• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NACIONALIZMI SHQIPTAR NË VITET 1912-1924

April 19, 2021 by dgreca

Dr. Sali Kadria nga Qendra e Studimeve Albanologjike, Instituti i Historisë, sjell para lexuesit studimin e tij “Nacionalizmi shqiptar në vitet 1912-1924”. Në një rrëfim për “Dielli”-n e “Vatrës” New York, dhënë gazetarit Sokol Paja, Dr. Sali Kadria shprehet se Lindja e nacionalizmit shqiptar u nxit kryesisht nga publikimi i platformave shoviniste të shteteve fqinje ballkanike në vitin 1844. Nacionalizmi shqiptar i përket modelit të nacionalizmit etnik. Nacionalizmi shqiptar ka shfaqur një dallim të rëndësishëm nga nacionalizmat ballkanikë, ai nuk ka qenë ekstremist si dhe nuk është mbështetur në fondamentalizmin fetar dhe në përjashtimin etnik.

ZHVILLIMI I NACIONALIZMIT SHQIPTAR NGA VITI 1912-1924

Studimi paraqet interes për të kuptuar ecurinë e zhvillimit të nacionalizmit shqiptar; rrugët dhe proceset përmes të cilave mori formë identiteti dhe ideologjia kombëtare; rolin që luajti nacionalizmi për krijimin dhe forcimin e shtetit shqiptar dhe ndikimin që pati shteti shqiptar në përhapjen e ideologjisë së nacionalizmit. Punimi studion së pari, zanafillën, karakterin e nacionalizmit shqiptar, kushtet historike dhe faktorët që çuan shqiptarët drejt formimit të shtetit të tyre të pavarur; Së dyti, veprimtarinë dhe problemet me të cilat është ndeshur nacionalizmi shqiptar në vitet e para të ekzistencës së shtetit shqiptar; Së treti, marrëdhënien e grupeve të nacionalizmit me shtetin shqiptar; Së katërti, rrymat e shfaqura brenda nacionalizmit shqiptar dhe alternativat e parashtruara prej tyre për zgjidhjen e çështjes kombëtare. 

FAKTORËT QË KANË NDIKUAR MBI NACIONALIZMIN SHQIPTAR

Faktorët që kanë ndikuar mbi nacionalizmin shqiptar janë të shumtë, të brendshëm, të jashtëm dhe në disa raste të hershëm në kohë. Çështja e nacionalizmit shqiptar është trajtuar edhe më parë nga historiografia shqiptare. Në disa prej këtyre studimeve ka raste ku lihen mënjanë dobësitë e faktorit shqiptar. Ngjarjet dhe personalitetet historike që kontribuan për lindjen dhe përhapjen e ideologjisë kombëtare janë aq të shumtë në numër, sa që çdo kërkues shkencor do ta kishte të vështirë t’i studiojë, t’i shoshisë, t’i lidhë së bashku dhe t’i nxjerrë në dritë. Gjatë punës për realizimin e këtij punimi, është bërë përpjekje për të qënë sa më objektiv dhe në kërkim të shkaqeve historike që kanë nxitur dhe penguar zhvillimin e nacionalizmit shqiptar. Ky studim është trajtuar, duke kombinuar parimin tematik me atë kronologjik. Për përgatitjen e saj, jam mbështetur si në burimet arkivore shqiptare, austro-hungareze, britanike dhe italiane. Po kështu, të pasura janë të dhënat e shtypit shqiptar, të cilat hedhin dritë për të gjitha etapat në të cilat kaloi nacionalizmi shqiptar në vitet 1912-1924. Ky studim mbështetet gjerësisht edhe në literaturën historiografike shqiptare dhe të huaj. Përveç autorëve shqiptarë që janë marrë me këtë periudhë, kemi përdorur edhe studimet e autorëve perëndimorë, të cilët dallohen për lirinë e mendimit në trajtimin e problemeve që kanë të bëjnë me këtë temë. Gjatë studimit, më ka tërhequr vëmendjen këndvështrimi i studiuesit të njohur Anthony D. Smith, një nga përfaqësuesit kryesorë të shkollës së etno-simbolizmit, i cili mbështet idenë se kombi është njëherësh fenomen modern, po aq edhe paramodern. Përfundimet e studiuesit Miroslav Hroch, veçanërisht sa i përket fazave të zhvillimit dhe përhapjes së ideologjisë nacionaliste janë përdorur në këtë punim shkencor. Me interes për shtjellimin e kësaj teme kanë qenë edhe mendimet e studiuesit John Breuilly. 

NACIONALIZMI SHQIPTAR, SFIDA DHE VËSHTIRËSI

Gjatë punës sonë kemi ndeshur edhe disa vështirësi. Së pari, trajtimi i kësaj teme është multidisiplinar. Së dyti, ideologjia e nacionalizmit vazhdon të jetë ende pjesë e ligjërimit të epokës sonë. Prandaj, trajtimi i kësaj teme, kërkon një analizë objektive të kujdesshme. Së treti, trajtimi i nacionalizmit në këndvështrimin historik paraqet vështirësi në gërshetimin e tematikës me kronologjinë historike. Së katërti, materiali i nevojshëm dokumentar dhe literatura kanë qenë mjaft të shpërndara dhe në gjuhë të huaja. Përveç kësaj, vëzhguesit e asaj kohe si dhe studiuesit që janë marrë me çështjen e nacionalizmit shqiptar për probleme të veçanta kanë shprehur mendime të ndryshme dhe në disa raste kontradiktore. Kjo ka ardhur për shkak të interesave personale apo të shteteve që përfaqësonin, por që kanë çuar deri në shtrembërimin e fakteve historike. Punimi ynë përbëhet nga hyrja dhe tetë krerë. Në kreun e parë, kemi trajtuar nacionalizmin shqiptar si fenomen politik. Në kreun e dytë, nacionalizmi shqiptar është vështruar në raport me faktorët ndërkombëtarë. Kreu i tretë, trajton krizën e nacionalizmit shqiptar që u shoqërua me shpërbërjen e shtetit shqiptar. Kreu i katërt, i kushtohet dilemave të nacionalizmit shqiptar për arritjen e paqes pas mbarimit të Luftës së Parë Botërore. Kreu i pestë, analizon përpjekjet dhe mangësitë e nacionalizmit shqiptar në procesin e ribërjes së shtetit. Kreu i gjashtë, pasqyron raportet e nacionalizmit shqiptar me institucionet fetare. Kreu i shtatë, trajton raportet që ndërtoi nacionalizmi shqiptar me minoritetet në Shqipëri. Kreu i tetë, analizon problemet që çuan në përçarjen e nacionalizmit shqiptar. Punimi mbyllet me burimet arkivore dhe literaturën historiografike. Me këtë rast e ndjej obligim t’i shpreh falenderimet e mia për motrën time Albana, udhëheqësen shkencore të tezës sime doktorale, Prof. dr. Fatmira Musaj, recensentëve të kësaj monografie, Akademik prof. dr. Beqir Meta, Akademik prof. dr. Marenglen Verli dhe Prof. assoc. dr. Anton Panchev, të cilët i falenderoj përzemërsisht për vërejtjet e sugjerimet me vlerë. 

KUSH E NXITI LINDJEN E NACIONALIZMIT SHQIPTAR?

Lindja e nacionalizmit shqiptar u nxit kryesisht nga publikimi i platformave shoviniste të shteteve fqinje ballkanike në vitin 1844. Mundësia e copëtimit të tokave të banuara shqiptarët nga shtetet fqinje, mbeti një shqetësim dhe rrezik permanent për banorët e këtyre viseve. Nacionalizmi shqiptar është zhvilluar me ritme progresive të shpejta gjatë çerekut të parë të shekullit XX. Natyrisht, përhapja e nacionalizmit shqiptar në mesin e banorëve nuk ka ecur gjithnjë në mënyrë drejtvizore. Procesi i ndërtimit të kombit shqiptar ka njohur uljet dhe ngritjet e tij në disa momente të shkurtra. Nacionalizmi shqiptar nuk është nacionalizmi më i ri dhe as më i fundit në Ballkan. Ideologjia kombëtare është shfaqur pothuajse në të njëjtën kohë te shqiptarët, siç u shfaq edhe te popujt e tjerë ballkanikë, por shqiptarët vonuan pak më tepër se fqinjët për formimin e shtetit kombëtar. Ndryshe nga nacionalizmat e tjerë ballkanikë, nacionalizmi shqiptar nuk u mbështet në doktrina fetare, por për shkak të vështirësive të tij të brendshme e të jashtme, ndryshe nga nacionalizmat fqinj, ai u përpoq të zbatonte parimin e njohur të Revolucionit Francez të vitit 1789 “Liri, barazi, vëllazëri”.

NACIONALIZMI SHQIPTAR I PËRKET MODELIT TË NACIONALIZMIT ETNIK

Nacionalizmi shqiptar i përket modelit të nacionalizmit etnik, megjithatë për shkak të ndikimit të faktorëve të brendshëm dhe të jashtëm, nga fillimet e tij dhe gjatë gjithë periudhës së marrë në studim, ai ka shfaqur një natyrë mbrojtëse. Nacionalizmi shqiptar ka shfaqur një dallim të rëndësishëm nga nacionalizmat ballkanikë, ai nuk ka qenë ekstremist si dhe nuk është mbështetur në fondamentalizmin fetar dhe në përjashtimin etnik. Pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, detyrat kryesore që qëndronin para nacionalizmit shqiptar ishin: Ngritja e strukturës së shtetit shqiptar; “bërja e shqiptarëve” si komb modern; mbrojtja e territorit të shtetit shqiptar nga rreziku i aneksimit prej shteteve fqinje si dhe përpjekja për të gjetur mundësinë e bashkimit të trojeve etnike të banuara në shumicë nga shqiptarët. Pas vendimeve të Konferencës së Ambasadorëve në Londër në vitin 1913, nacionalizmi shqiptar i konsideroi të padrejta dhe nuk i pranoi vendimet e këtij forumi ndërkombëtar. Sipas këndvështrimit të nacionalistëve shqiptarë, më shumë se gjysma e trojeve të banuara nga shqiptarë mbetën jashtë shtetit shqiptar. 

DY GRUPIMET KRYESORE BRENDA NACIONALIZMIT SHQIPTAR  

Pas vitit 1913 deri në vitin 1924 (e më vonë), brenda nacionalizmit shqiptar kanë ekzistuar dy grupime kryesore: 1. Grupimi i nacionalizmit të moderuar,i cili mendonte se “Pa Shqipëri nuk ka Kosovë dhe Çamëri” dhe 2. Grupimi i nacionalizmit irredentist, anëtarët e të cilit mendonin se “Pa Kosovë nuk ka Shqipëri”. Të gjitha lëvizjet kryengritëse brenda shtetit shqiptar në periudhën 1912-1924 janë zhvilluar gjoja si “lëvizje të kombëtarëve” për të përmbysur “antikombëtarët”. Kjo ka rrënuar themelet e shtetit dhe unitetin kombëtar të shqiptarëve. Në zhvillimin e ideologjisë kombëtare në harkun kohor 1919-1924 pati ndikim Lufta e Parë Botërore dhe sidomos ngritja e një administrate shqiptare sipas modelit perëndimor gjatë këtyre viteve. Në periudhën e mëvonëshme, modeli austro-hungarez dhe francez i administratës publike u mor si model nga nacionalistët shqiptarë. Gjatë viteve 1912-1924, dobësia kryesore e nacionalizmit shqiptar ishte ekzistenca në mënyrë permanente e një shteti të dobët, ndërkohë që kjo dobësi është shfrytëzuar me mjeshtëri nga shtetet fqinje për synimet e tyre ekspansioniste. Konsolidimi i shtetit shqiptar mbeti një brengë e vazhdueshme për këtë nacionalizëm.

NACIONALIZMI SHQIPTAR NJOHU NJË RRITJE VEÇANËRISHT NGA VITI 1920

Nacionalizmi shqiptar njohu një rritje veçanërisht nga viti 1920 e më pas. Qeveria e Sulejman Delvinës dhe ajo e drejtuar nga Ahmet Zogu kontribuan mjaft jo vetëm në ringritjen e shtetit kombëtar shqiptar, forcimin e sovranitetit, afirmimin e Shqipërisë dhe shqiptarëve në arenën ndërkombëtare por edhe në nxitjen e mobilizimit social të shqiptarëve. Në vitet 1921-1924, jetën politike dhe kombëtare të shqiptarëve e dominuan disa figura kryesore të nacionalizmit shqiptar: Fan Noli, Ahmet Zogu dhe Faik Konica. Ahmet Zogu synonte stabilizimin e brendshëm të shtetit shqiptar, duke u mbështetur në parimin se kombi shqiptar kishte nevojë për forcimin e autoritetit të shtetit dhe kjo arrihej vetëm përmes zbatimit të ligjit me dorë të fortë. Nga ana tjetër, Fan Noli si drejtues i opozitës mendonte se vendi nuk mund të zhvillohej përmes mënyrës autoritare. Fan Noli dhe Faik Konica mendonin se për të vendosur stabilitetin e brendshëm të shtetit shqiptar duhej të shmangeshin shkaqet politike, ekonomike dhe sociale që nxisnin pakënaqësinë e shqiptarëve ndaj shtetit të tyre dhe që çonin shqiptarët në kryengritje të njëpasnjëshme. Ata mendonin se krahas zhvillimit ekonomik, vendi kishte nevojë edhe për vendosjen e një sistemi demokratik parlamentar. Ndonëse në këtë periudhë u hodhën themelet e traditës parlamentare shqiptare, ky model nuk ndikoi në stabilizimin e shtetit shqiptar.

ÇFARË NDIKOI NË DOBËSINË E NACIONALIZMIT DHE TË SHTETIT KOMBËTAR

Në dobësinë e nacionalizmit dhe të shtetit kombëtar ka ndikuar ruajtja nga periudha e kaluar e karakterit lokalist dhe e sedrës së sëmurë egoiste të një pjese të mirë të nacionalistëve shqiptarë. Për shkak se shteti shqiptar nuk arriti të konsolidohej, nacionalizmi shqiptar mbeti më i dobët krahasuar me nacionalizmat e tjerë të vendeve të Ballkanit. Për rrjedhojë, nacionalizmi shqiptar mbeti një kërcënim më i vogël për paqen dhe sigurinë e rajonit të Ballkanit. Ideologjia e nacionalizmit shqiptar u mbështet në ligjërimin e “orientalizmit”. Sipas këtij diskursi, shqiptarët duhej të “arratiseshin nga Lindja”, pasi kjo e fundit ishte burimi i të gjitha të këqijave, ndërsa kultura dhe mënyra perëndimore e jetesës ishin mishërim i “së mirës dhe i progresit”. Ndërtimi i një administrate publike profesionale dhe kujdesi i shtetit ndaj qytetarëve të saj pa asnjë lloj dallimi, përmirësimi në mënyrë sa më të shpejtë i nivelit të mirëqënies ekonomike dhe kulturore të qytetarëve do të kishin qenë faktorët kryesorë që do të mund të forconin rolin dhe kontributin e shtetit dhe të kombit shqiptar në rajon. Për nacionalizmin shqiptar njësoj si edhe tek nacionalizmat e tjerë, territori ishte një nga elementët thelbësorë për ekzistencën kombëtare. Megjithatë studimet mbi nacionalizmin dëshmojnë se, faktori kryesor që e bën një komb të pasur e të fortë, nuk është sipërfaqja e territorit që zotëron një shtet i caktuar, por ritmi i zhvillimit ekonomik, social dhe politik i tij. Ecuria e zhvillimit të nacionalizmit dhe shtetit kombëtar shqiptar është mishëruar në shprehjen e njohur të Faik Konicës, botuar në gazetën “Dielli” në Boston Mass.:“Në qoftë se e papritura ngjet, në qoftë se Shqipëria-fjalë fatale-vdes, ahere munt pa çpifje të shkruajmë këto fjalë në gur të varit të saj: “U- ngjall nga idealistët; U- ruajt nga rastet; U-vra nga politikanët”.

Filed Under: Analiza Tagged With: 1912-1924, Nacionalizmi shqiptar, Sali Kadria, Sokol Paja

Vend ideal për shtypje

April 19, 2021 by dgreca

Nga Astrit Lulushi/Për çfarë i duhet koha njeriut, kur e humb edhe atë që ka? Megjithatë, e mat kohën dhe harron se ku do të kishte qenë, sa larg do të kishte shkuar, sikur të mos ishte ndalur. Kështu është jeta. Kush e di se me çfarë emri do ta kishim quajtur sikur të mos ishte e vdekshme. Sot s’ke, nesër do të kesh. Por për jetën thuhet e kundërta – “sot je, nesër nuk do të jesh”.
Ekziston një farë ngërçi në zakonin e të menduarit. Njeriu sikur hyn në një proces “gjumi”; më pas, kur ngërçi ikën, atë që s’e mban mend e quan thjesht “kohe e humbur”. Zgjohet me instiktin e një breshke që mbahet fort në tokë me kthetrat që të mos kthehet në shpinë. Ecën ngadalë, me inerci, i reziston reformës në çdo formë; reformë në drejtësi, reformë në zgjedhje, reformë në qeverisje (pa harruar se forma e mëparëshme është aty) me bijtë e shërbëtorëve të diktatorës si drejtues, të cilët e vlerësojnë daljen në krye me “populli na do”. Dhe vërtet, sepse nuk ka asnjë ligj që mund ta parashikojë opinionin publik; opinioni mund të manipulohet lehtë, mjafton të kesh parti-pushtet dhe aktivistë ose patronazhistë në çdo pallat, rrugicë e çdo lagje, si dje kur punohej 7 ditët e javës, dhe Republika Socialiste ishte shtet policor. Këto breshka mbahen fort, e nuk ndjejnë kurrfarë krahësh në shpatullat e tyre. Njerëzit janë të demoralizuar, pa fuqi; tërhiqen a shkojnë nga fryn era. Vullneti është masa e fuqisë, dhe personaliteti është shenja. Thjesht fare: Tregtia, ligji, kushtetuta, parlamenti, mprehtësia e mendjes janë instrumente. Shoqëria është e ngathët, e heshtur, si ai kali i qetë e i mirë që lejon çdo dreq t’i kalojë pranë, por nëse e nxit vrapon si në garë. Populli ka të drejtë në ndjenjën e tij, megjithëse gabon në spekulime. Sistemi shtypës mbijeton në pabarazinë e pronës, në privilegje, në kufizime, në barriera, në kontrolle – dhe Shqipëria i ka të gjitha.

Filed Under: Analiza Tagged With: Astrit Lulushi, për shtypje, Vend ideal

SOVRANITETI I RI DHE I PAPRITUR: KËSHTU KTHEHET SHTETI KOMBËTAR

April 18, 2021 by dgreca

Nga ERNESTO GALLI DELLA LOGGIA/

Përktheu Eugjen Merlika /Me efektet që prodhon në realitetin e gjërave e në mendësinë e njerëzve pandemia, që prej kohësh ka pllakosur botën, po ndihmon fuqimisht për t’a bërë të dukëshme krizën e globalizimit. Krizën pra – në mos qoftë fundi – të asaj faze historike që, për së paku një tridhjetëvjeçar, ka zotëruar realitetin ekonomik e ideologjik të planetit tonë.  Janë së paku tre faktorët që po shënojnë fundin e mundshëm të një qarku historik të nisur në vitet 80 të shekullit të shkuar.

Faktori i parë është thërmimi përfundimtar i rendit ndërkombëtar të dalë nga fundi i “luftës së ftohtë” (1991). Në perëndimin e mbizotërimit amerikan që atëherë arriti majën e tij, të tjera fuqi botërore e rajonale në mënyrë mujshare dolën përpara gjithandej – Kina, Rusia, Turqia, Irani, Hindia – e të tjera më të vogla trysnojnë në kërkim të hapësirës. Të gjitha synojnë të krijojnë hapësira ndikimi, kërkojnë të zgjerohen, shkaktojnë konflikte, prishin barazpesha, duke ndjekur vetëm interesin e tyre, pa marrë parasysh asnjë normë, marrëveshje apo status quo të mëparëshme. Nga ana tjetër globalizimi duket se nuk ka sjellë asnjë përhapje të vlerësueshme të demokracisë, ndërsa miti i paqes – për më tepër si “botërore” – po zbulohet gjithënjë e më shumë se mbetet vetëm një mit.

Edhe themeli i dytë i globalizimit, shkëmbimi i lirë – që pati simbolin e tij në pranimin e Kinës komuniste në Organizatën e Tregëtisë Botërore më 2001 – ka humbur një pjesë të mirë të miratimit. Shkëmbimi i lirë, në fakt, ka përcaktuar po rritjen ekonomike të disa Vëndeve (me shumë gjasë në kurriz të asaj të të tjerëve), por ka nxjerrë në dukje një pikë të dobët dramatike. Madje dy. Para së gjithash mbas ekranit të tij dhe në sajë të tij ka mundur të marrë formë projekti alarmues i Pekinit për t’u bërë zot i pikave kyçe gjeografike, të burimeve dhe teknologjisë strategjike të ekonomisë botërore, me synimin për të ndërtuar zotërimin e vet planetar. Madje duhet të shtojmë nga ana tjetër, se çdo Vend është përpjekur në të vërtetë të vërtisë gjërat vetëm e vetëm në dobinë e vet e në rradhë të dytë, pikërisht gjatë pandemisë është parë se sa e pasigurtë është ajo aksiomë në themel të shkëmbimit të lirë, simbas së cilës pronësia dhe vendosja gjeografike e prodhimeve do të ishte krejtësisht e parëndësishme, sepse ajo që do të vlente do të ishte vetëm kostoja e tyre. Por sot po kuptojmë se pikërisht mbi këtë pikë është e drejtë të ushqehet më shumë se një dyshim: me të vërtetë, për shembull nuk ka asnjë rëndësi që një fabrikë, t’a zëmë vaksinash ose mbulesash fytyre, të gjëndet në Itali apo kush e di se ku? A është e parëndësishme që të kihet mundësi apo jo të prodhohen disa pjesë elektronike në shtëpi?

Elementi i tretë që shtyn të mendohet që po mbaron koha e globalizimit ka të bëjë me rolin e Shtetit, që vetë globalizimi parashihte e uronte të shkonte drejt perëndimit të tij. E diskutueshme apo jo mbetet dëshira e uruar, por sigurisht parashikimi nuk po shfaqet i goditur në shenjë. Në të vërtetë ardhja e kohëve të vështira të sjella nga pandemia ka detyruar të gjithë t’i drejtohen Shtetit: për të shpresuar që të kurohen, për të gjetur treguesit se çfarë duhet bërë, për të patur ndihma të çdo lloji, për të përfytyruar rikthimin e zhvillimit ekonomik. Nën sytë e pabesuar të shumëve Shteti, organizimi i pushteteve publikë, ndërhyrja e tij në rruzullin shoqëror, po marrin sot në Perëndim një riligjësim shumë të fuqishëm ideologjik nga i cili do të jetë shumë i vështirë rikthimi mbrapa. Aq më tepër se me ardhjen e piskamës, i gjithë gërshetimi i shumëanësisë dhe organizatave ndërkombëtare – në veçanti ai i Bashkimit Evropian që na intereson më shumë –  sigurisht nuk kanë treguar as një efektshmëri të madhe dhe as një përqindje të lartë të thuknisë e të përgjegjësisë së përbashkët. Si pikë riferimi ka mbetur për mirë apo për keq vetëm Shteti: e të mos i vijë keq askujt se për Shtet kuptohet natyrisht Shteti kombëtar.      

Nëse gjërat e thëna deri këtu janë të vërteta na zbulojnë një fakt shumë të rëndësishëm: ripohimin fuqishëm të temës së sovranitetit dhe gërshetimin e saj me politikën, pra temën e vetë aftësisë së Shtetit të ushtrojë pushtetin e shërbimit kundrejt një projekti të përbashkët. Një pushtet që mund të gjejë një kufizim vetëm në sajë të një vendimi të tij të pavarur: një pushtet sovran të Shtetit kombëtar që në regjimet demokratike, si i yni, është i barazvlefshëm me sovranitetin e popullit, burim i gjithë vendimeve dhe veprimeve të vetë Shtetit nëpërmjet përfaqësuesve të tij.

Një ndryshim i këtillë i perspektivës nuk mund të mos ketë pasoja pohenike mbi diskutimin politik italian, të përqëndruar në vitet e fundit në një pjesë të mirë të tij, në mënyrë të rreme rreth temës së sovranitetit. Me të majtën të gatëshme të nënvizojë dobinë e çfarëdo lëshimi apo ushtrimi të pakësuar të sovranitetit nga ana e Italisë – sikurse të trajtohej për pale çfarë shfaqjeje të një qytetërimi epror – dhe së djathtës shtazërisht kundër, të vënë në të njëjtën hulli  me përfaqësuesit më të shpëlarë të skenës evropiane, duke tërhequr mbi vete padinë e “sovranizmit”, që tashmë në të folmen e konformizmit ideologjik tingëllon pak a shumë si sinonim i nazizmit.

Por kohët këshillojnë që të bindemi se nuk është më çështje poje ose joje sovranizmit. Është çështje vetëm sovraniteti. Sot më shumë se kurrë duket i nevojshëm ripërcaktimi, për vitet që kemi përpara, i një roli veprues e shtytësi përpara në të gjitha fushat të Shtetit kombëtar e të vullnetit të tij politik. Ajo që nga një anë e bën tepër urgjente reformën e të gjithë administratave dhe kundërshtimin më të vendosur kundrejt copëzimit krahinor, e n’anën tjetër duhet të na shtyjë të mbajmë shtrënguar fuqimisht të gjitha lidhjet tona evropiane dhe atllantike, por duke mbajtur  të palëvizshëm kushtin paraprak që jo gjithmonë në të shkuarën e kemi mbajtur parasysh. Atë që të respektohet në mënyrë të rreptë një kusht i barazisë dhe i ndërsjelltësisë, pa kokëfortësi llogaribërëse por me një vendosmëri të mënçur.

“Corriere della Sera”, 15 prill 2021           Përktheu Eugjen Merlika 

Filed Under: Analiza Tagged With: Ernesto Galli Della Loggia, Eugjen Merlika

PERSE NUK KA DEMOKRACI NE SHQIPERI?

April 17, 2021 by dgreca

Nga Muharrem Xhydollari-Hudenishti/ Qeverite shqiptare mbas vitit 1920, me boten i hapen udhet. Dhe atehere prej Shqiperise dolen “te paudhet”. Ata qe t’i thoshin kominternit, jemi te vlefshem per ju, shkuan ne Spanje ne 1936 te mesonin si beheshe vrases, dhe sesi mbyteshe bota ne gjak. Nga rreth 200 shpirtera te paditur qe shkuan, vetem Mehmet Shehu mundi te diplomoheshe si kriminel, e gjakatar kryesisht per – dhe ne kombin e tij. Qe kete gjakderdhje se fundimi e provoi dhe mbi vetveten. 

Por, ne kete kohe qe ishin hapur udhet, jo pak djallezore shkuan dhe ne Parisin e Robespjerit, ku mesuan shume nga e kaluara Jakobine se si ndertoheshin dhe si funksiononin Revolucionet, per te cilat me vone Robespjeri i kishte quajtur te gabuara. Enver Hoxha vetem per keto mesime “u diplomua”, sa kur u kthye ne Shqiperine e varfer e te pushtuar, beri te pamunduren qe keshilltaret sllave te ishin me te suksesshem ne politiken e tyre kunder Shqiperise e shqiptareve, sesa ata keshilltare Angleze qe vepronin ne vendin tone gjate luftes. Shqiperine e mbasluftes e coi ne ate katrahure, sa shqiptaret arriten te mos e njihnin me njeri-tjetrin. E megjithate, jeta e tij perfundoi nen thirrjet e shqiptareve fatkeqe “Marsh nga ditet tona”. 

Eh sa nxuarren jashte keto udhe te hapura… Kostandin (Koco) Pashko dhe Sejfulla Maleshova studiuan e studiuan ne Mosken bolshevike dhe mesuan se derdhja e gjak-vellait kish pas qene e ligjshme. Ata mesuan se si shkaktoheshe varferia, si organizoheshin festat, dhe se si funksiononte litari per te siguruar pushtetin e diktatures leniniste-staliniste. Dhe keta personalitete studioze perfunduan rrugeve dhe burgjeve, vetkuptohet per ate ideal qe vet e kishin injektuar. 

Ne vendin tone fatkeq mbas vitit 1944, te paudhet, formuan pushtetin e tyre dhe gjate ketij pushteti ata u “nderzyen” me sllavo-kinezerine. Shtatzania e tyre shkoi gjate, afro gjysme shekulli. Krizat e lindjes ne fillimin e dekades se fundit te shekullit te njezet, nuk u shkaktuan lendime. Ata qete-qete linden Binjaket qe ua vune emrin PS dhe PD. Keta Binjake u rriten nen kujdesin e atij prindi shpirteror te diktatures, I cili u injektoi virusin e variantit shqiptar te Katovices, qe duke thirrur parullen “Poshte Komunizimi!”, te ngrinin lart komunistet me ekonomi te paligjshme, dhe si rezultat me nje pushtet ilegjitim. Ky pushtet ishte dhe eshte jashte standarteve perendimore, qe formalisht keta Binjake kerkojne te futen.

Binjaket ashtu sic I kane mesuar, hiqen sikur jane kunder njeri-tjetrit, por ideja e tyre eshte e njejte. Binjaket nuk I marrin per gjykim bemat anti-kombetare te njeri-tjetrit, por bejne cdo gje per tu siguruar imunitetet penale te secilit prej tyre. 

Eee, shqiptaret mbeten turme, ku instikti eshte gjithandej e mendimi asgjekundi… Binjaket turpshem e deshtuan tranzicionin e pretenduar. Ata nuk ndertojne demokraci, sepse nuk jane demokrate…

Filed Under: Analiza Tagged With: Muharrem Xhydollari-Hudenishti, shqiperia

PO KULLËN E MURRE KU DO TA ÇOSH ZOTI RAMA?

April 17, 2021 by dgreca

“Unë dheun nuk e shes me pare, prandaj merrni mbrapsht dhe çoni ku të doni”- deklaronte Eles Murrja…/

Kryeministri ynë u pa dje në stadiumin e futbollit të Peshkopisë, stadium i ndërtuan me punën vullnetare të qytetarëve: burra, gra, nxënës të shkollave të mesme, fëmijë të tetëvjeçares diku 6-7 dekada më parë, stadium ka mbetur po me të njëjtën pamje në tridhjetë vjet të “demokracisë”.
Për herë të fundit në atë stadium, disa ditë para se ti viheshin prangat në duar nga pushteti i Sali Berishës, pat ligjëruar Fatos Nano…
Kryeministri Rama deklaroi se të gjithë atyre që do tu mbyten shtëpitë nga hidrocentrali i Skavicës do tu ndërtohen shtëpi siç u ndërtuan dhe vazhdojnë të ndërtohen për ata që pësuan fatkeqësinë e tërmetit dy vjet të shkuara!!!
Se ku do të ndërtohen këto shtëpi nuk e tha… 
Mbase në bregdet…
Në Gjirin e Lalëzit jo e jo…
As në Lungo Mare…
Do ta thotë ndonjëherë tjetër…
Po qe se vjen në pushtet…
Do të presim…
Por mua nuk më pritet ndaj po e pyes:
Po Kullën e Murre në Hotesh që e përmbyt Skavica ku do ta ndërtosh zoti kryeministër?
Për ilustrim po ju dërgoj një fotografi marrë nga interneti…
Po ju dërgoj edhe një shkrim ku flitet për bëmat dhe historinë e kësaj kulle të veçantë që i bën nder jo vetëm Dibrës por gjithë Shqipërisë…
Plaku legjendar, kështjellar i Kullës së Murre, Elez Murrja,  përballë duqeve me florinj që i ofronin pushtuesit deklaronte:
“UNË DHEUN NUK E SHES ME PARE, PRANDAJ MERRNI MBRAPSHT DHE ÇONI KU TË DONI”…
Dhe nuk e shiti…
Dhe kulla, ndonëse nuk u rindërtua, mbeti në themele të pamposhtura duke i folur me gjuhën e saj memece brezave…
Derisa Drini to t’ia marrë frymë e shkrirë themelet…

Abdurahim Ashiku

Athinë, 15 prill 2021

Filed Under: Analiza Tagged With: Abdurrahim Ashiku, Kulla Murre

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 272
  • 273
  • 274
  • 275
  • 276
  • …
  • 971
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT