-Ftesa e Hagës për Ahemtin ka qenë e ditur para zgjedhjeve, por kreu i BDI-së ka pranuar t’i përgjigjet pozitivisht asaj pas mbylljes së betejës elektorale. /
Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrimi, Ali Ahmeti është ftuar nga Gjykata Speciale me seli në Hagë, për t’u intervistuar në cilësinë e dëshmitarit.
Lajmi u bë me dije nga vetë krreu i BDi i cili përmes një statusi në faqen e vet në Facebook shprehet se ‘dhomat e specializuara të Republikës së Kosovës, gjegjësisht prokuroria speciale e Kosovës, si një nga themeluesit e UÇK dhe anëtar i shtabit të përgjithshëm, më ka ftuar në cilësinë e dëshmitarit dhe pa hamendje kam pranuar ftesën si dhe kam vendosur kontakt konstruktiv dhe bashkëpunues me zyrtarët në Hagë’.
“Gjithmonë kam qenë ithtar i drejtësisë joselektive dhe jam në dispozicion të tërësishëm të organeve të drejtësisë për ta dëshmuar çiltërsinë e luftës çlirimtare të popullit shqiptar përballë gjenocidit të regjimit serb të Millosheviçit”, përfundon Ahmeti.
Analisti Latif Mustafa theksoi se ftesa e Hagës për Ahemtin ka qenë e ditur para zgjedhjeve, por kreu i BDI-së ka pranuar t’i përgjigjet pozitivisht asaj pas mbylljes së betejës elektorale.
Ai shtoi se kjo çështje ka shkaktuar reagime dhe çudi në opinionin publik, ku shumë aktorë sipas Mustafës, kanë ngritur pikëpyetje se çfarë lidhje ka Ali Ahmeti me akuzat që Haga ka ngritura ndaj presidentit Thaçi.
“Maqedonia e Veriut sapo e ka kaluar një faze zgjedhore, çështja e ftesës ndaj Ali Ahmetit dhe ajo që flitet në media është se Ali Ahmeti ka qenë i ftuar para zgjedhjeve. Ftesa ka qenë e ditur para zgjedhjeve, por Ali Ahmeti ka vendosur tani të paraqitet. Sa i përket reagimeve, UÇK është një pikë e nxehtë sa i përket çështjeve kombëtare qoftë në Maqedoninë e Veriut, qoftë edhe në Kosovë. Kampi shqiptar është i ndarë në njëfarë mënyrë, por edhe i habitur se çfarë mund të këtë lidhje Ali Ahmeti me aktakuzën për krime e drejtuar presidenti Thaçi dhe Kadri Veselit”, tha ai.
Duke iu kthyer historisë dhe dëshmive të eksponentëve të Lëvizjes Popullore të Kosovës, z. Mustafa tregon detajet, të cilat mund t’i japin një përgjigje se pse Haga e ka ftuar Ali Ahmetin në cilësinë e dëshmitarit.
“Siç e di edhe publiku i gjerë, UÇK-ja ka qenë produkt i formacionit politik të Lëvizje Popullore të Kosovës (LPK), e cila u formua në Stamboll në vitin 1982, fill pas vrasjes së Vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zeka në Gjermani. Aty vepronin tre fraksione; Fraksionet e Xhaver Shatrit, Ibrahim Kelmendit dhe Milaim Zekës. Ali Ahmeti bashkëngjitet në 1984 dhe vepron në kuadër të fraksionit të Ibrahim Kelmendit. Gjatë luftës së UÇK, ka qenë përgjegjës për Shtabin e Dukagjinit, ku ka qenë përgjegjës dhe komandat Ramush Haradinaj. Eksponentë të LPK, kanë thënë se Ali Ahmeti është njëri ndër themeluesit e UÇK në Luzern të Zvicrës, ashtu siç thotë Muhamed Kelmendi. Nuk kanë qenë as Thaçi dhe as Kadri Veselit. Sipas Muhamed Kelmendit, edhe Thaçin edhe Veselin në UÇK e ka sjell Ali Ahmeti. Është shumë e natyrshme në një farë mënyrë që të ftohet Ali Ahmeti, pasi ai iu paraprin të dyve. Kjo me siguri mund të hap edhe dosje të tjera, që mund të shkojnë deri tek veprimtaria e LPK-së”, tha ai.