• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kujtojmë në përvjetorin e lindjes gjuhëtarin austriak dhe albanologun Maximilian Lambertz

July 27, 2026 by s p

Më 27 korrik 1882 lindi Maximilian Lambertz, një gjuhëtar dhe folklorist austriak, një nga personalitetet më të shquara të albanologjisë, i cili ia kushtoi jetën studimeve të gjuhës, folklorit dhe kulturës shqiptare. Lambertz shfaqi interes për shqipen që në fillim të shekullit XX. Pas kontaktit të parë me këtë gjuhë në vitin 1906 në Atikë të Greqisë, ai e ktheu studimin e shqipes në mision jetësor. Puna e tij kërkimore nisi konkretisht më 1913–1914, gjatë një udhëtimi në fshatrat arbëreshe të Italisë, ku mblodhi një fond të pasur të dhënash dialektore dhe folklorike.

Studimi i tij i parë “Albanische Mundarten in Italien” ofroi një hartë të detajuar të ngulimeve arbëreshe dhe hapi një kapitull të ri në dialektologjinë shqiptare. Ai theksoi rëndësinë e studimit të këtyre të folmeve si dëshmi e shqipes mesjetare. Ky pasion për dialektet shqiptare u shtri në një mori punimesh shkencore, përfshirë edhe një monografi të gjerë mbi dialektet arbëreshe të Molizes.

Lambertz ishte pjesëmarrës aktiv në Komisinë Letrare Shqipe, ku dha kontribut të vyer në formësimin e gjuhës së përbashkët dhe drejtshkrimit të shqipes. Veprat e tij përfshijnë edhe studime të rëndësishme në fushën e sintaksës, si dhe një sërë botimesh për mësimin e gjuhës shqipe, përfshirë një kurs të plotë në tre vëllime dhe një antologji të letërsisë shqiptare me përkthim në gjermanisht.

Në veprën e tij “Studime Arbëreshe”, Lambertz shprehet se ndarja e shqipes në gegërishte dhe toskërishte është më shumë sipërfaqësore sesa thelbësore, duke theksuar: “Vetëm suvaja e dy pjesëve të kësaj ndërtese është e ndryshme.”

Në fushën e folklorit shqiptar, ai la vepra monumentale si “Die Volkspoesie der Albaner” (1917), “Albanien erzählt” (1956) dhe “Die Volksepik der Albaner” (1958), duke përfshirë ciklin epik të kreshnikëve dhe mitologjinë shqiptare.

Për përkthimin e veprave madhore si “Lahuta e Malësisë” e Gjergj Fishtës dhe drama “Toka jonë” e Kolë Jakovës, ai fitoi respekt të gjerë. Pas vdekjes së tij më 26 gusht 1963 në Leipzig, u botua edhe punimi “Mitologjia shqiptare” në veprën kolektive “Wörterbuch der Mythologie”.

Për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në studimet albanologjike, Maximilian Lambertz u dekorua me “Urdhrin e Flamurit” nga shteti shqiptar.

Dorëshkrimet e tij përbëjnë një burim me vlerë për studiuesit e shqipes. Trashëgimia e Lambertzit është jo vetëm shkencore, por edhe kulturore dhe kombëtare një homazh i përjetshëm për pasurinë gjuhësore dhe shpirtërore të shqiptarëve.

www.akad.gov.al

Filed Under: Histori

Jeronimi dhe Bibla që foli latinisht

July 27, 2026 by s p

Luan Rama/

Kur marrim në duar Biblën, librin më të botuar në historinë e botimit botëror, nuk mund të mos mendojmë një çast për atë që e shkroi në gjuhën latinishte, për Shën Jeronimin, autorin e Vulgatës siç u quajt atëherë, atë që pas një studimi të vazhdueshëm shumëvjeçar, i dha Krishterimit dhe kulturës njerëzore versionin më të saktë dhe më të përafërt të Librit të Shenjtë, ku u bashkuan përfundimisht Testamenti i Vjetër hebraik me Testamentin e Ri kristian, dy libra në vazhdimësi të një besimi e një kulture të përbashkët. Vulgata e Jeronimit, e përkthyer më pas në të gjitha gjuhët e botës, e përkthyer nga Lutheri, Calvini, Erasmus, etj., nëpër shekuj do të frymëzonte artistët më të mëdhenj të kohës, nga Da Vinçi e Michelangelo, tek Tiepolo, Raffaelo, Carpaccio, Van Ejk e Van Dyck, duke vazhduar me Montagna, Della Francesca, Rubens, Rembrandt dhe piktura flamande, El Greco, Rilindja e gjer në ditët tona. Që atëherë, i shpallur shenjt pas vdekjes, Jeronimi, ky asket e murg i tërhequr në një manastir të Bethlehemit, më i varfër se të varfërit dhe që jetoi larg shkëlqimeve të Romës e Konstantinopojës, do të konsiderohej si një nga katër etërit e Kishës Kristiane.

Kush ishte ky njeri dhe nga vinte ai?

«Qumështi katolik

Jeronimi, (Hieronymus) ishte i biri i Eusebius dhe kishte lindur në Stridon, i cili më pas do të shkatërrohej rrafsh nga gotët. Ky vend shtrihej atëherë në Iliri, në kufirin midis Dalmacisë dhe Pannomie-s (shumë pranë Ljubjanës së sotme) dhe siç shkruan vetë Jeronimi në librin e tij De viris illustrabus, Stridoni nuk u rezistoi dot dyndjeve barbare të fundit të shekullit IV. Siç thotë dhe një nga biografet e sotme të Jeronimit, Anne Bernet, “Jeronimi duhet të ketë lindur në vitin 347 dhe Stridoni ndodhej jo larg Aquilon-it dhe Triestes”. Historiani Prosper d’Aquitaine e vendos lindjen e tij në vitin 331. «Unë kam lindur i krishterë, nga prindër kristianë dhe në ballë kisha flamurin e Kryqit», ka shkruar Jeronimi. Vetë ai shkruante me ironi në librin e tij Korrespondenca se «Vendi im ishte skllav i jetës fshatare. Për Zot kishim barkun dhe jetonim ditë më ditë. Më i pasuri ishte më i shenjti». Atëherë Stridoni banohej një popullsi katolike dhe kishte një peshkop.

Lidhur me prejardhjen e familjes së tij, duke u nisur nga emri i të atit, të parët e familjes duhej të kishin ardhur nga Greqia, përmes «Via Egnatia» që lidhte Romën me Azinë e Vogël. Shumica e emigrantëve që lëviznin atëherë ishin tregëtarë, të cilët kur vinin, i latinizonin emrat e tyre dhe martoheshin me gra latine. Vetë Jeronimi ka shkruar: “Që në djep unë u ushqeva me qumështin katolik”. Atë e rriti në fakt gjyshja e tij. Dihet gjithashtu se në vitin 359, shkoi të ndjekë shkollën në Romë, ku studjoi Virgjilin, Ciceronin, lexoi librat e autorëve të mëdhenj antikë si Horace, Tit-Liv, Juvenal, Seneka, Lukreci apo Plini. Mbi të gjithë i pëlqenin Ciceroni dhe Horace. Në atë kohë në fron ishte perandori Julien, i cili pushtoi Konstantinopojën dhe pastaj sulmoi Persinë.

Por Julieni vdiq i ri. Në rininë e tij Jeronimi kalonte një jetë plot dëfrime. Biografët tregojnë se rinia e tij ishte gjithë festime, pije dhe femra. Më pas ai vazhdoi kursin universitar por pas kësaj përvoje, Jeronimi i ri zgjodhi rrugën e Kristianizmit dhe meqë kishte marrë mësime në greqisht, ai kërkoi të zbulonte Biblën. Roma në atë kohë mbetej ende qëndra e Kristianizmit edhe pse Papa Libere ishte kritikuar, pasi ishte larguar disi nga “credo” e vendimeve të Nikesë, si pasojë e presioneve të Konstancës II. Kur Libere vdiq në vitin 366 Konstantinopoja dhe Aleksandria mbeteshin dy qëndrat e tjera të mëdha të Kristianizmit.

Nga Dyrrachium drejt Konstantinopojës

Librat kristianë dhe veçanërisht disa nga librat e Biblës e cila qarkullonte në gjuhën greke, e kishin frymëzuar Jeronimin së tepërmi. Kështu, ai vendosi të ndërmarrë një udhëtim drejt Konstantinopojës dhe për këtë, si të gjithë udhëtarët e asaj kohe, duhej të ndiqte «Via Egnatia»-n. Siç shkruhet në shkrimet e atyre kohëve, rruga ishte e lodhshme dhe ai provoi urinë. Pas një udhëtimi në det, zbarkoi në Dyrrahium, por nuk ka të dhëna se sa kohë qëndroi në këtë qytet, i cili ishte një qytet-port i rëndësishëm i brigjeve të Adriatikut. Rrugës, Jeronimi vendosi të shkojë dhe më larg: t’i drejtohej Antioche-s, ku kishte një “scriptorium” dhe ku kishin filluar të shkruheshin librat e parë kristianë nga murgjit skribë. Libri ishte pasioni më i madh i djaloshit Jeronim. Më së fundi ai arriti në Antioche dhe që andej udhëtoi nëpër shkretëtirë, ku ra në kontakt me disa kisha ku kishte tekste të vjetra, si në Chalcis e gjetkë.

Kur shkruajnë për Jeronimin, jo rrallë historianët i referohen dhe ëndrrës së famshme të tij të kësaj periudhe, çka shpreh si të thuash dhe pikënisjen e tij për t’iu kushtuar letërsisë hyjnore.

Deri atëherë, Jeronimi adhuronte autorët e vjetër romakë, letërsinë humaniste por kjo ëndërr i tregoi shtigje të reja. «Po shkoja në Jeruzalem të bëhesha ushtar i Krishtit, – shkruan ai në Letra (22, 30). – Isha i sëmurë, me ethe dhe ndjeva se në atë botë të errët dhe të nëndheshme po më bënin gjyqin. Ai që kryesonte procesin më pyeti se çfarë isha. Dhe unë i thashë: – “Kristian!” – Por kryetari i tyre tha: – “Ti nuk je kristian, ti je një “ciceronas”. – Dhe ata filluan të më godisnin. Më torturuan dhe unë ndërkohë pyesja veten: – “Po në ferr, kush do më lëvdojë?” Atëherë fillova të rënkoj dhe të lutem: – “O Zot, keni mëshirë për mua!” Këto fjalë tingëllonin midis zhurmës së kamzhikëve. Pastaj ata më mëshiruan, me kusht që të mos lexoja më libra paganë. Dhe unë fillova të pohoj: – “Zot! Nëse do të lexoj libra paganë, dije se të kam mohuar!…” Me këtë betim, ata më lanë dhe unë u ngrita në sipërfaqe të tokës. Për habi të të gjithëve, kur hapa sytë, nga lotët që kisha binda dhe më budallenjtë… Që nga ajo kohë lexova libra hyjnorë po me aq zell sa dhe ç’kisha lexuar librat njerëzorë.»

Jeronimi e kuptoi se duhej të lexonte me saktësi librat e Testamentit të Vjetër, librat e Moisiut, etj., dhe për këtë i duhej të mësonte hebraishten. Por kjo nuk ishte e lehtë, siç e përshkruan ai dhe në përmbledhjen Korrespondenca, (Letra 125,12): – «Kur isha i ri dhe i rrethuar si me mur nga shkretëtirat e vetmisë, nuk mund t’i duroja dot sulmet, veset dhe zjarrin e natyrës time. Dhe për t’i mposhtur, shpesh rrija pa ngrënë, por shpirti vazhdonte të ziente përbrenda. Për ta mposhtur këtë shpirt, nën drejtimin e një hebreu të konvertuar në kristian, fillova të mësoj alfabetin hebre dhe kështu pas gjithë atyre finesave të një Quintilien, pas pasurisë së fjalëve të një Ciceroni, pas fjalëve të mënçura të një Fronton-i dhe gjuhës së ëmbël të Plinit, duhej të përdorja fjalë që fërshëllenin dhe të merrnin frymën. Ç’lodhje e vështirësi provova, aq sa shumë herë e lashë këtë sprovë, por me dëshirën për ta mësuar atë gjuhë e fillova sërish. Shpirti im është dëshmitar i kësaj dhe e di se sa shumë vuajta!…»

Kur u kthye në Romë, Papa e thirri dhe e pyeti se ç’shkruanin ortodoksët për Krishtin. Siç dihet, në atë kohë kishte shumë ungjij ku shkruhej për Jezunë dhe apostujt e tij. Shumë tregime nuk ishin të njëjta dhe Papa ndjente nevojën që të kishte një tekst në latinisht që të përdorej zyrtarisht nga kisha dhe njëlloj për të gjithë por për këtë duhej një njeri i ditur, që njihte mirë greqishten dhe hebraishten dhe që ishte i pasionuar. Ky njeri ishte pikërisht Jeronimi dhe Papa nuk e kishte pikasur më kot. Kështu në vitin 384, ai iu vu punës për përkthimin e Biblës së shkruar në greqisht, e cila atëherë quhej “Septante”, pasi ajo ishte përkthyer nga hebraishtja nga 70 (Septante) murgj hebrenj ortodoksë, të kohës së Ptolemeut të Aleksandrisë. Barra që Jeronimi mori përsipër ishte e jashtëzakonëshme, pasi duhej të krahasonte tekste të vjetra dhe shumë libra që ishin shkruar si në hebraisht e greqisht, ashtu dhe në gjuhën latine. Por shpejt vuri re se kishte mospërputhje të mëdha midis teksteve. Më së fundi, pas një studimi disa vjeçar, ai vendosi t’i besojë vetëm një teksti në versionin grek, dorëshkrimit apo kodikut që quhej «Sinaiticus», Codex Siniaticus i shekullit IV në parshemen velin në format të madh dhe zbuluar më 1845 nga dijetari gjerman Tischendorf. Ishte një kodik i cili ishte shkruar nga tre skribë, murgj të asaj kohe, në scriptoria-t greco-romane që ndodheshin në atë kohë në Aleksandri, Romë apo në Cesaré të Palestinës.

«Vulgata»

Jeronimi ishte mik i hebrenjve eruditë, të cilët i sillnin libra e dorëshkrime të vjetra. Ai arriti të studjonte kështu një Traktat mbi Shpirtin e Shenjtë, (Saint-Esprit) të Didyme i Verbër, i cili drejtonte shkollën fetare të Aleksandrisë si dhe dy “homeli” të Origene mbi Kantika e kantikëve, që bënte pjesë në Testamentin e Vjetër të hebrenjve. Në atë kohë, në krye të Kishës Kristiane ishte papa Damase, i cili e çmonte shumë Jeronimin. Madje dhe librin e tij Vulgata, (Bibla greke «Septante» e përkthyer në latinisht), Jeronimi do t’ia dedikonte atij dhe ku në faqen e parë shkruante: ”Ai (Origene) e ka tejkaluar vetveten me veprën e tij. Ky libër që i dedikoj, është sa për të shijuar kënaqësinë e leximit të kësaj vepre dhe për vlerën që i duhet kushtuar”.

Në atë kohë, në Romë Papën nuk e donin dhe favoritin e tij, Jeronimin, filluan ta shikonin shtrembër. Në qytet ai s’kishte asnjë mik tjetër dhe të shumtë ishin ata që donin ta përzinin këtë prift i cili në fund të fundit, për ata ishte thjesht një murg dhe askush tjetër. Në vitin 384, papa vdiq dhe ai e ndjeu veten të vetëm dhe të kërcënuar. Një çast mendoi se në vend të Damase mund të zgjidhnin dhe atë, meqë për të flitej si njeriu më i ditur në Romë, por në fakt si papë u zgjodh Sirice, i cili mendonte se puna që kishte bërë Jeronimi mbi Testamentin e Ri ishte një sakrilegj që e kishte dëmtuar Kishën. Ai e urrente Jeronimin dhe e largoi menjëherë nga pozicioni fetar e zyrtar që kishte pranë Selisë së Shenjtë. Kështu, Jeronimi nuk u pagua më dhe s’kishte me çfarë të jetonte. Ja pse mendoi të kthehej në Antioche, edhe pse e kishte vështirë ta braktiste Romën, megjithëse tashmë ishte i ndërgjegjshëm se Selia e Shenjtë ishte një seli e korruptuar.

Siç shkruan studjuesja Anne Bernet, Jeronimi dashuronte në atë kohë Marcella-n, që ishte e ve të cilës i kërkoi ta ndiqte dhe të iknin sëbashku nga ky qytet i turbullirave dhe diku larg të bënin një jetë të thjeshtë, larg qefeve dhe lluksit, duke iu përkushtuar njëri-tjetrit, fesë dhe kënaqësisë së natyrës. Dhe ashtu bënë. Ata u larguan në një fshat larg Romës por shpejt Marcella u mërzit dhe nuk e deshi jetën e fshatit. Në atë kohë në Romë, Jeronimi kritikohej dhe shahej. Në muret e qytetit ishin shkruar ngado sharjet kundër tij si dhe kishte karikatura të ndryshme. Madje ata e shihnin atë si një kristian që vinte nga Kisha e Lindjes, meqë ishte pagëzuar në Antioche. Kisha e Romës i shikonte me mosbesim të gjithë kristianët që vinin nga Lindja por ndërkohë Jeronimi e kishte bërë për vete «patricen» Paula, mikeshën e tij, një aristokrate e ve dhe e pasur e qytetit. Megjithatë, kundërshtarët e tij i sajojnë një proces me akuza se gjoja kishte marrëdhënie me shumë femra si dhe me Paulën, e cila në fakt kishte pesë fëmijë dhe njëra nga to ishte gruaja e senatorit Pammachius, ndërsa një tjetër ishte virgjëreshë. Ata kërkonin që ta zbonin dhe të kthehej në Antioche. E akuzonin gjithashtu se rrinte me një turmë virgjëreshash dhe grash të veja, të cilave në fakt ai u mësonte historitë e lindjes së Krishterimit. Edhe sot ruhen afreske që tregojnë këtë episod të jetës së tij ku është i rrethuar nga gra duke predikuar mbi jetën e Jezusë.

Në gjyqin e organizuar ndaj tij, Jeronimi u revoltua shumë dhe i denoncoi me prova të gjithë ata që dëshmonin kundër tij. “Eshtë e vërtetë që gjatë tre vjetëve kam jetuar me to, iu përgjegj ai akuzatorëve. – Shpesh një tufë e madhe virgjëreshash më ka rrethuar. Mësimi kishte krijuar zellin, zelli familjaritetin dhe familjariteti besimin mes nesh. Por vallë a kam pranuar ndonjëherë para nga ato? – iu drejtua ai gjykatësve. – Jo!… A kanë tingëlluar paratë në duart e mia? A ishte vështrimi im i pacipë ndaj tyre? Jo… Ju qortoni vetëm seksin tim!… (Letra, 45).

Më së fundi ai arriti ta bindë Paulën dhe Melonian që ta ndiqnin atë në udhën drejt vendit të shenjtë dhe ta braktisnin jetën e kryeqytetit, atë jetë qejfesh e lluksi. Dhe ato u bindën. Madje Paula ishte gati ta ndiqte deri në Jeruzalem dhe të bënte jetën e një murgeshe, duke iu kushtuar Jezusë. Në fakt, rrugën e grave drejt Jeruzalemit e kishte hapur më parë Augusta Helena, nëna e prandorit Konstantin të Konstantinopojës, e cila siç flitej, kishte gjetur Kryqin ku ishte kryqëzuar Jezu dhe kishte ndërtuar një kishë në përkujtim të veprës së tij. Tashmë dhe gratë kishin filluar të bënin pelegrinazh në vendlindjen e Jezusë. Paula mori me vete dhe vajzën e saj Eustochia dhe në vjeshtë ato u nisën për tu takuar me Jenonimin në Reggio Calabria dhe që andej të merrnin rrugën drejt ishujve grekë, Cyclades, dhe pastaj t’i drejtoheshin Qipros.

Rrugëtimi drejt Jeruzalemit

Palestina atëherë dukej sikur ishte fundi i botës. Ndërkohë Jeronimi ishte nisur me një grup tjetër dhe priste që pastaj sëbashku të niseshin drejt Fenicie në drejtim të Cesare-së, që atëherë ishte qyteza e prokuratorëve romakë. Në këtë kohë Jeronimi ishte 38 vjeçar dhe për të tretën herë u detyrua të mërgojë. I poshtëruar dhe i zemëruar, ai që dikur ishte ndihmësi më i afërt i Papës, tashmë detyrohej të merrte udhën drejt Jeruzalemit. Ishte Paula që gjatë gjithë udhëtimit të tij e ndihmoi financiarisht. Në fillim ai la Porto Romanus dhe ndaloi me anije në Mesinë. Që andej ata morën udhën drejt ishujve grekë, drejt Salaminës e pastaj drejt Qipros e Antioches, ku i priste miku i tij i vjetër Evagrios. Me vete, Jeronimi kishte marrë dhe vëllain e tij të vogël Polinianus. Sigurisht atë kohë udhëtimi i tyre ishte i vështirë. Në Qipro, pasi morën një rekomandim nga peshkopi i qytetit për peshkopin Gjon të Jeruzalemit, rrugës kur ndaluan në Cesare pikasën se Pallati i Ponce Pilatit, atij që kishte kryqëzuar Krishtin, ishte ende i paprekur.

Kur mbërriti në qytet Jeronimi kërkoi të shikonte bibliotekën e martirit Pamfil, e cila ishte pasuruar nga peshkopi Eusebe. Pasi qëndroi disa kohë atje, ata shkuan në Jope (Jafa), në brigjet e Palestinës dhe më së fundi arritën në Jeruzalem. Jeronimi e donte Paulën me të cilën kishte një lidhje të fortë shpirtërore. Jeruzalemi ishte shkatërruar disa herë, por teatri i vjetër, cirku, hipodromi dhe tempujt e vjetër qëndronin ende. Falë kujdesit të Konstantinit, vendi afër varrit të Krishtit që ishte kthyer më parë në «lupanar» (bordello), ishte pastruar dhe ndërkohë ishte ngritur dhe kisha e Nativitetit, e lindjes së Jezusë, e cila ishte një godinë gati mbretërore. Ishte një kohë pasionante kur që të tre, Jeronimi, Paula dhe Julia shkonin nga njëra kishë në tjetrën, duke adhuruar kryqin që kishte vendosur nëna e perandorit Konstantin. Ata shkuan në varrin e Jezusë, në Saint-Sepulcre, iu ngjitën Malit të Ullinjve dhe ndaluan në shtëpinë e prindërve të Mark ungjillorit. Nga afër ata panë fortesën Antonia apo kollonën e fshikullimit me kamzhik të Jezusë.

Pas një kohe, për të njohur Judenë dhe Galileun, Jeronimi dhe Paula u larguan nga Jeruzalemi, duke shkuar drejt Bethlehemit, Gazës e pastaj në Gomorrhe dhe Bethanie, ku kishte jetuar Lazari. Më pas ata vazhduan buzë lumit Jordan, në Nazareth, në Capharnaum e Tiberiade. Udhëtimi i tyre ishte i vështirë por dy gratë e ndoqën meqë Jeronimi donte të shkonte patjetër në Aleksandri. Por çuditërisht ata ndryshuan mendim. Kur panë se Bethlehemi u pëlqeu vendosën të mos shkonin më tej dhe të jetonin së bashku, duke iu përkushtuar kishës.

Në Bethlehem, Jeronimi vazhdoi pasionin e tij, atë të të shkruarit. Ai kishte shkruar librin Jeta e Palit eremit, i cili kishte patur shumë sukses në botën kristiane dhe tani po shkruante librin tjetër, Jeta e Malchus, një novelë me historinë e një murgu që dikur ai e kishte takuar në Antioche te miku i tij Evagrios. Pas këtij libri u ul të shkruante një histori të çuditshme dhe të vërtetë: libri quhej Jeta e Hilarionit ku tregonte historinë e një djaloshi nga Gaza që admironte “Antuan egjiptianin», si ati shpirtëror i «monachisme-s». Ky djalosh ishte tërhequr tashmë në një vend të shkretë ku jetonte si eremit dhe djalli e kishte ndjekur, duke dashur ta ndillte me gra dhe tundime të ndryshme. Por ai e kishte zotëruar veten. Për këtë, Zoti i kishte dhënë atij cilësinë e shëronjësit të shenjtë që bënte çudira për të mjerët, të cilët jetonin në kënetë. Por kur në fuqi erdhi perandor Juliani, e përndoqën dhe ai u detyrua të largohet në Qipro… Ky libër cilësohet nga studjuesit si një nga librat më të bukur të Jeronimit.

Sidoqoftë, objektivi kryesor i Jeronimit ishte të mbaronte përgatitjen e gjithë korpusit të Biblës në gjuhën latine. Edhe pse kishte probleme me sytë, disa sekretare e ndihmonin të shkruante. Ai fliste ndërsa ato shkruanin. Kështu ai ripunoi Komentarin e Ungjillit sipas Shën Lukës; analizoi lidhjen e Testamentit të Vjetër dhe ungjillorëve; komentoi Letrat e Shën Palit, etj. Ai e kuptoi se perëndimorët nuk e njihnin pothuajse fare Testamentin e Vjetër. Jeronimi kërkoi të shpjegojë judaizmin, edhe pse në Europë nuk e donin këtë fe. Ja pse shkroi dhe librin Çështje hebraike mbi Gjenezën si dhe librin tjetër, Fjalor i vendeve të shenjta të Biblës së Vjetër. Madje duke menduar gjithnjë rreth librit të “Septante”-s, ai kërkoi tu rikthehej teksteve hebraike, çka për kohën ishte diçka e guximshme, revolucionare dhe e pamendueshme. Jeronimi mendonte se edhe miku i tij i dikurshëm Damase, po të ishte gjallë, ai përsëri nuk do ta mbështeste në këtë ndërmarrje, nga frika se te fanatikët mund të ngjallte demonë të vjetër. Duke lexuar dorëshkrimet e vjetra, Jeronimi kishte zbuluar se murgjit skribë që kishin përkthyer Biblën në greqisht kishin gabuar në disa vende. Shumë pasazhe të Biblës ishin hequr. Ai deklaroi se ungjillorët kishin të drejtë dhe se faji kishte qenë i përkthyesve. Duke krahasuar tekstin hebraik dhe tekstin grek te Libri i Job, ai zbuloi se një e pesta e tekstit mungonte. Sigurisht ai e vlerësonte shumë Septante-n, por versioni i tij në latinisht ishte më i saktë, duke na dhënë kështu Biblën që sot ka Kisha kristiane. Gjithashtu ai arriti të përkthente në latinisht tre librat e Solomonit si Proverbat, Ecclesiaste dhe Kantika e Kantikëve.

I persekutuari

I lumtur për punën e tij të stërmundimshme, Jeronimi donte që këto dorëshkrime të fundit t’i prezantonte në Romë por tashmë e kishte të ndaluar të hynte në Romë. Ai dhe vëllai i tij ishin të persekutuar, ashtu si më parë Shën Pali, Etienne, etj., meqë jo vetëm që e kishin të ndaluar të shkonin në Romë, por dhe në Jeruzalem, pasi peshkopi i Jeruzalemit, Gjoni, ishte një nga kundërshtarët e tij doktrinarë. Ndërkohë në vitin 395, nga Roma erdhi Marcella, mikesha e tij e dikurshme dhe një bukuroshe e quajtur Fabiola, e cila do të vendosej në manastirin ku punonte Paula. Kjo vajzë u mrekullua aq shumë nga Paula, saqë vendosi të qëndronte dhe ajo në manastir. Me vdekjen e Theodhosit (i cili kishte arritur ta bashkonte Perandorinë dhe kishte drejtuar koncilin e Konstantinopojës, duke ripohuar vendimet e koncilit të Nikesë) tashmë Perandoria ishte përçarë sërrish. Hunët ishin gati të dyndeshin mbi romakët dhe drejt Perëndimit në përgjithësi. Në vitin 397, sipas shkrimeve të vjetra, mësohet se Jeronimi vuante nga një ulçer dhe ndodhej në gjendje kritike, pasi ai jetonte në një skamje të madhe dhe s’kishte para. Ndërkohë një tjetër studjues, më i ri se ai, por mjaft i mënçur, u takua me të: ky ishte Agustini apo Shën Agustini i ardhshëm. Ai kishte qenë një universitar i shkëlqyer i Kartagjenës dhe pastaj profesor i retorikës në Milano dhe ishte shefi i klerit të Aleksandrisë që e kishte dërguar të takohej me Jeronimin lidhur me traditën hebraike në Biblën kristiane. Agustini ishte kritik ndaj versioneve hebraikë.

Ato vite dhe Jeronimi mendonte gjithnjë për tu kthyer në Romë. Për këtë iu drejtua mikeshës së tij Marcella që ta ndihmonte, meqë tashmë ajo ishte kthyer në Romë dhe me forcën e diplomacisë së saj, me njohjet në rrethet e larta, ajo arriti ta heqë këtë pengesë për ardhjen e tij. Në të njëjtën kohë një papë i ri u zgjodh në Romë: ky ishte Anastase, i cili e çmonte veprën e Jeronimit.

Por vitet kalonin dhe shëndeti i Jeronimit rëndohej gjithnjë e më shumë. Paula kishte vdekur në vitin 404 dhe ishte varrosur pranë shpellës së Bethlehemit. Gjatë dy viteve, deri në vitin 406, Jeronimi iu vu punës për përkthimin në latinisht të librit Pentateuque. Ndërkohë gotët ishin në portat e Milanos. Më së fundi të thyer, në vitin 410, romakët ia dorëzuan kryeqytetin visigotëve. Gjatë tre ditëve me rradhë Roma u plaçkit dhe u dogj nga flakët. Marcella-n e kapën si robinë dhe e linçuan, duke e lënë të vdekur tek mbronte vajzën e saj.

Fundi i shenjtit, asnjë elozh funebër

Ishte viti 415 kur një turmë vandalësh, të nxitur nga Gjoni, peshkopi i Jeruzalemit, kishte hyrë në kishën ku punonte Jeronimi dhe në mungesë të tij kishin rrahur për vdekje dhjakun që ruante. Kur Jeronimi dhe Eustachia ishin kthyer në kishë, ata kishin gjetur dhjakun e linçuar dhe librat të grisur të hedhur në tokë. Dëmet ishin të mëdha. Duke qenë se Eustachia i përkiste rretheve të larta, ajo u nis të takonte papën Innocent që ai t’i ndihmonte. Papa pranoi ta dëgjonte, por ndërkohë ai vdiq dhe ishte papa i ri Boniface që do t’i shkruante Jeronimit një letër të ngrohtë dhe përgëzuese. Në vitin 418, atij i vdiq Eustachia që ishte bërë si vajza e tij. Që nga ajo kohë Jeronimi ndjeu një dhimbje dhe vetmi të madhe. Ai u dergj në shtrat për një kohë të gjatë. Biografia e tij Anne Bernet, shkruan se kur Jeronimi vdiq «askush nuk foli për të, asnjë elozh funebër nuk u tha». Sipas dëshirës së tij atë e varrosën pranë Paulë-s, në Bazilikën e Nativitetit. Por pas vdekjes së tij, meqë kishte kundërshtarë të shumtë në Jeruzalem, manastiret ku kishte punuar u zhdukën njëra pas tjetrës. Trupi i tij humbi dhe nuk u gjet më. Dorëshkrime të vjetra shkruajnë se në vitin 638, kur arabët sulmuan mbi Tokën e Shenjtë, reliket e Jeronimit dhe të Markut të Aleksandrisë u çuan në Perëndim, për tu vendosur në bazilikën e Santa Maria Maggiore të Romës. Koncili katolik i Trente-s e njohu Vulgatën e Jeronimit si tekstin më të saktë dhe autentik të Biblës dhe që atëherë, Jeronimi u mbajt si patroni i përkthyesve dhe i bibliografëve.

Filed Under: LETERSI

FYTYRA E STATUJËS SË LIRISË

July 27, 2026 by s p

Saimir Kadiu/

Misteri që vazhdon prej më shumë se një shekulli.

Çdo ditë, miliona sy ndalen mbi një fytyrë që prej vitit 1886 vështron oqeanin nga hyrja e portit të Nju Jorkut. Është fytyra e Statujës së Lirisë, një prej monumenteve më të njohura në botë, simbol i lirisë, shpresës dhe ëndrrës amerikane. Por një pyetje vazhdon të zgjojë kureshtjen e historianëve dhe dashamirësve të artit:

Kush ishte gruaja që i dha fytyrën kësaj statuje Përgjigjja, çuditërisht, mbetet ende e paqartë. Një nga emrat që përmendet më shpesh është ai i Isabella Boyer, një grua me një jetë aq të jashtëzakonshme, sa duket sikur ka dalë nga faqet e një romani të Alexandre Dumas. Megjithatë, historia e saj është edhe më interesante sesa vetë legjenda.

Isabella Eugénie Boyer lindi në Paris më 1841, në një familje me origjinë të përzier. Babai i saj ishte një tregtar francez konfeksionesh, ndërsa nëna ishte angleze. Disa burime të vonshme përmendin edhe rrënjë afrikane nga ana e babait, por kjo nuk është dokumentuar plotësisht dhe mbetet objekt debatesh biografike.

Që në rininë e saj, Isabella tërhiqte vëmendjen për bukurinë e rrallë, elegancën dhe hijeshinë aristokratike. Në vitin 1863, kur ishte vetëm 22 vjeçe, ajo u martua me një nga njerëzit më të pasur të kohës, Isaac Merritt Singer, shpikësin dhe industrialistin amerikan që revolucionarizoi prodhimin e makinave qepëse dhe krijoi kompaninë që mbante mbiemrin e tij.

Singer ishte 52 vjeç, pothuajse tridhjetë vjet më i madh se ajo.

Martesa bëri bujë.

Jo vetëm për diferencën në moshë, por edhe sepse Singer ishte një figurë sa gjeniale, aq edhe kontroverse. Ai kishte pasur disa lidhje, fëmijë me gra të ndryshme dhe një jetë private të trazuar, që mbushte gazetat e kohës.

Megjithatë, Isabella u bë pjesë e një prej familjeve më të pasura të shekullit XIX.

Kur Singer vdiq në 1875, pasuria e tij ishte marramendëse. Ai la pas një perandori industriale dhe mbi njëzet fëmijë nga marrëdhënie të ndryshme. Pas proceseve të gjata mbi trashëgiminë, Isabella mori një pasuri shumë të madhe, e cila i siguroi një jetë luksoze dhe një pavarësi të rrallë për një grua të asaj kohe.

Ajo udhëtoi nëpër Evropë, mori pjesë në jetën mondane të Parisit, Londrës dhe Nju Jorkut dhe u bë një figurë e njohur në qarqet aristokratike e artistike.

Më vonë u martua me violinistin holandez Victor Reubsaet, i cili më pas mori titullin Kont i Camposelice. Edhe pse titulli i tij është konsideruar nga disa historianë si i diskutueshëm, Isabella u bë e njohur në shoqërinë evropiane si konteshë.

Në fund të shekullit XIX, emri i saj përmendej shpesh në kronikat mondane.

Ishte elegante. Ishte e pasur. Ishte kozmopolite.

Dhe pikërisht këtu fillon legjenda.

Sipas një historie të përhapur prej dekadash, Isabella Boyer u njoh me skulptorin francez Frédéric Auguste Bartholdi, autorin e Statujës së Lirisë, gjatë një aktiviteti shoqëror në Paris. Thuhet se Bartholdi u mahnit nga tiparet e saj fisnike dhe vendosi ta përdorte fytyrën e saj si model për statujën që po projektonte si dhuratë të Francës për Shtetet e Bashkuara.

Historia është magjepsëse. Por problemi është se mungojnë provat.

Asnjë letër, ditar apo dokument i Bartholdit nuk pohon se Isabella Boyer ishte modeli i tij.

Përkundrazi, studiuesit e veprës së skulptorit kanë ngritur hipoteza të tjera.

Shumë besojnë se ai u frymëzua nga fytyra e nënës së tij, Charlotte Bartholdi, me të cilën kishte një lidhje shumë të ngushtë. Të tjerë mendojnë se ai nuk përdori një model të vetëm, por krijoi një figurë ideale, duke bashkuar tipare klasike të artit greko-romak me simbolikën e perëndeshës romake Libertas, mishërimi i lirisë.

Në fund të fundit, artistët e mëdhenj shpesh nuk kopjojnë një fytyrë. Ata krijojnë një simbol.

Pavarësisht kësaj, legjenda e Isabella Boyer vazhdon të jetojë.

Ndoshta sepse historia e saj përputhet në mënyrë të përkryer me mesazhin e monumentit.

Një grua që lindi në Evropë, ndërtoi jetën e saj mes dy kontinenteve, fitoi pavarësinë në një epokë kur gratë kishin pak të drejta dhe u bë pjesë e elitës ndërkombëtare.

Edhe pa qenë modeli i statujës, jeta e saj mishëronte shumë prej idealeve që monumenti do të simbolizonte më vonë.

Vetë Statuja e Lirisë është një histori po aq madhështore.

Ajo u projektua nga Bartholdi, ndërsa struktura e saj e brendshme metalike u projektua nga Gustave Eiffel, i njëjti inxhinier që pak vite më vonë do të ndërtonte Kullën Eiffel në Paris.

Monumenti u përurua më 28 tetor 1886, si dhuratë e popullit francez për Shtetet e Bashkuara, në përkujtim të njëqindvjetorit të Pavarësisë Amerikane dhe të miqësisë mes dy kombeve.

Me një lartësi prej 93 metrash nga baza deri në majën e pishtarit, statuja u bë shpejt simboli i një bote të re. Për miliona emigrantë që mbërrinin me anije në Nju Jork, ajo ishte gjëja e parë që shihnin. Për ta, nuk ishte thjesht një monument.

Ishte premtimi se pas oqeanit mund të fillonte një jetë tjetër.

Dhe ndoshta pikërisht këtu qëndron bukuria e këtij misteri.

Ndoshta nuk ka shumë rëndësi nëse fytyra e Statujës së Lirisë ishte ajo e Isabella Boyer, e Charlotte Bartholdi apo e askujt në veçanti.

Sepse monumentet më të mëdha nuk përfaqësojnë një njeri të vetëm.

Ato përfaqësojnë një ide.

Ndërsa fytyra e gruas prej bakri vazhdon të sodisë horizontin e Atlantikut, ajo mbetet më pak portreti i një individi dhe më shumë portreti i një shprese universale: se liria është udhëtimi më i gjatë dhe njëherazi destinacioni më i dëshiruar i njerëzimit.

Filed Under: Emigracion

“Besa” e kryeministrit dhe besa e shqiptarëve

July 27, 2026 by s p

Ajet Delaj/

Më lejoni, ju lutem, ta trajtoj këtë temë të ndarë, pasi realisht e praktikisht është e ndryshme; madje nuk kanë asnjë lidhje. Në fillim dua të them se besa është shumëdimensionale në kuptimin historik, kanunor e filozofik të popullit shqiptar. Madje, besa është shndërruar në institucion të shenjtë, që nuk guxon kush ta shkelë apo ta atakojë.

E kam fjalën për shqiptarët fisnikë përgjatë historisë dhe jam i bindur se ka akoma shumë në trojet shqiptare, apo ata të cilëve në vena u rrjedh akoma gjak shqiptari pamvarsisht se ku jetojne. Pra, besa e shqiptarëve kërkohej e jepej si besa e burrit e në besë të Zotit. Pra, shqiptari, si popull pagan në lashtësi, e barazonte fjalën e dhënë me Zotin. Prandaj, besa është e shenjtë dhe është institucion për shqiptarin.

Në parantezë, besa nuk ka asnjë lidhje me politikën, respektivisht me partitë politike apo politikanët, për faktin e thjeshtë se politikanët kërkojnë dhe marrin një besim të përkohshëm e besa eshte e perjetshme. Është spekulim i pastër të tentosh të barazosh besimin e përkohshëm me besën e perjetshme te shqiptareve .

Duke ditur peshën që ka në mentalitetin dhe qenien e shqiptarëve, edhe diktatori ka spekuluar, duke u kërkuar shqiptarëve besën për Partinë dhe komunizmin. Nuk ka si të ndodhë ndryshe edhe me trashëgimtarët gjenetikë e shpirtërorë të komunizmit, në tentativën e tyre, respektivisht Kryeministrin Rama, për t’u qëndruar në zverk shqiptarëve në përjetësi, duke spekuluar me fjalën “besa”.

Mirëpo, po mundohem të kuptoj e natyrisht ta trajtoj aq sa mundem kuptimin që ka fjala “besë” dhe kërkesa e tij për besë në gojën e Kryeministrit Rama. E thashë që në fillim se fjala “besë” është shumëdimensionale, por unë po i referohem ngushtë vetëm kërkesës së Kryeministrit Rama per bese dje drejtuar shqiptarëve.

Parë në këtë këndvështrim, personi që kërkon besë, në këtë rast Kryeministri, kërkon besë për një apo shumë të këqija që u ka bërë shqiptarëve pa specifikuar asgje. E para, nuk na tha se çfarë të këqijash u kishte bërë shqiptarëve, megjithëse shqiptarët i dinë tashmë bëmat e tij, por së paku të na thoshte se cilat prej tyre i pranonte dhe për të cilat po kërkonte besë.

E dyta, nuk e specifikoi në kërkesën e tij për besë se çfarë besë kërkonte: kërkonte besë për ca kohë gje we eshte e njohur per shqiptaret , apo besë për ta falur për bëmat e tij? Gjëja më e keqe në tërë këtë histori është tentativa për t’u tallur me ndjenjat dhe humanizmin e shqiptarëve, pasi i ka mashtruar, vjedhur, madje, sipas kritikëve të tij, ka tentuar të shesë interesat jetike dhe trojet e shqiptarëve. Madje, kjo e fundit nuk dihet akoma nëse është thjesht tentativë apo fakt i kryer, kete do ta shohim pak me vone.

Asnjë politikan shqiptar nuk duhet të guxojë ta ndyjë besën e shqiptarit, duke spekuluar me këtë simbol të shqiptarisë në gojët e tyre të ndyra, që kanë vjedhur e ngrënë djersën, mundin dhe gjakun e shqiptarëve. I madhi Gjergj Fishta na ka mësuar që njëqind vjet më parë se “besë të pabesit mos me i dhënë”, dhe gjithkush nga shqiptarët që e ka harruar këtë postulat të poetit të kombit ka paguar një çmim të madh. Rastet, fatkeqësisht, nuk kanë munguar.

Pa dyshim që Fishta, kur e ka artikuluar këtë postulat pothuajse profetik, ka pasur në konsideratë komunistët, të cilët në atë kohë po kërcënonin Shqipërinë, ashtu siç fatekeqesisht ndodhi, vazhdojnë ta kërcënojnë edhe sot madje me shpopullim e shuarje Kombin Shqiptar .

Asnjë demagogji alla komuniste apo tentativë për të spekuluar me ndjenjat, vlerat dhe vetitë e mira të shqiptarëve nuk e shpëton establishmentin thellësisht të korruptuar e antishqiptar, që u ka hipur në zverk shqiptarëve prej 81 vjetësh.

Fatmirësisht, shqiptarët janë zgjuar e ndërgjegjësuar për energjinë dhe forcën që posedojnë, dhe fundi i këtij establishmenti të korruptuar ka ardhur tashmë.

Dilema e tyre është se si dëshirojnë të largohen: In front of the God or in front of the judge!

Filed Under: Analiza

GURËT E KULTIT QË QAJNË, PLAGOSJA E SHKUPIT SHQIPTAR

July 25, 2026 by s p

Kur zhduken objektet e kultit, varrezat, lagjet historike dhe qendrat shpirtërore të një komuniteti, nuk ndryshon vetëm peizazhi arkitekturor, por edhe vetë mënyra se si brezat e ardhshëm do ta lexojnë historinë e qytetit. Në këtë kuptim, 63-vjetori i tërmetit të Shkupit nuk duhet të jetë vetëm ditë përkujtimi për viktimat e katastrofës natyrore. Por, mbi të gjitha, duhet të shërbejë edhe si moment reflektimi mbi fatin e trashëgimisë sonë historike të qytetit dhe mbi përgjegjësinë për ta ruajtur atë.

Nga Prof.dr Skender Asani

Më 26 korrik 2026 mbushen gjashtëdhjetë e tre vjet nga tërmeti katastrofik që goditi Shkupin, një nga fatkeqësitë më të mëdha natyrore në historinë moderne të Ballkanit. Për botën, ai mbeti simbol i solidaritetit ndërkombëtar. Për Shkupin, ai u shndërrua në pikën e nisjes së rindërtimit urban. Por për kujtesën historike të shqiptarëve, përveç tragjedisë njerëzore, ai përfaqëson edhe një moment që në analizat historike ngre pyetje mbi mënyrën se si rindërtimi urban ndërveproi me transformimin e identitetit historik të qytetit. Pikërisht në këtë dimension duhet lexuar historia e sheshit qendror të Shkupit.

Për më shumë se pesë shekuj, hapësira ku sot shtrihet sheshi qendror nuk ishte një hapësirë neutrale urbane. Ajo përfaqësonte zemrën shpirtërore dhe qytetëruese të Shkupit. Aty ngrihej Burmali Xhamia, një nga monumentet më përfaqësuese të qytetit; aty ndodhej Teqeja Bektashiane, varrezat myslimane dhe, në të njëjtën hapësirë, Rezidenca e Ipeshkvisë Shkup-Prizren me Katedralen “Zemra e Krishtit”, rreth së cilës gjatë gjysmës së dytë të shekullit XIX u zhvillua lagjja e katolikëve shqiptarë. Këto objekte nuk përfaqësonin vetëm institucione fetare; ato dëshmonin bashkëjetesën historike të komuniteteve shqiptare myslimane, bektashiane dhe katolike dhe përbënin argumentin më të fortë urban të vazhdimësisë së tyre në qendrën e qytetit.

Tetori i vitit 1912 solli një kthesë të thellë historike. Me hyrjen e ushtrisë serbe në Shkup nuk ndryshoi vetëm administrata politike, por nisi edhe një koncept i ri për transformimin e fizionomisë së qytetit. Dokumentet dhe shtypi i kohës dëshmojnë se bashkë me ushtrinë mbërritën edhe arkitektë dhe urbanistë, të cilët kishin për detyrë t’i jepnin Shkupit një identitet të ri vizual dhe simbolik. Lufta e Parë Botërore e ndërpreu përkohësisht këtë proces, por pas vitit 1918 ai rifilloi me intensitet të ri, në kushtet e konsolidimit të Mbretërisë SKS dhe politikave të saj të kolonizimit, reformës agrare dhe rikonfigurimit urban.

Në këtë kontekst duhet parë edhe rrënimi i Burmali Xhamisë në vitin 1924. Ky akt nuk ishte vetëm zhdukja e një monumenti arkitekturor. Në interpretimin e shumë studiuesve ai përfaqësonte një akt me simbolikë të fortë politike, pasi në vend të saj u ngrit Shtëpia e Oficerëve, një objekt monumental që mishëronte praninë e shtetit të ri dhe autoritetin e tij në qendrën e qytetit. Në shtypin e kohës, ceremonia e vendosjes së themeleve u paraqit si një ngjarje triumfale, duke e shndërruar arkitekturën në instrument të komunikimit politik. Në të njëjtën periudhë u zhdukën edhe Teqeja Bektashiane dhe varrezat myslimane e katolike, ndërsa mbi këto hapësira filluan të projektoheshin ndërtesa të administratës së re. Në këtë mënyrë, transformimi urban nuk preku vetëm peizazhin fizik të qytetit, por edhe kujtesën e tij historike.

Kjo logjikë, sipas dokumenteve dhe analizave të ndryshme historiografike, nuk u ndërpre pas Luftës së Dytë Botërore. Përkundrazi, ajo mori forma të reja në kuadër të planifikimit urban të Shkupit socialist. Pikërisht këtu, tërmeti i vitit 1963 krijoi një realitet të ri. Fatkeqësia natyrore goditi rëndë Katedralen “Zemra e Krishtit” dhe Rezidencën e Ipeshkvisë. Në vend që këto objekte të rindërtoheshin mbi themelet e tyre historike, ato u zhvendosën në periferi të qytetit. Si pasojë, nga qendra historike e Shkupit u larguan edhe shenjat e fundit monumentale që lidhnin drejtpërdrejt këtë hapësirë me praninë shumë shekullore të shqiptarëve katolikë.

Në të njëjtën kohë, vetë tërmeti rrëzoi edhe Shtëpinë e Oficerëve, të ndërtuar mbi themelet e Burmali Xhamisë. Ky moment mund të kishte krijuar mundësinë e një debati të ri mbi rikthimin e identitetit historik të kësaj hapësire. Megjithatë, dekada më vonë, projekti “Shkupi 2014” parashikoi rindërtimin e objektit të Oficerëve, duke rikthyer simbolikisht një monument që kishte zëvendësuar dikur një prej objekteve më të rëndësishme të trashëgimisë islame të qytetit. Ky zhvillim u interpretua nga kritikët e projektit si vazhdimësi e një modeli të caktuar të leximit të historisë urbane, ku rikrijimi i simboleve shtetërore vinte në plan të parë, ndërsa shtresat më të hershme të kujtesës historike mbeteshin të pazëshme.

Një proces i ngjashëm shoqëroi edhe trajtimin e trashëgimisë së lagjes katolike shqiptare. Në vendin ku dikur qëndronte Katedralja “Zemra e Krishtit” nuk u rindërtua objekti historik, ndërsa në hapësirën që lidhej me shtëpinë e familjes Bojaxhiu u ngritën projekte të reja muzeale që ndryshuan raportin fizik ndërmjet vendit origjinal dhe kujtesës historike të lagjes. Në këtë hapësirë kishte marrë edukimin e saj të parë Gonxhe Bojaxhiu Nënë Tereza, kishte funksionuar shkolla shqipe dhe kori kishtar ku përdorej gjuha shqipe. Për shumë studiues të historisë urbane të Shkupit, këto ndryshime ngritën pyetje mbi mënyrën se si qyteti e trajton trashëgiminë e komuniteteve që e ndërtuan identitetin e tij historik.

Prandaj, gjashtëdhjetë e tre vjet pas tërmetit, debati nuk kufizohet më vetëm te pasojat sizmike të vitit 1963. Ai shtrihet mbi mënyrën se si rindërtimi urban ndërtoi edhe një narrativë të re historike. Qytetet nuk ndryshojnë vetëm përmes betonit; ato ndryshojnë edhe përmes kujtesës që zgjedhin të ruajnë ose të harrojnë. Kur zhduken objektet e kultit, varrezat, lagjet historike dhe qendrat shpirtërore të një komuniteti, nuk ndryshon vetëm peizazhi arkitekturor, por edhe vetë mënyra se si brezat e ardhshëm do ta lexojnë historinë e qytetit.

Shkupi i shekullit XXI nuk mund të ndërtojë një identitet të qëndrueshëm duke mbështetur vetëm një shtresë të së kaluarës. Ai mund të jetë qytet i pajtimit vetëm nëse pranon të gjitha shtresat e historisë së tij: Burmali Xhaminë dhe Katedralen “Zemra e Krishtit”, Teqenë Bektashiane dhe lagjen katolike shqiptare, trashëgiminë osmane dhe atë evropiane, kujtesën myslimane, bektashiane dhe kujtesën katolike. Vetëm një qytet që i pranon të gjitha këto shtresa mund ta quajë veten me të drejtë kryeqytet i historisë së përbashkët.

Në këtë kuptim, 63-vjetori i tërmetit nuk duhet të jetë vetëm ditë përkujtimi për viktimat e katastrofës natyrore. Por, mbi të gjitha, duhet të shërbejë edhe si moment reflektimi mbi fatin e trashëgimisë sonë historike të qytetit dhe mbi përgjegjësinë për ta ruajtur atë. Sepse ndërtesat mund të shemben nga tërmetet, por kujtesa historike humbet vetëm atëherë kur një shoqëri zgjedh të mos e mbrojë.

Filed Under: Reportazh

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 72
  • 73
  • 74
  • 75
  • 76
  • …
  • 3189
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VINÇENC PRENNUSHI – NJË JETË MES FJALËS, BESIMIT DHE LIRISË
  • Kur Kristo Dako dhe Mihal Grameno i kërkuan Wilsonit të mbronte Shqipërinë
  • Demografia dhe gjeopolitika e Vilajetit të Kosovës në prag të Konferencës së Paqes në Paris (1919)
  • Triumfi kujtesës mbi diktaturën
  • Një mundësi e shkëlqyer për fëmijët shqiptarë
  • NËNË TEREZA, SIMBOLI I BASHKIMIT TË SHQIPTARËVE
  • “Memorandumi i SANU-së dhe projekti serbomadh: Doktrina ideologjike, luftërat shkatërruese dhe çështja e Kosovës”
  • “Shqipëria ka qenë toka e njeriut të lirë… e njeriut të ashpër dhe zemërmirë…”
  • FROM GONXHE OF SKOPJE TO THE UNIVERSAL MOTHER TERESA
  • “NJË ÇARJE NË PERDEN E SHQIPËRISË”
  • 𝐑𝐞𝐳𝐨𝐥𝐮𝐭𝐚 𝟓𝟐𝟐 – 𝐊𝐮𝐫 𝐊𝐨𝐧𝐠𝐫𝐞𝐬𝐢 𝐀𝐦𝐞𝐫𝐢𝐤𝐚𝐧 𝐧𝐝𝐞𝐫𝐨𝐢 𝐒𝐤𝐞̈𝐧𝐝𝐞𝐫𝐛𝐞𝐮𝐧: 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐤𝐮𝐣𝐭𝐞𝐬𝐞̈ 𝐩𝐞̈𝐫 𝐒𝐡𝐪𝐢𝐩𝐞̈𝐫𝐢𝐧𝐞̈ 𝐝𝐡𝐞 𝐄𝐯𝐫𝐨𝐩𝐞̈𝐧
  • KUR POLITIKA E DITËS E BLLOKON SHTETIN
  • Join us as we celebrate the 7th Anniversary of Albanians Fighting Cancer USA!
  • Përfaqësimi politik i shqiptarëve në Mal të Zi
  • 10 VITE NGA SHENJTËRIMI

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT