• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Shkolla Shqipe “Alba Life” Në Bronx Filloi Vitin Akademik 2024-2025

September 23, 2024 by s p

Nga Keze Kozeta Zylo/

18 Vjet Shqip pa u ndalur nëpër Nju Jork

Edhe shqyp na thanë se Zoti/ për shqyptarë Shqypninë e fali/ se sa t’enden stina e moti/

do ta gzojn kta djalë mbas djali.

Pas Fidanishtes së parë të Shkollave Shqipe në Staten Island, Brooklynit, të shtunën edhe Bronxi hapi dyertë për vitin akademik 2024-2025.

Misioni Kombëtar vazhdon pa u ndalur nëpër Nju Jork, e konkretisht prej kaq vitesh në Bronx atje ku lulëzon një komunitet i madh shqiptarësh ku u mirëpritën dhjetra nxënës për të vazhduar shkollën shqipe.

Shkolla Shqipe në Bronx me disa klasa e ushtron mësimin shqip në shkollën publike amerikane “Christopher Columbos” High School në 925 Astor Ave, Bronx NY ku më duhet të theksoj mikpritjen e madhe që na bën kjo shkollë që nga drejtoresha e saj zonja Julie Nariman, një edukatore e shkëlqyer në NYC, drejtore dhe themeluese e Shkollës së mesme për Gjuhën dhe Inovation në Bronx.

Natyrisht ndihemi shumë të sigurtë dhe të mirëpritur dhe nga policët e shtetit amerikan që janë aq miqësor dhe professional me nxënësit e dashur në mjediset e kësaj shkolle.

Në ditën e parë të shkollës pati nxënës të rinj të cilët shoqëroheshin nga prindërit plot dëshirë dhe respekt për Shkollën Shqipe “Alba Life”.

Zoti Qemal Zylo që mban titullin e lartë: Kalorësi i Urdhrit të Flamurit, themelues dhe drejtor i TV dhe Shkollave Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit iu uroi të gjithë nxënësve, prindërve dhe mësuesëve vit të mbarë. Z. Zylo i ftoi prindërit të vinë pranë këyre shkollave dhe të punojmë së bashku për të realizuar ëndrrën e Rilindasve për të mësuar cdo shqiptar Gjuhën Shqipe, pasi ikjet biblike nga Atdheu e dramatizojnë asimilimin e shqiptarëve në dhera të huaja. Ai iu foli për punën kolosale të Alba Life në këto 18 vite, përhapjen e shkollave në gjithë Nju Jorkun dhe në Online, rritjen dhe interesin e madh që po vazhdojnë prindërit të kenë për të ardhur dhe kjo natyrshën është fal bashkëpunimit profesional me mësueset dhe nxënësit. Mësueset përshëndetën të pranishmit e shumtë dhe me dashuri shoqëruan nxënësit e tyre nëpër klasa. Në klasat e mësueseve Helenës, Erindës dhe Albanës të gjitha mësuese profesioniste dhe të përkushtuara, mësimi filloi me mirëseardhjen e tyre dhe detyrat që do të kenë gjatë vitit për të mësuar Gjuhën Shqipe.

Që pesë vjece që jam futur në shkollë vazhdoj ditën e parë ta kem emocionante, të magjishme, edhe pse tani në rolin e mësueses me vështiësitë e veta, por cdo vit e mbaj mend dhe kete ndjesi më japin dhe nxënësit që ulen pranë këtyre bangave në shkollën publike amerikane sidomos, kur vijnë për herë të parë.

Prindërit i sjellin pranë kësaj shkolle prestigjioze në Bronx për të mësuar Gjuhën Shqipe, historinë, kulturën dhe traditat e mrekullueshme. Ata ndihen krenar me mësueset, shkollën që iu afron këto mundësi të mëdha për Gjuhën Shqipe dhe natyrisht si themelues na shtojnë detyrat dhe përgjegjësinë e madhe për ta ushtruar këtë Mision Kombëtar në lartësinë e duhur profesionalisht dhe atdhetarisht.

Ndonëse për ne si themelues dhe mësues vështirësitë janë të panumërta, që me sigurimin e nxënësve, ardhjen e nxënësve të rinj, bisedimet me prindërit për t’i sjellë fëmijët e tyre pranë shkollave, sigurimin e librave, sjelljen e tyre nga Tirana, marrjen e mjediseve në shkollat publike, pasi filozofia jonë e drejtimit ka qenë: “Shkolla do shkollë, mjedis shkolle dhe jo gjithëfarë mjedisesh të tjera”.

Takimi me Presidenten e Kosovës znj. Vjosa Osmani

Ndonëse ishim në ditën e parë dhe ashtu si deri në ditën e fundit mësimin e kemi të shenjtë, ose super të shenjtë, shpesh nuk shkojmë kur marrim ftesa nëpër aktivitete të shumta që marrim si media Alba Life, sidomos në këto orë të mësimit. Këtë radhë e shkelëm vetëm për Kosoven, presidenten Vjosa Osmani si përfaqësuese e shtetit të Kosovës shkuam me nxënësit, prindërit dhe mësuesit dhe të gjithë ata që kishin mundësi. Fjalimi i presidentes Vjosa Osmani do të ngelet shumë mbresëlënës pasi ishte për Gjuhën Shqipe, identitetin tonë kombëtar dhe mbrojtjen e saj. Natyrisht Alba Life edhe pse e përfaqësuar me një shkollë të Bronxit dhe me një mësuese të nderuar nga Brooklini Fatlinda Bajçinca Gashi bashkë me dy nxënëset e saj, kishte disa radhë të auditoriumit që i mbushte me bluzat me simbolin e Shkollave Shqipe. Në këtë ditë u nderuan me medaljen presidenciale të Kosovës z. Qemal Zylo themelues dhe drejtor i shkollave dhe mësuese Entela Muda me plot meritë në Staten Island me një përvojë të gjatë dhe bashkëpunimi besnik ndaj Alba Life dhe Misionit Kombëtar. Po ashtu u nderuan dhe nxënëset si Dastida Gashi, Eliona Shala, Sara Memaj, Klestia Xama, Venera Burga, Fiona Vucetaj, natyrisht në bazë të numrit që u dha nga z. Gjonaj kur ne shkuam në sallë, pasi më parë nuk e dinim që do të vlerësoheshin dhe nxënës.

Shkollat Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit janë bërë frymëzim dhe në mjaft hapje të shkollave të tjera në Diasporë dhe është e moralshme që vitet e saj 18 vjeçare, skrupuloze dhe të suksesshme të mos përzihen me tipe “mësimesh” që u hap sot këtu dhe u mbyll nesër atje… Mos të përzihet me ego të sëmura tipa “kaposh” që servilosen nëpër pushtete dhe vetëshpallen lider të Diasporës ku askush nuk i ka votuar dhe nuk i ka dëgjuar kurrë për bëmat e tyre…

Në shoqërimin si “triumfatorë” kur hynë në sallën që shoqëronin zonjën Vjosa Osmani mungonte Alba Life. Këtë lloj “statusi” nuk e kemi pasur kurrë merak, por meqënse ishte bërë një organizim I tillë me shoqëruesa, doemos është ndjesi e pështirë. Prindërit, mësuesit ngelen të befasuar për lënien në hije të shkollave shqipe “Alba Life” në gjithë Nju Jorkun. Kjo ra në sy dhe u bë shumë shqetësuese, prandaj nëse ftohen shkollat shqipe organizuesit duhet të mbledhin në tyrezë të përbashkët themeluesit për hartimin e një programi rreth aktivitetit, sepse luanit thotë populli t’i jepet pjesa që i takon. Edhe pse z. Gjonaj ishte organizuesi kryesor unë ende nuk e besoj qe ai i la në hije shkollat “Alba Life”. Unë besoj tek ndonjë të vetëshpallur si lider që janë shumë herë më mbrapa, në hapjen e shkollës shqipe dhe nuk mund të krahasohet me Alba Life, por ja që atje në presidium i thirrën shumë më para nesh duke i mbivlerësuar sikur të jenë themeluesit e shkollave Shqipe në gjithë Diasporën, apo duke parakaluar para auditoriumit me egon e shfrenuar dhe të “madhështisë”, kur në fakt këta lider të vetëshpallur nuk i kemi parë për pikë kontributi pranë nesh. Jo vetëm që s’i kemi parë, por vendosin gurë nën rrota për t’i shkatërruar. Sidoqofte njëherë tjetër dhe shume shpejt do të flas rreth fenomenit të bërrylave që mjerisht është e pandashme midis nesh…

Nuk mund të ftosh në këtë aktivitet prindërit e Alba Life dhe nxënësit e saj duke iu thënë troc deri dhe nëpër statuse si: ju ftojmë të vini cdo të shtunë në shkollë tjetër nën emrin tim. Kjo është vërtetë corientim, poshtëruese, jo dashamirësi, jo mbështetje dhe u kuptua qartë se aktiviteti dukej sikur ishte në shërbim të një shkolle tjetër që fillimisht na ka kërkuar aq ndihmë si ta hapte.

Sinqerisht kurrë, kurrë s’do ta bëja një gjë të tillë, duke i rrëmbyer punën tjetrit dhe ta ndërtosh lavdine tënde në kurrizin tonë…

Dhënia e librave të Abetares me nga 10 për cdo shkolle, ishte shumë konfuze, u krijua një gjendje tensionuese ku u ngritën pa radhë, pasi të vetëshpallurit u thirrën që në fillim morën librat dhe drejtues të tjerë dukej se nuk po merrnin libra. Ardhja e prindërve, nxënësve për të marrë librat krijoi tension të paparë, rrëmujë, radhë të madhe saqë Presidente Osmani me të drejtë u detyrua të largohej. Kjo gjendje krijoi irritim ndër prindër, nxënës, prandaj si drejtues të Alba Life e kemi ngritur nëpër isntitucione që ardhja e librave duhet bërë ligjore nga shteti amë dhe Kosova dhe jo të jepen dhuratë nga 10 libra sa për t’u dukur. Shtroj pyetjen po nxënësit e tjerë nuk duan abetare?

Sidoqoftë më duhet të them publikisht dhe të dokumentuar se TV dhe Shkollat Shqipe “Alba Life” u themeluan në shërbim të Kosovës dhe Gjuha Shqipe e Kombit tim e bën ato të mos e ndalojnë këtë Mision të shenjtë.

Të punosh në këtë shkollë nga më prestigjiozet është nder, përkushtim dhe detyrim moral. Ne ndihemi të gëzuar që shumë mësues, prindër, nxënës i kanë qëndruar besnik këtij misioni ashtu sic duhet të veprojë cdo shqiptar e bir shqiptari. Ajo që mësojmë nga ky Institucion arsimor kulturor është meritokracia. Këtë e mësuam mirë dhe e ndjemë nga afër, kur Parlamenti dhe Senati i Nju Jorkut u cuan në këmbë për këtë punë kolosale të Shkollave Shqipe “Alba Life”, dhe u dëgjuan zërat tanë, u vlerësua MESIMI SHQIP Në NEW YORK DHE Në ONLINE. Kjo ndodhi për herë të parë në historinë e Diasporës Amerikane, që të dëgjohen gjuha shqipe në gojën e politikaneve amerikanë të votuar nga 18 milionë nju jorkez, ku u nderua me një sezion të vecantë. Kjo ndodh sepse ne punojmë bashkë për një qëllim madhor dhe amerikanët e kanë në kulturën nderimin e punës vullnetare dhe të dobishme. Shpresoj shumë që vendi ynë, liderët e vërtetë apo dhe të vetëshpallur që s’duhet të pranohen pa vota se është dhunim i demokracisë të mësojnë nga vendet më të zhvilluara, më të civilizuara të mësojnë nga Burrat e vërtetë të Kombit dhe Diasporës sidomos ata që janë votuar masivisht për 18 vite nga prindërit, nxënësit dhe mësuesit dhe i përhapën shkollat Shqipe në gjithë Nju Jorkun duke sakrifikuar dhe privuar që mund të bënin jetën e tyre sa më “lluksoze” private…

Urime dhe le të vazhdojmë të ecim pa u ndalur krah për krah si 36 Shkronjat e Alfabetit Shqip pranë Shkollave Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit!

Këta nxënës dhe jo vetëm Alba Life, ku dhe për shumë shkolla të tjera të hapura në Diasporë kemi shkruajtur reportazhe, filmuar, fotografuar meritojnë shumë e më shumë, sepse bashkë e mbrojmë më shumë amanetin e të parëve dhe Kombin.

Ndërsa punoja, takoja nxënësit e Alba Life apo prindërit e shumtë më dukej se në auditoriume dëgjoja zërin brilant të Gjergj Fishtës që s’do të shuhet sa të ketë shqiptar mbi dhe si:

Edhe shqyp na thanë se Zoti,

për shqyptarë Shqypninë e fali,

se sa t’enden stina e moti,

do ta gzojn kta djalë mbas djali.

Dita e parë e shkollës ishte plot me dritëza perëndie, dritëza shqip që të motivon për ta vazhduar Misionin Kombëtar që tashmë hymë në vitin e 18-të pa u ndalur.

21 shtator

Bronxc New York

Filed Under: Komunitet

“Kultura” e fyerjes dhe shpifjes si narracion i “së vërtetës” dhe krijimi i ambientit të helmët social

September 23, 2024 by s p

Enver Sulaj/

1.
Në kohën kur rrjetet sociale ia hapën rrugën secilit që ta shfytëzojë lirinë e shprehjes dhe paraqitjes publike, edhe mënyra e komunikimit ka ndryshuar rrënjësisht; ka ndryshuar edhe perceptimi publik gati për gjithçka. Duket se nuk ka më një kriter të pranueshëm apo një koncensus social se çka është e mirë e përgjithshme, e çka jo; çka është vlerë, e çka jo. Shpesh, edhe më të informuarit, që kanë një përgatitje shkollore solide dhe një përvojë jetësore e profesionale, mbeten pa gojë para realitetit të tillë. Përderisa në sistemet totalitare janë mekanizmat shtetërorë që kontrollojnë të gjitha poret e jetës, sot, në kohën e zhvillimit të rrufeshëm teknologjik, është edhe armata e rrjeteve sociale, e organizuar mbi baza të ndryshme, që, njëjtë, si diktatura, e ushtron njëfarë kontrolli ose në rastin më të mirë përpiqet ta kontrollojë e orientojë mendimin publik. Kjo intensifikohet në kohë zgjedhjesh e lobingu për çështje të caktuara, nga mekanizma shtetërorë, por edhe grupe të ndryshme interesi.

2.
Duke dëgjuar këto ditë një “këngë” që po qarkullon në rrjetet sociale, ku fyhet rëndë Kryeministri i Kosovës, z. Albin Kurti, ndërsa jo rrallë hasim edhe postime me fyerje e shpifje, për gjithçka që i bie ndërmend armatës së rrjeteve sociale, njeriu normal s´ka se si të mos tmerrohet e të pyes: Kah po shkojmë si shoqëri? Ku janë institucionet, shtetërore, OJQ-të, shoqatat e organizatat e ndryshme, institucionet kulturore, arsimore etj.? A është heshtja si zgjidhje? Absolutisht jo! Si të veprojmë, pra? Thjesht, të flasim e të shkruajmë me përgjegjësi e argumente, duke mos qëndruar në heshtje në zonën e komoditetit e të komformizmit, sepse dikur mund të bëhet vonë. Së paku, të ngrisim zërin kundër fyerjeve, shpifjeve, pohimeve të pargumentuara dhe kërcënimeve për mendimin ndryshe, si „kulturë“ komunikimi. Kjo po krijon një ambient të helmët social, që po na vret të gjithëve ngapak e përditë! E, më e keqja është, se ne kujtojmë se gjithçka është në rregull dhe nuk e konsiderojmë veten përgjegjës për të reaguar në situata të tilla, duke menduar se janë të tjerët që kanë përgjegjësi edhe për ne.

3.
Mentaliteti i konformizmit dhe heshtjes, sidomos të intelektualëve, nuk ka vend në shoqëritë që synojnë përqafimin e vlerave demokratike. Si i tillë, ky mentalitet, që buron nga logjika e të pushtuarit dhe të nënshtruarit, duhet të çrrënjoset një ditë e më parë, për të demaskuar konjukturat klienteliste të çdo krahu e ngjyre, nepotizmin dhe njëfarë organizimi patriarkal që synon privilegje pafund për vete e familjarët e vet, ndërsa qytetarët i sheh si pjesë të makinerisë së votimit. Shprehja e lirë e mendimit, pa fyerje, sharje e kërcënime është e drejtë e secilit, në të kundërtën, ne shkelim parimet bazë të demokracisë dhe sigurisht bartim edhe përgjegjësi. Pra, nuk duhet të lejohet shpërdorimi i fjalës së lirë dhe instrumentalizimi i saj nga makineria e propagandës politike, që, në mungesë arsyetimesh e alternativave për zgjidhjen e drejtë të problemeve të vendit, nxisin fyerjen e shpifjen, duke shpërfaqur profile të papranueshme morale e politike. Vota buron nga mendimi i lirë e gjykimi i ftohtë, pa helm në shpirt e urrejtje për njëri-tjetrin.

Filed Under: ESSE

Peozia lirike shqipe

September 23, 2024 by s p

Gjon F. Ivezaj/

Në lëtërsinë e vjetër shqipe gjejmë fort pak vjersha lirike. Edhe ato pak poezi që kemi janë në pjesën ma të madhe vjersha të përshpirshtme. I pari poet shqiptar që botoi vjersha lirike është Pjetër Budi. Ky, në veprën e përkthyeme që mban titullin „Doktrina e kërshtenë”, botue më 1618 në Romë, shtypi afër dy mije vargje, të ndame në 19 vjersha. Budi âsht i pari që përdori tetërrokshin tonë popullor të tipit trokaik. Këto poezi, sadoqë në pjesën dërmuse janë përkthye e përshtate prej italishtes e latinishtes, me ndonji vjershë origjinale aty këtu, kanë randësi të madhe historike për poezinë shqipe. Mbas këtyne vijne viersha e shkurtë e Luke Bogdanit dhe ajo e Lukë Sumës, botue si peng nderimi në fillim të veprës së Pjetër Bogdanit. Këto dy vjersha u botuen më 1685. Poezia lirike shqipe shënon nji hap përpara drejt zhvillimit të saj me cfaqjen e poetit të talentuem Pjetër Zarishit dhe bejtexhijve si: Ibrahim Nezimi, Hasan Zyko Kamberi, Muhamet Kyçyku etj. Mirëpo, lulzimi i vërtetë i poezisë sonë fillon në periodën e Rilindjes, sadoqë poezia shqipe pat ba disa hapa të suksesshme edhe ma parë mbatanë Adriatikut, ndër Arbëreshët e Italisë. Kjo poezi pat fillue të zhvillohet qysh kah fundi i shekullit XVII me veprimtarinë që zhvilluen poetët: Nilo Katalano, Nikollë Brankati, Nikollë Filia, Jul Variboba etj. Porse, si u theksue ma nalt, poezia shqipe mbështetet mbi baza të shëndosha
qysh nga viti 1836, kur botohet poema e parë shqipe „Këngët e Milosaos” e de Radës. Tematika e re, të cilën solli de Rada me këtë vepër, zuni nji vend ma të gianë në veprat e tij të mavonshme. Me cfaqien e
Naim Frashërit në letërsinë shqipe, poezia lirike zuni nji vend të randë-sishëm dhe c’prej kësaj kohe ajo shenoi suksese të njimbasnjishme.
Mbas Naimit, veprojnë nji varg poetësh të tjerë si Ndre Mjeda, Cajupi, Filip Shiroka, Luigi Gurakuqi, Mihal Grameno, Asdreni, Ali Asllani, Lasgush Poradeci, Fan Noli, Hilë Mosi, Kristo Floqi, Migjeni etj., veprimtaria e nji pjese të të cilëve kalon edhe në shekullin tonë.


Gjatë Rilindjes, poezia lirike shqipe iu kushtue gati kryesisht lëvizjes se atëhershme kombëtare. Frymëzimet kryesore të sai qenë lufta për liri dhe dit ma të lume. Shumica e poetëve të asaj kohe si De Rada, Naimi, Vaso Pasha, Mihal Grameno etj. Qenë njiherit udhëheges dhe luftarë të paepun të lëvizjes clirimtare. Ata luejtën rol të madh jo vetëm
me veprat që krijuen, por edhe tue themelue shoqni, tue drejtue gazeta, tue hapë shkolla etj. Deri në vitin 1825 poezia shqipe kishte ba njifarë zhvillimi të vogël, porse në rrugën e saj ajo kishte hasë në shum pengesa. Deri në këtë kohë ajo qe nji poezi ku mbisundojshin përkthimet dhe përshtatjet me
karakter fetar. Ma vonë ajo fitoi përherë ma tepër edhe karakter origjinal. Edhe poezia e shekullit XVIII qe në filim nji poezi me frymë fetare.
Mirëpo, dalngadalë në te filloi të zajë  njifarë vendi edhe jeta e popullit.
Kjo vlen në rend të parë për poezinë e Jul Varibobës. Sa i përket krijimit të poezisë lirike shipe me frymë laike, kjo meritë i përket Ibrahim Nezimit e sidomos Hasan Zyko Kamberit. Në krijimet poetike të këtyne dy viershëtorëve, jeta shqiptare filloi të zajë nji vend të dukshëm. Mi-
rëpo, poezia e bejtexhijve e shekullit XVIII e XIX pat pësue nji ndikim
të madh prej letërsisë orientale dhe gjuhës së pushtuesit. Përpos kësaj, ajo në pjesën dërmuese pat karakter fetar.


Poezia lirike e Rilindjes solli tema të reja. Poetët de e lavruen këte, i kushtuen kujdes të madh pastrimit të gjuhës prej fjalëve të hueja. Kjo tematikë, që filloi me krijimet e de Radës, zuni vendin kryesor me veprat e Naimit, të cilat filluen të botohen tue fillue prej vitit 1886.
Naimi trajtoi temat aktuale të asaj kohe, tue i këndue atdheut të vet, bukurive dhe pasunive të saj, jetës së popullit punues. Në fillim të shekullit XX, letërsia e Rilindjes kaloi në realizëm me cfaqjen e Cajupit.

Filed Under: LETERSI

Ekspedita e Viktor Lebzelter dhe kafkat Ilire në Pukë

September 23, 2024 by s p

Nga Ndrek Gjini
MA, University of Galway, Ireland

Kush ishte Viktor Lebzelter?

Viktor Lebzelter ishte një antropolog austriak i njohur për punën e tij në antropologjinë fizike gjatë fillimit të shekullit të 20-të. Ai lindi në vitin 1889 dhe zhvilloi studime të gjera në Europë dhe Afrikë, duke u fokusuar kryesisht në kraniometri dhe klasifikimin racor, një praktikë e zakonshme e kohës. Një nga ekspeditat e tij u zhvillua në veri të Shqipërisë, veçanërisht në rajonin e Pukës, ku ai studioi tiparet fizike dhe etnografike të fiseve lokale, duke bërë matje të detajuara të kafkave dhe duke vëzhguar kulturën dhe traditat e tyre. Puna e tij në këtë rajon synonte të lidhte shqiptarët me origjina të lashta, si ajo ilire. Lebzelter vdiq në vitin 1936, duke lënë pas një trashëgimi të madhe në fushën e antropologjisë. Ekspedita e tij në Shqipëri, përfshirë edhe rajonin e Pukës dhe zonat përreth, kishte për qëllim studimin e veçorive fizike, kulturës dhe etnografisë së popullatave lokale, të cilat ai i qasej përmes lenteve të antropologjisë fizike dhe klasifikimit racor. Për këtë ekspeditë flet edhe antropologu i famshëm Amerikan i Universitetit të Harwardit-t, Prof. Sacleton Coon. Në faqën 185 të veprës së tij monumtale ‘Racat e Europës’ , Coon thekson: ‘Në Shqipëri, një vend ende pak i njohur nga ana arkeologjike, është zbuluar një kafkë që i përkiste një grupi ilirësh të romanizuar, në një vendbanim të epokës së hekurit në zonën e fisit të Pukës. Kjo kafkë është mesocefalike dhe duket se, aq sa mund të gjykojmë, përfaqëson një përzierje mes ilirëve të tipit të vjetër dhe popullsisë dinarike.’ Prof. Coon i referohet një studimi shkencor të botuar në vitin 1919 nga Viktor Lebzelter, ose më saktë nxjerrë nga AFA ,Volumi 45 faqet 143-146.

Gjetjet Kryesore dhe Kërkimet në Veri të Shqipërisë

Studimet Kraniometrike

Metoda kryesore e studimit e përdorur nga Lebzelter ishte kraniometria, matja dhe analiza e formës së kafka, që ishte e zakonshme në antropologjinë fizike të asaj kohe. Kafka që ai gjeti pranë Pukës u bë pjesë e studimit të tij më të gjerë për të dokumentuar dhe krahasuar veçoritë kraniale të popullit në veriun e Shqipërisë me ato të popullatave të tjera evropiane dhe ballkanike.
Lebzelter besonte se veçoritë fizike të popullatave, veçanërisht forma e kafkës, mund të jepnin të dhëna për origjinat e tyre racore dhe migrimet historike. Ai i konsideronte shqiptarët, veçanërisht ata të veriut, si njerëz me tipare fizike të dallueshme që i lidhnin me origjinat e lashta ilire. Gjetjet e tij përfshinin matje të detajuara të kafkave, të cilat ai i përdorte për të nxjerrë përfundime mbi sfondin historik dhe racor të rajonit.

Vëzhgimet kulturore

Ndërsa puna e tij fokusohej kryesisht te antropologjia fizike, Lebzelter bëri gjithashtu vëzhgime kulturore dhe etnografike për njerëzit e Veriut të Shqipërisë. Ai ishte i interesuar për zakonet lokale, strukturat shoqërore dhe traditat, përfshirë sistemin e fiseve të rajonit, Kanunin (kodi tradicional i ligjeve) dhe stilin e jetesës së izoluar malore të banorëve. Këto aspekte kulturore, të kombinuara me studimet e tij fizike, kontribuan në portretizimin e malësorëve të veriut të Shqipërisë si një popullatë të veçantë dhe të lashtë, relativisht të paprekur nga ndikimet e jashtme në krahasim me pjesët e tjera të Ballkanit.

Klasifikimi Racor

Një nga aspektet kryesore të punës së Lebzelter ishte përpjekja e tij për të klasifikuar njerëzit e Veriut të Shqipërisë brenda kornizave racore të kohës së tij. Ai besonte se popullata tregonte tipare të racës dinarike, një kategori e përdorur në antropologjinë e fillimit të shekullit të 20-të për të përshkruar disa karakteristika fizike të popullatave në Ballkan dhe pjesë të Evropës Qendrore, si shtati i gjatë, kafkat e gjata dhe tiparet e spikatura të fytyrës.
Lebzelter, së bashku me antropologë të tjerë të kohës së tij, përdorte këto tipare fizike për të bërë përgjithësime të gjera për sfondin etnik të popullatës, duke sugjeruar lidhje me ilirët e lashtë ose popujt e tjerë të hershëm të rajonit. Kjo ishte pjesë e një interesi më të gjerë evropian për të identifikuar origjinat “racore” të popullatave të ndryshme bazuar në karakteristika fizike.

Ndikimi i Gjetjeve

Puna e Lebzelter, megjithëse me ndikim në atë kohë, është kritikuar për mbështetjen e saj në teori racore. Antropologjia moderne deri në vitet 2010 nuk e pranonte konceptin e klasifikimeve racore të qëndrueshme të bazuara në tipare fizike, pasi popullatat njerëzore janë shumë më komplekse gjenetikisht dhe kulturalisht sesa e lejonin këto teori. Por analizat e AND-së e kanë rikonsideruar këtë teori. Gjithësesi, kërkimet e tij ofruan dokumentim të hershëm të popullatave shqiptare, duke kontribuar në kuptimin më të gjerë antropologjik të Ballkanit gjatë asaj periudhe.

Etnografia e Komuniteteve të Izoluara

Përveç tipareve fizike, Lebzelter gjithashtu dokumentoi izolimin kulturor të fiseve veriore të Shqipërisë. Ai vuri re se këto zona ishin relativisht të paprekura nga ndikimi osman, i cili kishte pasur një ndikim të madh në pjesët e tjera të Shqipërisë. Ky izolim pasqyrohej në qëndrueshmërinë e zakoneve tradicionale, veshjeve dhe strukturave shoqërore, gjë që tërhiqte antropologë evropianë si Lebzelter, të cilët i shihnin këto fise si mbetje të gjalla të së kaluarës së Evropës.

Kontekst dhe Kritikë

Puna e Lebzelter duhet kuptuar brenda kontekstit të antropologjisë së fillimit të shekullit të 20-të, e cila pasqyronte përpjekjet e antropologëve evropiane për të kategorizuar popullatat njerëzore në terma hierarkikë, ku “racat” perëndimore evropiane shpesh vendoseshin në krye të këtyre hierarkive.
Në rastin e Shqipërisë, studiues si Lebzelter kërkonin të shpjegonin veçorinë fizike dhe kulturore të malësorëve të veriut duke i lidhur ata me popujt e lashtë si ilirët, duke ushqyer kështu narrativat nacionaliste që kërkonin të krijonin një identitet ilirjan për shqiptarët.

Gjetjet e Viktor Lebzelterit

Gjetjet e Viktor Lebzelterit në Veriun e Shqipërisë, veçanërisht përreth Pukës, janë një reflektim i trendeve të antropologjisë fizike të kohës së tij, duke vënë theksin në studimet kraniometrike dhe klasifikimin racor. Puna e tij ofroi njohuri të thella shkëncore antropologjike për popullatat e rajonit. Shkrimet e tij studimore mbi jetën kulturore dhe shoqërore të fiseve të veriut mbeten të vlefshme nga një perspektivë historike, duke dokumentuar jetën e fiseve në një rajon malor të paprekur në fillim të shekullit të 20-të.

Filed Under: Histori

PRESIDENTJA E KOSOVËS VJOSA OSMANI VIZITOI VATRËN

September 21, 2024 by s p

Sokol Paja/

New York, 21 shtator 2024- Presidentja e Republikës së Kosovës Shkëlqesia e Saj Dr. Vjosa Osmani Sadriu zhvilloi një vizitë zyrtare në Federatën Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra. Ajo shoqërohej nga Ilir Dugolli- Ambasador i Kosovës në SHBA, Blerim Reka- Ambasador- Konsullata e Përgjithshme e Kosovës në New York, Learta Hollaj – shefe e stafit, Rejhan Vuniqi- këshilltare, Donika Kadaj Bujupi- këshilltare, Rinor Nuhiu- këshilltar dhe Albana Krasniqi- këshilltare e Presidentes Osmani.

Delegacioni zyrtar i Vatrës përbëhej nga nënkryetari i Vatrës: Alfons Grishaj, sekretari i Vatrës Dr.Pashko Camaj, arkëtari i Vatrës z.Besim Malota, Kryetari i Këshillit të Vatrës: Kolec Ndoja, Editori i Diellit: Sokol Paja, drejtori i degëve të Vatrës: Mondi Rakaj, anëtari i kryesisë së Vatrës Ilir Cubi e studiuesi Dr. Paulin Marku. Nënkryetari i Federatës Vatra z.Alfons Grishaj në fjalën e mirëseardhjes në emër të kryetarit Dr. Elmi Berisha e gjithë vatranëve uroi: “Presidente e Dardanisë, mirë se erdhe në Vatër, në tempullin e lirisë, në djepin e nacionalizmi shqiptar, në institucionin e parë gjithëpërfshirës nga të gjitha trevat shqipfolëse që dha shembullin e bashkimit kombëtar nën një himn dhe flamur kombëtar”. Në emër të Vatrës nënkryetari z.Grishaj i akordoi Presidentes Vjosa Osmani “Mirënjohje” me motivacion: “Për merita të veçanta në lidershipin politik e unifikues në ndërtimin e shtetit të Kosovës, promovimin e shkëlqyer të Kosovës në arenën ndërkombëtare, për zhvillimin demokratik të institucioneve, forcimin e lirisë e demokracisë, të jetës pluraliste e institucionale në Kosovë e kontributin e jashtëzakonshëm në fuqizimin e diplomacisë, reformave e sundimit të ligjit në Kosovë”.

Editori i Diellit ekspozoi sukseset e Federatës Vatra e gazetës Dielli si trashëgimi e veçantë patriotike, kombëtare, atdhetare morale e shpirtërore në mërgatën e Amerikës. Editori ekspozoi punët e mëdha kombëtare të Vatrës përgjatë një shekulli e një dekade veprimtari atdhetare në shërbim të interesit të kombit shqiptar e komunitetit tonë në mërgatën e Amerikës. Gjatë fjalës së saj presidentja Vjosa Osmani vlerësoi punën e Vatrës si shkëndijë e fuqishme atdhetare në Amerikë dhe lartësoi miqësinë e pa ndashme e mbështetjen e përjetshme prej Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Në periudhën më të vështirë të ekzistencës kombëtare, mërgata e Amerikës me në krye Vatrën bënë që të dëgjohej fort zëri i Kosovës” tha presidentja Osmani. Mërgata e Amerikës dha shkëndija shprese dhe shqiptarët e Amerikës ishin shtyllë kryesore që i hapën Kosovës derën në Shtëpinë e Bardhë për të sjellë lirinë dhe pavarësinë. Falë orientimit pro perëndimor e euroatlantik, Kosova është histori suksesi falë mbështetjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës cilësoi zonja Osmani. Kosova ndërtohet mbi bazën e vlerave perëndimore që janë themeli i vlerave të Bashkimit Europian. Vatra është sinonim i mbrojtjes së vlerave më të çmuara kombëtare, vlera që janë themeli i shtetit të Kosovës” tha ndër të tjera Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani. Ajo u bëri thirrje të gjithë shqiptarëve në trojet etnike dhe diasporë për bashkim në shërbim të interesit kombëtar përballë forcave të errëta që sulmojnë shtetin e kombin shqiptar.

Dr. Pashko Camaj vlerësoi lidershipin e Presidentes Vjosa Osmani dhe miqësinë e përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndërsa Kryetari i Këshillit të Vatrës z.Kolec Ndoja u ndal në fuqizimin e femrës shqiptare si forcim i familjes, shtetit e shoqërisë. Presidentja Osmani i dhuroi Vatrës hartën e Republikës së Kosovës punuar në argjend teksa patriotja Alesia Shkorreti i dhuroi presidentes një buqetë me lule për respektin e mirëseardhjen te Vatra, qendra e atdhetarizmës në Amerikë, çaste emocionuese që u fiksuan në celuloidin e mjeshtrit të fotografisë Dritan Haxhia. Kjo ditë ishte e shënuar për Vatrën e mërgatën shqiptare të Amerikës. Një takim i shkëlqyer patriotik si dëshmi e lidhjes së gjallë me shqiptarëve të mërguar dhe shtetit të Kosovës , Shqipërisë e shqiptarëve në trojet etnike.

Vatra i shpreh mirënjohjen shqiptarëve të Amerikës për mbështetjen e pa kursyer, të gjithë atyre që e mbështesin Vatrën, i besojnë Vatrës, bashkëpunojnë me Vatrën për hir të interesit kombëtar shqiptar.

Filed Under: Featured Tagged With: Sokol Paja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 737
  • 738
  • 739
  • 740
  • 741
  • …
  • 2776
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT