• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Haga ftoi Ali Ahmetin, Çfarë e lidh me Presidentin Thaçi?

July 23, 2020 by dgreca

-Ftesa e Hagës për Ahemtin ka qenë e ditur para zgjedhjeve, por kreu i BDI-së ka pranuar t’i përgjigjet pozitivisht asaj pas mbylljes së betejës elektorale. /

Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrimi, Ali Ahmeti është ftuar nga Gjykata Speciale me seli në Hagë, për t’u intervistuar në cilësinë e dëshmitarit. 

Lajmi u bë me dije nga vetë krreu i BDi i cili përmes një statusi në faqen e vet në Facebook shprehet se ‘dhomat e specializuara të Republikës së Kosovës, gjegjësisht prokuroria speciale e Kosovës, si një nga themeluesit e UÇK dhe anëtar i shtabit të përgjithshëm, më ka ftuar në cilësinë e dëshmitarit dhe pa hamendje kam pranuar ftesën si dhe kam vendosur kontakt konstruktiv dhe bashkëpunues me zyrtarët në Hagë’.

“Gjithmonë kam qenë ithtar i drejtësisë joselektive dhe jam në dispozicion të tërësishëm të organeve të drejtësisë për ta dëshmuar çiltërsinë e luftës çlirimtare të popullit shqiptar përballë gjenocidit të regjimit serb të Millosheviçit”, përfundon  Ahmeti.

Analisti Latif Mustafa theksoi se ftesa e Hagës për Ahemtin ka qenë e ditur para zgjedhjeve, por kreu i BDI-së ka pranuar t’i përgjigjet pozitivisht asaj pas mbylljes së betejës elektorale. 

Ai shtoi se kjo çështje ka shkaktuar reagime dhe çudi në opinionin publik, ku shumë aktorë sipas Mustafës, kanë ngritur pikëpyetje se çfarë lidhje ka Ali Ahmeti me akuzat që Haga ka ngritura ndaj presidentit Thaçi.

“Maqedonia e Veriut sapo e ka kaluar një faze zgjedhore, çështja e ftesës ndaj Ali Ahmetit dhe ajo që flitet në media është se Ali Ahmeti ka qenë i ftuar para zgjedhjeve. Ftesa ka qenë e ditur para zgjedhjeve, por Ali Ahmeti ka vendosur tani të paraqitet. Sa i përket reagimeve, UÇK është një pikë e nxehtë sa i përket çështjeve kombëtare qoftë në Maqedoninë e Veriut, qoftë edhe në Kosovë. Kampi shqiptar është i ndarë në njëfarë mënyrë, por edhe i habitur se çfarë mund të këtë lidhje Ali Ahmeti me aktakuzën për krime e drejtuar presidenti Thaçi dhe Kadri Veselit”, tha ai.

Duke iu kthyer historisë dhe dëshmive të eksponentëve të Lëvizjes Popullore të Kosovës, z. Mustafa tregon detajet, të cilat mund t’i japin një përgjigje se pse Haga e ka ftuar Ali Ahmetin në cilësinë e dëshmitarit.

“Siç e di edhe publiku i gjerë, UÇK-ja ka qenë produkt i formacionit politik të Lëvizje Popullore të Kosovës (LPK), e cila u formua në Stamboll në vitin 1982, fill pas vrasjes së Vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zeka në Gjermani. Aty vepronin tre fraksione; Fraksionet e Xhaver Shatrit, Ibrahim Kelmendit dhe Milaim Zekës. Ali Ahmeti bashkëngjitet në 1984 dhe vepron në kuadër të fraksionit të Ibrahim Kelmendit. Gjatë luftës së UÇK, ka qenë përgjegjës për Shtabin e Dukagjinit, ku ka qenë përgjegjës dhe komandat Ramush Haradinaj. Eksponentë të LPK, kanë thënë se Ali Ahmeti është njëri ndër themeluesit e UÇK në Luzern të Zvicrës, ashtu siç thotë Muhamed Kelmendi.  Nuk kanë qenë as Thaçi dhe as Kadri Veselit. Sipas Muhamed Kelmendit, edhe Thaçin edhe Veselin në UÇK e ka sjell Ali Ahmeti. Është shumë e natyrshme në një farë mënyrë që të ftohet Ali Ahmeti, pasi ai iu paraprin të dyve. Kjo me siguri mund të hap edhe dosje të tjera, që mund të shkojnë deri tek veprimtaria e LPK-së”, tha ai.

Filed Under: Analiza Tagged With: Ali Ahmeti ne Hage, Lidhja me Thacin

O bashkohuni e rrëzojeni, o boll u ankuat

July 23, 2020 by dgreca

Nga Ilir LEVONJA/ Florida

Tani radhën e protestave e kanë ata të klubeve të natës. Por pak kush po i dëgjon. Megjithatë ata dolën. Madje edhe e shanë me libër shtëpie Edi Ramën. Dhe në protestë ishin po vetëm ata. Nuk iu bashkua kush. Çdo kush ka hallin e vet. Kanë nge violinat e natës. Kështu të përgjigjen të tjerët. Kështu ndodh në Shqipëri. Ju kujtohet besoj. E nisën studentët, në kapërcyellin e dimrit 2018-2019 por nuk iu bashkua kush. E para opozita u distancua sikur studentët po ankoheshin për një qeveri alienësh. Madje me mjeshtri u përdorën edhe ca grupe studentësh që një e më dy thoshin se nuk janë protesta politike por ekonomike. Megjithëse dëmet më të mëdha ekonomike vinë nga revanshet politike apo e thënë troç, nga tekat e politikës. Shembullin më të freskët keni faturën tashmë të depozituar prej 109 milion eurosh karshi një televizioni a investitori të huaj. Dhe ta besosh që një brez që merret drejtpërdrejtë me studimet të injoroj këtë, pra faktin që kanceri ekonomik zë fill nga politika, është e dhimbshme, po ja që ndodhi në Shqipëri. Plot 3 vjet protestuan artistët e teatrit kombëtar, nuk iu bashkua kush. Kanë ngenë ata, kemi halle të tjera. Kështu thoshin. Veç tek-tuk ca shfaqje më shumë show për tregun e politikës se sa fitore për mos cenimin e të drejtës civile mbi vlerat kulturore dhe historike. Po kaq vite kishin edhe një grup qytetarësh që protestonin për prishjen e banesave, për shkak të ndërtimit të një unaze. Ishin viktima të informalitetit në tregun e dyndjeve, a në vrullin trojeve të xanuna. E megjithatë askush nuk iu bashkua. I njëjti avaz, kanë ngenë ata, kemi halle të tjera. Protestuan fermerët, i derdhën bidonat me qumësht faqe botës, në kryqëzime rrugësh, para kamareve. Ua hapën spontet rimorkiove të zetorëve mezhdave të parcelave ku hodhën çfarë prodhuan, ku e kishin e nuk e kishin, trangullin, qepën, pataten, domaten. Por kush nuk ua vuri veshin. E kanë ngenë ata, mirë ua bëjnë, i kanë çmimet në stratosferë. Pse qeveria u thotë të mbjellin të gjithë domate? Ja kjo është shoqëria jonë, të gjithë për vete e asnjë për shoqërinë. Pasi shoqëria nuk është vetvetja. Tanimë po protestojnë këta të klubeve të natës. Dhe qeveriu është po aq ironik sa ishte me ata të teatrit, me ata të studimeve, me ata të domateve etj. Të gjithë bëjnë sehir njëri-tjetrin. Kurse gjallesa puplon, kërcënon me sy, nënqesh, i bënë dhe ata përballë të gajasen me batutat e tij. O dilni të gjithë, o mos u ankoni grupe-grupe se shtatëdhjetë qeveri të ndërrohen në rajon, shtatëdhjetë breza të kalojnë, Edi Rama nuk ikën. Nuk ka për të ikur kurrë me votë. Kurrë me afera marrëveshjesh, madje është koha më brutale, më ironike, kur debatohen marrëveshje me individë listash deri tek broshura themeltare e shtetit. Po ju nuk doni ta kuptoni. Vazhdoni se edhe shtatëdhjetë vjet të tjerë do ta shani Edin me libër shtëpie, veç ama ai në qeveri e ju ankonjës.

Filed Under: Analiza Tagged With: Ilir Levonja, o boll u ankuat, Rrëzojeni

PRIMO SHLLAKU MBI DEBATIN RRETH MARTIN CAMAJT DHE ERNEST KOLIQIT

July 21, 2020 by dgreca

Primo Shllaku komenton ekskluzivisht për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, debatin mbi figurën e Martin Camajt dhe Ernest Koliqit dhe shprehet se regjimi komunist shqiptar shkatërroi virtytet e kombit për të ndërtue me gërmadhat e tyre veset e tij perverse dhe antiqytetnuese. Me Primo Shllakun bisedoi gazetari i Diellit Sokol PAJA. 

PSE SOT DEBATI MBI FIGURËN E CAMAJT DHE KOLIQIT?

Koha e hapjes së këtij debati mbetet edhe ajo për t’u diskutue dhe për t’u hamendësue sepse metodat e plasjes së skandaleve politike të bujshme kanë qenë veçanti e kulturës “bizantine” të socializmit real shqiptar. Pra gjendej një kohë kur njerëzit e kishin mendjen tek pushimet dhe impakti do të ishte ma i vogël dhe qëllimtarët do ta kalonin ma me pak kosto “klasën”. Asht shum e vështirë të thuhet me saktësi nëse kjo kohë pa kohë e plasjes së kësaj shashke tymçe ishte nji përpjekje për matje pulsi, nji “paradhanie” për nji veprim të akademisë, apo edhe ndoshta nji “tekë” e nji njeriu që merret me arkiva sepse e ka hobby dhe i pëlqen të gjendet në mesin e fërkimeve ma të ashpra dhe të një shitstorm-i tue dëshmue edhe njifarë prirjeje të kjartë prej mazokisti. Mohimi i qëllimeve të mirëfillta studimore dhe hjedhja e temës me interpretime dhe aksiologji shpesh të pabaza dhe të paplota për të ndërtue silogjizma solide, na ka lanë të gjithëve para nji pyetje që nuk na detyron ta amnistojmë këtë hapës së kutisë së Pandorës me argumenta naivë dhe përbuzës e mospërfillës. Lidhja me një anëtar të ri të Akademisë shqiptare, e cila i mundësoi botimin tek faqja e tij “Peizazhe të fjalës” dhe pastaj replika ime e shpejtë dhe kërkimi i skjarimeve tek Akademia, më duket se i bashkuan pikat e daljeve dhe na dhanë një drejtëz që nuk premton kohë të kthjellët.

PSE SULMOHEN DHE BALTOSEN KUNDËRSHTARËT E REGJIMIT KOMUNIST? PO ATA QË I SHËRBYEN REGJIMIT?

Unë nuk mendoj se asht baltosje. Baltosja asht diçka që të len gjallë dhe ti edhe mund të lahesh. Goditja ka qenë nën bel dhe asgjasuese. Tue u nisë nga ndjeshmënitë e tradicionale të alergjisë që në shoqninë shqiptare ngjall fjala “spiun”, raportet e Auron Tares kanë qenë asgjasuese në qëllimin e tyne final. Fjala “spiun” në nji mjedis të mbushun me “spiunë” të të gjithë llojeve e të të gjithë kohnave, për paradoks asht e mbetet sot e gjithë ditën nji sinonim i pushkatimit moral, por edhe fizik. Prsonalisht më duket se dikujt ose disave, mbase edhe ndonjë institucioni, i interesonte që dikush, ashtu “si për lojë” të hidhte një gur në ujë dhe aty të shkaktohej një cunami me Koliqin e Camajn si viktima të sigurta. Meqë ne shqiptarët kemi adoptue në vendin tonë prej plot 30 vjetësh një sistem demokratik të tipit europian liberal, në pikëpamje të pozicionimit ideologjik si fashizmi ashtu edhe komunizmi shihen si ekstreme që edhe empirikisht kanë tregue se janë kundër lirisë, kundër të drejtave të njeriut, pro konflikteve dhe luftës si mjet për zgjidhjen e kontradiktave etj. Pra që të dy ato skaje sollën ndër ne regjime që populli i damkos me shprehjen “mos ardhshin ma”. Pra nga pozitat e realiteteve juridike, ligjore e morale na dënojmë të gjitha praktikat e këtynë dy përvojave që shoqnia shqiptare i kaloi mbi kurriz. Po të ishte i frymëzuem demokratikisht hapësi shqiptar i kutisë së Pandorës mendoj se kjo do të ndodhte në nji paketë me të gjithë ata shkrimtarë dhe njerëz të formimit shpirtnor që kanë lanë gjurmë në të dy regjimet. Marrja vetëm me këta të dy e sidomos me Camajn që ka mbi kurriz nji Klavar mbijetese në tre katër vende ku jetoi si mërgimtar, mendoj se ka erë shqetësimesh që vijnë mbas njilloj tronditje e trandjeje hierarkish, kur ardhja e të dyve mbas nji heshtje që i bante ata të paqenë, por edhe mbaj nji fundosjeje tektonike të produktit letrar zyrtar që njifet si “letërsi e realizmit socialit”, provokoi nji bum kureshtjeje dhe mahnitjeje para vetë imanencës së veprës së tyne. 

ÇFARË PËRFAQËSOJNË CAMAJ E KOLIQI NË LETERSINË E KULTURËN SHQIPTARE?

Në vitet ’30 na duket se letërsia shiptare doli nga angazhimi i saj etnocentrik dhe po orientohej drejt letërsisë bashkëkohore europiane. Me Migjenin si i shenjuem prej ekspresionizmit dhe estetikave të tij, bahet bashkë edhe Koliqi e pak ma vonë edhe Kuteli që përdorën me sukses teknikat psikanalitike në shestimet e tyne letrare dhe në zbërthimin e personazheve të tyne. Kjo metodë avangardiste e Europës së atëhershme përdorej gjërësisht nga Cvajgu, Andre Zhidi, Strindbergu, Pirandelo etj. Pra na duket se lajmi i mirë ishte se në atë periudhe letrat shqipe e braktisën romantizmin anakronik që lidhej me vonesat e zhvillimeve tona kombëtare dhe shtetnore dhe letërsia e jonë po vehej për hap me letërsinë e kryesinës europiane. Kurse Camaj asht diçka tjetër. Për shkakun se ai u zhvillue si letrar mbas fillimit të viteve ’50, arti poetik dhe letrar në përgjithësi asht edhe ma i avancuem. Poezia e tij asht nji poezi esencialiste dhe në dukje mjaft e ngjashme me hermetizmin italian. Por unë nuk mendoj se ajo asht hermetike në kuptimin e hermetizmit italian. Ndoshta teknikat i ka, por ajo mbetet nji poezi e qenies njerëzore dhe shoqnore në rrethana të zakonshme dhe kritike. Pra tek Camaj kemi të bajmë pothuejse kudo me të zakonshmen kritike, gja që i jep asaj nji ngarkesë të madhe emocionale dhe kudo zbulon magjinë e thanies përgjysëm të vegimeve dhe të depozitave të kujtesës. Shuemja e kujtesës tek Camaj dhe përpjekja për ta rigjallnue e për ta konservue atë përmes aktit letrar estetik, i jep poetit pamjen e trishtë të nji vorri të pazakontë ku vorroset kujtesa e vendlindjes, përkatësisht e atdheut. Poezia e tij asht kriza e madhe ekzistenciale e tij me nanën e vet dhe ma vonë me mëmëdheun e vet. Në hapësirën midis këtyne dy elementave homogjenë ndehet pjesa ma delikate dhe ma artprodhuese e ekzistencës së tij.

A E DËMTON SHOQËRINË DHE SHKENCËN KJO HAPJE ARKIVASH NGA NJERËZ JO KOMPETENTË? 

Asnji hapje arkivash dhe asnji dalje në dritë e të vërtetave nuk e damton shoqninë. Shoqnia jonë ka marrë me vete dhe mbi vete të gjithë barrën e mëkatit që u prodhue nga regjimi komunist. Ka mendime që thonë se asnji pushtue i huej nuk do t’ia bante nji populli tjetër atë që i bani komunizmi shqiptar shoqnisë së tij. Në planin moral – sepse ai na ka mbetë me diskutue tashti – regjimi komunist shkatërroi virtytet e kombit për të ndërtue me gërmadhat e tyre veset e tij perverse dhe antiqytetnuese. Ai synoi dhe në nji masë të madhe ia arriti që të moralisht të mos lente njeri në kambë. Na kemi nevojë për nji filozofi të re kombëtare që ta shëndoshë atmosferën mbi bazën e nji ngritjeje substanciale të mirëqenies dhe forcimit të pavarësisë së individit. Na kemi nevojë t’i çojmë ma larg kufijtë  pranimit shoqnor e qytetar dhe jo të bajmë operacione selektive që synojnë zgjatjen sa të jetë e mundun të raporteve hegjemioniste, të cilat pengojnë dhe sabotojnë kthimin e ekuilibrave mbrendakombëtarë. Mitet janë aty për t’u sulmue dhe substancat e forta janë prapë aty për t’u qëndrue sulmeve. Por unë nuk mendoj se Koliqi e Camaj patën kohën dhe kushtet e mjaftueshme për të arritë në nivele mitesh. Ata nuk i mitizoi askush. Madje u futën gati-gati si fshehtazi ne fushën e vëmendjes së lexuesit shqiptar, nuk patën asnji ceremonial ardhjeje e nuk gjetën asnji horizont pritjeje. Ata erdhën si “të rinj” gati-gati si autorë që po shfaqeshin në premierë, në nji kohë që kishin ma se katër herë dhjetëvjeçarë si debutim letrar. Pra mahnitjen dhe admirimin e fituem me anë të tekstit e të mos e marrim si mitifikim. Katër pesë libra janë shkrue për Camajn, po aq edhe për Koliqin. Mitifikue janë Kadareja, Agolli, Arapi etj, por miti i tyne natyral i ngritun nga aparati shtetnor i shtetit komunist ra bashkë me konsideratat e tij për veten. Këtë fat e pësuen edhe emnat e masipërm të cilët pritet vërtet të çmitizohen, të reduktohen në vlerat e tynë esenciale pa asnji atribut mesianik ose teokratik të tyne. Akademia e Shkencave duhet t’u prijë punëve shkencore dhe t’i koordinojë ato me detyrën e studimit të rreptë dhe serioz. Në kushte të tilla hapja e botimi i faksimileve të Tares do të mbetej nji ngjarje që pakkush do ta merrte vesh. Por kur Akademia hesht ose jep përgjigje me tekste si letra bakalli, atëherë fenomeni Tare arrin ta shqetësojë atë pjesë të opinionit publik, i cili e shef këtë institucion në bisht të punëve, madje edhe me produkte shpesh të kontestueshme për periudha të gjata që nuk kanë sjellë asnji harmonizim me dijet që nuk prodhohen detyrimisht mbrenda mureve të Akademisë.

Filed Under: Analiza Tagged With: Camaj & Koliqi, Debati, Primo Shllaku

KINA AKUZOHET PËR STERILIZIM TË FEMRAVE DHE PERSEKUTIM TË UJGURËVE

July 20, 2020 by dgreca

– Sipas investigimeve të kohëve të fundit nga Fondacioni Përkujtimor i Viktimave të Komunizmit, ritmi i shtimit të popullsisë në dy prefekturat ma të mëdha të ujgurëve në Xinjang asht paksue më ma se
80 përqind ndërmjet 2013-2018.

MBRETNIA E BASHKUEME KRITIKON  KINËN PËR ABUZIME TË RANDA TË DREJTAVE TË NJERIUT KUNDËR UIGHURËVE-

Përktheu për Diellin: Gjon Kadeli/

Ministri i Jashtëm Dominic Raab e akuzoi Kinën për abuzime tejet të randa të të drejtave të popullsisë Ujgure muslimane dhe shtoi se , nuk përjashtohet mundësia e vendosjes të sanksioneve kundër Kinës. Lajmet se po bahen sterelizime të detyrueshme të femnave dhe të persekutimeve të ndryshme,”ishin dicka që nuk ka ngja për nji kohë të gjatë.”
Mbretnia e Bashkueme do të bashkpunojë me aleatët për të marrë masat e përshtatshme, tuej insistue lidhun me këtë gja.
Ambasadori kinez në Londër i ka hedhun poshtë këto akuza. Besohet se nji milion Ujghurë janë dërgue në qendra të ndryshme gjatë vjetëve të fundit, në ato që kinezët i quejnë “kampe
riedukimi.””Ministri në fjale u duk shumë i shqetësuem.”
Kur u pyet nëse trajtimi i këtyne njerëzve mund të konsiderohet legalisht “Cfarosje në masë.” Zotni Raab tha se Komuniteti ndërkombëtar duhet të tregohet i “matun”përpara se të bajë nji
pretendim të ktillë. Por ai shtoi “pamvarsisht se cfarë terme(fjalë) legale përdoret, asht e qartë, se abuzime të randa të drejtave njerëzore po bahen kundër grupit etnik turk që banojnë në zonën
veriperëndimore të Kinës.
Simbas kërkimeve që janë ba kohët e fundit nga Fondacioni Përkujtimor i Viktimave të Komunizmit, ritmi i shtimit të popullsisë në dy prefekturat ma të mëdha të ujgurëve në Xinjang asht paksue më ma se
80 përqind ndërmjet 2013-2018.Ujgurët janë grupi etnik turk që jetojnë në Kinë.

Filed Under: Analiza Tagged With: Gjon kadeli, Kina, Mbreteria e Bashkuar, Ujguret

VLERAT KULTURORE SHQIPTARE NË TEHUN E ISH SIGURIMIT TË SHTETIT(2)

July 19, 2020 by dgreca

“Nuk është gënjeshtra që kalon nëpër mënd që të shkakton dhimbje, por ajo që hyn e lëshon rrënjë”/
Frencis BACON (1560 – 1626), filozof, shkrimtar e burrë shteti anglez
Pjesa e dytë/
SHKRUAN: EUGJEN MERLIKA-
Kanë kaluar dy vjet nga arratisja e Camajt dhe autori na paraqet dokumentin e parë të deklasifikuar të CIA-s. Ja çfarë shkruhet në të :

“Lënda: Konditat në Universitetet jugosllave.
Pika C. Studentët e huaj janë nga Shqipëria, Bullgaria, Rumania dhe Hungaria. Këta studentë janë strehuar në “Studentski Dom”, konvikti i studentëve me një kosto prej 1500 dinarë në muaj. Studentët jo komunistë shqiptarë përfshijnë Danish Daca, Enver Metani, Çesk Dajçi, Halil Topalli dhe Martin Camaj. Janë gjithashtu rreth 30 shqiptarë nga Kosova n’universitete”.

Dokumenti i CIA-s, 11 gusht 1951:
Subjekti: Shqiptarët në Jugosllavi, aktivitete të rezistencës në Shqipëri, kampet e përqëndrimit në Shqipëri.
Pika 2: Dalish Daci, Martin Camaj dhe Skënder Kopisati, tre studentë shqiptarë, të cilët janë arratisur nga vendi i tyre, tashmë janë duke ndjekur universitetin e Beogradit. Shpenzimet e tyre paguhen nga Qeveria jugosllave”.

Dokumenti i CIA-s Tetor – Nëndor 1952
Tema: takimi i Emigrantëve shqiptarë në Jugosllavi.
Takimi i mbajtur në Shkup më 25 – 26 tetor 1952, në prani të një numri zyrtarësh jugosllavë dhe gjeneralit të UDB-së Mugosha. Fjalimi i Tajar Hatibit, autor i Komitetit Drejtues të Komitetit të Prizrenit: “Sot janë 171 studentë refugjatë shqiptarë në shkollën elementare, 61  në shkollën e mesme, 4 në normalen e Gjakovës dhe 25 në Universitet.”
Përse shërbimi sekret amerikan e ka vendosur atë në vëzhgim, duke theksuar emrin e tij në dy dokumenta raporti nga terreni? Mos vallë për një arsye shumë të thellë, të cilën e shpjegon dokumenti i mëposhtëm?

Dokumenti i CIA-s 26 shkurt 1954
“Subjekti: Refugjatët shqiptarë në Jugosllavi dhe Lega e refugjatëve shqiptarë (Komiteti i Prizrenit)
Data e shpërndarjes: 26 shkurt 1954
Data e informacionit (fshirë)
Vendi i marrjes (fshirë)
Numuri i faqeve 5
Pika 11. Studentët shqiptarë në Universitetin e Beogradit gjithashtu janë të financuar e të drejtuar prej UDB-së. Një oficer i UDB-së kontrollon notat e tyre mbas provimeve dhe atyre që tregohen më të zellshëm u jepen shpërblime në pare si dhe mundësi për të udhëtuar në Dalmaci e në Zagreb.”

Në këta katër dokumenta të CIA-s, të raportuara nga ndonjë agjent shqiptar i saj në Beograd (me gjasë ndonjë spiun i dyfishtë i Sigurimit dhe i CIA-s) nuk vërehet absolutisht asnjë e dhënë mbi Martin Camajn, student në Beograd, aq më pak mbi një veprimtari të mundëshme të tij në dobi të UDB-së. Atëherë lind pyetja: cili është qëllimi i sjelljes së këtyre dokumentave në akt-padinë e Tares, ku ato nuk kanë asnjë farë vlere për gjykimin e Martin Camajt? Nga viti 1948 deri më 1954, autori i “hulumtimit”nuk është në gjëndje të paraqesë për lexuesin asnjë argument të vlefshëm në mbështetje të tezës së tij, se shkrimtari e studjuesi i mirënjohur Camaj që shpërthen në Beograd si intelektual i shkallës së parë, sa që të merret si docent me mbarimin e Universitetit, ka lidhje çfarëdo me UDB-në. Aq më tepër të sjellë një raport të tij dërguar atij organi. Edhe ato pak të dhëna që dalin në përgjithësi për studentët nuk pasqyrojnë asgjë të veçantë. Madje është e çuditëshme që studjuesi i paraqet këta dokumentë të cunguar, me ndonjë frazë të shkurtër ku përmëndet emri i poetit. Kjo vërteton faktin se të gjithë përpjekjet e tij për të fluturuar mbi Atllantik për të gjetur “vezën e artë” në arkivin e deklasifikuar të CIA-s kanë përfunduar në asgjë, e megjithatë ai vazhdon të ngulë këmbë në pohimet e tij me zellin e një inatçori kryeneç dhe tepër larg seriozitetit të një sudjuesi dukurish kulturore e politike.
Ai e përmënd emrin e institucionit amerikan të shërbimit të fshehtë si një hajmali që që do të bëjë efektin çudibërës të bindjes së opinionit publik shqiptar nga dokrrat e tij. Mbi at’ emër ai të ndërtojë një kështjellë padish mbi rërë, që përbëhet jo nga fakte të gjalla e të pakundështueshme, por nga hamëndjet dhe “arsyet e mosarsyes” së trurit të çoroditur nga urrejtja. Është e qartë si drita e diellit se z. Tare nuk niset aspak nga pozita e studjuesit, por nga ajo e kolegut të vonë të autorëve të dosjeve, që ka paracaktuar objektivin dhe rezultatin e qëllimit të tij. Sa do t’i a arrijë synimit besoj se mundësitë janë zero, megjithë shtysat e përgëzimet që merr nga anë të ndryshme, kryesisht nga veteranë të Sigurimit shqiptar. Janë zero sepse nga arkivat e ish armiqve të betuar të socializmit enverist nuk i vjen në ndihmë asgjë, sepse nuk ka asgjë të vërtetë nga ato që mëton të gjejë ai në jetën e “shkrimtarit të lartësive”, siç e ka përkufizuar një tjetër koleg madhor i tij, Ismail Kadareja, sepse nga asgjëja nuk lind asgjë.
“Bota e hiçit, prej hiçit, për hiçin rrotullohet rreth qëllimit të hiçit” shkruante një filozof i njohur gjerman i shekujve të shkuar. Megjithatë z. Tare vazhdon të besojë se do të shkaktojë një “përmbysje të vlerave”, se “studimi” i tij do të hapë një autostradë të gjërë në fushën e mendimit kulturor e shoqëror të sotëm, në të cilën do të sulen ngadhnjimtarë të gjithë fitimtarët e epokës së turpëshme të ish Sigurimit shqiptar, që do të na zbulojnë “kutërbimin” e “botës së vjetër” të përfaqësuar nga Koliqi, Camaj, Fishta e të tjerë të ngjajshëm të tyre. Madje ndonjeri prej tyre, i shqetësuar se kolegu mund të “helmohet” nga ajo duhmë, e porosit atë të pajiset me një kundragaz, sepse sa më shumë të zhytet në dosjet e Sigurimit, aq më shumë rrezikohet të asfiksohet.
Por studjuesi i ynë e humbet aq shumë torruan, i pushtuar nga afshi i tij i poshtërimit të kundërshtarit, sa që mbasi ka paraqitur një dokument të vitit 1954, në të cilin bëhet fjalë për shpërblime studentësh të dalluar në nota të larta në provimet e universitetit, kthehet mbrapa dhe hamendëson:
“Në vitin 1951 Camaj njihet dhe martohet me Nina Bogdanoviç, vajza e ish nën- kryetarit të dikurshëm të Bashkisë së Beogradit. Nuk ka asnjë të dhënë nëse takimi i dy të rinjve ishte i orkestruar nga UDB-ja, por duket e pamundur që kjo lidhje të mos ishte kryer të paktën me miratimin e UDB-së. Një dyshim mbi këtë fakt del edhe nga vëzhgimi i mëposhtëm……. Me të drejtë lind pyetja: me çfarë të ardhurash pushonte në këtë resort malor ky i ri refugjat? A mos vallë këto pushime ishin shpërblimet për të cilin flet dokumenti i mësipërm i CIA-s për stdentët shqiptarë?”
Duke u përpjekur të gjejë qimen në përpeq, fantazia e autorit bën lidhjen e paarsyeshme ndërmjet shpërblimeve të supozuara të  UDB-së më 1954 me pushimet e poetit me gruan më 1951. Mbasi logjika e tij është kaq shumë e pushtuar nga ankthi i zbulimit të “fajësisë” së shkrimtarit, ai i vesh pushimeve të vitit 1951 një mundësi të hamendësuar më 1954! Ajo logjikë e turbulluar nuk mund të përftojë mundësinë e një historie dashurie të lirë e të pakushtëzuar mes dy të rinjsh, studentë në një universitet, por don t’a lidhë atë domosdoshmërisht me “ndërhyrjen” e djallit, e në një rrezatim “gjenialiteti” zbulon se gjithshka ka shkuar ashtu, e në vetminë e tij krijuese thërret “Eureka”. Ashtu ka ndodhur, sepse ashtu duhej të ndodhte, sepse ashtu dëshironte ai të kishte ndodhur në delirin maniakal të mëndjes së tij të harlisur. Sepse përjashtohej mundësia që nëna shqiptare e Ninës Bogdanoviç t’i kishte dhënë së bijës një shumë të hollash për të kaluar disa ditë në Zlatibor me të fejuarin, apo që ky i fundit të kishte fituar e kursyer aq para nga botimi i shkrimeve të tij, apo ndonjë tjetër mundësi.
M’u kujtua zonja Knorr (1827 – 1908), një shkrimtare austriake që shkruante në frëngjisht, që ka botuar mes të tjerëve, një vëllim eseistik “Mendime mbrëmjeje”, që në një çast përsiatjeje shprehej: “Çfarë makalushësh janë gënjeshtarët! Arrijnë të besojnë se janë të besueshëm!”
Gënjeshtra, edhe kur nuk shfaqet e qartë e pa mëdyshje në dokumentat, gjen në përfytyresën e autorit strehën e vet të shumëzimit, nga e cila dalin pa prerë hamëndje e pyetje pa fund, deri sa arrijnë të bindin dhe vetë autorin se përgjigjet e tij janë të vërteta. Krijimi në përfytyresë i një mjedisi ireal, të cilin autori orvatet t’a shesë për ar të kulluar të së vërtetës, ndoshta si dukuri kalon nga normaliteti e hyn në një tjetër fushë. Por është e papranueshme që, mbi këto dukuri, të përbaltet një njeri, cilido qoftë, aq më tepër një nga shtyllat më të fuqishme të përparimit të Shqipërisë e të trashëgimisë së saj kulturore.
Z. Tare shpreson të gjejë në arkivat sërbe vërtetimin e hamëndjeve të tij. Sinqerisht jam i bindur se nuk do të gjejë asgjë, por sido që të jetë, normat më parake të etikës fletorare e të moralit njerëzor nuk duhej t’a linin të sajonte atë farë paçavure që i servir botës së internetit pa ato prova, duke shpërdoruar paturpësisht lirinë e shprehjes.
Auron Tare ka një vëlla të suksesëshëm në Itali, që ka bërë karierë si futbollist e më vonë si drejtues klubi i Lazios. Si i a ka arritur këtij pozicioni vëllai i tij, nëpërmjet zotësisë së tij apo bashkëpunimit me shërbimin e fshehtë italian? Jam i bindur se në sajë të aftësive të tij. Por si nuk mund të pranojë vëllai i tij se në një tjetër kohë, një tjetër shqiptar i talentuar ka mundur, në sajë të aftësive të tij e jo të shërbimeve të fshehta, të ndërtonte një karierë studjuesi, qoftë edhe në nivele shumë të larta akademike. Një koncept i kundërt me këtë, pasqyron ideologjinë e Sigurimit të shtetit dhe është një fyerje për të gjithë ata shqiptarë të ndershëm që kanë hapur rrugët e tyre të jetës e të suksesit profesional e shoqëror, në sajë të punës e aftësive të tyre, kudo në Shqipëri apo në botë.
Ja edhe një tjetër shtjellim i përftimit të Tares mbi argumentin: “Biografët e tij, deri më sot, nuk kanë dhënë ndonjë sqarim se si mund të largohej nga Jugosllavia. Largimi i tij ka disa dritë hije që sjellin një sërë pikëpyetjesh. Si mundi Martin Camaj të merrte lehtësisht miratimin e autoriteteve jugosllave për t’u larguar nga Beogradi? A ka aplikuar Camaj si shumë të tjerë?…. Ndërkohë Camaj papritur gjëndet në Romë….”
Tare bën sikur nuk e din se Jugosllavia e Titos nuk ishte si Shqipëria e Enver Hoxhës, edhe se të dyja Vëndet ishin komuniste, por kishin qasje të ndryshme përsa i përkiste emigrimit të qytetarëve të tyre. Gjatë viteve të mbasluftës nga Jugosllavia u larguan miliona vetë në drejtim të Perëndimit, pa i kërkuar kush llogari për atë lëvizje, ndërmjet të cilëve edhe dhjetra e qindra mijra shqiptarë të Kosovës, të Maqedonisë e të Malit të Zi. Nga Shqipëria ai që largohej rrezikonte plumbin në kufi e ai që vetëm e shprehte dëshirën rrezikonte deri në njëzet vite burg për “bisedë arratisjeje”, duke marrë nofkën “tradhëtar i atdheut”. Të ndërpretosh realitetin jugosllav, në të cilin jetoi për tetë vite Martin Camaj, me mendësinë e sytë e realitetit shqiptar të Enver Hoxhës, do të thotë të mohosh të gjitha ligjet e logjikës, e të jesh plotësisht jashtë një terreni arsyetimi të mirëfilltë.
Por autori i studimit është i djemnuar nga ideja e shërbimeve të fshehta dhe bën një tjetër pyetje: “A mos vallë “Brezi i kuq” dërgohej me mision të ri?”
Me të vërtetë duhet të kesh një durim prej Jobi të lexosh deri në fund këtë manual mashtrimi e mungese logjike të pashëmbullt në llojin e vet. Nga tetë vjet qëndrimi në Jugosllavi Sigurimi nuk arriti të gjejë qoftë edhe një dokument të vetëm që të provojë bashkëpunimin e Martin Camajt me UDB-në e tani nga mëndja e harlisur prej manisë së kompleksit sigurimas, autori lëshon një hamëndje tjetër, njërën nga të zakonshmet e tij, për të kërkuar një miratim mbas 64 vitesh të zhvillimit të ngjarjeve. Duket se studjuesin në fjalë e ka munduar ky djemnim që në embrion, ndërsa përgjigjet e gjithë hamëndësimeve e pyetjeve mund t’i kishte gjetur duke lexuar letërkëmbimet e botuara të poetit.
Në një letër të tij, drejtuar një miku të tij në Romë, Lazër Sheldisë, një letër të ruajtur nga arkivi i CIA-s e të sjellur në punimin e autorit, gjënden përgjigjet e të gjithë pyetjeve që mundojnë këtë të fundit. Aty përshkruhet gjëndja e pasigurtë në të cilën ndodhej kohët e fundit shkrimtari, vetmia cfilitëse në të cilën ishte zhytur, keqardhja që veprat e tij nuk gjenin dritën e botimit, trysnia e tërthortë e UDB-së nëpërmjet fjalëve të Mugoshës, njërit ndër udhëheqësit më të rëndësishëm të shtabit partizan të lëvizjes N. Çl. Shqiptare e mikut më të vyer të udhëheqësve shqiptarë, ankthi i një kthimi të dhunshëm në Shqipëri si gjuhëtari Selman Riza, etj, etj. Madje në letër ka edhe një thënie lapidare të shkrimtarit e gjuhëtarit, drejtuar mikut: “Nuk kam frikë nga vuejtjet, por deri sa të jetoj dua të jetoj në mënyrë të ndershme! “
Këto fjalë zemre, të drejtuara mikut, por edhe të gjithë shqiptarëve të kohës së tij e të brezave të ardhshëm, janë dëshmia më e plotë e pastërtisë morale e intelektuale të Martin Camajt, këtij biri fisnik të tokës shqiptare, së cilës ai i lartësoi emrin në mes të Evropës së qytetëruar.
Por truri i studjuesit, i mbyllur hermetikisht në arkivat dhjetravjeçare të Sigurimit, nuk mund të ketë një hapje njerëzore kundrejt të paditurit. Ai është i “paracaktuar” të pësojë baltosjen, edhe se nuk ka në jetën e tij asnjë dëshmi fajësie, edhe se është i sinqertë në rrëfimin e tij. “Hakmarrja” e Sigurimit të shtetit, nëpërmjet pendës së Tares, duhet të shkojë deri në fund, vendimi është dhënë dhe është i pakthyeshëm si dikur, edhe se është kundër fakteve, konsideratave, meritave, gjykimit të shëndoshë, pjellë e një kohe të shkuar e të largët, kur në historinë tonë “u ngritën këmbët t’i bien kokës”.
Një formë e tillë arbitrariteti mendor mund të mbajë vetëm vulën e komunizmit, mund të gjindet sot vetëm në Korenë e Veriut, në Kinë, në Rusinë e Putinit, në Venezuelë, në Nikaragua apo në Kubë, por nuk duhet të gjejë të drejtë qytetarie në Shqipërinë e shekullit 21, sado të fuqishme të jenë shtysat e asaj pjese të popullsisë apo të politikës që ende shohin me mall të shkuarën e afërt.
Nuk e quajta me vënd të ngulnja këmbë këtu edhe për ato që shkruhen për Ernest Koliqin. Kjo jo se shpifjet për të janë më të argumentuara, por për faktin se personaliteti i tij është tepër i madh për t’i u nënështruar cikërrimave të Tares. Ai ka qënë një person që nuk ka jetuar vetëm me politikën, ka patur një katedër në universitetin e Romës. Por me politikë është marrë gjithmonë në dobi të interesave të vërteta të atdheut të tij, e në këtë kuadër ka folur jo me agjentë të shërbimeve të fshehta, por me autoritete të larta të dikastereve evropiane e më gjërë. Po sjell këtu një fragment nga një letër të datës 23 –9 – 1948 që ai i shkruan Mustafa Krujës në Egjypt nga Rapallo (Itali):
“Pa nji koalicjon të forcave t’emigracjonit nuk e besoj se i a arrijmë (asnjani grup) m’e vu n’udhë problemin shqiptar për zgjidhje. Deri tash ky ishte nji opinjon i emi, tashti âsht bâ aksiomë. E ja pse.
Gjatë qindrimit t’im në Romë prej 14 deri në 24 gusht, Ministria e Jashtme më kishte kërkue gjithkah. Më gjetën e shkova tash (më 14 shtatuer).
Nji funksjonar shum i naltë më tha:
1 – Simbas fjalës qi ju dhamë në fund të majit, kjo Ministri âsht interesue pranë Departamentit të Shtetit për çâshtjen e juej. Departamenti i Shtetit na ka përgjegjë se pak gjâ din mbi problemin shqiptar, se ajo shka din asht krejt negative: n’Amerikë i vetmi komb qi me mish e me shpirt mpron komunizmin janë Shqiptarët, këta në kët mënyrë kanë marrë nji rrymë antiamerikane dmth. veprojnë kundra interesavet të vendit qi i hospiton;  – asnji zâ kundërshtar s’ka dalë me thye kompaktecën e shumicës. Departamenti i Shtetit tregohet shkeptik dhe mbi seriozitetin e nji lëvizjeje refugjatësh antikomunista mbasi qi këta paraqiten krejt të dámë. Me gjithë këtê do të pëlqehej nga Departamenti i Shtetit nji interesim i itljanvet, tue qenë se këta kanë eksperiencë në çâshtje shqiptare, i cili interesim të kishte për qëllim nji koalicjon të grupeve politike shqiptare n’emigracjon. Funkcionari më siguroi se ai ishte i autorizuem të më thonte për t’i a  tregue eksponentave shqiptarë të ndryshëm, natyrisht atyne qi s’e përhapin ndër kafehane por dijnë se ç’âsht diskrecjoni në të tilla punë delikate.
2 – Po u realizue nji koalicjon ndërmjet shumicës së grupevet, pasaportat për Amerikë janë gati për delegatë dhe ndoshta shpenzimet e udhëtimit. Në rasë t’arrijtjes shtypi do të flitte – me shtytje të Departamentit të Shtetit – mbi çâshtje shqiptare dhe nji antar i delegacjonit t’onë do t’u pranonte në Komitet formue nga eksponentat e vendeve danubiane – ballkanike robnue nga Sovjetët, komitet qi ka për kryetar Mikolajcik (burrë shteti polak). Si e shef puna ka baza të shëndosha. Kam folë edhe për bursa e shefi i sekcjonit përkatës më ka premtue 10 (dhjetë) për vjetin e ardhëshëm akademik. Për Koço Mukën dhe Ali Këlcyrën i kërkova visa-t dhe më premtuenë me i dërgue sa mâ parë.
Si e shef un këtu, n’at t’emen, jam përpjekë. Mos rrini pa punue ju atje. Koalicjoni i partive nuk duhet të trembi askênd, i vjen dobí çâshtjes së kundrueme në dritë  të realizimit dhe qet jashtë e derrmon utopit qesharake të parvenu-vet në politikë……”
Kalibri i personalitetit të Ernest Koliqit, ish sekretar i Luigj Gurakuqit në kabinetin Noli mw 1924, ish ministri i parë i hapjes së shkollave shqiptare në “Tokat e lirueme” mw 1941, siç del edhe nga ky fragment letre, i kalon shumë personazhet mjerane të dokumentave mjerane të arkivave të Sigurimit. Për atë është aktual epitafi i vendosur mbi varrin e Molierit:
“Lavdia e tij nuk ka për gjë nevojë
Por e jona ka nevojë për të.”
Marrëzitë e këtij shkrimi ndoshta, në mënyrë paradoksale, do të gjejnë idhtarë të diktaturës që t’a vazhdojnë me zell metodën e mashtrimeve të filluar në të largëtin vit 1945. Sigurisht nuk do t’i vlejnë Shqipërisë, që duhet të njohë të vërtetën e gjithë këtyre viteve për të shkuar përpara. E nuk mund t’i arrihet kësaj të fundit pa njohur vlerat tona të vërteta intelektuale e morale, pa i vënë ato në vendin e nderit të altarit të kombit, pa i studjuar, pa i vlerësuar pa frymë partiake a politike, sepse vlera e tyre i tejkalon kohët dhe hapësirat politike, sepse ajo i përket strukturës së qëndrueshme, palcës kurrizore të kombit, sepse është pasuria më e madhe e tij.

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika, Kultura Kombetar, ne tehun, pj 2, Sigurimit te Shtetit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 347
  • 348
  • 349
  • 350
  • 351
  • …
  • 975
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Çështja shqiptare preokupim politik e kombëtar
  • Lentja Filmike e Kosovës Përtej Ekranit – Hulumtim nga studiuesit Jeta Abazi Gashi dhe Juan Manuel Montoro
  • Lufta e Gjeneratës së Pestë
  • Komisioni Përgatitor i Kuvendit të Vatrës njofton degët, vatranët dhe publikun mbi afatet dhe veprimtarinë përgatitore të Kuvendit të Vatrës që zhvillohet në New York më 25 Prill 2026
  • Inteligjenca Artificiale, Manipulimi i Realitetit dhe Kapja Digjitale e Shtetit Shqiptar
  • GJEOGRAFIA IMAGJINARE DHE PERANDORIA LETRARE NË PROZËN E ISMAIL KADARESË
  • KONGRESI I LUSHNJES NË EMISIONIN E  PULLAVE : “100 VJET PARLAMENTALIZËM SHQIPTAR”
  • Mbështetja Shqiptare për Hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore
  • DITA NDËRKOMBËTARE E HOLOKAUSTIT DHE KRIMET E REGJIMIT KOMUNIST TË ENVER HOXHËS
  • Vorea Ujko (1931- 26 JANAR 1989)
  • Vatra në Boston ju fton në ngritjen e Flamurit të Kosovës më 14 Shkurt 2026
  • Arritje e rëndësishme në studimet albanologjike: Shefkije Islamaj “Ligjërimi, gjuha, stili në krijimtarinë letrare moderne dhe postmoderne të Rexhep Qosjes”
  • Grupet shoqërore me civilizim të vonuar…
  • Marin Barleti, personaliteti më i shquar i humanizmit shqiptar dhe një ndër më të rëndësishmit të humanizmit evropian
  • Arbërishtja – një gjuhë pa shtet që mbijeton mbi 500 vjet në diasporë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT