• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

24 Marsi 1999 – Ndërhyrja që ndryshoi historinë e Kosovës dhe ridimensionoi rendin ndërkombëtar

March 24, 2026 by s p

Prof. Dr. Fejzulla BERISHA

Foto: https://www.rferl.org

Ka data në histori që nuk janë thjesht shenja në kalendar, por momente themeltare që ridimensionojnë fatin e kombeve dhe vetë arkitekturën e rendit ndërkombëtar. Një ndër këto data është 24 Marsi 1999 – dita kur aleanca më e fuqishme ushtarake në botë, NATO, ndërhyri kundër regjimit represiv të Beogradit, të udhëhequr nga diktatori serb Sllobodan Millosheviq.

Në atë natë historike, qielli mbi Ballkan nuk ishte thjesht hapësirë gjeografike e një operacioni ushtarak, por u shndërrua në arenën ku u përplasën dy parime themelore të së drejtës ndërkombëtare: sovraniteti shtetëror dhe mbrojtja e të drejtave themelore të njeriut. Rezultati i kësaj përplasjeje ishte një kthesë epokale – ndërhyrja për të ndalur makinerinë shtetërore të dhunës, spastrimit etnik dhe shkatërrimit sistematik të një popullsie të pambrojtur.

Ndërhyrja e NATO-s, e njohur si Operation Allied Force, nuk ishte vetëm një operacion ushtarak, por një akt me dimension të thellë humanitar, politik dhe juridik, që ndryshoi përgjithmonë mënyrën se si komuniteti ndërkombëtar e koncepton përdorimin e forcës në funksion të mbrojtjes së civilëve.

Evoluimi i konceptit të ndërhyrjes humanitare

Pas miratimit të Kartës së Kombeve të Bashkuara në vitin 1945, rendi ndërkombëtar u ndërtua mbi dy shtylla fundamentale:parimin e sovranitetit të shteteve, dhendalimin e përdorimit të forcës në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Megjithatë, praktika historike e gjysmës së dytë të shekullit XX dëshmoi se sovraniteti shpesh instrumentalizohej nga regjime autoritare si mburojë për të kryer krime masive ndaj popullsisë së vet.

Në këtë kontekst, interpretimi dinamik i Kapitullit VII të Kartës së OKB-së filloi të marrë një dimension të ri: përdorimi i forcës si mjet i fundit për të parandaluar katastrofa humanitare, kur shteti dështon në funksionin e tij themelor – mbrojtjen e qytetarëve.

Ndërhyrja në Kosovë përfaqëson një nga aplikimet më të rëndësishme praktike të këtij interpretimi evolutiv, duke shënuar kalimin nga një rend strikt sovraniteti drejt një rendi të përgjegjësisë ndërkombëtare.

Mësimi i hidhur i Bosnjës dhe imperative i ndërhyrjes

Dështimi i komunitetit ndërkombëtar në Luftën e Bosnjës (1992–1995) mbetet një nga kapitujt më të errët të Evropës së pasluftës së dytë botërore. Masakra e Srebrenicës, ku mbi 8,000 civilë boshnjakë u ekzekutuan, ekspozoi paaftësinë e mekanizmave ndërkombëtarë për të parandaluar gjenocidin.

Vetëm pas kësaj tragjedie, NATO ndërhyri përmes operacionit Operation Deliberate Force, duke kontribuar në arritjen e Marrëveshjes së Dejtonit dhe në stabilizimin e Bosnjës.

Ky precedent shërbeu si një alarm i fuqishëm për rastin e Kosovës: mosveprimi do të thoshte përsëritje e tragjedisë. Prandaj, ndërhyrja në Kosovë ishte jo vetëm një opsion politik, por një domosdoshmëri morale dhe strategjike.

Kosova si rast paradigmatik i ndërhyrjes ndërkombëtare

Gjatë viteve 1998–1999, regjimi serb intensifikoi një fushatë sistematike të spastrimit etnik ndaj shqiptarëve të Kosovës. Sipas të dhënave ndërkombëtare, mbi 850,000 shqiptarë u dëbuan nga shtëpitë e tyre, ndërsa mijëra civilë u vranë.

Dështimi i negociatave të Rambujesë dhe refuzimi kategorik i regjimit të Millosheviqit për të ndalur dhunën krijuan një situatë ku ndërhyrja ushtarake u bë e pashmangshme. NATO ndërhyri për të ndaluar një katastrofë humanitare me përmasa rajonale dhe potencial destabilizues për gjithë Evropën Juglindore.

Dimensioni juridik dhe lindja e një doktrine të re ndërkombëtare

Ndërhyrja në Kosovë kontribuoi drejtpërdrejt në formësimin e një prej doktrinave më të rëndësishme të së drejtës ndërkombëtare moderne: Responsibility to Protect (R2P), e miratuar në vitin 2005.

Kjo doktrinë vendos një parim themelor:

kur një shtet dështon të mbrojë qytetarët e tij nga gjenocidi, krimet kundër njerëzimit dhe spastrimi etnik, përgjegjësia kalon te komuniteti ndërkombëtar.

Në këtë kuptim, ndërhyrja e NATO-s në Kosovë përbën një precedent historik – një moment kur legjitimiteti humanitar tejkaloi kufizimet formale të sovranitetit klasik.

Nga ndërhyrja te shtetësia: dimensioni juridik i Kosovës

Procesi i nisur më 24 mars 1999 kulmoi me shpalljen e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, duke përmbyllur një rrugëtim kompleks të ndërthurjes së faktorëve historikë, politikë dhe juridikë.

Opinioni Këshillues i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë konfirmoi se deklarata e pavarësisë së Kosovës nuk bie ndesh me të drejtën ndërkombëtare, duke forcuar legjitimitetin juridik të shtetit të ri.

Kjo e vendos Kosovën si një rast unik në të drejtën ndërkombëtare – një shtet që lindi jo vetëm nga vullneti politik i popullit, por edhe nga ndërhyrja ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave themelore të njeriut.

24 Marsi si moment i ndërgjegjes ndërkombëtare

24 Marsi 1999 nuk është thjesht një datë historike. Ai është simbol i një momenti kur komuniteti ndërkombëtar vendosi të mos jetë më spektator i krimeve masive, por aktor në mbrojtjen e jetës njerëzore.

Për popullin e Kosovës, kjo datë përfaqëson:fillimin e fundit të një regjimi shtypës,lindjen e shpresës për liri, dhethemelimin e rrugës drejt shtetësisë dhe demokracisë.

Në planin global, ajo mbetet një pikë referimi për transformimin e së drejtës ndërkombëtare – nga një sistem që mbronte shtetet, në një sistem që synon të mbrojë njerëzit.

Filed Under: Analiza

KUR HISTORIA TROKITI NË DERË

March 24, 2026 by s p

“Liria erdhi—po a u ndërtua shteti?”

Nga Frank Shkreli

Kujtime dhe emocione: Nga zbarkimi i delegacionit të parë amerikan në Tiranë, 20 mars 1991 e deri tek dështimet e zgjatura të tranzicionit shqiptar: një reflektim!

Kujtime dhe emocione nga vizita e parë në Shqipërinë e posa dalë nga errësira komuniste gjysëm shekullore – 20 mars 1991. Kjo ishte data e arritjes së delegacionit amerikan të parë zyrtar në Tiranë. Nga këndvështrimi i një pjesëtari të delegacionit të Departamenti i Shtetit i SHBA, udhëtimi drejt Shqipërisë në mars të vitit 1991, nuk ishte një mision rutinë diplomatik. Ishte hyrje në një realitet të panjohur për dekada – një vend që sapo kishte dalë nga izolimi më i thellë në Evropë.

Pas pothuaj 50-vjet komunizëm, izolimi ideologjik dhe politik, Shqipëria priti 15 marsin 1991 — rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike Shqipëri-Shtetet e Bashkuara të Amerikës — si një datë që do shënonte një kthesë historike për vendin. Me urdhër të Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH), një javë pas nënshkrimit të Memorandumit të (15 marsit 1991) në Uashington për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara — pa vonesë, Washingtoni ka vendosur të dërgonte delegacionin e parë diplomatik amerikan në Tiranë, “për përgatitjet dhe hapjen e misjonit diplomatik,,,” amerikan në Tiranë.

Mendime të hedhura

Kujtime dhe emocione – Për mua, arritja ime në Tiraanë më 20-Mars, 1991, me delegacionin e parë amerikan zyrtar në Shqipëri, plot emocione, nuk ishte vetëm një kthim në tokën e të parëve të mi, që i përkiste jo vetëm një personi si mua, por i përkiste edhe një brezi të tërë shqiptarësh, kundërshtarë të komunizmit, të arratisur nepër botë, ç’prej Luftës së II Botërore dhe më vonë. Një brez që kishte jetuar larg atdheut, por për dekada me mallin për atdheun e të pareve tanë, përjetësisht, të ndaluar ta vizitonim tokën e shqipeve. Por, me 20 mars 1991, vetëm pak ditë pas ngjarjeve historike të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike SHBA-Shqipëri në Washington, (15, mars, 1991) toka shqiptare e të parëve të mi, për mua, por jo vetëm, nuk ishte më një ishull i ndaluar, as i izoluar më në hartën e Europës, por ishte një vend që sapo kishte filluar të merrte frymë në liri e demokraci. Delegacioni ynë u nis drejt Tiranës më 19 mars, 1991 me një ndjenjë përzierje mes përgjegjësisë historike dhe kureshtjes njerëzore. Mbërritja në një botë të mbyllur — që në momentin e zbritjes, ndjesia dhe përvoja jonë ishte e pazakontë. Aeroporti i Tiranës ishte shumë i thjeshtë, pothuaj i zhveshur nga çdo element modern të trasnportit ajror. Gjithçka dukej e ngrirë në kohë. Nuk kishte pamjen as gjallërinë e aeroporteve të tjera evropiane e amerikane; kishte një heshtje vrasëse që fliste më shumë se fjalët.

Një kthim në vendin e të parëve — Për një shqiptaro-amerikan si unë, me origjinë nga Shkreli i Malësisë së Madhe por i lindur në trojet iliro-arbërore sot nën Mal të Zi, kthimi në Shqipëri pas dekadash në mërgim, nuk ishte thjesht një udhëtim fizik. Por ishte një përplasje emocionesh: mall, dhimbje, shpresë, ndërsa duke parë gjëndjen e mjeruar politike dhe ekonomike të Shqipërisë në vizitën tonë mars/prill të vitit 1991, nuk e di se pse, por më mbuloi edhe një ndjenjë e thellë përgjegjësie, “guilt feeling” në anglisht, një ndjejnë faji. Për mua, pra kjo vizitë nuk ishte vetëm një mision zyrtar-shtetëror. Por ishte edhe një kthim shumë i vonuar në vendin e të parëve të mi – një tokë që për vite me radhë kishte qenë e pa-arritshme, pothuaj mitike, si për mua dhe për shumë bashkatdhetarë tanë. Shqipëria e imagjinuar në mendjen time gjatë viteve nuk përputhej aspak me realitetin që gjetëm në Tiranë dhe anë e mbanë atij vendi: një vend i varfër, i lodhur, megjithse me një shpirt të pathyer. Ndërsa avioni i afrohej aeroportit të Tiranës, ndjeva një përzierje emocionesh që është e vështirë të përshkruhet: mall, krenari, por edhe një trishtim i thellë për kohën e humbur. Pse, duhej të ishte kështu, pyesja veten.

Mbërritja në një botë të mbyllur– Delegacioni ynë u nis nga Washingtoni drejt Tiranës më 19 mars, 1991 ssisçp thashë më lartë, me një përzierjeje ndjenjash tëtë pa kontrolluara mes përgjegjësisë historike, misionit të detyrës profesionale dhe kureshtjes njerëzore. Që në momentin e zbritjes, ndjesia ishte e pazakontë. Aeroporti i Tiranës ishte shumë i thjeshtë, pothuaj i zhveshur nga çdo element modern të trasnportit ajror. Gjithçka dukej e ngrirë në kohë. Nuk kishte pamjen as gjallërinë e aeroporteve të tjera evropiane e amerikane. Aeroportin e Tiranës e kishte mbuluar një heshtje vrasëse që fliste më shumë se fjalët.

Ballë-përballë me realitetin — Shqipëria e marsit 1991 nuk ishte siç paraqitej në revistat propagnadtiskie të Tiranës komuniste që i shpërndante anë e mbanë botës për “sukseset” e komunizmit shqiptar dhe as ajo e kujtimeve të trashëguara, apo e rrëfimeve të idealizuara të mia ose të tjerëve. Shqipëria komuniste ishte një vend i xhveshur nga mjaft tradita, i rraskapitur nga varfëria, i zbehur nga izolimi dhe i lodhur, shpirtërisht dhe fizikisht, nga abuzimet dhe vuajtjet e njerzëve nga një regjim diktatorial komunist që për pothuaj një gjysëm shekulli kishte shtypur lirinë dhe të drejtat themelore të shqiptarëve – një regjim që nuk kishte shok në botë për nga trajtimi barbar i shtetasve të vet. Frank Shkreli: Kështu e gjetëm Shqipërinë e Enver Hoxhës dhe të Ramiz Alisë, 30-vjet më parë | Gazeta Telegraf – Një regjim që kishte izoluar Shqipërinë nga bota dhe kishte shuar iniciativën dhe besimin e shqiptarëve ndaj çdo të mire dhe vlerave, jo vetëm në vetveten, por edhe në besimin e tyre në Zotin – një regjim që si asnjë tjetër në botë, kishte shpallur Shqipërinë, “si vendi i parë ateist në botë”. Rrugët ishin të heshtura, ndërtesat të zymta dhe njerëzit – megjithëse të etur për ndryshim – mbanin ende, në sy dhe në fytyrë, hijen e frikës nga regjimi dhe nga Sigurimi i Shtetit.

Rrugës nga aeroporti, drejt qendrës së Tiranës, pamjet ishin tronditëse: ndërtesa gri, infrastrukturë e rrënuar dhe një mungesë e theksuar e jetës ekonomike. Por edhe në këto kushte të vështira politike dhe ekonomike, ajo që binte më shumë në sy ishte kontrasti midis varfërisë së theksuar materiale dhe ngrohtësisë njerëzore me bashkbiseduesit e rastit. Ato që mbeten më të gjalla në kujtesë nuk janë sallat e mbledhjeve, as takimet zyrtare por kontaktet e drejtpërdrejta me njerëzit e zakonshëm. Në rrugë, në hotel Dajti, apo në biseda të shkurtra spontane me njerëz të thjesht, ndjeje një etje të jashtëzakonshme të tyre për komunikim me njerëz të botës së jashtme. Shumë prej tyre nuk kishin parë kurrë një amerikan.

Kur mësonin se ishim nga Shtetet e Bashkuara, reagimi ishte i menjëhershëm: kureshtje, respekt, por edhe një lloj shprese që nuk mund të fshihej, megjithë frikën që ende kishin nga regjimi komunist ende në fuqi. Por dallohej një dritë e re shprese se, më në fund, liria po agonte në atdheun e të parëve të mi. Takimet me njerëzit mbeten ndoshta momentet më të fuqishme të vizitës. Nuk ishin ato zyrtare, por ato të thjeshtat: shtrëngimet e duarve, përqafimet me të panjohur – që pasi merrnin vesh se unë vija nga Zëri i Amerikës ku kam shërbyer për tre dekada — më trajtonin si të tyrin. Më kanë mbetur në mbresë sytë që mbusheshin me lot kur dëgjonin se një delegacion zyrtar kishte ardhur, për herë të parë në Shqipëri në 50-vjet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ishte pra një Shqipëri që kërkonte të rilindte, dhe njerëzit e saj, edhe pse të varfër në mjete, ishin të pasur në dinjitet dhe me shpresë se ditë më të mira do agonin për veten, familjet e tyre dhe mbarë Kombin.

Takimet zyrtare dhe nënteksti i tyre –Takimet me përfaqësuesit e qeverisë shqiptare ishin të kujdesshme, shpesh të ngarkuara me formalizëm dhe një lloj pasigurie të ndërsjellë. Ata po përpiqeshin të hapeshin ndaj botës, ndërsa ne përpiqeshim të kuptonim se deri ku ishte real kjo dëshirë për transformim të vërtetë. Pas dekadash nën regjimin e Enver Hoxha, institucionet shqiptare mbanin ende gjurmët e një sistemi të mbyllur e fanatik. Gazeta Zëri i Popullit, si organ i Partisë së Punës në pushtet, nuk raportoi arritjen e delegacionit të parë amrikan në Shqipëri, deri pothuaj në fund të vizitës, kur antarët e delegacionit takuan Xhelil Gjonin, 2-3 ditë para se të ktheheshim në Washington. Megjithatë, pothuajse në të gjitha nivelet kishte shenja të qarta se një epokë kishte marrë fund dhe një tjetër po përpiqej të lindte.

Ndjenja e detyrës dhe e përgjegjësisë – Për mua, ajo vizitë si pjesëtar i një delegacioni zyrtar amerikan, në atë kohë dhe në atë vend, nuk ishte vetëm emocionale që më kujtote historinë e tmershme të komunizmit në atë vend, vuajtjet e shumë familjeve që njihja në mërgim, por njëkohsisht, ajo ishte, njëkohsisht, edhe një thirrje për një të ardhme më të mirë për atë vend. Ishte një thirrje edhe për diasporën shqiptaro-amerikane – si individë dhe si komunitet — që në atë moment të historisë, të mos mbetej spektatore, por të bëhej pjesë aktive e rindërtimit moral, politik dhe ekonomik të vendit. Sepse rënia e komunizmit – siç jemi dëshmitarë sot 35-vjet më vonë, nuk ishte fundi i një beteje – por ishte vetëm fillimi i ngadalt i një prove shumë më të vështirë e më të ndërlikuar — e që është vendosja dhe ndërtimi i lirisë, vlerave të demokracisë dhe respektimit të të drejtave themelore të njeriut për të gjithë shqiptarët, pa dallim, në një vend që nuk kishte parë as nuk kishte përjetuar vlera të tilla në historinë e tij. Thirrja e atyre ditëve, ashtu siç është ende edhe sot, 35-vjet më vonë, “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”, reklamohej ato ditë në rrugët e Tiranës, e që vazhdon të mbetet një ëndërrë e pa realizuar e shqiptarëve, sot e kësaj dite.

Një kujtim që mbetet — 20 marsi i vitit 1991, nuk ishte vetëm një datë në kalendarin e historisë shqiptare. Por ështe një moment i kthimit të shpresës, i ribashkimit fizik dhe shpirtëror të shqiptarëve nga kudo ishin por edhe e një premtimi të heshtur se Shqipëria nuk do të mbetej më kurrë e izoluar nga bota dhe nga bijtë e saj të përjashtuar e të dëbuar në mërgim — të arratisur si kundërshtarë të regjimit sllavo-aziatik komunist. Nga Washington, D.C. në Tiranë, historia e shqiptarëve në pragun e vitit 1991 nuk ishte thjesht një rrugëtim diplomatik por ishte një rikthim shpirtëror, një ribashkim vlerash dhe aspiratash që kishin mbijetuar përtej oqeanit dhe përtej dekadave të izolimit komunist. Në njërin kryeqytet, zemra e botës së lirë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kishin ruajtur dhe kultivuar zërin e shqiptarëve përmes diasporës dhe institucioneve si Zëri i Amerikës. Në tjetrin, në Tiranë, një popull i tërë priste me padurim hapjen e një dere që për shumë kohë kishte qenë e mbyllur me dry ideologjik.

Dhe për ata që patën fatin e përjetuan atë kthim të parë si unë në atdheun e të parëve – ajo ditë dhe ajo vizitë për mua mbetet një plagë e hidhur por e ëmbël, njëkohësisht: po, edhe si një kujtesë e dhimbjes së krimeve të diktaturës komuniste por edhe e besimit kokëfortë të një shprese kundër shpresës se çdo gjë do të bëhet mirë. Por edhe një kujtesë e embël, gjithashtu, bazuar në një besim dhe shpresë më reale dhe shpresëdhënëse për një të ardhme më të mirë, për të gjithë shqiptarët, pa dallim, brenda dhe jashtë Atdheut. Se krimet e shqiptarit kundër shqiptarit, në emër të komunizmit dhe të këqiat e regjimit komunist në Shqipërinë e shkeullit XX nuk do të përsëriten më në ato troje iliro-arbërore.

Një moment që kapërcen gazetarinë dhe diplomacinë – Dhe më në fund, për ne si anëtarë të delegacionit, megjithë vështirsitë që hasëm gjatë asaj vizite, mbeti bindja se kishim qenë dëshmitarë të një momenti historik – një fillimi të brishtë, por të domosdoshëm për atë popull të vuajtur. Hapja e ambasadës amerikane në Tiranë ishte më shumë se një akt diplomatik. Ishte një simbol i fortë i kthimit të Shtetetve të Bashkuara në Shqipëri pas 5-dekadash dhe i kthimit të Shqipërisë në komunitetin ndërkombëtar perëndimor, aty ku e ka vendin historikisht, dhe njëherazi ishte edhe një një mesazh i qartë se vet-izolimi komunist i Shqipërisë kishte marrë fund. Dhe se Shqipëria po me hapa të pasigurt por të vendosur po shkonte drejt botës së vlerave demokratike. Për mua, si shqiptaro-amerikan dhe si anëtar i atij misioni, ai moment historik mbetet ndër më të rëndësishmit e jetës sime. Ishte një bashkim i identitetit personal me detyrën profesionale – një rast që, rrallëherë, historia dhe jeta individuale, ecin në të njëjtin drejtim.

Kthimi për në Uashington – Por ndërsa po largohesim nga Tirana pas asaj vizitë historike për marrëdhëniet shqiptaro-amerikane ma merrte mendja se ajo vizitë nuk ishte fundi i një udhëtimi, por fillimi i një angazhimi më të madh – për të ndihmuar, për të dëshmuar dhe për të mos harruar kurrë se ku ishin rrënjët e mia dhe të familjes time. U largova së andejmi edhe me ndjenjën e falënderimit të thellë ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Prandaj për mua, kjo histori nuk është thjesht një kapitull i lexuar apo i analizuar—është një përjetim i jetuar dhe një kujtesë e paharruar. Si pjesë e atij delegacioni të parë amerikan që zbriti në Tiranë në 20 marsin e vitit 1991, pata privilegjin të isha dëshmitar nga afër i një kthesë historike për atdheun e të parëve të mi dhe për atdheun tim të adaptuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Prandaj, mbi çdo vlerësim kritik për atë që erdhi më pas, ajo vizitë mbetet një ndjenjë që nuk ndryshon: mirënjohja e thellë për atdheun tim të adaptuar, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për mbështetjen historike të pavarësisë, të lirisë dhe vlerave të demokracisë për Kombin shqiptar nga shpallja e pavarësisë e deri në ditë e sotëme. Sepse në atë çast vendimtar të muajit mars, 1991, Amerika nuk ishte thjesht një aleat, mike dhe mbrojtëse e vjetër e të drejtave të shqiptarëve — por ishte dhe mbetet si një “qytet që shkëlqen mbi një kodër”, sipas Ronald Reagan-it. Si një një dritë orientimi për një popull që po dilte nga errësira e komunizmit — megjithse nuk pretendon të jetë vetë e përsosur. Fan Noli ka thënë se “Shqipëria i ka shumë borxhe Amerikës”. Prandaj një komb që njeh historinë e tij, nuk harron kurrë dorën që iu shtri në ditën e parë të lirisë dhe gjatë historisë. Sot e 35 vjet më parë, liria erdhi për Shqipërinë, por sot pyetja është dhe mbetet aktuale: a u ndërtua shteti i ligjit dhe i vlerave demokratike që shqiptarët donin e dëshironin!?

Njerëz të ndryshëm mund të kenë përgjigje të ndryshme ndaj kësaj pyetjeje, bazuar në bindjet e tyre politiko-partiake dhe në rrethanat e tyre ekonomike. Megjithëate, sot, 35vjet më pas, kjo datë duhet të mbetet pikë historike referimi. Ajo na kujton se demokracia nuk erdhi si dhuratë, por si një mundësi që duhej ndërtuar me përpkjekje, përgjegjësi dhe vizion. Por mbi të gjitha na kujton se marrëdhënia shqiptaro-amerikane nuk është dhe nuk duhet të jetë vetëm një aleancë strategjike — ndonëse edhe kjo e ka rëndësinë kritike për mbijetesën e Kombit shqiptar – por të jetë mbi të gjitha një lidhje e thellë vlerash dhe aspiratash të përbashkëta midis dy kombeve tona. Prandaj, vizita e parë zyrtare amerikane e 20 marsit, 1991 nuk ishte thjesht një zbritje turistike e rastit për katër amerikanë në aeroportin e (Rinasit) në atë kohë, por simbolizonte edhe fillimin e një ngritjeje morale e politike të një Kombi nga errësira komuniste gjysëm shekullore — drejt një horizonti të ri lirie e demokracie.

Këto ishin disa kujtime dhe emocione personal nga data e arritjes së delegacionit të parë zyrtar të Shteteve të Bashkuara në Tiranë, 20 mars, 1991, pjesë e të cilit kam patur nderin dhe privilegjin të isha edhe unë. Por siç kam zbuluar më vonë, kjo ka qenë gjithashtu edhe dita, njëkohësisht, kur Sigurimi i Shtetit të regjimit komunist të Shqipërisë ka mbyllur, zyrtarisht, Dosjen e mbajtur për mua – pasi isha ndjekur nga agjentët e Sigurimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, siç dëshmon ky dokument nga Dosja zyrtare, nxjerrë nga Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH)

Filed Under: Analiza

Qëllimi dhe arsyeja (funksioni) e kërkimeve kosovare mbi tema jo-shqiptare

March 22, 2026 by s p

Sylë Ukshini, “Roli i politikës së jashtme të Gjermanisë ndaj Kosovës, 1990-2008” («Artini», Prishtinë, 2025).

Dr. Konrad Clewing

Libri i Sylë Ukshinit, “Roli i politikës së jashtme të Gjermanisë ndaj Kosovës, 1990-2008” («Artini», Prishtinë, 2025) është një studim shembullor mbi temën që trajton. Me të drejtë, Muhamet Brajshori ka shkruar në “Koha” në mënyrë kaq të detajuar për përmbajtjen e këtij studimi. Marrë parasysh këtë, kërkoj që të reflektohet dhe të mendohet edhe mbi studimet dhe kërkimet historike kosovare mbi temat jo-kosovare dhe jo-shqiptare. Me një thjeshtim të vogël mund të thuhet se në fakt nuk ka ndonjë marrëdhënie, por një mungesë marrëdhënie. Temat jo-shqiptare nuk shfaqen as për Kosovën dhe as për territore të tjera në hulumtimet historike. Kjo ka pasoja të rënda.

Tendenca e përhershme për trajtimin mbi tematika vetëm shqiptare është një pengesë e madhe për cilësinë shkencore por edhe për rrjetëzimin ndërkombëtar të historiografisë kosovare.

Në mënyrë më pozitive: ky tekst është një apel për të hapur temat e tjera dhe për të synuar ndërtimin e një “hulumtimi të jashtëm(ndërkomkombëtar)” kosovar.

Qasja albano-centrike dhe hapja tematike

Në librin e historianit Sylë Ukshinit, lexuesi pa dyshim merr informacion të rëndësishëm edhe mbi Kosovën. Nga ky këndvështrim, ky studim është një shembull (fatkeqësisht jo shumë i zakonshëm) për studime metodologjikisht të mira, që janë zhvilluar me nje sërë botimesh të përgjithshme mbi periudhën pas vitit 1990 (dhe sidomos pas 1998/99) në Kosovë, që nga çlirimi i saj.

Megjithatë, Ukshini shërben për diçka më shumë: një nxitje tematike inovative. Sepse në të vërtetë, ai nuk ka për qëllim kryesor Kosovën. Synimi i tij kryesor është Gjermania: politika e jashtme gjermane dhe ndryshimet e saj në një kohë të re vendimtare për Gjermaninë, Kosovën dhe Europën. Njëkohësisht, bëhet fjalë për një vend që ka një rol të madh në Europë dhe gjithashtu një ndikim të madh në nivel global. Po ashtu, për sistemin ndërkombëtar, zgjedhja e temave nga Ukshini lejon të kuptohen dhe të studiohen më thellë aspekte të rëndësishme.

Një shembull tipik janë pjesët e mëdha ku në librin e Ukshinit përmendet “Grupi i Kontaktit për Ballkanin” (paraardhësi direkt i “Quint-it”). Kjo platformë e re informale diplomatike shërbente për të ofruar fuqive të mesme europiane një përfaqësim të veçantë në politikën në Ballkan. Në këtë nivel, Gjermania, Franca dhe Britania e Madhe (më vonë edhe Italia) fitonin në thelb të njëjtin nivel politik si SHBA dhe Rusia.

Interesante është se politika e jashtme gjermane në mënyrë shumë të vetëdijshme e kishte synuar dhe e pranoi pozicion si një “fuqi” e barabartë. Pra, në këtë situatë, ajo nuk u orientua aq strikt tek multilateralizmin e institucionalizuar, siç vetë zakonisht e thekson. Publiku gjerman pothuajse nuk e vuri re këtë. As kërkimet dhe hulumtimet historike gjermane të kohës nuk e kanë trajtuar pothuajse fare këtë. Për këtë arsye, libri i Ukshinit ka rëndësi jo vetëm për studiues kosovarë ose gjermanë, por edhe për lexues të ‘‘rëndomtë‘‘ që kanë interesim mbi temat e politikës.

E njëjta gjë vlen për lexuesit në Kosovë, edhe pse dhe sepse, siç u tha, kryesisht bëhet fjalë për Gjermaninë. Politika gjermane ka rëndësi të drejtpërdrejtë për Kosovën. Analiza shkencore e sfondit historik është e dobishme edhe për akterët kosovarë të politikës së jashtme dhe diplomacisë. Ukshini, me perspektivën e tij më të gjerë, i shërben edhe vendit të tij me përgjegjësisë e tij shoqërore si studiues

Nga pikëpamja e kërkimit, studimi e tij është një shembull se kur studiuesit kosovarë hapin tematikat, ata mund të kontribuojnë me interes në tema më të përgjithshme ose tema jo-kosovare. Nëse kjo bëhet praktikë, historiografia e Kosovës mund të fitojë një vend unik, rrjetëzim më të thellë dhe një zë të dallueshëm në arenën evropiane dhe ndërkombëtare. Deri më tani, kjo mungon pothuajse plotësisht. Për më tepër, referimi i vazhdueshëm vetëm në sfondin shqiptaro-kosovar dëmton rëndësinë shkencore të vendit dhe ndikimin jashtë kufijve të gjuhës shqipe.

Për një “ studim ndërkombëtar”

Në pjesën e dytë të këtij recensioni, dua ta pranoj që termi “kërkim i jashtëm (ndërkombëtar)” në gjermanisht (“Auslandforschung”) tingëllon disi i vjetër në aspektin shkencor. Sepse ai sugjeron një ndarje midis “vendit tonë” dhe “botës së jashtme”, që për evropianët perëndimor nuk përshtatet më me imazhin e vetvetes dhe nuk tingëllon e lehtë për studime kërkimi. Megjithatë, e propozoj këtu si një term punë. Kush ka interesim mund t’i referohet edhe si “studime ndërkombëtare”. Mund të ndahen edhe më në detaje në tematikat me interes për Kosovën, p.sh. në“studime për Evropën Perëndimore” dhe “studime për Ballkanin”.

Institucionet bashkëkohore të “kërkimit të jashtëm” kanë një histori të gjatë (p.sh. Instituti Zviceran për Kërkimin e Jashtëm, Cyrih) dhe shpesh fokusohen më shumë në transmetimin e dijes për botën sesa në kërkimin rreth tyre.

Pra nuk e kisha për këtë kuptim këtu, megjithatë rëndësia e transmetimit ndërkombëtar të rezultateve shkencore edhe jashtëzakonisht e rëndësishme edhe për Kosovën. “Kërkimi i jashtëm” duhet të ketë për qëllim kërkimin shkencor dhe transmetimin e njohurive shkencore mbi marrëdhëniet përtej kufijve të vet. Në një hap tjetër, këto njohuri mund dhe duhet të ndikojnë edhe në kërkimin e brendshëm dhe ndërkombëtar për Kosovën.

Ideja fillestare e “Deutschen Ausland-Instituts” (sot: “Institut für Auslandsbeziehungen”, Stuttgart) duket pothuajse e formuluar për Kosovën e sotme: e themeluar në 1917, në mes të Luftës së Parë Botërore sipas thelemuesve të saj ajo paraqiste një “vepër paqeje në mes të luftës”.

Sigurisht, sot Kosova nuk është më “në mes të luftës”. Por Serbia mbetet një kërcënim për shtetësinë e saj. Prandaj, është e paarsyeshme që në Kosovë nuk ka kërkim serioz mbi Serbinë, ashtu si mbi fqinjët e tjerë jashtë hapësirës shqiptare. Këta fqinj nuk janë të rrezikshëm si Serbia, por për shkak të lidhjes së ngushtë me historinë dhe të tashmen e Kosovës, është i domosdoshëm kërkimi shkencor. Deri më tani, kjo mungon. Kjo situatë është e dëmshme për kërkimin, publikun dhe politikën e Kosovës.

Për të ndërtuar kapacitete “kërkimore jashtë vendit”, duhet investuar diçka. Së pari, nevojitet më shumë kuriozitet intelektual dhe interes shkencor për “të jashtmen” sesa deri më tani. Kjo mund të realizohet lehtësisht në nivel individual. Së dyti, duhet të ketë mbështetje institucionale për të zhvilluar më tej këtë interesim. Shembull, studentët e historisë në Universitetin e Prishtinës duhet të kenë më shumë mundësi (dhe herë pas here më shumë presion) për të marrë pjesë në lëndët filologjike të vendeve fqinje. Sa i përket gjuhëve ballkanike dhe gjuhëve e mëdha europiane duhet të ofrohet mundësia për t’i mësuar ato për qëllime shkencore.

Prandaj, studiuesi Sylë Ukshini nuk mund të shkruante librin e tij pa njohuri të mira të gjermanishtes. Njohuritë gjuhësore përtej anglishtes do të jenë gjithmonë të rëndësishme për kërkime historike të mira, edhe pse inteligjenca artificiale mund të ndihmojë në leximin e teksteve përkatëse, kur bazat e njohurive ekzistojnë. Përpjekja e investuar shpërblehet vetvetiu. Në thelb, gjithçka që duhet për një të ardhme më të mirë kosovare është më shumë vetëbesim, guxim dhe hapje në kërkimin shkencor. Të paktën tani, me librin e SylëUkshinit, ekziston një shembull i mirë.

Dr. Konrad Clewing

Studiues i lartë

Bashkëredaktor i serive shkencore: Südosteuropäische Arbeiten, Südost-Forschungen, Handbuch zur Geschichte Südosteuropas/Regensburg

Gjermani

Filed Under: Analiza

Gjykata: Mbyllja e “Zërit të Amerikës” e paligjshme, urdhërohet rikthimi i 1,000 punonjësve

March 19, 2026 by s p

mashqip.com/

Një gjykatë federale në SHBA ka shpallur të paligjshëm vendimin për mbylljen pothuajse totale të Voice of America, duke urdhëruar rikthimin e menjëhershëm në punë të rreth 1,000 punonjësve dhe rifillimin e aktivitetit të plotë të këtij institucioni.

Vendimi është marrë nga gjyqtari federal Royce C. Lamberth, pjesë e Gjykatës së Qarkut për Distriktin e Kolumbias në Washington D.C., i cili konstatoi se tentativa për “shuarjen” e Agjencisë Amerikane për Median Globale, U.S. Agency for Global Media (USAGM), ka shkelur ligjin federal administrativ.

Në vendimin e tij, gjyqtari thekson se autoritetet kanë vepruar në mënyrë arbitrare dhe të pajustifikuar, pa ndjekur procedurat ligjore dhe pa dhënë argumente të mjaftueshme për një ndërhyrje kaq drastike. Sipas tij, pezullimi masiv i punonjësve dhe reduktimi ekstrem i operacioneve përbën në praktikë një mbyllje të institucionit, e cila nuk mund të kryhet pa respektuar ligjin.

Gjykata urdhëroi jo vetëm rikthimin e stafit, por edhe ndalimin e çdo veprimi tjetër që synon kufizimin apo mbylljen e aktivitetit të VOA-s, duke e cilësuar ndërhyrjen si tejkalim të kompetencave nga ana e autoriteteve përgjegjëse.

Ky vendim vjen pas masave të marra në fillim të vitit 2026 për të ulur në minimum funksionimin e VOA-s, një hap që u kundërshtua fort nga punonjësit dhe u çua në gjykatë. Me këtë vendim, drejtësia amerikane i jep një goditje të fortë përpjekjeve për të ndërhyrë në një prej institucioneve më të rëndësishme mediatike të SHBA-së.

“Zëri i Amerikës”, i themeluar gjatë Luftës së Dytë Botërore, konsiderohet një nga instrumentet kryesore të SHBA-së për informimin ndërkombëtar, veçanërisht në vendet ku media e lirë është e kufizuar. Për këtë arsye, tentativa për mbylljen e tij u pa si një zhvillim i rrezikshëm për rolin e medias publike.

Vendimi i gjyqtarit Lamberth shihet si një precedent i rëndësishëm që rikujton se edhe në SHBA, vendimet e pushtetit ekzekutiv kanë kufij dhe mund të rrëzohen nga gjykata kur bien ndesh me ligjin.

Filed Under: Analiza

RAKETAT SUPERSONIKE TË SERBISË: SINJAL ALARMI PËR SIGURINË NË BALLKAN

March 16, 2026 by s p


Prof. Dr. Muhamet Racaj
Gjeneral Major në pension


HYRJE


Siguria në Ballkanin Perëndimor mbetet një nga çështjet më të ndjeshme të arkitekturës së sigurisë në Evropë. Rajoni vazhdon të jetë i ndikuar nga zhvillimet gjeopolitike, rivalitetet strategjike dhe proceset e modernizimit ushtarak të shteteve përkatëse. Në këtë kontekst, deklarata e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vučić, se Serbia ka siguruar raketa supersonike CM-400 nga Kina, ka shkaktuar reagime të menjëhershme në rajon dhe në qarqet euroatlantike të sigurisë.
Reagimi i kryeministrit të Kroacisë, Andrej Plenković, i cili paralajmëroi konsultime me aleatët e NATO-s dhe të Bashkimit Evropian lidhur me këtë zhvillim, dëshmon se kjo lëvizje shihet si një çështje me implikime të drejtpërdrejta për stabilitetin rajonal.
Rritja e kapaciteteve raketore të ushtrisë serbe nuk është një fenomen i izoluar, por pjesë e një strategjie më të gjerë të modernizimit ushtarak dhe të forcimit të fuqisë goditëse në rajon. Në këtë kuadër, analiza e këtyre sistemeve dhe e ndikimit të tyre në sigurinë e Ballkanit, veçanërisht në raport me Kosovën dhe shtetet e tjera të rajonit, paraqet një domosdoshmëri strategjike.
PËRPUNIMI I PËRMBAJTJES
Modernizimi i ushtrisë serbe në vitet e fundit është përqendruar në zhvillimin e kapaciteteve raketore me karakter ofensiv, të cilat mundësojnë goditje në thellësi të territorit të kundërshtarit. Një nga projektet më të rëndësishme në këtë drejtim është sistemi raketor Shumadija/Vila, një platformë moderne vetëlëvizëse e bazuar në kamionë të rëndë me mobilitet të lartë operacional.
Ky sistem përdor raketat balistike Jerina-1, me rreze veprimi deri në rreth 300 kilometra dhe me kokë shpërthyese prej rreth 200–250 kilogramësh. Përmes teknologjisë së navigimit satelitor dhe sistemit inertial të drejtimit, këto raketa janë të afta të godasin me saktësi objektiva strategjikë si bazat ushtarake, aeroportet, depot logjistike dhe infrastrukturën kritike. Në të njëjtën kohë, sistemi përfshin edhe municionin loitering Vila-1, i cili mund të qëndrojë mbi zonën e objektivit për një periudhë të caktuar dhe të kryejë sulme të përsëritura me ngarkesë të konsiderueshme shpërthyese.
Një tjetër element i rëndësishëm i arsenalit raketor serb është sistemi PULS, i prodhuar nga kompania izraelite Elbit Systems. Ky është një sistem modern i shumëfishtë i lëshimit të raketave (MLRS), i aftë të përdorë një gamë të gjerë raketash – nga kalibri 122 mm me rreze rreth 40 kilometra deri te raketat taktike balistike me rreze deri në 300 kilometra, si modeli Predator Hawk. Sistemi karakterizohet nga modulariteti, shpejtësia e reagimit dhe integrimi me sistemet moderne të komandimit dhe kontrollit (C4I).

Një dimension tjetër i rëndësishëm është bashkëpunimi ushtarak i Serbisë me Kinën. Blerja e raketave supersonike CM-400 përfaqëson një rritje të konsiderueshme të kapaciteteve goditëse të ushtrisë serbe. Këto raketa janë projektuar për të goditur objektiva strategjikë me shpejtësi shumë të lartë, gjë që e bën interceptimin e tyre nga sistemet tradicionale të mbrojtjes ajrore shumë më të vështirë.

Karakteristikat taktike dhe teknike të raketës CM-400

Raketa CM-400AKG është një raketë moderne supersonike e zhvilluar nga industria ushtarake kineze. Ajo është projektuar për goditje precize ndaj objektivave tokësorë dhe detarë me rëndësi strategjike.
Nga aspekti teknik, raketa arrin një shpejtësi supersonike prej rreth Mach 4 deri Mach 5, ndërsa rrezja e veprimit varion nga 100 deri në 240 kilometra, në varësi të profilit të fluturimit. Koka luftarake ka peshë rreth 150 deri në 200 kilogramë, me mundësi përdorimi të ngarkesave shpërthyese ose penetrante kundër objektivave të fortifikuara.
Sistemi i drejtimit kombinon navigimin inertial (INS), navigimin satelitor dhe sensorë radarikë ose infra të kuq në fazën finale të goditjes, duke rritur ndjeshëm saktësinë e saj. Për shkak të shpejtësisë së lartë dhe profilit manovrues të fluturimit, kjo raketë konsiderohet një armë shumë e vështirë për t’u neutralizuar nga mbrojtja ajrore tradicionale.

Për pasojë, në analizat bashkëkohore të sigurisë, raketa CM-400 konsiderohet një armë me potencial të lartë ofensiv, e cila mund të përdoret për neutralizimin e bazave ushtarake, sistemeve radarike, infrastrukturës kritike dhe objektivave të rëndësishëm strategjikë.
Kur këto zhvillime analizohen në kontekstin rajonal, bëhet e qartë se Serbia ka krijuar një avantazh të konsiderueshëm në kapacitetet raketore krahasuar me shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor, si Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Bosnja dhe Hercegovina apo Maqedonia e Veriut. Kjo diferencë krijon një asimetrí strategjike, e cila mund të ndikojë në perceptimin e sigurisë dhe në balancën e fuqisë në rajon.

Në këtë situatë, reagimi i aktorëve ndërkombëtarë është i rëndësishëm për ruajtjen e stabilitetit rajonal. NATO dhe Bashkimi Evropian kanë një rol të veçantë në monitorimin e këtyre zhvillimeve dhe në ruajtjen e balancës strategjike në Ballkan. Për Kosovën, kjo situatë nënkupton nevojën për të vazhduar modernizimin e forcave të saj të sigurisë, për të forcuar bashkëpunimin me NATO-n dhe partnerët strategjikë, si dhe për të zhvilluar kapacitete të avancuara të mbrojtjes ajrore dhe të inteligjencës strategjike.

PËRFUNDIM
Rritja e kapaciteteve raketore të ushtrisë serbe dhe bashkëpunimi i saj ushtarak me Kinën përbëjnë një zhvillim me rëndësi strategjike për sigurinë në Ballkan. Sistemet raketore si Shumadija/Vila, PULS dhe raketat supersonike CM-400 përfaqësojnë armë me karakter të qartë ofensiv, të cilat potencialisht mund të ndikojnë në ekuilibrin ushtarak në rajon.
Megjithatë, stabiliteti i Ballkanit nuk mund të garantohet përmes garës së armatimit. Ai mund të ruhet vetëm përmes forcimit të bashkëpunimit rajonal, transparencës ushtarake dhe rolit të strukturave euroatlantike të sigurisë.
Në këtë drejtim, për Kosovën dhe shtetet e tjera të rajonit mbetet thelbësore forcimi i kapaciteteve mbrojtëse, thellimi i bashkëpunimit me NATO-n dhe zhvillimi i politikave të qëndrueshme të sigurisë. Vetëm përmes një kombinimi të mbrojtjes së fortë, diplomacisë strategjike dhe partneritetit ndërkombëtar mund të garantohet paqja dhe stabiliteti afatgjatë në Ballkanin Perëndimor.

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • …
  • 984
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VATRA URON BESIMTARËT KATOLIKË: GËZUAR DHE PËRSHUMËVJET PASHKËT
  • Ndërroi jetë Agim Bardha, “Vatra” e “Dielli” ngushëllojnë familjen patriotike të Ekrem Bardhës për humbjen e vëllait
  • Dita Ndërkombëtare e Librit për Fëmijë – Magjia e Leximit
  • Shoqëria shqiptare ka nevojë të kujtojë dhe reflektojë…
  • Balshajt dhe Cërnojeviçët në territorin e Zetës së dikurshme…
  • Divorci prindëror dhe funksionimi akademik dhe social në adoleshencën e hershme (moshat 10–15): Një rishikim teorik zhvillimor-ekologjik
  • HOMAZH PËR SHQIPTARËT QË HUMBËN JETËN NË MASAKRAT E TIVARIT DHE DUBROVNIKUT
  • Kush ishin 12 Apostujt?
  • NATO dhe e ardhmja euroatlantike e Kosovës: Garancia e sigurisë dhe perspektiva strategjike
  • Basorelievi i Gjergj Kastrioti Skënderbeu në Castello de Monti, Pulia, një prani që tejkalon gurin dhe kohën
  • Noli në Asamblenë e Lidhjes së Kombeve
  • Një Moment Historik për Komunitetin Shqiptar në Chicago
  • Dom Kelmend Spaqi, in memoriam…
  • “Këngë të përshpirtshme të kolonive shqiptare në Sicili”- Giuseppe Schirò
  • “HEDH NJË KAFKË TE KËMBËT TUAJA”!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT