• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KONGRESI I LUSHNJES NË EMISIONIN E  PULLAVE : “100 VJET PARLAMENTALIZËM SHQIPTAR”

January 28, 2026 by s p

Hysen S. Dizdari

RRETHANAT HISTORIKE KU U MBAJT KONGRESI I LUSHNJËS:

Kongresi i Lushnjës i zhvilloi punimet nga 21-31 janar të vitit 1920, në të cilin u miratua akti kushtetues për Pavarësinë e plotë të Shqipërisë si dhe zgjodhi Këshillin e lartë prej 4 vetash, që do të kryente funksionet e kryetarit të shtetit dhe një këshill kombëtar prej 37 vetash.

Kryeministër u zgjodh Sulejman Delvina.

Kongresi i  zhvilloi punimet në shtëpinë e patriotit lushnjar, Kaso Fuga.

Në atë Kongres morën pjesë delegatë të zgjedhur nga e gjithë Shqipëria. Qëllimi i Kongresit ishte studimi i situatës së brendshme dhe të jashtme të vendit dhe masat që duhet të merreshin për shpëtimin nga rreziku i copëtimit të Shqipërisë.

Delegateve u uroi  mirëseardhjen në Kongres patrioti, Ferit Vokopola , i cili ishte delegati i Prefekturës së Beratit, Lushnjës dhe Skraparit.

Pas Vokopolës, foli patrioti Aqif Pashë Elbasani.

Aqif Pasha iu përgjigj shkurt të gjitha pyetjeve të bëra nga delegatët duke mbyllur kështu ceremoninë e hapjes së Kongresit.

Mbas ceremonisë së hapjes, u bë ndarja e deputetëve nëpër grupe (komisione) të ndryshme, të cilat filluan nga puna menjëherë.

Në mbledhjen e dytë të këtij kongresit, e cila u mbajt më datën 24 janar 1920, u zgjodh si kryetar i Kongresit Aqif Pashë Elbasani.

Po atë ditë nga ana e delegatëve u mbajtën fjalime të ndryshme mbi vrasjen e patriotit Abdyl Ypi, i cili kishte qenë një nga iniciatorët e mbajtjes së këtij kongresi.

Patriotin Abdyl Ypin e vranë njerëzit e qeverisë së Durrësit, pak ditë përpara mbajtjes së mbledhjes me qëllim që të frikësoheshin delegatët për të mos marrë pjesë në Kongresin e Lushnjës.

KONGRESI I LUSHNJËS MORI KËTO VENDIME:

-Rrëzimin e qeverisë së Durrësit

-Zgjodhi përfaqësues legjitimë të popullit shqiptar në delegacionin e Konferencës së paqes në Paris: Imzot, Luigj Bumçin, Mehmet Konicën dhe Dr. Turtullin.

-Më datën 30 janar 1920 kongresi zgjodhi si anëtarë të Këshillit të lartë: Imzot Bumçin, Aqif Pashë Elbasanin, Abdi Toptanin dhe Dr. Turtullin.

-Kongresi i Lushnjës, zgjodhi  qeverinë e re, e cila kryesohej nga kryeministri, Sulejman Delvina.

Antarë të kësaj qeverie u zgjodhën: Ahmet Zogu, ministër i brendshëm, Mehmet Konica, ministër i punëve të jashtme, Hoxhë Kadria, ministër i drejtësisë, Ndoc Çoba, ministër i financave, Sotir Peci, ministër i arsimit, Ali Riza Kolonja, ministër i luftës, Eshref Frashëri, drejtor i përgjithshëm i punëve botërore dhe Idhomeni Kosturi.

-Në mbledhjen e datës 31 janar 1920 Kongresi zgjodhi anëtarët e Senatit dhe u vendos që delegatët të mos shpërndaheshin derisa qeveria të merrte në dorë frenat e shtetit.

Pas kësaj mbledhje, atë pasdreke të 31 janarit të vitit 1920-të, kongresi u dha fund punimeve, duke vendosur: Qyteti i Tiranës, të jetë  kryeqytet i Shqipërisë.

Kongresi i Lushnjës ishte në ngjarje me rëndësi të madhe historike në shkallë kombëtare dhe ndërkombëtare, sepse arriti të hedhë  themelet e shtetit shqiptare dhe  të pavarësisë, të arritur më 28 nëntor 1912 në Vlorë.

Kongres ishte një shprehje e vullnetit të popullit shqiptar, por  edhe  një akt i rëndësishëm guximi e trimërie në mes të dëshpërimit të vendimeve të pa drejta të Konferencës së paqes të  vitit 1919, i cili  u ndërmor nga  intelektualët dhe patriotët shqiptarë, në momentin e rreziku për pavarësinë e Shqipërisë.

Përfaqësuesit e të gjitha krahinave shqiptare u mblodhën në Lushnjë dhe vendosën të shpallnin Lidhjen e bashkimin kombëtar shqiptar me qëllim që  t’i jepnin fund anarkisë në vend dhe të vendosin të ndërtojnë një shtet shqiptar të pavarur dhe të mbështetur mbi  forcat e veta.

dhe filatelia shqiptare në  historinë e saj mbi 112 vjeçare ka dhënë  një  kontribut të  vyer në  edukimin patriotik dhe atdhetar  të  brezave të  rinj.

Një nga emisionet më të rëndësishme të pullave postare kushtuar Kongresit Lushnjës u emetua më 21 janar 2020.

Me rastin e 100 vjetorit të Kongresit Lushnjës, më 21 janar 2020, Posta shqiptare emetoi një emison me pulla postare të emertuar: “100 VJET PARLAMENTALIZËM SHQIPTAR”

Ky emision përmban një seri me pesë  pulla postare me vlerat: 20 lekë, 30 lekë, 40 lekë 60 lekë 200 lekë dhe zarfin e ditës parë, FDC.

Pulla me vlerë 20 lekë ka pamje të ndërtesës historike, ku zhvilloi punimet Kongresi i Lushnjës.

Një  karakteristikë e kësaj pulle është  se në pjesën e sipërme majtas kanë  të  vendosur shqiponjën dy krenare, mbi një  sfond ngjyrë  të  kuqe, ku është  shkruar me germa të  mëdha: “100 VJET PARLAMENTARIZEM SHQIPTAR”

Pulla me vlerë 30 lekë, paraqet një pamje të ndërtesës historike ku zhvilloi punimet Kongresi i Lushnjës nga viti 1920-1925.

Pulla me vlerë 40 lekë, paraqet në sfond, një  logo të  flamurit kombëtar shqiptar, ku mbi të shkruan 100 vjet, kurse në  pjesën e sipërme të  kësaj pulle shkruan me germa të  mëdha:

“100 VJET PARLAMENTALIZEM SHQIPTAR 1920 -2020”.

Pulla me vlerë 60 lekë paraqet  ndërtesën historike ku zhvilloi punimet Parlamenti  shqiptar në  Tiranë  pas vitit 1925-1944.

Sot kjo ndërtesë  shërben si Tetari i kukullave.

Pulla me vlerë  200 lekë, paraqet një  pamje ballore të ndërtesës ku  zhvilloi punimet Parlamenti shqiptare nga viti 1945-2020.

Të dhënat teknike të kësaj serie me pulla postare janë:
Përmasat e pullës: 44 x 34 mm
Kompozimi i tabakut: 4 seri në tabak
Data e emetimit: 21. 03. 2011
Tirazhi filatelik: 20 lekë,30 lekë,40 lekë,60lekë – 3000 pulla.
Tirazhi filatelik: 200 lekë -13000 pulla, FDC: 300 copë.

Tiranë më, 28 janar 2026

Filed Under: Histori

Mbështetja Shqiptare për Hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore

January 28, 2026 by s p

Dr. Iris Halili/

Shqipëria, vendi ku nuk u dorëzua asnjë hebre dhe numri i tyre u shtua nga 200 në 1800!

“Në Shqipëri nuk ka asnjë gjurmë diskriminimi kundër hebrenjve, sepse Shqipëria është një ndër vendet e pakta në Evropë ku paragjykimi dhe urrejtja fetare nuk ekzistojnë, edhe pse vetë shqiptarët janë të ndarë në tri besime.” — Herman Bernstein, ish-ambasador i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri (1930-1933).

Historia e hebrejve në Shqipëri gjatë periudhës zogiste dhe Luftës së Dytë Botërore është një nga kapitujt më unikal dhe më prekës të tolerancës dhe harmonisë fetare shqiptare. Ndërsa shumë vende evropiane institucionalizuan diskriminimin dhe shpesh morën pjesë në përndjekjet antisemitike, shqiptarët jo vetëm që mbrojtën hebrejtë vendas, por ata pritën edhe refugjatët hebrenj të huaj, duke rrezikuar kështu jetën e tyre dhe të familjeve të tyre.

Me pushtimin italian të Shqipërisë në prill të vitit 1939 dhe pse emigrimi i hebrejve të huaj që jetonin në Shqipëri u bë më i vështirë, sërisht asnjë hebre nuk u detyrua të largohej, dhe kjo në kontrast me shumë vende të tjera ballkanike.

Hebrejtë ndonëse u ndaluan nga aktivitetet politike, sociale dhe kulturore, ata serisht mund të praktikonin ritet e tyre fetare dhe në përgjithësi nuk provuan persekutim të ashpër. Pas kapitullimit italian në shtator 1943 dhe ardhjes së pushtuesve gjerman, autoritetet naziste kërkuan listat e hebrejve në Shqipëri, por kjo kërkesë u refuzua nga autoritetet shqiptare. Ky refuzim ishte vendimtar në mbrojtjen e hebrejve nga arrestimet dhe deportimet masive që po ndodhnin në pjesë të tjera të Europës.

Megjithë rreziqet, familjet shqiptare myslimane, ortodokse dhe katolike strehuan hebrejtë për muaj dhe vite, duke mos dorëzuar asnjë prej tyre tek autoritetet naziste. Nuk dokumentohet asnjë rast i një hebreu të tradhtuar në Shqipëri apo asnjë rast kur një familjeje pritëse të ketë kërkuar shpërblim për mbrojtjen e tyre. Ky fakt tregon qartë se tradita shqiptare e mikpritjes dhe besës ishte thelbësore në shpëtimin e hebrejve.

Sipas dokumentimeve historike, numri i hebrejve në Shqipëri jo vetëm që mbeti i paprekur nga Holokausti, por u rrit ndjeshëm për shkak të ardhjes së refugjatëve hebrenj nga Gjermania, Austria, Polonia, Serbia, Greqia dhe Jugosllavia. Numrat flasin vetë dhe fortë: Në vitin 1941 në Shqipëri numëroheshin /ishin rreth 200 hebrenj, ndërsa deri në fund të luftës numri arriti në rreth 1,800 hebrenj. Kjo përbën padyshim një rast unik në Europën e asaj kohe.

Një kontribut të rëndësishëm luajti këtu edhe Herman Neubacher, ish-kryebashkiak i Vjenës dhe përfaqësues special i Ministrit të Jashtëm gjerman Joachim von Ribbentrop në Shqipëri. Neubacher synonte të ruante “sovranitetin relativ” që kishte Shqipëria nën kushtet e okupimit. Kjo zgjidhje politike shpesh e shmangu çështjejen hebre duke mos e konsideruar atë urgjente.

Ndërkohë, situata për hebrejtë e Kosovës apo “Shqipëria e Re” sikur quhej gjatë luftës ishte më e ndërlikuar. Shumë hebrenj iu drejtuan Kosovës nga Kroacia dhe Serbia. Fillimisht ata u trajtuan mirë, por shumë u kthyen dhe u ekzekutuan në Beograd. Të mos harrojmë që Himleri krijoi në Kosovë Divizionin SS “Skanderbeg” , i cili arrestoi 281 hebrenj dhe i dërgoi ata drejt kampeve të përqendrimit, nga ku vetëm rreth 100 mbijetuan në Bergen-Belsen. Megjithatë, afro 60% e hebrejve të Kosovës gjithashtu mbijetuan periudhën e luftës dhe kjo falë strehimit që i bëri populli i Kosovës.

Motivimet: nga humanizmi te toleranca fetare

Motivacionet e shqiptarëve për të mbrojtur hebrejtë nuk mund të shpjegohen vetëm me mungesë kërcënimi. Ndër elementët vendimtarë ishte tradita shqiptare e mikpritjes dhe besa, e cila vendoste për detyrimin moral dhe shpirtëror për të mbrojtur mysafirët në rrezik. Përtej kësaj, Shqipëria shquhet për harmoni dhe tolerancë fetare të thellë;Sikur do të shkruante ambasadori Amerikan në Shqipëri (1930-1933) Herman Bernstein, “Asnjë shenjë diskriminimi ndaj hebrenjve nuk ekzistonte në Shqipëri”, edhe pse vendi ishte i ndarë në tri fe të mëdha.

Krenarë duhet të shprehemi se historia e hebrejve në Shqipëri gjatë periudhës zogiste dhe Luftës së Dytë Botërore është një dëshmi e jashtëzakonshme e tolerancës dhe humanizmit shqiptar si dhe besës shqiptare. Përmes veprimeve të guximshme dhe sakrificave personale, shqiptarët jo vetëm mbrojtën hebrejtë vendas, por edhe shpëtuan refugjatë të huaj nga persekutimi nazist.

Pjesë e shkëputur e studimit të Autores “Harmonia fetare në Shqipëri” -Dhjetor 2006.

Filed Under: ESSE

DITA NDËRKOMBËTARE E HOLOKAUSTIT DHE KRIMET E REGJIMIT KOMUNIST TË ENVER HOXHËS

January 28, 2026 by s p

Nga Frank Shkreli/

27 janari, Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Holokaustit, nuk është vetëm një datë për hebrenjtë dhe tragjedinë unike të tyre. Është me të drejtë një kujtesë universale për atë që ka ndodhur kur urrejtja ideologjike, pushteti absolut dhe heshtja kolektive, bashkohen për krime të tilla kundër njerëzimit. Pikërisht, për këtë arsye, kjo ditë fton edhe shoqërinë shqiptare të ballafaqohet me krimet e veta historike – veçanërisht me terrorin sistematik të regjimit komunist të Enver Hoxhës ndaja kundërshtarëve politikë të regjimit të tij sllavo-komunist.

Në mbarë botë e qytetëruar, Holokausti përfaqëson kulmin e së keqes shtetërore: shfarosje e planifikuar, dehumanizim, kampe përqendrimi, zhdukje fizike e morale. Regjimi i Enver Hoxhës nuk kreu Holokaust, por përdori të njëjtën logjikë totalitare: armikun e shpikur, ndëshkimin kolektiv, burgjet politike, kampet e internimit, pushkatimet pa gjyq, shkatërrimin e elitës intelektuale dhe fetare, si dhe kontrollin absolut mbi jetën dhe mendimin e shqiptarëve.

Është absolutisht shumë me vend dhe e drejtë që sot Shqipëria dhe shqiptarët, si gjithë bota, të kujtojnë Holokaustin. Por sim und të heshtësh për Spaçin, Burrelin, Tepelenën, Qafë-Barin apo për mijëra familje të internuara, për mendimin tim, kjo është një hipokrizi politike dhe morale, pore dhe mbarë kombëtare. Nuk ka hierarki të vuajtjes, por ka detyrim ndaj së Vërtetës. Ashtu siç bota thotë sot “Kurrë më” për Holokaustin, edhe Shqipëria, Kosova dhe të gjithë shqiptarët duhet ta thonë qartë “Kurrë më” për komunizmin, se nazizmi dhe komunizmi kishin shumë gjëra të përbashkëta. Në këtë pikëpamje, Shqipëria dhe shumica e shqiptarëve janë unik sa I përket të kaluarës komuniste në trojet shqiptare.

Problemi është se në Shqipëri, ndryshe nga Gjermania pas nazizmit, dhe ndryshe nga shumica e vendeve ish-komuniste të Evropës Qendërore e Lindore pas shembjes së Murit të Berlinit, krimet e komunizmit nuk u dënuan kurrë zyrtarisht as seriozisht. Përkundrazi, në Shqipëri e deri diku edhe enë Kosovë, ende sot shihen përpjekje për rehabilitim të Enver Hoxhës, nostalgji publike, relativizim i krimeve dhe heshtje institucionale. Kjo heshtje është një formë bashkëfajësie morale.

Sot kujtimi i Ditës së Holokaustit, jo vetëm për hebrenjtë, na mëson se harresa është gjithmonë aleate e krimit. Dhe kujtesa, nga ana tjetër, nuk është hakmarrje, por drejtësi. Siç kam theksuar shpesh kur kam folur për këtë subjekt tepër të pakëndshëm, por shumë i nevojshëm për tu diskutuar — se pa njohur dhe dënuar krimet e regjimit komunist, Shqipëria mbetet peng i së kaluarës së vet. Për fat të keq, arsyeja se status-kuoja e zhvillimeve politike në vend sot 35-vjet tranzicion, provon këtë fakt – Shqipëria mbetet peng i së kaluarës komuniste përderisa nuk përballet me të vërtetën e krimeve të së kaluarës së saj komuniste. Demokracia nuk ndërtohet mbi mite, por mbi të Vërtetën hkistorike – sado e dhimbshme të jetë ajo, për të gjithë. Por heshtja nuk është zgjidhje!

Të kujtojmë Holokaustin do të thotë edhe të refuzojmë çdo formë totalitarizmi, autoritarizmi dhe krimet e tyre kundër njerëzimit, sot dhe në të kaluarën, përfshirë rastin e Shqipërisë dhe të shqiptarëve anë e mbanë trojeve të veta në Ballkanin Perëndimor. Të cilët për një gjysëm shekulli kanë pësuar pasojat kriminale anti-njerzore të një ideologjie krejtësisht e huaj dhe anti-shqiptare në thelb, e që për dekada shkatërroi jetët e shqiptarëve dhe të familjeve të tyre, në emër të një ideologjie çnjerëzore sllavo-aziatike. Kujtesa sot në Ditën Ndërkombëtare të Holokaustit është detyrim moral. Ndërsa heshtja është mohim i historisë.

Por heshtja nuk është neutrale. Ajo është zgjedhje personale dhe politikë zyrtare shtetërore. Dhe kur bëhet fjalë për historinë, heshtja shndërrohet në mohim. Jo thjesht në harresë rastësore, por në një akt të qëllimshëm për të fshirë role, figura dhe kontribute që nuk i përshtaten narrativës zyrtare të radhës. Kujtimi i Holokaustit sot duhej të na kujtonte dhe të na mësonte – të pakën nga historitë e popujve të tjerë, në rend të parë hebrenjve — se Historia nuk deformohet vetëm me gënjeshtra të hapura; ajo deformohet edhe me atë që lihet pa u thënë. Me arkiva që nuk hapen, me emra që nuk përmenden, me përvjetorë që kalojnë pa zë. Kjo heshtje prodhon një kujtesë të rreme kolektive dhe edukon breza të tërë me një të kaluar të amputuar.

Sidomos në hapësirën shqiptare, heshtja institucionale ndaj figurave të caktuara historike ka qenë po aq e dëmshme sa propaganda e dikurshme komuniste. Kur shteti, akademia apo media zgjedhin të mos flasin, ata nuk po tregohen të kujdesshëm, por marrin anë — anën e të keqës – anën e gabuar të historisë. Po legjitimojnë një version të cunguar të historisë dhe po vazhdojnë një padrejtësi morale e intelektuale ndaj Kombit shqiptar.

Prandaj, po të jemi serioz për tu përballur me krimet barbare anti-njerëzore të nazizmit dhe komunizmit, Dita e Holokaustit sot, na detyron të thyejmë heshtjen. Kjo është detyrë qytetare! Është një kërkesë për të Vërtetën, për dinjitetin e kujtesës dhe për një histori që nuk i shërben pushtetit, por faktit. Sepse një shoqëri që pranon heshtjen si normë, pranon edhe mohimin e vetvetes. Për fat të keq një pjesë e establishmentit politik, akademik e mediatik – mbeturina të nomenklaturës së vjetër komuniste — sidomos, në Shqipëri, ende e sheh njohjen zyrtare të fakteve historike të krimeve të regjimit komunist si rrezik politik dhe ekonomik për ta. Kam drojë se përderisa kjo elitë administrative – njësoj si në kohën e komunizmit edhe sot në pseudo-demokracinë shqiptare – drejton qeverinë, shtetin, ekonominë dhe kulturën – nuk mund të pritet ndonjë ndryshim i madh prej tyre as sot në Ditën Ndërkombëtare të Holokaustit. Besnikëria e tyre ishte dhe mbetet diku tjerë dhe jo ndaj të Vërtetës historike dhe përballimit me krimet e sistemeve totalitare të së kaluarës.

Filed Under: Politike

Vorea Ujko (1931- 26 JANAR 1989)

January 27, 2026 by s p

Saimir Kadiu/

Vorea Ujko është pseudonimi i Domeniko Beliçit.

Vorea, ka lindur në fshatin Frasnita (Frascineto, Kalabri, Itali) më 1931. Ai ka qënë prift si dhe ka studiuar për letërsi dhe ka punuar si mësues i letërsisë në Firmo.

Poezia e Ujkos shquhet për përmallimin dhe krenarinë që ndien poeti për Shqipërinë. Ai bën përpjekje, ashtu si përgjithësisht të gjithë poetët e rinj arbëreshë, që t’i afrohen gjuhës së sotme shqipe.

Krijimet e Ujkos janë publikuar në antologji dhe publikime në Itali, Shqipëri dhe Kosovë. Ai është pasardhësi i shkrimtarëve arbëreshë të shek. të 19të De Rada dhe Serembe, krijimet e të cilëve ai i njihte mirë dhe i admironte. Në krijimtarinë e Ujkos vihet re jo vetëm ndjenja atdhetare dhe romantike për Shqipërinë, veti kjo e shkrimtarëve shqiptarë në mërgim, por edhe ndjenja e forte e lidhjes së tij me kulturën dhe paraardhësit Ballkanas, edhe pse ata kishin pesëqind vjet në dhe të huaj.

Vorea Ujko vdiq në një aksidenti automobilistik 37 vjet me pare, më 26 Janar 1989.

“HAPMA DERËN ZONJA MËMË”

Edhe sivjet, moj nënë,

nga mërgimi i shkretë,

më dogji malli për ty.

Unë e di që ti e pritje

birin tënd të largët,

e qave fshehurazi

kur s’pate mundësi ta përqafoje.

Ndjemë, o e paharruara,

mos qaj, pse mjafton sa qave

për bijtë gjatë shekujve.

Ti e di, nënë Shqipëri,

që unë s’kam asnjë faj

nëse jetoj larg teje,

ashtu ka qenë fati i shkretë,

e është kot t’i kujtojmë hallet.

Erërat kanë fryrë mbi mua,

dëborat kanë rënë mbi mua,

si edhe mbi kokën tënde,

por përmes erërave e dëborërave

fytyra jote e largët

më forcoi e ngushëlloi.

Ti paske qenë dhurata

që nuk e bleva në pazaret,

por më vinte nga gjaku,

gjithmonë e kërkuar

te vorbulla e jetës endacake.

U krenova me legjendat e tua,

dashurova me fjalët e tua,

qava me vajtimet e tua,

E tash në buzë të së kaluarës e së ardhmes

i drejtoj ende sytë nga ti,

e prej së largu ndjek emrin tënd

dhe orvatem ta mbaj lart.

Lëri dyshimet e mos mendo

që unë do të doja të kisha

një pretendim të padrejtë privilegji,

unë do të doja vetëm të isha

biri yt, si të tjerët.

Ashtu unë e di

e i ardhur nga lufta e jetës,

unë i bie derës sate:

Hapma derën, zonja mëmë,

se yt bir jam unë, o nënë.

Filed Under: LETERSI

Vatra në Boston ju fton në ngritjen e Flamurit të Kosovës më 14 Shkurt 2026

January 27, 2026 by s p

Miq të VATRËS, më 14 Shkurt 2025, VATRA në Boston në bashkëpunim me MaasBesa organizon ngritjen solemne të Flamurit të Kosovës në sheshin e Bostonit 🇺🇸🇽🇰🇦🇱.

Ju ftojmë të gjithëve të merrni pjesë në këtë akt nderimi për ata burra e gra që sakrifikuan jetën, rininë dhe gjithçka kishin, që Kosova të lindte si shteti më i ri i Europës.

Le të mblidhemi së bashku për të përkulur kokën me respekt para dëshmorëve, për të ngritur lart flamurin e lirisë dhe për të dëshmuar se diaspora shqiptare nuk harron kurrë gjakun dhe sakrificën e kombit të saj.

Mos mungoni. Ruajeni datën 14 Shkurt 2026 nga ora 11:30-2:00pm në City Hall Boston

Liria ka emër, flamuri ka histori, dhe historia na thërret.

Na ndiqni edhe web faqja e VATRES, vatraboston.com për çdo informacion e aktivitet të VATRES dega në Boston 🇺🇸🇽🇰🇦🇱

Filed Under: Vatra

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 94
  • 95
  • 96
  • 97
  • 98
  • …
  • 2930
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kullat e familjeve të mëdha patriotike si objekte të trashëgimisë historike
  • ALARM SIGURIE DHE NDËRGJEGJËSIMI KOMBËTAR
  • Edith Durham – Shqiptarët dhe serbomalazezët në 1910-1912
  • Public Statement from VATRA
  • “Universi Biblik” si pasuri e Muzeut të Artit Mesjetar
  • Lavdi përjetë martirëve të 2 prillit!
  • KOSOVA DHE PAVARËSIA E SAJ NË KËNGËT E ARIF VLADIT
  • Masakra e Tivarit – Një e vërtetë e shtypur për shumë kohë
  • Pasqyrimi në filateli i mbështetjes amerikane ndaj Shqipërisë gjatë L2B
  • MASAKRA E TIVARIT, 1945: HESHTJA ZYRTARE QË VAZHDON TË VRASË
  • DR.ATHANAS GEGAJ, EDITORI I “DIELLIT” NË OPTIKËN E DOKUMENTEVE ARKIVORE TË VATRËS (1963-1971)
  • Kujtojmë në ditën e lindjes patriotin e shquar Kostandin Çekrezi, figurë e rëndësishme e historisë dhe publicistikës shqiptare
  • Vasil Rakaj, malësori që ngjizi me shkëmb, metal, dru, baltë dhe shpirt, altarin e përjetësisë
  • “Ajo që pashë në Raçak më ndryshoi jetën”, ambasadori Walker rrëfen në Boston çfarë ndodhi në Kosovë
  • VATRA Boston dhe Kisha “Holy Trinity” promovuan librin “Saint Paul in Dyrrach” të profesor Thanas Gjikës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT