• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Onomastika e Pollogut të Epërm – pjesë e homogjenitetit të trashëgimisë kombëtare

October 24, 2024 by s p

Begzad Baliu/

Në studimet gjuhësore të shqipes në fushë të dialektologjisë, onomastikës, leksikografisë dhe së fundi sociolinguistikës, ka pasur një traditë të cilën e kemi trashëguar kryesisht nga studimet antropo-gjeografike kombëtare, rajonale dhe ndërkombëtare, ndikuar nga shkolla franceze, gjermane, austro-hungareze, serbe dhe italiane.

Në ndërkohë kryesisht në gjysmën e dytë të shekullit XX, kërkimet në fushë të dialektologjisë dhe të onomastikës u specializuan gjerësisht, ndërsa tani ky kërkim nga aspekti metodologjik e ndërdisiplinor me fusha të tjera të dijes është thelluar gjerësisht.

Profesor Izmit Durmishi është njëri prej studiuesve të kohës sonë, i cili ka trashëguar një njohje të gjithanshme të këtyre shkollave dhe të kësaj literature të dijes shqiptare, të rajonit dhe asaj europiane.

Vepra më e re e Profesor Izmit Durmishit është një kërkim dhe një qasje e re në studimet onomastike, në të cilën janë bashkuar në mënyrë komplementare: gjeografia e hartografia, dialektologjia e sociolinguistika, fonetika e morfologjia, fjalëformimi e semantika, të gjitha të strukturuara brenda dijes për onomastikën e një treve me interes në fushë të etnisë shqiptare e të gjuhës shqipe.

Në këtë rrjedhë monografia hapet me një përshkrim etno-gjeografik për Pollogun e Epërm, brenda të cilit janë sjellë veçoritë kryesore mbi pozitën gjeografike të vendbanimeve, relievit, strukturës topografike, veçorive demografike dhe disa karakteristikave të popullsisë, për t’u ndalur gjerësisht në veçoritë etno-historike, historiko-gjuhësore e etimologjike të prejardhjes së toponimit Pollog, një diskutim ky shumëdimensional, i cili mund të ndahej edhe si kapitull më vete.

Në kapitullin e dytë sikur shprehet autori është dhënë një pasqyrë e shkurtër e vendbanimeve të Pollogut të Epërm: Çegrani t, Forinës, Koritës, Çajlës, Balindollit, Turçanit të Vogël, Turçanit të Madh, Llakavicës, Sërmnovës, një fshati që të bën përshtypje me riemërtimin administrativ të administratës serbo-jugosllave Sërbinova, Tërnovës, Strajanit, Patalishtes, Banjicës së Epërme, Banjicës së Poshtme, Gjonovicës së Poshtme, Gjonovicës së Epërme, Simnicës, Zdunjës, Ravenit, Vrutokut, Reçanit, Orqushit, Jellovcës së Poshtme, Debreshit, Vrapçishtit, Toplicës, Dobërdollit, Llomnicës, Negotinit, Kalishtit, Sanakosit, Gjurgjevishtit, Gradecit dhe Gorjanit. Duke i lexuar emrat dhe trajtat e emërtimit të vendbanimeve të kësaj zone, nuk ka si të mos na kujtohet sistemi i standardizimit të tyre nga Jovan Cvejiqi dhe brezi i tij, të cilët për qëllime strategjike, ushtarake e politike, më parë se sa për qëllime gjuhësore e kanë vizituar, hulumtuar e studiuar jo një herë dhe jo nga një studiues i vetëm. Për më tej, duke lexuar emrat e vendbanimeve dhe sidomos mikrotoponiminë e kësaj zone, nuk ka si të mos na kujtohen vërejtjet e Norbert Joklit për veprën e Selishqevit në vitet ‘30. Përgjigja e Joklit që i dha Selishqevit, mbi raportin e ojkonimisë sllave me mikrotoponiminë shqipe, ka po ato vlera që do të kishin përgjigjet e Profesor Durmishit për studiuesit serbë e maqedonas për Pollogun, e kjo është se emrat e fshatrave nuk e përcaktojnë edhe përkatësinë etnike të banorëve, sikur propagandonin ata.

Kapitulli i tretë merret me toponimet e Pollogut të Epërm, vështruar nga pikëpamja leksiko-semantike, në të cilin toponimia përkatësisht mikrotoponima trajtohet në rrafshin morfologjik, duke filluar nga ata që formohen prej mbiemrave që përcaktojnë formë, madhësi, pozitë, ngjyrë, moshë, temperaturë dhe veçori të tjera, deri te mikrotoponimet që janë formuar prej numërorëve, foljeve, ndajfoljeve, parafjalëve etj. Veçanti e këtij kapitulli është diskutimi mbi shtresat leksikore të toponimisë së Pollogut.

Një kërkim dhe studim njëkohësisht jo shumë i pranishëm në studimet onomastike në fushë të shqipes është bërë objekt më vete dhe ky është kapitulli i katërt me titull: Vështrime fonetike dhe morfologjike. Njohës e studiues i të folmes së Pollogut dhe të shqipes së kësaj treve etnike shqiptare, Profesor Izmit Durmishi është kujdesur që mikrotoponiminë ta trajtojë edhe nga ky aspekt, pasi “toponimet, në radhë të parë, janë formime dialektore që në vete ruajnë trajtat më të vjetra të gjuhës së folur”, shkruan autori. Fjala është për praninë a shquarsinë e zanoreve a, e, ë, i, o, u dhe y. Po në këtë kapitull janë sjellë shembuj relevantë për hundorësinë e zanoreve, diftongjet dhe grupet e zanoreve, sistemin e bashkëtingëlloreve, dukuritë fonetike, dukuritë morfologjike në onomastikë, shquarsinë e emrave dhe lakimin.

Një kapitull më vete dhe një kërkim më vete është regjistri i mikrotoponimeve, hulumtimi dhe studimi i strukturës fjalëformuese të onomastikës së Pollogut të Epërm, brenda të cilit janë sjellë shembuj përfaqësues me prapashtesa, me togfjalësha emër + emër në gjinore, togfjalësha emër + emër në gjinore + gjinore (emër), togfjalësha emër + emër në gjinore + përcaktor (mbiemër), si dhe togfjalësha emër + mbiemër cilësor i nyjshëm. Megjithëse tradita e studimeve të fjalëformimit në fushë të mikrotoponimeve nuk ka munguar, kapitulli studimor i Profesor Durmishit, me prurjet e terrenit dhe me analizat e tij, e përplotëson ndjeshëm këtë fushë të gjuhësisë shqiptare.

Monografia e Profesor Izmi Durmishit, Socioonomastika e Pollogut të Epërm, përmbyllet me korpusin e fjalorit të mikrotoponimeve, një sinteze përfundimtare, literaturën, shkurtesat dhe listën e informatorëve. Si e tillë, kjo vepër sjell një pasuri të rrallë materiale nga tereni, një përshkrim të saktë e të detajuar, analiza të veçanta dhe sinteza mbi strukturën fonetike morfologjike të saj si dhe përpjekje historiko-gjuhësore e etimologjike për të përcaktuar prejardhjen e tyre veç e veç.

Prishtinë, shtator 2024

Izmit DURMISHI, Socioonomastika e Pollogut të Epërm, Gostivar, 2024

Filed Under: LETERSI

VATRA NË SHËRBIM TË ÇËSHTJES KOMBËTARE…

October 24, 2024 by s p

Letër e kryetarit të Federatës Pan-Shqiptare “Vatra”, Anastas Pandele, drejtuar delegatit të saj në Konferencën e Paqes në Paris Mid`hat Frashërit

Boston, më 25 janar 1921

The Pan Federation of America
The Hearth (Vatra) Inc
Headquartes: 456 Tremont Street
Zotit Midhat Frashëri, delegat i “Vatrës”
Hotel Campbell
Paris, France

I dashun zoti Midhat,
Me anë të kësaj letre kam nderin t’u vërtetoj marrjen e letrave tuaja datuar Paris, 24 nëntor, 26 dhjetor dhe 6 janar. Gjithashtu kabllo datuar Paris, 24 dhjetor, 7,1,9,3,17 janar.
4 janar – ju dërguam nji letër, besonjë ta kini marrë. Tani të vimë në përmbledhjen e letrave si dhe kabllove të sipër shënuar.
Është shum mirë ajo që juve bëni suggestion për shkolla që të hapen, mjerisht më duket që na ësht e pamundur tani për tani që të munt të bëjmë gjë mbi atë çështje.
Ju lutemi na shkruani se sa munt të bëhen harxhet që të munt të gjurmojm të drejtën, si në çështjen e të ndyerit Themistokli Gërmeni dhe të tjerëve, që ashtu të kemi nji bazë mbi të cilën të përfundojm.
Ju kablluam të 2 000 dollarë, edhe ju kablluam prap për vendimin e këtushëm që nuk do të dërgojmë të holla qeverisë gjer të na vinë bondet. Dje muarm nji kabllo tjetër ku na kërkojnë 50 000 dollarë, po mjerisht, sido që dëshëronj, nuk mundim të bëjm ndryshe kundër vendimit dhe marrëveshjtjeve që patmë.
Ju shkrova në letrën e fundit që “nesër” do t’u dërgojmë të gjithë ato që juve kërkoni, me vjen keq t’u thom, dhe t’u çfaq një mungim të madh, me qenë që edhe nuk i kena mbledhë ato që juve kërkoni. Shkaku është ndrrimi i sekretarëve, edhe mbyllja e huas (teftereve). Pa fjalë që, sa të lirohemi dhe të nisim me të gjitha në një vijim të mirë, do t’u dërgojm të gjitha sa juve kërkoni. Na ndieni për vonimin. Për zotin dita-ditën dëshironjë t’u shkruanj, po nuk di si shkon koha se menjëherë, pa mos parë dritën mirë, erret.
Mbyllur do të gjeni rekordin e mbledhjes të Këshillës Kombëtare mbajtur më 2-3 janar 1921, që të kuptoni rrjedhjen e bisedimeve edhe të veprimeve më mirë. Do të shikoni që Këshilla vendosi të dërgohet në Shqipëri z. Kirka me nji mision nga ana e “Vatrës”, i cili do të niset për pak ditë, sikundër ju lajmëruan më parë.
Nuk kemi as ndonjë të re këtu, po më ndieni se tani sa muarm një kabllo të çuditshme nga zoti Vrioni, ku na jep leje të dërgojm nji delegat “konditional”. Këto janë fjalët që përmban kabllo-ja: “Pas vendimit ministerial për zgjedhjen e një deputeti nga ana e “Vatrës”, Këshilla e Naltë pëlqen zgjedhjen e nji deputeti nga ana e “Vatrës”, po me kondita që kandidati të ndodhet të paktën prej tre vjetësh n’Amerikë dhe të gjindet tani atje”. Ipni leje ju lutem t’u thoni që ata të Tiranës mejtojn të bëjn edhe nji vepër ‘Capo D’Opera’ si atë që bënë me mos qasjen në Shqipëri të imzot Nolit.
T’u thom të drejtën, më duket që zotnit e Këshillës Naltë, ose nuk dinë, dhe ashtu që nuk meritojnë të mbajnë atë pozitë, ose nuk dojn të bëjn punëra pa “prapa – mejtime” dhe ca më tepër nuk meritojn atë pozitë. Neve muarm nji javë të shkuar kabllo nga zoti Vrioni si përgjigje të nji pyetje që i bëm, në qoftë se pranojn delegatë të “Vatrës” në bisedimet e mbledhjeve që do të bëhen në Shqipëri, ku na thoshte që pranonte dhe tani pas ca ditësh mir-mejtuan, edhe than- prit të vemë ca kleçka.
Komisioni i “Vatrës”, në mbledhjen e mbajtur më 16 janar, vendosi që përfaqësimi i shqiptarëve të Amerikës me anë të “Vatrës” t’i ngarkohet imzot Nolit, të cilin e lajmëruam mbi këtë vendim, ashtu edhe qeverinë.
Nuk kam tjatër, përveç lutjeve që të pranoni i nderuar zotni përshëndetjet tona plot nderime.
I juaji me besë,

Anastas Pandeli

AMPJ, V.1921, D. 52, fl.1-2.

Filed Under: Vatra

SHQIPTARË TË AMERIKËS REFUZONI TAKIMIN ME REGJIMIN E “ÇYRBES”

October 24, 2024 by s p

Sokol Paja/*

Pas disa ditëve në New York do të zhvillojnë një takim elektoral aktivistët e qeverisë, patronazhistët e partisë, rilindasit e 2013-tës dhe administrate shtetërore e Tiranës me kryeministrin Rama. Çdo shqiptar i Amerikës dhe diasporës duhet të refuzojë takimin me qeverinë më të keqe në historinë moderne të shtetit shqiptar. Shqiptarë të Amerikës, patriotë e atdhetarë respektojeni veten tuaj, refuzoni të takoheni me regjimin e “Tahirit, Beqes, Dakos, Tushes, Ahmetajt, Habilajve, Roshit, Bushit, Çyrbes, Nokës, Rakipit, Shukriut, Allës, Kokës, Gjicit, Xhafës, Peçit, Rrjepaj, Vodës, Avdylajve, drejtorëve të Ballukes” e dhjetëra drejtorëve e qindra abuzuesve e kriminelëve qeveritarë që vjedhin, zhvasin e grabisin pronat dhe paratë e shqiptarëve çdo ditë. Shfaqjet e neveritshme të spektaklit qeveritar duhet të refuzohen me përbuzjen më të thellë e neverinë e tejskajshme prej çdo shqiptari patriot në shenjë homazhi e revolte për shpopullimin e Shqipërisë dhe 1 milion shqiptarët që largoi qeveria Rama nga Shqipëria në 11 vite keqqeverisje. Skandalet e njëpasnjëshme shtetërore arritën kulmin kur para disa ditësh u zbulua një akt i tmerrshëm e skandaloz në Parlamentin e Shqipërisë sesi deputeti i Partisë Socialiste në pushtet Jurgis Çyrbja prej 8 vitesh në Parlamentin e Shqipërisë u shërbente bandave më të rrezikshme në Ballkan të instaluara në Durrës dhe Shijak nëpërmjet aplikacionit “Sky-Ecc”. Deputeti që shet sekretet e shtetit dhe orkestron bandat në fushatë për të mbledhur vota për Partinë në pushtet, kjo nuk duhet të ndodhë në një asnjë vend të botës së 17-të e jo më me një shtet që sapo ka çelur kapitujt e parë të negociatave me Bashkimin Europian. Fenomeni “Çyrbja” i orkestruar nga qeveria në pushtet është shtrirë në çdo qark nga Shkodra, në Fushë-Krujë, Shijak, Durrës, Elbasan, Tiranë, Dibër, Fier e Vlorë. Qeveria dhe krimi janë simbiozë e shkëlqyer. Parlamantarë e të zgjedhur vendorë që fatkeqësisht i shërbejnë krimit të organizuar në vend që ti shërbejnë institucioneve dhe qytetarëve të Republikës. Të fortët me mbështetjen e partisë socialiste caktojnë deputetët e zonës, zgjedhin kryebashkiakun, caktojnë tenderat publikë dhe përcaktojnë fatet politike, ekonomike, demografike e sociale të qyteteve në Shqipëri. Qeveria është dorëzuar para krimit të organizuar. Nën ethet e pushtetit dhe grabitjes së mandatit të katërt Rama po organizon takime hipokrizie me diasporën. Rama fton të takojë ata që vetë i ka dëbuar, një hipokrizi dhe paftyrësi. Qeveri që ngjall turp dhe neveri. Shqiptarët duhet me çdo mjet dhe çdo formë ta refuzojnë qeverisjen kriminale të Edi Ramës i cili për 11 vjet ka shkatërruar Shqipërinë në çdo aspekt.

Rama premtoi legalizime falas, jo vetëm që dështoi të kryejë procesin, por Kadastra Shtetërore është institucioni më i korruptuar në planet. Premtoi shëndetësi falas, njerëzit sot vdesin nëpër spitale pa ilaçe dhe shërbime. Shëndetësia është tmerri dhe fatkeqësia e shqiptarëve me superskandalet si “Onkologjiku”, “Sterilizimi”, “Check-Up” e vjedhje të tjera galopante nga njerëz të lidhur me qeverinë. Premtoi luftë kundër krimit të organizuar, fatkeqëisht sot policia dhe nstitucionet që duhet të luftojnë krimin, janë vënë në shërbim të së keqes. Premtoi rritje të ekonomisë, fatkeqësisht rriti borxhin publik. Premtoi zhvillim të arsimit dhe me qindra shkolla u mbyllën dhe universitetet në rrethe po ashtu. Premtoi ulje taksash dhe fatkeqësisht taksat për shqiptarët u rritën. Atëherë për çfarë na duhet një kryeministër që ka dështuar për 11 vjet në çdo aspekt? Jo të dashur shqiptarë, jo vetëm që refuzojeni por ndëshkojeni me votë keqbërësin Rama dhe eskortën e tij të patronazhisto-aktivistëve. Të gjithë bashkëpunëtorët më të afërt e më të ngushtë të Ramës gjenden pas hekurave dhe Rama nuk ka asnjë moral që të drejtojë më Shqipërinë.

Edi Rama dhe sekti i tij rilindas i kanë sjellë pasoja të tmerrshme Shqipërisë në ekonomi, arsim, siguri kombëtare, keqmenaxhimin e aseteve kombëtare e shtetërore. Shpopullimi i Shqipërisë, burgosja e opozitës, shpartallimi i shtetit ligjor, kontrolli i medias, presioni i vazhdueshëm mbi drejtësinë dhe skandalet e njëpasnjëshme si rasti “Xhaçka” ku partia – shtet shpërfill Gjykatën Kushtetuese duke mbrojtur mandatin e deputetes në papajtueshmëri me Kushtetutën, tregojnë gjendjen e Shqipërisë dhe katandisjen prej socialistëve.
Partia – shtet ka kryefjalë të vetme vjedhjen e çdo qindarke publike. Korrupsioni në Bashkinë e Tiranës, vjedhjet masive në çdo ministri e drejtori, ku “rrugët” dhe “tatimet” janë ferri, tmerri dhe gropa e zezë e parasë publike. Zhvatja është kthyer në sistem. Qelizat e partisë dhe të qeverisë janë kalbur totalisht. Shteti ka rënë. Partia është kthyer në shtet dhe shteti në parti individuale. Shteti ka rënë nën thundrën e partisë-pushtet-shtet. Vjedhjet e abuzimet janë kryefjala qeveritare që iu serviret në menu shqiptarëve. Është jetike për Shqipërinë dhe shqiptarët largimi i Edi Ramës dhe sektit të tij të grabitqarëve dhe ardhja në drejtimin e shtetit të një frymë të re, mentaliteti të ri e gjaku të ri politik e patriotik në politikën dhe institucionet shqiptare. Shqipëria dhe shqiptarët meritojnë reforma, shtet të së drejtës, zhvillim dhe dërgimin para drejtësisë të kryeministrit Rama dhe klanit të tij qeveritar.

Gazeta Dielli dhe Federata Vatra janë institucione kombëtare që qëndrojnë mbi partitë dhe individët, kurse qëndrimet individuale janë qëndrime personale të autorëve në respekt të lirisë së shtypit dhe informimit. Vatra është e unifikuar rreth misionit dhe qëndrimit të saj të palëkundur patriotik, kombëtar dhe vizionar të kryetarit të Vatrës Dr. Elmi Berisha, Kryesisë dhe Këshillit të Vatrës.

*Qëndrim personal i autorit të shkrimit dhe nuk përfaqëson institucionet dhe organizatat ku është i punësuar.

Filed Under: Komente

Arkeologu Arthur Evans: Simbolika e Gjarprit në Kulturën Shqiptare

October 24, 2024 by s p

Nga Ndrek Gjini 

MA, University of Galway, Ireland/

Arkeologu i njohur britanik, Arthur Evans, bëri eksplorime shkencore me rëndrësi në disa  vende trë Ballkanit Perëndimor dhe kulturave antike trë krëtij rajoni. Ai kontribuoi me njohuri të vlefshme për historinë dhe identitetin kulturor të krëtyre popujve. Një prej temave që zuri një vend qendror në shkrimet e tij për Ilirinë ishin Enkelejt, të cilët ai i quajti “njerëzit e gjarprit”. Përmes studimeve dhe hulumtimeve të tij të thella, Evans eksploroi sesi miti i gjarprit dhe figura e tij ishin të ngulitura thellë në kulturën dhe simbolikën e popullit shqiptar dhe atij kosovar.

Simbolika e Gjarprit në Kulturën Shqiptare

Gjarpri ka luajtur një rol të rëndësishëm në artin, zakonet dhe besimet popullore të shqiptarëve që prej kohërave të lashta. Figura e tij shfaqet në gurët e varreve, në veshjet tradicionale të grave, në elementët arkitekturorë dhe në ritualet magjike. Në këto kontekste, gjarpri nuk shihej vetëm si një simbol negativ që përfaqësonte frikën apo të keqen, si në disa kultura të tjera. Në Shqipëri, ai kishte një kuptim më të thellë, duke përfaqësuar pjellorinë, mbrojtjen dhe ciklin e jetës – lindjen, vdekjen dhe rilindjen.

Për shqiptarët, shkatërrimi ose vrasja e një gjarpri që gjendet pranë shtëpisë konsiderohej një mëkat i madh dhe një ogur i keq. Figura e gjarprit ishte e lidhur me mbrojtjen e familjes dhe shtëpisë, ndërsa prania e tij afër një vendbanimi besohej se sillte fat të mirë.

Miti i Enkelejve dhe Origjina e Ilirëve

Evans thekson se Enkelejt ishin një fis ilir që besohej se kishte lidhje të forta me gjarprin, të cilët mund të kenë marrë emrin nga fjala greke “enchelus”, që do të thotë “ngrënësit e gjarpërinjve” ose “njerëzit e gjarprit”. Sipas mitit grek, Kadmi dhe Harmonia, dy figura të njohura mitologjike, u transformuan në gjarpërinj. Kadmi ndihmoi Enkelejt të luftonin kundër ilirëve dhe, pasi triumfoi, u bë mbreti i tyre. Në këtë mënyrë, miti i tyre ishte i lidhur ngushtë me prejardhjen dhe identitetin e Enkelejve dhe popujve të Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë Ilirinë.

Sipas hulumtimeve të Evans, këto mite u përforcuan me gjetjet arkeologjike që datojnë që nga periudha neolitike. Në vendbanimet e hershme të Prishtinës janë gjetur figura prej balte në formë gjarpri që dëshmojnë për kultin e gjarprit. Gjithashtu, zbukurimet e zbuluara në varre ilire tregojnë për rëndësinë e këtij simboli, duke përfshirë dhe byzylykët prej argjendi në formë gjarpri që datojnë nga shekulli VI-V p.e.s. Këto artefakte dëshmojnë për rolin kyç të gjarprit në kulturën ilire.

Simboli i Gjarprit në Krishterim dhe Trashëgimi e Tij në Ballkan

Simbolika e gjarprit nuk është vetëm një veçori e kulturave të lashta të rajonit, por ka dhe rrënjë në traditat fetare. Në Dhiatën e Vjetër, gjarpri përfaqësonte njohurinë, fuqinë, dhe në disa raste të keqen, siç shihet në historinë e Adamit dhe Evës. Ndërkohë, në Dhiatën e Re, Krishti përdor simbolikën e gjarprit për të paralajmëruar kryqëzimin dhe ringjalljen e tij, duke e përfaqësuar atë si një simbol të shpresës dhe shërimit. Këto simbolika të balancuara të gjarprit përfaqësojnë mirë dualitetin e tij në kulturën shqiptare, ku gjarpri ishte dhe një simbol mbrojtjeje dhe pjellorie, përveçse një shenjë cikli jetësor.

Në Shqipëri dhe Kosovë, ky simbol është ruajtur përmes shumë zakoneve dhe supersticioneve popullore. Njerëzit ende besojnë se të gjesh një “gjarpër shtëpie” është një shenjë e mirë, ndërsa vrasja e tij sjell fatkeqësi. Ky simbol vazhdon të ketë rëndësi të madhe në arkitekturën tradicionale të rajonit, ku motivet e gjarprit janë përdorur në objekte të ndryshme të mobilieve dhe ndërtesave, në një stil gjeometrik e abstrakt që lidhet me kulturën ilire.

Simbolika e Dragoit në Mesjetën Ballkanike

Një tjetër figurë e rëndësishme në kulturën e rajonit është ajo e “njeriut-dragua” ose dragoi, i cili gjithashtu lidhet me simbolikën e gjarprit. Në mitologjinë ballkanike, dragoi shpesh përshkruhet si një qenie gjysmë njeri, gjysmë gjarpër, me fuqi të mbinatyrshme për të mbrojtur apo mallkuar njerëzit. Gjatë periudhës mesjetare, kur Ballkani u përball me pushtimin osman, figura e dragoit u shfaq si simbol i fisnikërisë dhe trimërisë. Ndër fisnikët shqiptarë, Gjergj Kastrioti – i njohur më mirë si Skënderbeu, ishte quajtur “Dragoi i Ballkanit” për rolin e tij në mbrojtjen e tokave shqiptare nga Perandoria Osmane.

Një paralele interesante mund të bëhet edhe me Vlad Drakula, fisniku rumun i njohur që gjithashtu mbante titullin “Dracul”, i cili rrjedh nga Urdhri i Dragoit, një urdhër ushtarak i themeluar për të luftuar pushtuesit osmanë në Europën Lindore.

Hulumtimet e Arthur Evans mbi Ilirinë

Hulumtimet e Arthur Evans mbi Ilirinë hedhin dritë mbi mënyrën sesi miti dhe realiteti ndërthuren për të ndërtuar identitetin kulturor të popujve të Ballkanit Perëndimor, veçanërisht të Shqipërisë dhe Kosovës. Simbolika e gjarprit mbetet një element thelbësor i trashëgimisë së tyre, një simbol që vazhdon të ketë rëndësi dhe ndikim në kulturën dhe zakonet bashkëkohore. Kulti i gjarprit, i përhapur që nga epokat e lashta, është një dëshmi e fuqishme e vazhdimësisë kulturore dhe identitetit kombëtar të shqiptarëve dhe rajonit të Ballkanit.

Filed Under: Histori

AKADEMIA SHQIPTARE  NË FAVOR TË AVANCIMIT TË STATUSIT TË SHQIPTARËVE NË MAQEDONI TË VERIUT 

October 24, 2024 by s p

Gjatë muajit korrik në Maqedoninë e Veriut, për opinionin shqiptarë është me interes  iniciativa,  nga ana e VLEN, për themelimin e Akademisë Shqiptare të Shkencës dhe të Arteve. Nuk është befasi se një  ide e tillë nuk është  pritur mirë nga subjektët politike maqedonase, por,është për të habitur animoziteti në mes shqiptarëve në raportët e tyre pozitë-opozitë, duke harruar së avancimi i pozitës dhe statusit të shqiptarëve duhet të jetë çështje parësore e jo interesat personale e partiake. 

Nail  Draga

Si më parë dhe tash kur kemi të bëjmë me çështjet e avancimit të pozitës dhe të statusit të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, të parët të cilët reagojnë pas subjekteve politike janë  akademikët maqedonas me animozitetin e tyre kundër shqiptarëve, sepse institucionin e Akademisë e kanë trajtuar si pronë ekskluzive të tyre, duke margjinalizuar shqiptarët, e madje hapur duke i fyer  sikurse ishte botimi i enciklopedisë.

Ndonëse edhe me herët kanë ekzituar ide, por gjatë verës, në muajin korrik  opinionit iu prezantua  iniciativa  nga VLEN për krijimin e  Akademisë Shqiptare për Shkencë dhe Art, si kundër përgjigje ndaj diskriminimit të vazhdueshëm dhe të  papërfaqësimit të shqiptarëve në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të RMV.  

Do të themelohet Akademia Shqiptare për Shkencë dhe Art në RMV 

Pikërisht në lidhje me këtë çështje  zëvendëskryeministri Izet Mexhiti përmes një statusi në faqen e tij në Facebook ka shkruar  se po jetësohet ideja për krijimin dhe institucionalizimi i Akademisë  së Shqiptarëve për Shkencë dhe Art në Maqedoninë e Veriut. Madje ai cekën se ky institucion fillimisht do të financohet nga komunat, e më pas, do të punojmë drejt sigurimit të mbështetjes shtetërore, duke e bërë këtë Akademi një institucion të qëndrueshëm dhe të financuar në mënyrë të duhur. Ne besojmë fuqimisht se Akademia e Shqiptarëve për Shkencë dhe Art do të shërbejë si një pikë referimi për të gjithë ata që aspirojnë të përparojnë në këto fusha dhe të ndihmojnë në ndërtimin e një të ardhme më të ndritur për të gjithë qytetarët në Maqedoni të Veriut”, ka shkruar mes tjerash Mexhiti.

BDI  është kundër  Akademisë shqiptare 

Ndonëse kemi të bëjmë me një iniciativë e cila duhet të mbeshtetet  nga të gjithë shqiptarët, ndodhi e kundërta, sepse kundër ishin nga partia politike e BDI-së. Madje nga BDI këtë deklaratë e kanë quajtur si skandaloze pasi me idenë që e paraqet VLEN-i kjo Akademi mund të llogaritet si institucion lagjesh, por jo dinjitoz për intelektualët shqiptarë.

Në sajë të deklaratës nga ana e BDI-së thuhet se “ndodhi edhe kjo në vazhdën e serialit “një skandal në ditë” të vazalëve dhe shërbëtorëve të VMRO-së në rolin e poshtëruesve të popullit shqiptar, si pjesëmarrës jolegjitim, pa vullnetin e popullit, në qeverinë monoetnike. Për 30 ditë, na kthyen prapa për 30 vjet! Në përpjekje për të shfaqur ndonjë rezultat dhe për ta ndaluar rënien e lirë që po poshtëron kombin, VLEN paska “themeluar” “AKADEMINË” e shkencave dhe arteve e cila do të finansohet, imagjinoni, nga Komunat, rast i vetëm në botë, një akademi mahallash. Kështu ndodhi me Muzeun e Lirisë, Teatrin për fëmijë dhe me dhjetëra improvizime tjera komunale që shërbyen për të hedhur hi syve. Në vend se të marrin kryesimin e Akademisë shtetërore për shkencë dhe arsim, të krijonin vend për më tëpër akademikë, të votonin ligjin që ne propozuam ndërsa ata e bllokuan me VMRO-në për përfaqësim të drejtë dhe adekuat në ASHAM, këta dolën me “idenë e madhe komunale” që poshtërson akoma më tepër shqiptarët” thuhet në reagimin e BDI-së.

Anomiziteti brenda shqiptarëve

Nga një reagim i tillë nga ana e BDI-së, del qartë se në skenë është  animoziteti  ndaj inicuesve dhe atyre qe mbeshtesin ate,  në rastin konkret ndaj kokurrentëve politik(VLEN), të cilët tash janë  në raporte të kundërta në skenën politike në Maqedoni të Veriut. 

Në kontekst të tyre raportëve zëvendëskryeministri, Arben Fetai, duke nxjerrë një fakt nga“ Instituti për politika publike Arben Xhaferi“, ka shtuar se nga BDI nuk duhet ta kundërshtojnë idenë por të kërkojnë falje për të bëmat e tyre famkeqe.

“Për 22 vite qeverisje të BDI-së, në Akademinë e Shkencave është punësuar një shqiptar, nga gjithsej 63 të punësuar (numrat e vitit 2022). Ky institucion që paguhet nga taksat tona nxorri enciklopedinë famëkeqe që fyu tërë kombin shqiptar, poashtu gjatë qeverisjes së BDI-së.  Të njëjtit e paskan sulmuar nismën e Koalicionit VLEN për themelimin e Akademisë Shqiptare për Shkencë dhe Art. Sikur të kishin një trohë fytyrë, këta do kërkonin falje për veprat e tyre dhe do heshtnin edhe për 22 vite tjera”, ka shkruar Fetai, zëvendëskryeministër për Qeverisje të mirë.

Megjithatë, sipas koalicionit VLEN Akademia Shqiptare për Shkencë dhe Arte do të fokusohet ekskluzivisht në shkencë, art, duke shmangur përfshirjen e politikës. Objektivi, sic thuhet, është të krijohet një mjedis ku shkenca dhe arti mund të lulëzojnë në mënyrë të pavarur dhe profesionale.

Pushteti me qasje unitariste 

Nga ana tjetër nga  VMRO-DPMNE janë deklaruar se në RMV nuk duhet të ketë akademi tjetër të shkencave përpos ASHAMV. Madje  kryetari i kësaj partie, njëherë edhe kryeministër, Hristijan Mickoski thotë se nuk duhet të mendohet për ndarje, por për bashkim. Një qendrim i tillë nuk është befasi sepse ndaj shqiptarëve vazhdon sindromi i kohës së monizmit edhe tash në pluralizëm, nga del se janë kundër institucionëve  që avancojnë pozitën e shqiptarëve në këtë mjedis.

Akademia Shqiptare në favor të identitetit kombëtar

Shqiptarët në MV kanë kapacitete kadrovike, profile e profesioneve të ndryshme që janë dëshmuar me tituj e botime të ndryshme me vlera shkencore e kulturore. Ata mund të përbëjnë një akademi model edhe për të tjerët si në MV por edhe në regjion.

Pikërisht duke pasur kapacitete  të tilla ata e  meritojnë  akademinë  autonome sepse janë përbuzur nga akademia maqedonase. Më sa jemi të informuar aktualisht në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve në MV janë katër shqiptarë, edhe pse e kanë merituar të jenë edhe disa tjerë. Por, maqedonasit  Akademinë nga themelimi i saj(1967) e kanë trajtuar  si subjekt i tyre, ndërsa  shqiptarët aty ishin të huj  apo të padëshiruar. Duke pasur një qasje  dhe animozitet  të tillë në vazhdimësi, iniciativa për themelimin  e Akademisë Shqiptare është i arsyeshëm, andaj duhet  angazhim serioz me individë të përkushtuar dhe të guximshëm për realizimin e një nisme të tillë, e cila është në favor të avancimit të statusit të shqiptarëve në këtë mjedis.

Mungon  Libri Shkollor në shqip

Pas luftës në vitin 2001, në Maqedoni të Veriut,  shqiptarët u bënë pjesë e qeverisë, ku ka qenë kohë e mjaftueshme për angazhimin konkret sidomos në fushën e arsimit, po për fat të keq nuk është treguar kujdesi i duhur, që nuk mund të arsyetohet me asgjë. Nëse këtij konstatimi i shtojmë edhe të dhënën   se në disa mandate ministri i arsimit ka qënë shqiptar, por ka munguar angazhimi konkret në këtë dejtim. 

Andaj, nuk është për t´u çuditur se programet mësimore e tekset shkollore, janë të imponuar për shqiptarët si  në kohën e monizmit. Në veçanti kemi të bëjmë me lëndet e identitetit kombetarë siç janë historia, gjeografia e kultura muzikore, që dëshmohet  në mënyrë transparente përmes teksteve shkollore që janë në përdorim në shkollat më mësim në gjuhën shqipe. 

Andaj si zgjidhje nga kjo situatë shqiptarët duhet të inicojnë themelimin e Entit të Teksteve dhe të Mjetëve Mësimore në Shqip, përkatësisht Libri Shkollor,  i cili do të përgatiste programet mësimore dhe tekstet shkollore për nxënësit shqiptarë, e jo si tash që janë nën çdo nivel dhe diskriminuese për shqiptarët. 

Çdo neglizhencë ne këtë drejtim nga partitë politike të shqiptarëve  e sidomos të atyre që janë pjesë e qeverisë  nuk mund të arsyetohet me asgjë, andaj duhet angazhim konkret me kuadra  profesionale të dëshmuara  dhe të guximshëm, duke qenë në favor të barazisë qytetare e nacionale dhe  të  avancimit të pozitës dhe të statusit të shqiptarëve ne Maqedoninë e Veriut.

(Tetor  2024)

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 847
  • 848
  • 849
  • 850
  • 851
  • …
  • 2938
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJË GJUHË, NJË IDENTITET – STUDENTËT DALIN NË MBROJTJE TË SHQIPËS
  • “Shqiptarët e Amerikës” ndjekin me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut
  • Eshtrat e Hasan Tahsinit duhet të sillen në atdhe
  • “Irani dhe Siguria Kombëtare”!
  • Pamja e Hënës të cilën nuk jemi mësuar ta shohim
  • Analizë strategjike: Roli i SHBA-ve dhe ndikimi i NATO-s në suksesin operacional ushtarak
  • MICKOSKI DHE POLITIKA E KAMUFLUAR NË BALLKAN
  • ÇËSHTJA KOMBËTARE NË POLITIKËN E TIRANËS TË VITIT 1920
  • Në ditëlindjen e Vaçe Zelës, legjendës së gjallë të këngës, zërit që i dha shpirt një epoke
  • 115 vjet nga Kryengritja e Malësisë së Madhe dhe ngritja e flamurit në Deçiq
  • GEORGE POST WHEELER, AMBASADOR I SHBA-SË NË SHQIPËRI (1934) : “SHQIPËRIA DHE BURRAT E SHQIPONJËS…”
  • Përshtypje nga Bashkëbisedimi i AFC-së dhe Mjekëve Gastroenterologë AAGA
  • Një princeshë evropiane përballë traditës shqiptare
  • Arkeologët shqiptarë nën vlerësimin e studiuesit anglez Nicholas Geoffrey Lemprière Hammond
  • E drejta për përdorimin e gjuhës amtare në arsimin e lartë në Maqedoninë e Veriut

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT