• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

AH SHQYPNI MOS THUEJ MBAROVA

September 28, 2024 by s p

Zija Vukaj/

Nga klithmat më të thekshme patriotike është kjo këngë e rapsodit Dervish Shaqa, me tekst të poetit atdhetar dhe veprimtarit të shquar të çështjes kombëtare, Hilë Mosit (1885- 1933). Dervish Shaqa (1912- 1985) interpretuesi i kësaj kënge, individ i racës iliriane përmban në shpirtin e tij, përveç portretit shkëmbor të një burri epik, një arsenal interpretimi që ngre peshë çdo zemër. Rrebeshi i akordeve dhe tingujve të sharkisë që shoqërojnë tekstin impozant të kësaj ode-je kombëtare, në paralelizëm me rrebeshin që historia derdhi pa mëshirë mbi trojet tona, ngjan si një nga kushtrimet më të rëndësishme të të parëve. Kjo spikamë shkund çdo shpirt njeriu që ka një atdhe. Për ironi të fatit, ky aed homerik, i pashoq, nuk ka asnjë lavdi institucionale apo ndonjë mbresë tek shqiptarët e sotëm që konsumojnë tallava me fjalë sa më të pista dhe patriotizëm deklarativ. Bukë dhe cirk.

Ah, Shqypni, mos thuj mbarova,

Se djelmt tu edhe jan’ gjall’!

N’kamb asht çu e rrebt Kosova

E ban luftën ball’ për ball’.

Ish nji vjet’ ndër ma të vshtira,

Me nji mij nandqind e dhjetë,

Kur Kosov’ mbloj egërsira,

Për me zhbi çdo bim’ mbi dhet’.

etj…

Filed Under: ESSE

KONFLIKTI ZOGU-PRISHTINA SI PËRPLASJE E DY VIZIONEVE PËR TË ARDHMEN E SHQIPTARËVE NË RAJON

September 28, 2024 by s p

Dr. Nikollë Loka/

Hasan Prishtina ishte politikan me bindje nacionaliste të djathta, por në kushtet e mungesës së reflektimit të qartë nga ana e Lidhjes së Kombeve dhe Fuqive të Mëdha, e pa me interes lëvizjen e majtë ballkanike që kishte në program një çasje tjetër ndaj pakicave kombëtare. Në prill të vitit 1927, organizata disidente e njohur si Komiteti Nacional Revolucionar (KONARE), e formuar në Vjenë me anëtarët majtist të qeverisë së Fan Nolit, që u larguan jashtë në dhjetor të vitit 1924, u organizuan nën emrin e Komitetit për Lirimin Kombëtar. Ky Komitet formoi një koalicion me Komitetin për Mbrojtjen e Kosovës, i cili nga ana e tij u lidh me Seksionin Komunist Ballkanik të Kominternit, ndoshta nën ndikimin e shqiptarit nga Kosova Ali Kelmendit, personalitetit më të shquar të Komitetit Komunist shqiptar në Moskë.

Keqësimi i marrëdhënieve të Zogut me Italinë në kohën kur Hasan Prishtina konsiderohej si njëri ndër politikanët më të njohur shqiptar, i aftë që të merrte përsipër drejtimin e vendit, kishte bërë që Zogu t’i jepte Prishtinës goditjen e radhës. Me 2 korrik 1928, Gjyqi i posaçëm për faje politike i Tiranës me kryetar Shefki Shatku dhe prokuror Kiço Bisha mori aktvendimin me të cilin Hasan Prishtina shpallet fajtor për rrezikimin e jetës së Ahmet Zogut dhe për faje politike, duke e dënuan me vdekje në mungesë.

Në këtë periudhë, çështja e Kosovës nuk prekte vetëm interesat shqiptaro- jugosllave. Edhe Italia u përfshi në përkrahje të mbretit Zog për zhvillimin e lëvizjes irridentiste ndër shqiptarë. Pas vitit 1927, Musolini ndërmori një fushatë agresive me intensitet të madh për të shpërbërë Jugosllavinë, me synimin për të forcuar ndikimin italian në Adriatik përmes përkrahjes së lëvizjeve nacionaliste (ustashët kroatë, rebelët shqipatrë dhe terroristët maqedonë), duke e dhënë këtë mbështetje në funksoon të interesave italiane në skenën ndërkombëtare. Politika italiane alternnoi periudhat e qetësisë dhe të ngatërresave kundërthënëse, për t’i prishur shtetit jugosllav mjetet e subversionit.

Në kushtet e marrëdhënieve të vështira me italianët dhe fqinjët ballkanikë, i pasigurtë për të ardhmen e pushtetit të tij, Ahmet Zogu kishte menduar për ta likujduar Hasan Prishtinën. Për realizimin e këtij vendimi do të dërgohen nëpër Europë pesë atentatorë që dihen: Pjetër Kallmeti në nëntor 1927; Ibrahim Lika (Lisi) – Kruja janar 1928; Hasan Sedi, shkurt 1928; Ibrahim Tabaku, prill 1928 e ndoshta edhe Hasan Kosova.

Me rëndësi është të konstatohet se të gjithë vrasësit ishin me lidhje të dyfishta, – me qarqet politike të Qeverisë shqiptare dhe të asaj jugosllave. Në fakt, Hasan Prishtina ishte armik i betuar i Ahmet Zogut dhe të dy ishin përpjekur ta vrasin njëri-tjetrin. Dokumentat e zbuluara nxjerrin në dritë faktin se organizimi i atentatit kundër Zogut në Vjenë me 20 shkurt 1931 ishte organizuar nga Hasan Prishtina. Me 2 mars 1931 Drejtoria Federale e Policisë Austriake i dha Hasan Prishtinës letërnjoftimin dhe dokumentet e udhëtimit, duke e larguar prej Austrie me 28 mars 1931.

Pas një ndërprerje të shkurtër për shkaqe shëndetësore, Zogu rikthehet në detyrë. Rikthimi i tij e vendoste Italinë përpara përgjegjësisë për të ndryshuar marshin e saj politik. Përderisa Zogu do të vazhdonte të ishte në pushtet, Italia hoqi dorë edhe nga mbështetja financiare e grupit antizogist të kryesuar nga Mustafa Kruja, pasi nuk ia vlente të harxhonte më para për këtë çështje. Megjithatë, Italia nuk hoqi dorë nga financimet për Hasan Prishtinën, pasi mendonte se ndoshta do të vinte momenti që do t’i duhej.

Në jetën e tij Hasan Prishtina kishte mundur t’u shpëtonte katër atentateve, ishte burgosur dy herë nga serbo-malazezët dhe flitet se ishte dënuar gjashtë herë me vdekje nga xhonturqit, Esad Toptani, qarqet shoviniste serbomadhe dhe tri herë nga qeveria e Zogut. Më 13 gusht 1933, ai vritet në Selanik nga njerëzit e paguar prej Ahmet Zogut dhe qarqet shoviniste serbe. Për këtë vrasje gazeta greke “Maqedonia e re”, shkroi: “Një vrasje tjetër që u bë në rrugën Çimisqi, tronditi Selanikun. Politikani shqiptar Hasan Prishtina u vra në qoshen Çimisqi në Vogaxhiku, përpara bakallhanes “IVI” nga shqiptari Ibrahim Çelo, 28 vjeçar, i papunë, që qëlloi pesë herë mbi ish-kryeministrin shqiptar”.

Vrasja e Hasan Prishtinës kishte ndodhur në kohën kur Zogu do t’i kthehet çështjes së Kosovës. Në këtë periudhë, shteti shqiptar u angazhua më tepër në mbrojtje të elementit shqiptar në Jugosllavi. Zogut i leverdiste që të shfaqej si nacionalist, pasi në këtë mënyrë do të siguronte një mbështetje nga të gjithë shqiptarët, si brenda dhe jashtë vendit, me synim konsolidimin e regjimit të tij dhe të shtetit të brishtë shqiptar. Shtimin e veprimtarisë nacionaliste për Kosovën e ndiqte me kujdes Beogradi zyrtar. Prefektura e Kosovës bënte të ditur, se Kryetari i Shtatmadhorisë në Beograd, u ka njoftuar komandove të ushtrisë në Kosovë, se “në Shqipëri është formuar “Komiteti i Kosovës”. Për ta mbajtur këtë komitet, Zogu kishte marrë ndihma në të holla nga qeveria italiane. Ky komitet ishte duke organizuar komitete të tjera në tokën jugosllave dhe kishte urdhëruar të merreshin masat e duhura”. Edhe në rrafshin diplomatik, Ahmet Zogu në këtë periudhë zhvilloi një veprimtari të gjerë me Fuqitë e Mëdha në lidhje me çështjen e shqiptarëve të Kosovës.

Hasan Prishtina dhe Ahmet Zogu janë dy nga personalitetet politike më me ndikim në historinë e Shqipërisë së gjysmës së parë të shekullit të njëzetë. Kundërshtitë dhe përplasjet në mes tyre kishin të bënin me mënyrën se si e kishin projektuar secili të ardhmen e shqiptarëve në trojet e veta. Pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë dhe në periudhën ndërmjet dy luftërave botërore, përfaqësues i nacionalizmit shqiptar, konsiderohet Hasan Prishtina. Ai i përmbahet parimit të bashkimit të trojeve etnike shqiptare. Format konkrete të veprimtarisë kombëtare të tij përcaktohen dhe logjikisht dalin nga ky parim.

Studiuesi Bernd Ficher ka gjetur shumë pak të dhëna që tregojnë vëmendjen e Zogut rreth çështjes së Kosovës. Në fakt, Zogu që në fillim të karrierës së tij politike kshte pohuar se Kosova ishte e humbur për Shqipërinë. Kjo nuk do të thotë që ai nuk e përdori irredentizmin në doza të vogla për qëllimet e tij, megjithëse nuk lejoi asnjëherë që kjo ide të shpërndahet gjerësisht. Zogu ishte pragmatist në politikë, ruajti aleanca të përkohëshme dhe u përpoq të manovronte në mes të shteteve me qëndrim armiqësor ndaj Shqipërisë, për të minimizuar sa të ishte e mundur efektet negative të pragmatizmit të tij. Si veprime me karakter nacionalist të Zogut mund të konsiderohen: Mungesa e zbatimit të plotë të marrëveshjes Zogu-Pashiç dhe marrëveshja sekrete e 26 gushtit 1925. Dekretet që nxori për të shpërngulurit dhe mijëra muhaxhirëve të përzënë nga tokat e tyre, që t’iu lehtësohet sadopak vuajtja.

Zogu i dha fund politikisht bashkëjetesës së të zgjedhurve të Kosovës dhe nëpunësve të saj me administratën e shtetit shqiptar. Përfundoi detyrat e lëna nga protokollet e Fuqive të Mëdha për territoret e diskutueshme në Shën Naumit dhe Vermoshit, si dhe u përpoq të zbuste problemet që krijoi spastrimi etnik serb në Kosovë, duke pranuar “muhaxhirë” nga Kosova dhe duke i sistemuar ata larg zonave kufitare. Për t’ia kthyer shpinën Beogradit ai ishte i vetëdijshëm se nevojitej që të bashkëpunonte me një shtet të fuqishëm që mund t’i kundërvihej Jugosllavisë.

Duke e gjykuar në tërësi veprimtarinë e tij në lidhje me Kosovën del se Zogu nuk mund të quhet njeri i jugosllavëve, por ai nuk mund të quhet kurrsesi një kundërshtar i tyre apo një burrë shteti shqiptar që kishte një program politik për shqiptarët në Jugosllavi. Politika zogiste u ndërtua mbi realitetet politike të krijuara dhe kishte për synim mbijetesën e tij politike dhe mbrojtjen e pavarësisë e zhvillimin e shtetit shqiptar.

Filed Under: Emigracion

Ekspertë të sigurisë dhe diplomatë, thirrje qeverisë për mbrojtjen e popullsisë

September 28, 2024 by s p

Siguria kombëtare në rrezik, duhet plan strategjik për mbrojtjen e kufirit, me ekspertë të NATO-s

Përgatiti: Eneida Jaçaj/New York

Qeveria shqiptare duhet të marrë menjëherë masat për mobilizimin dhe fuqizimin e ushtrisë, si dhe të hartojë një plan strategjik për mbrojtjen e kufirit, me ekspertë vendas dhe të NATO-s, në kushtet kur situata politike ndërkombëtare po rëndohet çdo ditë. Siguria kombëtare kërcënohet nga konfliktet rajonale dhe më gjerë, aktet terroriste që mund të vinë nga Irani pas strehimit të muxhahedinëve në Tiranë, përshkallëzimi i situatës në Lindjen e Mesme, por edhe nga një konflikt i mundshëm botëror për shkak të garës për drejtimin e politikës globale, i cili mund të çojë në shpërthimin e një lufte masive. Qeveria e ka për detyrë të garantojë paqe dhe stabilitet në vend e rajon, dhe, në rast lufte, të mbrojë shtetin sovran duke përfshirë qytetarët, ekonominë, institucionet, të angazhojë rrjetin diplomatik për bisedime me shtetet e tjera, dhe të rrisë sigurinë kundër terrorizmit. Duke u gjendur përballë rrezikut të përmbysjes së të gjitha ekuilibrave, presionit në rritje të një lufte rajonale por edhe botërore, pasi shtetet kanë rritur mekanizmat mbrojtës duke u armatosur, qeveria shqiptare duhet ta shohë me shumë përgjegjësi dhe seriozitet marrjen e masave për mbrojtjen e kufirit tokësor, ajror dhe detar, hartimin e një plani strategjik afatmesëm dhe afatgjatë, rritjen e buxhetit për investime në ushtri, armatime, artileri, etj, krijimin e hapësirave strehuese për popullatën, zgjerimin e hapësirave spitalore, sigurimin e rezervave ushqimore, medikamenteve, etj, në rast të ndonjë rreziku të mundshëm që vjen nga jashtë.

Një nga çështjet më të nxehta që duhet diskutuar, edhe para programit të ri të fushatës elektorale, duhet të jetë pikërisht rritja e sigurisë kombëtare dhe marrja e masave të menjëhershme, si e vetmja mënyrë për të përballuar rrezikun që i kanoset shtetit shqiptar. Qeveria duhet të lërë mënjanë diskutimet boshe dhe aspak frytdhënëse, ndërsa duhet ta shohë të nevojshme zhvillimin e mbledhjeve të posaçme me ekspertë të sigurisë vendase, por edhe me ekspertë të huaj, për të arritur krijimin dhe realizimin e një plani mbrojtës strategjik, me të gjitha masat e tjera të nevojshme shtesë. Nuk është i mjaftueshëm fakti se Shqipëria është anëtare e NATO-s, dhe do të mbrohet nga kjo e fundit, pasi, nëse dy vende të NATO-s do të hynë në luftë me njëra-tjetrën, aleanca nuk do të ndërhynte si çdo të vepronte me një shtet tjetër që nuk do të ishte pjesë e saj.
Konkretisht, lufta për pushtet dhe territore, konflikti Kosovë-Serbi, Rusia dhe Ukraina nga ana tjetër, duke shtuar edhe qëllimet e Moskës dhe Beogradit për të ushtruar ndikimin e tyre në Ballkan; konflikti i kahershëm Turqi-Greqi, ndërhyrjet e Kinës në Taivan, rritja dhe zgjerimi i konfliktit në Lindjen e Mesme, duke përmendur këtu edhe sulmin kibernetik të Iranit në Shqipëri; çështjet ekonomike, mosmarrëveshjet politike të brendshme dhe të jashtme, konflikti fetar, lufta për të dominuar dhe kontrolluar politikën e botës, (SHBA, Rusi, Kinë), e cila duket se ka rikthyer edhe njëherë në skenë Luftën e Ftohtë, po rrisin rrezikun për hapjen e një vatre të fuqishme zjarri, që do të trondiste nga themelet shtetet, duke i hapur rrugën një rendi të ri botëror.

Nëse do të shpërthente një luftë ku do të përfshinte të gjithë globin, pasojat do të ishin akoma edhe më të rënda se ajo e Luftës së Parë Botërore, pasi shumë çështje të reja dhe konflikte të kahershme të mbetura pezull nën agoninë e shteteve më të fuqishme, do të dilnin në qendër të arenës ndërkombëtare, ku do të shkaktonin humbje të mëdha në njerëz, dëme ekonomike, territoriale dhe materiale. Ekspertë të sigurisë dhe diplomatë kanë dhënë mendimet e tyre për një çështje kaq delikate, siç është mbrojtja e vendit dhe qytetarëve. Eksperti i sigurisë, Fatjon Softa, në një prononcim për gazetën “Dielli”, shprehet se Shqipëria ka nevojë më shumë për një plan strategjik mbrojtës sesa të armatoset. “Shqipëria ka nevojë për një strategji për mbrojtjen. Mbrojtja nuk është vetëm garanci nga NATO, por elementet e sigurisë, jo vetëm për garantimin e territorit, hapësirave ajrore dhe ato detare, por mbrojtja e popullsisë. Mungesa e strehimeve për popullsinë në raste lufte, strehimet antiatomike, rezervat shtetërore për ushqim, spitalet dhe medikamentet, përgatitja e popullsisë dhe vendosja e sinjalistikës paralajmëruese, si në rastet e sulmeve ajrore dhe veprimet që të do kryhen”, thotë Softa.

Softa ka sugjeruar dhe kthimin e shërbimit ushtarak për mbrojtjen e atdheut. “Mendoj kthimin e shërbimit ushtarak të reduktuar, dhe kultura në shkolla si një lëndë informuese. Fqinjët po rrisin kapacitetet ushtarake, si Serbia dhe Greqia, të dy vende me pretendime territoriale. Traktati i NATO-s, Neni 5 i saj hyn në fuqi kur një nga anëtarët apo disa anëtarë sulmohen, por ky nen nuk aktivizohet nëse dy anëtarë hyjnë në konflikt, rasti i konflikteve Turqi-Greqi”, shprehet Softa.
Konflikti Kosovë-Serbi është një konflikt që e kemi më afër vetes, ku Beogradi po luan me komunat serbe në Veri, duke i përdorur për të fituar terren politik dhe më pas territorial. Nëse do të shpërthente një luftë e radhës, aleatja e Serbisë, Rusia, do të aktivizonte forcat e saj, si një pretendente e vjetër për të dominuar, e cila do të gjente hapësirë për të ushtruar ndikimin e saj në Ballkan. Dhe ajo çka e bën situatën më dramatike është se Bashkimi Europian e ka përkrahur Serbinë, duke i vendosur sanksione të njëpasnjëshme Kosovës, ndërsa nuk ka vendosur asnjë masë ndëshkuese ndaj Beogradit pas sulmit të një viti më parë, ku u vra polici kosovar.

Jo vetëm çështjet rajonale, por edhe ato botërore përbëjnë rrezik të madh për sigurinë e vendit. Kështu, ish-diplomati Roland Bimo, thekson për gazetën “Dielli”, se gara për të dominuar skenën botërore përbën kërcënim për paqen, duke sqaruar rolin e SHBA, Kinës dhe Rusisë.
“Vlerësohet se po kalojmë në një rend botëror të ndryshëm. Bota një polare ku SHBA ushtruan të pasfiduar rolin e polit të vetëm politik, ekonomik e në mënyrë absolute atë ushtarak, qysh nga përfundimi i Luftës së Ftohtë me shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik në vitin 1991, duket se po zëvendësohet gradualisht me një rend botëror me disa qendra, (multipolar). Kina, Rusia dhe grupimet e aleancat e tyre kanë hyrë në garë për një vend më të dukshëm në skenën boterore, sipas tyre në përputhje me realitetet e reja ekonomike e politike. Rivalitetet, krahas luftrave tregtare dhe ekonomike, shfaqen edhe në kriza të rënda sigurie siç është agresioni gati prej 3 vitesh i Rusisë në Ukrainë dhe situata e tmerrshme që po kalon Lindja e Mesme, çka kërcënon një luftë rajonale me pasoja për të gjithë botën. Politikat e tre shteteve si më sipër, përbejnë kërcënim për paqen dhe sigurinë në bote. Për fatin tonë të keq, Shqipëria e në mënyrë të veçantë Kosova, ndodhen në një rajon siç është Ballkani Perëndimor, objekt i rivaliteteve të shtuara edhe si pasojë e lënies jashtë projektit të integrimit në Bashkimin Evropian”, thotë Bimo.

Roland Bimo bën thirrje që qeveria të marrë menjëherë masat në rast të një sulmi të mundshëm. “Në kushtet e vëmendjes së shtuar të SHBA dhe BE për Serbinë, dhe diplomacisë së sukseshme të kësaj të fundit, ekuilibrat bëhen edhe më delikatë. Duhet të jemi të ndërgjegjshëm për sakrificat që duhet të bëjmë për të shtuar shpenzimet për mbrojtjen, sigurinë por edhe për diplomacinë e lobimin ndërkombëtar. Për këtë të fundit, diaspora mund e duhet të luajë një rol të rëndësishëm duke patur si shëmbull sukseset e mërgatës shqiptare në SHBA në vitet 1980-1990. Ngjarjet në Banjska, Kosovë, vitin e kaluar dhe heshtja perëndimore për nxjerrjen e fajtorëve para drejtësisë apo dënimi i Serbisë, si nxitëse e destabilizimit, ndoshta sugjerojnë se garantimi i sigurisë përmes anëtarësisë së Shqipërisë në NATO dhe pranisë së NATO në Kosovë, duhet shoqëruar edhe me forcinin e sigurisë bazuar në burimet e brendshme”, shprehet Bimo.

Përpos përplasjes Kosovë-Serbi për asosacionin e komunave me shumicë serbe, paralajmërimin që dha Irani ndaj Shqipërisë me sulmin kibernetik, ditët e fundit bota është kërcënuar akoma më shumë për shpërthimin e një lufte të mundshme. Ishte Moska e cila kërcënoi Anglinë, se do të hakmerret nëse armët britanike do të përdoren nga Ukraina për sulme brenda territorit rus. Ndërsa SHBA ka qenë pika kyçe kryesore e Putinit, i cili e ka kërcënuar në mënyrë të vazhdueshme me prodhimin e raketave me rreze të mesme veprimi. Kjo është një lojë politike strategjike që i ka rrënjët që nga Lufta e Ftohtë, është një garë e re por e vjetër në kohë dhe mendësi, për të përcaktuar se cili shtet do të drejtojë botën këtë herë. Por, deklarata të tilla kërcënuese, situata terrori dhe lufte, duhet të vënë në lëvizje qeverinë shqiptare për të mobilizuar ushtrinë dhe të shpëtojë popullsinë në rast rreziku.

Agim Nesho, diplomat, analist politik dhe njohës i fushës së sigurisë, thotë për “Diellin”, se Shqipëria duhet të ishte përgatitur që më herët për mbrojtjen e kufirit, duke qenë përballë konflikteve të hapura rajoale dhe botërore. “Në këto momente kritike për gjithë sigurinë europiane, konfliktet në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme duhet ta kishin orientuar qeverinë, Shqipërinë, për t’u fuqizuar ushtarakisht për të sjellë në rajon atë ekuilibër forcash të nevojshme për të mbrojtur eventualisht Kosovën nga çdo kërcënim të mundshëm. Por regjimi kleptokratik i Tiranës është i fokusuar vetëm në mbajtjen e pushtetit të tij të korruptuar”, thotë Nesho.
Ai akuzon qeverinë se bashkëpunon me qarqet serbe, ndëra Kosovën e ka lënë në hije.
“Shqipëria nuk rrezikohet direkt nga synimet ekspansioniste të Rusisë, Serbisë apo fuqi të tjera, sepse ajo është anëtare e organizatës më të fuqishme të botës, NATO. Por gjysma e kombit kërcënohet nga oreksi ekspansionist i nacionalizmit serb, i cili kërkon të marrë Veriun e Kosovës dhe e mban atë si një konflikt të ngrirë. Fatkeqësisht, Republika e Kosovës është e vetme në këtë luftë për arsye se regjimi i Tiranës ka kohë që përkrah projektet serbo-ruse, si ndryshimi i kufijve dhe Ballkani i Hapur, projekte që duan të realizojnë dominimin serb në Ballkan apo krijimin e Jugosllavisë së re”, shprehet Nesho. Rruga më e mirë dhe e drejtë do të ishte që konfliktet rajonale dhe botërore të zgjidheshin përmes dialogut, por duke qenë se situata vazhdon të acarohet edhe në ditët e sotme, qeveria duhet t’i garantojë qytetarëve të saj të gjitha mekanizmat mbrojtëse në rast të një lufte të mundshme.

Filed Under: Analiza

ZËRI I AMERIKËS ME KRYEQENDËR TË RE NË WASHINGINTON

September 27, 2024 by s p

Nga Frank Shkreli/

A person standing at a podium with a flag

Description automatically generated

E lexova këtë lajm që më erdhi sot në adresën e postës elektronike, me shumë emocion dhe kujtime jashtzakonisht të mira, pasi kam kaluar një pjesë të konsiderueshme të jetës sime duke punuar në ndërtesën aktuale të Zërit të Amerikës, për një kohë të gjatë. Në të vërtetë, këtë vit, janë mbushur, plotësisht, 50-vjet nga koha kur kam filluar (Qershor, 1974) karrierën time në Zërin e Amerikës, në atë ndërtesë të madhe, përball Kongresit të Shteteve të Bashkuara. 

Se pse u emocionova dhe pse më mbuluan shumë kujtime të mira nga karriera ime në Zërin e Amerikës, qe, pikërisht, lajmi i shpërndar të premtën në mengjes nga Agjencia Amerikane për Media Globale — U.S. Agency for Global media, (USAGM), sipas të cilit, Zëri i Amerikës do të transferojë kryeqendrën nga ndërtesa aktuale, në ndërtesën me adresën 1875 Pensylvania Avenue, Wasington DC – që do të jetë, sipa këtij njoftimi për mediat, kryeqendra e re moderne për Zërin e Amerikës, që është ndër më të vjetrat e pesë enteve mediatike që mbikqyrë Agjencia Amerikane për Media Globale.  Në njoftimin e kësaj agjencie thuhet se transferimi i operacioneve mediatike, teknike dhe administrative do të fillojë brenda disa muajve – për tu përfunduar në disa faza gjatë viteve të në vijim.  

Ky vendim për të vendosur kryeqendrën e Agjencisë Amerikane për Median Globale në adresën e re 1875 Pennsylvania Avenue, shënon një kapitull të ri, për të ardhmen e njërit prej enteve më mëdha mediatike në botë, është shprehur Amanda Bennett, shefja e USAGM.

“Si një prej organizatave më të mëdha botërore mediatike, puna jonë gazetareske vazhdon të jetë kritike – veçanërisht, përball censurës, influencave negative dhe manipulimit të informacionit, në duart e regjimeve autoritare.  Sigurimi i aftësisë dhe i mundësive tona të vazhdueshme për të konkurruar në fushën mediatike është hapi i parë dhe ndoshta më jetësor për të fituar luftën globale në fushën raportimit të sakt të lajmeve dhe të informacionit. Kryeqendra e re e (USAGM) do të rrisë, në mënyrë dramatike, kapacitetin tonë teknologjik dhe, për më shumë, do të përmirësojë dukshëm aftësinë tonë për të kontaktuar dhe komunikuar më kollaj me audiencat në rajone të ndryshme të botës që nuk gëzojnë një shtyp të lirë.  Jam shumë e frymëzuar nga fillimi i kësaj epoke të re të mrekullueshme dhe e kënaqur për gjithçka që do të bëhet e mundur për shkak të saj”, ka komentuar, sipas njoftimit, me këtë rast, të (USAGM) për mediat — pritshmëritë e saj, Amanda Bennett, për kryeqëndrën e re moderne të Agjencisë Amerikane për Median Globale, përfshir Zërin e Amerikës.

Ndërtesa aktuale ku Zëri i Amerikës ka zhvilluar veprimtarinë e tij mediatike ç’prej vitit 1954, është përcaktuar dhe njihet ç’prej vitit 2022, nga Shoqata e Gazetarëve Profesionistë, si një Ndërtesë Historike Kombëtare e Gazetarisë. Ndonëse, fillimisht, ndërtesa aktuale, kryeqëndër e Zërit të Amerikës dhe USAGM, nuk ishte ndërtuar me qëllim që të shërbente për aq gjatë, për veprimtarinë e një organizate mediatike.  Por gjatë dekadave të kaluara, kjo ndërtesë, e quajtur (Cohen Building), në të vërtetë, ka shërbyer shumë mirë si një kryqendër e madhe dhe e besueshme – për disa breza anë e mbanë botës — për transmetimin e lajmeve dhe të informacionit, thuhet në njoftimin e USAGM të shpërndar për mediat, të premtën në mengjes. 

Ndërkaq, në të njëjtin njoftim për media, në lidhje me këtë vendim, citohet edhe Drejtori i Zërit të Amerikës, Michael Ambramowitz, se, “Ndërkohë që Kryeqendra aktuale e Zërit të Amerikës na sjell gjithmonë kujtime shumë të bukura dhe të mira nga e kaluara, Kryeqendra e re i ofron Zërit të Amerikës mundësitë për të modernizuar operacionet dhe mjetet teknike, ashtuqë të jemi më në gjëndje të përmbushim misionin tonë jetësor në një botë ku fuqitë autoritare po shpenzojnë miliarda dollar në përpjekjet e tyre për të minuar shtypin e lirë dhe për të ndërprer përhapjen e lirë të lajmeve dhe të vërtetës”, u shpreh Dejtori i Zërit të Amerikës, Michael Abramowitz. 

Siç dihet, Agjencia Amerikane për Median Globale mnikqyr pesë entitete transmetuese lajmesh, përfshir Zërin e Amerikës, Entin Transmetues për Lindjen e Mesme, Radio Evropa e Lirë/Radio Liria, Radion Azia e Lirë dhe Entin e Transmetimeve për Kubën, por edhe ente siç teknike siç është Fondi për një Teknologji të Hapur dhe Fondi i Medias Frontale. Të gjitha këto kanë për qëllim, sipas, Agjencisë USAGM, për t’u lidhur, për të informuar dhe për të angazhuar në dialog popujt anë e mbanë botës, në mbështetje të lirisë dhe demokracisë.  Të gjitha së bashku, këto ente mediatike amerikane furnizojnë çdo ditë me lajme të sakta dhe informacion të vërtetë, mbi 420-milion veta në mbarë botën, sipas njoftimit për media të entit USAGM, që mbikqyr të gjitha këto entitete mediatike të Shteteve të Bashkuara.

E solla këtë njoftim për të interesuarit lexues shqiptarë, pasi siç e dijmë të gjithë, Zëri i Amerikës (VOA) në gjuhën shqipe, për pothuaj një shekull, ka qenë pjesë dhe vazhdon të jetë pjesë e botës mediatike shqiptare — në kohë të mira e në periudha të vështira — siç ishte koha e Luftës së ftohtë e diktaturës sllavo-komuniste dhe deri në dekadat e fundit të luftës në Kosovë.  

Gjatë gjithë këtyre dekadave, VOA shqip,  falë punës së dyzina gazetarëve shqiptaro-amerikanë dhe përkushtimit të tyre ndaj të vërtetës dhe dashurisë së tyre për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për Shqipërinë dhe për Kombin shqiptar, kanë kontribuar në përhapjen e të vërtetës në periudhat më të errëta të historisë dhe në forcimin e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, sidomos në periudhën fatzezë gjysmë shekullore të komunizmit shqiptar sllavo-aziatik, kur dy vendet tona nuk kishin marrëdhënie dypalëshe diplomatike.  Ishte kjo një periudhë kur Shtetet e Bashkuara, komunikonin me kombin shqiptar, vetëm nëpëmjet Zërit të Amerikës në gjuhën shqipe. VOA gjatë dekadave të kaluara, u solli shqiptarëve lajmet objektive, të vërtetën dhe faktet — për zhvillimet e brendshme dhe të jashtme — si mjete dhe instrumente të nevojshme për të vlerësuar dhe gjykuar drejtë, duke shërbyer, njëkohësisht edhe si një lidhje e pandërprerë dhe pa ndërhyrje komunikimi ose influencimi, midis Kombit amerikan dhe Kombit shqiptar, në ditët më mira dhe në periudhat më të vështira. 

Urojmë që kjo trashëgimi shembullore e së vërtetës gazetareske e Zërit të Amerikës gjatë dekadave të kaluara — si një ent i besueshëm lajmesh, informacioni, analizash dhe programe të tjera në mbrojtje të së vërtetës — të vazhdojë edhe me dekada të tjera në të ardhmen, ndonëse nga një kryeqendër më e re e më moderne në përputhje me me nevojat e botës akzuale dhe në përputhje me gjendje gjeopolitike të sotme.  

Frank Shkreli

Kryeqendra e re moderne e Zërit të Amerikës në rrugën kryesore Pensilvania Avenue të kryeqytetit të Shteteve të Bashkuara – rrugë që lidhë Shtëpinë e Bardhë me Kongresin 

Image result for voice of america building images 2023

Ndërtesa aktuale nga ku Zëri i Amerikës ka transmetuar anë e mbanë botës në gjuhët kryesore të botës — përfshir gjuhën shqipe –që nga viti 1954, e deri në ditë e sotëme

Filed Under: Emigracion

Gjuha është pasqyra më e qartë e një kombi dhe e kulturës së tij

September 27, 2024 by s p

Valdete Dida Cenalia/

Ruajtja e gjuhës shqipe dhe kulturës kombëtare është angazhimi më i shenjtë e patriotik i mërgatës shqiptare kudo në botë. Mërgata e Amerikës ka dhënë gjithmonë shembuj të fuqishëm atdhetar. Shoqata e Strugës në New Jersey prej vitesh rrezaton patriotizëm e organizime të shkëlqyera edukative, sociale edukative e patriotike. Para 3 ditësh nxënës dhe mësues të QKSHA-Struga morën pjesë në takim me presidenten e Kosovës znj.Vjosa Osmani në New York. Presidentja shprehu vlerësime dhe mirënjohje për aktivitetet e tyre në mbrojtje dhe trashëgim të gjuhës dhe kulturës shqipe. Shkolla shqipe e QKSHA-Struga si shkollë ndër më të vjetrat dhe më e madhja në shtetin e Nju Xhersit u vlerësua nga presidentja Vjosa Osmani për kontrobutin që po jep gati për katër dekada. Kryetari i Qendrës Sinan Alimi dhe drejtoresha Gonxhe Meta – tha se do të përkrahim zhvillimin e proçesit mësimor të gjuhës shqipe, duke kontribuar kështu në ruajtjen e identitetit kombëtar shqiptar, gjuhësor, e kulturorë të fëmijëve tanë me vendin e origjinës. Nxënësit e shkollës shqipe nuk janë vetëm nga Struga por jam e lumtur që ka fëmijë nga të gjitha trojet shqiptare nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi dhe gjitha gjitha trojet shqiptare te Maqedonisë së Veriut.

Gjuha është pasqyra më e qartë e një kombi dhe e kulturës së tij. ( Eqrem Çabej)

Filed Under: Sofra Poetike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 728
  • 729
  • 730
  • 731
  • 732
  • …
  • 2776
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT