• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Albanologu arbëresh Antonino Guxeta në 7 vjetorin e largimit në amshim

July 26, 2024 by s p

QSPA/

Sot më 26 korrik shënon 7-vjetori i ndarjes nga jeta të albanologut të mirënjohur arbëresh, gjuhëtarit dhe profesorit, Antonino Guxeta. Lindi më 1922 në Horën e Arbëreshëvet, Siçili. Ishte i biri i Gjergj Guxetës (Giorgio Guzzetta), themeluesit të seminarit Arbëresh të Palermos. U diplomua në Fakultetin e Letërsisë e të Filozofisë të Universitetit të Palermos. Në vitin 1974 u emërua profesor i gjuhës dhe letërsisë shqipe në Institutin Oriental të Napolit. Në vitet 1975–1997 ka drejtuar Institutin e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Universitetin e Palermos. Ka dhënë gjithashtu mësim edhe në Universitetin e Kalabrisë në vitet 1987–1990. Si drejtor i Qendrës Ndërkombëtare të Studimeve Shqiptare “Rosolino Petrota”, prej vitit 1968 organizoi 23 kongrese ndërkombëtare për studimet shqipe, aktet e të cilëve i publikoi rregullisht. Themeloi kolanën “Albanica” që numëron mbi 20 vëllime dhe shkroi një varg librash studimorë në fushën e gjuhësisë dhe të studimeve letrare. Ndër të cilët përmendim: “Gjurmë të shqipes në shekullin XV në dokumentet venedikase të kohës” (1968); “Ernest Koliqi, një poet social”(1968); “Magjia e së vërtetës: tregimet e Ernest Koliqit ndërmjet traditës dhe ripërtëritjes” (1974); “E folura e Piana degli Albanesi” – pjesa I – Fonologjia (1978); “Bajroni në Shqipëri” (1978); “Përshkrim fonematik i të folurës arbëreshe të konteshës Entellina”(1978); “Etnia shqiptare në Itali” (1978) etj. U nda nga jeta më 26 korrik të vitit 2017. Veprimtaria e tij i ka dhënë nxitje zhvillimit të albanologjisë në universitetet italiane gjatë një periudhe të vështirë, duke garantuar formimin e një brezi të ri studiuesish arbëreshë. Është dekoruar me disa çmime ndërkombëtare ndër të cilat iu akordua edhe Urdhrin “Naim Frashëri” më 1992. http://www.archivioradiovaticana.va/…/nd%C3…/sq-1327174

Filed Under: Komente

Pavendosmëria, vetëvrasja e ngadalshme

July 26, 2024 by s p

Agim Baçi/

(Shënime për romanin “Konformisti” të Alberto Moravias)

Sa e mundur është të kapërcesh fëmijërinë? A janë vendimtare marrëdhëniet që ndërtojmë me prindërit në hapat e para të jetës? A mund të jemi në fund të jetës tonë vetvetja nëse kemi bërë vetëm atë që na kanë thënë të tjerët? Alberto Moravia i përket atyre shkrimtarëve që heronjtë e tij i ka në kufijtë e brishtë mes instiktit dhe pamundësisë. Duket sikur nuk denjon aspak të ketë heronj që ndryshojnë botën. Moravias i intereson ajo që rrezikon të mbetet e fshehur brenda gjithsecilit, e duke qenë e tillë, edhe mund të kthehet në bombën e ndjesive ose në fundosjen e atyre që kurrë s’arrijnë të lexojnë vetveten. Marçelo, personazhi kryesor i rrëfimit “Konformisti” është një person që ka vulën e tij të pavendosjes dhe dyzimit në fëmijëri. Ai është personi i rritur me prindër që e kanë patur gjithnjë larg vetes, me nënën që tenton të jetojë “e lirë”, larg çdo detyrimi dhe babain i dyshuar për të çmendur. Ndërkohë, brenda gjithë ndjesive e ka të pamundur të shmangë peshën e dhunës ndaj tij, një peshë që e ka çuar në vrasjen e personit që deshi ta joshte, ish-priftit Lino.

E gjithë kjo panoramë e asaj që thur Marçelo për vetveten është një ndjesi e pandalshme pafuqie për të kapërcyer të dhunshmen brenda vetes. Nuk i bën punë as të qenurit një person i mirëarsimuar. Madje, nën këtë peshë ai është gati të marrë përsipër gjithçka, që të sigurojë një jetë të qetë.

Moravia na e prezanton Marçelon në prag të martesës me Xhulian. Kur e prezanton ai është personi që ka marrë përsipër të jetë agjenti i fashistëve. Moravia, i njohur edhe si mbështetës i antifashistëve në rininë e tijm i mvesh Marçelos portretin e njeriut që kërkon të jetë në rregull me atë që i kërkohet, duke shtypur brenda vetes gjithçka që mund të dëshirojë vetë, edhe kur ajo është krejt e kundërta e asaj që bën. Guximi për të vepruar sipas dëshirës së tij, për të besuar apo kundërshtuar, për Marçelon ka marrë fund me kundërshtimin e mikut të tij të fëmijërisë, Robertit, kur ai i kërkonte të bëheshin bashkë për të vrarë hardhucat dhe qentë. I vetmi moment rebelimi ka qenë kur shokët e klasës e kanë thirrur “Marçelina”, ndërkohë që dëshira për t’u dukur e bëri të kishte historinë me Linon i cili, edhe pse nuk arriti ta dhunonte seksualisht, i la atij peshën e një mëkati të pandashëm.

Kërkesa e Xhulias pak përpara martesës që që t’ia rrëfejë priftit mëkatet i jep mundësinë të kapërcejë të fshehtën e tij. Por Marçelo nuk i përket atyre që duan të vendosin vetë, të marrin vetë në duart e tyre fatin. Ai pret të vendosin të tjerët. Merr përsipër të vrasë profesorin e tij të universitetit. Në këtë rrugëtim i bashkëngjitet Xhulia, e cila nga një adhuruese në momentin e njohjes, vjen e rritet si personazh, duke qenë më e vendosur për atë që kërkon për jetën e saj. Ajo rrëfen të shkuarën e saj, rrëfen se është përdhunuar, duke marrë përsipër edhe rrezikun se mund të braktisej nga i shoqi pas rrëfimit të së vërtetës. Një rrezik që Marçelo nuk e ndërmerr kurrë.

“…Marçeloja, para se të përgjigjej, heshti një çast. Tani ndërgjegjësohej se kishte ardhur çasti për të folur për misionin e vet, i cili, siç e dinte, parashikonte veprime të dënueshme, madje të dënuara që më parë nga normat e krishtera. E kishte parashikuar atë çast dhe me të drejtë i kishte dhënë rëndësi të madhe aftësisë së vet për ta kryer misionin. Atëherë, me një ndijim të qetë dhe të trishtuar të një zbulimi të parashikuar, vuri re, meqë gati po e hapte gojën të fliste, se ndiente një neveri të pakapërcyeshme. S’kishte neveri morale, as turp, as ndonjë lloj faji; përkundrazi, diçka krejt e ndryshme që s’kishte asnjë lidhje me fajin”. (Alberto Moravia, “Konformisti”, Përktheu Klara Kodra, “Toena”, f. 153)

Pra, vlera apo dyshimet vijnë e zerohen përballë personazhit tonë, që është gati të marrë vendimin të vrasë Kuadrin në Paris e të shohë me indiferencë historinë që gruaja e profesorit, Lina, kërkon të tundojë Xhulian në preferencat e saj seksuale. Bindja se duhet të shërbejë për atë që i kërkohet, pasi kështu mund të bëhet pjesë e pranueshme e shoqërisë, merr rolin vendimtar në jetën e tij. E pas arritjes së detyrës që iu ngarkua, duke shkelur në çdo kohë vetvetn, vjen edhe vdekja, ashtu aksidentale, si vetë jeta e tij. Ai ikën si portret i pavendosmërisë.

Jo pak kritikë në Itali apo mbarë botën e kanë konsideruar romanin e Moravisë si një libër që lidhin angazhimin e autorit me debatet mbi fashizmin dhe të majtën. Por kjo linjë mbetet krejtësisht në hije përballë pikëpyetjeve që ngre personazhi ynë lidhur me vetëvrasjen morale që shkakton konformizmi i përhershëm, kur njeriu nuk guxon të bëjë pyetjet e duhura apo të japë përgjigjet e duhura.

“Mendoi në atë çast se në rast se kishte pasur gabim, gabimi i parë dhe më i madh ishte ai se kishte dashur të dilte nga anormaliteti i vet, të kërkonte një normalitet çfarëdo nëpërmjet të cilit të komunikonte me të tjerët. Ky gabim kishte lindur nga një instinkt i fuqishëm; për fat të keq normaliteti me të cilin ishte ndeshur ky instinkt, s’ishte veçse një formë e zbrazët brenda së cilës gjithçka ishte anormale dhe arbitrare. Në përplasjen e parë, kjo formë ishte bërë copë e thërrime; dhe ai instinkt aq i përligjur dhe aq njerëzor e kishte shndërruar në xhelat atë që kishte qenë dikur viktimë”. (Alberto Moravia, “Konformisti”)

Filed Under: ESSE

ARSHI PIPA SI SHEMBULL I ARTISTIT TË PATHYESHËM

July 26, 2024 by s p

Prof. Milazim Krasniqi/

Vëllimi “Libri i burgut” i Arshi Pipës (1921-1997), përbëhet nga nëntë cikle, prej të cilave autori thotë se vetëm i pari dhe i nënti u krijuan jashtë mureve të burgjeve e të kampeve, ndërsa të tjerat, që të gjitha u krijuan atje. Pipa arsyeton vendimin që të shkruante në poezi për atë temë: “Vargu asht për natyrë të vetën më synthetik, edhe atëherë kur asht përshkrues. Ose, me fjalë ma të shkoquna: xen vend ma pak dhe ruhet ma mirë. Prandaj, Libri i burgut u shkruejt në varg”. Edhe kjo rrethanë, pra e zgjedhjes së poezisë si mjet më i përshtatshëm në kushtet ekstreme të jetës, nuk ka si të mos ketë ndikimin e vet në vetë tensionin e vargjeve dhe në komunikimin e lexuesit me to. Një poezi që është shkruar nga nevoja konkrete se zë vend më pak, sepse kërkon më pak letër dhe mbahet mend më lehtë, detyrimisht e orienton lexuesin e vet që ta përjetojë më fort emocionalisht.

Vëllimi “Libri i burgut” është i ndarë në nëntë cikle a kapituj. Edhe kjo ndarje është bërë e diktuar nga faktorë të jashtëm, për të cilët autori shkruan: “ Zhvillimi u paraqit në radhë kronologjike. Libri u nda ndër aq kapituj sa qenë vendet e ndryshme ndër të cilat u shkruen vargjet. Ndër kta kapituj vetëm i pari dhe i fundmi nuk u shkruejtën në burg. Të shtatë tjerët janë si suaza të mëdha të jetës dhjetë vjelare të burgut dhe të kampit, gjatë gjithë kohës së jetës sime n’atdhe nën sundimin komunist (1944- 1957) Edhe ky shpjegim i autorit i ndihmon lexuesit në orientimin e tij gjatë leximit të këtij vëllimi, në mënyrë që të mos shkëputet nga përjetimi fillestar se po lexon një poezi të krijuar në kushte të jashtëzakonshme dhe e cila edhe në natyrën e vet ka marrë tiparet e rrethanave në të cilat është krijuar, pra është bërë edhe vetë një poezi e jashtëzakonshme. Aksidenti jetësor i Arshi Pipës sikur ka dashur që të krijojë një precedent në artin letrar: definicioni i Aristotelit për dallimin ndërmjet poezisë e historisë, në këtë rast nuk funksionon. Poezia e Arshi Pipës nuk tregon atë që ka mundur të ndodhë, po atë që ka ndodhur vërtet, poezia e Pipës nuk tregon gjëra të përgjithshme po gjëra konkrete dhe të vërteta, duke ia eklipsuar ashtu natyrën edhe vetë historisë.

“Kanali” – papërsëritshmëria e artit

Kapitulli i IV i vëllimit “Libri i Burgut, Kampi Vloçishtit, Korçë, (Korrik B nanduer, 1948)” paraqet një objekt të jashtëzakonshëm studimor lidhur me sonetin në poezinë shqipe. Në këtë kapitull është përfshirë cikli prej njëzet e katër soneteve me titull të përbashkët “Kanali” dhe një sonet me titull “Tingëllim i këputun”. Njësitë e ciklit “Kanali” janë të shënuara me numra rendorë dhe numërimi i vargjeve është bërë ashtu që ato të paraqesin një tërësi prej treqind e tridhjetë e gjashtë vargjesh. Kësisoj ky cikël paraqet një tërësi unike tematike dhe artistike, të papërsëritshme në poezinë shqipe.

Poeti Arshi Pipa në shënimet me të cilat e ka shoqëruar vëllimin “Libri burgut”, lidhur me ciklin “Kanali” ka lënë këtë dëshmi: “ Ato u shkruejtën gjatë intervalit të ndenjës sime në Spitalin e Korçës dhe në burgun e Korçës.” Pra, ky cikël i jashtëzakonshëm i soneteve të Arshi Pipës, është shkruar pothuajse me një frymë, ngase periudha e “pushimit” në spital zakonisht ishte e shkurtër dhe pasonte rikthimi në punën e rëndë në kamp. Mirëpo, autori ka arritur që ti hedh në letër këto sonete për një kohë të shkurtër për arsye se ai më parë i kishte krijuar në mendjen e vet, për çka ai ka lënë dëshmi konkrete. Nga kjo pikëpmaje, pra nga rrethanat në të cilat krijoi poeti, ai mbase mund të krahasohet me Dante Aligierin, i cili një pjesë të “Komedisë Hyjnore” e pati krijuar në shpellë, ku qe fshehur, për të shpëtuar nga ekzekutimi i dënimit me vdekje, që i ishte shqiptuar nga kundërshtarët politikë. Nuk është e mundshme të argumentohet se a e ka pasur ai vetë këtë shëmbëllim para sysh, kur ka vendosur që të krijojë në formën e sonetit një pjesë të poezisë së tij, por kjo pa dyshim është një koincidencë e habitshme.

Cikli i soneteve “Kanali” është një rrëfim poetik tronditës dhe i nuancuar me detaje të shumta, për jetën e të burgosurve në burgjet dhe në kampet e punës në periudhën e diktaturës komuniste në Shqipëri. Në secilën njësi sonetike shpaloset një pikturë e jetës së këtyre njerëzve në zgripc të ekzistimit, në vorbullin e rrëmbyeshëm të vuajtjeve e të torturave të tmerrshme. Këta njerëz janë shumë, edhe kolektivitet i gjendur në një fatkeqësi të përbashkët, po edhe individë konkretë, të cilët goditen nga fati i keq. Arshi Pipa ka lënë edhe shënime të shumta si prova dëshmie lidhur me ngjarjet që përshkruan në sonete, duke përmendur edhe vende, ngjarje e emra njerëzish, si viktima po edhe si ekzekutorë të dhunës së shfrenuar. Edhe kjo natyrë mikste e poezisë së tij të vëllimit “Libri i burgut”, duke përfshirë edhe ciklin “Kanali”, e bën këtë poezi të jashtëzakonshme në tërësinë e saj dokumentare dhe artistike.

Që në sonetin e parë të ciklit “Kanali”, Arshi Pipa ka pikturuar ( po të huazojmë e ta modifikojmë një shprehje të tij nga shënimet përcjellëse), gjendjen e të burgosurve në barrakën ku nuk kishte as kushte elementare të jetës, po ku ata jetonin dhe luftonin për t’i shpëtuar shfarosjes. Vuajtja e njerëzve të lodhur e të drobitur nga puna e rëndë e nga kushtet e këqia atmosferike e të strehimit, sëmundja vdekjerurëse që herr njerëzit, pastaj degradimi moral i disave, në kushtet e skëterrshme të jetës, dhe dhuna që ushtrohet mbi ta nga njerëzit e pushtetit, madje harxhimi i të gjitha energjive dhe përpjekja për të shpëtuar nga shfarosja, janë kuadri i kësaj pikture të jashtëzakonshme poetike:

Nga Korça bumbullon. Currila shiu

Rrjedhin prej mushamas mbi krena e shtroje.

Pështillen, struken gjindja ndër mbuloje:

Një lamsh ku qelben recka e mish njeriu.

Mbramje. Dikush përbri qet gjak për goje.

Këndon letas mbatanë nji fmi arixhiu.

Ky grindet për pak uj qi shoku i piu:

Ai shan se i vodhën bukën. Hin nji roje.

Shkopinj e shqelma. Britma. Frin bilbili.

Pushim. E dergjet lodhja, pranë secili,

E flen kush mundet për atë natë me fjetë.

Si lazaret rënkon e fshan baraka.

Nesër të gjithë i pret kanali, brraka,

Veç atyne qi pret një vorr i shkretë.

Pas dy vargjeve të para, ku fiksohet atmosfera dramatike e motit të keq, ligjërimi poetik në dy katrenat fokuson gjendjet dhe situatat tragjike të njerëzve të burgosur. Ndërsa ne tercetën e parë menjëherë ndodh një dendësim i hatashëm i ligjërimit, ku vargu i parë i kësaj tercete ndërprehet tri herë me pikë, duke shpërfaqur gjendje të ndryshme, secila më dramatike se tjetra, (Shkopinj e shqelma. Britma. Frin bilbili). Leksiku më i dallueshëm i këtij soneti është i sferës së mjerimit social (shtroje, mbuloje, uj, bukën, baraka, kanali, brraka), ndërsa tortura që përjeton njeriu i privuar nga liria, shpaloset me një seri sintagmash interesante: (gjak për goje, shkopinj e shqelma, dergjet lodhja, vorr i shkretë). Kjo denduri e fjalëve dhe e shprehjeve që shprehin kuptime e nuanca kuptimore të jetës në zgripc ekzistencial, i jep sonetit një tension më të fortë ligjërimor dhe ritmik.

Shihet se aktivizohen më shumë fjalë të shkurtëra, dyrrokëshe, e më pak fjalë kumbuese tri a katër rrokëshe. Në kontekst të rrëfimit poetik, kjo përzgjedhje fjalësh të shkurtëra, aspak kumbuese, më shumë gjason me një pëshpëritje, të folur nën dhëmbë: e flen kush mundet për atë natë me fjetë.

Është me interes të vërehet edhe gradualiteti kohor në të cilin ndodh kjo vuajtje e dhunë, sepse ky gradualitet kohor shndërrohet edhe në një konstituent të përjetimit estetik. Në katrenën e parë nuk ka një saktësim të kohës, por nga konteksti ( të burgosurit janë në barrakë, mundohen të rimarrin veten), del se është një pasditje. Në katrenën e dytë saktësohet koha që na vargun e parë, gjë që edhe retroaktivisht e saktëson kohën e paemërtuar në katrenën e parë. Në tercetën e parë, tashmë përftohet nga kohë më e thellë e natës ( e flen kush mundet për atë natë me fjetë), ndërsa në të dytën përfytyrohet dita e nesërme (Nesër të gjithë i pret kanali, bërraka). Kështu, poeti ka bërë një zbërthim gradual të kohës në të cilën të burgosurit vuajnë e torturohen, dergjen e vdesin, duke e sugjeruar përsëritshmërinë, totalitetin e saj, si kornizë të vuajtjes njerëzore.

Në pajtim me këtë gradualitet të zbërthimit kohor të vuajtjes njerëzore, dhe të nuancimit të saj, është edhe autonomia sintaksore e katrenave dhe e tercetave. Asnjëra prej tyre nuk bartet në njësinë pasuese, velse funksionojnë si të mbyllura në vete. Në katrenën e parë përftohet emri Korça, për të dhënë idenë e ambientit konkret, Kampit të Vloçishtit dhe një pamje e përgjithshme e gjallimit në barrakë. Në katrenën e dytë, nuancohen pamje konkrete të vuajtjes së njerëzve konkretë. Në tercetën e parë, e cila duket pak më e ndëlidhur me katrenën e dytë, që në vargun e parë: “shkopinj e shqelma. Britma. Frin bilbili”, skicohet shprishja, dhuna dhe mandej agonia që pason. Ndërsa, në tercetën e dytë, është më shumë një përfytyrim i subjektit poetik për mjerimin kolektiv, vuajtjen që i pret ata njerëz dhe për vdekjen si një fat i rezervuar për disa nga bashkëvuajtësit.

Skena e dhembshme ku të burgosurit përpiqen të mbijetojnë urinë, duke ngjyer bukën në kripë, duke qëruar ndonjë qepë, a duke u vërsulur drejt kazanit për të rrëmbyer një fundërrinë në të, është shpalosur me efekte të habitshme në sonetin e dytë të ciklit “Kanali”. Torturat ndaj të burgosurve, jo vetëm me punë të rëndë fizike, po edhe me shkaktimin e urisë kronike, kanë arritur që ata njerëz tçi shndërrojnë në qenie që vetëm kanë figurën njerëzore. Dhe në sonetin e tretë, vargu i parë është në formë të pyetjes dhe të ftesës që të shikohet ajo gjendje e mjerimit të parrëfyeshëm: “A mund të quhen njerëz? Qe, shikoi.” Gjysma e vargut e ballafaqon lexuesin me dhënien e vlerësimit për gjendjen në të cilën janë katandisur qeniet njerëzore nga dhuna, ndërsa gjysma e dytë e vargut zbulon pozicionin e poetit: ai bën ftesë për dëshmi e për dëshmitar.

Përshkrimi i gjendjes së mjerë të të burgosurve shtrohet në katrenën e parë dhe në tri vargjet e katrenës së dytë, ndërsa gjysmëvargu i tretë i katrenës së dytë, sërish shndëerrohet në pyetje, në kërkesë për vlerësim të identitetit njerëzor të atyre qenieve të shkatërruara nga dhuna. Më tutje, në dy tercetat e sonetit, ligjërimi merr një intonim më racional, më të qetë, duke u shndërruar në vlerësim logjik të subjektit poetik:

Njerëz kanë qenë. Sot janë zhele mishi,

Automa kockash. Një bërsi, nji pleh,

Ku veç prej emnave dallojn e njeh

Bujkun nga beu, tregtarin nga dervishi,

Kusarin, simahorin, lakanderin

Prej atdhetarit qi luftoi për nderin.

Radhitja e katër metaforave brenda dy vargjeve të para, ku shpërfaqen gjendje të rënda të katandisjes njerëzore, është një shembull i rrallë i koncentrimit të kaq energjie poetike në vetëm dy vargje. Është një koncentrim që buron nga përjetimi dhe njohja e thellë e asaj gjendjeje, e atyre përfarimeve figurative e jetësore dhe një aftësi e jashtëzakonshme krijuese, për ta kontrolluar ligjërimin poetik. Pastaj shfaqet pamja absurde e rrafshimit negativ social e moral të njerëzve, të shresave sociale e intelektuale, nga një doktrinë dhe nga një praktikë lnjerëzore. Barazia në mjerim, në shkatërrim të identitetit dhe në fakt në procesin e shfarosjes së racës njerëzore, ta kujton detyrimisht historinë e dhembshme të kampeve naziste e staliniste të shkatërrimit në masë të njerëzve. Mbetja e mundësisë që njeriu të njihet vetëm nga emri i tij, është dëshmi se ata njerëz janë shkatërruar, janë vrarë. Këtë nivel të përjetimit poetik, pra të gjetjes së dimensioneve të shumta të ideve të vargut, e gjejmë të shtresuar në këto vargje të Arshi Pipës.

Në sonetet pasuese, IV e V, poeti ka fiksuar pamje konkrete të dhunës që shkakton puna e rëndë, puna e detyrueshme në kanal. Këto sonete janë në nivel të përshkrimit krejt autentik të përjetimeve, ku poeti ka arritur të operacionalizojë rrëfimin poetik me disiplinën e tij të njohur. Në sonetet VI, VII, VIII e IX, është shpalosur dhuna shtesë, që e bënin policët kundër të burgosurve, ku dhuna në fakt ishte një lloj argëtimi sadist i përfaqësuesve të diktaturës komuniste. Edhe në gjendje ekstreme jetësore si ato që rrëfen, poeti Arshi Pipa është një poet plotësisht racional, i cili lë dëshmi për absurditetin e diktaturës. Në tercetën e parë të sonetit VI, leksiku i përdorur tregon më shumë se gjithlka tjetër absurditetin e natyrës së asaj dikature dhe të zbatuesve të saj. Ata e quajnë të burgosurin “këlysh i Carit”, me lka zbulohet fuqishëm natyra prej plagjiati e asaj diktature. Këlysh i carit mund të quhej dikush në Rusi, ku kishte një regjim carist, po jo në Shqipëri, ku nuk ka sunduar ndonjherë carizmi. Pra, është fjala pë një plagjiat nga praktika staliniste, gjë që zbulohet edhe nga fjalët e përdorura në nivel denoncimi e ndëshkimi. Arshi Pipa, si rrallë ndonjë poet tjetër që ka shkruar për diktaturën, promovohet si poet që ka aftësi të mëdha zhbirimi në këto humbella të ideologjisë lnjerëzore dhe të sadizmit që ushqehet prej saj. Tortura ndaj të burgosurve, e shndërruar në argëtim për rojat, përshkruhet me një vijë dramatike në dy tercetat e sonetit VII :

Nji babaj zhgulin mjekrrën, e pështijnë.

“pa shih, derri! Akoma bark më ka!

Ngre kambët sqap!… Mos ki merak baba!

Ta heqim ne” mandej në hendek e shtijnë.

E i këqyrë nji idiot me gojën hap… i kllasin

Befas nji grusht me dhe… mandej gajasin.

Arshi Pipa është poet i vrojtimit të nuancuar dhe i gjykimit të ftohtë, edhe në raste kaq dramatike, të cilat nuk janë produkt i imagjinatës së tij, po produkt i dhunës ndaj tij dhe njerëzve të afërt për nga fatkeqësia. Pipa jep dëshmi se tortura është gjithëpërfshirëse, totale, si ndaj një udhëheqësi shpirtëror ( babaj), si ndaj një idioti, që nuk e ka aftësinë e gjykimit kritik për tmerrin që sheh.

Në sonetet X, XI e XII zbërthehet poetikisht enigma e veprave të mëdha që bën robërit, të burgosurit shqiptarë të diktaturës së egër komuniste. Fillimisht kjo punë e llahtarshme zbërthehet në truallin konkret, aty ku robërit e kohës moderne lanë eshtrat e tyre për hapjen e kanaleve me punë të detyrueshme. Edhe pse poeti thotë se vetëm proza do të mund ta thoshte të vërtetën, janë po vargjet e tij që e thonë atë të vërtetë, sa ta bëjnë njeriun t’i çohen flokët përpjetë e t’i dridhet shtati:

Proza, jo vargu i mallëngjyem lyrik,

T’i thotë me rend të gjitha sa ktu pati:

T’i çohen flokët përpjetë, t’i përqethet shtati

Kujdo lexon kanalin satanik.

Shtatë muej me radhë kjo punë e poshtër zgjati.

Kanali i Klosit, tjetri n’ Libonik,

Dhe Dunaveci i namun, për anmik:

Njizet mijë kilometra me Devollin mati.

E nuk besojshim qysh i kishim ba.

Gjithë kët fuqi ku, vall, e patën trupat,

Kufomat tona t’shtrydhuna si shtupat?

Ligjërimi poetik shtrihet mes paradoksesh kuptimore: vepra të mëdha të punës në vende konkrete, ( Klos, Libonik, Dunavec, Devoll), janë kryer nga kufomat e shtrydhuna si shtupat. Po kjo linjë e ligjërimit poetik shpaloset edhe në sonetin XI, ndërsa në sonetin XII zgjerohet dimensioni kuptimor i këtij paradoksi jetësor e historik, duke sjellë në kujtesë të lexuesit edhe ngritjen e piramidave egjiptase, të Koloseumit romak dhe të kanaleve ndërmjet Moskës e Vollgës, që të gjitha këto vepra të miliona skllevërve.

Vuajtja e të sëmurëve në infermierinë e kampit, meditimi për ngjashmërinë e kampit me ferrin, janë tematizuar në sonetet XIII, XIV e XV, me një ton më të qetë, me meditativ.

Në sonetet XVI, XVII e XVIII shpaloset një dimension i dhembshëm i natyrës së njeriut të gjendur në mjerim, kur degradon në mënyrë të frikshme në një qenie pa dinjitet e pa moral. Ky aspekt i tematizimit poetik të Arshi Pipës, na i kujton tregimet e Shalamovit, në të cilat përshkruhet ai nivel i degradimit njerëzor, kur të burgosurit gëzohen për vdekjen e ndokujt, me shpresë se do të mund të plaçkitin diçka prej tij. Madje edhe në varrezë shkojnë natën dhe i heqin të vdekurit rrobat e trupit, në mënyrë që t’i veshin vetë e ta përballojnë të ftohtit siberian.

Tematizimi kaq identik i këtyre gjendjeve të dhembshme të degradimit të njeriut, është rezultat i përvojës së njëjtë, ndërmjet Pipës e Shalamovit. Këtu edhe mund të kuptohet çështja e ndikimit të përvojave personale në krijimin e veprave me tematika të afërta ose edhe të ngjashme, që nuk janë rrjedhojë e ndikimeve direkte të një autori te tjetri.

Por, Arshi Pipa si njeri dhe si poet racional, me fuqi të madhe morale, nuk lë pa i thur edhe një lavd miqësisë ndëmjet njerëzve, edhe në atë fatkeqësi të parrëfyeshme ku gjenden. Bile ai thotë se “ nuk harrohet kurr shoku i mjerimt”, duke e nxjerrë atë lloj miqësie ta lidhur në mjerim, si kulmin e sinqeritetit e të dëlirësisë njerëzore. Pipa nuk lë pa fiksuar edhe momente meditimi për ngrohtësinë e vatrës, për ditët e humbura të rinisë dhe për zbulimin e enigmave të së kaluarës në thellësitë e kanaleve, për kampet naziste të përqendrimit, si Buhvaldi, Majdanpeku e Dahau, dhe duke e përqasur me kampet shfarosëse të diktaturës komuniste në Shqipëri.

Duke iu afruar përmbylljes së kësaj kryevepre të vet, Arshi Pipa, fillon e krijon edhe disa konkluzione poetike. Kësisoj, në sonetin XXII, pasi kërkon shkaqet e barbarisë së ushtruar mbi të burgosurit shqiptarë nga regjimi që i thotë vetes shqiptar, ai sajon këtë konkuzion poetik:

Qysh pra vëlleznit tanë punuen mbi ne

T’atillë një dhunë qi s’banë as Turq as Shqe?

Nga trolli i vendit duel e u rrit kjo farë?

Nji djall e mbolli te nji vend i verbën.

Shqiptarë ata qi e pollën? Queji Serbën,

Bullgarë e Grekë e Rusë!… Por jo Shqiptarë!

Pas gjithë atyre mundimeve, pas gjithë atyre torturave të përjetuara, sërish poeti dhe njeriu Arshi Pipa është shumë racional, gjakftohtë dhe njerëzor. Ai nuk shqipton ndonjë urrejtje iracionale dhe as kërkon ndonjë hakmarrje. Ai vetëm kërkon që torturuesit e tij dhe të shokëve të tij, te emërtohen me lfarëdo emri tjetër, po jo me emrin shqiptarë, sepse këtë emër ai e do të pastër, të pa asnjë njollë. Dhe si kurorë e këtij ligjërimi të dhembshëm, por gjithnjë të kthjellët, është soneti i XIV, në të cilin poeti i thur një lavdi forcës së besimit të njeriut. Ai argumenton se “besimi i ngultë, forca e shkakut” i ka ndihmuar atij dhe disa të tjerëve që të mbijetojnë në ato kushte , për të cilat shkenca nuk ka përgjigje se si është e mundur të shpëtojë njeriu. Pas argumetnimit të shpëtimit me forcën e besimit në veten, Pipa shpalos besimin në atdheun, në të ardhmen e tij:

Se nuk dyshuem na kurr qi shpejt a vonë

Nga tyranija e randë atdheu do t’ shkundesh,

Dhe si nji perlë e nxjerrun thellë prej fundesh

Ma e bukur do t’ shkëlqente besa jonë.

Vuej por qëndro! Merr zemër te burrnija!

E vdis tue brohoritun: Rroftë Shqipnija!

Kështu, përmbledhja e fijeve kryesore të ideve poetike të kësaj kryevepre të Arshi Pipës, bëhet me poteza të shpejtë, në disa vargje gjithsej. Poeti thotë se nuk është dyshuar se tirania do të shkundej dhe se atdheu sërish do të dilte në dritën e lirisë, se besa për të qëndruar do të shkëlqente atëherë më shumë se kurrë, se vuatja duhej të mundej nga qëndresa dhe se forca e ka burimin te burrnija dhe mbi të gjitha, si një formulë e përjetshme poetike dhe atdhetare, njeriu shqiptar duhet të vdes duke brohoritur “ Rroftë Shqipnija”. Pra, një urim dhe një urdhër i përjetshëm i zemrës dhe shpirtit të çdo atdhetari të pamposhur.

Një botë e strukturuar

Soneti është një formë poetike e njohur për karakterin e vet lirik dhe për dominimin efekteve metrike e eufonike në varg. Në rastin e soneteve të Arshi Pipës, veçmas të ciklit “Kanali” dhe të varianteve të tij, ne ballafaqohemi me një fenomen interesant: soneti ka një fuqi të jashtëzakonshme të bartjes së informatës, të faktografisë dhe të narracionit. Poeti Arshi Pipa ka lënë dëshmi se vargun, në këtë kontekst edhe sonetin, e ka përdorur për arsye se zinte vend më pak dhe mund ta mbante mend më lehtë, përndryshe ai thotë se kësaj teme më shumë do t’i shkonte mbarështrimi në prozë. Por, me koncentrimin, talentin dhe dijen e tij, ai ka arritur që vargut të sonetit tçi ngarkojë një energji të jashtëzakonshme të informacionit, të faktografisë dhe të naracionit poetik, që besoj se rrallë mund të gjendet edhe një shembull tjetër në letërsi. Pipa ka adoptuar ritmin e vargut në narracionin që është më i afërt me prozën dhe ashtu krijuar një bashkëdyzim të jashtëzakonshëm artistik.

Duke qenë të krijuara në kujtesë, me synimin që të mbahen mend, këto sonete domosdo kanë përjetuar një seleksionim të fuqishëm në trurin e poetit dhe pasaj në gjuhë, në mënyrë që të krijohen vargje që mbahen mend më lehtë. Kjo do të thotë se vargjet i janë nënshtruar një procedure të shndërrimit të tyre në vargje sa më ekspresive, sa më shprehëse në planin semantik, sa më emocionale në planin leksikor dhe sa më informuese në planin e komunikimit.

Lexuesi i ciklit të soneteve “Kanali”, mund të mbledh informacion të madh për mekanizmin e diktaturës kundër të burgosurve, për mënyrën e punës dhe të torturave në ato burgje dhe kampe, për vuajtjet e njerëzve, për degradimin e një pjese të tyre dhe për madhështinë morale të disa të tjerëve, pa pasur as më të voglën vështirësi nga fakti se këtë rrëfim e shijon në vargje. Pipa ka arritur që të gjejë pikën e artë të ekuilibrit ndërmjet formës poetike, natyrës së vargut dhe potencialit të tij për të bartur narracionin poetik. Rrjedhimisht, ai ka inkuadruar në tekstin poetik më pak figuracion e më shumë informacion, më shumë fakte e më pak fiksion, më shumë biografi e më pak imagjinatë poetike.

Pipa ka gjetur zgjidhjen e artë ndërmjet ligjërimit të drejtpërdrejtë, leksikut adekuat që shpreh gjendje e situata të qarta, sintagmave mbresëlënëse, figuracionit që deshifrohet lehtë në kontekst të realitetit dhe përgjithësisht të vargut që është me shkallë të lartë të komunikativitetit. “ Zgjedhja nga ana e shkrimtarit, e zhanrit, stilit ose drejtimit artistik, gjithashtu është zgjedhje e gjuhës në të cilën ka synim të flet me lexuesin.”

Në rastin e ciklit “Kanali” të Pipës, sikundër është thënë më herët, zgjedhja është e imponuar nga faktorë të tjerë jashtë krijues. Pra, zgjedhja e vargut si zhanër dhe e sonetit si formë është bërë me motive praktike e jo vetëm artistike. Mirëpo, poeti Arshi Pipa e ka zotëruar këtë rrethanë të papërshtatshme, falë talentit të tij të jashtëzakonshëm. Ai ka arritur që në një zhanër joadekuat, sipas tij, megjithatë të realizojë konceptin e tij poetik dhe ta krijojë një vepër me ngarkesë të madhe semantike e artistike, duke e përdorur gjuhën me mjeshtri të rrallë. Sonetet e Arshi Pipës të ciklit “Kanali”, kanë thyer disa konvenca të ngulitura, lidhur me aftësinë e vargut në përgjithësi dhe të sonetit në velanti. Ato kanë dëshmuar se fuqia e vargut është shumë më e madhe nga sa perceptohet rëndom.

Një libër poetik si “Libri i Burgut” i Arshi Pipës dhe cikli “Kanali” brenda saj, i krijuar në rrethana aq të pazakonshme, ku jeta e autorit ishte e mbështjellë në mundimet e vuajtjet për të cilat rrëfen, dhe për më tepër, ku jeta e autorit ishte në rrezik, e ka më shumë se çdo vepër tjetër brenda vetes sistemin e shenjimit të asaj drame personale dhe të atij rreziku. Kjo është edhe më e qartë kur vetë autori thotë se i krijoi ato vargje për të lënë një dëshmi për tmerrin që përjetoi ai dhe shokët e tij nëpër kampet dhe burgjet e dikaturës komuniste. Rrjedhimisht, leksiku i poezisë së Pipës dhe veçanërisht i ciklit të soneteve “Kanali”, i cili është tematizim direkt i atyre vuajtjeve e i atij rreziku, buron nga realiteti jetësor e social, të cilin e aktualizon poetikisht. Në vargjet ku dëshmohet terrori dhe tortura, ku fiksohet vuajtja dhe shfarosja e njerëzve, është e pashmangshme një prezencë maksimale e fjalëve që shprehin më besnikërisht ato gjendje e ato situata ekstreme jetësore. Në këto vargje ka më pak figuracion, e më shumë të folur direkt, sepse intenca e autorit është që të dëshmojë. Prandaj, në vargjet e ciklit të soneteve “Kanali”, më së shumti frekuentojnë fjalët si: baraka, brraka, lluca, arna, patkonj, pleh, moçali, spitali, krrut, tabut, knetën, tuberkuloz, kërbisht, kamxhik, komanda, tel, handraku, xhiriza, kllasin, gajasin, lakajt, krymtë, Faraoni, Neroni, Moskova, hendekë, djerrë, lak, tmerri, Ferri, baltë, krraba, iriq, lakuriq, zhaba, dhuna, spijuna, majmuna, vejushë, kanalit, Dahau, vrau, dosa, Shqe, Serbën, skelet, torturë, mokën, skëterrë, etj. Këto fjalë dhe shumë të tjera, që më të shumtën janë vënë edhe në pozicion të rimave, për të marrë sa më shumë koncentrim kuptimor mbi vete, shprehin situata e gjendje konkrete jetësore e jo projeksione imagjinare poetike. Pra, krejt në pajtim me temën e ciklit të soneteve Kanali, këto fjalë shprehin gjendjen e rëndë, mjerimin dhe rrezikun që i kanoset autorit dhe njerëzve të tjerë si ai, me çka këto vargje bëhen jo vetëm dëshmi konkrete po edhe argument artistik i asaj vuajtjeje dhe i asaj mbijetese.Ndoshta rasti i Pipës mund të kuptohet më mirë brenda vlerësimit teorik se “ poeti më nuk na paraqet një botë të vlerësuar, po një botë të strukturuar. Në këtë kuptim poezia sot i afrohet shkencës, ndërsa ndahet nga magjia.” Poezia e Pipës vërtet paraqet një botë të strukturuar, shumë komplekse dhe mënyra si na e paraqet është më afër faktit, më afër dokumentaritetit, e pse jo edhe më afër shkencës. Pipa e ka pasuruar poezinë e vet edhe me një fjalorth, i cili i jep mundësi lexuesit që të plotësojë informacionin e vet me kuptimet e nuancuara të fjalëve. Poashtu Pipa ka lënë edhe shënime faktografike për rrethanat konkrete në të cilat është gjendur dhe të cilat kanë motivuar krijimin e poezisë së tij. Këto shënime janë dokumentare, me emra personash e me emra vendesh, me data e me fakte të tjera historike e politike. Të dyja këto anë të veprës së tij, pra fjalorthi dhe Shënimet, janë një kontribut i dobishëm për lexuesin që ta pasurojë shkallën e komunikimit dhe të përjetimit të kësaj vepre artistike.

Struktura metrike, rimat dhe

bartjet në ciklin “Kanali”

Sonetet e ciklit “Kanali” janë të krijuara në njëmbëdhjetërrokësh dhe në tërë shtrirjen e tyre e ruajnë si zotërues këtë metër, kejt në pajtim me natyrën klasike të sonetit. Duke pasur para sysh mënyrën e krijimit të tyre, është gati e pabesueshme se si ka arritur autori të ruajë atë saktësi metrike në vargjet e tij të këtij cikli. E drejta, Arshi Pipa ka një prirje të theksuar për vargun e lidhur, gjë që shihet gati në tërë veprën poetike të tij.

Për dallim nga shumë poetë të tjerë shqiptarë, të cilët për të arritur njëmbëdhjetërrokëshin, kanë përdorur dendurisht apostrofin, elizionin dhe procedura të tjera intervenimi në varg, Arshi Pipa, krejt natyrshëm e realizon njëmbëdhjetërrokëshin, madje me një elegancë të dukshme. Kombinimi i rrokjeve të theksuara dhe të patheksuara si dhe i theksave ritmikë në varg është elastikë, i lëvizshëm, në pajtim me natyrën e versifikacionit shqip. Duhet të thuhet se tërë procedurat krijuese të Pipës, pra edhe këto të nivelit metrik në sonetet e ciklit „Kanali“, janë në funksion të rritjes së fuqisë informuese të vargut, të komunikimit sa më të plotë dhe më emocional të informatës poetike. Por, edhe në situatat kur dominon ky koncepcion krijues, ruhet me sukses të madh autonomia e fjalëve në varg, përfshirë këtu edhe natyrën e theksave tonikë të tyre.

Njëmbëdhjetërrokshi i soneteve të Arshi Pipës tregohet i aftë që të bartë një ngarkesë të jashtëzakonshme kuptimore dhe poetike, si në shembujt më të spikatur të poezisë sonë kombëtare dhe të asaj botërore.

Sa i përket rimës, ajo edhe në sonetet e ciklit “Kanali”, është njëra nga nyjat ku lidhen kuptimet poetike dhe efektet eufonike e ritmike. Arshi Pipa e zotëron aftësinë e krijimit të rimave që të shprehin nuanca të ligjërimit poetik të tij dhe të mesazheve që i adreëson lexuesit. Është interesant se në sonetet e ciklit “Kanali”, Arshi Pipa krijon një model të kombinimit të rimave, i cili nuk është koncvencional. Natyrisht është fjala për kombinimet e rimave në katrena. Poeti Arshi Pipa, në shumicën e soneteve të ciklit Kanali, në katrena përdor skemën e rimave: abba/baab. Këtë skemë e përdor në njëzet sonete, ndërsa skemën: abba/abba në katër sonete. Prandaj, Arshi Pipa në fakt paraqitet si një risimtar në këtë plan, veçmas në kombinimin e rimave në katrena.

Kombinimi i rimave sipas skemës:abba/baab, në vargjet e Pipës krijon edhe një lidhje shtesë të rimave, me çka lidhjet tërësore eufonike dhe kuptimore të vargut bëhen më komplekse.

Sa u takon rimave në terceta, ato janë në kombinime të ndryshme:

ccd/eed ( në dhjetë sonete),

cdd/cee (në pesë sonete),

ccd/eed (në tri sonete),

cdd/cee (në dy sonete)

cdd/ece, cdc/ede, edc/cde, ced/eed (në nga një sonet).

Në pozicionin e fjalëve të rimuara më së shumti janë vënë fjalë që shprehin gjendje të njeriut dhe disponime të tij, në vorbullën e vuajtjeve e të torturave, nën të cilat gjendet, qoftë subjekti krijues, qoftë dhe personat e tjerë, bashkëvuajtësit e poetit. Pra, Arshi Pipa më së shumti i ka kushtuar vëmendjen e vet krijuese theksimit të gjendjeve e situatave në të cilat është gjendur ai dhe bashkëvuajtësit e tij, e më pak theksimit të emërtimeve. Si ilustrim mund të shihet soneti i parë i ciklit “Kanali” ( i cituar më herët), ku në pozicion rimash janë fjalët: shiu/shtroje/mbuloje/njeriu/ (gjak për) goje/ arxhiu/ i piu/ (Hin nji) roje/ (frin) biblibi/(pran) secili/ (me) fjetë/ (e fshan) baraka/ brraka/ (vorr i ) shkretë. Kështu, është tematizuar gjendja e mjerë e të burgosurve, të cilët i rrah shiu edhe në barrakë, ndërsa ata janë të sëmurë, ndokujt madje i rrjedh gjak për goje. Për më tepër, ata janë të uritur e të etur dhe zihen për një pikë ujë. Pastaj skicohet situata kur fillon dhuna e rojeve ndaj të burgosurve, më tutje gjendja e qetësisë së dhunshme dhe në fund një përgjasim i situatës me atë të një varri të shkretë. Pra, Arshi Pipa edhe në përdorimin e rimave dhe në komnbinimet e tyre, aspiron që të dëshmojë gjendjet dhe situatat dramatike të njeriut të goditur nga vuajtja e nga dhuna. Ky koncepcion krijues ndiqet edhe në rastet kur dominon rima-emër edhe në ato kur dominon rima-folje. Edhe nga kjo anë provohet uniteti i poezisë së Pipës, si një krijim që ka në themel informatën, komunikimin sa më të plotë dhe sa më dëshmues.

Bartjet janë në funksion të ruajtjes së rimës dhe të shtrirjes së ligjërimit poetik në një gjerësi më të madhe, kur këtë e kërkon nevoja e informatës poetike. Për ndryshim prej ndonjë autori tjetër, si Ndre Mjedja, ku bartjet janë procedura poetike që e pasurojnë kompleksitetin e shprehjes dhe të figuracionit poetik, në rastin e Pipës, ato janë vetëm domosdoshëmri, për ta realizuar komunikimin, pa e prishur konvencën e formës poetike. Bartjet gjithsesi fusin një dinamikë shtesë në ritmin e poezisë, duke bërë ndërrimin e skemave të theksave ritmikë në varg, duke e pasuruar nuancimin e poezisë me sintaksën poetike dhe duke i dhënë vargut ndiesinë e aktivizmit estetik.

Filed Under: Kulture

JOIN US FOR ALBANIAN HERITAGE NIGHT AT POLAR PARK!

July 26, 2024 by s p

Dear Parishioners and Friends of St. Mary’s,

We wish to announce to you the upcoming Albanian Heritage night at Polar Park which will take place Wednesday, July 31 beginning at 5:30pm. We understand that this announcement is somewhat short notice, but all the pieces just came together over the last week to make this happen. Please support this event and the Albanian culture and heritage by attending the game next Wednesday. We will also honor and recognize members of our community that evening.

We have set aside seating as we did last year so that our group can sit in the same location. Also, if you purchase your ticket HERE (https://fevo-enterprise.com/event/Stmarys2024) a portion of the proceeds will go to support St. Mary’s Albanian Orthodox Church. Please see the flyer below. PLEASE consider purchasing tickets and spending a night out at the ballpark with family and friends!! We look forward to seeing you next Wednesday. Spread the word!

The Albanian Festival Committee

Filed Under: Komunitet

NË 6 VJETORIN E NDARJES NGA JETA – PROZA E RIDIMENSIONIMIT INTELEKTUAL DHE KRIJUES E ADEM DEMAÇIT

July 26, 2024 by s p

Prof.Myrvete & Prof.Begzad Baliu/

Zbulimit i tekstit dhe konteksti i botimit të parë

Prej vitesh kemi dëgjuar për zbulimin e këtij dorëshkrimi nga hulumtuesi i përkushtuar i jetës dhe veprës së Adem Demaçit, z. Selatin Novosella dhe prej vitesh kemi pritur që ai të botohet jo si një vepër e zakonshme e tregut tonë të botimeve, po si një botim tekstologjik, i shoqëruar nga të gjithë përbërësit e një botimi të veprës monumentale të tij, të panjohur deri më tash. Kemi pritur që botimi të ketë një paraqitje të karakterit historik dhe rrethanave në të cilat është shkruar ajo, me dëshmi të drejtpërdrejta e të tërthorta dhe pjesë dokumentesh që kanë të bëjnë me sekuestrimin e veprës nga sigurimi jugosllav. Pastaj, të kemi një botim paralel të tekstit në dorëshkrim (fototip i tekstit të shkruar me stilolaps) dhe tekstit të radhitur, me një fjalorth të plotë shpjegimesh në fund të veprës dhe anëshkrime të tjera, anëshkrime në margjinë të botimit dhe sqarime për lexuesin e zakonshëm, me komente të nevojshme për lexuesin akademik etj.

Duke pritur botimin e këtij vëllimi, në të vërtetë kemi menduar se si zbuluesi i saj, këtë botim do t’ia besoj një institucioni shkencor, i cili do të investonte gjithë përvojën e sotme kombëtare e ndërkombëtare të botimeve tekstologjike e filologjike, sado për fatin tonë të keq, institucioneve tona ju mungon kjo përvojë, ndërsa filologëve tanë ju mungon kjo dëshmi, dhe për më keq, ju mungon ky vullnet.

Nuk është e rastit prandaj, pse ky botim i parë i romanit të Adem Demaçit, Drithë e miell bashkë, “i radhitur nga dorëshkrimi dhe i korrigjuar” nga dr. Shqiptar A. Demaçi, nuk e ka asnjërën prej kërkesave tona të theksuara më lart. Dhe i ka munguar kjo sepse librin e ka përgatitur dora akademike e skalpelit, po jo edhe e filologut.

‘Horizonti’ i pritjes

Kur kemi dëgjuar për zbulimin e dorëshkrimit të romanit të Adem Demaçit, Drithë e miell bashkë, na janë krijuar disa përfytyrime për këtë dorëshkrim, përkatësisht vëllimin e tij, disa ide për temën etnografike a politike të tij, dhe madje disa koncepte për strukturën moderne të përbërësve letrarë të tij.

Në të vërtetë, duke menduar për këtë dorëshkrim romanor, kishim parasysh faktin se Adem Demaçi para tij kishte shkruar tregime kryesisht të shkurtra dhe dy romane, njërin të botuar, Gjarpijt e gjakut, e tjetrin të sekuestruar nga policia serbe, S’ka paqe ndër kasolla, dhe këto përmasa do të duhej të kishte edhe ky roman i papërfunduar, në të vërtetë i prerë në mes nga sigurimi serb; duke menduar për temën etnografike, në të vërtetë antropologjike, sociale apo politike, kishim parasysh titullin e tij, Drithë e miell bashkë, dhe titullin e dramës së shkruar disa vjet më vonë në burg Pushka dhe politika (1969); dhe së fundi kemi menduar gjatë, si do të duket rrëfimi romanor dhe cila do të ishte poetika e këtij teksti, pas disa tregimeve e romaneve realiste e strukturës moderne, të tyre të shkruara apo të botuara në vitet ‘50.

Dhe, na vjen mirë që, thënë me konceptin e filologëve, këtë përbërës të tretë e kishim ubifikuar saktë. Madje, që në fillim mund të themi se romani i papërfunduar i Adem Demaçit, Drithë e miell bashkë, përfaqëson të gjithë përbërësit e poetikës së prozës së tij të shkruar deri atëherë, tregimeve dhe romaneve, përkatësisht romanit të botuar dhe romanit të sekuestruar të tij.

Pse mund të thuhet kështu?

Sepse, deri më tash kritika letrare e ka theksuar gjatë faktin që me veprën e tij letrare të periudhës së parë, Adem Demaçi ka dëshmuar për njohjen e thellë shpirtërore të popullit të tij, por nuk e ka theksuar faktin se Adem Demaçi në këtë kohë ka dëshmuar për njohjen e gjerë të letërsisë botërore, filozofisë së saj, teorisë së romanit, duke përfshirë këtu edhe diskutimin ndërmjet fenomenologjisë së Hegelit dhe teorisë së romanit historik të Lukaqit (Pol de Man, 1975: 115), si dhe temave të mëdha sociale e realiste të kësaj letërsie, që në këtë rast kurorëzohen jo vetëm me strukturën, motivin e temën po edhe me diskursin dhe gjuhën posaçërisht të pasur etnografike, e cila identifikon në këtë roman personazhet, jo vetëm në kontekst të prejardhjes etnografike dhe dialektore, sikur jemi mësuar t’i lexojmë në letrat shqipe, po edhe moshat, grupet sociale dhe madje gjinore, sikur mund t’i gjejmë për herë të parë në këtë vepër të letërsisë shqipe.

Tek jemi këtu, po e bëjmë një digresion. Na ka rënë të dëgjojmë shumë herë mendimet dhe diskutimet e Adem Demaçit për letërsinë, gjatë viteve kur ai ishte kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës e ne anëtarë të kryesisë së saj, dhe na ka rënë të bisedojmë shumë herë e të marrim mendimet e tij për ligjëratat e profesorëve të njohur në Universitetin e Beogradit mbi letërsitë e mëdha nacionale po edhe shkrimtarë të veçantë të letërsisë së përbotshme. Po i theksojmë këtu dy vlerësime të tij: Adem Demaçi kujtonte me respekt ligjëratat për letërsinë gjermane e sidomos diskutimet për Gëten dhe Faustin e tij, dhe ishte i bindur, që atëherë, se ajo ishte letërsia më e madhe nacionale, në të cilën gërshetoheshin të gjitha dijet dhe të gjitha vlerat që ka krijuar njerëzimi, nga trashëgimia shpirtërore e letërsisë popullore deri te majat e filozofisë dhe estetikës të mendimit të përbotshëm; ndërsa shkrimtarin më të madh të të gjitha kohëve e konsideronte autorin e Vëllezërve Karamazov, Dostojevskin.

Identifikimi paravajtës i Rexhep Qosjes

Duke shkruar për tregimet dhe romanin e tij Gjarpijt e gjakut, Profesor Rexhep Qosja, vite më parë ka theksuar një përbërës shumë të rëndësishëm historiko-letrar dhe politik të kohës, tek tërhiqte vërejtjen se romani “është shkruar dhe është botuar në kohën kur në Shqipërinë shtetërore mbretëronte doktrina e realizmit socialist dhe kur në Kosovë mbretëronte konformizmi partiako-shtetëror jo vetëm në politikë, por edhe në krijimtari. Adem Demaçi edhe si intelektual edhe si krijues është mohues i realizmit socialist dhe i konformizmit partiak e pushtetor”. (Qosja, 2013: 438).

Në qoftë se në rastin e parë, këtë konstatim e thekson Profesor Qosja në kontekst të poetikës së tregimeve dhe romanit, në rastin e dytë, këtë e theksojnë, e identifikojnë dhe e konkretizojnë personazhet e njërit prej kapitujve të romanit Drithë e miell bashkë, derisa diskutojnë për letërsinë dhe stilet letrare të shkrimit të saj.

Le t’i referohemi përzgjedhjes paravajtëse të Rexhep Qosjes nga romani i Adem Demaçit Gjarpijt e gjakut, në kontekst të referencave deri më tash të panjohura të përzgjedhjes së Adem Demaçit nga romani i Azem Shkrelit Karvani i bardhë.

Profesor Rexhep Qosja: “… dëshmi e kësaj që thuhen janë edhe gjuha e stili i Adem Demës. Nuk është i madh numri i shkrimtarëve që në prozat e tyre mund të përdorin aq përpiktë, aq fuqishëm, aq figurshëm, stilistikisht aq ngjyrosshëm fjalën krijuese si Adem Dema në Gjarprinjtë e gjakut dhe jo vetëm në Gjarprinjtë e gjakut. Duhet të jesh i padenjë për fuqinë dhe bukurinë e gjuhës dhe të stilit në qoftë se nuk të bëjnë përshtypje përvetësuese fjalitë si këto, aq të shpeshta në Gjarprinjtë e gjakut.

Lexoni: 1. Dielli puthte horizontin e perëndimit dhe me predhat e veta të fundit të dritës gjuante majën e Maçekllavës. Shikoni çfarë shprehjeje!

Fjalia tjetër: 2. Hija qiti nasgjëshëm me dorë dhe ende pa zbrazur tymin e duhanit gapërroi sytë e kaltër matanë përroit të thatë.

Fjalia e tretë: 3. Do shtëllunga të bardha resh, thuajse zgërdhiheshin me diellin përcëllues.

Fjalia e katërt. 4. Mustafën e përpiu kureshtja, prandaj goja iu bë lutje. (Qosja, 2013: 438)

Adem Demaçi, përkatësisht personazhi a shkrimtari i ri, Hajriz Lulaku gjatë diskutimit për veprën e Azem Shkrelit thekson:

“Në bazë të Karavanit të Bardhë, gjuha e Azem Shkrelit âsht mjaft e lavrueme, fjalit i ka shume elastike, funkcionale dhe plot kuptim. Qe nji shembull kësisoji:

“Kur flitte Dyli, flitte lahuta, dhe ec e lueja, i ngulej guri punës”. (Demaçi, 2020: 91)

(…)

Qe edhe një fjali lakonike e Azemit: “Urtija e t’urtëve âsht kjo: Mos dil i pari se e nxen të keqen. As i fundit mos rri se të nxen ajo ty”. (Demaçi, 2020: 92)

(…)

– A po na kuptoni tash? Neser keni me i kuptue të gjitha, mos u ngutni. Shteti i jep tapit, por vet nuk ka kurr tapi…”. (Demaçi, 2020: 92)

Në të vërtetë, kulturën e gjerë të tij, filozofinë e tij, njohjet teoriko-letrare të tij, më parë se sa në veprat e mëparshme do të vihen re në romanin Drithë e miell bashkë, në të cilin personazhet e tij maturantë, do të diskutojnë duke identifikuar a komentuar filozofë, ekonomistë, teoricienë e historianë të letërsisë, shumë me ndikim në kampin komunist të kohës, si dhe duke i pranuar a kundërshtuar mendimet e tyre mbi çështje të filozofisë, sociologjisë, letërsisë e kulturës përgjithësisht.

“…mandej dikush tha: Mos më tregoni ju mua se çka mendon Dobrolubovi, Bijelinski, Çernishevski, Meringu, Timofijevi, Ipolit Teni ose dikush tjetër, por ju çka mendoni vetë…” (Demaçi, 2020: 22), – i pyet profesori nxënësit e tij.

Prirjet intelektuale e politike dhe kundërshtimi i realizmit socialist

Romani i Adem Demaçit Drithë e miell bashkë, është vepër e dialogut dhe komunikimit mbi aspekte të ndryshme të jetës, kuptimit dhe vlerave më të rëndësishme materiale e shpirtërore të saj. Subjekti përqendrohet në historinë e familjes Lulaku, të parë në tri rrafshe, por boshtin kryesor të këtyre zhvillimeve e përbënë jeta e një klase maturantësh.

Maturantë e kësaj klase me emra dhe pseudonime të ndryshme diskutojnë për Çernishevskin dhe Dobrolubovin, të cilët Marksi dhe Englesi i quanin “Lesingë socialistë, që kritikoheshin nga Bakunini dhe studentë të papjekur, me fraza bombastike”. (Marks-Engels, 1976: 388). A nuk kishte në klasën e profesorit të gjuhës Feriz Teja, disa nxënës të cilët e kritikonin ashpërsisht dramën e Hajriz Lulakut, ‘duke u fry si bretkosa’ (tamam si studentët e Bakuninit), dhe që me fraza etnografike, shumë herë, kritikonin e gllabëronin njëri-tjetrin.

Maturantët e kësaj klase, në romanin e Adem Demaçit, flasin për Çernishevskin, që Marksi e konsideronte “dijetar i madh rus”, i cili në artikujt e tij kishte studiuar çështjen nëse duhet të fillojë Rusia shkatërrimin e komunës fshatare për të kaluar në rendin kapitalist,…” (Po aty., 389-390). A nuk ishte koha kur në ish-Jugosllavi, pas vitit 1958, diskutohej për ndryshimet ekonomike dhe shoqërore, ndërsa prej këtyre ndryshimeve, të cilat do të ndodhin pas vitit 1966, varej shumë fati i zhvillimit politik dhe ekonomik të Kosovës dhe perspektiva shoqërore e popullit shqiptar.

Në klasën e tyre, maturantët diskutojnë edhe për Timofejevin, i cili në Këshillimin e Komitetit Qendror të Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë, më 28 shtator 1946, ishte vlerësuar si një nga personalitetet më me ndikim jo vetëm në letërsi po edhe në publicistikë, sepse thuhej në orientimet e këtij këshillimi: “njeriu i ri i shoqërisë socialiste paraqitet para se gjithash si luftëtar, si krijues i një bote të re”. (R. Petkoviq, 1986:20-30).

Ata diskutojnë në të vërtetë për Çernishevskin, Dobrolubovin dhe Timofejevin, tre prej teoricienëve më me ndikim në literaturën e realizmit socialist në Rusi, të cilët ishin bërë personalitete të obligueshme referimi, ndërsa vepra e tyre metodë teoriko-letrare për një kohë të shkurtër në ish Jugosllavi (1945-1952), si dhe në Shqipëri, fatkeqësisht, për një kohë shumë më të gjatë (1945-1990).

Maturantë e kësaj klase flasin me mjaft kompetencë për Franc Merningun (1846-1919), një nga filozofët me dije të jashtëzakonshme poliedrike dhe stil të jashtëzakonshëm komunikimi, i cili luftoi për humanizmin si koncept në radhë të parë, edhe atëherë kur qëndroi brenda grupeve socialiste e socialdemokrate, edhe atëherë kur u bë pjesë e grupeve marksiste, gjatë periudhës më të madhe të angazhimeve të tij.

Maturantët e këtij romani diskutojnë edhe për një nga studiuesit më me ndikim në studimet historiko-letrare, francezin Ipolit Ten (1828-1893), themeluesin e historicizmit në letërsi, sikur diskutojnë edhe për ‘formën’ dhe ‘përmbajtjen’ në poezinë e Migjenit dhe të Lasgush Poradecit.

Nëse, në rastin e parë, arsimtari i gjuhës shqipe kërkon që në hartimin e tyre nxënësit të mos shkruajnë çfarë kanë thënë teoricienët e lartpërmendur, në rastin e dytë kërkesat e tij zgjerohen edhe me emrin e Aristotelit, Zhan Pol Sartrit dhe Mitrush Kutelit (34). A nuk mjafton kjo për të kuptuar se Adem Demaçi në këtë kohë, jo vetëm e njihte filozofinë, teoritë letrare dhe kritikën, po edhe i kundërshtonte ato duke i diskutuar mendimet e bardëve të tyre, duke përfshirë këtu madje edhe konceptet e Maksim Gorkit dhe sikur e thekson “të ashtuquajturën letërsi të realizmit socialist”(45). Ata diskutojnë e flasin për zhdanovizmin në Rusi dhe e kundërshtojnë atë në kontekst të zhvillimeve që lidheshin me shkrimtarin Pasternak, duke mbrojtur njëkohësisht filozofinë e ligjshmërisë së kundërthënieve, kudo dhe në cilin do prej sistemeve shoqërore, në të cilat jetohet.

Dialektika hegeliane dhe filozofia e refuzimit

Në këtë kontekst, personazhet e romanit të Adem Demaçit Drithë e miell bashkë, diskutojnë gjerë e gjatë për ligjet e dialektikës, si koncepte shoqërore, filozofike dhe madje ndikimin e tyre në letërsi. Ata flasin për dialektiken dhe ligjësitë e saj si shkathtësi, si zbulim dhe madje si zgjidhje e kundërthënieve të tyre të brendshme; ata diskutojnë për ligjet e dialektikës si kusht i argumentimit të koncepteve të tyre për zhvillimin e mendimit shoqëror, teoriko-letrar dhe kulturor. Dialogët e tyre të kujtojnë Sokratin e lashtësisë dhe Didëron e modernitetit; Platonin e përkushtuar ndaj sintezave e koncepteve të mëdha të lidhura ngushtë me vërtetimin dhe zgjidhjen e kundërthënieve; Kantin dhe konceptet e tij mbi kritikën e arsyes dhe mendjes; dialektikanin më të shquar të mendimit botëror, Hegelin dhe koncepteve të tij për dialektikën si rrugë e kundërthënshme e zhvillimit progresiv të idesë absolute dhe e formave të tjetërsimit të saj. Në të vërtetë, me gjuhën e tyre, kryesisht etnografike ata dialogojnë, diskutojnë, komunikojnë dhe madje polemizojnë, sikur të ishin bashkuar filozofët themelues të saj: Zenoni, Herakliti, Sokrati, Platoni e kundërshtarët e tij, dhe sikur të ishin bashkuar në diskutim filozofët e kohës së re: Dëni Didro, Kanti, Fihte, Hegeli etj.

Le t’i kthehemi edhe njëherë Profesor Qosjes dhe diskutimit të tij mbi realizmin socialist, si doktrinë politike dhe letrare-artistike, në të vërtetë kundërartistike në Shqipëri dhe konformizmit partiako-shtetëror në krijimtarinë letrare në Kosovë. Kjo çështje është e pranishme edhe në këtë roman, tani jo si koncept teoriko-letar po si pasuri tematike dhe si një realitet historik e artistik, tek sa maturantët dhe mësuesi i tyre lexojnë shembuj të romanit të Azem Shkrelit Karvani i bardhë dhe diskutojnë pasurinë gjuhësore, duke vënë theksin vetëm në diskursin etno-filozofik të komunikimit, por duke e ‘djegur’ pjesën tjerë, pikërisht ashtu sikur digjet duhani, të cilin ‘njerëzit e pinë për çejfi, edhe pse ka pasoja të mëdha për shëndetin e tyre’.

Citojmë:

– Po ti, shoqo, a vetëm margaritarët e prozës së Shkrelit na i paske mbledhë? Nuk pat n’at prozë edhe shibla, mushla e kërçabla?

– Sita ime nuk zuni kurrfarë shiblash.

– E paske sitë n’atë t’kollomojten, por nejse…

(…)

Po, shok profesor, tash mbasi ra zilja po ju pyes se çka mendoni për duhanin? – Pyeti ‘Pula’. (Demaçi, 2020: 93).

A nuk janë këta shembuj të mjaftueshëm, për të dëshmuar qëndrimin e Adem Demaçit përball realizimit socialist, theksuar më parë nga Profesor Qosja dhe tani të artikuluar në romanin e tij të lënë në dorëshkrim.

Struktura e veprës: nga novela te romani i papërfunduar

Romani Drithë e miell bashkë përfaqëson një frymë të re shkrimi në letërsinë shqipe të atyre viteve, madje jo vetëm në Kosovë, sado si strukturë e rrëfimit romanor duket shumë më i thjesht se sa romanet që botoheshin nga shkrimtarët shqiptarë me një përvojë të gjatë shkrimi, madje që në vitet ’30. Struktura e romanit sado lineare në pamje të parë, zhvillohet në tri rrafshe të rrëfimit – si strukturë e brendshme e poetikës së tij. Për gjykimin tonë, atë e përbëjnë tri pjesë, tri aktet e një drame familjare, tri situata të një sage, të njohura gjerësisht në letërsinë europiane, njohje të cilën autori padyshim e kishte nxënë gjatë studimeve për letërsinë botërore.

Në shikim të parë, ky roman është një Sagë familjare, që hapet me përditshmërinë në Familjen e Rrahman Lulakut. Më tej, si në sfond, jo shumë të dukshëm rishfaqet kjo Sagë, tash me dimensione të brendshme shpirtërore, në tekstin dramatik Tregtari i kafshatave të dreqit, të të birit Hajriz Lulakut, përkatësisht shfaqjen e tij në shkollë, e cila shpreh njëkohësisht dramën e madhe të familjes shqiptare. Dhe së fundi, ajo ridimensionohet, si rrafsh i tretë, në ‘prozën familjare’ të Hajriz Lulakut, që në të vërtetë përfaqëson një nga faqet e para (të filluara, po jo edhe të përfunduara të saj) në letërsinë shqipe. Megjithëse, romani nuk është e thënë të përfundojë në këtë mënyrë, ne mendojmë se kapitulli i leximit dhe i interpretimit të tekstit dramatik të Hajrizit dhe diskutimi mbi përbërësit letrarë, tematikë dhe madje estetikë të tij, përbën njëkohësisht edhe fundin e variantit të parë në përmasa të një novele, duke plotësuar kështu jo vetëm “egon” e kolegëve të tij të klasës, po edhe premtimin e arsimtarit të gjuhës shqipe, Feriz Teja, se “kjo klasë doemos do ta nxjerrë një a dy shkrimtarë”. Si strukturë e tekstit, ndërkaq, kjo vepër merr përmasat e një romani, për faktin se hapet edhe rrafshi i tretë, me leximin e prozës familjare të Hajriz Lulakut, e cila nuk përfundon së shkruari nga autori, përkatësisht mbetet në fillimet e saj, sepse me arrestimin e Adem Demaçit, i merret edhe fletorja ku po e shkruante romanin e tij.

Gjuha etnografike si bazë e ndërtimit të dialogut dhe strukturës së romanit

Gjuha, në të vërtetë pasuria gjuhësore, leksikore dhe frazeologjike, si dhe dialogu, përkatësisht diskursi i komunikimit romanor, janë disa prej përbërësve më të rëndësishëm të kësaj proze. Dhe jo vetëm kaq.

Në radhë të parë, do theksuar këtu, diskutimi i personazheve për vetë gjuhën shqipe, parë në kontekstin e drejtshkrimit të saj, stilit të ligjërimit, logjikës së përkthimit etj. Në një kohë, që prej një dekade po diskutohej në Shqipëri e në Kosovë mbi shqipen standarde, përkatësisht drejtshkrimin e saj, arsimtari i gjuhës shqipe në romanin e Adem Demaçit, shënon në tabelë temën Bisedë mbi frymën e gjuhës shqipe, dhe hap disa çështje, për të cilat bardët e rregullave të drejtshkrimit të shqipes standarde do të diskutojnë dyzet vjet pas Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe (1972), sikur është drejtshkrimi i emrit Vashington në vend të trajtës Uashington, apo Evropë në vend të Europë, për të cilin, njëri prej personazheve shprehet: “Përveç, ndikimit të serbokroatishtes, prej kah përkthehen artikujt, nuk ma merr mendja se ekziston ndonjë arsye tjetër…” (77).

Bisedat në këtë tekst letrar marrin kahje nga më të ndryshmet, mbi mundësinë e shqiptimit në origjinal të emrave të huaj; mbi traditën standardizimit të gjuhëve të popujve të mëdhenj dhe shembullin e gjermanëve; mbi stilet e përkthimit të frazeologjisë dhe pamundësisë së përkthimit fjalë për fjalë etj. Bisedat, si edhe në raste të tjera, përfundojnë jo edhe pa simbolikën e tyre. Premtimi i arsimtarit se do të lexojmë fragmente të romanit të Azem Shkrelit nga romani Karvani i bardhë, shkruar në gegërisht, përfundon me leximin e një fragmenti të prozës së Vedat Kokonës, shkruar në toskërisht.

Në radhë të dytë, dalin me interes pseudonimet e personazheve: ‘Pasqyli‘, ‘Sheqeri‘, ‘Mamamushi‘, ‘Etna‘, ‘Pula‘, ‘Katili‘, ‘Cufi‘, ‘Zhani‘, ‘Rrebeli‘, ‘Strajca‘, ‘Xhezi‘, të cilët as me pamjen e tyre, as me sjelljen e tyre, as me komunikimin e tyre, madje as me idetë a konceptet e tyre filozofike nuk ju përgjigjen pseudonimeve të tyre. Pra, pseudonimet e tyre nuk përfaqësojnë karakterin e tyre, sikur i gjejmë zakonisht në letrat shqipe të kësaj periudhe.

Në radhë të tretë, do theksuar, në mënyrë të veçantë, leksiku, frazeologjia e pasur, përkatësisht rrëfimi a diskursi shumëplanësh i komunikimit, i ndërtuar mbi këto veçanti. Prej kësaj proze romanore, jo shumë të gjatë, mund të bëhen analiza të jashtëzakonshme gjuhësore, në rrafshin leksikor, dialektor, frazeologjik, stilistik dhe sociolinguistik e etno-linguistik. Le të sjellim këtu disa shembuj të leksikut a frazave dialektore shqipe, fjalëve e shprehjeve orientale e sllave në kontekst të stilit të ligjërimit: rrëmoqe, cegmim, u bëftë deti kos, fjalë të buta, ia binte diellin mbi krye, shiqim i mefshtë, çantë e lëkuçme, përskithje, djalosh hollak, kakalana, djalosh vishkullor, rrum, i mërdhezun si lafsha e gjelit, tferrim, bylyk notash, topërllamë, pykë, shamak, u ba tym, shtrij kamët sa e ke plafin, abej, bac, mutfak, lefterica e shehrit, llullaxhitë e shehrit, m’i marrsh pleshtat, oj banxha e thiut, pasha katër qitapet, kanxhallozi thiut, govençka e thiut, na i marr t’ligat, shahpërpjetja, faqet e galme, dallpallja, qelpazja, ai që s’e ngon nanen e ngon njerkën, u flug, mprimje, tu rrit mendja, bleni i flokëve, okrugllo pa na çoshku – po ç’po sillet rrethit të laknorit, me çue në pyka, edhe në mulli ka ni rend, kult liçnosti etj. Edhe sot është vështirë të gjejmë vepra të kësaj dendurie filozofike, ligjërimore e stilistike, si dhe të këtyre përmasave gjuhësore në letrat shqipe.

Personazhet, qytetarë të moshuar të gjinisë mashkullore, kryesisht të ardhur nga fshati, po edhe qytetarë të tjerë, shquhen për përdorimin e gjuhës etno-linguistike, përkatësisht togfjalëshave dhe frazeologjisë kombëtare; gratë flasin me fjalë e leksik të përmbytur oriental, ndërsa prej gjuhës së tyre mund të flitet edhe për të folmet gjinore; brezi i ri në shkollë identifikohet edhe për funksionalizimin e fjalëve dhe shprehje serbe, ndërsa gjuha e narratorit sjell jo vetëm leksik të pasur e togfjalësha të nxënë nga letërsia shqipe e viteve ’30 (kryesisht nga proza e Ernest Koliqit), po edhe fjalë të reja, terma letrare e filozofike, shprehje sociale e nocione konceptuale, të cilat letrave shqipe, në të vërtetë, letërsisë, kritikës, socilologjisë së kulturë dhe antropologjisë do t’i mungojnë deri në vitet ’70, kur nocionet, termat, konceptet dhe diskutimet e tilla bëhen objekt të eseve dhe trajtesave kryesisht të Profesor Qosjes. Në të vërtetë, narratori flet për snobizimin, për modën, për dogmatizmin dhe dukuri të tjera shoqërore, kulturore, letrare e estetike, në përmasat që vetëm në vitet ’70 do t’i diskutojë gjerësisht, përmbajtësisht dhe në kontekstin socio-kulturor para se gjithash Profesor Qosja. (Me onomastikën dhe leksikun, përkatësisht gjuhën e këtij romani do të merrem në një sprovë tjetër).

Dorëshkrimi si bazë e një ridimensionimi intelektual

Me këtë vepër, megjithëse të papërfunduar, në të vërtetë të prerë në mes nga sigurimi jugosllav, biografia e Adem Demaçit, e periudhës së parë të jetës së tij, merr dimensione të reja, për të mos thënë ridimensionohet në shumë drejtime: politike e intelektuale, teorike, krijuese, letrare e estetike, filozofike, konceptuale e perceptuese. Kjo vepër, si e tillë, sjell pamje të re në jetën dhe veprën e tij, në të vërtetë, në bëmat dhe përvojën e tij jetësore e letrare. Kjo vepër, njëkohësisht, përplotëson letërsinë shqipe, madje jo vetëm të kësaj periudhe.

(Tekst i përgatitur për tryezën kushtuar dy vjetorit të vdekjes së Adem Demaçit)

Adem Demaçi, Drithë e miell bashkë (1962), Prishtinë, NGB Grafoprint, 2020, f. 153.

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 837
  • 838
  • 839
  • 840
  • 841
  • …
  • 2776
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT