• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kryetari i një bashkie periferike

November 25, 2020 by dgreca

NGA ILIR LEVONJA/

Sot në webet shqiptare dominon indinjata e gazetarit Sokol Balla karshi kryetarit të një bashkie periferike, si Erseka. Bëhet fjalë për një festë private, datëlindje etj., mes aktorësh. Aty ka marrë pjesë edhe presidenti me familjen e tij duke shkelur urdhëresat a ligjet në lidhje me pandeminë. Shkurt gazetari i Ramës ka ngritur zërin dhe është i ”indinjuar” se përse kryeministri nuk e shkarkon nga detyra, këtë aktorin e bashkisë së Ersekës. Eshtë një nga ato rastet më flagrante për të kuptuar se sa demode është shtypi shqiptar. Ose më saktë këta që kanë zaptuar studiot dhe e kollondrisin opinionin publik shqiptar si t’u doje menderja. Ka një indinjatë fallco të një gjoja gazetari perëndimor por që në të vërtetë, është faqja e zezë e atij realiteti që në bashkëpunim me politikën kanë marr peng të gjithë shqiptarët. Janë edhe këta po aq mëkatarë sa edhe politikanët, megjithatë janë kanakarë sokakësh, pasi nëse nesër ndonjë politikan edhe mund të shkoj në burg, ata prapë aty, nga goja nuk të gjen gjë. Madje as nga morali bizarr, se siç edhe e dini nuk mbeti shqiptar pa e parë këtë sokolin e partisë, me ato video masturbimet që ta shpifnin. Ti i thua këtij çunaku që na neverite. Kurse ti jo na neverite, por nxorrëm zorrët. Megjithatë sot ke të drejtën e indinjatës publike, privilegjin sa t’i drejtohet kryeministrit gjoja i indinjuar për ta mbajtur gjindjen po ashtu, degraduese. Gjëja e parë që duhet theksuar është fakti që, gjeti kryetarin e Ersekës. Një qytet periferik, thuajse i harruar. Siç ndodh rëndom me ishujt. Një qytet që është bastion i majtë, pse jo akoma me partinë e punës. I cili edhe tabelat e diktaturës i ruajti deri vonë. Por pa i hequr edhe një presje se është trualli ku zë fill historia e dhimbshme e arsimit tonë. Gjithsesi një nga ato zona urbanistike që duan dyfish stimulime në investime për të mos firuar fare, pasi e kanë marrë rrugën e zbrazsjes me kohë. Gjeti pikërisht një kryetar i cili me siguri nuk ka asnjë klan droge, a hajdutë votash, një nga ata që nuk të kërcënon publikisht se nuk ka bir kurve që më prek mua. Dhe u indinjua sokoli i Edit. Sikur ta kishte bërë këtë me një nga ata më poshtë, më në kërthizën e vendit. Me një nga ata në Kavajë, Durrës, Vorë, Shkodër etj. Janë të gjithë kryetarë bashkish që rezultuan kontigjent i pastër i drejtësisë. Nuk i shkarkoi kryeministri, përkundrazi i mbron. Madje me atë të Durrësit i bëri karshillëk edhe Amerikës së madhe. Ky i Ersekës është cironkë e hedh në tigan se kujt po i prishet puna. Erseka një copë llapashke periferie është, për më tepër votat i kemi. Ngrije zërin për atë të Durrësit, po nuk e bën. Janë dy arsyet, a) ai u duhet dhe b) të dërrmon ai, e ka thënë publikisht nuk ka bir kurve që të më preki mua. Erseka raki kumbulle bën, ca stafille molle, gliko etj. Kurse Durrësi me kompani kanë arin e bardhë.

Sinqerisht është i neveritshëm ky stil prej figure e bërë pis.

Para pak ditësh kryeministri i Shqipërisë i postonte një futbollisti serb adhurimin antik. Por askush nuk u bë pis nga këta. Megjithëse është jo normale, për shkak të kostumit të institucionit të shqiptarëve, jo të tijit. Atij fakti që një nga motrat tona në Prishtinë e quajti një realitet të pa perceptueshëm nga ne kur vjen fjala në raportet me Serbinë. Mirëpo, këtë nuk e kuptojmë, nuk e dëgjojmë, nuk bëhemi pis. Një kryeministër që adhuron një futbollist i cili më 1999 manifestoi publikisht pro genocidit dhe reprazaljes së ushtrisë serbe karshi popullatës civile shqiptare. Pika shtetarin tonë, atë që që gjoja është indinjuar me një kasetë. Madje ka urdhëruar bajatët ku i ka të ndezim motorët double w kundër ”tradhtisë” së liderit të opozitës, karshi UÇK-ës. Sa bajate! Sa e pandershme. Sa pa profesionale. Thoni që është i mirë kur them unë. Thoni që është i keq kur e them unë. Mister bajat, nëse e do vendin tënd thuaji kryeministrit të dorëhiqet, ta çoj vedin në zgjedhje. Se e keqja e Shqipërisë nuk është kryetari i një bashkie periferike me fonde sa ato të një çerdheje në kryeqytet. Por ai i gjati që u ka futur edhe mbesat e nipojtë në borxh.

Filed Under: Analiza Tagged With: Ilir Levonja, kryetari i Bashkise, Periferike

LUFTA E KLASAVE NË SHËNDETËSINË E VITEVE 80

November 25, 2020 by dgreca

NJË  JETË  NË  DIKTATURË/

(Kujtime të një “armiku të klasës”)/

Shkruan: EUGJEN MERLIKA/

  “Ktu vaji e trishtimi/

Veç ndihet ndër shpija/

Ktu ndihet tingllimi /

I hekrave të mija/

E gjama e nji të shkreti/

Qi bjen vala e detit.”/

NDRE  MJEDA /

LUFTA E KLASAVE NË SHËNDETËSINË E VITEVE 80

Lirimin nga burgu para kohe Komisioni i internimeve e ktheu në shkurt 1984 në internim, pa asnjë farë motivacioni. Një komunikim i thjeshtë i një punonjësi të Degës, në praninë pompoze të kryetares së këshillit dhe të sekretarit të Partisë që vërtetonin aktin “human”, më fuste në një burg të dytë, por pa tela me gjemba. Ishte një modë e re n’atë kohë, një fushatë internimesh me karakter ordiner për të goditur shfaqjet e huaja me rrezikshmëri shoqërore si vjedhja, imoraliteti etj.. Në këtë fushë u përfshiva dhe unë së bashku me shumë të tjerë të liruar nga amnistia. A do të plotësonim numrin e planifikuar nga ministria e punëve të brendshme apo partia dhe shteti e shihnin me keqardhje aktin e tyre “zemërgjerë” të lirimit tonë nga burgu?

Interrnimi në ato vite kishte karakterin e një paraburgimi. Rregulla shumë të rrepta kushtëzonin jetën e përditshme e sillnin vështiresi të mëdha për lëvizjen e nevojat familjare. Të gjithë në shtëpi ishim të internuar e pasojat ndiheshin shumë, sidomos në çështjet e shëndetit. Këtu dua të tregoj  disa episode të dhimbshme. I pari ka lidhje me vajzën time të dytë, Elenën. Në moshën pesë vjeçe asaj iu shfaq një dhimbje e fortë barku që e mundonte pothuajse vazhdimisht. Mjeku i zonës dyshoi për parazitë për muaj të tërë; ajo piu gjithfarë barnash të farmacisë e të mjeksisë popullore, por pa rezultat. Vuajtjet e fëmijës së shkretë, që kalonte herë-herë dhe netë të

tëra pa gjumë në krahët tanë, na shqetësonin pa masë. Duke parë gjendjen e fëmijës dhe rezultatin jo të kënaqshëm të mjekimeve, mjeku vendosi t’a shtrojë atë në spitalin e Lushnjës. Deshëm ta çonim të nesërmen në qytet, e kërkuam lejen përkatëse nga personi që na bënte apelin e që ishte sekretar i këshillit. Por ky person, sigurisht në marrëveshje me Degën e Punëve të Brendshme e manipuloi mjekun deri në atë shkallë, sa që ky i fundit të nesërmen doli me mendimin se fëmija nuk ka nevojë për t’u shtruar në spital. Kjo ndodhte sepse unë nuk kisha të drejtë të shkoja deri në qytet për të çuar fëmijën. Le ta gjykojë vetë lexuesi gjendjen shpirtërore të një prindi në të tilla kushte. Si pasojë e pamundësisë për ta çuar vajzën tek specialistët, asaj iu bë kronike një sëmundje veshkash, të cilën e zbuloi mbas një viti doktor Polikron Çela. Atij mjeku i jam shumë mirënjohës për kujdesin dhe humanizmin e tij të spikatur në kryerjen e detyrës. Para disa kohësh lexova në gazetë se dikush e kishte qëlluar këtë mjek të shquar duke i thyer krahun. Nuk di se kush ka qenë, por jam i bindur se do të jetë shok ideali i atyre që nuk deshën të shërohej fëmija ime, më erdhi shumë keq, diçka më theri në shpirt…

Nëna ime vuan nga një koleksion sëmundjesh; vetë kushtet e jetës së saj e kanë stimuluar shfaqjen e tyre. Në kohën që ishte e internuar në Grabjan është detyruar të shtrohet dy herë në spital, në gradë të fundit, nga veshkat dhe nga zemra. Radhën e parë mjeku nefrolog Fatmir Dabulla e kishte në patronazh. Kisha patur të bëj me të për çështjen e vajzës, ai më kishte rekomanduar vizitën e saj tek Dr.Polikroni në Tiranë dhe herë mbas here e kontrollonte vetë. Nëna ishte me një krizë të rëndë pielonefriti, gati të kalonte në azotemi. Mjeku e vizitoi me kujdes, dërgonte infermieren të bënte analizën e duhur, e pastaj me seriozitet profesional më shpjegoi gjendjen e rëndë të nënës. Nuk kishim ndonjë konfidencë të madhe, ai më mbante mend një çerek shekulli më parë në shkollë, megjithëse kishte qenë disa vjet prapa meje. I shpjegova gjendjen time aktuale, se si nuk kisha mundësi t’i gjendesha nënës pranë, veçse kur të më jepte leje Dega e Punëve të Brendshme për të shkuar në qytet. Nuk reagoi me fjalë, u bë shumë serioz dhe më siguroi se do të përdorte të gjitha mjekimet e duhura e për rreth dy javë do ta stabilizonte gjendjen e saj shëndetësore… Kështu u ndava me të me besim në fjalët e tij. Por mbas rreth dhjetë ditësh më lajmëruan të shkoj të marr nënën. Si ka mundësi të jetë shëruar kaq shpejt? Më jepet leja e shkoj së bashku me një miken tonë që nuk ishte më e interrnuar. Takoj Fatmirin dhe e pyes si qëndron çështja. Ai i vrenjtur në fytyrë shtypet në vetvete e s’është në gjendje të më japë përgjigje. Po unë atë e lexoj vetë në fytyrën e tij, në atë fytyrë që para pak ditësh kishte qenë e mbushur plot besim se do t’ia dilte në krye një pune të tillë të vështirë, shërimit të një njeriu. Tani lexoja në të zhgënjimin, keqardhjen për pacienten, për mua e sigurisht dhe keqardhje për veten e tij… Ai si mjek duhej t’i shikonte ndryshe pacientët e tij, duhej t’u shërbente sipas pozitës shoqërore e politike, sipas përkatësisë “kllasore”, duhej të shkelte mbi nenin e parë të librit të madh të botës së mjekësisë, mbi parimin e Hipokratit “Të jesh mjek, së pari duhet të jesh njeri”. Më dha recetën për gentamicinën, një antibiotik i fuqishëm, të cilin ai kishte filluar t’ia injektonte nënës, por që mbas dy ditësh një tjetër mjek jo i specialitetit kishte dhënë urdhër t’i ndërpritej.

Ç’ishte ky “mjek” apo më mirë të themi kasap që e kishte dhënë urdhrin t’i ndërpritej mjekimi pa dalë nga spitali? Nuk dua t’i përmend emrin, emra të tillë e ndyjnë shkrimin, ata nuk duhet të ekzistojnë as në kujtesën e njerëzve. Ai ishte anëtar i PPSH, ishte shef pavioni, një farë polici i institucionit mjekësor, i shkolluar në sajë të farefisnisë me një zonjë të madhe të regjimit, dhe ishte i ngarkuar në spital të zhvillonte “luftën e klasave” jashtë çdo parimi njerëzor që i njeh dhe të dënuarit me vdekje të drejtën e mjekimit apo shërbimit para ekzekutimit. Çfarë përshtypje do t’i kishte bërë Marksit një fakt i tillë? Kjo shoqëri e projektuar prej tij, për të “ndrequr” padrejtësitë e botës së kapitalit, sa bukur do të përkonte me dukuri të tilla që ilustronin “humanizmin” socialist të saj në prag të vitit 2000!!!

Unë e mora nënën për krahu, me zor e çuam deri tek një makinë që për fat ishte afër spitalit dhe shkonte në Grabian. Më erdhi shumë keq për të që ishte në një gjendje të rëndë, më erdhi shumë keq edhe për veten por m’u dhimbs mjeku. Ai njeri i mirë, që mundohej të kryente detyrën me aq përkushtim e njerëzi ishte i detyruar t’u bindej tekave të një krimineli injorant, të diplomuar në armatën e të paaftëve, por që në sajë të vetëm një triske të kuqe në xhep bënte ligjin. “Socializmi është një luftë ndërmjet të aftëve dhe të paaftëve. Fatkeqësisht në këtë luftë më të shumtën fitojnë të fundit”. Këto fjalë të Ismail Kadaresë u vërtetuan pothuajse në çdo hap të shoqërisë që na rriti e na gjymtoi.

Merret me mend gjëndja shpirtërore e tij, personaliteti i vrarë, dinjiteti i çuar në pikën zero. Në një rast tjetër më vonë ai mjek, ishte qortuar deri në komitetin e partisë, sepse kishte vizituar në Pluk një të sëmurë me azotemi që i kishte ditët e numëruara. Ishte zgjatur pak në këtë vizitë, duke u munduar të kryente detyrën e tij më shumë si njeri se sa si mjek duke i dhënë kurajo pacientes për ta mbajtur të gjallë shpirtërisht me shpresën se shkenca do të bënte mrekullinë e saj. Ishte një vepër tejet humanitare: t’i largonte sadopak imazhin e tmerrshëm të vdekjes një gruaje në moshën dyzetepesë vjeçare që nuk kishte njohur në jetën e saj veçse vuajtje. Për këtë mori vërejtje në komitetin e partisë, sepse kishte shkelur në shtëpinë e të deklasuarve, nuk kishte respektuar kodin famëkeq të ndarjes së klasave. Sa turp, si do të na dënojnë brezat e ardhshëm sepse poshtërsinë dhe antihumanizmin i vumë në institucion e në piedistal…

Por megjithatë Fatmiri nuk u thye; ai vazhdoi t’i shërbejë profesionit të tij, me gjithë vërejtjet, qortimet, padrejtësitë që ndeshi në çdo çap të punës së tij, e kjo vërtetohet në qindra e qindra raste të cilat çdo ditë jeta i vu përpara si prova. Ai më pret mua dhe të tjerë si unë si njerëz, si

gjithë të tjerët, na jep këshillat mjeksore, interesohet për të sëmurët, pavarësisht se dikujt ndofta ende nuk i pëlqen ky qëndrim. Ai ka respekt për vuajtjen, për dhimbjen njerëzore, por jo thjesht si mjek, por dhe si njeri, si qytetar, si shqiptar. Dhëntë Zoti që njerëz të tillë të ketë mjaft, sepse janë kusht i domosdoshëm për ringjalljen shpirtërore të këtij kombi të sëmurë rëndë.

Herën e dytë nënën e çuan në urgjencën e spitalit, gjithmonë me lejen e këshillit popullor me një krizë të rëndë në zemër. Mjeku specialist nuk ishte aty dhe e sëmura qëndroi gjithë ditën pa u shtruar në pavion, e vetëm në mbrëmje, një mjek që e njihja mori përgjegjësinë për ta sistemuar përkohësisht në të. Unë u ktheva natën në këmbë, gjithsej 18 km udhë, mbasi firmosa fletë-lejen në degë, për t’ia dorëzuar këtu personit të ngarkuar me detyrën e policit. Mbas dy ditësh përsëri thirrem për ta nxjerrë nënën nga spitali. Nuk jam mjek, nuk kam njohuri të thella në mjekësi, por besoj se nuk do të kishte mjek në botë që të pranonte të nxirrte nga spitali mbas shtatëdhjetedy orësh një të sëmurë me parainfarkt. Këtu, në këtë proçedurë nuk respektoheshin ligjet e mjekësisë por urdhrat e Sigurimit, që njerëz të molepsur me dogmën e luftës klasore, i përçonin nëpërmjet kanaleve deri në pavionet e spitaleve, për t’u zbatuar nga homologët e tyre me bluza të bardha.

Grabian, qershor 1990

Vijon

Filed Under: Analiza Tagged With: E VITEVE 80, Eugjen Merlika, Jete en diktature, LUFTA E KLASAVE, NË SHËNDETËSINË

Irineji u shua nga COVID-19, por la pas Testamente helmuese për Kosovën shqiptare

November 24, 2020 by dgreca

Shkruan: Prof.Dr.Mehdi HYSENI/

 Me radikalizmin, me fundamentalizmin, me racizmin, me hegjemonizmin dhe me kolonializmin serbomadh, duke pretenduar që Kosovën e pavarur shqiptare ta “rikthejnë” nën Serbinë e Madhe, ashtu siç poe mbajnë Preshevën, Bujanocin dhe Medvegjën, kurrë mes shqiptarëve dhe serbëve  nuk do të ketë gjasë reale që të arrihet pajtimi, paqja  e as fqinjësia e mirë dhe e qëndrueshme  afatgjatë.

Për të mos spekuluar armiqtë e ndryshëm të Kosovës dhe të shqiptarëve, së pari, duhet nënvizoj se, ky punim, në asnjë kuptim nuk ka për qëllim politizimin e vdekjes së patriarkut serb Miroslav Gavriloviq-Irinej, por trajton vetëm disa aspekte të  deklaratave të tij, të publikuara në disa masmedia serbe derisa ai ishte gjallë në cilësinë e patriarkut të KOS-it, që drejtpërdrejt i referohen Kosovës shqiptare, të cilën Irinej, ashtu sikurse racistët dhe radikalistët e tjerë ekstremë serbomëdhenjë, Kosovën e ka quajtur “tokë, djep, zemër, kokë, atdhe serb”.  Mirëpo, kjo është gënjeshtra më e madhe dhe shpifja më e rafinuar e historiografisë falsifikatore serbe, e politikës së shtetit  serb dhe e kishës serbe, që nga themelimi i tyre e deri më sot (shekulli XXI).

Këtë gënjeshtër historike dhe gjeopolitike, serbomëdhnjtë e “justifikojnë”  se gjoja manastiret, kishat dhe varrezat e tyre “janë prova të qëndrueshme”, se  “Kosova është serbe”.

Mirëpo, as logjikisht e as shkencërisht kjo tezë nuk është e qëndrueshme dhe e justifikueshme, duke qenë se Kosova dhe territoret e tjera të Shqipërisë natyrale, gjatë priudhave dhe shekujve të mëparshëm kanë qenë të pushtuara, të sunduara dhe të kolonizuara, jo vetëm nga Serbia e Madhe, por edhe nga perandoritë: romake, bizantine dhe anadollake osmane, të cilat pas shembjes së tyre, pas vetes kanë lënë gjurmë, pllaka përkujtimore , varre dhe gjurmë të tjera të identit të tyre, jo vetëm në Kosovë, por edhe në Serbinë e sotme dhe në të gjitha vendet e tjera të Ballkanit. Mirëpo, kjo nuk do të thotë se, ato, edhe sot kanë hise në Ballkan, ngaqë Ballkani është i atyre popujve që me shekuj jetojnë në këtë pjesë të Evropës Jugore, edhe pse dikur në epoka të ndryshme historike kanë qenë të robëruar nga perandori dhe nga mbretëri të ndryshme kolonialiste dhe imperialiste.

Prandaj, as historiografia e rreme, as politika e as KOS-i, e, as patriarkët dhe priftërinjtë serbomëdhenjë nuk kanë argumente të qëndrueshme historike, kur pohojnë ose shkruajnë se “Kosova është territor serb”, edhe pse në të ka kisha dhe manastire e përemndore serbe, si dhe minoritetin serb.

Sikur të përfillej  ky “ kriter shkencor”, se “Kosova është Serbi”, duke marrë për bazë kishat dhe manastiret serbe e mbishkrime të tjera”, atërherë, del se, edhe Beogradi nuk është serb, por hungarez (gjë që ishte dikur) dhe turk, sepse, duke filluar nga Kalemegdani, Karabruma dhe nga pjesë të tjera të tij ekzistojnë  gjurmë dhe pllaka me mbishkrime hungareze dhe turke, ka pasur edhe dhjetra xhamia, ku prej tyre i ka mbijetuar kohës, vetëm  një (1) (Bajrakli xhamia) etj. Mirëpo, me gjithë këto gjurmë të identitetit të historisë së pushtimeve të huaja, as Beogradi, as  Jagodina e as Shumadia nuk janë toka të hungarezëve e as të turqve, por vetëm të serbëve dhe të popujve të tjerë që jetojnë në Serbi .

Pra, e njëjta gjë vlen edhe për Kosovën, e cila dikur ishte koloni ilegale e Serbisë (1912-1999). Mirëpo, pas kryerjes së gjenocidit të fundit serb në Kosovë (1989-1999), Serbia përgjithmonë e ka humbur koloninë e saj 100-vjeçare, pavarësisht nga numri i kishave, i manastireve, i diqezave, i varreve etj., Kosova nuk është e Serbisë, por  vetëm e shqiptarëve dhe e të gjitha minoriteteve që jetojnë në të (serbë, turq, romë, hashaklinjë, egjiptianë, goranë, çerkezë, hebrenjë, myslimanë boshnjakë).

   Radikalizmi politiki i testamenteve të  Irinejt-armë e fuqishme e politikës kolonialiste serbomadhe

Ndaj, ekziston rreziku permanent, që këto  testamente shpifëse dhe indoktrinuese shekullore, në çdo moment të shërbejnë si pretekst dhe, si detonator i kurdisur për nacionalistët shovinistë dhe racistë serbomëdhenjë që ta përflakin Kosovën, duke e konisderuar si “djepin, kokën dhe zmerën” e Serbisë. Ky është një fitil i ndezur që nga Beteja e Kosovës (1389), të cilin si KOS-i, ashtu edhe kuazishkenca, politika, diplomacia dhe propaganda serbomadhe e përdorin si armën e tyre kryesore  për të dëshmuar para popullit të tyre, si dhe para Evropës, se gjoja  historikisht “Kosova është tokë serbe”.  Mirëpo, në të vërtetë, kjo është rrena më e madhe  historike, politike dhe gjeopolitike e KOS-it dhe e patriarkut Mirsolav Gavriloviq-Irinej, që ua la amanet serbëve, duke u rikujtuar se “Kosova e Metohija janë Jerusalemi serb dhe toka e shenjtë serbe.” ( “Kosovo i Metohija su srpski Jerusalim i sveta zemlja” !?

       Misionarët religjiozë, duhet t’i shërbejnë Zotit, jo politikave pushtuese kolonialiste dhe gjenocidale

Pra, njerëzit e përcaktuar që t’i shërbejnë  Zotit në planetin tokësor, para së gjithash, duhet të jenë humanë dhe me ndjenja dhimbjeje e dashurie për çdp krijesë njerëzore, pavarësisht nga përkatësia e  tyre etnike, gjuhësore, nacionale, kulturore, religjioze dhe racore. I tillë, do të duhej të kishte qenë edhe Mirsolav Gavriloviq-patriarku Irinej, i cili vdiq  në një spital të Beogradit, më 20.11. 2020, si rrjedhojë e COVID-19.

Mirëpo, patriarku i ndjerë serb Irinej “ishte mbështetës dhe promovues i idesë së Serbisë së Madhe”. Këtë, ai e pati shpërfaqur edhe  gjatë viteve ’90 të shekullit XX, sepse nuk  u dëshmua si human dhe i drejtë ndaj fqinjve kroatë, myslimanë boshnjakë dhe shqiptarë, ngase asnjëherë me KOS-in e tij nuk e ngreu zërin kundër  tri luftërave agresive gjenocidale të Serbisë së Slobdan Milosheviqit kundër Koracisë, Bosnjës dhe Kosovës. Madje, as pas përfundimit të këtyre luftërave, që morën me qindra e me mijëra viktima kroate , myslimane boshnjake dhe shqiptare të pafajshme, ish-patriarku Irinej , asnjëherë nuk u prononcua para opinionit publik, që si misionar i Zotit, t’u shprehte ngushëllime dhe t’u kërkonte falje kroatëve, myslimanve të Bosnjës dhe shqiptarëve të Kosovës për të gjitha viktimat e shkaktuara nga kriminelët paramilitarë, militarë dhe policorë serbë të regjimit pushtues të Slobodan Milosheviqit (1989-1999).  Madje, ashtu sikurse politika zyrtare e qeverive të Serbisë (pasmillosheviqiane) në paqe (2000-2020), ish-patriarku Miroslav Gavriloviq-Irinej nuk  pranoi se Serbia ka kryer tri gjenocide kundër kroatëve, myslimanëve boshnajkë dhe shqiptarëve. Mirëpo, ky qëndrim negativ dhe antihuman i Irenjt nuk është befasues dhe, as i papritur, sepse ky me priftërinjtë e tij i patën bekuar të gjithë kriminelët barbarë serbë, që t’i vrisnin kroatët, myslimanët dhe shqiptarët, në mënyrë që t’ua pushtonin tokat e tyre, me të fundmin qëllim, që t’i rizgjeronin kufijtë territorialë dhe shtetërorë të Serbisë së Madhe të Ilija Garashaninit (1844).

Irineji-humbje e madhe për politikën kolonialiste serbomadhe, sepse vdiq pa rikthimin e Kosovës nën Serbinë kolonialiste !

Ndërkaq për politikën antikolonialiste dhe të koekzistencës paqësore të pajtimit të popujve në Ballkan, nuk paraqet kurrfarë humbjeje dhe kurrfarë vakuumi, por një shpresë të vogël , që pas shuarjes së tij, pasuesit e tij serbë: patriarkët dhe priftërinjtë e KOS-it, do të vetëdijësohen  dhe, do ta këshillojnë popullin serb dhe shtetin serb, se me urrejtje, me armiqësi, me vrasje, me masakra dhe me gjenocid kundër shqiptarëve, kundër kroatëve dhe kundër myslimanëve boshnjakë fqinjë, nuk mund të arrihet kurrfarë pajtimi, kurrfarë paqeje , kurrfarë tolerance dhe kurrfarë mirëbesimi.  Dhe, mbi të gjitha, duhet t’ia bëjnë të qartë si dielli popullit serb, se “nuk humbet diçka që nuk ka qenë pronë e jotja”. Pra, serbët, duhet të pajtohen me mendjen dhe me zemrën e tyre (pavarësisht gënjeshtrave, manipulimeve dhe shpifjeve të liderëve politikë, të kuazishkencëtarëve, të priftërinjve dhe të propagandës dezinformuese ditore serbomadhe),duke përqafuar të vërtetën se,  as Serbia e as serbët nuk e kanë humbur Kosovën, sepse kjo kurrënjëherë në historinë e saj nuk qenë tokë e ligjshme e Serbisë e as e serbëve (pavarësisht nga kishat dhe nga manastiret serbe në Kosovë), por PJESË e tërësisë territoriale dhe etnike e SHQIPËRISË NATYRALE.

Prandaj,logjika e shëndoshë humane dhe e drejtësisë thërret botërisht opinionin gjerë progresiv dhe demokratik e paqësor serb se, ka ardhur momenti historik, që  për Kosovën shqiptare, të mos vdes dhe, të mos vritet asnjë serb, sepse është tokë e huaj, zot i së cilës është Shqipëria dhe shqiptarët, jo Serbia, Greqia apo ndonjë shtet tjerër fqinjë.

Në një formë të ngjashme, kështu ka apeluar dikur (1912-1914), edhe socialdemokrati më i madh serb, Dimitrije Tucoviq, se “Derisa serbët të mos kuptojnë se ndodhen në tokat e huaja-shqiptare, kurrë as Serbia e as serbët nuk do të arrijnë paqe e as pajtim me shqiptarët”.

Prandaj, është  çasti historik vendimtar, që politika shtetërore dhe KOS-i, të lirohen njëherë e përgjithmonë nga recidivat e së kaluarës tragjike, që u kanë shkaktuar shqiptarëve, sepse ajo çka nuk është serbe, kurrë nuk do bëhet serbe. Prandaj, priftërinjtë serbë, duhet të zgjohen nga letargjia mesjetare e mitomanisë, e gënjeshtrave, e manipulimive, e falsifikimeve  dhe e mashtrimeve të popullit të vet serb, sepse  tokat e kolonizara të shqiptarëve (siç është Kosova, Presheva, Bujanoci, Medvegja, Novi Pazari etj.) dot nuk do jenë prona të tyre legale të përjteshme.

Kosova në kronikën e zezë historiko-politike të ish-patriarkut  serb Irinej

-Rrena më e madhe propagandistike e Irinejt, që ua la amanet serbëve, është kjo: “Kosovo i Metohija su srpski Jerusalim i sveta zemlja” !?

Ky prononcim i ish-patriarkut serbomadh, Miroslav Gavriloviq-Irinej, është falsifikat historiografik, politik dhe kishtar serbomadh shekullor, sepse Kosova kurrë nuk ka qenë “Jerusalem serb e as tokë e shenjtë serbe”, por vetëm koloni ilegale, e shkëpuitur  me gjenocid nga tërësia territoriale natyrale e Shqipërisë etnike (1912).

Këtë rrenë dhe falsifikat të serbomëdhenjve kolonialistë dhe pushtues të tokave entike shqiptare, Ballkani, Evropa dhe pothuajse e gjithë bota kanë pasur rast ta lexojnë dhe ta dëgjojnë përmes lutjeve kishtare serbe, akademisë serbe, politikës serbe, diplomacisë dhe propagandës serbe. Megjithëkëtë të pavërtetë të paskrupull, Kosova kurrënjëherë nuk ka qenë “tokë e shenjtë serbe” e as “Jerusalimi serb”, por vetëm një koloni shekullore e Serbisë (1912-1999).

Kjo është e vërteta historike, që dëfton se Kosova me mijëra vjet ka qenë tokë autoktone pellzago-ilire-shqiptare. Mirëpo, Serbia me aleatët e saj kolonialistë dhe imperialistë, Kosovën e ka aneksuar me dhunë, me luftë, me terror, me masakra dhe me gjenocid, jo më pak se 100 vjet.

Mirëpo, më 12 qershor 1999, Serbia humbi luftën pushtuese gjenocidale serbe në Kosovë, në saje të UÇK-së, të NATO-s dhe të Amerikës. Kështu që, Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, i njohur nga më se 100 shtete me Amerikën në krye. Si rrjedhojë, Serbia nuk ka asgjë në Kosovë veç minoritetit të saj serb dhe kishave e manastireve, duke qenë se historikisht Kosova është e shqiptarëve dhe e Shqipërisë etnike.

Këtë  të vërtetë e mbështet edhe  Wesley Klark, ish-komandant i udhëhejes së operacioneve ajrore luftarake të NATO-s në bombardimin e Serbisë së Slobodan Milosheviqit (24 mars-10 qershor 1999) :  “Kosova nuk është tokë serbe, por e shqiptarëve. Serbët në veriun e Kosovës kanë lidhje kulturore me Serbinë. Mirëpo, Kosova nuk është vendi i tyre…” (https://www.novosti.rs/vesti/naslovna/politika/aktuelno.289.html:350753-Klark-Kosovo-nije-srpska-zemlja)

 Disa nga deklaratat politike raciste të ish-Patriarkut serb, Irinej, sipas të cilave, “Kosova është serbe”

(1)

“Serbia pa shenjtëri dhe pa Kosovën nuk është Serbi. Ne nuk mund të japum atë që me shekuj është e jona, e kurrë nuk i përkiste shtetit shqiptar.”https://www.blic.rs/premium/srbija-bez-svetinja-i-kosova-nije-srbija-ovako-je-patrijarh-irinej-govorio-o-kosovu/62efmv9 ;

2.

“Gjithmonë kam folur se për të zgjidhur problemin e Kosovës, kusht i pari, duhet të jetë kthimi i sigurt i mbi 250.000 mijë serbëve, të përndjekur gjatë viteve (1999-2004). Së pari, bashkësia ndërkombëtare, duhet të na ndihmoj lidhur me këtë çështje, pastaj të organizojë negociata për temat e tjera.” (http://rs.n1info.com/Vesti/a661283/Patrijarh-Irinej-o-Vucicu-i-Kosovu.html );

3.

Me rastin e vizitës  “ Prizrenit mbretëror” të “car Dushanit”, siç e ka quajtuar Irinej, në muajin nëntor 2018, patriarku serb, Irineji, kështu, me nostalgji ishte “përlotur” para fëmijëve serbë :  “ Këtu, unë ndihem më së miri në përqafimin e Sharrit, në frymëzimin e Drinit, ku vera e shenjtë të dehë në aromën e saj. Dhe, kudo që ndodhem, në zemër të kam ty, o Metohia ime, Metohia ime”https://www.kosovo-online.com/vesti/drustvo/patrijarh-irinej-jedini-put-snimljen-sa-suzama-u-ocima-2018-na-kosovu-22-11-2020

5.

Gjithashtu, me rastin e vizitës së Manastirit të Graçanicës (2018), patriarku Irinej ka deklaruar se “ Kisha serbe nuk ndryshon qëndrimin e saj për Kosovë dhe Metohi. Nuk pranojmë kurrfarë ndarjeje, dhe, nuk guxojmë t’u japim shqiptarëve Kosovën.” https://www.radiokim.net/video/prilozi/patrijarh-irinej-nikakva-podela-ne-smemo-da-im-damo-kosovo.html

6.

Edhe pse Kosova  është shqiptare, edhe Irinej si të gjithë serbomëdhenjtë e tjerë të derisotëm të Serbisë së Madhe,  Kosovën e quajnë “vend të shenjtë serb”.

Ja, se sa irracional , mashtrues dhe manipulues që ishte Irinej, kur shprehet  se: “Nëse ne e harrojmë Kosovën, edhe Kosova do të na harroj neve… Serbia pa shenjtëri dhe pa Kosovën nuk është Serbi. Serbia pa Kosovën është pa  shpirt, pa kokë dhe pa zemër. Serbia pa Kosovën, është njësoj si kur njeriut ia nxjerrin zemrën, ai më nuk është njeri”. https://www.standard.rs/2020/11/22/pokret-za-odbranu-kim-patrijarh-irinej-cuvar-svete-zemlje/

Sa më sipër, mbetet për t’u shpresuar se me vdekjen e patriarkut Irinej, do të marrë fund edhe politika  hegjemoniste, radikaliste, kolonialiste dhe imperialiste serbomadhe ndaj vendeve fqinje në Ballkan, sepse serbët dhe shqiptarët e mertojnë të jetojnë në paqe dhe në mirëbesim.

Filed Under: Analiza Tagged With: Irenej, Prof. Dr. Mehdi Hyseni, Testamente Helemuese

Shqiptarët kanë nevojë edhe tani për Amerikën sikur para 101 vjetësh…

November 21, 2020 by dgreca

Gati 101 vjet pas Konferencës së Parisit, shqiptarët, falë përkrahjes së madhe të SHBA-ve, udhëheqin dy shtete, Shqipërinë dhe Kosovën, e cila ende nuk e ka përmbyllur procesin e anëtarësimit në OKB dhe organizatat e mekanizmat tjerë euro-atlantik dhe ndodhet përballë një rreziku për zhbërje të pavarësisë, nëse hynë në kurthin e korrigjimit të kufijve.

NGA XHYLIJE IBRAHIMI*-

Populli shqiptar, me shekuj ka luftuar për mëvetësi dhe identitet shtetëror. Pa Amerikën, sikur para 101 viteve, edhe tash 101 vite më vonë shqiptarët nuk do të ishin këta që janë dhe këtu ku janë. 

Kërkohet shumë mençuri nga politikanët shqiptarë për ta përballuar edhe sfidën e fundit në rrugën e gjatë të arritjes së pavarësisë dhe konsolidimit të shtetit të dytë shqiptar në Ballkan. Po e përsëris: Pa Amerikën, rreziku për humbje, është i madh.

Fati deshi që në Paris, më 1919, ku ishin mbledhur burra shteti, diplomatë, bankierë, ushtarakë, profesorë, ekonomistë dhe gjykatës nga të gjitha anët e botës për të vendosur për çështje të mëdha, të jetë edhe presidenti amerikan Uilson.

SHBA-ja, me këmbëngulje kundërshtoi ndarjen e Shqipërisë, që ishte kërkesë e pareshtur e shteteve fqinje dhe Fuqive të Mëdha. 

Presidenti i SHBA-së Uillson (Woodrow Wilson), në fjalimin tij, kishte deklaruar se: ”Është diçka e frikshme të çosh këtë popull të madh paqësor në luftë… Por e drejta është më e çmuar se paqja dhe ne do të luftojmë për çështjet që i kemi ruajtur gjithmonë si më të dashurat në zemrat tona, për demokracinë, për të drejtën e atyre që i nënshtrohen pushtetit, që t’u dëgjohet zëri në qeveritë e tyre, për të drejtat dhe liritë e kombeve të vogla, për një pushtet universal të së drejtës, nëpërmjet një bashkimi të tillë të popujve të lirë, që do t’u sillte paqen dhe sigurinë gjithë vendeve dhe do ta bënte më në fund vetë botën të lirë”.

Kishte zëra për ndarjen e Shqipërisë në mënyrë të atillë që pjesa veriore, përfshirë edhe Shkodrën t`i jepet Malit të Zi, pjesa qendrore, përfshirë edhe Durrësin, t`i jepet Serbisë, ndërsa ajo jugore, përfshirë edhe Vlorën, t`i jepet Greqisë. Kjo arsyetohej me faktin se “shqiptarët janë një popull jo i qetë, malësor dhe pa një shoqëri të organizuar mirë”.

Shqiptarët mbështetën shumë shpresa tek Konferenca e Paqes dhe sidomos tek presidenti Uillson. Në një takim me Nolin, presidenti Uilson kishte siguruar atë se do ta ndihmonte Shqipërinë. 

Presidenti Uilson, së bashku me delegacionin amerikan pati ndikim vendimtar në zgjidhjen e çështjes së Shqipërisë, në kuptimin që me qëndrimin e tij pengoi zgjidhje të parakohshme, të cilat në kushtet e asaj kohe, do të ishin me siguri në dëm të Shqipërisë. 

Në Konferencën e Paqes në Paris, nuk u zgjidh çështja e Shqipërisë së jugut, por suksesi i kësaj konference në favor të shqiptarëve qëndron në faktin se Presidenti Uillson pengoi jetësimin e Traktatit të fshehtë të Londrës, të vitit 1915, i cili nënkuptonte eliminimin e Shqipërisë. 

Presidenti Uillson dhe delegacioni amerikan, me vendimet e tyre në këtë Konferencë penguan fuqitë evropiane të realizojnë propozimet mbi zgjidhjen e problemeve të Ballkanit, të paraqitura nga shtete fqinje të Shqipërisë, propozime këto që dosido çonin në copëtimin e trojeve shqiptare.

Presidenti Uillson kishte vdekur në shkurt 1924 dhe ishte varrosur pa ceremoni shtetërore.

Konsullata e Shqipërisë në Amerikë e njoftonte përmes një shkrese Ministrinë e Jashtme (shih shkresën zyrtare) për dërgimin e një telegrami ngushëllimi zonës së presidentit Uillson, ku i shprehte ngushëllime në emër të popullit shqiptar. Njëherësh, Konsullata njoftonte se me kërkesën e zonjës Uillson, varrimi nuk u bë me ceremoni shtetërore.

………………………………

*(Autorja është master i diplomacisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare)

Filed Under: Analiza Tagged With: 101 vjet me pas, Nevoaj e shqiptareve, Xhylije Ibrahimi

Depolitizimi i pushtetit-mision i demokracisë pluraliste

November 19, 2020 by dgreca

Duke marrë parasysh pushtetin autoritar për tre dekada edhe në pluralizëm në Mal të Zi, idea e depolitizimit të pushtetit  do të jetë  sfidë për qeverinë e re në procesin e reformimit dhe të demontimit të strukturave ekzistuese në nivel qendror dhe ate lokal, duke vlerësuar si kriter profesionalizmin  e jo përkatësinë partiake, që do të jetë dëshmi praktike e ndryshimëve në qeverisje si kudo në botën demokratike 

Shkruan: Nail Draga

Por, më të drejt bëhet pyetja se çka mund të bëjë në këtë drejtim Qeveria e re e cila ka obligime dhe përgjegjësi në udhëheqjen e Malit të Zi në mandatin e saj, në këtë kohë të krizës së përgjithshme ekonomike, shoqërore e shëndetësore, për të realizuar në praktikë premtimet e dhëna elektoratit votues gjatë fushatës parazgjedhore. Nuk ka dilemë se përgjegjësia kryesore bie mbi kryetarin e qeverisë, por as ministrat nuk mund të jenë pa përgjegjësi, sepse ata do të japing lloragi për veprimet në resorët përkatës. Madje opinioni pret me padurim fillimin e punës së kësaj qeverie, për të parë ndryshimin apo vazhdimësinë e qeverisë së mëparshme. 

Duke marrë parasysh se koalicioni i shumicës parlamenatre është përcaktuar për qeverinë e ekspertëve, do të thot se janë mënjanuar figurat politike që është risi në skenën politike, mbetët të shihet se sa do të kenë ata mundësi praktike për ta realizuar këtë mision.

Angazhimi i personave të ndryshëm në qeveri në cilësinë e ministrave pa përkatësi partiake,  është përgjegjësi kryesisht e kryeministrit sepse ai ka zgjedhur ekipin me të cilën do të punojë, duke marrë parasysh referencat e tyre profesionale. Një veprim I tillë jep për të kuptuar se ata nuk do të jenë në presionet partiake, dukuri e cila iu mundëson autonomi personale dhe profesionale për të vendosur për të zgjedhur kuadrat e ndryshme në resorin përkatës. Dhe si të tillë ata do të jenë baza e fillimit të depolitizimit të pushtetit duke filluar nga lart që do të jetë risi në qeverisjën shtetërore në Mal të Zi. 

Por,duke marrë parasysh përbërjen heterogjene të shumicës parlamentare, interesat personale si dhe animozitetin e dëshmuar, nuk ka dilemë së do të ketë divergjenca brenda tyre,  andaj mbetët të shihet se a do të jenë pengesë ne realizimin e angazhimeve konkrete  në këtë drejtim. 


Sovraniteti i qytetarit

Në sajë të fitorës së opozitës në zgjedhjet parlamentare të mbajtura me 30 gusht 2020, për të parën herë qytetari votues është sovran, ku vendosi me ndërgjegje me votën e vet ndryshimin e pushtetit. Si të tillë janë ata relaksuar duke dëshmuar  guximin e munguar vite më radhë, sepse pushteti i mëhershëm kishte monopolizuar edhe votën e qytetarëve. Ndërsa ndarjët politike dhe ata fetare në bashkësinë ortodokse  në Mal të Zi arritën nivelin më të lartë, në këtë vit zgjedhor, që u manifestu me shëtitjet fetare, ku si shkak ishte ligji për lirinë e bashkësive fetare, që definitivisht përcaktoj edhe rezultatin e tyre zgjedhjeve në favor të opozitës. 


Ekipi i ekspertëve si „fushë e minuar“

Sistemi ekzistues me përvojën tridhjetëvjeçare pothuaj është „betonuar“, përmes kuadrave partiake,  andaj  qeveria e re  duhet të angazhohet ne demontimin e tij, por nuk ka dilemë  se  ekipi i ekspertëve  nuk do ta ketë të lehtë, sepse duhet të eci ne “fushën e minuar“, andaj edhe sukseset do të jenë të diskutueshme. Pikërisht në ketë aspekt duhet të dëshmohet qendrimi dhe angazhimi konkret në fushën e depolitizimit të strukturave dhe të institucionve qeveritare.

Çdo angazhim në këtë aspekt qoftë edhe minimal, duhet  mbeshtetur, sepse edhe rruga ma e gjatë fillon me hapin e parë. Andaj mbetet obligim i shumicës  së re parlamentare që të angazhohet në këtë drejtim, për të ndryshuar  status quon ekzistuese që është „prodhim“ shumëvjeçar  nga qeverisja e mëparshme.


Neoliberalizmi dhe dështimi i privatizimit


Ndërsa  nga fusha e ekonomisë, qeverisja e re duhet të merret jo vetëm me strukturën e saj por duke eliminuar konceptin e neoliberalizmit, duke ofruar qasje tjetër dhe zgjidhje në këtë drejtim. Po ashtu duhet të rishqyrtohen marrëveshjet dhe kontratat në procesin e privatizimit të ndërmarrjeve shtetërore, të cilat në sajë të procesit të tillë janë plaçkitur  në forma të ndryshme, duke lënë pa punë një numër të konsideruar të punësuarish. Në këtë aspekt, deri më tash askush nuk ka dhënë përgjegjësi, edhe pse ka raste  të shumta të dështimit,  ku kryporja  e Ulqinit  paraqet rast të veçantë të hulumtimit, sepse ishte e vetmja fabrikë e tillë në vend, por gjoja u privatizu  dhe u plaçkit në formën ma të vrazhdë të mundur.

Partitokracia pengesë e depolitizimit

Andaj, duhet bërë përpjekje  për të filluar me procesin e depolitizimit sepse kemi të bëjmë me një të drejtë të mohuar të qytetarëve, sepse deri më tash ka dominuar autokratizmi në udhëheqje dhe sistemi i partitokratisë në qeverisje. Kemi të bëjmë pikërisht me partitë e ndryshme politike të cilat nuk zgjedhin mjete për të fituar ndonjë mandat qoftë të këshilltarit apo të deputetit, duke u bërë pjesë e qeverisjës, për përfitime të ndryshme. Dhe të tillët nuk marrin parasysh vlerat dhe parimet por interesin personal apo të klanëve të ndryshme.

Është koha e fundit për të  vlerësuar profesionalizmin  e jo përkatësinë partiake  si kriter bazë  i punësimit që do të jetë hapi vendimtar në procesin e depolitizimit të  pushtetit, përfundimisht edhe në pluralizëm, si në nivelin lokal dhe ate qendror, si kudo në vendet demokratike.

(Nëntor 2020)

Filed Under: Analiza Tagged With: i pushtetit, Nail Draga

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 319
  • 320
  • 321
  • 322
  • 323
  • …
  • 975
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Vorea Ujko (1931- 26 JANAR 1989)
  • Vatra në Boston ju fton në ngritjen e Flamurit të Kosovës më 14 Shkurt 2026
  • Arritje e rëndësishme në studimet albanologjike: Shefkije Islamaj “Ligjërimi, gjuha, stili në krijimtarinë letrare moderne dhe postmoderne të Rexhep Qosjes”
  • Grupet shoqërore me civilizim të vonuar…
  • Marin Barleti, personaliteti më i shquar i humanizmit shqiptar dhe një ndër më të rëndësishmit të humanizmit evropian
  • Arbërishtja – një gjuhë pa shtet që mbijeton mbi 500 vjet në diasporë
  • Në Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit
  • Laver Bariu, ustain i madh i sazeve të Përmetit, madhështia e një shpirti të bukur që ka mbetur i gjallë në muzikën e tij
  • LAVDI KËTYRE BURRAVE QË LARTËSUAN KOMBIN TONË
  • Një ishull, një gabim: Investimet e huaja janë të mirëpritura—por jo me çdo çmim
  • Z. Shpëtim Tim Qorraj hapi fushatën për t’u zgjedhur në Parlamentin e Nju Jorkut 
  • Gjyshi i Ismail Qemalit, Ismail Bej Vlora e shihte perspektivën e një të ardhmje të pavarur të shqiptarëve
  • ATHANAS GEGAJ PER ORIGJINEN E ARBNIT
  • VAZHDON KRIMI SHTETËROR NDAJ AT GJERGJ FISHTËS: I PËRJASHTUAR NGA SHTETI QË AI MBROJTI
  • SHQIPTARËT DHE MAQEDONIA E VERIUT MIDIS UNITARIZMIT DHE DEMOKRACISË KONSENSUALE

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT