• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

VATRA BOSTON ZHVILLOI VIZITË ZYRTARE NË SELINË QËNDRORE TË VATRËS

September 10, 2024 by s p

Sokol Paja/

New York, 9 shtator 2024 – Dega e Vatrës në Boston zhvilloi një vizitë zyrtare në selinë qëndrore të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra. Delegacioni i Bostonit i kryesuar nga kryetari z.Mentor Maksutaj, sekretari z.Flamur Vezaj, arkëtari z.Jorid Çelaj dhe anëtarët e kryesisë Lindita Meçe e Ervis Dhima e vatranët Klajdi Haruni, Gëzim Meçe e Artian Rreza u pritën nga kryetari i Vatrës Dr. Elmi Berisha, sekretari Dr. Pashko Camaj, vatrani historik z.Marjan Cubi, editori i Diellit e vatranë të tjerë. Në fjalën e mirëseardhjes Dr. Berisha përgëzoi vatranët e Bostonit për punën e shkëlqyer, patriotizmin, angazhimin komunitar e kombëtar në shërbim të çështjes kombëtare. Z. Berisha vlerësoi cilësitë atdhetare, kulturore, e kombëtare të grupit të shkëlqyer të Bostonit, veprimtaritë dinjitoze dhe të dinjitetshme të Vatrës Boston që rrezaton e frymëzon Vatrën e komunitetin shqiptar në Amerikë. Kryetari i Vatrës në Boston z.Mentor Maksutaj u shpreh i emocionuar rreth vizitës në Vatër, shprehu respekt e vlerësim për punës e Kryesisë së Vatrës sidomos mbi vizitën në Vatikan, vizitën në Shtëpi të Bardhë e Departament të Shtetit, vizionin e lidershipin e Vatrës dhe u ndal në kontributin historik të vatranëve në jetëgjatësinë shekullore të Vatrës e Diellit. Delegacioni i Bostonit pa nga afër Bibliotekën Shkencore e Arkivin e pasur të Vatrës si pasuri kombëtare e komunitare e dëshmi historike e identitare kombëtare shqiptare në Amerikë. Kjo vizitë e përzemërt e vëllazërore ishte në respekt të punës e përpjekjeve të përbashkëta për të mirën e çështjes kombëtare e komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pas takimit vëllazëror kryetari i Vatrës shtroi një drekë në restorant “Cakor” në shenjë respekti, vlerësimi e nderimi për ekipin e shkëlqyer patriotik të Vatrës Boston.

Filed Under: Featured

FATI I TRISHTË I KOSOVARËVE NË LIBRIN E FILIP GURAZIUT

September 10, 2024 by s p

Shpend Topollaj/

(Rreth librit “Jetesë n`mes egërsinave”)

Pa tjetër që në letërsi, ana artistike e një vepre, ka rëndësinë e saj, por janë ca tema që me vërtetësinë e tragjizmit rrëqethës që mbartin brenda tyre, e tejkalojnë atë. Mund të sjell si shembull “Arkipelagun Gulag” të nobelistit Aleksandër Sollzhenjicin për krimet e pafundme të regjimit gjakatar komunist të kohës së Stalinit. Fatkeqsisht, ato krime të përbindshme, me të njëjtën egërsi ngjanë edhe në Shqipërinë e vogël të Enver Hoxhës. Komunizmi si praktikë, tashmë e dinë edhe nxënësit e shkollave, ka qenë sistemi më i padrejtë dhe më mizori ndaj popullit të vet. Atë, për nga pashpirtësia dhe lufta për pushtet e diktatorit që udhëhiqej nga parimi i lashtë “Le të më urrejnë, por të ma kenë frikën”, dhe që nuk kurseu as besnikët e vet të luftës dhe të kohës pas mbarimit të saj, do ta kishin zili edhe perandorët e dikurshëm të Bizantit. Për këto kanë shkruar shkrimtarë, historianë, intelektualë, klerikë dhe të dënuar të ndërgjegjes, por i nderuari dhe i respektuari Filip Guraziu, njëri nga personalitetet përfaqsuese të Shkodrës demokratike, në librin që keni ndër duar, ka zgjedhur për të trajtuar njërën nga anët më të dhimbshme, por edhe më të turpshme: urrejtjen, dyshimin, e deri ndëshimin me burgje dhe internime të atyre bijve atdhetarë të Kosovës, që duke mos u pajtuar me diktaturën dhe në tërësi me diskriminimin që i bëhej popullit të Kosovës nga klikat Tito – Rankoviç, e pastaj Millosheviç, vinin në tokën amë, me shpresën se do të shpëtonin nga përndjekja, poshtërimi dhe dënimi në vendlindje. Filipi, duke u ndalur te fati i Kujtimit, kosovarit të ndershëm i cili besonte tek ato që në mënyrë mjeshtërore, tirrte propaganda demagogjike e Shqipërisë së atyre viteve, ka përgjithësuar thuajse gjithçka ngjau me vëllezërit tanë të të njëjtit gjak që e kishin ëndërr Shqipërinë, “fanarin ndriçues të socializmit” në Evropë. E dhënë me data, orë, emra dhe vende të njohura, ai përshkruan një histori të vërtetë jetese mes egërsirash, e cila ndriçon anën e errët dhe më të panjohur për popullin e Kosovës i cili duke mos pasur asnjë informacion për sa ngjiste këtu, ka pasur të drejtë të mbledhë supet i çuditur dhe shpesh edhe të mos besojë. Dhe megjithëse Kujtimi punon kudo që e caktuan, me ndërgjegje e përkushtim, si në bujqësi ashtu dhe në arsim, pas përfundimit të shkollës së lartë, atë e akuzojnë paradoksalisht si spiun të jugosllavëve. Dhe jo vetëm atë, por e pëson edhe e shoqja, bijë e një partizani të vjetër dhe vetë ky që nga sikleti, vdes para kohe. Para dy ditëve mbarova së lexuari librin e mrekullueshëm voluminoz me kujtime të profesor Ymer Berbatit “Leximi i vetvetes”, dhe ndieja trishtim për sa ka hequr populli heroik dhe paqësor kosovar, por edhe m`u shtua dashuria e krenaria për burrërinë dhe dinjitetin e treguar prej tyre. Veç nuk duhet harruar se po e pësonin nga armiqësia shekullore e ardhacakëve barbarë sllavë nga stepat e largëta, qysh nga shekulli i VI – të. Kurse, pritja që u bëhej atyre te ne, me fyerje, përçmime, akuza pa asnjë bazë, tortura e burgime apo shkatërrime të familjeve që mundën të krijonin, po nga shqiptarët, është akoma më e rëndë dhe absolutisht e pajustifikuar dhe e pafalshme. Nuk po ndalem te koketimi i komunistëve shqiptarë me ata serbë, ku kërkohej përfshirja e Shqipërisë si Republikë e shtatë e Jugosllavisë dhe heshtja për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, ku nuk pushuan stigmatat dhe deri pushkatimet për ata nacionalistë që trimërisht e donin Shqipërinë Natyrore, heshtje që për habi, vazhdon edhe sot e kësaj dite, por nuk mund të mos përmend se edhe kur u vendos mes nesh teli me gjemba, sigurimi famëzi vazhdonte bashkëpunimin me UDB – në, duke shkëmbyer ata që kalonin kufirin, ku sido që të ngjiste, të dy palët ishin po shqiptare dhe të dy vuanin vite të gjata burgimi, për gjoja kalim të paligjshëm kufiri. Pa u marrë kohë, do të përmend vetëm një rast që e kam shkruar edhe si tregim, ku një fshatar nga Tropoja që kishte tridhjetë vjet pa e parë motrën, vendosi të vinte këtu dhe ta takonte atë. Rojat e kapën dhe kur e shpunë për ta shkëmbyer, ndër ata që po e merrnin në dorëzim, ishte dhe komandanti i bataljonit tonë i cili ndër të tjera e quante tradhtar, se paskej kaluar kufirin. Malësori, gjakftohtë i thotë se nuk e di se kush të ka bërë ty komandant, kur nuk e di se kufiri ynë nuk është ku shkova unë, por te Guri me Vrimë. Megjithatë, nja dhjetë vjet të mira i hëngri ai qyqari. Ja pse them se edhe në Kosovë, duhet të njihen me ato që u rezervoj regjimi i Enverit, pasi paqartësitë sjellin qëndrime të kundërta që mbjellin përçarje mes njerëzve. Po ashtu, ja edhe pse libri i zotit Filip Guraziu i shërben këtij qëllimi e këtij sqarimi, nga i cili edhe ne në Shqipëri nuk jemi ndarë akoma. Sot, duhet të mbizotërojë dashuria e sinqertë mes nesh dhe ngritja e zërit të përbashkët, për të mos u pajtuar me kërkesat absurde të diplomacisë ndërkombëtare, që djallëzisht kërkojnë t`i bëjnë lëshime pas lëshimesh kriminelëve të Aleksandar Vuçiçit në emër të ruajtjes së ekuilibrave. Asnjë ekuilibër nuk cënon Kosova. Mjaft ka hequr populli i Kosovës dhe ai nuk harron. Ka ardhur koha t`i kujtojmë gjithë botës atë thënien e Virgjilit tek Eneida “Vivit sub pectore vulnus”, pra “Jeton në zemër plaga”.     

Filed Under: Komente

Politika e Italisë fashiste ndaj komuniteteve fetare në Shqipëri në vitet e Luftës së Dytë Botërore

September 10, 2024 by s p

Prof. As. Dr. Hasan Bello/

Pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste për komunitetet fetare u krijua një realitet i ri. Megjithëse Mëkëmbësi italian Jakomoni përpiqej të “evidentonte” respektin e italianëve për Islamin, besimtarët myslimanë e ndjenin veten para së gjithash shqiptarë dhe ishin të lënduar nga kushtet gjysëm koloniale, në të cilat i kishte katandisur Italia. Disa opsione të qeverisë italiane, nga ana tjetër, nuk qenë të goditura dhe shkaktuan pakënaqësi tek myslimanët shqiptarë.

Imponimi i një mbreti katolik me personin e Viktor Emanuelit III, ngjalli jo pak nostalgji për Zogun, i cili ndonëse nuk ishte praktikant, ishte prej gjaku shqiptar dhe mysliman. Këtu, nuk duhet harruar edhe rimodelimi i flamurit shqiptar, të cilit, italianët përveçse i vendosën fashot e liktorit, stilizuan mbi përkrenaren e Skënderbeut një kurorë me një kryq përsipër. Ky simbol kristian mbi flamurin shqiptar u konsiderua si një fyerje e rëndë. Kështu, që për shqiptarët tashmë u bë shumë e qartë se “favoret” që italianët shpallnin, për fenë Islame nuk ishin gjë tjetër veçse manovër politike. Sipas studiuesit Roberto Moroco dela Roka “në përpjekje për të fituar pëlqimin e atyre që i quanin si shtyllat e rendit shoqëror shqiptar, italianët treguan kujdes të veçantë që të fitonin besimin e krerëve të bashkësive të ndryshme fetare shqiptare. Problemi i parë politik që kishin para tyre pushtuesit ishte stabiliteti. Fetë qenë menduar si një vegël e çmuar për këtë qëllim: duke treguar nderim për to do të vihej në dukje vëmendja dhe kujdesi i italianëve për një aspekt të rëndësishëm të identitetit shqiptar, dhe, paqja fetare do të ndikonte shumë për paqen politike, duke krijuar një atmosferë të qetë të pranimit të fakteve të kryera”.

Kjo vihet re që të nesërmen e pushtimit të Shqipërisë kur kreu i Shatmadhorisë gjeneral Badolio përpiloi një raport të hollësishëm për organizimin e territoreve të aneksuara. Sipas tij, marrëdhëniet me popullsinë shqiptare duhej të bazoheshin në njohjen psikologjike të elementëve të feve të ndryshme në Shqipëri. Ai nënvizonte faktin se duhej më shumë dinjitet dhe stil nga trupat italiane, sidomos respekt absolut për gratë e për fetë.

Një pikëpamjeje të tillë i përmbahet edhe Mëkëmbësi i Viktor Emanuelit III, Françesko Jakomoni, i cili shkruan se objekt i një kujdesi të madh ishte që të vendosej një marrëveshje e plotë në mes ithtarëve të katolicizmit, të ortodoksisë dhe të fesë Islame. Në funksion të kësaj politike ishte vizita në faltoret shqiptare dhe ndërtimi i kishave dhe xhamive të reja.

Megjithëse në Romë ekzistonte një paqartësi e madhe lidhur me politikën fetare që duhej të ndiqej në Shqipëri, “në parim italianëve nuk u interesonte që në mes tri feve të mbretëronte harmonia më idilike, as që përmes tyre të arrihej në një përçarje të popullit shqiptar në grupime të ndryshme”. Ata u kujdesën që të mos preknin ndjeshmërinë e bashkësive fetare. Përkundrazi, të fitonin besimin dhe përkrahjen e tyre. Në funksion të kësaj politike mikluese ishte edhe deklarata e bërë nga Musolini vetëm pak ditë pas pushtimit për ngritjen e një xhamie të madhe në Romë. Ai e justifikonte këtë se tashmë gjashtë milion nënshtetas italianë ishin myslimanë.

Në Ministrinë e Jashtme në Romë ekziston një dokumentacion interesant, i cili na lejon të konkludojmë se politika e pushtuesve italianë ndaj bashkësive fetare në Shqipëri ishte një aksion i pasigurtë, oportun dhe i varur nga situatat që mund të krijoheshin. Kështu, muajt e parë të pushtimit autoritetet italiane ishin të bindur se duhej mbajtur një ekuilibër i paanshëm në mes feve të ndryshme, duke treguar ndaj seicilës të njëjtin nderim. Por ky kriter nuk do të reflektohet në politikën e subvencioneve që qeveria italiane ndoqi ndaj bashkësive fetare në Shqipëri nga viti 1939 deri në vitin 1941. Në shpërndarjen e parave ajo nuk mbante parasysh përpjestimin numerik të tyre. Kështu, për katolikët në buxhet caktoheshin çdo vit rreth 1.200.000 lira, për ortodoksët 700.000 lira dhe për myslimanët 500.000 lira. Këtyre të fundit për arsye se përbënin pjesën më të madhe të popullsisë iu jepeshin edhe dhurata me raste festash apo për ndërtime xhamiash. Kjo sidomos kur Kosova u bashkua me Shqipërinë. Në tetor të 1941-shit Ministria e Jashtme italiane u detyrua të shtonte fondin vjetor “për shpenzime politike të rezervuara në Shqipëri”.

Në kuadër të politikës religjoze qeveria italiane kishte shqyrtuar edhe një projekt “barazpeshimi të ri” të gjendjes fetare në Shqipëri. Sipas këtij plani parashikohej formimi i dy blloqeve fetare, njëri mysliman dhe tjetri katolik, forcat e të cilit duhej të ishin të barabarta. Por ai shkonte në disfavor të pjesës ortodokse, sepse favorizohej dukuria uniate që do t`i bashkonte të gjithë të krishterët në një bashkësi të vetme katolike. Ndërsa bektashinjtë do të shërbenin për të thyer kompaktësinë e myslimanëve. Ky projekt nuk u zbatua. Kjo, për disa arsye, të cilat është e vështirë të hamendësohen. Sipas dela Roca-s, mundet që manovrat brenda shumicës myslimane, edhe nëse u provuan të bëheshin, dështuan që në lindje. Përsa i përket uniatizmit, kundërshtimi i papritur i Vatikanit, si dhe kostoja e lartë financiare që u kërkonte ky operacion arkave të shtetit italian, bënë që kalimi tashmë i gatshëm i Kishës autoqefale shqiptare në gjirin e Kishës katolike, të shtyhej për më vonë. Veç kësaj, ky projekt ishte paaplikueshëm për shak se binte ndesh me vetë politikën ekspansioniste të qeverisë italiane. Kështu, shndërrimi i Kishës autoqefale në Kishë uniate do të zhgënjente shqiptarët ortodoksë të Çamërisë, të cilët pas bashkimit me atdheun mëmë do të kontestonin të bëheshin pjesë e Kishës katolike. Por edhe brenda kësaj të fundit kishte zëra kundërshtues për shkak të dallimit që ekzistonte mes ortodoksëve, që ishin sa dyfishi, me katolikët. Edhe diversioni mes bektashinjve dhe myslimanëve nuk do të pritej mirë nga shqiptarët e Kosovës, që në pjesën e tyre dërrmuese ishin suni. Prandaj alternativa e ruajtjes së status quos-së u konsiderua si rrugë e pakalueshme.

Regjimi fashist ndiqte një vijë pragmatiste në raport me komunitetet fetare. Në parim, ai nuk privilegjonte as njërën dhe as tjetrën bashkësi fetare. Nga të gjitha kërkohej pëlqimi maksimal dhe u siguroheshin favore dhe subvencione në atë masë sa ato pranonin të bashkëpunonin me pushtetin. Në thelb trajtimi i çdo bashkësie fetare bëhej sipas peshës politike që i jepnin asaj përmasat dhe ndikimi në shoqërinë shqiptare.

Filed Under: Histori

Ja sa orë gjumë ju nevojitet sipas moshës suaj

September 10, 2024 by s p

Blonde woman laying on bed TIME health stock

Jeffrey Kluger /Pwrktheu Rafael Floqi/

Gjumi është një objektiv në lëvizje. Kur keni qenë i bebe, keni fjetur pjesën më të madhe të ditës, pastaj më pak si fëmijë më i madh; si adoleshent, ke fjetur më vonë. Orari i gjumit i një të moshuari është më i hershëm – pjesë e një udhëtimi jetësor të nevojave të gjumit në rritje dhe rënie në varësi të moshës. Sa gjumë keni nevojë në faza të ndryshme të jetës dhe pse kërkesat tona ndryshojnë gjatë gjithë kohës?

Të porsalindurit dhe foshnjat

Foshnjat e moshës zero deri në tre muaj flenë 14 deri në 17 orë nga çdo 24 – pjesërisht në funksion të prezantimit të të porsalindurit në botë pas tre tremujorësh në errësirën e mitrës. Një pjesë e madhe e kohës në mitër kalon duke fjetur, dhe arsyeja për kaq shumë gjumë është e njëjtë si para dhe pas lindjes: rritja. Foshnjat trefishojnë peshën e tyre nga lindja deri në moshën një vjeçare, dhe është gjatë gjumit – veçanërisht cikli i thellë i quajtur gjumi me valë të ngadalta – kur lirohet hormoni i rritjes më së shumti. Shtimi i masës nuk është e vetmja gjë që bëjnë foshnjat më të vogla.

“Ka shumë lidhje të reja nervore që po formohen,” thotë Dr. Yi Cai, drejtor i kirurgjisë së gjumit në Qendrën Mjekësore të Universitetit të Kolumbias Irving, “dhe shumë mësime të reja po ndodhin. Gjithçka është e re, dhe kjo është një nxitës i shquar i nevojave të gjumit për atë moshë.”

Më vonë në vitin e parë, nga katër muaj në 12 muaj, nevojat për gjumë bien pak, në rreth 12 deri në 16 orë, por kjo nuk është për shkak se foshnjat po rriten më pak. Përkundrazi, thotë Cai, ata kanë filluar të zhvillojnë ritme cirkadiane që i lidhin me një cikël më të zakonshëm të dritës së errët, ditë-natë.

Fëmijët e vegjël dhe parashkollorët

Në grupmoshën një deri në dy vjeç, nevojat për gjumë bien përsëri në 11 deri në 14 orë dhe bien më tej, në 10 deri në 13 orë, nga mosha tre deri në pesë. Kjo është për shkak të një ritëm rritjeje disi më të ngadaltë pasi fëmijët largohen nga foshnja.

Nevojat njohëse ndryshojnë gjithashtu. Mësimi konsolidohet kur jemi duke fjetur dhe është në muajt e parë dhe në vitin ose dy të jetës që ne mbledhim njohuritë më themelore. “Kur je më i ri, ka shumë mësime më të rëndësishme që vazhdojnë”, thotë Joshua Tal, psikolog i gjumit dhe shëndetit me bazë në Nju Jork. “Ju po mësoni se cilët janë njerëzit në jetën tuaj dhe çfarë është gjuha.”

Sipas Fondacionit Kombëtar të Gjumit, deri në moshën 18 muajsh, nevoja e të vegjëlve për të fjetur zakonisht zvogëlohet në vetëm një në ditë, duke zgjatur nga një deri në tre orë. Në grupin tre deri në pesë vjeç, dremitja gjatë ditës mund të vazhdojë të jetë e nevojshme, veçanërisht pasi imagjinata në rritje e parashkollorit mund të çojë në më shumë ëndrra të këqija ose frikë të natës – përbindësh nën shtrat, gogola në dollap – të cilat mund të prishin gjumin. Megjithatë, këtu nuk ka rregulla të vështira dhe mund të ketë dallime të rëndësishme nga fëmija në fëmijë.

“Ne kemi disa fëmijë që e bien gjumin shumë më herët se fëmijët e tjerë sepse po i prek ata gjatë natës,” thotë Tal. “Fëmijët e tjerë kanë dremitje shumë të parashikueshme.”

Fëmijët dhe adoleshentët

Fëmijët nga gjashtë deri në 12 vjeç mbajnë modele jo ndryshe nga parashkollorët – për nevojat për gjumë që bien vetëm pak, në nëntë deri në 12 orë në natë – por nevoja për dremitje zhduket. Ndërsa puberteti godet, megjithatë, ka një ndryshim të madh. Trembëdhjetë deri në 18-vjeçarët kanë nevojë për rreth tetë deri në 10 orë gjumë në natë, por orari i gjumit ndryshon, me orarin e gjumit më vonë në mbrëmje dhe zgjimin më vonë në mëngjes. Prindërit që rrisin adoleshentët zakonisht do të vërejnë se fëmija që dikur dilte nga shtrati në orën 7:00 të mëngjesit të fundjavës, tani fle deri në orën 11:00. Kjo, thotë Cai, është për shkak se lirimi i hormonit të gjumit melatonin ndryshon, dhe ndodh më vonë në mbrëmje.

“Shumë adoleshentë thjesht kanë një vonesë të gjumit,” thotë ajo. “Kjo është arsyeja pse disa adoleshentë hasin probleme me kohën e hershme të shkollës, ku mund të mos e marrin gjumin që duhet për t’u zgjuar në kohën e shkollës dhe më pas mund t’u duhet të arrijnë gjumin e tyre gjatë ditës kur të kthehen në shtëpi. .”

Ky, thotë Tal, është një problem i vërtetë. “Një fëmijë i mirë që i mbaron detyrat e shtëpisë dhe po shkon në shtrat në orën 10, dhe ai ende duhet të zgjohet rreth orës gjashtë për në shkollë,” thotë ai. “Kjo mënyrë e ndërtuar në shoqërinë tonë është një zhvlerësim i gjumit.”

Të rriturit

Pas viteve të adoleshencës, trupi ka mbaruar duke u rritur dhe truri ka përfunduar pak a shumë. Kjo është kur nevoja për gjumë bie në shtatë ose tetë orë në natë. “Ka më pak rritje kognitive dhe është më shumë mënyra e mirëmbajtjes për trupin,” thotë Tal. Të rriturit që kanë nevojë për më shumë se tetë orë mund të vuajnë nga një çrregullim gjumi. Apnea obstruktive e gjumit prek rreth një miliard njerëz në mbarë botën, sipas Cai, dhe është shkaku kryesor i gjumit të ndërprerë.

“Rruga e sipërme e frymëmarrjes ose fyti zihet gjatë natës dhe njerëzit kanë këto mikro-zgjime sepse ndalojnë frymëmarrjen dhe trupi i tyre i zgjon për të marrë frymë,” thotë ajo. “Kjo mund të çojë në me të vërtetë një gjumë të dobët gjumë cilësor dhe gjumë jo çlodhës.”

Filed Under: Sociale

Kryeministri Kurti mori pjesë në hapjen solemne të edicionit të 15-të të konferencës shkencore “Java e Albanologjisë”

September 10, 2024 by s p

Ka filluar sot edicioni i 15-të i konferencës shkencore “Java e Albanologjisë”, nën organizimin e Institutit Albanologjik të Prishtinës, i cila grumbullon albanologë të shquar shqiptarë dhe të huaj për të diskutuar dhe ndarë studime e arritje në fushën e gjuhës, etnologjisë, folklorit, letërsisë dhe historisë së shqiptarëve.

Në hapjen solemne të edicionit të sivjetmë mori pjesë Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, që gjithashtu mbajti një fjalë rasti në të cilën fillimisht u shpreh se dija fillestare albanologjike, ajo e shek. XVIII-XIX ndihmoi shumë në zgjimin kombëtar të shqiptarëve në gjysmën e dytë të shek. XIX.

“Rilindësit tanë të shquar – midis tyre nga vëllezërit Frashëri e Pashko Vasa, e deri tek Faik Konica e Fan Noli etj. – i shfrytëzuan arritjet shkencore të albanologjisë për të krijuar orientimin tonë kombëtar dhe për të hedhur poshtë pretendimet joshkencore dhe propagandën raciste të shovinistëve fqinjë”, tha ai, para se të shtoj se për rilindësit tanë, “çështja shqiptare” nuk do të thoshte vetëm përcaktim i origjinës së kombit dhe gjuhës, përcaktim i shtrirjes territoriale të shqiptarëve, shkrim i gjuhës shqipe me një alfabet unik, por edhe themelim i shtetit kombëtar shqiptar.

Duke qenë dëshmitarë se si akademitë dhe institutet shkencore në ish Jugosllavi përpunuan tezat e gjenocidit kundër shqiptarëve, kryeministri u shpreh krenar që plejada e albanologëve shqiptarë, duke filluar me Kristoforidhin e deri me Selman Rizën, Eqrem Çabejn e Idriz Ajetin, Stavro Skëndin, Anton Berishën, Aleks Budën, Anton Çetën, Shaban Demirajn etj., nuk kanë pasur një qasje përçmuese apo denigruese ndaj kulturave dhe historive të popujve fqinjë të shqiptarëve. Ai shtoi se sot dija albanologjike, ushqehet nga disa institucione kërkimore shkencore në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni të Veriut dhe në vende ku veprojnë e jetojnë studiuesit e gjuhës, letërsisë, kulturës dhe historisë së shqiptarëve, dhe se ajo nuk pengohet më nga kufizimet politike që ekzistonin gjatë regjimeve diktatoriale.

Të vetëdijshëm për rëndësinë kombëtare të albanologjisë, kryeministri veçoi kontributet e Qeverisë që ai drejton në mbështetje të vazhdueshme të saj përmes përkrahjes për organizimin e Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, që në muajin e kaluar mirëpriti studiues e albanologë nga 14 vende të ndryshme të botës, pastaj bursave studentore për studentët që vijojnë programet Gjuhë Shqipe dhe Letërsi Shqipe në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinës, dhe bashkëpunimit me Qeverinë e Republikës së Shqipërisë për mbështetjen e projekteve të përbashkëta hulumtuese, përfshirë realizimin e projektit madhor në albanologji “Enciklopedia Shqiptare”.

Në fund të fjalës së tij, ai u uroi punë të mbarë dhe diskutime të vlefshme studiuesve, ndërkohë që përgëzoi Institutin Albanologjik për organizimin e përvitshëm të kësaj konference shkencore, duke u premtuar që mbështetja e Qeverisë nuk do të mungojë asnjëherë.

Filed Under: Interviste

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 924
  • 925
  • 926
  • 927
  • 928
  • …
  • 2946
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel
  • PËRKUJTIM PËR ELIOT ENGEL, NJË MIK I PAZENDËVËSUSHËM, ZËRI I SHQIPTARVE NË SHBA
  • Meditim para varrit të Faik Konicës
  • Bashkimi i Diasporës Shqiptare të Greqisë
  • “Fortifikimi ilir i Komlikut në Fregen dhe Ungrej të Lezhës (Mirdita Etnografike)”
  • “The Real Thing”: A Conversation with Luljeta Lleshanaku

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT