Bijtë e Shqipes/
Zyrtarisht fillimi i vitit të ri mësimor 2024-2025, u shënua në datën 15 shtator 2024, por faktikisht sot ishte dita e parë e mësimit në shkollën “Gjuha Jonë”. Gumëzhinte dhe ndihej në cdo kënd të shkollës sonë të re, ëmbëlsia dhe ngrohtësia e zërave të nxënësve . Nxënësit e klasave të para të ndrojtur, pak të frikësuar kërkonin mbështetje te një shok i njohur, apo te mësueset e tyre. Nxënësit e klasave të mëparshme gjenin shokët e klasës dhe grupoheshin së bashku. Rreth 80 nxënës u ulën sot në bankat e shkollës sonë. Mësueset e shkollës : znj. R. Bardhi, R. Bani, M. Sotiri, A. Muzhaqi, E. Janji mirëpritën dhe i drejtuan nxënësit në ambientet e reja. Në cdo klasë nxënësit treguan për pushimet me familjet e tyre dhe emocionet e përjetuara, kënduan këngët shqip që kishin mësuar u prezantuan me njëri- tjetrin, kujtuan ditët e javës, muajt, numëruan dhe gjenin gjëegjëza të bukura me ose pa foto. Ish- nxënës të shkollës sonë, Bora Vladi, Gabriel Liti, Sara Shehu, Abigail Rrapaj, dhe nje pjese e mire e prinderve ndihmuan vullnetarisht mësueset dhe nxënësit e rinj së bashku me anëtarët e Këshillit Drejtues të Shoqatës me regjistrimet e reja dhe me shpërndarjen e librave. Për herë të parë nxënësit tanë do të studiojnë me librat Gjuha Shqipe dhe Kultura Shqiptare për diasporën të ndarë në dy nivele. Këto libra do të siguroheshin nga shoqata nën kujdesin dhe ndihmën e cmuar të biznesmenit z. Arian Begaj dhe do të transportoheshin falas nga Kompania e transportit Monte Kristo Shipping, Inc. ne pronesi te biznesmenit z. Edmond Zykaj. ( Sa i madh dhe i gjerë është shpirti i shqiptarit të vërtetë!). Por dhurata të bukura do të merrnin nxënësit e klasave të para dhe nxënësit e rinj nga sipermarresi Z. Eldion Pajollari. Eldion Pajollari- State Farm Insurance Agent : cantat e shkollës dhe mjetet mësimore. Ky eshte viti i dyte qe Eldioni i dhuron falas femijeve çantat e shkolles. Falenderimi kalon në kufijtë e mirënjohjes për gjithë ata që mundësojnë mësimin e gjuhës shqipe gjeografikisht larg trojeve shqiptare.
Shumë emocione dalloheshin te prindërit të cilët këshillonin fëmijët e tyre që të ndiqnin rregullat e shkollës, të mësonin sa më shumë nga gjuha e trashëguar në breza. Faleminderit dhe të bekuar qofshi ju prindër që përpiqeni të ruani gjuhën tuaj te pinjollët dhe i besoni shkollës “ Gjuha Jonë”. Falenderojme znj. Aurora Pando qe mundesoi per sot sjelljen e pakove me patatina per nxenesit.
Pak të shqetësuar, por të qeshur dhe të gëzuar nxënësit tanë sot. Edhe pse dikush fliste më shpejt dhe më saktë shqip, edhe pse dikush duhet të mendohej para se të kthente përgjigjen, ata të gjithë e dinin sot se ishin shqiptarë dhe i përkisnin këtij komuniteti dhe rrënjët e tyre ishin përtej oqeanit.