Prof. As. Dr. Hasan Bello/
Pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste për komunitetet fetare u krijua një realitet i ri. Megjithëse Mëkëmbësi italian Jakomoni përpiqej të “evidentonte” respektin e italianëve për Islamin, besimtarët myslimanë e ndjenin veten para së gjithash shqiptarë dhe ishin të lënduar nga kushtet gjysëm koloniale, në të cilat i kishte katandisur Italia. Disa opsione të qeverisë italiane, nga ana tjetër, nuk qenë të goditura dhe shkaktuan pakënaqësi tek myslimanët shqiptarë.
Imponimi i një mbreti katolik me personin e Viktor Emanuelit III, ngjalli jo pak nostalgji për Zogun, i cili ndonëse nuk ishte praktikant, ishte prej gjaku shqiptar dhe mysliman. Këtu, nuk duhet harruar edhe rimodelimi i flamurit shqiptar, të cilit, italianët përveçse i vendosën fashot e liktorit, stilizuan mbi përkrenaren e Skënderbeut një kurorë me një kryq përsipër. Ky simbol kristian mbi flamurin shqiptar u konsiderua si një fyerje e rëndë. Kështu, që për shqiptarët tashmë u bë shumë e qartë se “favoret” që italianët shpallnin, për fenë Islame nuk ishin gjë tjetër veçse manovër politike. Sipas studiuesit Roberto Moroco dela Roka “në përpjekje për të fituar pëlqimin e atyre që i quanin si shtyllat e rendit shoqëror shqiptar, italianët treguan kujdes të veçantë që të fitonin besimin e krerëve të bashkësive të ndryshme fetare shqiptare. Problemi i parë politik që kishin para tyre pushtuesit ishte stabiliteti. Fetë qenë menduar si një vegël e çmuar për këtë qëllim: duke treguar nderim për to do të vihej në dukje vëmendja dhe kujdesi i italianëve për një aspekt të rëndësishëm të identitetit shqiptar, dhe, paqja fetare do të ndikonte shumë për paqen politike, duke krijuar një atmosferë të qetë të pranimit të fakteve të kryera”.
Kjo vihet re që të nesërmen e pushtimit të Shqipërisë kur kreu i Shatmadhorisë gjeneral Badolio përpiloi një raport të hollësishëm për organizimin e territoreve të aneksuara. Sipas tij, marrëdhëniet me popullsinë shqiptare duhej të bazoheshin në njohjen psikologjike të elementëve të feve të ndryshme në Shqipëri. Ai nënvizonte faktin se duhej më shumë dinjitet dhe stil nga trupat italiane, sidomos respekt absolut për gratë e për fetë.
Një pikëpamjeje të tillë i përmbahet edhe Mëkëmbësi i Viktor Emanuelit III, Françesko Jakomoni, i cili shkruan se objekt i një kujdesi të madh ishte që të vendosej një marrëveshje e plotë në mes ithtarëve të katolicizmit, të ortodoksisë dhe të fesë Islame. Në funksion të kësaj politike ishte vizita në faltoret shqiptare dhe ndërtimi i kishave dhe xhamive të reja.
Megjithëse në Romë ekzistonte një paqartësi e madhe lidhur me politikën fetare që duhej të ndiqej në Shqipëri, “në parim italianëve nuk u interesonte që në mes tri feve të mbretëronte harmonia më idilike, as që përmes tyre të arrihej në një përçarje të popullit shqiptar në grupime të ndryshme”. Ata u kujdesën që të mos preknin ndjeshmërinë e bashkësive fetare. Përkundrazi, të fitonin besimin dhe përkrahjen e tyre. Në funksion të kësaj politike mikluese ishte edhe deklarata e bërë nga Musolini vetëm pak ditë pas pushtimit për ngritjen e një xhamie të madhe në Romë. Ai e justifikonte këtë se tashmë gjashtë milion nënshtetas italianë ishin myslimanë.
Në Ministrinë e Jashtme në Romë ekziston një dokumentacion interesant, i cili na lejon të konkludojmë se politika e pushtuesve italianë ndaj bashkësive fetare në Shqipëri ishte një aksion i pasigurtë, oportun dhe i varur nga situatat që mund të krijoheshin. Kështu, muajt e parë të pushtimit autoritetet italiane ishin të bindur se duhej mbajtur një ekuilibër i paanshëm në mes feve të ndryshme, duke treguar ndaj seicilës të njëjtin nderim. Por ky kriter nuk do të reflektohet në politikën e subvencioneve që qeveria italiane ndoqi ndaj bashkësive fetare në Shqipëri nga viti 1939 deri në vitin 1941. Në shpërndarjen e parave ajo nuk mbante parasysh përpjestimin numerik të tyre. Kështu, për katolikët në buxhet caktoheshin çdo vit rreth 1.200.000 lira, për ortodoksët 700.000 lira dhe për myslimanët 500.000 lira. Këtyre të fundit për arsye se përbënin pjesën më të madhe të popullsisë iu jepeshin edhe dhurata me raste festash apo për ndërtime xhamiash. Kjo sidomos kur Kosova u bashkua me Shqipërinë. Në tetor të 1941-shit Ministria e Jashtme italiane u detyrua të shtonte fondin vjetor “për shpenzime politike të rezervuara në Shqipëri”.
Në kuadër të politikës religjoze qeveria italiane kishte shqyrtuar edhe një projekt “barazpeshimi të ri” të gjendjes fetare në Shqipëri. Sipas këtij plani parashikohej formimi i dy blloqeve fetare, njëri mysliman dhe tjetri katolik, forcat e të cilit duhej të ishin të barabarta. Por ai shkonte në disfavor të pjesës ortodokse, sepse favorizohej dukuria uniate që do t`i bashkonte të gjithë të krishterët në një bashkësi të vetme katolike. Ndërsa bektashinjtë do të shërbenin për të thyer kompaktësinë e myslimanëve. Ky projekt nuk u zbatua. Kjo, për disa arsye, të cilat është e vështirë të hamendësohen. Sipas dela Roca-s, mundet që manovrat brenda shumicës myslimane, edhe nëse u provuan të bëheshin, dështuan që në lindje. Përsa i përket uniatizmit, kundërshtimi i papritur i Vatikanit, si dhe kostoja e lartë financiare që u kërkonte ky operacion arkave të shtetit italian, bënë që kalimi tashmë i gatshëm i Kishës autoqefale shqiptare në gjirin e Kishës katolike, të shtyhej për më vonë. Veç kësaj, ky projekt ishte paaplikueshëm për shak se binte ndesh me vetë politikën ekspansioniste të qeverisë italiane. Kështu, shndërrimi i Kishës autoqefale në Kishë uniate do të zhgënjente shqiptarët ortodoksë të Çamërisë, të cilët pas bashkimit me atdheun mëmë do të kontestonin të bëheshin pjesë e Kishës katolike. Por edhe brenda kësaj të fundit kishte zëra kundërshtues për shkak të dallimit që ekzistonte mes ortodoksëve, që ishin sa dyfishi, me katolikët. Edhe diversioni mes bektashinjve dhe myslimanëve nuk do të pritej mirë nga shqiptarët e Kosovës, që në pjesën e tyre dërrmuese ishin suni. Prandaj alternativa e ruajtjes së status quos-së u konsiderua si rrugë e pakalueshme.
Regjimi fashist ndiqte një vijë pragmatiste në raport me komunitetet fetare. Në parim, ai nuk privilegjonte as njërën dhe as tjetrën bashkësi fetare. Nga të gjitha kërkohej pëlqimi maksimal dhe u siguroheshin favore dhe subvencione në atë masë sa ato pranonin të bashkëpunonin me pushtetin. Në thelb trajtimi i çdo bashkësie fetare bëhej sipas peshës politike që i jepnin asaj përmasat dhe ndikimi në shoqërinë shqiptare.