• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“TË FSHEHTA JASHTË EKRANIT”

August 29, 2024 by s p

Mevlan Shanaj/

Detyra e aktorit është krijimi sa më dinjitoz i karakterit. Aktori edukohet, mësohet, stërvitet, ushtrohet, drejtohet, kontrollohet, tjetërsohet. Detyra bazë e aktorit është tjetërsimi! Çdo gjë arrihet me punë krijuese analitike ballafaquese dhe përherë kërkuese. Nuk ka aktor të mirë, që të shtiret. Aktori i mirë përcjell besueshmërinë e shndërrimit të tij, duke dhënë mishërimin e asaj që ju e besoni më së shumti. Ju më shumë besoni dikë që është i ndershëm me ju, sesa një gënjeshtar. Mashtrimi në art është shumë i sofistikuar, sa njerëzit në përgjithësi nuk arrijnë ta kapin. Krijimi dhe “mashtrimi artistik” vijnë në nivele perfeksioni dhe publiku në sallë sugjestionohet nga magjia e shndërrimit, kur ajo është bërë mjeshtërisht.

​Nuk ka pajisje të veçanta për suksesin e një karakteri. Ka mjeshtëri krijimi dhe punë të lidhur me aftësinë shprehëse, që quhet ndryshe edhe talent. Nuk ka ndonjë rast në art që mund të bëhet pa pasur në themel talentin dhe, më tej, punën e vazhdueshme. Arti i artistit është arti i të ushtruarit dhe të shndërruarit, duke vetëndier dhe duke ditur të përzgjedhësh, të krijosh karakterin dhe të ruash masën. Talenti fillon dhe mbaron me aftësinë e befasisë dhe të përzgjedhjes. Humbe befasitë, humbe artin!

​Aktori interpreton, krijon dhe vepron, kështu që pamja e jashtme, shprehia apo mimika, siç quhet në popull, nuk janë qëllim më vete. Ato vijnë nga ndjesitë dhe krijimi i karakterit sipas rrethanave. Është një shembull në ekran, që i përket Charlie Chaplin. Ai krijonte gjestin dhe mimikën në kohën e kinemasë pa zë. Ndërsa çdo aktor tjetër krijon karakterin dhe nuk krijon mimikën. Karakteri i arritur komunikon me publikun si një transfuzion që rifreskon gjakun. Nuk besoj se janë të këshillueshme imitimet, jo ato si profil argëtues, por frymëzimet patjetër, për karaktere origjinale jetë gjatë.

​Në art, imitimi është jetëshkurtër. Çdo aktor kërkon të jetë vetvetja. Sidomos në sistemin që kaluam, nuk kishte mundësi të zgjidhte rolin dhe përgjithësisht atë ia jepnin regjisorët. Aktorit i mbetej detyrat të interpretonte. Përgjegjësia ideologjike artistike në ndërtimin e dramaturgjisë ishte detyrë e skenaristit dhe e regjisorit. Asnjë aktor nuk ka asnjë përgjegjësi në qëndrimet politike të veprës. Aktorit mund t’i ngarkohen karaktere me biografi të errët karakteriale. Detyra e aktorit është krijimi sa më dinjitoz i karakterit. Nuk ka lidhje aktori me bëmat e diktatorëve apo kriminelëve, ato janë përgjegjësi të krijuesve të veprës dhe jo të interpretimit.

​Janë disa aktorët që adhuroja, por këto preferenca kanë ndryshuar me kalimin e viteve. I pandryshuar mbetet mendimi për madhështorin Marlon Brandon. Modelet vijnë herët te njeriu. Ditëlindja e Marlon Brandos, këtë fillim prilli, më ktheu pas në moshën time të hershme. Në moshën e hershme ishin disa aktorë që adhuroja, por këto preferenca kanë ndryshuar me kalimin e viteve. I pandryshuar mbetet mendimi për madhështorin Marlon Brando. Modelet vijnë herët te njeriu. Ditëlindja e Marlon Brandos, në këtë fillim prilli, më ktheu pas në moshën time të hershme. Brando erdhi si një model jo vetëm admirimi, por edhe imitimi për të gjithë brezin tim. Përqendrimi dhe karakteri psikologjik i interpretimit të tij të bënin të heshtur, reflektues. Më herët te ne, për kushtet specifike, kishte ardhur Gerard Philipe, me lojën realiste dhe argëtuese. Ishin vitet kur kinemaja franceze dhe italiane kishin lejeqarkullimi në vendin tonë (me përzgjedhje). Alain Delon u bë për shumë vite si një yll, që të ndillte me shkëlqimin e tij të karaktereve në vitet ‘60, që mosha ime e kishte të lehtë përzgjedhjen. Së bashku me Jean Gabin në kohën tonë studentore ata të dy ishin një dyshe, që na ishte bërë si një ushqim shpirtëror.

​Njeriu nuk u shmanget dot adhurimeve. Shumë herë ndodh që ndonjë figurë artistike të mbetet si pikë nxitëse. Kështu më erdhi për disa vite Jean-Louis Trintignant dhe ende Marcello Mastroianni (sipas meje më i madhi i Europës). Dhe më tej, për shumë vite më mbeti dhe, ndoshta është diku në thellësitë e subkoshiencës, regjisori Ingmar Bergman. Brenda meje brenda gjithmonë edhe Federico Fellini, Michelangelo Antonioni, Theo Angelopoulos, Lars Von Trier. ​Arrijmë në një moshë krijuese, që modelet na kthejnë pas, duke na lëshuar së brendshmi një buzëqeshje. Marlon Brando nëpërmjet ekranit, po shënonte edhe hyrjen e brezit tim në modernitet. Ndaj vështirë të harrohet pjesa e vetes!

Filed Under: Kulture

Abdyl Frashëri, rilindësi i shquar, karriera dhe kalvari i gjatë i burgosjeve dhe syrgjynosjeve

August 29, 2024 by s p

Albert Vataj/

Abdyl Frashëri, emri i vërtetë i të cilit është Abdullah Hysni. Ai ishte një nga personalitetet më të rëndësishme të Rilindjes Kombëtare, kontributi i të cili e renditë atë në treshen e artë të vëllezërve Frashëri, që ngritën në piedestal ndjenjën kombëtare duke sakrifikuar jetën dhe pasurinë për Shqipërinë, për tu treguar shqiptarëve, se sa i bukur është atdheu i tyre dhe si duhet luftuar për të, se sa trima, të mënçur e punëtorë, sa fisnikë janë shqiptarët, sa e bukur dhe e ëmbël është gjuha e jonë dhe e shtrenjtë shqiptaria.

Abdyl Frashëri, pjesën e parë të jetës e pat në fshatin e lindjes, deri në moshën 18-vjeçare, kur u vendos për nevoja pune në Janinë. U shqua si personalitet politik qysh më 1877, sapo u duk se kriza lindore po rrezikonte trojet shqiptare. Si kryetar i Komitetit Shqiptar të Janinës që u formua po atë vit, hartoi projektin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë me anën e kryengritjes çlirimtare antiosmane.

Por, shpresat e tij se idenë e shtetit shqiptar do ta përkrahnin rivalët e perandorisë ruse, të cilët nuk e dëshironin supremacinë e saj në Gadishullin Ballkanik, nuk u realizuan. Bisedimet që zhvilloi me përfaqësuesit e Greqisë, në korrik dhe në dhjetor 1877, për një aleancë politike dhe ushtarake shqiptaro-greke kundër perandorisë osmane, dështuan gjithashtu, mbasi as Athina nuk e pranoi idenë e një Shqipërie të pavarur në kufijtë e saj etnikë.

Në Parlamentin e parë osman të vitit 1877 hyri si deputet i Janinës, u zgjodh kryetar i Komitetit të Janinës dhe në dhjetor të po këtij viti, u zgjodh kryetar i Komitetit të Stambollit, që u formua për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve në perandorinë osmane. Frashëri ishte një nga aktivistët kryesorë të Kuvendit të Prizrenit të krijuar për të mbrojtur trevat shqiptare, si pasojë e firmosjes së Traktatit të Shën Stefanit (1878). Mbrojti idenë e bashkimit të trevave shqiptare në një vilajet, në kuadër të perandorisë osmane. Në vitin 1877, Abdyl Frashëri u zgjodh kryetar i Komitetit Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare, që u formua në Stamboll si dhe ishte kryetar i Komitetit Shqiptar të Janinës.

Pas thyerjes së ushtrisë osmane nga ushtria ruse në vitin 1878 dhe nënshkrimit të Traktatit të Shën Stefanit, Abdyl Frashëri, shtroi tezën se në kushtet e krijuara për shqiptarët, zgjidhja më e drejtë për interesat e tyre kombëtare, ishte krijimi i një vilajeti të bashkuar shqiptar në kuadër të perandorisë osmane. Gjatë Kongresit të Berlinit, në emër të Lidhjes, së bashku me Mehmet Ali Vrionin, kreu takime me përfaqësues të Fuqive të Mëdha për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve.

Abdyl Frashëri më 25 shtator 1888, i drejtoi një memorandum kryeministrit të Italisë Francesko Kripsit, ku midis të tjerave i shkroi “…Populli shqiptar është i vetmi komb që ka zhvilluar prej kohësh një rezistencë energjike kundër pushtuesve turq. Kjo rezistencë heroike ka vazhduar deri në ditët tona. Nëse shqiptarët, për hir të karakterit të tyre krenar e luftarak, nuk e kanë lënë veten të nënshtrohen aq ultësisht sa fqinjët e tyre, janë ata që e kanë ndjerë më tepër peshën e zgjedhës së huaj dhe janë ata që kanë vuajtur më shumë si pasojë e kryengritjeve të pandërprera që kanë qenë të detyruar të zhvillonin për të fituar pavarësinë e tyre… Si rrjedhim, Shqipëria meriton pavarësinë më tëpër se asnjë kombësi tjetër e Ballkanit dhe ne shpresojmë se ajo do ta tregojë veten më të denjë për të gëzuar respektin e Evropës dhe më të aftë për të qeverisur vetveten”.

Më 27 nëntor 1878, mbedhja e Këshillit të përgjithshëm të Lidhjes, miratoi një memorandum që i drejtohej Portës së Lartë në Stamboll, që ajo të zbatonte 5 kërkesa (Buda A. etj. 1965):

1. Krahinat e Shqipërisë të ishin në një vilajet me qendër një qytet në mesin e Shqipërisë,

2. Nëpunësit të dinin shqip,

3. Arsimi të përhapej në gjithë krahinat dhe të mësohej gjuha shqip,

4. Të krijohej një këshill i përgjithshëm,

5. Një pjesë e të ardhurave të përdorej për punët botore në vend.

Delecioni nën udhëheqjen e Abdyl Frashërit u nis në fund të janarit 1879 për në Stamboll, që t’i paraqiste sulltanit kërkesën për autonominë. Abdyl Frashëri ndënji në ballë të luftës deri sa u arrestua kur po kthehesh nga Prizreni dhe kapërcente Lumin Shkumbin. Në Frashër, populli i thuri e i këndoi këngë patriotizmit të Baba Alushit dhe Abdyl Frashërit:

Kush e desh Shqipërinë kush

Shënjti baba Alush Ai vdiq po na thërret Përpiqi për mëmëdhet! Alush babai në shëntëri Abdyl beu me dituri Abdyl beu nga Frashëri Ç’u përpoq o i varfëri Qindra herë vajti fërnjgji Prishi punë e tij

E prishi punën e tij

Prishi tri barë flori

S’di kush na vllazëria Na doli i pa besë Abdyl benë na e zynë

Dervish pashësë ja shpunë

Pa me sy e pa bodrumë E i hodhi për na shumë Hametit i tha një fjalë Unë e mbolla këtë farë Ka të tjerë shqipëtarë Që kërkojnë këtë farë Ata kurrë se harojnë Abecen do ta këndojnë.

Karakteristikë e veprimtarisë atdhetare të Abdyl Frashërit është ngritja në nivel gjithënjë e më të lartë dhe më intensive e luftës së tij për çështjen shqiptare. Ai qëndroi besnik luftës së tij. Edhe kur u shpërnda Lidhja e Prizrenit, Abdyl Frashëri, së toku me myderiz Sulejman Vokshin, Ymer Efendi Prizreni, si edhe me krerët e malësorëve, u përpoqën të organizonin forca të reja për luftën kundër Portës.

Abdyl Frashëri u lind më 29 gusht 1839 në fshatin Frashër të Përmetit. Gjatë Krizës Lindore të viteve ’70 të shekullit XIX u shqua si personalitet politik.

Në qeverinë e drejtuar nga Ymer Prizreni (1881), Abdyl Frashëri mori përgjegjësinë e ministrit të Punëve të Jashtme. Në prill të këtij viti u arrestua. Pas shtypjes së Lidhjes, më 2 maj 1881 mbërriti në Manastir i përcjellë prej një oficeri të xhandarmërisë dhe shtatë xhandarëve kalorës. Mbasi qe arrestuar duke shkuar nga Dibra në Elbasan te Mahmud bej Biçakçiu.

Prej aty iu dërgua Dervish Pashës në Prizren, i cili e burgosi në kalanë e qytetit ku qëndroi tri vite që ia rrënoi shëndetin kryekëput. Më tej u internua së bashku me familjen e tij në Balliqeser e në Bandërma të Anadollit për afro dy vjet të tjera. Në fund u amnistua me ndërhyrjen e Gazi Osman Pashës, heroit të Plevnës; u kthye në Stamboll, ku u emërua përfaqësues i këshillit bashkiak të kryeqytetit.

Abdyl Frashëri vdiq në Stamboll më 23 tetor 1892 pas një sëmundjeje të gjatë. Eshtrat e tij u sollën në Tiranë në vitin 1978, me rastin e 100- vjetorit të formimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Filed Under: Politike

Simpozium përkujtimor dhe historik në New York me rastin e 100-vjetorit të përfundimit të misionit të Fan S. Nolit në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë

August 28, 2024 by s p

Miq të VATRËS e të DIELLIT, më poshtë keni axhendën e Simpoziumit përkujtimor dhe historik që do të mbahet me rastin e 100-vjetorit të përfundimit të misionit të Fan S. Nolit në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë.

Në sallën e selisë së Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, do të flitet shqip dhe do të theksohet kontributi i madh i Fan Nolit për kombin shqiptar, nga akademikë, studiues dhe autorë të ndryshëm shqiptarë.

Takimi do të zhvillohet në selinë e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, më 9 shtator 2024, nga ora 11:00 deri në 13:00.

Ky organizim historik realizohet me iniciativë të Bibliotekës Fan Noli në Boston, VATRA-s, gazetës “Dielli,” dhe nën mikpritjen dhe mbështetjen e ambasadorëve të Shqipërisë në Amerikë dhe në Kombet e Bashkuara.

Nëse dëshironi të bëni donacione për realizimin e këtij eventi të rëndësishëm, ju lutem klikoni linkun:

https://www.zeffy.com/…/d4a782b8-54d3-4343-8e31…

Filed Under: Opinion

NGA PËRURIMI I VEPRAVE TË SHKRIMTARES AGE GJOKAJ IVEZAJ

August 28, 2024 by s p

Tuz, më 27 gusht 2024

Në Shtëpinë e Kulturës “Malësia”, në qytetin e Tuzit dje më 27 gusht 2024, u bë përurimi i romanit “Kush na mallkoi?!” dhe përmbledhjes poetike “Pikëllim dhe shpresë” të shkrimtares Age Gjokaj Ivezaj. Përurim e veprave e udhëhoqi moderatorja simpatike Bora Lucaj.

Pë romanin “Kush na mallkoi?!” Foli profesor Fran Camaj dhe profesor Mëhill Velaj. Për përmbledhjen poetike “Pikëllim dhe Shpresë” foli prof. Bexhet Asani, i cili midis tjerash tha:

Shkrimtarja Age Gjokaj Ivezaj pas suksesit që pati me botimin e romanit “Kush na mallkoi?!”, ja tani para publikut artdashës del me përmbledhjen poetike “Pikëllim dhe Shpresë”. Age Gjokaj Ivezaj kultivon paralelisht prozën dhe poezinë. Vëllimin poetik “Pikëllim dhe Shpresë” e karakterizon dashuria, këtu dashuria nocion i përgjithësuar si: dashuria e malli për atdheun, dashuria për popullin, dashuria për heronjtë, dashuria për fëmijët, dashuria për natyrën etj.

Kjo permbledhje me poezi paraqet një spektër të gjerë ndjenjash, përvojash dhe reflektimesh që janë të lidhura ngusht me jetën e mërgimit. Poezitë në këtë përmbledhje trajtojnë tema të ndara, por shpesh të ndërthurura me dhimbjen, mallin dhe dashurinë. Në veçanti, malli del në pah si një forcë e fuqishme që ndikon në perceptimet dhe ndjenjat e autores.

Sa i përketë metrikës së vargut, autorja kryesisht përdor distikun e herë herë ka përodr edhe vargun e lirë. Figurat stilistike metaforat dhe simbolet janë përdorë gjerësisht për të thelluar kuptimin e vargjeve dhe për të krijuar një lidhje më të fortë emocionale me lexuesin.

Poezia e saj, si e shumë poetëve të tjerë që janë larguar nga atdheu për shkak të konfliktit, persekutimit politik apo ekonomik, e bën poezinë e saj jo vetëm një shprehje e vetëdijes personale, por edhe një dokument historik dhe kulturor që pasqyron kohët e vështira që ka përjetuar. Ajo çka mbetet e përbashkët është përpjekja për të ruajtur një ndjenjë të identitetit dhe për të mbajtur gjallë kujtesën e vendit të origjinës.

Përmbledhja poetike “Pikëllim dhe Shpresë” është e ndarë në dy cikle në:

“Mall për Arbërinë”

dhe

“Bukuroshja e Malësisë”.

Në ciklin e parë “Mall për Arbërinë” janë përfshirë poezitë: “Flamuri”, “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, “Trimi i Arbërisë”, “Shqipëria ime”, “Atdheu”, “Malësia”, “Atdhe i sakatosur”, “Pavarësia”, “Kryengritja e Malësisë”, “Dëshira e mërgimtarit”, “Amaneti i mërgimtarit”, “Baca Kurtit”. Ndërsa në ciklin e dytë “Bukuroshja e Malësisë” janë përfshirë këto poezi: “Dashuria”, “Diana”, “Do të më kesh pranë si drita e diellit”, “Vajza”, “Themeli i Shtëpisë”, “Fëmijët”, “Jeta”, “Natyra”, “Urime për Vitin e Ri”, “Vdekja”.

Përmbledhja poetike “Pikëllim dhe Shpresë” ka si hyrje poezinë “Elegji për vëllain Tomë Gjokaj”, e cila të kujton kohët e kaluara që çdo vepër letrare qoftë roman, dramë, tragjedi, përmbledhje poetike etj., shoqërohej me prolog.

Në letërsinë popullore është i njohur vajtimi i motrës për vëllain. Në letërsinë tonë tragjedi të tilla familjare ka shumë, mjafton të përmend poetët tanë kombëtarë Naim Frashërin, Andon Zako Çajupin etj. Naim beu vajton vajzën e tij të vdekur. Çajupi vajton djalin e tij Stefanin i cili shkoi në ashim në lulen e rinisë, vajton gruan e tij të dashur nënën e Stefanit Evgjeninë e cila vdiq në moshë shumë të re. Poeti bashkëkohor Idriz Çelaj njëlloj vajton të bijën e tij të humbur tragjikisht në një moshë shumë të re, poeti Ali Podrimja Lumin e tij të dashur etj.

Dhimbja e motrës për humbjen e vëllait është e madhe. Zakonisht motra vajton vëllain, vishet në të zeza, zemra i digjet për vëllain e humbur. Ages si një malësore e vërtetë e lindur dhe e rritur me ligjet e pashkruara të maleve tona kreshnike, respekton këto ligje, të kujton Ajkunën e këngëve tona kreshnike, ajo vë në pah bëmat atdhetare të vëllait të saj. Kështu, Toma lufton me mish e me shpirt për të futur në Kongres dhe në Senatin amerikan, çështjen e shqiptarëve të ish Jugosllavisë në përgjithësi dhe çështjen e Kosovës në veçanti:

“…Ai punojë ditë e natë,

Çështja e Kosovës të shkojë në Senat!”

A mund të thuhet më qartë, më thjeshtë dhe më bukur se kaq?!

Toma me zhdërvjelltësinë e një atdhetari të flaktë ia arrin qëllimit. Fton Ibrahim Rugovën të dëshmojë në Kongresin amerikan për krimet e makinerisë serbe në Kosovë. Presidenti i Amerikës Xhorxh Bushi i Parë, për ti dhënë respektin e merituar, e ftoi në inaugurimin e tij në Shtëpinë e Bardhë. Të gjitha këto veprimtari të Tomës flasin qartë dhe si rrjedhim i gjithë kësaj veprimtarie atdhetare Toma nuk është dhimbje vetëm e një motre të djegur për vëllain por humbja e tij merr përmasat e një dhimbjeje kombëtare. Veprimtaria dhe Idealet kombëtare të Tomës me shokë u bënë realitet. Republika e Kosovës u bë shtet dhe populli shqiptar gëzon lirinë e dëshiruar në shekuj.

Poetesha Age Gjokaj Ivezaj që si e re, sa kreu studimet, mori rrugën e pakthim të kurbetit. Si e re ajo ndjeu dhe e përjetoi shtypjen e egër të ish sitemit jugosllav. Me shkuarjen e saj në “Tokën e Premtuar “- në Amerikë, asaj iu hapën horizonte të reja, në një anë ndjente dhimbje për vendlindjen e të afërmit e saj, në anën tjetër përjetoi lirinë e fjalës që i mungoi në atdhe, çështja e punësimit ishte problem, sidomos për ata student që mbaronin studimet në Kosovë.

“Që ta kuptojmë shpirtin e një poeti – pat thënë babai i poezisë moderne Sharl Bodler – duhet t’i kërkojmë fjalët që hasen më së shpeshti në veprën e tij”. Në vëllimin poetik “Pikëllim e Shpresë“ të Age Gjokaj Ivezajt fjalët më të shpeshta janë: flamur, liri, trim, kuqezi, luftë, triumf, krenari, guxim, gur, kështjellë, furtunë, suferinë, Vlora, Skënderbeu, Arbëri, shpata, kala, gjigant, Shqipëri, Kosovë, shqiponjë, stoik, strateg, diell etj. Siç shihet vëllimin poetik “Pikëllim dhe Shpresë “ të Age Gjokaj Ivezajt e frekuenton një leksik mjaft i pasur sa poetik po aq patriotik.

Fjalët: bukuria, jeta, mrekulli, lule, erë manushaqe, aromë, mbretëreshë, bukuroshja e malësisë, yll i bukurisë, drita e diellit, zogëz, mahnit, shkëlqim, thellësi e shpirtit, kopshti i jetës, pafajësia, ilaçi i zemrës e të tjera të ngjashme, shfaqin botën emocionale të poeteshës Age Gjokaj Ivezaj. Fjalë të tilla i shërbejnë autores për të krijuar një disponim optimist, vazhdimësinë e jetës së njeriut në përgjithësi.

Ngjarjet sa të lavdishme po aq tragjike të popullit tonë, e kanë preokupuar autoren e përmbledhjes poetike “Pikëllim dhe Shpresë” prandaj zënë një vend të rëndësishëm në këtë vëllim poetik. Luftërat heroike të kryeheroit Gjergj Kastrioti Skënderbeu në tokën e Arbërisë. Bëmat e Skënderbeut janë burim frymëzimi për të rejat e të rinjtë në mërgim në veçanti dhe për të rejat e të rinjtë në atdhe në përgjithësi.

Shkrimtarja Age Ivezaj është e lidhur ngushtë me vendlindjen e saj. Ëndrrat e bukura i sheh aty ku i ka rënë koka. Luftëtarët dhe luftërat e Malësisë janë burim frymëzimi. Ajo është krenare që është bijë e Malësisë. Atë e preokupojnë padrejtësitë shekullore, që u janë bërë krahinave të Grudës, të Hotit, të Trieshit, të Kojës, të Luharit etj., kjo duket më së miri te poezia “Malësia” prandaj klith me tërë dufin e zemrës dhe qenien e saj njerëzore:

“Moj, Malësi, kala e barotit,

Me djemtë e Grudës e të Hotit.

Triesh, Kojë e Luhar,

Padrejtësisht nga nëna ndarë…..”

Apo te “Kryengritja e Malësisë” heroi i shqiptarisë Dedë Gjon Luli jep kushtrimin:

….Çohuni djem, në kushtrim,

Thërret Malësia për luftim.

Në Deçiq ngrite flamur.

Ka ardh dita me marrë hak,

Lart të ngremë të shtrenjtin bajrak.

Qysh prej kohës së Kastriotit, U valëvit, në mal të Hotit…”

Poetesha Age Gjokaj Ivezaj i këndon ndjenjës më fisnike në jetë dashurisë. I këndon bukurisë së rrallë të femrës shqiptare, të cilën e përshkruan me të gjitha nuret e brishtësnë dhe bukurinë e saj që të mahnit: të urtë, lozonjare, punëtore etj. Bukurinë e femrës shqiptare e paraqet me tipare hyjnore:

“…Vajzë malësore, bukuri,

Falma zemrën, moj, hyri…”

Ose duke e përshkruar bukurinë fizike dhe shpirtërore të femrës shqiptare:

“…Në shtatin tënd të hollë si selvi,

Belkëputura, trupi jot hardhi.

Në fytyrën tënde sytë si ulli.

Zemra e ngrohtë e plot dashuri…”

Shikuar në përgjithësi përmbledhjen poetike “Pikëllim dhe Shpresë” të shkrimtares Age Gjokaj Ivezaj e përshkon fryma e patriotike në veçanti dhe fryma e dashurisë në përgjithësi.

Bexhet Asani

Filed Under: Reportazh

DO TË ISHTE SOT 100 VJEÇ

August 28, 2024 by s p

Aurel Plasari/

Në përkujtim. Gusht 1996. Bizë e Rodonit. Pak pushime vere. At Zef Pllumi vazhdonte të shkruante ‘Kujtimet’.

“Një “libër kujtimesh” i cili bën thirrje që të vërtetat të mos harrohen, që historia të mos shformohet, por të kuptohet dhe të shpjegohet, është edhe kontribut në luftën e një populli për demokracinë. Historiani amerikan bashkëkohës yni Southworth, i cili beson me gjithë zemër në virtytet e demokracisë, ka vërejtur se do të dëshmonim për një vizion mjaft të gjymtuar të këtyre virtyteve po të mëtonim të ndërtonim një “demokraci të mbështetur mbi harresën”. A nuk është e vërtetë? Ta mbarojmë së lexuari librin e kujtimeve të Fratit dhe mandej ta pyesim veten nëse ata që predikojnë harresën kanë qenë ndonjëherë apo janë sot “demokratë” të vërtetë? Është parim politik i rëndësishëm qëndrimi i gjithsecilit ndaj kujtimit të së kaluarës, parim të cilit nuk mund t’i iket.”

Nga parathënia “Nën këmishën e hekurt të kujtimeve”, 1995

fb © a.p.

Filed Under: Kronike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 780
  • 781
  • 782
  • 783
  • 784
  • …
  • 2778
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT