• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kujtesa e Luftës së Kosovës në Udhëkryqin e Historisë dhe Kohës – Studime nga Profesor Asistent Abit Hoxha

February 3, 2026 by s p

Rafaela Prifti/

Çfarë bie në sy në studimet për “europianizimin” në kontekstin e kujtesës dhe kujtimeve nga vendasit e luftës së Kosovës, dhe si kultivohet identiteti evropian përballë të kaluarës? Profesor Asistenti Abit Hoxha i Departamentit të Studimeve Nordike dhe Medias në Universitetin e Agderit në Norvegji është një zë i respektuar në studimet e ndërtimit të narrativës së luftës. Si studiues me karrierë të gjatë akademike dhe profesionale në temën e ballafaqimit me të kaluarën, ai sapo mbajti ligjëratën Dyjëzimi i Kujtesës së Luftës në Kosovë, në Seminarin e Antropologjisë, Universiteti i Prishtinës.

Para pesë viteve, punimi shkencor dyvjeçar RePast (policy brief)* i tij me bashkautor Kenneth Andresen nga Universiteti Agder, Kristiansand, Norvegji, jepte disa rekomandime për një qasje të koordinuar ndërsektoriale në përballjen me të kaluarën e trazuar.

“Dallimi i kujtesës si memorie dhe mbamendjes si proces qëndron tek fokusi. E para, përfshin literaturën zyrtare dhe jozyrtare, veprat artistike, historitë dhe tjera aspekte, ndërsa mbamendja, është si të thuash, e bazuar më shumë në historitë gojore, që tregojnë dëshmitarët apo ata që kanë një lloj përvoje në ngjarjet e kohës, përfshirë rrëfimet nëpër gjenerata përmes gojëdhënave. Si e tillë, mbamendja e bën kujtesën kolektive më të pasur,” vëren studiuesi.

Por mbamendja nuk është njësoj midis gjinive dhe midis brezave, për sa i takon përjetimeve të luftës. Hulumtuesi Abit Hoxha, që është i mbijetuar i luftës në Kosovë dhe ka punuar një kohë të gjatë me familjet e personave të zhdukur, e ka trajtuar këtë temë gjerësisht. “Rezultatet nga fokus grupet tregojnë një tejheroizëm të burrave, paçka që shumë ikën në strehim në male dhe gratë qëndruan në shtëpitë e tyre.”

Kontrasti midis dominimit të heroizmit në rastin e rrëfimit të luftës nga burrat dhe, përuljes dhe vuajtjes, krahazi me etiketimin si viktimë për gjininë femërore, është pjesë e asaj “sesi ju interpretohet të rinjve tregimi për luftën në Kosovë nga familja dhe rrethi. “Shumë respondentë thonë “babai ka kontribuar në luftë duke ikur në mal, ndërsa nëna është viktimë e dhunës serbe sepse qëndroj në shtëpi dhe u keqtrajtua nga forcat serbe.” Ky parafrazim reprezenton çka të rinjtë flasin për përjetimet e prindërve në luftë.”

Si kujtesa e luftës, edhe ballafaqimi me të kaluarën, janë të lidhura me kohën, por të dyja me diferencime gjinore. Ndërsa për burrat narrativi është i kryer, dhe rrëfimet janë “pa rrezik” të paraqitura si kontribute për luftën, për gratë, lufta është e vazhdueshme edhe sot “në rrezikshmërinë që përmbajnë në vetvete historitë e tyre të luftës.” Në rrëfimet e grave, lufta ende vazhdon.

Duke qenë kohorë, pyetemi nëse anëtarësimi i Kosovës në BE nënkupton “memorie historike evropiane që legjitimon dhe kultivon identitetin evropian (Prutsch 2017) dhe nëse kujtesa “me tipare evropiane” e luftës në Kosovë do ta përmbushte shqetësimin kryesor të evropianëve, që është pajtimi. “Siç ceket në studim, shumica e politikave evropiane në fushën e ballafaqimit me të kaluarën nuk i përmbushin pritjet e asnjërës palë, as nga shqiptarët, dhe as nga serbët, pikërisht, për shkak se janë gjithëpërfshirëse.

Kjo ndodh ngaqë politikat evropiane kanë pasë për qëllim më shumë “zgjidhjen e problemit” të konfliktit se sa pajtimin dhe zgjedhjen afatgjatë,” thotë kërkuesi shkencor Hoxha. Ballafaqimi me të kaluarën nuk qëndron kurrë statik, por, studiuesi vëren se sa më shumë kohë kalon, aq më i madh bëhet hendeku dhe pajtimi më i pamundshëm.

Për sa i takon ardhmërisë, pavarësisht një doze idealizmi, subjektet e sondazhit në Kosovë janë realistë dhe praktikë në: pritshmëritë ekonomike të anëtarësimit në BE për Kosovën dhe lehtësirat personale, si pajisja me viza për ata vetë. Megjithatë, pjesëmarrësit në grupet e fokusit janë të kthjelltë në pamundësinë e Evropës për të qenë e suksesshme në gjurmët, që ka lënë e kaluara në Kosovë, konkretisht, lufta. Studiuesi qartëson se “popullata në Ballkan, posaçërisht në Kosovë, nuhat shumë mirë mundësitë e BE për të ndihmuar apo imponuar diçka. Qëndrimi i paarsyeshëm i BE ndaj Kosovës për çështjen e vizave deri në vitin 2024, prodhoj një pakënaqësi, që reflekton edhe në aspektet e marrëdhënieve me BE, siç shihet nga respondentët tek perceptimi i dialogut të Qeverisë së Kosovës me Serbinë.”

Duke kthyer sytë nga mësimi i historisë, studiuesi Hoxha thotë se tipari më i dallueshëm është paqëndrueshmëria. “Për një kohë të gjatë, karakteristika dalluese është narracioni i paqëndrueshëm për luftën në Kosovë. Kjo ka ardhur si pasojë e mosinvestimit dhe apatisë së institucioneve të historisë dhe autorëve, siç ishte rasti i të ftuarve nga Prokuroria e Përgjithshme e Dhomave të Specializuara, që punuan pa kritere akademike apo shkencore. Pasoja më flagrante është demonizimi i lëvizjes çlirimtare. Sa i takon librave të historisë dhe shkollore në Kosovë, ato janë të cilësisë së dobët, siç është evidentuar në raportin tim me bashkautore Dr. Anna Di Lellio. Në përgjithësi, botimet keqprezantojnë periudha të historisë sidomos nga Lufta e Dytë Botërore e këtej. Disa nisma në Kosovë bëjnë një punë të madhe, por edhe ato kanë për qëllim agjendat politike dhe joshkencore,” vëren doktoranti për mediat në konflikt në LMU të Mynih-ut, Gjermani, Abit Hoxha.

Kujtesa, në ndërtimin e së kaluarës, ndonëse një fjalë e vetme, është një sistem i ndërvarur dhe i ndërlikuar, ku imponimet shihen “që në oborr” dhe, ku, qasjet e qarta shkencore janë vetëm fillimi.

*Punimi (2019-2021) i titulluar RePast është pjesë e projektit të financuar nga Bashkimi Evropian në kuadër të platformës Horizon 2020. Pjesa e studimit në Kosovë u realizua me pjesëmarrjen e 6 grupeve të fokusit me 51 individë, burra dhe gra, të etniteteve kryesore në Kosovë, me 20 intervista cilësore të fokusuara, ndërsa një studim i gjerë u zhvillua në Greqi, Qipro, Bosnjë Hercegovinë, Spanjë, Gjermani, Poloni dhe Irlandë. Një listë më e plotë të raporteve të projektit gjendet në vegëzën https://cordis.europa.eu/project/id/769252/results

Filed Under: Komente

Jani Vreto dhe Rilindja Kombëtare Shqiptare

February 3, 2026 by s p

Jani Vreto është një nga figurat më përfaqësuese dhe më komplekse të Rilindjes Kombëtare Shqiptare të shekullit XIX, intelektual, mendimtar, polemist dhe veprimtar i palodhur i çështjes kombëtare. Ai lindi më 14 janar 1822 në fshatin Postenan, pranë Leskovikut. Arsimin e mesëm e kreu në gjimnazin e njohur “Zosimea” të Janinës, një nga institucionet arsimore më prestigjioze të Ballkanit të kohës, ku u formua një elitë e gjerë intelektuale e rajonit. Që në vitin 1847, gjatë ndjekjes së studimeve në këtë gjimnaz, Vreto shkroi poemën “Historia e Skënderbeut” dhe nisi të interesohej në mënyrë të vetëdijshme për gjuhën shqipe dhe për çështjen kombëtare. Pikërisht gjatë këtyre viteve ai provoi për herë të parë shkrimin letrar si mjet shprehjeje ideore, duke e shndërruar figurën e Skënderbeut në simbol të vazhdimësisë historike dhe identitetit kombëtar shqiptar. Ky formim klasik, filozofik dhe filologjik i fituar në Janinë u bë baza e qëndrueshme mbi të cilën do të ndërtohej më vonë veprimtaria e tij kulturore, politike dhe polemike.

Në vitin 1854, Jani Vreto u shpërngul me familjen në Stamboll, ku u integrua në rrethin e intelektualëve shqiptarë të kohës, të cilët angazhoheshin në avancimin e gjuhës shqipe, përmirësimin e arsimit dhe mbrojtjen e të drejtave kombëtare. Në kryeqytetin e Perandorisë Osmane, Vreto luajti një rol të rëndësishëm në zhvillimin e botimeve shqipe, përfshirë përkthime dhe tekste mësimore, që synonin të forconin identitetin kombëtar dhe të kultivonin ndjenjën e bashkimit mes shqiptarëve. Veprimtaria e tij kulmoi në vitin 1877 me pjesëmarrjen në Komitetin Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare, një moment vendimtar për çështjet territoriale dhe politike të Shqipërisë, kur shqetësimet për copëtimin e territoreve shqiptare po bëheshin gjithnjë e më të theksuara. Angazhimi i Jani Vretos dhe i bashkëpunëtorëve të tij nuk ndikoi vetëm në mbrojtjen e të drejtave kombëtare, por edhe në ngritjen e vetëdijes kulturore dhe shkencore shqiptare, duke lënë një trashëgimi të qëndrueshme për brezat e ardhshëm.

Së bashku me Ismail Qemalin, Hasan Tahsinin, Kostandin Kristoforidhin dhe Pashko Vasën, Jani Vreto kontribuoi në hartimin e Alfabetit të Stambollit, një projekt thelbësor për njësimin e shkrimit të gjuhës shqipe dhe për krijimin e bazës së arsimit kombëtar. Ky ishte një akt me rëndësi jo vetëm kulturore, por edhe thellësisht politike. Në planin ideor, veprat “Apologjia” (1878) dhe “Mirëvetija” (1886) shënojnë një kthesë të rëndësishme në kulturën shqiptare, duke themeluar etikën dhe polemikën si forma moderne të mendimit kombëtar. Në to, Vreto mbrojti tërësinë territoriale të Shqipërisë dhe projektoi figurën e qytetarit të lirë, të arsimuar dhe moralisht të përgjegjshëm, duke e lidhur fatin e kombit me dijen, arsimin dhe arsyen. Shkrimet e tij mbi fenë janë shpesh objekt keqleximesh në ditët e sotme. Ndërsa Jani Vreto ishte i përkatësisë fetare krishtere ortodokse, reflektimet e tij mbi fenë duhen kuptuar në kontekstin e shekullit XIX dhe të mendimit rilindës, jo të instrumentalizohen në mënyrë anakronike. Përpjekjet për të ekzagjeruar apo problematizuar këtë aspekt janë shpesh tentativa për të “gjetur gjilpërën në kashtë”, duke anashkaluar thelbin e veprimtarisë së tij.

Fakti që Jani Vreto ishte bashkëthemelues i Shoqërisë së të Shtypurit Shkronja Shqip, së bashku me shqiptarë të besimit katolik, mysliman dhe bektashi, dëshmon qartë se identiteti i tij kombëtar ishte i kristalizuar dhe i pakushtëzuar. Për të, kombi ishte mbi dallimet fetare, dhe bashkëpunimi ndërfetar ishte jo vetëm i mundur, por i domosdoshëm për ndërtimin e një kulture dhe shoqërie kombëtare.

Në këtë kontekst veprimtarie kulturore dhe ideore, Jani Vreto u angazhua edhe në botimin e revistës “Drita”, e cila më pas mori emrin “Dituria”. Revista u botua në Konstandinopojë nga gushti i vitit 1884 deri në korrik të vitit 1885 dhe përfaqëson një nga përpjekjet më të rëndësishme të Rilindjes Kombëtare për përhapjen e dijes, gjuhës shqipe dhe mendimit kombëtar. Në faqet e saj trajtoheshin çështje të arsimit, gjuhës, historisë dhe etikës qytetare, duke synuar formimin e një publiku të arsimuar dhe të vetëdijshëm për identitetin kombëtar. “Dituria” shërbeu si një platformë intelektuale ku kultura, arsimi dhe atdhedashuria ndërthureshin në funksion të projektit rilindës, duke e vendosur shtypin shqiptar në qendër të përpjekjeve për emancipim shoqëror dhe kombëtar.

Pas mbylljes së Gazetës “Dituria”, ai udhëtoi në Egjipt dhe në Rumani, ku organizoi degët e Shoqërisë së të Shtypurit Shkronja Shqip. Me ndihmën e bashkatdhetarëve, ngriti një shtypshkronjë dhe nisi botimin e një numri të konsiderueshëm librash në gjuhën shqipe, të cilët u përhapën në shkollat dhe rrethet atdhetare në Shqipëri, duke kontribuar drejtpërdrejt në përhapjen e arsimit dhe të vetëdijes kombëtare.

Po në këtë periudhë, më 1884, Jani Vreto ndërmori një nga përpjekjet e para për të shqipëruar vargje nga vepra e Xhorxh Gordon Bajronit, duke u ndalur veçanërisht te poema romantike Shtegtimet e Child Haroldit, e cila kishte luajtur një rol të rëndësishëm edhe në bashkësitë e tjera shqiptare në Evropë, në Rumani dhe gjetkë. Vreto shqipëroi vargje nga Kanto II, kushtuar Shqipërisë, dhe i përfshiu ato në ligjëratën e tij të mbajtur në Bukuresht, duke iu drejtuar jo vetëm shqiptarëve, por edhe elitave europiane të interesuara për proceset e zgjimit të identiteteve kombëtare në Ballkan. Përmes këtij akti kulturor, ai e vendosi Shqipërinë në një horizont europian të romantizmit politik dhe historik, duke e lidhur kauzën kombëtare shqiptare me diskursin më të gjerë të lirisë dhe identitetit të kombeve:

“Moj Shqipëri! Moj leondare,

që ke pjellë leondarë,

përse s’i kthen sytë

edhe nga ne?”

Ky shqipërim dhe përdorimi i poezisë bajroniane shërbeu si një urë ndërmjet traditës kulturore europiane dhe aspiratave kombëtare shqiptare, duke theksuar jo vetëm trimërinë si cilësi të shqiptarëve që Bajroni kishte vënë re, por edhe duke i bërë një thirrje Evropës së atëhershme për të njohur virtytet e tjera të shqiptarëve. Shqipërimi i këtyre vargjeve bajroniane dhe përdorimi i tyre në ligjëratat e Vretos në Koloninë Shqiptare në Bukuresht përfaqëson një thirrje të qartë për angazhim patriotik, për të lidhur të kaluarën heroike me të ardhmen kombëtare, dhe përforcon rolin e kulturës dhe letërsisë si mjete të pavdekshme të vetëdijes dhe identitetit shqiptar.

Sot, përkujtimi i Jani Vretos është më shumë se një akt nderimi historik: është një kujtesë e fuqishme se Rilindja Kombëtare Shqiptare ishte një projekt i thellë kulturor, etik dhe qytetar. Dilemat identitare të përcaktuara nga indetiteti fetar që ndonjëherë i imponohen sot figurës së tij janë më tepër stårhollime kins “intelektuale” të së tashmes, jo të Jani Vretos, i cili e kishte zgjidhur prej kohësh përkatësinë e tij kombëtare — me fjalë, me vepra dhe me vizion.

Nga Dr. Dorian Koçi ,Gazeta Nacional -24 Janar, 2026

Filed Under: Politike

“Vatra Long Island” fton komunitetin në festën e Pavarësisë së Kosovës që organizohet më 15 shkurt 2026

February 2, 2026 by s p

“Vatra” Long Island zhvilloi mbledhjen e parë për vitin 2026. Mbledhja u hap nga kryetari Dr. Paulin Marku. Fillimisht, ai falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen dhe shprehu mirënjohje për secilin anëtar/e të degës për bashkëpunimin dhe realizimin me suksese të veprimtarisë atdhetare patriotike në diasporë, në SHBA.

Në mbledhje u propozua dhe u miratua unanimisht organizimi i festës së Pavarësisë së Kosovës, të cilën “Vatra” Long Island, në bashkëpunim me shkollën shqipe “Gjergj Fishta” New York, do ta organizojnë me koncert muzikor dhe katering falas për të pranishmit, më datën 15 shkurt 2026, ora 2:00 pm.

Në mbledhje u raportua bilanci financiar i degës për vitin 2025. Po ashtu, të pranishmit u njohën me rregullat dhe afatet kohore të zgjedhjes së Kryetarit të ardhshëm të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës “Vatra”, ku kuvendi do të mbahet më 25 prill 2026.

Kryetari Dr. Paulin Marku prezantoi arritjet dhe sukseset që dega Long Island, N.Y., ka pasur në zhvillimin e aktiviteteve të ndryshme me komunitetin shqiptar në Long Island dhe pjesëmarrjet nëpër evenimente të ndryshme me interes kombëtar.

Të pranishmit diskutuan dhe propozuan disa projekte të rëndësishme, të cilat i shërbejnë komunitetit shqiptar dhe hedhin hapa të rëndësishëm në trashëgiminë shqiptare ndër breza. Bashkimi i komunitetit shqiptar dhe rritja e pjesëmarrjes në aktivitete kulturore atdhetare në mërgatë është qëllimi i degës tonë.

Një falënderim të veçantë shprehu edhe për mbështetjen dhe bashkëpunimin me prindërit dhe shkollën shqipe “Gjergj Fishta” New York, të cilët kanë dëshmuar seriozitet, sukses dhe arritje në përmbushjen e programit mësimor për mësimin e gjuhës amtare, historisë kombëtare dhe vlerave kombëtare shqiptare.

Komuniteti shqiptar në Long Island është një zë i fortë dhe themeli i të ardhmes së ruajtjes së vlerave kombëtare shqiptare këtu në tokën e bekuar, në vendin e lirisë, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Të pranishmit në mbledhje ishin: Paulin Marku, Afrim Gega, Besnik Bajraktari, Klaudio Turkaj, Prend Ndoja, David Turkaj, Valdrin Mulaj, Bashkim Kastrati, Tonin Marku, Nesti Syku.

Filed Under: Vatra

Tradita Amerikane e “Groundhog Day”, -25°F dhe ngrohja globale që na gjeti me pallto leshi

February 2, 2026 by s p

Çdo 2 shkurt, Amerika ndalon për disa minuta punën, politikat, bursën dhe debatet mbi ngrohjen globale për të pyetur një marmotë: “Phil, ç’thua ti, a po ikën dimri?” Dhe marmota del nga strofulla, shikon hijen, nuk e shikon hijen, ngatërron hijen me kameramanin – dhe kombi merr frymë thellë. Shkenca mund të presë. Marmota ka fjalën. Groundhog Day është një festë që i reziston logjikës moderne me një këmbëngulje për t’u admiruar. Në një botë me satelitë, superkompjuterë dhe aplikacione moti që gabojnë vetëm pas 15 minutash, amerikanët zgjedhin të besojnë një kafshë që zgjohet nga gjumi dimëror dhe jep parashikime me saktësi rreth 40 për qind. Me pak fjalë: më pak se një meteorolog i lodhur, por shumë më simpatik.

Këtë vit, Groundhog Day na gjeti me -25 gradë Fahrenheit, një temperaturë që të bën të dyshosh seriozisht në ekzistencën e ngrohjes globale – të paktën në lagjen tënde. Ndërkohë që ekspertët flasin për rritje temperaturash, shkrirje akujsh dhe fundin e planetit, emigranti shqiptar në Amerikë del në mëngjes dhe mendon: “Nëse kjo quhet ngrohje, s’dua ta imagjinoj ftohjen.”

Dhe këtu fillon ironia e madhe globale: bota po digjet… por ne po ngrijmë. Një ditë përvëlohesh nga vapë rekord, ditën tjetër makina nuk ndizet nga i ftohti polar. Ngrohja globale nuk na solli klimë tropikale; na solli kaos klimatik, një lloj Groundhog Day planetar ku stinët dalin nga strofulla të hutuar. Për emigrantin shqiptar, ky absurd klimatik përputhet në mënyrë perfekte me jetën e përditshme. Çdo ditë zgjohet herët, shikon motin, shikon faturat, shikon statusin ligjor, shikon lajmet nga Shqipëria – dhe kupton se dita po përsëritet. Si në filmin “Groundhog Day”, vetëm se pa humorin e Hollivudit dhe pa garanci për fund të lumtur.

“Pranvera” për shqiptarin në SHBA nuk matet me gradë Celsius apo Fahrenheit. Ajo matet me letra, me sigurime, me orë pune, me pushime që shtyhen dhe me ëndrra që ngrihen përkohësisht nga realiteti. Edhe kur termometri ngjitet, emigracioni mbetet një dimër i gjatë me disa ditë me diell.

Ndërkohë, në Shqipëri, Groundhog Day festohet çdo vit në version politik. Çdo sezon zgjedhor, e njëjta marmotë institucionale del nga strofulla, sheh hijen e vet dhe shpall: “Dimri do zgjasë edhe pak, por pranvera po vjen.” Dhe shqiptarët presin. Presin reforma, presin drejtësi, presin ekonomi, presin… derisa vjen dimri tjetër.

Ironia është se si Amerika, ashtu edhe Shqipëria, jetojnë në versione të ndryshme të të njëjtës pritje. Njëra pret fundin e dimrit klimatik, tjetra fundin e dimrit shoqëror. Në të dyja rastet, marmota nuk mban përgjegjësi. Ajo bën punën e saj. Njerëzit janë ata që vazhdojnë të presin.

Edhe miti se Punxsutawney Phil është mbi 130 vjeç dhe “nuk plaket kurrë” tingëllon jashtëzakonisht modern. Në një botë që ndryshon çdo ditë, disa zakone mbeten të pavdekshme. Ashtu si pritja shqiptare për pranverë, ashtu si premtimet politike, ashtu si shpresa se “vitin tjetër do jetë më mirë”.

Por ndoshta këtu qëndron edhe mësimi i vërtetë i Groundhog Day. Marmota nuk ka faj. As moti. As klima. As -25°F. Problemi është kur njerëzit presin shenja nga natyra, nga kafshët, nga liderët apo nga fati, në vend që të ndryshojnë sjelljen e tyre.

Ngrohja globale nuk zgjidhet duke pyetur marmotën. As emigracioni nuk zgjidhet duke pritur mrekulli. Pranvera nuk vjen sepse dikush e parashikon; ajo vjen sepse dikush vendos të veprojë. Deri atëherë, le ta festojmë Groundhog Day siç duhet: me humor, me pallto të trashë, me ironi globale dhe me bindjen se, edhe në -25°F, shpresa është gjëja e vetme që nuk ngrin.

Rafael Floqi

Filed Under: Reportazh

“BORDI I PAQES”, NJË SPROVË PËR SHQIPTARËT NË NJË BOTË QË PO NDRYSHON

February 2, 2026 by s p

Firmosja në Davos e statutit themeltar të “Bordit të Paqes” nga 20 shtete, është një reflektim i qartë i një bote që po largohet nga skemat klasike të rendit ndërkombëtar multilateral. Gaza është “guri i provës”. Por, Bordi i Paqes synon që të veprojë përtej Gazës, nëpërmjet mekanizmave fleksibël të ndërmjetësimit, në mbrojtje të paqes globale.

Sot ne po shikojmë një botë gjithnjë e më tepër multipolare. Konfliktet po zgjasin dhe institucionet ndërkombëtare janë bllokuar nga rivalitetet e mëdha. Prandaj, ideja e një platforme dialogu të drejtpërdrejtë, qoftë rajonale apo globale, merr një peshë politike reale.

Kosova e firmosi statutin në Davos. Ndërkohë Shqipëria e ratifikoi marrëveshjen për t’u bërë pjesë e Bordit të Paqes. Ky është një moment i rëndësishëm historik për ne shqiptarët. Tashmë, shqiptarët nuk po shfaqen më thjesht dhe vetëm si një çështje e paqes ballkanike, por si aktorë të rëndësishëm kontribuues në diskursin global të paqes.

Për Kosovën, ky angazhim është një mundësi për të forcuar më tej subjektivitetin shtetëror. Njëherazi kjo vlen për të konsoliduar imazhin e saj si faktor stabiliteti. Kosova është pjesë e zgjidhjes, jo e problemit. Njohjet dhe mbështetja ndërkombëtare mbeten thelbësore për Kosovën. Kosova po lufton prej dekadash për të qenë pjesë e organizmave ndërkombëtare. Prandaj, çdo platformë diplomatike që rrit dukshmërinë dhe besueshmërinë e saj është strategjikisht tepër e vlefshme.

Ndërkohë për Shqipërinë, pranimi i ftesës për në Bordin e Paqes është vijimësi e rolit të saj si një faktor i paqes dhe stabilitetit në Ballkan. Shqipëria qysh prej themelimit të saj është konceptuar si një element ekuilibri dhe paqeje në Europë. Shqipëria ka investuar në dekada për një diplomaci të qetë, euroatlantike dhe pro-dialogut. Pjesëmarrja në një nismë të tillë shërben për rritjen e mëtejshme të profilit të saj ndërkombëtar. Kryesimi i OSBE-së, krahas pjesëmarrjes në NATO, OKB, Këshillin e Europës apo BE, e ka konsoliduar më tej profilin paqedashës të Shqipërisë.

Megjithatë, sfida kryesore për shqiptarët është menaxhimi i pritshmërive. E ardhmja do të na tregojë, sesi ky organizëm do të konfigurohet në arenën ndërkombëtare. Përfitimi real për Shqipërinë dhe Kosovën qëndron në aftësinë për të kontribuuar në këtë instrument diplomatik. Aty mund të ndërtohen aleanca, për të rritur besimin dhe për të mbrojtur interesat tona në tryezat e vendimmarrjes globale. Angazhimi përmbajtësor, e ul riskun e një pjesëmarrjeje thjesht simbolike.

Lidershipi europian e ka pritur me skepticizëm nismën, por nga ana tjetër ai është i dobët përballë sfidave globale të sigurisë. Udhëheqësia është arti për ta parë të ardhmen me sytë e së shkuarës, duke e transformuar të tashmen. Udhëheqësia është nerv, nuk është zhurmë. Ajo matet me aftësinë për të nxjerrë kuptim nga historia dhe për ta kthyer atë në udhërrëfyes të së ardhmes.

Nëse ne nuk mund të shohim pas me ndershmëri, nuk do të mund të shohim përpara me mençuri. Historia nuk është thjesht kujtesë e së shkuarës. Ajo është busulla morale e lidershipit.

Në fund, kjo nismë për shqiptarët është edhe një sprovë politike, sesa të përgatitur jemi ne sot për të vepruar si aktorë të përgjegjshëm në një botë që po ndryshon. Mundësia është reale. Suksesi do të varet nga maturia, koherenca dhe vizioni ynë strategjik.

Dr. Evarist Beqiri

Filed Under: Ekonomi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 85
  • 86
  • 87
  • 88
  • 89
  • …
  • 2930
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kullat e familjeve të mëdha patriotike si objekte të trashëgimisë historike
  • ALARM SIGURIE DHE NDËRGJEGJËSIMI KOMBËTAR
  • Edith Durham – Shqiptarët dhe serbomalazezët në 1910-1912
  • Public Statement from VATRA
  • “Universi Biblik” si pasuri e Muzeut të Artit Mesjetar
  • Lavdi përjetë martirëve të 2 prillit!
  • KOSOVA DHE PAVARËSIA E SAJ NË KËNGËT E ARIF VLADIT
  • Masakra e Tivarit – Një e vërtetë e shtypur për shumë kohë
  • Pasqyrimi në filateli i mbështetjes amerikane ndaj Shqipërisë gjatë L2B
  • MASAKRA E TIVARIT, 1945: HESHTJA ZYRTARE QË VAZHDON TË VRASË
  • DR.ATHANAS GEGAJ, EDITORI I “DIELLIT” NË OPTIKËN E DOKUMENTEVE ARKIVORE TË VATRËS (1963-1971)
  • Kujtojmë në ditën e lindjes patriotin e shquar Kostandin Çekrezi, figurë e rëndësishme e historisë dhe publicistikës shqiptare
  • Vasil Rakaj, malësori që ngjizi me shkëmb, metal, dru, baltë dhe shpirt, altarin e përjetësisë
  • “Ajo që pashë në Raçak më ndryshoi jetën”, ambasadori Walker rrëfen në Boston çfarë ndodhi në Kosovë
  • VATRA Boston dhe Kisha “Holy Trinity” promovuan librin “Saint Paul in Dyrrach” të profesor Thanas Gjikës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT