• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

BALADË DRITASH PËR ZORBËN

August 19, 2024 by s p

Viola Isufaj/

Në gjysmën e dytë të një shekulli plot pështjellime politike, të cilat nuk lanë pa prekur e dëmtuar trungun e letërsisë shqipe, bën jetë në errësi për t’u shfaqur më pas, në dritë, ky poet, i cili sjell një nga modelet më të pangjashme të shkrimit të poezisë moderne shqipe.

Pastërtia e pabesueshme në përdorimin e teknikave në realizimin e virtuoziteteve të tij poetike, e bën atë një klasik modern. Së bashku me: Camajn, Reshpjen, Podrimjen, Shkrelin, e të tjerë autorë të poezisë shqipe, ndonëse pa kontakte të drejtpërdrejta me ta, ai, po ashtu, përcakton modernitetin e vargut shqip bashkëkohor.

-Për poetin Zef Zorba, i cili është bërë i njohur për lexuesin pas vdekjes, është shkruar shumë pak.

Ismail Kadare (i cili ka shkruar edhe parathënien e vëllimit poetik Buzë të ngrira në gaz), hedh dritë mbi formacionin poetik të Zef Zorbës. Ai shprehet se Zef Zorba, duke qenë më i pashquari i poetëve, më i mbështjelli nga heshtja dhe nga terri, na shfaqet në të vërtetën, pamjen dhe përmasat e tij të tjera.

Këtu rri enigma e kulturës shqiptare për gjysmë shekulli-do të shkruante një tjetër figurë e letrave dhe studimeve shqiptare. Zbulimi nuk lidhet vetëm me vlerën, por më tepër me fenomenin: si është e mundur që një autor: poet, kaq i veçantë të krijojë për në gjysmë shekulli, i panjohur dhe i fshehur? –shpërfaqet habia e këndshme e studiuesit Sabri Hamiti. Zbulimi i Zef Zorbës poet, lëkund, sipas tij, kaq shumë evidenca, si shenja kolektive të sjelljes dhe kaq shumë kërkime personale, si krijime individuale në shqip. Studiues të tjerë e kanë konsideruar të errët e të mbyllur, hermetik e profetik poetin që nuk shkroi për lexuesin e kohës së tij, por për atë të së ardhmes.

-Poezia e Zorbës gjithnjë do të ngrejë një çështje të parë thelbësore: këtu kemi të bëjmë me një mekanizëm të hollë të thurimës poetike. Si funksionon ai mekanizëm? Me shqetësimin e vazhdueshëm për t’u kujdesur për të mos ta lënë esencën krijuese unike të këtij autori të humbë në konstatime e analiza, marrim përsipër ta shqyrtojmë nga afër, në mënyrë thellësore shkrimin e tij.

-Përmes zbulimit të lidhjes me Idromenot dhe në veçanti me Kolë Idromenon, i cili bëhet udhëheqës shpirtëror i Zef Zorbës, jemi orvatur të shpjegojmë njohjen dhe afeksionin e tij për artet figurative dhe krijimin e imazheve kryesisht ekspresioniste në poezi (imazhe, të cilat kemi menduar gjithmonë se meritojnë një studim të veçantë).

Zorba përfytyron e mendon harmonikisht në bazë të harmonisë së ngjyrave dhe imazheve, pikërisht falë prirjeve të lindura dhe rrethanave favorizuese: mësimeve të Kolë Idromenos. Pa asnjë dyshim, kjo është vepër shumë komplekse. Zef Zorba punoi për t’i shtuar poezisë, pikturës dhe muzikës saktësinë, hijeshinë, lakimin, ngjyrimin e përkryer të frazave. Moderniteti i tij lidhet me përthyerjet e dritës, ngjyrat, po aq me tingullin dhe modulimin, prandaj atë mund ta kuptojmë më mirë përmes një prerjeje muzikore dhe përmes një takimi me artet pamore. Në këtë studim jemi ndalur në mënyrë specifike te relacionet e veprës së tij me muzikën.

Pjesët e Fugave të fundit -cikli i katërt- do të emërtohen sipas tempit: Allegro, Andante Mosso, Lento, Largo dhe Alegro Furioso. Sakaq, edhe cikli i pestë që është poema Mbresat e rrugëve,

konceptohet me këto pjesë: Introduksion, Tema e fagotit, Tema e Ksilofon -kumbonëve, Tema e Instrumentave me perkusion, Tema e Violës, Parte concertante, Kadenca e Ksilofon –kumbonëve, Kadenca e fagotit, Kadenca e Violës, Kadenca e Instrumentave me perkusion, Ripressa, Stretta Finale.

I jemi afruar kështu lidhjes me artet figurative e cila duket se është sa genuine, e trashëguar aq dhe e kultivuar gjatë jetës, derisa dhe nëpër vargje pluskojnë nominalisht: një Idromeno, Van Gog, Shagal, Matis, ca Pikaso e Dali, e shumë akuaforte. Tituj të poezive së Zorbës në vëllimin Buzë të ngrira në gaz

shpalosen pikërisht në këtë mënyrë.

Madje edhe te cikli i fundit “Në zgrip”, ndiejmë takimin me muzikën; sidomos ai është i dukshëm në poezinë Një gozhdë, me ritëm rock, bazuar mbi aliteracionet vështrimore thik, thellë, thatë, -siç shpjegon autori, – e, së fundmi, pjesa Natën kur bie shi, – e konceptuar alla Ravel. Tituj të tillë janë domethënës, por natyra e domethënies së tyre lipset të tregohet. Kjo prirje për kërkim është veçanërisht e brishtë pasi ekzistojnë

rreziqet e analogjive të paarsyeshme midis arteve. Është plotësisht e vërtetë se pjesa dërrmuese e analogjive sipërfaqësore janë të çoroditura apo spekulative. Shumica e këtyre qasjeve konsiston në një përkthim të termave nga një art në një tjetër. Dhe të përshkruash një art me terma të artit tjetër është një trill retorik pa ndonjë rëndësi të veçantë. Mirëpo në këtë hulumtim nuk do jetë fjala për një përkthim të

tillë, as për muzikalitetin a harmoninë në vetvete, e cila mund të studiohet në çdo krijim artistik. Bëhet fjalë për një poezi tek e cila Muzika është cilësi fundamentale. Analogjitë këtu nuk janë të sipërfaqshme, po substanciale. Qysh në krye të herës mund të hetohen qartë ide muzikore-që janë aty për të formatuar një art-i cili aspiron kushtet e muzikës. Kemi punuar në këtë terren shumë të rrëshqitshëm për të bërë një analizë të hollë dhe konkrete të relacioneve muzikore në veprën e Zef Zorbës.

-Zorba konstituon një formë të veçantë të dijes në botën njerëzore. Në vargjet e vëllimit Buzë të ngrira në gaz do të evokohen: Monradi, El Greco, kanonet Mozartiane; aty do të citohen vargje të Alkeut, të Oscar Wild-it, -dhe do të ndihet një ritëm i ngjashëm me ritmin e Horacit: nuno est bibendum, nuno. Në fushë të filozofisë do të përmendet Kanti, teksa do të thirret Shekspiri te Merimangë me vargjet e tij turn back, dull earth/an find thy center out. Zorba do të përmendë gjithashtu, Martinin (i deleguar i Propaganda Fide) te Largo duke e shoqëruar me shënime etj. Ne jemi ndalur, prandaj, në mënyrën e përthithjes dhe shndërrimit të ndikimeve të huaja në tekstin e tij.

– Që nga thellësitë e shpirtit inteligjent, lind një poezi e re, që kullon traditën e truallit të vet dhe duke thirrur me pasion elemente nga tradita hermetike, sjell në dritë formulime thelbësore të papritura, fjalë të dala nga heshtja, nga thellësia e meditimeve. Këto fjalë, të zbuluara e të risuara në dimensionin e tyre semantik,

dëshirojnë të japin esencën e një pështjellimi sentimental. Zorba është i dashuruar me gramatikën esenciale të hermetistëve. Zhvendosjet analogjike dhe esencialiteti i fjalës janë aty për të shprehur të pashprehshmen. Përdorimi i shpeshtë i analogjisë, eliminon termin e përafërt (similitudën) për t’i dhënë imazhit efektin- rrufe. Na ka interesuar të studiojmë ato që mund të quhen: tkurrja e sintaksës, eliminimi total ose i pjesshëm i shenjave të pikësimit, zbërthimi shumë i fortë i pauzave, strukturat tipike të hermetistëve me pleonazmat tipike dhe metaforat e befta si dhe të tjera aspekte.

-Kujtesa në korpusin e Zorbës duket se del kryesisht në dy modele të dallueshme, të cilat shpesh ekzistojnë edhe njëkohësisht në të njëjtin tekst: si një mjet për të ngulitur një ndjenjë nostalgjie; dhe, nga ana tjetër, dhe më universalisht, si një mënyrë për ndërtimin e identitetit individual, historik dhe kulturor. Për këtë arsye, kur flasim për këtë personalitet, kujtesa shërben si një temë letrare me rëndësi jo të vogël, së cilës i kemi kushtuar një çështje më vete.

-Zorba është një personalitet poliedrik. Dashuria e tij e parë ka qenë teatri. Ai studion teknikat muzikore, vijon punën si llogaritar, gdhend, lexon, shkruan poezi, përkthen. Zorba ka sjellë përkthime të një cilësie shumë të lartë. Pasi ta paraqesim këtë kontribut shumë të vlershëm të Zorbës në përqafimin e kulturave të ndryshme, ndalemi në analizë të perimetuar të tekstit të përkthyer, deri në shtresat më të

pak të depërtueshme të tij. La pioggia nel pineto p.sh. është një simfoni poetike që përkthen në

fjalë tingujt e shiut. Shembujt dygjuhësh janë vënë përballë njëri- tjetrit, për të parë sesi imazhet pamore dhe tingëllimore, bashkëshoqërimi me ngjyra të freskëta e të pastra dhe tingujt, poema i krijon po aq “të ujshëm” edhe në gjuhën shqipe.

Kemi vijuar, prandaj, me simetritë sintaksore dhe marrëveshjet për asonancat dhe konsonancat për të cilat janë gjetur në shqipe fjalë jo vetëm më të njëjtin ritëm (numër rrokjesh e theksash) por mundësisht me të njëjtët tinguj. Më pas jemi thelluar me çështjen: metri dhe figurat retorike, duke u ndalur në marrëveshjet për vargjet trerrokësh, 6,7,8 dhe 9 rrokësh dhe me pesë llojet e rimave të përdorura, të transmetuara të gjitha në gjuhën shqipe.

– Veçimi, i lidhur pashmangshmërisht me poetikën e Zorbës, është dhe thelbi i fortë i letërsisë. Izolimi është gjithashtu mjeti themelor i leximit dhe i të shkruarit, i cili mund të gjurmohet në veprat e fshehura, ato që u krijuan për sirtarët,- gjithçka që nuk do të lexonim dot kurrë, por që rrezatojnë jashtë në botë, sot, gjithë bukuri. Jo thjesht veçimi ashtu sikurse vetmia është një nga temat themelore të gjendjes dhe të letërsisë së tij, por vepra e tij poetike është shkruar dhe lexuar në izolim për të mos u shtrirë në një audiencë përtej krijuesit të saj. Në këtë studim ndjekim me vëmendje sesi në vetmi ndodh udhëtimi në qendër të qenies, përmes së cilit ai është në gjendje të zbulojë disa aspekte të karakterit, personalitetit dhe ekzistencës. Zbulojmë disa prej formave të veçimit dhe i analizojmë me kujdes ato duke nxjerrë përmes sintezës koordinata të rëndësishme të kësaj vepre të cilat bëjnë jetën e tyre të pafundme, paradoksalisht, pikërisht prej izolimit.

-Çështja tjetër do të ishte në kuptimin më të gjerë, një çështje etike, morale: çfarë lloj njeriu banon poemën? Cili është nocioni i tij i jetës së mirë apo i vendit të mirë? Nocioni i tij i së keqes? Çfarë mban ai të fshehtë nga lexuesi? Çfarë fsheh madje dhe nga vetja e tij?

Zorba do të shikohet patjetër edhe si një personalitet etik, sikurse ishte. Për fat të keq, shkrimet për të janë të pakta ende. Ka një papërputhshmëri, një hendek të ftohtë midis rëndësisë së veprës së tij për sistemin tonë letrar dhe shkrimeve të pamjafta që gjenden për të. Duke qenë se nuk ka një libwr studimor deri më tani për veprën e tij, do të dëshironim dhe guxonim me kënaqësi dhe me drojë t’i kushtoheshim kësaj sprove të parë.

-Këtu do të ndërtohet njëkohësisht me analizat e tekstit edhe një jetëshkrim e Zef Zorbës dhe ndonëse asaj do t’i referohemi për aq sa hedh dritë mbi veprën e autorit, nuk do të mungojë interesi i brendshëm për biografinë e poetit në fjalë, pasi dëshmitë jetësore deri tashmë nuk kanë qenë të bollshme. Jeta e tij, e pa rënë aq shumë në sy, tashmë na tërheq e na thërret. Në disa shenja të tekstit të Zorbës, pikërisht aty ku duket se elementi i shprehësisë personale del mjaft i zbehtë, është zhytur thellë dhe ndërlikueshëm përvoja e tij jetësore. Ne do të hetojmë këto shenja të tekstit letrar që kondensojnë përvojën e tij jetësore dhe personalitetin e tij. Do të vëzhgojmë sesi ngjashmëritë opake dhe pasqyrat shformuese ristrukturojnë, transformojnë dhe integrojnë realitete të jetuara, dhe sesi në këtë integrim humbasin kuptimet ngushtësisht personale për të përftuar një material gjithënjerëzor.

Do të vëzhgojmë gjithastu, sesi, i zënë në pasionin eternal për dije dhe arte, artisti Zorba, ristrukturon dhe integron mendimet e tij, ndjesitë dhe sensualitetin në një formë poetike të veçantë e të mbresëlënëse, të brishtë dhe të ndjeshme, multivalente dhe të bukur në vetvete, në një vepër që rilind nga hiri i vet.

Filed Under: Interviste

Promovimi i Kosovës në arenën ndërkombëtare

August 19, 2024 by s p

Haxhi Dulla/

Promovimi i Kosovës në arenën ndërkombëtare është një temë mjaft e ndjeshme. Është obligim i bashkatdhetarëve tanë kudo që janë në botë të promovojnë atdheun, nëpërmjet kulturës, gjuhës dhe mirësjelljes. Është shumë e vështirë të gjesh rrugën e duhur që do të jetë një recetë e mahnitshme dhe në të njëjtën kohë e mrekullueshme për të promovuar Kosovën në botë. Është e vështirë të lindësh një ide e tillë, por ndoshta është më e vështirë të gjesh njerëzit e duhur që, si të fortë, do të krijojnë, promovojnë dhe mbi të gjitha të ruajnë idenë për promovimin koherent të Kosovës dhe, dhe me të gjithë banorët e saj.

Kosova mund të promovohet në mënyra të ndryshme. Bukuritë natyrore janë një reklamë shumë e mirë për vendin. Mjafton paraqitja e përfaqësuesve tanë në sport. Ia vlen të tregojmë për të arriturat tona sportive. Falë kësaj, njerëzit nga e gjithë bota do të na njohin edhe në tepër. Promovimi i turizmit është shumë i mirë. Në vendin tonë nuk kemi det, por kemi male. Bjeshkët e Rugovës , Alpet Shqiptare në trekëndshin kufitar dhe fermat e agroturizmit që mund të inkurajojnë të huajt të vijnë. Në mes të Kosovës ekziston ujëvara e madhe Mirusha. Burimi i Drinit të Bardhë , dhe shumë atraksione të tjera interesante.

Prizreni është përshtatur shumë mirë për turistë të huaj. Sa për kuriozitet cdo vit vizitohet nga mijëra polak rrugës për pushime në Shqipëri. Agjencionet turistike nga Polonia organizojnë vizita të tilla jo vetëm në Prizren por edhe në tërë Kosovën. Via Ferata është shumë e njohur në dashamirës bjeshkatar polak, por mediat tona shqipfolëse shumë pakë shkruajnë për këtë. Fal mikut tim Astritit nga Peja me qindra polak vizitojnë bjeshkët tona. Rezulton se është e mundur të promovojmë vendin. Duhet vetëm vullnet. Por gjithçka që na nevojitet është një ide e mirë…Në foto një letër falenderuese pas promovimit të Kosovës në njërën nga bibliotekat publike polake, të cilës i falenderohem nga zemra…

Filed Under: Ekonomi

𝗞𝗿𝘆𝗲𝗺𝗶𝗻𝗶𝘀𝘁𝗿𝗶 𝘁𝗮𝗷𝗹𝗮𝗻𝗱𝗲𝘇 𝗱𝗵𝗲 𝗥𝗮𝗺𝗮

August 19, 2024 by s p

Bujar Leskaj/

Më datën 14 gusht 2024, Gjykata Kushtetuese e Tajlandës shkarkoi nga detyra kryeministrin Srettha Thavisin, për shkak se kishte emëruar anëtar të kabinetit të tij qeveritar një ish-avokat që kishte vuajtur dënim me burg. Sikur kjo gjë të ndodhte në Shqipëri, autokrati Rama, inspiruesi i ngjizjes së Partisë Socialiste me të inkriminuar që nga viti 2013, nuk do të kishte mundur të qëndronte qoftë edhe një ditë të vetme në pushtet. Rama i hapi rrugë futjes së personave me rekorde kriminale në parti dhe katapultimit të tyre si deputetë në Parlament apo kryetarë bashkish, si dhe drejtues të lartë kompanish publike,apo shfrytëzues të pasurive publike përmes lejeve e licencave të ndryshme deri investitor strategjik.

Kjo lukuni personash i duhet Ramës dhe sektit të tij në pushtet, për t’i përdorur në fushata elektorale për financimin elektoral dhe më gjerë. Asnjë prej te inkriminuarve nuk është zgjedhur nga Partia Socialiste përmes garës dhe propozimeve nga baza, por janë diktuar nga lart, nga vullneti apo kapriçiot okulte të Ramës.

Me të trija palë zgjedhjet e përgjithshme të trukuara të viteve 2013, 2017 dhe 2021, si dhe në zgjedhjet vendore të viteve 2015, 2019 dhe 2023, Rama zbatoi modelin e mbrapshte dhe autokrat politik “i forti blen vota për të blerë më pas pushtetin”. Shpërndau pushtet pa kursim tek të inkriminuarit e tij, në këmbim të parave dhe votave të blera, duke i sponsorizuar dhe duke i lënë të penetronin në nivelet më të larta të shtetit dhe të vendim-marrjes publike. Rama sponsorizoi, përkrahu dhe realizoi ngritjen e një klientele individësh të pasur e “të fortë”, deri me rekorde kriminale, nga politika, biznesi dhe media. Kjo shtresë i garanton lidhjen e sektit të vet në qeverisje, me krimin dhe kriminelët, me trafiqet dhe trafikanët, si dhe me biznesmenët e manjatët. Kjo shtresë është e domosdoshme për Ramën, për t’i garantuar sponsorizimin financiar dhe prioritetin pasuror e financiar ndaj kundërshtarëve të brendshëm e të jashtëm, por edhe për të pasur në veprim në çdo moment “shtetin paralel” të të fortëve, që veprojnë për të blerë votat, kërcënuar votuesit, si dhe blerë ose frikësuar kundërshtarët politikë dhe opozitën.

Dorëheqja gjashtë vite më parë, më 15 mars 2018, e Kryeministrit të Sllovakisë Robert Fico, pas vrasjes së Ján Kuçiak, një gazetari që hetonte lidhjet e mundshme midis zyrtarëve të qeverisë së tij dhe një sindikate italiane të krimit të organizuar, i ngjan një akti sublim, në krahasim me batakun e Ramës, që ka 12 vjet që ua ka hapur partinë, qeverinë dhe shtetin personave të lidhur me krimin. KM Rama po e copëton Shqipëriné , pasurinë publike me ligje të qepura me dorë dhe pa ligje, si nje autokrat pa maskë , si grabitqar i vërtetë.

Bashkëjetesa dhe simbioza e “Liderit Rajonal” me persona me të kaluar të dyshimtë dhe rekorde kriminale buron nga vetë deviza e sektit të tij “më jep para, influencë dhe vota, të të jap pushtet ekonomik e politik “. Një cikël i mbyllur kriminal elektoral.Ajo nuk shkatërrohet dot, jo e jo me dorëheqje, apo me nisma të një Gjykate Kushtetuese të pagojë dhe jo profesionale si kjo e sotmja, që nuk ka top ta luajë, por vetëm me votën e qytetarëve të përgjegjshëm për votën e lirë në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2025. Populli na mëson:Zullumi me tu trashur këputet. Sekti Rama drejt këtij degradimi ka vite që vërtitet.

Nga opozita kërkohet alternativë zhvillimi kombëtar, ekip me integritet në çdo aspekt dhe fushatë luftarake gjithëpërfshirëse.

Filed Under: Ekonomi

Isa Boletini, konsulli rus, Ura e Ibrit dhe Stano i BE-së

August 19, 2024 by s p

Prof. Dr. Sylë Ukshini/

Para 121 vjetësh ndodhi një bela e madhe në Mitrovicë, e cila do t’i shkaktonte kokëdhembje të mëdha Sulltan Abdyl Hamditit, i cili mori të gjitha masat dhe i bëri koncesione carit rus vetëm për qetësimin e situatës në këtë qytet kosovar. Por, edhe pse sulltani e largoi Isa Boletinin nga Mitrovica dhe dënoi me vdekje atentatorin shqiptar të konsullit rus, situata mbeti edhe më tej kritike. Por, as sulltani osman dhe as valiu i Kosovës apo ndonjë palë e tretë e përfshirë në këtë rajon nuk do të mund të imagjinonte se 120 vjet më vonë në Mitrovicë dhe rrethinë situata do mbetej edhe më tej “shpërthyese” dhe problematike”.

Derisa organizatori/vrasësi i policit shqiptar të Republikës së Kosovës mbetet i strehuar në Serbi, BE-ja, përmes zëdhënësit të saj Peter Stano, bënë thirrje që ura mbi lumin Ibër, të cilin në kohën e lashtë banorët e quanin Ujëbardhë, të qëndrojë e mbyllur si “rezultat i një numri të madh rrethanash të vështira politike”. Nëse heqin datat dhe emrat e protagonistëve, krijohet përshtypja se ndodhemi akoma në telashet e pranverës së vitit 1903, kur në këtë rajon strategjik shqiptar zhvillohej një diplomaci konfrontuese midis fuqive evropiane dhe rajonale, gjë e cila del në pah nga dimensioni që mori çështja e hapjes së konsullatës ruse dhe më pas edhe nga aktiviteti permanent propagandistik edhe antishqiptar i konsullit Shqerbin në mesin e popullatës ortodokse serbe në rrethinën e Mitrovicës.

Kërkesa për internim të Isa Boletinit dhe vrasja e konsullit rus

Viti 1903 është një pikë kthese për zhvillimet në Vilajetin e Kosovës. Zhvillime të rëndësishme që ndodhën në rajon në këtë kohë, të tilla si miratimi i Programit të Reformës së Mürzsteg (1903), Kryengritja e Ilindenit, por pa dyshim ngjarja ma pikante ishte vrasja e konsullit rus në qytetin e Mitrovicës, në veri të Vilajetit të Kosovës, prej nga vinin provokimet e bandave dhe të shtetit serb. Vrasja e konsullit Shqerbin tensionoi situatën jo vetëm në Mitrovicë, por edhe marrëdhëniet midis Perandorisë Osmane dhe Rusisë.

Në këtë kohë, një peshë të veçantë kishte pjesa veriore e Vilajetit të Kosovës, e cila përmes Sanxhakut të Novi Pazarit krijonte një lidhje strategjike me Vilajetin e Bosnjës, i cili pas Kongresit të Berlinit hyri nën kontrollin ushtarak të Austro-Hungarisë, ngjashëm me protektoratin ndërkombëtar që u vendos aty pas Paqes së Dejtonit.

Në rajonin verior të Vilajetit të Kosovës ekzistonte një rivalitet i madh politik, ekonomik dhe ushtarak ndërmjet fuqisë evropiane austro-hungareze dhe pretendimeve serbe dhe ruse për dominim dhe ushtrim të influencës në Ballkanin Perëndimore. Në këtë kontekst, Vilajeti i Kosovës, sidomos në fillim të shekullit 20, u bë cak i orekseve hegjemoniste territoriale serbe. Krahas pranisë së fuqishme të klerikëve serbë dhe rusë në Vilajetin e Kosovës, gjithnjë e më shumë kishte interesim për hapjen e misioneve diplomatike në territorin e Kosovës: në Shkup, Prizren, Prishtinë dhe në Mitrovicë. Për më tepër, sipas dokumenteve osmane, Mitrovica konsiderohej zemra e Shqipërisë në atë kohë për shkak të lidhjes hekurudhore me Pejën, Shkupin, Yeni Pazarin, Prishtinën dhe Prizrenin. Ky rajon kishte një lidhje të drejtpërdrejtë me Sanxhakun e Novi Pazarit, që ishte një rrip i ngushtë midis shteteve sllave të Serbisë dhe Malit të Zi, që shërbente njëkohësisht edhe si pykë për të pamundësuar bashkimin politik të këtyre dy shteteve dhe për të ruajtur një kalim në Kosovë, Maqedoni dhe, prej këndej, në Egje. Kjo ishte arsye përse Austro-Hungaria, Rusia, Perandoria Osmane dhe Serbia dëshironin që përmes pranisë politike dhe ushtarake në qytetin e Mitrovicës të shtrinin influencën e tyre në këtë rajon strategjik.

Në kontekstin e ruajtjes së status quo-së në rajon, Rusia e mori në konsideratë hapjen e një konsullate në Mitrovicë në përgjigje të idesë se interesat e veta ishin lënë në hije nga iniciativat e Austro-Hungarisë, rivale të saj në rajon. Duke e marrë në konsideratë reagimin e dhunshëm të shqiptarëve, që kishte të ngjarë të përkeqësojë situatën në mënyrë të pakontrolluar, guvernatori i atëhershëm i Kosovës në përgjigjen për konsullin rus në Shkup, vuri në dukej të metat e hapjes së konsullatës ruse në Mitrovicë, duke sqaruar se emërimi i një konsulli atje nuk ishte i përshtatshëm për shkak të faktit se Mitrovica ishte një vend i vogël, ai gjithashtu paralajmëroi se hapja e një konsullate atje do të ishte e privilegjuar për shtetet dhe qeveritë fqinje, si dhe i shkroi se nuk kishte asnjë konsull të ndonjë shteti në Mitrovicë.

Ndërsa autoritetet osmane kërkuan që largimi i konsullit të shtyhej deri sa shqiptarët të qetësoheshin, gjenerali që përfaqësonte Serbinë në Stamboll këmbënguli në lëvizjen e Shqerbinit në Mitrovicë sa më shpejt të ishte e mundur. Edhe serbët lokalë u përpoqën të mobilizoheshin nga Serbia për konsullatën ruse në Mitrovicë. Gjithashtu në një telegram të koduar të dërguar në Ministrinë e Brendshme nga Kosova, raportohej se konsulli serb i Prishtinës kishte organizuar një mbledhje të pleqve dhe anëtarëve të këshillit shpirtëror nga fshatrat e rrethinës së Kolashinit në Mitrovicë për të hartuar një dokument që mbështeste hapjen e konsullatës ruse në Mitrovicë, pa njoftuar autoritetet lokale.

Rusia, krahas insistimeve për hapjen e Konsullatës së saj në qytetin e Mitrovicës, kërkonte nga Porta e Lartë edhe një kusht të madh, dërgimin e Isa Boletinit në internim, për shkak se ai kur e dëgjoi lajmin për ardhjen e konsullit rus, nisi një lëvizje të organizuar kundër hapjes së misionit konsullor rus në qytetin e tij. Ky udhëheqës i njohur shqiptar në këtë rajon, gjithashtu mobilizoi njerëzit e Novi Pazarit duke i dërguar një telegram qeverisë osmane se ata nuk e mirëprisnin ardhjen e një konsulli rus. Kjo ishte arsyeja përse guvernatori osman i Kosovës ishte i bindur se hapja e konsullatës ruse do të ishte e mundur vetëm pasi disa individë të largoheshin nga rajoni. Faktori Isa Boletini duhej të merrej seriozisht.

Në anën tjetër, pala ruse do ta ngrinte shqetësimin për mospërmbushjen e premtimit të dhënë nga shteti osman për internimin e Isa Boletinit nga Mitrovica dhe dhënia e akreditimit për konsullin e emëruar. Në të njëjtën kohë, shteti rus kërcënonte se mosrealizimi i këtyre kërkesa do të thoshte ndërprerje e marrëdhënieve diplomatike me shtetin osman. Pas këtij kërcënimi, Isa Boletini do të largohej nga Mitrovica për në Stamboll, jo me metoda ushtarake, por me bindje, dhe ai do t’i jepej një detyrë prestigjioze nga Sulltani në lidhje me mbrojtjen e tij, por trazirat shqiptare në rajon nuk mundën të parandaloheshin.

Sulltan Abdul Hamidi gjithashtu i udhëzoi zyrtarët të bënin atë që ishte e nevojshme për të parandaluar përshkallëzimin e ngjarjeve. Kur Stambolli të kuptojë se nuk do të jetë në gjendje të parandalojë hapjen e konsullatës ruse, u përpoq të vonojë hapjen sa më shumë që të jetë e mundur, por në fund u pajtua për fillimin e punës së konsullit rus në Mitrovicë.

Shqerbin më në fund mbërriti në qytetin e Mitrovicës më 26 janar 1903 dhe menjëherë filloi aktivitetet e tij, duke vizituar fshatrat me popullatën ortodokse serbe në fshatrat përreth qytetit. Sipas një dokumenti osman, një aktivitet i tillë i konsullit rus Gregory Shqerbina kishte ngjallur shqetësimet e popullsisë shqiptare në rajon. Sipas Edith Durham, besohet se konsulli rus, i cili ishte në mesin e trupave osmane, personalisht qëlloi dhe vrau shumë shqiptarë dhe madje komandoi edhe baterinë e artilerisë osmane që ishte angazhuar për të shtypur një revoltë shqiptare. Thuhet se kjo sjellje e konsullit rus i kishte acaruar shqiptarët në ekstrem dhe në shenjë hakmarrje në mars të vitit 1903, deri ai po shëtiste jashtë qendrës së qytetit, ushtari osman Ibrahim bin Halid, e qëlloi për vdekje. Burimet shqiptare thonë se ushtari osman Ibrahim bin Halid (Ibrahim Haliti), ishte nga fshati Llashticë i rrethit të Gjilanit.

Kjo vrasje e konsullit rus ishte dëshmia më e mirë se përkundër gatishmërisë së Portës së lartë për t’i bërë koncesione shtetit perandorak rus, situata në Mitrovicë mbeti konfrontuese dhe epiqendër e rivaliteteve midis shteteve fqinje dhe atyre evropiane. Kjo duket qartë edhe nga reagimi i skajshëm i Serbisë ndaj njoftimit të kontit austriak Aehrental, ministër i Jashtëm, për ndërtimin e hekurudhës së Sanxhakut, e cila do të kalonte nëpër qytetin e Mitrovicës, ku jeta ishte e mbushur me rreziqe dhe pasiguri dhe ku gjatë historisë telashet midis shqiptarëve dhe serbëve e tërhoqën vëmendjen e opinionit publik më shumë se gjithandej në Kosovë.

Muri i Berlinit dhe përpjekja serbo-ruse për ndarjen e veriut të Kosovës më 1999

Me ngritjen e befasishme të Murit të Berlinit në gusht 1961, ndarja gjermane u çimentua – në kuptimin e vërtetë të fjalës dhe Lufta e Ftohtë arriti në pikën kritike. Bashkimi Sovjetik dhe Gjermania Lindore (RDGJ nuk kishin zgjidhje tjetër për të ndaluar fluksin e refugjatëve nga Gjermania Lindore në Perëndim. Në vitet e mëparshme kishin ikur tre milionë qytetarë, shpesh të rinj të kualifikuar, të cilët ia kthyen shpinën socializmit që ekzistonte në të vërtetë në tokën gjermano-lindore. SHBA-të reaguan me kujdes ndaj ndërtimit të murit. Pika e kontrollit Charlie – Kalimi kufitar në Friedrichstrasse ishte një simbol i dimensionit ndërkombëtar të konfliktit të Berlinit. Kur Berlini Lindor filloi ndërtimin e murit, shumë prisnin përfshirje më të madhe të SHBA-së. Por administrata Kennedy dhe politikanët gjermanë reaguan me maturi. Ata e dinin: bota ishte në prag të një lufte të re bërthamore.

Edhe në qershor të vitit 1999 bota ishte të një konfrontim të madh SHBA-Rusi, kur kreu ushtarak i Rusisë po bënte përpjekje që në mënyrë të njëanshme të krijonte në sektor ushtarak rus nga lumi Ibër e tutje. Millosheviqi edhe pse kishte pranuar Marrëveshjen Tekniko-Ushtarake të Kumanovës, po lëvizte të gjithë gurët për ndarjen e Kosovës. Në fakt, në kohën kur ende po vazhdonin bombardimet e NATO-s ndaj caqeve ushtarake serbe, diplomacia ruse kishte filluar presionet për një sektor rus paqeruajtës në veri të Kosovës. Më vonë presidenti Ahtisaari, i Finlandës, ka pohuar se përpjekja ruse për të kapur bazën ajrore të Sllatinës ishte krijuar për të mundur ndarjen e Kosovës si pjesë e një marrëveshjeje sekrete me Millosheviqin. Ai këmbëngulte se asnjë shpjegim tjetër nuk përfshin plotësisht ngjarjet konfuze të atyre ditëve dramatike.

“Unë jam i bindur se ishte rënë dakord midis forcave të armatosura ruse, si dhe shërbimeve të inteligjencës dhe udhëheqjes jugosllave që Rusia të merrte kontrollin e pjesës veriore të Kosovës dhe të formonte një sektor të vetin”.

Ahtisaari pohon se ky plan sekret shpjegon arsyen përse Millosheviqi pranoi marrëveshjen e paqes të cilën ai dhe Viktor Chernomyrdin ia kishin dorëzuar në Beograd, miratoi ofertën e paqes që ai solli në Beograd dhe pse rusët punuan për të ndaluar bisedimet ushtarako-teknike për të blerë më shumë kohë. Një pretendim i tillë serb mund të kuptohet edhe nga qëndrimi që përfaqësonte asokohe presidentit kroat Franjo Tugjman, i cili në një takim me ambasadorët e të G-8 në Kroaci në Zagreb më 22 maj 1999, pati deklaruar se „forcat serbe duhet të tërhiqeshin në pjesën veriore të Kosovës, ku duhet të vendoseshin edhe trupat e huaja, duke përfshirë njësitë ushtarake ruse“. Ndaj këtij propozimi të presidentit kroat pati reaguar e përditshmja e pavarur “Novi List”, e cila akuzoi se ideja e tij përbënte “një marrëveshje të Jaltës” ose ndarje të Kosovës.

Dështimi rus për të vendosur një vijë ndarëse mbi lumin Ibër përmes krijimit të një sektori rus, ishte pa dyshim meritë e shkathtësisë diplomatike të zëvendëssekretarit amerikan Strobe Talbott dhe ekipi i tij, të cilin sekretarja Medlin Albright e kishte dërguar në Moskë për finalizimin e detajeve të përfshirjes së Rusisë në KFOR.

“Uashingtoni këshilloi mençur Strobe Talbotin t’i zhyste rusët në diskutim dhe t’i mbajë aty derisa sa të miratohet rezoluta një Nju Jork,“ thotë Wesly Clark, i cili po ashtu ishte kundërshtari më i madh që rusëve t’u jepet një sektor i veçantë. Por, meqë Rezoluta e OKB-së nuk e qartësoi rolin e Rusisë brenda KFOR-it, ekipi rus nën drejtimin e ministrit të Mbrojtjes Sergei Ivanov me ushtarakët e lartë Anatoli Kvashnin, Leonid Ivashov, gjenerali Ivashov dhe Viktor Zavarzin dhe këshilltari politik Vladimir Putin ia dolën dinakërisht të fusnin në Prishtinë, e më pas në bazën ushtarake të Sllatinës kontingjentin e trupave ruse të dërguara nga Bosnja. Kjo situatë kritike nxiti angazhimin urgjent të presidentit amerikan Bill Clintoin, zëvendëspresidentit Al Gore, sekretares Medline Albright, Sekretari të Mbrojtjes, William Cohen gjeneralëve Hug Shelton, Wesly Clark dhe të shumë diplomatëve dhe ushtarakëve të tjerë amerikanë, të cilën me vendosmëri e dështuan plani serbo-rus për ndarjen e Kosovës.

Talbot i tha ministrit rus të Mbrojtjes: “Nuk mund të kemi ndarje. Synimi ynë nuk është ta ndajmë Kosovën, por sapo të vendosim një vijë, kemi ndarje. Të gjithë serbët do të derdhen në sektorin rus”. Ndërsa, kryeministri i ri, Sergei Stepashin, i cili kishte punuar në nivele të larta në shërbimet e inteligjencës ruse, në takim me Talbotin theksoi: “Duket se ne kemi shmangur një përshkallëzim në Kosovë ashtu siç kemi shmangur një përshkallëzim të tillë në krizën e Kubës shumë kohë më parë”. Në anën tjetër, lidershipi i BE-së në Samitin e Kölnit vazhdonte të merrte për vete meritat e përfundimit të luftës në Kosovë.

Pas shumë netëve të gjata dhe negociatave të vështira të pafundme, SHBA dhe Rusia më 18 qershor 1999 arritën marrëveshjen për pjesëmarrjen e trupave ruse në KFOR. Përfundimi: Rusisë nuk do t’i jepej asnjë sektor më vete. Trupat ruse do të shpërndaheshin në mes të 45,000 paqeruajtësve të NATO-s dhe do t’u përgjigjeshin komandantëve kombëtarë të NATO-s. Konfigurimi përfundimtar paqeruajtës, ishte shumë i ngjashëm si në Bosnjë. Ndoshta për çështje balance, veriu i takoi Francës.

Dialogu për çështje trafiku dhe vazhdimësia e “revolucionit të drunjve”

Që nga paslufta veriu i vendit u bë oazë krimi, ku shqiptarët dhe serbët bashkëpjesëmarrës të zellshëm. Në anën tjetër, kalimi mbi Urën e lumit Iber të Mitrovicës u pika më e nxehtë e Kosovë, ajo herë bllokohej me gjëra të rënda herë bëhej e pakalueshme nga mbyllja që bëhej prej KFOR-it. Është e qartë se shpresa e vetme ishte dialogu i Brukselit, që filloi në vitin 2011 për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Por, tani qe jemi në vitin 2024, as nuk kemi normalizim marrëdhëniesh, as marrëveshje finale dhe as hapje të plotë të urës mbi Ibër. Përjashto Asociacionin, ku ka një përkushtim dhe vendosmëri ndërkombëtare, Procesi i Brukselit ka degraduar në telenovelë trafiku. Nëntë vjet më vonë, në tetor 2015 ishte arritur Marrëveshja e Brukselit për heqjen e barrikadës dhe rivitalizimin e urës së Ibrit. Bashkimi Evropian, përkatësisht Zyra e BE-së në Kosovë, që është kompetent për zbatimin e kësaj marrëveshje, kishte nisur punimet e rivitalizimit të urës e cila ishte parashikuar se do të zgjasë deri në qershor të vitit 2016, dhe më pas pritej që ura e Mitrovicës do të hapej për lëvizje të plotë të lirë, për këmbësor dhe automjete. Dhe tani kur Qeverisë së Kosovës doli me nismën për hapjen e Urës së Ibrit për qarkullimin e veturave, pos shtetit fqinj të Vuçiqit, dolën kundër edhe ndërkombëtarët.

Ndërsa, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ndonëse e pranon se urat janë për bashkim të njerëzve, thotë se Ura e Ibrit është “çështje shpërthyese dhe problematike” dhe “nëse keni një problem, atëherë e zgjidhni me dialog, jo me vendime të njëanshme”. Mund të mos na pëlqejë, por ky qëndrim i ndërkombëtarëve është imponim i një zgjidhjeje kundër vullnetit të shumicës, kur pakica serbe është kundër, atëherë nuk është i rëndësishëm vullneti i shumicës edhe atëherë kur kemi të bëjmë me rregullat e trafikut dhe jo vetëm me ndryshimet kushtetuese. Ndoshta mënyra se si mund të kuptohet Kosova sot është nëpërmjet qëndrimit të ndërkombëtarëve për urën e Mitrovicë. Nëse parafrazojmë mendimin e Talbot-it se “por sapo të vendosim një vijë, kemi ndarje”, atëherë duhet kuptuar që tani se pikërisht aty nesër mund të jetë kufiri i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Ky opsion do të shënonte momentin lapidar të ndarjes së brendshme të Kosovës.

Vazhdimi i telenovelës të Urës së Mitrovicës, që ndan pjesën veriore të qytetit e cila është e banuar me shumicë serbe pas spastrimit etnik të shqiptarëve dhe pjesën jugore që është me shumicë shqiptare, ndoshta është simbolika më e keqe e dështimit të etablimit të Perëndimit në Kosovë dhe rajon. Nëse vazhdohet me këtë qasje ndërkombëtare, kur vendimi Qeverisë së Kosovës konsiderohet i njëanshëm edhe përballë strukturave ilegale të Serbisë, vazhdon të funksionojë në praktikë strategjia e komunikimit të drejtpërdrejtë të serbëve të Kosovës me Beogradin, që nënkupton dëgjueshmërinë e tyre vetëm ndaj Beogradit. Si mund të ndodhë integrimi i serbëve në sistemin e Kosovës përderisa vendimet e Kosovës: për targat e automjeteve, për zhbërjen e strukturave ilegale serbe, për ndalimin e dinarit serb, për mosnjohjen e pasaportave ilegale dhe për ndalimin e funksionimit të paligjshëm të Postës së Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës, konsiderohen të njëanshme.

Nëse është kështu, atëherë i bie që operimi dhe vendimet e Qeverisë së Serbisë që kanë të bëjnë me Kosovën nuk janë të njëanshme! Në këtë kontekst, çfarë kuptimi ka referenca nga Marrëveshja Themelore më 27 shkurt 2023 dhe Aneksi i Zbatimit të 18 marsit 2023, që parashikon se: “Palët do të zhvillojnë marrëdhënie normale, të fqinjësisë së mirë me njëra-tjetrën në bazë të të drejtave të barabarta”. Të gjitha veprimet e paligjshme e deritanishme të Serbisë, jo vetëm që paraqesin shkelje serioze të parimeve të fqinjësisë së mirë, por ato krejt hapur synojnë ta minojnë funksionalitetin e shtetit të Kosovës.

Ndërsa, thirrja e serbëve lokalë për ta penguar hapjen e urës përbënë cenim të rendit kushtetues, që nënkupton nevojën e veprimit të shtetit dhe institucioneve të rendit. Nëse i referohemi nenit 155 të kushtetutës së Spanjës, të një vendi anëtar të BE-së, në rast se një komunitet i Spanjës nuk e respekton Kushtetutën, atëherë qeveria është e detyruar që ta obligojë atë me forcë e ligjit që ta bëjë atë. Për çfarë vetëm në rastin e Kosovës çdoherë duhet pasur përjashtime.

Kundërshtimi, sidomos ai evropian, i hapjes së urës, insistimi për ruajtjen e strukturave ilegale të shtetit serb brenda territorit të Kosovës, kërkesa për rikthimin e valutës së shtetit serbe dhe së fundi edhe njohja e njëanshme nga BE-ja e pasaportave të qendrës koordinuese ilegale serbe, tregon BE-ja se po ndjek një “zgjidhje”, edhe pse ajo kundërshtohet nga pozita dhe opozita dhe shumica e qytetarëve të Kosovë, që e shpi dialogun në një ngërç dhe njëkohësisht e forcon pozicionin kundërshtues të përfaqësuesve radikalë serbë në Kosovë kundër integrimit në sistemin shtetëror kosovar.

Për më tepër, sipas logjikës së Stanos, i cili natyrisht me këtë rast nuk përfaqëson qëndrimin personal, por të BE-së, në çdo shtet të rajonit mund të gjendej një komunitet etnik që do të kërkonte të mbante një rrugë apo urë të mbyllur si shenjë e sfidimit të pushtetit qendror. Por, ai dhe ndonjë zyrtar evropian është mirë ta kuptojnë se bllokimi i rrugëve është “armë” e njohur e Beogradit, kur në gushtit të vitit 1990 serbët e Kroacisë patën bllokuar rrugët përreth qytetit kroat Kninit, duke vendosur mjete të rënda transportuese, por edhe zhavorr e drunj, në atë që quhej si “revolucioni i drunjve.”

Dhe nëse edhe pas tridhjetë e katër vjetëve vazhdojmë të normalizojmë logjikën e “revolucionit të drunjve,” atëherë i tërë procesi i Brukselit fillon t’i ngjajë stilit të bisedimeve për çështjen e arsimit në Gjenevë në kuadrin e konferencës për ish-Jugosllavinë në fillim të viteve 1990-ta, i cili sipas ambasadorit Gerht Ahrens, drejtues i këtij procesi, shqiptarëve ua krijonim përshtypjen se problemi i Kosovës ishte ndërkombëtarizuar, ndërsa serbëve se tema e arsimit është një çështje e brendshme e Serbisë, ndërkohë që qëllimi i vërtetë ishte përgatitja e terrenit për hapjen e negociatave politike për statusin e Kosovës. Nëse është kështu, atëherë na del se krejt marrëveshjet e Brukselit janë një instrument për paketimin diplomatik të status quo-së dhe të negociatave të pa fund, përkatësisht derisa të krijohet një momentum i ri për realizimin e një ndarje të brendshme të Kosovës në vija etnike, në Kosovën serbe dhe Kosovën multientike, por askund shqiptare.

Rasti i ndarjes së brendshme territoriale të Bosnjës-Hercegovinës me shumicë myslimane tregon se ato e dobësojnë dhe e pengojnë funksionimin e shteteve. Megjithëse Serbia, që i nisi tri lufta dhe i humbi ato, që nga qershori i vitit 1999 bashkë me miqtë e saj nisi një fushatë për ta kthyer përmbysë të vërtetën e asaj që ndodhi në Kosovë, ajo ka punuar pareshtur për të mohuar krimet e kryera në Kosovë dhe gjetiu, duke ekzagjeruar dhe vetëviktimizuar serbët e Kosovës, Bosnjë dhe të Kroacisë.

Kësisoj, ajo krijoi qëllimisht kundër-narrativë, sipas së cilës kishte viktima, përfshirë edhe kriminelë, nga të gjitha anët. Kështu Serbia, megjithëse krimet e saj u kualifikuan si më të rënda që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, në fund ajo përfitoi nga krimet e luftës, sepse ruajti territorin e RS dhe ende kontrollon veriun e Kosovës, duke thurur plane për t’ia aneksuar fillimisht atë pjesë Serbisë. Kjo s’është fantazi, është e shkruar, e formuluar qartë, është doktrinë që pret orën e saj. Gjithashtu, siç pohonte shkrimtari shqiptar, Ismail Kadare, “bombat e NATO-s ndëshkuan Serbinë me 1999, por jo edhe doktrinën e saj”.

Dhe pikërisht mbi këto premisa duhet kërkuar interpretimin e politikës hegjemoniste serbe ndaj Kosovës, e cila pikënisjen e saj në fundin e shekullit 19 dhe fillimin e shekullit 20, përkatësisht problemi me konsullin rus, i cili kishte zbarkuar në një qytet kosovar një agjendë serbe dhe që po krijonte rrëmujë dhe shqetësime si për popullatën vendore shqiptare, ashtu edhe për autoritetet e shtetit osman. Ishte pikërisht koha kur shteti serb po bënte gjithçka për të penguar konsolidimin e lëvizjes kombëtare shqiptare dhe ndërtimin e një aleance me shtetin perandorak të Austro-Hungarisë, një fuqi evropiane që po mbështeste krijimin e një shteti etnik shqiptar në Ballkan që e shihte si digë kundër depërtimit të influencës sllave.

Ngjashëm si atëherë, Serbia që nga paslufta është orvatur që përmes dimensionit rus të shkaktojë trazira në brendësi në territorin e Kosovës. Kështu, Serbia dhe Rusia po udhëheqin me sukses projektin e pengimit të etablimit të Perëndimit në Ballkan dhe në veçanti në Kosovë. Por, ndoshta tani, kur Perëndimi është i përqendruar në luftën e Ukrainës, në luftën e Gazës dhe në krizat e reja që duken në horizont, rreziku i projektit serb, të cilin asokohe e parandaluan amerikanët, duket po aq i madh sa në qershor të vitit 1999. Dhe, nëse ajo çfarë është fituar në fushëbetejën diplomatike amerikane-ruse në bisedimet e Moskës dhe Helsinkit në qershor të 1999, të rrezikohet përmes procesit infinitiv të Brukselit, atëherë ky do të ishte një dështim i madh i NATO-s dhe i Perëndimit për etablimin e suksesshëm në Kosovë dhe në rajon.

Pragmatizmi, si exit strategji

Nëse edhe pas njëzet e pesë vjetëve ura mbi Ibër vazhdon të mbahet e mbyllur, kjo dëshmon ose dështimin e BE-së ose fjala është për ndonjë skenar të panjohur për ne. Ky është një mister i madh për mua. BE-së nuk i mungon kreativiteti, por të thuash se hapja e urës nxit rebelimin e komunitetit serb, duket skandaloze për aq kohë sa dizajnuese e turbullirave të tilla ka qenë dhe mbetet lidershipi i politik e shtetëror i Beogradit, i cili ndjek strategji të njëjtë me atë të Millosheviqit në vitet 1980, duke i thirrur serbët për padëgjueshmërinë ndaj Qeverisë së Kosovës.

Prandaj, në këtë situatë delikate Qeveria e Kosovës për shumë arsye duhet të lëvizë me shpejtësi për të evituar një përplasje serioze me Perëndimin, para së gjithash me SHBA-në, ngase krijohet perceptimi i gabuar se pala problematike nuk na qenka Beogradi, por Prishtina. Dhe nëse duam të shmangim këtë kurth, mendoj se Qeveria duhet të bëjë një tërheqje të sërishme nga pozicioni i tanishëm.

Pra, pavarësisht se BE-ja ka dështuar ta përmbushë këtë marrëveshje që nga qershori i vitit 2016, Qeveria e Kosovës ka një varg arsyesh që të tregohet më e kujdesshme për shmangien e një diskursi konfrontues me partnerët ndërkombëtarë, sidomos me SHBA-në, që janë garantues të vetëm të stabilitetit në Kosovë dhe regjion.

Është e vërtetë që aleatët e mëdhenj të Kosovës – SHBA dhe BE, janë seriozisht të pakënaqur që nuk po gjejnë tek udhëheqja aktuale e Kosovës atë bindshmëri që e kanë gjetur në qeveritë e mëparshme. Kjo është pjesë e traditës diplomatike mes fuqive të mëdha dhe shteteve më të vogla dhe ka peshën e vet në funksionimin e sistemit ndërkombëtar. Të mësuar me këtë mendësi, aleatët perëndimorë nuk është çudi se shohin si provokim vendimin e Qeverisë së Kosovës për hapjen e urës mbi lumin Ibër, për të cilën më 2015 BE-ja premtoi se do të hapej brenda vitit 2016.

Shumë qendra ndërkombëtare të vendosjes perëndimore, të kënaqura me përmbysjen e Millosheviqit, besojnë se Serbisë duhet t’i njihet një peshë e veçantë në Ballkan, veçanërisht duke pasur parasysh intencën për shkëputjen e saj nga influenca e Rusisë si dhe për shkak të luftës në Ukrainë. Por, është tepër naive të besohet që një vend si Serbia, që luhatet mes Lindjes dhe Perëndimi, mund të shërbejë si faktor stabiliteti në rajon.

Nuk mund të besohet se pikërisht një vend si Serbia, e cila historikisht që nga krijimi si shtet ka operuar midis Lindjes dhe Perëndimit, mund të shkëputet nga koncepti hegjemonist, nëse nuk përballet me vendosmërinë e Perëndimit. Prandaj, është jo serioze kur BE-ja e politizon dhe shkakton përhap panik sikur ura mbi Ibër të ishte ekuivalenti i Murit të Berlinit.

Meqë synimi i Qeverisë së Kosovës për hapjen e urës nga vendet e QUINT-it, Shtetet e Bashkuara, Britania, Franca, Gjermania dhe Italia, është cilësuar si i njëanshëm, vendi ka nevojë për një qasje më pragmatike, që do të nënkuptonte një tërheqje me marrëveshje të afatizuar sesa të kemi një tërheqje imponuar dhe pa asnjë benefit.

Qeveria e Kosovës do të duhej para vendeve të Qunit-it dhe NATO-s të prezantonte një koncept realist dhe një shtyrje të limituar kohore, të paktën deri pas zgjedhjeve nacionale në vend, për implementimin e pakushtëzuar të vendimit për hapjen e urës mbi Ibër, sepse kjo urë nuk është as nuk mund të bëhet më e fortë se Muri i Berlini. Njëkohësisht, një lëvizje pragmatike e Qeverisë së Kosovës do të ishte një exit-strategji për evitimin e kurthit të Beogradit për vetëviktimizimin e komunitetit serb në vend, dhe gjithashtu evitimin e perceptimit të gabuar, se nuk është Serbia, por Kosova fajtori i mungesës së procesin e Brukselit.

Por, një lëvizje e Qeverisë së Kosovës duhet të ishte në mënyrë kategorike e limituar në kohë: të paktën të shtyhej deri në pranverë e vitit që vjen, domethënë derisa në SHBA të jetë përmbyllur procesi zgjedhor për lidershipin e ri. Sepse, sa për evropianët, bazuar nga eksperienca e viteve 1990, mund të themi se BE-ja nuk ka vullnet ose nuk dëshiron apo edhe nuk mundet që ta “nxjerr macen nga përsheshi”.

Kjo qasje bëhet edhe e nevojshme edhe për shkak të rrethanave në vend, në rend të parë, për të shmangur çfarëdo alibie për mospjesëmarrjen e serbëve lokal në zgjedhjet parlamentare, të cilat pritet të mbahen brenda pak muajve. Në këtë mënyrë, Prishtina do ta dekonstruktonte strategjinë e Beogradit që pas krijimit të vakumit institucional në veri, të shtynte përfaqësuesit e partive politike serbe t’i bojkotonin zgjedhjet nacionale dhe kjo automatikisht do i linte serbët të pa përfaqësuar edhe në nivelin qendror. Dhe në një rast të tillë, saga e vetëviktimizuese do të bëhej më agresive dhe njëkohësisht Kosova do të shikoj si palë problematike dhe automatikisht do të fuqizonte pozicionin serb në dialogun e Brukselit. Kësisoj do të shtohej vendosmëria ndërkombëtare për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, një institucion një etnik, i cili do të hapte shtegun për ndarjen e brendshme të Kosovës në vija etnike sipas modelit boshnjak. Dhe pas kësaj, Beogradi do të kishte në dorë një levë tepër të fuqishme për kontestimin e shtetit të Kosovës, jo vetëm nga jashtë, por edhe nga brenda.

Në të njëjtën kohë, Perëndimi, SHBA dhe BE, nëse sinqerisht janë kundër bosnjëzimit të Kosovës, në komunikim me palën problematike, domethënë me Serbinë, duke ia bërë të qartë se ndarje të brendshme të Kosovës nuk mund të ketë. Ndryshe, një qëndrim i luhatur, siç ka ndodhur në shumicën e rasteve që nga paslufta, do të ishte një inkurajim për strukturat kriminale dhe rrjedhimisht kjo situatë do të ndikonte në rritjen e tensioneve në veri të Kosovës. Dhe çdo përshkallëzim eventual do të ishte një dhuratë e madhe për Rusinë, e cila si askund tjetër në rajon, në Kosovë e minon me vendosmëri projektin e etablimit të Perëndimit dhe njëkohësisht përmes vetos së saj e mban të mbyllur derën e Këshillit të Sigurimit si instrument bllokues për integrimin e plotë të shtetit të Kosovës në sistemin ndërkombëtar.

Në anën tjetër, kundërshtimi, sidomos i evropianëve, për hapjen e urës, pavarësisht motiveve të zyrtarëve të Brukselit, nga sfiduesit e rendit kushtetues të Kosovës, në rend të parë nga lidershipi i shtetit fqinj, po shfrytëzohet me agresivitet propagandistik për koncesione të reja dhe realizimin me sukses të strategjisë së mosdëgjueshmërisë së serbëve lokalë ndaj institucioneve të Kosovës. Inkurajon ruajtjen e mëtutjeshme të strukturave ilegale serbe brenda territorit të shtetit të Kosovës. Në këtë mënyrë, Beogradi po gëzon benefite të dyfishta: një njërën anë, me paratë e BE-së po financon strukturat paralele në Kosovë dhe në anën tjetër po kërkon dhe marrë koncesione përmes Procesit të Brukselit, si Asociacioni apo akomodime të reja për Kishën ortodokse serbe të Kosovës.

Kërkesa më anakronike e Brukselit kundër aplikimit të euros në transaksionet bankare, pasi kjo formë “shkakton krizë humanitare”, dhe mirëkuptimi ndaj kërkesës së Vuçiqit për rikthimin e valutës së shtetit serb brenda Kosovës dhe së fundi njohja e njëanshme e pasaportave të qendrës koordinuese ilegale serbe, tregon se BE-ja po ndjek një “zgjidhje”, e cila çështjen e normalizimit të raporteve Kosovë-Serbi e ka zhvendosur në periferi dhe as që duket në horizont. Me kërkesa të tilla të njëanshme ndaj Kosovës, BE-ja njëkohësisht ka forcuar pozicionin e përfaqësuesve radikalë serbë në Kosovë për kundërshtimin e integrimit të serbëve.

Me këtë qasje, me apo pa dashje BE-ja po krijon përshtypjen sikur marrëveshjet e paimplementuara të Brukselit dhe i gjithë procesi i dialogut po merr një formë të re, përtej asaj që e ishte specifikuar me rezoluta e OKB-së në shtator të vitit 2010, dhe, tani në vend të normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, gjithnjë e më shumë ka një tendencë të sforcuar që përmes strategjisë së lodhjes të mbahet gjallë ideja se shtetësia e Kosova nuk është e përmbyllur dhe rrjedhimisht edhe statusi i saj është i diskutueshëm, e që në fakt dhe për ironi përputhet me parimin serb të përkohshmërisë së çdo gjëje në Kosovë. Kjo përshtypje po ndërtohet mbi premisën se vetë BE-ja marrëveshjet e arritura në Bruksel, Aneksin e Ohrit apo Marrëveshjen për Lëvizjen e Lirës dhe për Targat e të tjera po i përdor më shumë si strategji për blerjen e kohës sesa si intencë që në një kohë reale të përmbyllë dialogun për normalizim të plotë të marrëdhënieve në mes dy shteteve të vogla dhe fqinje të Ballkanit Perëndimor përmes një Marrëveshjeje Gjithëpërfshirëse, finale dhe ligjërisht të detyrueshme.

“Koha.net“

Filed Under: Opinion

Fan Noli në Lidhjen e Kombeve, simpozium përkujtimor në OKB

August 19, 2024 by s p

Për herë të parë, brenda sallës së selisë së Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, do të flitet për kontributin e madh të Fan Nolit për kombin shqiptar! Një simpozium përkujtimor dhe historik do të mbahet me rastin e 100-vjetorit të misionit të Fan S. Nolit në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë. Takimi do të zhvillohet në selinë e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, më 9 shtator 2024, nga ora 11:00 deri në 13:00!

Ky organizim historik realizohet me iniciativë të Bibliotekës së Fan Nolit në Boston, VATRA-s, gazetës “Dielli,” dhe pjesëmarrjen e disa akademikëve, studiuesve dhe autorëve të ndryshëm, për të nderuar trashëgiminë shumëdimensionale të Fan Nolit.

I gjithë ky aktivitet zhvillohet nën mikpritjen dhe mbështetjen e ambasadorëve të Shqipërisë në Amerikë dhe në Kombet e Bashkuara.

Nëse dëshironi të dhuroni/donacione për realizimin e këtij eventi të rëndësishëm Ju lutem klikoni linkun:

https://www.zeffy.com/…/d4a782b8-54d3-4343-8e31…

Organizatorët:

Neka Doko – Bibloteka Fan Noli Boston

Ilir Ikonomi – Gazetar/Studiues e autori Nolit Washington

Rafaela Prifti – Editore e Gjuhës Angleze në Gazetën “Dielli” Nju Jork

Mentor Maksutaj – Kryetari i VATRA në Boston (sponsor)

🇺🇸
🇦🇱
🇽🇰

P.S. Të gjithë donatorët do të përmenden gjatë aktivitetit dhe falenderohet në rrjetet sociale!

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 794
  • 795
  • 796
  • 797
  • 798
  • …
  • 2776
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT