• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Bardi i modernizmit në poezinë shqipe

July 21, 2026 by s p

Dr. Dorian Koçi*/

Një zë poetik që ndërtoi vetëdijen e Kosovës moderne.

Nga fundi i viteve ’60 dhe fillimi i viteve ’70, letërsia shqipe përjetoi një nga periudhat e saj më delikate. Në Shqipëri, letërsia zyrtare i ishte dorëzuar Realizmit Socialist si ideologji estetike, ndërsa në Kosovë, ndonëse nën trysninë e një federalizmi jugosllav që tentonte të gërryente çdo përpjekje për vetëdije kombëtare, nisi të shpërthente një rrymë poetike ndryshe: moderne në formë, autentike në përmbajtje dhe të ngulitur në dramën ekzistenciale të shqiptarit të Kosovës. Një nga zërat më të shquar të kësaj rryme ishte Ali Podrimja, i cili me vargun e tij të shkurtër, të vrullshëm dhe shpesh dramatik, solli një frymë të re në poezinë shqipe.

Poezitë e tij u shfaqën në Shqipëri për herë të parë në përmbledhjen antologjike “E di një fjalë prej guri” më 1971, krahas poetëve si Azem Shkreli, Esat Mekuli e Din Mehmeti. Kjo përmbledhje përbënte jo vetëm një pasqyrë të nivelit të lartë të krijimtarisë letrare të Kosovës, por edhe një sinjal të qartë se poezia mund të përfaqësojë një ndërgjegje politike dhe kulturore më të thellë sesa propaganda e kohës. Në këtë kontekst, Ali Podrimja shfaqej si “biri i Kosovës”, që dinte t’i jepte zë dhimbjes, mallit, kujtesës, por edhe revoltës së brendshme që buronte nga mohimi historik.

Poema e tij emblemë, “Unë, biri yt Kosovë”, nuk është thjesht një shprehje e dashurisë për vendlindjen, por një akt i njohjes intime të plagëve historike të një kombi. Ai e njeh Kosovën si të ishte vetë trupi i tij: me gjak, me vdekje, me lindje të bardha, me netë të pagjumta. Vargjet e tij shndërrohen në një hartë ndjenjash që lexohen si akte poetike të vetëdijes kombëtare.

Në veprën “Republika”, Platoni kishte përjashtuar poetët nga shteti ideal me arsyetimin se dobësonin shpirtin luftarak të qytetarëve. Historia e letërsisë botërore, por sidomos ajo shqiptare e shekullit XX, ka dëshmuar të kundërtën. Në rastin e Kosovës, pikërisht poetët si Podrimja ishin ata që ruajtën gjallë identitetin shpirtëror të kombit në një kohë kur ai rrezikohej të tretet nën ideologjitë internacionaliste dhe kolonializmin kulturor. Arti i tij nuk ishte thjesht estetikë; ishte mjet rezistence.

Poema “Ankthi” është një kulm i ndjenjës së braktisjes dhe përgjegjësisë njëkohësisht. Aty gërshetohen simbolika mitike dhe konkrete: toka që digjet, skamja që lidh këmbët, zogjtë e ngrirë në ajër — të gjitha këto shndërrohen në metafora të një realiteti të vështirë për t’u përballuar, por të pamundur për t’u mohuar.

Stili i Podrimjes ishte një refuzim i hapur i retorikës së zbrazët. Ai e përmbyste hierarkinë tradicionale të vargut, duke u fokusuar tek fjala si akt i shenjtë. Fjalët e tij janë të kursyera, të ngjeshura, të përzgjedhura me një intensitet që i jep poezisë një dimension etiko-ekzistencial. Tek “Me jetue”, ai i drejtohet të birit, Lumit, me një testament poetik të thjeshtë por të thellë: të jetosh, të ecësh më tej, të mos lehtësosh kurrë veten përballë historisë.

Ky modernizëm formal nuk ishte eksperiment për hir të estetikës, por pasqyrë e fragmentimit të shpirtit shqiptar në një epokë ndarjeje dhe përjashtimi. Poezia e Podrimjes nuk përpiqej të stoliste dhimbjen, por ta shfaqte lakuriq, me tërë tragjikën e saj. Tek “Epika” ai shpall me ton biblik: “Kosova është gjaku im që nuk falet”, një varg që ka hyrë në ndërgjegjen kolektive shqiptare si një stigmë e papërpunueshme.

Poezia “Parisi, vendlindja” e paraqet më së miri dimensionin universal të poezisë së Podrimjes. Ai ndërton një urë mes fshatit të tij të thellë dardan dhe metropolit europian, por nuk dorëzohet përballë shkëlqimit të Parisit. Ai shkon atje me fyellin — simbol i memories dhe identitetit shqiptar — si mjet për të ruajtur qenien e vet dhe për të treguar se moderniteti nuk është harrim, por integrim i kujtesës. Ai nuk do të përkulet para perëndive të krisura të kohës; përkundrazi, përballë klosharëve të natës pariziene, do të ndiejë erën e ftoit të vendlindjes.

Shuarja e Podrimjes në vitin 2012, në një mënyrë të mistershme në Francë, ishte si një simbolikë e fundit poetike: bardët nuk vdesin në vendin e tyre, por në udhëtim — të vetmuar, si yje që bien në një natë të zezë. Por vdekja e tij nuk ishte heshtje. Ai vetë e kishte parashikuar: “Në trupin tim / plaga më e thellë”. Në poezinë “Rënkimi”, ai i drejtohet rrafshit të Dukagjinit me një klithmë që i kapërcen kufijtë e letërsisë: është një klithmë metafizike për një drejtësi të munguar, për një plagë që nuk mbyllet, për një atdhe që nuk mund të ndalet në vaj.

Ali Podrimja nuk ishte vetëm një poet i Kosovës. Ai ishte një poet i Shqipërisë në kuptimin më të thellë të saj: i trungut të ndarë, i fjalës së mohuar, i kujtesës së rrezikuar. Ai ishte bashkëkohës me të gjitha sfidat e shekullit XX, por njëkohësisht përtej tyre: një udhëtar mes gjuhës dhe vetëdijes.

Nëse Homeri rrëfeu epopenë e Trojës, Podrimja rrëfeu epopenë e Kosovës. Në vend të kalorësve, ai kishte metafora. Në vend të shpatave, kishte fjalë. Por plagët ishin po aq të thella.

Prandaj, nëse sot duam të kuptojmë historinë, kulturën dhe identitetin e Kosovës moderne, nuk mund ta bëjmë pa kaluar përmes vargjeve të këtij bardhi modern, që me një trup të pakët e zë të butë, bëri që fjala shqipe të ushtonte në bjeshkët dhe në metrotë e Evropës.

“Ma jep besën, Lum Lumi,

se nuk do të harrojmë vendlindjen.”

— Ali Podrimja

*Ripostim.

Filed Under: ESSE

Riviera Shqiptare, destinacioni i ri i investimeve në Mesdhe

July 21, 2026 by s p

9125c20b-c3db-41dc-ad2d-ea31f96e529c

Si po e vendos Vlora Marina Shqipërinë në hartën ndërkombëtare të zhvillimeve.

Prej dekadash, Mesdheu ka qenë një nga tregjet më tërheqëse për investime në pasuri të paluajtshme. Italia, Greqia, Kroacia dhe Spanja kanë ndërtuar një reputacion të konsoliduar, ku rezidencat buzë detit janë bërë simbol i një stili jetese cilësor dhe një investimi afatgjatë.

Ndërsa këto tregje janë maturuar dhe çmimet kanë arritur nivele të larta, vëmendja e investitorëve po zhvendoset drejt destinacioneve të reja, që ofrojnë ende potencial të konsiderueshëm zhvillimi, standarde bashkëkohore dhe mundësi reale për rritjen e vlerës së investimit.

Në këtë realitet të ri, Riviera Shqiptare po shfaqet si një nga tregjet më premtuese të Mesdheut. Me natyrën e saj të paprekur, pozicionin strategjik dhe investimet që po transformojnë bregdetin, ajo po tërheq gjithnjë e më shumë interes nga investitorë ndërkombëtarë dhe nga diaspora shqiptare që kërkon të investojë në vendlindje.

Në zemër të këtij transformimi po zhvillohet Vlora Marina, një projekt që nuk përfaqëson vetëm një kompleks rezidencial, por një vizion të ri për mënyrën se si do të zhvillohet bregdeti shqiptar në dekadat e ardhshme.

E vendosur në vijën e parë të detit dhe në zemër të qytetit, Vlora Marina është i vetmi projekt buzë detit në qytetin e Vlorës që krijon një lidhje të drejtpërdrejtë mes jetës urbane dhe stilit të jetesës mesdhetare. Pozicioni i saj strategjik, aty ku takohen Adriatiku dhe Joni, pranë 120 plazheve natyrore dhe atraksioneve të shumta, e bëjnë projektin një nga zhvillimet më të aksesueshme në rajon.

Nga ana tjetër, investimet në infrastrukturë, aeroportin e ri të Vlorës, rrjetin rrugor dhe zhvillimin e turizmit po krijojnë kushtet që Riviera Shqiptare të mos jetë më vetëm një destinacion sezonal, por një zonë ku jetohet, punohet dhe investohet gjatë gjithë vitit.

Në këtë kontekst, Vlora Marina është konceptuar si projekti më i kompletuar në Vlorë. Ai bashkon në një destinacion të vetëm rezidencat premium, marinën, hotelerinë, hapësirat tregtare, restorantet, shëtitoren buzë detit, shërbimet dhe ambientet publike, duke krijuar një mënyrë të re jetese ku gjithçka ndodhet pranë.

Vlora Marina është ndërtuar për të ofruar çdo eksperiencë në një destinacion të vetëm. Banorët dhe vizitorët nuk do të gjejnë vetëm një apartament buzë detit, por një komunitet të gjallë, ku jetesa, puna, argëtimi dhe mikpritja bashkëjetojnë në mënyrë harmonike.

Një nga elementët më të rëndësishëm që e dallon projektin është marina e parë e klasit botëror në Shqipëri. E konceptuar për të akomoduar mbi 400  jahte dhe megajahte, ajo do të operojë me konsulencën e D-Marin, një prej operatorëve më prestigjiozë të marinave në Mesdhe. Kjo pritet ta vendosë Vlorën në hartën ndërkombëtare të turizmit detar dhe të tërheqë një profil të ri vizitorësh dhe investitorësh.

Po aq i rëndësishëm është edhe partneriteti me Marriott International, i cili do të sjellë në projekt hotelin e parë Marriott në bregdetin shqiptar, së bashku me rezidencat e branduara. Pronarët e këtyre apartamenteve do të kenë mundësinë të jetojnë në rezidencën e tyre duke përfituar standardet dhe shërbimet e një hoteli me pesë yje, një koncept që tashmë është bërë pjesë e zhvillimeve më prestigjioze në botë.

Rezidencat janë projektuar për të ofruar komoditet maksimal, me apartamente premium me sipërfaqe të bollshme, veranda të mëdha dhe pamje panoramike drejt detit, marinës dhe qytetit. Një tjetër veçori që e bën projektin unik është fakti se Vlora Marina është i vetmi projekt në Vlorë që ofron apartamente plotësisht të mobiluara, duke u dhënë mundësi pronarëve t’i përdorin menjëherë për banim ose për investim, pa pasur nevojë për investime shtesë.

Një tjetër element që e diferencon projektin është qendra e dedikuar e argëtimit (Entertainment Hub), e vetmja e këtij lloji në Vlorë. Eventet, aktivitetet kulturore, gastronomia, hapësirat për familjet dhe ambientet sociale do ta bëjnë këtë destinacion aktiv gjatë gjithë vitit, duke krijuar një komunitet të mirëfilltë dhe jo thjesht një kompleks rezidencial.

Për diasporën shqiptare në Shtetet e Bashkuara dhe në vende të tjera të botës, kjo përfaqëson një mundësi të veçantë. Investimi në një projekt të këtij niveli nuk është vetëm një mënyrë për të ruajtur lidhjen me vendlindjen, por edhe një mundësi për të qenë pjesë e transformimit që po përjeton Shqipëria.

Nga ana tjetër, tregu shqiptar vazhdon të ofrojë çmime konkurruese në krahasim me shumë destinacione të konsoliduara të Mesdheut, ndërsa potenciali për rritjen e vlerës së pronës mbetet i konsiderueshëm. Ky kombinim mes standardeve ndërkombëtare, vendndodhjes strategjike dhe potencialit të tregut e bën Vlora Marinën një zgjedhje tërheqëse si për përdorim personal, ashtu edhe për investim.

Për më shumë informacion mund të na vizitoni në zyrën tonë në New York

Adresa: 1151, Broadway, New York

Kontakt: +1 (347) 425-2033

Filed Under: Ekonomi

Vepra “Shqipëria, e kaluara dhe e tashmja” si kontribut i Kostë Çekrezit për historinë e Shqipërisë e shqiptarëve

July 20, 2026 by s p

Sokol Paja/

Kostë Çekrezi në historinë e Federatës Vatra, gazetës Dielli e mbarë mërgatës shqiptaro-amerikane përbën një nga emrat më të respektuar e më të dalluar të shqiptarizmës e kombëtarizmës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Madhështia e patriotëve matet me trashëgiminë që u lënë brezave. Mirënjohja e shërbestarëve të atdheut në altarin e lirisë vlerësohet me dashurinë për kombin dhe mbrojtjen ndërkombëtare të historisë, interesit dhe identitetit kombëtar. Në historinë kombëtare, kontributi i mërgatës së Amerikës ka qenë vendimtar në ekspozimin e çështjes kombëtare në botën perëndimore dhe institucionet shtetërore amerikane.

Kostë Çekrezi ishte pa dyshim një nga figurat më të shquara e me kontribute të jashtëzakonshme në publicistikë, diplomaci, polemikë, përkthime e histori. Çekrezi në studimet e shkrimet e tij si editor i Diellit, dhe në gazetat e kohës kontribuoi fuqishëm në mbrojtjen e pavarësisë së Shqipërisë, konsolidimit të shtetit shqiptar, ekspozoi rrezikun kombëtar të shqiptarëve dhe mbrojti interesat kombëtare të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare duke qenë një zë referencial e atdhetar për kohën që jetoi e veproi. Në shekullin e kaluar, pena e mprehtë e Kostë Çekrezit, vizioni dhe mençuria e tij ishte ndër më brilantet duke e radhitur atë mes elitës intelektuale shqiptare që veproi e frymëzoi në patriotët në mërgim.

Vepra “Shqipëria, e kaluara dhe e tashmja” mbetet si një kontribut mjaft i çmuar i Kostë Çekrezit për historinë e Shqipërisë e shqiptarëve, botuar nga Universiteti i Kolumbias, New York 1919, me hyrje nga Charles D. Hazen profesor i Historisë Moderne, Universiteti i Kolumbias, vepra historike trajton në detaje sipas Çekrezit histori e vlera nga Shqipëria që shihej prej të huajve si “Vend nisterioz”, “Toka e mrekullive”, “Shqipëria e panjohur”, “Më e errët se Afrika e errët” e cilësime të tjera që i ishin atribuuar Shqipërisë, vendit i cili banohet nga njerëzit më të vjetër në Evropën Juglindore.

Në parathënie Çekrezi thekson se nëpër Europë në vitet 20 njerëzit po ushqenin fantazitë më të çmendura rreth kushteve të Shqipërisë ku paraqiteshin ide shumë të paqarta rreth ekzistencës dhe historisë së saj. Çekrezi në parathënie shprehet se rreth mesit të shekullit të kaluar, etnologët dhe historianët, të kalibrit dhe reputacionit të Hahn, Muller, Meyer dhe të tjerëve, i kushtuan shumë kohë kërkimeve në fushën interesante të origjinës së racës shqiptare teksa citon studiuesin Z. J. D. Bourchier në “Enciklopedinë Britanike” ku shprehet se “vendosmëria me të cilën kjo racë e shquar ka ruajtur fortesat e saj malore gjatë një serie të gjatë shekujsh deri më tani është vlerësuar pak nga bota e jashtme”.

Çekrezi hedh dritë dhe anatemon librat e rëndomtë që janë shkruar mbi historinë e Shqipërisë dhe ngre për diskutim çështje që kanë të bëjnë me gjendjen e Shqipërisë prej luftës Ballkanike e kohës së pavarësisë dhe trajtimi ndërkombëtar i çështjes komplekse shqiptare. Një vend të veçantë thekson Çekrezi i dedikohet mosmarrëveshjes së ashpër në lidhje me Shqipërinë Jugore ose “Epirin e Veriut” dhe pretendimet përkatëse shqiptare dhe greke, ku shkrimet e z. H. N. Brailsford, H. Charles Woods dhe M. Léon Lamouche janë autoritative mbi këtë debat historik.

Vepra historike e faktuese e Çekrezit “Shqipëria, e shkuara dhe e tashmja” përveç tjerash trajton edhe origjinën e shqiptarëve, gjuhën, kulturën dhe traditat, historinë e lashtë, aspekte të shtetformimit pas pavarësisë dhe problemet e pretendimet e fqinjëve. Çekrezi me veprën e tij i paraqiti botës perëndimore një burim të fuqishëm e të pakontestueshëm historik mbi historinë e pasur shqiptare duke anatemuar teza e vepra mediokre në dëm të historisë sonë kombëtare.

Filed Under: Komunitet

Albanians For America (AFA) was honored to participate on Capitol Hill for the first time as Albania’s representative within the Central and East European Coalition

July 20, 2026 by s p

AFA/

This week, Albanians For America (AFA) was honored to participate on Capitol Hill for the first time as Albania’s representative within the Central and East European Coalition (CEEC). Established in 1994, the CEEC is composed of eighteen national organizations representing Central and Eastern European American communities that work together to strengthen U.S. partnerships with the region and advance the shared goal of a free, secure, and democratic Central and Eastern Europe. During our meetings with Members of Congress, we joined fellow coalition members in advocating on issues including Russia’s war of aggression against Ukraine, the situation in Georgia, sanctions on Russia, Kosova’s path toward NATO membership, Albania hosting next year’s NATO Summit, and continued support for Baltic security initiatives. A common thread shared by every CEEC member organization is the need to counter the growing threats posed by Russian aggression and Chinese malign influence throughout our region.

As part of the CEEC delegation, AFA participated in the Capitol briefing, Enhanced Resilience: A View from the NATO Centers of Excellence in the Baltic Countries, featuring Representatives Don Bacon and Salud Carbajal, along with senior officials from Lithuania, Latvia, and Estonia. Together with CEEC, we also met with Kristine Berzina of the U.S. Helsinki Commission and held bipartisan meetings with the offices of Senator Chris Coons (D-DE), Senator Elissa Slotkin (D-MI), Congressman Keith Self (R-TX), Congressman Zach Nunn (R-IA), Congressman French Hill (R-AR). These discussions focused on strengthening U.S. engagement in Central and Eastern Europe and advancing policies that support regional security and stability.

In addition to our coalition activities, AFA held separate meetings with a member of the National Security Council within the Executive Office of the President at the Eisenhower Executive Office Building to discuss U.S. engagement in the Balkans and issues affecting Albanians in the region. We also met separately with Ambassador Ilir Dugolli of the Republic of Kosova to discuss current developments and opportunities to further strengthen the U.S.-Kosova relationship. During our visit to Washington, AFA also paid its respects by signing the memorial book honoring Senator Lindsey Graham.

As AFA continues to expand its presence in Washington, we remain committed to ensuring that the voice of Albanian Americans is represented where policy is made. We are grateful to our partners, lawmakers, and our fellow CEEC member organizations for their collaboration, and we look forward to building on these relationships as we continue advocating for freedom, security, stronger U.S.-Albania and U.S.-Kosova relations, and a more secure Central and Eastern Europe.

Filed Under: Reportazh

“Dasma shkodrane”, thesari artit shqiptar, ikona e Kol Idromenos, piktura që përjetësoi në ngjyra shpirtin e qytetit

July 20, 2026 by s p

Albert Vataj/

Jemi në një stinë dasmash, në ditshmëritë e gazmimeve dhe dritshmërinë e shpirtrave që e kurorëzojnë yjësinë e tyre të dashurimit në krijimin e një planeti shpirti dhe ëndrrash, që nis të llamburis ndijimeve të tyre si një vërshim drite, për të ardhur deri tekkëtu ku shndërrohet në kremte, në solemnitet.

Çmendemi të gjithë, teksa urtësohen zemrat në altar, dhe gazmimi kalon skajet, cek tek çdo çast me prekje drite, për të lejuar të gjithë të vijnë në kësi kulmimesh të mrekullimit të celebrimit. E si mund të mbetej më madhështore, se sa duke u ngjitur lart, në eterin e përjetësisë ky kulmim, në art, po në memorien e atyre ngjyrave dhe atij ceremoniali, që mjeshtria e një mjeshtri e sjell sot të gjallë, në “Dasma shkodrane”, ikona e një shekulli më parë që na gazmon edhe sot.

Sepse ka vepra që nuk mjaftohen të jenë piktura. Ato shndërrohen në kujtesë, në testament, në një mënyrë të heshtur për ta sfiduar harresën. Ato nuk rrëfejnë vetëm atë që syri sheh, por atë që një qytet ndien, atë që një popull beson dhe atë që koha rrezikon ta humbasë. E tillë është “Dasma shkodrane” e Kol Idromenos (1924), një nga kulmet e pikturës shqiptare, një monument i gjallë i traditës, i identitetit dhe i shpirtit krijues të Shkodrës.

Realizuar në vaj mbi kanavacë (94.5 × 133.5 cm), kjo tablo nuk është vetëm një skenë ceremoniale. Ajo është një epope e qetë, ku çdo figurë, çdo ngjyrë, çdo dritë dhe çdo hije bart peshën e një bote të tërë. Idromeno nuk pikturon një dasmë; ai pikturon mënyrën shqiptare të të qenit, ritmin e jetës, solemnitetin e bashkimit, etikën e një bashkësie dhe estetikën e një qytetërimi.

Në këtë vepër, ngjyra nuk shërben vetëm për të ndërtuar formën, por për të krijuar atmosferën e shpirtit. Drita nuk bie mbi figurat si një efekt piktorik; ajo i bekon ato, sikur të ishte vetë drita e kujtesës që nuk lejon të zbehen. Gjithçka rrjedh me një qetësi ceremoniale, me atë ritëm të ngadaltë që kanë vetëm ngjarjet që janë më të mëdha se vetë njerëzit që i jetojnë.

Duket sikur Idromeno e sodit këtë ceremonial nga një largësi poetike. Si përmes një xhami të tejdukshëm, ku koha nuk pengon shikimin, por e pastron atë. Ose, siç do ta përfytyronte një shkodran i vjetër, sikur piktori të ishte ngjitur mbi kumbullën e oborrit të komshiut, për të përfshirë me një vështrim të vetëm gjithë gëzimin, krenarinë dhe hijeshinë e kësaj dite të madhe. Kjo perspektivë e çliruar e bën tablonë të marrë frymë. Ajo nuk kufizohet nga muret e një kompozimi; ajo zgjerohet si vetë kujtesa.

Por madhështia e “Dasmës shkodrane” nuk qëndron vetëm në mjeshtërinë e realizimit. Ajo qëndron në aftësinë për ta shndërruar një ngjarje të përditshme në një simbol të përjetshëm. Kjo është arsyeja pse kjo tablo nuk është vetëm art; është antropologji, histori, sociologji, etnografi dhe poezi, të gjitha të mishëruara në një gjuhë universale: atë të pikturës. Antropologu amerikan Clifford James Geertz e përkufizon artin si një mekanizëm të zhvilluar për të përcaktuar marrëdhëniet shoqërore, për të mbështetur rregullat dhe për të forcuar vlerat e një bashkësie. Sipas tij, studimi i një vepre arti është në të vërtetë eksplorim i një ndjeshmërie kolektive, sepse themeli i saj është vetë qenia shoqërore.

Vështirë se një vepër e artit shqiptar e mishëron më mirë këtë mendim sesa “Dasma shkodrane”. Në të nuk lexojmë vetëm ndjeshmërinë e Kol Idromenos; lexojmë ndjeshmërinë e një qyteti të tërë. Ajo është autobiografia e Shkodrës e shkruar me penelin e një mjeshtri.

Çdo figurë në tablo flet. Veshjet nuk janë vetëm kostume festive; ato janë kode identiteti. Qëndrimet trupore nuk janë vetëm poza; ato janë gjuhë sociale. Distancat mes njerëzve, mënyra si ecin, si shohin, si heshtin, si marrin pjesë në ceremonial, zbulojnë një rend të ndërtuar mbi respektin, fisnikërinë dhe hierarkinë morale të bashkësisë. Në këtë tablo mund të lexohen marrëdhëniet midis familjeve, lidhjet fisnore, raportet ekonomike, vendi i burrit dhe i gruas, pesha e nderit, domethënia e martesës dhe rëndësia e ritit si akt themelues i vazhdimësisë së jetës. Dasma nuk është vetëm bashkimi i dy të rinjve; është aleanca e dy familjeve, ripërtëritja e kujtesës kolektive dhe riafirmimi i rendit shoqëror.

Megjithatë, ajo që ne shohim sot nuk është ajo që shihnin bashkëkohësit e Idromenos. Ata nuk sodisnin një pikturë; ata shihnin jetën e tyre. Ata nuk kërkonin simbolikë; ata jetonin simbolin. Çdo gjest në këtë ceremoni kishte një kuptim të vetëkuptueshëm, çdo kostum ishte pjesë e identitetit të tyre, çdo ritual ishte pjesë e frymëmarrjes së përditshme. Ne, përkundrazi, e shohim këtë tablo me mallin e asaj që nuk e kemi jetuar. Emocioni ynë lind nga largësia historike; emocioni i tyre lindte nga përkatësia.

Prandaj “Dasma shkodrane” është bërë më shumë se një kryevepër artistike. Ajo është një dritare drejt një bote që vazhdon të jetojë vetëm falë kujtesës. Një botë ku martesa ishte rit i shenjtë, ku komuniteti ishte një trup i vetëm dhe ku bukuria nuk ishte luks, por mënyrë jetese.

Në këtë kuptim, Kol Idromeno nuk pikturoi vetëm Shkodrën e vitit 1924. Ai pikturoi Shkodrën e përjetshme. Ai na la një testament në ngjyra, një dorëshkrim pa fjalë, ku çdo penelatë është një kujtesë dhe çdo dritë një lutje kundër harresës.

Sot, kur e sodisim këtë tablo, nuk admirojmë vetëm virtuozitetin e një mjeshtri. Ne përulemi para një bote që vazhdon të marrë frymë në heshtjen e kanavacës. Dhe ndoshta ky është triumfi më i madh i artit: të bëjë që ajo që koha e ka marrë me vete, të mbetet e gjallë përmes bukurisë.

Filed Under: Sofra Poetike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 85
  • 86
  • 87
  • 88
  • 89
  • …
  • 3191
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “The true history of mankind will be written only when Albanians participate in its writing.” – Maximilian Lambertz, Austrian Albanologist
  • SHQIPTARËT DHE IDEOLOGJITË
  • VATRA JU FTON MË 13 SHTATOR NË PROMOVIMIN E VEPRËS KUSHTUAR SKULPTORIT VASIL RAKAJ
  • VATRA THIRRJE DEPUTETËVE TË KUVENDIT TË KOSOVËS VOTONI PRESIDENTIN E REPUBLIKËS
  • SAVE THE DATE!
  • Lideri i opozitës në Shqipëri Prof. Dr. Sali Berisha u takua me shqiptarët e Amerikës
  • Kujtojmë në ditën e lindjes akademikun Aleks Buda, kryetarin e parë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë
  • Një udhëtim në kohë me Rita Orën
  • Labor Day në shekullin XXI: Punëtori amerikan përballë frikës nga AI
  • SHKOLLA SHQIPE NË WUPPERTAL, GJUHË DHE IDENTITET KOMBËTAR TE SHQIPTARËT NË GJERMANI
  • E mira dhe e keqja…
  • Legacy of Light: Commemorating Mother Teresa’s Spirit of Humanity
  • VINÇENC PRENNUSHI – NJË JETË MES FJALËS, BESIMIT DHE LIRISË
  • Kur Kristo Dako dhe Mihal Grameno i kërkuan Wilsonit të mbronte Shqipërinë
  • Demografia dhe gjeopolitika e Vilajetit të Kosovës në prag të Konferencës së Paqes në Paris (1919)

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT