• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kontributi i Atë Shtjefën Gjeçovit për ndriçimin e vrasjes së Atë Luigj Palajt

November 16, 2024 by s p

Enver Sulaj/

“Diftesat, mbi xanjen, mundime e dekë t’Atë Luz Paliqit, O.F.M. i cili kje mbytë me 7 të Marcit 1913 e shti në nji gropë në katunit të Janoshit, shi aty ku e njomi tokën me gjak të vet!” Ky është titulli i dorëshkrimit të Atë Shtjefën Gjeçovit, për sivëllain françeskan- Atë Luigj Palajn, që ruhet në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë dhe ka 82 faqe.Trembëdhjetë vjet pas martirizimit të Atë Luigj Palajt, në vitin 1926 Atë Shtjefën Gjeçovi ishte nisur drejt Kosovës, për të hulumtuar rastin tragjik të 13 vjetëve më parë, kur ky atdhetar i devotshëm qe bërë barriera e parë kundër asimilimit dhe shkombëtarizimit të shqiptarëve të rajonit të Dukagjinit, që dokumentohet përmes dëshmive të shumta. Atëbotë, qarqet politike e pushtuese malazeze nuk po kursenin askënd, as shqiptarët katolikë, e as ata myslimanë, bile as prijësit fetarë, siç ishte Atë Palaj, i cili, megjithatë paralajmërimet që i ishin bërë nga bashkëkombësit e tij për rrezikun që i kanosej nga forcat malazeze, ishte shprehur i vendosur në qëndrimin e tij. Me shumë kujdes dhe si një kronist i vërtetë, Atë Shtjefën Gjeçovi gjatë qëndrimit në Gllogjan, Pejë, Gjakovë e Zym, interviston persona të ndryshëm, të cilët në një formë apo në një tjetër kishin njohuri mbi vrasjen e Atë Luigj Palajt. Në një dëshmi, shkruar nga vetë Gjeçovi, lexojmë: “Sot, me 4 të Vjeshtë dytit 1926, Mëhill Marku i shpis së Kocit në Gllogjan më diftoj se nja dhetë ditë perpara se mbyten Atë Luzin, kishte shkue te shpia e Uk Gjonit dhe e kishte këshillue qi mos të shkote nder Shkje, se ata janë ba si qej te terbue, e mnojshin me i ba ndonji sherr. M’at rasë qe se çë kuvend kishte ba Atë Luzi me Mëhillin, sikurse më diftoj vetë Mëhilli n’orën 8 perpara mjesditet mbas Meshet, e tuj pi kafe në pjekëtore të çelës së Gllogjanit. Ky Mëhilli njeri i fjeshtë, njeri i pershpirtshem, e jeta e ti jetë baritore.

Mëhilli: Zotni, mos shko me u pa nder ata Shkje e mos të bajën ndonji dredhi e me të damtue!

Atë Luzi: Mëhill, a je bari gjajet ti?

Mëhilli: Po, Zotni!

Atë Luzi: Po me ba me pa ti se uku po i turret tufës s’ate, shka ban ti?

Mëhilli: Rroki pushken edhe i vëhem në shpinë ukut, per me e turitë a me e vra qi mos të m’a damtoje tufen!

Atë Luzi: Mirë fole, Mëhill, ti i del zot tufës s’ate me pushkë, e une do t’i dal zot tufës s’eme qi janë katolikët, me fjalë të Zotit e me këshille! Uku ka hi veç mbrenda vathit t’em, e ka fillue me m’a damtue tufen. Mue më duhet, pra, me i ra mrapa tufës s’eme e me i turitë ujqt me kercnime të rrebëta me anë të Zotit. -Une nuk ja kam kujdesin këti mishit t’em, i cilli, a sod, a nesër do të bahet gjell krymbash.-“ Por, malzezët po e ndiqnin këmba-këmbës Atë Luigjin. Pasi i kishin rënë në gjurmë, e kishin burgosur për ta dërguar më pas në burgun e Gjakovës. Këtu po fillonte rruga e Kalvarit për të, por edhe e bashkatdhetarëve të tij, të cilët vuajtën bashkë me të deri në frymën e fundit. Në një dëshmi tjetër, jepen të dhëna interesante lidhur me torturat që i ishin bërë dhe dashurinë ndërvëllazërore e ndërfetare të shqiptarëve, të cilët po vuanin bashkë, sepse edhe fronti i rezistencës ishte i përbashkët.

“Prej goje të Rexhep Sylës, musliman prej Maznikut (në nahijet të Pejës)…, sikur i kishte pasë rrëfye Hasan Kocit vetë, përmbas mundimit t’Atë Luzit. Ky Rexhepi ka kenë lidhë krah për krah me Atë Luzin prej Gjakovet deri në Janosh. Rrethi i të lidhunve ka kenë 60 vetësh. Si mbërrine në Janosh, Atë Luzin e liruen prej krahit të Rexhepit tuj ja lidhë duert permbrapa, e Rexhepin e quen nder rreshta të pare, e atë e lidhen vetë të tretin. Permbas mundimesh e grushtimesh me druna pushkësh, ku edhe tuj e therë lehtas me bajoneta, Atë Luzin e shmangne prej udhet edhe e vranë aty. Kur ishin tuj e therë e permbasi krisën pushkë, kishte pas britë tri herë rresht: ”Kofët per hater të Krishtit!” ”Kofët per hater të Krishtit!” ”Kofët per hater të Krishtit!” Këto fjalë i kishte pas përsërit shpesh herë edhe per të gjatë t’udhës. Ashtu më diftoi Hasan Koci e Rexhepi këtij. “Ditët e fundit të jetës së Atë Palajt, ashtu siç dalin nga ky dorëshkrim i Gjeçovit, por edhe dëshmive që ofron revista famëmadhe Hylli i Dritës, janë vuajtje si të Jezu Krishtit, me mundime çnjerëzore, drejtuar mbi korpin e tij, i cili kishte qëndruar edhe në dhê i paprishur për nëntë javë, siç e pohojnë dëshmitë. “Prej gojet të Zenun Sokolit prej Gllogjanit, musliman me fis i Berishas. Me 25-IX-1926 nji mbramje kah ora 7, ishe ndejë n’atë në qelë te Gllogjanit, kur u beh me kalue do kohë me mue Zenun Sokoli, e nder tjera kuvende qi bamë, m’u dha edhe e pveta mos kishte me më diftue gja mbi mundime e dekë t’Atë Luzit? Ky më përgjegji: “Zotni, une jam musliman, por po të kallxoj me të drejtë të shpirtit, se Atë Luzin e kan pasë mbytë shkjet per Fe e vetem pse s’dasht me i ra mbohë Besimit Katolik e me u ba Shkja. Edhe po të tham, Zotni se nji gojet e zanit Katolikë e muslimanë ka njimi herë në ditë ja urojnë shpirtin Atë Luzit tuj thanë: -Dritë i baftë shpirti ati Frati, se deka e ti e gjaku i ti e ka pshtue robnin e Metohis e të Kosovës mbarë! Mos të ishte ai, na kurrnji i gjallë së patëm për të mbetë, e aj qi donte të jikte gjallë, do të mbaronte me u ba Shkja! Deka e Atë Luzit kje pështimi i Katolikve e i muslimajve të këtynve krahinave.” Dëshmitarët që flasin para Atë Gjeçovit betohen para dëshmisë së tyre, ndërkaq metoda e hulumtimit dhe përshkrimi i kufomës së Atë Luigjit, është gati si e një patologu profesionist, deri aty sa përshkruhen imtësisht edhe plagët dhe shenjat e dhunës mbi trupin e tij. “Gjakovë, në Kapele të Shna Ndout. Sot me dy të Vjeshtëtretit 1926 n’oren 11 ¾ para mjesditet, erdh te une Smail (Mark) Sadrija i Janoshit, me fis prej Merturit të Gurit, i cilli kje grishë prej mejet, per me e pëvetë sa punë mbi mundime e dekë të t’Atë Luz Paliqit.

Pa fillue të flasë goja e këtij plakut 70 e ma vjeç, sytë e tij folen tuj ju mbushë me lot sa ja permenda emnin e Atë Luzit, e qi pa ngjat ju perfulluene lot neper mollëza te perhupuna prej pleqniet, e tuj ju dridhë mjekrra e buzët prej vajit, më tha: “Zotni, na urojëm qi Krishti, per të cillin s’ju dhimbt jeta Atë Luzit, e ka marrë shpirtin e tij në Lumëni të vet! Zotëni, sikurse aj qindroi ngulët në Fe të lume, ashtu e ka pasë trimnue popullin, jo veç në burg të Gjakovës, sikurse e kanë dishmue katolikët e muslimajt qi paten kenë me të në burg, por edhe per të gjatë udhës, deri qi e grine shkjet u ka pas thanë: ”Vëllazen, hiqni keq, por mos ndërroni Fe!”- Kur i nepshin mund të burg të Gjakovës, edhe i thojshin shkjet qi të bahet shkja, Atë Luzi u pergjegjte: ”Une kam Zotin t’em Krishtin, e xëvësin e tij në tokë, qi sundon Kishen katolike. Une si Meshtar katolik, urdhnit të tij i rri mbëkambë e vetem atij i ndigjoj. Jam Meshtar i Krishtit e së kanë nevojë të thirrem Pop!”

Më tej, Gjeçovi, në dëshminë e tij shkruan: “Ky… plak i ndershëm, i cili i kishte pas mbëledhë trutë e Atë Luzit me gjymsen e epër të rrashtes të shkapaderdh prej armës gjaksore të Malazesëve, m’a vërtetoi me besë e fe se: Trupi i Atë Luzit i shtimun në gropë shi afer ku e paten vra shkjet, pa farë mbëlojet e shtrojet pertokë e thotë sypri e përfundmi, mbas tri javësh, (I kje qil vorri prej një komisionit ushtarak të Malit të Zi e prap shti në atë gropë e mbas 9 javësh kjen nxjerrë e que në Zymp e shti në dhe në Bëtyq-Zymp).ashtu veq në këmishë tlinta e pantoll me kollqikë në kambë, kur e xueren per me e que në Gjakovë e mandej në Zymb, as ishte ken prishë e as marrë far ere e marrë një hije aq të bardhë, qi kundruall trupit të tij të bekuem ky muer… më duket i zi!” Këto fjalë, pra, m’i dishmoi goja e lotët e Smail (Mark) Sadrisë, i cilli e krei kallzimin me këto fjalë: “Deka e Atë Luzit e suell pështimin e këtij popullit. Gjaku i Atë Luzit na peshtoi prej rrenimit të plotë!” Gjeçovi kishte qëndruar në Zym, më 16-XI-1926, ku kishte urdhëruar që të hapej varri dhe ta shikonte edhe një herë trupin e Atë Luzit. “Mbrenda vorrit hini Atë Leka e z. Noz Seba. E permbasi u thaçë (une ishe në buz të vorrit tuj shikjue) qi të shikjojshin a e kishte kryqin n’parzem e nuk ja gjeten, u thaçë qi të m’a xjerrin kocin ma të hollin të dorës së djathët (at koc qi asht ndermjet të brrylit e të dorës, e nji nye gishtit të dorës së djathët. Mbasi e largue me llomin e mishit, i xueren këta kocij qi ju lypa.-

Oroe: Kocin e dorës une e mora me vedi, e të gishtit, e ndali Atë Leka.

Përveç dëshmive të shumta, të mbledhura me shumë kujdes në vendbanime të ndryshme, në këtë dorëshkrim gjenden edhe një këngë për Atë Luigj Palajn dhe një krijim poetik, tingëllimë, e shkruar nga famullitari i atëhershëm i Becit, dom Gjon Bisaku, i cili ia shton përshkrimit të kryqit me kërkesë të Atë Shtjefën Gjeçovit. Më lejoni ta përmbyll këtë kumtesë të shkurtër, me disa vlerësime. Këtë dorëshkrim të Atë Gjeçovit e shquan:

-Përkushtimi: ai ka ecur në këmbë në relacionin Gjakovë- Zym, ashtu si edhe nga Peja në drejtim të Gllogjanit, por edhe në vendbanime tjera;

-Dashuria për atdheun, fenë e kombin e tij, pa e dalluar për kah religjioni, sepse, ashtu si qenë bashkë në ato ditë vuajtjeje e mundimesh në udhën e kryqit, të cilën e bënë bashkë, sepse s’kishin rrugë tjetër;

-Stili i të shkruarit: i kujdesshëm, konciz, i saktë, me trajta sintaksore e leksikore, model edhe për shkruesit e sotëm;

-Metodologjia e mbledhjes së dëshmive dhe autenticiteti i tyre: ofrohen emra, mbiemra, fise, profesione, vendbanime;

-Dija e thellë shkencore, ndonjëherë edhe e juristit, etnologut, folkoristit, patologut etj.;

-Kur bën përshkrime të imëta, del zjarrmia dhe emocioni i shkruesit, që shihet në kaligrafinë e tij, që e transmeton gjendjen emocionale e tensionin shpirtëror.

Dëshmitë e Gjeçovit janë të një rëndësie të shumëfishtë: historike, para së gjithash, por edhe të një intelektuali me përgatitje të lartë e me vetëdije kombëtare, që po bënte të pamundurën, në luftë me harresën, ashtu siç kishte bërë më vonë Atë Zef Pllumi, duke i dhënë vetes misionin për të jetuar e për të dëshmuar.

Duket të jetë ky një betim i brendshëm i meshtarëve shqiptarë, të cilët të udhëhequr nga parime të larta hyjnore e kombëtare, i kishin vënë vetes për detyrë të hidhnin në letër dëshmitë tragjike, për t’ia mbyllur gojën harresës, për të shënuar vuajtjet e grigjës së tyre, por edhe të vdekjes së njëpasnjëshme.

Këto përpjekje, sot dalin të një rëndësie të jashtëzakonshme, sepse mësimi i historisë duhet të jetë leksioni më i mirë i dijes dhe përgatitjes njerëzore. Por, ne si komb, duket se kemi problem me harresën, ashtu siç kemi probleme edhe me rrugën e drejtë, e cila na mjegullohet nga lakmia e ëndja e ligë, që dëmton palcën tonë kombëtare e qenien e shqiptarit të përvuajtur, i cili, siç e dëshmon vuajtja e Patër Luigjit, nuk bën kompromis me atdheun. Ndoshta për koincidencë, ndoshta edhe të lidhura fuqimisht me njëra- tjetrën, por duket se edhe vetë vrasja e Gjeçovit është në linjën e vdekjeve tragjike të meshtarëve shqiptarë, të cilët nuk pranuan të gjunjëzoheshin kurrë, ndonëse fati i tyre mbetet i mbështjellë me vellon e mistereve të pasqaruara sa duhet.

Ashtu siç kishin në jetë ideale të përbashkëta, Atë Shtjefën Gjeçovi e Atë Luigj Palaj prehen bashkë në tokën e bekuar të Zymit, në muranën e rindërtuar së fundmi, për të shprehur adhurimin e përjetshëm të shqiptarëve, që përulen e luten, që shpirti i tyre të jetë dritë shprese e shpëtimi, për ne e brezat që do të vijnë.

Filed Under: Histori

Gjuha shqipe është identiteti ynë kombëtar në Diasporë

November 16, 2024 by s p

Nga Keze Kozeta Zylo/

Pa Gjuhën Shqipe nuk mund të kemi identitet jo vetëm në Atdheun mëmë, por kudo ku ka Diasporë. Kur vendin e lamë dhimbshëm përmes flakëve përpirëse të 97-ës, përmes luftës vëllavrasëse, përmes shkatërrimit barbar natyrshëm me vehte morëm një copëz shqipërie që nuk do të na hiqet kurrë deri në frymën e fundit. Në metropolin e Nju Jorkut ndër më të mëdhenjtë botëror ku jetojnë më shumë se

250 000 shqiptarë ka qenë shumë e domosdoshme ngritja e shkollave shqipe për t’ju mësuar fëmijëve lindur dhe rritur në emigrim Gjuhën Shqipe. Duke marrë pjesë si media në shumë aktivitete të rëndësishme të Diasporës ndjeja dhimbje dhe përgjegjësi të veçantë kur shikoja që moderatorët, apo shumë fëmijë dhe të rritur nuk flisnin Gjuhën Shqipe.

Këto perballje dhe vështirësi të shumta të bënin të ndjeje detyrën kombëtare, thirrjen e gjakut për të hyrë në Misionin Kombëtar mësimin e Gjuhës Shqipe si ruajtje të identitetit kombëtar.

Konkretisht me hapjen e Shkollës së parë Shqipe “Alba Life” në Staten Island ku dhe e quajmë si fidanishten e parë të saj u përhapën në të gjitha lagjet e Nju Jorkut dhe pas Covidit vazhdojmë të kemi mësim dhe në Online.

Aspak nuk është e lehtë të punosh dhe të jesh në këtë Mision Kombëtar, pasi do një përkushtim maksimal profesionalisht dhe atdhetarisht, veçanërisht duke shfrytëzuar fundjavat së bashku me mësueset që sakrifikojnë aq shumë.

Janë shumë probleme që përballemi, pasi shumë prindër nuk kanë mundësi për t’i sjellë fëmijët e tyre për shkak të angazhimit të punërave të tyre të shumta, ose ka disa prindër që më shumë preferojnë t’i çojnë në aktivitete sportive se t’i sjellin pranë shkollave shqipe.

Prinder të tjerë frikësohen se mos mësimi dy gjyhësh i konfuzon fëmijët dhe ngelen pas me mësimin. Pikërisht për këto opinione qe i hasim shpesh ndër prindër veçanërisht me dygjuhësinë del nevoja e edukimit cilësor, puna e medieve serioze, e gjuhëtareve. Sipas Gjuhëtarit të shquar botëror i njohur për kontributin e tij në gjuhësi dhe psikologjinë njohëse Frank Smith mendohet se dy gjuhësia është e domosdoshme dhe zhvillim i mëtejshëm i trurit. Ai thotë se: “Një gjuhë të vendos vetëm në një korridor për jetën. Dy gjuhë të hapin çdo derë gjatë rrugës.”

Atëhere le të mendojmë dhe të punojmë për t’ju mësuar brezave që lindin dhe rriten në Diasporë gjuhën e nënës, e cila është jo vetëm për identitetin kombëtar që është e para, por ndërkohë mësimi i saj sjellë dhe zhvillimin dhe hap dritare për të parë botën më mirë.

Nuk mund të mohohen përpjekjet e shumta në Diasporë sidomos këto vitet e fundit dhe ka një levizje dhe i përgëzoj me shpirt, por përsëri këto nuk mjaftojnë se pas dyerve të këyre shkollave ka me mijëra fëmijë që nuk marrin pjesë aktivisht.

Shumë prindër nuk ju flasin fëmijëve në shtëpitë e tyre gjuhën shqipe, por gjuhën në të cilën jetojnë dhe punojnë dhe patjetër kjo nuk i shërben mësimit të gjuhes shqipe. Diaspora po rritet shumë, pasi emigrimi marramendës ka bërë që më shumë janë jashtë shqipërie se brenda saj.

Duke pasur një përvojë të jashtëzakonshme 18 vjeçare me Shkollat Shqipe “Alba Life” dhe me një sukses gjithmonë në rritje kam kërkuar vazhdimisht kur më është dhënë mundësia në mediet e Shqipërise, zyrtarëvë të lartë, kur kanë vizituar shkollat që Gjuha Shqipe duhet të insititucionalizohet dhe të punohet fort për ta vendosur gjuhën shqipe ndër shkollat amerikane, flas për shkollat amerikane meqënse dhe e njoh më mirë sistemin arsimor dhe edukues të saj.

Gjuha Shqipe është shenja dalluese dhe na bën të jemi krenarë kudo ku jetojme si shqiptarë.

Ajo ngjizet bashkë me qumështin e nënës.

Shpesh përmendja e gjuhës shqipe është bërë për fushatë dhe për kredite personale si nga politikanë shqiptarë po ashtu dhe nga shqiptaro- amerikanë.

Së bashku duhet të punojmë fort me mendje dhe zemër për ta permirësuar dhe për ta luftuar asimilimin e miliona shqiptarëve në botë. Kjo bëhet vetëm bashkë, duke shkëmbyer përvojën dhe duke i dhënë pjesën secilit atë që i takon, jo me klane, me krahmarrje, militantizëm partirash dhe interesa meskine. Është mjerane kur dëgjon nëpër mediume, nëpër ekrane për gjuhën shqipe nga njerëz pa shumë kontribute, por i reklamojnë sikur po bëjnë namin për mësimin e gjuhës shqipe dhe ajo më e dhimbshmja është se i vënë në krye të mësimit të gjuhës shqipe pa i zgjedhur kush, pa i votuar asnjë, veç kur mbijnë si kërpudha pas shiut dhe dalin nismëtarë dhe triumfatorë.

Gjuha shqipe nuk ka nevojë për karshillëk, nuk ka nevojën për unin, ajo ka nevojë të ulim kokën dhe të punojmë fort, pasi bash në sytë tanë po humbet ndër fëmijët shqiptarë. Në vend që të shqetësohemi për këtë pikë të rëndësishme, nevralgjike për kombin, shqetësohemi kush të marrë poste, kush të hedh shashka tymuese ndër vite dhe të dali në krye të shkollave siç e thashë më sipër pa i votuar kush.

Nëse del në mediume dhe flet për gjuhën shqipe, por idetë ndër vite nuk të janë realizuar, atëhere e ke humbur reputacionin dhe të ndjekin pas vetëm të dështuarit.

Prandaj kur flitet per institucionalizimin e saj duhet të jetë një punë e përbashkët me kontribuesit kryesor me një reputacion të madh në Diasporë, larg servilizmave, militantizmit dhe dukjeve që veçse e dëmtojnë dhe nuk e ndihmojnë Misionin Kombëtar. Sigurisht këto shqetësime kanë vend në një shkrim dhe diskutim tjetër me mësues profesionistë të përkushtuar që kanë si qëllim mësimin dhe punën jo pozitat për të qenë në krye pa qenë fare e nevojshme për t’i pasur nëpër këmbë sepse veç ngatërrojnë dhe shqetësojnë misionarët e devotshëm. Këto raste që fatkeqësisht i kemi ndjerë dhe parë me sytë tanë duhet të eleminohen dhe të veprohet në bazë të meritokracisë.

Meritokracia brenda arsimit, mësimit të gjuhës shqipe është besimi se mundësitë dhe rezultatet arsimore duhet të bazohen në merita. Puna në Diasporë duhet të shpërblehet në bazë të aftësive, dhe arritjeve të tyre dhe jo faktorëve të tjerë si privilegji apo servilizmi.

Si bashkëthemeluese, mësimdhënëse dhe anëtare aktiv në Diasporë shqetësohem fort që mijëra fëmijë nuk flasin shqip, pasi të jeni të sigurt se mësimi i Gjuhës Shqipe i lidh më fort me trungun amë dhe i bën më shumë kontribues në çështjen kombëtare. Gjuhën Shqipe duhet ta gezojnë të gjithë brezat ashtu siç thotë burri i ndritur i Kombit At Gjergj Fishta:

Edhe shqyp na thanë se Zoti,

për shqyptarë Shqypninë e fali,

se sa t’enden stina e moti,

do ta gzojn kta djalë mbas djali.

Me këto vargje brilante për Gjuhen Shqipe frymëzohemi sepse Gjuha shqipe është identiteti ynë kombëtar në Diasporë.

Autorja e shkrimit është shkrimtare, publiciste, mësuese dhe bashkëthemeluese e Shkollave Shqipe në New York “Alba Life” Ambasador i Kombit si dhe ka marrë titullin e lartë: Kalorës i Urdhrit të Flamurit nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë.

15 Nëntor, 2024

New York

See insights and ads

Create Ad

All reactions:

11

Filed Under: Analiza

Çështja Çame do të zgjidhet kur të vendoset shteti ligjor 

November 16, 2024 by s p

Ahmet Mehmeti/

Prej 27 qershorit 1944 deri në 13 mars 1945 në Çamëri popullsia myslimane shqiptare ju nënshtyrua një gjenocidi të paparë ku u masakruan 2909 vetë prej të cilëve 214 gra, 96 fëmijë, ndër ta 32 nën moshën 3 veç. U dhunuan 745 gra e vajza si dhe u rrëmbyen 76 të tjera. Si pasojë e spastrimit etnik dhe fetar me dhunë vdiqën ose u rrëbyen e u zhdukën rrugëve 2473 vetë (nga dhuna, uria, sëmundjet, etj), gjithsej të vdekur 5277 vetë. U shkatërruan 68 fshatra e qytete. U dogjën 5800 shtëpi dhe u rrënuan 102 objekte kulti etj. Këto masakra ishin finalja e atyre që kishin filluar në Prroin e Selanit ku u martirizuan pabesisht 72 krerë të zgjedhur nga paria e Çamërisë në mars të vitit 1913 kur vendi ra nën robërinë greke pas vendimit fatal të Konferencës së Ambasadorëve në Londër, një ngjarje kobëzezë ndërkombëtare e ndërmarrë nga Fuqitë e Mëdha kundër kombit shqiptar ku më shumë se gjysma e trojeve etnike dhe e popullsisë shqiptare u la jashtë kufijve të kësaj krijese shtetërore gjysmake, që u bë pre e humorit dhe presioneve të të mëdhenjve.
Historia e Çamërisë (1913 – 1944) nën pushtimin grek ishte një mynxyrë që u karakterizua nga nxitja e drejtpërdrejtë dhe publike e shtetit dhe kishës ortodokse greke në marrëveshje për të kryer genocid, bashkëfajësi për genocid dhe genocid etniko-fetar i mirëfilltë i kryer nga qeveritarë, funksionarë apo nga persona të veçantë ashtu siç përkufizohet në Konventën për parandalimin dhe ndjekjen e krimit të gjenocidit të miratuar nga Ansambleja e Përgjithëshme e OKB-s me rezolutën e saj të 9 dhjetorit 1948 dhe që hyri në fuqi më 12 janar 1951.
Po rikujtojmë këtu rezolutat e Asamblesë së Përgjithëshme të OKB-s të datave 13 shkurt 1946 dhe 31 tetor 1947 në lidhje me ekstradimin dhe ndëshkimin e kriminelëve të luftës dhe të rezolutës 95 të 11 dhjetorit 1946 që konfirmuan parimet e të drejtës ndërkombëtare të njohura nga Statuti i Gjykatës ushtarake ndërkombëtare të Nurembergut dhe nga vendimi i atij gjyqi si dhe rezolutat e 12 dhe 16 dhjetorit 1966 nëpërmjet të cilave Asambleja e Përgjithëshme ka dënuar shprehimisht si krime ndaj njerëzimit nga njera anë shkeljen e të drejtave ekonomike dhe politike të popullsive autoktone dhe nga ana tjetër politikën e aparteidit.
Në asnjerën nga deklaratat solemne, aktet dhe konventat që synojnë ndjekjen dhe shtypjen e krimeve të luftës dhe të krimeve kundër njerëzimit , nuk është parashikuar kufizim në kohë.
Konventa mbi mosparashkrimin e krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit (hyri në fuqi më 11 nëntor 1970) shprehet qartë në Nenin 1 : “Krimet e mëposhtëme janë të paparashkrueshme cilado qoftë data kur janë kryer:
a) Krimet e luftës, në mënyrë të veçantë “shkeljet e rënda” të përmendura në Konventat e Gjenevës të 12 gushtit 1949 për mbrojtjen e viktimave të luftës;
b) Krimet kundër njerëzimit, të kryera qoftë në kohë lufte apo paqeje, dëbimi nëpërmjet një sulmi të armatosur ose pushtimit dhe aktet çnjerëzore që rrjedhin nga politika e aparteidit, si dhe krimi i gjenocidit, ashtu siç është përcaktuar në Konventën e 1948-ës për parandalimin dhe ndjekjen e krimit të gjenocidit , qoftë edhe kur këto akte nuk përbëjnë shkelje të së drejtës së brendëshme të vendit ku ato janë kryer”.
Dispozitat e kësaj Konvente kërkojnë që për cilindo nga krimet e sipërpërmendura të vihen në zbatim ndaj përfaqësuesve të autoritetit të shtetit dhe ndaj personave të veçantë që kanë marrë pjesë në të si autorë ose bashkëfajtorë, apo që do të njihen fajtorë për nxitje të drejtëpërdrejtë në kryerjen e cilitdo nga këto krime, ose që do të kenë marrë pjesë në një marrëveshje me qëllim që ai të kryhet , pavarësisht se në çfar shkalle ekzekutohet , si dhe ndaj përfaqësuesve të autoritetit të shtetit që do të toleronin kryerjen e tij (Neni 2).
Konventa e mosparashkrimit të krimeve të luftes dhe krimeve kundër njerëzimit kërkon nga shtetet palë që në përputhje me procedurat e tyre kushtetuese të marrin të gjitha masat ligjore apo të tjera që do të jenë të nevojëshme për të siguruar mosparashkrimin e krimeve të përmendura në nenet 1 dhe 2 të kësaj konvente. Si përsa i përket ndjekjeve ashtu edhe përsa i përket dënimit. Atje ku mund të ekzistojë një parashkrim në këtë fushë, me ligj apo me një mënyrë tjetër, ai do të hiqet, thekson Neni 4.
Për të gjitha sa u përmendën më sipër Greqia në rastin e Çamërisë nuk ka zbatuar asnjë detyrim ndaj konventave kundër gjenocidit. Është pikërisht kjo shkelje flagrante e ligjeve dhe konventave ndërkombëtare që Greqia raciste bën presion ndaj shtetit shqiptar, me vend e pa vend, me të gjitha format dhe mënyrat, t’i shmanget detyrimeve strikte ndërkombëtare për krimin e gjenocidit, aq sa kërkon ta heqë edhe emrin e Çamërisë nga librat shkollore të historisë, gjeografisë, letërsisë etj.
Shteti grek, megjithëse është prej kohësh pjesë e Bashkimit Europian, është shumë prapa në krahasim me disa shtete fqinje ballkanike si Shqipëria etj, që nuk e ka përafruar legjislacionin e vet kombëtar me atë tëBE-s, nuk ka firmosur dhe as ka ratifikuar protokolle si ai Nr. 4 i Konventës Europiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Liritë Themelore.
Më e keqja që ka bërë shteti grek është zhdukja me gjenocid, zjarr e hekur, e minoriteteve kombëtare, duke grabitur pasuritë e tyre të tundëshme e të patundëshme, në fund të Luftës së Dyte Botërore siç ishin hebrenjtë, shqiptarët çamë, maqedonasit sllave (egejcit) etj. Për këtë deri sot ai nuk ka dhënë llogari, nuk ka kërkuar falje dhe nuk është ndëshkuar rëndë siç e meriton në bazë të Konventave kundër Gjenocidit. Kjo ka sjellë që edhe në Kushtetuten e sotme greke mungojnë minoritet kombëtare, pasi Greqia nuk njeh minoritete të tilla në teritoret që i dha Europa Plakë (The Ethnopolitical Encyclopedia of Europe, f.422, London ,2004 . Këto janë plagë të rënda që Greqia nuk duron sot as t’ja kujtojnë.
Ajo ka firmosur Konventën Kuadër për Mbrojtjen e Minoriteteve Kombëtare që më 22. 09. 1997 dhe ende nuk e ka ratifikuar. Dhe Europa bën sehir. Kështu shkojnë punët dhe vlon racizmi pastaj nëpër Europë. Llogaritë i paguajn minoritetet e shtypura. Greqia është shembulli më i keq në botë.
Shteti grek sot u mohon të gjitha të drejtat shqiptarëve autoktonë çamë me gjoja bashkëpunimin e tyre me nazi-fashizmin dhe nuk ka asnjë argument, dokument ose arsye pasi edhe vetë shkencëtarët historianë grekë kanë argumentuar se nuk ishin çamët që bashkëpunuan me nazifashizmin por qeveritë greke gjatë gjithë Luftes së Dyte Botërore. Gjithashtu Kisha Ortodokse që edhe sot është dominuese sipas Kushtetutës greke “ që përbënte një bashkëbisedues të privilegjuar me autoritetet e Pushtimit” (JM). Rreth 3 000 (tre mijë) çamë morën pjesë kundër nazifashizmit me armë në dorë në një popullsi prej rreth 30.000 – 40 000 njerëz, aq sa përbëhej në atë kohë ushtria e kriminelit Zervas (shih Jorgos Margaritis : “Bashkëpatriotë të Padëshiruar – Të dhëna mbi shkatërrimin e minoriteteve të Greqisë, hebrenjtë, çamët” f. 1 28-129 T. 2009).

 Napoleon Zervasit, këtij krimineli lufte dhe bashkëpuntor me nazifashizmin, shteti grek i ka ngrtitur monumente për krimet e kryera ndaj fëmijëve, pleqve e plakave dhe njerëzve të tjerë të pambrojtur e të pafajshëm vetëm e vetëm se ishin shqiptarë dhe muslimanë.Akuzat dhe kërcënimet e politikës  dhe institucioneve të larta shtetërore greke si dhe të ministrave, kryeministrave, presidentëve në këto 30 vitet e fundit “Mbi Gjyqin Special të Kolaboracionistëve” duke dënuar 1930 shqiptarë në mungesë me akuza false bien poshtë nga vetë dokumentet e drejtësisë greke që çjerrin hipokrizinë e shtetit gjenocidist dhe të propagandës raciste greke.
Në dokumentin e pakontestueshëm të Gjykatës së Diktimit të Janinës me Nr. Prot.1837, datë 29 shtator 1976 për Ministrinë e Rendit Publik, Drejtorinë e Shërbimeve Kriminale dhe Seksionin e Arkivave – Zyra e Ndjekjeve, Athinë u jepet përgjigje të gjitha shkresave të tyre si vijon:”Për arsye e në bazë të vendimit të Ministrisë të Drejtësisë Nr. 17 845/1976 mbi shkatërrimin e dosjeve të proceseve gjyqësore penale , a) të atij të Diktimit 3 dhe 5 anëtarësh të Janinës deri edhe në vitin 1970, b) të Gjykatës Penale të kolaboracionistëve të Janinës, Artës, Prevezës deri edhe në vitin 1950, c) si dhe të Gjykatës Speciale të Janinës për kolaboracionistët, gjithashtu deri edhe në vitin 1950, nuk ka qenë i mundur verifikimi përfundimtar apo i parevokueshëm i atyre për të cilat bëhet fjalë në dokuimentet tuaja të mësipërme, në vendimet, në mungesë, të Gjykatës Speciale të Janinës për kolaboracionistët, prandaj, duke i konsideruar këto vendime për këto arsye si asnjëherë të komunikuara dhe që nuk kanë qenë aspak në fuqi si të tilla (të zbatuara), pra, si jo përfundimtare, ato, për rrjedhojë, bëjnë pjesë në parashkrim të dënimit penal dhe jo në atë të vendimit, domethënë, të Nenit 549 të së Drejtës së Vjetër Penale. Prandaj, krimet e bëra më parë në bazë të cilave u dënuan dhe për të cilat bëhet fjalë në vendimet e mësipërme, janë të parashkruar mbasi kaluan shtatë vjet nga kryerja e tyre , sipas Nenit 120, në frymën e të cilit u bënë. Ky document i rëndësishëm është vulosur dhe firmosur nga Prokurori i Diktimit të Janinës Vasilios Xhavellas (shih G. R. 10. 05. 1995, f.2)
Natyrshëm lind pyetja: Pse kjo pandëshkueshmëri e gjenocidit grek edhe pas gati tetë dekadash nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore dhe 34 vjet pas përmbysjes së totalitarizmit ? Siç dëshmojnë vetë dokumentet e shtetit dhe të Drejtësisë greke çamët jo vetëm nuk jane fajtorë por po vazhdon gjenocidi edhe sot nëpërmjet mohimit të kthimit në shtëpitë, pronat, varrezat dhe trojet e tyre mijëvjeçare. Ka një përgjigje: Shteti shqiptar nuk po bën detyrën e vet, nuk e ka në axhendën e punës së tij zgjidhjen e Çështjes Çame si problem i Mbrojtjes së të Drejtave të Njeriut dhe si Minoritet Kombëtar Shqiptar në trojet e veta në Çamëri (Thesproti).

Një nga pengesat më të mëdha sot për zgjidhjen e Çështjes Çame është edhe qenia në fuqi e Ligjit të luftës me Shqipërinë pasi nga ky ligj rrjedhin (derivojnë) një seri ligjesh, aktesh nënligjore, protokollesh etj, që po i shtjellojmë në vijim.

 Pas gjenocidit dhe spastrimit etnik me dhunë me administrimin e pasurisë së grabitur të çamëve u morën autoritetet locale duke spekulluar me Ligjin Nr. 1539/1938, Art. 34. Sipas Prof. Kyriakos D. Kentrotis në vitin 1947 çamëve ju hoq shtetësia greke në mënyrë kolektive me dy protokolle : Nr. 49343/E/2/29.10.1947 i autoriteteve për çështjet juridike në Ministrinë e Jashtëme dhe Nr.3976 /8.12.1947 të Ministrisë së Brendëshme. Të dy protokollet janë bazuar në akuza false për “bashkpunim dhe veprime kundër interesave të popullit grek”. Grabitja e pasurive të shqiptarëve u bë për të realizuar kolonizimin e ëndëerruar e planifikuar të Çamërisë qysh prej vitit 1844 me elaboration famëkeq Megali Ide duke ja ndarë tokat dhe pasuritë e tjera të shqiptarëve kolonëve grekë si dhe një pjese të popullsisë shqiptare ortodokse për të mbjellë përçarje vëllazërore midis çamëve të dy besimeve. Të gjitha këto u ekzekutuan nën drejtimin dhe zellin  e Bankës Agrare Greke.

Sikur të mos mjaftonin të gjitha këto akte ligjore e nënligjore në vitet 1966 dhe 1998 shteti grek miratoi edhe dy ligje të tjera me numrat përkatës 4506 dhe 2664. Ironia e këtyre dy ligjeve qëndron në atë që mbështeten në Ligjin famëkeq të Luftës me Shqipërinë Nr. 2636/1940 kur çamët ndodheshin në vendin e tyre.

 Por rasti më flagrant është ligji nr. 2664 “Mbi Kadastrën kombëtare dhe rregulla të tjera” dekretuar më 27 nëntor 1998 nga presidenti Kostandin Stefanopullos dhe firmosur nga 8 ministra. Ky ligj u miratua pas nënshkrimit të Traktatyit të Miqësisë Shqipëri-Greqi në vitin 1996 ku në pikën 15 theksohej lehtësimi i marrjes së pronave të shtetasve të të dy vendeve në vendet respective . Ky ligj shkel  në mënyrë flagrante të gjitha kartat, konventat e traktatet ndërkombëtare për pronën dhe të drejtat themelore te njeriut duke përligjur arbitraritetin e një shteti tipik racist.

 Për shfuqizimin (abrogimin) e Ligjit të Luftës me Shqipërinë pala greke herë pas here është justifikuar se paska vështirësi teknike pasi ai është dekretuar nga mbreti dhe tani na qenkan në demokraci dhe jo në mbretëri. Këto pretendime pa bazë bien pasi kemi faktin e shfuqizimit të Ligjit të Luftës me Italinë që ishte pushtuese e Shqipërisë në kohën e agresionit fashist dhe Shqipëria nuk kishte njohje nga asnjë shtet. Këtë e pohon edhe ambasadori Italian në Athinë, Graci, ku me porosi të Çianos më 13 gusht 1940 në një takim të posaçëm me ministrin grek Mavrudis i theksoi me forcë: “Pas 7 prillit 1939,  të drejtat e popullit shqiptar i ndjek Italia” (DDI, Seria 9, Vol V, dok 409. Athinë, 13 gusht 1940). Sipas këtyre fakteve dhe kësaj logjike me heqjen e Ligjit të Luftës me Italinë duhet të ishte hequr automatikisht edhe ai me Shqipërinë. Por ajo që nuk u bë në kohën e diktaturës komuniste duhej të realizohej pas përmbysjes së komunizmit, që fatkeqësisht nuk ka ndodhur as sot, pas 34 vitesh nga ajo kohë.

 Me mbajtjen në fuqi të Ligjit të Luftës me Shqipërinë Greqia dëshiron të fshehë historinë e saj të errët gjenocidiste nga njëra anë dhe nga tjetra të përjetësojë grabitjen e pronave të luajtëshme e të paluajtëshme të shqiptarëve çame e joçamë.

Për të gjitha këto qëndrime indiferente ndaj veprimeve ligjore skandaloze të shtetit grek kundrejt të drejtave thermelore të njeriut, posaçërisht pronave të minoritetit shqiptar dhe të shqiptarëve të tjerë që kanë prona në Greqi, në radhë të parë përgjegjësi mbajnë krerët autokratë të shtetit paskomunist, që kanë drejtuar Shqipërinë deri sot, nga e majta dhe nga e djathta, me urdhërin e të cilëve ky problem është hequr nga programet e partive të tyre të mëdha si dhe nga programet e qeverive kukulla që janë nën presionet, vasalitetin dhe diktatin fashisto-racist të Athinës zyrtare.
Në Shqipërinë e sotme nuk zbatohet  kushtetuta, nuk zbatohet ligji. Vetëm kur në Shqipëri të vendoset shteti ligjor do të hiqet edhe Ligji i Luftës që mban Greqia si armë kërcënuese që nga periudha fashiste dhe atëhere do të zgjidhet edhe Çështja Çame.

Ahmet Mehmeti: Pronat e çamëve, Vorioepiri dhe kisha ...
vrasja e çamëve nga autoritetet greke ...
shovinizmi grek ...
Shpronësimet dhe spastrimi etnik i ...

Filed Under: Analiza

JU DUKET KOLLAJ TË BËNI SKLLAVIN?!

November 15, 2024 by s p

Faruk Myrtaj/

-tregim i shkruar në qindra vjet-

E di që nuk e keni kollaj të më besoni se unë Isha njeri nga ata që, përpara dy a tri shekujsh, na ngjitën në bordin e anijes “Sythi i Shpresës”.

Ishim të gjithë qenie njerëzore në pasje të varfër materiale, kur vumë këmbë në platformën e drunjtë. Na kërkuan veç të mos shprehnim dhimbje për ikjen nga vendlindja nëse nuk shfaqeshim dot të gëzuar, teksa do fotografoheshim duke ecur në krahun e varur që u lëshua prej anijes për ku ne prisnim në breg. Ashtu bëmë.

Vetëm pasi të zotët e anijes u ndjenë të sigurt se e kishin lënë atje tej portin dhe morën frymë lirshëm, pra që kurrkush s’do t’i mbërrinte dot, ne kuptuam se nuk do ishim më ata që kishim qenë. Tek e fundit ishte një lloj lajmi ky, pa e ndarë dot, ende, lajm i mirë apo i keq. Teksa shpresonim se s’kishin për të qenë më ata varfanjakë që kishim qenë, mbase kjo përfshinte së paku varfërinë e deri-atë-ditshme.

Ç’do të ishim për ata që na kishin marrë apo si do thirreshim më-pastaj, s’mund ta dinim. Asnjeri nga ne s’e kishte bërë më parë këtë udhëtim. E vetmja gjë që dihej, nga të gjithë, në hollësi të ndryshme, ishte se në këmbim të nisjes ishte një dorë parash që u ishte dorëzuar për familjet tona. Pa e përdorur varfërinë si pretekst apo si justifikim, le të themi se ne vet pranuam të niseshim për matanë oqeanit, mes tjerash edhe si mundësi për t’i ikur kësaj varfërie. Ç’tjetër mund të bënin ca të mjerë si ne, për të lehtësuar në një farë mënyre jetët tona dhe të të vetëve që lamë pas?

Përderisa qemë ngjitur me këmbët tona në anijen që ishte nisur, le të arrinim për ku na prisnin. E humbëm sysh bregun tonë, që na u fsheh për të kuptuar se s’do ktheheshim më pas.

Ca më tej akoma, si për ta zbutur sado pak trishtimin pikëllues, na u bë sido si e shpresueshme se dikur, jo shumë kohë më pas, edhe njerëzit tanë do të na bashkoheshin atje ku do rregulloheshim së pari vet ne.

Vetëm aty, mbi kuvertën e anijes si ishull mes ujërave pa kufi, na u tha se qemë nisur për “Tokën e Premtuar”, pa na thënë përse nuk na ishte premtuar deri pak më parë. Nga që as për të ëndërruar s’ishim mësuar, anija sikur u zhytë e tëra mjegull dhe ne nuk patëm nge të mendonim vërtetshëm për bashkimin me familjarët.

Në ato copëra lajmesh që kush e di se si arrinin deri në anije, dilte se një numër i madh njerëzish, nga tërë bota, kërkonin dhe luteshin të niseshin për Atje ku neve po na çonin pa ua kërkuar, madje kundrejt një shpërblimi të akorduar nga vet ata për familjet tona. Sado që lajmi për ikjen tonë ishte ai që dinim, nuk e pranonim dot si të vërtetë edhe për të tjerët. Tingëllonte e zorshme, nëse jo e pamundur, që të gjithë së bashku të kishim të njëjtën ëndërr, të njëhershme, me “Tokë të Premtuar”.

Në atë udhë ujore, pra që s’e shkelnim me këmbë dhe që po dukej e pa fund, na mbetej t’i ngulnim sytë ritit të dallgëve që vinin, përkëdheleshin e përplaseshin në metalin e anijes, si në dëshirim të mbërrinim edhe ato bashkë me ne në bregun tjetër.

Kurrë s’kam për ta harruar, ngaqë asnjëherë s’kam për ta rrëfyer dot shterueshëm, edhe sot më mbahet fryma, njeriun që ndodhi i ulur pranë meje. Sapo ma kishte rrëfyer dashurinë e tij, nëse do mund ta pranoni si dashuri pasi unë të mund tua rrëfej atë sic ma besoi ai, në çastin tjetër u ngritë më këmbë dhe vrullti i dha fund jetës në ato ujëra, pa iu gëzuar mundësisë që na ishte premtuar në fund të këtij udhëtimi.

Mbase s’ishte ende dashuri, ajo e tija, me një vajzë të fqinjëve, por ai vet ma rrëfeu se si kishte hyrë nga sipër në strehën prej kashte të shtëpisë sa saj, e kishte puthur- po vetëm sa e kishte puthur- dhe i kishte thënë se- gjithnjë sipas një ëndrre që ai kishte parë, së shpejti ai do të nisej për rrugë të gjatë. Më pastaj, i kishte premtuar ai, asaj vajze të sapo puthur nga një I panjohur që vetëm e kishte puthur dhe po I premtonte se, së bashku, do mund të bashkoheshin dhe do bënin një jetë të gjatë në dashuri të bukur. Ajo e mirë, e puthur prej këtij të panjohuri që kush e di pse po ëndërronte edhe për të, mbetur pa fjalë e pa frymë prej puthjes së gjatë dhe se s’dinte kurrgjë për të, kërkoi t’ia dinte së paku emrin. “Di unë për ty,”, i kishte pëshpëritur ai si engjëll. “Unë do vij të gjej, ti vetëm më prit!”

Pikërisht ky njeri, që kishte mbjellë një shpresë, s’pati gjetur dot fuqi të përballonte të vjellat prej lundrimit në det dhe dhimbjes e kokës. Si të kërkonte ndjesë me jetë, kishte zgjedhur të hidhej mes dallgëve. Nuk arrita dot të bëja kurrgjë në ato pak sekonda të vrapit të tij të çmendur, t’i kujtoja premtimin që sapo më tregoi se ia kishte bërë dikujt. U ngushëllova prej filozofisë që, zaten, veç për këtë u vjen në ndihmë atyre që e dorëzojnë fatin e vet në duar të tjerëve. Si përherë në rrugë të pa njohura apo përgjatë aventurash të rrepta, të pa-zgjedhura prej tyre, ata më të brishtët, më delikatët, të dashuruarit, thashë, epen, dorëzohen, s’e presin dot kohën që kjo tu kushtohet deri në fundin e vet.

***

Të tërë ne që u ndodhëm në krahë të tyre një copë rrugë, që pastaj vazhduam udhëtimin për më gjatë, nuk arritëm dot të kuptonim qartë nëse Ata që mbetën kësaj rruge kishin shpëtuar apo humbur? Pra, nëse teksa ulëriu si klithmë shpirti mbi oqean, ai djalosh që u ngrit nga ku ishim ulur dhe vrapoi të villej i tëri në dallgët e çapëlyera, kishte shpëtuar duke mos vazhduar mundimin e lundrimit, duke mos provuar jetën që ne të tjerëve na u desh të bënim pasi arritëm apo, duke iu dorëzuar atij varri të ujshëm, kishte humbur rastin për ta ndryshuar jetën dhe të puthurës lënë prej tij si premtim?

Qysh ato ditë, mbi dallgët e stërmëdha që na ngrinin në qiell dhe na lëshonin në honet e tyre, pati zëra, zëra që më pas u bënë të shumta, që i quajtën fatlumë ata që zgjodhën kapakë arkivolesh të ujshëm. U tha me zë të ulët se ato dhimbje të padurueshme koke a gulçe stomaku mund të mos kenë qenë më të rrepta se dhimbjet e lotët që ne të tjerëve, na u desh të gëlltitnim në kontinentin e ri, që na u premtua ardhur si këmbim në natyrë me varfërinë.

Sido si, shkuan dekada, qindra vjet, kur dikush prej nesh vendosi të mbledhë dëshmi për jetët tona të dikurshme, ato më të hershmet. Fillimet nisnin me udhëtimin e parë, me të vdekurit në kuvertë që, të ikurit pa funeral, ata që përfunduan ushqim ujorësh, teksa kurrkush prej nesh s’gjeti nge të provonte t’i shpëtonte…

Edhe pas kaq shekujsh, ndjehesh fantazmë- nëse jo dot engjëll, në emër të atyre që s’arritën dhe të tjerëve që më pastaj mbyllën sytë në truallin ku mbërritëm, edhe pse si të huaj, për të marrë vesh, për ta rrëfyer si ia dolën, si ia dolëm pra, të mbijetonim deri në ditët kur patëm nge të mendonim ta shkruanim të ndodhurën.

Doemos duhej rrëfyer, kohëve të para mbetëm pa gojë, të frikur, pa busull, në traumë të gjatë, kur pamë emrat tanë, në një listë të zvargur: në nisje të atij udhëtimit të parë për në tokën e lirë kishim figuruar…skllevër!

Mua vet, në të gjithë jetët që kujtoja si vetëdije dhe nënvetëdije, më shfaqej ëndrrash ai kaçurreli që kishte puthur si i panjohur, ai pra që i pat premtuar Asaj të pafajshmes jetë tjetër dhe që pasi nuk zbriti dot në tokën premtuar, m’i bëri edhe mua të largëta e të huaja tërë femrat e botës.

Për shkak të atij lloj entuziazmi që edhe sot e kësaj dite pa-shpjegueshëm ngazëllen thuajse tërë ata të brezit të parë të arritur në këtë Tokë, rrekeshim të gjenim arsye për pashmangësinë e ardhjes dikur. Së paku këtu ku na sollën dhe gjendemi ende, nuk i kemi mungesat elementare të vendlindjes, thoshim. S’ishte pak kjo, së paku sa të mund t’i gëzoheshim njeri tjetrit, për fatin që ishim aty, paçka se në krye na paskëshin transportuar si skllevër.

Fillimeve të këtushme u bë e natyrshme, na u kthye në zakon, domosdoja për të punuar, për të punuar sa më shumë, deri në kapitje. U mësuam t’i pranonim sjelljet e zotërinjve të këtushëm. Që ta largonim mendjen prej pa arsyes së njeriut në sjelljen ndaj njeriut, mbase, pranuam të stërmundoheshim fizikisht, rëndshëm, të mos kishim energji e kohë për të reaguar as edhe kur na fyenin për dukjen tonë. Pa na sugjeruar se si mund të shpëtonim prej lëkurës me të cilën kishim lindur…

***

Në orët e gjumit të rëndë, kur unë vet nuk shihja dot më as atë ëndrrën e rrëfyer prej atij djaloshit që s’e mbajti dot premtimin e dhënë përmes puthjes së gjatë në buzë, më besohej se së paku në gjumë nuk isha skllav. Duke kërkuar pa pushim mënyra për të përballuar jetën, duke mësuar të heshtja-që vetëm e vetëm të mbetesha, duke e strehuar veten te të tjerët, në shpirtrat, më në fund ndjemë se ardhkej një kohë kur edhe mund të shpresonim, nëse jo të besonim se bëheshim përditë e më shumë ata që do donim të kishim qenë qysh ditëve të para…

Arrita dhe pashë time bijë, lindur këtyre dherave, rritur sa mund më larg trishtimeve të mia, ngaqë ia fshihja tërë vendosmëri Ah-et e Uh-et e plagëve te vjetra dhe të reja, e pashë pra bijën time të puthej prej buzëve të një dukjeje me lëkurë tjetër. Në krye s’di pse u gëzova, por s’vonoi të më kthehej ndrojtja e frikshme se, në një formë tjetër, mund ta përsërisnin skllavërinë time edhe tek ajo…

Më shkoj mendja ta ndaloja, ta shpëtoja. Ngaqë nuk shpëtova dot atë bukuroshen e përndritur prej puthjes si premtim të të humburit mes dallgëve që më rrëshqiti duarsh te bordi i “Sythit të Shpresës”, së paku të shpëtoja time bijë.

U desh kohë e gjatë, mes pafundit të ditëve kur robtohesha në punët që s’mbaronin kurrë, të kuptoja se s’kisha pasur nge të këqyrja qelizën e njeriut, pra as të arrija të besoja se vetëm dashuria do t’i ndryshonte gjërat.

I kundërshtuar prej sime bije, si qenie njerëzore, nisa të kërkoja dhe të gjeja arsye për të ditur sado-diçka më të bukur te njerëzit që na kishin sjellë dhe na mbanin në punë- edhe për arsyet përse na qenë sjellë aq ashpër: në fund të fundit, në të vërtetën e më në fundme, edhe në ditët më të zeza ata nuk na kishin dashur të vdekur. Patën kërkuar punën tonë, dhe ne nuk ua kishim kursyer.

Në këtë bashkëjetesë shtoheshin çastet e ditët kur ne dhe ata, vinim re se të dy palët kishim familjet, fëmijët, vajzat e djemtë e tyre. Të tërë, ishim njerëz…

Ngaqë e shkuara vazhdonte të mbetej gjithnjë e më larg dhe distanca me pa-dashjen e të ndodhurave rritej pa pushim, provuam të mendonim, të pranonim si destinë dhe më në fund të bindeshim se pikërisht në çmimin si skllevër kishim hyrë pashmangshëm në histori. Ngaqë historia vetë nuk ndodhte dot ndarazi, dikur e pranuan edhe ata…

As që e kishim menduar, së paku gjer ditën kur morëm vesh se disa prej tanëve kishin lënë edhe shenja e fjalë të shkruara, mes tjerash edhe kujtime të ditëve e netëve të gjata e të frikshme në udhëtimin me “Sythin e shpresës”. Pikërisht kjo, na u kthye si shenjë se mund të arrihej diçka që dikur s’mund ta kishim.

Sipas shënimeve të tyre, që përkojnë edhe me kronikën e librave të zverdhur të kohëve të mjegullta, nxjerrë prej arkivave e bërë publike së voni, rezulton se ka qenë rreth vitit 1848 kur na ngjitën në anije, për të kapërcyer ujërat oqeanike. Edhe pse, fale njeriun o njeri, në Sheshet e Evropës aso-kohe thirrej “liri, barazi, vëllazëri!”

Tek ne s’dihej kurrgjë. Liria s’qenkej stinë e njëjtë kudo…

Mes këtyre dilemave e pyetjeve, arriti edhe ajo se si do bëhej me këtë botë, kur jo vetëm zyrtarisht si më 1848-ën, me të vërtetë s’do kishte më skllevër? Vet skllevërit, çfarë do bënin?

Filed Under: Sofra Poetike

DISA FJALË NDERIMI E KUJTIMI PËR NJË NGA BURRAT E SHQUAR TË SHKENCËS – PROFESOR ANDREA SHUNDIN

November 15, 2024 by s p

Vilma Proko

Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët, Tiranë/

Profesor Andrea Shundi është ndër studiuesit më të shquar sot të inxhinierisë agrare; figurë qendrore e shkencës së vreshtarisë dhe verëtarisë. Ky kontribut i madh i dalluar i profesor Andreas vështirë matet, vlerësohet e paraqitet në një trajtesë si kjo që i kushtohet një përvjetori të rëndësishëm të jetës së tij – 90-vjetorit (15 nëntor 2024), të cilin nuk e arriti dot, e që do të shënohej sigurisht ashtu siç e meritonte jeta dhe vepra e tij. Profesor Andrea Shundi lindi në Tiranë në vitin 1934 dhe kreu gjimnazin më 1952. Më pas ndoqi studimet e larta e u diplomua në Institutin e Lartë Bujqësor (1956 sot, Universiteti Bujqësor i Tiranës). Rrugëtimi profesional i ndërlidhur me veprimtarinë në institucione shkencore zë fill në Institutin e Kërkimeve Bujqësore në Lushnjë (1956–1960, bashkëpunëtor shkencor); e në vijim në v. 1960–1964 kryeagronom i rrethit të Lushnjës. Në vitet 1964–1975 u emërua drejtor i drejtorisë së punës shkencore në Ministrinë e Bujqësisë dhe kryeredaktor i “Buletinit të shkencave bujqësore”; më 1976–1980 drejtor i ndërmarrjes së farërave në Tiranë. Më 1980–1992 dha mësim në Fakultetin e Agronomisë të Universitetit Bujqësor të Tiranës dhe katër vitet e fundit (1988–1992) qe dekan i Fakultetit.

Mbrojti doktoraturën në vitin 1989. Në vitet 1994–1999 u emërua në Akademinë e Shkencave me detyrën e sekretarit shkencor të Seksionit të Shkencave Natyrore e Teknike në ASH, si edhe mbajti detyrën e kryeredaktorit të revistës “AJNTS”. Nga viti 1998 jetoi midis SHBA dhe Shqipërisë, duke zhvilluar një veprimtari të dendur shkencore e botuese, dhe duke u bërë edhe më i njohur si një personalitet shkencor i bujqësisë shqiptare në fushën ndërkombëtare. Veprimtaria dhe bibliografia e tij shkencore është jashtëzakonisht e pasur. Studioi për shumë vite teknikat e kultivimit të bimëve dhe veprimtarinë shkencore e përqendroi në prodhimin foragjer dhe në vreshtari e verëtari, duke botuar rreth 30 artikuj shkencorë dhe 128 artikuj teknikë, një pjesë e botuar në revista ndërkombëtare, si edhe monografi, libra dhe traktate (pothuaj 48 libra dhe tekste, me një vëllim mbi 10 mijë faqesh. Përmendim disa më kryesoret: “Doracak për sistemimin e tokave” (1969), “Përmirësime agronomike në prodhimin e hasëlleve” (1981), “Agroteknologji dhe veçori të prodhimit foragjer intensiv” (1984), “Fitoteknia” (tekst universitar, 1980 dhe 1987, me bashkautor), “Ligjësi dhe parametra për selitjen e bimëve” (1984), “Bimët foragjere dhe bujqësia e përgjithshme” (1984), “Bimët foragjere” (1988, me bashkautor), “Bujqësia dhe veprimi agronomik në trojet shqiptare” (2001), “Foragjeret në zonën e ftohtë” (2004), “Jetë agronomike” (2004), “Prodhimi shtëpiak i rrushit dhe i verës” (2008), “Wisdom from vine and wine” (2012), “Hortikultura – vështrim enciklopedik” (2017), “Verëtaria praktike” (2019) etj.

Duke qenë se fusha tematike e leksikut bujqësor është nga më të gjurmuarat e më të studiuarat nga gjuhëtarët shqiptarë në këtë hulli hyri edhe studiuesi Andrea Shundi. Kureshtja e tij shkencore për gjuhën shqipe zë fill me recensionin vlerësues për Fjalorin e terminologjisë së bujqësisë anglisht-shqip dhe shqip-anglisht të Latif Susurit (Prishtinë, 1999). Duke qenë një studiues i historisë së traditës së gatimeve shqiptare, kultivimit të rrushit dhe prodhimit të verës atij i pëlqente shumë të botonte mbi pasuritë e frazeologjisë së gjuhës shqipe mbi ushqimin dhe verën shqiptare, duke u përpjekur kështu të ruante elemente të trashëgimisë së kombit të origjinës, duke emigruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës qysh më 1998.

Më 2005 në bashkëpunim me kolegun Arif Daçi botuan Fjalor shtjellues Vreshtaria dhe Verëtaria, që u pasua nga Fjalor enciklopedik për vreshtarinë dhe verëtarinë (2010) dhe Enciklopedi për vreshtarinë dhe verëtarinë (2012), Hortikultura: vështrim enciklopedik. Shqip-anglisht me rreth 4.600 terma (Akademia e Shkencave e Shqipërisë. Tiranë, 2017- me bashkautor). Me zell të admirueshëm Andrea Shundi ka mbledhur edhe dhjetëra e dhjetëra fjalë të urta për verën e për vreshtin. Kur i hyri punës për të shtjelluar një pjesë të dijeve e të përvojave të tij shkencore e jetësore në trajtën e një fjalori u përball me jo pak pikëpyetje e probleme, redaktoriale e shkencore, për të cilat specialisti përkatës ka nevojë për këshillim e për bashkëpunim me një filolog.

Meqenëse kam punuar për mbi 15 vjet në Qendrën e Enciklopedisë Shqiptare kam pasur fatin të punoj me personalitete të ndritur të shkencës shqiptare të fushave të ndryshme, e ndër të cilët me prof. Andrean i cili qe anëtar i Redaksisë së Bujqësisë, Blegtorisë dhe Pylltarisë të Fjalorit Enciklopedik Shqiptar, 3 vëll. 2008-2009, botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, si edhe hartues i zërave enciklopedikë si vijojnë: “Bimët foragjere” (me ba.), “Bimët graminore”, ”Graminoret”, ”Hasëllet”, “Jonxha” (me ba), “Livadhet” (me ba.), “Kolëza dhe Perkoja”, “Silazhi” (me ba.) dhe “Tërfilet”.

Në vijim të kontributit të tij për Enciklopedinë po jap edhe disa fragmente nga artikulli i profesor emeritur Emil Lafe (Kryeredaktorit të Fjalorit Enciklopedik Shqiptar, 3 vëll. 2008-2009), të titulluar Arbërishtja në një Enciklopedi për vreshtarinë dhe verëtarinë, në revistën “Jeta arbëreshe”, nr. 75, 2013, f. 46–47. Citoj:

“Enciklopedia për vreshtarinë dhe verëtarinë” ka 870 faqe të formatit të madh. Për gëzimin e autorit dhe të miqve e kolegëve të tij libri doli nga shtypi në nëntor 2012, kur festohej 100-vjetori i Shpalljes së Pavarësisë kombëtare.

kjo enciklopedi nuk është fryt i një pune vetëm në kabinet, por edhe i një pune të madhe në terren, duke u takuar me dhjetëra e me dhjetëra specialistë. 3200 artikuj që ka ky libër për vreshtarinë e verëtarinë, të vendosur në rend alfabetik, përfaqësojnë jo vetëm një enciklopedi teknike, po edhe një enciklopedi të përvojës (eksperiencës) mijëravjeçare dhe të kulturës popullore shqiptare në këtë fushë. Titujt e artikujve janë dhënë edhe anglisht e italisht (p.sh. Hardhi: Grapevine, Vine; Ceppo, Vigna, Vite; verë: Wine; Vino), dhe shoqërohen rregullisht me një a disa sinonime. Rreth 500 foto e skema ilustrojnë e konkretizojnë përmbajtjen e një vargu zërash nga gjithë aspektet e prodhimit e të përdorimit të rrushit e të verës dhe të vlerave të tyre. Autori, ashtu siç ka mbledhur me kujdes çdo gjë që ka të bëjë me vreshtin, me dhrinë, me rrushtë e me verën, ka mbledhur edhe emërtimet, termat, fjalët e tyre, dhe kështu kemi te kjo enciklopedi besoj edhe mbledhjen më të pasur të fjalëve, të shprehjeve e të proverbave (fjalët e urta) që kanë të bëjnë me vreshtin e me verën. Autori ka vënë në libër gjithë sinonimet që ka mundur të mbledhë me kujdes kudo ku ka vajtur vetë dhe nëpër librat që ka lexuar. Më kujtohet se një ndër fjalët e urta apo proverbat e parë që na kanë mësuar në shkollë, është: “S’bëhet vreshti me urata, po me shata, me lopata!”. Vera bashkë me bukën janë simboli i jetës, janë vetë jeta dhe këtë na e thotë fjala e urtë arbëreshe “Bukë e verë dhe më gjë (asgjë tjetër)”. Edhe urimi arbëresh Rroftë gjuha jonë sa buka e vera! do të thotë rroftë në jetë të jetëve, mos vdektë kurrë!

“Enciklopedia” e prof. A. Shundit ka vlera teknike të padiskutueshme edhe për vreshtarët e verëtarët arbëreshë dhe për cilindo dashamir të verës, sepse vreshtaria e verëtaria arbëreshe është e lashtë, vjen nga dheu i vjetër i Arbrit dhe ka qenë e mbetet një ndër burimet kryesore për ekonominë e jetesën e arbëreshëve. Habitesh kur mëson nga kjo enciklopedi dëshmitë e kultivimit të hardhisë dhe të përdorimit të verës te Shqiptarët që nga lashtësia! Prof. Andrea Shundi (1934) është si vera e moshuar, një specialist me përvojë (eksperiencë) të gjatë; ashtu është edhe “Enciklopedia” e tij, që e meriton me të vërtetë titullin enciklopedi, se brenda në të janë të gjitha ato që ka krijuar njeriu brez pas brezi për vreshtin e për verën. Autori i ka shpjeguar bukur, qartë, shkoqur, thjesht, që ta kuptojnë të gjithë. Sa është munduar për anën profesionale të librit, aq ka pasur kujdes që ta shkruajë me një gjuhë shqipe të pastër e të qartë, të përdorë gjithë ato fjalë që ka dëgjuar e ka mbledhur andej-këtej nëpër vreshtat e atje ku bëhet vera. “Enciklopedia për vreshtarinë dhe verëtarinë” është edhe një përpjekje e lavdërueshme për të kodifikuar terminologjinë teknike të kësaj fushe. Këtu nënkuptohet edhe pasurimi i saj me neologjizma, siç janë edhe fjalët verëtar e verëtari të formuara bukur sipas shembullit të fjalëve vreshtar e vreshtari. Ky është një shembull për t’u ndjekur edhe nga specialistë të tjerë që botojnë vepra të ngjashme. Mua, si njeri që jam marrë tërë jetën me punët e gjuhës shqipe, më bën përshtypje të thellë, që në këtë “Enciklopedi”, që është një libër teknik, gjuha shqipe e këtushme me arbërishten gjallojnë për bukuri së bashku dhe plotësojnë njëra tjetrën. Kemi të bëjmë me një mbushulli në arbërisht, duke arritur në 650 terma, sinonime, fjalë të urta, thënie, gjëza, doke, këngë, rite, mite etj.

Një varg termash dhe sinonimesh të arbërishtes vërtet përbëjnë thesar për gjuhën shqipe të sotme, sepse janë me prejardhje nga brumi i lashtë i saj dhe jo vetëm tingëllojnë hijshëm, por janë edhe të përshtatshme teknikisht. Si të tilla mund të përmendim: bancim – lidhje e shermendeve dhe e lastarëve, biljezë – fidan, ciarlë/cice – kanë, fillestar – lastar, fytim – mbëltim, kryerinë – bucelë, lisarjel – pjergull, ncëtim – shartim, ngallim dhe ngjepsje – ngjërim, nocull – bërsi, pénjith – dredhcë, pishnesë – dolli, rrimurtatje – rienësim, shkëmesje (me kmesë) – krasitje, shtrydhore – trokull, shungasje – larosje etj.

Po për kë e ka shkruar prof. A. Shundi këtë enciklopedi? Enciklopeditë shkruhen për të gjithë! Ndër këta “të gjithë” përfshihen: së pari ata që merren me mjeshtërinë e vreshtarisë e të verëtarisë si profesionistë ose si amatorë; pastaj të gjithë ata që duan të dinë më shumë për vreshtin, për rrushtë, për verën. Enciklopedia është dhe një manual i kulturës në këto fusha. Aty mëson karakteristikat e llojeve të ndryshme të hardhive, të rrushit e të verërave. Mëson t’i shijosh vetë më mirë dhe të ndiesh më shumë kënaqësi duke pirë nga një qelq verë në shtëpi e në shoqëri.

Autori, prof. dr. Andrea Shundi ka bërë përpjekje për të përdorur një gjuhë sa më se të dëlirë e të qëruar, madje e ka pasuruar me terma për vreshtarinë dhe verëtarinë, duke i shqipëruar ato. Nga ana tjetër, ka qëmtuar dhe paraqitur 3200 sinonime për termat përkatës. Për shembull, termi shermend përplotësohet me sinonimet që e qerthullojnë: degëz, hark, mashkullor, saramendë, spalë. Së fundi, të 800 fjalët e urta që autori i ka vendosur në artikuj të caktuar, lehtësojnë kuptimin dhe gjallërojnë përmbajtjen e vetë artikullit përkatës. Është e habitshme se sa shumë fjalë të urta, shprehje e thënie të ndryshme, po edhe gjëza, doke etj. për vreshtarinë e verëtarinë gjallojnë tek Arbëreshët. Ato përbëjnë pa dyshim një tjetër dëshmi të lashtësisë dhe të traditës që kanë pasur këto dy veprimtari në botën arbëreshe. Si margaritarë mund të vlerësohen: “Ai qiparis dhe ajo hardhi e bardhë, që i qarkohet përjetë”, “Bukë e verë dhe më gjë (asgjë tjetër)”, “Bukë e shërbyer, verë e matur”, “Fyto (mbëlto) hardhi edhe në prill”, “Hardhia, mbretëresha e pemëve”, “Me një vresht e me një palë (pajë/prikë), marton një bil (bijë)”, “Oj e bukura si vera!”, “Rroftë gjuha jon sa buka dhe vera!”. Fjalët e urta apo përthëniet në arbërisht, shprehin urtësinë popullore dhe mishërimin e këtyre dy veprimtarive për mbijetesën dhe mirëqenien e Arbëreshëve.

Përmbajtjen e artikujve teknikë në “Enciklopedi”, këto fjalë të urta e filozofojnë dhe e ndriçojnë më tej. Botimet arbëreshe dhe më gjerë që janë përdorur nga autori, arrijnë në 19 tituj, ku vendin e parë e zënë fjalorët e hartuar nga autorët Emanuele Giordano, Gaetano Gerbino, Giuseppe Filippini, Giuseppe Gallo, Pasquale Scutari, si dhe nga prof. Kolë Kamsi), po ashtu antologjitë e botuara nga papas Antonio Bellusci; autori ka nxjerrë materiale edhe nga leksiku i të folmeve të një vargu trevash arbëreshe, që ka përgatitur Universiteti i Kalabrisë nën drejtimin shkencor të prof. Franko Altimarit, si edhe materiale të tjera arbëreshe që janë mbledhur nga Enrico Ferraro dhe Francesco D’Agostino (www.mondoarberesco). Meritë e profesor Shundit është se ai disa terma dhe fjalë të urta i ka qëmtuar drejtpërdrejt nga goja e arbëreshëve te katundet përreth Kozencës dhe rreth Tarantos. Qëmtimi dhe paraqitja e këtyre termave, sinonimeve dhe fjalëve të urta në “Enciklopedi”, sikurse ka vepruar prof. A. Shundi, përbën një shembull të mirë për gjithsecilin që shqipen e arbërishten i sheh si njësi themelore të shprehjes dhe të ndërgjegjes mbarëshqiptare”.

Me këta fjalorë e enciklopedi, thotë profesor Emil Lafe në një shkrim me rastin e ndarjes nga jeta të profesor A. Shundit më 30 prill 2024, “….Andrea i ka bërë një shërbim të vyer edhe gjuhës shqipe. Në faqet e tyre (fjalorëve, shën. i imi, V.P.) ndihet dashuria e autorit për fjalën shqipe, kujdesi i tij për ta gjurmuar, për ta vlerësuar e për ta pasuruar me fjalë shqipe fjalorin e kësaj fushe, për të gjurmuar e pasqyruar sinonimet e shumta popullore kudo ku ka shqiptarë që vënë vresht, vjelin rrush, nxjerrin musht e verë, jo vetëm anembanë Shqipërisë që përshkruan Sami Frashëri, po edhe te arbëreshët e Italisë e te arbërorët e Greqisë”.

Vepra e profesor Andrea Shundit E(t)nogastronomia arbëreshe (shtjellohen 610 receta gjellësh dhe ëmbëlsirash), Tiranë, 2016, 437 f., e cila përmban edhe një fjalor për vreshtarinë e verëtarinë dhe shqyrtime filologjike është fryt i hulumtimeve fshat më fshat e shtëpi më shtëpi te Arbëreshët. Siç shprehet vetë, A. Shundi ka synuar që ligjërimi dhe shkrimi ynë “të bëhen më të pasur, të përpiktë, të fuqishëm e të hijshëm, pse jo edhe që të ruajmë pastërtinë e shqipes.”

Në këtë vepër hasen një varg fjalësh të urta që lidhen me veprimtarinë enogastronomike arbëreshe, siç thotë studiuesi Shundi: “fjalët e urta përbëjnë visare dhe dëshmi vijimësie të gjallimit gjuhësor dhe vreshtar-verëtar-enogastronomik arbëresh; shprehin urtësinë dhe mishërimin e këtyre veprimtarive ekonomike, jetësore dhe begatuese të arbëreshëve; për më tepër, mjeshtërinë dhe kulturën e punës e të jetesës së tyre, e filozofojnë dhe e ndriçojnë më tej”.

Prof. Emil Lafe në veprimtarinë e përurimit të kësaj monografie në vitin 2017 në sallën “Aleks Buda” të Akademisë së Shkencave do të shprehej: – Sa mbushullim fjalësh të urta dhe zakonesh për një veprimtari të caktuar që janë ruajtur e janë përpunuar më tej nga një bashkësi vetëm prej disa qindra mijë Arbëreshësh në Itali!

I gjithë ky material i pasur leksikor u mblodh me kujdes të veçantë nga profesor Andrea përmes dëshmive të ndryshme historike për traditën e vreshtarisë tek Arbëreshët e Kalabrisë gjatë tri ekskursioneve hulumtuese në vitet 2011-2013, duke dëgjuar me kujdes rrëfimet e atyre që merren me punët e vreshtit, të verës e të gatesave dhe duke prekur me dorë e duke ngjëruar nga pak ato që pastaj i ka përshkruar në libër, krahas gjurmimit e studimit të një vargu artikujsh, librash e dokumentesh arkivore. Vetë kreu IX i librit përmban fjalë të urta e zakone të Arbëreshëve të Kalabrisë e të Sicilisë për vreshtarinë, verëtarinë dhe enogastronominë (rreth 720 njësi), si: Duhi mir si buka e vera! Dhria isht mbretëresha e pemëve. Oj e bukura si vera! Grur shum e ver shum. Pa ardhur gushti, nuk piqet mushti.

Ky botim shkencor u prit me fjalë të ngrohta përgëzimi edhe në Panairin e Librit Arbëresh më 20 maj 2016 zhvilluar në Mbuzat të Kalabrisë (San Giorgio Albanese). Me këtë vepër prof. Andrea Shundi ka hyrë në familjen dhe në kuzhinën e vëllezërve arbëreshë; ushqehet me ta në tryezën e miqve; pi verë nga rrushi i vreshtit arbëresh; bashkëkuvendon dhe bashkëpunon me homologët arbëreshë në mënyrë që të fuqizohen studimet dhe botimet në fushën e gjuhës, kulturës e traditave arbëreshe, në kushtet e sotme të një rreziku potencial bjerrjeje të arbërishtes dhe shpreson që enogastronomia arbëreshe të jetë lartësuar siç i takon “në qelqe të verës dhe në ajkën e gatimeve”. Për më tepër mund të konsultohet edhe artikulli i përgatitur prej meje me titull: Fjalë të urta nga areali arbëresh, botuar në “Buletin shkencor” (Seria e shkencave shoqërore), organ i Universitetit të Shkodrës ”Luigj Gurakuqi”, nr. 74, 2024, përmes së cilit njihemi me mbushullimin dhe larminë pa mbarim të fjalëve të urta arbëreshe, të cilat pasqyrojnë jetën, traditën, kulturën dhe ekonominë arbëreshe, ku ka spikatur kallëzimi popullor, por që një pjesë e tyre mund të jetë zbukuruar nga dëshira e mirë dhe fantazia e krijuesve popullorë, madje duke i shndërruar deri në legjenda.

Librat e mësipërm të Andrea Shundit janë një ftesë e këndshme për të zgjeruar kulturën e(t)nogastronomike për pasurinë e traditës shqiptare për vreshtin dhe verën, e që nëpërmjet lashtësisë së fjalorit shqip të vreshtit, hardhisë, të rrushit e të verës të japë dëshmi të tjera për lashtësinë dhe autoktoninë e atyre që e ushtruan dhe e zhvilluan këtë mjeshtëri në këto troje brez pas brezi që nga kohët e stërlashta.

Profesor Shundi ka marrë pjesë me referate në disa kongrese botërore për foragjeret (Francë, 1987; Zelandë e Re, 1993; SHBA, 1995, Australi, 1999) dhe ka qenë gjithashtu ligjërues në universitetet e Viterbos dhe Potencës (Itali), si dhe në Selanik (Greqi). Ishte bashkëorganizues i konferencës kombëtare të shkencave bujqësore (1975); i simpoziumit “Shkencat agronomike në zhvillimet e reja ekonomike të Shqipërisë” (1991); si dhe i një numri seminaresh mbarëkombëtare për vreshtarinë dhe verëtarinë (2002–2010).

Meritat shkencore të profesor Andrea Shundit janë vlerësuar edhe me çmimin më të lartë kombëtar që jepet nga Akademia e Shkencave për shkencat natyrore e teknike, çmimin “Petrit Radovicka” (bashkë me akademik Nazim Grudën, 2018). Është nderuar me urdhrin “Mjeshtër i Madh” (2010) dhe me mirënjohjen “Nderi i Akademisë” nga ASH. Akademia e Shkencave ka miratuar botimin e një libri tjetër në bashkautorësi këtë vit, ku ai është autori i parë: “Ushqimi dhe (eno)gastronomia shqiptare” (2024).

Profesor Andrea Shundi do të jetojë e do të kujtohet përmes mijëra faqeve që ka lënë si pasuri të çmuar në bibliotekën shkencore të bujqësisë shqiptare dhe përmes shembullit të jetës së një dijetari me pak fjalë e me shumë vepra themelore, që koha do t’ua shtojë vlerën.

Dy vjet më parë, më 2-4 dhjetor 2021 kryesoi konferencën shkencore dyditore nga më të rëndësishmet në verëtari e hortikulturë, organizuar nga Akademia e Shkencave, kushtuar llojeve endemike të rrushit në Shqipëri e Kosovë, ku veçojmë sesionin shkencor “Verëtaria shqiptare – Tradita dhe ardhmëria (dhjetë verëra më përfaqësuese shqiptare)”.

Në ditët e sotme, ruajtja dhe zhvillimi i gjuhës dhe i kulturës arbëreshe, në kushtet e një rreziku potencial bjerrjeje, përbën një problem madhor që lidhet me çështjet e mjedisit dhe të psikamës, e sidomos me përparimin ekonomik e botërorizimin. Natyra ndërdisiplinore e gjuhës, zakoneve, enogastronomisë së Diasporës arbëreshe e përtej saj kërkon studime e botime të shumta, njohje e përhapje të gjerë në të mirë të bashkësisë arbëreshe dhe të asaj mbarëshqiptare, të kulturës e të qytetërimit ndërkombëtar. Në këtë kontekst po përpiqemi të japim një kontribut modest përmes artikullit tim, botuar në revistën e studimeve arbëreshe “Continuum”, nr. 2. me titull: “Konsiderata të shkurtra për termat e e(t)nogastronomisë arbëreshe, si pasqyrim i forcës së gjuhës. Reflektime mbi monografinë “E(t)nogastronomia arbëreshe” e Andrea Shundit””.

E(t)nogastronomia në vështrimin filologjik dhe kulturor të botës arbëreshe përbën një pasuri gjuhësore të arbërishtes për vreshtarinë-verëtarinë-enogastronominë krahasuar me pasurinë gjuhësore të shqipes dhe italishtes në fushat reaspektive. Sipas burimeve historike Arbëreshët e parë i kthyen në vreshta e ullishta kodrat e shkreta e plot shkurre të viseve ku u vendosën në Italinë e Jugut. Dëshmitë gjuhësore e folklorike për vreshtarinë e verëtarinë, enogastronomia e mirëfilltë e trashëguar, përfaqësojnë një fushë etnokulturore sa të lashtë, aq dhe origjinale në ekonominë dhe në jetën shpirtërore të Ilirëve, Arbërve dhe Shqiptarëve si popull i pellgut të Mesdheut.

Monografia “E(t)nogastronomia arbëreshe” në të cilën shtjellohen 610 receta gjellësh dhe ëmbëlsirash, me 437 faqe, botuar në Tiranë, 2016, e prof. dr. Andrea Shundit trajton shqyrtime filologjike e kulturore për anën gjuhësore të vreshtarisë, verëtarisë, enogastronomisë e veprimtarive të lidhura me to, ndikuar edhe nga mjedisi gjuhësor italian.

Në mënyrë simbolike mund të themi se paraardhës të “E(t)nogastronomisë arbëreshe” janë dy botimet e para për verëtarinë dhe vreshtarinë arbëreshe, si dhe një varg botimesh të tjera. Studiuesi Shundi vëren se vreshti, rrushi dhe përpunimet e tij përfaqësojnë një fushë etnokulturore sa të lashtë, aq dhe origjinale te Arbëreshët. Për më tepër, arbërishtja i “mbulon” dhe i shpreh vërtet mirë këto veprimtari.

Në termin e(t)nogastronomi te titulli i librit, – siç dhe pohon autori, – janë dyzuar fjalët enogastronomi dhe etnogastronomi që përfaqësojnë dy veprimtari të ndërthurura pazgjidhshmërisht me njëra-tjetrën, e që shtjellohen organikisht bashkë, si tradita dhe veprimtari më se etnike të bashkësisë historike arbëreshe, me prejardhje dhe me po aq etnike shqiptare. Libri u referohet edhe 79 dokumenteve burimore, përmban 436 faqe si dhe 610 receta gjellësh e ëmbëlsirash. Në të amvisëria, dashamirët, studiueset etj. gjejnë: traditën dhe realitetin enogastronomik arbëresh, përdorimin e verërave te gatimet e gjellëve dhe të ëmbëlsirave si edhe bashkërendimin e ngrënies së tyre me pirjen e verërave, emërtime dhe fjalë më se kuptimplote dhe shqiptare, krahasime midis enogastronomisë arbëreshe dhe asaj shqiptare e italiane, si dhe shtjellime gjuhësore dhe kulturore.

Dëshmitë gjuhësore e folklorike për vreshtarinë e verëtarinë, enogastronomia e mirëfilltë e trashëguar, që kishte gjetur prof. A. Shundi tek Arbëreshët, e bindën që t’i hynte drejtpërdrejt kërkimit në ngulimet e tyre, duke i njohur nga afër vendet, mjetet dhe njerëzit që vijojnë atë traditë të lashtë të vreshtarisë, verëtarisë dhe enogastronomisë, traditë të cilën ata e çuan nga dheu mëmë në atdheun e ri.

Vëllezërit arbëreshë, kumton autori, në vendin pritës punuan tokat dhe selitën vreshta, ullishta, grurë etj.; nënat e morën djepin edhe në arë, gjuhën ia përçuan fëmijës me porosinë dhe bekimin, që ta përcillte te pasardhësit e deri më sot, mbi 25 breza arbëreshësh pas, të cilët kanë populluar një pjesë të Italisë së Jugut.

Një libër i tillë i vëllimshëm kuptohet vetiu se është fryt i një hulumtimi disavjeçar. Autori, ndërsa ka shkelur me këmbë ngulimet arbëreshe, ka mbledhur me kujdes dëshmitë e ndryshme historike për traditën e vreshtarisë, verëtarisë e të gatesave, i ka prekur me dorë e duke i ngjëruar nga pak ato. Më tej, ka gjurmuar e studiuar një varg artikujsh, librash e dokumentesh arkivore, nga të cilat ka mbledhur lëndë për librin e vet, duke e paraqitur sa shkencërisht aq edhe me vlerë publicistike.

Duke pasur në vëmendje qasjen e autorit ndaj objektit të kësaj vepre: kontributi i arbëreshëve, kudo ku ata jetojnë sot, të shtrirë në kohë e me rëndësi jetike për vendin, historinë dhe trashëgiminë tonë kombëtare, si edhe çka parashtruam më sipër mbi paraardhësit e këtij libri kuptojmë më mirë se si është krijuar dhe ç’përmbajnë krerët e tij.

Libri përbëhet nga dy pjesë: pjesa e parë “E(t)nogastronomia arbëreshe në vështrim teknik e profesionor” (f. 12-286) dhe pjesa e dytë: “E(t)nogastronomia në vështrimin filologjik dhe kulturor të botës arbëreshe” (f. 287-419). Në pesë krerët e pjesës së parë autori flet për traditat e Arbëreshëve dhe potencialet e tyre në fushën e enogastronomisë dhe në atë të vreshtarisë e të verëtarisë, duke përshkruar gjellë dhe ëmbëlsira, kultivarë dhe ekotipa vendës të hardhisë, vreshta e kantina arbëreshe, si dhe veprimtari e kremtime e(t)nogastronomike, të cilat për një pjesë të mirë i ka njohur nga afër. Katër krerët e pjesës së dytë përmbajnë, së pari, një fjalorth për vreshtarinë, verëtarinë dhe e(t)nogastronominë me 1255 fjalë-terma që përdoren në ngulimet arbëreshe. Më tej vijnë shqyrtime filologjike e kulturore për anën gjuhësore të kësaj veprimtarie; autori ka ndjekur edhe ndikimet nga mjedisi gjuhësor italian dhe ka bërë krahasime me fjalët e shprehjet që përdoren në Shqipëri. Është interesant krahasimi në fund të kreut të tetë se “arbërishtja është e mbushulluar me fjalë/terma të dëlira shqipe lidhur me veprimtarinë enogastronomike prodhuese dhe përdoruese”.

Kreu i fundit (Kreu IX) përmban fjalë të urta (600 njësi) dhe tradita e doke (120 njësi), që lidhen me vreshtarinë, verëtarinë dhe enogastronominë shoqëruar me përkatësisht në shqip e italisht; gjithsej (720 njësi), si: Duhi mir si buka e vera! Dhria isht mbretëresha e pemëve. Oj e bukura si vera! Grur shum e ver shum. Pa ardhur gushti, nuk piqet mushti. Sa mbushullim fjalësh të urta dhe zakonesh për një veprimtari të caktuar, që janë ruajtur e janë përpunuar më tej nga një bashkësi vetëm prej disa qindra mijë Arbëreshësh në Itali!

Termat e e(t)nogastronomisë arbëreshe si pasqyrim i forcës së gjuhës

1255 fjalë-terma që përdoren në ngulimet arbëreshe ngërthejnë të katër krerët e pjesës së dytë, në trajtën e një fjalorthi për vreshtarinë, verëtarinë dhe enogastronominë (arbërisht-shqip-italisht). Përmes këtij fjalorthi autori sjell një lëndë të re me vlerë apo shton njohuritë për gjeografinë dhe jetëshkrimin e fjalëve të veçanta, pasuron terminologjinë e fushave përkatëse me sa më shumë fjalë shqipe të popullit ose me formime të reja, ndër të cilat spikatin një varg fjalësh arbëreshe me rrënjë të shqipes, si: biljezë “fidan”, çil “syth”, fillestar “lastar”, fytim “mbëltim fidani”, kryerinë “bucelë”, lisarjel “pjergull”, mbroní “vozë”, ncëtim “shartim”, nocull “bërsi”, pishnesë “dolli”, spalë “shermend”, shtrydhëse “trokul” etj. që mund të shërbejnë për pasurimin e fjalorit të gjuhës sonë letrare.

Në këtë Fjalorth terminologjik, së bashku me fjalët e urta e zakonet e paraqitura në kreun e nëntë (i fundit), mëtohet të jepet ndihmesë edhe në pasurimin e visarit gjuhësor dhe profesionor, përmes përfshirjes së termave që nuk janë të përafërt me shqipen. Shumica dërrmuese e tyre, të shoqëruar me sinonimet përkatëse nuk paraqiten në Fjalorin e Gjuhës Shqipe (2006). Në krah të çdo fjale/termi arbërisht jepet barasvlerësi në italisht dhe shqip, me qëllim krahasimi dhe mundësie përdorimi nga më shumë lexues.

Fjalorthi, i hartuar si një dëshmi e lashtësisë gjuhësore dhe e traditave gastronomike arbëreshe jo gjithmonë i përmbahet rregullave të plota të një fjalorthi gjuhësor të mirëfilltë: fjalët nuk emërzohen nëse janë emër-mbiemër-folje etj.; nuk shënohen gjinia, trajta e shquar dhe shumësi i emrave e mbiemrave, foljet paraqiten kryesisht në trajtën veprore etj.

Një pjesë e këtyre termave/fjalëve janë vërtet të moçme dhe tanimë përdoren rrallë, por sidomos një pjesë janë të dëlira shqipe. Për më tepër, vetëm 18 fjalë arbëreshe janë paraqitur në fjalorët e gjuhës shqipe, ndër të cilat: droqe, horë, ngjëroj, buthtoj (lulëzoj). Ndërkaq termi ngjëroj në FGjSh e që ndeshet te arbëreshët në nëntrajtat ngjepsje, ngjërim, ngjironje, njërim po humbet për shkak të përdorimit të fjalës degustoj.

Nuk janë përfshirë në Fjalorth termat kyçe arbëreshe të enogastronomisë të njëjtë me shqipen standarde, të tilla si: arrë, bathë, bletë, brumë, bukë, cjap, dardhë, dash, degë, dele, djathë, dosë, dhi, dhjamë, elb, ëmbëlsirë, farë, fik, ftohët, furrë, groshë, grurë, gjalpë, gjizë, hirrë, hu, hudhër, kà, kalë, kashtë, kizë, kopsht, kripë, krunde, kulaç, kumbull, kungull, kusi, lakror, lopë, lugë, lule, magje, mbjellje, miell, mish, mollë, musht, ngrënie, ngrohët, ngjalë, peshk, petull, përshesh, përtypje, pirje, pjekje, pjeshkë, poçe, prush, pulë, qepë, qiqër, qullë, qumësht, presh, rrush, qengj, rreshkët, rrënjë, sitë, spinaq, supë, shat, shkumë, shoshë, shtjerrë, tëharrje, tul, thelë, thikë, ujë, ulli, uthull, vatër, verë, vesh rrushi, vezë, viç, vjelje, vresht, vreshtar, zëmër, zierje, zjarr etj.

Në jo pak raste, përmes Fjalorthit shpaloset dukuria e gjallimit gjuhësor të përbashkët me dhjetëra fjalë/terma enogastronomike të njëjta, si: arë, athëti, bar i lig, bel, bucelë, bulë, but, calik, gërshërë, kanistër, kofin, mbrujtje, ngjërim, pite, pupë (vile), qilar, tharti, verëtar, vjelje, e cila përbën një dukuri pozitive dhe është dëshmi e marrëdhënieve në vijimësi midis gjuhës mëmë dhe arbërishtes.

Ndërkaq, huazimet e arbërishtes nga gjuha italiane, përgjithësisht janë më se të natyrshme, rrjedhojë e bashkëjetesës për shumë shekuj radhazi. Në secilin term në gjuhën arbëreshe (si në shqip) theksi është vendosur duke zbritur nga e majta (′) dhe në barasvlerësin në italisht theksi zbret me pjerrësi nga e djathta (ˋ).

Për sa i përket sinonimeve që gjallojnë në treva të ndryshme vreshtare dhe verëtare arbëreshe, mund të themi se ato përbëjnë një tjetër dëshmi të rrënjëzimit dhe popullarizimit të vreshtarisë dhe verëtarisë, duke mundësuar shprehje, frazeologji, ligjërime etj. më të larmishme dhe me ngjyrime më emocionuese nga ana e arbëreshëve, p.sh.: 10 sinonime për veprimtarinë e shtimit të hardhisë përmes përpajnimit të saj, apo 15 të tilla për vile, 14 për lastar, 13 për kanë, 11 për krasitje etj.

Ndër kulmet e larmisë dhe të cilësisë sinonimike mund të jenë rastet e fjalës /termit lastar me 18 sinonime dhe të fjalëve/termave bute dhe kaljaveshme nga 10 dhe 11 sinonime përkatësisht. Siç nënvizonte prof. Çabej se shumica e fjalëve njërrokëshe shqipe janë të brumit indoeuropian, edhe në këtë Fjalorth fjalët njërrokëshe arrijnë në 20 për qind, ndërsa së bashku me ato dyrrokëshe përbëjnë 54 për qind të këtyre termave e sinonimeve. Pikërisht, kjo sinonimi krijon mundësi për ta gjallëruar në vijimësi arbërishten edhe në këtë drejtim, për të zgjedhur termat më të përshtatshëm, duke i fisnikëruar dhe i përkryer më tej ato në suazën e gjuhës standard.

Në pjesën më të madhe të termave është shënuar prejardhja e tyre nga komuna të caktuara, por që nuk përjashton faktin se ato u takojnë edhe komunave të tjera, edhe pse janë përdorur burime botimesh e të dhënash gojore të besueshme.

Në fjalësin e librit hasen edhe fjalë/terma dhe emërtesa të arbërorëve në Greqi, si: dhri-hardhi, tumaca-makarona, dromsa etj. dhe të arbënorëve në Kroaci, duke i shënuar përbri përkatësisht me “(arbr.)” dhe me “(arbë)”, praktikë e ndjekur edhe me përfshirjen e ndonjë fjale të urtë, kultivari hardhie, kantine etj., që jetësohen në këto dy diaspora, çka dëshmon që shqipja mesjetare ka qenë e pandarë në dialekte aq të dalluara.

Me të drejtë mund të shtrojmë pyetjen: Kujt i drejtohet ky libër, e përse është i dobishëm?

Monografia “E(t)nogastronomia arbëreshe” është, në radhë të parë, një vepër me vlera shkencore në fushën e albanologjisë, sepse përmban një visar të çmuar gjuhësor dhe të besueshëm, e veç kësaj edhe shumë elemente të etnokulturës arbëreshe. Ajo na ndihmon të zbresim në shekujt kur nisi mërgimi i Arbëreshëve dhe të hetojmë çfarë ka mbetur e përbashkët (fjalë, shprehje, fjalë të urta, zakone, rite, kultivarë hardhie, gatesa etj.) dhe çfarë është shtuar. Për ata që merren me dialektologji dhe me historinë e fjalëve, ky libër përmban një lëndë të re me vlerë ose shton njohuritë për gjeografinë dhe jetëshkrimin e fjalëve të veçanta. Prirja e studiuesit Shundi për të konkretizuar sendet me anë të fjalëve e ka çuar te dashuria për fjalën shqipe dhe te dëshira për ta pasuruar terminologjinë e fushës së tij të punës me sa më shumë fjalë shqipe të popullit ose me formime të reja.

Te “E(t)nogastronomia arbëreshe” autori ka spikatur një varg fjalësh arbëreshe me rrënjë të shqipes, si: biljezë “fidan”, çil “syth”, fytim “mbëltim fidani”, kryerinë “bucelë”, lisarjel “pjergull”, ncëtim “shartim”, ngjepsje “ngjërim”, nocull “bërsi”, pishnesë “dolli”, shkëmesje “krasitje”, shtrydhore “trokull” etj., që mund të shërbejnë për pasurimin e fjalorit të gjuhës sonë letrare.

Krahas këtyre vlerave gjuhësore e folklorike dhe interesit në rritje për agroturizmin, i cili ndihmon për të njohur mozaikun e larmishëm të etnokulturës sonë edhe nëpërmjet larmisë së gatesave popullore dhe llojeve të verërave shqiptare, ky libër me 610 receta gjellësh e ëmbëlsirash arbëreshe shërben edhe si tekst kuzhine, sepse janë të shumtë ata që i tërheq ruajtja dhe ripërtëritja e traditës kombëtare në këtë fushë, si në komunat arbëreshe, ashtu edhe te ne, në Arbërinë e lashtë, po edhe kudo ku gjallon gjaku i shprishur i Arbrit. Autori parashtron se enogastronomia arbëreshe është shtjelluar e ndërlidhur dhe në bashkëveprim me mjediset italiane, ku bashkëjeton për shekuj me radhë si edhe me traditat shqiptare, që janë burimore, e madje ndonjëherë këto emërtime janë disafjalëshe: bath me çkore, likëngë me rrapa, luljakuq ma fasulje, skorca derku me liakra etj. Po ashtu jepen shembuj krahasues midis enogastronomisë, zakoneve dhe fjalëve-terma, përkatësisht në vendbanimet arbëreshe, me ato në Shqipëri e në shqipen mëmë. Është domethënëse që shumica dërrmuese e gatesave kanë emërtime arbëreshe-shqipe dhe nuk përdoren turqizmat, gjë që shpjegon edhe lashtësinë e këtyre gatimeve me emërtime shqiptare.

Të tilla janë gjellët: dorëzët, dromësa, droqe, fletazi, gërvishtje, gjimave, hollonjra, kulaç, lagane, lalëzot, likëngë, nusëse, ngjambara, patuga, përpeqe, përshesh, pifti, pjakëza, strangule, shtridhëla, tërcënele, t’plotit, vajiholla, verdhet. Po ashtu ëmbëlsirat si: bushkavune, gagane, kauçiume, kraviqe, loshka, nepite, paprate, picile, popoçulla, pulikë, qenullile, skallile. Këtu duhen shtuar edhe emërtime të ekotipave e të kultivarëve (prof. A. Shundi ka përshkruar 26 të tillë), si: “Hardhagjel”, “Hora”, “Katarrat”, “Lot Krishti”, “Marvazezë”, “Muskarjel”, “Porthinjë”, “Ruxh”, “Rrush të gjelëti”, “Sislopë”, “Tenarjel”, “Virdhan, “Zagarezë”.

Një varg gatimesh kanë madje “vulën” arbëreshe: djathë arbëresh, sallatë arbëreshe, çorbë arbëreshe, qiqra arbëreshe etj.

Arbëreshët kanë disa dhjetëra ekotipe dhe kultivarë të tyre të hardhisë. Prof. Shundi shtjellon disa të tillë si: Asprun, Hardhagjel, Hora, LotKrishti, Pasularë, Sisëlopë, Ruxh, Virdhan, Zagarzezë etj. Mandej vijon me dëshminë se disa prej tyre prodhojnë rrush të bardhë dhe të zi, çka ripohon fuqi biologjike dhe prejardhje të moçme. Për më tepër, shumë verëra tregtohen me emërtime arbëreshe (Arbëria, Haré, Hora, Kokrra, Loti, Mos, Pinot i Skanderbekut, Pjuhuri/Baruti, Vera Jonë etj.).

Në krerë të veçantë shtjellohen 31 vreshta e kantina vere, ullishte dhe fabrika vaji, mbarështime derri e fabrikë sallami. Po ashtu bukëtore (Bukë e përsosur, Buktore Karafini, Buk’e Ungrës), dhe restorante (Ceraudo, Kamastra etj.). Po ashtu, kremtimet enogastronomike janë të panumërta dhe me veçantitë përkatëse zhvillohen në çdo komunë arbëreshe. Kryesisht lidhen me agroturizmin dhe të kremtet fetare e laike, por edhe me ngjarje enogastronomike sikurse “Hapja e butit”, “Karnavalet”, “Therja e derkut” etj., të cilat zhvillohen kryesisht gjatë qershor-shtatorit, kur shtohen turistët dhe kthimi në vendlindje i arbëreshëve për pushimet verore.

Të bëjnë përshtypje fjalët e urta, aq shumë vetëm për enogastronominë!, nga ku mund të hasen shprehje të tilla moralizuese, të traditës, të mjeshtërisë, si p.sh.: “Duhi mir si buka e vera!”, “Ti, buka dhe vera!”, “Vreshta e ullishta mjaftojn qe familja t’jetoj mir!”, “Grur shum e ver shum!”, “Kadori/Gjethja ruan/mbron rrushtë!”, “Hardhia me shum pamna/gjethe ben pak rrush!” etj. Po ashtu çiftime, bukë dhe verë: “Buk e ver dhe më gjë!”, “Pafshe hije/nderime si buka e vera!”, “Rrofshi sa buka e vera!”, “Shurbe bukën e mat verën!”, “Triesa pa buk e ver s’ka hije!” etj.

Spikasin krahasime të goditura, që prof. Shundi bën midis disa gatimeve arbëreshe dhe shqiptare (buka, fiqtë e terur, hardallia, kulaçi, lakrori, petullat, qulli etj.), me ato italiane (kanojët arbëreshë me cannoli sicilian etj.).

Një vend të rëndësishëm zënë edhe emërtimet e fshatrave/qytezave arbëreshe dhe të rrugëve e shesheve të tyre janë në shqip, natyrisht dhe në italisht. Institucionet vendore duke përfshirë shkollat, bibliotekat, kishat etj., si edhe shitoret, restorantet etj. po ashtu kanë emërtime dygjuhëshe. Në fshatin arbëresh ndihesh se je diku në fshatrat e Labërisë, Bregut etj. E folura arbërishte është kudo e pranishme, shoqëruar me botimet ku spikatin një numër i shumtë gazetash dhe revistash, krahas radio-televizionit dhe shtypit elektronik arbëresh.

Këto realitete e(t)nogastronomike arbëreshe krijojnë mundësi për zhvillime të mëtejshme, në mënyrë që këto të bashkërendohen me më të mirat e traditave të tjera, në funksion të njohjes dhe veçanërisht të përhapjes më gjerë të tyre, të zhvillimit edhe të turizmit enogastronomik në komunat arbëreshe.

Lexuesi përmes burimeve të referencës (rreth 75) krijon ide më të plotë për këtë botim shkencor të thelluar që u prit me fjalë të ngrohta përgëzimi në Panairin e Librit Arbëresh, zhvilluar në Mbuzat të Kalabrisë (San Giorgio Albanese) më 20 maj 2016, me sugjerimin që të botohet edhe i përkthyer italisht e anglisht. Duke cituar prof. Lafen: “mendoj se është një ftesë e hapur për një simpozium shumëdisiplinor për vreshtarinë e verëtarinë dhe për enogastronominë mbarëshqiptare, për të shkuarën, të sotmen e të ardhmen e saj”. Megjithatë duhen përmendur edhe disa nisma të organizimit të konferencave kombëtare e ndërkombëtare, apo simpoziumeve me tema specifike, si p.sh., kumtesa me titull “Verëra arbëreshe, traditë më se 500-vjeçare” e studiuesit Roberto Ceraudo, e mbajtur në Sesionin shkencor “Verëtaria shqiptare – Tradita dhe ardhmëria (dhjetë verëra më përfaqësuese shqiptare)”, më 2-4 dhjetor 2021 në Tiranë.

Në përfundim: Me këtë vepër prof. Andrea Shundi ka hyrë në familjen dhe në kuzhinën e vëllezërve arbëreshë; ushqehet me ta në tryezën e miqve; pi verë nga rrushi i vreshtit arbëresh; bashkëkuvendon dhe bashkëpunon me homologët arbëreshë në mënyrë që të fuqizohen studimet dhe botimet në fushën e gjuhës, kulturës e traditave arbëreshe, në kushtet e sotme të një rreziku potencial bjerrjeje të arbërishtes dhe shpreson që enogastronomia arbëreshe të jetë lartësuar siç i takon “në qelqe të verës dhe në ajkën e gatimeve”.

Ashtu si pohon shkrimtari gjerman i shekullit XIX Heinrich Laube dhe shpjegon autori i veprës se “Librat nuk janë mbijetoja të së kaluarës, por armët e së tashmes”, ky visar i çmuar gjuhësor, i përfaqësuar në libër, lidhet edhe me të tashmen, edhe me të ardhmen e arbërishtes, duke shërbyer si një model shembullor në fushën e etnokulturës arbëreshe dhe një nyje lidhëse me vëllezërit arbëreshë.

BIBLIOGRAFI:

Fjalor i Gjuhës Shqipe (2006). Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë. Tiranë. 1252 fq.

Lafe, Emil (2013). Arbërishtja në një Enciklopedi për vreshtarinë dhe verëtarinë, revista “Jeta arbëreshe”, nr. 75, f. 46–47.

Lafe, Emil (2017). “Shêjzat”, S.n. Tiranë, nr. 1-2.

Lafe, Emil, Fjalë kujtimi e nderimi për prof. Andrea Shundin (1934–2024) në gazeta “Nacional”, nr. 721, 18–25 maj 2024. https://gazeta-nacional.com/prof-dr-emil-lafe-fjale…/

Proko-Jazexhiu, Vilma (2022). Konsiderata të shkurtra për termat e e(t)nogastronomisë arbëreshe, si pasqyrim i forcës së gjuhës – (Reflektime mbi monografinë “E(t)nogastronomia arbëreshe” e Andrea Shundit, botuar në: “Continuum”, Revistë e studimeve arbëreshe (e përvitshme). Numër special: Gjuhët e rrezikuara dhe diaspora. Studimet dhe stadi i arbërishtes si gjuhë e rrezikuar. (Pjesë nga Aktet e Konferencës Vjetore XXV. Fondacioni për Gjuhët e Rrezikuara). QSPA&FEL, Viti II, nr. 2. Tiranë.

Proko, Vilma (2024). Fjalë të urta nga areali arbëresh, në “Buletin shkencor” (Seria e shkencave shoqërore), organ i Universitetit të Shkodrës ”Luigj Gurakuqi”, nr. 74, 2024.

Shundi, Andrea (2016). “E(t)nogastronomia arbëreshe” (Shtjellohen edhe 610 receta gjellësh dhe ëmbëlsirash), “Vllamasi”, Tiranë, 437 fq.

Shundi, Andrea (2011). “Wisdom from vine and wine”, Winstom Salem USA. 224 fq.

Shundi, Andrea (2012). “Enciklopedi për vreshtarinë dhe verëtarinë”, Tiranë. 869 fq.

Shundi, Andrea (2003). “Vreshtaria praktike”, Tiranë, 214 fq.

Shundi, Andrea & Osja, Ahmet (2004). “Vreshtaria dhe verëtaria shqiptare”, Tiranë. 212 fq.

Shundi, Andrea & Daçi, Arif (2006). “Fjalor shtjellues për vreshtarinë dhe verëtarinë”. Tiranë. 388 fq.

Shundi, Andrea (2008). “Prodhimi shtëpiak i rrushit dhe i verës”, Tiranë. 471 fq.

Shundi, Andrea (2010). “Fjalor enciklopedik për vreshtarinë dhe verëtarinë”, Tiranë. 465 fq. Shundi, Andrea & Gruda, Nazim (2016). “Enciklopedi e hortikulturës”, Tiranë. Akademia e Shkencave e Shqipërisë. 383 fq.

“VRESHTARIA DHE VERËTARIA NË HAPËSIRËN MBARËSHQIPTARE”, Simpozium shkencor: Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës, Tiranë. 2-4 dhjetor 2021.

Filed Under: Interviste

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 803
  • 804
  • 805
  • 806
  • 807
  • …
  • 2934
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dita Ndërkombëtare e Librit për Fëmijë – Magjia e Leximit
  • Shoqëria shqiptare ka nevojë të kujtojë dhe reflektojë…
  • Balshajt dhe Cërnojeviçët në territorin e Zetës së dikurshme…
  • Divorci prindëror dhe funksionimi akademik dhe social në adoleshencën e hershme (moshat 10–15): Një rishikim teorik zhvillimor-ekologjik
  • HOMAZH PËR SHQIPTARËT QË HUMBËN JETËN NË MASAKRAT E TIVARIT DHE DUBROVNIKUT
  • Kush ishin 12 Apostujt?
  • NATO dhe e ardhmja euroatlantike e Kosovës: Garancia e sigurisë dhe perspektiva strategjike
  • Basorelievi i Gjergj Kastrioti Skënderbeu në Castello de Monti, Pulia, një prani që tejkalon gurin dhe kohën
  • Noli në Asamblenë e Lidhjes së Kombeve
  • Një Moment Historik për Komunitetin Shqiptar në Chicago
  • Dom Kelmend Spaqi, in memoriam…
  • “Këngë të përshpirtshme të kolonive shqiptare në Sicili”- Giuseppe Schirò
  • “HEDH NJË KAFKË TE KËMBËT TUAJA”!
  • 5th Annual Gjergj Kastrioti Skenderbeu Street Fair
  • E premtja e Gjuhës Shqipe — Një mision përtej oqeanit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT