• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kur filozofia dhe psikologjia ndërveprojnë për të shpëtuar njerinë

December 24, 2025 by s p

Eneida Jaçaj/

Çdo përvojë, ndjenjë, dhimbje, guxim, sakrificë, ndryshon dhe ndërton karakterin e njeriut në kohë. Realiteti i gjithësecilit nga ne, është i ndryshëm, me një perceptim individual i të menduarit, ndjesisë, i ndikuar nga këndvështrimi konceptual, si pasojë e ngjarjeve të ndryshme jetësore, që formojnë përjetime të vogla përballë një botëkuptimi më të gjerë. Çfarë përfitonte njeriu nëse pranon realitetin e tij në rradhë të parë brenda vetes, dhe më pas ta bërtasë me zë të lartë atë që e shqetëson dhe i mban peng ekzistencën e tij? A do të ishte më i çliruar nga “demonët” brenda vetes, që e mbajnë si të lidhur me zinxhir? A do të ndihej më i lirë nëse do ta pranonte veten ashtu siç është, me ato ngjarje e ndodhi që i kanë ndryshuar rrjedhën e të menduarit dhe të përjetuarit? A do të përfitojë apo do të humbë nëse e pranon veten mes asaj që është dhe asaj që do të ëndërronte të ishte? A do të çlirohej nga ankthi duke dialoguar dhe komunikuar me veten e të tjerët, për atë që e shqetëson, duke pranuar se jeta është një shfaqje kalimtare dhe asgjë nuk është e përjetshme? Njeriu shpesh herë gjendet para një dileme; të bëhet ai që është, të jetë ai që ka dhe ajo që njeriu përfaqëson në sytë e të tjerëve. Cila nga këto do ta bënte të ndihej më i lumtur dhe i çliruar?

Janë pikëpyetje që dalin nga dy veprat e mëdha të shkrimtarit psikanalist, me origjinë amerikano-hebre, Irvin D. Yalom, Profesor i Psikiatrisë në Universitetin e Standfordit në SHBA, përkatësisht kryevepra “Kur qau Niçja” dhe vepra “Kura e Shopenhaurit”. Këto dy vepra kanë në qendër të tyre të përbashktën; psikoterapinë moderne që kanë në thelb dialogun-komunikimin, seancat dëgjimore në grup, ku autori i vendos personazhet e tij në situata të ndryshme bashkëbisedimi, të cilat të ndryshojnë mënyrën e të menduarit dhe filozofinë e jetës, por është edhe një çlirim i shpirtit nga brengat, etj. Këtë psiko-filozofi e kanë trashëguar më pas psikiatër të rinj, por të modifikuar, siç është Arthur Janov, i cili njihet për Primal Scream Therapy, në vitet 60’-‘70, një lloj psikoterapie që i ndihmon njerëzit të largojnë të gjitha traumat, dhimbjet, mllefet, duke bërtitur; është një formë çlirimi e shpirtit nga të gjitha vuajtjet e jetës, që të çon drejt lirindjes. Kjo metodë terapie mund ta ketë zanafillën shumë më herët, ku sipas një legjende, gratë mblidheshin pranë një pusi dhe bërtisnin me të madhe, zëri i tyre gjemonte si shkrepëtima në qiell të hapur, pasi “pusi” ishte i vetmi vend ku zëri i tyre dëgjohej; në familje dhe në shoqëri, gratë ishin kokëulura dhe skllave të një shoqërie maskiliste, të cilat nuk kishin asnjë lloj të drejte, por vetëm detyra.

Autori, në të dyja veprat në fjalë, në mënyrë të qëllimtë, sjell emra të mëdhenj të mendimit filozofik dhe psikologjik, në të dyja veprat; Arthur Shopenhahuer, filozof gjerman i njohur për filozofinë e tij pesimiste, por që brenda ka doza realizmi; Fridrih Niçe, një nga filozofët më të shquar gjermanë të shekullit të 19-të. Niçe ka përvetësuar vepra të Shopenhauerit, kanë të dy pothuajse një mendim filozofik pesimist, ndoshta edhe si pasojë e doktrinës se si janë rritur apo edhe sëmundjes që Niçe kishte, ku shpesh herë nën ndikimin e saj, qasja e tij për jetën ka arritur majat e absurditetit; ata njihen si filozofët më të vështirë për t’u kuptuar; si dhe psikanalisti i famshëm, Sigmund Frojd, i cili i ka ardhur shpeshherë në ndihmë shoqërisë.

Kryevepra “Kur qau Niçja” është një dramë dashurie, ku filozofi i madh europian, në kulmin e dëshpërimit të tij, kërkon të bëjë vetëvrasje, pasi ishte i paaftë të gjente një kurë të posaçme, që do ta shpëtonte nga dhimbja e refuzimit të dashurisë. Lu Salome, e cila e ndiente veten fajtore, kërkon Zhozef Brojerin, një nga themeluesit e psikoanalizës, që ta shpëtojë nga vetëvrasja. Brojer përdor kurën eksperimentale të dialogut, bashkëbisedimit, e vetmja mënyrë që e bëri të çlirohet nga ajo e keqe e madhe, që e mundonte prej kohësh. Nga ana tjetër, edhe Brojeri kishte të njëjtin shqetësim, nga i cili ishte mbyllur në vetvete dhe nuk pranonte ta fliste me askënd. Kështu, ata përfundojnë pacientë të njëri-tjetrit, dhe shpëtojnë veten e tyre nga e keqja e madhe. Në dialogjet e zhvilluara mes tyre, Niçja ofronte aspektin filozofik, ndërsa Brojeri atë psikanalitik. Pra, sipas kësaj filozofie, njeriu duhet të pranojë realitetin e tij, duhet të pranojë veten ashtu siç është, dhe të flasë me një mik apo mikeshë për atë që e shqetëson, duke e bërë të ndihet i çliruar, i lirë, në botën e tij.

Personazhi tjetër është Filip Sleiti, ish-pacient i Xhuliusit. Ky i fundit nuk arriti dot ta shëronte Filipin, i cili gjeti shpëtim te kura e Shopenhauerit. Të dy kanë nevojë për njëri-tjetrin. Filipit i duhet Xhuliusi për miratimin e hapave të tij si këshillues filozofik, ndërsa Xhuliusit mësimet e Shopenhauerit. Filipi i bashkohet terapisë në grup, por ai e di shumë mirë se anëtarët e grupit kanë nevojë për filozofinë e Shopenhauerit. Në një bashkëbisedim mes Filpit dhe Xhuliusit, Filipi përdor thëninen e Spinozës, “aspekti i përjetësisë”; ai sugjeronte që ngjarje të përditshme shqetësuese, bëhen më pak të tilla nëse shikohen nga aspekti i përjetësisë. Filipi, gjatë jetës së tij, ishte një “Kazanova”, i obsesionuar pas epshit, ndaj femrave të bukura, të cilat i nënshtronte për aq sa i duheshin dhe më pas i flakte tutje. Ai ishte shumë i varur ndaj këtij obsesioni, saqë kishte prishur miqësira.

Por cila ishte kura e Shopenhauer që e shëroi Filipin? Dëshirat kanë një vullnet të jashtëzakonshëm, kur ato bëhen të zjarrta dhe fiksuese, për ta çuar njeriun drejt veseve të këqija. Janë pikërisht këto dëshira me përmasa katastrofike, që e mbajnë të mbërthyer gjithë jetën e njeriut, mendjen, trupin, në humnerën e të pavetëdijshmes dhe alogjikës. Shopenhauer propozon se njeriu që të shpëtojë nga veset e këqija, duhet të heqë komplet dorë nga dëshirat. Pra, sipas filozofit gjerman, është vullneti që shkakton të gjitha vuajtjet në botë kur ne kërkojmë të kënaqim dëshirat tona. Ai u shty nga vullneti për të kërkuar fundin e vetmisë dhe dëshpërimit të tij përmes marrëdhënieve trupore. Kështu, ky formulim i Shopenhauerit pati efekt te Filipi, i cili u shërua plotësisht duke pranuar të izolohet nga shoqëria dhe pikërisht nga obsesioni seksual. Ndoshta nuk do të ishte rruga më e drejtë që njeriu të izolohej nga shoqëria siç bëri Filipi, pasi ne kemi nevojë për njëri-tjetrin, për të folur e komunikuar, por njeriu mund të përdorë një taktikë tjetër, duke e bindur arsyen se kjo dëshirë nuk do ta çojë në rrugën e duhur, por, përkundrazi, do hapë probleme duke bërë që jeta e njeriut të vërtitet rreth atij vesi të sëmurë, duke humbur kuptimin e saj.

Për mendimin tim, njeriu nuk duhet të heqë dorë nga dëshirat, por duhet t’i kontrollojë ato, nëse bëhen shkak për lindjen e veseve të këqija, që të mbajnë mbërthyer dhe të nxjerrin komplet nga rrjedha e duhur e jetës. Do të mbështesja më së shumti thënien e Sokratit, “Njih veten”, ku njeriu duhet të punojë fort për t’ia njohur vetes ato vese, ato dëshira që e ndrydhin, duke i kaluar në ekspertizën e gjykimit kritik dhe reflektiv, dhe duke i mbajtur nën kontroll. Secili nga ne ka pika të dobëta që bëhen shkak i sjelljes jo të mirë, duke na kufizuar objektivin personal dhe profesional. Pra, filozofia dhe psikologjia, kur ndërveprojnë së bashku, i sjellin shoqërisë zgjidhje afatgjata, të duhura, duke rregulluar sjelljen e njeriut. Edhe dy ekstremet, asnjëherë nuk janë të mira, pasi kthehen në vese. Duhet të gjendet mesi i artë, siç thotë Aristoteli. Një shembull i thjeshtë, nëse ushqehesh pa kufizime dhe pa orare, do të kthehet në një ves që dëmton shëndetin, si rrjedhojë, nuk do të jemi në formën e duhur për t’i shërbyer familjes dhe profesionit. Këto dy vepra gjithsesi janë një thesar për fushën e psikologjisë dhe filozofisë. Secili nga ne mund të nxjerrë mësime të vlefshme dhe të përjetojë dialogun brilant mes bashkëbiseduesve, që të mbërthen aq fort dhe të duket sikur edhe ti bëhesh njësh me ta në biseda.

Filed Under: ESSE

BALFIN REAL ESTATE HAP ZYRËN E PARË NË SHBA, NJË MUNDËSI E RE INVESTIMI PËR DIASPORËN SHQIPTARE

December 24, 2025 by s p

Një zhvillim me rëndësi për komunitetin shqiptar në Amerikë vjen nga Balfin Real Estate, kompania lidere e pasurive të patundshme në Shqipëri, e cila ka hapur zyrën e saj të parë në Shtetet e Bashkuara, pikërisht në New York. Ky hap shënon një zgjerim domethënës të pranisë së kompanisë jashtë kufijve, duke i sjellë më afër shqiptarëve të diasporës mundësitë e shumta që ofron tregu i pasurive të patundshme në vendlindje.Kjo zyrëi bashkohet zyrave të hapura më heret në Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Austri dhe Zvicrë.

Balfin Real Estate u themelua në vitin 2018 nga Grupi BALFIN, një prej grupeve më të mëdha dhe më të konsoliduara në rajon. Që nga fillimi, kompania ka ndjekur një vizion të qartë për të ngritur standardet e tregut shqiptar të real estate dhe për të sjellë një mënyrë të re të zhvillimit dhe menaxhimit të projekteve. Që në vitin e parë të operimit, Balfin Real Estate trefishoi të ardhurat, ndërsa portofoli i projekteve u zgjerua ndjeshëm.

Gjatë pesë viteve të fundit, kompania ka kaluar një transformim të thellë dhe të qëndrueshëm. Nga pesë projekte në vitet e para, ajo menaxhonte njëzet projekte në vitin 2023 dhe sot administron 25 projekte të rëndësishme turistike dhe rezidenciale në zonat më të kërkuara të Shqipërisë. Portofoli i pronave me projekte si Green Coast, Vlora Marina, Next to Vala Mar Premium, Rolling Hills, Belvedere Korça etj ka arritur vlerën e 1.3 miliard eurove, ndërsa kompania ka krijuar një ekip profesional prej rreth njëqind punonjësish. Ky zgjerim është shoqëruar edhe me rritjen e bashkëpunimeve ndërkombëtare, duke përfshirë 37 partneritete me agjenci pasurish të patundshme në Evropë, SHBA dhe Kanada.

Tregu shqiptar i pasurive të patundshme ka njohur një zhvillim të ndjeshëm, veçanërisht në zonat bregdetare, ku rritja e vlerës së pronave ka ndjekur ritme të shpejta dhe të vazhdueshme. Kjo e bën Shqipërinë një destinacion gjithnjë e më tërheqës për investitorët, sidomos për shqiptarët e diasporës të cilët kërkojnë të ruajnë lidhjen me vendlindjen përmes investimeve të qëndrueshme. Ndryshe nga tregjet e konsoliduara të Bashkimit Evropian, ku çmimet e pronave kanë mbetur të qëndrueshme për një kohë të gjatë, Shqipëria ofron potencial të lartë rritjeje dhe norma fitimi krahasuese me tregje globale, si Dubai.

Hapja e zyrës së Balfin Real Estate në New York vjen si një përgjigje ndaj kërkesës së shtuar të shqiptarëve që jetojnë në SHBA për t’u informuar dhe për të investuar në tregun shqiptar. Kjo zyrë synon të shërbejë si një urë e drejtpërdrejtë komunikimi, duke u ofruar klientëve konsulencë profesionale në gjuhën shqipe, prezantim të projekteve më të reja dhe asistencë në çdo hap të procesit të investimit. Në këtë mënyrë, shqiptarët në Amerikë do të kenë mundësinë të marrin vendime të sigurta, pavarësisht distancës nga Shqipëria.

Balfin Real Estate shpreh angazhimin e saj për të qenë pranë diasporës, duke i ofruar komunitetit shqiptar në SHBA mundësinë për të investuar në projekte më të mira turistike në Shqipëri të cilat po zhvillohen me ritme të përshpejtuara. Ky hap i ri përfaqëson jo vetëm zgjerimin ndërkombëtar të kompanisë, por edhe dëshirën për të ndërtuar ura të reja bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe shqiptarëve kudo që ndodhen.

Me rritjen e vazhdueshme të tregut dhe me standardet e larta të punës që e karakterizojnë, Balfin Real Estate synon të mbetet një pikë referimi për të gjithë ata që kërkojnë të investojnë në pasuri të patundshme në Shqipëri. Hapja e zyrës në New York vjen si një dëshmi konkrete e këtij vizioni dhe një mundësi e re për diasporën shqiptare për të qenë pjesë e zhvillimit të tregut më premtues në rajon.

www.balfinrealestate.com

1151, Broadway, New York

+1 (347) 425-2033

Filed Under: Ekonomi Tagged With: BALFIN REAL ESTATE

Konferenca “Diaspora 2025” organizuar nga Federata Kombëtare Shqiptare në Itali ( FNAI)

December 24, 2025 by s p

Ornela Radovicka 

Qëndra albanologjike për gjuhën dhe kulturën arbëreshe themeluar nga Atë Bellusci. 

Frascineto\ Calabri\ Itali/

Në qytetin e Lugos, në krahinën e Ravenës, më, datë 21 Dhjetor 2025 u mblodh konferenca me temë; Kosova Lindore dje, sot, dhe sfidat për të ardhmen, organizuar nga Federata Kombëtare shqiptare në Itali drejtuar nga zoti Granit Muçaj. Merrnin pjesë grupe nga shoqata të ndryshme në Itali, si dhe të ftuar nga Shqipëria, Zvicera, Gjermania, Austria, si dhe nga Kosova lindore Lugina e Preshevës, Bujanoci e Medvegja.  Konferencën e hapi zonja Elena Zanon, Kryetarja e Bashkisë së qytetit të Lugos,  e cila i priti në Kështjellën Alfonso Este, (ku u zhvillua konferenca) dhe  përshëndeti komunitetin shqiptar të këtij  qyteti.  Ajo theksoi  rolin e madh të shqiptarëve në zhvillimin ekonomik e kultural të këtij qyteti. Nga Mitrovica Prof Gani Pllana  kishte sjellë një vepër arti,  hartën e Italisë, të punuarme kristale nga “Trepça” të cilës ia dhuroi Zonjës Elena Zanon. Një dhuratë tjetër një Kristal të nxjerrë nga nëntoka e Mitrovicës,  profesor  Pllana ia dhuroi  kryetarit të Federatës Kombëtare e Shoqatave Shqiptare në Itali, z. Granit Muçës.

Fjala në vijim iu kaloi  një numër studiuesish me vlera shkencore të fushave të ndryshme. Temat kryesor i mbajti zoti Enkel Rexhepi Kryetar i këshillave të komunave shqiptare në Serbi i cili foli për atë  situatë të rëndë ku po shkeleshin të drejtat e njeriut dhe jo vetëm por po bëhej një pastrim etnik në këto zona  si në  luginën e Preshevës, Bujanosi, Medvegjia. Mbi situatën e arsimit, fjala iu dha Profesor Rexhep Abazi. Profesor  Refik Hasani, nga Gjilani,përshkoi situatën e rëndë të një spastrimi etnik që bëhej në këto zona. 

Moderatorja e kësaj konference ishte Majlinda Shqiri, gazetare por edhe kandidate e vetme  shqiptare për Kosovën Lindore. Ajo prezantoi në mënyrë dinjitoze këtë konferencë.  

Murat Ajvazi,hisorian, Zvicër, mbajti një fjalim, dhe u prononcua se do të publikonte punimet e kësaj Konference në shumë gjuhë të huaja. I ftuar ishte edhe kryetari i qytetit të Belshit zoti Arif Tafani, me të cilën u bë edhe një binjakëzim midis këtyre dy komunave; Lugo dhe Belsh.  

Konferenca doli me një Rezolutë, të cilën e lexoi Ornela Radovicka, drejtuesja e Qëndra albanologjike për gjuhën dhe kulturën arbëreshe themeluar nga Atë Bellusci. Në fund Zonja Ninfa Pema, sekretarja e Federatës ndahu disa Mirënjoje i titulluar “ Zëri i Kombit”   

Fjalën përshëndetëse për të pranishmit e bëri z. Dritan Ferhati kryetari i Shoqatës Vatra. Një falenderim i vecantë i kalon grupit organizues të FNAI zotit Petrit Aliaj, aktivistet si zonja Erida Cela, sekretari i saj Ervis Hoxha, antarë si  zotit Belul Shehu , zonja Fitije Picari,  tranieri i skudrës  së futbollit me lojtarët të gjithë shqiptarë zoti  Alfred Salliu, që na pritën  denjësisht e bujarisht  dhe organizuan më së miri këtë konferencë për të ftuarit. Mes tyre ishte edhe Pirro Qendra, aktivist i botës arbëreshe. 

Pas konferencës, organizatorët shtruan drekë për të gjithë pjesëmarrësit, ku sipas programit kënduan himni italian dhe shqiptar, kënduan këngë popullore nga shumë treva shqiptare. Nuk munguan simbolet e kombit edhe tek  torta; Shqipëria jonë,  flamuri ynë kombëtarë.

Fermo, 21.12, 2025.

REZOLUTË

Nga Federata Kombëtare e Shoqatave Shqiptare në Itali (FNAI), mbi Çështjen e Minoritetit Shqiptar të Luginës së Preshevës në Republikën e Serbisë, pas zhvillimit të Konferencës “Kosova Lindore dje, sot dhe sfidat e së ardhmes”, në Lugo (Ravena) Italy, më 21.12.2025.

MOTIVET

Duke u mbështetur në parimet universale të të drejtave të njeriut dhe

standardet evropiane për mbrojtjen e pakicave kombëtare;

  •  meqenëse Neni 14 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut
  • (1953) garanton se “gëzimi i të drejtave dhe lirive të përcaktuara në
  • këtë Konventë sigurohet pa asnjë formë diskriminimi, përfshirë atë
  • mbi bazë të përkatësisë kombëtare, gjuhësore apo etnike”;
  •  meqenëse Neni 27 i Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe
  • Politike (1966) garanton “të drejtën e personave që u përkasin
  • pakicave etnike, fetare ose gjuhësore për të gëzuar kulturën e tyre,
  • për të përdorur gjuhën e tyre dhe për të ushtruar identitetin e tyre
  • kolektivisht”;
  •  duke pasur parasysh Aktin Final të Helsinkit (1975), i cili obligon
  • shtetet pjesëmarrëse të “respektojnë barazinë para ligjit të
  • personave që u përkasin pakicave kombëtare” dhe të “krijojnë
  • kushte për ushtrimin efektiv të të drejtave të tyre”;
  •  meqenëse Deklarata e OKB-së mbi të Drejtat e Personave që u
  • përkasin Pakicave Kombëtare ose Etnike, Fetare dhe Gjuhësore
  • (1992) garanton “ushtrimin e të drejtave pa diskriminim dhe pa
  • pasoja negative për individët apo komunitetet”;
  •  duke pasur parasysh Konventën Kornizë të Këshillit të Evropës për
  • Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare (1998), e cila “ndalon ndryshimet
  • artificiale të strukturës demografike dhe garanton të drejtën e
  • lidhjeve të lira ndërkufitare të pakicave kombëtare”;
  •  duke vërejtur me shqetësim të vazhdueshëm raportimet e
  • institucioneve ndërkombëtare, organizatave joqeveritare dhe
  • organeve shtetërore partnere mbi praktikat diskriminuese ndaj
  • pakicës kombëtare shqiptare në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë;
  •  meqenëse praktika e ashtuquajtur "pasivizim i adresave" është
  • zbatuar në mënyrë selektive dhe targetuese ndaj qytetarëve të
  • Republikës së Serbisë me përkatësi etnike shqiptare, duke prodhuar
  • pasoja serioze juridike, politike, sociale dhe ekonomike;
  •  duke marrë parasysh Rezolutën e Parlamentit Evropian të datës 6
  • korrik 2022, Raportin e Departamentit të Shtetit SHBA për të Drejtat
  • e Njeriut (2022), si dhe raportet e Komitetit të Helsinkit për të
  • Drejtat e Njeriut në Serbi;
  •  duke u mbështetur në kërkesën zyrtare të Kryetarit të Nënkomitetit
  • për Evropën në Kongresin Amerikan, z. Keith Self, të datës 2 dhjetor
  • 2025, për përgatitjen e një raporti gjithëpërfshirës mbi
  • diskriminimin e shqiptarëve në Serbi;
  •  duke theksuar se Republika e Serbisë është vend kandidat për
  • anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe, si e tillë, ka detyrimin të
  • përmbushë standardet më të larta të sundimit të ligjit dhe mbrojtjes
  • së të drejtave të njeriut;
  • si organizim shoqëror kërkojmë:

1. Republika e Serbisë të respektojë plotësisht detyrimet që rrjedhin

nga e drejta ndërkombëtare dhe instrumentet ndërkombëtare për

mbrojtjen e pakicave kombëtare, përfshirë pakicën kombëtare

shqiptare.

2. Republika e Serbisë të zbatojë në mënyrë të plotë dhe të

qëndrueshme të gjitha marrëveshjet e nënshkruara me

përfaqësuesit politikë të shqiptarëve në vitet 2001, 2009, 2013 dhe

2022.

3. Të rishqyrtohet dhe pezullohet zbatimi i Nenit 18 të Ligjit për

Rezidencën e Qytetarëve, për shkak të zbatimit të tij diskriminues

ndaj shqiptarëve në Serbinë jugore.

4. Të rivendoset statusi juridik dhe civil i të gjithë qytetarëve shqiptarë

që janë fshirë nga regjistrat civilë pa njoftim dhe pa procedurë të

rregullt ligjore.

5. ë garantohet ushtrimi i plotë i të drejtës së shtetësisë, votës,

pronës, sigurimit shëndetësor, pensioneve dhe përfitimeve sociale

për qytetarët shqiptarë të prekur nga praktika e pasivizimit.

6. Republika e Serbisë të ndërpresë menjëherë çdo praktikë

administrative që prodhon efekte të spastrimit etnik përmes

mjeteve burokratike.

7. Të sigurohet përfaqësim proporcional dhe i drejtë i shqiptarëve në

institucionet shtetërore, administratën publike, policinë, gjyqësorin

dhe organet e sigurisë.

8. Të garantohet përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe dhe simboleve

kombëtare shqiptare në përputhje me ligjin dhe standardet

evropiane.

9. Të sigurohet arsim cilësor në gjuhën shqipe në të gjitha nivelet,

përfshirë njohjen e diplomave, tekstet shkollore dhe përfaqësimin e

historisë dhe kulturës shqiptare.

10. Të hartohen dhe zbatohen politika të veçanta zhvillimore për

Preshevën, Bujanocin dhe Medvegjën, me qëllim ndalimin e

emigrimit dhe sigurimin e zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm.

11. Zyra e Komisionerit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut

të dërgojë një mision monitorues në Luginë të Preshevës dhe të

raportojë mbi gjetjet e saj.

12. Bashkimi Evropian dhe institucionet e tij të kushtëzojnë

avancimin e procesit të anëtarësimit të Republikës së Serbisë me

përparim konkret dhe të verifikueshëm në respektimin e të drejtave

të shqiptarëve.

13. OSBE-ja, Këshilli i Evropës dhe partnerët transatlantikë të

intensifikojnë monitorimin dhe dialogun institucional lidhur me

pozitën e pakicës shqiptare në Republikën e Serbisë.

PS: Kjo rezolutë paraqitet nga këndvështrimi i përfaqësuesve politikë e

institucionalë të shqiptarëve, me qëllim nxitjen e dialogut, respektimit të

ligjit dhe harmonizimit të legjislacionit me standardet evropiane.

* Kjo Rezolutë do t’u dërgohet:

  • OKB dhe Komisionit për të Drejtat e Njeriut pranë OKB.;
  • Këshillit Europian dhe Komisionit për të Drejtat e Njeriut;
  • Parlamentit Europian;
  • Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Parlamentit Shqiptar,
  • Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, Ministrisë së Jashtme të
  • Republikës së Shqipërisë;
  • Presidentit të Republikës së Kosovës, Parlamentit të Republikës së
  • Kosovës, Kryeministrit të Republikës së Kosovës; Parlamentit të
  • Republikës së Kosovës, Ministrisë së Jashtme të Kosovës;
  • Presidentit të Serbisë, Parlamentit të Serbisë, Kryeministrit të
  • Serbisë, Ministrisë së Jashtme të Serbisë.
  • Parlamentit të Malit të zi;
  • Parlamentit të Maqedonisë së Veriut;
  • Parlamentit italian.

Ornela Radovicka 

Qëndra albanologjike për gjuhën dhe kulturën arbëreshe themeluar nga Atë Bellusci. 

Frascineto\ Calabri\ Itali 

Filed Under: Interviste

Koncepti i lumturisë dhe Krishtlindjet sot

December 24, 2025 by s p

Opinion nga Rafael Floqi/

Në një botë që ndryshon me shpejtësi marramendëse, ku teknologjia shkurton distancat por shpesh thellon vetminë, Krishtlindjet mbeten një nga ato pak momente kur koha duket se ndalet. Ato vijnë çdo vit jo vetëm si një datë kalendarike, por si një ftesë e heshtur për reflektim, bashkim dhe rikthim te vlerat themelore njerëzore. Pikërisht këtu qëndron rëndësia e Krishtlindjeve sot: në aftësinë e tyre për t’i dhënë kuptim njeriut modern, mes zhurmës së përditshmërisë dhe pasigurisë globale.

Një ngjarje e lashtë me mesazh të përjetshëm

Në thelb të Krishtlindjeve qëndron lindja e Krishtit, një ngjarje që për besimtarët përfaqëson mishërimin e dashurisë hyjnore, ndërsa për shoqërinë më të gjerë një simbol universal shprese dhe përulësie. Lindja në një stallë, larg pushtetit dhe luksit, përçon një mesazh që mbetet tronditës edhe sot: madhështia e vërtetë nuk buron nga forca apo pasuria, por nga dashuria dhe sakrifica.

Në një epokë ku suksesi shpesh matet me shifra, ndjekës në rrjete sociale apo pushtet ekonomik, Krishtlindjet na rikujtojnë një rend tjetër vlerash. Ato vendosin në qendër njeriun, marrëdhënien me tjetrin dhe përgjegjësinë morale ndaj komunitetit.

Familja: streha e festës

Pavarësisht transformimeve shoqërore, familja mbetet bërthama e Krishtlindjeve. Edhe sot, kjo festë është një arsye e fortë për t’u kthyer në shtëpi, për të udhëtuar qindra kilometra, për të lënë pas përkohësisht ritmin e vrullshëm të jetës. Tryeza e Krishtlindjes nuk është thjesht një ritual ushqimi; ajo është një hapësirë kujtese, pajtimi dhe ndarjeje emocionesh.

Për fëmijët, Krishtlindjet janë magji, drita, pritje dhe dhurata. Për të rriturit, ato shpesh shndërrohen në një pasqyrë të jetës: kujtime nga ata që mungojnë, gëzim për ata që janë pranë, dhe një ndjenjë përgjegjësie për brezin që vjen. Në këtë sens, Krishtlindjet funksionojnë si një urë midis brezave, duke ruajtur vazhdimësinë kulturore dhe emocionale të familjes.

Solidariteti si gjuhë universale

Një nga aspektet më domethënëse të Krishtlindjeve sot është dimensioni i solidaritetit. Në këtë periudhë, shoqëritë aktivizohen: organizohen ndihma për të varfrit, për të moshuarit, për të sëmurët dhe për ata që ndihen të harruar. Edhe njerëz që nuk i përkasin besimit të krishterë përfshihen në këtë frymë dhënieje, duke e bërë Krishtlindjen një festë me karakter thellësisht human.

Në një botë të dominuar nga individualizmi dhe konkurrenca, ky solidaritet merr një vlerë të veçantë. Ai dëshmon se, pavarësisht dallimeve, ekziston ende një nevojë e përbashkët për empati dhe kujdes ndaj tjetrit. Krishtlindjet na kujtojnë se shoqëria nuk mbahet vetëm nga ligjet dhe institucionet, por edhe nga gjestet e vogla njerëzore.

Përballë komercializimit

Nuk mund të flitet për Krishtlindjet sot pa përmendur komercializimin e tyre. Qytetet ndizen me drita, vitrinat mbushen me oferta dhe festa shpesh reduktohet në një garë konsumizmi. Në këtë realitet, ekziston rreziku që mesazhi i Krishtlindjes të zbehet, të mbulohet nga reklamat dhe presioni social për “festë perfekte”.

Megjithatë, kjo sfidë ka sjellë edhe një kundër-reagim. Gjithnjë e më shumë njerëz po zgjedhin forma më të thjeshta festimi: më pak dhurata materiale, më shumë kohë së bashku; më pak luks, më shumë kuptim. Kjo tendencë tregon se Krishtlindjet nuk janë humbur, por po riformulohen sipas nevojave të kohës.

Një festë në shoqëri pluraliste

Në shoqëritë moderne multikulturore, Krishtlindjet kanë tejkaluar kufijtë strikt fetarë. Ato janë bërë pjesë e kulturës globale, një simbol i dritës në mes të errësirës së dimrit. Kjo i jep festës një dimension të ri: atë të dialogut ndërkulturor.

Edhe pse ekziston rreziku i shkëputjes nga rrënjët shpirtërore, ky universalizim dëshmon fuqinë e mesazhit të Krishtlindjes. Ideja e paqes, e lindjes së re dhe e shpresës është e kuptueshme për çdo njeri, pavarësisht besimit apo prejardhjes.

Rëndësia emocionale në kohë izolimi

Krishtlindjet kanë edhe një ndikim të fortë psikologjik. Ato zgjojnë ndjenja të thella gëzimi, por edhe mall, vetmi apo reflektim. Në një kohë kur izolimi social dhe ankthi janë bërë pjesë e jetës moderne, kjo festë shërben si një thirrje për lidhje njerëzore më të sinqerta.

Një telefonatë, një vizitë, një fjalë e ngrohtë mund të ketë një domethënie të jashtëzakonshme në këtë periudhë. Kështu, Krishtlindjet na mësojnë se prania njerëzore është dhurata më e madhe.

Krishtlindjet si fillim i ri

Në fund të vitit, Krishtlindjet marrin edhe kuptimin e një kufiri simbolik mes së shkuarës dhe së ardhmes. Ato na ftojnë të reflektojmë mbi atë që kemi qenë dhe të mendojmë për atë që duam të bëhemi. Mesazhi i lindjes dhe i dritës mbart premtimin e ndryshimit, të rinovimit moral dhe shpirtëror.

Rëndësia e Krishtlindjeve sot qëndron në aftësinë e tyre për të ruajtur thelbin, ndërsa përshtaten me kohën. Ato janë një festë e besimit dhe e familjes, e traditës dhe e solidaritetit, e kujtesës dhe e shpresës. Në një botë të fragmentuar, Krishtlindjet mbeten një nga momentet e rralla kur njerëzit ndalen, shikojnë njëri-tjetrin dhe kujtojnë se, përtej gjithçkaje, ajo që i bashkon është nevoja për dashuri, paqe dhe kuptim.

Krishtlindjet dhe lumturia

Lumturia dhe gëzimi përdoren shpesh si sinonime, sidomos gjatë Krishtlindjeve. Por ato nuk janë e njëjta gjë. Të kuptuarit e kësaj dallese mund të ndryshojë mënyrën se si e jetojmë këtë festë dhe si e përjetojmë atë, emocionalisht dhe shpirtërisht.

Lumturia është një ndjenjë. Ajo është një reagim emocional ndaj diçkaje të këndshme që na ndodh. Gjatë Krishtlindjeve, lumturia shpesh lind nga një dhuratë e menduar mirë, nga një këngë e dashur festive, apo nga gëzimi i fëmijëve kur shohin dhuratat nën pemë. Këto momente janë reale dhe të bukura, por mbeten të përkohshme dhe varen nga rrethanat.

Pikërisht për këtë arsye, Krishtlindjet ndonjëherë mund të bëhen të lodhshme dhe stresuese. Festa sjell pritshmëri për familje perfekte, organizime pa të meta, apo një magji filmash sentimentalë. Dhe kur realiteti nuk përputhet me këto imazhe, lumturia zhduket shpejt.

Gëzimi është ndryshe.

Ai nuk varet nga rrethanat dhe nuk kërkon përsosmëri. Për të krishterët, gëzimi është një gjendje e zemrës. Ai është i rrënjosur thellë në shpresën, paqen dhe premtimin që erdhi në botë përmes dashurisë së Zotit.

Gëzimi lind nga reflektimi mbi kuptimin e vërtetë të Krishtlindjes: Zoti na deshi aq shumë, sa dërgoi Birin e Tij për të sjellë shpëtim, dritë dhe shpresë të përjetshme. Ai rritet përmes mirënjohjes, duke njohur bekimet edhe në kohë të vështira, dhe nga besimi se Zoti është gjithmonë me ne dhe ecën me ne në çdo stinë të jetës.

Gëzimi mbetet edhe pasi lumturia venitet. Njeriu mund të ndiejë gëzim edhe mes dhimbjes, stresit apo pasigurisë. Ai është forca e qetë që i mban besimtarët të dhembshur, të qëndrueshëm dhe të përqendruar. Gëzimi i Krishtlindjes nuk gjendet te dhuratat nën pemë, por te prania e Zotit, te prania e njerëzve që duam dhe te paqja që Zoti vendos në zemrat tona.

Festat ndonjëherë janë të vështira. Disa njerëz përjetojnë vetmi ose humbje. Të tjerë ndiejnë presion për të krijuar një Krishtlindje “magjike” për familjet e tyre. Disa përballen me vështirësi financiare ose personale që e bëjnë “të qenit i lumtur” pothuajse të pamundur.

Por gëzimi nuk kërkon përsosmëri. Ai rritet edhe në momente të papërsosura.

Lumturia është kalimtare, por gëzimi i mbështetur te Zoti është ajo që mbetet edhe pasi dritat fiken dhe zbukurimet hiqen. Gëzimi lind nga mirënjohja, besimi, qëllimi dhe marrëdhënia. Gëzimi i dhurimit nuk vjen nga shpenzimi i parave, por nga shprehja e dashurisë, mirësisë dhe zemrës.

Lumturia e bën Krishtlindjen të gëzuar.

Gëzimi e bën Krishtlindjen domethënëse.

Teksa kaloni nëpër këtë stinë – ditët e zëna, netët e qeta, mbledhjet dhe traditat – dëgjoni atë zë më të thellë brenda vetes. Lumturia mund të shkëlqejë për një çast, si dritat e Krishtlindjes, por gëzimi ndriçon vazhdimisht, si drita që erdhi në botë atë natë të shenjtë në Betlehem.

Uroj që Krishtlindja juaj të jetë e mbushur me momente lumturie, por e rrënjosur në një gëzim të ankoruar te Zoti – një gëzim që zgjat gjatë gjithë vitit.

Gëzuar Krishtlindjen !

Filed Under: Komunitet

Nxënësit e shkollës shqipe “Gjuha Jonë” në Philadelphia festuan Festat e Fundvitit

December 24, 2025 by s p

Festat e Fundvitit me fëmijët e shkollës “Gjuha Jonë” në Filadelfia tashmë marrin një kuptim të vecantë dhe teper simbolik. Aktiviteti i dites se sotme, date 21 dhjetor bashkoi në një sallë të madhe prindër , gjyshër, fëmijë, duke krijuar një atmosfere magjike. Temperaturat e ulëta përjashta nuk ndiheshin fare në sallën e mbushur me dashuri, ngrohtësi dhe krenari, ku cdo moment u kthye në një kujtim të vyer për të pranishmit. Pas përshëndetjes dhe urimit të kryetarit të shoqatës “Bijtë e Shqipes” zoti Dritan Matraku per një vit më të mbare, më të suksesshëm në të gjitha familjet shqiptare dhe një urim të vecntë për të gjithë nxënësit e shkollës shqip, aktiviteti nisi me shume emocion.

Të gjithë nxënësit, në të pesë klasat, do të sillnin këngë, recitime më gjuhën shqipe. Cdo fjalë e tyre ishte një dëshmi e dashurisë për gjuhën e prindërve të tyre, për kulturën dhe rrënjët tona. Sytë e tyre ishin tejmbushur me gëzim. Por aktiviteti do të shpaloste talentet e tyre në vallëzim klasik, në interpretim në piano, në këngë të vështira. Babagjyshi ( z. Eldion Pajollari) do të vinte dhe do të pritej me shumë kureshtje, emocion nga fëmijët nën atmosferën e këngëve të Vitit të Ri dhe Krishtlindjeve (Dj Tonin ishte fantastik). Fotografi me babagjyshin, me shoket dhe shoqet e klases, më mësuesit. Dhurata simbolike të përgatitura nga Kryesia e Shoqatës dhe pica party. Po a ka mundësi që të mbyllet një aktivitet pa vallet tona ritmike dhe unike?

Të gjthë në valle, mësues, prindër dhe nxënës që mundoheshin të ndiqnin hapat e më të rriturve. Falenderim të pafund për prindërit dhe mësuesit e shkollës shqipe në Filadelfia për kontributin, përpjekjet e tyre për të ruajtur dhe përcjellë gjuhën, kulturën tonë te brezi i fëmijëve shqiptaro-amerikan. Gëzuar Krishtlindjen dhe Vitin e Ri! Qoftë Viti 2026, i paqtë, i gëzueshëm dhe i begatë për cdo familje shqiptare!

Rudina Bani,

Anëtare e KD të shoqatës “Bijtë e Shqipe” dhe mësuese e shkollës shqipe “Gjuha Jonë”

Philadelphia, 21 Dhjetor 2025

Filed Under: Reportazh

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 71
  • 72
  • 73
  • 74
  • 75
  • …
  • 2857
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Urgjenca dhe Protesta si regjim. Pse ritmi i revoltës prodhon pushtet, jo ndryshim?
  • Kur një korb flet shqip: pse “Korbi” i Nolit nuk është thjesht përkthim i POE-s
  • “Nomos”
  • 𝒁𝒆̈𝒓𝒊 𝒊 𝒅𝒆̈𝒔𝒉𝒎𝒊𝒕𝒂𝒓𝒊𝒕 𝒑𝒆̈𝒓𝒃𝒂𝒍𝒍𝒆̈ 𝒑𝒂𝒅𝒓𝒆𝒋𝒕𝒆̈𝒔𝒊𝒔𝒆̈
  • Kush ishte shkrimtari shqiptar që kishte letërkëmbim dhe vlerësohej nga Viktor Hygo
  • Si u bë Tirana kryeqytet dhe përse Kongresi i Lushnjes nuk mori vendim
  • Shqiptarë – fjala hyjnore që na mban gjallë edhe nga larg
  • Mediat e huaja i kanë bërë jehonë protestës së tretë kombëtare të opozitës në Tiranë
  • Kosova dhe qytetarët e saj kërkojnë drejtësi. Lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe e pastër
  • Vatra Long Island dhe shkolla shqipe “Gjergj Fishta” ju ftojnë në festën e Pavarësisë së Kosovës më 15 shkurt 2026
  • Azem Shkreli, më i zëshmi zë i këndimit të kushtrimshëm të fjalës së shpirtshme
  • LIN DELIJA, ART, BESIM DHE IDENTITET NË MËRGIM
  • LIRIA KISHTE EMËR? PO HAGA E DREJTËSISË PSE S’ËSHTË ME DREJTËSINË?
  • Udhëtimi i një gabimi: Një rrëfim ndryshe
  • VATRA KËRKON DREJTËSI NË HAGË

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT