• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Ta gëzosh vulën, a të humbtë vula !

June 19, 2024 by s p

Satirë nga Rafael Floqi/

Njëherë në një kohë të largët, në një vend ku politika ishte më e ndërlikuar se formula e relativitetit, ku as AI s’ bën punë, partia e ujkut dhe e dhelprës në pushtet u takuan në një rrugë të errët, sipas fabulës së vjetër. Ujku, i njohur për zgjuarsinë e tij (ose mungesën e saj), kishte një gëzof me qime mjaft të rralla gri. Partia në pushtet, e njohur me nofkën “dhelpra” pasi ndiqte zakonet e vjetra, kishte një qëllim të vetëm: ta mbante pushtetin pavarësisht që korrupsioni e kishte bërë t’i binin qimet ca nga ca.

Ujku, me një shikim të thellë në sy, tha: “Partia në pushtet, a e di çfarë është ndryshimi midis teje dhe një ujku?” Partia në pushtet u përgjigj me një buzëqeshje dinake: “Po, e di. Ne kemi më shumë qime.”

Ujku nuk u ndal. “Por, a e dini se qimet tuaja janë të njëjta si të gjithë ujqërve të tjerë? Nuk keni asgjë ndryshe!” Partia në pushtet u trondit ca. “Po, por ne kemi prokurorë dhe toga të zeza! Këto janë armët tona të mëdha.”

Ujku qeshi. “Prokurorët dhe togat e zeza? A nuk janë ata që ndjekin kundërshtarët dy ditë para zgjedhjeve? A nuk janë ata që pengojnë betimin e kryebashkiakëve të zgjedhur nga populli?”

Partia në pushtet u përgjigj me një zë të dridhur: “Po, por kjo është për të mirën e demokracisë!”

Ujku kishte një sy të mprehtë. “Dhe kjo vula e PD-së? A mos është kjo një karotë e vogël për ta mbajtur gjithë atë në lojë?”

Partia në pushtet u përpoq të justifikohej “Jo, jo. Ne ua kemi rikthyer vulën, por nuk është aq e thjeshtë. Prokuroria dhe Gjykata e Posaçme na goditën me shkop. Ne jemi ende në pritje të akuzave kundër liderit të opozitës.”

Ujku qeshi sërish. “Me atë trukun e zhveshjes së mandatit pa kaluar, përmes kuvendit e keni përdorur si një magjistar. Bravo!”

Partia në pushtet u ndje si e fyer. “Por ne jemi në pushtet, dhe pushteti është mbi gjithçka!”

Ujku e pa me një përbuzje të thellë. “Po, po. Pushteti është si një qime e thinjur. Nuk ka ndryshuar asgjë.”

Kështu, ujku dhe partia në pushtet vazhduan të debatonin për pushtetin, duke ndjekur qimet e tyre të ndërlikuara.

Dhe dhelpra vazhdon të përdorte “heronjtë e filmave vizatimorë fëmijëve” si leva e saj e preferuar për të shkatërruar lojën e barabartë politike. E në fund të ditës, çdo gjë është një lojë e qimesh të dredhura, ku fituesi është ai që ka më shumë qime – ose më saktë, prokurorë dhe toga të zeza.

Kjo ishte fabula po le të kthehemi në realitet. Edhe pse fjalia “Vula nuk mjafton” ajo krijon tension dhe është një koment i thellë për situatën e Partisë Demokratike (PD) në Shqipëri. Por, siç thuhet, “vula nuk mjafton.” E Sali Berishës nuk i mjafton vetëm vulë për të fituar zgjedhjet apo për të bërë një PD të madhe që mund të largojë nga pushteti kryeministrin Rama.

Pasi fitoren nuk e sjell vetëm vula. PD duhet të ketë një strukturë të mirë organizuar, një elitë të rifreskuar, dhe një frymë të re që të përfaqësojë votuesit. Në të kaluarën, ka pasur konflikte të shumta brenda PD-së. Rrahjet dhe sherret mes anëtarëve kanë shpartalluar partinë në bazë. Një PD e madhe që do të konkurrojë me Partinë Socialiste duhet të jetë mbi 30% dhe të ketë frymën e zgjedhjeve për të kthyer shumicën në fitues.

Ndërkohë kandidatët për kryetar të partisë u ndanë në dy skuadra: “Vula United” dhe “Berisha FC”. Ndeshja ishte e ashpër, me shumë gola dhe ndërprerje për shkak të debateve mbi emrin dhe vulën e re. Në fund, pas një penalltie të diskutueshme, “Vula United” fitoi dhe u shpall kryetare e re e Partisë Demokratike. Por, për të shmangur ndonjë konflikt të ri, ata vendosën që emri dhe vula e partisë të jenë “Vula-Berisha United”. Kështu që, tani partia ka një emër të ri dhe një vulë të re, dhe të gjithë janë të kënaqur. Kështu do të ishte sikur fabula të mbaronte mirë , por një shprehje po më jehonte në mendje kohët e fundit, pas vendimit të Gjykatës së Apelit, ku situata në Partinë Demokratike u bë edhe më interesante, ishte shprehja “ Ju humbtë Vula!

Grupi i Lulëzim Bashës duket se i ka kapërdirë qëndrimet e muajve më parë ndaj tij. Pas vendimit të Apelit që i dha vulën e partisë Sali Berishës, ky ka pasur një ftesë publike ndaj Bashës dhe deputetëve pranë tij që të bashkohen dhe të jenë një front i vetëm për një punë vule. Ndërsa ai deklaroi se për punë të vulës do shkojë edhe në Strasburg. Jo thjesht për punë pune, thashë me vete, por punë vule.

Vula ky send i vogël zyre, ku janë gdhendur emri i institucionit firmave dhe shenja të tjera, e cila zakonisht ngjyhet me bojë dhe vihet mbi shkresat për të dëshmuar vërtetësinë e tyre e për t’u dhënë fuqi zbatimi; pajisje e tillë që përdoret për të lënë shenjë në dyllë të kuq, në plumb etj.; shenja që lë ky mjet në letër, në dyllë etj. Vulë zyrtare. Vulë postare. Vulë apostile. Vulë e thatë, vulë që nuk ngjyhet në bojë. Vulë vetjake. Vulë plumbi. Vulë druri (gome), vulë, vulë. Vulë….e Duke vazhduar leximin e kuptova pse është kaq e dashur vula, mjaftonte të shihje fjalorin shqip-shqip, por pashë që aty dhelpra kish lënë shënime : “E humbi vulën u hutua, e humbi toruan. I humbi vula dikujt u zhduk pa lënë gjurmë, u shua, u fik, s’i gjendet as nami as nishani. Aha kjo qenka vula”, dhe ja ku vula u bë më agresive. ” Të humbtë vula (nami, nishani)! mallkim. vdektë e mos u përmend të më! Aha thashë ndaj qenka me rëndësi ai send i vogël që futet në xhep, apo nuk i shkon vula edhe nuk i shkon fjala, nuk e dëgjojnë të tjerët. Dhe shqiponja me dy koka e vulës nuk i bën dert.

Edi Rama kërkon zgjedhje me një rival pa financim, pa komisionerë dhe pa emër kryetari në fletën e votimit. Kjo është si të kërkosh një marshmellou pa sheqer, një kafe pa kafeinë dhe një këngë pa tekst. Drejtësia i’u pamundësoi këtej e tutje këtë ëndërr, por a do të jetë kjo një fitore e vërtetë për opozitën? Ndoshta, por vetëm nëse ata mund të gjejnë një rival që nuk ka asnjë lidhje me politikën, financat, apo realitetin , po mendonte i kërrusur ujku.

Po demokracia? -pyeti një buf naiv, profesor sociologjiel, çlidhje ka me vulat? Dhe pwrgjigjej po vetw ajo është vetëm një histori e humbur e lojës vulën ta lashë nuk ta dhashë. Në një vend ku politika është më e ndërlikuar se sudoku me shifra të shkruara me laps, drejtësia luan një lojë të çuditshme, midis përrallës dhe asaj që as AI s’e kap dot.

Në njërën dorë, ajo i jep atë që të takon – një vulë PD-së së rikonstruktuar, si një dhuratë e vogël për të mbajtur opozitën në lojën me vula. Por me tjetrën dorë, ajo zhvesh liderin e opozitës nga mandati i deputetit, e pastaj. si një magjistar që zhvesh një këpucë pa e nxjerrë këmbën.

Dhe kështu në garën e ardhshme elektorale, demokratët mund të mos privohen nga pasja e emrit të Berishës në fletën e votimit, por nuk do ta kenë atë prezent në fushatë. Ai do të jetë si një fantazmë politike, një emër që fluturon në ajër, duket si papa në ballkon, por nuk shihet dot. Si në atë fabulën e vjetër me moralin e lashtë “Pushteti dhe drejtësia i falën vulën PD-së , por i rrëmbyen kreun e kopesë”. Dhe sa për ato institucionet e pavarura të drejtësisë? Ata janë si një kartolinë e humbur në postë e bukur por pa vulë, një ide fantastike por e pamundur për t’u realizuar.

“E nëse kjo puna e vulës nuk është manipulim, atëherë dhelpra që tani ia vuri vulën zgjedhjeve që vijnë”, shtoi bufi me një buzëqeshje satirike.

Filed Under: Analiza

Sami Frashëri, 1 qershor 1850 – 18 qershor 1904

June 18, 2024 by s p

Instituti i Studimeve Historike “Lumo Skendo”/

Sami Frashëri, ideologu kryesor i Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe veprimtar i saj,dijetar enciklopedist, gjuhëtar, shkrimtar dhe publicist.

Sami Frashëri lindi në Frashër të Përmetit më 1 qershor 1850. Është vëllai i vogël i Abdyl e Naim Frashërit. Mësimet e para i mori në vendlindje. Më 1865 së bashku me pesë vëllezërit e tij dhe dy motrat u vendos, në Janinë, ku me vëllanë, Naimin, Sami Frashëri kreu shkollën e mesme greke “Zosimea”. Atje, përveç greqishtes së re e të vjetër përvetësoi edhe gjuhën latine, frënge dhe atë italiane. Më 1872 u vendos në Stamboll ku zhvilloi një veprimtari të gjerë patriotike për çlirimin dhe bashkimin kombëtar të popullit shqiptar dhe bashkëpunoi me përfaqësuesit më përparimtarë të lëvizjes liberale turke. Ishte një ndër organizatorët kryesorë të “Komitetit Qendror për mbrojtjen e të drejtave të kombësisë shqiptare” dhe me themelimin e “Shoqërisë së të shtypurit me shkronja shqip” (1879) u zgjodh kryetar i saj. Vepra “Shqipëria ç’ka qënë, ç’është e ç’do të bëhetë”, botuar më 1899 në Bukuresht, u bë manifesti i Rilindjes Kombëtare, vepra që sintetizoi programin e lëvizjes, strategjinë dhe taktikën e saj. Është autor i fjalorit normativ të gjuhës turke “Kamus-i turki”, 1901, i cili ruan vlerën e vet të madhe edhe në ditët e sotme. Sami Frashëri është autor i 57 veprave në gjuhën shqipe, turke dhe arabe, përfshirë këtu edhe revistat e gazetat që i drejtoi duke botuar vetë në to. Ai la në dorëshkrim 11 vepra, kryesisht nga fusha e gjuhësisë dhe letërsisë. Vdiq në Stamboll në moshën 54 vjeçare.

Filed Under: Histori

NË PËRKUJTIM TË 66 VJETORIT TË FJETJES NË ZOTIN TË KRYEPESHKOPIT TË PARË KANONIK DHE MARTIR I KISHËS ORTODOKSE AUTOQEFALE TË SHQIPËRISË, FORTLUMTURISË SË TIJ KRISTOFOR KISIT (1881- 17 qershor 1958)

June 18, 2024 by s p

+THEOFANI

i Filomilisë dhe i Peshkopatës Ortodokse Shqiptare të Amerikave

Kryepeshkopi +KRISTOFOR KISI u lind me emrin e dhënë nga prindërit e tij me të cilin edhe u pagëzua, si SOTIR KISI, në lagjen “Kala” të Beratit në vitin 1881.

Që nga fëmijëria dhe deri rininë e tij të hershme, i riu Sotir Kisi kishte dy pasione në jetën e tij, Fenë (e Krishterë Ortodokse) dhe Shkencat e Natyrës (Kiminë).

Duke ndjekur pasionin e tij, ai shkon në Londër ku studion dhe diplomohet për Shkencat Natyrore, në Degën e Kimisë të Universitetit të famshëm të Oksfordit (Oxford University) në Kryeqytetin Britanik.

Mbas mbarimit të studimeve të larta në Angli ai udhëton drejt Kryeqytetit të Perandorisë Otomane, Stambollit (Kostandinopoja) ku regjistrohet për Studimet e Larta Fetare (të Krishtera Ortodokse) në Institutin e Lartë të Teologjisë Ortodokse që gjendet në ishullin e bukur dhe piktoresk të Halkit, që ndodhet 90 minuta larg me vapor nga Stambolli, ku edhe diplomohet në vitin 1908 në moshën 27 vjeçare. Tema që mbrojti diplomën ishte “Mbi prejardhjen e jetës monakale”.

Me përfundimin e studimeve teologjike më 1908 u kthye në atdhe dhe filloi punë në gjimnazin e Jovan Bangës në Korçë. Para Luftës Ballkanike ai u kthye përsëri në Stamboll (Kostandinopojë) dhe në vitin 1916 u dorëzua në gradën priftërore. Ai ishte kryefamulltar në Makrohor. Më vonë u hirotonis Peshkop i Sinadës, post të cilin e mbajti deri në vitin 1923, pasardhësi i të cilit sot është po një Peshkop me origjinë shqiptare, në personin e Hirësisë së Tij +Andon Vrame, i zgjedhur nga Sinodi i Shenjtë i Patriarkanës Ekumenike dhe i dorëzuar si Peshkop nga Kryepeshkopi +Elpidofor i Amerikës më 20 prill 2024, në Nju Jork, ku mora pjesë edhe vetë unë përkrah Kryepeshkopit.

Pikërisht në atë vit, duke parë përpjekjet e otodoksëve shqiptarë për autoqefali, Imzot +Kristofori me kërkesën këmbëngulëse të Qeverisë Shqiptare të asaj kohe dhe popullit ortodoks shqiptar, u kthye në Shqipëri, ku mori në drejtim Mitropolinë e Beratit duke marrë titullin si “Mitropolit i Beratit, Vlorës dhe Kaninës”.

Më 21 nëntor 1923 Imzot Mitropolit +Kristofor Kisi së bashku me Eksarkun e Patriarkanës Ekumenike, Imzot Mitropolitin +Ierothe Jahon, dorëzuan në Gradën Peshkopale At Theofan Nolin në Kishën e “Shën Gjergjit” në Korçë.

Në vitin 1929, Mitropoliti +Kristofor Kisi u tërhoq në manastir duke mos marrë pjesë në veprimet antikanonike, që po kryheshin në Kishën Ortodokse Shqiptare

Më 1934 Imzot +Kristofori zuri vendin e “Mitropolitit të Korçës” dhe në vitin 1937 u zgjodh Kryepeshkop i Tiranës dhe i Gjithë Shqipërisë dhe Kryetar i Sinodit të Shenjtë të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, duke qëndruar në krye të saj për 12 vite, deri në vitin 1949.

Në vitin 1942 Kryepeshkopi +Kristofor u thirr prej mëkëmbësit të Mbretit Viktor Emanuelit III, Jakomonit dhe iu bë presion, që në vendet vakante të dorëzoheshin Peshkopë unitë dhe të bëhej konvertimi i popullsisë ortodokse të Shqipërisë në uniate.

Kryepeshkopi +Kristofor i detyruar nga kushtet e vështira që po kalonte Kisha Ortodokse nën sundimin fashist në fillim pranoi, por ndërkohë u mundua që ta shtynte çështjen për më vonë. Ai thirri teologun Irine Banushi dhe i propozoi që të dorëzohej në Gradën Peshkopale, e cila u zhvillua në muajin shkurt 1942, në Manastirin e Hirshëm të Shën Naumit, që asokohe ishte nën juridiksionin administrativ të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, duke shmangur kështu një rrezik të madh për Kishën e Shqipërisë.

Më 1948 Kryepeshkopin +Kristofor e internuan, ku vuajti dënime të rënda dhe jetoi një jetë çnjerëzore.

Pasi ishte liruar nga regjimi komunist i Tiranës, ai ishte lejuar të kthehej dhe të jetonte në Rezidencën Kryepeshkopale në “Shën Prokop”.

Më datën 14 qershor 1958 mbërrin nga Amerika një person, identiteti i të cilit nuk dihet ende deri më sot, i cili kishte ardhur si i dërguar i Fan Nolit me një letër të këtij të fundit drejtuar Enver Hoxhës, ku Fan Noli i lutej diktatorit komunist që meqenëse ata të dy ishin tashmë në një moshë të thyer dhe duke pasur parasysh miqësinë e tyre të vjetër, t’i jepte leje për t’u larguar nga Shqipëria, për të kaluar vitet e fundit të jetës së tyre së bashku në Amerikë.

Personit ndërlidhës të Fan Nolit i’u tha se do ta pyesnin ish Kryepeshkopin nëse ai do ta pranonte këtë propozim të Fan Nolit. Kështu, mbasditen e datës 17 qershor 1958, personi në fjalë, i cili rrinte në Hotel “Dajti”, i shoqëruar nga zyrtarë të Qeverisë Komuniste (Sigurimi i Shtetit), shkuan kinse për t’u takuar personalisht me ish Kryepeshkopin +Kristofor Kisi, për ta pyetur personalisht.

Kur arritën në derën e Rezidencës së tij dhe trokitën, asnjë përgjigje nuk erdhi nga brenda saj. Për “rastësi” aty pranë kaloi një “qytetar”, të cilin e pyetën nëse e kishte parë gjë ish Kryepeshkopin duke bërë shëtitjen e mëngjesit në atë ditë rreth kodrave të liqenit, ashtu siç edhe e kishte si rutinë të përditshme, kurse “kalimtari i rastit” i’u përgjigj se nuk e kishte parë prej disa ditësh sepse kishte qenë disi i sëmurë dhe pa qejf. Atëherë vendosën të shpërthejnë derën me forcë dhe kur hynë brenda gjetën trupin e pajetë të ish Kryepeshkopit +Kristofor Kisi të shtrirë në tokë në katin e parë të Rezidencës ku ai kishte një laborator kimie personal për të ushtruar pasionin e tij si kimist, pranë një tavoline të madhe ku kishte mjetet dhe enët që përdorte për eksperimente kimike.

U thirr menjëherë autoambulanca, e cila e transportoi në Spitalin Qendror (Nr. 1) të Tiranës ku edhe u deklarua i vdekur.

Në vaskën e madhe të laboratorit u gjetën mbetje acidi dhe lëndësh toksike.

Vdekja e tij në rrethana misterioze dhe të dyshimta në Rezidencën Kryepeshkopale pranë Kishës së “Shën Prokopit” në kodrat e Shën Prokopit, që sot njihen si “Kodrat e Liqenit Artificial të Tiranës”, u mbajt në fshehtësi dhe nuk u bë asnjë publikim zyrtar në shtypin e kontrolluar dhe të censuruar të asaj kohe.

Fakt është se kjo ndodhi mbas refuzimit të disa hershëm që Fan Noli i kishte bërë ftesës së përsëritur të Enver Hoxhës dhe qeverisë së tij për t’u kthyer përgjithmonë në atdhe.

Në një nga letërkëmbimet e shumta midis Kisit dhe Nolit, ky i fundit e pyeste: “Fortlumturi, më kanë kërkuar kaq herë që të kthehem në Shqipëri, ç’të bëj të vij? Si thua ti?” Në letrën e përgjigjes, Kisi i shkruante Nolit “…. bëj atë që ke bërë deri më tani!”

Siç duket kjo fjali ka qenë fatale për Prelatin dhe Shkencëtarin e shquar dhe antikomunistin e paepur Imzot +Kristofor Kisin, Kryebariun e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, i cili e kishte dorëzuar Fan Nolin si Peshkop më 21 nëntor 1923 në Korçë, por edhe ai që mori TOMOS-in (Dekretin) e Autoqefalisë, i cili nuk pranoi që të mohonte kryqin për lavdinë tokësore, që i ofroi regjimi komunist, prandaj edhe e helmuan.

Varrimi i Kryepeshkopit +Kristofor Kisi u bë më datën 18 qershor 1958. Arkivoli që mbante trupin e tij u vendos në mesin e Kishës Katedrale të “Ungjillëzimit” në Tiranë.

Ceremonia e përmortshme u kryesua nga Fortlumturia e Tij, +Paisi (Vodica), me pjesëmarrjen e Peshkopit Ndihmës +Sofronit, Arhimandrit Dhanil Çulit, Stavrofor Thoma Popës, Ikonom Marko Papajanit, Saqellar Petro Doçit, Kryedhjakonit Sotir Kanxherit, etj.

Në prani të të afërmve dhe besimtarëve të shumtë që kishin mbushur kishën, foli Sekretari i Sinodit të Shenjtë, Niko Çane, i cili theksoi virtytet e të ndjerit. Ndër të tjera ai përmendi ndershmërinë, urtësinë dhe kulturën e gjerë të Kryepeshkopit +Kristofor Kisi.

Fortlumturia e Tij, Kryepeshkopi +Kristofor Kisi bëri tratativa me Vatikanin për të krijuar një presion diplomatik balancues, si kundërpeshë ndaj shtysës së Patriarkanës Ekumenike, për të pastruar Kishën Ortodokse të Shqipërisë nga rryma e majtë e Fan Nolit me influencën e Kishës Ruse dhe paraardhësit të tij Kryepeshkopit +Visarion Xhuvanit me rrymën e tij të influencuar nga nacionalistët shqiptarë, Kisi edhe pse erdhi si një kompromis për të mirën e Shqipërisë dhe Kishës së saj Ortodokse Autoqefale, kurrë nuk i ndërpreu kontaktet me dy paraardhësit e tij, që i kishte jo vetëm miq të sinqertë, por edhe këshilltarë të ngushtë deri në fund, në momentin e persekutimit makabër dhe të vdekjes së tij tragjike.

Por përveç historisë së tij, ai la një trashëgimi të paçmuar shkencore dhe kulturore, laboratorin dhe bibliotekën e tij shumë të pasur, që u bënë themeli i Fakultetit të Shkencave të Natyrës të Universitetit të Tiranës.

Ky fakt kurrë nuk u bë publik dhe as një salle laboratorike nuk i’u vu emri i Profesor +Kristofor Kisit.

Besimtarët Ortodoksë Shqiptarë besojnë dhe shpresojnë se nuk do të jetë e largët dita që ky Prelat i shquar dhe Martir i Kishës, të ngrihet në Panteonin e shenjtorëve shqiptarë, të cilët nuk janë të paktë dhe që presin ti shtohen kalendarit të shenjtorëve të Krishterë Ortodoksë.

I përjetshëm qoftë kujtimi i tij dhe qoftë shenjtërimi i tij sa më i afërt.

Filed Under: Politike

Për kujtim të Djemve Shqiptarë në 80 vjetorin e Ditës së Zbarkimit të Aleatëve në Francë

June 18, 2024 by s p

Rafaela Prifti/

Numri i atyre që shkuan në festimet përkujtimore të përvjetorit të 80–të të zbarkimit të aleatëve në Normandi vjen çdo vit duke u pakësuar, por motoja e brezit më të lavdishëm (the greatest generation) është e pashoqe. Janë ata burra, djem, gra e vajza që nuk e panë veten si heronj në asnjë shërbim a detyrë të tyren, në artileri, flotë detare, forcë ajrore, operatorë a teknikë, të cilët thonë edhe sot e kësaj dite: “Ajo ishte koha jonë. Ne bëmë atë që na kërkohej, dhe kaq” (“It was just our time. We were asked to serve. And we did.”)

Gjithë javën e parë të qershorit në Normandi u mbajtën ceremoni përkujtimore kushtuar zbarkimit më të madh detar në historinë e luftës botërore. Tetëdhjetë vjet më parë, 7,000 barka dhe lundra zbarkimi me 195,000 personel nga tetë vende aleate, prej të cilave 133,000 ishin trupa nga Shtetet e Bashkuara, konfederata britanike dhe aleatët e tyre që zbarkuan në pesë plazhet veriore të zonës së Normandisë në 6 qershor 1944. Qielli i paqtë i Normandisë ku lundronin parashutat me ngjyra gjatë festimeve ato ditë, 80 vjet më parë përflakej nga zjarret e luftës ndërsa topat dhe mortajat mbillnin vdekje përgjatë plazheve me rërë.

Pjesëmarrësit, zyrtarët dhe kryetarët e shteteve i përshëndesnin veteranët e veshur me uniformat ushtarake të sektorëve të tyre dhe ju thoshin: “Faleminderit dhe …Mirupafshim!” Ndonëse historitë e asaj dite tregohen nga burrat e djemtë që ishin pjesëmarrës në të, shumë prej të cilëve dhanë jetën aty, qindra mijëra gra dhe vajza të forcave ushtarake kryenin funksione me shumë rëndësi në sektorët operativë, radio-komunikim, zbulimi informativ etj. shpesh të papërmendura ose vlerësuara. Gratë, nuk lejoheshin të merrnin pjesë në luftime, por ndihma e tyre ishte kyçe në zbërthimin e kodeve, në kartografi dhe mbikëqyrje të skuadrave lundërtare të meshkujve që stërviteshin për Ditën e Zbarkimit. Një prej tyre ishte Dorothea Barron, e cila gjatë pranverës dhe verës të vitit 1943, bashkë me koleget e saj, kontrollonin prototipet e dy modeleve të skelave portative që do çoheshin në Normandi për të lehtësuar transportin e personelit dhe pajisjeve në fushën e betejës.

Një prej veteranëve që hipën në aeroplan nga Atlanta për Deaville, Normandi, ishte 100 vjeçari Margol-i, banues në Atlanta, Xhorxhia. Ai dhe shokët e tij u pritën me madhështi në Francë, ku morën pjesë në shumë parada, takime e parakalime, vizituan shkolla, dhe ishin në tribunën e ceremonisë zyrtare të nderimit të trupave të çlirimit në Normandi. Ndonëse Margoli nuk ishte caktuar me trupat që ndihmuan të çlironin Evropën nga tirania naziste, ai ishte pjesëtar i brigadës që çliroi kampin e koncentrimit Dachau në 29 prill, 1945.

Mes lajmeve të tjera në gazeta u dha njoftimi se veterani 102 vjeçar, Bob Persichitti nga Fairport, Nju Jork, ndërroi jetë ndërsa udhëtonte për të marrë pjesë në 80 vjetorin e ditës së zbarkimit në Francë. Ai nuk kishte qenë me forcat ushtarake në Normandi, por ishte dëshmitar i ngritjes së flamurit amerikan në Iwo Jima në vitin 1945.

Bashkësia Shqiptare në Amerikë

Në kremtimet e ditës së të rënëve dhe të zbarkimit në Normandi, kureshtja më çon të mendoj se sa djem shqiptarë të Amerikës janë mobilizuar në një sektorë të ushtrisë apo në një tjetër, sa prej tyre ranë në betejë, sa u kthyen bashkë me shokët, dhe nëse emrat e tyre janë në arkiva bashkë dhe kujtimet nga lufta për fitoren e lirisë në Evropë dhe çlirimin e Shqipërisë.

Në faqet e gazetës Dielli dhe të shtypit shqiptar të kohës gjenden shumë të dhëna për të rënët dhe dëshmorët shqiptarë të këtij kapitulli të Luftës së Dytë Botërore. Një prej tyre ishte Albert Nashi, student në New England Conservatory of Music, dhe djali i Thoma Nashit, themelues dhe dirigjent i Bandës Kombëtare Vatra. Në rubrikën e titulluar “Dy vdekje të Tmerruara”, gazeta Dielli e datës 12 gusht 1944 jep njoftimin për Albert Nashin së bashku me lajmin mortor për djalin shqiptar Philip Churchi:

“Mandatat e luftës nisnë të vijnë si breshëri. Këtë javë mësuam me hidhërim se Albert Nassi, biri i Profesor Thoma Nassi-t, ra dëshmor në fushë të betejës për lirin’ e botës në Francë. Albert Nassi studioj muzik në New England Conservatory of Music me shpresë që të vazhdonte gjyrmat e t’et, fatkeqësisht lufta tragjike në të cilën bota po shkretohet nuk e la Albertin të shijonte bukurit e jetës.

Kjo javë na hidhëroj me një tjatre vdekje të nje tjatre djaloshi shqiptar: Philip Church, Brockton. Mass…. Philip Churchi u-vra me aksident këtu n’ Amerikë kur po bënte stërvitje ushtarake.

Philip Churchi, ish dhëndëri i Zotit Vangjel Kolonjari, ish delegat i Degës së Vatrës në Brockton, Mass., në Kuvendin e Vatrës muajin që shkoi. Dielli dhe Vatra ju dërgojn ngushullimet e sinqerta tere fare e fisit të dy dëshmorëve, Albert Nassi dhe Philip Churchi.” (Foto: Dielli, Boston, Mass., e shtunë, 12 gusht, 1944)

Dy javë më vonë, në një kolonë të veçantë në faqet e Diellit, 26 gusht, 1944 njoftohet se Sergt. Charles Peters, një i ri nga qyteti Attleboro, Mass., ra viktim e një aksidenti aeroplani. Shërbimet funerale të tij u bënë nga Imzot Noli dhe At Mihal Terova në kishën Episkopoliane të qytetit Attleboro. Aty njoftohet se kishin ardhur zyrtarë të qytetit, vetë kryebashkiaku si edhe shumë shqiptarë nga Bostoni, Watertown, Natick, Brockton, Worcester, Mass, dhe Manchester, NH.

Ashtu si shumë djem të tjerë të lindur në Amerikë nga prindër shqiptarë, rreshteri Charles Peters, iu përgjigj thirrjes së vendit dhe hyri në shërbimin ushtarak në vitin 1942. Në fjalën e imzot Nolit ndihet vlerësimi dhe adhurimi për ata që shihnin tek kauza për liri edhe çlirimin e Shqipërisë. “Sakrificat që bëjnë djemet t’onë, prej prindër shqiptarë, do të lirojnë botën e tërë dhe Shqipërinë,” thotë imzot Noli.

Gazeta Dielli jep njoftime të tjera si dekorime për heroizëm të “Staff Sergt. Thomas Theodore Kiriako (Panariti) i flotës ajrore, “që nderojnë racën shqiptare”, ardhjen me pushim të shkurtër të Vatranit të mirënjohur Lt. Dr. Andrew Elia, që hyri vullnetarisht të shërbente si mjek në flotën amerikane në ujrat e Atlantikut dhe më pas u transferua në bazat amerikane në Paqësor, dhe shumë të tjerë. (Foto: Dielli, Boston, Mass., e shtunë, 26 gusht, 1944)

Në fjalën përcjellëse të Imzot Nolit në varrimin e dëshmorit Philip Churchi, mes të tjerave, ai thotë se i dhemb zemra për të sepse e kishte pagëzuar dhe i kishte vënë kurorë martese dy vjet më parë, ndërsa djali shqiptar lë pas prindërit, zonjën dhe foshnjën e re. Por Noli e pranon çmimin e madh të sakrifikimit të jetës për lirinë:

“Me derdhjen e gjakut të këtyre ushtarëve nga raca shqiptare, do të rifitojë dhe Shqipëria e vogël lirin’ e saj…. Sot, së bashku me ju, po i lutemi Zotit të ketë kujdes shpirtin e tij dhe t’a vendose me të djathte në Paradisë. Amin”

(Foto: Dielli, Boston, Mass., e shtunë, 26 gusht, 1944)

Ata djem e vajza që i takojnë “brezit më të lavdishëm” u sakrifikuan pa bujë e zhurmë pavarësisht nga origjina, besimi, kombësia. Prandaj adhurimi i bashkëkombësve për ta meriton të jetë pjesë e vlerave që nuk duhen humbur ndërsa shumë prej tyre nuk i kemi më mes nesh. Bashkësia shqiptare i ka dhënë kauzës botërore të lirisë bijtë e saj, të cilët kanë shkruar faqe të çmuara të historisë sonë në Amerikë

Filed Under: Kronike

Kafka, vallëzimi i së tashmes me të përhershmen

June 18, 2024 by s p

Agim Baçi/

A nuk mendon njeriu jo pak herë se ajo që i ka ndodhur apo që po i ndodh nuk është ajo që ka dëshiruar, apo nuk është në statusin që meriton në shoqëri? A nuk kemi ngritur mite ne për jetën, dashurinë, për qytetin, për komunitetin, për kontin, për prijësin dhe përballë këtyre miteve kërkojmë të ndërtojmë përditshmërinë tonë, madje duke besuar se meritojmë më shumë se në realitetin që na shohin sytë?

K-ja, personazhi i romanit “Kështjella” të Franz Kafkës, i thirrur si arëmatës nga konti, fle në “Bujtinën e Urës”, ka status të punojë për kështjellën, por pa mundur të futet atje. K-ja, është egoja e autorit që i beson shkrimit si çlirim. Por njeriu dhe shkrimi jo pak herë futen në labirinthe pakuptueshmërie. Dhe kur nuk e kupton atë që ka përballë, njeriu është i prirur të besojë se është thjesht një keqkuptim ose gabim. Por jo. Të paktën, kryebashkiaku i qytezës i tregon K-së se, nuk ka gabime apo keqkuptime, pavarësisht se mund të duken së jashtmi ashtu.

“…A ka një shërbim kontrolli? Gjithçka është shërbim kontrolli. Kuptohet, nuk është ngritur për të zbuluar gabime në kuptimin e epërm të fjalës sepse nuk bëhen gabime e, edhe në qëlloftë, se ndodhin përjashtime dhe bëhen, kush mund të thotë, në fund të fundit, se kemi të bëjmë në të vërtetë me një gabim?”, i thotë kryebashkiaku K-së, i cili nga ana e tij nuk arrin ta kuptojë se si mund të ketë pasur një gabim në ftesën e kontit që e ka thirrur të punojë aty si arëmatës.

Por, a nuk mendojmë edhe ne shpesh siç mendon si K-ja, duke besuar se jemi brenda një jete që mund ta ndërtojmë individualisht, pavarësisht mendimit të të tjerëve, pavarësisht traditës së njerëzimit, pavarësisht rrethanave ku jemi. Kjo është shaka që njeriu shpesh i bën vetes, të paktën për aq kohë sa nuk ka kuptuar fuqinë e “së papriturës”. Dhe “Kështjella”, në dukje e lehtë e pastaj me aq labirinthe, nuk është veçse pëlhura që thur fatin tonë, si një fuqi e epërme. Dhe kjo pëlhurë mbetet ashtu, siç mbetet “Kështjella” për K-në, sa e dukshme, aq edhe e largët. Ashtu siç edhe ditët tona kalojnë herë duke besuar se mundemi të shkojmë shumë më përtej se ajo që mundemi vërtet, e herë se nuk kemi bërë asgjë më shumë se sa ajo që fati ka dashur për ne.

Rrugëtimi dhe gjithë njohjet, të dëshiruara apo jo nga K-ja, e që e afrojnë dhe e largojnë atë në mënyrë të pabesueshme nga “Kështjella”, nuk është veçse është rrugëtimi ku ndeshet si në një vallëzim e tashmja me të përhershmen. Vetëm kur arrijmë të kuptojmë se e tashmja jonë është veçse një ekspozim i detajeve të së përhershmes, mundet që edhe të qetësojmë mendjen tonë që në mënyrë permanente rreket të ndajë realitetin nga miti.

E veçanta e marrëdhënieve të qytezës brenda Kështjellës dhe fshatit që shtrihet rrëzë Kështjellës, ku çdo banor i fshatit sheh me admirim këdo që jeton atje, është se aty asgjë nuk bëhet me dhunë. Madje, as kundërshtitë e K-së për dy ndihmësit që e parehatojnë gjëndjen e tij, apo për atë individ që kërkon të bëjë ndryshe, për të qenë i lirë, nuk hasin në këmbëngulje të autoriteteve. E megjithatë, asnjë fitore e K-së nuk vlen përballë labirintheve që e ulin dhe e ngrenë përditshmërinë e K-së, ashtu si befasitë që marrin udhët brenda “Kështjellë-s”. Ç’do refuzim nënkupton një tëhuajësim të atij që mendon se gjendet pranë Kështjellës, por që në të vërtet veç largohet prej saj.

Marrëdhënia e K-së me Fridën, banakieren e bujtinës, qëllon të jetë, një marrëdhënie e njëjtë edhe në sytë e ndihmësave të tij që nuk i do, këmbëngulja për të folur me Klamin, zyrtarin e Kështjellës që është dhe i dashuri i Fridës, bëhen pjesë e një realiteti që nuk dallon shumë nga ëndrra.

Edhe fytyra e Klamit, që “ndryshe vjen nga kështjella e ndryshe ikën”, apo plakja dhe rrudhja brenda dite e ndihmësit Jeremias, vetë sa e plotëson këtë përplasje brenda nesh.

E gjithë përballja që në fillim i duket K-së normale, nis të zbehet. Kafka këtu ja zëvendëson K-së bashkëbiseduesit e dorës së parë që janë afër Kështjellës, si Klami e Frida, me personazhe dytësore, si Olga, Lazemani, Pepi, Barnabasi. Deri sa K-ja nuk dallon më kufijtë e ëndrrës dhe realitetit. “Jo, mos kërkoni ndjesë që dremitët, s’ka përse. Fuqitë e trupit kanë njëfarë kufiri; ç’faj ka dikush nëse ata kufinjë në çast u duket sikur kanë tjetër vlerë? Asnjë faj. Kështu, në rrjedhë të vet, bota korrigjon vetveten dhe ruan drejtpeshimin. Eshtë një rend i shkëlqyer, as nuk mund të merret me mend një rend më i mirë, edhe pse, në një vështrim tjetër, kjo sikur të pret krahët”, i thotë Byrgeli K-së pas një zgjimi të befasishëm.

Në rrëfimin e Kafkës nuk ka vend për romantizëm. Njeriu në rrëfimin e tij përplaset herë me veten e herë me realitetin. A duhet të humbë rrugën për të besuar gjendjen tonë, përballjen tonë mes ideve tona dhe fatit? K-ja nis pyetjet e rëndësishme kur përfundon në dhomën e shërbyeseve, duke humbur statusin e dhomës në bujtinë. “…jeni mësuar të të përgjoni nga vrima e çelësit dhe të mendoni pastaj, duke i nisur nga ç’keni parë; nga ndonjë gjë pa rëndësi që mund të shihni, nxirni përfundime aq të shtira sa dhe të gabuara. Ja, për shembull, për këtë rast unë di shumë më pak se ti. Unë nuk di ta shpjegoj aq saktë sa ti pse më la Frida. Shpjegimi më i mundshëm më duket ai që ti e çikë pa e thelluar, domethënë që unë e paskam lënë pas dore. Ashtu është, e kam lënë pas dore, por kisha arsye të posaçme që nuk është rasti t’i zë me gojë; do isha i lumtur sikur të kthehej te unë, por do filloja përsëri ta lija mbas dore pa humbur kohë. Kështu është. Kur ishte me mua, unë isha gjithmonë jashtë shtëpisë për shkak të atyre ecejakeve për të cilat ti u talle; tashti që ka ikur, zëre se s’kam ç’të bëj, jam i lodhur, rri e ëndërroj një plogështi sa më të plotë”, i ankohet K-ja Pepit, por më një zë të pafuqishëm, me një zë vetëm ngushëllues të mjerimit të ri. Fshati dhe Kështjella, ku ka shumë borë e pak dritë, janë pikërisht ai filli i asaj që krijojmë ne, dhe asaj që fati brutalisht ka shkruar për ne.

Filed Under: Kulture

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 904
  • 905
  • 906
  • 907
  • 908
  • …
  • 2778
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT