• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

WAW e akuzuar me pretendimin për korrupsion që ditën e parë të themelimit

May 10, 2021 by dgreca

– Për dijeni:Entwicklung und Zusammenarbeit (DEZA)-Tatiana Valovaya, Directrice générale de l’Office des Nations Unies à Genève/

Nga Elida Buçpapaj – VOAL – Voice of Albanians/*

voal.ch – Shoqata ndërkombëtare e Grave shqiptare  në botë World Albanian Women ndryshe me akronimin WAW ka startuar krijimin e saj me dy skandale.
Skandali i parë lidhet me emrin, pasi në vetvete nuk është shoqatë ndërkombëtare.
Definicioni i shoqatës ndërkombëtare është si më poshtë:“Organizatë ndërkombëtare quhet një lloj organizate me karakter ndërkombëtar sa i përketë anëtarësisë, qëllimit ose pranisë të një rëndësie ndërkombëtare, me zyra, aktivitete dhe interesa në disa vende të botës; punonjësit e të cilave shpesh quhen zyrtarë ndërkombëtarë, shpesh gëzojnë imunitete diplomatike (disa shembuj të organizatave janë Kombet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, Organizata Botërore të tregtisë dhe NATO-s).”
Ky është skandali në formë abuzimi i parë i WAW (walbw.ch) sepse nuk përmbush asnjë atribut nga ato që lartpërmenden.
Skandali i dytë, lidhet sepse është akuzuar për mungesë transparence në ditën e inaugurimit të saj në Gjenevë më 2-3 Nëntor 2019.
Mungesa transparences hedh dyshim për korrupsion dhe në Perëndim nuk tolerohet.
Për mungesë transparence kjo shoqatë është akuzuar nga Ermira Lefort, e cila në të njëjtën datë kur u bë inaugurimi përmes një deklarate publike dha dorëheqjen e parevokueshme.
Drejtueset e kësaj shoqate janë: Mirela Mezani, Juliana Cici dhe Blerina Zoto.
Në deklaratën e saj botuar edhe në rrjetin social asaj kohe Ermira Lefort ka përmendur faktin për mungesën e informacionit të sponsorizimit, shumë prej 20 mijë frangash që kishte kushtuar festimi i inaugurimit të shoqatës në Gjenevë më 2-3 Nëntorin e 2019.
Sipas deklarimeve të saj, që nga 12 gushti 2019, Ermira nuk ka pranuar të firmosë hapjen e llogarisë bankare për këtë shoqatë,sepse mungonte informacioni kryesor. Ermira Lefort e ka përsëritur kërkesën në vijimësi në mbledhje pa proces-verbale,se kush ishte sponsori financiar i kësaj asambleje të kushtueshme.
Po sipas deklarimeve të Ermira Lefort: “U dhanë tre variante nga mbledhja në mbledhje.Në fillim ju dha si përgjigje, që është rrjeti i bizneseve në Zvicër.”Pyetjet e Ermirës publikisht ishin :Kush nga shumë strukturat ekzistuese?” Sepse ekziston Rrjeti i bizneseve,Dhoma e tregtisë dhe shoqata aksionare AG. Ermira Lefort këmbënguli përsëri në asamble,kush është si grupim apo individ dhe pse nuk vendoset Logo e sponsorizuesit?”
Deklarimi i sponsorizuesit nuk është bërë asnjëherë, kjo e detyroi zonjën Lefort të japë dorëheqjen e parevokueshme, çka hedh hije të forta dyshimi rreth transparencës të financimit të festimeve dy ditore në Gjenevë në 2-3 Nëntor 2019, data kur u bë inaugurimi zyrtar i shoqatës në fjalë.
Akuzuar për korrupsion WAW pretendon të atashohet me një zyrë pranë shoqatave të huaja në OKB
——-
E kam fjalën për shoqatën World Albanian Women International Association – me akronimin WAW. Që në zgjedhjen e emrit, qëllimi ka qenë të tërheqë vemendjen e naivëve, pra manipulimi është që në themel.
Konkretisht nuk kemi të bëjmë me një shoqatë ndërkombëtare grash sikur pretendohet por me një shoqatë grash shqiptare të formuar në Gjenevë.
Në Zvicër veprojnë mbi 100 mijë shoqata, nga këto syresh janë mijra shqiptare, me emra gjëmues, tronditës, spekulues por me zero aktivitet. Shoqatat shqiptare krijohen zakonisht në kontekste përfitimi, ndajnë çertifikata me njëri-tjetrin, nga pozita ilegjitime, sepse nuk kanë atribute të emërojnë ambasadorë të paqes, ambasadorë të kombit, ambasadorë të vullnetit te mirë, pena të artë, pena të sermta, pena prej letre, prej kartoni etj.etj.
Por ajo që bie në sy si shëmtim në piedestal është se këto shoqata nuk e njohin as vullnetarizmin, as bamirësinë, as kontributin individual.
Qëllimi i tyre është përfito sa të mundësh, duke u mbështetur nga Ministria e Diasporës në Shqipëri që drejtohet nga Pandeli Majko dhe instrumentat që kjo ministri ka në dorë sikur është gazeta online krijuar me fonde nga BE dhe Zvicra, programe të RTSH, çmime, çertifikata etj.etj.
Është shumë shqetësues fakti se këto shoqata po krijohen në kontekstin partiako-shtetëror-klientelist, me qëllim përçarës, në dëm të vlerave, në dëm të meritokracisë dhe të unitetit të komunitetit. Këtu ndihmojnë edhe portalët e që s’kanë asnjë lidhje me gazetarinë profesioniste dhe financohen në funksion të klientelizmit për të promovuar çka oriention politika e korruptuar.
Në këtë funksion janë edhe programe të RTSH që u bējnë publicitet dhe i mbajnë nën dritën e reflektorëve  të preferuarit e politikës. Një politikë e korruptuar merret me mend se çfarë promovon!
Komuniteti shqiptar duket i dorëzuar përpara kësaj katrahure me regjizurë dhe strategji përçarëse direkt nga Ministria e Diasporës e Republikës të Shqipërisë.
Përpara disa kohësh u festua zyrtarisht 50 vjetori i marrëdhënieve diplomatike Zvicër-Shqipëri dhe pala shqiptare kishte prezantuar më së shumti emra që nuk përfaqësojnë assesi komunitetin e shqiptarëve nga RSH në Zvicër, duke e shkruar historikun e marrëdhënieve 50 vjeçare me stilin e censurës si në diktaturën komuniste.
Por le të kthehemi tek shoqata e grave shqiptare e ashtuquajtur ndërkombëtare – Word Albanian Women International Association.
Po parashtroj disa pyetje:
Përse që në ngjizjen e saj kjo shoqatë pa asnjë lloj aktiviteti është mbuluar nga programi televiziv Urat i RTSH-së në Shqipëri?
Përse kjo shoqatë pa asnjë lloj aktiviteti është promovuar nga ambasadat e Shqipërisë dhe të Kosovës në Bernë?
Përse RTSH dhe Ambasada e Shqipërisë në Bernë promovojnë një shoqatë krijuar nga tre zonja të sapoardhura nga Shqipëria, të paintegruara në tregun e punës dhe me qëndrim të përkohshëm në Zvicër, që nuk e përfaqësojnë as diasporën, që nuk kanë as kontribute veç kanë përfituar mjetet e ekzistences nga Zvicra?
Por që synojnë përmes jehonës mediatike të instrumentalizuar politikisht dhe të mbështetjes direkt të politikës shtetërore klienteliste të atashohen deri me një zyrë pranë OKB!
A nuk bie erë abuzim?
Duket sikur po bëjnë në Zvicër një Copy Paste e asaj që ndodh në Shqipëri, kur sistemi demokratik nuk funksionon më dhe ku partia shtet favorizon  uzurpimet, trafikimet, emërimet politike,  klientelizmin, nepotizmin duke shkelur ligjin!
Diaspora shqiptare nuk do ta lejojë!
Diaspora shqiptare pjesë e integruar e Europës do të sensibilizohet dhe do të reagojë !
Diaspora shqiptare e ka fituar qytetarinë në Europë me djersë, mund dhe dinjitet!
Zvicra sapo ka ka dalë nga një votim, ku për pak po të fitonte iniciativa që do të shtrëngonte edhe të drejtat e punësimit të qytetarëve të zonës BE.
Zvicra ka politika shumë strikte për dhënien e vizave të qëndrimit dhe punësimit jashtë zonës së BE-së. E Shqipëria është jashtë zonës së BE-së.
Por le të shqyrtojmë hollësisht se cili është objektivi i kësaj shoqate dhe nga përfaqësohet.
Objektivi “humanist” i kësaj shoqate është integrimi i grave të paintegruara!
Por pikërisht këtu nis habia.
Si është e mundur që kjo shoqatë të integrojë shtresën e paintegruar të grave shqiptare në Zvicër kur tri zonjat që e drejtojnë janë për vete të paintegruara dhe me leje qëndrimi të përkohshëm në Zvicër?
Po si është e mundur që në dy ditët e inaugurimit të kësaj shoqate më 2-3 nëntor 2019 ky aktivitet shumë i zakonshëm në llojin e vet u mbulua me një pompozitet të madh direkt nga emisioni URAT i RTSH?
Ndërsa Ambasada e Shqipërisë në Bernë botonte në faqen e vet në Facebook tekstin se “Më datë 2 nëntor, Organizata Women Alb World International, zhvilloi mbledhjen e parë të Asamblesë së Përgjithshme, në Gjenevë. Qëllimi i krijimit të kësaj organizate është shkëmbimi i eksperiencave të grave të mirë integruara profesionalisht dhe kulturalisht në vendet ku zhvillojnë aktivitetin e tyre, në raport me pjesën e grave që kanë nevojë për shembuj të mirë integrimit dhe mbështetjen për të arritur në këto nivele. Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues të Ambasadës së RSH-së në Bernë, Ambasadës së Kosovës në Bernë, personalitete të spikatura të diasporës shqiptare në Zvicër e më gjerë, si dhe përfaqësues të Ministrisë së Diasporës së RSH-së.”
Po si i justifikojnë pjesëmarrjet dhe duartrokitjet përfaqësitë diplomatike të qeverive përkatëse të Shqipërisë dhe Kosovës në formimin e një shoqate pa asnjë aktivitet, që e drejtojnë tri zonja sapoardhur nga Shqipëria me qëndrim të përkohshëm në Zvicër, pa asnjë kontribut dhe të paintegruara ende në tregun e punës?
Përse këto tri zonja nuk kërkojnë të integrohen normalisht në tregun e punës, si dhjetra mijë gra në diasporën shqiptare në Zvicër, të cilat punojnë me dinjitet e fitojnë jetën me dinjitet pa përbërë interes as për kamerat e Urave të RTSH dhe as për Ambasadat e Kosovës dhe Shqipërisë në Zvicër?!
Po si është e mundur që këto tri zonja sapo kanë vënë këmbët në Zvicer, duke mos punuar e kontribuar, veç duke konsumuar ndihma financiare nga Konfederata Helvetike të kthehen në “ikona” të Urave të RTSH-së të Tiranës, të diplomatëve shqiptarë dhe të pretendojnë deri aty sa të synojnë atashimin si shoqatë pranë OKB-së!!!!
Më poshtë po paraqes më konkretisht përbërjen e kreut të kësaj shoqate:
Presidentja e kësaj shoqate është Mirela Mezani, ardhur në Zvicër në vitin 2016, për arsye martese me një qytetar me prejardhje nga Kosova, është e paintegruar në tregun e punës dhe ka jetuar me mbështetje sociale nga Zvicra.
Nënpresidetja e shoqatës Blerina Zoto, ish diplomate e emëruar nga qeveria e Edi Ramës në Misionin shqiptar në Gjenevë. Ka disa vjet në kërkim të azilit politik për shkak të konfliktit që ka patur me ish-shefen e këtij misioni zonjën Filloreta Kodra, të cilën e akuzonte për korrupsion. Blerina Zoto është në pritje të përgjigjes nga organet përkate të Zvicrës, ajo është e papunë, e paintegruar, jeton e mbështetur financiarisht nga Zvicra ndërkohë pretendon të integrojë gra të tjera të paintegruara dhe bile të arrijë deri në OKB!
Për sqarim Zvicra nuk pranon kërkesa azili nga Shqipëria, veç rasteve shumë të veçanta.
Juliana Cici, edhe kjo shtetase e Shqipërisë. Ka ardhur në Gjenevë në shtatorin e 2018 për të qëllime studimi, master. Prej shtatorit 2020 ka filluar mbrojtjen e doktoraturës, jeton me bursë sipas kritereve të Universitetit të Gjenevës, pra merr pare burse nga Zvicra, është e papunësuar dhe e paintegruar. (Juliana Cici më ka bllokuar në Facebook – nuk kam patur kurrë asnjë lloj komunikim me të.)
Në Zvicër kemi një komunitet shqiptar shumë të madh, ku përfshirja e rinisë nëpër Universitetet zvicerane është gjithmonë edhe më e madhe, që do të thotë se kemi një numër të madh të rinjsh zviceranë me prejardhje nga Kosova apo Shqipëria që kanë përfunduar studimet, me master dhe doktoratura!
Në Zvicēr ka një numer të rëndësishēm të rinjsh shqiptarë që kanë studjuar drejtësi të cilët mund të japin kontributin e tyre për të orientuar komunitetin konform ligjeve. Po ashtu vetë komuniteti është një burim i fuqishëm që duhet të autofaktorizohet.
A duhet të mbeten gratë dhe vajzat shqiptare të paintegruara ende të komunitetit tonë në dorën e tri zonjave që për vete janë të papuna, shoqata e të cilave fsheh qëllimin e tyre individual që pa lodhje e kontribute të përfitojë direkt atashim në OKB?
Kjo shoqatë ka përfituar gjithçka lehtë, të gatëshme në tabaka, reklamimin nga RTSH, tek Urat etj, mbështetjen nga Pandeli Majko. Ministria e Diasporës e fton presidenten e shoqatës, Mirela Mezanin në takimin e grave të diasporës të angazhuara me biznes në Perëndim, kur Mirela Mezani në Zvicër nuk është e angazhuar në kurrëfarë biznesi por është në kërkim të integrimit të saj me metoda aspak dinjitoze!
Të njëjtën gjë bën Ambasada e Shqipërisë në Bernë, duke promovuar klikën e vet, ndërsa e shumëzon me zero komunitetin këtu tē vendosur prej gati tre dekadash, duke imponuar përçarjen, dasitë, injorimin e duke favorizuar klientët!
Duket sikur politika e Tiranes, Ministria e Diasporës po krijojnë nëpër Europë rrjete okulte shoqatash që t’i kenë në shërbimin e tyre, prandaj i promovojnë me çmime, çertifikata dhe permes kanaleve televizive e mediave që të financuara me fondet e Perëndimit i kanë nën kontrollin e tyre.

Shoqata World Albanian Women International Association u inaugurua me një skandal

Ndërkohë shoqata World Albanian Women International Association që në ditën e shpalljes të saj nën reflektorët e Urave të RTSH-së të Tiranës u inaugurua bashkë me një skandal, sepse nënpresidentja e saj Ermira Lefort dha dorëheqjen e parevokueshme duke hedhur akuza për korrupsion dhe mos transparencë, sepse sipas saj ishte fshehur burimi i sponsorëve që financoi eventin.
Tri zonja të papuna organizuan në Gjenevë një event me kosto 20 mijë franga, ndërkohë që nuk i prezantuan financuesit e qejfit dy ditor!
Po ju sjell një rast për të parë se diku paraja hidhet në hava si në rastin konkret, ndërsa në raste kur kërkohet të jepet para për kontribute të rëndësishme shqiptarët nuk japin!
Vitin që shkoi Joe DioGuardi festoi 80 vjetorin e lindjes. Sikur e dini DioGuardi ish kongresmen në Kongresin e SHBA është presidenti i Lobit Shqiptaro-Amerikan me një kontribut të jashtëzakonshëm. Me rastin e ditëlindjes, ai kërkoi në Facebook, që kush të dëshironte të jepte një kontribut për Ligën Qytetare Shqiptaro-Amerikane që ai drejton prej tre dekadash. Dhe a e dini sa ishte ky kontribut online që do të duhej shprehte mirënjohjen e shqiptarëve? 6475 franga! 6475 franga për organizatën më të fuqishme me aktivitet 30 vjeçar që i ka kontribuar dhe i kontribuon interesit kombëtar të shqiptarëve pranë Washington DC, ndërsa këto tri zonja me shoqet e tyre në dy ditë për festime e qejfe dogjën 20 mijë franga !
Sa për dijeni, në Zvicër sponsorizimi i aktiviteteve është transparent dhe i detyrueshëm çka shpallet nëpër posteret që lajmërojnë mbajtjen e tyre, ndërsa 20 mijë frangave aq sa kushtoi vetëm inaugurimi i “lluksit” të krijimit nuk iu bë transparente prejardhja.  Prandaj Ermira Lefort, nënpresidentja e kësaj shoqate prej themelimit dorëhiqet menjëherë në 2-3 nëntor 2019, kur u bë ceremonia inauguruese duke deklaruar se kjo shoqatë ka dalë nga misioni që i vuri vetes!
Për çudi, emisioni Urat e RTSH që drejtohet nga Artur Bejzade, i cili i bëri një mbulim gati live të këtij eventi dy ditor me kosto 20 mijë franga i mbylli të dy sytë përpara dorëheqjes së Ermira Lefort dhe akuzës të saj të fortë.
Ju ftoj pēr vemendje, tri zonja të papuna, të paintegruara, që jetojnë në situata të ndryshme duke përfituar mbështje sociale të Zvicrës zhvilluan më 2-3 Nëntorin e 2019 një shfaqje pompoze të krijimit të një shoqate me një start kosto 20 mijë franga. Dhe jo vetëm kaq, por edhe pas një denoncimi për abuzim fondesh nga ish nenpresidentja e kësaj shoqate, të gjithë i mbyllën sytë, duke filluar nga Ministri i Diasporës Pandeli Majko, Ilir Gjoni, Ambasadori i RSh në Bernë e deri tek Urat e Artur Bejzades të RTSH të cilët në kor vijuan t’i duartrokasin tri zonjat e kësaj shoqate, për atë që nuk bëjnë, e megjithatë synojnë të atashohen deri në OKB, duke lëshuar hije dyshimi, që ditën e inaugurimit.

*Shkrimi u publikua se pari ne VOAL. Autorja e dergoi sot per Diellin.

Filed Under: Analiza Tagged With: Elida Buçpapaj, korrupsion, Tatiana Valovaya, WAW e akuzuar, Yatiana Valovaya

PËR KUNDËRSHTARËT E BASHËS: DEMOKRATËT NUK SILLEN SI KOMUNISTËT!

May 7, 2021 by dgreca

NGA KLARENC NOVAKU- Florida-USA/*

Sikur z. Lulëzim Basha të kishte qenë kandidat për kryministër në Kanada, jam i bindur se do të kishte qenë më i votuari dhe një nga kryeministrat më të sukseshëm, por fati e solli në Shqipëri, ku në xhunglën elektorale, bëhen pazare të pista,ku mafia dirigjon tregun e shitblerjeve të votave. Paradoksi në Shqipërinë tonë qëndron tek populli, që shanë Ramën dhe voton Ramën…

      Në 25 Prill, PD sipas qeverisë humbi zgjedhjet. Me qeverinë duket se janë bashkuar edhe kundërshtarët e mbetur të Lulzim Bashës brenda Partisë Demokratike; nuk po them për ata që i gënjeu mendja dhe krijuan partiçka të reja për inat të Lulzimit dhe fundosën veten dhe i hoqën ca vota opozitës, por për ata që po udhëheq Nishani dhe Imami.Zërat kundër, që nuk merren me arkitektët e masakrës elektorale, po kërkojnë kokën e kryetarit. Në fakt, për mua,  z.Basha me demokratët nuk humbën në këto zgjedhje të 25 Prillit, përkundrazi fituan. Përse? Për dy arsye: Së pari, PD-ja u ringrit në këtë fushatë, pavarsisht masakrës së bandave, mori më shumë vota, përcolli më shumë shpresë dhe besoj se do t’ia bëjë të vështirë mandatin socialistëve. Së dyti; sepse me këtë humbje nxorën kokat të pakënaqurit brenda Partisë Demokratike, të cilët me zhurmën që po bëjnë, po mbulojnë zullumet e mazhorancës në masakrën elektorale. Lëvizja e tyre është fare e lexueshme, për interesa personale,per pakenaqesi, per moskonkurim në fushatë janë hedhur në sulm. Prisni burra, ja, erdhi Kuvendi i Korrikut, kandidoni po jeni të zot fitoni, por mos vraponi, zbuloni më parë mekanizmat e masakrës elektorale të mazhorancës, që të shpëtoni demokracinë nëse u dhimbet!

           Një demokrat i vërtetë nuk mund të sillet si komunist,kur hap front të ri lufte, pa gjetur më parë shkaqet e humbjes, kur pas gjithë atyre sakrificave që kanë bërë votuesit,ustallarët e masakrës,fërkojnë duart dhe thërrasin”kokat hëngshit”. Jo zotni, ka ardhur koha që të zbulohen marifetet se si devijojnë votat, ky është veprim që nuk prêt, jo heqja e kryetarit.

   Zërat brenda PD për spostimin e Bashës nga posti i kryetarit nuk janë aspak në favor të demokratëve apo demokracisë në vend, ata janë zërat e ta pakënaqurve, të kamufluarëve, kameleoneve, pasardhës të komunistëve… Mendoj se  reformat që Basha ka bërë i tremb ata se mund të mbeten të zveshur poltikisht, pa poste, pa imunitet, kjo mund ti bëjë viktima të radhës të drejtesise, nëse egziston.

           Dëgjojmë që pa pikë morali akuzojnë Bashën për shitje të emrave në lista si për deputetë apo kryetarë bashkish, kjo ndodh sot kur këtyre demokratëve të zelltë ju preket interesi personal… Po a s’janë këta mostra që akuzojnë Bashën që kanë qenë ligjvënës në parlamentin tone, dhe çfarë bënë? Kaluan ligje që I bien në shpinë opozitës…

  Të lëvizësh  z.Basha nga posti i kryetarit do të thotë që t’ua zgjasësh qeverisjen Ramës- Ballës- Gramoz Ruçit, Tom Doshit, Rakipit… me kompani….

   Një lëvizje kundër lidershipit të demokratëve do të ishte fatale për vetë PD. Kam mendimin se me situatën e tanishme në PD, i vemti person që mundet ta rrëzojë PS nga pushteti , mbetet Basha.

Si demokrat më vjen keq që masakra elektorale në vend që të godasë ata që e gatuan, ka thirrë në ndihmë  lëvizjen “Basha Ik”, si patericë për të mbajtur qeverinë socialiste. Gjithësesi PD duhet të luftojë në dy fronte, në zbardhjen e masakrës dhe dërgimin para drejtësisë të autorëve të masakrës,si dhe thellimin e reformimit brenda saj, por duke i drejtuar sytë jo nga Imamët, Nishanët e CO, por tek të rinjtë, ata që kanë vizion për ta çuar përpara PD.

Unë mendoj e shpresoj se këmbana vëretë po bie, po kësaj here jo për Bashën, po për ata që janë fshehur deri tani nëpër zyrat e PD dhe nuk kanë bërë asgjë për PD…as për qytetarët.  Dëshiroj që lëvizja brenda PD ” Basha Ik “ të mos jetë gjë tjetër veçse ulërimat e fundit e neokomunistëve, të shitur si demokratë.

*Autori është pjesë e kryesisë së degës së Vatrës në Tampa dhe  anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të Vatrës.

Filed Under: Analiza Tagged With: Klarenc Novaku, kundershtaret e Bashes

ARSIMI SI MISION E JO PROFESION I RASTIT

May 7, 2021 by dgreca

Në sajë të rrethanave të reja shoqërore në pluralizëm  në vendet e ish kampit socialist në Europën Juglindore është përshtypje e përgjithshme se  arsimi ka humbur vlerën  që e kishte më herët sepse nga profesioni si mision tash me ndonjë përjashtim lirisht mund të cilësohet si profesion i rastit, me pasoja të mëdha  shoqërore. Në këtë aspekt përjashtim nuk bëjnë as shqiptarët në Mal të Zi të cilët në shkollat më mësim në gjuhën shqipe mësojnë me programe dhe tekste  mësimore të imponuara që janë  kundër barazisë arsimore e kombëtare të shqiptarëve në këtë mjedis sipas standardëve ndërkombëtare

Shkruan: Nail Draga

Nëse më herët  kemi pasur rast të dëgjojmë për krizat ekonomike, e më pas edhe ate politike në pluralizëm vite me radhë është e pranishme kriza morale. Kemi të bëjmë më një krizë të veçantë e cila  në pluralizëm  është paraqitur me shpejtësi, sepse kanë rënë maskat e kohës së monizmit, që ishte dukuri e imponuar shoqërore. 

Në këtë përmasë nuk është evituar as arsimi, sepse të gjithë  jemi dëshmitarë së autoriteti i mësimdhënësit ka rënë në nivelin më të ulët shoqëror. Duke marrë parasysh se në kaluarën në arsim janë drejtuar nxënës dhe student të dalluar në pluralizëm   me ndonjë përjashtim të rastit janë orientuar studentët më të dobët. Po ashtu duhet cekur së kësaj dukuri I ka ndihmuar edhe  politizimi i shkollave që ka marrë përmasa shqetësuese si me rastin e punësimit të mësimdhënësve por edhe në zgjedhjen e drejtorave të shkollave duke vendosur kuadrat partiake pa marrë parasysh vlerat profesionale dhe autoritetin shoqëror në mjedisin përkatës. 

Indiferentizmi  si shprehi

Në rrethana të tilla shoqërore, me përjashtim të rastëve në këtë aspekt mësimdhënësit nuk kanë treguar  ndonjë disponim apo angazhim konkret por në heshtje kanë vazhduar të realizojnë programet mësimore. Kemi të bëjmë pikërisht me programe mësimore e tekste shkollore të imponuara, ku në hartimin e tyre nuk kanë marrë pjesë mësimdhënësit, me vërejtjet dhe sygjerimet e tyre, aq më tepër kur kemi të bëjmë me tekste shkollore të përkthyera në gjuhën shqipe. Në këtë aspekt në sajë të rrethanave shoqërore të arsimtarët të cilët janë aktiv në procesin mësimor ende vazhdon indiferentizmi si shprehi nga koha e monizmit, përkatësisht i mentaliteti i të nënshtruarit. 

Pikërisht, nga një situatë e tillë deri më tash nuk kemi pasur rast të dëgjojmë  apo të lexojmë ndonjë reagim, në këtë drejtim si individë apo të aktivit profesional, për të njohtuar opinionin e gjerë e sidomos prindërit e nxënësve të cilëve iu mbajnë mësim. Sepse mësimdhënësi bashkëkohor përveç se realizon programin mësimor, ai duhet të jetë edhe kërkues, duke mos qenë monoton, duke ofruar  përmbajtje motivuese dhe inspiruese për nxënësit.

Në këtë aspekt  mësmidhënësi të nxënësi duhet të zhvillojë qasjen kritike duke nxitur kulturën e debatit për çështjet përkatëse. Vetëm në këtë formë të zhvillimit të mësimit do të trajtoheshin edhe tema të tjera që kanë të bëjnë me çështjen e identitetit kombëtar të nxënësve që iu është mohuar nga programi mësimor.

Vetëm me një organizim me kuadra të dëshmuara, si staf pedagogjik dhe personel arsimor  aktiv në procesin mësimor me përgatitje shkollore, jo vetëm si profesion të rastit,  por si mision jetësor mund të arrihen objektiva pedagogjike në mjedisin përkatës. 

Nuk ka dilemë se arsimi mbetën baza e një  shoqërie, ndërsa e kundërta do sjell pasoja, ku në veçanti  rrezikohet  identiteti kombëtar tek popujt e ndarë në mjediset   multinacionale, ku as shqiptarët në Mal të Zi nuk janë përjashtim.

Mos angazhimi i  partive politike shqiptare

Ne këtë drejtim në pluralizëm  me të drejtë është pritur angazhim konkret nga partitë politike të shqiptarëve të cilët kanë qenë pjesë e pushtetit qendror për dy dekada, por fatkeqësisht përveç ndonjë deklaratë të rastit konkretisht nuk kanë treguar interesimin e duhur andaj ka munguar rezultati konkret. Konkretisht mendoj se kanë pasur mundësi të angazhohen për të arritur bashkëpunim me ministritë analoge në Shqipëri e Kosovë, në lidhje  për nënshkrimin përkatësisht memorandumin e  marrëveshjes me ministrinë e arsimit në Mal të Zi, por, ka munguar angazhimi konkret në këtë drejtim, që nuk mund të arsyetohet më asgjë. 

Nuk ka dilemë së një marrëveshje e tillë do të kishte qenë në favor të arsimit në gjuhën shqipe dhe mbrojtjës së identitetit të shqiptarëve në këtë mjedis, sipas standardëve ndërkombëtare, për të eliminuar pabarazinë arsimore edhe në pluralizëm.

Me heshtje nuk ndryshohet gjendja

Nuk ka dilemë se   nëse do të vazhdojmë të jemi të heshtur apo statist  vetëm për qëllime personale gjendja në fushën e arsimit nuk do të ndryshojë, andaj e vetmja mundësi është  angazhimi  i  kuadrave  të dëshmuara në nivel  kombëtar, enkas për çështje programore dhe tekste shkollore të lëndët e  identitetit  kombëtar.

Ndonëse pritshmëritë kanë qenë të mëdha për fat të keq edhe pas tridhjetë viteve në pluralizëm  sistemi arsimor nuk ofron  barazi  për të gjithë qytetarët  në arsim-edukim  e identitet kombëtar. Rasti i shqiptarëve në Mal të Zi paraqet diskriminim praktik, sepse lëndët e identitetit kombëtar siç janë historia e kultura muzikore, janë me tekste mësimore të autorëve sllav dhe të përkthyera në gjuhën shqipe, dhe sit ë tilla  janë të pa pranueshme dhe të dëmshme për nxënësit shqiptarë. Andaj është obligim jo vetëm  i mësimdhënësve të cilët marrin pjesë aktive në procesin mësimor të reagojnë dhe të angazhohen për të ndryshuar gjendjen egzistuese. 

Çdo angazhim në këtë aspekt duke u bazuar në ligje, kushtetutë e standardët ndërkombëtare është obligim moral dhe kombëtar. Vetëm në këtë mënyrë mund të eliminohet diskriminimi arsimor, duke dëshmuar profesionalizëm dhe guxim, sepse punët tona nuk na i kryejnë të tjerët! 

(Maj 2021) 

Filed Under: Analiza Tagged With: Arsimi, Nail Draga, Si Mision

Gulielm, këta të vrasin natën dhe të qajnë ditën!

May 6, 2021 by dgreca

Nga Ilir LEVONJA-Florida-USA/ Të mbash mend Gulielm Radonë është një privilegj social a brezash. Një nga rolet e tij madhore është ai i mësuesit të Kolonjës Petro Nini Luarasi, dëshmorit të gjuhës sonë. Mblidhmani gjakun, thotë ai, mblidhmani se do u duhet për fëmijët tuaj. Po kujt ia tha… nga ahere ka kaluar një shekull dhe ne veç vrasim veten me pasionin e atyre që na katandisën në një thelë. Ky kori i zhurmës filloi rishtas. Një mizerje sociale shqiptare që ta shpif. E bën para pak kohësh kur humbëm Hajrie Rondon, ose gruan e Petros. Kur humbëm Xhevdetin e urtë, ose karakterin e bukur të filmit shqiptar. Kur humbëm Rikard Ljarjen etj. Eshtë bajate t’i dëgjosh. Ndofta për t’i shpëtuar kësaj ”dashurie” vulgare, i madhi Fatos Sela e la me gojë, ta përcillnin pa asnjë tubim, pa më të voglën zhurmë etj. Siç erdhi të ikte. Pse? Ka vite që tek ne mbretëron hipokrizia. Një hipokrizi sociale që të vret natën dhe të qan ditën. Ka një pleksje tipash që nuk t’i kursejnë lëvdatat. Jo nga dhimbja, se dhimbja të memecon, por nga pordhët e mëdha për t’u dukur. Kush, se gjoja të kishte mik, kush se është gjoja intelektual  e i dhëmb ikja jote. Ne skuthemi deri në asht për t’u dukur një çikë intelektul. Një pozë me ty të bën trendi. Të përputh me kohën tonë. Por veç roleve e tipave është dhe një rol i fundit, një foto ku ti mbaje një pankartë në dorë. Aty shkruhej, Unë jam Teatri. Rrëgaja e mizerjes nuk të pordhi atëhere. Nuk ta vuri veshin. Sot që vdiqe je i pazëvendësueshëm për ata. Sa ishe gjallë kush po pyeste. Madje të shënjoi me gisht. Të shpallën rishtas kulak. Rrëgaja e intelektualëve që postojnë foto me ty, janë roli i gjallë i atyre që të vrasin natën e të qajnë ditën. Pse? Po zhdukin pa gajle e ndërgjegje gjithçka që ka lidhje me atë që tashmë është historia jonë. Do bëhemi Dubai. Megjithëse vdesim që kur shkojmë në Barcelonë, të pimë një kafe në hotel Las Ramblas. Aty ku e pinte Gabriel Garcia Markezi. Kur shkojmë në Paris, tek kafja e Mishel Pikolisë. Dhe Teatrin a filmin ku ai luajti, nuk e çon kush në mend t’i prishi. Kurse ne surrogatot që pordhaliqemi se duam kulturën, e shtypim ma feçkën e Varinskit çdo tullë të saj, pluhur e bëjmë. Po pse hiqeni sikur ju dhëmb ikja e Gulielmit, shoqëri hipokrite. Ta donit kaq shumë nuk ia prishnit skenën ku ai shkeli. Kishit toka me shumicë kudo. E mund të bënit një Teatër tjetër. Po si kujtoni se do e zëvendësoni? Asesi. Sikur austriakët të prishnin Teatrin ku luajti Aleksandër Moisiu ynë, do kërcenim pupthi. Megjithatë, nuk e bëm këtu në dheun tonë

Po nga ta kapësh. Dhe ti e di Gulielm, jemi kanibalë të kulturës sonë, të historisë sonë. Kot ankohemi nga turku, greku, nemcja, a Italia me gjermanin. Biles këta të fundit kanë bërë më shumë për kombin se çdo qeveri pas luftës së dytë botërore. Na e the shkoqur, mblidhmani gjakun, por ne me ty duam vetëm pozën, pozitjen. Që të pordhaliqemi. Jo se na dhëmb… Kësisoj rezultati është se jemi kthyer në një komb me makete historie. Shumë nga objektet e kultit tonë i kemi makete, jo realë. Se tek ne historia bëhet si thotë Enver Hoxha dhe Edi Rama, jo si thotë ajo. Të tillë do të kemi dhe Teatrin Kombëtar. Skenën ku ti shkele. Do i sillemi atij xhamllëku me gota shampanje, një kope mes portreteve dhe shpirtrave. Një shoqëri pa identitet.

Filed Under: Analiza Tagged With: Guliem radoja, Ilir Levonja, te qajne diten

KUPTIM I RI

May 6, 2021 by dgreca

Shkruan: Astrit Lulushi/

Po tani, a do të mendojnë njerëzit se janë ndryshe nga sa kishin menduar se ishin? Shoqërisht ndoshta jo – mendësia e grupit ndryshon me vështirësi – por individualisht, po.
Një studim i ri i filogjenetikës tregon se kush jemi, çfarë jemi, dhe si ka evoluar jeta në planetin tonë. Studimi sjell disa surpriza. Një prej tyre është zbulimi i një krijesë anormale, më parë e panjohur, që shkencëtarët e quajtën Arkea.
Zbulimi i dytë është një mënyrë e trashëgueshme ndryshimi që ishte gjithashtu nuk njihej më parë shkencëtarët i vunë emrin GHR, akronim  për Transferimi Horizontal i Gjeneve. 
Dhe zbulimi i tretë që sjell studimi është se Njeriu ndoshta ka ardhur nga krijesa që, 40 vjet më parë, as që mendojej se ekzistonin.
Identifikimi i Arkeas, që ishte marrë prej kohësh si nëngrup bakteresh, zbuloi se jeta e sotme në shkallë mikrobike është shumë ndryshe nga ajo që shkenca kishte përshkruar më parë, dhe se historia e hershme e jetës është gjithashtu shumë ndryshe. Njohja e transferimit horizontal të gjenit (GHR) përmbys njohuritë e deritanishe që gjenet transferohen vetëm vertikalisht, nga prindërit te pasardhësit dhe nuk mund të dalin anash përtej kufijve të specieve. Zbulimi i Arkeas shpjegon se të gjitha kafshët, të gjitha bimët, dhe të gjitha krijesat e tjera komplekse të përbëra nga qeliza që mbajnë ADN brenda bërthamave kanë zbritur nga këto mikrobe të çuditshme. Është njësoj si të thuash që stër-stër-stër-gjyshi juaj nuk erdhi nga ndonjë rajon i Tokës  por zbriti nga Marsi.
Të marra së bashku, këto tre zbulime ngrenë pasiguri të reja të thella dhe mbartin implikime të mëdha në lidhje me identitetin njerëzor, individualitetin njerëzor, shëndetin e njeriut. Ne nuk jemi pikërisht ata që menduam se ishim. Ne jemi krijesa të përbëra dhe prejardhja jonë duket se lind nga një zonë e errët e botës së gjallë, nga një grup krijesash për të cilat shkenca, deri kohët e fundit, nuk kishte asnjë njohje. Evolucioni është më i ndërlikuar, shumë më i ndërlikuar, sesa e kishim kuptuar. Pema e jetës është më e ngatërruar. Gjenet nuk lëvizin vetëm vertikalisht; ata gjithashtu mund të kalojnë anash përtej kufijve të specieve – nga burime jo primate, ose nga ekuivalenti gjenetik i një transfuzioni gjaku, ose nga një infeksion që transformon identitetin.
Zbulime të tilla e bëjnë njeriun të ndryshojë botëkuptimin; të sfidohet për të rregulluar kuptimet themelore se kush është, nga ka ardhur, si sillet apo si vepron.

Filed Under: Analiza Tagged With: Astrit Lulushi, Kuptim i ri

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 266
  • 267
  • 268
  • 269
  • 270
  • …
  • 971
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT