Nga Sulejman GJANA/Kryetar i PLL/
Para disa netësh, teksa po kaloja nëpër bulevardin kryesor të Tiranës, në orët e vona të natës, në kthim nga një vend ku më pëlqen të qëndroj i qetë për të medituar, lexuar e punuar, ndesha bustin e Papës Françesku, që u përurua para disa javësh, dhe instinktivisht ndalova para tij.
Ndalova nga kureshtja, duke e ditur se Papa përfaqëson një fe monoteiste që unë e respektoj, edhe pse jam mysliman dhe e deklaroj me krenari përkatësinë time fetare. Madje ky fakt nuk më pengon aspak që të respektoj dhe vlerësoj fetë e tjera monoteiste. Përkundrazi, jam i bindur se feja ime më stimulon ta bëj një gjë të tillë, sidomos në vendin tonë ku harmonia fetare është realitet dhe baza e njësimit kombëtar.
Ndalova gjithashtu për ta soditur bustin, që, edhe pse nuk jam kritik arti, nuk ma shkul bindjen se cilësisht lë shumë për të dëshiruar, sidomos kur e krahasoj me ato të Papës Gjon Pali II në Paris, Madrid apo Abixhan, atë të papës Urbain II në Chatillon-sur-Marne, apo me veprat e autorëve shqiptarë me famë europiane e më gjerë si Radovan Albanezi i Kroacisë, Miho Tivarasi, Andrea Aleksi, Maestro Donati, Francesk, Gjon e Jeronim Albanezi, Mark Bazaiti, Viktor Karpaçi, Onufri, Kostandin Shpataraku, Kostandin dhe Joan Grabovari, Kolë Idromeno, Murat Toptani, Naxhi Bakalli, Ibrahim Kodra, etj..
Ndalova po ashtu sepse përtej Papës Francesku, unë i përkas gjeneratës që i ka përjetuar përpjekjet dhe kontributet madhore të Papës Gjon Pali II në shembjen e diktaturave komuniste në Poloni, në Europën Lindore dhe Shqipëri. Diktatura këto që shkatërruan miliona jetë njerëzore, e që përfaqësuan të Keqen e Njerëzimit në kohërat moderne… diktatura ndër të cilat ajo shqiptare ishte sumumi i antivlerave par excellence, me të cilat u luftua dhe u mohua deri edhe ekzistenca e Krijuesit, në “sfidë me të cilin” kjo diktaturë krijoi Njeriun e Ri, si një qenie hibride pa moral, pa shpirt, pa komb, pa fe dhe pa atdhe.
Tashmë dihet nga të gjithë se Enveri dhe PPSH përdorën edhe “artistët-ndihmës të partisë për krijimin e Njeriut të Ri”.
Por fatkeqësisht pas ndryshimit të sistemit, një ndër paradokset ilustrues të “ndryshimit” që solli pluralizmi katovician ishte edhe ruajtja e hierarkisë dhe e pushtetit real në artet pamore, të hierarkëve më të lartë të artit të realizmit socialist. Athua se këta nuk kishin qenë ndihmësit më të zellshëm të PPSH, por ishin reformuar sipas stilemës: edhe artin komunist, edhe artin “demokratik” e bëjnë po këta; edhe komunizmin, edhe demokracinë e përjetësojnë në art vetëm këta, s’ka të tjerë!!?
E në vijim të kësaj logjike të mbrapshtë i bie që: edhe të Majtën, edhe të Djathtën në Shqipëri e bëjnë dhe e përfaqësojnë vetëm këta, në të gjitha fushat.
Ndaj tek po sodisja bustin e Papës Francesku dhe vendin e përzgjedhur për vendosjen e tij, nuk u habita aspak dhe menjëherë u kujtova dhe u binda se ishte pikërisht kontributi i këtij takëmi pushtetmbajtësish të përjetshëm në art, që kishin ideuar dhe rekomanduar pozicionimin e bustit ngjitur me ansamblin pseudoskulpturor të murit prej betoni, rrethuar me kanale të mermerta dhe me një të ashtuquajtur “kambanë paqeje” mbi krye. Marifet i pështirë ky, me të cilin ideuesit dhe realizuesit e murit dhe “Kambanës së Paqes”, nëpërmjet bashkëshoqërimit të saj me bustin e Papës, kërkonin thjesht legjitimimin konceptual, logjik dhe moral të së parës, si “vepër arti”.Them kështu sepse nuk mund të ndërtohet kurrfarë bashkëshoqërimi me logjikë dhe simbolika të “paqes” dhe “kambanës” së “krishterë” me një figurë madhore të Krishterimit, ndërkohë që e para është thjesht simbolika skulpturore e rebelimit komunist të armatosur të vitit 1997, me gëzhojat e armëve të të cilit ideuesit dhe vetë ish ministri i Kulturës i kohës, Edi Rama, pranuan dhe u vetëlëvduan publikisht para 17 vitesh se derdhën “Kambanën e Paqes”.
Soditjes time mbi bustin e Papës nuk mund t’i shpëtonte kurrsesi sfondi, Piramida e Enverit, e vendosur dhe e mbetur aty si një dëshmi e së Keqes dhe e antivlerës njerëzore, me të cilën shqiptarët ende nuk kanë arritur të shkëputen.
Kryeministri ynë piktor e di mirë se artet epokale (skulptura, pikura dhe arkitektura), qysh nga lashtësia e hershme, janë përdorur për të nderuar, lartësuar e përjetësuar hierarkinë tokësore në rivalitet me idhujt paganë dhe ato të feve politeiste.
Ndaj dhe faraonët egjiptianë, të cilët e konsideronin veten Perëndia mbi tokë, i ndërtuan piramidat si varre të përjetshëm në të cilët varroseshin të shoqëruar nga suita e skllevërve që u kishin shërbyer në të gjallë.
Enveri që vetëpandehej Keops, Ramses, Tutmes, Tutamkhamon e Amenofis, si dhe Nexhmija, Ramizi, dhe të tijtë që e pandehnin të tillë, jo rastësisht caktuan dhëndërrin e të bijën që t’i projektonin si varr një piramidë. Të cilën e mbushën me të gjitha takëmet që Enveri kish mbajtur qysh në të gjallë, pa harruar xhaqetat, qillotat dhe këpucët inglize, deri edhe çorapet e leshit që mbante në Progonat (në kohë të luftës), krahas orës, busullës prej komandanti, e deri edhe çorapet e arnuara të gjirokastritit “nikoqir” që kursente “paratë dhe pasurinë e popullit”.
Natyrisht që ata që i ndejtën rrotull dhe që i shërbyen, krahas 4 milionë shqiptarëve-skllevër, Enveri nuk pranoi t’i merrte me vete. Të parët i la jashtë të vazhdonin dinastinë e “Tutmesit” komunist, kurse 4 milion shqiptarët i la jashtë si “skllevërit e dinastisë”, bash në varrin e hapur gjigant prej 28 mijë km katrorë, që në të gjallë të tij e me urdhër të tij kish përpirë dhjetëra mijëra të pafajshëm, kundërshtarë të njimendtë e të supozuar.
E meqë nuk pranonte të mumifikohej si Lenini në “Mauzoleumin Lenin” të Rusisë, ngaqë mumifikimi do ta shndërronte në lugat të zi për vizitorët dhe do t’ia zvogëlonte shtatin nja 50 cm., urdhëroi qysh në të gjallë që babai i kryeministrit aktual t’i realizonte një shtatore gjigante prej mermeri, i ulur në fron si Buda, por me pozicionin e duarve si Abraham Linkolni në statujën e famshme.
Të gjitha ia kryen siç dëshironte dhe, pas disa vitesh, shqiptarëve u mbeti Piramida si simbolikë e pushtetit të përjetshëm të tij e të të tijve, tashmë të “reformuar, demokratë-proletarë pa proletariat… dhe properëndimorë!?”.
Ajo piramidë, që simbolizon pushtetin komunist në mes të kryeqytetit, u thotë shqiptarëve dhe botës se gabojnë nëse mendojnë se mendësia dhe pushteti i komunistëve në këtë vend kanë perënduar. Siç u tha shqiptarëve dhe botës edhe ceremonia madhështore e 21 shtatorit 2014 për nder të ardhjes së Papës në Shqipëri, ku rreshtimi i fotove të 40 martirëve të kishës Katolike në bulevard (në atë bulevard që mban akoma emërin e vrasësve të këtyre martirëve…) u shit si të ishte vepër e alienëve, dhe jo e baballarëve të pushtetarëve të sotëm!!!
Madje me simbolikën më të fundme me bustin e Papës dhe Piramidën, neokomunistët në pushtet duan të na kumtojnë se ata vetë, Krishterimi dhe Demokracia, bashkëjetojnë në Paqe bashkë me kambanën e derdhur me gëzhojat e rebelimit komunist, dhe bashkë me ato të kishave katolike e ortodokse, sidomos me Katedralen Katolike aty pranë (përtej Lanës).
Paskëtaj nuk kisha dhe nuk kam më asnjë mëdyshje për synimin djallëzor të ideatorëve të këtij paralelizmi ndërmjet Kambanës së Paqes, Papës dhe Piramidës, për të bashkëshoqëruar me sukses në bashkëjetesë të përhershme vlerat dhe antivlerat, të Mirën dhe të Keqen.
Por nuk mund të mos e pyetja vehten se ku e marrin këtë guxim komunistët e konvertuar në demokratë, që jo vetëm nuk e shembën atë Piramidë, por arrijnë edhe të vendosin bustin e Papës para saj… Natyrisht për ta legjitimuar moralisht Piramidën, dhe përtej kësaj metafore për të ngulitur në mendjen e shqiptarëve idenë se e Mira bashkëjeton normalisht me të Keqen, madje edhe më tej: se diktatura komuniste ishte po aq e mirë sa edhe Papa dhe mbarë sistemi i vlerave që përfaqëson Shenjtëria e Tij.
Por kjo është e papranueshme dhe ndodh sepse në Shqipëri, përgjatë 25 viteve të fundit, nuk është bërë sa duhet për t’u ndarë nga e kaluara komuniste dhe për të mbyllur zezonën e asaj plloje.
Kameleonizmi politik i komunistëve nuk është fenomen vetëm shqiptar, por retushimin dhe përshtatjen e legjislacionit, vendimmarrjes, sjelljes dhe qëndrimeve politike me standardet demokratike, e kanë bërë hapur vetëm ish komunistët shqiptarë në Europën e sotme, e megjithatë ia kanë dalë mbanë.
Në të këtë çmenduri ata kanë guxuar deri të hedhin në votim në parlament e të rrëzojnë me vota kartat ndërkombëtare të nënshkruara dhe standardet demokratike të gjithëpranuara, duke kapërcyer dhe anashkaluar Brukselin, Strasburgun, Këshillin e Europës dhe Komisionin e Venecias.
Për të vërtetuar këtë fakt mjaftojnë ligjet për tokën, sabotimi i hapjes së dosjeve dhe i lustracionit, sabotimi i Dekriminalizimit dhe Reformës në Drejtësi, mashtrimet që u janë bërë ish të burgosurve, ish të përndjekurve, pronarëve legjitimë, emigracionit politik shqiptar të para ‘90-ës, etj..
Për të gjitha këto arsye, bashkëjetesa midis simboleve të Papës, atij të rebelimit komunist dhe Enverit e enverizimit nuk munden dhe nuk duhet të vazhdojnë më tej.
Për ndërprerjen e kësaj marrëzie dhe fillimin e njëfarë normaliteti, për mendimin tim, duhet të niset me shembjen e Piramidës së Enverit.