnë se Amerika është vendi ku njerëzia kujdesen vetëm për dollarë, nuk e njohin Amerikën. E dini cili ishte programi universal i Wilsonit në Versajë. Cili prej jush nuk ka dëgjuar për katërmbëdhjetë pikat e Wilsonit të sintetizuara në paktin e Lidhjes të Kombeve? U përpoq me tërë forcën e tij që t’ua imponojë Aleatëve programin e tij, por qëllimin e tij nuk e arriti si mendoi. I vajtur në Evropë si triumfator u rikthye i zhgënjyer në Amerikë. Dhe atë copë të fitores që mundi ta shkëpusë nga thonjtë e luanëve të Versajës tani vendi i tij do t’ia rrëmbente nga duart. Senati amerikan refuzoi ta ratifikonte Paqen e Versajës dhe Wilsoni nga zeniti më i lartë, ku ka ëndërruar të hipte në historinë e botës, si njeri u rrokullis dhe u rrëzua përdhe. Dhe Evropa vazhdoi luftën nën maskën e paqes. Evropa s’e deshi paqen e Wilsonit dhe Amerika e refuzoi këtë paqe. Wilsoni vdiq. Fjeti si luan profeti bujar i paqes njerëzore, ati shpirtëror i Lidhjes të Kombeve.

Megjithatë, Wilsoni bëri më tepër se çdo njeri tjetër për independencën e Shqipërisë, duke e shpëtuar vendin tonë nga copëtimi, duke siguruar pjesëmarrjen në Lidhjen e Kombeve në kufijtë e vitit 1913. Madhështia e tij morale duket pikërisht në mbrojtjen e të drejtave të kombësive të vogla. (duartrokitje).” Më pas do të vijonte: “Në janar të vitit 1920, një erë zie dhe dëshpërimi kish rënë mbi të gjithë anët e vendit tonë, i cili qe si një i vdekur në agoni. Projekti i copëtimit të Shqipërisë, i redaktuar nga katër aleatët evropianë, ishte njohur dhe priste vetëm një firmë që të bëhej një fakt definitiv. Firma që mungonte ishte ajo e presidentit Wilson, firmë që nuk u vu në atë projekt aq të padrejtë.” Fjalimi i Nolit në Parlament u shoqërua me duartrokitje, që ishte një tregues i qartë se si u prit ky fjalim, por pati edhe reagime dhe një ndër ata që replikoi ishte deputeti Hil Mosi, që shprehu rezerva ndaj vlerësimit aq të lartë që Noli ia bëri rolit të Wilsonit në mbrojtje të çështjes shqiptare. Ai, ndër të tjera, do të theksonte: “Wilsoni qe ai që pranonte që Fiumja t’i jepej Jugosllavisë tue i lanë Vlorën Italisë e viset e Jugës Greqisë.” Mendimet e ndryshme të shprehura në Parlamentin Shqiptar dhe jashtë tij për vendin që zinte Wilsoni në historinë e Shqipërisë, nga Fan Noli dhe Faik Konica në superlativ, si dhe nga tjerët si Hil Mosi me rezerva u pasqyruan edhe në shtypin e kohës.

Faik Konica: Shpëtimi dhe liria e Shqipërisë i detyrohen kryesisht Wilsonit

Kundër kritikuesve të presidentit Wilson më ashpër ishte shprehur Faik Konica, i cili theksonte: “Jemi të bindur se çdo shqiptar di dhe kupton se ç’borç të madh i kemi Wilsonit. Në qoftë se ka ndonjë shqiptar që s’merr vesh se shpetimi dhe liria e vendit (të) tij i detyrohet krye-sisht Wilsonit, ai nuk është njeri dhe duhet të kemi meshirë për verbësinë dhe errësirën që i ka mbuluar trutë.” Ai më tutje do të theksonte: “Shqipëria ishte dënuar me vdekje, dënimi do të zbatohej doemos, asnjë rreze shprese s’ ndritte gjëkundi. Por e papritura ngjau dhe kjo e papritur erdhi nga qëndrimi i Vudro Wilsonit, vijonte me tej Faik Konica. “Ndërgjegjja e drejtësisë njohu përsëri zërin e madh dhe u drodh nga gëzimi; se Wilsoni duke e mbrojtur Shqipërinë nuk e mbronte një popull të vetëm, por mbronte gjithë popujt, e mbronte parimin. Gazeta “Dielli” e datës 25 mars 1924, duke iu kundërvënë diskutimit të Hil Mosit në Parlament, do të theksonte ndër të tjera: “E qortoi Wilsonin se ai i dha Vlorën Italisë, ndonëse çdo njeri duhej të kuptonte, dhe shumë kuptojnë, që dhe Vlorën Wilsoni e shpëtoi tërthori: se po të mos kish ngulur këmbë Wilsoni që të bëhej një Shqipëri, s’ mund t’i jepej kurrë rasti as Vlorës që të shpëtonte nga zgjedha italiane”.

Shtypi shqiptar është fokusuar në rolin e Wilsonit si kryetar shteti i një fuqie të madhe me potenciale të gjithanshme në rritje, si dhe në arritjet e tij në dy periudha të vështira të marrëdhënieve ndërkombëtare, në Luftën e Parë Botërore dhe në nënshkrimin e traktateve të paqes të viteve 1919-1920 me vendet që e kishin humbur luftën. Shtypi pasqyronte, në mënyrë të veçantë, platformën e tij të njohur prej 14 pikash, ku ai kishte shtruar si bazë vendosjen e paqes pas luftës, si dhe rezervat ndaj kësaj platforme të udhëheqësve të Fuqive të Mëdha evropiane, fituese të konfliktit botëror.

Në paraqitjen me zigzage të pozitës së Wilsonit në Konferencën e Paqes në Paris, shtypi shqiptar iu përmbajt zhvillimit historik të ngjarjeve duke pasuar edhe shembullin e Fan Nolit, i cili në trajtesën e tij të 11 shkurtit shfaqi, ndër të tjera, keqardhjen e thellë për atë që i kishte ndodhur presidentit të SHBA-së: “Nga zenithi më i lartë ku ka ëndërruar të hypë në histori të botës (…) u rrokullis dhe u rrëzua përdhe.”

Përgjithësisht pasqyrimi i figurës së Wilsonit, në qarqet shqiptare, është parë nga dy dimensione të kundërta. Është dhënë si figurë që i kontribuoi çështjes shqiptare dhe si figurë që nuk ndihmoi sa duhet në të mirë të saj. Kemi të bëjmë me një pasqyrim të ngjashëm me atë që është vënë në dukje nga studiuesit: se në realizimin e programit të tij në plan evropian dhe botëror Wilsoni më shumë dështoi, sesa fitoi, për shkak të opozitës evropiane në radhë të parë.

Konferenca e Parisit 1919-1920 e ndryshoi hartën politike të Evropës, Azisë dhe Afrikës. Shqiptarët dhe përfaqësuesit e tyre ishin aktivë dhe për rrethanat e kohës arritën atë që mund ta arrinin. Rezultatet e këtyre arritjeve nuk janë për t’u nënvlerësuar. Madje, po ta kemi parasysh raportin e pabarabartë të forcave dhe rrethanat e tjera u arrit aq sa nuk shpresohej. Shqipëria vërtet mbeti si shtet i ndarë pa pjesët më vitale të saj, sepse u morën për bazë argumentet politike, por të paktën u arrit që të rifitohej pavarësia e vendit dhe sidomos të mënjanoheshin padrejtësi të reja territoriale që do të ishin tragjedi e dyfishtë për të ardhmen e kombit.

Presidenti Wilson dhe SHBA-të për përpjekjet e tyre për ta ndihmuar çështjen shqiptare mbetën në memorien e shqiptarëve. Për këtë ka mjaft dëshmi. Profesori amerikan Elmar E. Joner gjatë vizitës në një fshat në Jug të Shqipërisë, në një gëzim mirëseardhje dëgjon edhe këngën e Presidentit Wilson. Ai entuziazmohet tejmase nga melodia dhe teksti i këngës, të cilën e përkthen dhe ia dërgon Presidentit amerikan Wilson. Presidenti i shfaq mirënjohjen profesorit nëpërmjet një letre. Ndër të tjera, ai shkruante: “S’ka dyshim se më gëzohet zemra kur mësoj për ndjenjat e bukura qe ushqejnë për mua në Shqipëri. Kujtoj se çdo takim me të tilla kombe na sqaron më së miri pikëpamjen tonë për rastet dhe përgjegjësitë tona kombëtare.”

Konica propozon të pagëzohet me emrin Willsonwille Shën Gjergji ose Saranda

Ndërsa diplomati Faik Konica që shërbeu në SHBA ia dërgoi në vitin 1924 këtë telegram kryetarit të Kuvendit në Tiranë: “Ju lutemi të shtroni si propozim në Parlament që me rastin e vdekjes së Presidentit Wilson, shpëtimtarit të Shqipërisë, duke e nderuar Wilsonin dhe Shqipërinë në sytë e botës propozoni që t’i jepet emri Wilsonwille ose Shën Gjergjit, ose Sarandës.” Më 12 mars 1924, nën kujdesin e Faik Konicës, arrin në shtëpinë e presidentit Wilson një kurorë e bukur me 100 trëndafila, 50 të kuqe dhe 50 të bardha të lidhura me një shirit me ngjyrat e flamurit të Shqipërisë kuqezi në të cilat shkruan: “From the Albanian Federation Vatra Boston Massachusetts”. Ndërsa në telegramin që ia dërgon zonjës Wilson, Konica do të shprehej: “Jepmë leje Zonjë, të bëhem me respekt dërguesi i hidhërimit të thellë që ndiejnë shqiptarët, të cilët të personi i Presidentit të madh, burrit tuaj, kanë humbur mbrojtësin e të drejtave të tyre”.

Mbi të gjitha vlen të veçohet fjalimi i Fan Nolit në Parlamentin Shqiptar, më 11 shkurt 1924, ku, ndër të tjera, do të theksonte: “Amerika dhe tërë bota vajtuan këto ditë vdekjen e Woodrow Wilsonit. Pranë Amerikës merr pjesë në këtë zi edhe Shqipëria, e cila e quan amerikanin e madh, idealistin bujar dhe mbrojtësin e saj më të fortë. Presidenti Wilson provoi në shekullin XX se ka një vend, i cili edhe prodhon kalorës bujarë për t’i mbrojtur jetimët, të vejat dhe të shtypurit. Qysh ta quajmë e ta vajtojmë këtë kalorës pa frikë e pa njollë, chevalier sans peur ni reproche! Amerika, ajo nënë bujare që ia dha botës Wilsonin ka për të lindur edhe të tjerë kalorës si ai, kalorës të cilët do të vazhdojnë të përfundojnë veprën e Paqes, e vëllazërimit dhe mirëdashjës ndërkombëtare”.

Profecia e Nolit se “Amerika, ajo nënë bujare që ia ka dhënë botës Wilsonin, ka për të lindur edhe të tjerë kalorës si ai u jetësua pas 75 vjetësh. Amerika e Madhe lindi kryekalorësin Bill Klinton, burrë i madh i shekullit që ishte në ballë të aksionit për t’i sjellë lirinë Kosovës.

Mbështetja nga ana e SHBA-së dhe presidentit Wilson, e shumëkërkuar dhe e shumëdëshiruar nga shqiptarët, nuk ishte ajo që prisnin shqiptarët. Pikërisht në atë periudhë kohore, edhe pse Amerika ishte një fuqi ekonomike gjithnjë e në rritje, ende nuk ishte fuqi e rëndë-sishme politike botërore. Ndikimi dhe pesha reale e këtij vendi të madh në vendimmarrjet më të rëndësishme të botës do të ndihej me vonë e në veçanti pas Luftës së Dytë Botërore.

Për shqiptarët mbështetja amerikane ishte vendimtare gjatë viteve të fundit, sidomos gjatë shpërbërjes së ish-Jugosllavisë. Ndikimi vendimtar dhe qëndrimi i SHBA-së në ballë të zgjidhjes së problemit të Kosovës që nga viti 1999 e në vazhdim ngjan sikur të jetë njëfarë plotësimi i premtimit të papërmbushur, i cili u ishte bërë nga presidenti Wilson shqiptarëve në Konferencën e Versajës.

Foto: politico.com

Filed Under: Rajon

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 684
  • 685
  • 686
  • 687
  • 688
  • …
  • 2778
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT