• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Diktaturë simulante

July 13, 2020 by dgreca

Nga Astrit Lulushi/

Çfarë do të thotë Amerika – Çfarë kërkon Perëndimi? A nuk është çfarë duan ata shkumës i bardhë dhe vendi ynë tabelë e zezë? Dhe pse duhet t’a thonë me forcë se çfarë duan, si në rastin e një zbulimi të madh “tokë tokë”? Shqipëria është e shqiptarëve, jo e dikujt tjetër. Apo është ndonjë kalim përreth Ballkanit e kontinentit që të huajt duan të gjejnë? Këto janë problemet që na shqetësojnë ne më shumë se njerëzimin. Pse qeveria është si njeriu i vetëm që e ka humbur fare, sa që njerëzit e tij duhet të jenë aq të zellshëm për ta gjetur? Dhe për t’a bërë punën e vet më të lehtë, kërcënon e shpall masa izolimi gjoja kundër Covidit.

Bëni më tepër….gjejini vetë rrjedhat dhe oqeanet tuaja a ku ju pikon çatia; eksploroni gjerësitë, lartësitë e thellësitë tuaja — mos llogarisni ngarkesat e anijeve për t’ju mbështetur, deri tani po jetoni të mbytur me borxhe, dhe grumbulloni kanaçe boshe. A nuk e rrëzuat diktaturën që të çliroheni? Apo u shpik mishi i thatë për të ruajtur thjesht mishin dhe jo për të shuar urinë në udhëtime të gjata? Pse e latë përmbysjen përgjysëm dhe nuk u bëtë zotër në vendin tuaj brenda botës, të hapnit rrugë e kanale të reja, jo për tregti, por për mendime. Njeriu që mendon është zot i një mbretërie përkrah të cilës perandoritë e Cezarit, Sulltanit e Stalinit ishin shumë të vogla, një hummerë e lënë nga akulli. Megjithatë, shumë mund të jenë atdhetarë, të tjerët nuk kanë respekt as për veten dhe sundojnë më të mirët; e duan tokën, por nuk kanë simpati për frymën që mund të gjallërojë dheun. Patriotizmi është magji në kokën e tyre, që sjell fuqi, para dhe tërheq turma. Cili është kuptimi i vizitave me gjithë parada e shpenzime, veç një njohje indirekte e faktit se ka kontinente dhe dete në botën morale, ku çdo njeri është një portë, ende e pahapur e pashpjeguar nga ai vetë. Por është më lehtë të fluturosh mijëra kilometra në një aeroplan qeveritar, me dhjetra-dhjetra vetë për të ndihmuar një, sesa të eksplorosh vendin tënd që është vetëm e i mjerë. Lërini ata të enden të shqyrtojnë vendet e huaja, për të marrë fjalë përkrahëse e për të zgjatur mandatet, ju e keni vendin tuaj, të cilin një tufë horrash e plaçkitësish e mbajnë peng. Digjiani Kartonin, mos i lejoni t’iu përfaqësojnë. Mos votoni për ‘ta. Nëse s’gjeni njeri, mos votoni fare. Mësohuni të duroni vuajtjen e parë që të mos keni më vuajtje. Sepse kështu filloi; së pari pranuam një Shqipëri të cunguar, dhe prej asaj kohe vetëm të zeza e vuajtje kanë rrjedhur, deri me një regjim diktaturë simulant me aftësi të kufizuar vendosur para 30 vjetëve.

Filed Under: Analiza Tagged With: Astrit Lulushi, Diktaturë simulante

Auron Tare i ridënon viktimat e regjimit totalitar Hoxhist

July 13, 2020 by dgreca

Nga Elida Bucpapaj

Auron Tare ka një profil sportisti. Janë familje sportistësh, që shkojnë me trashëgimi, sikur mjekët, avokatët. Talenti i familjes Tare është sporti. Njëri nga dy vëllezërit e tij është Igli Tare. I jati, Isa Tare rekordmen në “Hedhjen e Diskut”, që mbaroi studimet në Institutin Vojo Kushi, ka dhënë edukatën fizike në Shkollën e Bashkuar dhe Akademinë Ushtarake, pikërisht në shkollat ku mori edukatë Auron Tare. Auron Tare  ishte  basketbollist me Partizanin, jo hedhës disku si i jati, por shumë larg talentit të Agim Fagut, Zaçes, Mushit etj.

Është i datëlindjes 1968. Viti 1991-1992 e gjeti Auron Taren në moshën 23 vjeçare, në të njëjtën moshë kur Martin Camajt më 1948 do t’i duhej të arratisej nga Shqipëria për t’i shpëtuar represionit të egër të sistemit totalitarist komunist, që kishte nisur një fushatë terrori sidomos në Veri të Shqipërisë, ku ishte i përqëndruar kleri katolik. Nuk e di se çfarë ka bërë në moshën 23 vjeçare Auron Tare. Portreti i tij gjatë këtyre 30 viteve i ngjan një lloj dandy, në kërkim të zbulimit të vetvetes. Nga infot që marr në rrjetin social, të cilat ai i ka publikuar vetë, del se nuk është as historian, as studiues i letërsisë, nuk është as arkeolog apo arkeolog i nënujit si i madhi Moikom Zeqo. Në wikipedinë në shqip del si drejtues i një shoqate në kërkimet dhe ekspeditat arkeologjike nënujore. Po sipas wikipedisë në shqip, prej 1994 – 2005 del të ketë qenë përfaqësues i Fondacionit  Kulturor Butrinti i themeluar nga Lord Jacob Rothschild dhe Lord Sainsbery of Candover. Ndërsa në wikipedinë në anglisht, ndryshe nga ajo në shqip, shfaqet si historian, gazetar dhe “menaxher i trashëgimisë kulturore”. Nuk e kuptoj fare këtë emërtesë që nuk gjendet tek biografia e tij në shqip. Kohët e fundit kam lexuar një shkrim të Profesor Moikom Zeqos që vinte alarmin se qyteti antik i Butrintin, një thesar i trashëgimisë kombëtare dhe botërore, kishte rënë në duar të një shoqate të huaj. Pronat e trashëgimisë kombëtare bien në duart e shoqatave të huaja!!! “Kur pashë rrënojat e Trojës”, shkruan Moikom Zeqo, “e kuptova se çfarë thesari është Butrinti”.

E bëra këtë parantezë, për të treguar se nga formimi, profili i Auron Tares lidhet kryesisht me sportin. Basketbollist mediokër. Ndërsa fotoja që ka vendosur në rrjetin social, të kujton ato të oficerëve anglo-amerikanë mbi kuaj gjatë luftës të dytë Botërore, të cilët kur u vendos diktatura, regjimi brutal i Enver Hoxhës i dëboi nga Shqipëria, ndërsa ata shqiptarë që kishin punuar nëpër zyrat e misioneve britanike apo amerikane i burgosi dhe shumicën e tyre e pushkatoi dhe vrau.

Në CV e Auron Tares do të shtoja se ai ka qenë deputet i PS,  zyrtar i lartë i emëruar nga PS deri vjet si Drejtori i Agjencisë së Bregdeteve, ndërsa i vëllai i tretë, Agroni ka qenë Konsull i Përgjithshëm i Shqipërisë në Stamboll 2014-2019, pastaj Drejtor i Portit të Durrësit dhe aktualisht zvMinistër i Jashtëm i Republikës. Siç shihet,  familja Tare, ka fituar besimin e plotë të Edi Ramës, përfshi Igli Taren, drejtor sportiv i Lazios që po ashtu është një PR i vërtetë i kryeministrit shqiptar në Itali.

Pra, nga e gjithë kjo sa thamë, unë nuk e di se ku mbaron zyrtari i lartë publik me angazhime politike dhe ku fillon njeriu me kërshëri investiguese si Auron Tare.

Angazhimi i tij politik e komprometojnë kërshërinë e Auron Tares, që nuk është as shkencore, as profesioniste, por e një njeriu që duke shfrytëzuar politikën ka krijuar lidhje me të huaj. S’ka asgjë të keqe. Por këto lidhje, do të duhej ta bënin Auron Taren më tolerant ndaj kryefigurave të kulturës shqiptare në emigracion gjatë periudhës së diktaturës komuniste.

Auron Tares i ka ecur vaj, nuk ka vuajtur në komunizëm, përkundrazi. Por mosvuajtjet e tij gjatë sistemit totalitar nuk mund të eleminojnë vuajtjet e qindramijë shqiptarëve. Mosvuajtjet e tij po ashtu nuk e lejojnë që Auron Tare të bëhet portavoce i stilit të prokurorëve të diktaturës, për t’i gjykuar e dënuar rishtas me të njëjtat akuza që i kishte dënuar Martin Camajn dhe Ernest Koliqin regjimi genocidal i Enver Hoxhës.

Unë nuk e di që Auron Tare të ketë shprehur dikund kërshërinë për letërsinë shqipe. S’ka lidhje fare me letërsinë. Po të kish, do ta kuptonte se Ernest Koliqi dhe Martin Camaj i kushtuan jetën e tyre kulturës shqiptare, gjuhës shqipe dhe vepra e tyre është po aq madhore sa monumentet e kulturës. Sot është hapur një debat nëse Bylysi është grek apo ilir, ndërsa Martin Camaj dhe Ernest Koliqi nuk lejojnë të krijohen dyshime të tilla, sepse vepra e tyre është gur themeltar në kulturën kombëtare.

Auron Tare, megjithëse thotë se është adhurues i Shvejkut, është profan nga letërsia. Nuk e di se gjuhë dhe letërsi do të thotë ekzistencë kombëtare, nuk e di se historia e kulturës është pjesë e historisë së kombit.

Unë mendoj se e gjithë kjo histori nuk është produkt kërshërie, pēr të marrë avionin me paratë e tij që të kërshërohet. Aq më tepër kur kërshëria e tij është e mbrapshtë, diabolike. E ka thënë Visar Zhiti, një tjetër monument i tragjizmit të njerëzve të kulturës shqiptare. Përse të hulumtohen viktimat, thotë Visari, dhe nuk hulumtohen xhelatët?

Përse Auron Tare nuk hulumton për ish Oficerët e Sigurimit të Shtetit që kanë marrë shtetësi dhe azil politik në SHBA dhe Perëndim me dokumenta fallco si të persekutuar, sikur ai oficeri Edmond Caja, sot me pasaportë gjermane, që i masakronte në burg të vuajturit e ndërgjegjes?

Kjo temë është e gjatë dhe preston për thellim, por unë do të ndalem të vërtetoj se Auron Tare e nis me një gënjeshtër hulumtimin e tij. Kjo gënjeshtër qëndron në themel dhe e rrëzon ngrehinën e Tares.

Auron Tare tek Provokacja e Mustafa Nanos tha se e nisi këtë hulumtim për qejf, duke marrë e zbritur avione, shko nga njëri Arkiv tek tjetri, shko nëpër Arkiva të botës dhe zbulo fakte që hedhin baltë për korifej të kulturës kombëtare shqiptare. Hulumtimi i tij është cinik, brutal, pa pikë humanizmi, paçka se ky lloj zotërie është pjesëtar i disa dhjetëra shoqatave humaniste!

Tek Provokacja, Auron Tare, me kollare, me lap top dhe pa kalë gënjen kur thotë se “është përpjekur të mos gjykojë njeri”, sepse kur Mustafa Nano i thotë se, nëse Koliqi nuk do të largohej nga Shqipëria, regjimi Hoxhist do ta pushkatonte, Auron Tare kërcen si plesht dhe përgjigjet: “Po Koliqi ishte Ministër fashist”, pra e justifikon aktin makabër nga regjimi totalitarist, duke shtuar pastaj gjepura të tilla se “Franca pushkatoi mijëra fashistë!” Po të isha unë në vend të Nanons, do të pyesja: ” Përse nuk e burgosën apo pushkatuan italianët apo amerikanët Koliqin, por përkundrazi e bënë agjentin e tyre? Për faktin e ditur se Ernest Koliqi nuk kishte kryer krime. Jo vetëm kaq, por gjatë periudhës të pushtimit kolaboracionistët kanë shpëtuar qindra e qindra jetë hebrejsh, i vetmi vend në Europë.

Megjithatë, Primo Shllaku thotë me të drejtë, hapini Arkivat! Të hapen arkivat që të hulumtohet historia por jo të rivriten martirët e kulturës që iu kundërvunë sistemit totalitarist! Të dy, si Koliqi ashtu dhe Camaj u identifikuan në Perëndim me kulturën shqiptare, Koliqi hapi Katedrën e Gjuhes Shqipe në Romë, që u kthye në Institut të Studimeve Shqiptare ndërsa Camaj krijoi qendër të Albanalogjisë në Münich. Plus që vepra e tyre letrare është kontribut në fondin e kulturës kombëtare sepse që të dy nuk iu nënshtruan socrealizmit. Nuk iu bindēn diktatures së regjimit dhe as letērsisē që imponoi ajo. Ernest Koliqi është një nga themeluesit e tregimit modern, ndërsa Rrathë i Camaj  i pari roman psikologjik në gjuhën shqipe.

Po ashtu Mustafa Nano duhej t’i thosh Auron Tares, se ndërsa korifejtë e kulturës ishin spiunë të agjencive të zbulimit Perëndimor, familjet e tyre në Shqipëri masakroheshin nga regjimi enverist. Një vëlla i Martin Camajt u dergj 30 vjet në burgjet komuniste, po ashtu edhe Mikel Koliqi, i pari kardinal shqiptar, vëllai i madh i Ernest Koliqit, kaloi 42 vite të jetës nëpër burgje dhe internimet komuniste.

Auron Tare është tendencioz, sikur Pëllumb Xhufi kur u mor me Kampin e Tepelenës ku humbën jetën 400 fëmijë të pafajshëm, të cilin nuk pranonte kurrsesi ta quante Auschwitz shqiptar, deri kur Lek Pervizi, një tjetër Monument i gjallë, nga ata që rrnojnë për me tregue, solli vizatimet reale që, po t’i shihje, të kujtonin pikërisht kapanonet e kampeve të përqendrimit nazist.

Auron Tare, gënjen, kur thotë se gjithçka e nisi për turizëm qejfi dhe kërshërie, sepse që në hapjen e pseudoinvestigimit shkruan me dorën e tij: ” Tre vite të shkuara, dy Ministrat e Kulturës, ai i Kosovës dhe ajo e Shqipërisë organizuan një Konferencë për shkrimtarët Ernest Koliqi dhe Martin Camaj. Nuk e di qëllimin e vërtetë të kësaj Konference, por nga ato që lexova, m’u krijua përshtypja se dy Ministrat promovuan Camajn dhe Koliqin, si dy kalorës të mohuar të letrave shqiptare. Dy kalorës që mbi veten vunë gjithmonë atdheun dhe letërsinë por që fatkeqësisht Atdheu nuk i kuptoi kurrë. E sa për lëmin e letërsisë nuk kam kompetencën e duhur për t’i gjykuar këta dy shqytarë kalorsiakë, shpresoj që me analizën e mëposhtme lexuesit të krijojnë një ide të qartë mbi “Mitet e rreme” që promovohen dhe lartësohen edhe nga Ministritë tona të Kulturës.”

E shihni pra se si për fushë me scripta manent  Auron Tare që shtiret se nuk bën gjykime dhe gjykatësin pa e patur idenë nga letërsia, duke qenë zero në fushën e kulturës letrare “akuzon” Ministrat e Kulturës se kanë promovuar “mite të rrema”. Pra Auron Tare me stilin e ish oficerëve të sigurimit e sjell këtë “investigim” për t’i shembur këto Mite si Teatrin Kombëtar, por nuk mundet sepse ata i kthyeu në Mite vepra letrare dhe veprimtaria jetësore.

Shfaqja cinike e Auron Tares ishte fund e krye një provokim. I një njeriu të veshur me kostum privat, sikur e pohoi vetë, ndërsa de jure është edhe një zyrtar i lartë politik i PS, çka bie ndesh si me integritetin ashtu dhe pavarësinë e shkencëtarit, të cilit për të shpërndarë helmin ndaj korifejve të kulturës në periudhën e diktaturës, si me shkop magjik i hapen dyert e televizioneve.

Kë donte të provokonte Auron Tare, tamam-tamam?

Të vdekurit? Jo?

Është cinik dhe burracak pasi as Martin Camaj edhe Ernest Koliqi nuk i kthejnë dot përgjigje!

Auron Tare provokon të gjallët.

Të gjallëve u bëj një lutje që të mos bien kurrë në rrjetën e një profani si Auron Tare që lexon Shvejkun, por nuk e ka as zgjuarsinë e personazhit të Hashekut dhe as dokumentat për t’i rikthyer në armiq të Shqipërisë ata të cilët i kishte shpallur armiq sistemi totalitar i Enver Hoxhës.

Filed Under: Analiza Tagged With: Auron Tare, Elida Buçpapaj, Ernest Koliqi, Martin Camaj

Koliqi dhe Camaj, dy shërbestarë të jashtëzakonshëm të Kombit

July 12, 2020 by dgreca

Nga Keze Kozeta Zylo/

Të arratisesh nga Shqipëria në çdo kohë do të thotë që nuk je dakord me sistemin që sundon politikisht. Kjo tragjedi, sidomos e trurit të Kombit, ka ndodhur përherë dhe nuk ka ndërmend të ndalet.Ikjetsa më larg sistemeve makabre i ndjen ai ajo që ka ikur në mënyra nga më të ndryshmet, më tëçuditshmet, qoftë dhe më komodet apo dhe më të dhimbshmet. 

Kurrë nuk mund t’i ndjejë një njeri që s’e ka parë me sy emigracionin, për më teper të jetëndjerëi rehatuar dhe i privilegjuar nga sistemi që sundon dhe ku bashkëpunon.  I sjellë këto përvoja pasi si çdo emigrant i ka ndjerë në kurriz plagët e gjakta të fillimit tëviteve të emigrimit, të stropacitjeve të dokumenteve, të përbuzjeve si shqiptarë sidomos nëpër Europë, sepse të gjitha këto tortura e kanë të vetmin burim dhe të vetmen fillesë në qeverisjet që e kanë lënëMëmëdheun tonë të shtrijë dorën udhëve tëçakërdisura të botës pa pikë autoriteti dhe dinjiteti ndërkohë vetë qeveritarët dhe sahanlëpirësit e tyre notojnë në lluks të shfrenuar. 

Sidoqotë këto përjetime i solla për parantezë sepse po lexoj në media që këto kohë po zhurmojnë dhe është ndezur zjarri bubulak për dy korifejtë e kulturës kombëtare, prof.Ernest Koliqin dhe prof.Martin Camaj.  Z.Auron Tare ka sjellë zellshëm disa tipthashethemesh spiunësh të pacipë nga agjensi të ndryshme të dëgjuara në botë si me CIA-n, shërbimet sekrete të Republikës Federale Gjermane, KGB-ja sovjetike, angleze,ndërsa për UDB-në famëkeqe do t’i shohë më  vonë sa te happen arkivatsipas z.Tare,ndezësi i këtij fitili qëmë së shumti duken si shashkat tymuese. 

S’dua të ndalem fare dhe as që më bëjnë përshtypje këto lloj dokumentesh sjellë nga agjentë  tëndryshëm, që shpesh dhe vetë historianët thonë që shumë prej këtyre agjentëve nuk merren për bazë,sidomos kur kanë survejuar vetëm, pa grup.  Por edhe sikur t’i besojmë këta sorollopë të paguar asgjë nuk del që ata po luftonin kundër trojeve shqiptare, kishin tradhtuar Kombin, por thjesht luftonin për të përmbysur regjimin e Enver Hoxhës prej të cilit ata u dënuan pa mëshirë po aq dhe familjet e tyre që jetuan brenda rrethit vicioz tëdiktaturës komuniste. 

Në këtë mori debatesh feisbukjane gëlojnë shkrues dhe shkara shkrues duke përfituar nga inkompetenca e historianëve me pagesë që nuk sjellin mendimin shkencor dhe historik jo vetëm per Ernest Koliqin, Camaj, por dhe për shumë figura të tjera të ndritura të Kombit në Diasporë tëcilët duan me çdo kusht t’ baltosin ose t’i hedhin pa mëshirë në koshin e plehrave.  Në këtë luftë me mullinjte e erës i vetmi që përfiton është prurësi i këtij debati Auron Tare qëi hipën avionit sa herë t’ihipi ne tru të kokës sa në Washington, Angli, Gjermani, shumë shpejt dhe në Beograd… Më të lumtë Z.Tare, ne të ikurit nga sistemet që ju jeni i punësuarme poste prej tyre mendohemi 1000 herë pa të vimë në Atdhe… Aferim Z.Tare!

Kam takuar dhe intervistuar dhjetra të burgosur, tëinternuar, fëmijë me prindër tëpushkatuar dhe ajo që më ka bërë përshtypje dhe që e kanë emërues të përbashkët nuk kerkojnëhakmarrje personale, por vetëm drejtësi nga organet kompetente që mjerisht në Atdheun tonë të përbashkët drejtësia është e zhytur nëllucën e korrupsionit.  Me këtë korrupsion të fëlliqët qëkullon qelb nga trupi i Shqipërisë  duhet të merreni ju z.Tare ngase i shikoni direkt vuajtjet dhe varfërinë e tejskajshme ku ka rënë shumica e popullit shqiptar. 

“Who cares” z.Tare se çfarë sillni ju për Martin Camaj dhe Ernest Koliqin! 

Ata e shkruan historinë me mund dhe me sakrifica nga më të dhimbshmet, ata janë frymëzues për mua dhe shumë shqiptarë të tjerë që përgjërohen për Kombin dhe pse të arratisur nga sistemet.  Nga përvoja ime personale këtu në Diasporë në USA unë po sjellë vetem një rast dhe të rekomandoj të shikoni dokumentarin realizuar nga TVSh-ja nën titullin: “Martin Camaj” Një dokumentar nga Tefta Radi.  Sinqerisht s’mund t’i harrojë lotët e bashkëshortit tim kur flitej për ndarjen e Camaj, arratisja e tij, dashuria për nënën, familjen që u persekutua në mënyrë makabre…  Nga ana tjetër ndiheshim tejet krenar se si një bashkatdhetari ynë me kaq mund dhe sakrifica, arriti të integrohet në botën marramendëse perëndimore dhe të hapë për herë të parë Katedrën e Albanologjisë në Munih të Gjermanisë që askush deri më sot nuk e ka bërë.

Martin Camaj do të ftohej nga Universiteti “Ludëig Maximilian” të Munihut si lektor.  Dhe vetëm këto do të mjaftonin për një intelektual klasi siçështë Martin Camaj që të vihej nëpanteonin e kulturës kombëtare, por ai ka lënë pas vepra të tjera që moria e analfabetëve po aq dhe e lexuesve që e kanë shpirtin vetëm për ligësira e anatamojnë si skuadrat famëkeqe të pushkatimit.

Çfarë mund të thuhet për Ernest Koliqin këtë soj intelektuali që vetëm i bën nder Kombit tonë për kultuën, shërbimin dhe çka i solli historisë dhe letërsisë kombëtare.Ky burr i ndritur i Kombit i këndoi gjuhës shqipe me aq mall dhe krenari si:“O shqipe plot me munguj, o gjuh` burrash/ Qi me `i fjal` t`vetme lidheshin per laku/ Dhe soje as vdekja s`mujte kurr me i trande…”

Shkollat Shqipe që Ernest Koliqi ngriti në Kosovë, si dhe në territoret etnike nga Rozhaja deri në Peshterë e Pazar të Ri, nga Tetova në Gostivar, Kërçovë, Strugë dhe Dibër e nderojnë dhe e sjellin në syrin tim si nje Rilindas të vërtetë.  Të ngrije shkollat Shqipe në atë kohë ka qenë shumë e vështirë, ka qenë sakrificë për jetën, ka qenë dashuri për Kombin, ka qenë sfidë me penë dhe kulturë kundër UDB-së dhe regjimit armiqësor jugosllav që ju e keni ëndërr dhe pasion për të gërmuar në arkivat e UDB-së për të gjetur ndonjë perçarjte të ndonjë spiuni serb tëcilët e kanëtë mëkuar me qumështin e nënës për ta zhdukur Kombin tonë.

Këta korifej bashkëthemeluan revistën “Shejzat” ne Itali.  Këto materiale na sillni ju z.Tare meqënse e ke mundësinë e madhe financiare që ta shetisësh botën me aviona sa herë të hipën nëtru të kokës.

Dr. Lazer Radi një tjetër korife i letrave shqipe, i burgosur dhe internuar për 50 vjet me të cilin pata fatin të kem miqësi pas përmbysjes së diktaturës prej disa vitesh deri sa u arratisëm në vitin e mbrapshtë të 97-ës e kujtonte me një adhurim të veçantë Prof.Ernest Koliqin dhe ja si dëshmote: “Gjuhën shqipe që e mësova aq pastër dhe bukur ja përkushtoj prof.Ernest Koliqit sidomos kur lexova “Hija e Maleve”.  Aty mësova parurinë e gjuhës amtare, mësova artin e magjishëm, mënyrën se si shkruante Koliqi.  Unë erdha nga Prizreni dhe nuk e kishja aq të zhvilluar artistikisht të folurin shqip, por leximi i veprës së tij mëmahniti dhe pasuroi botën time për të shkruar libra…”

I vëllai i Ernest Koliqit, Mikel Koliqi, Kardinali i emëruar nga Papa Gjon Pali i dytëështë denuar me 40 vjet hejqje lirie nga regjimi diktatorial komunist. 

A kështu shpërbleheshin ata qe i shërbenin partisë dhe Enverit duke i vuajtur gjithë familja, vrarë e varur çengelave të zinj? 

Kardinali Mikel Koliqi është udhë drite shpirtërore dhe kombëtare vulosur nga udhëheqësi shpirtëror dhe njeriu më karzimatik i botës katolike Shën Gjon Pali i dytë, që të paudhët duhet tëmarrin pak dritëz dhe t’i largohen verbërisë ekstreme që tëçon vetëm në humnerë rrethuar nga korba të zinj.

Në“Vatican News” në përvjetorin e vdekjes së Kardinal Ernest Koliqit shkruhet si:

“E jeta dhe veprimtaria e kardinalit Mikel Koliqi është për të gjithë shqiptarët shembull e testament shpirtëror e kombëtar, pra mbetët një udhërrëfyes për të gjithë ne, se si duhet punuar të bashkuar e në mirëkuptim për një të ardhme më të mirë për popullin e vendin, me një përkushtim e përvujtëri, duke kërkuar e përvetësuar gjithmonë vlerat e vërteta e të shëndosha, njerëzore, shoqërore e shpirtërore e, kulturore e kombëtare.”

Ju drejtohem ju z.Tare per te reflektuar, për ta parë të vërtetën në sy, ju drejtohem të gjithë bashkatdhetareve të mi që e duam kulturën, shërbimin qytetar, qe dinë të vlerësojnë sakrificat e atdhetarëve të vërtetë, që të krenohemi dhe tëfrymëzohemi nga këta korifej të Kombit.  Ne i kemi këta korifej, por dikush me ligësi ose injorancë hedh baltë ndaj shqetësimi i Faik Konicës është tejet aktual dhe në ditët e sotme kur shkruan se:

“Ne duhet të udhëhiqemi nga dishepujt e kulturës kombëtare ndryshe do te ndodh si: “Ne vetëm duhet të shikojmë në shpirtin tonë dhe t’i shohim mendjendriturit lartë në qiellin tonë, që në mejtime mbase ende nuk thonë diç, por veç sa s’e kanë humbur durimin të na marrin për veshit si çilimiun e të na ngërmohen: “Kjo është rruga jonë…”

Ernest Koliqi dhe Martin Camaj me veprën e tyre e dënuan dhunën e gjuhës sëmashtrimit sepse vetë Camaj do të thoshte: “Dhuna s’asht trmni, por shej ligshtie.”

Për veprën kombëtare që ata lanëErnest Koliqi dhe Martin Camaj ngelendy shërbestarë të jashtëzakonshëm të Kombit.

12 korrik, 2020

New York

Filed Under: Analiza Tagged With: Keze Kozeta Zylo, Koliqi & Camaj, sherbestare te Kombit

HOTI: NORMALIZIMI I MARRËDHËNIEVE KOSOVË-SERBI VJEN VETËM PAS NJOHJES RECIPROKE

July 12, 2020 by dgreca

 -Kosova dhe Serbia rifilluan dialogun në Bruksel, sot përmes një videokonference dhe e vijojnë të enjten e 16 korrikut 2020 kur pritet edhe takim i kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian/

-Kryeministri Hoti: Sot kemi arritur pajtueshmëri në parim që të kemi takimin e radhës në Bruksel, të enjten që vjen, që është takimi i parë pas 20 muajsh prejse është ndërprerë procesi i dialogut/

PRISHTINË, 12 Korrik 2020 Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/Normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi vjen vetëm pas njohjes reciproke, tha sot në Prishtinë kryeministri kosovar, Avdullah Hoti. Ai ka folur gjatë një konference për shtyp për takimin e nivelit të lartë që është mbajtur sot nëpërmjet video-konferencës në mes Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

“Ky takim ka ndodhur pas Samitit të Parisit, me ç’rast unë dëshiroj të falënderoj Presidentin Macron dhe Kancelaren Merkel për gatishmërinë e tyre që të ndërmjetësojnë që të fillojë procesi i dialogut pas një periudhe të gjatë”, tha Hoti.

 Ashtu siç e kemi thënë vazhdimisht si qeveri, vijoi kryeministri,  qëndrojmë prapa asaj se dialogu nuk ka alternativë dhe se vetëm përmes dialogut ne mund t’i zgjidhim çështjet që i kemi me Serbinë.

“Në të gjitha takimet që i kemi pasur deri më tash unë kam prezantuar në emër të Qeverisë së Kosovës, në bazë të kompetencave të mia kushtetuese, platformën e shtetit të Kosovës për procesin e dialogut që ne në këtë proces hyjmë për vetëm një qëllim, që është njohja reciproke dhe normalizimi i plotë i marrëdhënieve në mes të dy vendeve”, theksoi kryeministri Hoti.

Ai shtoi se, sot kemi arritur pajtueshmëri në parim që të kemi takimin e radhës në Bruksel, të enjten që vjen, që është takimi i parë pas 20 muajsh prejse është ndërprerë procesi i dialogut.

“Është vlerësuar edhe nga ndërmjetësit e këtij procesi që takimi ka qenë konstruktiv, duke qenë se kemi prezantuar qëndrimin tonë shtetëror dhe jemi të gatshëm të ulemi në çdo tavolinë të dialogut për të mbrojtur shtetësinë e Kosovës dhe për të kërkuar plotësisht normalizim të marrëdhënieve, i cili vjen vetëm pas njohjes reciproke në mes të dy vendeve”, tha kryeministri Hoti.

 Kosova dhe Serbia rifilluan dialogun në Bruksel, sot përmes një videokonference dhe e vijojnë të enjten e 16 korrikut 2020 kur pritet edhe takim i kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Para zhvillimit të sotëm, kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti mori pjesë në konferencën virtuale – Samitin e Parisit, në 10 korrik, të organizuar nga Presidenti francez, Emmanuel Macron dhe Kancelarja gjermane, Angela Merkel. Në këtë video-konferencë, Bashkimi Evropian përfaqësohet nga Josep Borrell, Përfaqësuesi i lartë i politikës së jashtme, kurse Serbia nga presidenti Aleksandar Vuçiç.

 Kryeministri i Kosovës, Hoti  në 7 Korrik në Paris takoi Presidentin e Francës Macron, i cili në 9 korrik takoi edhe presidentin e Serbisë Vuçiç.

 Ishte paralajmëruar që të dielën në 12 korrik në Bruksel të takohen kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në rifillimin e dialogut midis dy vendeve drejt normalizimit të marrëdhënieve. Por, ky takim është shtyrë për të enjten javës së  ardhshme – 16 korrik, ndërsa sot takimi ishte virtual.

Filed Under: Analiza Tagged With: Kryeminsitri Hoti, normalizimi, pas njohjes

Pastërti

July 11, 2020 by dgreca

Nga Astrit Lulushi/

Supozojmë që njeriu nuk është kafshë, vetëm sepse flet e arsyeton. Por ai është i vetëdijshëm se një kafshë brenda tij jeton, e cila zgjohet e rritet në përpjestim me shkallët që ngjit, sa më lartë aq më kafshë bëhet, dhe nuk mund të dëbohet tërësisht. Ndodh si me mikrobet, të cila, edhe kur njeriu është i shëndetshëm, ato pushtojnë trupin tij; njeriu mund të gëzojë shëndet të mirë, por jo të pastër. Kush e di se çfarë jete do të rezultonte nëse do të ishim të pastër? Ndoshta jeta nuk do ishte as më e mirë, as më e keqe, ose nuk do të quhej me emrin që e thërrasim.

Dëlirësia është tjetër gjë; është lulëzimi i njeriut; dhe ata që quhen Gjeninj, Heronj, Shenjt dhe të tjerë të ngjashëm, nuk janë veçse lulet që ia dalin mbanë të bëhen fruta. Nëse njeriu është mishërim i Krijuesit, atëherë, kafsha brenda vetes vdes dita ditës; për shkak të natyrës inferiore dhe brutale, vetë kafsha tërhiqet, por lë pas gjurmë vesesh, si në rastet kur vetë jeta bëhet turpi.

Sa i lumtur është njeriu që u ka treguar vendin bishave që shkurajojnë mendjen; ai mund të përdorë një kafshë, por nuk është gomar për të gjithë të tjerët. Njeriu tjetër bëhet pjesë e turmës që ka kafshën brenda dhe nxitet me tërbim të përkeqësuar. E gjithë ndjenja është një, megjithëse merr shumë forma. Është e njëjta gjë me një njeri i cili ha, pi, bashkëjeton, ose fle për të jetuar. Ai ka vetëm një oreks, dhe i duhet të shohë një person tjetër të bëjë ndonjë nga këto gjëra për të ditur se sa e madhe është ndjenja e tij.

Papastërtia as qëndron e as nuk ulet së bashku me pastërtinë. Kur kafsha sulmohet në njërën anë, ajo e tregon veten në anën tjetër. Nëse njeriu do të ishte i dëlirë, duhet të jetë i butë i sjellshëm. Kemi dëgjuar për këtë virtyt, por nuk e dimë se çfarë është. Ne flasim konform me thashethemet që kemi dëgjuar. Nga ushtrimi i mendjes vijnë mençuria dhe pastërtia; nga plogështia vijnë padituria dhe papastërtia, zakon i mendjes së ngadaltë a të përgjumur. Një person i papastër është në përgjithësi përtac, që ulet të pushojë pa qenë i lodhur, dhe përpiqet të pengojë sa më shumë të tjerët që mendojnë se Natyra është e vështirë për tu kapërcyer, por ajo duhet të tejkalohet duke hyrë nëpër ‘të.

Filed Under: Analiza Tagged With: Astrit Lulushi, Pastërti

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 350
  • 351
  • 352
  • 353
  • 354
  • …
  • 975
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Çështja shqiptare preokupim politik e kombëtar
  • Lentja Filmike e Kosovës Përtej Ekranit – Hulumtim nga studiuesit Jeta Abazi Gashi dhe Juan Manuel Montoro
  • Lufta e Gjeneratës së Pestë
  • Komisioni Përgatitor i Kuvendit të Vatrës njofton degët, vatranët dhe publikun mbi afatet dhe veprimtarinë përgatitore të Kuvendit të Vatrës që zhvillohet në New York më 25 Prill 2026
  • Inteligjenca Artificiale, Manipulimi i Realitetit dhe Kapja Digjitale e Shtetit Shqiptar
  • GJEOGRAFIA IMAGJINARE DHE PERANDORIA LETRARE NË PROZËN E ISMAIL KADARESË
  • KONGRESI I LUSHNJES NË EMISIONIN E  PULLAVE : “100 VJET PARLAMENTALIZËM SHQIPTAR”
  • Mbështetja Shqiptare për Hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore
  • DITA NDËRKOMBËTARE E HOLOKAUSTIT DHE KRIMET E REGJIMIT KOMUNIST TË ENVER HOXHËS
  • Vorea Ujko (1931- 26 JANAR 1989)
  • Vatra në Boston ju fton në ngritjen e Flamurit të Kosovës më 14 Shkurt 2026
  • Arritje e rëndësishme në studimet albanologjike: Shefkije Islamaj “Ligjërimi, gjuha, stili në krijimtarinë letrare moderne dhe postmoderne të Rexhep Qosjes”
  • Grupet shoqërore me civilizim të vonuar…
  • Marin Barleti, personaliteti më i shquar i humanizmit shqiptar dhe një ndër më të rëndësishmit të humanizmit evropian
  • Arbërishtja – një gjuhë pa shtet që mbijeton mbi 500 vjet në diasporë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT