• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PRESIDENTI I XHINDOSUR

March 14, 2021 by dgreca

Presidenti i xhindosur/

–A bëri mirë Ilir Meta që reagoi ashtu si e pamë? Pa diskutim që po. Dhe nëse shqiptarët do reagojnë ditë më ditë ashtu si reagoi presidenti, jo Edi Rama por çdo qeveritar do ta ketë frikë shoqërinë civile./

Nga Ilir Levonja

Çfarë në fakt është versioni presidenti i xhindosur, presidenti që të nxjerr përjashta me shqelma, me grushta, a presidenti që të rreh? Asgjë tjetër, produkt i një politike të ashpër ku shkelen me këmbë rregullat e lojës në demokraci. A bëri mirë Ilir Meta që reagoi ashtu si e pamë. Pa diskutim që po. Dhe nëse shqiptarët do reagojnë ditë më ditë ashtu si reagoi presidenti, jo Edi Rama por çdo qeveritar do ta ketë frikë shoqërinë civile. Problemi tek ne qëndron pikërisht në një ekuivok tashmë social të këtyre 30 viteve gjoja demokraci dhe ekonomi tregu, frika e munguar. Në Shqipërinë tonë asnjë shtetar nuk e ka frikë popullin, madje tallin bythën me popullin. E bëjnë me një bullizëm të kulluar duke mos u shqitur asfare nga mendësia e klasës së viteve 80-të. Dhe Edi Rama është sot kampioni i këtij versioni kancer në Shqipërinë post komuniste. Ndaj nuk janë të rastësishme që bash sot në ditën më popullore, në ditën e Verës, në Elbasan të ringjallen thirrjet poshtë komunizmi.  Problemi tek ne është vetoja brutale e pushtetit, propoganda dërrmuese e një personi të vetëm që do të ketë pjesë në gjithçka. Shumë njerëz habiten me popullaritetin e programeve televizive si Përputhen, duke dashur të mos e kuptojnë se jeta e tyre nuk është aspak portreti i Edi Ramës në ekran, apo i një zhigoloje si Erion Velia derë më derë etj. Jeta e tyre është përtej, më shumë, më e gjerë dhe se studiot janë mirëfilli jo vokacioni, jo prirja, jo ajo çfarë ndodh realisht në Shqipëri. Jeta e tyre nuk është gumëzhitja në Opinion, në Open, a në atë se çfarë tha Rama për Ilirin dhe ansjelltas. Dikujt nuk i janë zënë akoma plasat e tërmetit. Dikush nuk rimbursohet për barnat e Covid-it, pret cërren nga biri a e bija matanë detit të marri ilaçet. Tjetri shan e nëm fatin, akoma nuk drita, nuk ka ujë 24 orë etj. Plot rrethina, në periferitë, i hanë plehrat dhe balta. Të dëgjosh sot e kësaj dite dënglat e Ngjelës, versioni i persekutuar brenda sojit, atij që ma lëron nënën i them baba, është kohë e hedhur dëm. Pra jeta e shqiptarëve janë pikërisht programet e munguara. Programet e mirëfillta ekonomike, reformat e patjetërsushme në drejtësi. Jo Kjo që gjoja po e bën Edi Rama. Eshtë i vetmi politikan që kërkon të dënohen juristët, duke anashkaluar dëmin politik. I vetmi që pretendon se korrupsioni, krimi nuk qëndron tek politika, por tek drejtësia. A është e mundur kjo? Ja që është sipas Edi Ramës dhe plot shqiptarëve që e besojnë atë. Megjithatë në këto 30 vjet asnjë politikan shqiptar nuk ka qënë objekt drejtësie, e kam fjalën për njëshat se dorë e tretë si ish ministri Ksera 2016, janë kot. Franca sapo ja dha pretencës Sarkozisë, bash mikut të Edi Ramës. Pra jeta e shqiptarëve janë reformat në minimizimin e mundshëm të informalitetit… del ministraja në Kukës, në kohën kur një kaçatorr i kalon mbi kokë dhe thotë, po inagurojmë aeroportin e Kukësit, pika e zezë. Reformë është dhe rotacioni politik. Edi Rama në vend që t’i zhduket syve shqiptarëve se është pikërisht ai që e vendosi Ilir Metën president, u thotë atyre se Presidenti është i çmendur. Shqiptarët kanë humbur me kohë, janë mundur si popull pikërisht se u mungon pjesëmarrja, u mungon e drejta për të zgjedhur. Kësisoj Presidenti nuk është produkt i tyre, por i Edi Ramës. Kësisoj ne nuk na mbetet gjë tjetër vetëm të themi, oh ç’u kënaqëm. Megjithëse nga ana tjetër jemi thjesht shifra, numrorë që demokracinë e kemi veç ëndërr. Jemi kryekëput të bullizuar duke pritur se si do t’i shkoj humori Edi Ramës apo Ilirit, apo Lulit e me radhë që të kuptojmë gongun e ekonomisë së tregut. Absurde për Zotin. Kjo ndodh veç në Ugandë, në Afganistan, në Venezuelën e Maduros, në Rusi, ja edhe në Shqipërinë e Edi Ramës dhe lali Erit. Megjithatë Ilir Meta, apo si Iliri shqiptarët duhet të ishin treguar të tillë me kohë, nuk do u ishte shëmbur në kokë historia e tyre, Teatri Kombëtar. Nuk do u kishte vdekur hekurudha, me qëllim që të rishpenzonin apo t’i vareshin fondeve të gjoja zhivillimit, kredimeve pa fund bankare për rindërtimin e një aksi si Tiranë Durrës, por do kishin sot atë të Tiranës me Prishtinën. Mirëpo gërrvërren : a bëri apo jo mirë Ilir Meta.? Bëri ore bëri dhe duhej të kishte bërë kështu edhe në kohën kur Shqipëria mbajti zgjedhje lokale moniste në 2019-tën. Sot kemi 99% e Bashkive në vend, institucione që nuk ju përfaqësojnë ju, por informalitetin, propogandën dhe komisionerët e partisë pushtet, atë të Edi Ramës. Dhe kjo nuk është aspak demokraci, por diktaturë.

Filed Under: Analiza Tagged With: Ilir Levonja, Presidenti i Xhindosur

VARIANTI I RI, NË TRUNGUN E VJETËR

March 13, 2021 by dgreca

Shkruan:Prend Ndoja, SHBA/

Që nga fillimi i udhëheqjes së LDK-së nga Isa Mustafa, Kalaja (LDK-ja) ka filluar të rrënohet nga brenda. Këta “atdhedashës” e “biznesmenë”, me dinakëritë e tyre të turpshme e fundosën vizionin rugovian, duke i dhënë kahje në dy pole të ndryshme. Nën emrin e ish- LDK-së së vërtetë, e përdornin emrin e dr. Rugovës si pasaportë për të qëndruar si pasardhës të vizionit të tij.

Nga një diplomaci parimore, u shndërruan në një diplomaci mafioze, me ekonomistë të profesionalizuar që të ndanin llogaritë me PDK-në, e më pak me të tjerët. Ndonjë anëtar që pretendonte t’u qëndronte besnik bindjeve rugoviane, degradohej, zhveshej nga çdo funksion, apo detyrohej të largohej nga partia. Pra, shkatërrimi më i madh LDK-së i erdhi nga brenda, nga disa anëtarë të saj. Vjosa nuk mori udhën e ikjes nga LDK-ja me dëshirë, por ngaqë nuk gjente hapësirë për të vazhduar aty ku e kishte lënë Rugova. Vjosa nuk bëri aleancë me VV-në ngaqë kishin parime identike, por ishte e vetmja zgjidhje për ta ndaluar  grupin “Al Capone”. Pas vdekjes së dr. Rugovës, bota e përparuar kërkonte njerëz të denjë e të vendosur në bindjet dhe qëndrimet e tyre, me të cilët mund të bashkëpunonte me një saktësi të plotë; njerëz që janë të përkushtuar në krijimin e shtetit ku funksionon ligji. Por, pas të gjitha përpjekjeve, më në fund rezultatet nuk u arritën dhe gjithçka dështoi.

Vitet kalonin, e në kohën kur bota hapëronte më shpejt se kurrë më parë pas sukseseve, ne mbetëm në vend, të izoluar nga jashtë dhe të gërryer përbrenda nga korrupsioni.

Shtetet me ndikim në politikën botërore e përdorin një metodë mjaft diplomatike duke i nxitur dhe përkrahur partitë e ndryshme politike; duke i mbajtur pezull, në pritje edhe me vite të tëra. Kur është në interesin e tyre, i ndezin, i përdorin këto parti që të shkaktojnë rrëmujë, që në anën tjetër idetë dhe planprogrami i tyre të depërtojnë më lirshëm, për të realizuar qëllimet e veta. Ata e zbatuan këtë metodë edhe në zhvillimet politike në Kosovë. Para shumë vitesh përgatitën lëndë gjyqësore, pothuajse gati për çdo figurë politike. Këto lëndë i mbanin në heshtje. Figurave politike që nuk favorizonin politikën e këtyre shteteve dhe nuk sillnin progres në vend, u aktivizohej lënda në gjykata të ndryshme.

Kështu ndodhi me zhvillimet politike në Kosovë. Për ta thyer akullin mbi 20 vjeçar, është dashur që më parë të mbyllen dhe pastaj të ndodhin fitoret që i pamë më 14 shkurt. Duhet ta kemi parasysh se kjo diplomaci politike është edhe për fituesit e tashëm të zgjedhjeve. Pra, nëse devijoni politikisht, do të jeni jetëshkurtër në politikë, do t’ia merrni edhe disa vite popullit të Kosovës. Por, shpresoj dhe kam bindje që do të jenë të suksesshëm dhe të kenë mësuar nga përvoja e tyre.

Uroj që të mos e devijojnë vizionin politik rugovian, të përmbahen dhe të jenë në harmoni dhe mirëkuptim me SHBA-në, BE-në dhe me të gjitha shtetet e përparuara të botës; ta fshijnë dhe ta largojnë atë shprehjen e gabuar “Amelik, Amelik”, por me një përulje të sinqertë të jenë falënderues ndaj Amerikës. Nuk është e nevojshme të jesh në LDK, që të zhvillosh politikën rugoviane, por është e nevojshme që të jesh atdhedashës dhe diplomat i shquar për të realizuar projektin e duhur politik.

Shpresojmë që të mos na zhgënjejnë, por të na trajtojnë siç e meritojmë. Urime, pra, fitoren!   

Filed Under: Analiza Tagged With: ne trung te vjeter, Prend Ndoj, Variant I ri

ISHTE NJËHERË HONGKONGU I LAVDISHËM

March 13, 2021 by dgreca

Nga Danilo Taino-Perktheu;Eugjen Merlika/

Një qytet i lavdishëm është zhdukur nga harta e ekonomive më të mira të botës. Për një të katërt shekulli  ishte ai në të cilin ishte më e lehtë për të bërë biznes: mund të hapej një i tillë e t’ishe i sigurtë në mënyrë t’arsyeshme që gjykatat vigjëlonin mbi korrektësinë e nevojshme për të bërë të shkonin mbarë gjërat. Papritmas Hongkongu është fshirë  nga Treguesi i Lirive Ekonomike që Heritage Founation përpilon çdo vit. Arsyeja e zhdukjes nga shkallëzimi është se tani nuk është më e pavarur nga Pekini, se parimi “Një Vënd, dy sisteme” ka humbur pjesën e dytë të fjalisë, se të bërët ekonomi në Hongkong nuk është e ndryshme se sa të bëhet në Shangai dhe në Shenzhen. Të njëjtat rregulla, të njëjtat metoda, të njëjtët rreziqe. Për 25 vjet ish kolonia britanike ishte gjithmonë e pra në Treguesin e Lirive Ekonomike, të llogaritur mbi bazën e faktorëve që shkojnë nga pesha e ndërhyrjrve shtetërore deri tek pavarësia e gjykatave.

            Në 2019 kishte zbritur në vendin e dytë, i kaluar nga Singapori. Këtë vit, në shkallëzimin që i referohej 2020-ës ishte zhvendosur (së bashku me Makaon), në fakt të përfshira n’ekonominë e Republikës Popullore Kineze, që në Tregues është në vendin e 107(në 178), në përkeqësim kundrejt 102 të vitit të shkuar. Në dhjetëvjeçarët e shkuar, më parë e më pas kalimit  nga Mbretëria e Bashkuar tek Kina më 1997, Hongkongu ka qënë qëndra e vetme për hapjen e saj, dera e hyrjes së ndërmarrjeve perëndimore drejt Azisë. Shumë sipërmarrje, edhe italiane duke filluar nga ato të modës, gjatë viteve e kanë bërë bazën e tyre në Lindje. Tani , nën drejtimin e Xi Jinping-ut, Pekini në fakt ka shfuqizuar autonominë dhe jashtzakonshmërinë e tij.Për një ndërmarrje demokracia dhe liria e shprehjes janë të rëndësishme. Por dyshimet e biznesit kanë të bëjnë veçanërisht me gjykatat, tradicionalisht ndër më të pavarurat nga pushteti politik, por sott ë nënështruara ligjit të sigurisë t’imponuar nga Pekini. Ishte njëherë Hongkongu.

          *  “Corriere della Sera”, 5 mars 2021      Përktheu Eugjen Merlika

Filed Under: Analiza Tagged With: Danilo Taini, Eugjen Merlika, Eugjen Merlika-Danilo Taini, Honkongu, Na ishte

TELASHET E VUÇIQIT ME VELO “TELASHEN”

March 12, 2021 by dgreca

Nga Adil FETAHU/ Arrestimi i njëfar krimineli të mirënjohur dhe të mbështetur e sponsoruar nga strukturat e shtetit të Serbisë, Velko Belivuk, i quajtur Vela Nevola (nevolje,serb: telashe), është në krye të lajmeve  të mediave e tabloideve serbe qysh prej fillimit të shkurtit të këtij viti. Bashkë me Vela “Telashën” u arrestuan edhe 19 kriminelë e bashkëpunëtorë të tij, nën akuzë për kryerjen e veprave penale të vrasjeve, kidnapimeve dhe trafikimit me narkotikë. Arrestimet kanë vazhduar dhe përditë lajmërojnë për arrestime të reja.   Nëse ka seriozitet dhe guxim në zhvillimin e hetimeve, ato do të qojnë deri te vet kreu i shtetit. Deri tash i janë avitur, sepse edhe djali i madh i Vuçiqit  (Danillo) është i implikuar si pjesëtar i atij grupi:  të paktën është parë disa herë në shoqëri me grupin kriminal. 

Vuçiqi vet e ka paralajmëruar opinionin dhe disa herë e ka përsëritur, se jo vetëm Serbia, por edhe Europa dhe bota do të shokohën kur të shohin se si ky grup i ka vrarë e masakruar kundërshtarët e vet, duke ua prerë kokat e lozur futball me kokat e prera. Bile, Vuçiqi porositi që fotografitë dhe inçizimet që do t’i tregojnë, të mos i shohin fëmijët dhe familjarët e viktimave, sepse do të tmerrohen!.

Për ta informuar opinionin mbi veprimet kriminale të grupit, Vuçiqi kishte parlajmëruar mbledhje  të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, me të vetmën pikë: luftimi i krimit të organizuar.  Mbledhja e atij Këshilli u shty dy-tri herë,  dhe kur u mbajt më 4 mars, pika e krimit të organizuar ishte renditur në vendin e tretë, pas analizës së situatës në Kosovë dhe pas aksionit të vaksinimit kundër koronavirusit.  Po çka doli nga fotografitë dhe inçizimet “shokuese”: asgjë e veçantë ose e jashtëzakonshme për shoqërinë serbe; nuk u shokua askush në Serbi, e aq më pak në Europë dhe në botë, që kishte paralajmëruar Vuçiqi. Publikut iu treguan fotografi të armëve të konfiskuara, ndër të cilat më së tepërmi u fol për një  pushkë snajperi special, të shtrejtë,  për të cilin ministri i punëve të brendshme, A.Vulin, thotë se ka qenë i destinuar për të bërë atentat kundër Vuçiqit dhe se këtë detyrë është dashur ta kryejë njëfar Sllavisha Kokez, i cili nuk ka pranaur të përgjigjet në poligraf, kur është pyetur për këtë gjatë hetimeve. Në fotografitë tjera u treguan dy viktima; njëra me kokë të prerë. Nuk u përmend asnjë emër i zyrtarëve të lartë shtetërorë, se janë pjesë e grupit kriminal të arrestuar.  Ministri i policisë foli shumë për 1572 përgjime të bisedave telefonike të Vuçiqit dhe anëtarëve të familjes së tij, që i kanë përgjuar disa persona zyrtarë të policisë dhe të BIA-s (agjensioni i sigurisë dhe informacionit), dhe shtoi se të gjithë policët e pyetur në këtë temë gjatë hetimeve, kanë rënë në poligraf (detektorin e gënjeshtrës)!.

Edhepse gazetarët hulumtues disa herë kishin apostrofuar emrat e përveçëm të disa zyrtarëve të lartë shtetërorë dhe partiakë, nga radhët e  partisë së Vuçiqit, të implikuar në veprimet kriminale me grupin e arrestuar, Vuçiqi nuk e përmendi asnjë prej tyre. Në pyetjen e gazetarëve, ku është   Nebojsha Stefanoviqi, ish-ministri i policisë,  tash ministër i ushtrisë, Vuçiqi tha se Stefanoviqi ishte në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe se aty do të jetë për sa koë që është në poziën e ministrit!

Në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Sigurisë, u fol për mënyrën e kryerjes së krimeve makabre që kanë bërë pjesëtarët e grupit kriminal: se kanë rrahur, maltretuar, kidnapuar e vrarë kundërshtarët e tyre; viktimave ua kanë prerë gjuhën, veshët, hundën, madje edhe kokën dhe kanë lozur “futball” me kokat e prera; ato sqena makabre i kanë fotografuar dhe inçizuar e ua kanë dërguar në telefonat e anëtarëave të familjes dhe kundërshtarëve të grupit. Ua kanë dërguar edhe ndonjë operativisti të policisë, për t’ua tërhequr vërejtjen se fati i njëjtë do t’i gjejë poqese përpiqen ta pengojnë aktivitetin e grupit. Ato foto dhe inçizime ua kanë dërguar edhe anëtarëve të grupit, duke i kërcënuar se kështu do të veprojnë edhe ndaj tyre, poqese nuk i kryejnë urdhërat që u jepen, apo nëse ndokush “gabon” t’i lajmërojë.

Vetëm gjatë vitit 2020 janë zhdukur pa shenj 12 veta. Në 44 telefona të dekoduar, janë gjetur prova dhe emra të personave të piketur për t’i likuiduar, më të shumtët nga radhët e operativistëve të policisë.

Nga hetimet e deritashme,  në opinion  kanë dalë dyshime se me grupin kriminal, të cilin e udhëheqë Vela Nevola, janë të lidhur zyrtarë të lartë të organeve të pushtetit, ndër të cilët përmenden:

  1. Ish-ministri i policisë, Nebojsha Stefanoviq, tash, aktualisht ministër i ushtrisë së Serbisë,
  2. Ish-sekretarja shtetërore në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Dijana Hërkalloviq (as kjo nuk ka pranuar të përgjigjet në poligraf),
  3. Kryetari aktual i Gjykatës së Lartë të Beogradit, Aleksandar Stepanoviq,
  4. Funksionari i lartë i Beogradit, Damir Handanoviq,
  5. Kryetari i Lidhjes Futbollistike të Serbisë, Sllavisha Kokez,
  6. Udhëheqësi i Klanit “Kavasi”, Radoje Zvicer (nga Mali Zi).

Për veprimet e grupit kriminal dhe personat e involvuar me grupin, mediat e pavarura kanë alarmuar opinion qe dhjetë vjet, por vet strukturat e shtetit i kanë penguar hetimet. Kur gazetarët e pyesnin Vuçiqin, përse djali i tij është parë disa herë në shoqëri me pjesëtarët e grupit kriminal, ky u është përgjigjur: “Pa sta? (ani çka); ju mund të më keni parë edhe mua në ndonjë fotografi bashkë me Dragan Gjillasin, që është krimineli më i madh prej të gjithëve”! Djali i Vuçiqit është parë  disa herë bashkë me pjesëtarët e grupit kriminal, në klubet dhe kafenetë e Beogradit, si dhe në Rusi, duke përcjellë ndeshjen e futbollit për kampionatin botëror midis Serbisë e Kostarikës  (qershor 2018), dhe në Banjallukë me rastin e festës së asaj kreaturë gjenocidale serbe, të quajtur Republika Srpska (2020). 

Grupi criminal është kamufluar si grup i tifozëve të ekipit “Partizan” të Beogradit, por është marrë me gjithëfarë lloje krimesh, e më së paku me tifozeri futbolli. Anëtarët më të besueshëm të grupit, përbënin një formacion paraushtarak, të quajtur “Janiçari” (jeniçerët). Udhëheqja e grupit ka pasur objektet e veta të burgut, në të cilat i ka mbajtur të kidnapuarit, i ka torturuar dhe likuiduar e humbur gjurmët.

Ky grup kriminal ka pasur lidhje edhe me rrethe të caktuara të ushtrisë në kohën kur ministër i saj ka qenë A.Vullini, që tash është ministër i policisë. Sindikata e ushtrisë në vitin 2017 i kishte etikuar e kritikuar disa eprorë ushtarakë, se po bashkëpunojnë me Velo Nevolen, të cilit po ia mundësojnë ushtrimin e “janiçarëve” të tij në poligonet ushtarake të qitjes, duke shfrytëzuar armët dhe municionin luftarak të ushtrisë!

Mbrojtja e grupit kriminal nga regjimi i Vuçiqit  lidhet përms djalit të tij; edhe nëse Vuçiqi këtë nuk e ka bërë me dëshirë, do ta ketë bërë nga friga për djalin, për familjen dhe për vete. Arresitimin e Velo “Telashes”, konspiracioni në Serbi e sheh si shkak të tejkalimit të veprimeve të grupit, që ka dalur jashtë kontrollit të pushtetit. Duket se kupa ishte mbushur kur Vela Nevola e kishte rrahur Danillon, djalin e kryetarit të shtetit, në një nga klubet e Beogrdit, në prag të vitit të ri 2021. Dhe gjithnjë e më shpesh flitej se Vela Nevola ka dashur ta vrasë Vuçiin. Për këtë më së shumti flet vet ministri i policisë, Aleksandr Vullin, që është njeriu i cilii ka pasur dhe duhet të ketë informacione. Si provë për këtë Vullini e konsideron pushken speicale snajper, e gjetur me arsenalin e armëve tjera. “Mes rreshtve” lënë për të dyshuar edhe në diplomatë të ShBA-ve, si palë e interesuar për rrëzuarjen e Vuçiqit?! Dhe Vullini nuk do t’ishte ai që është, një poltroon i ulët i strukur në papanicën e Vuçiqit, sikur tërë meritën për zbulimin e këtij grupi kriminal të mos ia atribuonte vet kryetarit të shtetit, Aleksandar Vuçiqit, të cilit përpiqet t’ia rritë rejtingun përmes këtij zbulimi dhe arrestimi të kriminelëve, të cilët i kualiikon ma të rrezikshëm sesa klani i Zemunit, i cili e vrau me atentat ish-kryeministrin Zoran Gjingjiq, më 12 mars 2003.

Nga zhvillimi i mëtejshëm i ngarjeve, veçmas nga serioziteti, pavarsia dhe objektiviteti i organeve hetimore, mbetet të shihet se sa telashe ka pasur dhe do të ketë Vuçiqi dhe regjimi i tij me Velo “Telashen”, dhe deri ku do të arrijë vargu dhe rrjeti i bashkëpunëtorëve të grupit kriminal në struturat e pushtetit shtetëror?

Apo, e gjithë kjo ujdurmë do të mbetet në atë fjalinë: “U dridh mali, polli një mi”, sikur ka ngjarë deeri më tash me disa afera tjera të krimit të organizuar në Serbi?

Filed Under: Analiza Tagged With: Adil Fetahu, Velo telashen, Vuçiçi

Qenia që fal jetën nën thundrën e turpiloquium-it

March 12, 2021 by dgreca

Nga Gladiola Jorbus/

Të gëzosh barazi ligjore, nuk do të thotë të gëzosh dhe të njëjtat të drejta. Në lidhje me këtë, mund t’i referohemi gjuhës plot nëntekste dhe të mbushur me shprehje seksiste, ofenduese e paragjykuese që artikulohet rëndom nga aktorë të ndryshëm politikë, mediatikë etj., përkundrejt zonjave. 

Në gjuhën e zakonshme, sharjet janë pjesë e të folurit fyes, cënues, vulgar dhe të privuar nga respekti. Si njësi të tjera të mëvetësishme e ndërlidhëse në këtë komunikim, shërbejnë dhe shpifjet, mallkimet, fjalët e pacipa, poshtërimet apo blasfemitë. 

Romakët e lashtë, të cilët shquheshin për një etikë seksuale të papërmbajtur, shpreheshin lirisht e përdornin një fjalor vulgar. Por rreth shekullit III para Krishtit, ata u kujdesën për të mbrojtur me ligjin dhe lokucionin ‘Lex de adtemptata pudicitia’, integritetin e një gruaje romake të martuar, të ve ose të virgjër, apo të të rinjve që u bënë subjekte të ngacmimit dhe të shprehjeve të pahijshme. 

Seksizmi linguistik përbëhet nga shaka maskiliste, shprehje që errësojnë rolin e grave, imponojnë nënvlerësimin e tyre dhe u japin përparësi burrave. Kjo mendësi është ngulitur në të folur si rezultat i një shoqërie me tipare të mizogjinisë (sjellje plot urrejtje dhe neverie nga ana e një individi kundrejt grave).

Në shoqëritë patriarkale, në të cilat reputacioni i gruas konsiderohet “vlera më e rëndësishme”, dyshimet, hamendësimet dhe për më tepër akuzat ndaj saj justifikojnë të gjitha format e dhunës dhe bullizmit. 

Në platformat e medieve sociale, zonjushat e zonjat janë të ekspozuara ndaj vëzhgimit publik e kritik dhe ngacmimi i tyre është shndërruar në një trend a praktikë të zakonshme. Agresiviteti ndaj gruas në internet nuk synon tjetër, veçse të përforcojë tiparet tradicionale femërore dhe stereotipet. 

A mund të çmontohen mekanizmat patriarkale e denigruese që e mbizotërojnë një shoqëri prej shekujsh?!

 Sistemi patriarkal në vetvete amplifikon sulmet seksiste duke i dhënë një pozitë sunduese vetëm asaj çka është e pranueshme nga meshkujt.  

Ndër termat që përkufizojnë stereotipat femërore mund të përmendim: ato që fyejnë pamjen e jashtme (e shëmtuar), intelektin (budallaçkë), përvojën seksuale (e shthurur), stabilitetin mendor (histerike, e çmendur), aftësinë profesionale (dembele, e paaftë) dhe moshën (plakë, e vjetër).  

“Ekzistojnë tri regjistra të fyerjeve seksiste: seksizmi, komentet mbi aparencën dhe mohimi i aftësive”, shpjegon Gwenaëlle Perrier, pedagoge e Shkencave Politike në Universitetin e Sorbonës, Paris Nord (e angazhuar në procesin e politizimit, institucionalizimit dhe profesionalizimit të çështjeve gjinore në politikat publike).

Ajo që ka ndodhur me gruan përgjatë rrjedhës së historisë është shumë e rëndësishme: kërcënimet, fyerjet bazuar në pamjen e jashtme, komentet nënçmuese të bazuara në gjini, stereotipet, referencat mbi trupin e saj. E gjithë kjo i ka shërbyer linçimit të figurës së tyre, sidomos të zonjave kompetente që janë protagoniste në politikë a në të tjera fusha të rëndësishme. 

Në ditët tona, edhe pse askush nuk habitet më kur dëgjon për përfshirjen masive të gruas në sferën publike e private, sërish ekziston paragjykimi, skepticizmi e përçmimi. 

Mund të vëresh me kujdes bisedat e zakonshme;  qoftë ato të thjeshtat apo profesionalet, për të kuptuar se gjuha e përdorur, karakterizohet nga fraza dhe struktura që përjetësojnë stereotipet, që dëmtojnë ose i bëjnë gratë të padukshme apo akoma më keq, i denigrojnë ato.

Tashmë ato e kanë fituar të drejtën jo vetëm për të marrë pjesë në proceset demokratike, por edhe të për të ushtruar rolin e tyre si ligjvënëse apo lidere, me respekt dhe autoritet të plotë.

 Gjithsesi dashakeqët, të pagdhendurit, seksistët a quajini si të doni, nuk reshtin së gjeturi mënyra për të abuzuar verbalisht, duke eptuar fyerje a trope (metaforë, ironi, sarkazëm, epitet etj.) ndaj gruas, qenies që fal jetën. Por meqenëse fal jetën, nuk ka pse të tolerojë absolutisht zgjedhën e turpiloquium-it. 

Fyerja e gruas që pretendon si reagim heshtjen e saj, konsiderohet një mënyrë e ulët dhe brutale për ta diskredituar atë.

 Por kjo fyerje nuk duhet gjykuar dhe anashkaluar si një çështje mendësie apo kulturore, por duhet trajtuar e dënuar si krim më vete. Mjafton t’u referohemi fakteve e dëshmive të dokumentuara ndër shekuj në mbarë globin, për t’u ndërgjegjësuar se ndaj gruas, vërtet është kryer gjenocid.

  • Turpiloquium – mënyrë të foluri ofenduese, e turpshme ose blasfemuese ndaj moralit individual, e huazuar nga latinishtja kishtare, e përbërë nga termat turpis ‘i ndyrë, i neveritshëm’ dhe loqui ‘ të folur’.

Filed Under: Analiza Tagged With: Gladiola Jorbus, nën thundrën, që fal jetën, Qenia

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 286
  • 287
  • 288
  • 289
  • 290
  • …
  • 975
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Një ishull, një gabim: Investimet e huaja janë të mirëpritura—por jo me çdo çmim
  • Z. Shpëtim Tim Qorraj hapi fushatën për t’u zgjedhur në Parlamentin e Nju Jorkut 
  • Gjyshi i Ismail Qemalit, Ismail Bej Vlora e shihte perspektivën e një të ardhmje të pavarur të shqiptarëve
  • ATHANAS GEGAJ PER ORIGJINEN E ARBNIT
  • VAZHDON KRIMI SHTETËROR NDAJ AT GJERGJ FISHTËS: I PËRJASHTUAR NGA SHTETI QË AI MBROJTI
  • SHQIPTARËT DHE MAQEDONIA E VERIUT MIDIS UNITARIZMIT DHE DEMOKRACISË KONSENSUALE
  • ATË BERNARDIN PALAJ, FRATI QË I “RRËMBEU HARRESËS” KËNGËN SHQIPTARE
  • Garancia Publike për Emigrantët
  • Nëntë njohje de-facto për Kosovën
  • RIZGJEDHJA E PRESIDENTES OSMANI ËSHTË INTERES SHTETËROR DHE KOMBËTAR
  • Stuhi dimërore historike në SHBA: Mbi 10 mijë fluturime të anuluara, miliona qytetarë nën akull, borë dhe të ftohtë ekstrem
  • KELETI UJSÁG (1931) / “NJË MUAJ PRANË MBRETIT ZOG, THEMELUESIT TË SHQIPËRISË MODERNE…” — INTERVISTA ME MÁRTON HOSSZÚ, PIKTORIN NGA KOLOZSVÁR-I
  • Si “Albanian Mafia” zëvendësoi Cosa Nostra-n dhe po rrezikon Shqipërinë
  • Për vendlindjen, komunitetin e kombin…
  • Kur liria e njërit, bëhet burgu i tjetrit 

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT