• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Tezat e kryeministrit…

July 25, 2026 by s p

Prof. Romeo Gurakuqi/

Sot në mëngjes degjova tezat e djeshme të zotit Kryeminister dhe ndjehem i trishtuar nga niveli i leximit, kuptimit dhe analizimit të shoqerisë së vendit që ai qeveris, përpjekja e paramenduar per ta kanalizuar ligjerimin tërësisht në një hapesire jo reale, por te efektshme me turbullue një pjesë të shoqërisë, që i bie shkurt. Tezat që u shpalosën dje mund të përmblidhen si më poshtë vijon:

“Qytetarët protestojnë sepse ne kemi pasur sukses” – “Problemi është hendeku midis arritjeve tona dhe mënyrës si i përjetojnë qytetarët ato”

“Shqipëria ka ndryshuar rrënjësisht për mirë”

“Abuzimet që zhduken e bëjnë më të padurueshme peshën e atyre abuzimeve që mbeten.”

“Pritshmëritë janë rritur sepse ne e kemi çuar shoqërinë përpara.” – “Pritshmëritë e qytetarëve janë rritur sepse qeveria ka pasur sukses.”

“Flamingot” kanë të drejtë të kërkojnë më shumë” – “Qeveria nuk është në konflikt me flamingot, por është aleate e tyre”

“Revolta nuk është kundër qeverisë, por kundër administratës” – Sjellja e administratës ka derdhur kupën e durimit””

“Protesta u devijua nga aktorë politikë dhe ekstremistë” – “Sorrat dhe korbat” kërkojnë përçarje dhe dhunë”

“Problemi nuk është modeli i qeverisjes, por mënyra si ai zbatohet” – Ndaj: Dokumenti “Besa” është përgjigjja ndaj mesazhit të qytetarëve: ZGJIDHJA MAGJIKE E PROBLEME STRUKTURORE TE SISTEMIT POLITIK DHE KUSHTETUES SE SHQIPERISE.

Nuk degjuam asnjë fjalë për reformën politike dhe kushtetuese të një shteti që ka dështuar në vijimësi në tranzicion të bëhet mirëfilli demokratik dhe në shërbim të qytetarit;

Asnjë fjalë për problemin numër një, atë të transferimit të parave të rrjedhura nga fondet publike drejt parajsave fiskale prej Personave të Angazhuar Politikisht, krereve të naltë të administratës ligjzbatuese dhe të Drejtësisë;

Asnjë germë për pastrimin e parave të të lartpërmendurve (PEP) dhe krimit të organizuar;

Heshtje e plotë për korrupsionin madhor që vazhdon të militojë i pashqetësuar në Parlament dhe aq më pak për atë të voglin e drejtprucëve të departamenteve të bashkive, që kërkojne përulje për çdo tenderim dhe vizita për çdo proçedurë;

Asnjë thirrjemendjeje për kërkim falje dhe kompensim në Theth për krimin e vitit 2025 dhe harresë e plotë për baterdinë grabitëse në Baks- Rrjoll;

Asnjë përmendje për korigjimin racional, mbi bazat e Shqipnisë tradicionale, të ndarjes territoriale të vendit, reformen e sistemit zgjedhor, financimin e partive politike, çmontimin e sistemit fashist të patronazhimit etj.

Asnjë thirrjemendjeje për shfuqizimin e Paketës së Maleve dhe Ligjit mbi Investitoret Strategjikë të përzgjedhun tanësisht prej femijëve të filtruar politikisht nga Kasta Puniste.

As edhe një përmendje për reformen e IAL-ve, Kërkimit Shkencor dhe për rivendosjen e strukturave drejtuese universitare dhe akademike mbi drejtimin e atyre qe merren realisht me shkence të krahasueshme ndërkombëtarisht.

Dhe lista mund të jete shumë më e gjatë se kaq.

Mbi të gjitha zoti Kryeminstër shmangu tërësisht problemin më akut të shoqerisë sone: zgjidhjen përmes rrugëve institucionale të krizës së rëndë aktuale, duke i lënë edhe më tej mundësi sorrave të pasdaranëve, të ndërhyjnë në sferën albanianiste dhe europianiste të Protestës se Ligjshme të Popullit me ndjesi kombetariste dhe liridashëse.

Po ta analizosh nga pikëpamja e logjikës dhe e teorisë së argumentimit, nuk kemi të bëjmë vetëm një sofizëm në ligjërim, por një kombinim të disa sofizmave dhe teknikave retorike, duke krijuar shkakësi e rreme, përgjithësim të nxituar, d.mth. kalime jologjike, që nuk justifikohen për njerëzit që mendojnë, përfundime qe nuk rrjedhin domosdoshmërisht nga premisat, zhvendosje të përgjegjësisë ndër aktorë dytesore ose tretësorë, përzgjidhje jo sistemike e fakteve, d.mth. të vetem e atyre fakteve që mbështesin narrativën sofiste dhe irracionale. Edhe kur i përdor sentencat e Tocquevill-it për të mbështetur shpjegimin e tij të pashpjegueshëm, e bën vetëm për të krijuar përshtypjen se vetë Autoriteti Filozofik i lartpërmendur i provon tezat dhe zbulimet e tij te ardhuna per shkak te nje reflektimi makiavelist.

Sipas nesh kemi të bëjmë me një argumentim të shkëputun nga realiteti i Shqipërisë së sotme:

nuk merr parasysh një vend që, pas më shumë se 13 viteve qeverisjeje, përballet me një tkurrje të vazhdueshme demografike, me një shpopullim masiv dhe me largimin e brezit më aktiv e më të arsimuar; se Shqipëria po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një shoqëri të dominuar nga pensionistët, me një rini numerikisht të reduktuar dhe shpesh të zhytur në mungesë shprese për të ndërtuar të ardhmen në vendin e vet. Ndërkohë, boshllëqet e krijuara në tregun e punës po mbushen gjithnjë e më shumë nga emigrantë të ardhur nga vende me zhvillim më të ulët, ndërsa radhët e të rinjve shqiptarë që largohen me bindjen se nuk do të kthehen më, vazhdojnë të zgjaten drejt shifrave te frikshme.

Në të njëjtën kohë, ky argumentim anashkalon padrejtësitë që përjeton një pjesë e konsiderueshme e elitës intelektuale dhe profesionale, e cila shpesh ndihet e përjashtuar tërësisht nga sistemi i meritës dhe e nënshtruar ndaj një administrimi të centralizuar njerëzish të politikisht të përfshirë ne matrapazlleqe partish, ku besnikëria politike perceptohet se shpërblehet më shumë se profesionalizmi.

Po aq larg realitetit është edhe narrativa e një zhvillimi ekonomik të shpërndarë në mënyrë të barabartë në territor. Diskriminimi i hapur i Veriut të Shqipërisë, në investime, përfaqësi politike, administrative, diplomatike dhe akademike mbetet një plagë qe frenon zhvillimin simetrik të vendit dhe qenien një atdhe më i drejtë. Përkundrazi, ai neglizhon jo vetem këto por edhe faktin që debati publik sot dominohet nga shqetësimet për përqendrimin e kontratave dhe fondeve publike në një numër të kufizuar grupesh ekonomike, ndërsa fitimet e krijuara prej tyre, nuk riinvestohen në ekonominë shqiptare, por transferohen jashtë vendit, përfshirë juridiksione me regjim fiskal më të favorshëm.

Në këtë kontekst, interpretimi i pakënaqësisë qytetare si pasojë e suksesit të qeverisjes nuk përputhet me përvojën që një pjesë e madhe e shqiptarëve perceptojnë dhe jetojnë çdo ditë.

Thanun shkurt, mesazhi i Kryeministrit të Shqipërisë është i kjartë: asnjë zgjidhje politike dhe institucionale e krizës; me gjasa, pas ndonje kohë, disa makiazhe të karrocës, ndonjë kokë turku dhe disa përmirësime, por asgjë që do cënojë pushtetin e grupit krahinor operativ të PS.

Duke parë përgjumjen e SPAK me drejtimin e ri, që ka ndërruar qasjen ndaj mbrojtjes së Shtetit dhe Publikut, linja e re politike e vazhdimësisë së mazhorancës së ngjyrosur me makiavelizëm ngjan të jetë e realizueshme.

Altin Duman nuk ben me nëna, ndaj ardhmeninë e vendit në paqe, drejtësi e ndershmëri nuk ka kush e mbron më në institucion e Mbrojtjes së Shtwtit dhe Publikut.

Filed Under: Komente

Portreti politik e diplomatik i Skënderbeut

July 25, 2026 by s p

Në gamën e gjerë të studimeve dhe botimeve të veçanta që kanë të bëjnë me personalitetin e Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu i shtohet edhe një libër interesant shkruar nga Virgjil Kule, me titull “Gjergj Kastrioti Skënderbeu – Kryqtari i Fundit”, Fast Track Albania, Tiranë, 2018. Kemi të bëjmë me botimin e dytë sepse botimi i parë nga OMBRA-GVG, është botuar në vitin 2011. Kemi të bëjmë me një libër të veçantë si për nga konceptimi, përmbajtja dhe rrefimi kushtuar veprimtarisë politike e diplomatike të Heroit Kombëtar si askush deri më sot nga një autor shqiptar.

Nail Draga

Në këtë botim autori trajton çështje të jetës dhe veprimtarisë së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, duke u përqendruar në aspektet më të rëndësishme të karrierës së tij: nga dalja e tij në skenën politike, deri tek organizimi i qëndresës shqiptare kundër osmaneve, si dhe lidhjet me fuqitë evropiane të kohës. Nuk ka dilemë se ky studim përpiqet të ofrojë një pasqyrë të Skënderbeut për krijimin e një shteti shqiptar të pavarur, ku në sajë të literaturës së konsultuar por edhe të dokumenteve të prezantuara del qartë roli i Skënderbeut në koalicionin e madh ushtarak (kryqëzatë) të Europës Perëndimore kundër dyndjes osmane në shekullin e XV. Dhe nuk ka si të jetë ndryshe sepse Skënderbeu për një çerek shekulli ishte mburojë e Europës nga invazioni i Perandorisë Osmane. Me angazhimin politik, diplomatik e ushtarak Skënderbeu e dëshmoj në praktikë mbrojtjën e civilizimit shqiptar, që ishte identik me ate europian.

Kur analizohet roli dhe kontributi i Skënderbeut në shek.XV, duhet cekur se në këtë periudhë kohore ishin arbërit përkatësisht Arbëria e cila ka sakrifikuar shumë në mbrojtje të identitetit për të mbijetuar të lirë në trojet autoktone. Por, një sfidë e tillë nuk ka qenë e lehtë, ku Skënderbeu me mjeshtri politike e diplomatike sfidoi rrethanat e kohës.

Ditari diplomatik

Nga momenti i kthimit të Skënderbeut dhe vendosja e pushtetit në Krujë me 28 nëntor 1943 e deri sa vdiq me 17 janar 1468, autori na ofron të dhëna me interes, jo vetëm vit pas viti, por muaji duke na ofruar një ditar diplomatik si askush deri me tash. Pikërisht një qasje e tillë i mundëson lexuesit për të ndjekur evoluimin e ngjarjeve dhe për të kuptuar më mirë portretin e Skënderbeut në shumë aspekte, ku në rastin konkret parësore janë veprimtaria politike e diplomatike, duke mos anashkaluar as ate ushtarake. Sepse sipas autorit, Skënderbeu nuk ishte thjesht një luftëtar i zakonshëm, por një mendimtar dhe kryqtari i fundit që përfaqësonte Evropën në luftën kundër Perandorisë Osmane.

Aleancat për mbijetesë

Në rrethana të tilla shoqërore e në veçanti ushtarake Skënderbeu krahas Frontit Verior të Danubit, ai krojoi Frontin e Dytë në Ballkanin Perëndimor, duke i bërë pengesë depertimit të turqëve në këtë pjesë të Europës Juglindore. Ndonëse shqiptarët për nga numri ishin të pakët, por në sajë të Skënderbeut kanë luajtur një rol të rëndësishëm, në mbrojtje të vlerave evropiane. Një veprim i tillë ka kushtëzuar fillimisht arritjen e bashkimit të principatare të shqiptarëve, që është realizuar me 2 mars 1444 , që njihet me emrin Besëlidhja e Lezhës, ndërsa me pas ka pasur edhe aleancë me të tjerët ku kanë dominuar ata nga vendet italike, si Venediku, Mbretëria e Napolit, Papa i Romës, Hungaria etj.

Mjeshtër i diplomacisë

Në sajë të moshës dhe të përvojës në rrethana të reja shoqërore është për t´u vlerësuar mjeshtria e Skënderbeut i cili është veçuar me diplomaci duke shfrytëzuar situatat konfliktuale sidomos ato ndëritalike, për të siguruar paqë dhe stabilitet politik jo vetëm në Arbëri por edhe me gjerë në regjion.

Duke lexuar këtë studim del qartë se Skënderbeu nuk ishte faktor periferik në luftën kundër Perandorisë Osmane, por e kundërta, me peshë të madhe, sepse duke mbrojtur Arbërinë, ai mbronte edhe të tjerët, që është dëshmuar në praktikë me aleancat e ndryshme si dhe ndihmat jo vetëm ushtarake.

Nuk ka dilemë se një veprim i tillë mund të realizohej në praktikë nga një burrë shteti i cili me mjeshtri ka shfrytëzuar potencialin politik dhe ushtarak të kryqëzatës, për të krijuar shtetin shqiptar në trajtë mbretërie, nën dinastinë e Kastriotëve. Ky mision, krahas gjenialitetit ushtarak, lypte edhe një talent të jashtëzakonshëm për jurisprudencë dhe diplomaci, të cilat lexuesve iu ofrohen nga autori i këtij botimi, i cili me të drejtë quhet ditar diplomatik.

Kontribut studimeve historike

Nga ajo që u tha më lartë libri „Gjergj Kastrioti Skënderbeu-Kryqtari i Fundit“ nga Virgjl Kule, paraqet kontribut me vlerë në studimet historike kushtuar Heroit tonë Kombëtar. Autori me kompetencë profesionale ka trajtuar çështjet historike të mesjetës shqiptare duke ofruar të dhëna me interes për opinionin e gjerë shkencorë e kulturor. Kryesisht kemi të bëjmë me aspektet politike e diplomatike të Skënderbeut, që deri më tash nuk janë trajtuar në këtë formë, nga asnjë autor shqiptar. Për përgatitjen e këtij botimi autori krahas literaturës historike ka shfrytëzuar edhe dokumente arkivore, duke i komentuar varësisht prej ngjarjeve të kohës, ndërsa gjuha e stili i shkrimit dëshmojnë qasjen intelektuale të autorit.

Libri me të drejtë quhet ditar diplomatik, sepse lënda trajtohet në diakroni e sinkroni sipas vitëve përkatëse(1443-1467), madje edhe sipas muajve e javëve duke ofruar të dhëna me interes me përmasa shoqërore e historike për Arbërinë si asnjë botim deri më tash. Në këtë botim prezantohen fakte dhe analiza historike që hedhin dritë mbi shumë aspekte të jetës së Skënderbeut që më së shumti nuk kanë qenë të njohura për opinionin e gjerë.

Sfidanti i kohës

Vetëm pas leximit të këtij libri çdo kush do ta ketë të qartë se në çfarë rrethanash është përballuar Skënderbeu i cili me mjeshtri ia arriti të përballojë sfidat, për një çerek shekulli, ndaj perandorisë më të madhe të kohës. Autori e përshkruan Skënderbeun si një individ të zgjuar, të aftë dhe me një vizion të qartë për të ardhmen e vendit të tij dhe Evropës. Autori e prezanton atë jo vetëm si një hero kombëtar, por edhe si një figurë komplekse dhe ndërkombëtare me ndikim të madh në fatin e kontinentit.

Duke lexuar këtë libër, lexuesi ka mundësi të kuptoj rrethanat gjeopolitike në regjion, ku Skënderbeu ndonëse i vetëm dhe pa përvojë shtetërore me mjeshtri diplomatike arriti të bashkëpunojë me aleatët duke e bërë Arbërinë të pamposhtur për një çerek shekulli kundër Perandorisë Osmane.

Një përmasë e veçantë e diplomacisë së Skënderbeut është çështja e krushqisë me personalitete të njohura familjare, dukuri që ishte njohur jo vetëm në mesjetë. Një veprim i tillë nuk ka dilemë se e kishte të imponuar për të stabilizuar pushtetin dhe forcuar raportet me principatat e kohës. Iu mbetet studiuesve që këtë çështje ta trajtojnë me seriozitt sepse deri me tash vetëm sa janë cekur si raste e jo ndonjë hulumtim i veçantë sociologjik.

Ndërsa titulli “Kryqtari i fundit” nuk është i rastësishëm sepse Gjergj Kastrioti Skënderbeu luajti rol të rëndësishëm në luftën kundër osmanëve, duke e shndërruar atë në një simbol të rezistencës evropiane ndaj Perandorisë Osmane. Skënderbeu është parë shpesh si një kryqtar i fundit, duke qenë një nga të fundit prijës të krishterë që ndërmori luftëra të hapura kundër pushtimeve osmane në Ballkan. Kjo e ka ngritur atë në një figurë epike të historisë shqiptare dhe evropiane.

Përfundim

Dhe në fund cekim se libri nga gazetari, publicisti dhe studiuesi Virgjil Kule është si rezultat i një pune serioze disavjeçare plot pasion e profesionalizëm është i mirëseardhur për të gjithë lexuesit e pasionuar ndaj botimeve historike e në veçanti për personalitetin e Heroit Kombëtar, sepse plotëson njohurit në aspektin politik e diplomatik. Nga të dhënat e ofruara në këtë studim del qartë se politika dhe diplomacia e Skënderbeut ka qenë dhunti e veçantë duke qenë model për kohën e më pas, por fatkeqësisht e panjohur sa duhet deri në ditët tona.

Ndërsa në sajë të çështjeve të trajtuara ky botim duhet të jetë i obligueshëm jo vetëm për studentët e historisë, e sidomos për ata që sociologjinë politike e kanë si përcaktim profesional, sepse kemi të bëjmë me studimin me te veçantë në botimet e deritashme albanologjike.

(Lexuar me rastin e përurimit të librit në Shkodër, me 13 qershor 2026).

Filed Under: Histori

𝐎𝐒𝐁𝐄-𝐣𝐚 𝐧𝐮𝐤 𝐦𝐮𝐧𝐝 𝐭𝐞̈ 𝐬𝐡𝐩𝐞̈𝐫𝐛𝐥𝐞𝐣𝐞̈ 𝐚𝐦𝐛𝐢𝐠𝐮𝐢𝐭𝐞𝐭𝐢𝐧 𝐬𝐭𝐫𝐚𝐭𝐞𝐠𝐣𝐢𝐤 𝐭𝐞̈ 𝐒𝐞𝐫𝐛𝐢𝐬𝐞̈

July 25, 2026 by s p

(𝐍𝐢𝐬𝐦𝐚 𝐞 𝐊𝐨𝐧𝐠𝐫𝐞𝐬𝐦𝐞𝐧𝐢𝐭 𝐉𝐨𝐞 𝐖𝐢𝐥𝐬𝐨𝐧 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐭𝐡𝐢𝐫𝐫𝐣𝐞 𝐞 𝐝𝐮𝐡𝐮𝐫)

𝙉𝙜𝙖 𝙄𝙣𝙙𝙧𝙞𝙩 𝙃𝙖𝙢𝙞𝙩𝙞

Vendimi se ku do të zhvillohet sesioni vjetor i Asamblesë Parlamentare të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në vitin 2027 nuk është një çështje protokolli apo komoditeti logjistik. Ai është një vendim me peshë të madhe politike dhe simbolike. Vendi pritës i një forumi të tillë nuk ofron vetëm salla konferencash dhe infrastrukturë; ai përfaqëson vlerat mbi të cilat është ndërtuar vetë organizata.

Pikërisht për këtë arsye, iniciativa e Kongresmenit amerikan Joe Wilson, e mbështetur nga 41 ligjvënës republikanë dhe demokratë, që sesioni i ardhshëm i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së të zhvillohet në Charleston të Karolinës së Jugut dhe jo në Beograd, meriton vlerësim dhe mbështetje. Është një nismë në mbrojtjen e kredibilitetit të institucioneve euroatlantike.

Mesazhi i Joe Wilson është shumë më tepër sesa një kundërshtim ndaj një vendndodhjeje gjeografike. Ai është një paralajmërim se organizatat ndërkombëtare nuk duhet të dërgojnë sinjale të gabuara në një kohë kur rendi ndërkombëtar përballet me sfida të paprecedenta. Në deklaratën e tij, Wilson rendit një sërë shqetësimesh serioze: marrëdhëniet e ngushta të Serbisë me Rusinë dhe Iranin, bashkëpunimin ushtarak me kundërshtarët e SHBA, lidhjet strategjike me Moskën, si edhe retorikën revizioniste dhe relativizimin e krimeve të luftës. Thelbi i mesazhit të tij është i qartë: një forum ndërkombëtar i sigurisë nuk duhet të organizohet në një vend, orientimi strategjik i të cilit vazhdon të ngrejë pikëpyetje serioze.

Po aq domethënës është fakti se kjo nuk është një nismë personale e një kongresmeni. Mbështetja nga 41 ligjvënës amerikanë, që vijnë nga të dyja partitë kryesore politike, tregon se shqetësimi për politikën e jashtme të Serbisë nuk është një debat partiak, por një vlerësim që gëzon mbështetje të gjerë në Uashington. Në një kohë kur konsensusi politik në SHBA është gjithnjë e më i rrallë, ky bashkim rreth kësaj çështjeje duhet të lexohet me seriozitet.

OSBE-ja u krijua për të promovuar paqen, sigurinë, respektimin e sovranitetit të shteteve, të drejtat e njeriut dhe bashkëpunimin ndërkombëtar. Për këtë arsye, vendi që pret një aktivitet të tillë duhet të mishërojë këto parime jo vetëm në dokumente zyrtare, por edhe në praktikën e tij politike.

Serbia, fatkeqësisht, vazhdon të ndjekë një politikë të dyfishtë. Nga njëra anë deklaron se synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian; nga ana tjetër ruan marrëdhënie të privilegjuara me Federatën Ruse dhe nuk është bashkuar me sanksionet evropiane kundër Moskës pas agresionit ndaj Ukrainës. Në të njëjtën kohë, ka zgjeruar bashkëpunimin ushtarak dhe teknologjik me kundërshtarët e SHBA, ndërsa vazhdon të kultivojë marrëdhënie me aktorë që shpesh janë në kundërshtim me interesat strategjike të Perëndimit.

Kjo politikë e “ulur në dy karrige” nuk mund të mos ketë pasoja politike. Askush nuk i mohon Serbisë të drejtën sovrane për të ndërtuar marrëdhënie ndërkombëtare sipas interesave të saj kombëtare. Por po aq legjitime është edhe e drejta e aleatëve perëndimorë për të vlerësuar nëse një shtet përfaqëson vlerat që duhet të mishërojë një forum ndërkombëtar i sigurisë.

Një tjetër element që nuk mund të injorohet është politika e vazhdueshme e Beogradit ndaj Kosovës. Serbia vazhdon të mos njohë pavarësinë e saj, ndërsa tensionet periodike në veri të Kosovës dhe retorika nacionaliste vazhdojnë të cenojnë stabilitetin rajonal. Edhe pse dialogu ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës duhet të vazhdojë, nuk mund të anashkalohet fakti se sjellja e një shteti duhet të merret në konsideratë kur ai kërkon të jetë mikpritës i një organizate që promovon sigurinë dhe bashkëpunimin.

Prandaj pyetja që ngre Joe Wilson është plotësisht legjitime: çfarë mesazhi dërgon komuniteti euroatlantik nëse zgjedh si mikpritës të një konference të sigurisë një shtet që vazhdon të mbajë një pozicion strategjik të paqartë ndaj aleancës perëndimore?

Ky është një debat për standardet. Organizatat ndërkombëtare e ndërtojnë autoritetin e tyre mbi koherencën. Nëse ato kërkojnë nga shtetet respektimin e demokracisë, të drejtës ndërkombëtare dhe solidaritetit me aleatët, atëherë edhe vendimet e tyre duhet të jenë në përputhje me këto parime.

Për Shqipërinë dhe Kosovën kjo çështje ka një rëndësi të veçantë. Të dyja vendet kanë zgjedhur qartë orientimin euroatlantik dhe kanë dëshmuar në mënyrë të vazhdueshme solidaritet me politikat e NATO-s dhe të Bashkimit Evropian. Shqipëria është rreshtuar pa ekuivok me sanksionet kundër Rusisë dhe ka mbështetur çdo iniciativë të aleancës për mbrojtjen e rendit ndërkombëtar. Në këtë kontekst, organizimi i një forumi të rëndësishëm të sigurisë në një vend që nuk ndan të njëjtën qartësi strategjike do të krijonte një kontrast të vështirë për t’u justifikuar.

Mikpritja e një sesioni të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së nuk është një e drejtë automatike; është një privilegj që duhet të reflektojë besueshmërinë dhe përputhjen me vlerat që organizata përfaqëson.

Historia na ka mësuar se siguria kolektive nuk ndërtohet vetëm me deklarata politike apo konferenca ndërkombëtare. Ajo ndërtohet mbi besimin, mbi aleancat dhe mbi koherencën ndërmjet fjalëve dhe veprimeve. Pikërisht këtë kujton nisma e Kongresmenit Joe Wilson. Ajo është një mesazh në mbrojtje të integritetit të institucioneve ndërkombëtare.

Në fund të fundit, një organizatë që mbron sigurinë duhet të jetë po aq e kujdesshme në zgjedhjen e simbolikës së saj sa edhe në përmbajtjen e vendimeve që merr. Sepse vendi ku mblidhen përfaqësuesit e demokracive nuk është thjesht një pikë në hartë; ai është një deklaratë politike.

Dhe në kohë sfidash globale, deklaratat politike kanë rëndësi.

Filed Under: Emigracion

Kandidate për Këshillin Bashkiak në Oshawa, Ontario, Kanada, Danjeza Danglli: ” Shqiptarët janë të suksesshëm dhe me kontribute të çmuara në jetën publike, ekonomike dhe shoqërore”

July 25, 2026 by s p

Intervistoi: Sokol Paja/

1. E nderuar Danjeza, si lindi ideja për të kandiduar në këshillin e qytetit në Oshawa, Ontario, Kanada dhe cila është platforma juaj elektorale?

Jam anëtare e ACPAC (Albanian Canadian Political Action Committee), një komision që synon të promovojë përfaqësimin e komunitetit shqiptar dhe të inkurajojë angazhimin e tij aktiv në proceset vendimmarrëse të vendit. Propozimi për kandidaturën time erdhi nga kryesia e ACPAC-it. Platforma ime elektorale bazohet në mbrojtjen e interesave të banorëve të Ward 1 në City of Oshawa. Ndërsa North Oshawa po rritet me ritme të përshpejtuara, unë angazhohem të jem një zë i fortë për komunitetin tonë dhe për nevojat e tij në zhvillim. Shtyllat kryesore të fushatës sime janë mbështetja e zhvillimit dhe diversifikimit ekonomik të zonave rurale përmes bujqësisë, agrobiznesit dhe fermave lokale, duke mbështetur fermerët tanë, prodhimet lokale dhe forcimin e ekonomisë rurale, e cila përbën një nga shtyllat kryesore në Ward 1 dhe një burim të rëndësishëm të vendeve të reja të punës.

Gjithashtu, angazhohem për një komunitet që investon tek të rinjtë, duke u krijuar atyre mundësi për t’u përfshirë në vullnetarizëm, aktivitete komunitare dhe procese vendimmarrëse lokale. Mbështes zgjerimin e mundësive për strehim të përballueshëm për familjet e reja dhe të moshuarit në nevojë, si dhe menaxhimin e përgjegjshëm, transparent dhe efektiv të taksave të qytetarëve, duke siguruar që çdo dollar i taksapaguesve të investohet në shërbimet dhe nevojat prioritare të komunitetit.

2. Cili ka qenë angazhimi juaj në qytetin e Oshawa, fokusi juaj, pozicioni dhe nismat tuaja për komunitetin?

Jetoj në City of Oshawa prej më shumë se 10 vitesh dhe gjatë kësaj kohe kam ndërtuar lidhje të forta me komunitetin ku jetoj dhe shërbej. Si Kryetare e Regjionit Durham për ACPAC, kam pasur privilegjin të njoh dhe të bashkëpunoj me anëtarët e komunitetit shqiptar në Oshawa, të cilët përbëjnë rreth 0.6% të popullsisë së qytetit. Mbështetja dhe endorsementi i tyre për kandidaturën time, në përputhje me kërkesat e Municipal Elections Act, është një nder dhe një përgjegjësi që e vlerësoj thellësisht.

Kandidatura ime për Këshillin Bashkiak të City of Oshawa është apartiake dhe bazohet tërësisht në shërbimin ndaj komunitetit. Për gati një dekadë kam kontribuar si vullnetare në mbështetje të grave dhe fëmijëve të prekur nga dhuna ne familje, gjithashtu kam kontribuar për familjet me të ardhura të ulëta që kanë nevojë për strehim, si dhe jam pjesë e komisionit dhe kryetare bordi për komunitetin shkollor. Çdo rol që kam marrë përsipër ka qenë i pavarur, vullnetar dhe pa ndikim partiak, me një qëllim të vetëm: t’u shërbej njerëzve dhe të ndihmoj në përmirësimin e komunitetit ku jetoj.

Sot nuk po kërkoj vetëm një votë. Po kërkoj besimin e qytetarëve të Oshawa-s për të vazhduar të njëjtin mision shërbimi në një nivel më të lartë. Dua ta sjell përvojën time si vullnetare, dëgjimin e zërit të komunitetit dhe përkushtimin tim ndaj qytetarëve në tryezën e vendimmarrjes së City of Oshawa, në mënyrë që çdo vendim të reflektojë nevojat, prioritetet dhe interesat e banorëve që kam pasur privilegjin t’i shërbej nepermjet punës vullnetare për më shumë se 10 vjet.

3. Cilat janë disa aspekte specifike të qytetit Oshawa ku kandidoni dhe ku e mbështesni suksesin e garës suaj elektorale?

City of Oshawa, dhe në veçanti Ward 1 ku unë kandidoj, është një zonë e larmishme që përfshin segmente të ndryshme të komunitetit me profile të ndryshme demografike, përfshirë emigrantë, familje të reja, profesionistë, sipërmarrës dhe fermerë. Ktu është një elektorat i përzier, me nevoja, prioritete dhe pritshmëri të ndryshme, që pasqyrojnë diversitetin, dinamizmin dhe vitalitetin e komunitetit tonë.

Ndërsa pjesa veriore e Oshawa-s vazhdon të zgjerohet me ritme të përshpejtuara, kjo rritje kërkon njohuri të qarta mbi zhvillimin dhe zgjerimin e qytetit, si dhe mbi ndikimin që ky zhvillim ka tek banorët dhe cilësia e jetës së tyre. Në të njëjtën kohë, Oshawa është një nga qytetet e Greater Toronto Area ku taksat e pronës janë ndër më të lartat, prandaj qytetarët duhet të informohen dhe të kenë transparencë të plotë mbi mënyrën se si menaxhohen dhe shpenzohen taksat e tyre.

Gjithashtu, rritja e vazhdueshme e popullsisë, e nxitur nga pozicioni strategjik i qytetit, po e bën gjithnjë e më të domosdoshëm investimin në qendra komunitare, programe për të rinjtë dhe shërbime që u përgjigjen nevojave të një komuniteti në zhvillim. Të gjitha këto, së bashku me çështjet që kam paraqitur në platformën time, përfaqësojnë prioritete thelbësore për komunitetin dhe taksapaguesit e Ward 1. Pikërisht përqendrimi tek këto çështje dhe angazhimi im për t’i përfaqësuar ato në mënyrë të përgjegjshme, transparente dhe efektive janë ato që e dallojnë platformën time nga kandidatët e tjerë dhe që po priten me mbështetje pozitive nga komuniteti.

4. Një shqiptare që kandidon për një pozicion kaq të rëndësishëm në qytetin Oshawa, çfarë ndjesie keni?

Jam shumë e nderuar që, përmes kandidaturës sime, përfaqësoj komunitetin shqiptar në Kanada. Kjo më bën të ndiej një përgjegjësi edhe më të madhe, pasi kam privilegjin të përfaqësoj një komunitet të respektuar, të suksesshëm dhe me kontribute të çmuara në jetën publike, ekonomike dhe shoqërore të vendit.

Komuniteti shqiptar ka investuar dhe ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e shoqërisë kanadeze. Tashmë besoj se ka ardhur koha që, përmes përfaqësuesve të tij, të jetë më aktiv edhe në politikën vendore, duke garuar në zgjedhjet lokale dhe duke marrë pjesë drejtpërdrejt në proceset vendimmarrëse të pushtetit lokal.

5. Si po ecën fushata? Cila është strategjia e fitores dhe marrëdhënies me publikun dhe bindja për elektoratin gri?

Fushata sapo ka filluar dhe për herë të parë, përmes Gazetës Dielli dhe për të gjithë shqiptarët e diasporës, veçanërisht shqiptarët në Kanada dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kam kënaqësinë të prezantoj zyrtarisht faqen time të internetit. Përmes saj, të gjithë të interesuarit pavarësisht nëse janë apo jo pjesë e komunitetit mund të njihen më në detaje me mesazhin tim, prioritetet dhe pikat kryesore të platformës sime elektorale. Gjithashtu, ata që dëshirojnë të mbështesin fushatën mund të japin kontributin e tyre financiar nëpërmjet donacioneve ne website Danjeza Danglli — A New Voice for North Oshawa: https://danjezadanglli.ca/

Strategjia ime për fitore mbështetet në fitimin e besimit të qytetarëve përmes dëgjimit me vëmendje të shqetësimeve dhe prioriteteve të tyre, duke i vendosur ato në qendër të angazhimit tim publik. Besoj në një qasje të përgjegjshme, pa bërë premtime që nuk mund të mbahen, por duke qenë një zë i fortë dhe i qëndrueshëm në mbrojtje të interesit publik. Për mua, politika lokale është mbi të gjitha një shërbim ndaj qytetarëve dhe një përgjegjësi ndaj taksapaguesve, duke e vënë veten në funksion të nevojave, interesave dhe mirëqenies së komunitetit që synoj të përfaqësoj.

6. Kush është Danjeza Danglli?

Unë jam një grua, një nënë, një qytetare e angazhuar dhe një profesioniste në fushën e jurisprudencës dhe planifikimit strategjik. Gjatë 18 viteve të jetës sime në Kanada, karriera ime profesionale është zhvilluar në ndërthurje të vazhdueshme mes sektorit publik dhe atij privat.

Si pjesë e sektorit rregullator pranë Professional Engineers Ontario (PEO), kam shërbyer si anëtare e Complaints Committee (Komitetit të Ankesave), një detyrë që e kam ushtruar deri në vitin 2022. Në këtë rol, kam bashkëpunuar ngushtë me profesionistë të njohur në fushat juridike dhe inxhinierike. Në vitin 2022, u emërova Policy and Strategic Planning Advisor pranë Advisory Committee on Standards for Voting Technologies, komisioni përgjegjës për zhvillimin e standardeve të teknologjive të votimit në Provincën e Ontarios. Njëkohësisht, shërbeva si anëtare e ekipit që hartoi standardet për sistemet elektronike të votimit, siç janë electronic poll books dhe vote tabulators.

Përmes këtij angazhimi, pata privilegjin të bashkëpunoj me figura të njohura të lidershipit institucional, akademik dhe publik në Kanada, duke kontribuar në iniciativa me ndikim të rëndësishëm për proceset demokratike dhe administratën publike.

Pas ndryshimeve ligjore të janarit 2024, drejtova një nga projektet më të rëndësishme të transformimit dhe modernizimit të të dhënave zgjedhore për të 444 bashkitë e Ontarios, një nismë që synonte rritjen e efikasitetit, saktësisë dhe integritetit të administrimit zgjedhor në të gjithë provincën.

Përtej angazhimit tim profesional, kam një interes të veçantë për politikën dhe çështjet publike, të cilat i ndjek dhe i studioj rregullisht. Më pëlqen të lexoj, të shikoj filma, të udhëtoj dhe të zbuloj vende të reja. Sporti zë gjithashtu një vend të rëndësishëm në jetën time. Gjatë verës, një pjesë të mirë të kohës e kaloj duke luajtur basketboll me vajzën time.

Kanadaja më ka dhuruar edhe një pasion tjetër që është kayaking, një sport që vazhdoj ta praktikoj me shumë kënaqësi. Gjithashtu, më pëlqejnë veçanërisht udhëtimet me makinë gjatë stinës së vjeshtës, kur peizazhi kanadez shfaq ngjyrat e tij më të bukura dhe të paharrueshme.

Besoj se përvoja ime profesionale, angazhimi qytetar dhe përkushtimi ndaj shërbimit publik më kanë ndihmuar të kuptoj më mirë sfidat dhe mundësitë që formësojnë shoqërinë tonë. Vazhdimisht synoj të kontribuoj në iniciativa që promovojnë transparencën, integritetin dhe zhvillimin e qëndrueshëm të institucioneve dhe komuniteteve ku jetoj e veproj.

Motoja ime është: “Mëso çdo ditë, edhe kur mendon se nuk ke nevojë.”

7. Cila është historia e familjes suaj dhe historiku i emigrimit në Kanada?

Bashkëshorti im ka qenë dhe mbetet mbështetësi im më i madh. Edhe pse ai nuk merr pjesë drejtpërdrejt në fushatën që kam nisur, për shkak të pozicionit që mban në Bashkinë e Qytetit dhe në respekt të politikave të vendit të tij të punës, ai më ka përkrahur vazhdimisht në çdo hap të rrugëtimit tim. Sot, ne jemi prindër krenarë të vajzës sonë, Aria. Edhe pse vetëm 13 vjeçe, ajo është tashmë e angazhuar në shërbim të komunitetit përmes punës së saj vullnetare, duke treguar vlera dhe përkushtim që na bëjnë jashtëzakonisht krenarë.

Si familje, ne zgjedhim ta investojmë kohën e lirë, energjinë dhe përkushtimin tonë në shërbim të komunitetit. Besojmë se një komunitet i fortë ndërtohet nga njerëz që kujdesen për njëri-tjetrin, dhe kjo është arsyeja pse angazhimi qytetar ka qenë gjithmonë një pjesë e rëndësishme e jetës sonë. Pikërisht kjo më bën të ndihem më krenare për familjen që kemi ndërtuar së bashku.

Filed Under: Interviste

Teoria Hegemonike e stabilitetit shoqëror dhe iluzioni i diversitetit social

July 24, 2026 by s p

Bledar Prifti, Ph.D.

July 24, 2026/

Teoria e stabilitetit hegemonik në marrëdhëniet ndërkombëtare thotë se një fuqi e vetme dominante ruan rendin në sistemin ndërkombëtar. Kjo fuqi dominante, ose hegemoni, ofron të mira publike thelbësore si rrugë tregtare të sigurta, rregulla të qëndrueshme për tregtinë dhe mekanizma për menaxhimin e mosmarrëveshjeve mes shteteve. Duke vepruar kështu, ajo redukton rrezikun e konkurrencës së pakontrolluar dhe konflikteve të shkallës së gjerë.

Kur nuk ekziston një hegjemon i tillë, sistemi ndërkombëtar tenton të bëhet më i paqëndrueshëm dhe i prirur ndaj luftërave mes fuqive të mëdha. Të dhënat historike tregojnë modele të përsëritura ku fuqi në ngritje sfidojnë ato të vendosura, shpesh duke rezultuar në konflikte të mëdha. Thucydides, në historinë e tij të Luftës së Peloponezit, përshkroi se si rritja e fuqisë athinase kërcënoi pozicionin e Spartës dhe çoi në një luftë të gjatë e shkatërruese mes dy shteteve kryesore greke.

Në studimet bashkëkohore, Graham Allison ka analizuar këtë dinamikë, të njohur si Kurthi i Thucydides. Ai argumenton se kur një fuqi në ngritje kërcënon të zhvendosë një fuqi sunduese, rreziku i luftës rritet ndjeshëm nëse të dyja palët nuk bëjnë përpjekje të qëllimshme për ta shmangur atë. Argumente të ngjashme shfaqen në teorinë e tranzicionit të fuqisë, të zhvilluar nga A.F.K. Organski, e cila shqyrton se si ndryshimet në fuqinë relative mes shteteve krijojnë kushte për luftëra të mëdha. Robert Gilpin gjithashtu e ka trajtuar këtë çështje në punën e tij mbi luftërat hegemonike dhe ndryshimin sistemik, duke treguar se si rënia e një fuqie dominante shpesh prodhon periudha paqëndrueshmërie dhe konflikti hegemonik.

Ky parim i stabilitetit hegemonik mund të zbatohet edhe për strukturën e brendshme të shoqërive. Në çdo vend të përbërë nga grupe të shumta racore, etnike, dhe civilizuese, ekzistenca e një grupi thelbësor hegemonik të ankoruar në një kulturë dominante kryen një funksion të krahasueshëm në nivelin e brendshëm. Ky thelb furnizon norma të përbashkëta të sjelljes, besim institucional dhe një kornizë unifikuese që redukton konfliktin e brendshëm dhe mundëson bashkëpunim në shkallë të gjerë.

Kur një bërthamë e tillë hegjemonike është e pranishme dhe efektive, popullatat e ndryshme mund të bashkëjetojnë nën rregulla dhe institucione të përbashkëta. Kur bërthama hegjemonike dobësohet ose zhduket, konkurrenca mes grupeve tenton të intensifikohet, besimi shoqëror bie dhe stabiliteti politik e shoqëror bëhet më i vështirë për t’u mbajtur me kalimin e kohës.

Të dhënat historike ofrojnë prova të qëndrueshme për këtë model në shoqëri të mëdha dhe të ndryshme. Shoqëri të tilla kanë mbajtur kohezion dhe prosperitet afatgjatë vetëm kur një grup etnik ose kulturor ka ushtruar dominim të qartë. Qytetërimi i lashtë sumerian qëndroi ndërsa popullsia e tij me një bërthamë hegjemonike ruajti udhëheqjen kulturore dhe institucionale në Mesopotami. Perandoria Achaemenide persiane arriti stabilitet në territore të gjera sepse elitat persiane imponuan sisteme administrative dhe një kulturë sunduese, duke u dhënë autonomi të kufizuar popujve të nënshtruar. Perandoria e Aleksandrit të Madh u zgjerua me shpejtësi nën hegjemoninë maqedonase-greke, por u fragmentua në shtete rivale pas vdekjes së tij, sapo ajo bërthamë hegjemonike u shpërbë.

Perandoria Romake ofron një ilustrim të mëtejshëm. Ajo filloi me një bërthamë të fortë italike dhe latine që përfshiu me sukses popullatat fqinje europiane përmes asimilimit dhe institucioneve të përbashkëta. Me kalimin e kohës, megjithatë, përthithja e grupeve më të largëta pa ruajtjen e këtij thelbi kontribuoi në ndarje të brendshme, ulje të efektivitetit institucional dhe fragmentim eventual në provincat perëndimore. Perandoria Osmane qeverisi popullata të ndryshme për shekuj përmes hegjemonisë turke dhe islame, të kombinuar me sistemin e milletit të vetëqeverisjes së kufizuar për pakicat. Stabiliteti relativ vazhdoi ndërsa dominimi turk mbeti i paprekur; erozioni i tij gradual nga nacionalizmat në ngritje mes arabëve, grekëve, armenëve dhe sllavëve përshpejtoi rënien e perandorisë dhe shpërbërjen përfundimtare në fillim të shekullit të njëzetë.

Në kontrast, shoqëritë që kanë ruajtur një thelb të qartë etnik-kulturor kanë treguar kohezion më të madh afatgjatë dhe vazhdimësi institucionale. Japonia, Korea e Jugut, Izraeli, Polonia dhe Hungaria kanë ruajtur identitete të forta kombëtare të rrënjosura në popullatat e tyre themeluese. Këto raste në përgjithësi kanë treguar nivele më të larta të besimit shoqëror dhe qëndrueshmërie edhe kur përballen me presione të jashtme ose sfida të brendshme.

Zhvillimet bashkëkohore në Shtetet e Bashkuara dhe Evropën Perëndimore tregojnë një dobësim gradual të bërthamës historike europiane. Për shekuj me radhë, popullatat me prejardhje europiane vendosën gjuhët, traditat ligjore, metodat shkencore dhe strukturat institucionale që definuan qytetërimin perëndimor. Imigrimi në shkallë të gjerë nga rajone me prejardhje të ndryshme racore, kulturore dhe civilizuese, së bashku me nivele të ulëta të lindjeve vendase, ka prodhuar shoqëri paralele dhe enklava etnike në shumë qytete perëndimore. Shumë grupe imigrante mbajnë gjuhë të dallueshme, praktika fetare, struktura familjare dhe qëndrime ndaj autoritetit e qeverisjes që ndryshojnë ndjeshëm nga normat e vendosura perëndimore. Pa asimilim të plotë në qytetërimin pritës, këto komunitete shpesh veprojnë sipas rregullave të tyre shoqërore e kulturore. Ky proces redukton besimin e përgjithshëm shoqëror dhe rrit konkurrencën e bazuar në identitet në politikë dhe institucione publike.

Kërkimi empirik në shkencat sociale mbështet fort këto modele të kohezionit të reduktuar në mjedise të ndryshme. Në studimin e tij me ndikim të vitit 2007, Robert Putnam shqyrtoi komunitete në të gjithë Shtetet e Bashkuara dhe gjeti se diversiteti etnik më i lartë shoqërohet me kapital social më të ulët në afat të shkurtër dhe të mesëm. Banorët në lagje më të ndryshme tentojnë të “tërhiqen”. Ata tregojnë besim më të ulët edhe ndaj njerëzve të të njëjtës prejardhje, më pak altruizëm, më pak miqësi dhe pjesëmarrje të reduktuar në jetën e komunitetit.

Gjetje të ngjashme shfaqen në punën e Alberto Alesina dhe Eliana La Ferrara (Diversiteti Etnik dhe Performanca Ekonomike, 2005), të cilët dokumentuan se diversiteti më i madh racor dhe etnik në qytetet amerikane korrelon me besim ndërpersonal më të ulët dhe pjesëmarrje qytetare të reduktuar. Një meta-analizë gjithëpërfshirëse e vitit 2020 e 87 studimeve dhe mbi 1,000 vlerësimeve nga Peter Thisted Dinesen, Merlin Schaeffer dhe Kim Mannemar Sønderskov konfirmoi një marrëdhënie negative statistikisht të rëndësishme mes diversitetit etnik dhe besimit shoqëror në vende dhe kontekste të ndryshme. Efekti shpesh është modest, por i qëndrueshëm, dhe tenton të jetë më i fortë për besimin ndaj fqinjëve dhe në mjedise lokale.

Dallimet civilizuese e komplikojnë më tej integrimin afatgjatë. Shoqëritë e Evropës Perëndimore ndajnë themele në traditat greko-romake, judeo-kristiane dhe të Iluminizmit që theksojnë të drejtat individuale, sundimin e ligjit dhe aftësinë për pajtim pas konflikteve të mëdha. Brenda kujtesës së gjallë, kombet europiane që luftuan luftëra totale në mesin e shekullit të njëzetë arritën bashkëpunim paqësor dhe integrim ekonomik përmes vlerave dhe institucioneve të përbashkëta civilizuese. Shumë shoqëri jo-perëndimore, megjithatë, mbajnë ankesa të gjata dhe interpretime zero-sum të historisë. Shembuj përfshijnë referencën e vazhdueshme ndaj ngjarjeve të mesit të shekullit të njëzetë në politikën iraniane ndaj Perëndimit, ose theksimin e vazhdueshëm të mosmarrëveshjeve historike në marrëdhëniet mes Turqisë dhe Greqisë ose në segmente të botës arabe. Këto modele pasqyrojnë qasje të ndryshme ndaj kujtesës kolektive, horizonteve kohore dhe zgjidhjes së konfliktit.

Në Perëndim, asimilimi në bërthamën (apo civilizimin) europiane dikur ndihmoi për të kapërcyer edhe dallimet e mëdha mes grupeve europiane. Sot, megjithatë, flukse të mëdha nga qytetërime të papajtueshme sjellin pikërisht modelet e kundërta, duke përfshirë ankesa të gjata, separatizëm dhe tribalizëm me besim të ulët. Pa një bërthamë hegemonike të restauruar që kërkon asimilim të plotë në termat europiane, rezultati përfundimtar tashmë është vendosur nga historia.

Të dhënat historike janë të qarta dhe të pamëshirëshme. Kur bërthama hegjemonike europiane humbet dominimin e saj në shoqëri të ndryshme, përçarja shoqërore rritet me shpejtësi për shkak të vlerave të konkurruese civilizuese. Paqëndrueshmëria politike bëhet normale përmes votimit në bllok etnik dhe paralizës institucionale. Rënia ekonomike përshpejtohet për shkak të rënies së besimit, largimit të njerëzve të aftë dhe ngarkesave të rënda të mirëqenies. Dhuna rritet në formën e trazirave, konflikteve të bandave, zonave të ndaluara dhe trazirave të synuara, shpesh duke çuar në konflikt civil tragjik ose madje ndarje.

Historia nuk tregon asnjë alternativë të suksesshme për shoqëri të ndryshme që braktisin thelbin e tyre stabilizues.

Eksperimenti i kësaj natyre dhe magnitude (transformimi demografik i shpejtë i inxhinieruar qëllimisht duke sjellë së bashku popullata të mëdha nga etni, kultura dhe qytetërime të ndryshme, ndërsa aktivisht dekurajon ose holllon kulturën historike thelbësore) është i paprecedentë në historinë njerëzore. Perandoritë e kaluara multi-etnike (persiane, romake, osmane, austro-hungareze) vepronin nën dominim hegemonik eksplicit nga një grup themelues ose pushtues që impononte rregulla mbizotëruese, gjuhë administrative dhe norma elitash; ato nuk ndiqnin shpërbërjen egalitare të thelbit si politikë.

Politikat moderne perëndimore të imigrimit masiv të kombinuar me multikulturalizmin, retorikën zyrtare anti-asimiluese në disa rrethe dhe projektimet demografike që parashikojnë se popullatat me prejardhje europiane historike do të bëhen pakicë në atdheun e tyre stërgjyshor brenda dekadave, përfaqësojnë një projekt të ri inxhinierie sociale në shkallë të gjerë. Asnjë qytetërim i mëparshëm nuk ka tentuar një transformim të tillë me këtë shpejtësi dhe intensitet ideologjik në disa shoqëri të avancuara me besim të lartë njëkohësisht.

Ky është një eksperiment shumë i rrezikshëm. Ai rrezikon një sërë zhvillimesh të rrezikshme: fraksionalizëm etnik që intensifikohet, erozion i sferës publike neutrale, rënie e legjitimitetit të shtetit dhe konkurrenca zero-sum që escalojnë për burime dhe status. Në mungesë të një thelbi hegemonik të restauruar, këto presione kulmojnë në konflikte civile (që variojnë nga dhuna e nivelit të ulët të qëndrueshëm dhe sisteme ligjore paralele deri në luftëra civile të hapura) derisa një grup të arrijë të rivendosë hegjemoninë mbi territorin dhe institucionet, ose derisa grupet konkurruese të luftojnë për ndarje dhe krijimin e shteteve-kombë më homogjene të reja.

Historia demonstron vazhdimisht se ndarjet e thella civilizuese dhe etnike nuk zgjidhen në multikulturalizëm harmonik pa dominim ose ndarje; ato zgjidhen përmes supremacisë ose bërthamave sociale hegjemonike. Shembujt shumëzojnë nga Ballkani, Libani, Qipro, Ukraina, Kaukazi, Sudan/Sudani i Jugut dhe trajektoret post-koloniale të shumë shteteve artificiale multi-etnike.

Ideja se diversiteti i pafund racor, etnik, dhe civilizues është gjithmonë një forcë pozitive është vërtetuar e rreme nga perandoritë tashmë të shkatërruara, rrugët e përgjakura nga konfliktet, dhe kombet e shkatërruara. Mbijetesa e Perëndimit tani kërkon rivendosjen urgjente të hegjemonisë së tij historike civilizuese europiane. Kjo kërkon kufij të fortë, besim kulturor të hapur, asimilim të kërkuar në termat e shoqërisë pritëse, dhe prioritet të qartë të dhënë vazhdimësisë së popujve themelues. Mohimi çon vetëm në shpërbërje. Vetëm një këndvështrim realist (jo idealist) mund të na shpëtojë të gjithve nga një iluzion i rrezikshëm. Gjykimi i historisë po vjen: ose kohezion përmes dominimit, ose kaos përmes iluzionit.

Provueshmëria nga marrëdhëniet ndërkombëtare dhe historia e brendshme tregon se stabiliteti në sisteme komplekse varet nga prania dhe mirëmbajtja e një thelbi hegemonik. Erozioni i tij fton çrregullim dhe konflikt social; rivendosja e tij ofron mekanizmin kryesor për rend të rinovuar dhe kohezion afatgjatë.

Filed Under: Ekonomi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 74
  • 75
  • 76
  • 77
  • 78
  • …
  • 3189
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VINÇENC PRENNUSHI – NJË JETË MES FJALËS, BESIMIT DHE LIRISË
  • Kur Kristo Dako dhe Mihal Grameno i kërkuan Wilsonit të mbronte Shqipërinë
  • Demografia dhe gjeopolitika e Vilajetit të Kosovës në prag të Konferencës së Paqes në Paris (1919)
  • Triumfi kujtesës mbi diktaturën
  • Një mundësi e shkëlqyer për fëmijët shqiptarë
  • NËNË TEREZA, SIMBOLI I BASHKIMIT TË SHQIPTARËVE
  • “Memorandumi i SANU-së dhe projekti serbomadh: Doktrina ideologjike, luftërat shkatërruese dhe çështja e Kosovës”
  • “Shqipëria ka qenë toka e njeriut të lirë… e njeriut të ashpër dhe zemërmirë…”
  • FROM GONXHE OF SKOPJE TO THE UNIVERSAL MOTHER TERESA
  • “NJË ÇARJE NË PERDEN E SHQIPËRISË”
  • 𝐑𝐞𝐳𝐨𝐥𝐮𝐭𝐚 𝟓𝟐𝟐 – 𝐊𝐮𝐫 𝐊𝐨𝐧𝐠𝐫𝐞𝐬𝐢 𝐀𝐦𝐞𝐫𝐢𝐤𝐚𝐧 𝐧𝐝𝐞𝐫𝐨𝐢 𝐒𝐤𝐞̈𝐧𝐝𝐞𝐫𝐛𝐞𝐮𝐧: 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐤𝐮𝐣𝐭𝐞𝐬𝐞̈ 𝐩𝐞̈𝐫 𝐒𝐡𝐪𝐢𝐩𝐞̈𝐫𝐢𝐧𝐞̈ 𝐝𝐡𝐞 𝐄𝐯𝐫𝐨𝐩𝐞̈𝐧
  • KUR POLITIKA E DITËS E BLLOKON SHTETIN
  • Join us as we celebrate the 7th Anniversary of Albanians Fighting Cancer USA!
  • Përfaqësimi politik i shqiptarëve në Mal të Zi
  • 10 VITE NGA SHENJTËRIMI

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT