• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Oda Amerikane diskuton me përfaqësuesit e kompanive ajrore amerikane për vendosjen e linjës direkte Prishtinë-Nju Jork

April 18, 2025 by s p

Prishtinë, 18 prill 2025 – Në një përpjekje të koordinuar me Zyrën e Presidentes së Republikës së Kosovës, drejtuesit e Odës Ekonomike Amerikane u takuan me përfaqësuesit e kompanisë Delta Airlines dhe shoqatës “Linjat Ajrore për Amerikën” (Airlines for America) për të prezantuar mundësitë për vendosjen e një fluturimi direkt ndërmjet Prishtinës dhe Nju Jorkut.

Me Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës të renditur si të tretin më të madhin për nga trafiku i pasagjerëve në Ballkanin Perëndimor dhe ndër aeroportet me rritjen më të shpejtë në Evropë, Kosova është e gatshme të forcojë lidhjet transatlantike dhe të përmbushë kërkesën në rritje për linja direkte ajrore.

Një fluturim direkt do të hapte rrugë të reja për tregtinë, turizmin dhe investimet, duke forcuar më tej lidhjet e thella ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara.

Filed Under: Analiza

SHBA – Autizmi i Parandalueshëm?

April 18, 2025 by s p

Rafaela Prifti/

Komenti i Sekretarit të Shëndetësisë dhe Shërbimeve Humane Robert F. Kennedy Jr. në konferencën e shtypit se “autizmi është i parandalueshëm” bie ndesh me rezultatet e kërkimeve nga vetë agjencia përsa i takon shkakut kryesor të numrit në rritje të rasteve të autizmit tek fëmijët, thanë ekspertët. Ai e bëri deklaratën si kundërpërgjigje ndaj raportit të publikuar nga Qendra për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve në të cilin thuhet se nga prirja në rritje e autizmit ne Amerike një në 31 fëmijë të moshës 8 vjeçare janë të prekur prej saj. “Epidemia shkaktohet nga elementë toksik të mjedisit,” deklaroi Kennedy Jr. në konferencë, si ithtar i tezës se mjedisi është faktor kyç për autizmin çka bie në kundërshtim me hulumtimet në fushën e perbërjes gjenetike që, sipas shkencëtarëve, luan rol vendimtar nëse një fëmi zhvillon autizmin apo jo.

Nga viti 2000 kur Qendra për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (CDC) filloi mbledhjen e të dhënave për autizmin, rastet janë pesëfishuar. Raporti i sapodalë vëren se shtimi i testimeve si edhe faktorë të tjerë që lidhen me vetëdijesimin për shenjat e shfaqjes së autizmit, lindjet nga nëna në mosha të mëdha si edhe vënia në disponim e shërbimeve për këto raste. Kennedy Jr. premtoi se departamenti do fokusohet në elemente të tilla si myku dhe esencat artificale në produktet ushqimore, dhe obesiteti te prindërit për të ulur numrin e rasteve të fëmijve me autizëm. Specialistët nuk e kanë përjashtuar mundësinë se genet dhe mjedisi janë faktorë që ndikojnë në shfaqjen e autizmit por nuk ekzistojnë prova që tregojnë se autizmi mund të shmanget apo parandalohet, sepse, u shprehën ata, “këtu nuk është fjala për sëmundje infektive.”

Vaksinat – Dhjetra studime nuk kanë arritur të provojnë lidhjen midis vaksinimit dhe autizmit megjithëse Kennedy Jr. nuk e përmendi këtë në konferencën e shtypit, ai është propagandues i teorisë se autizmi shkaktohet nga vaksinat. “Metodat e diagnostikimit lidhen me identifikimin e shtuar të rasteve,” pohuan përpiluesit e raportit. Duke filluar nga vitet 1970 dhjetra studime shkencore kanë zbuluar se gjenetika kontribon në çrregullimet e zhvillimit nervor dhe qysh atëherë janë identifikuar qindra abnormalitete gjenetike që vërehen të jenë pjesë shoqëruese të autizmit.

Bashkëveprimi midis elementeve të mjedisit me faktorë gjenetik – Kennedy Jr. ka planifikuar të ngrejë një komision për të identifikuar elementë të dëmshëm mjedisor që shpjegojnë rritjen e rasteve të autizmit. Pritet që raporti i cili do publikohet në shtator të fokusohet në “helmet e hedhura” në mjedis në vitet 1989, duke e paraqitur atë si vitin kur filloi “epidemia” – një teori e papranuar nga eskpertët. Studimi i parë për këtë është botuar në 1943 në Manualin Diagnostikues dhe Statistikor të Çrregullimeve Nervore që u bë sistemi bazë klasifikues për mjekët psikiatër në vitin 1980.

Filed Under: Analiza

HEROI I HESHTUR I RRUGËS SË KOMBIT

April 18, 2025 by s p

Ramazan Çeka/

Një akt trimërie që preku zemrat e shqiptarëve.

Në një kohë sfidash të shumta, kur shpesh lajmet na servirin pamje të indiferencës, egoizmit dhe apatisë, një ngjarje në Rrugën e Kombit riktheu besimin në vlerat më të pastra njerëzore: guximin, sakrificën dhe dashurinë për jetën e tjetrit.

Arben Nikprelaj, një djalosh nga Malësia, tregoi se aktet e vërteta të heroizmit nuk kërkojnë as fjalë të mëdha, as skena spektakolare – por vetëm një zemër të madhe dhe një shpirt të paepur.

Arbeni nga Malësia u bë simboli i guximit dhe dashurisë për jetën e tjetrit, duke rrezikuar gjithçka për të shpëtuar një jetë në prag të vdekjes.

Ishte një ditë e zakonshme udhëtimi në Rrugën e Kombit, rrugën që lidh zemrat shqiptare në të dy anët e kufirit. Por për Arbenin, ajo ditë do të shndërrohej në një provë jete, një moment që do të ndante historinë e tij përgjithmonë.

Ngjarja ndodhi gjatë një udhëtimi ku Arbeni, i cili vinte nga Tuzi, u përball me një skenë rrënqethëse: një veturë e përmbysur dhe një i ri i bllokuar brenda saj, pa ndjenja dhe në rrezik të drejtpërdrejtë për jetën. Një skenë tronditëse, ku çdo sekondë ishte jetike.

Pa hezituar as një çast, Arbeni ndërhyri me një guxim që buron vetëm nga shpirti i lindur i Malësisë, ai u hodh drejt makinës së dëmtuar dhe u ngjit mbi trupin e shkatërruar të automjetit.

Sfidoi rrezikun, flakët që kërcënonin të përfshinin automjetin dhe rreziqet e panjohura, vetëm me një mendim në zemër: të shpëtonte jetën e dikujt tjetër.

Me përpjekje të jashtëzakonshme, ai arriti ta nxjerrë djaloshin jashtë makinës, vetëm pak çaste përpara se vetura të përfshihej plotësisht nga flakët, duke konfirmuar rrezikun ekstrem që Arbeni kishte përballuar.

Në ato pak çaste dramatike, u rilindën përmes veprës së tij fjalët më të mëdha: trimëri, nder, sakrificë.

Një akt trimërie që sot, me të drejtë, përshkruhet si një akt heroik që shpëtoi një jetë dhe frymëzoi qindra të tjera.

Arben Nikprelaj nuk është një emër i panjohur për ata që njohin familjen e tij. Ai është djali i Nikollë Nikprelës, një nga emrat më të shquar të artit shqiptar, një nga zërat më të fuqishëm të muzikës shqiptare, i cili me këngët e tij ka ndezur për dekada zjarrin kombëtar në zemrat e shqiptarëve, i dekoruar me titullin e Lartë “Mjeshtër i Madh” për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në ruajtjen e identitetit kombëtar.

Nuk është rastësi që nga kjo familje ka lindur një shpëtimtar: vlerat e nderit, sakrificës dhe përkushtimit ndaj jetës janë thellësisht të ngulitura në ADN-në e tyre.

Dhe sot, biri i tij u bë kënga më e bukur që çdo shqiptar mund të këndojë: një këngë jete, një himn burrërie.

Një trashëgimi e nderit dhe vlerave malësore. Aktin heroik të Arbenit nuk e ndjekin vetëm emocionet e atij momenti. Ai është dëshmi e vlerave të rrënjosura thellë në gjakun e Malësisë, vlera që thërrasin: “Të mos harrojmë kurrë kush jemi!”

Klubi “Balkan Eagles” i Tuzit, të cilit Arbeni i përket, dhe mbarë Malësia, kanë sot një arsye më shumë për të ndjerë krenari të thellë.

Aktet si ky nuk ndodhin çdo ditë. Ato shërbejnë si kujtesë e fortë se, përtej gjithë trysnive të përditshme, shpirti shqiptar mbetet i pastër, trim dhe i gatshëm të sakrifikojë për jetën.

Një mesazh që duhet të jehojë, në një kohë kur shumëkush kërkon modele frymëzimi, vepra e Arbenit është një thirrje e heshtur, por e fuqishme:

Heroi nuk është gjithmonë ai që shfaqet në kopertina librash apo ekranesh. Heronjtë e vërtetë jetojnë mes nesh, veprojnë në çastin e nevojës, pa kërkuar lavdi, duke mbjellë shpresë dhe dinjitet.

Sot, Arben Nikprelaj është një emër që duhet të mbahet mend: si dritë në rrugën e kombit, si shpëtimtar i jetës, si dëshmi se heronjtë lindin në heshtje dhe shkëlqejnë me veprat e tyre.

Arben Nikprelaj na kujton se trimëria nuk është vetëm një cilësi e së kaluarës; ajo është një virtyt që jeton ende në zemrat tona.

Nderime për Arbenin, për familjen që e rriti me këto vlera dhe për gjithë ata që mbajnë ndezur shpirtin e Malësisë dhe të shqiptarisë!

Faleminderit Beni për guximin, për shpirtin, për zemrën!

Filed Under: Analiza

Vepra “Rezonanca magnetike” e Prof. Eshref Ymerit

April 17, 2025 by s p

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj/

Ditë më parë mora si dhuratë nga prof. Eshref Ymeri librin studimor “Rezonanca magnetike” për Rusinë dhe rusët. Libri përbëhet me mjaft përmbledhje citate, aforizma dhe mbresa të personaliteteve të ndryshme, rusë dhe të huaj. Studimi është mjaft interesant dhe i ndërtuar me thënie nga personalitete botërore na njohin me Rusinë, por dhe me punën shekullore për formimin psikologjik të popullit rus. Profesor Eshref Ymeri shtysën për përgatitjen e librit e mori nga sulmi agresiv i Rusisë kundër Ukrainës më 24 shkurt 2022. Profesori e përcakton këtë sulm, të tipit fashist, e që ishte i papritur për botën. Nxitje e fuqishme për shkrimin e librit ishte dhe masakra e kryer në qytetin Buça të qarkut të Kievit.

Në këtë qytet ushtria fashiste ruse vrau 461 njerëz të pafajshëm, ku midis tyre kishte burra, gra, pleq, plaka dhe fëmijë, ndërsa në të gjithë rajonin, të masakruarit arriti në 1137 veta. Egërsira ruse arriti deri aty sa t’i groposë në varre massive, duke e kthyer qytetin e Buçës në simbol të shtazërisë së ushtrisë ruse. Autori i librit shkruan me indinjatë për mitingun në Sheshin e Kuq të Moskës, për të festuar pushtimin e disa territoreve të Ukrainës.
Profesori shprehet se si ka përfunduar populli rus, i sëmurë nga trutë, prej politikës së Putinit të grumbullohej dhe të ngazëllehej me krimet e përbindshme të ushtrisë së tij fashiste në Ukrainë. Autori duke e njohur popullin rus, nga periudha e studimeve cuditet se pa e çarë kaptinën fare dhe për dhjetra mijë ushtarët e tij, të vrarë në frontin e luftës. Dhe ironia qëndron se pas kryerjes së masakrës barbare, presidenti Putin dekoron “për heroizmin dhe trimërinë masive, qëndresën dhe burrërinë që tregoi personeli i brigadës në aksionet luftarake për mbrojtjen e atdheut dhe të interesave shtetërore në kushtet e konflikteve të armatosura”.
Duke u kthyer në histori para dy shekuj sjell në vëmendje një Testamentit të Pjetrit të Parë që përfaqëson një plan strategjik me veprime për trashëgimtarët e Carit për gjatë shekujve pasardhës, me synimin strategjik për vënien e mbarë botës nën sundimin e Rusisë.

Në realitet historiografia ruse e ka pasë vlerësuar Testamentin, por duke e klasifikuar si një material të fabrikuar. Por ngjarjet në këto dy shekuj kanë vërtetuar se sundimtarët e mëvonshëm të Rusisë në një formë apo tjetër kanë patur synim zbatimin e Testamentit “të fabrikuar” të Pjetrit të Parë. Dëshmitë dalin të qarta edhe në porositë e lënë nga sundimtarë rusë të çdo periudhe për brezat pasardhës të Rusisë.
Autori ka lexuar mjaft studime nga fusha e historisë, ku ka gjetur të pasqyruar dhe qëndrimin tradicional të politikës ruse ndaj kombit shqipar. Rusia cariste ishte në Kongresin Berlinit të vitit 1878 dhe në Konferencën e Londrës të vitit 1913, luajti në pazare të politikës europiane për copëtimin trojeve etnike. Ndërsa në Traktarin e Fshehtë të Londrës 1915 përfaqesuesi rus kishte theksuar fshirjen nga harta Europës të ngasrës të quajtur “Shqipëri”.

Në fundin e shek. XX politika ruse thelloi dhe më shunë qëndrimin armiqësor të mbajtur dhe vazhdon ta mbajë edhe sot ndaj popullit shqiptar të Dardanisë. Ajo ende mbron me pasio regjimin e Millosheviçit dhe të pasuesëve të tij. Autori në vitet e fundit ka botuar në shtyp dhe në internet analiza dhe komente mjaft interesante të cilat kanë demaskuar me fakte politikën armiqësore të Rusisë ndaj kombit shqiptar. Të gjitha këto analiza i ka trajtuar në librin e botuar me titull “Shqiptarët përballë politikës rusomadhe”.
Me fillimin e epokës së internetit, informacioni u bë mjaft i bollshëm. Mësojmë se pas sulmit të Gjermanisë kundër Bashkimit Sovjetik më 22 qershor 1941, popullit sovjetik përballoi situata të rënda. Ushtria sovjetike e mundi nazizmit gjerman. Nga të dhënat del se në luftë kishin rënë robër të ushtrisë gjermane 5.3 milionë ushtarë sovjetike. Po kështu mësojmë se pas hyrjes së ushtrisë sovjetike në territorin e Gjermanisë në fillimin e vitit 1945, kishte kryer krime, përdhunime etj.

Në luftën në Ukrahinë, duket se historia e viktimave po përsëritej. Ushtarët rusë vijuan të kryejnë përdhunime, të bënin masakra në gra, fëmijë dhe të moshuar. Autori jep mjaft shembuj nga këto vepra të turpshme të ushtarëve pushtues të Putinit. Ndaj dhe librin autori ja kushton popullit heroik të Ukrainës dhe Forcave të Armatosura të këti populli, të cilët po luftojnë me heroizën për të thyer “madhështinë” e Rusisë fashiste.
Sot Rusia putiniste, duke qenë pasardhëse e Bashkimit Sovjetik, ka të përvetësuar të gjithë trashëgiminë e saj. Duke synuar rikrijimin e perandorisë sovjetike, Putini e kishte përgatitur me kohë sulmin për pushtimin e Ukrainës.

Në kongresin e tetorit 1961, kryetari i partisë, Nikita Hrushovi, deklaroi se në vitin 1980, Bashkimin Sovjetik ka përfunduar ndërtimin e komunizmit. Por rrjedha e ngjarjeve na vërtetoi se pikërisht në vitet 1980 shënoi krizë ekonomike, dhe përfundoi e me shembjen e perandorisë sovjetike dhe shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik. Putini duke pasur përkrahjen mbarëpopullore të cilit populli rus vazhdon të përkrah luftën agresive kundër popullit ukrainas. Në këtë vend, në kohën e sotme janë kryer krime të rënda nga ushtria fashiste ruse. Autori shtron dhe pyetjet se ç’është Rusia dhe populli rus? Në shtrimin llogjik të këtyre pyetjeve, autori argumenton se gjatë shekujve, rusët e kanë vlerësuar dhe vazhdojnë ta vlerësojnë veten popull i madh, dhe që mund të orientojë popujt e tjerë se ç’farë duhet të bëjnë, mund të sulmojë shtete fqinje, të shkatërrojë miliona jetë njerëzish, duke luftuar kundër njëfarë të keqeje mitike.

Autori sjell mjaft shembuj nga njerëz në histori, që kanë patur guximin për të thënë të vërtetën për Rusinë dhe popullin e saj. Profesori sjell 426 personalitete të rusisë dhe të huaja, ku prej tyre 168 janë personalitete të vendit rus. Të gjitha mbresat dhe thëniet e arta të tyre janë shkruar në këtë libër, mbresat e të cilëve pasqyrohen në libër.
426 personalitete që kanë theksuar siç i quan autori “margaritarë urtësie” nga fusha e politikës, nga fusha e dijës, na vijnë në mjaft citate, mbresa, aforizma dhe mendime etj. Autori e ka thjeshtësuar punën duke i renditur me emrave, sipas alfabetit, duke njohur dhe jetëshkrimin e çdo personaliteti.
Libri është vlerësuar nga Prof. dr. Fatmir Tereziu, Mjeshtër i Madh, i cili thekson në parathënie se prof. Eshref Ymeri ka kaluar Rusinë dhe rusët në skanerin e personaliteteve, duke konkluduar se “Rusia qëndron në mënyrë të qartë e të kuptueshme kundër perëndimit. Kjo ka tëbëjë me traditën agresive. Aty jeton dhe vetë putinizmi”.
Ndërsa akademik Prof. dr. Beqir Meta arrin në përfundimin se “në këtë botim bëhet edhe një rivlerësim interesant i historisë më të re ruse, ku evidentohen ngjarje dhe fakte të fshehura më parë, që flasin për veprime Aantihumane, për natyrën agresive të shettit rus”.
Prof. Eshref Ymeri ka prurë një libër orgjinal, pasi aty shtjellohen thenië shekullore nga njerëz e autorë të njohur në botë, për studime dhe analiza botërore për Rusinë dhe rusët. Libri në vetvete është një përfaqësim i mjaft mendimeve, fakteve të realitetit në kohë të ndryshme, port ë pasqyruar me mjeshtëri nga autori i cili ka ditur që nëpërmjet këtyre mbresave të pasqyrojë realitetin mbi Rusinë dhe mbi formimin e popullit rus. Libri është një botim i përkryer dhe me përfundime të sakta, ku çdo lexues shqiptar qartëson mendimin për “atmosferën që po e bren Rusinë”, si dhe për të njohur më mirë tedencat deh ndikimin e tij në të ardhmen europiane.

Filed Under: Analiza

A po erodohet legjitimiteti i institucioneve dhe humbet besimi qytetar në përfaqësim politik?

April 16, 2025 by s p

Hisen Berisha/

Në rrethana të jashtëzakonshme si këto, kur funksionimi institucional i Republikës së Kosovës është vënë nën trysni nga brenda dhe nga jashtë, kërkohet një qasje jashtë formulave standarde politike.

Zvarritja për krijimin e institucioneve, mosfunksionimi i Kuvendit dhe retorika për zgjedhje të reja e kanë futur vendin në një ngërç të ri kushtetues e politik, me pasoja të drejtpërdrejta për rendin demokratik, sigurinë institucionale dhe proceset shtetformuese.

Pas ngërçit që ka krijuar interpretimi dhe praktika e kontestuar e gjuhës kushtetuese në konstituimin e Kuvendit të Kosovës, si dhe mungesës së gatishmërisë politike nga ana e partive parlamentare për të ndërtuar institucione funksionale, është bërë e qartë se nuk ka alternativë tjetër reale përveç ndërhyrjes në kohë të Presidentes së Republikës, me qëllim të shmangies së një vakumi institucional që mund të degradojë në krizë të thellë shtetërore.

Lëvizja Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve, ka deklaruar se i ka numrat për ndërtimin e qeverisë, por deri më tani nuk e ka formalizuar këtë përmes një propozimi të mandatarit. Ndërkohë, opozita nuk e ka mbështetur konstituimin e Kuvendit, të cilin e konsideron si të bazuar në shkelje të Kushtetutës.

Ajo po ashtu nuk ka shprehur gatishmëri për të përkrahur një qeveri të pakicës, të cilën e konsideron të paqëndrueshme dhe jo legjitime. Shto kësaj dhe hendikepin që i krijon sigurimi i disa votave nga Lista Serbe, të diktuara nga krimineli Radojçiq.

Nëse ndodh dorëheqja e anëtarëve të Qeverisë Kurti – apo abdikimi nga “froni” e cila është një mundësi reale – atëherë krijohet një vakancë e hapur institucionale, dhe e vetmja alternativë që mbetet do të jetë një qeveri provizore ose shkuarja në zgjedhje të reja.

Është evidente se klima politike, tensionet institucionale dhe mosmarrëveshjet mbi procesin e konstituimit nuk ofrojnë kushte të favorshme për zgjedhje të drejta, gjithëpërfshirëse dhe legjitime.

Në këto rrethana, roli i Presidentes bëhet thelbësor për të garantuar vazhdimësinë e institucioneve dhe ruajtjen e funksionalitetit të shtetit. Kushtetuta e Republikës së Kosovës, në nenin 84, i jep Presidentes kompetencën për të siguruar funksionimin kushtetues të institucioneve.

Meqë dorëheqja e qeverisë ekzistuese do të zhbllokonte edhe konstituimin e Kuvendit dhe krijimin e një shumice të re parlamentare, zgjidhja më e arsyeshme, funksionale dhe kushtetuese është që Presidentja do të duhej të ndërmarrë iniciativën për konsultime të gjera politike, me qëllim të emërimit të një mandatari konsensual për formimin e një qeverie teknike me bazë të gjerë, me mandat të qartë programor dhe objektiva të qarta reformuese.

Qeveria teknike, ndonëse nuk është një zgjidhje klasike politike, përbën një instrument të përkohshëm dhe efektiv për dalje nga kriza. Ajo mund të ketë përbërje jopartiake ose përfaqësim proporcional të subjekteve kryesore politike duke mos përjashtuar palët e tjera të interesit në kontekstin institucional politik, dhe do të kishte për qëllim përmbylljen e dialogut me Serbinë me një marrëveshje përfundimtare me njohje reciproke; ratifikimin e kufirit me Serbinë, sipas marrëveshjeve ndërkombëtare dhe interesit shtetëror të Kosovës; reformën në sistemin e drejtësisë, përmes miratimit të ligjit për lustracionin dhe vetingun; reformën zgjedhore dhe rishikimin e dispozitave të kontestuara kushtetuese; dhe përgatitjen e vendit për zgjedhje të reja me standarde të larta demokratike.

Zbatimi i kësaj formule do të sillte përfitime të shumta afatshkurtra dhe afatgjata për rendin demokratik të vendit, përfshirë krijimin e stabilitetit minimal institucional dhe shmangien e boshllëkut kushtetues; reduktimin e tensioneve politike dhe ndarjeve shoqërore; rritjen e besimit qytetar në institucione dhe në procesin zgjedhor.

Në klimën aktuale, ku diskursi publik dominohet nga përçarja dhe erodimi i legjitimitetit të institucioneve, si dhe humbja e besimit qytetar në përfaqësim politik, është urgjente që elitat politike dhe institucionale të veprojnë me përgjegjësi dhe vizion.

Vetëm përmes kësaj rruge mund të shmanget një krizë më e thellë institucionale dhe të garantohet stabiliteti demokratik, funksionaliteti shtetëror dhe vazhdimësia e proceseve strategjike për Kosovën.

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 29
  • 30
  • 31
  • 32
  • 33
  • …
  • 974
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Amerika dhe Rendi i Ri Botëror: Forca, Përgjegjësia dhe e Ardhmja e Perëndimit
  • Këmbana lufte – “Gruaja që Vinte nga Mjegulla” botohet në gjuhën angleze
  • The Last Besa…
  • FRANG BARDHI ME VEPRËN E TIJ, APOLOGJI E SKËNDERBEUT MBROJTI ME BURIME TË SHEK.XV E XVI, ORIGJINËN SHQIPTARE-ARBËRORE  TË SKËNDERBEUT
  • Ismail Qemali, 16 janar 1844 – 24 janar 1919
  • Letërsia si dëshmi e së vërtetës…
  • Mirënjohje për atin tim…
  • Isa Boletini, 15 janar 1864 – 23 janar 1916
  • “Yll’ i Mëngjezit”
  • “Histori e shtypit arbëresh: nga zanafilla deri në ditët e sotme”
  • “Personalitet Historik” – Bajram Curri: Një jetë në shërbim të çështjes kombëtare
  • Shqiptarët dhe parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare dhe përgjegjësia evropiane
  • Në Ditën e Gjenocidit në Kosovë, nevoja e Kualifikimi Juridik Ndërkombëtar për Krimet e Kryera në Kosovë (1998–1999)
  • FUNDI I REZISTENCËS SË NACIONALIZMËS 1946-1947
  • ZBULOHEN KONGRESET E BALLIT KOMBËTAR

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT