• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Presidentja Osmani: Urdhri “Dr. Ibrahim Rugova”, për Jeff Hovenier – i cili për Kosovën ishte më shumë se një Ambasador

December 11, 2024 by s p

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në një ceremoni të veçantë ka dekoruar Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier me Urdhrin “Dr. Ibrahim Rugova”.

Postimi i plotë i Presidentes Osmani:

Urdhri “Dr. Ibrahim Rugova”, për Jeff Hovenier – i cili për Kosovën ishte më shumë se një Ambasador. Ishte me ne kur populli i Kosovës ishte viktimë e krimeve të llahtarshme, ishte me ne kur raportonte për masakrën e Reçakut, ishte me ne kur vendosnim themelet e shtetit tonë të pavarur, e ishte me ne edhe përgjatë viteve të fundit në mbrojtje të pavarësisë, sovranitetit dhe aleancës së pathyeshme me SHBA-të.

Faleminderit Ambasador Hovenier!

Filed Under: Interviste

PROFETI YNË DHE VËLLEZËRIT NJË LETËR DHE NJË RRËFIM

December 11, 2024 by s p

Nga Visar Zhiti/

JU SOLLËT NGA HARRIMI NJË NJERI TË MREKULLUESHËM…

Të dashur dhe të nderuar vëllezërit Lole,

Edmond, Gavril, Polizoi, Dhimitër!

Jam i mallëngjyer dhe i emocionuar nga ky libër i pazakontë, që arriti larg, edhe në duart e mia, i cili nën kujdesin tuaj, idealin tuaj, dashamirësinë tuaj, shpenzimet tuaja, u bë…Shoh që ju e keni përgatitur veprën, keni shenjuar gjurmët e një jete dhe bëtë bashkë fletoret me poezi të asaj jete, që i kishit ruajtur dhe sigurisht kanë një histori. i dërguat për botim… dhe sot përurohet libri:

“Dr. Zisi Vangjeli

Atdhedashuria ime”.

Një titull rilindas, do të thosha, por ç’lidhje keni ju me autorin apo është thjeshtë kushëriri i parë i babait tuaj, z. Qirjako Lole, që vdiq në burgjet politike të diktaturës, që lamë pas… Jo, është më shumë se një lidhje gjaku a bamirësi, është amanet i pashkruar mbase, por shpirtëror, është kujtesë e përbashkët, mision, copëz e dhimbshme e të vërtetës historike, që na duhet, është poezia, është “e bukura që do të shpëtojë botën” siç thoshte një i burgosur tjetër i madh, Dostojevski, është porosi për të ardhmen, që të jetë sa më njerëzore.

Bëma juaj e bën të veçantë këtë libër, shembullor, prekës.

Mirënjohës, vëllezër, ju them si lexues.

Nga ana tjetër ky libër është i pazakonshëm se është i një autori të jashtzakonshëm. Aq sa i panjohur, po aq dhe i mrekullueshëm, Ziso Vangjeli, burrë i ditur, njihte 9 gjuhë, qëndrestar në burgjet shqiptare të diktaturës, që ende kërcënon, ndërkaq dhe hero, veteran i Luftës II botërore, por si qytetar amerikan. Krenari për të gjithë sot.

Dhe befasia për letrat tona, Ziso Vangjeli poet. Nuk dihej kjo, dhe nëse e dinte ndokush që ai shkruante fshehurazi, nuk mendohej se do të kishte mbetur gjë, ku, si, kush do të merrej me to në kohën e harresës së madhe?…

Po ja, tani kemi ndër duar 442 fletë libri, botuesi i mirënjohur “Uegen” me redaktor “Mjeshtrin e Madh”, shkrimtarin Xhevair Lleshi, na e bëri këtë shërbim.

Unë gjej lidhje të veçanta me këtë libër, sepse të veçanta i kam lidhjet me autorin, Ziso Vangjeli, por dhe me vëllezërit Lole.

Fëshfërima e fletëve të poezive të tij, ruan diçka nga e folura e tij zëulët, kur e dëgjoja në burgun e Spaçit, nga fryma e tij në ato dimra, kështu e ndjeva, kur libri më erdhi në Chicago larg, në SHBA, ku dhe Ziso Vangjeli kishte ardhur në shekullin e kaluar, mbaroi shkollën e mesme dhe universitetin dhe shkruante poezi dhe në anglisht.

Librin ma dërgonin ju, ti, Polizoi, i treti i vëllezërve, nga Franca, ku dhe Ziso Vangjeli zbarkoi si ushtar i SHBA me forcat aleate në Normandi.

Çfarë jete, si roman vërtet, një shqiptar kështu mes aventurave heroike të botës, me forcat e përparuara perëndimore!

Dhe një vit pas luftës Ziso regjistrohet në Universitetin e Sorbonës në Paris, merr gradën doktor i shkencave në letërsi, shkruante poezi dhe frengjisht, është viti 1962 dhe ai kërkon të kthehet në atdhe, kur Shqipëria kishte vendosur diktaturën më të egër në kontinent, e lidhur me Lindjen, bënte pjesë në perandorinë komuniste, ndërkohë sapo kishte prishur çdo marrëdhënie me Moskën, me shtetin më të madh të kampit, Bashkimin Sovjetik dhe po i avitej Azisë, duke bashkëpunuar me Kinën.

Së pari dërgoi librat e tij, bibliotekën e madhe siç ndodh me udhëheqësit që shkojnë në një vend tjetër, dërgojnë të tjerë më parë, vëzhguesit, rojet e fshehta a pjesë të gardës atje, pararoja dhe garda e Ziso Vangjelit ishin librat, enciklopeditë, fjalorët, historia, romanet, ia dhuroi shtetit, ia dha ambasadës shqiptare në Paris dhe ende nuk gjendet se ku ka perfunduar ajo bibliotekë.

Ziso Vangjeli donte t’i shërbente vendit tek më e rëndësishmja për shpirtin e një populli, në arsim dhe kulturë, do të vinte me dy diploma universitare të mëdha, kur ai që sundonte Shqipërinë, Enver Hoxha, s’kishte asnjë për be, dhe ata njiheshin bashkë, që në Liceun e Korçës. Kjo s’ishte dhe aq e mirë, përkundrazi, ishin më të rrezikuar ata që e kishin njohur Enverin në rini…

Pas 6 vjetësh dyshimesh, mospërkrahjeje dhe përndjekje të fshehtë, në qytetin e tij, në Përmetin, ku kishte lindur e dënojnë me 20 vjet burg me akuzën për tradhëti ndaj atdheut, kur në fakt ai nuk po kapej në kufi për t’u arratisur, por ishte kthyer i përmalluar, për të shërbyer.

Ju, vëllezër të tij dhe tanët e dini mirë, e keni njohur Zison duke e patur në shtëpinë tuaj, që fëmijë, u rrit me ju, e keni dashur, e keni mbështetur, por edhe e keni vuajtur, duke e dashur prapë pa kushte, prapë e morët në shtëpi…

Unë e njoha Ziso Vangjelin në burgun e Spaçit, ashtu truppakët, i zbardhëllemte, me dritë në sytë si të picëruar, sikur shikonte diçka që nuk e shihnin të tjerët, me një buzëqeshje plot sinqeritet dhe ironi, të përziera bashkë, edhe pse kishte bërë nja 11 vjet burg në atë kohë dhe do të bënte vite e vite të tjera.

Kisha kërshëri, kur më thanë ç’ishte ai… Shiheshim ndër rreshta, e përshëndesja, do t;e doja t:e rrija më shum;e me të, por punoja në minierë si skllav, me turne, kohë s’kishim dhe koha s’ishte jona…

Më vjen mirë që në burgologjinë time, në librin për Spaçin, “Rrugët e ferrit” kam dhe Ziso Vangjelin, arrita të them diçka për atë, ribëra një bisedë tonën, që pati jehonë dhe u përhap ndër lexues për kumtin që mbart. Dhe mbeti si një profeci për rënien e komunizmit dhe për sundimtarët e mëpastajmë, për hibridin e tranzicionit, ku doktrina e dhunës për një botë të re, do të zvetënohej në idealin e parasë dhe do të bëhej kështu karikatura e frikshme e etërve mizore te bijtë në demonkraturë, etj, etj.

Unë do të thosha se idetë e tij, vizionet, dija,, kundërshtitë, guximi janë shpalosur gjerë në monografinë “Intelektuali i madh i një qyteti të vogël”, e studiuesit dhe historianit Xhafer Sadiku, të cilin ju, vëllezër të dashur, e citoni me nderim. Ai solli nga jeta e tij.

Kurse ju me librin e poezive sollët nga shpirti e tij, natyrisht dhe ide e vizone, se edhe ato copëza jete janë. Dhe po e përuroni librin në Beratin e bukur, ku edhe vetë Ziso Vangjeli jetoi ca kohë. Por sot ai s’është me ju, s’vjen dot…

Pranoni përshëndetjet e mia për këtë veprimtari nga larg, por dhe nga afër, nga zemra, nga Çikago, në SHBA, ku pas rënies së perandorisë komuniste erdhi sërish Ziso Vangjeli si veteran i Luftës II Botërore i këtij vendi të madh, si dhe Zoti deshi t’i mbyllur sytë atje përgjithnjë.

Dhimbje, që vendi që e lindi, e nëpërkëmbi jetën e tij dhe nuk pati as vdekjen e tij.

Por ju, vëllezër të dashur, nëpërmjet poezisë ringjallët shpirtin e tij. Janë vargje të ngrohta, me vlagën e dheut amë, me atë thjeshtësi si këngët e popullit, me frymë naimjane, i këndohet vendlindjes, Përmetit:

Edhe gurët s’harroj,

Kot më joshin gjithë botët

i këndohet dijes, shkollës me dashuri prej f:emije:

Mëndesh’ të Parë, pas mëmës sate,

Mëonjëtoren vogëlushe pate…

.

Heronjve si Mihal Gramenos:

Takojen qendisur, pak mënjënë vënë

Ala Garibaldi mbi sy të kish rënë

Poezi për Naimin, Ismail Qemalin, Dora D’Istrias, Skënderbeun patjeter, etj, poezi për mallin, trishtimet, dashurinë, zhgënjimet, vuajtja janë gurra të poezisë së tij dhe shfaqen hija e policit, “që ndjek atdhetarin/ E ç’përbindësh e ka fryer?” – dhe pyetja është si akuzë. Ka vargje për hetuesin, “një si bishë e egërsuar” – e quan, por i thotë vetes dhe të gjithëve ne:

Në stihu qëndro si burrë

Dhe stuhishëm bëji ballë.

Ka poezi për demokracinë, Republikën, Kosovën e shkon në Francë, poezi për Viktor Hygoin, Shekspirin në Angli, Gëtes e Shilerit e Bethovenit në Germani, shkencëtarëve, mbërrin thellë në Rilindjen europiane, Dante, i afrohet antikitetit grek, etj, dhe kthehet në SHBA, poezi e presidentëve emblematikë, Franklin:

Qiejve u rrëmbeve rrufenë

Edhe tiranëve skeptrin…

apo Linkolnit: “Plumbi s’të vret Linkoln, mjer’ ai që vrau”, etj, etj

Një udhëtim marramendës, aq sa jashtë vetes, edhe brenda vetes dhe m’u ndërmend, kur donim të dënim me bashkëvuajtësit në ferr se çdo të thoshte emri Zisi, po ja në greqishten e vjetër do të thotë “jetë”, ndërsa mbiemri Vangjeli do të thotë “lajmëtar i së mirës”.

Dhe ai vërtet i mbart këto të dyja emblematikisht, një jetë plot jetë, me të gjitha.

Dhe ju, vëllezërit Lole, u bërë si mbiemri i njeriut tuaj, i Zisi Vangjelit tonë, lajmëtarë të së mirës.

Faleminderit!

Chicago, 9 dhjetor, 2024

ZBARKUESI NË TË ARDHMEN

Nxjerrë nga “Rrugët e ferrit”

Duke mos bërë dot të marrin, zgjodhëm injorantin. Pa qenë të mençur, ushtrojmë dinakun.

Ne nuk e kemi të shkruar strategjinë tonë kombëtare. Rilindësit tanë ishin më me vizion dhe bënin programe, manifeste, Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet. Tani s’dimë ç’duam e ç’bëjmë. Ndërtojnë komunizmin duke shkatërruar atdheun. Po bëjmë Shqipërinë e re, thonë, por nuk shpiket Shqipëria, ajo është. Bëj një herë veten tënde! Ju sollëm (atë që s’e kanë as vetë), lirinë, u thonë shqiptarëve robër, të burgosur. Ku ka të ardhme, kur vritet e tashmja?

Nga përtej po zbriste shkallët burri truppaktë, sikur ta kishte rrëgjuar një kumt i përtejmë. Me një shqetësim të tillë të gjithmontë, që askush nuk e meritonte t’ia dorëzonte, endej i qetë. Jo dhe aq plak, i përëndërrt. Dhe veshët si dy gjethe të mëdha, patjetër që duhej t’i kishte rrasur trojeve të lashta, herë njërin dhe herë tjetrin për të dëgjuar zërat. Ka dhe gumëzhima nga poshtë. Pastaj shkojnë lart. Ziso Vangjeli, historian dhe ushtarak, gjatë luftës kishte zbarkuar në Normandi si oficer amerikan. Punoi në Paris, pastaj në një klub kulturor dhe iu shkrep të kthehej. Sëmundja e dashurisë për atdhe? – e pyeta. Mbase, por je më i sëmurë pa të. Do të punonte si pedagog. Ia fali shtetit gjithë bibliotekën e vet dhe pastaj përfundoi në burg. “Kur të bjerë ‘komunizma’, – thoshte, – se do të bjerë ‘patjatër’, ne do të vuajmë më pas prej hibridit me ‘decenjë’… Komunistët janë të sofistikuar në politikën e kuadrit…”

Bijtë e të kuqve do të vijojnë baballarët. Ajo përzierje adhurimi, zelli dhe inati, herë e fshehtë e herë e hapur për baballarët e kuq që s’patën fuqi dhe mend të ishin të përjetshëm, do t’i bëjë më dinakë e më të ligj, pa besuar në përjetësi, pra në asgjë. Satanas do të thotë kundërshtar. Edhe pse i urrenin për vdekje, nga kundërshtarët e tyre do të vjedhin “idealizmën”, “pllanet”, “të thënat” e do t’i propagandojnë si barbarë për t’i vënë ata në jetë, kinse si amanete.

Dhe do t’u duhet të zhdukin të zotërit e këtyre ideve. Do të lakmojnë pushtet të pamerituar si trashëgimtarë, si zanatçinj, që dora-dorës do t’u bjerë ngjyra e kuqe, për së jashtmi, dhe kundërshtarët do të bëjnë sikur do t’i durojnë. Do të kërkojnë të bëhen ata pronarë dhe, që t’ia arrijnë, me zulm do të bëjnë atë politikë që etërit e tyre e “lëftuan” gjithë jetën si bolshevikë të trashë. Kundërshtarët e të kuqve në Shqipëri, ç’kanë mbetur pas kasaphanave dhe të rinjtë që do të dalin, ç’papërvojë do të kenë? Dhe kështu do të sundojë te ne hibridi. Janë si monstrat. E për të luftuar ata duhet qenë si ata. Do të jetë më keq ca kohë. Liria e detyruar është burg, por i hapur. Kaos dhe pasiguri. Unë nuk do të jem atëherë. Ju do të jeni, ti, shefi i policisë, jeni të rinj. Kujtomë, ti, ti, mbamë mend. Po nuk kujtove, ke për të qenë satana si ai. Si satanai, si shefi i policisë? Të të kundërshtosh pa u kuptuar si i tillë.

* * *

…nuk jam unë njeri kundër komunistëve, janë komunistët kundër njeriut… – thashë me vete dhe u çudita me zbulimin tim dëshpërues…

Filed Under: LETERSI

“Ligji për gjuhët”, a po rrëmohet në themelet e shtetit maqedon?

December 11, 2024 by s p

Hisen Berisha/

Më 11 dhjetor, Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut do të shqyrtojë një nga ligjet më të rëndësishme dhe më të ndjeshme të miratuara në periudhën e pas Marrëveshjes së Ohrit – Ligjin për Gjuhët. Ky akt përfaqëson një gur themeli për barazinë gjuhësore dhe për afirmimin e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, një komunitet që përbën faktorin shtetformues pa të cilin RMV nuk mund të qëndroj si shtet.

Kontestimi i Ligjit për Gjuhët, veçanërisht dispozitat që përcaktojnë përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe, është një tentativë për të kufizuar të drejtat e fituara të shqiptarëve pas luftës çlirimtare, dhe për të minuar proceset e integrimit shoqëror e politik.

Reagimi i Bashkimit Demokratik për Integrim, duke dërguar një letër informuese dhe alarmuese drejt SHBA-ve, BE-së dhe NATO-s, tregon shqetësimin për një tendencë të mundshme regresive që cenon jo vetëm barazinë qytetare, por edhe stabilitetin multietnik në vend.

Ky hap i BDI-së sugjeron gjithashtu një varësi nga komuniteti ndërkombëtar për të mbajtur balancat delikate në Maqedoninë e Veriut. Përfshirja e faktorëve ndërkombëtarë është një taktikë e përdorur shpesh për të ushtruar presion mbi institucionet vendase, veçanërisht në raste kur ekziston dyshimi për motive politike prapa vendimeve të gjyqësorit.

Ligji për Gjuhët nuk është thjesht një rregullim teknik apo administrativ por është i një rëndësie specifike në kontekstin politik dhe social, i cili simbolizon njohjen dhe respektin për diversitetin etnik dhe gjuhësor të Maqedonisë së Veriut. Zbatimi i këtij ligji ka qenë jetik për shqiptarët, duke siguruar që gjuha shqipe të përdoret në institucionet publike dhe të jetë një pjesë integrale e sistemit shtetëror.

Shqyrtimi i këtij ligji nga Gjykata Kushtetuese ngre pyetje të rëndësishme rreth balancës mes reformave demokratike dhe presioneve të grupeve konservatore që mund të synojnë kufizimin e të drejtave të fituara me shumë përpjekje. Një vendim që cënon zbatimin e plotë të ligjit do të minonte frymën e Marrëveshjes së Ohrit dhe do të krijonte një precedent të rrezikshëm për të drejtat e komuniteteve tjera në vend.

Duke iu drejtuar SHBA-ve, BE-së dhe NATO-s, BDI-ja synon të ndërgjegjësojë aktorët ndërkombëtarë për pasojat potenciale të një vendimi që do të kufizonte të drejtat gjuhësore të shqiptarëve. Ky reagim thekson se çështja e Ligjit për Gjuhët nuk është vetëm një problem kombëtar, por ka edhe një dimension ndërkombëtar që lidhet me stabilitetin rajonal, proceset integruese dhe respektimin e standardeve demokratike. Një gjë që duhet të thuhet zëshëm është fakti se shteti i Maqedonisë së Veriut nuk mund të ekzistoj pa faktorin shqiptarë. Historia jo shumë e largët na tregon se si është mohuar ekzistenca e shtetit maqedonas, i cili edhe ashtu është krijim strategjik të cilin e kanë mohuar e pënguar kohët të gjatë Bullgaria duke e mohuar si entitet, apo dhe Greqia duke e mohuar në aspektin toponimistik, e Serbia me synime për ta mbajtur nën sundim ose ndarë. Kurse janë shqiptarët që e mbështeten dhe ndihmuan në konsolidimin e tij deri te pavarësimi dhe krijimi i identitetit duke i përvetësuar si histori maqedonase të gjitha vlerat historike të kombit shqiptarë dhe duke e marr emrin sipas territorit që është ilir.

Në një kohë kur Maqedonia e Veriut kërkon të forcojë pozitën e saj si një shtet demokratik dhe multietnik, shqyrtimi i Ligjit për Gjuhët nga Gjykata Kushtetuese përbën një test kritik për angazhimin e vendit ndaj barazisë dhe drejtësisë sociale.

Çdo vendim që do të cenonte përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe do të rrezikonte jo vetëm arritjet e deritanishme, por edhe marrëdhëniet ndëretnike dhe perspektivën euroatlantike të vendit. Institucionet e Maqedonisë së Veriut dhe partnerët ndërkombëtarë duhet të sigurojnë që ky ligj të mbrohet si një element kyç i kohezionit shoqëror dhe stabilitetit afatgjatë.

Filed Under: Rajon

Shqipëria natyrore (etnike) apo Shqipëria e Madhe?

December 11, 2024 by s p

Prof. Dr. Fejzulla Berisha/

Shqipëria natyrore (etnike) dhe Shqipëria e Madhe janë terma që lidhen ngushtë me ideologjitë dhe aspiratat kombëtare të shqiptarëve për bashkimin e territoreve ku jetojnë shqiptarë, pavarësisht kufijve shtetërorë. Ky koncept ka qenë në qendër të politikës shqiptare dhe ka pasur ndikim të rëndësishëm në zhvillimet historike, veçanërisht gjatë periudhës së shekullit të XX dhe fillimit të shekullit XXI.

1. Shqipëria natyrore (etnike)

Ky term përfshin realizimin e një Shqipërie që do të përfshinte të gjitha territoret ku shqiptarët janë shumicë, pavarësisht se ato aktualisht janë pjesë e shteteve të tjera. Ky koncept mbështetet në idenë se shqiptarët, si popull etnik, duhet të kenë një shtet të përbashkët që përfshin të gjitha trojet e tyre historike dhe etnike. Më poshtë, do të ilustrohet me raste konkrete ndikimi i këtij koncepti në histori dhe politika.

Pas Luftës së Kosovës dhe shpallja e Pavarësisë së Kosovës (2008)

Shpallja e Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008 është një nga zhvillimet më të rëndësishme për realizimin e Shqipërisë natyrore. Pas Luftës së Kosovës në vitin 1999, kur forcat serbe u tërhoqën pas ndërhyrjes së NATO-s, shqiptarët e Kosovës arritën të shpallin pavarësinë nga Serbia. Kosova ka qenë një nga pjesët më të rëndësishme të Shqipërisë natyrore për shkak të numrit të madh të shqiptarëve që jetojnë në këtë territor. Kosova është parë nga shumë politikanë shqiptarë si një hap konkret drejt realizimit të Shqipërisë natyrore, pasi ajo ishte një pjesë e rëndësishme e trojeve shqiptare që kishte mbetur jashtë shtetit shqiptar që pas Luftës së Dytë Botërore.

Çështja e Çamerisë dhe dëbimi i shqiptarëve nga Greqia

Rajoni i Çamerisë, që ndodhet në jug të Shqipërisë, është një tjetër territor që është shpesh pjesë e diskutimeve për Shqipërinë natyrore. Pas Luftës së Dytë Botërore, një numër i madh shqiptarësh nga ky rajon u dëbuan nga Greqia, dhe çështja e rikthimit të pasurive dhe e drejtat e shqiptarëve të Çamerisë ka qenë një çështje e nxehtë politike. Greqia, megjithatë, ka kundërshtuar çdo kërkesë për kthimin e pasurive apo të drejtat e shqiptarëve të Çamerisë, duke i cilësuar ato si të kaluar të mbyllur. Megjithatë, shumë politikanë shqiptarë, si dhe grupe të shoqërisë civile, kanë kërkuar vazhdimisht që çështja e Çamerisë të jetë pjesë e diskutimeve ndërkombëtare dhe të bëhet një prioritet i politikës së jashtme të Shqipërisë.

Maqedonia e Veriut dhe kërkesat për të drejtat e shqiptarëve

Shqipëria natyrore përfshin gjithashtu territorin e Maqedonisë së Veriut, ku shqiptarët përbëjnë një pjesë të madhe të popullsisë, veçanërisht në rajonet e Tetovës, Shkupit dhe Kumanovës. Kërkesat për të forcuar lidhjet mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut kanë qenë të vazhdueshme, veçanërisht pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Përveç kësaj, ka pasur kërkesa për të avancuar të drejtat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, duke përfshirë arsimimin në gjuhën shqipe, përfaqësimin më të mirë në institucionet shtetërore dhe mbrojtjen e kulturës dhe identitetit shqiptar.

Në vitin 2001, pas një periudhe tensionesh të brendshme, u arrit një marrëveshje ndërmjet qeverisë së Maqedonisë dhe përfaqësuesve të shqiptarëve të Maqedonisë, e njohur si Marrëveshja e Ohrit, e cila i dha shqiptarëve më shumë të drejta dhe mundësi për pjesëmarrje në jetën politike, ekonomike dhe kulturore të Maqedonisë së Veriut.

Bashkimi i shqiptarëve në Malin e Zi dhe Serbinë

Në disa momente të historisë, ka pasur thirrje për bashkimin e shqiptarëve që jetojnë në Malin e Zi dhe Serbinë, sidomos në rajonet e Sandzakut dhe Luginës së Preshevës, ku shqiptarët përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të popullsisë. Në vitin 2006, gjatë periudhës së tensioneve në Malin e Zi dhe Serbi, disa politikanë shqiptarë u shprehën se shqiptarët e këtyre rajoneve duhet të kenë të drejta të barabarta dhe se duhet të përpiqen të formojnë një shtet të bashkuar shqiptar. Megjithatë, këto aspirata janë ende larg realizimit dhe nuk ka pasur mbështetje të mjaftueshme ndërkombëtare për ndonjë ndryshim të kufijve në këto rajone.

2. Shqipëria e Madhe

Ky term ka një përmasë më të gjerë, pasi është i lidhur jo vetëm me territorin etnik shqiptar, por edhe me një ide të mundshme të një shteti të madh shqiptar që mund të përfshijë të gjitha trojet shqiptare. Ky koncept shpesh lidhet me aspiratat për të krijuar një Shqipëri që do të ishte një fuqi rajonale më e madhe dhe do të kishte ndikim më të madh politik dhe ekonomik.

Kongresi i Berlinit (1878) dhe Ndryshimet në Kufijtë e Ballkanit

Pas Luftës së Krimesë, perandoritë europiane mbajtën një Kongres në Berlin, ku ndodhën ndryshime të rëndësishme në kufijtë e Ballkanit. Shqipëria, si një territor i pazhvilluar dhe i fragmentuar, u la jashtë kufijve të shtetit të saj. Ky moment shënoi fillimin e aspiratës për një Shqipëri të Madhe, kur politikanët shqiptarë filluan të flisnin për bashkimin e trojeve shqiptare të shpërndara në perandoritë osmane, austro-hungareze dhe serbe.

Lufta e Parë Botërore dhe Pasojat për Shqiptarët

Gjatë Luftës së Parë Botërore, shqiptarët kishin përpjekje për të pasur një shtet të vetëm që do të përfshinte të gjitha trojet shqiptare. Pas Luftës së Parë Botërore dhe pas krijimit të shtetit të Shqipërisë, shumë territore të tjera mbetën jashtë kufijve të Shqipërisë, si rajoni i Kosovës, Çameria, dhe të tjera. Pas këtij momenti, shumë shqiptarë e konsideruan një padrejtësi mbajtjen e këtyre territoreve jashtë kufijve të Shqipërisë.

Politika e Jashtme e Shqipërisë Komuniste dhe Shqipëria e Madhe

Gjatë periudhës komuniste, sidomos nën Enver Hoxhën, Shqipëria ka pasur një politikë të orientuar drejt mbështetjes së çështjes kombëtare shqiptare. Gjatë luftës për çlirimin e Kosovës nga Jugosllavia, Shqipëria e mbështeti fuqishëm aspiratën për bashkimin e shqiptarëve në një shtet të vetëm. Megjithatë, kjo ide u mundësua vetëm për një pjesë të shqiptarëve, pasi Kosova shpalli pavarësinë pas Luftës së Kosovës më 2008, por ende shumë territore të tjera mbeten jashtë Shqipërisë.

Roli i Kosovës dhe Aspiratat për Shqipërinë e Madhe

Shpallja e pavarësisë së Kosovës dhe njohja e saj nga shumë shtete të botës perëndimore u pa nga disa politikanë shqiptarë si një hap drejt realizimit të Shqipërisë natyrore dhe, për disa, si një fazë drejt një Shqipërie të Madhe. Megjithatë, për shumicën e politikanëve shqiptarë, Shqipëria e Madhe mbetet një ide e diskutueshme dhe e paimplementueshme në shkallë ndërkombëtare.

Në përgjithësi, termi “Shqipëria natyrore” është më i lidhur me aspiratat për bashkimin e trojeve shqiptare që janë të banuara nga shqiptarë, ndërsa “Shqipëria e Madhe” mbetet një koncept më i gjerë që ka të bëjë me krijimin e një shteti shqiptar me ndikim të madh rajonal. Ndërkohë që Shqipëria e Madhe mbetet një ide e diskutueshme dhe jo e realizuar, Shqipëria natyrore ka pasur disa zhvillime të rëndësishme, si shpallja e pavarësisë së Kosovës, por shumë territore të tjera mbeten ende jashtë shtetit shqiptar.

Filed Under: Fejton

DREJT OKSIDENTIT, NJË SHEKULL MË PAS

December 11, 2024 by s p

Kosta Nake/

Do të mjaftonin “Lahuta e Malsisë”, “Mrizi i Zanave” dhe ndihmesa te revista “Hylli i Dritës” për t’i drejtuar të gjithë projektorët te monumenti letrar madhështor i At Gjergj Fishtës, por korpusi i Veprës së tij është dhe do të mbetet thesar i zbulimeve befasuese. Një prej dëshmive të tjera të shumta është poemi dramatik “Gomari i Babatasit” që ka kaluar shekullin nga viti kur doli në dritë, por ende të mahnit me aktualitetin që ruajnë disa nga problematikat e pasqyruara si dhe për vazhdimin me një pjesë të dytë “Visku i Babatasit” që i drejton shigjetat e satirës ndaj figurave më të larta të Shtetit Shqiptar. Është një vepër që ndihmon për t’u dhënë përgjigje disa prej zhvillimeve politike që vazhdojnë të shfaqen si haxhiqamilizëm edhe pas një shekulli duke ndryshuar vetëm termat “oksident” me “euroatlantik”, “akraballëk” me “nepotizëm”, “mehmurë” me sahanlëpirës e mercenarë, për rrjedhojë, e detyrojnë ajkën e shoqërisë dhe intelektualëve të braktisin Shqipërinë në përmasa eksodike.

Shqipëria e pavarur e një shekulli më parë ishte një ndërtesë e konceptuar pa kujdes që në themele, me një amatorizëm që filloi me përzgjedhjen e gabuar të njerëzve për ngritjen e institucioneve, sepse “batallat bahen pashë e ministër” (f.41) dhe përfundoi me përkujdesjen për t’u dhënë mehmurëve “rroga n’ar flori.” (f.39) Paaftësia mund të fshihet dhe të mbështetet vetëm duke e ndarë pushtetin “Nëpër krushq e kushrini,/ Nëpër miq e kumbari,/ Për me ngrehë një parti,/ Parti barku e karrigash,/ Klika t’fshehta, çerdhe shtrigash…” (f.50) Në antitezë me këta hiçër të përkëdhelur të pushtetit janë “…burrat e dheut,/ Që për jetë e nder t’Atdheut/ Kanë ra n’luftë si shqipe t’lehta,/ Kanë shkri gja e shtëpia t’veta,/ Janë tue vdekë rrugëve unit./ Me iu dhimbë gurit e drunit.” (f.75)

Mungesa e specialistëve në vitet e para të Shtetit Shqiptar, ishte një gjë e pritshme dhe e justifikueshme, por po aq e papranueshme ishte papërgjegjshmëria për të mos sjellë profesionistë nga jashtë. Edhe në këto tri dekada tranzicioni prej fillimit të viteve ‘90 janë përsëritur deklaratat propogandistike për të tërhequr në institucione djemtë e vajzat e Shqipërisë të përgatitur në universitetet më prestigjioze të botës, por ka mbetur thjesht propogandë, se askush nga ata që është ulur në karriget e larta të pushtetit, nuk e njeh aktin e dorëheqjes, që duhet institucionalizuar dhe që Fishta e solli bukur me shembullin e Babatasit të ngarkuar për Muzeun Kombëtar pa qenë arkeolog apo historian.

Është e dhimbshme dhe revoltuese kur shikon se orientimi oksidental i hedhur në fushën e betejave politike para një shekulli, nuk është ka mundur të kthehet ende në realitet, jo sepse shqiptarëve u mungojnë cilësitë për të qenë anëtarë të denjë të familjes euroatlantike, por sepse baballarëve të kombit nuk u ka interesuar të futen në skanerin që ua nxjerr në shesh të palarat. Shqipërinë e lulëzuar dhe oksidentale mund ta bëjnë vetëm njerëzit idealistë dhe këtë ia deklaron ministrit drejtori B: “Për me u orvatë për Atdhe,/ Duhet me pas ma para i’ide/ E me di çka asht Atdheu,/Çka asht Shqipnia e Skënderbeu.” (f.56)

Më pak se dhjetë vjet pas Franz Kafkës Fishta vjen me metamorfozën shqiptare në një gjini tjetër letrare dhe e deklaron me këtë term pjesën e tretë të poemit. Gomari që ble lirë për të ushtruar detyrën, rezulton se është gazetari S.S. i gazetës “Vllaznija”. Në analizën për shtypin shqiptar në publicistikën e Fishtës, nënvizova se në atë periudhë kishte pluralizëm, por konkurrenca kishte përfshirë edhe mediat e shkruara, ndryshe nga tranzicioni i sotëm që i ka kthyer stafet e tyre në mehmurë të paguar për punë të porositura, ndonjëherë si gjobavënës e sharlatanë. Tranzicioni shqiptar ka shënuar një transformim të madh në rrugën e krijimit të fjalës së lirë, rrjedhimisht edhe të shtypit të lirë, por vjen një kohë kur media, si pushtet i katërt, bëhet i rrezikshëm dhe i padëshirueshëm, prandaj drejtori A që përfaqëson suportin qeveritar, deklaron “këta janë që na pështjellojnë t’tana punët e qeverisë e ato planet e partisë.” (f.85) Sërish është Babatasi që del në rolin e zëdhënësit të autorit: “…ajo liria e shtypit/ S’asht një shpatë në dorë t’magjypit;/ Por asht ‘i mjet, pa t’cilin shteti/ S’përparon as këtu, as ngjeti.” (f.89) Mandej Babatasi formulon edhe atë që duhet të ishte betimi i gazetarit në analogji me betimin e Hipokratit për mjekun: “Duhet shkruesi t’jetë ma parë/ Njeri i ndershëm, atdhetar/ T’jetë fisnik, zemërbujar,/ Jo intrigant e ngatërrestar,/ Edhe të mos jet’ afije./Mandej duhet që t’ketë dije…/T’jetë shqiptar në shkrim e n’gojë. /Fjala n’penë mos t’i ngurrojë, /Mbarë e mbarë punët t’i kallëzojë.” (f.92-93)

Në këtë vepër dramatike u hodhën së pari idetë për arsimin shqiptar si një kombinim i arsimit publik me atë privat dhe do të rimerreshin pak vjet më vonë edhe te përmbledhja poetike “Anzat e Parnasit”. Fishta i kundërvihet centralizimit shtetëror të edukimit që synonte t’i mbyllte shkollat private, sipas deklarimit të ministrit (f.17) dhe tendencave të kohës për të shpallur katolikët si antikombëtarë. (f.20)

Toni satirik i veprës ndryshon tonalitet duke bërë apel për ecje përpara dhe autori e ka gati zëdhënësin e vet, Babatasin: “Që t’gjithë ne, po, gjith’ si jemi,/Gegë e Toskë, fushë e malcina,/ Qytetarë edhe fshatarë,/ Nëpër rreze të lirisë/ T’vemi n’rrugë të qytetnisë…” (f.52)

Pjesa e dytë e poemit dramatik “Visku (kërriç) i Babatasit”, edhe pse nuk e pa dritën e botimit, tregon ngritjen e stekës së satirës në pikën më të lartë –Asamblenë Kushtetuese. Niveli i përfaqësimit në atë asamble zbulohet nga llagapet që u vë asambleistëve, tipike për ligjërimin bisedor: Terrtabucleci, Kryekërtolla, Veshllapota, Kalangerçi, Taravoli, Hundëleshi, Kryekungulli, Kryematarja, Surratqerepi, Fytyrfudulli, Kryetuli, Gojopanga, Hundëspeci, Hundkastraveci. Por Fishta përmend edhe me emrat e vërtetë, si: Themistokli Gërmenji, Mati Logoreci, Ambroz Marlaskaj, Stavro Vinjau. Ky nivel përfaqësimi i kthen në groteske seancat e diskutimit, ku njëri i bie gozhdës e tjetri patkoit. Deputetët dhe ministrat e tranzicionit janë treguar pasardhës “të denjë” të baballarëve të mësipërm dhe përballja e tyre me sistemin e drejtësisë tregon edhe një herë manipulimet dhe aktet agresive për t’u ngjitur atje: “Eh!…çka me ba…/Kështu po e kishte kjo dynja:/ Dy nën dorë e tri nën thue,/ Unë për vete e ti për mue.” (f.191)

Babatasi te “Visku i Babtasit” është i tërhequr duke qenë kryesisht syri vëzhgues i Vëllait të Madh dhe kulminacionin e pjesës së dytë ia delegon monologut të Daut Efendisë – një vetëdemaskim i klasës politike që mund të mos thotë e të mos bëjë asgjë “mjaft që t’m’ecë mue rroga ari.” (f.188)

Pas shpërthimit të Dritëro Agollit në Kongresin e Partisë Socialiste, nga brenda tempullit të parlamentit vetëm Ben Blushi verbalisht dhe Agron Gjekmarkaj me disa esse në median e shkruar kanë guxuar të bëjnë satirë për kolegët e tyre.

(Poemat dramatike “Gomari i Babatasit” dhe “Viski i Babatasit” të At Gjergj Fishtës, Vepra 8, Botimet Fishta, 2012)

Filed Under: Komente

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 758
  • 759
  • 760
  • 761
  • 762
  • …
  • 2940
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • The Alliance That Doesn’t Exist
  • MAXIMILIAN LAMBERTZ – DIJETARI AUSTRIAK QË IA KUSHTOI JETËN STUDIMIT TË GJUHËS DHE FOLKLORIT SHQIPTAR
  • Shkodër, 8 prill 1937, kur vetëdija jonë kombëtare u lartësua nga “Lahuta e Malcis”, rrokaqielli i eposit në vargje i At Gjergj Fishtës
  • MASAKRA E TIVARIT DHE AJO NË FRONTIN E SREMIT – KRIM KUNDËR NJERËZIMIT!
  • MËRGIM KORҪA – “HISTORI TË PASHKRUARA”
  • Një jetë në shërbim, një dekadë në bashkim
  • MBRESAT E MIA ME KOMUNITETIN SHQIPTAR KËRÇOVAR NË OLLTEN TË ZVICRRES
  • Misioni i Madh i Studentave të Shkupit! Shqiptar bashkohuni studentave!
  • NJË GJUHË, NJË IDENTITET – STUDENTËT DALIN NË MBROJTJE TË SHQIPËS
  • “Shqiptarët e Amerikës” ndjekin me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut
  • Eshtrat e Hasan Tahsinit duhet të sillen në atdhe
  • “Irani dhe Siguria Kombëtare”!
  • Pamja e Hënës të cilën nuk jemi mësuar ta shohim
  • Analizë strategjike: Roli i SHBA-ve dhe ndikimi i NATO-s në suksesin operacional ushtarak
  • MICKOSKI DHE POLITIKA E KAMUFLUAR NË BALLKAN

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT